• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI DR. IBRAHIM RUGOVA, UDHËRRËFYESI I KOMBIT

January 21, 2021 by dgreca

ME RASTIN E 15-VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM /

Nga Frank Shkreli/

Sot në 15-vjetorin e shkruarjes në amshim të Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, Kombi shqiptar e kujton atë si një udhëheqës ndryshe, si një udhëheqës i cili nuk humbi asnjëherë rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare. E kujton atë sot si udhërrëfyesin e Kombit.  E kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës – kur për të dhe për bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që ai humbte shpresat dhe guximin nga vranësitë ndër më të errëta që kishin mbuluar ndonjëherë jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe  të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, të cilët ndjeknin me mërzi tepër të madhe kalvarin neper të cilin po kalonte Kosova. 

Fatkeqësisht, Presidenti Rugova iku nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perendimore të shqiptarëve– pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli, të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht — të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve.  

15-vitet e fundit të jetës së Dr. Ibrahim Rugovës ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ishte një periudhë historike që kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët.  Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit, në fillim të shekullit të kaluar.  Megjithë këtë histori kombëtare vuajtjesh dhe deshtimesh për liri, përfshir vuajtjet e tija personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua, nuk humbi shpresë as nuk ndërpreu përpjekjet e tija për lirinë e popullit të vet, por përdori çdo rast që i paraqitej, sidomos me të huajt, që të shpjegonte vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kombit shqiptar gjatë shekujve, por njëkohësisht edhe të lartësonte emrin dhe vlerat e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar,  përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi si dhe vuajtjet shekullore të shqiptarëve nga shtet terrorist serb. 

Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë që ai e artikulonte edhe me miqët perendimorë, sidomos me përfaqsues amerikanë — për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte, ndërshmërisht, në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqipztarët e sidomos në mbështetjen e të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar  në aleancat me vendet perëndimore, sipas tij, aty ku e kishin vendin e vet shqiptarët. 

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht, që trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur — mbi të gjitha — edhe nderin due respektin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm edhe për sot në këtë 15-vjetor të vdekjes së tij— sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e këtij 15-vjetori të vdekjes së tij – përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve, përball shtypjeve dhe terrorizmit shekullor sllavo-serb ndaj shqiptarëve autoktonë.  

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar — ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballej ai dhe populli i tij, Dr. Ibrahim Rugova nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve historikë perëndimorë të shqiptarëve, Kosova, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte edhe pavarësinë e saj.  Ç’prej fillimit, ai e kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar për Kosovën si dhe mënyrat për realizimin e këtij objektivi.

Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Por epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Edhe në këtë 15-vjetor të kalimit të tij në amshim –ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar – ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik të një Kombi edhe pas shkuarjes së tij në amshim.   Një udhërrëfyes, ose një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Ish-Zëvendës Presidenti i Amerikës, gjatë një vizite në Kosovë në gusht të vitit 2016 – Z. Joe Biden, sot Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

 Frank Shkreli 

Autori duke bërë nderimet e fundit si përfaqësues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, para arkivolit të Presidentit Ibrahim Rugova, të mbuluar me lule e flamur — Prishtinë, Janar 21, 2006

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, presidenti

PRESIDENTI META DEKORON ikonat e Partizanit dhe Ekipit Kombëtar

October 17, 2020 by dgreca

Ilir Meta “bëhet i kuq”/

Nga Albano Kolonjari-

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vlerësoi katër futbollistë njohur të ekipit “Partizani” dhe Kombëtares Shqiptare, me medaljet Kalorës i Urdhrit të Flamurit” dhe “Mjeshtër i Madh” për kontributin, sakrificat, djersën dhe rezultateve e larta te arritura prej tyre si futbollistë. 

Mikel Janku. Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Janku lindi më 25 tetor të vitit 1941. Ai ishte portier i Partizanit dhe ekipit tonë Kombëtar.  Mikel Janku bëri debutimin më Partizanin në prill të vitit 1962. Falë aftësive dhe talentit të tij, Janku veshi edhe bluzën e Kombëtares Shqiptare, ku në tre vite: 1964-1967, luajti 9-të takime zyrtare të FIFA-s  dhe UEFA-s. Debutimi i tij kuqezi është  në Roterdam, në majin e vitit 1964, Holandë-Shqipëri 2-0 i aktivizuar nga trajneri Zyber Konçi. Me ekipin e Partizanit u aktivizua në vitet 1962-1969. Janku fitoi me Partizanin dy tituj kampion në vitet 1963 dhe 1964. Pas largimit nga futbolli i luajtur, Janku ka qënë drejtues i klubit Partizani. Nga viti 1992 ai ju përkushtuar rolit të opinionistit sporti. Mikel Janku punoi për një periudhë të gjatë kohe si gazetar sportiv dhe zëvëndsredaktor i gazetës Sport Ekspres. Në 70 vjetorin e themelimit Klubi i Futbollit Partizani i akordoi Mikel Jankut “Medalje të Meritës” , ndërsa Federata e Futbollit e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”. Tashmë është Presidenti Ilir Meta që i akordon Mikel Jankut (pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Në vlerësim jo vetëm të cilësive të një portieri të shquar, i cili e ka të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar si “mburoja” e portës së “Partizanit” dhe e ekipit tonë Kombëtar, por edhe si gazetar dhe analist i shkëlqyer sportiv, i cili ka promovuar dhe mbrojtur me dinjitet e profesionalizëm vlerat sportive dhe qytetare”. Titulli iu dha djalit të tij Alban Janku. 

Ylli Shehu. Titulli “Mjeshtër i Madh”.

Ylli Shehu lindi në Tiranë më 13 Mars të vitit 1966. Shehu është një nga sulumuesit me të njohur të ekipit të Partizanit por edhe Kombëtares Shqiptare. Me Partizanin Ylli Shehu luajti që nga vitit 1984 deri në vititn 1995. Shehu debotoi me Partizanin në takimin Naftëtari-Partizanin në moshën 16 vjecare. Më Partizanin do të fitonte dy tituj kampion në vitin 1987 dhe 1993. Pas një dëmtimi të rëndë Ylli Shehu do të qëndronte jashtë fushave të blerta për një periudhë dy vjecare, por falë vullnetit dhe këmbënguljes rrikthehet sërisht në futbollin e luajtur. Më pas ai do të aktivizohej në Greqi me  Apollon Smyrnis, 15 ndeshje, një gol, në Kroaci Sibenik 43 ndeshje 24 gola, Cercle Brugge 33 ndeshje 6 gola dhe do ta mbyllte karrierën e tij futbollistike në sezonin 1997-1998 me Sibnik ku në 31 ndeshje shënoi 11 gola. Me ekipin Kombëtar Ylli Shehu u aktivizua në 10 ndeshje dhe realizoi një gol. Shehu do të debutonte me ekipin tonë Kombëtar në shtator të vitit 1988, gjatë takimit miqesor Shqipëri-Rumani. Takimi i fundit për Shehun me ekipin Kombëtar ishte në shtator të vitit 1995, Shqipëri-Bullgari. Aktualisht Ylli Shehu është tranjer i moshave në klubin e Partizanit. 

Ilir Lame. Titullin “Mjeshtër i Madh

Ilir Lame, do të vishte bluzën e Partizanit që në moshën 18 vjecare. “Përmetari” i zbuluar nga madhi Loro Boriqi, do të luante me Legjendën e Kuqe për 12 sezone dhe do të fitonte tre tituj kampion 1979, 1981 dhe 1987. Për shumë sezone ai ishte një ndër pikat më të forte të mesfushes së Partizanit por edhe ekipit tonë kombëtar. Mesfushori i majte, Ilir Lame  do të luante 12 sezone me Partizanin dhe do të shenonte 49 gola. Me ekipin kombëtar, ai luajti 11 ndeshje ku u vlerësua nga kundërshtarët e tij. Karrierën e tij si futbollist i ekipit Partizani, Lame e ndërpreu në vitin 1988. Për kontributin në futboll, Ilir Lame është vlerësuar edhe më parë me medaljet “Mjeshtër Sporti” dhe  “Naim Frashëri” i klasit të parë.

Sulejman Starova. Titullin “Mjeshtër i Madh”

Nëse ekipi i futbollit Partizani i mbijetoi “zhdukjes” dhe u rikthye në elitën e futbollit Shqiptar është merita e tij. “Bobi” ashtu sic e quajnë miqtë dhe fansat e futbollit lindi në Tiranë më 12 dhjetror të vitit 1955. Pas katër viteve me Tiranën 1973-1979, Sulejman Starova, do të luante për Partizanin. Dhe prej këtij momenti, Starova do ti kushtonte karrierën e tij si futbollist, tranjer dhe si drejtues ekipit të Partizanit. Më të kuqtë Starova do të luante që nga vitit 1977 deri në vitin 1985 dhe do të fitonte dy tituj kampion në vitet 1979 dhe 1981. Në vitin 1990 Starova fillon karrierën e tij të trainimit të ekipeve në Shqipëri. Për katër sezone drejton Partizanin me të cilin fiton titullin si tranjer në vitin 1993. Starova cilësohet si një nga specialistët më të mirë të futbollit në Shqipëri. Ai ka drejtuar shumë ekipe si Tirana, Partizani, Besa, Teuta, Kukësi, Laci por edhe për një periudhë të shkurtër Feronikelin në Kosovë. Starova gjithashtu ka qënë edhe Sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit. Starova nuk arriti të vishte bluzën e ekipit Kombëtar edhe pse ishte një futbollist i talentua. Ai luajti vetëm katër ndeshje me ekipin Shpresa. Sulejman Starova për arsye shëndetësore nuk mori pjesë në këtë ceremoni dhe u përfaqësua nga e bija.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, dekorime, presidenti

SHBA REGJISTRON 1 MILION TË INFEKTUAR …

April 28, 2020 by dgreca

* PRESIDENTI UDHËZON TESTIME, GJURMIME DHE RIHAPJEN E EKONOMISË/

COMFORT NE IKJE NGA NEW YORKU…E KREU DETYREN…/

* New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave/

* Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve./

* Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët./

* Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

* Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit./

* Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj /

Përgatiti: Dalip Greca/

Dita e Hënë ishte me tregues jo alarmant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në betejën e përditshme me Koronavirusin. Të infektuarit e rinj zbritën në kuota më të ulta se ditët parardhëse, vetëm 20 mijë e 789(nga 26 mijë e 509 të dielën), ndërsa numri i të vdekurëve ishte i përafërt me ditën e djeshme, numri i të shtruarëve në spitale ka rënë ndjeshëm deri në 1 mijë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve e kaloi shifrën 1 milion 7 mijë e 949. Presidenti Trump në konferencën me gazetarët e mbajtur në mbrëmjen e së hënës i vlerësoi pozitivë të gjithë treguesit duke thënë se shteti po ecën në drejtimin e duhur. Ai tha se i gjithë vendi është në gjendje të mirë dhe është koha e rihapjes së bizneseve dhe ringritjes së ekonomisë.

Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek testimet dhe gjurmimet. Shtetet mund të testojnë rreth 2,6 përqind në popullsisë në muaj, ndërsa shtetet dhe zonat më të goditura mund të testojnë dy herë më shumë, ose dhe më tepër. Amerika i ka kapacitete për të kryer testimet dhe gjurmimet.

Në konferencën për shtyp presidenti tha se do t’i udhëzojë shtetet se si të rrisin testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave

Ndërkohë që Shteti i New Yorkut ka regjistruar ditën e Hënë treguesin më të ulët të vdekjeve ditore, 337(nga 367 ditën e dielë) dhe në rang shteti u regjistruan në total 22 mijë e 612 viktima, pesë bashkitë që përbëjnë NYC (New York City) kanë raportuar 11,708 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 5.222 vdekje të mundshme të koronavirusit, sipas faqes së internetit të qytetit. Pra vetëm NYC ka 16 mijë e 930 të vdekur, ndërsa pjesa tjetër e shtetit kap shifrën 5 mijë e 682.

Departamenti i Shëndetit në New York City përcakton vdekje të mundshme nga nga COVID-19 ata pacientë që nuk kishin një test laboratorik pozitiv të Covid-19, por çertifikata e tyre e vdekjes kanë të shënuar si shkakun e vdekjes “COVID-19”.

Ka pasur 156.100 raste të koronavirusit në NYC, dhe rreth 40,000 njerëz të shtruar në spitale gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të qytetit.

Të infektuarit e rinj të raportuar në 24 orshin e fundit për shtetin e New Yorkut ishin vetëm 3 mijë e 333(nga 5 mijë e 678 të dielën) duke e çuar shifrën e përgjithsme të të infektuarëve në 297 mijë e 224. Testimet në shtet janë në shifrat më të larta se në çdo shtet tjetër të Amerikës dhe më të larta se në shtetet europiane si Franca, Britania e Madhe etj. Deri ditën e hënë New Yorku kishte kryer 826 mijë 95 testime, nga 463 mijë e 662 që ka kryer Franca dhe 719 mijë e 910 Britanai e Madhe.

       Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së përditshme të së hënës, tha se ai ka të ngjarë të zgjasë urdhrat për qëndrim në shtëpi dhe të mos hapjes së bizneseve për disa qarqe përgjatë afatit aktual të shtetit që është përcaktuar me 15 maji.

Në fakt, numri i shtrimeve të reja në lidhje me koronavirusin është ulë deri rreth 1.000 në ditë, sipas të dhënave të shtetit, ndërkohë që edhe shifrat e tjera flasin për për mirë.Po ashtu spiatlet kanë hapsira të bollshme dhe ventilator më shumë se duhet. Nga ana tjeter edhe anija e marinës që erdhi për ndihmë po merr rrugën e kthimit.

Cuomo përsëriti se shteti duhej të bënte më shumë testime dhe gjurmime të kontakteve në mënyrë që të fillonte rihapja në pjesët e mundshme të shtetit.

Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të hënën me 27 prill se ai dhe këshilli i qytetit arritën një marrëveshje mbi një plan që do të mbyllte 40 milje rrugë për trafik automjetesh dhe do t’u jepte qytetarëve më shumë hapësirë ​​të lirë pasi edhe moti po bëhet më i ngrohtë. De Blasio tha se ai është i angazhuar të hapë deri në 100 milje rrugë për këmbësorët nëse do të jetë nevoja me qëllim që qytetarët të mos grumbullohen për mungesë hapsire por të ruajnë distancën.

Kryetari i Bashkisë gjithashtu njoftoi se qyteti do të punësojë 1000 gjurmues kontakti, ose detektivë sëmundjesh. Ai i bëri thirrje çdo punonjësi mjekësor me përvojë përkatëse të aplikojnë përmes internetit në faqen e departamentit të shëndetit publik.

Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

New Yorku ka humbur shumë punonjës të vijës së parë në këtë betejë me virusin e padukshëm, si punonjës të shërbimeve publike, por ka humbur jetë punonjësish edhe në arsim.

       Departamenti i Arsimit në New York City ka humbur 68 punonjës në COVID-19 që nga e hëna, deklaroi departamenti i arsimit. Në këtë shifër përfshihen 28 mësues, 25 profesionistë profesionalë, tre punonjës të zyrës qendrore, dy administratorë, dy këshilltarë udhëzues dhe dy punonjës të shërbimit ushqimor. 

       Shkollat ​​e New York City do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.

Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit

New Jersey është shteti i dytë pas New Yorkut më i prekuri nga pandemia e COVID-19. Ai ka regjsitruar deri tani 111 mijë 188 të prekur nga Koronavirusi dhe 3 mijë e 3 të vdekur, ndërkohë që ka kryer 227 mijë e 390 testime. Parametrat e prekshme të koronavirusit janë në ulje në të gjitha drejtimet. Në ditën e sotme, e hënë 27 prill,kishte 106 të vdekur. Në këto kushte po mendohet për rihapje. Nëse në shtetin e New York-ut mendohet për hapje rajonale, Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy, u shpreh në fillimjavë se ende është herët për të thënë nëse rihapja do të bëhet mbi baza rajonale ose në mbarë shtetin që drejton. Ai vetë preferon këtë të fundit.

-Paragjykimi im do të mbështetet drejt marrjes së vendimeve shtetërore- tha ai, duke shtuar “nëse nuk shohim një arsye të vërtetë unike për të bërë ndryshe, ose nëse nuk shohim një realitet me të vërtetë të dyzuar në drejtim të virusit dhe ndikimit të tij në shtet.”

Rihapja do të fillojë në vendet e punës dhe vendet ku shteti ka një “shkallë të lartë besimi”, që distanca sociale dhe normat e tjera mund të zbatohen në mënyrë efektive, kometoi ai gjatë konferencës të së hënës.

Përsa i përket radhës së rihapjes së bizneseve, Guvernatori Murphy tha se ndoshta duhet filluar me “zinxhirin ushqimor” dhe elementët e tjerë thelbësorë. Ai shtoi se e do shumë muzikën, por koncertet nuk mund të kthehen shpejt.

Murphy vuri në dukje se disa vendime ka të ngjarë të merren në harmoni me shtetet e tjera, duke dhënë shembullin se ai nuk mund ta imagjinojë që një restorant në Jersey City (New Jersey), do të kishte një protokoll të ndryshëm rihapjeje nga një restorant në anën e poshtme perëndimore të Manhattanit(New York)

Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj 

Guvernatorja e shtetit Iowa, Kim Reynolds, njoftoi të hënën se 77 nga 99 qarqet e shtetit mund të rihapin restorantet, qendra palestre, dyqane me pakicë dhe qendra të mbyllura me kapacitet 50%, duke filluar nga 1 maj.

Reynolds tha gjithashtu se ajo po heq ndalimin e tubimeve fetare, por jo të grumbullimit të më shumë se 10 personave.

Kjo qasje synon që të lirojë kufizimet në qarqet ku nuk ka veprimtari të virusit ose ku aktiviteti i virusit ka qenë vazhdimisht i ulët dhe ka treguar një prirje rënëse, tha Reynolds.

Vendet ku aktiviteti Covid-19 është më i lartë do të qëndrojnë të mbyllur deri në 15 maj, tha guvernatorja.

Hapja e qarqeve bazohet në aktivitetin e virusit dhe sasinë e rasteve të reja gjatë 14 ditëve të fundit, sqaroi Reynolds.

Ajo shtoi se biznesi dhe kishat e aprovuara për rihapjen duhet t’i përmbahen distancimit shoqëror, higjenës, masave të shëndetit dhe udhëzimeve të biznesit nga departamenti i shëndetit publik për të zvogëluar përhapjen e Covid-19.

Reynolds tha gjithashtu se restorantet do të duhet të mbajnë tavolina të paktën gjashtë metra larg dhe të kufizojnë numrin e njerëzve që mund të jenë në një tryezë.

New York, 27 Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 1 Milion te infektuar, dalip greca, presidenti, SHBA

24 ORE NGA BETEJA KUNDER KORONAVIRUSIT NE SHBA

April 19, 2020 by dgreca

PRESIDENTI TRUMP E SHEH ME OPTIMIZËM RIHAPJEN E EKONOMISE, GUVERNATORËT KËRKOJNË FONDE FEDERALE /

NGA DALIP GRECA/

Presidenti Trump edhe në daljen e së Dielës(19 Prill 2020) u shfaq optimist për mposhtjen e koronavirusit, i cili siç tha ai, e arriti kulmin dhe tash një pjesë e shteteve do të nisin rihapjen.Betejën e Amerikës me COVID-19 presidenti e cilësoi pozitivisht të kontrolluar, duke e krahasuar SHBA-në me Gjermaninë.

Duke filluar nga e hëna Teksasi dhe Vermont do të nisn rihapjen e bizneseve, ndërkohë që bashkia e Jaksonville në Florida e nisi rihapjen me hapjen e plazheve. Presidenti porositi se nuk duhet të hiqet dorë nga distancimi. Lidhur me protestat e së dielës në Teksas, Indiana etj, apo edhe ato në Michigan, Ohio, Utah, etj. gjatë ditës së dielë, presidenti tha se ata kanë të drejtën e tyre që të kërkojnë heqjen dorë nga mbyllja dhe hapjen e bizneseve për ringritjen e ekonomisë.

Mirëpo jo të gjithë shtetet mendojnë si presidenti. Governatorët në të dy krahët politik thanë të Dielën se qeveria federale duhet të rritë mbështetjen e saj për shtetet që përpiqen të fillojnë testimin masiv të koronavirusit për të krijuar siguri në rihapjen e ekonomisë. Ata kërkuan fonde federale dhe testime masive.I ashpër ishte në reagimin e tij Guvernatori  Nga Virginia, Ralph Northam (Demokrat), i cili i quajti pretendimet e administratës Trump për burime të mjaftueshme”mashtruese”. Gjithësesi shenjë pozitive është fakti se administrata e presidentit Trump dhe drejtuesit e kongresit janë afër arritjes së një marrëveshje për të siguruar edhe 400 miliardë dollarë plus për të rinovuar fondet për një program kredie për biznesin e vogël.

Me gjithë këmbënguljen e presidentit për hapjen e ekonomisë, rreth 60 përqind e votuesve në Sh.B.A janë shumë të shqetësuar për rihapjen e menjëhershme të ekonomisë, sipas një anketimi të NBC News dhe Wall Street Journal.

 Edhe New Yorku, qendra e pandemisë, është një ndër ata shtete që e kundërshtojnë hapjen e menjëhershme si në nivel qyteti ashtu edhe në nivel shteti.

Edhe pse Shteti ka një ulje graduale të përditshme të numrit të vdekjeve, si guvernatori Cuomo ashtu edhe kryebashkiaku Bill De Blasio nuk e shohin të afërt rihapjen, edhe pse kanë caktuar 15 majin si kufi të mundshëm.

 Zyrtarët në Albany dhe në Manhatatn ende paralajmërojnë se New York City dhe pjesa tjetër e shtetit nuk janë të gatshëm të rihapin bizneset, shkollat apo të lejojnë grumbullimet.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio paralajmëroi të Dielën se me ardhjen e motit të pranverës, qyteti do të kërkojë më shumë zbatimin e rregullave të distancës sociale.

Po si është tabloja e betejës kundër COVID-19 në New York? Të Shtunën, numri i vdekjeve prej koronavirusit në shtetin e New York-ut ra nën 550 për herë të parë në mbi dy javë, të Dielën me 19 prill shifra u ngrit pak dhe shkoi në 627(numri i përgjithshëm i të vdekurëve 18 mijë e 298, ndërkohë që numri i të vdekurve të rinj për SHBA të Dielën u raportu në shifrat 1 mijë e 539, dhe në total 40 mijë e 533), ndërsa numri i të infektuarëve të rinj për New York ishte rreth 1 mijë më pak se një ditë më parë,por kriza nuk ka përfunduar, spitalet ende raportojnë rreth 2,000 pacientë të rinj COVID-19 në ditë. 

        De Blasio tha se joshja nga moti i ngrohtë i pranverës i njujorkezëve do të jetë një sfidë e vështirë, por ai paralajmëroi se nuk do të ketë lëshime. Ai kujtoi se rregulli, distancimi, do të mbrohen nga policia dhe shkelsit e rregullit do të përballen me gjoba deri në 1 mijë dollar. Kryebashkiaku nxiti qytetarët që nëse shohin grumbullime të fotografojnë dhe të njoftojnë autoritetet.

Në bashkitë e qytetit kanë humbur jetën nga beteja me COVID-19 rreth 13,000 njujorkezë, që nga 1 marsi, kur u raportua rasti i parë i koronavirusit. Shteti i New Yorkut ende ka problem me shifrat e vdekjeve për shkak se më shumë se 4,000 vdekje në New York City, që u raportuan se vdiqën nga virusi në çertifikatat e vdekjes, por që nuk u konfirmuan nga një test laboratori. Më shumë se 2,700 persona kanë vdekur në shtëpitë e pleqve në New York, shifër kjo më e lartë se në çdo shtet tjetër.

Një problem i rëndë për New York-un ka qenë dhe mbetet numri i lartë i oficerëve të Departamentit të Policisë të infektuar me COVID-19, por që fatmirësisht këtë javë ka filluar të bjerë ndjeshëm. Sipas Associated Press, departamenti më i madh i policisë ka raportuar se rreth 5,324 mbrojtës të rendit me uniformë të policisë ishin të sëmurë deri të shtunën, shifër kjo që përbën rreth 15% të forcës policore, por kjo shifër është më e ulët se ç’ishte që nga 9 prilli.Deri më tani, më shumë se 2,000 pjestarë të NYPD të testuar pozitivë janë rikthyer në punë, pasi kaluan karantinën dhe u shëruan.

Problemi më i madh për New Yorkun është përballja me deficitetet e mëdha në buxhet. Kryebashkiaku De Blasio tha gjatë të Dielës se nuk po bëhet sa duhet nga Qeveria Federale për të ndihmuar financat e zonave të goditura nga pandemia. Ai i është drejtuar Presidentit Trump dhe adminsitratës së tij me pyetjen: A doni ta shpëtoni New York City apo po i thoni New York-ut të bjerë i vdekur?

Gjuha dramatike e De Blasio erdhi gjatë konferencës së tij për shtyp të Dielën, pasi ai paralajmëroi javën e kaluar se planifikoi të shkurtojë 2 miliardë dollarë të tjerë nga buxheti i shërbimeve komunale të qytetit për shkak të rënies ekonomike. Ai tha se qyteti ka të ngjarë të humbasë të paktën $ 7.4bn në të ardhura tatimore gjatë vitit fiskal aktual dhe atë të ardhshëm.

De Blasio ka kritikuar paketën e lehtësimit të koronavirusit që Trump nënshkroi muajin e kaluar, duke thënë se New York-u mori vetëm 1.4 miliardë dollarë nga stimuli, krahasuar me rreth 58bn dollarë për industrinë e linjave ajrore. De Blasio i dërgoi një mesazh të hapur administrates, dhe i bëri jehonë një titull të gazetës Daily News në New York gjatë krizës së falimentimit të qytetit të viteve ’70, pasi Gerald Ford aso kohe ka mbajtë një fjalim në 1975, duke thënë se ai do të vinte veton ndaj një projekt-ligji federal që do të ndihmonte në shpëtimin e New York City nga falimentimet.De Blasio përdori shkrimin e Daily News që kishte në ballinë atë kohë titullin :

“Ford to City: Drop Dead “! De Blasio: “Pra, pyetja ime është, Z. Trump, Z. President, do të shpëtoni Nju Jork City apo po i thoni Nju Jork-ut që të bjerë i vdekur?

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, presidenti

Presidenti Trump: Sulmi me dron ishte për të ndaluar një luftë…

January 4, 2020 by dgreca

Mijëra njerëz janë mbledhur në Bagdad më 4 janar, para ceremonisë së varrimit të gjeneralit të vrarë iranian nga sulmet ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, pranë aeroportit të Bagdadit, ngjarje kjo që ka përshkallëzuar situatën në rajon. Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim të ndalte luftën ; dhe jo të niste një të re.

Komandanti i ushtrisë irakiane, u zotua se vendi i tij do të ndëshkojë amerikanët kudo që të jenë. Gjenerali Gholamali Abuhamzeh, komandant i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në provincën Kerman, tha se ka njohuri për 35 pozicione të ushtrisë amerikane në rajon ;Ngushtica e Hormuzit është pikë qenësore e Perëndimit dhe një numër i madh i luftanijeve amerikane kalojnë andej… caqe vitale amerikane në rajon janë identifikuar nga Irani që një kohë të gjatë… rreth 35 caqe të SHBA-së në rajon dhe gjithashtu në Tel Aviv, citohet të ketë thënë Abuhamzeh.

Shumica nga pjesëmarrësit kanë valëvitur flamurin kombëtarë të Iranit ose flamuj të militantëve teksa organizatorë; përfshirë Forcat Popullore të Mobilizimit të Irakut, zëvendëskomandanti i së cilëve u vra në sulmin ku u vra edhe udhëheqësi i Forcave elite iraniane Quds, Qasem Soleimani ; planifikojnë që të marshojnë nga Zona e Gjelbër e qytetit drejt vendeve të shenjta shiite të Karbala dhe Al-Najaf.Makinat ushtarake bartën kufomat e personave të vrarë. Disa prej qytetarëve brohoritën : Vdekje Amerikës! Kryeministri i Irakut, Adil Abudal-Mahdi ishte në mesin e personave që ju bashkëngjitën marshit.

Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Majid Takht Ravanchi, ka deklaruar më 3 janar se sulmi në fakt ishte një akt i luftës nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit Iranian ;Natën e kaluar ata nisën luftë me vrasje dhe me akt të terrorit ndaj njërit prej gjeneralëve tanë kryesorë. Pra, çfarë tjetër mund të pritet që Irani të bëjë? Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur. Ne duhet dhe do të veprojmë;Ravachi ka thënë për CNN.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei gjithashtu ka paralajmëruar për kundërpërgjigje të ashpër. Nërkaq, një komandant tjetër i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Ali Fadavi, deklaroi për televizionin shtetëror iranian se SHBA-ja riktheu masat diplomatike të premten në mëngjes, pas sulmit.

     Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha më 3 janar se ai urdhëroi sulmin për të ndalur një luftë ; dhe se sipas tij, gjenerali i vrarë kishte qenë duke organizuar sulme ndaj interesave dhe aleatëve të SHBA-së.

Komentet e Trumpit vijnë pasi mediat raportuan se një sulm i dytë me dron mund të ketë goditur sot në afërsi të kampit Taji, në veri të Bagdadit, duke sugjeruar se ky sulm ka pasur për cak një konvoj me milici të mbështetura nga Irani. Por, zëdhënësi i koalicioni të udhëhequr nga SHBA-ja në Irak, tha se forcat nuk kanë kryer asnjë sulm ajror në afërsi të kampit Taji në ditët e fundit. Edhe ushtria irakiane ka mohuar se një sulm i tillë ka ndodhur.Trump i bëri këto komente në një konferencë për media në Florida, teksa mbështetësit e tij e lavdëruan për vendimin e sulmin, por kritikët ngritën shqetësimit dhe bën thirrje për ulje të tensioneve.Presidenti Trump mbrojti vendimin e tij për vrasjen e Solemanit, duke thënë se ai ndërmori veprime për të ndalur një luftë. Ne ndërmorën veprime për të ndaluar një luftë. Ne nuk morëm veprime për të nisur një luftë. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e regjimit në Iran;tha Trump, por shtoi se SHBA-ja dinë vendndodhjen e armiqve të saj dhe se ai është i gatshëm të ndërmarrë çdo veprim që është i nevojshëm; në veçanti lidhur me Iranin.

 Uashingtoni i fajëson milicitë e mbështetura nga Irani për sulme ndaj personelit amerikan dhe irakian, përfshirë edhe sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, që ndodhi më herët gjatë javës.Trump dhe shumë vende perëndimore fajësojnë Iranin për sponsporizimin e grupeve terroriste në mbarë rajonin, akuza këto që Teherani i hedh poshtë.

Sekretari maeirkan i shtetit, Mike Pompeo, citoi bisedat me partnerët në Lindje të Mesme dhe të tjerë që ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit.Kam kaluar dy ditët e fundit duke biseduar me partnerët në rajon, duke ndarë me ta atë që po bënim, pse po e bënim, duke kërkuar ndihmën e tyre. Të gjithë kanë qenë fantastikë, deklaroi Pompeo për Fox News.

Guterres bën thirrje për përmbajtje maksimale në Lindje të Mesme , Dhe kur kemi biseduar me parterët tanë në vendet tjera që nuk kanë qenë aq të mirë. Sinqerisht, evropianët nuk kanë qenë aq përkrahës sa ne do të dëshironim, shtoi sekretari Pompeo.

Soleimani ishte udhëheqësi i forcave Quds, krah i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, forca këto që janë fajësuar për orkestrimin e sulmeve vdekjeprurëse në gjithë rajonin. Forcat Quds nga Shtetet e Bashkuara konsideruan organizatë terroriste.Në sulmin me dron është vrarë edhe Abu Mahdi al-Muhandis, zëvendëskomandanti i Forcat Popullore të Mobilizimit të Irakut, që mbështetën nga Irani.Sulmi me dron i 3 janarit ndaj njërit prej liderëve më të fuqishëm ushtarak të Iranit, rriti shqetësimet për kundërpërgjigje nga Teherani, që do të mund të çonte në një konflikt të armatosur.Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë rreth 3 mijë trupa në Lindje të Mesme dhe pas rritjes së tensioneve, i bën thirrje shtetasve amerikanë që menjëherë të largohen nga Iraku.

Filed Under: Featured Tagged With: presidenti, Sulimi ne IRan, Trump

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albanian Festival in Waterbury
  • Dita Ndёrkombёtare e Muzeve dhe Siteve Arkeologjike
  • “Net të Bardha” nga Bujar Alimani sjell klasikët në teatrin tonë dhe fton të tjera projekte
  • “Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”
  • Maqedonia e Veriut dhe oligarkia në ekonomi, media, religjion dhe siguri
  • NJË APEL PËR TELESHIKUESIT E “ALBTVUSA” NË 25 VJETORIN E THEMELIMIT
  • “5-vjetori i themelimit të Shoqatës Iliria St. Louis”
  • Annual Albanian Boat Party
  • “Rebeli” Fan Noli i Ilir Ikonomit promovohet në Boston më 8 qershor 2025
  • PLUMBAT E VASIL LAÇIT QË TRONDITËN FASHIZMIN
  • Vota dhe kandidatët për deputetë të Diasporës
  • Përse t’u japësh njerëzve shpresë të rreme të bën të fuqishëm?
  • “Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik
  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT