• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENI VJEN PEJ CAMËRIJE

April 10, 2013 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA*

Parathënie/

Dallëndyshe bukuroshe,që thua mijëra fjalë,/

Dhe të kënda vahn’e lumën,që vjen me vrap e me valë,/

A mos vjen nga Shqipërija ?Eni vjen pej ,Camërije /

Me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndije ?/

N.H.Frasheri/

Po shkruaj në hapësirë dhe në kohë. Nw hapësirën e faqe A4 gërmat gjëden në anë nga një germë, që formon fjalën Çamëri. Diagonalisht si një poezi.

C-amëria zemërbrengosur. Me rruzuj lotësh. Mbuluar Frugulluam dhimbshëm sytë.E masakruar. Verbërisht. E plagosur. Marrëzisht. O embrion i lules. Kurmi yt. Hapësirë gjeografike e pambarimtë. Nur i bukurisë. Vend thesaresh. Perla. Diamantesh. Ëmbëlsisht e ëmbël. E pasur. Bukurisht e bukur. Deti,që humbet në mugëtirë. Male mistere fshehur. Lumenjë ujëshumë. Katunde me xhami në mes. Mënga të arta si flokëverdha,Arta. E prerë nga trualli mëmë me kirugji të pamëshirshme. Tradhëtisht .Maskarallëkisht. Çmendurisht. Eksod biblik .Burra të vrarë. Pabesisht .Të dëbuar, të deportuar,mijëra.Gjenocid! Gjenocid! Gjenocid !

Dashuria humbi nën të zezë qerpik. Në zemër lotimi i fundit. Në ëndërr të gjumit. I deportuan çamët. Nga Camëria i ndanë. Nga Camëria i larguan njëqindëfishë.

A-ke dëgjuar të flitet për Çamërinë ?

I identifikuar kahëmoti truall shqiptarësh. Çamëria,hapësira gjeografike e këtij ““territori është faktor për klimën. Klima është mesdhetare në tërësi. Në bregdet e butë. E ftohtë në brendi.

M-alet. Po saktësoj vetem disa:

Për saktësi citojmë : Mali Klardhit 1500m. Margëllëç me dy maja .Flamur i madh. Flamur i vogël. Me emrin ilir Dimal. Mali i Trimit. Vërdhëli. Mali i “Bardhë. Dulga. Kurila. Cuka e Palit. Malshinj. Shëndëlli. Mali Hilë.Murgu e Dhëmbasi. Mali i Glate…

E-ndërra që rri zgjuar. Çamëri.

Qytete të tërë që i mbushën me kolon,të sjellë tatëpjetë bregut. I kishin deportuar “`çamët .E murrosën . kështu Camërinë. Tokat e begata ua dhanë kolonëve. U munduan ti ““fshinë gjurmët e saj. Plagët gjak të saj. Por diku ka ngecur ndonjë emërtim. Sigurisht,që gjurmët e krimit dot nuk fshihen. Qytetet :Filati, Sajadha. Gumenica. Margëllëçi. Pargo. Paramithi. Ajdonati.Preveza………….E kam gjezdisur në këmbë Çamërinë .Kur u hapën kufinjtë në vitin ’91. Prevezën e kam vëzhguar nga ura me harqe. Kam parë nga kodrat qytetin. Një shtëpi çame. Në lartësitë 300 m. Shtëpia me fytyrë kah lindjes. Masiv agrumesh. Rrethuar. Kryesisht limona, portokall, fiq,ullinj. Limonët,ruanin erën, ngjyrën e mëngës së Artës. Plot lëngë në mes të gushtit. E vetmuar,gjysmë e rrëzuar shtëpia çame. Shtëpia ka qenë dy kate. Kati i sipërm gati rrëzuar. Ndërtuar më gurë të bardhë. Mbuluar me pllaka guri. Dyshemeja e katit të dytë ka qenë prej druri të punuar. Përpara shtëpisë një pusë. Në avlli ,një fik.Përmbi fikun,dergjej një hardhi. Një lloj rrushi që njihej si : larushi i zi.

R-ëket .Ujërat. Lumenjtë.

Ujërat që përshkojnë Çamërinë kanë burime në lindje. Derdhjen në perëndim. Kalamaj. Ishte një lumë shtratë gjerë . Një rrugë automobilistike i shkonte tek koka. Në veri një fushë më misër. Gjatësia e lumit kilometrike. Më e pakta 100 km. Burimin diku në veri të Janinës. Mirëpo,zgjatet e derdhet breg më breg,deri në Sajedhë,në detin Jon. Lumi zi ujëshumë. Lluri derdhet në gjirin e Prevezë. Tek ura me harqe. Kam vëzhguar Llurin. Zbriste që sipër,zonës malore.

I-dentifikimi i tij duhej të jetë diku mes Olicikës. Shtrati ishte gjithë zeje. Atë verë kthehej në një anë.Anës ,Llurit në hyrje të Prevezës, kopshtije. Rrepe të shumtë, pahemëdhenjë .

*Master. Anëtar i Akademisë Evropiane te Arteve

Filed Under: Featured Tagged With: Eni vjen, Gezim Llojdija, prej camerie

VISAR ZHITI: E DJATHTA, E LEHTËSUAR NGA LARGIMI I LSI PREJ ALEANCËS ME PD

April 9, 2013 by dgreca

Shkrimtari: Si më propozoi Berisha për ministër./

Një shkrimtar në postin e ministrit, çfarë i jep letërsia politikës./

  • “Prioritetet e mia, nga Burgu i Spaçit te libri”
  • “Qeveritë e majta kanë qenë indiferente me të përndjekurit, për të mos thënë prapësuese”/

Për poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti, tashmë ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka shumë rëndësi se sa do ta mbajë atë post.  “Mjafton edhe një ditë”, thotë ai. Pas tërheqjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, lindi nevoja për zëvendësimin e vendeve të mbetura bosh nga ministrat “aleatë” në Këshillin e Ministrave. Me zhvendosjen e ish-ministrit Aldo Bumçi drejt portofolit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, posti i ministrit të TKRS-së iu ofrua shkrimtarit Visar Zhiti. Në një intervistë për “Panoramën”, ministri Zhiti sqaron që nga momenti i propozimit, tek pranimi i ftesës, largimi i LSI-së, besimi tek e djathta dhe gjithçka që ai do të donte të bënte në kulturë, me gjithë kohën e paktë.

Për kuriozitetin e të gjithëve, si ju erdhi propozimi për t’u bërë ministër i MTKRS-së dhe pse e pranua atë? Patët hezitime?

Vërtet ka kuriozitet për këtë? Ndodhi natyrshëm, megjithëse do të thosha se të papriturat dhe befasitë e bëjnë jo vetëm punën, por edhe jetën më tërheqëse, më interesante. Sipas rregullit propozimi erdhi nga Kryeministria për këtë detyrë të lartë, pikërisht nga Drejtuesi. Nuk e prisja dhe mëdyshja, që kujtoni ju, ishte si shkak se mua menjëherë më vetëtiu në mëndje përgjegjësia e madhe e përzierë me mirënjohjen time për besimin që po më jepej.

E kam parim që nuk duhet të tërhiqesh, po të përballesh me ato që të sjell realiteti, sidoqofshin. Kur janë për mirë, duhet të mendohesh më  mirë. Në nderim të saj, kisha nevojë të bisedoja me veten time të dytë. Mos do të duhej të pyesja dhe bashkëvuajtës, ata do të donin të kishin një përfaqësues në qeverisje? Do të ishte një apel për të qenë dhe zëdhënës i tyre. Nuk do të doja të zhgënjeja kurrkënd, as Propozuesin dhe punën. Me dëshirën që të bashkohesha me ata që punojnë për kulturën tonë, shpalosjen e saj, krijimin, mbrojtjen, zhvillimet e promovimin e Shqipërisë së mrekullueshme, gjithë rini dhe sportivitet. Programi i qeverisë është i denjë për vendin, me ambicie të bukura, energjiçliruese, zbatimi i të cilit sjell begati e mirëqënie të mëtejshme shpirtërore dhe ekonomike. Dhe mëdyshja u harrua.

A nuk është një kohë e shkurtër për të përmbushur objektivat e institucionit apo që mund t’i keni vënë vetes?

S’ka gjë, e pashë si mision, qoftë dhe një ditë. Pastaj unë shkoj atje që të vazhdojë puna, pararendësi punoi me përkushtim dhe pasion. Që të vazhdojnë arritjet dhe përmbushjet e objektivave në institucionin e ministrisë ka plot emra, që i dinë dhe s’i dinë, me përvojë e të rinj, drejtues e specialistë, që kanë dhënë e po japin, që e duan punën dhe dinë të punojnë, që dinë të ëndërrojnë dhe ta bëjnë ëndrrën realitet. Të kujtojmë së fundmi festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të themelimit të shtetit modern shqiptar, dëshimtë janë gjithandej nëpër Tiranë e Shqipëri. Se mund të kesh në dispozicion dekada dhe mund të mos bësh asgjë, apo ta bësh keq dhe mund të kesh një ditë dhe të bësh atë që duhet, të vazhdosh ecjen përpara.

Mos menduat se e djathta do të fitojë sërish dhe kështu mund të qëndroni në postin tuaj?

Jo, nuk kam menduar kështu. Sidoqoftë unë do ju thosha se kredoja ime, kudo ku kam qënë, në burg dhe jashtë tij, në atdhe dhe jashtë atdheut, liria dhe krijimi dhe me të djathtën tradicionalisht Shqipëria ka patur identitet më shumë, kulturë më shumë, liri më shumë, drejtësi me shumë, prosperitet më shumë. Me të majtën kemi patur kryesisht izolim, varfëri dhe sharje me botën, si përfundim diktaturën më të rëndë në Europë. Nga ky bagazh shtypës e majta jonë nuk shpëton dot, prandaj dhe e ka persekutuar të djathtën, ku vendosi tiraninë e vet. Gjithçka ka ndryshuar. Ju thashë, iu futa një misioni, që shpesh del mbi të gjitha dhe ka forcë përbashkuese.

Do ta pranonit një propozim për deputet për të djathtën?

Kam qenë dhe deputet. Kur është dashur, e kam ndërprerë me marrëveshje për të shkuar në detyrë tjetër. Në qoftë se do të duhet që edhe unë të jem deputet, është nder dhe do t’i përkushtohesha. Në fund të fundit çdo njeri është deputet, përfaqëson veten, të tjerë, ideale. Vizione.

Propozimi ju erdhi në një kohë kaotike, LSI tërhiqët nga koalicioni me PD-në dhe krijon një tjetër me PS-në, nuk do kishit dashur të ishte një periudhë tjetër?

Njerëzit bëjnë kohë dhe koha bën njerëz. Nëse u krijua një situatë kaotike, siç po thoni ju, do të desha t’i përgjigjesha për normalizim. Mendoj se u krijua një kohë për më mirë që gjërat të gjejnë veten. Lëvizje të natyrshme, do të thosha. Bëhen kur u duhet atyre që i bëjnë. Meqënëse lidhet me votimet, votuesi sovran do të tregojë se sa të drejtë e me sa moral është vepruar. Kurse kultura është një koalicion i gjithkohshëm me të gjithë njerëzit, me ata që janë dhe ata që kanë qënë e që do të jenë. Është pasuri e vëndit, e krijuar në shekuj, në vështirësi edhe më të mëdha, nën pushtime, nën diktaturë, ka sakrifikuar nga vetvetja, ka rritur vetveten.

Dhe kultura, ku fus artet, turizmin, sportet, nuk duhet të ketë të majtë dhe të djathtë në thelbin e saj, por duhet të jetë si ajri, nuk ka ajër të majtë e të djathtë, republikan e mbretëror. Ka smog, ka lagështirë, ajër burgjesh, tym intrigash, pluhur, ndotje, edhe me kuptimin metaforik të tyre, etj, t’i heqim ato. Ne duam ajrin e pastër, atë ajër të shëndetshëm të Shqipërisë si perlë e Mesdheut. Dhe kjo kërkon një program. Tashmë demokratët e kanë.

Sa ka humbur e dhjathta nga kjo lëvizje politike?

Jo, pse ka humbur, mbase e kundërta, unë them, si qytetar, se po rendin gjërat drejt vetvetes për të qënë ato që janë. Është fituar një përvojë bashkëpunimi dhe e ndëprerjes së saj, qoftë dhe befas, pa alarm e shqetësime. Të rritet kultura e mirëkuptimit dhe e kompromisit.                   Edhe përmes kontakteve që kam pasur, më thonë se ndihet një lloj lehtësimi. Në fund të fundit e majta majtas, e djathta djathtas. Shqipëria e përjetëshme.

Nuk mendoni se është koha për rrotacion?

Sapo ndodhi, do të thosha. Rrotacioni është i nevojshëm, është shpikje demokratike, e theksoj, por nuk duhet të ndodhë si në futboll, me atë logjikë, 45 minuta në këtë portë e 45 minutat e tjera në portën tjetër. Ai duhet t’i shërbejë prosperitetit të vendit dhe jo arithmetikës së interesit vetanak. Nëse shkohet për më keq, për hir të rrotullimit, s’ka pse të ndodhë. Nëse po shkohet për më mirë, na duhet vazhdimi i asaj force që po e kryen.

Dhe kjo është e djathta apo jo?

Me të djathtën, dihet,  Shqipëria mori frymë e lirë, e përsëris, u vendos demokracia, u hap ndaj botës, konkretisht u futëm në NATO, u renditëm me të përparuarit dhe të atyre që mbrojnë liritë dhe së shpejti në Europën e Bashkuar, familja e natyrshme. E majta, nëse nuk ndihmon në këtë proces, është e lutur të mos pengojë, për hir të çdo qytetari dhe interesit të tij.

Propozimi që ju bë, mos ishte një vendim strategjik për të marrë votat e të përndjekurve?

Të përndjekurt janë deputët moralë të popullit, në një farë mënyre, ata e kanë ditur me kohë se ç’duhet të bëjë vendi e ku duhet të jenë. Dinë të votojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, për ata që kanë bërë për të persekutuarit e në vazhdim do të bëjnë më shumë. E pse të mos jesh strategjik në zbatim të programit të madh të vëndit?

Çfarë duhet të bëjë më shumë e djathta kundrejt të përndjekurve?

Pse pikërisht e djathta dhe jo e gjithë shoqëria shqiptare?! Mua më vjen mirë që pyesni kështu, sepse në këto 20 vjet vetëm e djathta ka bërë për ne. Qeveritë e majta kanë qenë tërësisht indiferente, për të mos thënë prapsuese a më keq. As duhet të përdoremi dhe as duhet të shpërdorohemi. Dinjitetin sublim që të jep vuajtja dhe qëndresa, të përndjekurit e kanë natyrshém. Dhe pakënaqësitë për përmirësim të mëtejshëm të jetës, konkretisht në përshpejtim të dëmshpërblimit të gjithanshëm, për më shumë drejtësi e gjyq moral, janë kundrejt asaj force që bën, që i beson dhe do. Dhe unë them se meritohet më shumë.

Çfarë?

Dëmshpërblimi do të vazhdojë të kryehet më me përparësi. Dëmshpërblimi ideal është kryer, e thamë më lart, Shqipëri e lirë, e tregut të lrë, e të drejtave të njeriut, etj. Gjithnjë e më shumë po merr forcë kujtesa ndaj tyre duke u instutucionalizuar, letërsia e tyre, ku kishin fshehur shpirtin,  ka dalë, po bëhet pjesë e kulturës, etj, etj. Vështirësitë ekonomike që ka shtresa jonë e të persekutuarve nuk duhen të zmadhohen dhe as të konsiderohen të pa qëna, por të zgjidhen, dua të them. Realiteti i të persekutuarve nuk ka patur ato barazi e ato mundësi si e të të tjerëve, jeta e tyre vjen nga mungesat e rënda e nga balta e nga telat me gjëmba e errësira. Si rrjedhim ka nevojë për vëmendje permanente. Siç meritojnë mirënjohjen, u duhet dhe shtëpia më e mirë, shkollimi, puna, përfaqësim më i tepërt. Vazhdimet e premtimeve të vazhdojnë të realizohen me projekte dora-dorës. Që të thonë dhe ata gjithnjë e më shpesh: “Bacë, u krye”.

Po le të flasim për kulturë, çfarë do mund të bënit më mirë?

Unë shkoj në një institucion që nuk fillon tani, e përsëris. Atje ka traditë, programe, projekte, struktura, stategji, talente e të përkushtuar, realizime, arritje, marrëdhënie, etj, etj.

Unë po shkoj me mision të vazhdoj një punë, që nuk nis dhe nuk mbaron me mua. Atje është dhe përvoja e pararendësve. Do të punojmë që sipas programit të Qeverisë Berisha, të gjitha objektivat që ka vetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të gjejnë zbatim, aty prioritetet janë të caktuara. Shqipëria është një vend me resurse të mëdha, shpirtërore, kulturore, turistike, art dhe sport, të zhvillohen e të mbrohet tradita kulturore, të prodhojmë kulturë, art, letërsi, të mbështet libri, autori, lexuesi, të forcohen lidhjet mes tyre, veprimtaritë.

Ndërkaq jemi në prag të sezonit turistik. Është kaluar nga njohja dhe joshja rajonale në atë europiane e më tej, që krahas të tjerave, të nxitet dhe ai turizëm që rrit punësimin, pra mirëqënien. Përmirësim infrastrukturor, nxitje e gjallërim të mëtejshëm, njohje dhe vizione dhe përhapje.

Ditën e shtunë ju morët pjesë në përurimin e një monument kulture në Gjirokastër, është ky një sinjal, që i keni më për zemër monumentet e kulturës?

Pjesë e prioritet institucional. Ishte planifikuar dhe u bë. Unë pata fatin që të shkoja si rishtar. Përururam shtëpinë madhështore të Babametove, ku fondacioni “Trashëgimia kulturore pa kufi” dhe Organizata për ruajtjen dhe Zhvillimin e qytetit të Gjirokastrés etj.. kishte realizuar një kryepunë, do të thosha, duke ruajtur traditën në gjithçka dhe duke futur modernen në funksionimin e tanishëm, të hapur për qytetarët, ku të rinjtë sidomos mund të organizonin veprimtaritë e dëshiruara. Falenderuam dhe ambasadorin e Suedisë, i pranishëm në ceremoni dhe më pas vizitova Gjirokastrën dhe shtëpinë e bukur të Ficove dhe atë të Kadaresë, shkrimtarit që i ka kushtuar disa nga kryeveprat qytetit të tij dhe ka përhapur imazhin e Shqipërisë nëpër botë. Shtëpia e tij do të bëhet së shpejti ajo që dëshirojmë, është në përfundim. Përkujdesin e duhur do të kenë dhe shtëpitë e Profesor Çabejit dhe të Musine Kokalarit, shkrimtares së parë grua shqiptare, disidentes së parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, e cila konfliktin e pati hapur me diktatorin, ndërkohë dhe bashkëqytetar të saj.

Shkuam në Kalanë e famshme të Gjirokastrës, vizituam mjediset dhe Muzeun e Armëve, ku ka nevojë për përmirësime dhe për më shumë nisma. Duke kuptuar më mirë se duhet edhe armA  e guximit.                                                                                                                       Nuk kuptova atje pavionin e burgut të Kalasë, që e kishte Bashkia, si dhe pse dhe pse ashtu, i mbetur si në kohën e socializmit, me emra të të burgosurve gjatë Luftës II Botërore nga nazi-fashistët, një pjesë e të cilëve më pas i vranë bashkëluftëtarët e tyre dhe mungonte dëshmia e të burgosurve të diktaturës atje. Kalanë ajo e bëri burg ende më të tmerrshëm.

Kur e vërteta është përgjysmë, ajo nuk është më e vërtetë, në rastin konkret është shpërdorim i historisë, mashtirim, fanatizëm i një ideologji tashmë të vdekur, shantazh. Përgjegjësit dhe specialistët duhet të veprojnë, se ka shumë e shumë më tepër rëndësi se ndriçimi i kështjellës, nga lart apo nga poshtë, kur me kokëposhtë lihet e vërteta historike.

Meqë jemi tek monumentet, është një ndër ta që mund t’ju prekë personalisht. Bëhet fjalë për burgun e Spaçit, i cili po shkatërrohet e po shitet për skrap, çfarë do bëni ju për ta ruajtur?

Shpresoj shumë që projekti dhe dëshira për ta kthyer Burgun e Spaçit në një muze, të realizohet. Kjo kërkon ndihmesën e bashkëvuajtësve të mi, idetë e tyre e të profesionistëve të historisë, të arkitekturës, urbanistikës. Ky monument dhe shumë të tjera janë dëmtuar, janë vjedhur. Vjedhja nuk hyn në kulturë, por në antikulturë dhe nuk i takon më vetëm Ministrisë së Kulturës, por gjithë shqërisë, çdo qytetari, edukimit të tij. I takon moralit të një vendi, pra po aq shumë dhe opozitës, që duhet të jetë pushteti moral i një vendi. Opozita dhe kushdo, nuk duhet t’u gëzohen dëmeve të tilla, por të veprojmë bashkarisht. Kur vidhet apo dëmtohet një vepër e të gjithëve, jemi vjedhur e dëmtuar të gjithë.

Nëse ka vlera kulturore dhe ka, patjetër që ka, ato nuk duhen parë si një pronë të qeverisë aktuale, por pasuri jona e do përkushtimin e të gjithëve. Po, po, edhe edukim dhe syçelësi. Jam për sensibilizim të mëtejshëm dhe ndëshkim të keqbërësve. Media duhet të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim. Të bashkëpunojmë. Natyrisht do të shtohen mjetet e sigurísë në objektet e rëndësisë së veçantë.

Një tjetër temë që e keni shumë të afërt, është libri. Ç’duhet bërë që të kemi botime më të mira dhe përfaqësim më të mirë të librit shqip jashtë vendit?

Botime më të mira kemi dhe përfaqësim të librit shqip jashtë vendit kemi. Do të vijojnë për më mirë bashkëpunimi institucional autor botues lexues dhe investimet e librit jo komercial, që ka vlera kombëtare e albanalogjike, që i shërben kujtesës kolektive, këtij lloj arkivi. Janë me shumë interes pjesëmarrja e botuesve shqiptarë në panaire të mëdhenj së bashku me autorët. Do të vazhdojë të thellohet tradita e mbështetjes për të qenë të pranishëm në to.

Veç të tjerash është koha të ngrihen edhe struktura të brendshme, komisione, që të propozojnë librin shqiptar që duhet të përkthehet siç e kanë dhe vende të tjera. Të shkojë tek lexuesi i kudogjendur shpirti shqiptar. Por së pari tek lexuesi ynë. Kemi një Bibliotekë Kombëtare me rëndësi.

Cili është mendimi juaj për çmimet letrare, gjithmonë ka pasur debate mbi to…?

Dhe do të ketë gjithmonë si kudo. Që nga koha e Homerit e deri tek Homerët e ardhshëm do të ketë debate dhe për çmimet letrare. Në përgjithësi ato shërbejnë si vlerësim dhe publicitet të mëtejshëm të vlerave, janë dhe mirënjohje institucionale për arritjet, por nuk janë gjithçka, nuk janë vetë letërsia. Çmimet miratohen nga ata që e japin dhe nga ata që e marrin, mirëpriten nga opinioni, por dhe krijojnë pakënaqësi. Lexuesi ka nevojë për shenjime të tilla, por ai jep çmimin e vet siperan. Në fund të fundit vlerësimet duhet dhe do té vazhdojnë.

Duhet të merret Ministria e Kulturës me çmime të këtilla?

Pse Jo? Ministria e Kulturës ka zemërgjerësinë që krijon një grup pune, investon për të dhe më pas nuk ndërhyn. Për to vendosin juritë, që përbëhen nga emra të njohur, kritikë letrarë studiues të letërsisë, shkimtarë përkthyes, etj. Mendoj se duhet parë dhe përvoja e disa vëndeve të zhvilluara, ku përfshihet dhe lexuesi, votimi bëhet hapur, shoqëruar me spektakle të librit, lexime, etj.

Jam i sigurtë që Ministria e Kulturës po të mos organizonte dhënien e çmimeve kombëtare në letërsi dhe arte, do të bëhej gjithë shqetësim dhe akuzë që pse Ministria e Kulturës shmanget apo rri indiferente.

I keni parë ndonjëherë si monopol klanesh?

Nuk përjashtohet. Është dhe subjektive siç janë dhe vetë çmimet. Po s’ka pse të ndëshkohet në vetvetet dhënia e çmimeve.

Përpara se të bëheshit ministër cilat ishin ato gjëra, për të cilat keni thënë shpesh: Sikur të isha…?

Sigurisht si qytetar i këtij vendi kam dashur një bregdet më të mirëmbajtur aty-këtu, më joshës, duke ruajtur natyrën dhe duke krijuar komoditetin në harmoni me të, si spektator kam kërkuar të shoh edhe një dramë tjetër më të bukur, një teatër më të mirë, më modern, një opera më bashkëkohore, panaire librash në sa më shumë qytete, prani në ato ndërkombëtare, festivale gjithandej, biblioteka aktive, stadiume dhe fitore më shumë.

Po rendet drejt kësaj, dëshira të tilla kërkojnë përligjie dhe përligjia kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të institucioneve, intelektualëve, autoriteve në një punë të përbashkët. Më vjen mirë që jam në punë midis tyre.

Po fatkeqësisht ju do të drejtoni një ministri shumë të varfër financiarisht…

Është një ministri shumë e pasur, ka pasurinë shpirtërore të të gjithë popullit të saj.

Një përgjigje prej poeti.. Çfarë i jep dhe i merr politika letërsisë dhe anasjelltas?

Politika është veprimtari shoqërore, së cilës nuk duhet t’i trembemi. Përderisa politika merret me ne dhe ne duhet të merremi me politikën. Njeriu merret me politikë edhe kur nuk duket se po bën politikë apo është politikan. Pavarësisht se bëhet nga profesionistët, ajo vepron mbi qytetarët dhe qëndrimi ynë, veprimet tona janë pjesëmarrje. Në këtë drejtim edhe letërsia merr nga politika, jo vetëm  subjekte e  çështje e  përgjigje, por dhe nga filli i brendshëm dhe i padukshëm i saj. Absolutisht që janë dy fusha të ndryshme, shpesh në kundërshti, në luftë të pafalshme dhe me viktima. Eskili ka mërguar me detyrim, Ovidi është internuar, janë burgosur e pushkatuar dhe shpesh më e rénda pér letërsinë, është vënë në shërbim të diktaturave si me realizmin socialist. Të gjitha i përkasin pérkohësisë. Letëria është e pérjetëshme. Do të ishte fat që politika të merrte nga letërsia, sa më shumë nga kultura dhe humanizmi i saj dhe të mos ia çmagjepsë asaj lëndën e parë, Fjalën, aq më keq ta zhvleftësojë  e shpërdorojë. Morali intelektual është i domosdoshëm për të dyja.

Për këtë të fundit është folur shumë këto ditë. A ka moral dhe a duhet të ketë moral politika?

Më tmerron pyetja. Si nuk duhet të ketë moral politika? Politika është arti i së mundurës dhe e mundshme është vetëm ajo që ka moral, të pamoralshmet nuk duhet të jenë të mundshme, por duhet fituar mbi to, duhen mundur. Patjetër që politika do moral të lartë e të fortë.  Nëse duket i tepërt, këtë e përhapin ata që s’kanë moral, për të justifikuar veprimet e tyre. Politika ka dhe duhet té ketë si objektiv dhe shéndoshjen morale të shoqërisë.

Një debat që ka gjalluar së fundmi ka qenë ai i peticionit kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë. Ju jeni një ndër firmëtarët, pse iu bashkuat kësaj nisme?

Ne nuk duhet ta ndryshojmë historinë për interesa jashtë të vërtetës dhe jasht historike. Latinët kanë një shprehje që thotë: Sa do i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde. Pra ndryshimet duhet të jenë té pamundura. Natyisht porosité që mund të vijnë nga e kaluara, mund të shtohen, të jenë për mirëkuptimin dhe paqen dhe bashkëpunimin, por faktet, dukuritë ashtu si  datat historike dhe emrat nuk zhbëhen dot. Ato do të mbeten ashtu siç rezulton e vërteta. Qofshim të zotë për të rregulluar të tashmen dhe të ardhmen, dakort, e shkuara duhet shndërruar në përvojë, por jo të ndryshohet dhe të lëvizë. Skënderbeu është ai që ka qenë.

Por a ka nevojë historia jonë për t’u riparë, qoftë dhe në rrafshin terminologjik?

Bashkohem me ata profesionistë që thonë se ka nevojë për thellim. Gjithmonë ku ka zbulime të reja, rizbulime, këndvështrime dhe interpretime të reja, pa harruar dhe pa shpikur. Në dobi të përparimit. Të ndjekim llogjikën historike. Dhe, edhe kur nuk ka qënë e mirë, të bëjmë historinë e së mirës.

Bisedoi per Panorama:  Ama Mile(Ne Foto:Caption: Ministrat e rinj me Presidentin, Kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit gjatë betimit në Presidencë)

Filed Under: Featured Tagged With: Alma Mile, E djathta, e lehtesuar, Interviste, nga ikja e LSI, Visar Zhiti

Feniksat e rilindur

April 9, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA/

Sipas mitologjisë feniksi ishte një zog që, pasi mbushte pesëqind vjet, digjej dhe nga hiri i tij rilindte përsëri. Kjo legjendë m’u kujtua kur mora pjesë në ceremoninë e përurimit të bar restorant “Feniks” në komunën e Remasit të Lushnjes. Kjo ngjarje më solli njëzetedy vjet më parë, atëherë kur populli i tërë thërriste:

– E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

M’u kujtua kjo thirrje pasi në atë restorant, për nga stili i ndërtimit dhe eleganca e shërbimit, m’u duk sikur isha në një restorant të Europës. Por, ajo që është më e rëndësishmja,  si në pothuajse gjithë vendët e qytetëruara të botës, ky restorant nuk është ndërtuar as me drogë dhe as me trafiqe të pista si shumë të tjerë.  Pronari i saj, Emir Çoku, nipi i Azem Çokut, “Qytetar Nderi’ i komunës, ish i burgosur politik së bashku me tre djem të tij, Esatin, Bedriun dhe Caushin, me 65 vjet burg mbi shpinat e tyre, për vite të tëra punoi në emigrim për një jetë më të mirë. Nuk u hodh pas qejfeve të shfrenuara dhe punëve të pista. Punoi për të ardhmen e tij dhe të familjes dhe me kursimet e mbledhura mundi të ndërtonte këtë restorant të modelit europian. Aty është djersa e tij dhe e familjes së tij.

Së fundi mbërriti edhe dita e përurimit të tij. Midis shumë të pranishmëve pata nderin të isha edhe unë. Nuk mungonte as muzika. Ajo gjëmonte duke filluar nga vallet e bukura popullore dhe deri te roku amerikan. Në mesin e kërcimtarëve dalloheshin feniksat e rilindur të familjes Çoku që i jepnin një pamje të mahnitshme gjithë atmosferës së kësaj feste. Unë i shikoja me admirim dhe më dukej sikur në fytyrat e tyre rilindte Azem Çoku, luftëtari nacionalist që jetën tij ia kushtoi atdheut. Por, në fytyrat e tyre shikoja edhe si rilindnin nacionalistët e tjerë të rënë për liri gjatë viteve të gjata të sundimit të terrorit komunist apo të tjerë burra që nuk mundën të shohin ditën e madhe të demokracisë për të cilën kishin ëndërruar dhe luftuar pa kursyer asgjë.

Qëndroj në karriken time duke vështruar por mendja ka fluturuar. Ka fluturuar ndër vegimet e së kaluarës së hidhur. Në ato ditë të trishta kur donim të mësonim dhe nuk na linin  për të mësuar, donim të punonim dhe nuk na linin për të punuar, donim të jetonim dhe nuk na linin as për të jetuar. Më kujtohen 65 bujqit e Myzeqesë që u ekzekutuan nga krimineli Mehmet Shehu vetëm e vetëm pse ishin nacionalistë. Por më kujtohen edhe korbat e zinj të sotshëm që çirren dhe këlthasin për të ringjallur atë që ka perënduar me kohë. Midis tyre edhe shumë të ashtuquajtur intelektualë, të mbushur me tituj dhe dekorata që arrijnë deri aty sa kriminelin e sipërpërmendur ta konsiderojnë si një burrë shteti që gjoja historia e Shqipërisë nuk e paska parë kurrë.

Oh, fatkeqë! Si nuk arrini të kuptoni se historia juaj përfundoi që me përmbysjen e ideve tuaja totalitare. Ju sot mund të jeni deputetë, funksionarë, pedagogë, biznesmenë që keni arritur majat e pasurimit tuaj, apo çfardo gjëje tjetër, por kurrë nuk mund të jeni njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ju jeni vetëm hije të së kaluarës që më kot mundohen të ringjallen. Ndoshta mund të keni mbaruar kushedi sa shkolla të larta, ndoshta mund të keni mbrojtur kushedi se sa mastera dhe doktoratura jashtë shtetit, ndoshta mund të keni fituar kushedi sa tituj dhe dekorata, por derisa nuk keni moralin për të hedhur poshtë të ligën që i bëri gjëmën këtij vendi, ju nuk mund të jeni gjë tjetër veçse mbeturina që duhen hedhur në koshin e plehrave të historisë.

Në këto ditë të fushatës elektorale që praktikisht ka nisur, dëgjojmë zërat tuaj të ngjirur të thërrasin se gjoja paskemi mbetur pa bukë dhe pa ujë,  pa shkolla dhe pa spitale, pa drita dhe pa strehë. Me korin tuaj janë bashkuar edhe disa që  e quajnë veten të përndjekur politik. Dua t’i pyes ata:          – Çfarë  heroizmi keni bërë kundër diktaturës që paskeni fituar këtë emërtim? Mos vallë vjedhjet, shpërdorimet dhe përdhunimet e familjarëve tuaj dhe që më vonë, për t’i shpëtuar ndëshkimit u detyruat të  tentoni të arratiseni jashtë shtetit dhe që regjimi komunist, për t’ju mbajtur më tepër në burg ju dënoi, përveç neneve ordinere edhe me nene politike si agjitacion e propagandë apo tentativë për arratisje?

Çfardo që të shpikni, çfardo që të thoni ju nuk mund të bëni me vete shtresën e gjërë të të përndjekurve politik. Këtë nuk mund ta bëjnë as media e shkruar dhe ajo vizive që ju keni në dispozicion. Me ju ne nuk na ndan vetëm plotësimi i detyrimeve që shteti shqiptar i ka kësaj shtrese. Ne na ndajnë parimet tona që janë të kundërta me tuajat. Ne na ndan historia jonë që është e kundërt me atë tuajën. Ne na ndan këndvështrimi ynë se si i shikojmë ngjarjet historike të ndodhura në vendin tonë me këndvështrimin tuaj. Këtë mos e harroni!

Ceremonia   vazhdon.  Këngët   dhe   vallet  ndjekin  njera-tjetrën. Feniksit  e  rilindur  vazhdojnë  të lodrojnë. Entusiazmi arrin kulmin kur në sallë buçasin vargjet e këngës:

 

Xhamadani vija-vija,

Është Kosova, është Shqipëria.

 

Gjithë salla është ngritur në këmbë dhe këndon me plot zërin:

 

Sa e madhe është shqiptaria!

Unë, plaku 78 vjeçar, qëndroj i mahnitur në qoshkun tim duke vështruar. Dëgjoj këngën dhe para syve më shfaqen vargjet e mrekullueshme të Mjedës:

Por nuk u shujt, ende jo, shqyptaria!

Jo, shqiptaria nuk ka për t’u shuar kurrë dhe kjo, jo për meritë të lakejve të komunizmit që kanë gllabëruar emrin e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar, por të feniksave të rilindur që do të dinë t’i dalin zot këtij vendi. Do të vijë dita kur ju do të zhdukeni nga arena shqiptare pasi ju jeni të humburit dhe ne fitimtarët. Sot në Shqipëri kanë fituar parimet tona demokratike, parime që ju u munduat më kot t’i ndaloni dhe që ne u sakrifikuam për to. E ardhmja u përket feniksave tanë të rilindur. Ata kanë rilindur nga hiri i tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Bedri, Caush, esat, Familja Coku, Feniksat e Rilindur, reshat kripa

Immigration Reform – With Mark Gjonaj

April 8, 2013 by Administrator

73

Filed Under: Featured, Rajon

PROPAGANDË SERBE NË OKB

April 7, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Vuk Jeremiq, në kapacitetin e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi këtë të mërkurë, më 10 Prill.   Debatin  do ta hapë presidenti serb Nikoliq dhe në debat do të marrë pjesë edhe zevendës-kryeministri i parë i Serbisë, Vuçiq.

Më së pari një shpjegim se cili është roli dhe pse u krijua Gjykata  Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, 20-vjetë më parë.   Gjatë dy dekadave të fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka mbrojtur viktimat e luftës, ndërkohë që ka dënuar ata që kanë  kryer krime lufte mbi popullësinë e pafajshme civile, si edhe ata që kanë bërë abuzime të rënda të të drejtave të njeriut gjatë  dekadës së 90-ave të luftërave në ish-Jugosllavi.   Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, themeluar 10- vjetë më parë,  gjithashtu ka luajtur një rol me rëndësi për dënimin e  atyre që kanë bërë krime lufte, si dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.   Qëllimi i gjykatave ndërkombëtare, pra është, për të dënuar keqbërsit dhe për të promovuar  dhe mbrojtur të drejtat e viktimave të pafajshme  dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut,  anë e mbanë botës.

Vendimi i Jeremiqit, që në emër të Serbisë të organizojë një debat, për atë që në humë qarqe ndërkombëtare po shikohet si një përpjekje propagandistike e Serbisë për të diskredituar punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës – nuk është hera e parë që Beogradi është munduar të  bindë botën me versionet e tij, tani të diskredituara, për ato që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi gjatë 20 vjetëve të fundit.   Por ndryshimi me përpjekjet e përparshme të Serbisë,  është se tani Beogradi  ka njeriun e vet në Kombet e  Bashkuara,  i cili po përpiqet që pretendimeve të Serbisë t’u japë vulën zyrtare të ligjëshmërisë së OKB-së, pasi ai në kapacitetin e tij si president i Asamblesë së Përgjithshme, është i autorizuar të shkruaj raportin përfundimtar të debatit, natyrisht nga pikpamja e zyrtarëve të Beogradit dhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Kinës.    Këjo është një situatë e hapët e asaj që quhet si “konflikt interesi”, gjë që asnjë person ose organizatë me reputacion nuk ia lejon vetvetes.  Ky është një rast, ku një zyrtar i Kombeve të Bashkuara,  ndryshe nga obligimet e detyrës së  tijë, për t’i shërbyer organizatës për të cilën punon, po shfrytëzon  detyrën e tij për përfitime personale dhe të vendit të tij –dhe në dëm të së vërtetës dhe në përpjekje për të ndryshuar ose falsifikuar historinë  e dy dekadave të fundit.

Serbia është tepër e dëshpëruar se Gjyqi i Hagës liroi kohët e fundit ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinajn dhe dy anëtarë të tjerë të UÇK-së, gjë që sipas nën-kryeministrit serb Vuçiq, “ka tronditur të gjithë serbët”.   Zyrtari  i lartë serb tha gjithashtu  se qeveritë që në të kaluarën kanë mbështetur punën e Gjykatës Ndërkombëtare, sipas tij, na qenkan “shokuar nga vendimet përfundimtare të kësaj gjykate në lidhje me gjenralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, por edhe Haradinaj”, shtoi zyrtari serb Vuçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Individë, shtete dhe organizata të ndryshme kanë shfaqur moskënaqinë e tyre në lidhje me debatin e OKB-së të sponsorizuar nga Serbia.   Ndër të parët që shprehu mos aprovimine tij për mabjtjen e këtij debate,  ishte Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, gjykatësi Theodor Meron.   Ai, sipas Radios Evropa e Lirë, foli para disa ditësh në Institutin Brookings në Uashington  ku kritikoi ashpër vendimin për debatin  në OKB, duke thënë se ky vendim për zhvillimin e debatit mbi punën e Gjykatës, parashtron pyetje dhe ven në dyshim, ”kushtet themelore të sundimit të ligjit”, duke shtuar se, ky nuk është  “një debat, në të cilin pjesmarrja ime do të jepte ndonjë kontribut të rëndësishëm ndaj normave ligjore në të cilat besoj unë.”   Gjykatësi Meron u tha pjesmarrësve në Institutin Brookings se, “shpallja e pafajësisë, ashtu si edhe shpallja e fajësisë, tregojnë se sistemi  është i shëndetshëm, se ai funksionon.”

Siç duket, Kroacia dhe Bosnja, ndër të tjera, kanë shprehur moskënaqsinë për këtë  debat të organizuar nga Vuk Jeremiqi dhe janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në të.  Radioja b-92 në Beograd  citon agjencinë Tanjug se as Uashingtoni zyrtar nuk ka mirëpritur këtë debat, ndërsa citon një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit se ka thënë që ai beson se debati i ardhëshëm  në OKB do të përdoret për qëllime propagandistike të Serbisë.

Por,  vendet që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë,  janë Rusia dhe Kina të  cilat vazhdimsiht kanë përkrahur agjendën serbe në OKB, sidomos kundër mos njohjes dhe mosantarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.   Sipas gazetës serbe Veçernje Novosti, Moska dhe Pekini kanë shprehur gatishmërnë e tyre për të marrë pjesë në debatin e OKB-së të organizuar nga Vuk Jeremiqi.

Ndër organizatat jo-qeveritare që kanë reguar ndaj mbajtjes së këtij debati janë edhe  Kongresi i Boshnjako-Amerikanëve të Amerikës Veriore dhe Këshilli Konsultativ për Bonsje-Hervegovinën, të cilët, në një letër drejtuar ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Susan Rajs  — shprehin shqetsimin e tyre në lidhje me atë që ata cilësojnë si agjendë e Jeremiqit në Kombet e  Bashkuara  dhe në të njëjtën kohë shprehen se,  “Vuk Jeremiqi, si president i Asamblesë së 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, po vazhdon të përdorë  Kombet e  Bashkuara si një platform të tijen për të përhapur agjendën nacionaliste serbe duke organizuar këtë debat dhe njëkohësisht është duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.”    Në letrën e tyre këto dy organizata boshnjake në Amerikë, me të drejtë thonë se, “Dokumenti  ‘zyrtar’ në lidhje me debatin që do të mbahet në Prill, pritet të përmbajë pikpamjet serbe  mbi luftërat në ish-Jugosllavi, në kurriz të fakteve tanimë të mirë dokumentuara dhe  të drejtësisë.”    Boshnjako-amerikanët theksojnë, në letrën e tyre drejtuar ambasadores amerikane pranë OKB-së, se “rishkrimi dhe falsifikimi i historisë është prioritet i agjendës së nacionalistëve serbë”,  dhe njëkohësisht ata i bëjnë thirrje  asaj, “Si shtetas amerikanë, por edhe si viktima të spastrimit etnik dhe  të gjenocidit, që mohuesit e gjenocidit të mos lejohen të përdorin Organizatën e Kombeve të  Bashkuara si paltformë të tyren për përhapjen e propagandës urrejtëse dhe gënjeshtarve.”

Ky është objektivi i vetëm i Vuk Jeremiqit për organizimin e këtij debati, por njëherazi është edhe një përpjekje e koordinuar mirë nga autoritetet zyrtare të Beogradit  për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare në të kaluarën, tani dhe më vonë ndaj serbëve të dëlnuar për krimet e tyre në luftërat e Ballkanit – por është  edhe një përpjekje nga ana e tyrepër të përmirësuar  reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.  Nën-Kryeministri serb Vuçiq u citua nga media serbe se debati në Kombet e Bashkuara, “është një rast i mirë për të paraqitur një pikpamje tjetër mbi gjëndjen në Ballkan, një pikëpamje tjetër mbi Serbinë”.

Është ablsolutisht e pa kuptueshme se si Organizata e Kombeve të Bashkuara lejon që  ajo të përdoret si platformë e nacionalizmit serb duke mundësuar zhvillimin e këtij debati.  Ky është një problem me të cilin këjo organizatë duhet të merret seriozisht, nëqoftse dëshiron që reputacioni i saj të mos keqësohet edhe më tepër në rajonin e Ballkanit, ku mos-angazhimi dhe mos veprimi i sajë përballë krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik nga forcat serbe gjatë luftërave në Ballkan mbahet, është një përvojë tepër e hidhur për tu harruar, sidmos nga populli boshnjak.   OKB-ëja, duke lejuar mbajtjen e këtij debati, është duke hedhur krip në varrët trupore dhe shpirtërore të qindëra mijëra viktimave të terrorit serb në Ballkan.   Këjo masë dëmton, për të mos thënë se minon, besimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, “Zhvillon marrëdhënje miqësore midis kombeve, në bazë të respektit për parimin e të drejtave të  barabarta dhe të vetvendosjes së popujve.

Udhëheqsit serbë, siç tha edhe vet  nën-kryeministri serb Vuçiq, shpresojnë që  në fund të këtij debati, Ballkani dhe bota të ketë një “pikpamje tjetër për Serbinë”.   Mirëpo, këjo nuk mund të arrihet me përpjekje të njëanshme për debate në forume ndërkombëtare siç është edhe OKB-ëja, me qëllim shtrëmbërimi dhe falsifikimi të historisë së hidhur të 20-vjetëve të kaluara në atë rajon.   Popujt e Ballkanit dhe bota do të kenë pikpamje tjetër nga ajo që kanë sot për Serbinë, vetëm e vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet që udhëheqsit e saj kanë bërë në emër të saj dhe njëkohësisht tu kërkojë falje viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, në Bosnje dhe Kroaci.   Vetëm atëherë, popujt e Ballkanit dhe bota mund të ndryshojnë pikpamjet e tyre mbi Serbinë si shtet dhe mbi serbët si popull.

Një gjë e tillë do të ishte më e pranueshme dhe më e vlefshme se sa çdo debat në OKB ose kudo tjetër, që më në fund do të çonte drejtë pajtimit eventual midis popujve të Ballkanit dhe në një paqë të qendrueshme në atë pjesë të botës, e cila ka aq shumë nevojë për një pajtim të tillë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne OKB, propogande serbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 881
  • 882
  • 883
  • 884
  • 885
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT