• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjuhë, kulturë, trashëgimi dhe identitet kombëtar te Arbëreshët e Italisë

July 26, 2025 by s p

Ettore Bonanno, themelues i shoqatës kulturore “Fili Meridiani” dhe i agjencisë së komunikimit “Emira Digital” në një rrëfim ekskluziv dhënë për gazetën “Dielli”, organ i Federatës “Vatra” në New York, tregon punën e jashtëzakonshme për ruajtjen e promovimin e vlerave e trashëgimisë shpirtërore e materiale të Arbëreshëve, sfidat me të cilat përballen Arbëreshët, vlerësimi i trashëgimisë materiale dhe jomateriale arbëreshe: nga arkitektura tradicionale te gjuha, nga ritet fetare te rrëfimet gojore, nga mjeshtëritë artizanale te muzika.

Me Ettore Bonanno bisedoi editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja.

Roli i shoqatës “Fili Meridiani” për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë arbëreshe

Shoqata “Fili Meridiani” lindi nga dëshira për t’i kthyer vlerën kulturës arbëreshe, jo vetëm si trashëgimi për t’u ruajtur, por si një burim i gjallë dhe aktual. Ne veprojmë në Kalabri, në zonat e Arbërisë së Crotone-s, përmes projekteve edukative, laboratorëve ndërbreznorë, prodhimeve audiovizive, aktiviteteve kulturore dhe itinerareve turistike përvoja. Qëllimi ynë është të valorizojmë trashëgiminë materiale dhe jomateriale arbëreshe: nga arkitektura tradicionale te gjuha, nga ritet fetare te rrëfimet gojore, nga mjeshtëritë artizanale te muzika. Këtij qëllimi i bashkëngjisim përdorimin eksperimental të gjuhëve bashkëkohore për të rrëfyer identitetin arbëresh në mënyrë kreative dhe të kapshme, edhe për gjeneratat e reja. Një pjesë e rëndësishme e punës sonë zhvillohet edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, ku ndajmë histori, fytyra, kujtime dhe përmbajtje kulturore për të përfshirë si komunitetet vendase ashtu edhe publikun e ri dhe global.

MUZÈ Arbëria dhe puna me fëmijët e Arbëreshëve

MUZÈ – Spazio Arbëria, i inauguruar në vitin 2021, është një hapësirë komunitare, një vend fizik dhe simbolik kushtuar kujtesës dhe kreativitetit arbëresh.

Sapo është rihapur për publikun në një seli të re, më të aksesueshme dhe funksionale, në zemër të Pallagorio-s. Nuk është një muze tradicional, por një mjedis i gjallë, ku zhvillohen laboratore për fëmijë, takime ndërbreznore, ekspozita të përkohshme, kërkime dhe arkivime. MUZÈ është gjithashtu një vend me interes turistik, i hapur për vizitorë, udhëtarë dhe studiues: këtu njihen gjuha arbëreshe, kostumet tradicionale, arët e vjetra, ritet fetare dhe familjare, në një tregim tërheqës dhe të kapshëm. Brenda tij është aktive një videotekë e rëndësishme, në përditësim të vazhdueshëm, kushtuar gjuhës dhe kulturës arbëreshe, që mbledh dëshmi gojore, materiale arkivore, dokumentarë dhe përmbajtje origjinale të prodhuara me dhe për komunitetin. Në të ardhmen duam ta forcojmë MUZÈ si një qendër prodhimi kulturor, pikë referimi për gjithë Arbërinë krotonese, në rrjet edhe me realitete në Shqipëri dhe Kosovë.

“POP ARBËRESH” – zëri i gjallë i një kulture të lashtë që i flet të tashmes

“POP ARBËRESH” është një podcast, një projekt editorial i lindur për t’i dhënë zë identitetit arbëresh në një mënyrë të re, tërheqëse dhe të kuptueshme edhe për më të rinjtë. Është një projekt i promovuar nga Bashkia e Shën Mitrit, që mund ta konsiderojmë pa dyshim si kryeqendrën kulturore të Arbërisë, vend simbolik për historinë, gjuhën, besimin dhe institucionet arbëreshe. Tregon historinë, ritet, gjuhën, muzikën, figurat dhe vendet simbolike të Arbërisë, duke nisur pikërisht nga Shën Mitri. Qëllimi është të nxjerrim në pah vitalitetin e një kulture dhe komuniteti me rrënjë të thella, që vazhdojnë të dialogojnë me të tashmen. Çdo episod është një urë mes kujtesës dhe të ardhmes.

Sfidat me të cilat përballen Arbëreshët

Sfida kryesore është transmetimi kulturor. Gjuha arbëreshe është sot seriozisht në rrezik, dhe me të një univers i tërë dijesh, praktikash dhe vizionesh për botën. Kësaj i shtohet edhe shpopullimi i fshatrave, shpërndarja e komuniteteve dhe vështirësia për të tërhequr vëmendjen institucionale. Ka edhe një problem më të thellë: ai i të drejtave të mohuara. Në shkolla nuk mësohet arbërishtja në mënyrë zyrtare, përveç kur ka ndonjë mësues ose drejtor të ndjeshëm.

Shteti investon çdo vit shumë të papërfillshme për mbrojtjen dhe promovimin kulturor, dhe shpesh komunitetet lihen vetëm. Nëse kjo pakicë është vërtet – siç thuhet shpesh – një mrekulli antropologjike në nivel botëror, atëherë meriton të trajtohet si një rast i jashtëzakonshëm, me masa të jashtëzakonshme dhe investime të jashtëzakonshme! Në vend të kësaj, sot nuk garantohet as minimumi i të drejtave! Është urgjente të kalohet nga fjalët në vepra.

Shqipëria, Kosova dhe mbështetja ndaj Arbëreshëve

Në vitet e fundit është vërejtur një dinamizëm më i madh në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën. Veçanërisht janë shtuar rastet e takimeve kulturore, bashkëpunimeve institucionale dhe shkëmbimeve ndërkomunitare. Megjithatë, duhet bërë më shumë dhe më shpejt. Komunitetet arbëreshe kanë nevojë për projekte të strukturuara bashkëpunimi ndërkombëtar, që të investojnë seriozisht në edukim, formim, turizëm kulturor dhe ekonomi reale. Pa investime dhe mundësi, fshatrat arbëreshë do të zhduken brenda pak dekadash, ndoshta edhe më shpejt! Është koha të shndërrohet lidhja emocionale në një strategji të përbashkët për të ardhmen.

Trashëgimia atdhetare a Atë Antonio Belluscit

Atë Antonio Bellusci ishte një figurë e rëndësishme për Arbërinë dhe gjithë botën arbëreshe, por edhe për lidhjen kulturore midis Ballkanit dhe Italisë. Njeri i fesë, studiues, poet dhe promovues i palodhur i kulturës arbëreshe, i ka kushtuar jetën e tij ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kujtesës kolektive. Vepra e tij vazhdon të frymëzojë ata që sot angazhohen për të ndërtuar ura midis komuniteteve, brezave dhe dy brigjeve të Adriatikut.

Kush është Ettore Bonanno?

Jam lindur në Pallagorio, në zemër të Arbërisë krotonese. Kam përfunduar studimet në Gjuhë dhe Letërsi të Huaja dhe kam punuar në Sportelin Gjuhësor për mbrojtjen e pakicave. Sot jam krijues përmbajtjesh dhe veproj në botën e komunikimit, me fokus të veçantë në komunikimin dixhital. Prej vitesh jam i angazhuar në kërkimin dhe ruajtjen e kulturës arbëreshe. Kam kuruar disa prodhime video, ndër to dokumentarin COHA, me të cilin fituam çmimin e parë në DardanFest në Tiranë në vitin 2024. Jam themelues i shoqatës kulturore Fili Meridiani dhe i agjencisë së komunikimit Emira Digital, përmes të cilave vazhdoj të promovoj projekte që i kthejnë zë, dukshmëri dhe krenari një identiteti — atij arbëresh — që ka shumë për të treguar dhe që mund të gjenerojë shpresë në komunitete.

Filed Under: Featured

FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË

July 4, 2025 by s p

New York, 4 Korrik 2025- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e 249 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron të gjithë popullin amerikan, shqiptaro-amerikanët e vatranët: Gëzuar 4 Korrikun.

Në këtë ditë të shenjtë e madhështore për mbarë popullin e shtetin Amerikan, Federata Vatra shpreh mirënjohje, respekt e falenderim dhe nderon e kujton heronjtë e lirisë së shtetit e kombit amerikan dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në historinë, lirinë, zhvillimin e demokracinë e Shteteve të Bashkuara Amerikës.

Si shqiptaro-amerikanë ndihemi me fat dhe të privilegjuar që jemi pjesë e këtij shteti e kombi të lavdishëm, të lirë, të fortë, të begatë, të dashur e të vlerësuar nga e gjithë bota.

Kombi shqiptar i detyrohet përjetë shtetit amerikan, popullit e kësaj toke të bekuar për gjithçka që Amerika ka bërë për Shqipërinë, Kosovën e kombin tonë në ditët tona më të vështira.

Shqiptarët në çdo cep të globit janë krenarë dhe falenderues për miqësinë e sinqertë, aleancën e pandarë dhe partneritetin jetëgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Miqësia me Amerikën është vlerë e shenjtë për kombin shqiptarë.

Zoti e bekoftë Amerikën.

Zoti i bekoftë shqiptarët e Amerikës.

Gëzuar 4 Korrikun.

Gëzuar Amerikë.

Mirënjohës përjetë

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Featured

ANSAMBLI “VATRA”, TRI DEKADA VEPRIMTARI ATDHETARE E KULTURORE PËR RUAJTJEN DHE PROMOVIMIN E KULTURËS SHQIPTARE NË MËRGATËN E ZVICRËS

July 1, 2025 by s p

Patrioti Shaban Haliti rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, historinë e themelimit të Ansamblit “Vatra” në Zvicër që daton që nga viti 1993, aktivitetet kulturore, patriotike, atdhetare e komunitare me qëllim për të ruajtur gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare në mërgatën e Zvicrës. Me patriotin Shaban Haliti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIA E THEMELIMIT TË ANSAMBLIT “VATRA”

Ansambli “Vatra” daton që nga viti 1993 kur një grup bashkëatdhetarësh formuan Klubin shqiptarë “Vatra” e që një vit më vonë një grup entuziastësh dhe artdashës themeluan seksionin e kulturës e që menjëherë më vonë mori emrin Ansambli i sotëm “VATRA” pra pikërisht në tetorin e vitit 1994 filluan hapat e parë të vallëzimit shqip nga Nexhmedin Isufi, Arsim Berisha, Ilmi Luma, Rexhep Dreshaj e shumë të tjerë të cilët e lindën dhe konsoliduan një Ansambël i cili për plot 30 vite dha kontribut të pa parë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kulturore. Pra në këtë “Vatër” gjetën veten qindra aktivistë, artistë, valltarë e koontribues që e kam të pamundur ti përmendi me emra të përvetshëm sepse jan një armatë e tërë patriotësh. Për ti veçuar janë përpos themeluesve të lartpërmendur edhe kryetarët që e morën barrën dhe e koordinuan këtë Ansambël e që ishin Arsim Berisha, i ndjeri Bajram Oruqi, Nexhmedin Isufi dhe kryetari aktual i cili filloi hapat e parë të vallzimit në Vatër për ti mbetur besnik deri më sot, Lulzim Krasniqi, një valltar dhe aktivist i pandalshëm. Kurse unë isha në kontakte të ngushta që nga themelimi, përcjella dhe përkraha shumë manifestime dhe organizime të Ansamblit e për tu përqëndruar si përfaqësues i këtij Ansambli që nga viti 20012 e deri më sot e që për mua është një nder i veçantë.

VEPRIMTARITË KRYESORE ARTISTIKE QË ZHVILLONI GJATË VITIT

Veprimtaria kryesore artistike e kulturore dhe qëllimi i Ansamblit “Vatra” ishte dhe është edhe sot e kësaj dite kultivimi dhe prezentimi i valleve, këngëve dhe kulturës së mirëfilltë shqiptare këtu në shtetin Helvetik. Nuk mund ti përmendi me emra se janë shumë kontributorë por kryesia dhe aktivistët e Ansamblit VATRA meritojnë shumë respekt të veçantë dhe janë shtylla kryesore e Ansamblit si Zhuj Gashi, Driton Zeqiraj, Rexhep Dreshaj, Gzim Dani e shumë tjerë.

ROLI I “VATRËS” NË KOMUNITETIN SHQIPTAR PËR RUAJTJEN E TRADITAVE E KULTURËS KOMBËTARE

Vatra ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në rajtjen dhe përcjellja e vlerave tona te gjeneratat e reja që lindin dhe rriten këtu. Pra thjeshtë kontributi dhe përkushtimi i ruajtjes së gjuhës, traditave dhe vlerave tona kombëtare posaçërisht te gjeneratat e reja. Ne motivojmë, rekrutojmë dhe ua mësojmë fëmijëve vallet, këngët, recitimet dhe gjuhën shqipe.

BASHKËPUNIMI ME ORGANIZATAT E TJERA SHQIPTARE PËR TË RRITUR PATRIOTIZMIN DHE ATDHETARINË TE SHQIPTARËT E MËRGUAR

Ansambli “Vatra” ka bashkëpunim me shumë Ansamble shqiptare, shkolla shqipe e shoqata shqiptare këtu në Zvicër dhe më gjerë gjithëandej ku ka shqiptarë dhe jemi shumë të hapur për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kulturës sonë kombëtare.

ANSAMBLI “VATRA”, VLERËSIMET DHE PJESËMARRJET NË AKTIVITETE KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE

Ansambli “Vatra” ka marrë pjesë gjithëandej Europës nëpër festivale e festa kombëtare dhe ndërkombëtare. Vlen të përmendet pjesëmarrja në festivalin gjithëkombëtarë të Berlinit në vitin ku Vatra mori çmimin e parë të jurisë, pastaj festivalin e Gjirokastrës në 2009 disa herë në festivalin e Klinës, në Zarë të Kroacisë, në Kongreshaus Zürich në festivalin e kombeve që mbahej nëpër Europën juglindore, dhe më të veçantat janë edhe në vitin 2022 në festën më të madhe tipike Zviceriane e quajtur Schwingfest apo në shqip festa e mindjes e pehlivanëve ku Vatra ishte Ansambli i parë i një kulture jo vendore i cili përformoj para dhjetëra- mijëra të pranishmëve. Dhe së fundi edhe në festën shumë tradicionale të quajtur Albanifest e cila ka një tradit qindra vjeçare dhe gjithashtu Ansambli Vatra në vitin 2024 dhe 2025 ishte Ansambli i parë shqiptar i cili prezentoi me krenari kuzhinën, kulturën dhe traditën shqiptare për tri ditë me radhë.

PROJEKTET E BINJAKËZIMIT PËR TË ARDHMEN E ANSAMBLIT “VATRA”

Ne kemi pas dhe kemi bashkëpunim me ansamble dhe shoqata shqiptare në mënyra të ndryshme por nuk kemi ndonjërën për ta veçuar konkretisht. Shpresojmë në të ardhmen të thellohen kontaktet dhe bashkëpunimet gjithandej ku veprojnë shoqatat shqiptare dhe ne jemi shumë të hapur dhe mirëpresim dhe admirojmë secilin kontribut kombëtar.

Filed Under: Featured

Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare

June 22, 2025 by s p

Sokol Paja/

Në Paradën Shqiptare 2025 në New York, organizata “Rrënjët Shqiptare” nderoi personalitete të shquara të komunitetit shqiptar në New York për dedikimin, pasionin, përkushtimin, sukseset, arritjet dhe kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Hasan Metuku, Jasmin Novaj, Arvid Hoxha, Age Gjokaj Ivezaj, Blerim Koçani, Dilaver Duka, Joseph Saljani (posthumously), Ahmet Hoti, Fadil Berisha, Dibra Community Center, Our Lady of Shkodra Church. Nderim të veçantë pati dhe për veprimtarin e shquar të komunitetit, marshallin e përgjithshëm të paradës Sal Rusi.

Angazhimi dhe modeli qytetar, patriotik e atdhetar i patriotëve që u nderuan sot, është frymëzues për çdo shqiptar.

Shqiptarët e Amerikës janë nder dhe krenari kombëtare.

Filed Under: Featured

Vatra promovoi veprën “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese” të diplomatit Imer Lladrovci

June 7, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 Qershor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin publicistik “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, të diplomatit Imer Lladrovci. Libri përmbledh në mënyrë të shkëlqyer paraqitjet publike dhe qëndrimet e dokumentuara në: kumtesa, trajtesa, intervista, opinione, shkrime autoriale, fjalime, analiza, komente etj., të cilat trajtojnë elementë themelore të shoqërisë, diplomacisë, shtetit, politikës e mërgatës shqiptare. Vepra e Lladrovcit është një kontribut i vyer publicistik që përmbledh një rrugëtim sa politik dhe diplomatik të autorit dhe institucioneve që ka shërbyer e përfaqësuar.

Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Shpend Gjocaj diskutoi rreth rëndësisë së kombit shqiptar si faktor i unitetit kombëtar dhe dënoi ndasitë mes shqiptarëve me përdorimin e termit “kombi kosovar”. Ambasador Bujar Skendo theksoi rëndësinë dhe nevojën e botimeve publike mbi përvojën diplomatike të diplomatëve shqiptarë që kanë shërbyer në trupin diplomatik.

Shkrimtari Mhill Velaj vlerësoi veprimtarinë e Imer Lladrovcit dhe theksoi se kombi ka nevojë për diplomatë aktivë e përfaqësues dinjitozë. Gazetari Bekim Adili nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup theksoi se na nevojitet unitet dhe platformë të përbashkët kombëtare me qëllim shtetndërtimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Ai e cilësoi librin e Imer Lladrovcit si një udhërrëfyes për diplomacinë dhe politkbërjen në Kosovë. “Vatra e Nolit na fton e na kujton për detyrimet që kemi ndaj kombit tonë e ndaj atdheut të përbashkët. Mirënjohje vatranëve e patriotëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës që mbajnë gjallë frymën e Fan Nolit në mënyrë që ta duam atdheun pa kushte e pa interes” tha ndër të tjera gazetari Adili. Artisti i komunitetit Shaban Lajçi u shpreh se vepra publicistike e Lladrovcit është një shkëndijë drite në veprat publicistike e kombëtare.

Diplomati Imer Lladrovci fjalën e mirënjohjes dhe falenderimit për Vatrën e filloi me mbështetjen ndaj luftës së UÇK dhe duke denoncuar padrejtësinë ndaj saj. “Shpreh indinjatën e thellë për padrejtësinë që po iu bëhet në Hagë themeltarëve, luftëtarëve dhe çlirimtarëve të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e bashkëluftëtarëve të tyre. Kjo është një padrejtësi historike” tha në fjalën e tij diplomati Lladrovci. Përgjatë fjalës së tij, ai solli në vëmëndje shembullin e kontributin e Skënderbeut, Fan Nolit, Pashko Vasës e rilindasve shqiptarë për shembullin dhe kontributin historik për kombin.

Imer Lladrovci si diplomat, publicist, veprimtar politik veprimtar, kontribuues dhe bashkëpunëtor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë përfaqësues i shtetit të Kosovës në Stuttgart në Gjermani( 2009-2013), Konsull dhe shef i seksonit konsullor në Vjenë të Austrisë ( 2013-2018), Konsull dhe shef i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart të Gjermanisë (2018-2022).

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT