• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTEPIA BUZE DETIT

July 26, 2020 by dgreca

NGA EGLANTINA MANDIA-

Që kur s’mbahej mend, shtëpia buzë detit qëndronte aty, në fund të rrugicës, në brinjë të kishës me qiparisa dhe varrezave të bardha me kryqet, që po i hanin motet. Dikur, ajo dukej tepër e hijshme, krenare e disi e vetmuar, si të kishte qenë tokë e nëmur. Madje, pati edhe njerëz, që u habitën se si mund të ndërtohej shtëpi aq pranë kishës dhe varreve. Më vonë, kur shtëpinë e pllakosën fatkeqësitë, njëra pas tjetrës, dikush tha se të zotët e saj ishin treguar fodullë e mospërfillës ndaj zërit të Perëndisë, e tani po mbanin kryqin mbi supe.
Kur e kur jeta rrodhi, e shtëpia buzë detit u vjetërsua, njerëzit e harruan mëkatin dhe fodullëkun e të zotërve. Ajo mbeti aty, ëndërrimtare e përhumbur, midis qiparisave dhe dy palmave, që rriteshin e rriteshin të azdisura e ia mbuluan krejt fasadën. E tani, dukej si të qe fshehur pas kodrës së kalasë (kur kalaja ishte kala e hipodromi ishte hipodrom, as që mund të bëhej fjalë për të). Dalëngadalë shtëpia buzë detit e humbi detin. Në këmbë të saj, u shtri një udhë e gjatë shëtitore (a shitore), siç talleshin njerëzit e urtë të atij qyteti. S’ dihej përse banorët e qytetit e mbanin talljen në majë të gjuhës. Ndoshta, ishte e vetmja mënyrë për të mbytur sadopak trishtimin e vijës vetmitare në horizont. Ndoshta, ishte e vetmja mënyrë, për të harruar se ai kishte qenë dikur një qytet hijerëndë e zulmëmadh, i përmbysur dhe i rindërtuar disa herë. Shtëpia buzë detit ishte aty, së bashku me të  zonjën, aktoren T.B.  që i njihte çdo plasë e çdo gur, çdo dhomë e çdo dru e që për çudi, kudo që të shkonte, e mundonte ëndrra për këtë shtëpi, për kopshtin e saj, për dy dhomat e vogla të pritjes (tashmë me mobilie të dala boje).

Dhoma e madhe e bukës, ku një herë e një kohë mblidheshin aq njerëz, tashmë të harruar. Sikur të kishte mundësi të shkruante kronikën e shtëpisë buzë detit, sikur të kishte mundësi të shkruante, po ajo dinte vetëm të recitonte me zërin e saj të ngrohtë e plot nuanca.

Po në qoftë se nuk dinte të shkruante, kishte gjithnjë dëshirë që këtë arkiv të gja1lë, që e ruante aq mirë në kujtesë, t’ia linte dikujt, që ta shihte brenda vetes ashtu si ishte, jo thjesht si një aktore, jo si një njeri në kulmin e karrierës, që duhej të qe fatlume, po ashtu siç qe në të vërtetë, më e mjerë se çdo i mjerë në atë qytet pa horizont, megjithëse me det. Ajo e ndiente rënien e tij, fundin, honin që sa vinte e bëhej më i thellë midis tyre dhe detit. Rrënimi, ndoshta pati filluar prej vitesh, prej shumë e shumë vitesh, dhe tani shtëpisë buzë detit i duhej të shihte edhe aktin e fundit, të tragjedisë së tyre me detin.

“O Zot, O Zot, thirri aktorja, – ç’ gjëmë u kishte ndodhur atyre (nënës e motrës)! O Zot, o Zot si kishin duruar atëherë, si s’u kishte plasur zemra, një në prag e një në derë, si të qenë qelqe me verë?”

Ndoshta që atëherë, në fëmijëri, kur ajo vraponte në pullazin e shtëpisë së tyre, gjithçka do të rridhte ashtu dhe jo ndryshe dhe atyre do t’u duhej t’i kalonin të gjitha provat?

T.B. shkonte e vinte nëpër pullazinën që të nxinte në tarracë. Rruga e jetës së saj, rruga e fëmijërisë, kur u ikte sherreve dhe tundimeve e shkonte fshihej aty, ballë për ballë detit. Rrinte me orë pas oxhakut, që të mbrohej ashtu nga trazimet e të shihte me mijëra e mijëra herë, të njëjtën gjë: përplasjen e dallgëve.

“Një monolog krejt i pavlefshëm” – tha, – e di fort mirë. Një monolog pa dialog, si dallgët e atij detit, që pasojnë njëra-tjetrën. Më e reja ia humbet gjurmët më të vjetrës. Në çast e lëpin, e fshin nga sipërfaqja.”

Aktorja i mbante sytë të mbyllur dhe dëgjonte si e përhumbur cicërimën e da1lëndysheve, që uleshin e ngriheshin përjetësisht aty, çdo pranverë në çerdhet e tyre pranë kishës, qiparisave dhe varreve të vjetra dhe hijeve, hijeve të të gjithë atyre, që pushonin aty e që dikur patën qenë aq pranë saj, të dashurit e saj, prindërit, vëllai, motra. (O Zot, si të kishte rënë kolera, vdekja, sunduesja e përjetësisë, i pati kositur të gjithë).

Dhe ajo rrinte aty si atëherë, kur qe fare e vogël. E dëgjonte zërin e së ëmës, që e thërriste. E ajo strukej, e strukej. Vetëm aty gjente prehje. Kishte diçka të rrëmujshme në atë pullazinë, diçka krejt të veçantë, sëndukë me rroba të vjetra, fotografi të riprodhuara si piktura, që një herë e një kohë qëndronin te koka e krevatit e tani po i hante pluhuri i kohës. Pluhuri dhe vetëm pluhuri i kohës.

“Me të vërtetë, tha aktorja me vete, kur filloi ajo humbëtirë e humbjes dhe e tretjes së jetës? Aq e aq breza, tek ajo shtëpi buzë detit. Mbi njëqind vjet, ata ishin aty. Dikush ndoshta do të mburrej me të gjyshërit, që kishin rrahur detet dhe me portretet e tyre të pikturuara nga duart e piktorëve të njohur, si K. Idromeno apo S. Rrota. Dhe më pas  dëshira e grave të reja të shtëpisë buzë detit, për ripërtëritjen e jetës. Dhe tani pullazina që i kishte aty të gjitha reliktet e kohës së shkuar, si një gardërobë e vërtetë e teatrit të jetës.

Dëshira e saj e vetme kishte qenë  për të luajtur role, për të qenë aktore e vetëm aktore. Askush nuk e dinte një sekret të vogël të saj. Aty, në atë pullazinë, kishte qepur fustan si të Hirushes dhe i kishte qarë zemra, apo kishte qarë me gjithë mend, që s’po i vinte kaluar princi i saj, po në vend të princit, atëherë i vinte rrotull një pispiluq, që e bëri t’i marrë inat të gjithë pispilluqët, të cilët i dukeshin se qenë krijuar enkas për të thyer ëndrrat e brishta të vajzave të vogla. Edhe me aktoren, ndodhi e njëjta gjë. Histori e përhershme ëndrrash të thyera, dhe si gjithnjë, vinte ajo pranverë me qiellin e mbushur me cicërimat e dallëndysheve, që uleshin e ngriheshin nga çerdhet e tyre mbi qiparisat e heshtur e të vetmuar dhe kryqet e ngrëna nga koha.

E çdo vit, çdo vit, vinin e shkonin, ata të bekuar zogj. Zogj të bukur, që brez pas brezi, bënin të njëjtën rrugë, që shtegtonin e shtegtonin.

Po njeriu? A kishte mundësi të bënte të njëjtën gjë? Një fluturim i shkurtër, një verë a një dimër, një dëshirë për të ikur nga vetja, larg sa më larg nga vetmia e tij?

Vetmia! Edhe në një sallë teatri, ku e duartrokisnin qindra vetë, ajo ishte po aq e vetmuar. Dëgjonte vetëm oshtimën e vetes përballë e brenda saj. Oshtimë e shpirtit të vetmuar, si dallgët e detit. Kur kish filluar pra, kur? T.B. e dinte fare mirë se kur. Gjithçka filloi nga vetëvrasja e të  vëllait. Sytë e  zinj, një palë geta, e trupi i imët, që lëkundej nëpër to. Ishte ajo fotografi e vjetër, e zmadhuar e vetmja, që po e vështronte me qortim, e pluhurosur aty në pullaz. E më tepër se çdo gjë, sytë e dhimbshëm aq të trishtuar! Më tepër se çdo trishtim, ishte ajo fotografi, që s’mundi të qëndrojë lirisht në dhomën e pritjes, as atje, ku shkonin e vinin njerëzit, sepse loja ishte luajtur tashmë. Dhe tallja ishte bërë! Ajo fotografi, ka qenë në dhomën e pritjes e pastaj nëna e pati sjellë aty, që ai të jetë i qetë e askush të mos kishte guxim të tallej me vetëvrasjen e tij, me vetëvrasjen e një njëzeteshtatë vjeçari, vetëm e vetëm, sepse tha një të vërtetë.

NJË TË VËRTETË TË TMERRSHME TË KOHËS: “E SHITËM SHQIPËRINË”, THA, DHE PËR KËTË JEMI TË DËNUAR. HISTORIA NUK DO TË NA FALË!”

E ja tani, ku janë ata sy aq të bukur, sy që flasin gjithnjë!

“O Zot, klithi aktorja, sytë e tij i kanë ngrënë krimbat me kohë, sytë e zinj, të kadifenjtë, të mençur e plot dhembje, që mbanin rreth qafe lakun e një fjale për aq e aq vite! Ata sy!”

Ajo e dinte sa shumë e kishte dashur jetën dhe detin ai djalosh. Jetën, detin dhe të dashurën që i pati dashur aq shumë të gjitha i kishte humbur, i ishin tretur përgjithnjë.

“Ah!”- thirri gruaja, – është e pamundur, mos i luajë mendja, njeriut të shkretë!”

Sytë e të vëllait, seriozë, të menduar e  inteligjentë vështronin  me ngulm nga fotografia. I varrosur e i zhvarrosur një herë si tradhtar e njëherë si hero, e përsëri si tradhtar. Një kalvar i gjatë, pa kufi.

O Zot, thirri aktorja, nuk e dija se ky poet kosovar, do të më trondiste kështu! Ky poet, që ka lindur atëherë, kur u bë vetëvrasja, do të mund ta trumbetonte të vërtetën e jetës:

E ZEZA FITOI ATË DITË TË BARDHË!

“Gjurmët i mbuloi mjegulla e dendur.

Shefi i bandës me kapele të zezë

Me dhjetë shokët e vet me automobilin e madh

Në strofkullën e zezë, e ndanë prenë e bardhë

Bënë llogari -llogaria u doli

Shefi i bandës iks, u bë supershef

Me shefin ipsilon lidhi miqësi …”

“O Zot, O Zot, klithi aktorja. S’po shpëtonte dot nga sytë e zinj të të vëllait që e shihnin nga fotografia e vjetër dhe e pyesnin pa pushim: “Përse, pra përse?”

Aktorja u shkund dhe erdhi rrotull nëpër tarracë, që ta përzinte këtë mundim e këtë torturë të përjetshme, dënimin e shpirtit. Përsëriti vargjet për koncertin recital. E dinte se nga një çast në tjetrin, mund t’ia behte regjisori. Ai do të vinte si përherë pa trokitur e mund të ulej në kolltukun prej kashtoreje të rrënuar, me fytyrën e tij të zbehtë, si maskë tragjike. Ajo përpiqej ta respektonte atë njeri, të gjente medoemos diçka të mirë, justifikuese, njerëzore në hutimin e përkuljen e kurrizit të tij, në britmat, në lëvizjet, po gjithnjë e gjithnjë, një zë i thërriste brenda vetes: “Frikacak! Ulërin që të mbulosh frikën tënde dhe të dukesh sadopak trim. Sadopak trim! Ti nuk ke as guximin ta shohësh një revole e jo më ta vësh në tëmtha e të të kërcejnë trutë në erë!”

“Jo, tha aktorja, sidoqoftë s’duhet shkuar deri në atë skajshmëri me njerëzit. Sidoqoftë, duhet respektuar ajo ç’ka mund të respektohet!” Dhe përsëri ai zë i brendshëm, që i thërriste jo vetëm regjisorit, po edhe asaj vetë, një zë i pamëshirshëm i rreptë tha: “Superficialë, bastardë, puthadoras, si mund të bëni ju një art të madh?”

“O Zot, O Zot im, përse më ke dënuar me këtë mundim? Të shtrihem për të fjetur e të mos fle kurrë e për vite  me radhë të shoh këtë ëndërr fikse? Të shoh tim vëlla që vjen me vrap, nënën e alarmuar, një derë a një makinë që përplaset, një telefon që bie pa pushim, pa pushim e askush nuk shkon ta ngrejë dorezën, të shoh një varrim dhe rrasën e bardhë e varrit me një arkivol të vogël sa një kutizë, një rrugë me emrin e vëllait që kërcënohet nga brerja e minjve. E minjtë, minjtë, sa shumë minj, gjithandej dhe njerëzit të shndërruar në minj.”

E pastaj qull në djersë, e zgjuar e tmerruar dhe përsëri vëllai, që e pyet pa pushim: “Përse? Përse?”

Përse qëndron aty, në tarracën e shtëpisë së saj buzë detit, tashmë e thinjur, e plakur nga vitet e nga stërmundimi i asaj vrasjeje dhe qortimi i përjetshëm: “Ti nuk je më e mirë nga të tjerët!”

Po të kishte  pasur mundësi do ta fillonte edhe njëherë jetën. Po cilën jetë? Atë të minjve, apo atë të njerëzve?

Ç’mall i largët për atë kohë, kur motër e vëlla shkonin pranë detit në gjurmët e dallgës së re. Në gjurmët e dallgës së re, që shuante dallgën e vjetër! Por në jetën e njeriut, asnjë dallgë e re s’e shuan dot kurrë, të vjetrën.

Tani, që po endej si e marrosur nëpër tarracën e shtëpisë së saj, dhe e dinte që nga çasti në çast do t’ia behte regjisori, i thirri vetes: “Ej ti, shpirtplasur, përse i quan të tjerët frikacakë? As fotografinë e tij nuk ke pasur guxim ta zbresësh në dhomën, ku ka kaluar fëmijërinë. Ti vetë ke pranuar, që ajo të mbetet në pullazinë, si relikte midis reliktesh dhe vetëm herë pas here shkon që të flasësh me të. Po a ke të drejtë, të flasësh me atë djalosh zemërdëlirë që e shkroi me jetën e tij, ballin e lirisë, e një ditë prej ditësh, u vetëvra, u varros e u zhvarros?

Përsëri kërcënimi rrinte pezull mbi sytë e tij. Dhimbshëm rëndonte mbi rininë e dashurinë e tij. Kërcënimi i rrinte pezull mbi dërrasën e bardhë të varrit të zhvarrosur. Aq pranë shtëpisë buzë detit, i dukej i huaj, aq i huaj edhe pse sipër e kish emrin e dashur, datën e lindjes dhe datën e vdekjes, datën e asaj dite, kur asaj iu duk se bota do të ndalte rrotullimin.

“O Zot, Zoti im, më jep ndjesë!”, thirri aktorja. Por jo, aspak. Gjithçka rrodhi si më parë. Atë më tepër, gjithçka, e plagosi braktisja, braktisja e të gjithëve. E aty, fare pranë qëndronte një arkëz me vëllanë e vetëvrarë. Si ishte ngjitur atëherë në pullazinën e tyre? Në pullazinën në atë pranverë, kur zogjtë ishin aq llafazanë e deti qe aq i bukur e i qetë, sepse deti ishte det,  pylli ishte pyll e zogjtë qenë zogj. Ç’punë kishin ata me marrëzitë e njerëzve?

Aktorja T.B, bënte gjyqin e saj të përhershëm, me gjithë atë fjalim të përmortshëm në shpirt për ato fytyra të ngrira zyrtarësh.

Dhe sytë e nënës. Sytë e nënës, që nuk besonte se e pati humbur djalin e vetëm në të njëzeteshtatën pranverë. Djalin e vetëm.

Pastaj fjalët e regjisorit. “Jo, nuk duhet fajësuar askush, sepse, askush s’ka dëshirë ta sakrifikojë lëkurën e vet për dhjamë qeni”.

Oh, sigurisht, lëkura kishte më tepër vlerë se çdo gjë! Lëkura dhe vetëm lëkura.
“Bukuri, – thirri aktorja. Po ja që po përgatiste një shfaqje të madhe. Dhe aty do të recitonte atë vjershë, që po e ndriçonte  sadopak atë pasdite-buzëmbrëmje. Çudi si disa vargje të ardhura nga larg, po e zgjidhnin rebusin e vuajtjes së saj:

“Shefi i bankës iks me kapele të zezë

Pas një jave u bë shefi i iksipsilonit

Me tre nënshefa dhe delta luftëtarë

Pastaj shefi i bandës sysjablod me kapele të zezë

Me iks nënshefa dhe iks herë delta luftëtarë

E formoi një ditë në një banket solemn

Shtetin e zi, me rrugë të zeza e qytete të zeza

Me ushtri e polici të zeza, aparat të zi
Ministra e parlament të zi
Në një ditë të bardhë!…

“Zot të faleminderit!- tha aktorja me zë të lartë. Tani e di që gjithçka do të rrokulliset kokëposhtë, si një ortek që e ka fillesën nga një gur. Një gur që e merr me vete borën e bardhë. Dhe bora e bardhë, bëhet vdekje e zezë. Një gur ka qenë edhe vetëvrasja e tim vëllai. Vetëm një gurth, si ajo fotografi e vetmuar në pullazinën më të vetmuar të botës. O gur i shkretë, s’do të të lërë më motra të shëtisësh tokën nga varri në varr”.
Mjerë ai vend, që ka aq shumë varrime e zhvarrime! Le të rrinë të qetë të vdekurit! Të mos t’i marrin më nëpër këmbë të gjallët! Se mund të jetë përsëri vjeshtë, Vjeshtë e Tretë, si atëherë, e mund të bien gjethet. Dhe vërtet, gjethet binin pa pushim kur e sollën arkëzën e vogël në varrezat e zakonshme, që për motrën, mbeti një varr i huaj, megjithëse dukej nga pullazina e tyre. Dhe tani, mëma dhe babai flenë fare pranë me të e megjithatë, ai mbeti një varr i ftohtë, i akullt. Prej vitesh ajo po pret Kostandinin e Vogëlth, ta hapë rrasën, t’i zbrazë të gjitha, të gjitha limeret e zeza e duke fluturuar mbi kalin e bardhë, të shpallë kumtin e vet, nëpër botë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Buze detit, Eglantina Mandia, Shtepia

Shtëpia nuk është burg

March 11, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ajo që po e kapërdijnë me vështirësi në Shqipëri, është vetizolimi. Megjithëse është një nga masat më të domosdoshme për faktin se mund të reduktojë ndjeshëm përhapjen e virusit, prapë hezitohet. Duhet të kishte filluar që në momentin kur u njollos me të kuqe Italia, sepse jemi të lidhur gjymtyrësh, jemi gati siamezë. Dhe mos eksperienca në të tilla epidemi që janë mes shekujsh dhe brezat nuk e kanë idenë, gjithçka kthehet në një gjendje sportive dhe shteti flet dokrra për të ruajtur karriken, pasi magazinat a shtretërit e karantinave janë shitur batjava. Por ka një nismë spektakolare të personave publik sidomos e atyre që jetojnë e kontribuojnë në Itali dhe kjo është për tu admiruar. Sado larg që ikim prapë koka na dhëmb aty dhe koha po e vërteton, mjafton të përmendim edhe fondacionin e marinsit shqiptaro amerikan9Presidentit te Rrenjeve Shqiptare ne SHBA) Marko Kepi në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër disa mediume shtrojnë ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet i izoluar në shtëpi? Shqiptarët nuk rrinë dot pa kafenet’. Duke qënë se jetoj prej vitesh në një vend tropikal ku stuhitë janë të përvitshme, izolimin e kemi gjymtyrë të jetës. Por në raport me izolimin e coronavirusit, stuhia të lë pa drita, pa ujë etj. Dhe mund të të humbësh gjithçka, mund të mbetesh në qiell të hapur sikur të mos kesh ekzistuar asnjëherë. Në rastin konkret nuk ju mungojnë aspak as dritat e as uji dhe për më tepër komunikimi virtual. Disa ditë a disa javë nuk janë asgjë, mjafton të mendosh se sa jetë mund t’i kursesh të së përditshmes. Mund të jetë një i njohur për ju, a një i largët.., por është prindi, babai a nëna, motra, vëllai i dikujt tjetër. Dhe ky dikushi që fati ua mbajti larg nesër mund të jeni edhe ju, ksisoj thuaje plot, Zot mbaje dorën. Në kuptimin e drejtë të fjalës kjo është luftë me natyrën, me fatin…, pavarësisht minuseve se, nuk ka asnjë diskutim që ne jemi nga vendet më të papërgatitura pasi kurrë nuk ndërtuam një shtet të vërtetë.

Nëse në studiot shqiptare do flitej ndonjëherë për emeregjencat, se si veprohet, se si një shtet mban në gatishmëri hallkat e tilla, pra nëse do flitej ndonjëherë, me pa diskutim do kishim filluar themelet e shtetit. Por shqyhemi me ligjëratat boshe të Ngjelës a ca kapterëve si Peza, me llogje duke mbetur gjithmonë vend i botës së tretë, jo new Hollandë apo Zvicër, asesi që jo. Ndaj sot shtrohen ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet në shtëpi për 1 apo 2 javë. Kot që paskemi shtëpi, kot që shtrydhemi për familjen, gjithçka e jona qenka llogjet e kafeneve dhe ajo kureshtia prej provinciali se kush e hëngri sot? Përpara se të dali presidenti apo kryeministri, bëhuni vet të tillë, pasi ne kurrë nuk na ka munguar vitaliteti, pavarësisht se e kemi shtyrë tutje për hatër të politikës. Eshtë luftë për faktin e thjeshtë se është një epidemi globale, me një armik të padukshëm…, jo rastësisht janë vatrat të shpërndara si Iran, Itali, Seul. Eshtë vrasës sa i pa parashikueshëm, aq edhe i lexueshëm, vatrat e trafikut ajror, lidhjet e afërta si rasti ynë me Italinë etj. Por është edhe një situatë e tillë ku kupton se sa luftë bën qenia njerëzore për të mos u fikur jashtë radhe dhe sikur kurrë të mos kishim ekzistuar. Shkurt në shtëpi do shkoni, jo në burg, ndaj mblidhuni e lërjani vendin zbrazëtisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: jo burg, Shtepia

GJON BUÇAJ: VATRA, SHTËPIA E TË GJITHË SHQIPTARËVE

January 1, 2017 by dgreca

Intervistë e z. Gjon Buçaj, Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhënë bashkëpunëtores të gazetës”Dielli” Marjana Bulku/1-gjon-nikoleta

Pyetje: Çifti Buçaj, simbol mikpritjeje sa herë që “Vatra” çel dyert ju jeni aty me prezencën e përzemërt e bujare që qartazi dëshmon karakterin tuaj, çfarë i keni dhënë Vatrës në këto vite duke qenë drejtues i saj, çfarë ju ka dhënë ajo juve?

Përgjigje: Mikpritja asht nji ndër virtytet e thelbit etnik të shqiptarit, prandej na në “Vatër” përpiqemi t’i presim mysafirët me përzemërsi simbas traditës si dhe me qellim që ata të ndjehen si në shpi të vet; “Vatra”, në të vërtetë, asht shpi e të gjithë shqiptarëvet, prandej edhe quhet “Vatër”, rreth të cilës mblidhen antarët e familjes. Përpiqemi që të jemi të dy së bashku, sidmos kur mysafiri ose ndonji nga mysafirët asht femën.Përsa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mund të them se “Vatrës” do të doja t’i kisha dhanë ma shumë, por kohën dhe përpjekjet për t’a ndimue, ia kam kushtue me dashuni, i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i paraardhësavet tanë. Kam pasë fatin të kem bashkëpuntorë të përkushtuem për arritjet sado modeste që mund të jenë. Kemi hapë ose rihapë degë në disa shtete të Amerikës e në Kanada dhe, kështu, kemi rritë numrin e antarëve. Në vitin 2012 kemi përkujtue 100 vjetorin e themelimit të “Vatrës” me nji konferencë shkencore dhe me nji darkë kremtimi, ku kanë marrë pjesë ma se 1000 vetë, nga shumë anë të Amerikës, të Kanadasë dhe t’Europës, si dhe nga trojet tona. Atë kremtim e kemi njehë si përkujtim e mirënjohje për themeluesat dhe për ata që e mbajtën “Vatrën” gjatë nji shekulli, në shërbim të çashtjes kombëtare. Me pjesëmarrjen n’atë kremtim të klerikëvet ma të naltë, si përfaqësuesa të besimevet tona tradicionale, kemi dashtë me dëshmue randësinë që “Vatra”, në traditën e trashigueme prej Rilindjes, i jep harmonisë ndërfetare te shqiptarët dhe e çmon si gur me randësi në themelin e ndërtesës së përbashkët të kombit.

Nga “Vatra”, si organizatë vullnetare dhe jo fitimpruse, askush nuk pret ndonji shpërblim material, por vetëm moral: kënaqsinë kur je i vetëdijshëm se, me anë të saj, ke kontribue për interesin kombëtar. Jam i nderuem dhe i lumtun që kam pasë rastin t’ia ndiej atë kënaqsi për kontributin tim sado e vogël.

  1. Ju jeni larguar nga Shqipëria në moshë të re, në vitin 1951, si ka mundësi që gjuha shqipe, traditat kanë mbetur kaq të gjalla tek ju?

Përgjigje: Besoj se kjo mund të spjegohet nga disa faktorë, tue fillue prej karakteristikës së shqiptarit si tradicionalist, cilësi të cilën e ka luftue komunizmi për t’i lëshue rrugë krijimit të “traditave” të reja të ideologjisë së huej që, për afër gjysmë shekulli, helmoi përbamjen shpirtnore të kombit. Qëndresa kundër kësaj ndërhymjeje shkatrruese e spjegon deri dikund egërsinë me të cilën regjimi e nënshtroi tragjikisht kombin, sidomos segmentet e tij, ku kjo qëndresë ishte ma e fuqishme. Përveç asaj, në fatkeqsinë e largimit prej atdheut, kam pasë edhe fatin e mirë me qenë me gjithë familje, antarët e së cilës ishin të moshave të ndryshme. Kudo që na ka hjedhë fati, të rijt i kanë mësue gjuhët e vendit në shkollë ose në punë, por prania e të vjetërve ka ndimue që në shpi të flitet vetëm shqip. Të vjetrit ankoheshin se komunizmi, përveç tjera të zezave, luftonte edhe traditat, prandej besoj se vetvetiu ka lindë dëshira me i ruejtë ato. Kështu asht krijue, në mënyrë spontane, nji lloj mbështjellësi virtual rreth familjes për mbrojtjen e traditave të mira nga tjetërsimi, qoftë me humbjen e tyne ose me depërtimin e veseve këqija të ambjentit rretherrotull. Në këtë kuptim, në kontaktin e parë me njerzit tanë mbas periudhës së komunizmit, asht vrejtë shpesh njifarë ndryshimi, pse na ishim të kohës kur kishim lanë vendin, kurse ata të vitit të takimit.

Nji spjegim tjetër, besoj, vjen nga fakti se atdheun e vlerëson dhe e don ma shumë kur të mungon, e ne na ka mungue për shumë kohë. Atdheu përfshin jo vetëm vendin si kuptim gjeografik dhe popullin, por edhe trashigiminë historike, kulturore e shpirtnore, ku bajnë pjesë edhe traditat dalluese të brumit tonë etnik.

  1. Nëse do bënim një udhëtim në kohë në cilin vit do ndalonit, cilën ngjarje e ruani ende të gjallë?

Përgjigje. Janë shumë, prandej e kam të vështirë të veçoj nji vit ose nji ngjarje të vetme. I kam shumë të freskëta kujtimet dhe të forta mbresat e disa ngjarjeve në vitet e jetës sime: ardhja e komunizmit; vrasja e babës; ikja me familje prej Shqipnije; dy burgosje në Jugosllavi; dalja në botën e lirë; vdekja e vëllaut; martesa; diplomimi në mjeksi; ardhja në Amerikë; shembja e komunizmit; lufta e Kosovës me tragjedinë dhe lavdinë e saj dhe pavarësia; antarësimi i Shqipnisë në NATO; largimi i Nanës nga kjo jetë; qindvjetori i “Vatrës”….. Megjithatë po veçoj vitin 1947, në nderim të kujtimit të Nanës me mirënjohje, kur jam largue prej shpije në kërkim të shkollimit. E vejë me katër fëmij të vegjel, megjithëse në nji familje të madhe me kunetën e kunata ku ndima e kujdesi nuk mungojshin, Nana kishte nevojën e fëmiut ma të madh. Megjithatë, ajo më nxiti e më dha bekimin me shkue larg shpisë, në kërkim të nji ardhmënije që mund të ndërtohej vetëm me shkollim.

  1. Cila është historia më e bukur e jetës tuaj?

Përgjigje: Padyshim harmonia dhe dashunia në jetën familjare, nga ku buron shija për jetën dhe energjia me ecë përpara.

  1. Shqipëria ka përjetuar shumë udhëkryqe, cili mendoni se ia ka kërcënuar seriozisht të ardhmen asaj?

Përgjigje: Kadare thotë se kombi shqiptar ka përjetue dy kataklizma, të cilët ia kanë ndryshue fizionominë: okupimi afër pesëshekullor otoman dhe komunizmi. Të dy këta faktorë kanë qenë okupues, me ndryshimin se ai otoman u imponue dhe u mbajt gjithnji me praninë e kambës së huej, kurse komunizmi u përqafue nga nji pjesë e shqiptarëve të cilët, me porosinë dhe ndimën e anmiqvet shekullorë të kombit, e imponuen dhe e mbajtën me dhunë për afër nji gjysmë shekulli. Komunizmi, i përhapun nga shqiptarët shërbëtorë të këtij okupimi ideologjik, ka mujtë me depërtue edhe në familje, në çerdhet ma intime të shoqnisë shqiptare, ndërsa kamba e huej e okupatorit, qoftë otoman ose e kujdo tjetër, ka mbetë gjithmonë e hueja dhe, si e tillë, nuk ka mujtë me nxanë vend as me damtue si mikrobi i mbrendshëm i sëmundjes komuniste. Me ndryshimin e palcit etnik dhe me izolimin nga bota e civilizimit perëndimor, regjimi komunist e ka kërcnue të ardhmen e identitetit tonë si komb dhe, me politikën vetëvrasëse të internacionalizmit, e ka lanë Shqipninë pa aleanca mbrojtëse për të ardhmen e saj si shtet i pavarun.

  1. Teksa ju sheh bashkë me ”Zambakun e Prizrenit”, zonjen tuaj Nikoleta, nënkupton se lidhja juaj bashkëshortore është inspiruese brenda familjes por edhe jasht saj, dua mendimin tuaj të përbashkët cilat do ishin tre tipare thelbësore që gruaja nënë, zonjë do duhej ti trashëgonte tek bijat, nuset, zonjat përreth?

Përgjigje: Ndershmënia, bujaria dhe përkushtimi për familjen.

  1. Intelektuali dhe patrioti, veprimtari dhe humani Buçaj që jetën e vet e lidh ngushtë me atë të atdheut, cila mendoni se është ngjarja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë që sot duket e pashpresë?

Përgjigje: Pavarsia e Shqipnisë, që u realizue në nji moment kritik për ekzistencën e kombit, asht pa dyshim ngjarja ma fatlume, edhe pse përfshiu ma pak se gjysmën e popullsisë dhe të trojevet etnike. Pa atë shqiptarët do të mbeteshin të shpërndamë nën sundimin e anmiqvet, pa forcë dhe pa identitet. Nji pjesë do të asimilohej dhe të tjerët do të zhdukeshin ose do të shpërnguleshin me dhunë. Prandej kombi asht përjetësisht mirënjohës rilindasve që e kapën momentin dhe sakrifikuen edhe jetën për shpëtimin e tij. Por ngjarja ma e bukur që i ka ndodhë Shqipnisë e që unë e kam përjetue, asht shpërbamja e komunizmit. Mjerisht, për nji pjesë të madhe të shqiptarëvet, gëzimi dhe entuzjazmi i asaj ngjarjeje ia kanë lëshue rrugën zhgënjimit e dëshprimit, pse me lirinë nuk erdhi drejtësia as mirëqenja e barabartë, por vorfnija dhe diskriminimi ekonomik dhe politik. Sikur politikanët e tranzicionit të kishin pasë pak nga idealizmi dhe përkushtimi i rilindasve, Shqipnia do të dukej sot ma mirë dhe me shpresë ma shumë për të ardhmen.

  1. Pse po ikin shqiptarët, a e ve kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre?

Përgjigje: Ikja në masë e familjevet shqiptare, sidomos në këto vitet e fundit, asht nji akuzë e randë kundër qeverisë që, në krye të rendit të ditës ka blemjen dhe manipulimin e votës në luftë për pushtet dhe për pasunim të paligjshëm, dhe jo krijimin e jetës ma të mirë e ma të drejtë për qytetarët e vet. Për gjeneratën time, motivi për të lanë atdheun ka qenë kërkesa për liri dhe shpëtimi prej përsekutimit, në shumë raste edhe shpëtimi i jetës. Sot, shumica e familjevet që ia këthejnë shpinën atdheut, kanë për motiv nji jetë ma të mirë dhe nji ardhmëni ma të sigurtë që në atdhe nuk e kanë. Vorfnija asht aq e madhe sa, në shumë raste, familjet nuk e kanë të sigurtë as bukën. Mjerisht, edhe shumë të rij që ende nuk kanë krijue familje, nuk shohin shpresë për të ardhmen e tyne, prandej detyrohen ta kërkojnë atë jashtë vendit. Rrjedhimisht, mendoj se largimi i shqiptarëvet sot, ve në pikëpyetje ma tepër patriotizmin e politikanëve të korruptuem, se sa të atyne që largohen. Nuk ka dyshim se komunizmi e ka damtue ndjenjën e patrotizmit, por ky damtim asht shumë ma i dukshëm te klasa politike, e cila asht përgjegjëse për mungesën e krijimit të kushteve ma të mira të jetesës për qytetarët gjatë periudhës së tranzicionit.

  1. Konservator dhe novator, çfarë kanë trasheguar bijtë tuaj nga ju?

Përgjigje: Dashuninë për vendlindjen e prindvet dhe për vendlindjen e tyne, Amerikën, ruejtjen e gjuhës dhe respektin për traditat dhe për historinë tonë, ndershmëninë dhe korrektesën në punë e në shoqni ku jetojnë…..

Qofshi të bekuar

 

Filed Under: Featured Tagged With: E TË GJITHË, Gjon Bucaj, Marjana Bulku, shqiptareve, Shtepia, Vatra

Kryetari i Vatrës priti drejtorin Ekzekutiv të Institutit”Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”

July 5, 2014 by dgreca

Të Shtunën në mbrëmje, 5 korrik 2014, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, priti z. Agim Loci, drejtor Ekzekutiv i Institutit ”Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”, nw Tiranw, i cili ndodhet për nëj vizitë në SHBA.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseradhjen z. Loci dhe e njohur me historinë e Vatrës dhe veprimtaritë e saj Kombëtare.
Duke vizituar ekspozitën historike të Vatrës në 102 vitet e jetës së saj, z. Loci u njoh me rrugën dhe kontributin e Vatrës për cështjen kombëtare.
Nga ana e tij drejtori ekzekutiv i Institutit ”Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar” tregoi për kontributin që jep institucioni që ai drejton në pajtimin dhe shuarjen e konflikteve të shumta që kanë lindur në vitet e zgjatura të tranzicionit.Z. Loci shoqerohej nga e bija student ne New York.

Filed Under: Vatra Tagged With: drejtorin Ekzekutiv të Institutit, e Drejtësisë dhe, Kryetari i Vatres, Pajtimit Kombëtar”, priti, Shtepia

Harresa e At Gjergj Fishtës. Shtëpia që po shembet

March 7, 2014 by dgreca

Kjo ngrehinë nuk është një haur për bagëtine edhe pse duket si e tille. Është shtëpia e një figure të madhe si At Gjergj Fishta. Një  figurë që politika e citon shpesh për vlerat, por që deri më sot nuk ka gjetur kohë t’i restaurojë as  shtepinë, që sot dergjet në këtë gjendje të mjerueshme e në rrezik për të rënë nga çasti në çast./

Nuk është e vështire të dallosh ne Fishtë një fshat me rreth 700 banorë e që  ngrihet në krah të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, shtëpinë e Patër Gjergjit.
Ndoshta sepse bie shpejt në sy jo thjesht për shkak të pozicionit disi të ngritur, por edhe pamjes rrënqethëse që ofron.
Ne shtepine dy kateshe, veç një pllakate të rastit, autoritetet shteterore nuk kane vene kurre dore.
Çarjet ja kane mbuluar trupin ndersa lageshtira ka thurur harta ne te gjithe brendine e saj. Qetesia duket mbytese, ashtu si lakuriqësia e te gjitha dhomave ku dikur lindi At Gjergj Fishta.
Sokol Ndoka, një prej banorëve të fshatit na tregon: “Asnje njeri s’ka vene dore. Askurrkush ne keto 23 vjet. Çfaredo lloj premtimi eshte bere, por kurrkush s’ka bere gje. Kjo do te bjere fill. Kete dimer po su vu dore bien nga brenda. Ju e pate edhe vete tavani po bie krejt”.
Gjithçka tkuret dhimbshem ne kete banese modeste, por qe fsheh kaq shume vlera pas historise se saj.
Vajzat e shtepise kthehen hera heres ketu, ato jane pasardhese te At Gjergj Fishtes… Edhe ato jane lindur ne kete shtepi, ne kete prag, pas ketyre mureve… edhe pse jane larguar kohe me pare, ato kthehen ketu gjithmone per te prekur e ndjere serisht nga prane kujtimet e shkuara.
“Po sepse pushtetaret vijne ndoshta dhe kerkojne vetem votat, nuk eshte se mendohen shume vertete per vlerat e ketij kombi. Në kohe fushatash premtojne shume dhe te mbajne diçka te pakten. Disa nga premtimet t’i mbajne dhe te shikojne kush jane paresore , kush jane kryesore nga ato premtime qe kane dhene sepse kjo zone i këtë figure te shquar. Gjithkush do të deshironte ta kishte At Gjergj Fishten te tijin. Ne jemi krenare per te, sigurisht qe jemi, por eshte edhe nje komb krenar per te”, thotë Angjelina Gazulli.
Sigurisht, vajza e kane te pamundur te perballojne restaurimin e saj. Kerkojne, trokasin, bejne apel per me shume vemendje jo thjesh pêr një shtepi, por kundrejt nje figure ma vlera per historine e kulturen e kombit shqiptar, nje figure qe citohet pafundesisht edhe nga studiues te huaj.
“Dikur, nuk pati vlerësim nga sistemi komunist, por sot çfarë ka ndryshuar? Sot kanë ndryshuar shumë gjëra me fjalë, por me vepra jo”, thotë Zonja Gazulli.
Ne shtepi ka patur edhe  mjaft sende  të At Gjergj Fishtes, nder te cilat sic tregojne pasardheset e tij, edhe krevati i thjeshte qe tashme nuk eshte me. Dikush e ka grabitur, bashke me atë çfarë kishte ne shtepi.
“Nuk e dimë kush ishte. E gjetëm bosh. Para nja 3-4 muajsh ndodhi. i kishim marrë të gjitha, asgjë nuk kishte mbetur”, tregojnë vajzat.
Ambientet e tjera jane edhe me rrënuara, disa jane rrezuar plotesisht, ndersa te tjerat perdoren per te mbajtur kafshet.
Politikanet kane ardhur ketu aq shpesh sa ka pasur edhe fushata elektorale, me pas kane humbur bashke me fjalen e dhene per investime e rikthim ne muze te kesaj shtepie.
Pas nuk ka mbetur asgje. Veç vizitave boshe qe perseriten vetem nje here ne kater vjet. E po ashtu ka ndodhur edhe me projektet e valvitura me buje nga monumentet e kultures, drejtues te tyre, qe kane folur aq shume e po aq shume kane kundershtuar veteveten.
“Janë ngritur muzeume, janë bërë rrugë dhe vendosur buste me emrin e tij, por kjo shtëpi ka mbetur një rrënojë. Siç e shihni, nuk eshte vene dore fare. Ka pasur shume premtime nga politikane te ndryshem. Kane ardhur kane bere vizita. Fushata te ndryshme elektorale, jane marre edhe vota nen emrin e figures se Pater Gjergjit, por s’eshte bere asgje. Asgje nuk eshte bere”, thotë një banor i Fishtës.
Banoret, rendisin veprat e shumta te At Gjergj Fishtes, rolin e tij, radhet e realitetin e sjelle permes tyre si nje udhetim ne kohe edhe sot, e jo thjesht ne emrin e fshatit, por edhe ne te vertetat qe duken po aq te prekshme e te pashuara edhe nga kjo harrese e braktisje.
Per te kuptuar te vertetat e djeshme dhe te sotme mjaft te lexosh Gomarin e Babatasit, te shkruar nga Fishta e ne te do te gjesh pjese dritheruese te realitetit ende te pandryshuar shqiptar.
“Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t`ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!” / Top Channel

Filed Under: Featured Tagged With: Harresat e at Gjergj Fishtes, qe po shembet, Shtepia

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT