Librat e Studiuesit Nelson R. Çabej”Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në emrat e Vendeve” dhe “Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire”, një kontribut i rëndësishëm për Shkencën Shqiptare /
Ditën e sotme ( E Enjte, 30 Korrik 2015) mbërritën në Shtëpinë e Vatrës dy libra të rinj të Prof. Nelson R. Çabej, i cili ia dhuroi Bibliotekës së Vatrës, nga më të vjetrat dhe më të pasurat biblioteka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjenden edhe libar të viteve 1909-12 e në vijim. Libri” Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në emrat e vendeve”, është një libër shkencor, pjesë nga i cili gazeta Dielli ka publikuar që kur libri ishte në dorëshkrim. Lexuesi i interesuar do të gjejë në këtë libër një pasuri plot vlera, argumente shkencore e historike, që provojnë vazhdimësinë Iliro-Shqiptare përmes emrave të vendeve, lumenjëve, qyteteve, krahinave, etj.
Ja disa disa nga titujt e shkrimeve studimorë:Amonica- Amantia; Arbëria- Arbanon, Arta-Araktos; Arrëza-Arnissa; Bajkaj- Baiake; Ballshi-Bulis, Berat apo Beligrad(Cili emër është më i vjetër?); Bota(Qafa e Botës)- Poteidon( Kepi i Poteidonit); Butrinti- Butroton; Çam-Tiamis; Dodona; Domosdova- Damastion; Drini-Drinius, Drinum; Drishti-Drivastum; Dropulli-Adrianopolis; Durrësi- Dyrrakion; Gjirokastra–Argirokastra; Ishmi-Isamnus; Nishi-Naissus; Peqini-Klodiana; Rush(Ragusa)-Ragusium; Sharr(Mali i Sharrit)-Scardon(mons); Shkodra-Scodra; Shkumbini- Scampinus; Shkupi-Scupi(Scopoi); Tomorri- Tomar/Tmar; Ulqini-Ulkinion; Vlora-Avlona; Zgërdheshi- Skydreon etj….
Libri i profesor Nelson Çabej është botuar nga Shtëpia Botuese”Fan Noli” në Tiranë.Libri ka 161 faqe dhe i paraprinë një parathanie nga autori, i cili sqaron se: Në kërkimin tim për identifikimin dhe lokalizimin e ndonjë vendemri të lashtë ilir jam bazuar në një parim të përgjithshëm se emrat e lashtë të qyteteve, si rregull, nuk humbasin edhe kur jeta në atë vendbanim mund të jetë shuar, emri i tij mbijeton po aty ose diku pranë. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që, në ndonjë rast identifikimi mund të jetë i diskutueshëm ose dhe i gabuar…
Në fakt ky është punimi i parë, që paraqet në mënyrë sistematike punën dhe rezultatet e arrituar deri sot në njohjen e vendemrave të lashtë ilirë që janë shpjeguar me shqipen ose kanë evoluar deri në format e sotme në pajtim me ligjet e Fonetikës historike të Shqipes.
Autori përcjell mesazhin: ” Shpresoj që ky punim të nxisë studiues të tjerë shqiptarë për të lokalizuar vendbanime të tjera ilire dhe për të shpjeguar evolucionin e tyre fonetik.
Emrat e qyteteve, lumenjve dhe maleve, janë dokumentet më të vjetra gjuhësore, që flasin për banorët dhe ndryshimet që mund të kenë ndodhur në përbërjen etnologjike të çdo vëndi. Format e sotme të emrave të qyteteve, lumenjve dhe maleve të Ilirisë së Jugut, në të cilat banon, ose ka banuar deri kohët e fundit, popullsi shqipfolëse, ruajnë gjurmë të qarta e të pagabueshme se ato kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e shqiptarëve.
Në sajë të studimeve të albanologëve shqiptarë dhe të huaj , ne kemi rreth 18 vendemra ilire, për të cilët është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes. Në këtë libër është bërë një përpjekje për t’i paraqitur lexuesit shqiptar argumentet gjuhësore që vërtetojnë evolucionin e këtyre, si dhe të shumë vendemrave të tjerë ilir, në bazë të ligjeve të gjuhës shqipe e të asnjë gjuhe tjetër.
Ballina e librit, që ka për autor Adrian Grezda, paraqet në sfond hartën e kartografit danez Johann Wilhelm Lauremberg(1590-1658) e titulluar” EPIRUS hodie vulgo ALBANIA”(Epiri, sot në gjuhën e përditshme ALBANIA).
Libri kushton 600 Lekë .
***
Libri i të njëtit autor,”Në gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire”, po ashtu iu dhurua Vatrës. Ky punim shkencor i është kushtuar legjendës të Gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, Prof. Eqrem Çabej me dedikimin:” Kujtimit të Eqrem Çabejt dhe në nderim të veprës së tij të madhe”.
Autorit, Nelson R. Çabej, ideja për të hedhur një hap , sado të vogël, në fushën e rokonstruktimit të mitologjisë së ilirëve, i lindi në vitet 80-të gjatë kërkimeve për historinë e popullit shqiptar nga të cilat ai u bind se sa kuptimplote është thënia se”Në do ta njohësh një popull, përpiqu të mësosh se ç’beson ai”. Në kohën e atyre kërkimeve autori ndjeu, si asnjëherë më parë, se ç’braztësi të madhe përbën në historinë tonë mosnjohja e mitologjisë ilire.
Në këtë libër, autori ka synuar që, duke u bazuar në të dhënat e derisotme mbi perënditë dhe mitet e ilirëve, duke përdorur metodën e”mitologjisë së re krahasimtare” dhe duke kërkuar gjurmët e perëndive dhe miteve ilire në mitologjinë dhe Folklorin e sotëm të shqiptarëve dhe të popujve fqinjë me ta në lashtësi, të bëhet vetëm një përpjekje nismëtare për rikonstruktimin e panteonit dhe të temave të mëdha mitologjike të ilirëve. Autori dhe është i bindur se ky punim fillestar do të pasohet nga të tjerë studiues, që mund të shpien në rikonstruktimin e mitologjisë ilire dhe në demonstrimin e gjithanshëm të lidhjeve gjenetike midis mitologjisë ilire dhe besimit popullor shqiptar.
Ky libër i publikuar më 2014 u mbarua së shkruari në tetor 1990 por vetëm tani , pas thuajse një çerek shekulli, autorit iu dha mundësia ta publikojë.
Libri është i ndarë në 10 kapituj(Ilirët; Besimi i ILirëve në Kontekstin Historik; Perënditë e Ilirëve; Perënditë dhe Mitologjema Ilire; Kulte të Tjera(Ilire); Figura Demoniake në Mitologjinë e Ilirëve; Përpjekje për rikonstruktimin e Mitologjemave Ilire; Ndikime të mundshme Ilire; Perëndi dhe Mitologjema Ilire në Panteonin e Popujve të Tjerë të Lashtë)…. dhe në secilin prej tyre trajtohen tema që i prijnë qëllimit të përgjithshëm të këtij punime shkencor për të sjellë Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire në ditët e sotme. Librit i prinë një parathënie, ndërkohë që në çdo temë e kapitull, janë paraqitë Referncat., ç’ka i jep kritere shkencore punimit të studiuesit Nelson R. Çabej.
Libri ka 245 faqe dhe kushton 900 Lekë.
***
Këto ditë mbërriti në Bibliotekën e Vatrës edhe libri i studiuesit Agron Alibali” KUSHTETUTA, EVROPA DHE MINORITETI ÇAM”, publikuar nga “ICEBERG” me mbështetjen e Institutit të Studimeve për Çamërinë”.
(Dielli)