• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatrani më i ri në Degën e Vatres në Detroit

December 31, 2013 by dgreca

Nga Valentin Lumaj/

E njohur tashmë si një nga Degët më të vjetra të Vatrës ( Dega 33 e Detroitit ) shtohet me  “vatranin” më të ri, të cilin Kanunorja “se  pranon”, por  gjyshi i tij ka vendosur t’i paguaj kuatizacionin per vitin 2014 dhe vitet ne vazhdim. E ky është Emiljano Rakaj, djali i sapolindur i Sekretarit e Vatrës për Degën e Detroitit, Mondi Rakaj. I ati i Mondit, Pal Rakaj e ka vendosur këtë pa asnjë ngurrim, sapo Emiljano ka lindur. “ Ja edhe vatrani më i ri”, – thotë Pali, kur na fton për një kafe, e cila siç shihet i kalon kufijtë e kafes.

Të pranishëm në këtë gëzim ishin Don Fran Kola, Famullitari i Kishës Katolike të Shën Palit, një nga Qendrat më të njohura fetare dhe kombëtare në emigracion, Alfons Grishaj “ Pishtar i Demokracisë” dhe Kryetar i Degës së Vatrës në Michigan, Botuesi Pjeter Jaku, aktivistet e njohur Kujtim Qafa, Julian Çefa etj.

Përshëndetjet dhe urimet në raste të tilla janë të pakursyera, ashtu siç janë dhe deshirat e secilit për të marrë pjesë në gëzime si ky. Secili prej nesh e  ka pasë një ditë të tillë, mvaret se si  e kanë përjetuar dhe se ku. Në emigrim, gëzimi i lindjeve bëhët i dyfishtë. Çdo njëri i lindur në emigracion mbart me vete gjithë jetën peshën e dy atdheve, atdheun e babait dhe të kombit prej nga vjen dhe atdheun ku ka lindur. Të lindësh në Amerikë është një privilegj që shumëkush në botë e deshiron. Fëmija, natyrisht nuk e din  se ku ka lindur, por e ndjen dorën e një vendi si Amerika dhe, disa herë më mirë është kur e ndjen edhe dorën e  përkushtimin e  prindit.

Emiljani, si dhe shumë fëmijë të tjerë shqiptarësh dhe nacionalitetesh të tjera, që lindin në Amerikë, kanë nevojë për një pikë reference në patriotizmin dhe frymën kombëtare, me të cilën duhen rritur dhe për të cilën i detyrohen gjithë jetën prindërve, atdheut dhe  fëmijëve të tyre. Vitet kalojnë shpejt e asgjë nuk duhet lënë për nesër, ndaj “ nxiton “ Pal Rakaj për ta “berë” anëtar të Vatrës, ndaj gëzohet Nëna Gjyle, ndaj ndjehet mirë nëna që e lindi Matilda që para pak muajsh e la atdheun, ndërsa Fredi, xhaxhai i Emiljanos, mendon se si do ketë fatin e tij dhe të gjithë e urojnë dhe presin dasmen!

Mondi, tashmë baba mediton familjen, të nesërmen, duke parë në sytë e tij të qeshur, Palin dhe Gjylen, Ferdin dhe motren, duke parë gjithë udhën, prej nga erdhi deri këtu.

Le të kemi sa më shumë fëmijë e prindër të tillë për t’i shtuar atdheut, për t’i shtuar shqiptarisë një vatran si Emiljani!

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Emiljano Rakaj, vatrani me ri

NE KUJTIM TE KAPEDANIT TE MIRDITES

December 31, 2013 by dgreca


Copëza kujtimesh për mikun tim të paharruar Kapidanin e Mirditës
Ndue Gjonmarku (1914-2011)/
 
 Nga Tomë Mrija/
 
 Trojet etnike shqiptare, gjatë shekujve të historisë së lavdishme, kanë nxjerrë burra të shquar të pushkës dhe penës, të cilët, ishin dhe mbetën ndera e krenaria, jo vetëm e krahinës, ku, ato janë lindur dhe rritur, por edhe më gjërë, duke qenë gjithëkombëtarë, për kontributin e madh, që dhanë gjatë jëtës së tyre.
Kur këto patriot të shquar, nuk ndodhen sot në mesin tonë, ne me nostalgji përkujtojmë veprën e tyre, që gjithnjë do të mbetët e pavdekshme në panteonin e ndritur të historisë shqiptare.
Nga ana tjetër, kur një personalitet të komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë e ke njohur nga afër (për shumë dekada), ke folur dhe kuvenduar shtruar, me orë të tëra, në takimet mes liderëve apo bisedave të lira si miq shtëpie këtu, në çdo çast, kur përmendet emëri i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku, më rizgjohen kujtime të hershme të paharruara dhe shumë domethenësë, për këtë pinjollë të derës së famshmë, që ka një histori të lavdishme shumë shekullore.
Kur lexon sot bilancin e hidhur, që përjetoi Dera e famshme e Kapidanëve të Mirditës, shohim, se kjo principatë, është ndera dhe krenaria jonë e ligjshme, që mundi të mbijetoi me stërmundime për 5 shekuj mizorisë otomane, por që për hironi të fatit të keq, u tjetërsua (bijtë më të mirë të Derës së Kapidanëve) u vranë, u burgosën (torturuan mizorisht deri në vdekje), u internuan familjarisht,  në kampet e përqendrimit, u vodhën dhe shkatërruan të gjithë pasurinë materiale, dokumentare dhe sekuestruan kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës…).
Kjo histori e hidhur, u ndodhi sistematikisht nga bashkëkombasit komunistë, që po me barbarizëm dhe urretje po realizonin planin bolshevik për zhdukjen e plotë të historisë së lavdishme të Principatës zëmadhe të Kapidanëve të Mirditës.
Mbas pushtimit dhe kolonializimit pesë shekullorë të Perandorisë mizore Otomane në trojet e Arbërit, shohim, se për fat të keq, kemi shuarjen e plotë të gjithë principatave shqiptare (për një arsye apo tjetër), gjatë rrjedhave të historisë, të cilat sot nuk ekzistojnë më, por që përmenden në analet e historisë dhe librat shkollore të arsimit shqip në trojet etnike shqiptare.
E vetmja, që mundi t’i bëj ballë me sukses rrëbesheve të përgjakshme të armiqve shumë shekullorë, ishte dhe mbeti Principata e Dukagjinit, që kulmon me histori të lavdishme të mishëruar tek Pal Dukagjini dhe më pas shumë i mirënjohuri Lekë Dukagjini, që na la trashëgim Kanunin, me të njëjtin emër, që ndryshe është kodi juridik i malësive tona, e cila vijon të ndiqet me respekt deri në kohën moderne.
Nga kjo derë principate në fjalë, vjen pinjolli, juristi Kapidani i Mirditës Ndue Gjonmarku, i shkolluar në universitetet më të njohura të Europës, si Austri dhe Itali.
Këtë vit mbushën 3 vjet, kur më 4 Janar 2011, në Spitalin “North Shore” Forest Hills, Queens NY, në moshën 97-vjeçare, u nda nga jeta Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, i rrethuar nga familja, vëllai Kapidan Nikollë Gjonmarku, djali Gjoni dhe vajzat: Kristina, Bardha dhe Aleksandra. Ishin të pranishëm meshtari Dom Pjetër Popaj dhe miqte e ngushtë të familjes Gjomarku: Dr. Gjon Buçaj Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, miku i familjes Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë të Prizrenit” në ShBA.
Si e njoha unë Kapidanin Ndue Gjonmarku?
Me ardhjen time në New York, në vitin 1978, pata fatin, nderin dhe kënaqsinë e veçantë, të njihem nga afër dhe të mbesim miq të pandarë, me mikun e paharruar deri sa ai kaloi në amshim.
Në Orosh të Mirditës, lindi më 29 shtator 1914 Ndue Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.
Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.
Babai Gjoni, përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku, midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës.
I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali), për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë.
Ai, për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës, ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut.
Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë, që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë, ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës etj., duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.
Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast, i cili, ju ka mbetur në kujtesë. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16-17-vjeçar e m’kujtohet rasti kur n’Shkodër po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis Imzot Gaspër Thaçi (1882-1946). Paria e Shkodres, vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket ceremoni të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirditë. Ata me thanë, se ju mund t’a zavendsoni Kapidan Gjonin. Unë me shumë knaqsi mora pjesë në shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjesë krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, Pogu, Bianku, etj., ku ma caktuen vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve italian dhe jugosllav. Isha shumë i ri me marrë pjesë në atë rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mirë proven e parë, mbasi në Kullën e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…”.
Edhe studiuesi Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun… Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht, me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”. (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq.101).
Në bisedë e pyes Kapidanin, se si e kalonit kohën në malet e pashkëlura të Mirditës. Ai si zakonisht, me një buzëqeshje fisnike, më përgjigjet: “Mirdita, për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites, na ka dasht e respektue edhe ma shumë. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kanë kenë të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shumë mirë me popull dhe kena kenë tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tanë krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Derën tonë”.
Dera e Gjonmarkut
ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit
 E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe, asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe të bijve të tij: Dr. Mark Gjonmarku (Ministër i Brendshëm), Ndue Gjomarkut dhe Llesh Gjonmarkut, të cilët, gjithnjë kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja, sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.
Atë e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, kësaj ideologjie të shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve, që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone.
Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetadashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore.
Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944, i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste, si: “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.
Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht, se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur (Mirditës), lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari.
Ai, ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit.
Sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan z. Lamaj për këtë çështje, i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).
Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët, gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve.
Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku, i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër.
Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja, do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.
Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë, me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare, që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar, më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij, për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane, të drejtuara nga Mehmet Shehu, me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha.
Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjonmarku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë.
Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të ngujohet në Sh’Pal. Kështu fillon një luftë e ashpër, midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtonin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletare, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 29 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.
Megjithë rezistëncën e madhe, për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste, Ndue Gjomarkaj, jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, që ishte kthyer në një qendër të madhe të rezistencës antikomuniste.
Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit, për planin e ri, që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet luftarake, që do të bëhen me forcat komuniste.
Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjonmarku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.
Atë e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk, me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij.
Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue, mendoi të bashkoi forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike, kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve, është edhe krijimi i partisë politike me emrin  “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor 1990, duke i qëndruar me dinjitet deri në fund, ku e mbylli me nderë e njerëzi.
Gjatë vitit 1948, në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikanë, Kapidanit Ndue i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku, bënin pjesë shumë antarë të Blokut.
Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë, të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.
Bloku, bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë, synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo, rruga e nisur nuk ishte e kollajt, mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.
Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjonmarkut hasin në pengesë, për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën, që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës, për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë, që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj.
Ndue, do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo-amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane.
Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.
Kapidani, kishte një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashërin. Për figurën dhe veprën e tij, Kapidani, flet me një admirim të veçantë, për arsye sikurse thotë, se: “Ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.
Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjonmarku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “Pro Deo” në Romë.
Çifti i ri, do të gëzohet me lindjen e tre vajzave: Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit.
Kapidan Ndue, u interesua qysh në fillim të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë të larta kolegjet më të njohura në ShBA.
Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku, aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti, për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder, të cilën e mbajti deri në moshën 97-vjeçare, kur ai kaloi në amshim.
Veprimtaria e Kapidanit, është shumë e madhe me shkrime publicistike, në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.
Famlja, do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez mbas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë.
Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin, shkrimtarin, meshtarin e palodhur, bashkëvendasin e bashkemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së Parë Shqiptare në ShBA “Zoja e Shkodrës”, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin (1912-1989).
Gjatë viteve të fundit të jetës, ai po merrej me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që i janë bërë (gjatë kohëve të ndryshme) veprës së Atë Shtjefen Kryeziu Gjeçovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e la në dorëshkrim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze, është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”.
Mirdita, është krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanëve, bijtë e nderuar të së cilës njeri mbas tjetrit, bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njeri-tjetrin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.
Mbas gjithë kësaj historie dhe kalvari të pambarim, që kaloi Dera e Kapidanëve të Mirditës, shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare, që kanë kaluar tash 24 vjet, nuk u kujtuan asnjëherë të rindërtojnë Kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe Shkodër, dhe t’i kthejnë ato në muze kombëtare, mbasi ata janë pjesë e historisë së lavishme të trojeve shqiptare ndër shekuj.
Mirëpo nga ana e tjetër, shteti e ka për detyrë, të riabilitojë dhe të vendos në piedestalin e nderit të kombit me prova konkrete deshmorët e kësaj Dere, si: Kapidan Dr. Mark Gjomarku, Llesh Gjomarku, që ranë dëshmor në malet e Veriut, në luftën e vendosur kundër komunizmit.
Vëllai i tyre, juristi Kapidani Ndue Gjomarku (në pranverën e vitit 1944), ishte i pari, që për 6 muaj me radhë, organizoi dhe ngriti në këmbë Mirditën, në luftën e armatosur, kundër qeverisë komuniste, luftë të cilën e vijoi në emigracion, me organizimin e parashutistëve në malet e Shqipërisë, sëbashku me babain e tij Kapidan Gjon Markagjonin deri me shembjen e komunizmit në Shqipëri në vitin 1990.
A mund të mohohet kontributi i madh i antikomunistit Dedë Gjomarku, që kaloi  39 vjet në burgjet e tmershme të diktaturës komuniste dhe vëllai i tyre i vogël Nikolla, i cili, e theu perden e herkut të burgut me guxim dhe kaloi jashtë kufirit!?
Gjithashtu edhe nipi i tyre Gjon Marku i Ri, i cili, u rrit në kampet e përqendrimit deri në rënien e komunizmit dhe më pas arriti të bëhet deputet në Parlamentin pruralist shqiptar, duke përfaqsuar trevën e Mirditës, ku, ka dhënë një kontribut të madh me Karitas-in austriak, duke i ardhur në ndihmë popullit të tij të shumëvuajtur, si në ndërtimin e shumë shkollave dhe ringritjen e kishave të shkatërruara.

Filed Under: Featured

Le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve!

December 31, 2013 by dgreca

GËZUAR VITI I RI 2014/

Nga Frank Shkreli/

Viti i Ri është festa më gjithpërfshirse dhe më e celebruar në botë.  Me këtë rast, ne përpiqemi që — në nivelin personal — këtë ditë ta festojmë me më të afërmit, me familje, me miqë e dashamirët tonë, për të shënuar atë që shpresojmë të jetë një fillim i ri sukesesesh dhe realizim objektivash për veten tonë dhe për familjen, njëherazi duke lënë pas, moskënaqsitë, dështimet dhe humbjet e vitit ose viteve që kaluan.  Mbi të gjitha, urojmë njëri tjetrin që Përendia të na dhurojë në Vitin e Ri, gjërat bazë dhe më të rëndësishme, siç janë jeta dhe shëndeti, për veten tonë, për familjet tona dhe për miqët dhe dashamirët tonë të ngushtë, por shpreesojmë edhe për lumturi dhe begati.

Është gjithashtu traditë që më rastin e Vitit të Ri, të angazhohemi duke i bërë vetes (dhe të tjerëve) premtime se vitin e ardhëshëm do ndërmarrim veprime dhe projekte për përmirësim, për ndreqjen e gabimeve, dhe për rritjen e vlerave dhe të cilësisë së punës dhe veprimtarisë tonë në përgjithësi.

Bëjmë urime dhe dërgojmë mesazhe frymëzimi për një Vit të Ri të lumtur, me besimin për një fillim të ri, të bindur se ky Vit i Ri do të jetë më i mirë dhe më i suksesëshëm se ai që posa mori fund.  Edhe pesimisti më i madh në këtë ditë, përpiqet që të fillojë Vitin e Ri me një qendrim më pozitiv dhe më shpresëdhënës, për një të ardhëme më të ndritur dhe më të lumtur.

Prandaj le të jetë kjo një ditë celebrimesh për ju dhe të afërmit tuaj, një ditë gjithashtu premtimesh dhe mundësishë për realizimin e objektivave të mëdha, por të jetë njëkohësisht edhe një ditë ëndërrimi dhe besimi, se viti i ardhëshëm do të jetë vërtetë më i mirë se viti që kaloi, për ne si individë, për familjen tonë të ngushtë dhe për familjen më të gjërë, kombin shqiptar dhe për vendin kudo që jetojmë, të përhapur anë mbanë botës.

Në nivelin kombëtar, Viti i Ri do të jetë një vit vendimesh me rëndësi si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.  Ky do të jetë viti vendimtar i avancimit ose jo të aspiratave të shqiptarëve për integrimin e mëtejshëm dhe të plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike.

Por për të bërë të mundur një gjë të tillë, a do jetë ky viti gjatë të cilit politika shqiptare në të gjitha trevat, do të ngrihet mbi interesat personale dhe partiake për të këthyer njëherë e mirë timonin e anijes së kombit shqiptar drejtë Europës duke përvetësuar vlerat, standardet dhe angazhimet e përbashkëta të kontinetit.  Ndonëse, shqiptarët dikur ishin mësuar të luftonin trimërisht të huajin, kryesisht të bashkuar me njëri tjetrin për idealet kombëtare, sot duket sikurë qielli i trojeve shqiptare është mjegullosur nga lufta politike vëlla me vëlla, për pushtet dhe interesa të ngushta personale, duke mos përfillur interesat madhore e afatgjata të kombit.

Besoj se të gjithë shqiptarët vullnet mirë, brenda dhe jashtë trojeve të tyre, urojnë dhe dëshirojnë që Viti i Ri 2014, të sjelli një atmosferë debati të hapur e miqësor, një debat që me të vërtetë ka munguar por një debat të cilin e meritojnë shqiptarët dhe e ardhmja e tyre në Europë.   Kjo është përgjegjësia morale dhe atdhetare e atyre që udhëheqin sot shqiptarët.

Urojnë shqiptarët vullnet mirë që të ketë një ripërtërirje rrënjësore politike e pse jo edhe morale në radhët e klasës politike shqiptare, ashtuqë interesat kombëtare — megjithë ndryshimet e theksuara në pikëpamjet e përfasuesve të kësaj klase — të bashkrendohen dhe të harmonizohen me qëllim të krijimit të shtetit dhe të një qeverisjeje në përputhje me frymën moderne të kohës, si dhe në përshtatje të vlerave dhe standardeve europiane.  Le të jetë viti 2014, viti i fillimit të integrimit përfundimtar të shqiptarëve në Europë.  Le të jetë ky brezi fatlum që realizon ëndërrën shekullore të shqiptarëve.  Le të jetë ky angazhimi serioz për Vitin e Ri — i atyre që kanë sot në dorë fatin e shqiptarëve, pa ua hedhur fajin të huajve ose njëri tjetrit — për realizimin e këtij objektivi të madh e historik në interes të kombit.

Të nderuar pjesëtarë të të gjitha ngjyrave politike, angazhonju se në Vitin e Ri që po fillon, me veprat tuaja do të lartësoni vlerat kombëtare të shqiptarëve duke ndezur një shkëndi drejtë rrugës së integrimit të plotë euro-atlantik, një rruge që do të hapë epoka të reja në historinë e shekullit 21-ët të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve. Gëzuar Viti i Ri.

Filed Under: Featured Tagged With: 2014 Viti i shqiptareve, Frank shkreli

DIELLI: GEZUAR VITIN E RI 2014!

December 31, 2013 by dgreca

GEZUAR VITIN E RI 2014!

Redaksia e Gazetes me te vjeter te Botes Shqiptare,”DIELLI” i Shqiptareve te Amerikes, u uron vatraneve, lexueseve dhe te gjithe shqiptareve: GEZUAR VITIN E RI 2014!

Nje urim i vecante shkon per bashkepunetoret e shumte te Gazetes Dielli, qe tash mbulojne jo vetem hapesiren etnike shqiptare, por edhe mergaten shqiptare nga Amerika, Kanadaja, Europa, Australia, Zelanda e Re, kudo ku ka shqiptare.

Qofte vit i mbare per Kombin Shqiptar!

GEZUAR!

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca

“PËRKRENARJA” E AT GJERGJ FISHTËS OFM…30 Dhjetor 1940

December 30, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ndoshta, ishte nder rastet e rralla që Populli i Shkodres shihte At Gjergj Fishten,me “përkrenarën” e Françeskanit Shqiptar… Sa kjé gjallë nuk pat nevojë per té!

Askujt nuk i shkonte mendja në Botë se Frati i Gjuhadolit të Shkodres, që pat vue Flamurin e Gjergj Kastriotit në kompanjelin e Kishës me 13 Qershor 1913…Bash me 30 Dhjetor 1940, do të armatosej dhe mbasi vuni edhe “përkrenarën”… do të fillonte atë betejë aq të rrebtë, sa nder pak vende të Botës ka ngja me kenë ndeshja e një Kolosi, që luften e bani me “shpatën” e pakrahasueshme të veten “Hylli i Dritës”… E mbas fitoreve të pasosuna të veta, ulej pranë një blini n’oborr… e këndonte në “Lahutë të Malcis”…

Një Europë “mrrutë”… pat kenë shtangue prej zanit Tij…

E kur e pau me “përkrenare”… nuk iu dha me besue se At Gjergji…u tha: “Paqë”!

Mejtën armët e të gjithë atyne që mateshin me Tarabosh…Ajo “përkrenare” ua nxori kllapinë e sa shekujve perpara, kur nga të kater anët barbarët donin me shue me kenë e mujtun edhe Kështjellat që vazhdonin me i pa nder andrra të hoteleve ma luksoze të kryeqyteteve Europjane…pikrisht, atëherë, kur Gjaku i Shqiptarëve pat ngallnjye!

Dy duer të Shugurueme ngjeshë per parzëm, askujt nuk iu besonte se ishin lidhë per mos me prekë ma me dorë as “heshten” e Tij, me të cilen nuk la anmik pa gjuejtë e rrëzue nder lamije e bregore të lumejve që gjarpnonin nder male e fushat tona!

Heshta e Tij nuk la tradhëtar pa rrëzue perdhé, besa dhe mbasi nuk e perdori ma!

Fëtyra e pashme e gjithmonë e qeshun dukej, sikur ra nder mendime. A thue parandjente doren e hasmit që me thikë i ndej mbas shpine? – Nuk besoj! E cila, nga veprat e Tij nuk ishte kunorë lavdije per Alpet tona e deri poshtë kah Tepelena ynë?

Deri vonë fëmijët e Manastirit, Atij Prijsit Madh mbi kalë, mbasi dielli u zhytej nder strofullat e ujqëve, rrinin tue rravizue mbi dheun e robnuem shkrojlat e Gjergjit…

E bash në Prillin e bukur të Dedë Gjo’ Lulit, Hotnjanët ia thonin Lahutës edhe dy fjalë para se me mbyllë portaret e veta… Edhe pse qejt’ e vazhdonin ulurimen e tyne.

Në pragun e një stuhije të pashoqe që filloi me perkulë edhe kompanjelat, e kur gurtë e tyne filluen me luejtë vendit, një dhimbje ia “këputi Shpirtin”…E Toka, u ça!

Kur të gjithë Shkodranët pritnin me shperthye një ujë i zi si futa që po mbulonte Rozafen, Taraboshin e deri nalt nder Bjeshkët e Nêmuna, veçse, u ndigjue prap një za i mekun që merrte me vete edhe ushtimen e Përkrenarës:

“E n’kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,

Që flijë t’ bahet ndo’i Shqiptar n’ therore,

Qé, mue tèk m’ keni, merrni e m’ bani flij

Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –

Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë,

E nami i saj përjetë u trashigoftë!…”

                             ***

Kush ishte Ky flij’ i Meshtarisë ?!..

    Ky ishte Frati i Sapës së Shqipnisë…

Ky ishte Frati i Flamurit të Lirisë…

Ky ishte Frati i Shkodres së zharitun…

Ky ishte Frati i Kryqit t’ skalitun…

Ky ishte Frati i Derës plot Dashni…

Ky ishte Frati që bekoi çdo shtëpi…

Ky ishte Frati i pajtimit gjaqeve…

Ky ishte Frati i pafundsisë oxhaqeve…

Ky ishte Frati që s’ njohu kurr frikë…

Ky ishte Frati i “Hyllit” plot Dritë…

Ky ishte Frati që s’ iu tremb as shkaut…

Ky ishte Frati i Bukës së Shna Ndout…

Ky ishte Frati i “Lahutës së Malcis”…

Ky ishte Frati i shpatës ‘e i trimnisë…

Ky ishte Frati që i tregoi Parisit…

Ky ishte Frati që daltoi në trung të lisit…

Ky ishte Frati edhe i pikturës…

Ky ishte Frati i arkitekturës…

Ky ishte Frati i kullave të barotit…

Ky ishte Frati i Burrave të Hotit…

Ky ishte Frati i Plav’s e Gucisë…

Ky ishte Frati edhe i Dardanisë…

Ky ishte Frati i lotëve t’ Çamrisë…

Ky ishte Frati i Vorio Epirit…

Ky ishte Frati edhe i Manastirit…

Ky ishte Frati i shpellave t’ Malsisë…

Ky ishte Frati Flam’rit Pavarsisë…

Ky ishte Frati edhe i kangve t’ motit…

Ky ishte Frati i Trojeve t’ Kastriotit…

Ky ishte Frati i një Abetares…

Ky ishte Frati edhe i Përkrenarës…

(Fragment nga dorshkrimi F.R, “Arkivi i Harresës” 2013).

Melbourne, Dhjetor 2013.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 30 dhjetor 1940, At Gjergj Fishta, Perkrenarja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 780
  • 781
  • 782
  • 783
  • 784
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT