• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“FESTA E SHNAPJETRËS” TË HOTIT TË VENDIT – DËSHMI E LASHTËSISË ETNIKE ILIRE TË TIJ

March 8, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/ 

   1. Autariatët e antikitetit, fis i madh pagan ilir në brigje të Tarës e të Limit, paraardhësit e Hotit të sotëm skej liqenit të Plavës, qyshse në shekuj të parë pas Krishtit e përqafuan Krishtërimin në male e lugina të truallit të vet alpin, ma herët se në disa vende të Europës Perëndimore e ishujt e saj Atlantik.

            Shën Pali, hebre i diasporës, qytetar romak, dishepull i Jezu Krishtit, një nga përkrahësit e martirët e parë të krishtërimit, aty nga viti 57 (në ma shumë se një vit) e kreu ungjillizimin e shqiptarëve në Prevezë, Nikopol, Durrës (letrat nga ky qytet bregdetar kanë hyrë në Biblen e Shenjtë). Disa gurra dokumentare fjalaflasin se ky Apostull, mbështetës i madh i Shën Pjetrit, ishte edhe në Mirditë, Bregun e Matit, Lezhë, Shëngjin, Zadrimën e Epërme e deri në brigje të liqenit të Shkodrës. Në disa nga këto vende u ngritën komunitete të krishtera ilire të Kohës së Apostujve dhe nga shek. IV-V deri kah Mesjeta ka pasë edhe kisha të Shën Palit.

Krishtërimi, fillimisht si fe ilegale, u shtri nga ultinat bregdetare të Adriatikut të Mesëm deri në Hotin e Vendit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara). Predikuesit fetar të shtyrë edhe nga përndjekjet e ashpra të shtetit perandorak romak u ngjitën në këto vise ilire alpine nëpër luginat lumore nga Moraça-Cemi-Vermoshi (krye-Limi) si dhe nga Drini i Bashkuar në dy nga degëzimet e tij: Valbonë dhe Drini i Bardhë-Ultina e Epërme e Limit. 

2.

Shën Pjetri ishte një nga 12 Apostujt e parë të Jezusit të Nazaretit, i përzgjedhur si zëvendës i parë i tij, si themelues i kishës së tij, i cilësuar si një “shkamb” mbi të cilin do të ngrihej Kisha e Krishterë. Në vitin 33 zgjidhet Papë, i njohur i pari ndër 266 Papët e derisotëm. Ky udhëheqës hebre i dishepujve të Jezu Krishtit, drejtues i bashkësisë së parë të krishterë të Jeruzalemit, Peshkopi i parë i Antiokias, themelues e kryetar i bashkësisë katolike të Romës, martirizohet në Romë në vitin 67 dhe është Shenjt i pranuar e i nderuar nga katolikët edhe nga ortodoksët.

Dy shenjtorët e mëdhenj të krishtërimit, Shën Pjetri (1-67) e Shën Pali (5-67), duket se janë martirizuar nga perandori romak Neroni në të njëjtin vit e në të njëjten datë, më 29 qershor 67.  Shën Pjetri i kryqëzua i lidhur me zinxhirë po me kërkesë të tij me kokë poshtë që ekzekutimi i tij të mos ishte si i Jezu Krishtit 33 vjeçar, ndërsa Shën Palit iu pre koka.

Martirizimi i dy Apostujve të mëdhenj të Krishtërimit është përkujtuar në rreth 2.000 vjet si një festë liturgjike, e lashtë, e kremtuar edhe nga katolikët e ortodoksët, edhe nga anglikanët e luteranët.

Njihet si “Festa e Shën Pjetrit e Shën Palit”.

Fisi i Hotit të Vendit në krahinën e Plavë-Gucisë e ka kremtuar tradicionalisht, të paktën deri në qershor të vitit 1939, çka flet për hershmërinë historike trojenike të tij.

3.

Kur perandori romak me origjinë dardane nga treva e Nishit, Konstandini i Madh (306-337) e shpalli Krishtërimin fe zyrtare Hoti i Vendit u kthye në një qendër të rëndësishme fetare katolike me seli kishtare në Jasenicë, përmbi lumë, diku aty kah shkolla fillore e sotme.

Nga epoka (pas)akullnajore “Riss”, në Jasenicë, sikurse edhe në Guci, Gërbajë, Komariq, Rrozhajë, Pejë, etj. u krijua një gropë e madhe, e thellë, e gjatë; me lugina e lumenj, ku janë vendbanimet e sotme: Jasenica, Zabeli i Hotit (Vuthajve) e Hoti (i mbetur) i Vendit.

“Gropa e Jasenicës” është nga vendbanimet ma të vjetra të Hotit të Vendit, një vend tejet strategjik i Alpeve, ku ishte (krye)qëndra fetare katolike, e cila iu ka qëndue stuhive të kohërave të vështira  nga shek. IV-V deri në Mesjetë.

Gjurmë të kishave katolike në vende e etapa historike të ndryshme gjenden në tokën vrri e bjeshkë të Hotit të Vendit dhe në kujtesën e brezave të këtij fisi të lashtë, trim, fisnik, atdhetar. 

Thuhet se ka pasë kishë katolike në fund të bjeshkës së Torkuzit; në Llominat e Mehajve (Sinanajve) ku janë gjetë edhe kryqa katolik; në trojet e Shar Ibres së Haxhajve, etj.

Në vitin 1912 prej qytetit të Plavës mbi kodrina e skej liqenit e Limit, kah “Sokaku i Hotit” erdhën pushtuesit malazezë me pushkë e kryqa të ortodoksizmit sllavë po u kthyen mbrapa tek Shkambi i Karamanit, se Hoti si kështjellë natyrore e burrave të pushkës e të mendjes i kishte marrë masat e veta për mos me e ndrrue plisin e bardhë me kapicen e zezë.

4.

Veprimtaria baritore e kësaj ipeshkvie (dioqeze) të Jasenicës, sipas statusit të saj, sipas madhësisë kufitare kishtare të ndryshueshme, sipas kushteve, rrethanave e rëndësisë historike, rrezatonte në vise ilire përgjatë Limit deri në Sanxhak të Pazarit të Ri, në luginën e Valbonës e tek bigimi i Cemit dhe deri në brigje të lumit Bosnja (ilirisht: Bosana-lumë).  Dritërimi i saj u zbeh në kohën e okupacioneve sllave, pati rritje në kohën e principatave shqiptare e të shtetit të Skënderbeut dhe me pushtimin otoman shënoi rënie të pandalur. Veçmas pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndikoi edhe terrori e genocidi shoven e fetar i Çetinës së Krajl Nikollës dhe i Beogradit të dinastive të Karagjorgjeviçëve e Obrenoviçëve, ai i Patriakanës Serbe e në prapaskenë edhe Patriakana Ruse.

Në koft se ndokush don me gjurmue fenë ilegale të pas kohës së Apostujve Shën Pjetër e Shën Pali apo edhe të periudhave përkohore të shpalljes fe zyrtare mjafton me kapërcye përpjetë mbi “Krojet e Vrujës” (Krojet e Vuthajve – Krojet e Ali Pashë Gucisë) dhe në një shpellë të atyshme (si edhe në të tjera të Plavë-Gucisë) gjen të shkruara kode të vjetra të krishtërimit të hershëm, kur priftërinjtë katolikë edhe në kohë inkuizicioni të ashpër shtetëror barbar e mbanin gjallë besimin e ritet e tyre fetare.

Vllaznitë e sotme të Hotit të Vendit mbi liqen të Plavës në 9- 10  breza apo afro tre shekuj, janë kthye nga të besimit katolikë në fenë muslimane. Të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit: Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj apo Mujaj takohen tek Gjoka. Kryeherët, në kohën e pushtimit otoman, fillimisht hotjanët u kthyen në mysliman “artificial” për me iu shpëtue taksave, me fitue tokë, etj. Asokohe, burrat shkonin në xhami dhe gra e fëmijë në kisha katolike.

 5.

Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, sikurse për rreth dy mijë vjet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, kremtohet edhe në treva të banuara nga Hoti i Rrafshit si në komunën e Bajzës, në Hajmel, në Shën Pjetër, në bashkësinë katolike të qytetit të Gjakovës, etj.

Në komunën e Bajzës është një kishë e moçme, kisha-famulli e “Shën Pjetrit e Shën Palit” për bajrakun e Hotit, të Kastratit, etj. Komuniteti i Hotjanëve të Rrafshit, i dy bajrakëve të Rrapshës e të Traboinit (Hoti në Diasporë) në Detroit në bashkrendim me universitetet e Shkodrës, Tiranës, Prishtinës, etj. organizuan më 23-24 nëntor 2013 në Qëndrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills–Michigan, një simpozium shkencor: : “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”.

Këto përkime nuk janë të rastësishme po dhunti të Zotit, gjurmë të një tradite të lashtë sa vet feja katolike në Shqipëri, sa vet jeta e shembulli i dy Apostujve të Krishtërimit, Shën Pjetrit e Shën Palit.

Shën Pjetri thirrej nga Jezu Krishti me emrin “Kefa”, nga Shën Pali “Kefas”, etj. që gjuhën Aramike mjaft të lidhur me Hebraishten, gjuhë në kultin fetar, e folmja e Jezu Krishtit, etj, ka kuptimin “Shkamb”. Në faqe të Fondacionit Plavë-Guci e gjeta këtë emër. Ishte kompania “Shkambi” e vllaznëve Mehaj, katër djemëve të Xhemë Sadrisë të Hotit, Shabanit, Sadrisë, Naserit e Nezirit, të cilët ia dhanë një zyrë në përdorim për pesë vjet këtij fondacioni të vendlindjes. Emri “Shkambi” nuk është rastësi, po ka të bajnë me gene-traditën, me thirrjen e të parëve të fisit, me shenjtërinë e tyre.

Benedikti XVI, Papa i sotëm i Vatikanit, i ka vlerësuar lart këto dy figura të mëdha të krishtërimit: “Shenjtorët Pjetër e Pal shkëlqejnë jo vetëm në qiellin e Romës, por edhe në zemrën e të gjithë besimtarëve, që, të shndritur nga mësimet e nga shembulli i tyre, ecin në udhën e fesë, të shpresës e të dashurisë në çdo anë të botës”.

 

6.

Në Qafë të Hotit të Vendit në qershorin e çdo viti kremtohej Festa e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, përndryshe ma shkurtas në të folmen e kësaj treve: “Dita e Shpjetrit”.

Kjo festë në bjeshkë të Hotit ishte mjaft festive, kombëtare e fetare, e kulturuar, pa i cënue komunitetet etnike ardhacake në troje të hotjanëve e plavë-guciasve. Kishte lojra gjithfarësh: gjuaj me gurë, lodrime me kali shale, gjuaj bajrak, etj. Burrat vetëm. Gratë vetëm. Drekonin sipas vllaznive. Kuvendi merrte udhë…

Tek “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” të studiuesit Zenel R. Haxhaj (SHBA, 1998) pohon një nga rastet kur graniçarët dhe xhandarrët malazezë e serbë provokonin hotjanët si në vitin 1939 kur: “Popullsia vendase ishte tubuar si vazhdimisht për ta festuar këtë festë fetare të Shën Pjetrit, si dhe 12 qershorin si ditë çlirimtare të këtyre krahinave” (fq. 94) Kësaj here ndodhën incidente provokative, keqpërdorim i forcës ndaj të moshuarëve, arrestime të padrejta të shqiptarëve, kalimi për gjykim në Gjyqin Suprem Ushatark të Beogradit, etj.

Në shekullin e kaluar, edhe pse hotjanët i kremtonin dy festa njëherash: Ditën e Shën Pjetrit e Shën Palit si dhe “Ditën e Çlirimit”, prapë shteti shoven malazez i “Masakrës të Previsë”, prapë Kisha Ortodokse Serbe dhe Malazeze luftuan me të gjitha format, mjetet e mënyrat për shuarjen e kësaj tradite të lashtë shqiptare.

Në kishën e lashtë katolike shqiptare të Jasenicës thonë se ende ndihen kumonët e saj të fshehura në thellësi të tokës etnike shqiptare. Ato i jehojnë historisë së sotme e të nesërme me mesazhin historik, biblik, etnik: Hotjanët e Alpeve skej liqenit të Plavës janë në këto troje etnike para Jezu Krishtit, festojnë Ditën e Apostujve Shën Pjetri e  Shën Pali tash dymijë vjet, do të jetojnë e luftojnë për të ardhmen e vet kombëtare e euro-atlantike.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Shën Pali, Shen Pjetri

AZEM HAJDARI E ADEM JASHARI, BINJAKË TË LIRISË

March 8, 2014 by dgreca

Shkruan:Azgan HAKLAJ/
Antar i Këshillit Kombëtar të PDSH/
  Nuk kam ndërmend me këtë shkrim simbolik të heq paralele komperative kohore dhe as kronologjike historike mes dy personaliteteve të shndërruar  në idhuj dhe heronj të të njëjtit gjak, të së njëjtes tokë dhe epokë: Azem Hajdari dhe Adem Jashari. Do të ndihesha prapë i vogël po të komplementoja mbi veprën e tyre. Sepse ata janë dhe do të ngelen të dalluar në vet memorien e kombit. Dhe kjo memorie është e shenjtë, është perëndia i të ardhmes sonë.
            Azemi dhe Ademi, dy emra të thjeshtë linguistikisht që rimojnë në çdo aspekt.
            Ashtu siç ndodh rrallë me njerëzit ndonëse fizikisht nuk jetojnë i përkasin të ardhmes sonë. Ata ranë jo si okazion ngjarjesh dhe luftërash të mëdha. Ata nuk janë produkt rastësish në situata të turbullta.
            Të dy ju simbole: Azem dhe Adem dhatë jetën me ndërgjegje. Ju kishit njëmijë mënyra t’i dredhonit vdekjes. Po zgjodhët sublimën në vend të rehatisë, si një parajasë që kombit tonë i garantonte dritën nga lart.
            Nëse ju nuk do të zgjidhnit këtë udhë të shenjtë hyjnish, ura e çartur kahmot që lidhte brigjet e dheut dhe kombit nuk do të rindërtohej kaq shpejt.
            Ju edhe të vdekur arritët të vendosni urën e re në vend të urës së shkatërruar, që ruhej nga të dy anët me roja të zeza të fashizmit modern.
            10 vjet kombi i bën sot pa burrat e mëdhenj fizikisht, janë 10 vite të zhytura me nostalgji e kujtime, me lot njerëzor të legjitimuar, por edhe 10 vite krenarie për ta dhe për ne të gjithë, vite fuqie dhe entuziazmi që ne si komb të kapim avenirin. Dhe pa Azemin, Ademin, Agim Ramadanin, Fehmi Lladrovcin, Tahir Sinanin, Bilbil Breçanin, Fatmir Doçin, Bekim Berishën, Bedri Shalën, Indrit Carën, Ahmet Krasniqin, Luan dhe Shkëlzen Haradinajn, etj.  ne mund të ishim ndryshe në kohë dhe fat. Ata nuk janë sot, që në vend të tyre të vinte pavarësia e Kosovës.
            E ardhmja jonë e hapërdarë pa gjakun e tyre zor të mblidhej e të materializohej. Ndryshe prapë do ishte ideale, e etërshme, e paarritshme, e mistershme.
            Është ky moment i sotëm, ky realitet me ngjyrë kuqezi dhe gjaku na e fokuson kujtimin te baca Adem e baca Azem. E këtu mes dy burrave të mëdhenj ka vetëm një paralele krahasuese për t’u hequr: ajo e idealizmit shqiptar.
            Kosova qe ideali i madh, i padytë i Azemit dhe Ademit.
            Kosova nuk qe për ta interesi i ditës dhe politikës.
            Qe vërtet një ideal i ngulur gjenetikisht.
            Prandah hasmit e dheut të kombit tonë jo më kot morën vendimin fatal: ti eleminonin. K urdhër “fashsit”, jo pa kolaboratorë, i eleminoi ata fizikisht. Por e sotmja tregoi se prapë gabuan shekullorët  hasëm, sepse nuk llogaritën  se edhe lapidarët dhe monumentet e Azemit dhe Ademit do të ishin afruesit e Ditëve të Mëdha.
            Azemi dhe Ademi ikën për ti përzënë ditët e këqija dhe për t’u shfaqur shenjtërisht si heronj të Festës së Madhe, ndaj dhe në ditëlindjen dhe përvjetorët e tyre nuk ka lot dhe mallëngjim, por entuziazëm, krenari dhe reflektim. Pikërisht këtë na ka mësuar edhe poeti i kombit, Ali Podrimja: Mos qajmë / na duhen lotët / për ditë gëzimi /.
            E pra, le të mos qajmë e përlotemi, se sublimën e zgjodhën vetë burrat e mëdhenj. Edhe miku i tyre, vllai i idealeve komandanti trim Agim Ramadani e kishtë parashikuar këtë që më 1996, prandaj dhe shkroi fjalët poetike lapidar: Nëse nuk shihemi / dhe na ndan vdekja / jetoje jetën. Nënë / patjetër do të vij / dhe do të bëhem gjumi yt/.
            Ja pra, si parashikojnë ata që sublimën zgjedhin si fat fatal të tyre, që fati ynë të marrë udhë të mbarë.
            Lum ata që jo vetëm në përkujtimore e përvjetorë kanë kurajën të ndeshin shikimin me Azemin dhe Ademi!

Filed Under: Featured

400 vjet pas vdekjes, Spanja kërkon eshtrat e Servantesit

March 7, 2014 by dgreca

Nga Ilda Prifti/MADRID- Rreth 400 vjet pas vdekjes, nis një projekt për kërkimin e eshtrave të Migel de Servantes Savedra (1547-1616), autori i ”Don Kishotit të Mançës”, që në jetën e tij aventureske kaloi edhe pesë vite në Itali, më saktë në Dukatin e Acquaviva të Atrit dhe në Napoli.Në këtë mision shkencor, që ka pasur një kohëzgjatje përgatitore prej rreth katër vitesh, pjesëmarrës janë Bashkia e Madridit dhe Akademia Mbretërore Spanjolle.

Synimi i misionit është gjetja e varrit me rastin e 400-vjetorit të vdekjes së babait të gjuhës spanjolle, më 23 prill, ditë që UNESCO-ja ia ka dedikuar librit dhe të drejtës së autorit.
Kërkimet do të përqëndrohen në manastirin Trinitari Scalzi, vend në të cilin Servantes kishte thënë se donte të varrosej.
Gjatë shekujve të kaluar u humbën gjurmët e varrit, ndoshta i murosur gjatë ristrukturimit ose i zhvendosur diku tjetër.
”Nuk përjashtohet as fakti që eshtrat e tij të jenë së bashku me ato të disa personave të tjerë dhe, përmes tenknologjive inovative, të jetë i mundur identifikimi”, theksuan promotorët e projektit.
”Kjo do të jetë e mundur të realizohet për shkak të një të dhëne shumë specifike. Servantesi humbi funksionet e dorës së majtë si pasojë e disa plagëve të marra”, theksuan po të njëjtat burime

Filed Under: Featured Tagged With: 400 vjet pas vdekjes, eshtrat e Servantesit, Spanja kërkon

Harresa e At Gjergj Fishtës. Shtëpia që po shembet

March 7, 2014 by dgreca

Kjo ngrehinë nuk është një haur për bagëtine edhe pse duket si e tille. Është shtëpia e një figure të madhe si At Gjergj Fishta. Një  figurë që politika e citon shpesh për vlerat, por që deri më sot nuk ka gjetur kohë t’i restaurojë as  shtepinë, që sot dergjet në këtë gjendje të mjerueshme e në rrezik për të rënë nga çasti në çast./

Nuk është e vështire të dallosh ne Fishtë një fshat me rreth 700 banorë e që  ngrihet në krah të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, shtëpinë e Patër Gjergjit.
Ndoshta sepse bie shpejt në sy jo thjesht për shkak të pozicionit disi të ngritur, por edhe pamjes rrënqethëse që ofron.
Ne shtepine dy kateshe, veç një pllakate të rastit, autoritetet shteterore nuk kane vene kurre dore.
Çarjet ja kane mbuluar trupin ndersa lageshtira ka thurur harta ne te gjithe brendine e saj. Qetesia duket mbytese, ashtu si lakuriqësia e te gjitha dhomave ku dikur lindi At Gjergj Fishta.
Sokol Ndoka, një prej banorëve të fshatit na tregon: “Asnje njeri s’ka vene dore. Askurrkush ne keto 23 vjet. Çfaredo lloj premtimi eshte bere, por kurrkush s’ka bere gje. Kjo do te bjere fill. Kete dimer po su vu dore bien nga brenda. Ju e pate edhe vete tavani po bie krejt”.
Gjithçka tkuret dhimbshem ne kete banese modeste, por qe fsheh kaq shume vlera pas historise se saj.
Vajzat e shtepise kthehen hera heres ketu, ato jane pasardhese te At Gjergj Fishtes… Edhe ato jane lindur ne kete shtepi, ne kete prag, pas ketyre mureve… edhe pse jane larguar kohe me pare, ato kthehen ketu gjithmone per te prekur e ndjere serisht nga prane kujtimet e shkuara.
“Po sepse pushtetaret vijne ndoshta dhe kerkojne vetem votat, nuk eshte se mendohen shume vertete per vlerat e ketij kombi. Në kohe fushatash premtojne shume dhe te mbajne diçka te pakten. Disa nga premtimet t’i mbajne dhe te shikojne kush jane paresore , kush jane kryesore nga ato premtime qe kane dhene sepse kjo zone i këtë figure te shquar. Gjithkush do të deshironte ta kishte At Gjergj Fishten te tijin. Ne jemi krenare per te, sigurisht qe jemi, por eshte edhe nje komb krenar per te”, thotë Angjelina Gazulli.
Sigurisht, vajza e kane te pamundur te perballojne restaurimin e saj. Kerkojne, trokasin, bejne apel per me shume vemendje jo thjesh pêr një shtepi, por kundrejt nje figure ma vlera per historine e kulturen e kombit shqiptar, nje figure qe citohet pafundesisht edhe nga studiues te huaj.
“Dikur, nuk pati vlerësim nga sistemi komunist, por sot çfarë ka ndryshuar? Sot kanë ndryshuar shumë gjëra me fjalë, por me vepra jo”, thotë Zonja Gazulli.
Ne shtepi ka patur edhe  mjaft sende  të At Gjergj Fishtes, nder te cilat sic tregojne pasardheset e tij, edhe krevati i thjeshte qe tashme nuk eshte me. Dikush e ka grabitur, bashke me atë çfarë kishte ne shtepi.
“Nuk e dimë kush ishte. E gjetëm bosh. Para nja 3-4 muajsh ndodhi. i kishim marrë të gjitha, asgjë nuk kishte mbetur”, tregojnë vajzat.
Ambientet e tjera jane edhe me rrënuara, disa jane rrezuar plotesisht, ndersa te tjerat perdoren per te mbajtur kafshet.
Politikanet kane ardhur ketu aq shpesh sa ka pasur edhe fushata elektorale, me pas kane humbur bashke me fjalen e dhene per investime e rikthim ne muze te kesaj shtepie.
Pas nuk ka mbetur asgje. Veç vizitave boshe qe perseriten vetem nje here ne kater vjet. E po ashtu ka ndodhur edhe me projektet e valvitura me buje nga monumentet e kultures, drejtues te tyre, qe kane folur aq shume e po aq shume kane kundershtuar veteveten.
“Janë ngritur muzeume, janë bërë rrugë dhe vendosur buste me emrin e tij, por kjo shtëpi ka mbetur një rrënojë. Siç e shihni, nuk eshte vene dore fare. Ka pasur shume premtime nga politikane te ndryshem. Kane ardhur kane bere vizita. Fushata te ndryshme elektorale, jane marre edhe vota nen emrin e figures se Pater Gjergjit, por s’eshte bere asgje. Asgje nuk eshte bere”, thotë një banor i Fishtës.
Banoret, rendisin veprat e shumta te At Gjergj Fishtes, rolin e tij, radhet e realitetin e sjelle permes tyre si nje udhetim ne kohe edhe sot, e jo thjesht ne emrin e fshatit, por edhe ne te vertetat qe duken po aq te prekshme e te pashuara edhe nga kjo harrese e braktisje.
Per te kuptuar te vertetat e djeshme dhe te sotme mjaft te lexosh Gomarin e Babatasit, te shkruar nga Fishta e ne te do te gjesh pjese dritheruese te realitetit ende te pandryshuar shqiptar.
“Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t`ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!” / Top Channel

Filed Under: Featured Tagged With: Harresat e at Gjergj Fishtes, qe po shembet, Shtepia

Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë në front gjatë luftës…!

March 7, 2014 by dgreca

Tërheqja edhe taktike edhe konceptuale/

Nga Albin KURTI/
Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë në front gjatë luftës. Ai paska qëndruar larg fronteve. Kështu ai e deklaroi me gojën e vet gjatë një interviste për “Euronews”. I pyetur nëse ka vrarë dikë ose nëse ka dhënë urdhër që të vritet dikush, para dy javësh, Thaçi tha: “Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe.” A thua si ndjehen e çka mendojnë gjithë ata ushtarë të UÇK-së që janë në burg kur ky ju thotë që ka qenë larg fronteve? Si ndjehen e çka mendojnë familjet e dëshmorëve dhe martirëve tash që po shënohet 15 a 16vjetori i rënies së më të dashurve të tyre kur dëgjojnë këtë intervistë? Apo, si ndjehen e çka mendojnë mijëra veteranë e invalidë të luftës së UÇK-së? Si ndjehen e çka mendojnë qindra historianë të cilët besojnë ta kenë ditur ecurinë dhe kuptimin e luftës historike të UÇK-së? Mbi të gjitha, si ndjehen e çka mendojnë dy milionë qytetarë të Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi?

Besoj se të gjithë këta ndjehen keq dhe gjithsesi e rimendojnë këtë intervistë posaçërisht këto ditë. Tash, kur po flitet që EULEX-i po i përshpejton rastet e hetuara për shkak të transformimeve në qershor, kur gjithnjë e më shumë normalizohet ideja e njëfarë Tribunali për krimet e luftës në Kosovë (që nganjëherë madje quhet edhe Tribunal për UÇK-në), tash kur na ndajnë pak muaj deri te publikimi i të gjeturave të hetuesit Clint Williamson sipas pretendimeve të Dick Marty-t për trafikimin e organeve, nuk ka se si të mos e kuptosh më mirë këtë deklarim të Thaçit pa mirëkuptim për vetë atë. Jemi mësuar tashmë me këta njerëzit si Thaçi të cilët porsa ndjehen të rrezikuar japin gjithçka përveç vetes së tyre dhe japin gjithçka që të mos ju cenohet vetja e tyre. Nuk duan t’ia dinë për ata që mbijetuan luftën apo nuk e mbijetuan atë sepse në mendje kanë veçse luftën e tyre për mbijetesë vetjake. Dëmtimi që ia bëjnë historisë së popullit e luftës çlirimtare, shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së shtetit, është i papërfillshëm për sojin e këtij njeriu që shkel çkado që i del përpara e anash për të mos mbetur vetë prapa dhe anash.

Tërheqja e këtillë e Thaçit njëmend është taktike për nga motivi (individual) por është edhe konceptuale për nga pasojat (kolektive). Lufta çlirimtare e UÇK-së po braktiset nga Thaçi e të ngjashmit bashkë me domethënien e asaj kryengritjeje të armatosur. Thaçi po shfaqet edhe më paqësor se Rugova për interesa edhe të ngushta edhe momentale – të ngushta sepse personale dhe momentale sepse një çast më vonë sërish nuk ka kurrfarë garancioni se do të mund të shpëtojë ai vetë. Kot thotë Thaçi që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër kur në fjalinë pasuese sprapset ai vetë dhe nuk është në gjendje të sakrifikojë aspak asnjëherë për ta mbrojtur pohimin e tillë edhe personalisht. Natyrisht që në luftë çlirimtare vritet armiku, prandaj të sprapsesh para një pyetje të tillë direkte do të thotë të kontribuosh në kriminalizimin e luftës çlirimtare. Ata që paskan vrarë policë, ushtarë e paramilitarë serbë në luftë kësisoj ekspozohen nga vetë kryeministri i Kosovës para persekutimit të prokurorive gjithnjë speciale në Kosovë e jashtë saj. Madje, të gjithë dëshmorët që dihen se u vranë në fronte të luftës ku me shumë gjasë kanë vrarë forca armike para se të vriten, sipas Thaçit, na paskan qenë kriminelë çfarë nuk është vetë ky që merrej me politikë larg fronteve të luftës!

Kur njeriu dëgjon këso qëndrimesh e tezash të Thaçit, nuk është e rastësishme që mandej themelohen tribunale ndërkombëtare që ngjashëm sikurse EULEX-i nuk na e pranojnë as pavarësinë dhe as luftën çlirimtare, dhe madje edhe njerëzit që do të duhej t’i arrestonin (sipas misionit të proklamuar) për korrupsion ua mbath për krime lufte, ndërkaq me krerët e krimit të organizuar që vegjetojnë në qeveri e rrotull saj e mirëmbajnë stabilitetin e padrejtësisë. Tribunalet e tilla, sikurse edhe EULEX-i, nuk do të duhej ta hetojnë luftën e UÇK-së, jo pse ajo është luftë e drejtë por pse tribunalet e paralajmëruara porsi EULEX-i nuk e njohin atë luftë si të drejtë dhe çlirimtare. (Nuk mund t’i hetojë krimet e lëvizjes çlirimtare të Algjerisë kundër Francës një organ a instancë që nuk e pranon pavarësinë e Algjerisë, vetëvendosjen e popullit të Algjerisë, dhe vetë luftën çlirimtare e anti-kolonialiste atje.) Për tribunalet ndërkombëtare, përfshirë EULEX-in këtu, në Kosovë nuk ka pasur luftë dhe as luftë çlirimtare, por, megjithatë ka pasur krime lufte (sic.).

Nuk është aq e çuditshme se si deklarimi i tillë i Thaçit nuk i çuditi fort qytetarët e Kosovës. Mbase, duke pasur parasysh dallaveret e tij të panumërta të pasluftës, njerëzit nuk befasohen nga qëndrime të tilla super meskine ose, madje, ka edhe jo pak të tillë të cilët, në fakt, edhe e besojnë Thaçin teksa thotë se ishte larg fronteve të luftës! Me këso tërheqjesh edhe taktike edhe konceptuale, thjesht, nuk po mbetet kush prej personaliteteve të njohura politike qeveritare e afër qeveritare që ka qenë me gjithë mend UÇK. Të gjithë ata po tërhiqen dhe, në njëfarë mënyre, në UÇK po mbeten vetëm dëshmorët e kombit. Duke pasur parasysh bëmat e pasluftës së shumicës dërrmuese të këtyre komandantëve të luftës, mbase UÇK-ja mund të shpëtohet pikërisht dhe vetëm përmes dëshmorëve të kombit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, gjatë luftës...!, Kryeministri i Kosovës nuk paska qenë, në front

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 712
  • 713
  • 714
  • 715
  • 716
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT