• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra promovoi veprën “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” të diplomatit Imer Lladrovci

June 7, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 Qershor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin publicistik “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, të diplomatit Imer Lladrovci. Libri përmbledh në mënyrë të shkëlqyer paraqitjet publike dhe qëndrimet e dokumentuara në: kumtesa, trajtesa, intervista, opinione, shkrime autoriale, fjalime, analiza, komente etj., të cilat trajtojnë elementë themelore të shoqërisë, diplomacisë, shtetit, politikës e mërgatës shqiptare. Vepra e Lladrovcit është një kontribut i vyer publicistik që përmbledh një rrugëtim sa politik dhe diplomatik të autorit dhe institucioneve që ka shërbyer e përfaqësuar.

Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Shpend Gjocaj diskutoi rreth rëndësisë së kombit shqiptar si faktor i unitetit kombëtar dhe dënoi ndasitë mes shqiptarëve me përdorimin e termit “kombi kosovar”. Ambasador Bujar Skendo theksoi rëndësinë dhe nevojën e botimeve publike mbi përvojën diplomatike të diplomatëve shqiptarë që kanë shërbyer në trupin diplomatik.

Shkrimtari Mhill Velaj vlerësoi veprimtarinë e Imer Lladrovcit dhe theksoi se kombi ka nevojë për diplomatë aktivë e përfaqësues dinjitozë. Gazetari Bekim Adili nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup theksoi se na nevojitet unitet dhe platformë të përbashkët kombëtare me qëllim shtetndërtimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Ai e cilësoi librin e Imer Lladrovcit si një udhërrëfyes për diplomacinë dhe politkbërjen në Kosovë. “Vatra e Nolit na fton e na kujton për detyrimet që kemi ndaj kombit tonë e ndaj atdheut të përbashkët. Mirënjohje vatranëve e patriotëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës që mbajnë gjallë frymën e Fan Nolit në mënyrë që ta duam atdheun pa kushte e pa interes” tha ndër të tjera gazetari Adili. Artisti i komunitetit Shaban Lajçi u shpreh se vepra publicistike e Lladrovcit është një shkëndijë drite në veprat publicistike e kombëtare.

Diplomati Imer Lladrovci fjalën e mirënjohjes dhe falenderimit për Vatrën e filloi me mbështetjen ndaj luftës së UÇK dhe duke denoncuar padrejtësinë ndaj saj. “Shpreh indinjatën e thellë për padrejtësinë që po iu bëhet në Hagë themeltarëve, luftëtarëve dhe çlirimtarëve të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e bashkëluftëtarëve të tyre. Kjo është një padrejtësi historike” tha në fjalën e tij diplomati Lladrovci. Përgjatë fjalës së tij, ai solli në vëmëndje shembullin e kontributin e Skënderbeut, Fan Nolit, Pashko Vasës e rilindasve shqiptarë për shembullin dhe kontributin historik për kombin.

Imer Lladrovci si diplomat, publicist, veprimtar politik veprimtar, kontribuues dhe bashkëpunëtor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë përfaqësues i shtetit të Kosovës në Stuttgart në Gjermani( 2009-2013), Konsull dhe shef i seksonit konsullor në Vjenë të Austrisë ( 2013-2018), Konsull dhe shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart të Gjermanisë (2018-2022).

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA PROMOVOI VEPRËN “REBELI” KUSHTUAR FAN NOLIT NGA ILIR IKONOMI

June 1, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 31 maj 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin e dytë të trilogjisë mbi Fan Nolin “Rebeli”. Gazetari i shquar dhe studiuesi Ilir Ikonomi përmes kryeveprës publicistike kushtuar Nolit, na jep detaje historike me veprimtarinë e gjërë politike, diplomatike si dhe fetare e kulturore të Imzot Fan Nolit në Shqipëri dhe Europë. Vepra “Rebeli” na njeh imtësisht me Shqipërinë, politikën shqiptare, institucionet dhe shqiptarët në vitet 1920-1924.

Gazetari Gjekë Gjonlekaj foli mbi rolin e Nolit si njeri i kulturës kombëtare, mbi librin si një kontribut për historinë shqiptare dhe vlerat e Ilir Ikonomit si gazetar, stdiues e historian.

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra përshëndeti sekretari Dr. Pashko Camaj i cili përgëzoi veprën e Ilir Ikonomit si një kontribut për kombin dhe shqiptarin e shquar të shekullit të kaluar Imzot Fan Nolin.

Artisti i komunitetit Shaban Lajçi emocionoi të pranishmit me recitimin e poezisë “Anës Lumenjve”, aktuale dhe në ditët e sotme.

Autori i shkrimit Ilir Ikonomi në fjalën e mirënjohjes falenderoi Vatrën për pritjen dhe promovimin, për mundësinë për të shfrytëzuar arkivin dhe bibliotekën me materiale të pasura kërkimore. “Vatra është pasuri, gazeta Dielli është historia e Shqipërisë” tha ndër të tjera z.Ikonomi. Ai zhvilloi një bisedë enciklopedike me pyetje – përgjigje me të gjithë të pranishmit rreth librit “Rebeli” kushtuar Imzot Nolit.

Tematikat që u diskutuan në takim ishin: Noli si intelektual dhe rolin e tij në kulturën kombëtare, fe dhe politikën shqiptare, përplasjet dhe polemikat Noli-Konica, përplasjet për Ahmet Zogun, Noli si intelektual absolut, Konica si mendimtar, Noli si udhëheqës i komunitetit shqiptar në Amerikë, Noli e Konica si mendje të ndritura e të shquara të kombit shqiptar, Noli si rebel në politikë, Noli si parlamentar, Noli si fetar, ambicjet politike të Nolit, marrëdhëniet e vështira të Imzot Nolit me politikën e politikanët shqiptarë në skenën politike të Shqipërisë 1920-1924, rolin e Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, Noli si deputet i Vatrës në Parlamentin e Shqipërisë, Noli dhe Konica si përfaqësues të Asamblesë Kombëtare të Shqipërisë si përfaqësues të Korçës, ndihma e Nolit për regjimin e Tiranës 1945-1950, sukseset e Nolit me Diellin dhe Vatrën, veprimtaria e Nolit në Europë sipas dokumenteve austriake e gjermane, lidhja e Nolit me Terenc Toçin në Vjenë, bashkëpunimi i Nolit, Zogut e Konicës për çlirimin e Shqipërisë më 1942 etj.

Vatrani Asllan Bushati deklaroi se Ilir Ikonomi po i bën një nder të madh historisë kombëtare, po ndriçon historinë e Shqipërisë dhe të Fan Nolit të shtrembëruar nga historiografia komuniste. Në përfundim të promovimit shkrimtarja Klara Buda diskutoi rreth trashëgimisë shpirtërore të Fan Nolit, kontributit për Kishën Ortodokse Shqiptare dhe nevojës së riatdhesimit të Nolit në Shqipëri, temë diskutimi e debatuar prej shumë pjesëmarrësve në promovim.

Kjo ngjarje kulturore ishte mbi të gjitha një ditë nderimi për jetën e veprën e kolosit të kombit shqiptar Imzot Fan Nolit.

Filed Under: Featured

FALEMINDERIT DHE MIRËNJOHJE EKREM BARDHA…

May 24, 2025 by s p

Sokol Paja/

Michigan, 23 Maj 2025 – Ekrem Bardha, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni speciale mbajtur në Kishën e Shën Palit, u nderua, vlerësua e respektua prej patriotëve, miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, gazetarëve, studiuesve, drejtuesve të shoqatave atdhetare, diplomatëve e shumë të ftuarve të ardhur nga Amerika, Kanadaja, Europa, Shqipëria, Kosova e viset etnike. Nën prezantimin e shkëlqyer të Brikena Hoxhallit dhe Kjara Gjergjit e organizatorit Fran Gjoka, mbrëmja e nderimit ishte një falënderim i përzemërt dhe mirënjohje e përjetshme për shqiptarin e madh Ekrem Bardha për veprën, jetën, trashëgiminë dhe shërbimin e tij çmuar ndaj kombit, atdheut e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbrëmja e nderimit pas himneve kombëtare u hap me këngën “Kushtrimi” të interpretuar nga Fran Gjoka dhe Alberie Hadergjonaj. Ceremonia e nderimit vazhdoi me fjalën e artistit dhe organizatorit Fran Gjoka i cili recitoi një poezi kushtuar veprimtarisë së Ekrem Bardhës në Amerikë. Rreth librit të z.Ekrem Bardha “E vërteta – Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, artisti Gjoka deklaroi se Ekrem Bardha në historinë moderne shqiptare shkroi një hymn përkushtimi ndaj Atdheut. Përurimi i nuk është thjeshtë një ngjarje letrare, por një akt nderimi ndaj një figure që jetoi përtej vetes. Ky libër është dëshmi e rrallë, jo vetëm e kujtimeve të një individi, por e një fanari që shkëlqen në historinë e kombit tonë – një trashëgimi e gjallë për brezat që do vijnë, tha ndër të tjera z.Gjoka.

Ambasador Flamur Gashi theksoi se libri i Ekrem Bardhës është një dokument historik, një përvojë personale që lidhet me fatin kolektiv të një kombi. Vepra e Bardhës si përbashkues e strateg, është testament shpirtëror për fatet e një populli. Ekrem Bardha ishte ambasador i shqiptarëve që kërkoi e luftoi për të drejtat e një populli të shtypur. Kosova ishte mision personal i Ekrem Bardhës në përkushtimin e tij ndaj kombit. Në fjalën e tij Ambasador Gashi veçoi Gazetën Iliria e drejtuar nga Harry Bajraktari, Ekrem Bardha dhe Vehbi Bajrami të cilët sensibilizuan institucionet amerikane për çështjen e Kosovës. Mërgata e Amerikës ishte palca kurrizore e rezistencës sonë kombëtare, tha ndër të tjera në fjalën e tij Ambasador Flamur Gashi.

Një poezi kushtuar emigrimit të familjes Bardha në Amerikë dhe aktivitetit patriotik e diplomatik në shërbim të çështjes kombëtare interpretuar nga Brikena Hoxhalli, emocionoi të gjithë të pranishmit.

Prof. Anton Lajçaj në fjalën e tij theksoi se libri i Ekrem Bardhës “E vërteta – Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, është përpjekje e sinqertë për të ndriçuar një periudhë të rëndësishme të historisë kombëtare. Patrioti Ekrem Bardha ndërtoi ura të fuqishme bashkëpunimi, krijoi aleanca politike me Presidentë Amerikanë, suksesin personal e investoi në çështjen e përbashkët kombëtare. Vepra e Bardhës tha Prof.Lajçaj është letër dashurie për kombin.

Dokumentari mbi jetën e Ekrem Bardhës dhe përkushtimin e tij për Kosovën me regji dhe skenar nga Gani Vila, paraqiti dëshmi historike dhe të dhëna të një pune të jashtëzakonshme që mërgata shqiptare e Amerikës me në krye Ekrem Bardhën bënë në favor të çështjes kombëtare. Alberie Hadergjonaj interpretoi një këngë kushtuar Ibrahim Rugovës duke përkujtuar e nderuar dhe bashkëveprimtarët që gjendeshin të pranishëm.në promovim.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse deklaroi se Ekrem Bardha është legjendë e gjallë e shqiptarizmës, patriot i pavdekshëm, ishte një mbrojtës i shenjtë i të drejtave të shqiptarëve, atdhetar e diplomat i shquar që investua në çdo kohë për kombin shqiptar dhe sidomos për Kosovën. Ekrem Bardha përgjatë gjithë jetës së tij ishte kontributor i palodhur i çështjes kombëtare, atdhetar i flaktë, patriot i zjarrtë, aktivist frymëzues e lobist vizionar, tha Dr. Berisha. Ai shprehu mirënjohje e vlerësim ndaj Ekrem Bardhës edhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë gjithmonë Federatës Vatra dhe gazetës Dielli si institucionet kombëtare më të fuqishme në mërgatën e Amerikës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama e nderoi jetën, veprën e përkushtimin për kombin e Kosovën të Ekrem Bardhës duke e nderuar me “Çelësin e Prishtinës”. Ky çelës është simbol i një mirënjohjeje që nuk matet me përmasa, por me peshën e gjithçkaje që keni bërë për Kosovën tonë të lirë. Ky çelës çel dyer që ju tashmë i keni hapur, me guximin, përkushtimin dhe atdhedashurinë tuaj. Dhe sot, ky çelës ju thotë një gjë të thjeshtë por të thellë: Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia juaj.

Dua po ashtu ta ndaj me ju një të vërtetë të bukur:

Ideja për këtë çelës ka ardhur nga një tjetër patriot i palodhur i çështjes kombëtare, Dr. Elmi Berisha i Vatrës– të cilin e falënderoj nga zemra për këtë propozim që lindi nga zemra dhe arriti drejt në vendin e duhur.

Dhe për ta përjetësuar këtë lidhje të paharrueshme mes jush dhe qytetit tonë, në zemër të lagjes Kalabria, ne do të emërtojmë një park të ri: “Parku Bardha”. Një hapësirë publike që do të mbajë emrin tuaj —

që fëmijët të luajnë nën hijen e kujtimit tuaj, që brezat të kujtojnë jo vetëm figurën, por veprën tuaj, tha kryetari i Prishtinës Përparim Rama. Vendlindja e tij, Bashkia e Kolonjës e nderoi gjithashtu kontributin diplomatik, patriotik e filantropik të Ekrem Bardhës me “Qytetar Nderi”. Regjisorja Kjara Gjergji interpretoi një poezi të Mitrush Kutelit kushtuar Atdheut që emocionoi të gjithë pjesëmarrësit.

Atdhetari i shquar Harry Bajraktari në fjalën e tij u fokusua te veprimtaria 60 vjeçare e Ekrem Bardhës në Amerikë për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet etnike. Harry Bajraktari kujtoi punën e përbashkët

40 vjeçare me Ekrem Bardhën në Senat, Kongres, Shtëpinë e Bardhë e institucionet amerikane për të ndihmuar kauzën shqiptare.

Besa Tafilaj në fjalën e saj renditi punën e shkëlqyer të Ekrem Bardhës që nga Presidenti Nikson, Ford, Bush e deri ditët e sotme. Donika Bardha, vajza e Ekrem Bardhës dëshmoi kujtime familjare të mikpritjes të personaliteteve kombëtare që lobonin për çështjen kombëtare dhe detaje të takimeve me Presidentë Amerikanë për çështjen kombëtare e deri te protestat, tubimet, demonstratat e diasporës shqiptare për kombin shqiptar në Amerikë ku Ekrem Bardha ishte në krye të veprimtarive atdhetare.

Në përfundim të ceremonisë së nderimit, Ekrem Bardha në fjalën e mirënjohjes e falënderimit modestisht tha se “Nuk jam unë, jemi të gjithë ne”. Z.Bardha u ndal te puna diplomatike për kauzën kombëtare e NAAC, Ligës Shqiptaro-Amerikanë dhe Federatës Vatra që kanë dhënë një kontribut të madh kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai apeloi që të mos harrohet asnjëherë puna që mërgata e Amerikës ka dhënë për shqiptarinë e sidomos për pavarësinë e Kosovës.

Grupi artistik i Elvana dhe Anton Dedvukaj përformuan disa valle tradicionale kombëtare duke ngjallur mall dhe emocione te të gjithë të pranishmit. Kisha e Shën Palit dhe Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan e nderuan me certifikatë mirënjohjeje kontributin e Ekrem Bardhës.

E veçantë në mbrëmjen e nderimit të Ekrem Bardhës ishte pjesëmarrja e personaliteteve të Vatrës ku krahas kryetarit Dr. Berisha ishin të pranishëm nënkryetari z.Alfons Grishaj, sekretari Dr. Pashko Camaj, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj, anëtari i kryesisë z.Anton Raja, vatrani Ben Pllumaj, editori i Diellit e vatranë të shumtë që nderuan ikonën dhe nderin e kombit shqiptar Ekrem Bardha.

Filed Under: Featured

Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar

May 22, 2025 by s p

Patrioti Agim Pepaj, kryetar i shoqatës “Gjergj Kastrioti” në Zvicër, në një rrëfim për gazetën “Dielli” dhënë editorit Sokol Paja, pasqyron veprimtaritë historike, kulturore, atdhetare e komunitare në Zvicër në shërbim të lartësimit dhe promovimit të jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit.

Historiku i Shoqatës “Gjergj Kastrioti” – Zvicër…

Shoqata “Gjergj Kastrioti” u themelua në vitin 2018, në një vit simbolik për kombin shqiptar – 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar. Ky përvjetor u shpall vit mbarëkombëtar i Skënderbeut, dhe ne e konsideruam të domosdoshme që edhe në Zvicër të ngrihej një organizatë që do të angazhohej me përkushtim për ruajtjen dhe promovimin e figurës madhore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një nga shtyllat identitare të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Aktivitetet kulturore të Shoqatës “Gjergj Kastrioti” në shërbim të historisë kombëtare dhe komunitetit…

Që nga fillimi, shoqata jonë ka qenë aktive në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve me karakter historik dhe kombëtar. Në vitin 2019, morëm pjesë në organizimin e përvjetorit të lindjes së Skënderbeut në Brekoc të Gjakovës. Edhe pse pandemia COVID-19 kufizoi aktivitetet tona fizike gjatë viteve 2020–2022, ne nuk u ndalëm. Vazhduam me pjesëmarrje në evente të ndryshme kulturore, duke e mbajtur të gjallë kujtesën për Heroin tonë.

Në vitin 2023, organizuam promovimin e librit “Bibliografia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” nga autori Gjon Keka. Në tetor 2022, morëm pjesë në inaugurimin e obeliskut të Skënderbeut në Trento, Itali. Viti 2024 ka qenë ndër më të pasurit me veprimtari: bashkëorganizim koncertesh për mbledhje fondesh për shtatoren në Hora e Arbëreshëve në Sicili, kontribut në vendosjen e shtatores në Gjakovë, dhe organizimi i një simpoziumi ndërkombëtar me temë “Gjergj Kastrioti – mbrojtës i civilizimit europian”, me pjesëmarrjen e studiuesve nga trojet dhe diaspora.

Në gusht 2024, shoqata jonë ishte thellësisht e angazhuar në organizimin dhe financimin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Hora e Arbëreshëve, një ngjarje me peshë të veçantë simbolike dhe historike. Krahas këtyre, kemi realizuar vizita simbolike në vende të rëndësishme si Kruja, Lezha, Prekazi, dhe bashkëpunojmë ngushtë me shoqata të tjera shqiptare në Zvicër për çështje me interes kombëtar.

Aktivitetet e dedikuara ekskluzivisht për Skënderbeun…

Gjithçka që ne bëjmë është e lidhur drejtpërdrejt me figurën e Gjergj Kastriotit. Çdo organizim, nga vendosja e shtatoreve e deri te promovimi i veprave shkencore për Heroin, është një përpjekje për ta bërë më të njohur figurën e tij dhe për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në diasporë. Ai është boshti rreth të cilit rrotullohet misioni ynë.

Kontributi në komunitetin shqiptar, mbështetja për shkollat shqipe dhe bashkëpunimi me shoqata të tjera…

Misioni ynë është i pandryshueshëm: ruajtja dhe promovimi i jetës e veprës së Skënderbeut te brezat e rinj shqiptarë dhe më gjerë. Ne jemi të përkushtuar që fëmijët tanë të rriten me vetëdije kombëtare, të njohin rrënjët e tyre dhe të ndihen krenarë për historinë tonë. Bashkëpunojmë ngushtë me shkollat shqipe në Zvicër dhe me organizata të tjera që ndajnë të njëjtin qëllim, duke i mbështetur me mundësitë tona modeste, por me vullnet të madh.

Nderimet dhe vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare…

Deri më tani, nuk kemi marrë ndonjë vlerësim zyrtar me shkrim, por kemi ndier përherë mbështetjen morale të komunitetit shqiptar dhe partnerëve tanë në veprimtari. Kjo mbështetje na motivon të vazhdojmë punën tonë me përkushtim edhe më të madh.

Projektet e shoqatës “Gjergj Kastrioti” në të ardhmen…

Ne do të vazhdojmë me vendosmëri misionin tonë – ruajtjen dhe promovimin e figurës së pamposhtur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Aktivitetet tona do të vazhdojnë në formën e simpoziumeve, bashkëpunimeve kulturore, vendosjes së shtatoreve, si dhe projekteve që synojnë afrimin e brezave të rinj me historinë dhe identitetin kombëtar.

Filed Under: Featured

VATRA TELEGRAM URIMI VATIKANIT PËR ZGJEDHJEN E PAPA LEONIT XIV SI KREU I RI I KISHËS KATOLIKE

May 8, 2025 by s p

New York, 8 Maj 2025 – Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shpreh urimet më të përzemërta shtetit të Vatikanit me rastin e zgjedhjes së drejtuesit hyjor të Selisë së Shenjtë, Robert Francis Prevost – Papa Leoni XIV.

Kjo ditë e shënuar për mbarë botën, besimtarët katolikë e veçanërisht për popullin shqiptar le të jetë një gur themeli për shpresë, paqe, drejtësi, dashuri e vëllazëri.

Kardinali Robert Francis Prevost ia kushtoi misionin e tij ungjillizimit dhe njerëzve në nevojë. Zgjedhja e tij si Papë vjen në një moment delikat ku mbarë njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe, dialog, mirëkuptim, dashuri e drejtësi sociale.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë një lidhje të ngushtë bashkëpunimi institucional dhe shpirtëror duke forcuar lidhjet historike me Selinë e Shenjtë, Vatikanin.

Papa Leoni XIV, Papa i 267-të në historinë e Vatikanit dhe Papa i parë amerikan, si vazhdues i traditës së Papa Françeskut, do të ndërtojë ura të reja dhe do ta afrojë edhe më shumë Kishën Katolike më afër njerëzve në nevojë e shtresave të margjinalizuara.

Shpresojmë që Papa Leoni XIV të vizitojë trojet shqiptare dhe të bekojë tokën arbnore besnike të krishterimit dhe qytetërimit perëndimor.

I lutemi Zotit që Papa Leoni XIV të ketë bekimin dhe mbrojtjen e Perëndisë në përmbushjen me sukses dhe shenjtëri të Misionit të Tij Apostolik.

Me bekime dhe urimet më të përzemërta

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT