• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lengarica nuk guxon te preket!

August 4, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Kanjoni i Lengaricës, monument unik i rrallë në botë është shpallur me ligj si Monument i Natyrës të Europës dhe është kthyer në vend tërheqës turistik për shëtitjet në natyrë dhe shëndetit publik, pasi aty gjenden dhe banjat termale të Bënjës. 
Sa keq , që njifemi aq pak me vendin tonë , sa keq!
Po , kush më ka folur ndonjë herë,për Kanjonin e Lengaricës ?


 Miku Frederik Jani më shkruan : “Kanioni i Lengaricës nuk është vetëm bukuri natyrore , por dhe bukuri gjeologjike . Stalaktitet dhe stalagmitet në shpëllat e pellumbave janë te rralla , të cilat jane produkt i acidit karbonatik mbi formacionin gëlqeror dhe iu kane dashur miliona vjet te ndërtohen në madhësinë që kanë . Po ashtu në këte kanion ka shpella të vendbanimeve te herëshme njerezore , të pakten te kohës ilire ose më të hershme . Ura e Katiut ndertuar me gur ne shek XVIII është bukuri mëvete . Ujërat termale janë te pasura me gaz sulfidrik te tretur në ujë , i cili sherben per shërimin e lekurës . Eshtë një gjatësi e konsiderueshme e pasur me vendburime termale . Mos harrojmë se burime te tilla natyrore jane tepër të rralla , jane dhuratë natyrore te cilat vetëm çmenduria politike dhe shkatërruesit e vendit mund t’i prishin . Te tilleëve me gjithë fuqinë e shpirtit duhet t’u themi NDAL ! Fatmiresisht shqetesimi qytetar u perfaqesua me mbrojtje ligjore nepërmjet avokatit Ilia Kondi i cili meriton mirënjohje per punen që ka bërë dhe e bën për mbrojtjen e Kanionit te Lengaricës . Kjo eshte rruga per te mbrojtur pasuritë tona .
 Mos e prek , thuaj falëmnderit që na e kë dhëne ! 
Pëshperitjet nuk mbrojnë , zeri i popullit duhet te perfaqësohet me mbrojtje ligjore kudo ku nevojitet , ndryshe hienat politike nuk ndalen .(nga Frederik Jani )”


Më shumë i njoh ( nga shkrimet, kuptohet) kanjonet e botës e aq pak kanjonet tona që na i ka falur zoti si dhuratë ,të cilën nk guxon t`ia këthesh dhuruesit prapa . T`kishe qenë e mundur unë e kisha thirrur atë që na e “ krijoi” Grykën e Lengaricës , dhe me plotë përgjegjësi i kisha thënë: “ Merre , shpëtoje , se ne si të pa falemnderueshëm që jemi , po duam ta shkatërrojmë. Mundin tëndë miliona vjeqar po duam sa çel e m`shel sytë ta zhbëjmë “ Sa të pa falemnderueshëm 
që jemi !

(I planifikuar nje minihidrocentralë , 9 megavatshe, Investim i vogël )
(The hydropower plant is being constructed on the river Lengarica in Southern Albania and has a capacity of 9 megawatts. It is expected to produce about 32 gigawatt-hours of electricity a year. OeEB and the Green for Growth Fund (GGF) are providing EUR 14.1 million in financing – EUR 5 million come from OeEB. The construction of the hydropower plant helps to improve the energy supply in Albania and to reduce the country’s dependency on expensive electricity imports. http://www.oe-eb.at/en/projects/Pages/hpp-lengarica.aspx)
Zona e Përmetit është e njohur për shumëllojshmërinë e habitateve natyrore, duke filluar nga Bredhi i Hotovës, ujrat termale të Bënjës, kanioni i Lengaricës , mali i Nëmerçkës, tokat buqësore buzë Vjosës deri tek peisazhet e mrekullueshme, pra zona e Përmetit është e larmishme.
Në këtë zonë ndodhen 2 monumente të mbrojtura të natyrës, Banjat e Bënjës dhe Kanioni i Lengaricës, ndërsa zona në komunën e Petranit është shpallur Park Kombëtar në Fondin Pyjor.

Edhe Zeusi kishte për t`u hidhëruar me ne !


Fahri Xharra,04.08.15 Gjakovë


Lexoni” http://www.wikiwand.com/de/Lengarica
 http://balkanrivers.net/de/content/die-vjosa-0 ( Shpetoni Vjosen )
 http://www.kasbahitran.com/kasbah_en/02actividades/albania/southalbaniatrekking.html
 http://www.panoramio.com/photo/35555558http://www.libertas.pl/od_kanionu_do_kasztelu_albania.html
http://www.tour-albania.com/permet.html
https://chiropteralb.wordpress.com/2014/09/02/permeti-dhe-lakuriqet-e-nates-permet-and-bats/

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Kanjoni, Lengarica, mos preket

Kosovë – Në Ditën e Diasporës ndahen çmime

August 2, 2015 by dgreca

-Për kontribut të veçantë jetësor Çmimi “Post Mortem” ju dha vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi/
-Nga Prishtina-Forumi i studentëve dhe të rinjve të diasporës vazhdon në Tiranë/
PRISHTINË-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u përmbyll sonte manifestimi i Ditës së Diasporës dhe Mërgatës, që tradicionalisht organizohet nga Ministria e Diasporës për nder të bashkatdhetarëve tanë.
Në mesin e aktiviteteve të shumta si dhe debatit me krerët e institucioneve shtetërore e lokale të Kosovës dhe Shqipërisë, këtë vit u ndanë edhe Çmimet për “Mërgimtarin e Vitit” në 6 fusha, si dhe 4 çmime për gazetarin përkatësisht kronikën më të mirë të realizuar në promovimin e diasporës dhe sukseseve të personaliteteve që jetojnë dhe veprojnë jashtë kufijve të Kosovës.
Çmimet i ndanë ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Mërgimtari i vitit për kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës apo diasporën dhe mërgatën u shpall artisti ynë i mirënjohur Shkelzen Doli;
Bejtullah Destani – për kontribut në arsim, shkencë apo teknologji;
Elina Duni – për kontribut në fushën e kulturës;
Shkelzen Gashi – për kontribut të veçantë në fushën e sportit;
Nazar Mehmeti – për kontribut të veçantë në fushën e biznesit;
Për kontribut të veçantë jetësor Çmimi “Post Mortem” ju dha vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi.
Ndërsa çmimet për gazetari të cilat Ministria e Diasporës i ndan për herë të parë u vlerësuan në dy kategori:
Çmimi i parë për kronikë televizive për promovimin e diasporës ju nda Lumira Kelmendit nga Radio Televizioni i Kosovës për reportazhin “Arbëreshet e Italisë”;
Çmimi i dytë në këtë kategori i takoni Zana Fetiut nga Klan Kosova për reportazhin “Skulptori Destan Gashi”;
Ndërsa dy çmimet për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës dhe mërgatës në kontinuitet për punën e tyre u nderuan Demir Reshiti me emisionin Më Afër, dhe portali informativ “Albinfo.ch”.
Pas ndarjes së çmimeve u organizua një debat i hapur me qytetarët e mbledhur në Amfiteatrin e pishinës së Gërmisë dhe përfaqësuesve të ministrive, komunës dhe shoqatave të ndryshme, ku mes tjerash me prezencën e saj tubimin e nderoi edhe ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha.
Gjatë kësaj ceremonie, e cila është organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, dhe me kontribut të Postës së Kosovës, kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, prezantoi edhe edicionin e veçantë të Pullës Postare me temën “Diaspora”, e cila si motiv ka logon e diasporës së përzgjedhur muaj më parë nga Ministria e Diasporës./b.j/

Prishtinë-Forumi i studentëve dhe të rinjve të diasporës vazhdon në Tiranë/

PRISHTINË, 2 Gusht 2015/-Forumi për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, organizuar nga Ministria kosovare e Diasporës, sot në Prishtinë, do t’i vazhdojë punimet edhe më 4 gusht në Tiranë, për të përfunduar një ditë më pas me konkluzionet e nxjerra nga studentët.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, përshëndeti këtë iniciativë, duke thënë se ky forum është fillimi i ngjarjeve të përbashkëta.
“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt, e cila ka lindur, është rritur dhe po zhvillohet në Evropë, prandaj do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë më tepër njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës. Prandaj, padyshim, nuk mund të quhet më një ngjarje që një ministër i Shqipërisë dhe një ministër i Kosovës të bëjmë së bashku aktivitetet të këtij lloji”, citohet ministri Klosi në njoftimin e dërguar nga Ministria kosovare e Diasporës.
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës nga vendet e ndryshme të Evropës, ishin edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Diasporës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, zëvendësministrja kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Në forum pati diskutime lidhur me fushën e arsimit, por edhe për tema të tjera me interes për studentët pjesëmarrës

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, cmime, diaspora

Kosova një teatër tragjikomik!?

August 2, 2015 by dgreca

Opinion nga Homer KOSOVA/
Fati i Kosovës plagëmadhe, është edhe më tej një teatër tragjikomik, tragjikomike është edhe Kuvendi i Kosovës që nesër ditë e hënë date 3 gusht 2015, në ora dhjetë do të mbajë seancën për
riprocedimin e amandamenteve kuhtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Që ka mbështetjen nga trinia, PDK-LDK-LISTA SERPSKA, ndërsa e kanë kundërshtruar tri partite
shqiptare, VETVËVENDOSJA-AAK-NISMA.
Mbase tejet tragjikomike është edhe pritja e pafund e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Por, këtë se ka menduar kurrë qytetari shqiptar pas tri luftërave çlirimtare, pas atyre që dhanë më
të shtrenjtën jetën, pas atyre që mbetën pa gjymtyrët e trupit, pas atyre që u masakruan mizorisht nga foshnja e deri te plaku, nga barbaria ushtarake serbe.
Sikur u harrua derdhja e gjakut nëpër shekuj nga sundimtar të huaj, sikur u harrua ku ishim dje dhe çka duam sot, dhe çfarë të ardhme duhet ndërtuar, sikur u harrua intelektualizmi kombëtar,
dhe u hodh vrapi pas krijimit të liderëve të rrejshëm, si dje, ashtu edhe sot, sikur u harrua se jemi të vonuar dhe, vonesat po na kushtojnë shtrenjtë, jo! jo! s’duem më humbë më, mjaft kemi
humbur, mjaft na kanë shfrytëzuar të huajt, NUK DUAM GJYKAT SPECIALE NE QË LUFTUAM PËR LIRI E TË DREJTA KOMBËTARE.
Kjo mi kujton vargjet e Migjenit në poezinë e tij revoltuese thoshte:
S’duem për hir, të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,të zhytemi prap në pellgun e mjerimit, që të vajtojmë prap këngën e trishtimit, këngën monotone, të pa shpirt, të skllavnis.
E tillë është pafytyrësia e klasës sunduese politike PDK-LDK, dhe, ndërkombëtarëve në Kosovë.
Nga kjo Vetë-Qeverisje janë bërë premtime të rrejshme gjatë fushatave elektorale të më hershme, kjo kronologji mashtrimesh po duket edhe gjatë këtyre muajve të fundit për GJYKATËN SPECIALE, e cila do duhej themelohej në Serbi, se regjimi serb, ka kryer krime e gjenocid ndaj popullit të pafjshëm shqiptar.
Pse duhet edhe pas lufte populli ynë, të jetoi me një përkeqësim të mirëqenies së qytetarit shqiptar?!
Pse, është bërë poshtërimi, degradimi i luftëtarit të lirisë?!
Ky devijim u bë në dëm të çështjes shqiptare nga regjimi antidemokratik i UNMIK-ut dhe, liderëve tanë servile. Padrejtësia e radhës që po bëhet ndaj UÇK-së dhe popullit, që e mbështeti luftën e saj të drejtë,
ku në ndihmë na doli edhe NATO. Kjo lufte speciale mbase po bëhet, për pushtet dhe jo për shtet.
Andaj me të drejtë ju Organizata të dalura nga lufta çlirimtare, Vetëvendosja-AAK-Nisma, dhe plot subjekte tjera jo qeveritare kanë dalë hapur kundër Gjukatës Speciale. Sepse kur popullit i
mohohet sovraniteti shtetëror, liria dhe e drejta për vetëvendosje, imponimi me dhunë i kësaj Gjykate nuk është e drejtë. Këta sundues të padrejtë, kanë sjellë mjerimin social, shëndetësor,
degjenerimin politik moral, këta kanë vjedhur bukën tone, mirëqenien tone, me mundin dhe djersën e qytetarit shqiptar, janë pasuruar, janë veshur me lukse tepër të shtrenjta, ndërsa populli po vuan edhe për bukën e gojës, e tani po ja sjellin edhe një fatkrqësi atdheut me këtë fare Gjykate Speciale.
Me këtë ju pushtetar të pandërgjegjshëm, me ata ndërkombëtarët, po na e vjedhni lirin e fitur me gjakun e derdhur të dëshmorëve, mjaft na vjedhët pasurin tone kombëtare, tani po na e vidhini
shpresën tone, shpresën tone të tanishme dhe atë të ardhmen.
Me gjitha këto drama e tragjedi, shqiptarët për habi nuk shfaqin një revoltë të fuqishme kundër kësaj të keqeje të madhe. Ndoshta mijëra shqiptarëve kjo paudhësi politikë po u zien përbrenda
por që nuk u duket në horizont ku ata jetojnë të nëpërkëmbur dhe nuk i pyet askush.Ka të atillë që nuk munden!? Ka të atillë që nuk duan!?Ka të atillë që s’dinë të bashkohen për të protestuar kundër kësaj paudhësie e pabesie të udhëheqësve politik në vend.
Ka të atillë që mblidhen për të protestuar kur u preket sedra dhe interesi personal, por, nuk mlidhen e nuk bashkohen ku preket interesi nacional.
Deri kur kështu?!
Tani është koha e vetëdijesimit të qytetarit shqiptar. Forcat progresiste dhe atdhetare, duhet të punojnë pa u lodhur për ta ndryshuar këtë gjendje tragjikomike, që të arrihet me çdo kusht Bashkimi Kombëtar Shqiptar, le të buçasë zëri i bijve të shekullit të ri vetëm një komb dhe një Shqipëri.

Me, 02 gusht 2015.

Filed Under: Featured

SEJFULLA MALËSHOVA, INTELEKTUALI, POLIGOTI, POETI I TALENTUAR…NJE JETE NE RROKULLIME

August 1, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
E kam shijuar poetin Sejfulla Malëshova, duke e ndjekur në peripecitë e jetës së tij, që më është dukur aq interesante, e veçantë, e pafat, e dhimbshme e deri tragjike, sa mendova të kërkoj dhe të merrem e të njihem edhe më shumë me të.
Sejfulla Malëshova u lind në 2 Mars të vitit 1900 në fshatin Malëshovë të Përmetit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, ai shkoi në Itali dhe ndoqi studimet në Kolegjin e Arbëreshëve të Kalabrisë të Shën-Mitër Koronës, ku më parë kishte studiuar dhe De Rada, Luigj Gurakuqi dhe atdhetarë të tjerë të shquar..
Pas mbarimit të Kolegjit dhe të tri viteve për mjekësi në Romë, ai u kthye në Shqipëri dhe u përfshi në organizatën revolucionare atdhetare “Bashkimi”, që e kishte themeluar Avni Rustemi. Si shumë të rinj të tjerë të kësaj kohe edhe Sejfullai, morën pjesë në lëvizjen popullore anti Zogiste, që njihet si “Revolucioni i Qershorit i vitit 1924” . Pas triumfit të “Fanolistëve”, Sejfulla Malëshova, për rreth gjashtë muaj punoi në Kabinetin Qeveritar, si sekretar i kryeministrit Fan Noli.
Pas rikthimit të Zogut në pushtet, me ndihmën e bajonetave Serbe e Vrangjeliste, në dhjetorin e vitit 1924, Sejfullai, u largua me Fanolistët jashtë Shqipërisë. Në fillim ai u vendos në Itali dhe më pas në Vjenë të Austrisë, duke u përfshirë aktivisht në lëvizjet revolucionare majtiste të kohës. Në vitin 1926, me ndihmën e KONARE-s, porositur nga Fan Noli, ai së bashku me të tjerë djelmosha të shquar për kohën, si Ali Kelmendi, Koço Tashko, Zai Fundo, Tajar Zavalani e Halim Xhelo, përfituan bursë shtetërore nga Qeveria Sovjetike dhe Sejfullai për pesë vjet vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Moskë.
Pas mbarimit të studimeve 5 vjeçare, në vitin 1931, ai u zgjodh në krye të shoqatës së studentëve shqiptarëve që jetonin në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1931 e deri në vitin 1941, Sejfullai, pajisur me kulturë të gjerë dhe që njihte mirë 8 gjuhë të huaja, punoi pranë KOMINTERNIT si dhe pedagog e deri dekan në Fakultetin e Universitetit “Lomonosov” të Moskës.
Ai, në Bashkimin Sovjetik u martua. Ishte viti 1932, kur provoi të krijonte familje, duke u lidhur me një komuniste nga Moska, por që për divergjenca të theksuara mendimesh, ajo martesë nuk zgjati as tre muaj. Pas saj, i përkushtuar revolucionit dhe komunizmit, vendosi të mos martohet më kurrë. . Nuk dua të krijoj më familje i deklaroi njërit prej miqve të tij sepse unë jam revolucionar gjaknxehtë dhe impulsiv.
Në Bashkimin Sovjetik ai u pranua në Partinë Bolshevike. Ka qenë viti 1932, kur në një diskutim të zgjeruar që kishte ndërmarrë organizata bazë, për problemin e veprimtarisë së brendshme të partisë, ai ka shfaqur hapur dhe prerë kundërshtimin e tij. Ai jo vetëm e kundërshtoi, por i bindur në të vërtetën e idesë së tij, (siç ishte natyrë e përhershme e tij) këmbënguli me forcë për ta mbrojtur atë. Kjo solli përjashtimin nga radhët e partisë. Pas kësaj, u dëbua nga Moska dhe u dërgua si punëtor i rëndomtë në një uzinë mekanike në Kaukazin Verior. Por edhe në atë rast ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, i cili do t’i ndryshonte menjëherë jetën, që i kishte marrë rrokullimën.
Në verën e vitit 1933 kur Sejfullai kishte gati një vit që punonte në Kaukaz, bëhet një mbledhje e radhës në Byronë politike të KQ-së të Bashkimit Sovjetik, drejtuar nga Stalini. Ajo mbledhje kishte si rend dite për të diskutuar pikërisht caktimin e rregullave të brendshme të funksionimit të partisë. Ishin këto pikëpamje të Stalinit për koincidencë, po ato që ishin bërë shkak për të përjashtuar nga partia Sejfullain. Stalini kishte porositur posaçërisht se të gjithë ata komunistë, që nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me parimet e përmendura, kanë ide të qëllimshme kundër rrugës së partisë sonë. “Ata që na përkrahin, janë me ne, të tjerët janë armiqtë tanë”. Kaq mjaftoi që e gjithë organizata, e cila një vit më parë kishte përjashtuar Sejfulla Malëshovën, të shkrihej tërësisht si organizatë partie dhe Sejfullai të vlerësohej e të rehabilitohej në mënyrë të menjëhershme, mandej të vlerësohej e të nderohej posaçërisht. Kjo për të do të thoshte që të kthehej në Moskë dhe të kishte mundësi të ushtronte profesionin e tij si intelektual. Sa u rikthye në Moskë në vitin 1933, ku ai tre vjet më parë kishte qenë student, vdiq dekani i Fakultetit të Filozofisë të Universitetit “Lomonosov”, i cili kishte qenë edhe pedagogu i tij. Pas një muaj ai konkurroi për vendin e pedagogut, që e fitoi me lehtësi, duke u klasifikuar i pari në 100 kandidatë.
Gjatë asaj periudhe, edhe falë gjuhëve të huaja që zotëronte, ai u dërgua nga Kominterni me detyra të ndryshme në disa shtete të botës.
Sejfulla Malëshova, për njohuritë superiore teorike marksiste-leniniste, në vitin 1934 pranohet anëtar përfaqësues në Komintern dhe me këtë detyrë dërgohet si delegat e veprimtar në Shqipëri dhe bëhet direkt pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, dhe më pas në pozita drejtuese të Partisë dhe të Shtetit në Shqipërinë e pasluftës.
Pas një emigrimi të gjatë, pasi kishte qëndruar edhe përreth dy vjet në Francë, Sejfullai erdhi në Shqipëri në marsin e vitit 1943. Qëndroi për disa kohë në Tiranë si ilegal dhe u largua përfundimisht nga kryeqyteti, kur mori pjesë në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë të zhvilluar në Labinot, ku dhe u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror.
Kur filloi Operacioni Gjerman i Dimrit, ai qëndroi partizan në male, pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm, deri në mbarimin e Luftës. Në tetorin e vitit 1944, në Berat, u zgjodh në Qeverinë e parë provizore të kryesuar nga Enver Hoxha, duke marrë postin e Ministrit të Kulturës dhe të Shtypit.
Ndërkohë, menjëherë pas çlirimit, në vitin 1945, do të zgjidhet Kryetari i Parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik “vjersha“, me pseudonimin letrar Lame Kodra.
Po, Sejfulla Malëshova, poliglot dhe shumë i avancuar në dije për vendin e vet, ashtu dhe gjaknxehtë, i nxituar shpesh herë, dhe i papërmbajtur e i drejtpërdrejtë, krijonte mosmarrëveshje e keqkuptime me shokët dhe ndofta edhe rivalitet e xhelozi deri me drejtuesit kryesor partiak e shtetëror. Shpejt ai doli hapur dhe goditi direkt udhëheqësin kryesor të Partisë Komunist edhe të Frontit Nacional çlirimtar: në “Plenumi i Dytë i K.Q. të PKSH, që u mblodh në Berat, ai deklaroi hapur dhe pa frikë se: “Enver Hoxha, ndonëse është konsideruar si shëmbëlltyra e sukseseve tona të LANÇ-it e të PKSH, në të vërtetë është sinteza e gabimeve të tyre”. Dhe me poshtë ai do të vazhdonte me guximin e tij proverbial: “Sektarizmi jo vetëm në Parti, po edhe në ushtri, degjeneroi gradualisht në terror dhe s` është aspak e çuditshme, se si ky terror degradoi në krim, madje në krim të organizuar”.
Sejfullai madje, edhe dy vjet me vonë, kur do ta përjashtonin nga Byroja Politike e K.Q. deklaroi se “po vazhduam me këtë mënyrë do të kthehemi shume shpejtë në një klikë, madje në një klikë vrasësish.”
Në politikën e jashtme, Sejfulla Malëshova ishte për distancë të barabartë midis Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, për çka u damkos si oportunist nga Enver Hoxha, meqë i vinte në plan aleatët e mëdhenj. Në politikën e brendshme, Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Dhe kjo mjaftoi të akuzohej si liberal.

Sejfulla Malëshova, sipas kujtimeve të shokut e mikut të tij të idealit me integritet kulturor të njëjtë, dr. Ymer Dishnicës, ishte jo vetëm mjaft i ditur, por edhe shumë i vendosur dhe parimor, që kishte parashikuar gjithçka, po asnjëherë nuk toleronte. P.sh, ai dikur i kishte thënë atij në intimitet: “Bëra mirë që s’u martova, o Ymer, sepse kjo situatë që po më krijohet, do të më merrte në qafë edhe fëmijët”. Sejfullai paqësor, nuk donte të krijonte viktima.
Dukeshin vështirësitë e mëdha që kishte populli, për ilaçet që duheshin gjetur, për hallet e njerëzve, sepse dihet, që fillimi, në çdo lloj pune është i vështirë. Edhe vet, që e kishte përjetuar jetën komode, ndodhej shpesh para vështirësive jetësore, por pa pretendime për privilegje. Sejfullai e përsëriste shpesh fjalën e Presidentit Amerikan, Vilsonit, të thënë më 1913: “Duhet të shkatërrojmë gjithçka që mban vulën e vogël të privilegjit”. Kur diskutohej për “Metafizikën e dashurisë” të Shopenhaurit, thoshte: “Njeriu i madh nuk ka kërkuar gjënë e vet, nuk ka përjetuar për vete, por për të gjithë…. Gjeniu qëndron në kontradiktë, në konflikt me kohën e vet…” Sejfullai, tregon me nostalgji shoku i tij i luftës: “ishte erudit dhe kishte një memorie për ta pasur zili”. Dhe ai vazhdon: “Kur takoheshim rrallë në Berat, me orë të zgjatura bënim biseda të ngrohta…Kujtoj që thoshim se njerëzit e mëdhenj (dhe citonim Hygonë, Çehovin), ishin indiferentë ndaj lavdërimeve të veprave të tyre, por ishim të ndërgjegjshëm se njeriu në jetë ka nevojë për vlerësime e nxitje, ashtu siç ka nevojë për ushqim e për ajër”. Ai, ishte për hapa të ngadalta, po të sigurta. Për këtë temë, Sejfullai më tregoi: “Pleqtë e fshatit tim, më thonë shpesh se kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”.
Sejfullai, ishte i hapur dhe kritikues pa rezerva për shokët. Citonte shpesh Bjelinskin që kishte thënë. “Ta thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim”. Dhe guximi deri në vetëmohim nuk i mungonte profesorit të nderuar të filozofisë, që kish sakrifikuar katedrën e Universitetit të Moskës, për të luftuar për popullin e vet të robëruar e të varfër. Ai kritikonte hapur këdo dhe ndofta me të drejtë aludonte deri pozicionin e Kryetarit të Partisë, kur propozoi që të krijohej edhe ai post, krahas Sekretarit të Përgjithshëm, çka do ta linte në hije Enver Hoxhën.
Në vend që udhëheqja kolegjiale e Partisë Komuniste Shqiptare, t`i merrte në konsideratë vërejtjet e bëra nga ai, ndikuar edhe nga titistët veprimtar me influencë të kohës, e ndëshkoi atë, duke e dënuar “teoricienin e shquar”, me neutralizim e mënjanim total.
Në vitin 1946 edhe për divergjenca të shumta që kishte në vazhdim me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga Partia dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet.
Pas kësaj, për dhjetë vjet me radhë ai punoi si ekonomist në Bankën Kombëtare në Tiranë dhe në vitin 1956, atë e internuan në Ballsh, ku u la të banonte në një barake të vjetër. Gjatë kësaj kohe, (në vitin 1949) Malëshova u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke u cilësuar si element antiparti.
Pas pak kohësh nga vajtja në Ballsh, atë e lejuan të banonte në qytetin e Fierit, duke punuar si magazinier lëkurësh në një Ndërmarrje Bujqësore.
Shpesh njerëzit pyesin si nuk e pushkatoi, a pse nuk e burgosi Enver Hoxha Sejfulla Malëshovën, kur nuk kurseu figura të tjera më pak të njohura e me më pak peshë? Përgjigja është e thjeshtë: Sejfullai nuk ishte njeriu i veprimit aktiv dhe prej tij Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku. Si njeri i letrave dhe teoricien, Sejfulla Malëshova ishte meditativ, i mbyllur në vetvete, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar. Në Ballsh, magazinieri Malëshova, ku qëndroi i internuar disa vjet, pastaj e transferuan në Fier, dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, ishte i detyruar të paraqitej në sportelin e Degës së Brendshme Fier, për të vërtetuar që ishte aty. Kureshtarët e shihnin profesorin duke kaluar para policit dezhurn të Degës së Brendshme, duke e përshëndetur me dorë me një ritual të pandryshueshëm, jam këtu! Në periudhën e zbutjes së tensionit, në kohën e Hrushovit, profesorit iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por kur u botua dhe nuk e pa emrin në libër, sikurse ishte rregulli, protestoi. Ankesa e tij nuk u përfill. Edhe pse kishte kurdoherë nevoja të ngutshme për të kompensuar rrogën e tij qesharake si magazinier, ai nuk pranoi të përkthente pa emër, duke u qëndruar besnik idealeve dhe duke mbrojtur personalitetin e tij.
Po ta vështroje nga afër, Sejfulla Malëshova, ishte një njeri i zakonshëm në dukje, veshur sportiv me kilota, kapele republike ose me shapkë dhe që lëvizte i vetmuar, shkëputur nga shoqëria, më shumë me një biçikletë.
Sejfullai jetoi krejt i vetëm deri sa vdiq në mjerim të thellë, më 9 Qershor 1970 dhe në varrimin e tij mori pjesë vetëm e motra e ardhur nga fshati, si dhe dy nipat e tij.
Në vitin 1993 një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel siç i pëlqente ta quante veten.

Sejfulla Malëshova është dhe një zë i fuqishëm i letërsisë shqiptare midisi dy luftërave, zëri i asaj letërsie që njihej si letërsi e angazhuar, poet i dalluar i lëvizjes antifashiste dhe antizogiste.
Poezia e tij është poezi e angazhuar me teme politike, revolucionare. I drejtohet fshatarësisë shqiptare në radhë të parë, bën thirrje për kryengritje, për revolucion, për të rrëzuar regjimin obskurantist dhe atë fashist.
Një thesar i padiskutuar vlerash janë poezitë e tij, që më duken shpërthime momentale të talentit dhe pasionit të tij sporadik poetik: I pari libër i tij me poezi që më ka lënë të pashlyer në kujtesë “Stanin e Trebeshinës”, te poezia “Si e dua Shqipërinë?”, në vëllimin e parë dhe të vetmin libër poetik në shqip, botuar prej tij në vitin 1945 me “vjersha”, ku ka 21 poezi. Ka dhe poezi të tjera të vetmuara, botuar në emigracion te “Dielli”, “Liria Kombëtare”, etj.. Janë dhe përkthimet e tij nga poema e Nekrasovit “Poeti dhe Qytetari” etj., të futura edhe nga Nasho Jorgaqi te “Antologji Shqipërimesh Poetike”, përkthimet e bukura të Gëtes, Gorkit, etj.
Vepra e tij e parë letrare që njihet, është një poemë e botuar në italisht me titullin “Kostandini” botuar në Romë më 1923. Këtu besoj se nis krijimtaria letrare e Sejfulla Malëshovës. Dihet gjithashtu se edhe student në Itali, bashkë me Odise Paskalin, botoi revistën “Studenti Shqiptar”, ku dhe janë botuar edhe poezitë dhe përkthimet e para të Malëshovës. Ai përktheu dhe botoi p.sh. një vjershë të njohur revolucionare të Hajnes, “Punëtoret e avlëmendit”, për të cilën thoshte se ishte një nga vjershat e pakta të preferuara të Karl Marksit. Ai përktheu “Internacionalen” e Eugjen Potjes, himni i lëvizjes komuniste ndërkombëtar, që është dhe një nga përkthimet më të mira të tij. Janë dy variante të ndjera të “Internacionales” një nga Malëshova dhe një tjetër nga Petro Marko. Përktheu bukur dhe vjershën e famshme të Gëtes , “Mbreti i Tulës”, që e kish përkthyer më parë edhe Ndre Mjeda. Edhe këtu shqipërimi i Malëshovës është më i goditur, më i qartë dhe më harmonik. Si dishepull i poezive të shkollës noliane ai ka dhe poezi të e tjera, disa të zbuluara tani vonë, në blloqet e kutive të harruara të arshivave sekrete të ish “Sigurimit të Shtetit” dhe pa dyshim ka dhe dhjetëra të tjera të grisura e të zhdukura pa kujdes, apo ndofta të fshehura, me shpresë që dikush t’i gjej në të ardhmen. Sidoqoftë, ato poezi që janë botuar, bashkë me ato të tjerat, që njihen, nuk e arrijnë shifrën 50.
Në mungesë të të dhënave burimore, është menduar se poeti Sejfulla Maleshova, i njohur
me pseudonimin letrar “Lame Kodra”, gjatë kohës së persekutimit e kish braktisur poezinë. Kjo arsyetohej me kushtet e rënda qytetare dhe shpirtërore që iu krijuan, por dhe me arsyen se ai asnjëherë nuk do të dallohej si poet prodhimtar sistematik. Ashtu si Fan Noli dhe Sejfulla Malëshova, do të krijonte në letërsi, kryesisht në momente të caktuara, të diktuara nga rrethana social-politike, por kjo praktikë krijuese lidhej dhe me kërkesat e larta që kish ndaj poezisë së tij.
Nga pikëpamja sasiore kemi të bëjmë me një bilanc modest, një dukuri kjo e njohur në historinë e poezisë, që nuk është përcaktuese në vlerësimin e poetit. Po, gjithë sa ai krijoi, janë të mjaftueshme për t’i dhënë emrit të tij një vend të nderuar në poezinë shqipe në mes dy luftërave. Është fakt i njohur që poezia e Lame Kodrës, duke u bërë zëdhënëse e idealeve revolucionare të shoqërisë shqiptare, do të gjente për afro dy dekada jehonë dhe përhapje të gjerë në Shqipëri sidomos në masat e rinisë. Madje, ajo do të përjetonte një periudhë kulmore, duke e cilësuar Sejfulla Malëshovën si “Poet Kombëtar” në ato 2-3 vitet e para të pas çlirimit. Por fatkeqësisht, kjo ngjitje e poetit, do të zgjaste një kohë tepër të shkurtër, që përkoi me periudhën e karrierës së tij politike, kur ai do të bënte pjesë në udhëheqësit më të lartë të shtetit shqiptar dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Koha, që ai ishte figurë politike, ka ndikuar në popullaritetin e poezisë së tij. Pas më se gjysmë shekulli mund të themi se kjo nuk e ka prekur vlerën e vërtetë të poetit. Ai, mbeti një zë i bukur në poezinë shqipe, një emër i përveçëm si shprehje autentike e idealeve revolucionare të atij brezi që, sipas mënyrës së tij, luftoi për liri kombëtare dhe shoqërore, kundër bejlerëve, fashizmit dhe “regresit social”. Dhe duke qenë i tillë, pra poet i vërtetë, në dekadat që erdhën, sado mbytëse që qe asfiksia politike, nuk e zhvlerësoi dot poezinë e tij.
Por ç’ndodhte me poetin gjatë kohës së persekutimit? Këtë e gjejmë të vëzhguar nga studiuesi i talentuar, shkrimtari ynë i madh, Nasho Jorgaqi: Në kushtet e izolimit të rreptë, të dramës e të zhgënjimit tepër të hidhur që kalonte, të natyrës së tij të mbyllur, ishin gati të paarritshme mundësitë e kontakteve dhe të informacionit, si burim i pashtershëm krijimtarie. Një gjë dihej saktë, se ai përkthente për shtëpinë botuese “Naim Frashëri. Nga krijimtaria origjinale e vonshme, siç thotë miku i tij Nasho Jorgaqi, janë gjetur gjithsej gjashtë vjersha. Vjersha e parë me titull “Rruga jonë” (1946), është hyrja e një poeme që kish nisur të shkruante, por për shkak të goditjes politike që pësoi, ajo mbeti me sa duket në mes. Është një vjershë e shkruar më frymën e kohës, më temë aktuale politike, që sjell atmosferën e jetës shqiptare të viteve të para të pasçlirimit, entuziazmin e punës për të ndërtuar Shqipërinë e shkatërruar nga lufta.
Pas tre vjetëve, edhe pse kish ndërruar pozita politike, siç del nga dorëshkrimi i poezisë së dytë, do të marrë pjesë në konkursin kombëtar për “Himnin e Republikës” (1953). Ai do të paraqitet me një tekst të vetin dhe sipas shënimit personal, ka fituar çmimin e parë (?!) Për vet motivin që trajton, ajo është një vjershë politike, mishërim dhe pasqyrë e ideve të ditës, besnike ndaj idealit të tij komunist. Me tone retorike dhe patos, ai i këndon republikës, aspiratës dhe ëndrrës së jetës së tij.
Vetëm dy vjet më vonë (1955) ndjehet kthesa në poezinë e Malëshovës në vjershën “Poeti”, që e bën të ndahet paksa nga krijimtaria e mëparshme. Pas gjithë asaj që i ka ndodhur, për herë të parë shpërthen dufin që mban përbrenda. Më në fund Malëshova poet, e gjen vetveten, ndaj tregohet i bindur e guximshëm në të drejtën e tij. Ashtu në heshtje dhe në vetmi këndon këngën e vet të lirë. Ndonëse nuk është më i ri, liria e bën të mos njohë moshë. Me këtë poezi, më shumë se Sejfulla Malëshovën kemi tani Lame Kodrën, poetin rebel, siç e pati quajtur veten në vitet e mërgimit politik në vjershën anonime (1935) plot dy dekada më parë, ndërsa tani shpërthen kundër pabesisë e padrejtësisë, babëzisë për pushtet, ndalimit të mendimit të lirë, i bindur se “Kënga e poetit s’perëndon”.
Është edhe 90 vjetori i Lidhjes së Prizrenit që e nxit dhe e frymëzon. Hidhet në histori, në kohën e zgjedhës otomane, kur dhe zoti i kish harruar shqiptarët. Por nuk i ka harruar Skënderbeu dhe pas kësaj figure kapet poeti, dhe tregon se edhe pse ndodhet shumë larg, heroi jetonte me fatin e atdheut të robëruar dhe të fisit të tij, brenda të cilit lëviznin “turma kordhëtar”, por që s’kishin flamur. Pra, u mungonte udhëheqësi dhe, Skënderbeu nuk pret më, hidhet vet në aksion.
Një vit më pas (1969) festohet 25 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Poeti me këtë rast do të shkruajë dy vjersha, thuajse me të njëjtin emër (“Lapidari” dhe “Lapidarët”). Dhe tema është ajo e Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, të cilën e sheh të mishëruar në një imazh konkret, siç janë lapidarët e ngritur në kujtim të luftëtarëve të rënë për liri.
Tre poezitë e fundit që na kanë arritur, vazhdon të shpjegojë profesor Nasho Jorgaqi, edhe pse nuk kanë datë, janë vërsnike me të tjerat. Më interesantja duket vjersha “Nga një dramë e pambaruar”, një vepër që u nis, por nuk u krye nga autori. Është fjala për shpirtin e njeriut, një temë aq’ e trajtuar nga poezia nëpër shekuj, për të cilën poeti shprehet në këtë vjershë meditative. Në konceptin e tij, shpirti i njeriut paraqitet si një mikrounivers, me humnera dhe të përpjeta, me të thella oqeani dhe maja Himalaje, ku përleshen ferri dhe parajsa. Në këtë sfond sa real aq dhe mitik qëndron njeriu si përbindësh dhe perëndi! Ka të ngjarë që pesë vargjet e kësaj vjershe të jenë kredoja e dramës, në të cilën autori do të shpaloste idetë e veta, filozofinë e tij për këtë fenomen universal e të përjetshëm. I paraqitur artistikisht ky fenomen, në pendën e poetit, do të përcillte dhe shtjellonte përvojën nga kalvari i jetës së tij.
Një dimension tjetër i poetit na shfaqet në dy vjershat e tjera, siç është ai i humorit. “Njeriu me këmbajka dhe servilët” dhe “Po saze dhe daulle…” janë vargje humoristike, të vetmet në gjithë krijimtarinë e tij, momente kur ai rreket të qeshë e të tallet me realitetin e kohës, duke e stigmatizuar dhe fshikulluar atë.

Duke kërkuar në internet e gjetiu, fakte për jetën dhe veprimtarinë e Sejfulla Malëshovës, arrita në përfundimin e kënaqshëm, se ai formonte një potencial të madh intelektual, ishte poliglot dhe dijetar e poet i talentuar, pa përjashtuar teprimet dhe hobitë e tij, temperamentin e nxituar, të papërmbajtur, deri diku të njëanshëm dhe rebel. Jam i mendimit se me të, bashkëpunëtorët letrarë, partiakë dhe shtetarë, gjithashtu janë nxituar dhe nuk kanë ditur, që thesarin e tij të madh dituror dhe talentin e tij të rrallë, ta mbanin e ta ruanin me kujdes dhe ta shfrytëzonin e përdornin në dobi të vendit.

Vlorë, më 01.08.2015

Filed Under: Featured Tagged With: jete ne rrokullime, Luan Cipi, Sejfulla Maleshova

KOSOVA 38 KOMUNA, 10 ME SHUMICË SERBE

July 31, 2015 by dgreca

-Kryeministri Mustafa viziton Ranillugun, komunë me shumicë serbe/
Nga Behlul Jashari/-PRISHTINË, 31 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga disa ministra ka vizituar të premten komunën e Ranillugut, ku u prit nga kryetari Gradimir Mikiç, me të cilin kanë biseduar për aspektet kryesore që lidhen me jetën e qytetarëve.
Kreu i qeverisë së Kosovës vlerësoi punën dhe angazhimin që po bëhet në çështjet jetike të qytetarëve, siç janë ato që kanë të bëjnë me objektet e infrastrukturës dhe me projektet e tjera zhvillimore.
Duke folur për Buxhetin e kësaj Komune, kryeministri Mustafa theksoi nevojën e gjetjes së mundësisë që grantet dhe subvencionet qeveritare t’u përshtaten kritereve të popullatës, e cila është më e dendur në këtë komunë, dhe e cila ka hapësirë më të vogël të tokave në krahasim me pjesët tjera të vendit. “Unë konsideroj se ishte një vizitë shumë e rëndësishme dhe ne duhet të kapemi në këto probleme jetike, sepse kur t’i zgjidhim këto probleme jetike të qytetarëve, pastaj zgjidhen edhe problemet e tjera”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiç, u shpreh i nderuar me vizitën e kryeministrit Mustafa, duke e informuar për punën që po bëhet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Mikiç theksoi se kanë hasur në mirëkuptim nga ana e kryeministrit, duke e falënderuar për qasjen dhe vendosmërinë e tij që të zgjidhen këto probleme. “Për disa gjëra kemi gjetur menjëherë zgjidhje, gjë që tregon që kjo vizitë nuk është vetëm formale, por edhe përmbajtjesore, ku kërkohet mënyra e zgjidhjes së çështjeve, ku kërkohet zgjidhja problemeve me të cilat ballafaqohet Komuna”, tha Mikiç, një nga përfaqësuesit e komunitet serb në institucionet e Kosovës dhe kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe.
Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta e Kosovës, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Edhe Mamusha është një nga komunat e reja të Kosovës, e vetmja ku shumicë është komuniteti turk.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Po sot, gjatë qëndrimit në Kamenicë, kryeministri Isa Mustafa është takuar fillimisht me kryetarin e Komunës, Begzad Sinani dhe udhëheqjen komunale, ku është biseduar për zhvillimet kryesore në Kamenicë.

Më pas, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat dhe kryetari i Komunës, kanë vizituar objektin e banimit social dhe biznesin për prodhimin e kërpudhave “Fungo FF”, në Kamenicë.

Filed Under: Featured Tagged With: komuna me shumice serbe, komunat e Kosoves 38, Kryeministri Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 635
  • 636
  • 637
  • 638
  • 639
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT