• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY LIBRA TË RINJ TË STUDIUESIT NELSON R. ÇABEJ NË BIBLIOTEKËN E VATRËS

July 30, 2015 by dgreca

Librat e Studiuesit Nelson R. Çabej”Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në emrat e Vendeve” dhe “Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire”, një kontribut i rëndësishëm për Shkencën Shqiptare /
Ditën e sotme ( E Enjte, 30 Korrik 2015) mbërritën në Shtëpinë e Vatrës dy libra të rinj të Prof. Nelson R. Çabej, i cili ia dhuroi Bibliotekës së Vatrës, nga më të vjetrat dhe më të pasurat biblioteka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjenden edhe libar të viteve 1909-12 e në vijim. Libri” Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në emrat e vendeve”, është një libër shkencor, pjesë nga i cili gazeta Dielli ka publikuar që kur libri ishte në dorëshkrim. Lexuesi i interesuar do të gjejë në këtë libër një pasuri plot vlera, argumente shkencore e historike, që provojnë vazhdimësinë Iliro-Shqiptare përmes emrave të vendeve, lumenjëve, qyteteve, krahinave, etj.
Ja disa disa nga titujt e shkrimeve studimorë:Amonica- Amantia; Arbëria- Arbanon, Arta-Araktos; Arrëza-Arnissa; Bajkaj- Baiake; Ballshi-Bulis, Berat apo Beligrad(Cili emër është më i vjetër?); Bota(Qafa e Botës)- Poteidon( Kepi i Poteidonit); Butrinti- Butroton; Çam-Tiamis; Dodona; Domosdova- Damastion; Drini-Drinius, Drinum; Drishti-Drivastum; Dropulli-Adrianopolis; Durrësi- Dyrrakion; Gjirokastra–Argirokastra; Ishmi-Isamnus; Nishi-Naissus; Peqini-Klodiana; Rush(Ragusa)-Ragusium; Sharr(Mali i Sharrit)-Scardon(mons); Shkodra-Scodra; Shkumbini- Scampinus; Shkupi-Scupi(Scopoi); Tomorri- Tomar/Tmar; Ulqini-Ulkinion; Vlora-Avlona; Zgërdheshi- Skydreon etj….
Libri i profesor Nelson Çabej është botuar nga Shtëpia Botuese”Fan Noli” në Tiranë.Libri ka 161 faqe dhe i paraprinë një parathanie nga autori, i cili sqaron se: Në kërkimin tim për identifikimin dhe lokalizimin e ndonjë vendemri të lashtë ilir jam bazuar në një parim të përgjithshëm se emrat e lashtë të qyteteve, si rregull, nuk humbasin edhe kur jeta në atë vendbanim mund të jetë shuar, emri i tij mbijeton po aty ose diku pranë. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që, në ndonjë rast identifikimi mund të jetë i diskutueshëm ose dhe i gabuar…
Në fakt ky është punimi i parë, që paraqet në mënyrë sistematike punën dhe rezultatet e arrituar deri sot në njohjen e vendemrave të lashtë ilirë që janë shpjeguar me shqipen ose kanë evoluar deri në format e sotme në pajtim me ligjet e Fonetikës historike të Shqipes.
Autori përcjell mesazhin: ” Shpresoj që ky punim të nxisë studiues të tjerë shqiptarë për të lokalizuar vendbanime të tjera ilire dhe për të shpjeguar evolucionin e tyre fonetik.
Emrat e qyteteve, lumenjve dhe maleve, janë dokumentet më të vjetra gjuhësore, që flasin për banorët dhe ndryshimet që mund të kenë ndodhur në përbërjen etnologjike të çdo vëndi. Format e sotme të emrave të qyteteve, lumenjve dhe maleve të Ilirisë së Jugut, në të cilat banon, ose ka banuar deri kohët e fundit, popullsi shqipfolëse, ruajnë gjurmë të qarta e të pagabueshme se ato kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e shqiptarëve.
Në sajë të studimeve të albanologëve shqiptarë dhe të huaj , ne kemi rreth 18 vendemra ilire, për të cilët është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes. Në këtë libër është bërë një përpjekje për t’i paraqitur lexuesit shqiptar argumentet gjuhësore që vërtetojnë evolucionin e këtyre, si dhe të shumë vendemrave të tjerë ilir, në bazë të ligjeve të gjuhës shqipe e të asnjë gjuhe tjetër.
Ballina e librit, që ka për autor Adrian Grezda, paraqet në sfond hartën e kartografit danez Johann Wilhelm Lauremberg(1590-1658) e titulluar” EPIRUS hodie vulgo ALBANIA”(Epiri, sot në gjuhën e përditshme ALBANIA).
Libri kushton 600 Lekë .
***
Libri i të njëtit autor,”Në gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire”, po ashtu iu dhurua Vatrës. Ky punim shkencor i është kushtuar legjendës të Gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, Prof. Eqrem Çabej me dedikimin:” Kujtimit të Eqrem Çabejt dhe në nderim të veprës së tij të madhe”.
Autorit, Nelson R. Çabej, ideja për të hedhur një hap , sado të vogël, në fushën e rokonstruktimit të mitologjisë së ilirëve, i lindi në vitet 80-të gjatë kërkimeve për historinë e popullit shqiptar nga të cilat ai u bind se sa kuptimplote është thënia se”Në do ta njohësh një popull, përpiqu të mësosh se ç’beson ai”. Në kohën e atyre kërkimeve autori ndjeu, si asnjëherë më parë, se ç’braztësi të madhe përbën në historinë tonë mosnjohja e mitologjisë ilire.
Në këtë libër, autori ka synuar që, duke u bazuar në të dhënat e derisotme mbi perënditë dhe mitet e ilirëve, duke përdorur metodën e”mitologjisë së re krahasimtare” dhe duke kërkuar gjurmët e perëndive dhe miteve ilire në mitologjinë dhe Folklorin e sotëm të shqiptarëve dhe të popujve fqinjë me ta në lashtësi, të bëhet vetëm një përpjekje nismëtare për rikonstruktimin e panteonit dhe të temave të mëdha mitologjike të ilirëve. Autori dhe është i bindur se ky punim fillestar do të pasohet nga të tjerë studiues, që mund të shpien në rikonstruktimin e mitologjisë ilire dhe në demonstrimin e gjithanshëm të lidhjeve gjenetike midis mitologjisë ilire dhe besimit popullor shqiptar.
Ky libër i publikuar më 2014 u mbarua së shkruari në tetor 1990 por vetëm tani , pas thuajse një çerek shekulli, autorit iu dha mundësia ta publikojë.
Libri është i ndarë në 10 kapituj(Ilirët; Besimi i ILirëve në Kontekstin Historik; Perënditë e Ilirëve; Perënditë dhe Mitologjema Ilire; Kulte të Tjera(Ilire); Figura Demoniake në Mitologjinë e Ilirëve; Përpjekje për rikonstruktimin e Mitologjemave Ilire; Ndikime të mundshme Ilire; Perëndi dhe Mitologjema Ilire në Panteonin e Popujve të Tjerë të Lashtë)…. dhe në secilin prej tyre trajtohen tema që i prijnë qëllimit të përgjithshëm të këtij punime shkencor për të sjellë Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire në ditët e sotme. Librit i prinë një parathënie, ndërkohë që në çdo temë e kapitull, janë paraqitë Referncat., ç’ka i jep kritere shkencore punimit të studiuesit Nelson R. Çabej.
Libri ka 245 faqe dhe kushton 900 Lekë.
***
Këto ditë mbërriti në Bibliotekën e Vatrës edhe libri i studiuesit Agron Alibali” KUSHTETUTA, EVROPA DHE MINORITETI ÇAM”, publikuar nga “ICEBERG” me mbështetjen e Institutit të Studimeve për Çamërinë”.

(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: BIBLIOTEKËN E VATRËS, DY LIBRA TË RINJ TË STUDIUESIT NELSON R. ÇABEJT NË

KOHE ZIJE PER BDI: VRITET I DYTI

July 25, 2015 by dgreca

Serish pergjaket BDI. Pas vrasjes se Komandat Shqiponjes, vritet me 5 plumba zyrtari i BDIsë në Strugë Artan Musliu para disa minutave një incident ndërpartiak ka ndodhur edhe në Strugë, merr vesh “Lajmpress”.Ende nuk dihen autorët kurse policia nuk e ka konfirmuar informacionin zyrtarisht.
Artan Musliu konsiderohej njeri i afërt me zv kryeministrin Musa Xhaferi.Nuk dihen autorët e kësaj vrasje, e as motivet e sakta. Musliu ka qenë i njohur edhe si biznesmen në Strugë.

Filed Under: Featured Tagged With: dite zie per BDI, vritet i dyti

Merre me vete mallin tim

July 25, 2015 by dgreca

Shkruar nga Viron Kona/*
“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut.”-
Thënie e urtë/
Kam në duar vëllimin më të ri poetik të Sokol Demakut “Magjia e zemrës”. E shfletoj me qejf e dëshirë, pasi dua të njihem me mendimet dhe idetë e tij të reja, me vërshimin e ndjenjave poetike që burojnë natyrshëm dhe plot jetë në librat e Sokolit, por edhe sepse poezia e tij, e shkruar thjeshtë, është gjithnjë origjinale, tërheqëse dhe ngacmuese, gjer të vë në mendime të thella. Si edhe në vëllimet e tjera poetike ”Baladë e përflakur”, ”Mbrëmja në mërgim”, ”Lundra ime” etj., edhe kësaj here Sokoli ka shkruar një libër të bukur që të ngjallë emocione dhe kënaqësi estetike me bukurinë e vargut, me figuracionin artistik që përdor, me stilin e zhdërvjellët…Është një libër me mesazhe mbresëlënëse, të shprehura çiltër dhe me gjuhë shpirti e zemre.
Libri nis me poezinë “Magjia e zemrës”, e pikërisht me “një pulëbardhë …që çerdhen e saj kërkon”. Një nisje me bukuri romantike, që shkakton kureshtje dhe duket sikur çel portën e kopshtit të bleruar poetik, teksa “bahçevani” u dhuron lule plotë ngjyra dhe aroma njerëzve që i kalojnë pranë… Vijon më tej poezia ”Një natë e qetë”, ku poeti ia beson pëllumbit mesazhin e tij të zemrës, mallin për vendlindjen që ndodhet larg, si të dojë me këtë poezi të aktualizojë thënien se,“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut”:
“Eja pëllumb dua të porosisë,
Dua të rrugëtosh,
Fushë e male të kalosh,
Shumë të fala vendlindjes të m`i çosh,
Dhe në vijim porosia e poetit pasohet nga “urdhri” i tij poetik që është edhe refren i çdo mërgimtari:
“Shko pra fluturim në këtë rrugëtim,
Merr me vete mallin tim…”
Demaku zgjedh pëllumbin si lajmëtar për mesazhin e tij të çmuar, jo vetëm se ka besim te krahët e shkathët dhe të palodhshëm të shpendit paqësor, tek vet-orientimi i shpendit që s`e gabon kurrë rrugën për ku do të shkojë, por, edhe sepse, pëllumbi, si shpendi më i dashur dhe më i afërt i njeriut, me siguri do ta çojë në vendlindje kupën e mallit, pa derdhur as edhe një pikë gjatë udhëtimit të tij disa ditor…Fabula poetike e pëllumbit lajmëtar, kushedi pse na sjellë në kujtesë baladat e lashta me bukuri tronditëse, legjendat e trashëguara ndër shekuj, ku shpendët historikisht janë vënë në shërbim të njeriut. Duke qenë të lirë të fluturonin në qiellin e paanë, ata u “specializuan” në vendosjen e lidhjeve dhe komunikimit mes njerëzve anë e kënd rruzullit tokësor, duke përbërë kështu “mjetet telefonike të kohës”. Me aftësitë fluturuese dhe instinktin orientues, zogjtë, e mes tyre pëllumbat lajmëtarë, zgjuan te njeriu jo vetëm ëndrrën dhe dëshirën për fluturim, por edhe u bën shkak për t`u dhënë udhë ëndrrave për të gjetur rrugët moderne të komunikimit…Një letër e lidhur në njërën këmbë të pëllumbit, ka shpëtuar sa e sa jetë njerëzish, ka paralajmëruar se po vinin hordhitë pushtuese, po afronin stuhitë dhe shtrëngatat…; një zogë në qiellin e hapësirës detare lajmëronte kapitenin dhe detarët e humbur mes detit se diku pranë tyre ishte toka, shpëtimi…Poezia e Demakut, kush e di pse më sjellë ndërmend edhe këngën e famshme himarjote “Vajza e valave”, e cila rrinte në anë të detit, në një shkëmb dhe priste të dashurin e saj: “Gjithë bota ven’ e vijnë/ Po ay nuk vjen”. Atëherë vajza që nuk gjen asnjë mundësi komunikimi, u drejtohet zogjve: “Ju të bukur zogj,/ Tek ju kam një shpres’,/ Ju që shkoni det’e male,/ Dua t’u pyes…”. 
Kurbeti ka mbetur dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur për shqiptarët, që shkakton dhembje të thella e deri edhe ngjarje dëshpëruese e tragjike. Madje, edhe kur mërgimtari qëllon që arrin më të mirën e mundshme, përsëri kurbeti mbetet një rrugë e pasigurt, pa të ardhme…Demaku e ndjen thellë këtë, prandaj edhe dhembja e madhe që ai fshehë e shtrëngon brenda gjoksit, është kthyer në një refren thuajse në të gjithë librat e tij poetikë. Njëherazi besoj se ajo dhembje përbënë edhe shkakun që poezitë e tij që shprehin dashurinë dhe mallin e madh për vendlindjen, janë më të spikaturat, më mbresëlënëset te lexuesi.
Sokol Demaku ka sens filozofik të dallueshëm në poezitë e tij, poezia nuk rrjedh thjesht si vargëzim, ritëm dhe ndjenjë, por ajo është poezi e mendimit të thellë, që transmeton ide, mesazhe dhe ndjenja të fuqishme, madje, herë – herë ajo është tërësisht filozofike. Duke hulumtuar e ndriçuar abstrakten, poeti kërkon ta zbërthejë atë dhe t`ia ofroj lexuesit, siç bënë djali i dashuruar kur e qëron një portokall dhe ia afron të dashurës së tij…Mesazhi filozofik është më i dukshëm te poezia “Nata”, ku “Hëna është dëshmitarë i parë”, por mjeshtërisht shfaqet ky mesazh edhe te poezia “Vetmia”, që është një “pozicion” i zgjedhur nga disa njerëz që poeti i këshillon, ashtu siç bënin dikur burrat e mençur në kuvende:
“Mbaj vlerën e madhe të asaj që ke,
Mos humb atë që ke pasur,
Se jeta të gjykon.”
Poeti e di mirë se poezia është e brishtë, delikate, kërkon kujdes si lulja e fushave, e faqeve të kodrave dhe maleve, ajo mund të rezistojë edhe në një shkëmb që rrihet fort nga erërat dhe stuhitë, por, gjithsesi, ajo është e brishtë, prandaj ai e do shumë, e përkëdhelë, e ledhaton, i pëshpëritë fjalëza të ëmbla dhe të ngrohta dashurie, gëzohet për të si për një njëri të dashur:
“Eh, sa ma gëzove vargun,
Rimës i dhe jetë,
E mbushe poezinë,
I dhe shpirt e jetë”.
Pajtohem plotësisht me autoren e parathënies së librit, Kadrije Meniqi, e cila duke qenë edhe vetë poete, vlerëson se “Poezia e këtij vëllimi poetik është përplot me engjëj të vërtetë, një elegji e shpirtit, me ndjenja të zjarrta që shpërthejnë nga brenda shpirtit e që shprehen fuqishëm në vargun poetik.”
Përbën një poezi interesante në këtë vëllim poezia “Trumcaku i vogël”, ku poeti ndalet te zogu që ka nevojë për më shumë mbështetje, për më shumë ndihmë e ngrohtësi, jeta e “trumcakut të vogël” duhet mbrojtur, pasi ai vetë e ka të vështirë mbijetesën…Besoj se dëshira për ta mbrojtur është edhe arsyeja që poeti e kërkon trumcakun si bashkëshoqërues, duke shpresuar te ky zog i vockël, duke besuar te butësia dhe brishtësia e tij, te pastërtia dhe ëmbëlsia e syve, te cicërimat e zërit të tij të kthjellët e të pafajshëm. Poeti shpreh dhe zbulon kështu një anë të rëndësishme të botës së tij të brendshme, dëshirën për t`u ardhur në ndihmë njerëzve, për t`ju gjendur atyre në halle e vështirësi, shpesh herë edhe duke sakrifikuar nga vetja. Vetëm njerëz me përvojë, që kanë kaluar vështirësi të skajshme për të mbijetuar, të atilla siç ka përjetuar Demaku në rrugëtimin e tij të jetës, mund të ndjejnë kaq shumë e të shkruajnë me kaq klas e delikatesë:
“Eja trumcak, derën e ke të hapur,
Do fluturosh atje ku ka shpresë,
Më merr dhe mua, ka kohë të pres,
Të këndojmë së bashku,
Shpresës t`i japim jetë…
“Vrapojnë” poezitë e vëllimit “Magjia e zemrës”, me ritmin dhe melodinë e krelave të dallgëzave të lehta kur fillon shiroku dhe kur dallgët përplasen butësisht dhe me muzikalitet të rrallë në rërën e lëmuar të bregut:
“Të kërkova në vargun tim,
Të kërkova në shkronjat e arta,
Të kërkova në poezi e prozë,
Në shkrimet e mia të gjata…”
Emigrantët nga Kosova, mbase më shumë se sa emigrantët e çdo vend tjetër, panë me sy dhe përjetuan dhimbshëm ligësinë, kur ajo u shfaq e plotë , e zezë e shëmtuar dhe e urryer në vatrat e tyre, duke zënë vend padrejtësisht në përfytyrimet e tyre, ashtu si ëndrrat e këqija me përbindësha të zinj…Duke lexuar poezitë e vëllezërve nga Kosova, sheh se herë – herë , ajo tronditje e gjerë dhe e thellë mbarë evropiane dhe botërore, ashtu si edhe në shkrime, tregime, artikuj, romane, shfaqet po me aq forcë tronditëse edhe nga poeti ynë. Poezia “Paqe” e Sokol Demakut vjen si thirrja për paqe, nga vendi i njerëzve heroikë e paqësorë, nga vendi që shigjetoi me kurajë tejpërtej kuçedrën me shumë koka, dhe, sot, kërkon që të mos ringjallen më kuçedra të tjera në jetën e të gjithë njerëzve të globit.
Etja e njeriut për jetën, për lirinë dhe begatinë, ndjeshmëria ndaj brishtësisë, të bukurës dhe të dobishmes në jetë, rrjedhin në mënyrë befasuese te “Pika shiu”, dhe”Kur shelgu i gjelbër qan” e ku, poeti duke përdorur nota të ëmbla muzikore, sikur ledhaton qetësisht e butësisht vargjet, ashtu si harku i mjeshtrit fërkohet në telat e violinës zëëmbël:
“Kur shelgu i gjelbër qan,
Loti kristal rrjedhë,
Rrugëtimin e tij nuk e ndal.
………………..
Rrjedhë ai kristal,
Me bardhësinë e tij,
Rrëfen vuajtjen, që mban në gji”
Shpirtin e qëndresës, poeti e shpreh te poezia “Ura e vjetër”, e cila ka mbetur dëshmitare e historisë së një populli nëpër shekuj:
Qëndrove krenare,
Madhështore gjithmonë,
E fortë si shkëmbi,
E truallit arbëror.”
Kurse te poezia “Atje”, poeti këshillon:
“Mos harro vendin,
Mos largo mendjen,
Qëndro krenar,
Nga e ke prejardhjen.”
Gjen perla të mrekullueshme poetike në poezitë “O valë deti!” dhe ”Lamtumirë”: “O valë deti/Që valëvitni varkën time” Apo: “Në errësirë,/Një yll shkëlqen,/Në rrugë një grua kalon.”Teksa, ndjenjat dashurore shfaqen te poezitë “E ndjej një çast”,”Dua të jem”,”Të lutem”,”Era magjike”,ndërkohë që poeti kërkon ndihmën e valës së detit, për të pastruar të keqen:
“O valë deti,
Që shkumoni në të bardhë,
Ma thoni,ma thoni,
Ky llum kur do të jetë tharë?”
Poezitë e këtij vëllimi vijnë herë si dallgët, e herë si fllade të ngrohta pranverore, herë si stuhi dimri, por në shumicën e tyre ato shfaqen si rruazat e një gjerdani që ledhatojnë gushën e butë dhe me aromë trëndafili të vajzës së dashuruar, ato shfaqen të mbushur plot e përplot me mirësi e ëmbëlsi, si të duan të na sjellin në kujtesë nga mitologjia, “kupat me nektar që Ganimedi 1). ua mbushte perëndive nëpër gostia…”. Kohë pas kohe qiellin dhe hapësirën e poezive e mbulojnë net dhe qiej të vërejtur, shtrëngata vetëtimash dhe bubullimash, që shpërndajnë në hapësirë shpirtin e ndjeshëm dhe të vrullshëm të poetit Sokol Demaku. Edhe herë të tjera e kam vënë re këtë pamje të poezive të Demakut, edhe sot pas leximit të këtij libri, kjo ndjenjë dhe ky përjetim më forcohet edhe më, kur ndjej se si poeti, tashmë i sprovuar dhe me përvojë, orienton lindjen dhe vërshimin e poezisë te burimi më i freskët, më ujë-kaltër e transparent, te burimi i artit të vërtetë, që është zemra…
“Lejonje të shprehet,
Dhe le të flasë,
Zemra,
Se ajo ka art.”
Urime Sokol Demaku dhe faleminderit që me aftësinë tënde krijuese e poetike, na mbajte të përfshirë gjatë gjithë leximit te “Magjia e zemrës”, që në thelb është zemra jote e bukur, që pulson fort dhe me ndjenjë, që e orienton gjithkënd që dëshiron, drejt detit të pafund të mirësisë, madhështisë, aty ku ti vozit prej kohësh me lundrën tënde poetike, e ku shpërndanë me gjuhën e ëmbël të zemrës mesazhe jete, paqeje dhe dashurie…

1).Ganimedi, djali që ua mbushte perëndive kupat me nektar nëpër gosti. Nga dashuria që kishte për njerëzit, kur Zeusi nuk e kishte mendjen dhe vështrimin e kishte gjetiu, Ganimedi u hidhte njerëzve nga nektari që u shërbente perëndive.

Filed Under: Featured

Tirane, Gazetashitësit nën presionin e pronarëve të lokaleve

July 22, 2015 by dgreca

Erion Veliaj ka premtuar se do të legalizojë kioskat e gazetashitësve/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e
vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”. Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur
mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri
i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.
Po si shitet gazeta në Shqipëri?
Problemet e gazetashitësve në vendin tonë janë tepër interesante. Në mos gabon vetëm në Tiranë ka rreth 111 pika shitje të shtrira në gjithë gjeografinë e kryeqytetit. Tirana është qyteti i gazetave, jo vetëm se aty prodhohen, aty shtypen, ato formatohen, por pikërisht në Tiranë ndodhen afërsisht 60 % e lexuesve. Pra kryeqyteti ynë është qyteti i shitjes së gazetave. Pika shitje shikon që nga fundi i Kombinatit dhe deri në fundin e lagjes Kinostudio. Lind pyetja në çfarë moshe janë shitësit e gazetave? Nga një vëzhgim i kryer për gazetën “Telegraf” rezulton se 80% e gazetashitësve janë të moshës 60-75 vjeç, 15 % të moshës 45-60 vjeç dhe pjesa tjetër e papërfillshme të rinj. Kjo ndarje moshe vjen për shumë arsye. E para sepse të moshuarit që nuk kanë pension të lartë, apo që janë mësuar me leximin dhe me punën e shohin jo vetëm si mënyrë jetese por edhe si mënyrë argëtimi dhe kalim kohe. Por është dhe ana tjetër që një pjesë e tyre nuk duan tu bien në qafë fëmijëve duke siguruar sadopak të ardhura shtesë.

Po çfarë ndodh me shitjen dhe si janë kushtet e shitjes?
Nga këto pika shtije vetëm 63 janë kioska dhe pjesa tjetër shesin në tavolina të improvizuara dhe me mbrojtje të thjeshtë me plasmas ose me beze. Pra kushtet janë tmerrësisht të këqija. Në dimër shumicën e tyre e sheh të strukur nën çadër apo të mbledhur si grusht brenda kioskës së ngushtë, ndrysa në verë i sheh me kanotiere të mbuluar me djersë dhe pluhur. Shpeshherë tavolinat e improvizuara kanë nga një këmbë të thyer ku llamarinat dalin jashtë kuadratit dhe mund të përbëjnë rrezik. Në tërë këto vite demokraci është folur për standartizmin e kioskave kush shiten gazetat. Në çdo vend të botës, kioskat janë të shpërndara në pika nevralgjike, anës rrugëve ku njerëzit ta kenë të lehtë gjetjen dhe blerjen e gazetave. Ndërsa Tirana vazhdon ende të ketë një problematikë të madhe në këtë drejtim. Një kioskë është ndryshe se tjetra. Disa janë të shëmtuara sa nuk shihen, disa të mëdha dhe ide artistike. Të gjitha kioskat janë bërë sipas shijes së gazetashitësve, ku dominojnë ato të lëvizshmet. Të gjithë ish-kryetarët e bashkisë në Tiranë kanë bërë premtime të vazhdueshme për konkretizimin dhe satndartizimin e pikave dhe kioskave të gazetashitësve pro deri tani asgjë nuk është bërë. Të gjitha pikat e shitjes, janë në mëshirë të fatit, të natyrës dhe të dëshirave të Kryetarëve të Bashkive që në çdo moment edhe mund ti hiqnin si të pa sistemuara dhe jashtë kushteve teknike. Por ato ende mbijetojnë nën këtë trysni politike, ekonomike por edhe me kushtet e natyrës. Mbijetojnë duke punuar 16 orë dhe duke fituar pak, pro që ën fund të ditës së punës sërishmi gazetashitësit i sheh të kënaqur por edhe me humor, që i shërbejnë komunitetit për atë çka kanë të domosdoshme, marrjen e informacionit për probleme të ndryshme ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe lajmet kryesore. Ndoshta gazetashitësit janë ata që hapin të parët punën në kryeqytet. Ata i sheh që në orën 04-00, në qendër të Tiranës duke marrë gazetat për ti çuar në pikat e shitjes. Shi apo bor, ftohtë apo nxehtë ata janë të parët që i japin qytetit sinjalin e zgjimit. Mbase është ora që edhe pastrueset kanë përfunduar punën në pastrimin e rrugëve të qytetit.

Problemet
Jo vetëm legalizimi, jo vetëm standartizmi i kioskave, por problem i kohëve të fundit për gazetashitësit e rrugës “Don Bosko” është dhe përballja apo debati me pronarët e lokaleve. Aktualisht në këtë rrugë, janë ndërtuar disa pallate, ku katet e para janë bërë Pab-e, ose kafenera. Pronarët e lokaleve të rinj, pa marr parasysh fare kohën e gjatë që kanë këta njerëz të heshtur të punës, po i largojnë ata nga trotuari, a thua se trotuari është pronë e tyre. Kushdo që i sheh këto lokale mëson se aktiviteti i tyre shtrihet disa metra larg trotuareve, pra disa metra larg gazetashitësve, por pronarët e duan shesh pamjen deri në kufijtë e rrugës, pasi gjasme kioskat e improvizuara u prishin sheshpamjen klientëve, u prishin qetësinë, u krijojnë ndjesi ndryshe nga aroma relaksuese e kafenesë. Në fakt këto janë vetëm dëshira meskine ët pronarëve, janë pretekse dhe kërkesa zemërngushtësie, pasi hollë hollë, të gjithë klientët që ndalin para gazetave, e shtojnë kohëqendrimin dhe shikimin ndaj kafeneve. Me një sy real, kioskat e gazetave e plotësojnë më mirë ambientin e rrugës me njerëzit kureshtarë të dijes. Pronarët duhet ta kuptojnë se kioskat nuk i prishin punë por i shtojnë punë çdo lokali, pasi aty mblidhen njerëz në çdo orë. Askush nuk i kupton marifetet e përdorimit të forcës dhe mekanizmit të njohjes (ndërhyrjes nga policia bashkiake) që përdorin pronarët e lokaleve ndaj gazetashitësve duke i larguar ata në qoshe të padukshme.
Konkretisht
Në rrugën “Don Bosko” ka katër kioska të shitjes së gazetave. Të katër kioskat dy të lëvizshme dhe dy stacionere kanë mbi 15 vjet që funksionojnë. Shpesh herë policia bashkiake u ka nxjerrë probleme, por asnjëherë nuk ka marrë vendime për largimin përfundimtar. Por dy muaj para zgjedhjeve, në kohën që përfunduan dhe dy lokale në rrugën anësore, pronarët e lokaleve kanë përdorur lloj-lloj mënyrash për largimin e tyre. Duke hasur në qëndresën e gazetashitësve, pronarët kanë përdorur policinë bashkiake për largimin e tyre nga trotuari dhe pse nuk është pronë e tyre. Ja si shprehet njëri prej tyre:
Ndrec Dod Seferi dhe Mrika Gjon Seferi
Kam 11 vjet që bëj këtë punë. Jam i dashuruar me gazetat dhe me librin. Është një punë që e bëj me kënaqësi. Kur u shërbej njerëzve më duket sikur u hap një dritare apo një rreze drite më shumë. Në çdo ditë shkoj që në katër të mëngjesit dhe marr gazetat. Këtu mbërrij në orën pesë. Tirana nuk është zgjuar ende. Lëvizjet janë tepër të rralla. Por edhe në këtë orë kam lexuesit e mi. Shumica e lexuesve thuajse janë si të abonuar. I di çfarë duan dhe çfarë lexojnë. Jemi miqësuar me njeri-tjetrin dhe nuk bëjmë gjë pa njeri-tjetrin. Kohët e fundit me ndërtimin e lokaleve të rinj kam ndeshur në një problem. Pronari i lokalit këtu afër më çoi haber të largohesha. Unë i them se kam 12 vjet këtu dhe jam shumë larg lokalit tuaj, jam në trotuar, larg pronës tuaj. Disa ditë nuk u largova dhe presionet ishin të përditshme. Një mëngjes kur u çova pashë trotuarin të rrethuar me vazo të mëdha pikërisht aty ku vendosja kioskën. Unë e çova sërishmi bri saj. Pas një ore mbërrin tek unë policia bashkiake. Pas asaj dite s’më lanë më në trotuar. Jam në gjendje stresi. Nuk mund të rri dot pa punë. Nuk mund të rri dot pa kioskën dhe miqtë e mi 11 vjeçarë. Gazeta është pjesa më e bukur e jetës sime. Besoj se Kryetari i ri Erion Veliaj do ta zgjidhë këtë punë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Z. Zholi, Erion Veliaj, gazetashitesit, kioskat

FUNDI I AVENTURES PREJ 36 ORESH I 570 PASAGJERVE

July 20, 2015 by dgreca

Përfundon odiseja e pasagjerëve të linjës Ankona-Durrës/ mbërrijnë në Portin e Durrësit pas 36 orësh.
20 korrik  2015 . Merr fund udhëtimi i tejzgjatur i shqiptarëve që u bllokuan në tragetin e linjës Ankona-Durrës që prej mbrëmjes të së shtunës.
Pas 36 orësh të bllokuar, kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit 570 pasagjerët e tragetit të linjës Ankona-Durrës, i cili pësoi defekt teknik një orë pasi ishte nisur në drejtim të brigjeve shqiptare. Udhëtimi dhe mbërritja e tyre në molin e tragetëve të Portit Durrës u bë me një traget tjetër të linjës Bari-Durrës. Ndërkohë gjatë ditës së sotme në Portin e Durrësit është krijuar një fluks i madh udhëtarësh, ku aktualisht kanë zbritur mbi 2000 pasagjerë.
Sh.Kercelli

Filed Under: Featured Tagged With: ankona-Durres, Fundi i aventures, pasagjere

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 636
  • 637
  • 638
  • 639
  • 640
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT