• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse vendosa të jem me ”Nismën për Kosovën”?

March 11, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI*/Në fillim të Janarit u takova me Prof.Dr. Jakup Krasniqin për një kafe, dhe në bisedën tonë rreth një orëshe diskutuam për shumë çështje që na preukopojnë të gjithëve. Prof. Krasniqi ishte lexues i rregullt i shkrimeve të mija prej vitesh, dhe më përgëzoi që pasqyroi realitetin tek ne dhe për guximin intelektual(Gjatë bisedës më dha librin e tij që e kishte ndarë për mua me titull ” Kosova në kontekst historik”). Prof. Krasniqi më inkurajoi që të vazhdoj të shkruaj kundër keqqeverisjes dhe dukurive negative, siç kam bërë deri më tash . Një nga temat që biseduam në atë takim ishte edhe rreth themelimit të partisë ”Nisma për Kosovën”. Biseduam rreth organizimit të partisë, sfidave që do t’i kemi si parti e re etj, etj. Si dy njerëz idealistë për Bashkim Kombëtar, parimorë dhe që ia duam të mirën Kosovës, kishim të njëjtat qëndrime rreth situatës politike dhe gjendjes së përgjithshme. Dhe, reciprocikisht shprehëm dëshirë dhe u dakorduam që si figurë publike edhe unë të jem pjesë e partisë. Dhe ashtu ndodhi. Që nga zyrtarizimi i partisë më 28 shkurt në sallën e kuqe të ”Pallatit të Rinisë” në Prishtinë, ku isha i ftuar, u bëra edhe zyrtarisht pjesë e një nisme që për udhëheqës të saj ka dy njerëz të dëshmuar edhe në kohën e luftës edhe në kohën e paqes, Prof.Dr.Jakup Krasniqi dhe z.Fatmir Limaj-Komandant Çeliku.

Prof.Dr. Jakup Krasniqin, e kam vlerësuar gjithmonë si patriot të madhë, njeri i drejtë dhe të sinqert.

Jakup Krasniqi është veprimtar i vjetër i çështjes kombëtare, luftëtar i lirisë, ideator me të tjerët për krijimin e PDK-së, tani person i cili ka përgjegjësi në krijimin e rrethanave për shqyrtimin dhe finalizimin e ligjeve duke e drejtuar institucionin më të lartë të shtetit Parlamentin në cilësinë e këshilltarit më të mirë të shtetit, që të vendos vlerat në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. Jakup Krasniqi ka qenë një ndër shtyllat kryesore të UÇK-së. Jakup Krasniqi ka qenë një ndër themeluesit e dy partive kryesore në vend, të LDK-së dhe të PDK-së. Jakup Krasniqi është njeriu që kaloi 10 vite nëpër burgjet më famëkeqe të Serbisë pa u gjunjëzuar për asnjë moment. Jakup Krasniqi është njeriu që më së shumti është maltretuar nëpër burgje.

Jakup Krasniqi, politikani dhe diplomati me përmasa botërore, patriot dhe kombëtar, i drejtë dhe punëtor, i pakorruptuar, njeri parimor, i drejtë dhe i sinqert. Jakup Krasniqi është me fytyrë të hapur, ballëlartë dhe krenar sepse nuk bëri kurrfarë “bixhozi” me fatin e Kosovës. Jakup Krasniqi nuk bëri marrëveshje të dëmshme për Kosovën me serbin Ivica Daçiq. Këtë e bëri Hashim Thaçi dhe kompania e tij. Jakup Krasniqi, mjaft është për të që në histori do të mbetet si zëdhënës i të madhërishmës UÇK-së, i asaj ushtrie që ia ktheu pushkën makinerisë serbe për ta çliruar vendin, ndërsa Hashim Thaçi do të mbetet në histori me dy faqe të medaljes, të bardhën në kohën e luftës dhe me faqen e zezë në kohën e paqes, marrëveshjet me Daçiqin në dëm të Kosovës.

Unë besoj tek ”Nisma për Kosovën”!

Nisma për Kosovën, do të thotë një fillim i ri, me fytyra të reja, energji të reja, njerëz  parimorë dhe me biografi të pastër. Unë besoj në ”Nismën për Kosovën” se do të ketë fytyra të reja të cilat nuk kanë pasur hapësirë nëpër parti tjera.

Unë besoj se ”Nisma për Kosovën” do të jetë subjekt i hapur për t’iu dhënë njerëzve hapësirë pavarësisht në cilin grup do të jenë, përndryshe edhe kjo parti nuk do të kishte dallim prej partive të tjera, pra do ishte vetëm një PDK e dytë. Unë besoj se ”Nisma për Kosovën” s’do të jetë parti e individit apo individëve, siç janë partitë e tjera ku vendos lideri i partisë dhe disa persona të fuqishëm në parti, por do të jetë parti e gjithë anëtarëve të saj dhe gjithë njerëzve që ia duan të mirën Kosovës. Unë besoj se ”Nisma për Kosovën” do të sjellë frymë të re në skenën politike të Kosovës. Unë besoj se tek ”Nisma për Kosovën” do të ketë demokraci të brendshme, ku çdo anëtar i saj do të shpreh shqetësimet dhe pakënaqësitë e veta. Unë besoj tek ”Nisma për Kosovën”, sepse në gjirin e saj do të ketë vend vetëm për figura të pastra, njerëz parimorë, me energji të reja dhe vetëm kështu do të jetë alternativë për qytetarët e Kosovës. Klasa politike në Kosovë tash e 15 vite e ka frikësuar këtë popull. Ky popull e ka humbur besimin tek institucionet e saj në të gjitha sferat dhe vetëm me figura të pastra, njerëz parimorë dhe energji të reja mund ta kthejmë besimin e humbur të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës. Unë besoj se ”Nisma për Kosovën” do t’i jap fund keqqeverisjes në Kosovë, korrupsionit, krimit të organizuar, injorancës, nepotizmit etj. Unë kam besim që ”Nisma për Kosovën” do t’iu kthejë besimin dhe dinjitetin e humbur qytetarëve të Kosovës.

Arsyeja pse unë jam sot pjesë e ”Nismës për Kosovën”, është fal të nderuarit dhe shumë të respektuarit Prof. Dr Jakup Krasniqit. Falë këtyre dy njerëzve, z. Krasniqi dhe z. Limaj, unë besoj tek ”Nisma për Kosovën”. Beso edhe ti!

* (Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ”Nismës për Kosovën”)

 

Filed Under: Featured Tagged With: faik Krasniqi, me Nismen per Kosoven, pse vendosa, te behem

Shqiptarët si të tillë , e zeza e kombit !

March 11, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Demokraci vëlla , shkruaj  çka të duash  ,fol si të duash :”është kohë e artë”. ”Liri e të shprehurit” : shaj sa të mundësh , denigro kë  të duash!. Poshtërsi kombëtare : ”Njollos sa të mundësh ! Mos e kurse askend !”. Qëpoj sipas qefit ,pakurrëfarë përgjegjësie ndaj kombit , ndaj historisë, ndaj ardhmërisë . Qëllimi i përbashkët : ” Nuk jemi komb , jemi të  vonëshëm ,s´kemi heronj kombëtar , nuk e meritojmë shtetin -nuk i meritojmë të dy shtetet që i kemi , nuk jemi të aftë të udhëheqim  dhe jemi rastësi në këto fysha e male të begata.  Caku i huaj i ”qëllimit ” tonë : ” Largohuni nga këtu ,se jeni jo nga këndej pari! ”

Ideja e huaj , realizimi i ynë : Jemi komb i shpifur !  Nuk i takojmë as lëkurës e as mishit . Parat e huaja , mjerimi ynë .Kur e lexoj të shkruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës  (e mos qoft ai kuvend se çka mbanë): “Debatet e fundit për Skënderbeun në Shqipëri kanë qenë mjaftë të mira dhe të trajtuara me profesionalizëm nga shumë historianë dhe analistë, kurse te ne në Kosovë ende nuk kemi një debat të tillë të mirëfilltë. Sipas librave autentik të historisë dhe sipas historianëve e analistëve nga Tirana u qartësuan shumë gjëra. Se Skënderbeu nuk kishte ngritur flamurin kuq e zi në Krujë por flamurin e Bizantit, se Kuvendi i Lezhës nuk ishte Kuvend shqiptar por ishte Kuvend i kombeve të ndryshme të besimit krishterë për të luftuar Perandorinë Osmane. Pra Kuvendi ishte në bazë fetare dhe jo në bazë kombëtare sepse në mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flisje kur vihej interesi fetar para.Sipas historisë, Skënderbeu me t’u kthyer në Krujë muslimanëve shqiptar iu dha të zgjidhnin në mes krishterimit ose vdekjes, shumica e tyre refuzuan të braktisnin besimin islam dhe i masakroi pa mëshirë.”… më lind dyshimi të mëndoj se mos rastësisht  (bëje Zot ëndërr!) nuk jam në Kosovë . Por kur e shof që është e shkruar dhe e folur shqip (bëje zot ëndërr) nuk i zë besë vetës që jam shqiptar.Sa më ” dhimbset” Perandoria turke që nuk gjeti miq në atë kohë  në tokat tona, se sa mirë do ta kishim sikur të mos na vinte (me zjarr e tmerr)  kurrë  këndej pari.Sa i paskan pëlqyer deputetit  ”debatet e fundit për Skënderbeun në Shqipëri ” dhe me çfarë keqardhje ende në Kosovë nuk paskemi një sqarim të mirëfilltë për atë kohë . Sa me”keqardhje  po  shkruaj ”që s´po iu del krah  askush në Kosovë amirahmetëve,gëzimkëlmendëve, fuadramiqëve,shefqetkrasniqëve, milazimkrasniqëve .

Po ku paskemi qenë deri më tani që nuk e paskemi dijtë që Skenderbeu e paska ngritur flamurin e Bizantit në Krujë  (oliverschmiti , fatos lubonja , abdi baleta )? Çfarë mësimi i

”mbrapësht” i historisë sepse nuk  na  kanë treguar që Skenderbeu ” me t’u kthyer në Krujë muslimanëve shqiptar iu dha të zgjidhnin në mes krishterimit ose vdekjes, shumica e tyre refuzuan të braktisnin besimin islam dhe i masakroi pa mëshirë.” ?!?! Dhëmbshuri historike . Vajtim!Sa të mjerë që jemi e nuk po e dijmë që ne jemi komb i ”krijuar  ” fare rishtas , apo të ardhur nga Azerbajxhani bukur moti , apo që jemi serbë të albanizuar , apo jemi arnautashë që dikur flitnim serbisht dhe turku na e ”mësoi shqipen ” për inat të të popullit tonë ” amë  , që  të ndihemi shqiptarë (Oliver Schmitt) .  Sa më vjen keq që ne nuk po ia ”ditkam ” për nderë Perandorisë Osmane që na bëri ”njerzë dhe na kulturoi” (Fatos Lubonja). Po ç´lidhje ne kishim me pellazgët , ilirët , dardanët ? Të kotë e kemi që mundohemi të krijojmë ” lidhje artificiale ” me gjëja se të parët tonë (Oliver Schmitt).

Po na jemi rastësi , se  ”eshtrat tona të të parëve tanë ,kanë humbur maleve si ato të arushave dhe ujqërve ” dhe se vështirë të ” gjindet ndonjë fakt arkeologjik” për ne (J.Deretiç)

Sa më vjen keq që kot po mundohemi të kemi një gjuhë të bashkuar , të njësuar kur e dijmë që ”jemi popull me njëqind dialekte. dhe që fshati me fshat ” nuk mirret vesh ndër veti ( Jovan Cvijiç)   S´di pse nuk gëzohemi që flasim një gjuhë të re ”kosovare ” (gegnishte kosovare të Migjen Kelmendit ) , apo pse nuk  gëzohemi që e kemi një identitet ”kosovar ” ( të Halil Matoshit ) e mbi të gjtha  një  ”identitet musliman ” ( të Rexhep Qosjës) Çudi! dhe mosmirëmjohës.Sa keq që nuk po jemi falëmnderues që po na këshillojnë që vajzave tona t´iu vejmë shaminë mbi kokë deshtën ato apo jo.  Por edhe feexhën , pse jo nëse ato e pranojnë Pse nuk ndihemi krenar që kemi  nismëtar të kthimit pas.  Pse nuk jemi krenar që vendet arabe dhe turke ”prodhojnë ” pa shpenzime familjare e as nuk harxhojmë fonde publike për  që të na i ” shkollojnë” djemtë tanë? Eeeeeeeej , kur ata kthehen mu atëherë do të urrejmë pse jemi shqiptarë ,pse flasim shqip . Sa ”gëzim”!

Është për brengosje se si i madh e i vogël nuk kërcejmë sipas ”defit” arab , dhe që  15 vjet këndej në Kosovë , e që 22 në Shqipëri në ”lulën e demokracisë ” nuk ndihemi krenar  për këtë liri të vetëhumbjes, vetëmohimit, dhe vetëzhbërjes.”Pra Kuvendi ( 1444fxh ) ishte në bazë fetare dhe jo në bazë kombëtare sepse në mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flisje kur vihej interesi fetar para atij kombëtar… e sot që po i themi vetës komb (mos kofshim , më mirë) , për ç farë ineresi po flasim. E edhe në Kuvend!

Por edhe diçka , sa mirë që ishim  dhe e kishim dikur  ”Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!

Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. (Ismail Kadare)” . Te ecim o burra e ta kthejme kete kohë!

Pa e harruar : “Të falemnderit” Shqiperi për debate të trajtuaraa me profesionalizëm ,për Skenderbeun . “Te falemnderit” Tv Rrokum për emisionet qe po na publikon. Ju falemnderit të gjithëve atyre që po na ndihmojnë me sa munden që të mos e duam popullin tonë dhe të kaluarën tonë historike. I falemnderoj të gjithë ata që po çojnë ujë në mullirin e sllavizmit .”I falemnderoj “te gjithe ata qe punojne kunder kombit dhe ardhmerise europiane te sajë!

 

Filed Under: Featured Tagged With: e zeza e kombit !, Fahri Xharra, Shqiptarët si të tillë

Dita e verës, festime në Tiranë

March 10, 2014 by dgreca

14 marsi, Dita e Verës, një feste popullore, i rikthen kryeqytetit festimet . Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me bizneset kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në Ditën e Verës.

Në bashkëpunim me institucionet artistike, bizneset, etj, Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat.  Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Orkestra Rinore, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.

Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve  të Liceut Artistik  “Jordan Misja”, pa harruar edhe parakalimin përgjatë  bulevardit të arlekinëve dhe këmbajkave  të Cirkut.
Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Veres, do te efstohet, ne Tirane

Kronike nga Kuvendi- Topalli: Qytetarët nuk ndihen më të sigurtë

March 10, 2014 by dgreca

*Interpelanca me Kryeministrin Edi Rama/

*Rama-Topallit:Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit!/

-Punimet e Kuvendit vijuan te henen me interpalancën e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me sigurinë dhe rendin në vend, të thirrur nga deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.

Sipas Topallit kjo interpelancë  vjen në një kohë kur në vend janë rritur rastet e shpërthimit me tritol ndërsa akuzoi qeverinë se ka dështuar për të vendosur ligjin dhe sigurinë në vend.

Topalli deklaroi se qytetarët nuk ndihen më të sigurtë, ndërsa bëri një bilanc të krimeve të ndodhura kohëve të fundit.

Në vijim ajo tha se vetëm një herë në parlament, Kryeministri ka folur për rendin, ndërsa shtoi se bilanci i krimeve është tragjik.

“A mund ta masësh me përqindje suksesin për vrasjet, po kur fëmija vritet në shkollë, a mendoni për nënën e fëmijës? A mund të thoni në këtë pasiguri se nuk keni asnjë dështim, në një kohë kur shoqëria është e kërcënuar nga revanshi i drogës, krimit dhe mafias. A nuk ishit ju zoti Kryeminsitër që sollët modelin e tritolit, kur kryenit shpërthime me C4”, tha Topalli.

Deputetja opozitare theksoi se më e rënda ishte përdorimi i dhunës mbi shoferët e furgonave, duke shkelur kësisoj ligjin.

Po ashtu, ajo theksoi se Kryeministri mund të mohojë çdo gjë por e vërteta është aty. “Vetëm sot tritol, dje dy herë tritol, dje dy të tvrarë, unë ju pres t’iu dëgjoj”, mbylli fjalën e saj Topalli.

 Rama-Topallit: Po deformoni dhe fabrikoni shifrat e kriminalitetit

Kryeministri Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, akuzoi opozitën se po luan në mënyrë makabre me shifrat e kriminalitetit, duke shtrembëruar faktet.

Duke krahasuar periudhën e mes shtatorit 2013 – fund shkurtit 2014, me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bazuar në shifrat zyrtare, Rama tha se “kemi ulur me një të tretën numrin e vrasjeve dhe të viktimave”.

Ai tha se opozita sot nuk ka moral të gjykojë punën e kësaj qeverie, kur u largua nga qeveria duke lënë këtë vend në mëshirën e pasigurisë totale, policinë e shtetit me moshën më të vjetër të mesatares në rajon dhe Europë, të rrënuar, të demotivuar, të tkurrur në numrin më të ulët për frymë popullsie në rajon dhe Europë”.

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeminisri tha se ndërsa opozita po bën politikën e krimit, qeveria po rilind Policinë e Shtetit, ku veçoi si arritje, stimulin më të madh financiar të 20 viteve të fundit, siç e cilësoi ai, përmes rritjes së rrogave dhe taksimit të ndershëm.

Sipas tij, policia nën drejtimin e qeverisë së kaluar, ishte me nivelin më të ulët të arsimimit në rajon e më gjerë. “E latë policinë me mbi 70% të trupës me arsim të mesëm, shifër marramendëse që nuk gjendet as e përafërt në rajon dhe Europë. Policia e Shtetit për ju ishte shumë më tepër një mundësi për asistencë sociale për të papunët e pashkolluar, se sa forca e shtetit në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike”, iu drejtua Rama opozitës në sallën e Kuvendit.

Kryeministri tha se, “sulmi i opozitës ndaj policisë së shtetit, nëpërmjet dizinformimit, është një sipërmarrje për prishjen e imazhit të policisë dhe qeverisë shqiptare në Europë dhe botë.

“Kjo sjellje nuk dëmton qeverinë, çka është dhe qëllimi i opozitës, por dëmton vendin dhe vet opozitën” tha Rama duke shtuar se “shumica ka një mision dhe mandat shumë të qartë: të bëjë shtet dhe të ndryshojë Shqipërinë”. “Nuk jemi as të përsosur dhe as të pagabueshëm, por të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para njerëzve të këtij vendi”, theksoi Rama, ndërsa premtoi se, “pas 6 muajsh të tjera fakte dhe shifra në rend dhe ekonomi do të flasin shumë më fort dhe pse e latë vendin në kushte të vështira”.

Akuzës së opozitës për shkarkime dhe emërime të kundraligjshme në radhët e policisë, kreu i Qeverisë iu përgjigj me gjuhën e shifrave.

“Po propagandoni në Europë sikur po largohen dhe emërohen padrejtësisht mijëra punonjës në radhët e policisë, por faktet dhe shifrat flasin ndryshe”, tha ai duke cilesuar se , “nga mesi i shtatorit 2013 deri në fund të shkurti 2014, janë liruar 378 punonjës policia, në një kohë kur nga shtatori 2005 deri në 2006, kur morët qeverinë, ju larguat nga policia 1003 punonjës policie. Në kohen e  drejtimit tuaj, larguat nga radhët e policisë 3188 punonjës, pa llogaritur katrahurën e lëvizjeve brenda përbrenda strukturës, ku vetëm nga viti 2010- 2013, u lëvizën 9 866 punonjës”, nënvizoi kryeministri  në interpelancën e kërkuar nga deputetja demokrate, Jozefina Topalli.

Maxhoranca miraton me 84 vota ndryshimet në ‘Kodin Penal’ dhe ‘Aministinë’

Kuvendi miratoi të hënën në seancë plenare me 84 vota pro të maxhorancës, dy projektligje të rëndësishme, atë të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë, si dhe p/ligjin “Për dhënie amnistie”.

Opozita ndërkohë nuk mori pjesë në votim.

Më herët opozita u largua nga Kuvendi pas gati dy orë debatesh, ku akuzuan kryetarin Ilir Meta për shkelje të rregullores, që kishte të bënte me mos mbledhjen e seancës plenare të enjten e javës së shkuar.

Por, z. Meta shpjegoi se Kuvendi u mblodh në datën 5 mars dhe se p/ligjet e parashikuara për datën 6 mars nuk kishin përfunduar diskutimet në Komisionet Parlamentare.
Pas përfundimit të votimit të dy p/ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, opozita u rikthye në Kuvend për të vijuar me interpelancën e Kryeministrit, Edi Rama kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli për rendin dhe sigurinë në vend

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edi Rama, Kronike nga Kuvendi, Topalli

Presidenti do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për Tritolin dhe Krimin

March 10, 2014 by dgreca

Situata e rënduar e sigurisë dhe rastet e frikshme të atentateve me tritol, në disa raste në përmasat e akteve terroriste, kanë detyruar Kreun e Shtetit që të thërrasë pas shumë kohësh pushimi Këshillin e Sigurise Kombëtare.

Lidhur me këtë takim që do të mbahet ditën e nesërme ne oren 10:30 ne ambjentet e Presidences, ka pasur dhe një takim mes Presidentit Bujar Nishani dhe kryeministrit Edi Rama.

Edhe pse nuk ka kaluar pa debate ideja e Kreut të Shtetit, sipas burimeve të afërta me dy krerët e lartë të vendit, mësohet se një tjetër argument që lidhet me mbledhjen ka sjellë debate të forta mes Presidentit dhe Kryeministrit në mardhënie sigurisht të acarta që prej 23 qershorit.

Sipas burimeve të sigurta, krahas atyre që përbëjnë edhe bërthamën e Këshillit të Sigurise Kombëtare, Nishani ka lëshuar një ftesë edhe për kreun e opozitës Lulzim Basha, ftesë e cila nuk është mirëpritur aspak nga zoti.Rama.

Sipas burimeve, Kryeministri është dakorduar me Kreun e Shtetit për mbledhjen, por ka kundërshtuar fort pjesmarrjen në mbledhje të rivalit të tij politik që në këtë rast përfaqëson edhe Bashkinë e Tiranës si qytetar i parë i kryeqytetit.

Rama dhe maxhoranca e konsiderojnë si absurde dhe të papreçedentë pjesmarrjen e Kreut të opozitës në një mbledhje të tillë, ndërsa për Presidentin kjo konsiderohet si normale pasi edhe opozita ka rolin e vet në sigurinë kombëtare.

Sipas nenit 13 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, pika 5, “Anëtarë të Këshillit të Sigurise Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Rendit Publik, Ministri i Pushtetit Lokal, Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror”.

Një inisiativë e tillë e Nishanit është një tjetër pikë e fortë ku tashmë do të ndërtohet marrëdhënia në krizë mes shumicës dhe Presidentit, e cila hyn në një akt të vështirë pasi bëhet fjalë për një çeshtje të mprehtë siç është siguria kombëtare e vënë seriozisht në pikëpyetje nga seriali vdekjeprurës i tritoleve.

Gjithsesi, Rama e Nishani tashmë janë në një betejë, ku këtë herë në mes është lideri i opozitës, Lulzim Basha.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Keshilli Kombetar, presidenti, tritoli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 709
  • 710
  • 711
  • 712
  • 713
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT