• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEXHMIJE PAGARUSHA NË “GALERI LAFAJET”

January 30, 2014 by dgreca

RAMIZ KELMENDI PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN*

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.” (Ramiz Kelmendi: Nexhmija)/

 NEXHMIJA NË “GALERI LAFAJET”/

Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.

Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.

Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.

Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.

Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.

Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.

I gjeta më në fund.

Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.

Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.

Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë. Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.

Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”. Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.

Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.

Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.

-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?

Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.

–  Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.

Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!

 

(“Rilindja”, 1965)

NEXHMIJA

Si lum e lum ata të rrallë, për ata, si thotë populli, që lindin me yll në ballë, e pse jo, madje dhe hiç më pak, lum e lum edhe për atë popull që i lind, që i ka, që i nderon (pse e nderuan) dhe mjafton t’u zësh n’goje vetëm emrin, a vetëm mbiemrin, e ta kesdh saora parasysh tërë figurën, personalitetin, veprën. Se me gjith çfarë bënë, bënë emër. U bënë emër. U bënë të merituar e të nderuar. Të çmuar.

Një emër i tillë në muzikën shqiptare, një emër i tillë në mbarë kulturën tone kombëtare, është edhe emri: Nexhmija.

 

Se jo në çdo popull dhe jo në çdo ditë lindin talentë nga më të rrallët, artistë nga më të mëdhenjtë, emra që nderojnë dhe krenojnë kombin, qytetërimin e tij, kulturën e tij.

Populli ynë, përkrah emrave të mëdhenj, prijatarë nga më të ndryshmit, pati edhe jo pak femra prijatare, duke nisur nga Teuta. Bënë emër dhe na bënë nderë Elena Gjika – Dora D’Istria, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, Motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, e në këtë artin e Nexhmijes, më e para dhe më e madhja: Tefta Tashko Koço dhe, shoqja e saj Marie Kraja.

 

Nexhmija, falë pakujdesit dhe mospërfilljes së atyre që vendosin për rrugët e zhvillimit të mëtejmë të talentëve nga më të rrallët, nuk studioi kanton në Konservatorin e Parisit të Tefta Tashko Koço, as në Konservatorin e Romës si Jorgjia Filçe (Truja), as në Konzervatorin në Austri si Marije Paluca (Kraja).

 

Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin. Më e mira soprano – koloraturë shqiptare, Tefta Tashko, nga të 37 vjetët e jetës, 22 i kaloi jashtë vendit të vet, vendit i cili mezi ia siguroi asokohe – një piano. Shoqja më e denjë e Tefta Tashkos, mbase këngëtarja më e madhe dhe më e çmuara e këngës sonë popullore, e cila do të ketë ca më vonë një motër të vet më të re në Kosovë, të denjë t’i vihet përkrah, Nexhmijen, Marie Kraja, me Konservatorin e mbaruar në Austri, u emërua – mësuese e gjimnastikës në një shkollë të Shkodrës.

Edhe Nexhmija, e përgëzuar dhe e pagëzuar si “Bilbili i këngës shqipe”, “Zëri më i bukur dhe më i ëmbël i Kosovës”, “Ambasadorja jonë e kulturës”, “Artsitja jonë e madhe e këngës popullore shqipe”, që për shumë vjet me radhë shkriu veten, energjitë dhe trohët e fundit prej artisteje të madhe në bazamentin e përmendores së vet, zor të ketë qenë dhe zor të jetë e kënaqur. Jo pa ndjenjën e borxhit bukur të madh që i kemi dhe i mbetemi, u desh të mbushë të gjashtëdhjetat dhe Shkupi të gëzojë nderin (u qoftë aferim atyre që u kujtuan dhe e organnizuan!) për të mbajtur një akademi solemne.

Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.

Unë kam një kënaqësi të rrallë që të paktën me këto fjalë përurimi e përgëzimi, fjalë të përvujta e të vockëla për punën e madhe dhe artin e lartë të Nexhmijes, po e thyejmë me njëfarë dore atë ligjin tone të pashkruar që nuk na bën nderë: jo t’u ndërtojmë më të merituarve tanë, qoftëlarg, bustin, por as t’ua çmojmë e t’ua nderojmë, t’ua vëmë në spikamë e t’ua kujtojmë bile – bazamentet e busteve të tyre kurrë të ngritura nga pasardhësit, që pandehin se me ta nis bota. Lodhnie mendjen një çikë dhe pale a mund të ju kujtohet fare qoftë edhe një përmendore e vetme në të gjitha trojet tona etnike këtej kufirit me shtetin tonë amë, përmendore e ndonjë shkrimtari, artisti a shkencëtari shqiptar! Asnjë! Asnjë fare! Dhe, përse ta fshehim: jo gjithmonë qe i huaji ai që nuk na lejoi këtë! Jo gjithmonë. Mbushi dhe kaloi të treqind vjetët e vdekjes i linduri në Gur të Hasit skaj Prizrenit dhe i vdekuri në Prishtinë, 363 vjet i vjetri, po më lashti dhe më i merituari punëtor aq i mençur i këtyre trojeve, Pjetër Bogdani, po nuk mbahet mend, sot e treqind vjet, t’i jetë kujtuar ndonjërit nesh: o, burrani! T’ia ngrejmë bile Pjetër Bogdanit një përmendore, qoftë në Gur të Hasit, qoftë në Prizren, qoftë në Prishtinë!

Nuk e did he s’ma ha mendja gjithaq se ndoshta me këto ngushëllova sadopak Nexhmijen për pakujdesin dhe pamiradinë tone karshi meritave dhe artit të saj, që do të mbetet përgjithmonë një vlerë e shquar në kulturën shqiptare dhe një perlë, një yll, në panteonin e muzikës sonë, një rruzë smeraldi në gjerdanin e këngës popullore shqipe.

Për një popull, si ky yni, i vetmi a më i madhi përjashtim ndoshta në krejt rruzullin tokësor, NJË popull i ndarë në DY pjesë, në TRI fe, në PESË shtete, me SHTATË million banorë, po ama jo më pak se me NJËQIND E NJËZET E SHTATË parti, paraparti e pasparti, mbiaparti, mesparti e nënparti, me gjithëfarësoj shoqata e korporata, nuk është mençuri, është luks i madh, është në të mirë të së keqes sate, është dëm, është gabim, është e pafalshme, është kundërproduktive dhe kundërkombëtare, të harrosh, të mos çmosh dhe të mos nderosh njerëzit tu të mëdhenj, të mos vlerësosh vlerat e mirëfillta të tyre, të zvogëlosh madhështinë e tyre duke privuar kështu vetveten nga begatia e jashtëzakonshme e tyre.

Jo çdo ditë lindin Nexhmije.

Lindin shumë këngëtare në ndërkohë. Këngëtare të mira dhe shumë të mira.

Por një këngëtare mbetet e paharruar, mbetet atje lart, në majë të këngës shqiptare: Nexhmija. Prandaj, Nexhmije, të na rrosh edhe shumë vjet dhe – ta paçim borxh!

28. V. 1993

* Dy shkrimet me autor Ramiz Kelmendin, janë marrë nga libri i gazetarit Shaqir Foniqi: Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës

*(Fragmente nga libri: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: nexhmije Pagarusha, Ramiz kelmendi

Z. Vehbiu, nuk të shkon roli i atij që e kanë keqkuptuar

January 30, 2014 by dgreca

Nga Minella Aleksi/

Ca kohë më parë kisha shkruajtur një mendim kritikë me titull “Inati dhe poshtërsia na mbajnë gjallë” në adresë të A. Vehbiut në lidhje me një opinion denigrues që ai shprehte ndaj shkrimtarit Kadare.(botuar edhe ne Dielli)

Atëhere z.Vehbiu nuk reagoi. E drejta  etij. Mirëpo mbas një farë kohe për të njëjtin argument lexoava në gazetën Panorama një shkrim kritik ndaj z. Ardian Vehbiu nga një penë e njohur në letrat shqipe, z. Sadik Bejko.

Z. Bejko krahas të tjerave në shkrimin me titull “Çmimi britanik dhe shkrimtari Kadare” i kërkonte Z. Vehbiu që të prononcohej mbi akuzat e ashpra që z. Aleksi i drejtonte.

As kësaj here Z. Vehbiu nuk lëvizi nga llogorja e tij. Bëri të heshturin. Përpara një jave e kam kritikuar zotin Ardian Vehbiu lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve».

Reagoi në mënyrë të menjëhershme me përpjekjen për të na bindur se shumica e lexuesve idenë e tij e kanë keqkuptuar. Nuk harroi të theksonte atë që rëndom e përdor si formulë justifikuese se shkrimin dikush pa leje ia ka marrë nga uebsiti i tij dhe e ka hedhur në të tjera blogje deri edhe te gazeta Express e Prishtinës.

Me këtë justifikim përpiqet që të shpërndajë disi ndjenjën e fajit. Do të thotë se nuk na qënka faji i atij që e ka shprehur mendimin në blogun e tij, fajtori është ai që shkrimin e ka marrë dhe e ka shpërndarë pa leje. Shumë naive. Në uebsitin e A. Vehbiut mund të shkojë kushdo, s’ka derë, të lexojë gjithëçka që publikohet aty dhe kjo qartazi duket që atij vet i pëlqen. Ndryshe do i vendoste derë e do e mbyllte me çelës për të pa dëshiruarit.

Kur ia do puna si në këtë rast zë e ankohet. Njëlloj si ai që nxjerr një krevat apo një tavolinë në anë të rrugës për tu marrë nga ndonjë nevojtar dhe të nesërmen fillon e ankohet deri në bashki se dikush ka marrë krevatin në anë të rrugës pa lejen e atij që e nxorri për tu marrë. Kjo lloj perdeje ndarëse e uebsitit e sajuar si valvul shpëtuese kur ia do puna, është tepër transparente për të mbajtur të fshehura ato mendime që vet z. Vehbiu është shumë i interesuar për tua bërë të njohura të tjerëve.

Dihet se sa e vështirë është të polemizosh me spekulantët. Të mësuar me dredhi, me fraza ekuilibruese, ata i shmangen përgjigjeve direkte, sajojnë çështje të paqena, e devijojnë diskutimin.

Kritikat e mija kanë qenë konkrete. Në këtë shkrim të Vehbiut, për të ilustruat tezën e tij për besnikërinë e shkrimtarëve ndaj komunizmit, ai ka interpretuar në mënyrë skandaloze, sipas meje, një episod fare anësor të romanit «Koncert në fund të dimrit». E kam kritikuar Vehbiun jo vetëm sepse «Koncerti» është një nga veprat më të vlerësuara të letërsisë në Shqipëri dhe në Europë, dhe në dhjetëra artikujt dhe studimet për të, askush nuk ka gjetur gjurmën më të vogël të «besnikërisë së autorit ndaj partisë». Në të kundërt, të gjithë, kanë vënë në dukje tablonë negative të komunizmit botëror, që jepet në këtë roman, arsye për të cilën ai është kritikuar e madje ndaluar për një kohë të gjatë, në vendin e vet.

Në reagimin e tij kundër meje A.Vehbiu nuk jep asnjë përgjigje për ato çështje që ngre unë. E kam kritikuar Vehbiun për krahasimin që ai bën midis dy shkrimtarëve tepër të shquar të Ballkanit: Ivo Andriçin dhe Kadarenë. Sipas meje, kur merresh me «gabimet» e tyre, është e padrejtë që të vihet shenja e barazimit midis Ivo Andriçit , që fatkeqësisht ka aprovuar doktrinën e Cubrilloviçit për zhdukjen e kombit shqiptar, me «gabimet» e Kadaresë, i cili s’e ka bërë kurrë një gjë të tillë për kombin serb.

Në reagimin e Vehbiut nuk ka asnjë përgjigje për këtë.

Në shkrimin tim kam trajtuar shpifjet shumë të rënda kundër Kadaresë, duke u përqëndruar te shprehja «jashtëqitja e kombit». Kjo nuk ka qenë vetëm punë shprehje. Sipas kësaj shprehjeje të sajuar e të përhapur nga Sigurimi shqiptar, shkrimtari Kadare iu kundërvu lëvizjes për emancipim të vitit 1990, duke hedhur baltë mbi pararojën e saj: refugjatët shqiptarë. Sipas meje, Vehbiu, në vend që të ndihmojë për sqarimin e kësaj shpifjeje, kundër së cilës jane dëshmitarë njëqind mijë banorët e Tiranës, i shmanget së vërtetës, duke e pranuar përgjysëm atë.

As për këtë A.Vehbiu nuk jep përgjigje në reagimin e tij me titull “Kur paguan autori”.

Vehbiu ankohet shumë për kritikat ad-hominem që i bëhen atij, por ai bën të njëjtën gjë kundër Kadaresë. Mendimi im ka qenë shprehur qartë se kryesorja tek një shkrimtar mbetet vepra e tij. Megjithatë askujt s’mund t’i ndalohet të merret me biografinë. Por në këtë të fundit duhen parë të gjitha aspektet. Vehbiu flet për Kadarenë si anëtar partie e vjershat për partinë, për nderimet që i janë bërë dhe kjo është e drejtë e tij. Por unë e kritikoj se ai s’ka të drejtë që, duke folur për njerën anë, të lejë në heshtje anën tjetër të tablosë, që është krejt e kundërta. Në shkrimin tim unë përmend dosjen «Ziçishti» të vitit 1982, madje emrin e hetuesit që është ende gjallë, ku shkrimtari akuzohet me akuzën absurde për komplotist.

Në reagimin e tij Vehbiu nuk jep përgjigje as për këtë.Z.Vehbiu përpara sesa të nxitojë e ta quaj kritikuesin profan, i cili edhe as hiçgjë nuk është, le tu japë përgjigje këtyre çështjeve që janë parashtruar më sipër, jo për të “begenisur profanin”. Studjuesi serioz nuk mund t’i shmanget qëndrimit serioz ndaj lexuesit objektiv.

Studjuesi dhe shkrimtari A.Vehbiu është tepër i tronditur për reagimet jashtëzakonisht të ashpra kundër tij, lidhur me shkrimin e tij «Tradhtia e besnikëve». Në këtë ngjarje, shpresoj, që ai të ketë nxjerrë mësim për një të vërtetë të hidhur për të dhe për gjithë kritizerët, që me shumë lehtësi sulmojnë të tjerët, por që s’durojnë dot t’i prekë askush. Këta kritizerë duhet të kuptojnë se lexuesit shqiptarë pavarësisht nga vërejtjet që mund të kenë, janë të vendosur të mbrojnë vlerat e letërsisë dhe të shkrimtarëve të shquar shqiptarë.

A.Vehbiu, duke hyrë me vonesë në botën e shkrimtarëve duhet të kuptojë se në këtë botë ka rregulla të tjera dhe spekullimet dhe dredhitë nuk pijnë ujë. Në këtë botë nuk hyhet me bërryla, duke shtyrë të tjerët.

A.Vehbiu ka botuar kohët e fundit një libër me tregime me nivel tepër të zakonshëm, për të mos përmendur fjalën mediokër. Kjo është një arsye më shumë që ai të jetë më i përmbajtur kur kërkon t’u japë mësime dhe të fyejë shkrimtarët e përmasave të mëdha. Në një rast të tillë dihet fati dhe pozicioni i shkrimtarit që ndjek rrugën e gabuar. Ai është i humbur dhe pa shpresë.

Shprehja: “studjuesi A. Vehbiu do bëj të heshturin si ajo vajza që, kur dikush i futet në shtrat, ajo bën sikur fle”, ishte zilja që e “zgjoi” të alarmuar Vehbiun. Reagoi aq shpejt, gjë që si çdo gjë e nxituar e largoi nga thelbi i argumentave, nga gjykimi me urtësi. Nga gjykimi i denjë për nivelin ku pretendon se ndodhet në fushën e letrave.

Z. Vehbiu duhet ta dijë se “inati, hakmarrja është një pjatë që duhet ngrënë e ftohtë”. Përndryshe ndodhesh ngushtë, nga e keqja si në këtë rast e kërkon shpëtimin te arsyetimi që shumë lexues më kanë keqkuptuar, doja të paraqisja një qëndrim jo bardhe e zi, ngaqë unë e vlerësoj shkrimtarin Kadare, etj,. Përfundimisht shkrimi “Tradhëtia e besnikëve” dëshmoi dy gjëra: ishte shkrim i menduar për keq, me një argument spekulativ ndaj shkrimtarit Kadare dhe së dyti, si pasojë logjike e së keqes që mbart tregoi pamundësinë, panikunçorientues për të dhënë përgjigje direkte mbi çështjet e ngritura në shkrimin “Mbi marifetin psikanalitik “Loyalty mod” të Ardian Vehbiut”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: i atij, Minella Aleksi, nuk te shkon roli, qe e kane keqkuptuar, z. Vehbiu

SHBA: Kërkohet dënimi me vdekje për vënjen e bombës në Maratonën e Bostonit

January 30, 2014 by dgreca

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder : ” Pas shqyrtimit të fakteve përkatëse, ligjet në fuqi dhe pretendimeve të bëra nga avokatët e të pandehurit, unë kam vendosur se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë dënimin me vdekje në këtë çështje. Natyra e të kryerit të aktit në fjalë dhe të deponimeve rezultante, janë të mjaftueshme për dhënjen e dëmit me vdekje në këtë vendim/

Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D.C: Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se ka në plan të kërkojë dënimin me vdekje kundër Dzhokhar Tsarnaev , të pretenduar për vënjen e bombave në Maratonën e Bostonit.   Kështu të paktën thotë sot shtypi amerikan, kur permend se Tsarnaev , 20 vjeç, dhe vëllai më i madh i tij Tamerlan Tsarnaev janë akuzuar për vendosjen e bombave më 15 prill 2013, gjatë përfundimit të vrapimit në Maratonën e Bostonit. Ata të dy mendohet se vendosën dy bomba artizanale të mbushura me eksploziv në afërsi të vijë-finishit – vend përfundimin e maratonës Boston – që vrau tre persona dhe plagosi qindra të tjerë.Njeri prej vëllezërve Tamerlan Tsarnaev, ai më i madhi, u tha se vdiq gjatë një kërkimi nga policia disa ditë pas sulmit , i fshehur në një motrbarkë dhe vëllai i vogël që gjendet aktualisht pas hekuave Dzhokhar Tsarnaev u kap disa orë më vonë, i plagosur .

Ai ka qenë në paraburgim që nga dita e arrestimit , megjithëse kaloi disa javë në spital në kushte arresti dhe është në pritje të gjykimit për akuza , duke përfshirë përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë që rezulton në vdekje , bombardimin e një vend të përdorimit publik që rezulton në vdekje , shkatërrim me qëllim të pronës private që rezulton në vdekje , dhe konspiracion , ai ështëakuzuar gjithashtu për vrasjen e një oficeri të policisë në kampusin e Massachusetts Institute of Technology – MIT, gjatë kohës që policia ishte vënë në ndjekje të tij .
Sipas një deklarate nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder ” Pas shqyrtimit të fakteve përkatëse, ligjet në fuqi dhe pretendimeve të bëra nga avokatët e të pandehurit , unë kam vendosur se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë dënimin me vdekje në këtë çështje . Natyra e të kryerit të aktit në fjalë dhe të deponimeve rezultante, janë të mjaftueshme për dhënjen e dëmit me vdekje në këtë vendim . ” ka deklaruar zoti Holder.
Gazeta më e madhe amerikane , njujorkezja The New York Times, shkruan sot se :”Po të dënohet , Tsarnaev, domosdoshmërisht do të dënohet me vdekje, mbasi ajo vëren se prokurorët federalë nuk do të tërheqin nga dënimin me vdekje, ashtu si dhe ka ndodhur edhe në rreth gjysmën e rasteve të tyre , zakonisht edhe në sajë të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë .”

Shtypi thotë se Tsarnaev ka pranuar fajin për akuzat, por nuk janë të sigurtë sesa kjo do të ndikojë në marrjen e vendimit për dënimin me vdekje apo jo ? këtë nuk e di asnjeri deri në dhënjen e vendimit të Gjykatës Federale të SHBA .
Gazetarët amerikan kan mundur të kontaktojnë me nënën e dy fëmijëve që akuzohen për këtë akt, dhe thonë se  “Kur i than asaj se Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, zoti Eric Holder ka kërkuar  dënimin me vdekje , nëna e dy fëmijëve Tsarnaev  , Zubeidat Tsarnaeva , u tha gazetarëve , ” Se si mund të ndjehet një nënë për këtë ? Ndjehem një asgjë…. . ”
Shtypi amerikan thekson se deri tani “Nuk ka datë të caktuar të gjykimit “.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, bombevensit, e bostonit, Kerkohet denimi me vdekje

PROJEKTI ANTI KISHE ORTODOKSE KOMBETARE SHQIPTARE I ANASTAS JANULLATOSIT

January 30, 2014 by dgreca

NGA  AT NIKOLLA MARKU/*

Anastas Janullatos, ky uzurpator i mbeshtetur nga klane shoviniste dhe anti shqiptare, eshte duke bere planet e tije per pasardhesin po grek ne krye te kishes ortodokse shqiptare.Pasi ndrroi statutin e fan nolit dhe te dekretuar nga mbreti zog, staut qe percakton qarte se krepeshkopi, peshkopet, prifterinjte etj jane prej gjaku gjuhe dhe kombesi shqiptare. statut i njohur nga patriarkana e stambollit si te perjetshem.

Statuti i ri lejon qe kryepeshkopi mund te jete dhe nje nenshtetas i huaj.

Anastas Janullatos po pergatit pasardhesin e tije. Po teston disa persona por plani i tije eshte IGNATI i Beratit ose peshkopi i tanishem. Ignati kur shkoi ne serbi deklaroi se kosova eshte jeruzalimi i serbise, mjafton kaq per te kuptuar se kush eshte ky person. IGNATI pretendon per origjine arvanitase por nuk eshte e vertete. IGNATI eshte nje grek  shovinist kunder shqiperise dhe vorio epirit. Po te ishte arvanitas nuk do te rrinte indiferent ndaj ceshtjes came.

Duke zgjedhur IGNATIN , peshkopin e Beratit, kerkon ti jape nje goditje pikerisht qendres ku u hodhen themelet e pavarsise se kishes kombetare ortodokse shqiptare si dhe u themeluan ligjet kanonike ortodokse shqiptare.

IGNATI pergatitet nga kisha greke, qeveria fantazem e vorio epirit dhe partia neo naziste ;’” Agimi i arte” ne Greqi.

Nuk e kuptoj pse at Artur Liolin vlersoi punen e Janullatosit. Cfar e detyroi? Lobi grek ne SHBA? Apo ndonje perfitim biznesi nga Janullatos?  Si  duket ky prift e ka harruar Fan Nolin dhe nuk e njeh realitetit e Shqiperise. At Artur Liolin do te bente mire te ndihmonte drejt perdrejte ne shqiperi dhe jo nga kisha e lluksit ne Boston.

Po gjithashtu dhe veprimtaria e Ilia Ketrit eshte e dyshimte per sa kohe shoqeron Janullatosin.

Do te vije dita qe financimet e Janullatosit do te quhen kisha te Vorio epirit dhe athere do te jete shume vone.

IGNATI, peshkopi i gjirokasteres dhe janullatos orgonizojne cvarrimet, krijojne eshtra te pa qene te ushtrise greke ne jug te Shqiperise, problemet me Himaren si dhe ngjarjet e turpshme dhe aspak kishtare te Permetit.

Ne jemi te gatshem te organizojme nje kuvend kombetar me ortodokse per te vendosur ne vend vepren e Fan Nolit.

JU PERQAFOJ DHE JU BEKOJ PER PUNEN TUAJ SI STAF

ZOTI JU BEKOFTE

KISHA ORTODOKSE E PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE.

AT NIKOLLA MARKU

*GAZETES DIELLI NE SHBA DT30/01/2014

JU PERSHENDES DHE JU UROJ NGA ZEMRA PER PUNEN TUAJ NE DOBI TE KOMBIT SHQIPTAR.

JU FALENDEROJ NGA ZEMRA PER MBESHTETJEN QE ME JEPNI DHE PER MBROJTJEN E PAVARSISE SE KISHES ORTODOKSE SHQIPTARE, KISHE QE ME AQ MUND DHE SAKRIFICA E BERI TE PAVARUR FAN NOLI I PAVDEKSHEM BASHKE ME SHQIPTARET E DIASPORES NE SHBA.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: AT Nikolla Marku, faleminderit Gazetes Dielli

FQINJËT JANË NË EKSPANSION, NE JEMI NË RESTRIKSION

January 30, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Humbja e Ulqinit është dështimi i madh më i dukshëm, pra më flagrant, i politikës aktuale shqiptare, para së gjithash, i politikës aktuale të Tiranës në rrafshin kombëtar.
Është një ligj universal, i përjetshëm – nëse nuk je në ekspansion, atëherë vetvetiu je në restriksion. Dhe kjo pasqyrohet ku më dukshëm, ku më padukshëm, në të gjitha rrafshet dhe në të gjitha fushat e jetës së një vendi e të një kombi.
Politika jonë është në restriksion. Kjo është kundërnatyrore, sepse ne jemi kombi më vital në rajon, me popullsinë më të re dhe nga më të arsimuarat.
Kjo është kundërlogjike në rrethanat kur dalim nga një shekull copëtimesh, robërie, pushtimesh, diktaturash, në rrethanat, pra, kur pritej një shpërthim i vrullshëm i energjive tona të ndrydhura.
Kjo është absurde, në rrethanat e epokës globale, në rrethanat kur të gjitha vendet dhe kombet, të mëdhenj apo të vegjël, të fuqishëm apo të pafuqishëm, në të katër anët e botës, janë duke rendur për të përfituar nga hapësirat e krijuara për të bërë ekspansionizëm ekonomik, politik, ideologjik e tjerë, për të rritur ndikimin e tyre, praninë e tyre kudo, sido dhe sado që të jetë e mundur.
Kjo është veçanërisht kundërnatyrore, kundërlogjike, tejet absurde në kushtet kur jemi i vetmi vend, i vetmi komb në NATO, kur Amerika, mikja, aleatja, partnerja jonë e madhe na ka dhënë mundësinë e statusit të vendit më të privilegjuar të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ekspansioni në politikë është zmadhim, zgjerim i hapësirave të një populli, të një vendi, të një kombi duke u shtrirë në hapësira të popujve, shteteve, kombeve të tjera. Ekspansionizmi është prirje për të zmadhuar, për të zgjeruar kufijtë, sferën e ndikimit ekonomik, kulturor, e tjerë nëpërmjet shtrirjes në hapësira të reja, tregje të reja.
Restriksioni në politikë është zvogëlim, tkurrje, kufizim i hapësirave të lartpërmendura nga ana e një populli, një kombi, një shteti. Restriksionizmi është prirje për t’iu nënshtruar zvogëlimit, tkurrjes, kufizimit të hapësirave të tij jetike nga ana e një populli, një kombi, një shteti.
Në kushtet e sotme, të epokës globale, kur ekspansioni bëhet në formën e investimeve ekonomike dhe zhvillimore, në formën e transferimit të kapitaleve dhe të transportimit të zhvillimit nga një vend më i zhvilluar në drejtim të një vendi më të pazhvilluar, ekspansionizmi ekonomik dhe kulturor është ndërsjelltar i dobishëm për të gjitha palët. Në rrethanat e rajonit tonë, asnjë nga fqinjët tanë tokësorë nuk i ka premisat e natyrshme për të bërë ekspansion, të asnjë lloji, ndaj popullit tonë, vendit tonë, shteteve tona, hapësirës sonë kombëtare në përgjithësi.
Sot ne përjetojmë në mënyrë tejet të dukshme, prirjen tonë për restriksion të gjithanshëm. Kjo u pa së fundi në Ulqin. Por po shihet gjithaq dukshëm në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe po pasqyrohet në mosfunksionimin e shtetit të Kosovës në një pjesë të konsiderueshme të territorit të tij. Po pasqyrohet në gjendjen përherë e më të përkeqësuar të pranisë shqiptare në Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore). Po shihet në mospërparimin e popullit shqiptar në Maqedoni, si në aspektin kombëtar, si në aspektin shoqëror, ekonomik e tjerë. Po shihet me kërcënimet për ta tjetërsuar Radikën dhe Vjosën dhe për ta ngushtuar kështu më tej hapësirën tonë të interesave jetike.
Dukuritë e përmendura më lart, plot dukuritë e tjera që mund të rreshtoheshin këtu, ndodhin kur klasa jonë politike është e përfshirë në ethe të gjata, të pandërprera të revanshizmave të brendshme politike, ideologjike, të karakterit të ngushtë grupor, meskin, kundër interesave të elektorateve të tyre, kundër interesave të kombit të tyre, kundër interesave shqiptare. Ndodhin në një kohë kur palët në konfliktin brendashqiptar trumbetojnë gjithnjë e më zëshëm, gjithnjë e më kobshëm “nacionalizmin” e palës tjetër, “islamizmin” e palës tjetër, “primitivitetin” e palës tjetër, duke damkosur kështu kombin më të përkushtuar në Evropë për fqinjësi të mirë, kombin me islamin më të moderuar në botë, kombin ku është përkundur, rritur dhe kultivuar pandërprerë qytetërimi perëndimor, pavarësisht kushteve e rrethanave të veçanta, shpesh tragjike të imponuara.
Humbja e Ulqinit, mu para hundëve të Tiranës dhe Prishtinës, është me pasoja konkrete për gjeopolitikën shqiptare, një humbje, pra, që do të pasqyrohet në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vetë Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Një lëshim të tillë në dëm të vetes së tyre dhe në dobi të shqiptarëve nuk do ta kishte bërë asnjë prej fqinjëve tanë. Humbja e Ulqinit në vetvete shënon edhe humbjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi. Një humbje e tillë, qoftë edhe në fshatin më të vogël e më të largët të banuar me shqiptarë, shënon humbje të çështjes shqiptare. Një humbje e tillë, qoftë edhe në shtëpinë më të largët të fshatit më të largët shqiptar, shënon humbje të çështjes shqiptare. Sepse, secili nga këto raste, shënon dobësim të faktorit shqiptar në terrenin e caktuar, shënon rrjedhimisht dobësim të faktorit shqiptar në tërësi. Çdo defaktorizim shqiptar, kudo që ndodh, në trojet shqiptare apo jashtë tyre, në diasporë, në fakt përbën defaktorizim të mëtejshëm të shqiptarëve në tërësi.
Prania shqiptare, në trojet e saj, kudo që ndodhet, është një përparësi, një privilegj, një favor i një politike në raport me veten dhe të tjerët. Është një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, mundësinë e fqinjëve tanë për politikë mësymëse ndaj nesh; një premisë që e përjashton, në çdo rrafsh, prirjen tonë zbrapëse, lëshuese ndaj fqinjëve tanë.
Politikës sonë, sidomos asaj në Tiranë, ia ka zënë sytë internacionalizmi gjoja kozmpolit, në fakt retrograd. Ende kjo politikë nuk e kupton se çështja shqiptare, kudo që të jetë, në hapësirën shqiptare apo kudo nëpër botë, është absolutisht çështje e brendshme. Kjo politikë kurrsesi nuk mund të hiqet si e zënë në befasi, përkundrazi përballë një detyrimi kushtetues, prandaj mban përgjegjësi të plotë para kombit dhe para historisë.

Filed Under: Featured Tagged With: fqinjet ne ekspansion, ne ne restrisksion, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 753
  • 754
  • 755
  • 756
  • 757
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT