• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 FAMILJE MYSLIMANE NDERTOJNE KISHEN

January 16, 2014 by dgreca

Diku -diku në trojet shqiptare toleranca fetare duket se vërtetë është një virtyt. Rasti më i fundit është ndërtimi i një kishe me kontributin e 15 familjeve myslimane.

Si rrallë herë, në fshatin Derven të rrethit të Krujës banorët e fesë myslimane kanë kontribuar financiarisht, apo me punë vullnetare ndërtimin e kishës së Shënkollit, e cila sipas tyre po ringrihet për herë të tretë, pas luftrave apo vendimeve për asgjësimin e objekteve fetare në periudhën komuniste.

Banorët që kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj kishe shprehen se ky kontribut ka ardhur pasi në këtë fshat nuk ka ezkistuar asnjëherë dallimi fetar mes myslimanëve dhe katolikëve.

Edhe përfaqësues të kishës katolikë e kanë vlerësuar këtë gjest human në ceremoninë e përurimit të kishës.

“Pa dallim feje, Myslimanë dhe të Krishterë, janë bashkuar vullnetarisht me ne për të ndërtuar Kishën për të cilën u jemi shumë mirënjohës. Ky solidaritet vëllazëror, human e fetar është i veçantë për të gjithë ne dhe Shqipërinë, sepse në të gjithë botën, vetëm Shqipëria ka një fe të përbashkët, Myslimanë dhe të Krishterë”, tha meshtari i Kishës së fshatit Derven, Pashk Cypi.

“U habita kur pashë aq shumë njerëz. Unë mendoja se do jenë 20 veta. Gëzohem gjithashtu që shoh aq shumë fëmijë, sepse Shën Kolli është shenjtori i veçantë i fëmijëv”, u shpreh zv/Ipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit George Frendo.

Për ndërtimin e kishës së Shënkollit kanë kontribuar banorët e 5 fshtatrave, kryesisht të besimit musliman.( Marrë nga gazeta e Kosovës, Express)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 15 familje ndertojne, ksihen e fshatit

Fundraiser Benefit “Egriu for Change”

January 15, 2014 by dgreca

Dear Fellow Albanian-American:

How proud would you feel if you woke up on Nov. 4 and found that the first Albanian-American man in history had been elected to Congress?

YOU can help make this happen!

The “Emin “Eddie” Egriu for Congress” campaign cordially invites you to attend a fundraiser to benefit “Egriu for Change” this coming Sunday, January 19th 2014 at 3:00 pm at 950 Yale Ave. Wallingford CT . Checks should be presented at the door or if you cannot attend please send your donations to “Egriu for Change”, 16 Linwood Terrace, Buffalo, NY 14209.

Why Eddie Egriu? Why is this proud son of one of Albania’s most distinguished families running for a seat in the US House of Representatives now?

“I’m running because I believe it’s time for a member of our community to go to Congress to give voice to our concerns about the human rights of all people, especially Albanians, in the corridors of power in Washington,” Egriu explains. “I also believe it’s time for a member of our community to go to Congress to speak up about the plight of Albanian immigrants to these shores.”

“As one of the proud leaders of the Albanian people, my father risked his life to speak up against communist’s tyranny in the former Yugoslavia. Now I believe it’s time for all of us to stand up once again for what we believe in,” he continues. “As an outsider, an honest businessman, a grassroots community leader here in Buffalo, I believe that I am perfectly positioned to be the kind of anti-incumbent candidate the voters of America are looking for right now. As my campaign strategy points out:

“We’ve been voting to re-elect incumbents for decades in Western New York and what has it gotten us? …Now it’s time for a change!”

 TOGETHER WE CAN DO IT

For more info please visit our web www.egriu.webs.com      or  PushUSA.com     or www.facebook/Egriu.

Filed Under: Featured Tagged With: Egriu for Change, Fundraiser

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË-TË TJERËT PËR NE

January 15, 2014 by dgreca

NJË ERË E FORTË DHE UDHËKRYQET/

NGA ANDRZEJ ZANIEWSKI-Varshavë */

Librin e përkthyen nga gjuha shqipe në gjuhën polake Mazllum Saneja dhe Ewa Śmietańska. Librin e botoi Shtëpia e njohur Botuese polake ‘Komograf’, Varshavë, mars 2013

*      *     *

‘Nëse unë ngrihem në mëngjes i pafjetur dhe ngarkoj furtunën me mendimet e mia

dheu diku thellë tronditet nga buzëqeshjet magjike kenaqësia fërfëllohet dhe tumiret me ngazëllimin’

(‘Njeriu i lirë’)

Biografitë e poetëve kanë nganjëherë fuqinë e poezisë, shpesh shndërrohen në poezi, poema, rrëfime epike nganjëherë në dimensione të miteve, të gojëdhënave apo  të legjendave antike.

Biografia e Agim Gjakoves gjithashtu shndërrohet në mit, në sagën mbi njeriun e panënshtruar, të paepur dhe të padëgjueshëm, mbi shkrimtarin që nuk i dorëzon mendimet e veta – në ‘Sagën flurore’, mbi gjakun, mbi agimin dhe dritën që përshkon me forcë nëpër dritaret e mbyllura.

Ne gjithashtu duhet mbajtur mend, se kjo vepër është e krijuar dhe e shkruar në gjuhën shqipe, që drejpërdrejt ka prejardhjen nga ilirishtja e stërlashtë, si një gjuhë indoevropiane , që flitej nga ilirët dhe, që njihet si paraardhëse  e gjuhës shqipe dhe shqiptarët si bij të ilirëve, të një populli më të moçëm në Evropë, të cilët fal gjuhës dhe gjenisë së popullit mbijetuan duke ruajtur dhe kultivuar kujtesën dhe identitetin kombëtar, pavarësisht dallimeve ideologjike dhe fetare.

Kjo vetëdije gjuhësore shumëherë e ndihmoi poetin.

*     *      *

‘… rrjedh diçka në qenien time…

ku e lashë Shqipërinë

në këtë muzg drejt Parisit?’

(‘Në udhë’)

Të mos dorëzohesh, të mos nënshtrohesh, të mbash një qëndrim të guximshëm e ballëhapur karshi idealeve tua fisnike, të mos pajtohesh me qëllimet e këqija të hienave, demonëve, të njohësh  tradhtinë dhe pabesinë  e forcave të këqija dhe t’i luftosh, të kapërcesh kufijt, që të të kthehesh sërish dhe të ngadhënjesh, ndonëse çmimi i këtyre fitoreve është nganjëherë i lartë. Secila prej këtyre poezive, rrëfimeve, sekreteve dhe të pëshpëritjeve të Agim Gjakovës mund të jete fillimi i një epopeje, fillesë e esesë, poemës, romanit. Mendimet – vargjet ruajnë dhe mbrojnë këtu thellësinë, dhe pas tyre përmbajtja përbëhet me shumë shtresa. Dhe pastaj ndiej dhe kuptoj praninë e perdeve, maskave, ndonëse nuk e lexoj tërësinë, nuk mund të heq maskat, kuptoj asociacionet, ndonëse nganjëherë nuk di ku shpënë ato. Lexoj – vështroj në mënyrë të sipërfaqshme, nganjëherë arrij të kuptoj më thellë, duke kuptuar se njoh pothuaj pjesën më autentike  të historisë.

Rreth e përqark shkëmbinj të bardhë, të lartë, të fuqishëm, shkëmbinj të papërshkueshëm që me shekuj e shoqëruan historinë  e lashtë të këtij populli antik – i papërkulshëm dhe i pathyeshëm, që jetojnë në mes të shqiponjave dhe gjarpërinjve. Kjo e kaluar qëndron prapa poetit, është si një sfond, e njëherazi si një horizont, nga i cili burojnë forcat e tij dhe mundësitë krijuese.

Dhe kjo është e rëndësishme, sepse nuk është lehtë të jesh shkrimtar, i cili askurrë nuk u përkul, nuk u gjunjëzua, nuk i shërbeu regjimit totalitar, nuk tradhtoi idetë e tij të flakta atdhetare, nuk mohoi vetveten dhe gjithmonë dëshmoi në frymën e atdhedashurisë.

Të mahnit dhe të magjeps si magji bukuria e këtyre poezive, qartësia e tyre dhe saktësia e mesazhit lirik. Autori me konsekuencë e shpie lexuesin deri te kapitulli i fundit që përbën një kurorëzim të tërë, në njërën anë duke mbyllur strukturën e veprës, dhe në anën tjetër duke hapur porta të tjera karshi reflektimeve dhe përfytyrimeve tona.

Agim Gjakova godet dhe ndez ndërgjegjen tonë, zgjon shqetësimin dhe… ja shpalos para nesh korridorin e ndriçuar të labirintit  të pafund. Dhe sakaq lind pyetja pas leximit, që i përkasin edhe autorit dhe realitetit përreth tij, atëherë kur shkruan…

*      *       *

‘ për shkak të shpresës

dhe vetëm për shkak të shpresës

mësova të përçmoj magjistarët

për shkak të vetmisë

dhe vetëm për shkak të vetmisë

mësova të dyshoj të vërtetën’

( ‘ Kam të bëj me njeriun e sotëm’)

A nuk janë këto rrëfime të patundura, të dhembshura dhe ndoshta sarkastike. Me termin ’magjistarët’ fshihen emërtime të ndryshme: politikanët, nëpunësit, udhëheqësit, duke përfshirë shkrimtarët, filozofët, artistët… Lexuesi shqiptar mund t’i lexojë këto fjalë drejtpërdrejt, drejtpërdrejt i njeh marrësit. Lexuesi polak është i rrethuar nga përvojat e veta dhe sekretet, sekretet që i përkasin edhe ‘skëterrës polake’ të zilisë dhe intolerancës. Ndërkaq, duke vështruar me vëmendje botën tonë të vërtetë, ne e shohim ngjashmërinë e situatës, ngjashmërinë e individëve dhe të popujve të afërm. Konceptet universale: dhembja-hidhërimi-vuajtja-lëndimi-martirizimi-dhuna-dëshpërimi, ndonëse gjithmonë të përjetuara ndryshe, të ndiera dhe të përjetuara individualisht, gjejnë megjithatë emëruesin e përbashkët etik dhe gjuhësor.

Pastaj paraqiten simbolet. Një imazh tronditës i ‘Taketukes’ i një ndjeshmërie të kallur, disfata e konformistit të shndërruar në hi, e kopracit që jeton në gjendje të ‘drejtpeshimit të buzëqeshjeve’. Poeti krijon më shumë se një metaforë – arketipin e ri. Dhe i bën vetvetes pyetje: ndoshta ti, ndoshta unë apo ai, që u bëmë një enë kallaji apo argjilë, që gëlltit hirin e shkundur prej të tjerëve.

Nuk ka dyshim, ndonëse jemi shumë larg nga Kosova, përkah largësia gjeografike, ndonëse nuk njohim shtresat e ashpra shkëmbore të Shqipërisë, jemi gjithashtu heronjtë  e këtyre poezive çuditërisht të bukura. Na mbërthejnë, rrethojnë, prekin, na rrethojnë me kuadro

të gjera të koncepteve poetike dhe logjike. E afërt më është filozofia e Agim Gjakovës – plotësisht individuale, subjektive, dhe megjithatë universale, filozofia e lirisë së brendshme dhe e ligjit më të rëndësishëm të natyrës: e drejta  për veten e tij, të zgjedhjes së lirë të udhës gjithnjë dikur në udhëkryqe. Me këtë edhe e drejta ndaj Kosovës së vet – Kosovës sime, pikërisht sot pas ‘udhëkryqeve të shekujve’ e perceptuar ndryshe, përsëri… , të Kosovës, ku paraqiten neo-simbolet e ujkut, krokodilit, akrepit, gjarprit, qenit të humbur… A thua është e kuptueshme? Sepse nuk përfshihemi në lëkurën tonë, ndiejmë ngushtësinë dhe mungesën e oksigjenit, ndaj do të shkojmë jashtë natyrës njerëzore, duke kërkuar ndihmë në karakteristikat e qenieve të tjera. Ndonëse  e duam aq shumë njëri-tjetrin dhe e kuptojmë, shpeshherë nuk e durojmë njëri-tjetrin reciprokisht, duke ikur larg nga njëri-tjetri, zihemi në mes vete, dhe nganjëherë përleshemi sikur qentë endacak, gjarpërinjtë, akrepat… Ndaj, së këtejmi më ka magjepsur ai cikli i titulluar ‘Pikat e helmit’, helmi që mund të na vret apo të na trullos, apo të na kalit si një vaksinë, se ndonëse ëndrra pas tronditjes bëhet edhe më e thellë dhe shfaqet si një fantazmë  e plotë, e kjo mjafton vetëm me një pëshpëritje ‘Ndihmomëni … ‘ ‘të zgjohem. A thua vetëm kjo pëshpëritje tjetër e tetë do të dëgjohet?

Lidhjet- asociacionet me letërsinë e madhe botërore janë të pandryshueshme , thelbësore dhe të natyrshme. Në poezinë ‘Kulla e fildishtë’ më shikon  Fausti verbuar nga  pjesa e tretë e tragjedisë. I mahnitur të dëgjojë jehonën e lopatës, duke menduar se kjo turmë e punëtorëve shpie punimet e drenimit. Dhe nuk di se qëndron mbi një pellg, derisa hienat e natës ia gërmojnë varrin… Agim Gjakova pikërisht është në koherencë me këtë episod:

*      *      *

‘kisha qenë i verbër

në mënyrën time individuale

i munduar të shihja aty ku nuk ka pamje

i gatshëm të mblidhja

një grumbull të verbërish’

(‘Kulla e fildishtë’)

Ndërkaq, ekzistojnë ca karakteristika që i bashkojnë poetët pa marr parasysh në epokën dhe gjerësinë gjeografike. Këto janë ndjeshmëria dhe mahnitja. E njëjta gjë ndodh me poezinë e poetit Agim Gjakova, ku një atmosferë të plotë intime të frazave të përshkruara me delikatesë i gjejmë të njëjtat veçori në lirikat e Federico Garcia Lorces, në vizionet e natyrës të Walt Wchitmanit, në pastërtinë shpirtërore e të përkryer të Nazim Hikmetit, në mesazhet subtile të poetit Jan Twardowski dhe në koherencë me poetët e mëdhenj të epokës sonë.

Vetë zëri i poetit na ngashëren me ritmin e ngjeshur, të kondensuar dhe të menduar mirë, me domethënien e rëndësishme të strofave, me çiltërinë e shprehjeve dhe imagjinatën e gjerë. Pastaj befas ndalemi nga fjalët e përcaktuara me situatën konkrete jetësore apo ndoshta në prag të jetës dhe vdekjes, me situatën që të  ngjall një kënd reflektimesh: dhe sa kufij u nevojiten  që të kalosh, të kapërcesh, sa roja të kapërcesh , sa mure e  grila burgjesh të kapërcesh?

‘Kërkoj një mik

kërkoj

një armik

*   *    *

gjej një gur

gjej

një mur

imazhi i gjuhës

gjuha e frikës

fjalët nuk thuhen

gjithçka

pëshpëritet’

(‘Në vorbullën e ndjenjës’)

Nuk na befason fillimi i poezisë i bazuar në një paradoks. Ne gjithashtu dimë se armiqtë  janë nganjëherë mësuesit mizor, se nga armiqtë ndonjëherë mund të mësosh më shumë se sa nga miqtë. Dhe, prandaj, me mirëkuptim pranojmë kuptimin e mendimit zbulues:

*     *       *

‘ e vërteta qenka vetëm paradoks’

(‘Ndoshta e pakuptueshme’)

Të mos harrojmë! Këtë e shkroi poeti, i cili duke qenë  i vetmuar dhe i persekutuar, u bë akuzuesi i këtij shekulli. Dhe pikërisht kjo autovetëdije i lejon poetit  të shikojë qetë në të ardhmen, në këto kohë të trazuara. Atëbotë kur poeti bie në kujtime,  i kujtohen: shikimi i babait, Krena – ai lumë i lundrueshëm përmes Gjakovës – vendlindjes së poetit, pastaj fëshfërima e erës mbi Çabrat, tingujt e mbytur të fyellit dhe malli i papërshkrueshëm … Pastaj na paraqiten perëndeshat. Ne kemi nevojë për ato, po kemi më shumë nevojë për nënat, dhe për to poeti është i gatshëm të bëjë sakrifica duke dhënë jetën, sepse ato ‘na mësojnë gjuhën dhe virtytet’. Kjo njohuri na mban në jetë në momentet e fundit, kur nuk ka më as edhe një fotografi, kur të dëbon atdheu, kur ndiejmë një frikë të befasishme. Atëherë qartë tingëllon

zëri i poetit si një dhiatë për të birin:

‘Merr ç’të duash nga gjaku im

nga dashuria ime merr ç’të duash’…

(‘Im bir’)

Në fjalitë e fundit hoqa dorë nga thonjëzat i mora këto fjali nga fjalët e poetit, të marra nga disa poezi, të bashkuara me një mendim të përbashkët.

Agim Gjakova, autor tërësisht modern dhe novator, megjithatë mbron me  ngulm sistemin tradicional shekullor të vlerave – besimin në njeriun, besimin në vetvete. Heroi i tij lirik përballet me frikën, vuan nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, e shqetësojnë dhe e mundojnë demonët e Dëshpërimit dhe të Mosbesimit, e megjithëkëtë nuk dorëzohet, mbetet përjetësisht i ri, dhe  gatshëm  para sfidave të tjera karshi të papriturave të jetës. Madje di të shikojë vetveten me ironi të hidhur…

*      *      *

‘hutohu habitu hallakatu hasharitu

o qytetar e bashkëvendës

i varrezave

shoh

se miradija jote është bërë emër kuptimi’

(‘Fillesë’)

Ekzistenca në mes të agonisë dhe shpresës, siç shkroi një herë me të drejtë kritiku i njohur polak dhe,  njëherazi miku im Piotr Kuncewicz, duke e përcaktuar fatin e shkrimtarit bashkëkohës.

Në rrëfimet e tij të dëshpërimit dhe të mallit poeti është modest, i mirëfilltë, tronditës dhe i vërtetë…

*       *      *

‘ Pse o ylber nuk ke edhe ngjyrë të zezë

kur ma marrin të dashurën

e më lënë të rrezbitem

nëpër shkarravina’

(‘Vjollca’)

Jo, nuk është lehtë të jetosh në një botë mashtruese dhe në një kozmos të pasigurt. E kërkojmë Prometeun, duke mos mbajtur mend tashmë mitin e zjarrit. Përreth jehojnë zërat që zgjojnë tmerrin…

*      *     *

‘Në rrangallat e fqinjëve krimben prapësitë ju lëvizni mashtrues perversë…’ (‘Zërat’) dhe bota e dukshme në zgrip… Dhe shpresat tona, shpëtimi, ndihma? Na shpëtojnë rrjedhat, valëzat e përtërira, rryma e barabartë apo e rrëmbyeshme, ujëvarat…

Edhepse përmbytja  e papritur na tmerron, megjithëkëtë gjithnjë po ata lumenj të lundrueshëm, lumenj shekullor që na përtërijnë forcat tona dhe,  ringjallet vullneti për të luftuar dhe për shtegtime të mëtejshme, drejtpeshimi i forcave vitale dhe psikike, ndonëse nën Diellin me një sy – ciklopin.

Në pyetjet përplot të hidhura, në të vërtetë  në poezinë shprehëse ‘Mallkimi’ pasqyrohet ankesa mbase më e hidhur dhe tragjike:

*       *       *

‘ pse më paske mallkuar kësisoj

o Zot!’

Pastaj prapë e lexoj dhe mendoj, se Zoti megjithatë nuk e goditi autorin me mallkim, dhe në qoftë se e ka harruar, atëherë një kohë të shkurtër. Zoti i dha si dhanti  një prirje dhe talent të pazakontë, mundësinë e ngashërimit të thellë ndaj lexuesve dhe dëgjuesve, mundësinë e zgjimit tonë nga indiferenca, të zgjimit të ndërgjegjeve të shumë poetëve, jo vetëm të poetëve shqiptar, e dhuroi me zërin jashtëzakonisht të fuqishëm, fisnik dhe të bukur. Pastaj i fali, i dhuroi dhembjën, vuajtjen, dëshpërimin, ndjenjën e vetmisë, duke parë  se këto ndjenja  janë të nevojshme për poetin madje edhe te domosdoshme, duke krijuar dhe formuar individualitetin e tij te fuqishëm krijues çfarë është Agim Gjakova, duke i dhënë forcë mbijetese. Zoti, në qoftë se është Zot – nganjëherë e di se çfarë bën.

Do të doja për fund të theksoj rolin e rëndësishëm  të përkthyesit, i cili me një mjeshtëri të përkryer ka bërë përkthimin e teksteve subtile dhe shumështresëshe.

Mazllum Saneja një poet dhe përkthyes i njohur në botën e letërsisë, para së gjithash edhe poet, duke përkthyer poezinë, është varianti më i mirë, që ndërlidh dhe afron në mes vete njerëzit dhe popujt…

Varshavë, fundi i prillit 2013,

*    (Parathënie e librit me poezi të zgjedhura ‘Saga o wietrze’(Saga flurore) e poetit tonë të mirënjohur Agim Gjakova.

ANDRZEJ ZANIEWSKI, Poet, prozator dhe kritik i njohur në bote

( Përktheu nga polonishtja:Mazllum Saneja )

 

 

 

Filed Under: Featured

Al Qaida po frymon në vendin tonë?!

January 14, 2014 by dgreca

Nuk mund të luftosh në Siri për njerëzoren?!… /

Depërtimi i ideologjive fetare në Kosovë vec ka fillue ta vë në rrezik qenjen, ne nuk kishim dëgjuar më heret për sekte që ka feja Islame?!… ne e njiheshim fenë Islame si fe të tolerancës dhe mirësisë./

Nga Gazmend Islami/*

Shkuarja e shqiptarëve në luftërat e fundit të përfshira si Pranverat Arabe po rezulton të jetë ndër gabimet më të mëdha që mund të bëjë një qytetar shqiptar. Cilido qoftë qëllimi i shkuarjes për tu ndihmuar për „çlirim“ nga vet ata që i kanë zgjedhur, po shihet se është jo njerëzore sepse ata si popuj janë jonjerëzorë, kjo mund të ilustrohet më së miri shembull; me Egjiptin, Irakun, Libinë. Fatkeqësia e gjithë kësaj qëndron në atë se, dhe pse aty i përmbsyën pushtet aty nuk u krijua kurrë paqe e mirëfilltë. Këta janë popull pa ndiejna, janë shtazarak dhe popull me më së paku besim. Të shkosh t´i ndihmosh të çlirohesh, ata prapa të vrasin , ata në fund i hanë edhe fëmijën e vet, e lere më të huajin. Kthehuni në vendin e juaj edhe mësoni nga ky rrugëtim sepse atje nuk luftohet as në emër të fesë e as të njerëzores, atje luftohet për interesa të fiseve, bandave, krimineleve më të fëlliqur që mund ti njeh njerëzimi. Masakrat e publikuara në faqe të internetit, prerje kokash të fëmijëve, nxjerrje syve, prerje gjymtyrësh, varrosje për së gjalli, këto vetëm janë disa nga tmerret që bëjnë ata që janë të dënuar në këtë botë dhe botën tjetër. Sa është e dhimbshme të shohesh qytetarët tanë të vdesin e vriten si lepujt neper rrugët e mallkuara të vendeve të mallkuara. Zoti nuk i do ata se ata nuk janë me Zotin, ata nuk janë me botën, ata janë me të mallkuarat dhe të tillë do të mbesin. Ky fenomen i shkuarjes të të rinjve tanë në thirrje të luftës së shenjët për zotin I duhet edhe një studim të mirëfilltë se si ka mundur që brenda 15 viteve që nga përfundimi i luftës të krijohet ky mentalitet i djallit që rrezikon jo vetëm veten dhe familjen por këta rrezikojnë shoqërinë, kombin dhe krejt njerëzimin. Thjeshtë, kësaj shtrese u duhet një terapi psikologjike sepse këta tash kanë s’mundje të rrezikshme, dogma e tyre është e tillë. Shteti i së drejtës duhet të ndihmojë por edhe të parandalojë të gjithë ata që po punojnë në degjenerimin dhe varfërimin e kombit tonë nga elemente të pistë që janë duke punuar dhe po punojnë vazhdimisht që të çoroditemi si shoqëri. Kjo është e rrezikshme dhe e neveritshme. Të shkruajmë për këtë fenomen si erdhi dhe nga kush erdhi kjo ideologji e prishur dhe kush janë ata që e përhapën këtë idiotizëm dhe kush po e mbron në heshtje e kush po e mbron haptas këtë fenomen që më par kurr nuk ka qen dhe as që është folur në trojet tona. Depërtimi i ideologjive fetare në Kosovë veq ka fillue ta vë në rrezik qenjen, ne nuk kishim dëgjuar më heret për sekte që ka feja Islame, ne e njiheshim fenë Islame si fe e tolerance dhe mirësisë. Por në fillim të viteve ’90 të shekullit XX në Kosovë u shfaqën disa rryma apo sekte fetare, për të cilat më herët nuk kishim dëgjuar. Ato në Kosovë erdhën dhe depërtuan në emër të “Luftëtarëve të islamit të pastër”, siç e quajnë veten vahabinjtë. Aktivitetin e tyre në Kosovë e filluan në atë kohë kur pushteti i Serbisë nuk kishte interes që t’i pengonte, prandaj ato filluan të shtriheshin ne shkallë vendi pa pengesa. Sekti Vehabi apo ideologjia e saj nuk ka më dilem se është bërë shumë e rrezikshme jo vetëm ne Kosovë por edhe në mbarë botën, sepse këtë idelogji e përkrah AL- KAIDEA, pra nuk do shumë koment për këtë organizatë terroriste, pra Vehabit përndyshe vetëm ua trasojnë rrugën AL- KAIDEA.

Duke pas parasysh se siguria e një vendi varet nga raporti i forcave në një peshore, në të dy anët e së cilës janë dy grupe të shoqërisë. Njëri grup janë forcat e sigurisë së këtij vendi; ushtria, policia, shërbimi inteligjent, ndërsa grupi tjetër janë ata njerëz në shoqëri të cilët, për nga bindjet që kanë, përbëjnë një forcë potenciale, e cila mund të ndërmarrë veprime të armatosura për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues dhe marrjen e mbajtjen e pushtetit me forcë. Logjika të thotë se siguria e një vendi fillon të kërcënohet seriozisht kur grupi i dytë, ai që është i prirur për veprime të dhunshme, fillon e i afrohet numerikisht grupit të parë, pra forcave të sigurisë. Në Kosovë numri përkrahësve të disa sekteve po rritet me shpejtësi të madhe atëher rreziku do t´i kanoset edhe ma tepër në 3 deri në 5 vitet e ardhëshme Kosova do të bëhët vatër potenciale e terrorizmit fetar Islamik. Lufta e fundit në Siri dhe shkuarja për luftimin e një kauze të ashtuquajtur në emër të mbrojtjes së ‘’Islamit të pastër’’ ishte dhe do të jetë gabim i madh dhe i pafalshëm, jo vetëm për ata që janë shkuar por edhe për ata të cilët i kanë nxitur të shkonin. Duke marrë parasysh se lufta në Siri nuk është luftë për çlirim nga robëria por luftë e klaneve, e fiseve dhe sekteve fetare të cilat po e terrorizojn popullatën e tyre të pambrojtur. Viktimat kryesore të kësaj lufte të pist janë kryesisht; gra, pleq dhe fëmijë. Shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera që shkuan të luftonin në Siri për luftën e ‘’shejtë’’ ata u zunë dhe u vranë si lepujt, po nga ata që së bashku luftuan në të njëjtin front ishin , e të tjerët që kan mbetur atje tash kanë filluar të mendojnë se dikush i ka keqpërdorë dhe ata tash po kthehen masovikisht në vendet e tyre, sepse ata e kanë kuptuar se qëllimi nuk qenka ajo për të cilën kanë menduar se po luftojnë”. Dikush duhet të japë përgjegjësi, pra duhet të kërkohet përgjegjësi prej atyre që i kanë manipuluar këta persona që tash po kthehen nga Siria të vrarë. Dikush duhet të japë përgjegjësi për ata djem që u manipuluan dhe tash po ju kthehen familjeve në arkivole e përgjegjësia bie mbi ata që bënin thirrje të shkojnë në “Xhihad”, si në Xhamia, rrjetin sociali facebook, yutube etj. Pasi që nuk është e vështirë të identifikohen ata që i nxitën të rinjët të shkoin në luftën e Sirisë, shteti i Kosovës duhet t’i arrestojë dhe të marr masa për nxitësit që i quan të rinjtë tanë të vriten për konfliktet e fiseve dhe sekteve fetare në Siri.

*Autori eshte analist edhe gazetar

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: A Qaida, frymon ne vendin tone, Gazmend Islami

Në ishullin postmodern të Blushit

January 14, 2014 by dgreca

Nga Albana Alia/*

(Rreth librit të studiuesit  Behar Gjoka, Fenomeni Blushi ) Lexova me vëmendje e kënaqësi librin e fundit “Fenomeni Blushi” të studiuesit Behar Gjoka. Është një libër interesant, që trajton që në faqet e para arsyet e këtij fenomeni në letërsinë shqiptare bashkëkohore nëpërmjet një analize sintezë, por më tej edhe të detajuar, të romaneve të suksesshëm të autorit Blushi; Të jetosh në ishull, Otello. Arapi i Vlorës e Shqipëria. Pasi realizon njëexcursus të shpejtë të dimensioneve të ndryshme të personalitetit të Blushit si politikan, gazetar e shkrimtar, studiuesi Gjoka përqendrohet në disa aspekte teorike të përgjithshme e të nevojshme për shqyrtimin e romaneve dhe, në veçanti, në çështje teorike për inkuadrimin e tyre në letërsinë postmoderne. Ndër dy rrymat kryesore të tendencës kulturore të postmodernizmit, Gjoka klasifikon veprat e Blushit në atë që Linda Hutcheon do ta quante historiographic metafiction. Në kundërshtim me idenë e profesorit amerikan Fredric Jameson, që insiston në mungesën e aftësisë kritike të subjektit postmodern, studiuesja kanadeze flet për mundësinë që ka ky subjekt të ri-mendojë, të ri-pyesë historinë duke hedhur dritë të re nëpërmjet elementesh të tilla si ironia e parodia që, në të njëjtën kohë, legjitimojnë por edhe vënë në diskutim objektin e studimit, duke afruar të shkuarën me të tashmen për të kuptuar pasojat ideologjike të vazhdimësisë e të ndryshimeve mes tyre. Studiuesi i analizon si libra të veçantë ku autori dialogon me lexuesin duke zgjuar edhe në këtë të fundit pyetje për historinë, letërsinë, artin në përgjithësi. Gjendja e subjektit postmodern ka ndryshuar; edhe intelektualët kanë një Weltanschauung tjetër, prandaj kemi të bëjmë me një ri-përpunim të kujtesës kolektive e të historisë; si rrjedhim, çmitizohen mitet historike e letrare të së kaluarës e rikonsiderohen estetikisht nga pozita të tjera kritike. Për më tepër, e kaluara mbetet edhe si referim kryesor historik e artistik. Mes traditës e talentit individual eliotian, Blushi ri-shkruan. Rishkrimi përfton një rëndësi të veçantë për qarkullimin e kulturës, por edhe për një rivështrim kritik të saj. Te këto romane ai paraqitet edhe si transtekstualitet (cit. G. Genette), si deuteros logos (në rastin e Otello, Arapi i Vlorës, si ipertekst i Tragjedia e Otellos. Arapi i Venedikut e Ë. Shakespeare); si paratekstualitet, apo titull i manipuluar; si intertekstualitet, apo prani e (pa)dukshme tekstesh të tjera; si intratekstualitet, apo  ndërthurje tekstesh të të njëjtit autor, në këtë rast të vetë Blushit; si metatekstualitet, apo interpretim kritik tekstesh të tjera. Romanet e lartpërmendur i përkasin literaturës postmoderne pa lënë mënjanë edhe mjaft elemente moderne. Gjoka paraqet dhe argumenton idenë se veprat e Blushit vërtet i përkasin një modernizmi elitar që përmban në vetvete dimensionin e një kritike politike, por këtu kemi të bëjmë edhe me një vepër të veçantë artistike postmoderne, që i drejtohet njëkohësisht, kulturës së lartë e asaj të masave; një vepër letrare e historike hibride që përfshin të shkuarën e të tashmen duke njohur ndikimin e të parës te kjo e fundit. Në shqyrtimet e të tre teksteve, studiuesi, pas një leximi të vëmendshëm, veçon me kujdes elementet e pranishëm të tendencës postmoderne: ironinë, parodinë, fragmentimin letrar, decentralitetin e ngjarjeve e të situatave; çështje të rëndësishme si historia e vogël në raport me historinë e madhe në sfond, feja/ateizmi, marrëdhëniet shoqërore  e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të një populli, letërsinë si art të fjalës me konotime të shumta, të shkruar apo gojore nëpërmjet miteve, legjendave, që çmitizohen apo riaktualizohen, por edhe figurat retorike si pjesë përbërëse të teksteve, me fokalizim të veçantë te simbolika e sistemi metaforik i urës, udhëkryqit e ishullit që barten në të tre romanet, aluzion i qartë i ishullit të tragjedisë shakespeareane apo i ishullit utopik/distopik të njërës prej veprave të fundit të Shakespeare-it The Tempest. Në realitetin aktual distopik, çdo model paradigmatik utopie do të përbënte një ishull lumturie të idealizuar, të parealizueshëm po të mos ri-konsideroheshin e të ri-vlerësoheshin me sy kritik e kaluara, kujtesa kolektive, historia e letërsia, kultura e një populli në përgjithësi. Gjoka, pas një analize të gjerë e të përkushtuar, vë në dukje se romanet e Blushit arrijnë të demistifikojnë në njëfarë mase e të çmitizojnë figura të rëndësishme historike apo letrare si Skënderbeu, Balshajt, Lekë Dukagjini, Enveri apo Otello, duke katalizuar shpesh gjatë studimit të tij kritik disa nga drejtimet e kërkimit eksperimental të Blushit në strukturën e formën e tekstit, në stilin e veçantë të rrëfimit, në projektimin e fragmenteve të ngjarjeve e të mendimeve në një (jo)kohë, në një (jo)hapësirë, megjithëse, në një vështrim të sipërfaqshëm, tepër të përcaktuara. Këto fragmente në rrjedhën apo mbivendosjen e tyre sintetizohen në një ide të vetme, atë të paradoksit ekzistencial të shqiptarëve, nga njëra anë (fat)keqësia e tyre, si banorë të veçuar, të izoluar të një “ishulli” real/të projektuar apo metaforik apo kalimtarë të vetmuar në udhëkryq, nga ana tjetër pozicionimi i tyre gjeografik, historik, gjuhësor, etj., tepër i veçantë ku marrëdhëniet e komunikimi me të tjerët do të ishin të mundshëm e të frytshëm.  Në këtë ishull postmodern siç do ta cilësojë studiuesi, kërkimi në histori e në kujtesën kolektive, pyetjet e vazhdueshme e rivlerësimi, por edhe riaktualizimi i miteve letrare apo historike, do të ndihmojnë në një projektim tjetër të identitetit të shqiptarëve. Analiza e kujdesshme do të çojë studiuesin në përfundime të arsyetuara në lidhje me trilogjinë e Blushit por, në ndonjë rast, edhe në një frazë të tillë paksa të diskutueshme: “Blushi, me shkrimin e tri romaneve, është autori, që shkëputet nga modeli i prozës, që është shkruar deri më tash, së paku në hapësirën e shtetit amë.” Ajo që të bën përshtypje në leximin e këtij libri është ideja që analiza e thellë e një teksti letrar shpesh të lejon mundësinë e krijimit të një empatie të veçantë me vetë tekstin duke shijuar çdo element të strukturës së tij imagjinative, por dhe përjetimin e krijimit artistik si një proces të vështirë dhe plot sakrifica.

*Falenderojme autorin e librit qe e dergoi artikullin per Diellin

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • 771
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT