• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, dialog pas tensioneve

January 24, 2017 by dgreca

-Kosovë-Serbi, presidentët e kryeministrat sot takim në Bruksel, pas tensioneve e retorikave/

1 takimi 24 Janar

PRISHTINË, 24 Janar 2017-Behlul Jashari/ Në Bruksel ka nisur sonte raundi më i ri i  takimeve në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, ku për herë të parë, pas 30 raundeve kryeministrore, janë edhe presidentët, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, bashkë me krerët e qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.1 Moheri Thaci Isa

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, fillimisht  takoi delegacionin e Serbisë e më pas delegacionin e Kosovës, ndërsa vazhdohet me takimin e përbashkët trilateral. Sipas pritjeve dhe paralajmërimeve, në fokus është dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve.

Ka kaluar një vit pa takime në nivel të lartë, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar, ndërsa raundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.Pas këtyre ngjarjeve, që u pasuan edhe me retorika, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, javën e kaluar i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për sot në në Bruksel.

“Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhej në kumtesen e javes së kaluar të BE-së dhe shtohej se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dy palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.

Takimi i sotëm në Bruksel i presidentëve të Kosovës e Serbisë është i pari bashkë me kryeministrat, por është i dyti pas atij të 6 shkurtit  2013, kur është zhvilluar takimi i përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i presidentes kosovare Atifetje Jahjaga në atë kohë dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç,  pas takimeve të ndara që Baronesha zhvilloi me dy presidentët.

“Takim për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, paqen e stabilitetin në rajon dhe drejt integrimeve evropiane”, e vlerësonte Jahjaga takimin me Nikoliç, duke theksuar se ishte i pari takim i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeministror është mbajtur në 19 tetor 2012.

Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Deri tash, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialog, Kosove-Serbi, pas tensioneve

LELA KOKONA(DARDHA), SHKRIMTARJA PSIKOANALISTE

January 24, 2017 by dgreca

3 lela

Lela Kokona,Mesuese e nderuar, Shkrimtarja psikonanaliste origjinale e mjedisit tipik- tradicional shqiptar, me mjaft art, dhe me një fabul tejet interesante/

FB_IMG_1479977142759

Nga Nga Liliana Pere/

Profili./

1 fate te tarshgKush eshte gruaja serioze, mesuesja , shkrimtarja qe su lodh kurrë, aktivistja e shkëlqyer ne shoqaten Franceze, nëna e mrekullueshme, gruaja fisnike me zemër të madhe.Ne respekt të saj dhe për kuriozitetin e lexuesit unë e kam përshkruar figurën e Lela Dardha Kokona, reale ashtu si unë e njof nga afer. Nje model inspirimi për cdo moshë, me nje vullnet te hekurt, dhe një pasion e  dashuri të madhe për mesuesinë dhe krijimtarine. Nje romanciere me stil të vecantë. Herë prekes dhe herë  inkurajues, duke mos abstraguar asnjëhere nga realiteti.Me nota filozofike, duke e zbërthyer profesionin dhe letërsine në bërthamen e saj produktive.

Lela Kokona (Dardha) ka lindur më 21 dhjetor 1950, në Tiranë. Ka kryer shkollën e Gjuhëve të Huaja, dega rusisht në Tiranë. Ajo lindi e u rrit në një familje me tradita patriotike dhe intelektuale. Babai i saj, Gjolek Kokona, ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Pas çlirimit, ai ka qenë oficer me gradë madhore dhe një nga rrugët e Tiranës, sot mban emrin e tij.

Lela largohet nga Tirana dhe vendoset në Shijak, ku ajo martohet me një djalë nga ky qytet. I shoqi ishte mësues i gjuhës dhe letërsise shqipe, por kishte studiuar edhe histori e gjeografi. Serioz e i përkushtuar, ai ka qenë drejtor shkolle për 25 vjet, në një shkollë të asaj zone.

Edhe Lela fillon punë si mësuese, fillimisht e rusishtes, por më pas, duke iu bërë kjo e pamundur, ndërron profil dhe kalon si mësuese e pergjithshme.

Punonte me pasion dhe dëshirë dhe klasat e saj, gjithmonë dilnin me rezultate të larta.

Kjo i jepte edhe më shumë motiv dhe stimul për të punuar.

Brenda një kohe të shkurtër, Lela përshtatet me këtë ambient të ri, madje duke u bërë shumë e dashur dhe e afërt për fëmijët dhe kolegët.

Këta të fundit, nga ana e tyre, duke e ditur se Lela vinte nga një ambient tjetër, e përkrahnin dhe i jepnin kurajo. Dhe puna e shpërblen gjithnjë njeriun; ajo caktohet përgjegjëse e punës metodike për metodat e mësimdhënies, në të gjithë zonën që mbulonte ai vend, deri sa doli në pension.

Për Lelën, kjo ishte veç të tjerash edhe një mundësi e mirë për të njohur më në thellësi jetën e atyre njerëzve, përpjekjet, sakrificat për mbijetesë, por edhe zakonet dhe mënyrën e jetesës, çka, më vonë, do t’i vlente shumë në aktivitetin e saj letrar.

Gjithsesi, jeta dhe veprimtaria në një qytet të vogël, me normat dhe klishetë e ngurta të tij, nuk ishte e lehtë për t’u jetuar. Sidomos në ato kohëra, që tashmë dihet, kur njeriu ishte i shtrënguar të ndiqte rrugën e përcaktuar, normat e imponuara dhe veç kësaj, edhe një farë mendimi të ngushtë e meskin, që vinte nga poshtë e që ishte gjithmonë aty në trajtë trysnie.

Dhe ndoshta, ishte pikërisht edhe për shkak të kësaj, që Lela, ashtu siç ndodh shpesh me shpirtrat e lirë dhe mendjet e hapura, dimensionin tjetër të lirisë, atë të shpirtit, e kërkoi dhe e gjeti mjaftueshëm ndër faqet e librave. Ndjeu dhe jetoi historitë, dramat, bëmat dhe gëzimet që haste në shpirtin e çdo libri, se çdo libër ka një shpirt dhe është një jetë. Kjo është arsyeja që ai është mik i pagabueshëm, i pazhgënjyeshëm, i çiltër e besnik. Ai të kupton pa i folur e të ndjen pa iu qarë.

Kjo lidhje u bë edhe më e fortë me kthimin në Tiranë dhe daljen në pension të parakohshëm. Ndryshimet në ato kohë fillim tranzicioni ishin marramendëse. Ishin ndryshime që rroknin gjithçka: vendin, shtetin, punën, vendbanimin, sigurinë, formën e të menduarit, pra thelbin e jetës. Kaosi, edhe ai mendor, ishte i madh.

Por, edhe mundësitë për burime mësimi dhe informimi ishin akoma më të mëdha. Ishte e natyrshme; gjithë ky vrull prej stuhije s’kishte si të mos prekte e të formëzonte edhe jetën e Lelës. Ishin kohë transformimi, gati-gati transhendence, veçanërisht për ata shpirtra, që bota ekzistuese i dukej e vogël, e ngushtë dhe e pamjaftueshme.

Në vorbllën e trazuar të kohës, ajo angazhohet si mësuese në një shoqatë të huaj, që merrej me strehimin dhe integrimin e fëmijëve të rrugës. Aty vë tërë forcat dhe shpirtin e saj për të mësuar, por edhe për të ndihmuar me sa mundej, por me gjithë fuqinë e dhpirtit të saj energjik, ata fëmijë të harruar të fatit.

Në fakt, edhe pa një formim të mirëfilltë të profilizuar, krejt vetvetishëm, ajo bëri më së miri punonjësen sociale. Orët e mësimit ishin për fëmijët momenti më i gëzuar i ditës, momenti ku ata ndjenin përfilljen dhe dashamirësinë, kujdesin dhe dashurinë.

Disa prej tyre, i shkonin edhe në shtëpi kur kishin diçka për të ndarë, gëzime apo brenga, që ata nuk mund t’i mbanin deri të nesërmen. Shkonin me lot në sy, apo me buzëqeshje në fytyrë.

Por ata nuk kishin si ta kuptonin, se edhe ata po bënin diçka madhështore, diçka te fuqishme e të mrekullueshme: po ndryshonin një qenie, po fisnikëronin një shpirt, po shenjtëronin një jetë. Ishte kjo mirënjohja më e mirë dhe dhurata më e çmuar, që jeta i kishte bërë dhe që e shoqëronte si një aureolë.

Gjithë ajo çfarë ishte gatuar si një zjarr në shpirtin dhe qënien e saj, dalë-ngadalë, po kthehej në një llavë, që orvatej të shfrynte e të shpërthente me tërë forcën dhe energjinë, që kish qëndruar e fjetur ndër ngjarje e vite.

Dhe vullkani erdhi.

Libri i saj i parë, ‘’Kujtime të Trishta’’ ishte një shpërthim ndjenjash të hedhura në letër, që brenda kishte tharmin e dhimbjes dhe të mallit për motrën e dashur, të larguar para kohe nga kjo jetë. Në fakt, ky libër është një biografi e sjellë artistikisht në formën e një romani, me ngjarje të jetuara, por edhe me fantazi dhe situata të imagjinuara. Personazhet janë realë, por edhe të latuar e ngjyruar, për të sjellë më mirë qëndrimin e saj si autore. Kështu, kjo ngjarje, nuk na vjen thjesht si elegji e përlotur e sentimentale të një shpirti të thyer, por edhe si flakë shprese, që regëtin edhe në rrugëtimet më të errëta të shpirtit.

Në faqet e tij, ndeshim humorin, gëzimin, luftën, përpjekjen; ndeshim situata të këndëshme e shpresëdhënëse, të servirura me vërtetësi dhe  thjeshtësi të sinqertë. Pikërisht, ndoshta më së shumti, për këto cilësi që thamë më lart, por edhe në mënyrë të pashmangshme, për stilin dhe artin e hollë që derdhi pena e saj, bëri që libri të pëlqehej e të vlerësohej nga të gjithë lexuesit e tij. Veçanërisht, u pëlqye ky libër nga ata dhe ato që kishin pasur histori të ngjashme familjare dhe që në faqet e tij, lexonin brengën dhe shpirtin e tyre, por merrnin edhe forcën e ngrohtësisë së shpresës dhe gëzimit të jetës.

Libri i dytë ‘’Fate të Trashëguara’’

U shkrua pak kohë pas të parit. Nëpërmjet tij, autorja përpiqet të pikturojë tablonë sipas saj, të realitetit tjetër shqiptar. Atij realiteti, që shpesh fshihet, ose herë-herë, mbulohet me ngjyra të ndezura.

Nëse në librin e parë kemi dhimbjen dhe shpresën që ka të bëjë me vdekjen dhe dashurinë për jetën, në të dytin, kemi jetën si realitet i jetuar dhe vullnetin e luftën për ta ndryshuar.

Romani është pa frikë një psikanalizë e thellë e shoqërisë shqiptare, në kuptimin që ai prek dhe zbulon plagë të fshehura, të kaplura e të ngërthyera fort në thellësi të oqeanit shpirtëror shqiptar.

 

Dhe Lela i hap një nga një shtresat e shtypjeve dhe frenimeve psikologjike, që japin dhimbje dhe ankth të tmerrshëm, por që më pas çlirojnë energji të bllokuar, japin lehtësim të qënies dhe shije jetës.

Heronj të romanit, nga të cilët buron forca e brendshme, trimëria dhe sprova për të guxuar, në të vërtetë, janë ata që duken më të dobtit, më të brishtët, më zemërbutët, më shpirtdëlirët. Ata, që nuk kanë frikë, as turp të shfaqen siç janë, me botën e tyre të vërtetë dhe me mirësinë si brerore .

Ky roman është një himn për gruan; për gruan si nënë, si bijë, si bashkëshorte e si mike. Vetëm shpirti i një gruaje të vuajtur, me zgjuarsinë e lindur dhe dijen e kultivuar, mund të qëmtojë plagët e padukshme në trup e në shpirt.

Vetëm intuita e saj, frikshmërisht e pagabueshme, është në gjendje të lexojë me lehtësi librin e mbyllur me kujdes të mashkullit më të fortë e nopran dhe t’i interpretojë atij me sy mbyllur, kuptimin e faqeve të tij.

Vetëm ajo, gruaja, mund ta bëjë këtë. Ajo, më shumë se kushdo tjetër, ka nuhatjen dhe aftësinë të kapë edhe valëzën e puhisë së erës të krijuar nga rrahjet e krahëve të një zogu, por edhe kurajon për të luftuar si luaneshë, dhe të përballet me vështirësi, në dukje të pakapërcyeshme, për një jetë të denjë e të vërtetë për të dhe familjen e saj.

Dhe çka është më e rëndësishmja, e gjitha kjo vjen me një tregim që të rrëmben e nuk të lë t’i ndahesh asnjë sekondë, për të lexuar se çfarë vjen më pas. Faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, kurioziteti ndizet dhe stili bëhet gjithnjë e më rendës, çfarë e bën këtë libër tepër interesant dhe tërheqës për lexuesin.

Me pak fjalë, këtë libër do ta përkufizoja si një psikanalizë origjinale të mjedisit tipik- tradicional shqiptar, e sjellë me mjaft art dhe me një fabul tejet interesante. Ndoshta, është nga ata libra, që të ngelen në kujtesë për një kohë të gjatë. Të paktën, këtë thonë disa nga lexuesit e tij.

Lela kokona Dardha vazhdon të shkruajë dhe së afërmi do t’i prezantohet lexuesit me një roman të ri, që me gjasë, do zërë vend shpejt në bibliotekën e dashamirësve dhe lexuesve të saj.

Personalisht, ajo çka më mahnit në rastin e Lelës, është se ajo gjithmonë përpiqet të mbetet e re dhe aktive, me gjithë vitet që ikin dhe ngjarjet që rrjedhin.

Ajo mund të përbënte nje shembull, apo model, për shumë gra e vajza të këtij vendi, të cilat të pafuqishme dhe pa kurajon për t’u përballur, shtyjnë ekzistencën e tyre nën qiellin përherë gri të mjedisit tradicional shqiptar.

Ndërsa Lela guxon. Për sa kohë, udhërrëfyese të saj janë mirësia, drejtësia dhe ndershmëria, ajo jeton lumturisht jetën e saj dhe thith ajrin e kulluar të lirisë.

Lela Kokona Dardha ka krijuar dhe respekton fort stilin e saj të jetës. Dhe sipas Paskalit, ‘’Stili është njeriu’’.

Lela eshte nderuar nga Albania Woman in the World me cmim nderi  Honorary Award- Elita e gruas shqiptare .

Per aktivitetin e saj te spikatur si mesuese Botuese dhe aktiviste humane e gruas ne shqipëri.Në përfundim desha ti uroj: Te ketë shëndet, jetë te gjatë dhe të na dhurojë krijimtari të bukur

Faleminderit Lela Dardha Kokona, mësuesja që su lodh kurrë, dhe libri mbeti dashuria e saj e madhe.

 

Filed Under: Featured Tagged With: E NDERUAR, LELA KOKONA(DARDHA), MËSUESJA, SHKRIMTARJA PSIKOANALISTE

7 ushtarë grekë me origjinë shqiptare rrezikojnë dënimin

January 23, 2017 by dgreca

ushtare shqiptaro-gerekeNgjarja ka ndodhur në një repart elitar të këmbësorisë së ushtrisë greke në Mesologji të Greqisë, ku 7 ushtarët e ushtrisë greke, por me origjinë shqiptare, janë fotografuar mbrëmjen e së premtes së kaluar dhe në vazhdim kanë publikuar foton e bërë  brenda ambienteve të repartit ushtarak duke bërë me pëllëmbët e tyre simbolin e shqipes dy krenare.Ngjarja e pazakontë ka shqetësuar së tepërmi krerët e ushtrisë greke, te cilët kanë urdhëruar menjëherë hapjen e një hetimi, ndërsa komandanti i repartit dhe shefi i shtabit te forcave tokësore greke, rrezikojnë postet e tyre.
Sipas burimeve nga ministria e mbrojtjes greke, pak mbas publikimit të fotos në fjale, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë greke ka urdhëruar identifikimin, dhe në vazhdim shoqërimin e ushtarëve të përfshirë në foton, që sipas autoriteteve greke konsiderohet jo vetëm skandaloze, por edhe një gjest i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të Greqisë. U deshën pak orë, që autoritetet helene të kenë emrat e 7 shqiptarëve me shtetësi greke të përfshirë në këtë incident. Ata janë ndaluar dhe u morën në pyetje prej autoriteteve  ushtarake greke. Gjithashtu janë kontrolluar edhe telefonat e tyre celulare, nëse janë fotografuar ambiente të repartit ose armatime të gjendura në të, si dhe telefonatat e tyre, nëse kanë komunikuar me persona të cilësuar si të rrezikshëm për sigurinë kombëtare greke. Sipas një njoftimi të shtabit te përgjithshëm të ushtrisë, hetimet janë hapur për mënyrën e futjes se telefonit brenda ambienteve te repartit, si dhe për shkallën e përfshirjes së 7 kadetëve në propagandë anti-greke. Mësohet se 7 kadetët do të bënin betimin e tyre në datën 2 shkurt dhe do të shërbenin në ushtrinë greke për 9 muajt e ardhshëm. Ata kanë marrë shtetësinë greke në saj të ligjit që ua mundëson këtë për shkak të përfundimit të studimeve në shkollat greke. Fillimisht ata do të transferohen në zonat kufitare, ku do të kryejnë pjesën e mbetur të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por mbas presionit të mediave greke dhe qarqeve ekstremiste vendase, nuk përjashtohet që atyre t’iu hiqet shtetësia, një veprim ky që nuk ka ndodhur asnjëherë për të njëjtat arsye deri tani. Me interes pritet edhe kthimi nga SHBA i ministrit grek të mbrojtjes Panos Kamenos, ku ndodhej për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan,. Ky i fundit njihet si përkrahës i linjës patriotike, shpesh herë e konsideruar si ekstremiste për mbrojtjen e identiteti helen në ushtri, ndaj dhe pritet që dënimet ndaj 7 kadeteve do të jenë shumë të ashpra. Sipas burimeve, dënimet ndaj 7 ushtareve do të jenë edhe më të forta, edhe për të parandaluar çdo tentativë të imitimit në të ardhmen të gjesteve të ngjashme.(Sh K)

Filed Under: Featured Tagged With: 7 ushtarë grekë, me origjine shqiptare, rrezikojnë dënimin

LEZHA, THIRRJE PËR BESËLIDHJE

January 23, 2017 by dgreca

1-frank-300x212

  Nga Frank Shkreli/ Javën që kaloi në Lezhë dhe në Romë u përkujtua 549- vjetori i vdekjes se Gjergj Kastriotit Skenderbeu.  Me këtë rast, sipas portalit të Bashkisë Lezhë, u mbajtën ceremoni në memorialin që ruan vendvarrimin e Heroit, ku thuhet se morën pjesë drejtues të pushtetit vendor dhe të institucioneve, përfaqësues të partive politike dhe besimeve fetare, ndërkohë që nxenës shkollash e qytetarë të Lezhës bënë homazhe dhe vendosën tufa me lule tek varri i Heroit Kombëtar të shqiptarërve.

skenderbeu3_1580skenderbeu8_1585Njoftohet se Kryetari i Bashkise Lezhë, Fran Frrokaj ne fjalën e tij me këtë rast theksoi se, “Kjo ditë shënon përmbylljen e një prej periudhave më të shëndritëshme të historisë sonë, kur Shqipëria iu imponua Europës si mbrojtëse e qytetrimit të saj dhe kur Gjergj Kastrioti hyri në histori si një ndër gjeneralët më të mëdhenjë të epokës së vet, si strateg i luftës dhe profet i paqës”.   Ai shtoi se kjo ditë historike për shqiptarët kudo, nuk është vetëm një datë kur Heroi Kombëtar i Shqiptarëve ndërroi jetë, por kujtohet na të gjithë, “Si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bejnë të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të Bashkimit të Kombit, që diti të arrij konsensusin e princave hatërmbetës, duke u berë baza e themelit të shtetit”.   Në fjalën e tij përshëndetse, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Frank Frrokaj njoftoi se, në nderim të veprës së Heroit Kombëtar kishte gati për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë propozimin për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare”, duke theksuar se Lidhja historike e Gjergj Kastriotit-Skënderbe me Lezhën dhe me Besëlidhjen e saj, mbetet një dëshmi e pakontestueshme. 

Njoftohet gjithashtu se në ceremoninë e  549-përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, morën pjesë dhe përcollën mesazhe paqeje, mirësie, tolerance dhe bashkjetese vëllazërore udhëheqsit fetarë vendas,  Arkipeshkvi i Shkoder-Pultit, Monsinjor Anxhelo Masafra dhe Imami i xhamisë Lezhë, Agim Tereziu.

Njëkohsisht, edhe në Romë të Italisë, për herë të parë, tri ambasadat shqiptare në atë vend (2 ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ajo pranë Vatikanit dhe ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, pranë Italisë), organizuan së bashku me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me 17 Janar një ceremoni përkujtimore në sheshin “Albania”, pikërisht aty ku me madhështinë e tij krenare mbizotëron hapësirën, monumenti i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbe.  Radio Vatikani shqip njoftoi se përveç diplomatëve të lartë shqiptarë në Romë dhe Vatikan, pranë monumentit të Heroit të tyre Kombëtar, ishin mbledhur me këtë rast shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali nga Shqipëria dhe Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare, por nuk mungonin as arbëreshët dhe miqë të huaj dhe italianë.

                                   Diplomatët shqiptarë gjatë ceremonisë para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skëndrebe, në “sheshin Albania”, Romë

Shefi i ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit, në fjalën e rastit, Visar Zhiti theksoi rëndësinë dhe simbolikën e ritualit të organizimit të ceremonisë dhe të vendosjes së bashku të tri kurorave në nderim të Heroit Kombëtar nga tri ambasadat shqiptare, një ndërmarrje kjo që Përfaqsuesi i Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit e cilësoi si një, “Ëndërr e shqiptarëve, një ëndërr në rrugën skenderbejane.”  Diplomati shqiptar Visar Zhiti përshëndeti të pranishmit duke thënë se, “Skëndërbeu ishte mik i Evropës në kuptimin e mirë dhe ishte luftëtari i saj.  Skënderbeu ishte bashkpuntori dhe aleati i Selisë së Shënjtë, i katër papëve, me të cilët bashkëpunoi.  Krijoi një Shqipëri të fuqishme, të lirë që për 25 vjetë përballoi superfuqinë e asaj kohe dhe njëkohsisht u bë dritë dhe pishtar për shekujt e mëpastajshëm” shtoi ai.  Në fjalën e tij përshëndetse, Visar Zhiti nënvijoi se, si mbrojtës i qytetërimit perëndimor, “Skënderbeu është, në një farë mënyre, kryekomandanti i parë i kësaj Evrope të bashkuar që kemi.”

Ndërsa edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Alma Lame theksoi lidhjet e Gjergj Kastriotit Skënderbe me Evropën, duke thënë se, “Figura e Skënderbeut i ka tejkaluar, prej shekujsh në fakt, përmasat kombëtare.  Ai është një figurë që i përket Evropës.  Nuk është cilësuar kështu nga ne, por është cilësuar nga mbarë Evropa”, nënvijoi kryediplomatja e Kosovës në Itali.  “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike, ai është shndërruar në një figurë të letërsisë, të artit, të kulturës, në kohën kur jetojmë”, u shpreh ajo.   Në fjalën e saj, diplomatja Lame vahdoi duke thënë se,   “Megjithatë, Skëndërbeu si duket ka ende armiqë.  Ata janë shumë më të pakët dhe shumë më të dobët, por megjithatë ata ekzistojnë.  Dhe ne si pasardhës të Skënderbeut dhe të frymës së tij dhe të asaj çfarë ai përfaqëson për mbarë kombin tonë, por edhe për mbarë Evropën, ne duhet që të jemi bashkë dhe të japim përgjigje, atë përgjigje që po të ishte gjallë Skënderbeu, do tua jepte atyre armiqve që në të vërtetë janë të pakët dhe ne do t’i mundim”, përfundoi ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë.

Ndërkaq,  Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Romë, Anila Bitri në fjalën e saj nxori në pah vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit, duke  u shprehur se “Heroi ynë kombëtar, as legjendë dhe as mit, por një personazh i madh historik, i cili programoi dhe ideoi struktura bashkëpunimesh, ndërtoi aleanca, hodhi themelet e shtetit të bashkuar të Arbërit, duke themeluar Lidhjen e Lezhës.”  Lidhja e Lezhës, tha ambasadorja e Tiranës në Itali, është “Institucioni i parë pan-shqiptar që i bënte shqiptarët të projektoheshin në arenën politike ndërkombëtare të asaj kohe, po me aq peshë, me aq forcë, sa edhe popujt e tjerë mesdhetarë dhe evropianë.  Ideali që ndërtoi ai duhet të na bashkojë të gjithëve. Unë do doja fort që sa herë të tuboheshim, të hynte në ritual të ditës së celebrimit takimi me Heroin.  Mund të ndezim një pishtar, mund të vimë dhe ta shohim për të rimarrë mesazhin që ai lë”, mbylli fjalën e saj kryediplomatja e Shqipërisë në Itali.

Propozimi referuar më lartë i Bashkisë së Lezhës për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare është një nismë që meriton të merret parasyshë dhe të shqyrtohet seriozisht kur t’i paraqitet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për konsiderim.  Lidhja e Lezhës, siç e cilësoi edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, është “Institucioni i parë pan-shqiptar”, por njëkohsisht edhe ideali, i cili ashtu si në kohën e Gjergj Katstriotit-Skënderbe duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallim.

Viti që vjen, shënon 550-vjetorin e kalimit në amshim të heroit dhe Fatosit të Madh mbarë kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.  Nuk është heret, që institucionet relevante shqiptare të fillojnë të mendojnë për një përkujtim të denjë kombëtar të këtij përvjetori.  Një përkujtim, i cili 550-vjetë më vonë, të flasë  me krenari për trimëritë dhe flijet e mëdha të shqiptarëve, që ata pësuan në mbrojtje të Europës dhe qytetërimit të saj, të udhëhequr nga Prijsi i Madh i shqiptarëve.  Por për më tepër, duhet të jetë edhe një celebrim për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, një rast frymëzimi për një Besëlidhje të re shqiptare, mbështetur në një zotim të ri për vepra të reja të përbashkëta, ashtu si në kohën e Skënderbeut.  Javën që kaloi, me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Lezha e Gjergj Kastriotit bëri thirrje që 2 Marsi, të shpallet Dita e Besëlidhjes së Lezhës, në kujtim — të Atij që Papa Pali i VI e pat cilësuar në një fjalim drejtuar shqiptarëve në Romë më 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut — “Të gjithmonshmit të fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë… ashtuqë që testamenti i Skënderbeut dhe Atdheu i juaj të shkëlqej me meritime të reja.”
*Fotot nga ceremonia në kujtim të 549-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar në Lezhë, janë në portalin “Bashkia Lezhë”.

Filed Under: Featured Tagged With: Lezha, PËR BESËLIDHJE, THERRET

Kosovë-Serbi, takim i ri i nivelit të lartë në 24 janar në Bruksel

January 22, 2017 by dgreca

-Raundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në Kosovë pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare/

1 bisedimet2-Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë: Ftesë qeverisë së Serbisë që të heq dorë nga gjuha kërcënuese dhe ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe bashkëpunimit. Ftoj edhe njëherë ministrat serbë të kthehen në qeveri, por ata ministra, të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës/2 Mogherini-Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç paralajmaëroi sot se, në raundin e 24 janarit në Bruksel në dialogun në nivel të lartë Prishtinë-Beograd do shkojë edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç/1BisedimetPRISHTINË, 22 Janar 2017-Behlul Jashari/ Kosova dhe Serbia, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA,  javën e ardhëshme në Bruksel zhvillojnë raundin më të ri në nivel të lartë, të parin në 2017-tën, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të mbajtur në 27 janar, të 30-tit kryeministror e të shtatit të krerëve aktualë të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.1 bisedimet2

Kryeministri i Serbisë Vuçiç paralajmaëroi sot se, në raundin e 24 janarit në Bruksel në dialogun në nivel të lartë Prishtinë-Beograd do shkojë edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç. Në konferencën për shtyp, kreu i qeverisë serbe ka shprehur besimin se edhe pala kosovare do dërgojë në Bruksel përfaqësuesit më të lartë, në takimin që do mbahet në orët e mbrëmjes.1 MoheriniRaundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në Kosovë pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.4 Thaci IsaPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të martën në 24 janar, në Bruksel.

“Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhet në kumtesen e kësaj jave të BE-së dhe shtohet se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dy palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.

Në mbledhjen e qeverisë  së Kosovës, të kësaj jave, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur qëndrimin për dialogun me Serbinë. “Pa marrë parasysh vërejtjet dhe kushtëzimet për dialogun, konsideroj se dialogu është orientim strategjik dhe nuk ka alternativë, por duhet të sigurojmë që dialogu të jetë efektiv dhe sa më gjithëpërfshirës”, tha ai.

Qasja jonë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi kryeministri kosovar, është në interes të sovranitetit dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Në këtë kuadër e ftoj edhe qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe bashkëpunimit”, tha Mustafa.

Ai shtoi se, provokimet, si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht, provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ana e Serbisë.

“Prandaj, qeveria jonë është e bindur se skenarët e Serbisë jo vetëm që janë të parealizueshme, por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe në institucione të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri kosovar.

Prandaj, vijoi ai, dua të konkludoj se qytetarët  e Kosovës nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura, Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe, trenat do të mund të hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe të qytetarëve.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa, ka përsëritur ftesën për përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.

“I ftoj edhe njëherë ministrat serbë të kthehen në qeveri, por ata ministra, të cilët e respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeminsitri kosovar.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeminiistror është mbajtur në 19 tetor 2012.

Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Deri tash, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

 

Datat e të gjitha takimeve të deri tashme kryeministrore Kosovë-Serbi në Bruksel:

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor

Raundi 20 – 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – 9-10 shkurt

Raundi 25 – 21 prill

Raundi 26 – 23 qershor

Raundi 27 – 29 qershor

Raundi 28 –  25 gusht

Raundi 29 – 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

Filed Under: Featured Tagged With: 2017 Bruksel, 24 Janar, ME 7 JANAR 2017, Serbo-Kosovar, Takimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 541
  • 542
  • 543
  • 544
  • 545
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT