• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përballja e At Pjetër Meshkallës me Mehmet Shehun për mbylljen e kishave

October 12, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 11 Tetor 2021

“Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Me këto fjalë At Meshkalla i drejtohet kryeministrit vrastar Mehmet Shehu: “ E pabesueshme asht mbyllja! Vetem një Shqiptar që e ka qitë ceken me vdekë per Atdhe e Fe, ka mundësi me i thanë një kriminelit kryeminister komunist, se: Jeni tue shkelë premtimet solemne që i keni ba Europës. Tue dijtë se per terroristin e grupeve komuniste të Spanjës, tashti krahu i djathtë i tiranit Ever Hoxha, se “një prift katolik per ate asht vetem një shifer…” Dhe, nuk mjaftohet me kaq, po edhe vazhdon mendimin e vet per me e çue deri në fund ate që, At Meshkalla e ndryente permbrenda. Mbasi Mehmet Shehu i kundershtoi se:“Kjo asht propagandë armiqësore”, atëherë, At Meshkalla, shperthen si një vullkan i vertetë që rroposë shka i del perpara, pa marrë parasyshë aspak me cilin flet prej terroristave: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Të nderuem lexues! Kanë kalue 32 vjetë që kam pasë fatin me e sigurue këte leter historike, e ndoshta, kur ta ripersëritni leximin e këtyne rreshtave keni me u bashkue me mendimin tim: “Si ka shpetue At Pjeter Meshkalla, prift Katolik dhe jezuit Shqiptar, madje edhe prej Shkodret, studjue në Linz t’ Austrisë.., mbasi i ka thanë që as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ ka mujtë me ju ba nji propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”.  Asnjëherë kur e kam lexue nuk e kam gjetë shkakun e shpetimit të At Meshkallës, perveç një kujdesit të Mbinatyrshem per Atë Burrë Trim të pashoq. Kanë me kalue vite e vite të tjera dhe, asht e pamujtun per me gjetë dikush shkakun e shpetimit të vertetë të At Meshkallës, nga thonjtë e një katili të pashpirtë si ishin xhelatët Mehmet Shehu apo Ever Hoxha! E kur, pikrisht, mbas 22 vjetësh kur në mendjen e tyne, pushteti tashti asht i sigurt dhe i plotfuqishem. Gati gati e pabesueshme kur mendon njeriu sesi një Prift Katolik i thotë: “Ja keni ba vetit”. E krimineli vrastar asht i pafuqishem para Priftit t’ pranguem nder hekra. Një mister i vertetë! E sot, ma shumë se asnjëherë Jeta dhe Veprat fetare të At Mëshkallës duhen studjue ma shumë se kurr, mbasi Shqipnia komuniste, ishte e pakrahasueshme me të gjitha vendet tjera komuniste të Europës Lindore, per nga terrori dhe vrasjet e Klerikve Katolik Shqiptarë. Kjo perforcohet edhe me viziten e Papës së Parë që ka shkelë në Token Shqiptare. Një vizitë me të vertetë e paharrueshme historike dhe baritore e Shek. XX. E mos harroni kurr thanjen e Papës Gjon Pali i II, tek Sheshi i  monumentit  Skenderbeut në Tiranë, me 25 Prill 1993, para disa qinda e mija Shqiptarve: “Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian e asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!”. “Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit”. Këto thanje duhet me kenë të shkrueme nder të gjitha faqet e para të teksteve shkollore e universitare. Mbasi kam frikë se, “Europa i ka harrue këta porosi!” Fatkeqsisht, as në Shqipni.., sot, nuk ka mbetë kush prej “atyne”.., që duhen me ua kujtue.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovanai

PRILLI I PËRGJAKUR

April 22, 2021 by dgreca

Fakte dhe dëshmi nga treva e Lypjanit/

Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia/

Si çdo vjet në gjithë hapësirën kosovare, edhe në trevën e Lypjanit,  kujtojmë jetën e veprën e dëshmorëve e martirëve të kombit. Rënia per liri kombëtare e çlirimin e athdeut, eshte madhshti njerëzore, po aq sa janë madhore edhe fenomente e natyrës, Lindja dhe perëndimi i Diellit e Hënës, të cilat,  nuk mund të forcë gjuhësore dhe begati leksikore, sado të pasura qofshin, që mund t’i përhkruaj. Të rënit për atdhe gjatë luftës me okupuesit serbë në Verën e 1998 dhe Prillin e tokës së përgjakur të 1999, të 21 dëshmorët e kombite 167 martirët e kësaj hapësire shqiptare. Nga kjo hapësirës komunale, u përkjetësuan, gjatë dy ofanzivave serbe, u plagosën edhe 71 qytetarë shqiptarë e 23 ushtarë të UÇK-së, Nga dhuna serbe u ç’vendosen tërësisht banorët shqiptarë të 42 fshatrave, e pjesërisht nga 21 fshatra tjerë. Flaka e kalljeve serbe i përfshiu 46 vendbanime shqiptare të kësaj treve komunale, nën kërcënime të dhunës  u dëbuan jashtë Kosovës mbi gjysma e popullsisë shqiptare. Shkatërrimet, kalljet, vjedhjet dhe plaçkitjet e vlerave materiale e shpirtërore të kësaj hapësire shqiptare kapin shumën e dhjetëra milion eurove.

Dhuna serbe dhe pastrimi etnik i shqiptarëve

 Sistemi okupues serb, në fundshekullin 20-të, me dhunën gjenocidale e pastrimin etnik ndaj shqiptarëve,  dëshmoi  mësimet e moralit të keq të historisë sllave, të dëshmuara në 24 projekte sërbe kundër shqiptarëve, që nga “Naçertania” e Garashaninit 1844, e deri te Memorandumi i ASSHA 1986. Serbet me vrasje, tortura e masakra mesjetare ato 78 ditët e tmerrit të 1999, si në çdo mjedis e hapësirë në Kosovë, edhe në shqiptarët e kësaj hapësirë komunale, kryen shumë vrasje masive të popullatës civile të pa armatosur. Në trevën komunale të Lypjanit, për vrasje masive barbaria serbe, u përqendrua në tri nga vendbanimet shqiptare.  Në Sllovijë më 15 e 16 prill 1999, ranë 4 dëshmorë e 41 martir të lirisë e 11 qytetarë të tjerë u plagosen rënd e lehtë. Më 15 prilli pas sulmit serbë në fshatin Akllap, kallën mbi 80% të shtëpive dhe vranë një qytetar. Hordhia serbe në mesditë në orën 13.30 sulmoi Sllovinë, aty vrau e masakroi 24 shqiptarë dhe dëboi me dhunë nga fshati gjithë popullatën shqiptare. Kurse më 16 prill 1999, shqiptarët sllovias të strehuar në “Lugun e Demës”, ku përjetuan Natën e Bartolomeut. Vrastarët ushtarak e policor të dhunës sërbe, pasi vranë 4 qytetarë të zhegocit në “Livadhe të Gjana”, vranë edhe dëshmoren Zylfije Gashi në Tërboc. Këtu në “Lugun e Demës”, masakruan e ekzekutuan edhe 17 civilë shqiptarë të tjerë. Nga gjithë të rënit sllovias 6 ishin pleqë deri në moshën 90 vjeçare, 4 nga të cilët ishin të palëvizshëm. Nga 17 të vrarit në “Lugun e Demës”, kufomat e të cilëve ushtria vrastare, me qëllim të zhdukje së krimit, i dërgoi në Serbi dhe i varrosi, në varre të fshehura masive në Batajnicë, nga deri më 15 prill 2006 u sollën 15 nga 17 kufomat e zhdukura nga hordhia barbare serb. Mbetjet mortore të dy të zhdukurve të tjerë, i solli dy vjet më vonë më 2008, nga Batajnica në varret që gjatë priten të hapura në Varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Sllovi. Nga dhuna serbe në Sllovi, 33 familje pësuan humbje në njerëz nga të cilat më së tepërmi pësoi, Familja e Murat Gashit me pesë të vrarë, Familja Gërbeshi më 3 të vrarë, dy Familjet Sopa njëra me tre, e tjetra me dy të vrarë e të masakruar, familja Bytyçi, Kryeziu dhe Berisha me nga dy të vrarë. Ndërsa 26 familje të tjera kanë të vrarë e të masakruar nga një anëtarë. Me 17 prill në vendbanimin afër Lypjanit Jeta e Re, u vra dhe u dogj plaku Xhevat Rexhepi 68 vjeçar. Spiralja e dhunës serbe, posi lubia,  më 18 prill 1999 që, në orët e mëngjesit, sulmoi Ribarit të Vogël. Kjo makineri e pajisur me informacione nga serbët vendor filloi “lojën vrastare”, ekzekutoi 25 qytetarë shqiptarë, 7 të tjerë i gjymtoi e i shëmtoi me plagë të rënda, mosha e të cilëve ishte nga 10 deri 90 vjeçare, nga të rënit, 10 ishin nga familja Vishesellla, 6 të familjes Vuniqi nga Blinaja, ato ditë tmerri të strehuar në Ribar, 4 të vrarë ishin të familjes Gërxhaliu, ndërsa 5 të tjerë ishin nga 2 të familjes Ismaili e Jashanica dhe një nga familja Kelmendi. Nga të vrarit 7 ishin pleq, madje Rizah Jashanica /1902/, kishte 92 vjet dhe ishte i palëvizshëm.

Ekzekutimi para syve të familjarëve

Nga të vrarit në Ribar 8 ishin femra e 17 meshkuj. Nga këta, 18 ishin qytetarë vendor, 7  ishin të strehuar. Në Hallaq të Vogël, rrugën e sakrifikimit të jetës e qeli dëshmori Ismet Asllani, më 24 mars 1999, për tu martirizuar edhe të tjerët nga familja dhe të afërmit.  Më 19 prill 1999 në Hallaq të Vogël vazhdoi vala e vrasjeve masive, ku vrasësitë serbë vranë e masakruan 20 qytetarë shqiptarë, nga të cilët 4 ishin të strehuar nga vendbanimet tjera. Forcat serbe urdhëruan daljen e gjithë shqiptarëve në lendinë të fshatit, pjesa që nuk arriti të dal, u vranë në oborre e shtëpi, madje dy nga ata u dogjën. Ndërsa nga 40 të tubuarit në mes të fshatit 13 i ndanë për pushkatim, nga të cilët 11 u ekzekutuan  para syve të familjarëve, dy shpëtuan, e dy të tjerët pas torturës dhe masakrës çnjerëzore shpëtuan të gjallë. Nga vrasjet serbe vetëm familjes Gashi ju vranë 4 anëtarë, 4 anëtarë ju vranë edhe familjes Buzuku, kurse familjes Asllani 3, ndërsa nga familja Zekiqi u vranë 3 vëllezër, e nga një anëtarë humbën familja Jashari-Mordoqi. Mulaku, Bajrami, Fazliu dhe Selimi. Kufomat e Minush dhe Abdullah Gashit kanë qenë të karbonizuara, dyshohet se për të gjallë apo pas vrasjes ishin djegur me benzinë.

Në Sllovijë, Ribar të Vogël e Hallaq të Vogël, si kudo në Kosovë, çdo vjet përkujtohen martirët e rënë. Por, vrasjeve në kohë e rrethana të tjera, nuk ju shpëtuan as vendbanimet të tjera si: Kroishta me 9 qytetarë civilë te vrarë shqiptarë, Ribar të Madh u vranë  e u masakruan 6 të tjerë, në Blinajë 8 e Mirenë 7 civilë shqiptarë, Hanroc 5 qytetarë të vrarë shqiptar. Vrasje si në ofanziven e parë ashtu edhe në atë të dytën pati edhe në Kleçkë, Shalë, Krojmir, Baicë, Mirenë, Resinoc, Zllakuqan, Magurë, Bregu i Zi, Leletiq, Rufc i Ri, Dobrajë, Qylagë, Poturoc, Jeta e Re, Janjevë, Brus, Akllap, Terbuc, Gadime, Babush të Muhaxhirëve dhe Plitkoviq. Këto ditë tmerri e dhune, na kujtojnë të kaluarën, na kujtojnë vrasjet e masakrat barbare serbe, na kujtojnë dëbimin me dhunë nga trojet etnike, kur nga kjo tokë u ndoqën gjyshërit e baballarët tanë, pse kërkonin të jenë të lirë, pse e donin lirinë si edhe të tjerët, dhe për të tjerët luftonin për lirinë e të drejta e tyre njerëzore e kombëtare. Andaj, në fundshekullin 20 luftuam dhe ngadhënjyen mbi robërinë shekullore.

 Është e veçanta e dëshmorëve e martirëve tanë që, triumfalisht bijën në altarin e lirisë, por, sipas rrethanave dhe gjendjes së rend, tri herë varrosen, siç ndodhi në gjeografinë e varrezave të lirisë  për  jetën e veprat e tyre  përherë shprehim kujtimin e dhembjen tonë. Prillin e përgjakur të 1999, vrasjet, torturat dhe masakrat e barbarisë serbe, gjithmonë dhe në vazhdimësi i kujtojmë, jo për të krijuar moral urrejtës, por për ta mbajtur kujtesën historike në ndërgjegjen e arsyeshme të të gjallëve. Të rënit vazhdimish kujtohen për të krijuar fisnikrinë e të tashmes dhe të ardhmes sonë, dhe për të ndërtuar vlera pozitive ndaj jetës dhe lirisë së popullit. Në drejtësi ligjore,fetare e tradiconale, krimi është i dënueshëm. Por, ndaj kriminelëve, ndarja e të drejtës, nuk guxon të matet me dy kute. Askush nga ushtarët,policët e vullnetarët vrastarë sërb, as nuk u muarr ne pyetje nuk doli para të drejtë e as nuk u denua per keto krime te kryera

Kriminelët nuk morën denimin meritor, as në Hagë, as në gjykatat vendore

Andaj, për kyesit e krimeve kerkohet denim adekuat, siç kërkojmë të ndalet ndjekja e pa natyrshme e çlirimtarëve, të ndalet ndjekja e denimi  i atyre që kurrë nuk shkelën në troje të huaja, atyre që kurrë nuk vranë qytetarë civilë e të pafajshëm, të ndalet ndjekja e atyre që luftuan barbarinë, atyre që kërkuan liri për popullin e robëruar me shekuj, Të ndalet ndjekja e atyre qëkrijun shtetin demokratike, të lirë e  e liripër të gjithë në këtë, atyre qe janë kreatorë të politikës demokratike, lirisë së fjalës dhe sigurisë e tëdrejtë për levizje të lirë. Sot, institucionet qeveritare e shtetëror angazhohet, përpiqen dhe punojmë në përmbushjen e kërkesave të natyrshme të së drejtës njerëzore, që në Republikën e Kosovës së pavarur të pas luftës, me shtetësi të plotë e sovrane, të gjithë të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e lirë, Por, këto kritere duhet kërkuar me përgjegjësi adekuate edhe ndaj kryesve të krimeve. Për krimet serbe në trevën e Lypjanit, jo se nuk u ndënua askush në Hagë e gjykata vendore serbe, ku pas gjitha deshmive e fakteve kriminelet komandues, urdhërues e ekzekutuesit e krimeve ordiner,si Sheshel, lirohen te pafajshëm, e në liri të panatyrshme trimrohet e dalldisen duke kerkuar kthim triumfues  në vendin e krimit. Ndërsa kuadrot komanduese të UÇK-Së, Tash struktura qeveritare te Republikes së Kosovës, dalur nga morali i çlirimtarëve, jo nga morali vrastar,siç ishin gjatë luftës, kuadro,njësi e forcat qeveritare, ushtarake e policore të dhunës serbe.

Bota filloi të mendojë, të flasë e të veprojë shqip

Çdo verë e pranverë shqiptarët në gjitha mjediset kosovare, kujtojmë verën e 1998 dhe pranverën e 1999, por edhe vitet e me hershme të robrisë shkullore. Shqiptarët e Kosovës  do ti kujtojmë dhembjet e përjetuara, do të kujtojmë humbjen e dhjetëra mija bijve e bijave të kësaj hapësire. Kjo katrahurë antinjerëzore hartuar nga ASSHA, e udhëhequr nga njeriu dinozaur, që synonte të përbijë një popull, ta vras lirinë, pse fletë ndryshe, pse beson në Zot ndryshe, pse nuk janë serbë dhe pse janë popull liridashës. Në Kosovë këto vlera dhe të drejta kombëtare e njerëzore për zgjedhjen e çështjes së Kosovës, shqiptarët i  kërkuam me vite e dekada në mënyrë paqësore e njerëzore, me dialog, e pa mjete dhune, në vazhdim i kërkuam edhe me shprehjen e pakënaqësisë me protestave e demonstratave të studentëve dhe popullit. Me veprime politik përveç ndërkombëtarizimit të çështjes sonë, arritëm në shkallën e mosdurimit të dhunës, dilemën hamletiane “të rrosh, o të mos rrosh”. Atëherë, domosdoshmërisht shqiptarët e Kosovës  hyjnë edhe veprimit ushtarak për realizimin e kërkesave njerëzore e kombëtare. Dhe mu për këtë rënë 21 dëshmorët tanë dhe 164 martirët e lirisë nga gjithë hapësira komunale e Lypjanit. Rënë ashtu siç rënë në Qirez e në Likoshan, në Prekazin legjendar e në Reçak, në Koshare e Gllogjan, e qindra vendbanime të tjera shqiptare në Kosovë. Nga ky mot i madh për shqiptarët, ndryshoi matja e kohës dhe historisë. Nga këtu bota filloi të mendon, të flet e të vepron shqip. Nga këto mote e këto ngjarje për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, nis një epokë e re, një jetë dhe një filozofi e moral tjetër i veprimit politik. Intervenimi ushtarak i forcës më të madhe ushtarake NATO-së,  aleate e ushtri tokësore e të cilës ishte UÇK-ja, për 78 ditësh dëboi nga këto troje vrastarët serb, ndali dhunën, dhe vet ne thyem traditën negative historike, kësaj here,jo si herave të tjera, ndodhi kthimi i madh monumental i shqiptarëve në trojet e veta.

 Martirizimi i  164 nga kjo trevë komunale, Sipas humanistës për të drjta të njeriut, Natash Kandiqit. Në tërë Kosovën, gjatë 1998-1999  janë vrarë 13.549 qytetarë civilë të pa armatosur, nga këta 76% meshkuj e 24% femra, 1400 nga këta nën moshën 18 vjeçare. Përkatësia kombëtare e të vravëve në Kosovë është 8693 shqiptarë, 1196 sërbë e 445 romë e të tjerë. Kthimi provokativ i eshtrave të shqiptarëve nga Serbia, tash sa vite na torturon.

 Gjitha këto përjetime të rënda, nga ky moral i stërkequr sërbë,, na bënë të mos ndalemi në rrugëtim për ndërtimin e shtetit tonë kombëtar Kosovën shtet demokratik sovran e të pavarur, të  integruar e të njohur nga 1010 shtete e institucionet të ndërkombëtare. Sot është domosdo historike e klasës politike, të qëndrojë unike në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosoves dhe të qëndrojë bindjes në  kërkesën e  arsyese së natyrshme, deri në realizimin e synimeve tona kombëtare.

Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë

 Familjet e dëshmorëve dhe martirëve lipjanas, në vazhdimësi bëjnë kërkesë njerëzor, për një angazhim më serioz të subjekteve ndërkombëtare e vendore në gjetjen e ende të pagjeturëve, të cilët u zhdukën po nga ato forca të dhunës, po nga ata njerëz, po nga ajo dhunë serbe. Do të përulemi gjithmonë me respekt para varrezave të dëshmorëve e martirëve të kombit. Ata në vazhdimësi të kohërave, do të jenë krenaria historike e të ardhmes së kësaj toke të djegur e këtij populli të ndjekur.

Rënia për liri është madhështore, sa fjalët tona, sado të zgjedhura qofshin, dalin të zbehta, për të mos thënë krrokama. Rënia për liri, është madhore si lindja e diellit e hapja e qiellit. Amaneti i dëshmorëve e martirëve, puna, mundi, gjaku dhe jeta e tyre e dhënë për këtë tokë e për këtë popull, obligon për ndërtimin e shtetit të pandarë të Kosovës demokratike, të pavarur e sovrane. Vetëm kështu, të rënëve tanë, shpirti ju pushon i qet në Kosovën e tyre. Të rënit për liri kanë dhënë, madhoren, Jetën e tyre, për të cilët ne të gjallë, nuk mjafton vetëm të ngrehim përmendore e të vejmë kurora mbi varret e tyre.  Me respektimin e veprës dhe amaneteve, në kujtim të përjetësisë së tyre për liri, marrin uratën e madhe të popullit dhe Bekimin e të madhit Zot. Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjithmonë do të jetë  kujtesë lavdie në  traditën  pozitive të historisë sonë kombëtare.  

Filed Under: Fejton Tagged With: Ismail Gashi Sllovia, Prilli i Pergjakur

Avioni i parë 93 vjet më parë në Kastriot të Dibres

April 19, 2021 by dgreca

Nga Pertefe Leka/ 93 vjet më parë zbriti  për herë të parë  në fushën e Kastriotit  Aeroplani  i  Shoqërisë Italiane .Në këte udhëtim të parë pati shansin të ishte pasagjer Im Atë,i cili e përshkruan mbërritjen  në Kastriot pa asnjë ceremoni.Ishte koha  kur gjithë qytetet e mëdha të Shqipërisë kishin fusha e aviacionit ku plotësoheshin  udhëtimet e brendshme me shpejtësi, p.sh.Itinerari  nga Tirana në Kastriot bëhej për 27 min.Duke shfletuar ditarin e mësuesit Jahja Domnori për aktivitetin e tij në Zonen e Kastriotit 1928-31, mësojmë konsideratat  e tij për dibranët të cilët në moment kardinale flasin me një gjuhë.

Ishin maturantët e parë të Gjimnazit të Shtetit ,Shkodër,dega pedagogjike,që morën bekimin e Drejtorit të kësaj shkollë Prof.Dr. Mirash Ivanaj, I cili I entuziazmuar nga  ky eveniment u shpreh: “Të jetë fatlume  e me fillim të mbarë ky hap me të cilin fillon Indipendenca  edhe në fushën Arsimore të Kombit Shqiptarë “  Pa asnjë hezitim  iu përgjigjen  kësaj thirrje  mësuesit e rinj Jahja Domnori, Refik Shpuza …të cilët u emëruan mësues në Kastriot  në vitin shkollor 1928. Datë kjo që  përkon  me procesin e ndryshimeve  në sistemin shkollor.Profesioni  si mësues të rinj i ngarkonte me përgjegjësi  dhe detyra te rëndesishme për të realizuar  kërkesat e kohës.Qeveria po merrte të gjitha masat e duhura  që të ndërtohej një sistem kombëtar.Për këte duhej të kapërceje  mbi një sërë shkollash  që kishin influencat  dhe qëllimet e veta.Kjo ndërrmarrje e qeverisë së Zogut  nuk qe e lehtë  për të unifikuar programet mësimore.Ndër të tjera,kishte për objektiv futjen e një rrjeti  të tërë shkollash fillore në tërë vendin, mbi bazën e sistemit me konvikt, për të gjithë ata fëmijë që banonin në zonat e largëta dhe nuk mund të përshkonin çdo ditë rrugën për të ndjekur mësimet.Me 8 dhjetor 1922,ministri i arsimit,Rexhep Mitrovica i drejtohej  kryeministrisë nevojën për hapjen e shkollave të reja,  por ndër të tjera theksonte:”Na kishim me qenë të mendjes që të ngrihen  dy internate, nji në Dibër e tjetri në Kosovë.. sepse deputetet  e Dibrës e të Kosovës na luten dita ditës të mirren në kujdes si krahina të harrueme e të qituna mbas shpine…”

Dibranët të njohur si arsimdashës,fillimisht, shkollat i hapen në shtëpitë e atyre, që kishin mundësi t’i përballonin. 

Në procesin e reformimit të sistemit arsimor  1922-1928  Qeveria  pati si prioritet hapjen e shkollave shtetërore dhe me programe të unifikuara.Kështu, Prefektura e Dibrës  me shkresën nr.345 datë 19.11.1925 kërkonte që ndërtesa për zyra komune në Kastriot të vihej në dispozicion të Internatit “Dibra” të Kastriotit.

Drejtori i parë i këtij Internati  ishte Haki Sharofi (mësues i përkushtuar, patriot, publicist, poet, fetar modern,demokrat i flaktë) i cili me 2 dhjetor 1923 emërohet drejtor në internatin e Peshkopisë,fillimisht i hapur në shtëpinë e Shehat Shehut.  

Nën drejtimin e Haki Sharofit internati “Dibra” i Kastriotit u bë një nga shkollat më në zë të vendit .Pas shumë  peripecishë ,(sepse H.Sharofi luftoi me armë në dorë  me Elez Isufin,  në ngjarjet e vitit 1924…) ai pati shumë  largime  nga puna dhe transferime.Por rikthehet përsëri në  Internatin Kastrioti në vitin shkollor 1927-1928 vetëm për një vit shkollor  dhe prej andej e transferuan në Internatin “Kosova” të Krumës.

Kështu në vitin shkollor 1928 -1929  drejtor  i  internatit  u emërua  Sali Morina i cili  krijoi nje kolektiv  me mësues nga  Shkodra, Jahja Domnori, Refik Shpuza,Abdulla Çanga dhe nga Normalja e Elbasanit Mustafa Shqerra. etj 

Mësuesi,Jahja Domnori,u emërua  mësues  dhe ekonomat pasi  kishte eksperiencë në këtë drejtim.

Të gjithë së bashku  me drejtorin në krye kIshin një kolektiv të harmonizuar, si në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Me 8 dhjetor 1928  zbriti për herë të parë në fushën e Kastriotit aeroplani i shoqërisë italiane Adria aereo Llojd….Udhëtimi Tiranë-Kastriot bëhej për 27 minuta. Mësuesi Jahja Domnori e kujtonte me shumë emocion udhëtimin me avion që zbriste në fushën  e Kastriotit.Ai udhëtoi me kushuririn e vet Q. Domnori të cilin e mori ta shkollonte dhe  të kujdesej për shendetin e tij.

Ekipi i mësuesve në atë shkollë me konvikt  punonte në harmoni të plotë me njëri tjetrin dhe me familjet dibrane,e sidomos me 8 familjet  e njohura që ishin të përmendura për mikëpritje,dhe arsimdashës.

Një foto,e marrur nga arkivi i familjes  së J.D.  ku janë  djemtë  e Internatit” Dibra “ në shtëpinë e Cen Elezit, (njihej  si burre trim,i urtë,luftëtar i paepur për të drejtat e shqiptarëve,demokrat, pikë për pikë si i jati ,Elez Isufi.Kjo foto  e dëshmon më së miri këte bashkëveprim të patriotëve  dibranë me shkollën.

Atë vit, mësuesi jahja Domnori përjetoi një ngjarje të ngjashme me ate që kishte kryer vetë në 28 Nëntorin e vitit 1927.

Mesuesi Haki Sharofi, figura e të cilit ishte akoma e pranishme në Internatin e Dibrës, sepse nuk harrohej shpejt kontributi i tij si drejtor dhe mësues në këte shkollë,bëri një xhest të admirueshëm,në festen e flamurit.

Në festën e 28 Nëntorit 1928, kur po bëhej gati ngritja e flamurit shqiptar, disa per t’i bërë qejfin  shoqërive italiane donin të ngrinin në të njëjten kohë edhe flamuri Italian, por mësuesi patriot Haki Sharofi  u shkëput nga turma dhe doli përpara Prefektit duke i thënë: “Na nuk lejojmë që krahas flamurit shqiptar të ngrihet edhe flamuri Italian, Shqipëria ka vetëm një flamur për të cilin është derdhur gjak,flamuri me shkaben dykrenare”.

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe mësuesi Jahja Domnori,një  vit  më parë, me 28 Nëntor 1927. Ai së bashku me shokët , Agustin Shestani,(nga Kraja) Jahja Baçen J.Kazazi….kishin vendosor të hiqnin flamurin Italian nga banka e shtetit në Shkodër, sepse ngrihej në të djathtë, ndërsa flamuri shqiptar në të majtë.Kjo qe me pasoja sepse në momentin kur po e tërhiqnin flamurin Italian, policia i arrestoi studentët  e aksionit,me ata edhe J.Domnorin.

Këto ishin  mësuesit patriot, që me  guximin dhe qëndrimin e tyre atdhetar, bëheshin shembull  për brezin e ri,në ruajtjen e simboleve kombëtare.

Nga shënimet e mësuesit  Jahja Domnori “Jeta ime”mësojmë  disa të dhëna nga aktiviteti i tij në ate shkollë, ku qëndroi 1928 – 1931, “Si ekonomat i kam kursyer shtetit  500 napolona ari, 

Ministria e Arsimit,në kontrollin rutinë, nga inspektori i Arsimit të Elbasanit Baki Sinella, pasi i verifikoi tabelat e përditshme një për një, konstatoi se ushqimi kishte dalë konform me rregulloren e M.Arsimit.”J.D.

“Atëhere që të mos digjej kredija, shkruan mësuesi-ekonomist,kam ble 150 krevate hekuri,ku zëvendësova krevatet prej druri.Me kujdesin e mësuesit të shkollës sonë Mustafa Shqerra,blemë në Elbasan edhe velenxa leshi,rregulluam dritaret etj.”J.D

Sekreti i këtij kursimi,ishte sepse blerjet e ushqimeve bëheshin direkt nga ekonomisti, Jahja Domnori dhe jo me ndërmjetësinë e të tjerëve. Ky qëndrim korrekt ndaj parave të shtetit kishte vlerë, por edhe  një shembull i vyer për sot, ku të korruptuarit shpërdorojnë dhe grabisin paratë e shtetit.

Nga situata e përgjithshme  në Dibër Jahja Domnori shkruan: “Sa kam shkuar në Kastriot më ka rënë në sy se populli ishin të gjithë me armë.Atëhere  në Dibër  kishin influencë 8 shtëpi.

Në Sllovë shtëpia e Elez Isufit.Në Reç e Dardhë Dervish Luzha, në Maqellarë Dine Begu,në Kandër, Murat Kaloshi e me radhë Dine Dema, Dan Cami. Në Muhren e Vjetër Dine Hoxha që ishte mjaft i ditur dhe Sulë Shehu që ishte kryetar bashkije….

                 Këto familje ishin lidhur me njera tjetrën  me martesa: Murat Kaloshi kishte dhënë e marrë me shtëpinë e Elez Isufit. Për të birin, Dan,kishte marrë vajzën e Sulë Shehut.Pavarësisht  këtyre lidhjeve, kishte mosmarrëveshje  te cilat e shqetësonin qeverinë 

Në fundin e majit 1929, mbreti Zog, ju drejtoi një mesazh me anë të Muharrem Bajraktarit, i cili zbriti me aeroplan dhe erdhi në shkollën tonë. Prej këndej shkoi te Murat Kaloshi i cili e shoqëroi me nja 20 vetë. Të nesërmen të gjithë  majorat  u mblodhën në Peshkopi me njerëzit e vet.

Mbledhja u hap pranë Kazermave, por mungonte Dine Hoxha. Ndër të tjera i deleguari theksoi : Përfaqësuesit e këtyre shtëpive të merren vesh me të deleguemin tonë e të zgjidhin çdo mosmarrëveshje  se për hatër të 8 shtëpive nuk mund të shkatërrojmë një prefekturë e për hatër të një prefekture nuk mund të zhgatërrojme Shqipninë” Zog ……Ja  disa nga pasojat e konflikteve …

Ne ate periudhë Prefekt ishte Fehmi Tepelena, shumë i aftë në detyrë, i cili tue pasë një administratë jo të favorshme  për të kryer detyrat dhe zbatuar ligjet vrau veten. Po ashtu edhe Asim Borshi që ishte kryetar Gjyqi  u hodh ne Dri.Dibranët e shpëtuan dhe e sollën në shkollën tonë, kur mbas do kohe erdhën dhe e morën me aeroplan dhe e dërguan në Tiranë. Ma vonë e emëruan Kryetar Gjyqi në Shkodër.

                  Mbas vdekjes së Fehmi Tepelenës zv.prefekt u bë Daut Kombi i  cili kishte edhe postin si komandant xhandërmarije.

Sa mori detyrën e re edhe ne arsimtarëve na dha 14  pushkë  të  gjata së bashku me xhandërmarinë që kishim në shkollë.Unë si ekonomat duhej të kujdesesha edhe për 20 irredentistë dibranë që i kishin familjet në Jugosllavi.

            Me familjet tona nuk kishim kontakt, vendi ishte i izoluar, por mikëpritja e Murat Kaloshit dhe  e familjeve shumë  bujare dibrane, na e zbuste largësinë që kishim me të afërmit  tonë.

Ndër  figurat e përmendura ishte edhe ajo e Fiqiri Dines,si ushtarak vizionar, nacionalist  i ndershëm,me kulturë përendimore) “…Këte emër  e  kisha ndigjue , kur ai ishte qarkkomandant në Shkodër në vitin 1920. Atëhere im atë më dërgoi(një për shtëpi) në Luftën e Koplikut. Isha vetëm 15 vjeç, kur forcat Jugosllave donin të aneksonin krahinat e veriut. Ishte  edhe organizimi ushtarak i këtij biri të Maqellarës që zmbrapste çetnikët serb sa herë që shkelnin kufirin në qarkun e Shkodrës.”J.D.

 Një person shumë i nderuar në kujtimet e  mësuesit Jahja Domnorit ka qenë Z.Ramiz Trepçi, pronar i Hotelit “Durimi”në Peshkopi, tek i cili, sa herë strehohej  kur shkonte me shërbime në Peshkopi  gjente ngrohtësi si në familje.Ai nuk e harroi kurrë këte njeri shpirtmadh, e arsimdashës  për të cilin shkruante: “Sa herë  vononin rrogat e arsimtarëve,kur unë shkoja për t’i tërhequr  në Peshkopi,Ai kurrë nuk  më linte të kthehesha bosh  për në Kastriot,por  m’i jepte lekët  nga fitimet e tij,të cilat  kur ia ktheja,nuk pranonte kamatë  për vonesën  ” J.D. 

Ky qëndrim burrëror me besë dhe atdhetari,  forconte miqësi  afatgjata dhe i shërbente mbarëvajtjes së punëve shtetërore, duke u bërë  kështu  një rregullator i padukshëm  mes njerëzve, por frytdhënës. Kur vinte puna për të kontribue për  shkollimin e fëmijëve  dhe çështje madhore kombëtare  gjithë  dibranët pa përjashtim  ishin të gatshëm  të  bashkoheshin me urtësi në kuvende,  aty s’përfilleshin armët e inatet mes tyre, por në shërbim të të ardhmes së përbashkët.

 Ndër të tjera shkruan: “Përveç punës si mësues u përpoqa të mbledh edhe proverba dhe legjenda sidomos për Skenderbeun të cilin e quanin Skendëre.Flitej shumë për Pusin e Skenderbeut  në  Kukel apo për Gropën afër Muhrit që e kishte ba kama e Skenderbeut  kur ka kapërcye  Drinin.etj “J.D.

  Për dijeni, të  gjitha botimet  në mbledhjen e folklorit,jo vetem në Dibër,por edhe në vende të tjera ku ka punuarJ.D. ia dërgonte  Institutit të Folklorit, personalisht  Qemal Haxhihasanit në Tiranë.Kështu që  në nuk disponojmë një kopje të këtyre regjistrimeve.Mësuesi Jahja Domnori pas 17 vjetësh 1945 u emërue mësues në Allejbegi  dhe udhëtimin e bënte me kamiona të rastit dhe nga Maqellara për në Fshat do ta bënte në kembë, kur e zinte nata ishte i detyruar të ndalte diku ,ishin  po beglerët e Maqellarës  edhe pse me djalë të pushkatuem që ia hapnin derën …..vazhdon  ditari “Jeta Ime “i Mësuesit Shkodranë J.Domnori…..

Filed Under: Fejton Tagged With: 93 vjet, Avioni i pare, Kastriot, Pertefe Leka

QIRIAZËT – GJERASIMI, GJERGJI, SEVASTIA DHE PARASHQEVIA

March 9, 2021 by dgreca

Familja Qiriazi/

Familja patriotike Qiriazët është me prejardhje nga fshati Magarovë. Prej këtu u shpërngulën dhe u vendosën në Tërnovë afër Manastirit. Më vonë u vendosën në qytet, që në atë kohë ishte qendër e Vilajetit të Manastirit.

Shkruan:Xhelal Zejneli/ Babai Dhimitër Qiriazi, me profesion zdrukthëtar dhe nëna Maria kishin dhjetë fëmijë, shtatë djem dhe tri vajza: Tashko, Konstandini, Gjerasimi, Gjergji, Naumi, Kristo, Pandeli, Fanka, Sevasti dhe Parashqevi. Manastiri i asaj kohe ishte një qytet me përbërje etnike të përzier. Megjithëkëtë, Qiriazët i ruajtën traditat shqiptare, fëmijët ndërkaq u ritën në frymën e dashurisë për gjuhën amtare.

Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Qiriazët dhanë një ndihmesë të madhe për zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nga kjo familje dolën edukatorë, botues dhe personalitete publike. Anëtarë të caktuar të Qiriazëve, me veprimtaritë e tyre ndihmuan në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Katër anëtarë të kësaj familjeje ishin pjesë e protestantëve të hershëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Gjerasimi, Gjergji dhe dy motrat Sevasti e Parashqevi, si veprimtarë të lëvizjes kombëtare, lanë gjurmë në historinë dhe në kulturën shqiptare.

*   *   *

GJERASIM QIRIAZI (Manastir, 1858 – 1894) – Ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, shkrimtar, rilindës. Shkollën fillore greke e ndoqi në Manastirin e tij të lindjes. I anëtarësuar në Bashkësinë Ungjillore të Manastirit dhe me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), iu dha mundësia që në vitet 1878-1882 të studiojë në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samiokov të Bullgarisë. Në vitin 1883 punoi në Korçë si misionar ungjillor i Shoqërisë Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society). Ishte edhe shpërndarës i librave të kësaj shoqërie në Shqipëri dhe në Maqedoni. Krahas shpërndarjes së diturive fetare në gjuhën shqipe, përhapi edhe abetaret, librat dhe gazetat laike shqiptare. Nisi të shkruajë edhe një gramatikë të shqipes dhe të predikojë në gjuhën shqipe. 

Më 12 nëntor të vitit 1884, gjatë rrugës malore Korçë-Manastir u sulmua nga komitët dhe u mbajt peng për gjysmë viti. Rrëfimi për gjashtë muajt e këtij kalvari është përkthyer anglisht nga John Wallace Baird nga Manastiri.   

Hapja e së parës shkollë shqipe në Korçë më 1887, të njohur zyrtarisht, e frymëzoi Gjerasimin dhe të motrat Sevastian e Parashqevinë të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900), e sidomos të misionarëve amerikanë dhe anglezë,  morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetor 1891 hapën në Korçë të parën shkollë shqiptare për vasha. Verën tjetër u shpërngulën në një ndërtesë më të madhe që mund të merrte më shumë nxënës. Hapjen e kësaj shkolle, që në krye të herës, hierarkia greke e kundërshtoi me fanatizëm   

Në vitin 1892 Gjerasimi formoi shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore” të Korçës. Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe, shkroi skica, dialogë, tekste shkollore dhe kompozoi këngë. Shumicën e krijimeve të tij i përmblodhi i vëllai, Gjergji, i cili i botoi ato në antologjinë “Hristomathi a udhëheqës për çdo shtëpi shqiptari” (Sofje, vëll. I, 1902, vëll. II, 1907). Këtu Gjergji përfshiu edhe dy krijime të veta dhe katër fjalime të së motrës, Sevastisë. Krijime të tjera të Qerasimit u botuan në përmbledhjen “Këngë të shenjtëruara për faltoret shqipe” (1924). Gjerasim Qiriazi konsiderohet si një nga pedagogët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai la pas studime me vlerë që u përmblodhën dhe u botuan në librin “Shkrime pedagogjike të Gjerasim Qiriazit” (1966). Njëherazi, është edhe themelues i letërsisë shqiptare për fëmijë në shekullin XIX. Për veprimtarinë e tij atdhetare u përndoq nga pushtetarët osmanë dhe nga klerikët e Megali Idesë greke. 

Gjerasimi Qiriazi vdiq më 4 janar 1894, në moshën 36-vjeçare, nga pleuriti që e kishte marrë gjatë kohës kur ishte zënë peng.

*   *   *

Më 1892 themelon shoqërinë Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë. Familja e tij i përkiste besimit ortodoks. Më 1877 Gjerasimi lë ortodoksizmin dhe përqafon besimin e kishës protestante, në atë kohë, e panjohur në Shqipëri. Kishte raporte me tre misionarë protestantë shqiptaro-amerikanë që kishin ardhur në Shqipëri më 1973. U martua me Athina Mikelidhi-n, e cila ishte e bija e pastorit të kishës ungjillore të Selanikut. U lindi djali i vetëm Stefani. Gruaja e Gjerasimit, Athina, vdiq më 1891, disa muaj pas lindjes së djalit. Stefani ka vdekur në ShBA më 1959 duke lënë pas gjashtë fëmijë. 

Më 1933 qeveria e A. Zogut e ndaloi veprimtarinë e shkollave ungjillore në Korçë. Më 1940, në kohën e pushtimit nazifashist të Shqipërisë, Kisha Ungjillore e Korçës u shpërnda. Pas rënies së komunizmit, tempujt fetarë në Shqipëri u rihapën. Filloi edhe veprimtari ungjillore shqiptare. 

Kërkesa e Gjerasimit dërguar më 1887 Portës së Lartë, për njohjen e ungjillorëve shqiptarë, ishte refuzuar. Ajo që u refuzua në atë kohë, u realizua pas më se një shekulli, më 22 nëntor 2010. Kjo ditë, për protestantët shqiptarë konsiderohet si ditë e shënuar. 

Më 1987 Gjerasimit u dekorua post mortem me titullin “Mësues i Popullit”, ndërsa më 1992 iu dha “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”. 

*   *   *

GJERGJ QIRIAZI (Manastir, 1868 – Manastir, 1912) është veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Ashtu si i vëllai Gjerasimi, ndoqi shkollën greke në vendlindje, në Manastir. Vazhdoi studimet në Kolegjin Teologjik Amerikan Protestant në Samokov të Bullgarisë. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society).

Pas vdekjes së të vëllait Gjerasimit më 1894, Gjergj Qiriazi punoi për vazhdimin dhe mbajtjen në këmbë të Shoqërisë Biblike të Manastirit dhe të Shkollës Shqipe të Vashave në Korçë dhe mori në dorë drejtimin e shkollës së lartpërmendur. Në vitin 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit ku u vendos për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Në vitin 1909, Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën shqipe “Bashkim’ i kombit” dhe shquhej për veprimtarinë e tij politike. 

Si sekretar dhe nënkryetar i klubit shqiptar “Bashkimi” të Manastirit luajti rol sidomos për organizimin dhe për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Manastirit (1908). Mori pjesë në komitetin e fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” të themeluar në vitin 1905 nga veprimtari i Rilindjes Kombëtare, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit (1908) – Bajo Topulli (Bajram Topulli, 1873-1930). Përpos Bajo Topullit, në themelimin e këtij komiteti morën pjesë edhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare Gjergj Qiriazi, Halit Bërzeshta (1840-1909), Fehim Zavalani (1859-1935) etj.

Gjergj Qiriazi dha ndihmesë të rëndësishme për përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore. Është autor i parë i tekstit të mirëfilltë të fizikës në gjuhën shqipe “Fisika” (Bukuresht 1899), me të dhënat më të reja në fushën e fizikës. Përpos hristomathisë së të vëllait, Gjerasimit – “Hristomathi” (1902 dhe 1907) në dy vëllime, me pjesë letrare didaktike, 640 faqe, Gjergj Qiriazi botoi një përmbledhje me poezi fetare me titullin “Kënkë të shenjtëruara” (Sofje 1906). Si publicist, në artikujt e vet trajtoi çështje kulturore dhe shoqërore dhe i botoi në organet e shtypit të kohës. 

Tregoi interesim për dorëshkrimet e lëvruesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895). Gjergj Qiriazi vdiq në Manastir më 30 dhjetor 1912. 

*   *   *

SEVASTI QIRIAZI-DAKO (Manastir, 1871 – Tiranë, 1949) – është veprimtare e lëvizjes kombëtare. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Është motër e Gjerasimit, Gjergjit dhe Parashqevit. Shkollimin e mesëm e kreu në gjuhën angleze, në shkollën e Shoqërisë Biblike të Manastirit. Në vitet 188-1891 kreu studimet në Kolegjin Femëror amerikan (Womens College) të Stambollit. Me t’u kthyer në Shqipëri, me ndihmën e të vëllait, Gjerasimit, më 15 tetot 1891 hapi në Korçë “Shkollën Shqipe të Vashave”, e cila ishte e para shkollë kombëtare për vajza. Në vitet 1905-1906, në Universitetin (Kolegjin) Oberlin të Ohajos (Ohio, ShBA), kreu disa kurse kualifikimi për pedagogji. Përsëri u kthye në krye të shkollës së vashave në Korçë. Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shkollë ende njihej me emrin e familjes Qiriazi. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin arsimor të Elbasanit dhe u zgjodh anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore. Ky komision ishte formuar nga shoqëria “Përparimi”.  

Është thënë se në vitin 1912 ka botuar në Manastir një gramatikë të shqipes për shkollat fillore dhe ka redaktuar disa tekste historie për historinë botërore, për historinë e Shqipërisë etj. Bashkëpunoi me udhëpërshkruesen, etnografen, piktoren, antropologen, humanisten britanike, mike e shqiptarëve, Edit Durham (Mery Edith Durham, Londër, 1869 – Londër, 1944) për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në arenën ndërkombëtare, në vitin 1913. 

Në vitin 1915, nga atdhetarët shqiptarë me qendër në Uorçster (ShBA), u zgjodh kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare. Hartoi një varg memorandumesh, që në emër të partisë që kryesonte, iu dërguan forumeve ndërkombëtare. Në to flitej për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. 

Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (Korçë, 1878 – Tiranë, 1941) dhe me të motrën Parashqevinë, Sevasti Qiriazi-Dako vajti në Rumani dhe prej andej emigroi në ShBA. Në vitin 1902 Kristo Anastas Dako kishte kryer në Bukuresht matematikën.  

Sevasti bashkëpunoi me Parashqevinë për botimin e revistës së përdyjavshme politike, historike, gjuhësore, letrare, pedagogjike dhe kulturore “Yll’i Mëngjesit” (The Morning Star, 1917-1920). Revista drejtohej nga Parashqevi Qiriazi dhe dilte në Boston (ShBA). Numri i parë doli më 15 janar 1917. Vijoi me ndërprerje deri në numrin 45. Një pjesë e shkrimeve ishin frëngjisht ose anglisht.  

Në vitin 1921, Sevasti Qiriazi-Dako u kthye në mëmëdhe, ku bashkë me të shoqin Kristo Dako dhe me të motrën Parashqevinë, iu përkushtua institutit arsimor “Kyrias”, të çelur prej tyre në Tiranë dhe Kamzë. Sevasti Qiriazi-Dako vdiq në Tiranë në vitin 1949. 

Sevasti Qiriazi_Dako është dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut”, me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike” dhe me “Urdhrin e Lirisë”.    

*   *   *

PARASHQEVI QIRIAZI (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) ishte veprimtare e Lëvizjes Kombëtare, gazetare, publiciste, pedagoge. Punoi për emancipimin e femrës shqiptare. Autore e abetares së parë shqipe të shkruar me alfabetin e Manastirit. Është e para femër shqiptare, autore tekstesh. Është e para femër shqiptare që krijoi një projekt arsimor. 

Lindi në Manastir, më 2 qershor 1880. Ishte më e vogla prej dhjetë fëmijëve të familjes. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Manastir. Në vitet 1900-1904 studioi letërsinë në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (Womens College apo American College for Girls) që vepronte në kuadër të Robert College. Në vitin e fundit të studimeve u caktua kryetare e organizatës studentore.  Pasi kreu studimet u kthye në Shqipëri dhe e filloi punën si mësuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë. Më vonë u bë edhe drejtuese e saj. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit (1908), bashkë me Filomena Bonatin dhe Fineas Kenedi* (Phineas Bareber Kennedy, 1867-1963). Me këtë rast, Parashqevi përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar”, që këndohet edhe sot. Më 16 apo më 21 janar 1909 themeloi në Korçë të parën shoqëri të gruas shqiptare që u quajt “Yll’ i mëngjesit”. Në vitet 1909, me shkronja të alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit, tekstin “Abetare për shkollat e para”. Më 1911 teksti u ribotua në Manastir, ndërsa më 1915 kjo abetare u ribotua edhe në ShBA. 

Shënim: Fineas Kenedi (Phineas Bareber Kennedy) ka lindur në ShBA. Ishte predikues në kishën ungjillore protestante shqiptare, të themeluar më 1892 nga Gjerasimi. Fineas Kenedi mori pjesë në Kongresin e Manastirit në cilësi të vëzhguesit. Kenedi shërbeu në Korçë në vitet 1908-1939. Pas kësaj, bashkë me familjen, u kthye në Amerikë.

*   *   *

Në vitin 1912 Parashqevi ndoqi disa kurse kualifikimi, përkatësisht studimet pasuniversitare master në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Po atë vit (1912) hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në qershor 1913, në Universitetin e Oberlinit përfundoi studimet master pasi mbrojti temën “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Mori gradën akademike M. A., d.m.th. master i edukimit (master of education). Më 1913 botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë” (The School for Girls – Kortcha, Albania) e cila në vitin 2014 u ribotua në formën elektronike nga Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, me parathënie të Dana Marie Stucky (1951-2018).  

Në vitin 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, u largua nga Shqipëria. Po atë vit mori pjesë në formimin e organizatës “Lidhja Kombëtare” në Sofje dhe u zgjodh sekretare e saj. Bashkëpunoi me veprimtarin e lëvizjes kombëtare dhe demokratike dhe para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë Themistokli Gërmenjin* (1871-1917) dhe me Kristo Anastas Dakon (1878-1941) për botimin e gazetës “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (1915-1916) në Sofje.

Shënim: Në vitet 1916-1917 Themistokli Gërmenji u kthye nga bullgaria në Shqipëri. organizoi forca të armatosura për ta çliruar nga pushtuesit grekë krahinën e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së jugut. Politikanë të huaj që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë trilluan akuza të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve. U dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.

*   *   *

Në vitin 1917 Parashqevi mori pjesë në themelimin e partisë politike “Partisë Kombëtare Shqiptare” në Uorçester (ShBA). Kjo parti kombëtare shqiptare u themelua në gjirin e mërgimtarëve ekonomikë shqiptarë të atjeshëm. Vazhdoi të vepronte deri në mesin e vitit 1920. Kryetarë të kësaj partie qenë Sevasti Qiriazi-Dako dhe Kristo Dako. Partia u shpreh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë së tokave të shtetit shqiptar. si dhe për rishikimin e kufijve të tij.

Më 15 mars 1915 revista amerikane “The Oberlin Review” shkruan se në vitin 1913, Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A. M. – Artium Magister apo Master of Arts.

Në vitet 1917-1920 Parashqevi qëndroi në ShBA. Në Boston Mass themeloi dhe drejtoi revistën dyjavore “Yll’i Mëngjesit”. Ajo u bë kryeredaktorja e parë femër në historinë e shtypit shqiptar. Në revistë ajo e kishte edhe rubrikën e vet “Fleta e editorit”. Në rubrikën e saj botoi një varg punimesh lidhur me arsimin dhe edukatën. Gazeta doli në vitet 1917-1920. Bashkë me Kristo Dakon, Parashqevi drejtoi shkollat e natës për mërgimtarët shqiptarë në Masaçusets të ShBA-së, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Në vitin 1919, si delegate e Partisë Kombëtare Shqiptare të shqiptarëve të Amerikës,   mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte e vetmja delegate femër që merrte pjesë në atë konferencë. Këtu Parashqevi Qiriazi dha një ndihmesë të vyer për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Më 1921 u kthye në mëmëdhe dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Institutit Femëror “Kyrias” në Tiranë dhe Kamzë. Ky institucion punoi në vitet 1922-1933 dhe u shndërrua në një nga shkollat e mesme më serioze në Shqipëri.  

Më 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review” përsëri shkruan se Parashqevi Qiriazi, në vitin 1913, në departamentin e arsimit të Kolegjit të Oberlinit, ka marrë gradën akademike master. 

Më 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe motrat Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut”. Më 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet. 

Më 1943, e cilësuar si antifashiste, Parashqevi u internua nga Gestapoja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Banjicë afër Beogradit. Pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe.

  Më 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë”, ndërsa më 1962 u dekoruan me “Urdhrin për veprimtari patriotike”. Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970. Në vitin 1987 u dekorua post mortem me titullin “Mësuese e Popullit”. 

Për historinë e shkollës shqipe është me vlerë studimi i Parashqevi Qiriazit “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipërinë” (The development of schools in the Turkish Empire and an ideal system of education for Albania). Këtë tezë e mbrojti në qershor të vitit 1913 në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohajo (Ohio) të ShBA-së. Në vitin 1919 studimi u botua në Boston në gjuhën angleze në librin e Kristo Dakos “Albania, the master key to the Near East“ (Shqipëria, çelës i enigmës për Lindjen e Afërt), si pjesë e shtojcës E, në faqet 248-266. Ky studim, i përkthyer në shqip, ndodhet në veprën “Trashëgimi social-pedagogjike (Motrat Qiriazi)” të studiuesit të arsimit dhe pedagogut Shefik Osmani (Shkodër, 1923 – Tiranë, 2012).  

 Vepra të Parashqevi Qiriazit

– “Himni i alfabetit kombëtar” 1908;

– “Abetare – për shkollat e para” 1909, 1911, 1915;

– “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri” 1913;

– “Shkolla e vashave – Korçë“ 1913 (The School for Girl – Kortcha, Albania) 1913;

– “Një sistem shkollor për zhvillimin e arsimit në Shqipëri” 1920; 

– Përktheu dhe botoi tregimin “Evangjelina” të Henry Longfellow, 1923;

– “Shkolla e parë shqipe e vajzave“ (Kujtime) 1963;

– Në kuadër të monografisë “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” 1972, botohet në Tiranë libri “Kujtime nga Kongresi i Manastirit” i autores Parashqevi Qiriazi. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli:, Qiriazet

PENDESA MUNGON…

March 5, 2021 by dgreca

Shkolla Shqipërisë ne Ulqin ne vitin shkollor -1941-1942/

Fjala e mbajtur nga drejtorit i shkollës shqipe në Ulqin 80 vjet të shkuara nga drejtori i parë i shkollës shqipe në Ulqin Jahja Damnori për vitin shkollor 1941-42/

Përgatiti për Diellin:Pertefe Leka

Zotni te ndershem dhe vllazen ulqinake,…

Ma pare ju kerkoj te falun qe keni pase miresine me marre mundimin e me urdhnue deri ktu. Arsyeja  e mbledhjes se sotme  s’asht tjeter vetem se dishroj  me pase nji marrdhanie me ju me qellim qi  t’u  apim edukaten e duhun femive tuaj.

 Andrra qi keni pase pame tash sa`kohe, sot u shfaq me ate gjuhe qi ju e ruejtet si prushi ne gji.Sot po ju flet nji vlla I perzemert I jueji. Me kujtohen fjalet e shkrimtarit Francez Builo I cili thote : se nji popull qi ruen gjuhen e vet aj ka ruejte cilsin e rruges se indipendences. Por kjo gjuhe e ruejtun prej jush si drita e syve duhet punue, e kete pune e ban shkolla.

Prandaj ma pare do t’ju flas per randesine e shkolles e mandej do te flas marrdhanien qi ka shkolla me ju, per me rrite  femite si duhet.

 Shkolla si dihet ka per qellim te mbrame  me mesue  e me zhvillue  inteligen e femis. Ajo deshiron me perpunue  pernjiheresh e armonikisht te gjitha vetite  shpirtnore te  femis. E aj nuk asht vetem nji shpirt, e as vetem nji trup qi do t’i jepet edukata, por asht nji njeri.

 Shkolla vegon me formue qenie te plotsueme d.m.th. burra e gra me trup te shendoshe, me zemer  trime,me vullnet te forte,me nji shpirt te drejte,por edhe njers qe te jene te zotet  me mprojte te drejtat e veta. Prandaj djelmve dhe varzave qe do t’u bahet teslime edukata  ne doren e tyne,do te jene  femit t’u,fmi shqiptaresh te shekullit XX.

 Shkolla perpiqet me pergadite qytetare e qytetare  te rrespektueshem ndaj ligjeve,me dashte  tek s’ban  atdheun e tyne e krejte te gadshem  me ba cdo sakrifice  per te.

 Nji njeri qi s’ka dashtni per atdhe  aj s’ka besimin e sigurte. Per kete arsye  shkolla duhet me siguru vemendjen e te gjithe shpirtnave te njome  per nji qellim: Atdheu mbi te gjitha.

 Shkolla e sotshme nuk do te  japi njohuri te thata, por do te mundohet qi me ane te punve te vogla me j’a pergadite  te gjithe ata cilesi shpirtnore qi ka prirje femija.

 Prej c’thame, se shkolla e jone pergadite  pernjiheresh njeriun  ne kuptim te vertete te fjales,qytetarin e metejshem.

Shkolla e sotme  jo vetem qi e mpron te drejten fetare  te sejcilit, por edhe I ep shkas 

  e zhvillim te perhapjes se cdo feje tue  e lane te lire mesimin e ushtrimin.

 Asht shume I gabueshem  ne qofte se ndokuj I pershkohet neper mend  se shkolla shqiptare  perbuz fete. Kjo  mund te jete vetem nji propagande e flliget e atyne  qi dishrojne  me ju ba varrin ju.

Me hi e me fole se c’randsi kane fenat, une nuk jam competent per kete pune, por di t’ju tham  se nji njeri qi hjek shpresen(uzdajen) prej zotit  aj nuk do te kete shtylle ku me u pshtete  ose shkop ku me u mbajte.Te tane jeta do t’i shkonte  si i mbytuni neper shkume.

Por faktoret qi perbajne shkollen jane  femit e mesuesit  e sic do mjeshter, per me e krye zanatin (mjeshtrine) e tij  I duhen veglat e brumi, ashtu edhe na, per me krye  misionin e nalte  t’tonin  duhet te kemi brumin,qi jane femite  te formuem si duhet.

 Ju bie si shembull nji zdukthatar, se sado  veglat e mira  me i pase, kur brumi asht I keq  nuk mund te krijoje  nji gja te persosun.

   Pra e para  e punes na dona me pase  femite  te gatuem  deri diku prej nanave  ulqinake e mandej na me I vu ne rruge te  mbare.

  Shkolla  pra kerkon qi m’i vue femit  ne marrdhanie me ju  ne kondita hygjenike  si  c’e    lype nevoja  trupore e shpirtnore e tyne.

  Duhet ta dini se ne pikepamje  te pastertise (temisllekut) fmija  asht nji pasqyre e nanes  dhe e babes.

 Prandaj  puna e pare  asht qi me ane te pastertise, femija munden me e pase trupin e shendoshe  e asht e dijtun  se latini kot s’ka thane: Mendja e shndoshe, ne trup te shndoshe.(Men sana in corpore sana).

 Nji fmi qi ka trupin e shendoshe,aj ka edhe mendte  e shndoshte e asht I gadshem me i rroke mesimet si duhen.Familja duhet te kete kujdes, qi femite  me I dergue te paster ne shkolle.

Tash do te flasi per (terbijen) edukaten e shpis e mandej te shkolles.

Ma pare se kerkushi, I takon nanes kujdesimi I femivet, per arsyet se:

1-Ndermjet prindve  e femive,gjindet lidhnije ma e ngushte,pse fmija  din me dashte  ma fort njate qi  I plotson  dishirat e nevojat e tij. Nji femis  po ju afrue nji I huej  menjihere nise me u ngervalle.

2-Ndermjet prindve e femive, ne mnyre te vecante, frymzimi I nanes ka fuqine  ma te madhe,pse nane e femi gjinden ma afer  se kerkushi,aq  afer sa gadi me u thane nji.

  Pestalozi, themelues I edukates ( I ilmi-terbijes) na msoj me I lshue nanes  vendin e pare.

Nanat e edukueme, lindin e rrisin fmi te edukuem. Kete fuqi te nanes e gjejme edhe te  fjala popullore: Ban nane se te gjas e dy kambe i rreshqas.

Vepra e prindve  ndaj femijve asht cmos e fuqishme  pse pak a shume  prind e femi  kane nji gjak e nji natyre. Femija pa dale mire prej djepit  mundohet  me I ndihmue  vllazenve te vet ma te dobet,ketu kuptohet edhe veprimi I perbashket.Aty ne shpi  mundohet me  u marre parasysh personaliteti I femis.

Tue kene se ne familje jane femi ma pak,munden me ju plotsue te gjitha nevojat secilit femi

Por ktyne te mirave u rrin perballe  edhe  keto te  kqija :

Jane disa prind qi  nuk dien a as nuk ju vjen  perdoresh edukata.  

Disa per shkak te punve  te shumta qi kane jashta shpijet,nuk  mund t’ u a barin  kujdesin e as nuk mund  t’u vien rreth femive.Disa te tjere, nuk i japin randsien qi i perket  edukates.Kto gjana ndodhin edhe neper  familje  ku nanes e babes i del koha me rrite femit.

Jane disa nana,zoja shpijash,te cilat  ja  japin vet tamlin e gjiut femive.Kjo asht  ndera e stolija  ma e madhe  per nji nane shqiptare.Ka disa nana te tjera,te cilat per me i dhane vedit randsi ose per me u duke se jane shpijash te mira  nuk merren aspak  me rritjen e femivet, edhe tamlin e gjiut nuk ja japin atyne.  E ktu vjen edhe rrenimi i familjeve te mdha. Femit e tyne   jane lane ne doren e disa te rejave,  qi jane ma fmi se fmija. 

Prandaj tue marre per baze  se shteti yne  te gjithe shpresen e ka pshtete  ne familje,te cilat sa ma nalt qi te jene,  aq ma nalt  qendron shteti.

Duhet ta dime se pasqyra e fmijve ne shkolle asht nana  e pasqyra  e konstruktorit te  shtetit  asht shkolla.

 Prej shka thame  deri ktu,kuptohet  se shkolla e pare e fmive asht familja,por edhe shkolla ka te mirat  e saj.

Femija ne shkolle  gjindet si nji gjymtyre  e nji shoqnije  e kjo gja asht  nder faktoret  ma kryesor  qi e bajne ate  me perfitue ndiesit  e rrelacionit shoqnuer. Aty shef  se si mundet  me I ndihmue  nji ma t’vobegtit, nji ma te dobtit fizikisht.

Ne shkolle e kqyrin edukaten njers competent (qi e kane per zanat) te cilet kane mesue po per njate pune  e jane te rrahun me cashtje feminore.

Mesuesi ne shkolle  I rrin femis pa paragjykime  e kjo pune I ndihmon fort  per me pru nji gjykim te madh mbi sjelljen  e mbi te metat e femis.

Ne shkolle tue punue nxansit krijohet nji fare zelli (calltije) me ja kalue njeni tjetrit. Kjo pune  ka nji njoftje te madhe  per fmi deri sa te ruhet  e te mos kalohet kufini.

 Ne shkolle, fmija din me njofte  fuqite e veta mendore e trupore  e mos me I besue vetes 

Ma teper se sa vjen, pra i zhduket madheshtija.

Ne shkolle, ku pa ndryshim rrin e meson si I vobegti si pasaniku, perpjeket e afrohet  ma teper gjaja  shoqnore. Ktu fillon pra, me ja diet pasaniku te vobegtit,zengjini fukarase.

Ktu meson fmija  c’asht zeqati, sadakaja, buka e shndandout. Sidomos ne kohe te sotshme, ku popujt nji pale kane rrezervue  kapitale  e nji pale te tjere  jane denue me  vdeke  uje, per kte shkak po perligjen me lufta  e gjaqe.

Dhima per te vobegtin e drejtsia per te gjithe jane bazat esenciale  te shkolles se sotshme.

Ketu do t’ju flas  pak per edukimin e perbashket ku do te mesojne pa ndryshim varzat  edhe  djelmte.

Ne statistiken qi kam ne dore,shof se jane  regjistruem  227 djelm e 97 varza.

Kjo gja me ban me dyshue mbi formimin e nanave shqiptare (ulqinake) prej te cilave  do te mvaret e ardhshmja  e femivet.

 Ndeja e pandame e djelmve  me varza  I ban te paret ma te  paqet ne fjale.

 Kur te dy palet do te edukohen ne shkolle do te kene respekt per njeri  tjetrin.

E keqja asht, kur  prindja i lane  femit, djelm e varza pa shkolle, ku asnji njeri s’merr mbi ta kurrfare pergjegjsije.  Prandaj  ju thrras, o vllazen  ulqinake qi te mos i leni  femit t’u  rrugve,  pse ktu ne shkolle  ecin zbashku  djale e vajze, si ne voter  vllau me moter.

Prej shka thame deri ktu, kuptohet  se shpija asht baza e edukates, ndersa  shkolla i con perpara me disiplinen e vet.Prandej shkolle e shpi  duhet te kene nji lidhni  e krahasueme  si njena dore lane tjetren e te dyja lajne  fytyren. 

Femija ne shkolle huen 6 vjetsh, e aj I ka kene shtrue edukates se prindve e vazhdon  gjithnji nen mbikqyrjen e tyne.

Ne qofte se nji femi kalon nji ore ne shkolle e shume ore ne ship c’do te ngjante  ne qofte se familja  asht ne kundershtim me shkollen.

 Po e xame se ne shkolle ndalohet kumbara,alkooli etj.c’do te ngjante  ne qofte se  familja i ep  letra me  luejt  per nate  ose pjek rakine vete .Puna e mesuesit ne kte mnyre shkon ne Buen. Pra nji gja qi e ndalon mesuesi duhet te jete e ndalueme edhe prej prindve.

Per kte asht e domosdoshme  me permbledhe  njohuni  mbi jeten e fmive tuej. Nji prind ankohet se djali s’kap liber me dore.

Mesuesi ankohet se djali vjen vone ne shkolle.

Ka fmi qe rrine te merzitshem ne shkolle, mesuesi duhet te dije ne qofte se ka ndonji hall apo ndonji smundje,e tue dijte shpirtin e nji femije ,din me gjete edhe dermanin per te.

 Ka fmi qi vuejne me smundje te ndryshme,prindi duhet te bisedoje me msuesin, e mesuesi  ka me kene  i gadshem  me u sjelle me te si i perket.

Shume femi qe   kane  probleme, vehen ne rruge te mbare  prej  nji mesuesi  specialist,kur prindi  e mesuesi punojne zbashku. Por  nji gja duhet me pase parasysh,mos me I msue femit vetem me urdhna.

Fmija e sahati nuk duhen me u ngrehe shpesh por duhen lane me ece edhe vetiut.Ne dac me e vu  femin ne rruge te mbare duhet me I kallxue ate c’ka do te bajne e jo kurre gjane e ndalueme . Ne qofte se mesojme  nji femi me punue vetem me urdhna, ka me mbete  gjalle e ngusht,e kur t’I bien ndonji gja mbi krye  s’ka me diet  me e plotsue .

 Fjala qi i thue femis  duhet  me kene nji mur celiku,nuk duhet te thyhesh e  te bajne  ate qi nuk e ke lejue ma pare.

Kurre mos i fol me gjak te nxete, e aty ku mundesh  me krye punen  me nji fjale t’ambel. Fmija bindet ma shpejt me  fjale te mira  se sa  me fjale te ashpra apo me rrahje.

Femija asht tue u formue dhe na duhet ta respektojme ate qi edhe ai  mandej te na respektoje ne.Pendesa: Mungon.

Përgatiti për Diellin:Pertefe Leka

Filed Under: Fejton Tagged With: Jahja Damneri, Pertefe Leka, Shkolla shqipe, Ulqin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT