Nga Albana Alia/*
(Rreth librit të studiuesit Behar Gjoka, Fenomeni Blushi ) Lexova me vëmendje e kënaqësi librin e fundit “Fenomeni Blushi” të studiuesit Behar Gjoka. Është një libër interesant, që trajton që në faqet e para arsyet e këtij fenomeni në letërsinë shqiptare bashkëkohore nëpërmjet një analize sintezë, por më tej edhe të detajuar, të romaneve të suksesshëm të autorit Blushi; Të jetosh në ishull, Otello. Arapi i Vlorës e Shqipëria. Pasi realizon njëexcursus të shpejtë të dimensioneve të ndryshme të personalitetit të Blushit si politikan, gazetar e shkrimtar, studiuesi Gjoka përqendrohet në disa aspekte teorike të përgjithshme e të nevojshme për shqyrtimin e romaneve dhe, në veçanti, në çështje teorike për inkuadrimin e tyre në letërsinë postmoderne. Ndër dy rrymat kryesore të tendencës kulturore të postmodernizmit, Gjoka klasifikon veprat e Blushit në atë që Linda Hutcheon do ta quante historiographic metafiction. Në kundërshtim me idenë e profesorit amerikan Fredric Jameson, që insiston në mungesën e aftësisë kritike të subjektit postmodern, studiuesja kanadeze flet për mundësinë që ka ky subjekt të ri-mendojë, të ri-pyesë historinë duke hedhur dritë të re nëpërmjet elementesh të tilla si ironia e parodia që, në të njëjtën kohë, legjitimojnë por edhe vënë në diskutim objektin e studimit, duke afruar të shkuarën me të tashmen për të kuptuar pasojat ideologjike të vazhdimësisë e të ndryshimeve mes tyre. Studiuesi i analizon si libra të veçantë ku autori dialogon me lexuesin duke zgjuar edhe në këtë të fundit pyetje për historinë, letërsinë, artin në përgjithësi. Gjendja e subjektit postmodern ka ndryshuar; edhe intelektualët kanë një Weltanschauung tjetër, prandaj kemi të bëjmë me një ri-përpunim të kujtesës kolektive e të historisë; si rrjedhim, çmitizohen mitet historike e letrare të së kaluarës e rikonsiderohen estetikisht nga pozita të tjera kritike. Për më tepër, e kaluara mbetet edhe si referim kryesor historik e artistik. Mes traditës e talentit individual eliotian, Blushi ri-shkruan. Rishkrimi përfton një rëndësi të veçantë për qarkullimin e kulturës, por edhe për një rivështrim kritik të saj. Te këto romane ai paraqitet edhe si transtekstualitet (cit. G. Genette), si deuteros logos (në rastin e Otello, Arapi i Vlorës, si ipertekst i Tragjedia e Otellos. Arapi i Venedikut e Ë. Shakespeare); si paratekstualitet, apo titull i manipuluar; si intertekstualitet, apo prani e (pa)dukshme tekstesh të tjera; si intratekstualitet, apo ndërthurje tekstesh të të njëjtit autor, në këtë rast të vetë Blushit; si metatekstualitet, apo interpretim kritik tekstesh të tjera. Romanet e lartpërmendur i përkasin literaturës postmoderne pa lënë mënjanë edhe mjaft elemente moderne. Gjoka paraqet dhe argumenton idenë se veprat e Blushit vërtet i përkasin një modernizmi elitar që përmban në vetvete dimensionin e një kritike politike, por këtu kemi të bëjmë edhe me një vepër të veçantë artistike postmoderne, që i drejtohet njëkohësisht, kulturës së lartë e asaj të masave; një vepër letrare e historike hibride që përfshin të shkuarën e të tashmen duke njohur ndikimin e të parës te kjo e fundit. Në shqyrtimet e të tre teksteve, studiuesi, pas një leximi të vëmendshëm, veçon me kujdes elementet e pranishëm të tendencës postmoderne: ironinë, parodinë, fragmentimin letrar, decentralitetin e ngjarjeve e të situatave; çështje të rëndësishme si historia e vogël në raport me historinë e madhe në sfond, feja/ateizmi, marrëdhëniet shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të një populli, letërsinë si art të fjalës me konotime të shumta, të shkruar apo gojore nëpërmjet miteve, legjendave, që çmitizohen apo riaktualizohen, por edhe figurat retorike si pjesë përbërëse të teksteve, me fokalizim të veçantë te simbolika e sistemi metaforik i urës, udhëkryqit e ishullit që barten në të tre romanet, aluzion i qartë i ishullit të tragjedisë shakespeareane apo i ishullit utopik/distopik të njërës prej veprave të fundit të Shakespeare-it The Tempest. Në realitetin aktual distopik, çdo model paradigmatik utopie do të përbënte një ishull lumturie të idealizuar, të parealizueshëm po të mos ri-konsideroheshin e të ri-vlerësoheshin me sy kritik e kaluara, kujtesa kolektive, historia e letërsia, kultura e një populli në përgjithësi. Gjoka, pas një analize të gjerë e të përkushtuar, vë në dukje se romanet e Blushit arrijnë të demistifikojnë në njëfarë mase e të çmitizojnë figura të rëndësishme historike apo letrare si Skënderbeu, Balshajt, Lekë Dukagjini, Enveri apo Otello, duke katalizuar shpesh gjatë studimit të tij kritik disa nga drejtimet e kërkimit eksperimental të Blushit në strukturën e formën e tekstit, në stilin e veçantë të rrëfimit, në projektimin e fragmenteve të ngjarjeve e të mendimeve në një (jo)kohë, në një (jo)hapësirë, megjithëse, në një vështrim të sipërfaqshëm, tepër të përcaktuara. Këto fragmente në rrjedhën apo mbivendosjen e tyre sintetizohen në një ide të vetme, atë të paradoksit ekzistencial të shqiptarëve, nga njëra anë (fat)keqësia e tyre, si banorë të veçuar, të izoluar të një “ishulli” real/të projektuar apo metaforik apo kalimtarë të vetmuar në udhëkryq, nga ana tjetër pozicionimi i tyre gjeografik, historik, gjuhësor, etj., tepër i veçantë ku marrëdhëniet e komunikimi me të tjerët do të ishin të mundshëm e të frytshëm. Në këtë ishull postmodern siç do ta cilësojë studiuesi, kërkimi në histori e në kujtesën kolektive, pyetjet e vazhdueshme e rivlerësimi, por edhe riaktualizimi i miteve letrare apo historike, do të ndihmojnë në një projektim tjetër të identitetit të shqiptarëve. Analiza e kujdesshme do të çojë studiuesin në përfundime të arsyetuara në lidhje me trilogjinë e Blushit por, në ndonjë rast, edhe në një frazë të tillë paksa të diskutueshme: “Blushi, me shkrimin e tri romaneve, është autori, që shkëputet nga modeli i prozës, që është shkruar deri më tash, së paku në hapësirën e shtetit amë.” Ajo që të bën përshtypje në leximin e këtij libri është ideja që analiza e thellë e një teksti letrar shpesh të lejon mundësinë e krijimit të një empatie të veçantë me vetë tekstin duke shijuar çdo element të strukturës së tij imagjinative, por dhe përjetimin e krijimit artistik si një proces të vështirë dhe plot sakrifica.
*Falenderojme autorin e librit qe e dergoi artikullin per Diellin