• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Metush Haxha – të lumtë dora…

January 2, 2020 by dgreca

-Shfletojmë historinë tonë Kombëtare-

Shkruan: Qamil S. Dardhankodra/ Toronto-Canada/

Metush Haxha (1880-1965) lindi e u rrit në katundin Haç të çarkut të Gjilanit. Ishte pjesëmarrës i të gjitha kryengritjeve të fundit që u zhvilluen në Grykë të Kaçanikut kundër pushuesve turq. Për ma tepër Metushi ishte shejtar i shkëlqyeshëm. Ai ia shpoi kazanin pampurit turk tek po kalonte nëpër Grykën e Kaçanikut. Sa të tjerë e kishin provue këtë gja por pa sukses ngase lokomotiva kishte cilindrin e avullit me shtypje të naltë të vendosun horizontalisht. Plumbat rrëshqitnin (teptisnin) poshtë ose nalt dhe vështirë ishte të gjendej kandi prej 90˚. Këtë kand e gjeti dhe e zuni vetëm shejtari i pashoq – Metush Haxha. Mbasi e shpoi kazanin, treni vazhdoi dhe disa hapa dhe u ndal – u ndal çarkullimi i trenave në udhën e frengit (hekurudhës) Selanik – Mitrovicë. Dami që i shkaktoi Metushi Perandorisë së ugurzisë turke nuk ishte i vogël, për këtë sigurisht qe njoftue edhe xhelati i Stambollit. Duhej edhe nji lokomotivë tjetër për ta tërheq këtë coftinë për riparim, riparimi nuk ishte i lehtë kur dihet se në këtë kohë ende nuk njihej puna e saldimit. Lokomotivat prodhoheshin vëtëm në Europë e jo në Turqinë anadollake e të mbrapambetun.

Sa e sa herë Metushin e kishin thirr nëpër dasma në këtë anë, vetëm e vetëm për me e vra shejin që ishte kusht për me vazhdue krushqit e me u kthye me nuse. Shej vehej nji asht ose nji filxhan i kafës, ky burrë kurrë nuk e rrëzonte shejin me të parin – e treta e vërteta e i zoti i dasmës nuk e ka kujtë (pranue) nëse sheji vritej me të parën tue thane se “plumbi këtuhit e kishte udhën” e drejtonte shejin sërish dhe thoshte “e tashti vraje në mujsh me e vra” thuhet se mbrapa shejit shumëherë e kanë vue nji copë bukë dhe sheji nuk vritej (bestytni). Shpeshherë Metushin vinin e merrnin me kali vetëm me e rrëzue shejin se dasma nuk do të përfundonte pa u krye kjo punë. Me Bozk Stubllën ishin shokë të pandashëm që të dy luftarë të Grykës së Kaçanikut e të Grykës së Konçulit, bashkëluftarë dhe truproje të Idriz Seferit. Qenë shejtarë të mire, e vrisnin zogun në qiell. Metushi kishte pushkë të gjatë në cilën mund të flinin 12 çura. Në livadhe të Zhegrës ai e kishte vra nji serb të këtij katundi ngase kishte sha shumë keq. Për këtë rast gjykata e Shkupit e kishte lirue për shkak të mospërputhjes së emnit, megjithatë familja e tij e pagoi këtë gjak 50 lira – ar, serbët e Zhegrës qenë shqiptarë të sllavizuem. Gjatë L2B Metushi e kaloi Moravën dhe doli në Shqipni, punoi si rojtar në Budrikë, Radivojc, Devajë, etj. herë-herë vinte natën dhe fshehurazi te Haçt e shihte familjen, fqijt, etj. Mbas L2B ai ka hecun shumë për besëpaqe, ka marr pjesë në shumë pajtime e mbarime që asht nji akt burrnor e atdhetar.

Jo vetëm që nuk duhet harrue këtë luftar e atdhetar e shejtar të shquem por atë duhet nderue e në radhë të parë do të ishte tepër mirë që Shoqata e Shejtarisë e Gjilanit të emërtohet me këtë emën të madh – me emnin e Metush Haxhës. Krenari për këtë shoqatë do të ishte me e mbajt emnin e nji atdhetari të traditës, e nji luftar të Grykës Kaçanikut dhe të Grykës Konçulit, kur dihet se njeriut si ai nuk i shkonte asnji plumb huq, emnin e nji shejtari të shkëlqyeshëm, emnin e nji njeriu që ia shpoi barkun sulltanit gjakpirës, emnin e nji njeriu që i shkaktoi dam të madh Turiqisë ugurzezë.

Kjo shoqatë duhet të emërtoj e mbaj nji garë, çmim a shpërblim me emnin e Bozk Stubllës që të nderohet e të mos harrohet ky burrë, ky atdhetar i madh, ky luftar që rrëzoi e praptoi sa e sa ushtarë turq e serbë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Qamil Llashtica- Metush Haxha

100 VJET….

January 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/ E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!

Në 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, ku tha troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…” Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë! Mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… 

Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica. 

Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar. 

Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së 

qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm! Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës. Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë. Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar. Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A. Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919  nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. 

Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.

Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa. Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës Shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.” Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!” Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda. Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”

Me 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.

Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni. Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson. 

■E nder këta 100 vjet, kjo treshe Burrash, sa sot.., nuk asht kenë e nevojshme kurr! 

            Melbourne, 1 Janar 2020.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovani-100 Vjet

ISMAIL QEMALI: JA PSE U LARGOVA NGA KOSTANDINOPOJA

December 26, 2019 by dgreca

Ismail Qemali – korrespondentit të Le Temps (1909) : “Ja pse u largova nga Kostandipoja gjatë revoltës së 13 prillit.” /

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

“Le Temps” ka botuar, të premten e 30 prillit 1909, në ballinë, intervistën e korrespondentit të saj me Ismail Qemalin, në lidhje me arsyet e largimit të tij nga Kostandipoja, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Deklaratat e Ismail Qemalit, kreut të Bashkimit Liberal: (Shkresë nga korrespondenti ynë i veçantë)

Athinë, 29 Prill.Ismail Qemali, udhëheqësi i partisë Bashkimi Liberal, anëtarët e të cilit aktualisht po ndiqen penalisht nga komiteti i partisë Bashkim dhe Progres, dhe të përfshirë në shtypjen (represionin) e Kostandinopojës, më bëri deklaratat e mëposhtme :

 “Javën e kaluar, Veziri i Madh mori një shkresë nga turqit e rinj (xhonturqit), duke më mbajtur mua, Ismail Qemalin dhe miqtë e mi, përgjegjës për ngjarjet e 13 Prillit. Unë u detyrova të largohesha nga Kostandinopoja, dhe kur arrita këtu protestova fuqishëm kundër shpifjeve të përfshirjes sime në kryengritjen e Kostandinopojës, një lëvizje qartësisht reaksionare dhe e papajtueshme me parimet e tërë jetës sime.”

Pasi kujtoi vuajtjet e tij nën regjimin absolutist, dy ekzilet e tij që zgjatën gjashtëmbëdhjetë vite dhe kthimin në Turqi, Ismail Qemali vazhdoi si më poshtë :

 “Unë isha i vetmi deputet që refuzova të takohesha dhe të darkoja me Sulltanin; në Dhomë, bëra opozitë, jo si reaksionar, por si lider i partisë Liberale; Unë kritikova ashpër partinë Bashkim dhe Progres për ringjalljen e praktikave absolutiste, për mos kryerjen e ndonjë reforme, për dënimin e Dhomës ndaj mosveprimit; por kundërshtimi im ishte absolutisht besnik dhe kushtetues, në atë masë që dy ditë para trazirave të 13 Prillit, të ftuar nga Veziri i Madh Hilmi Pasha për të marrë një portofol (post), unë refuzova, por deklarova se Liberalët ishin të gatshëm për të arritur një marrëveshje me qeverinë për të formuar një program të përbashkët të reformave dhe për të vazhduar zbatimin e tyre.

I prisja ngjarjet e 13 prillit aq pak sa kur ato ndodhën unë isha në periferi të Ortakeuy. Kur arrita në Dhomë, protestova kundër pushtimit të saj nga hoxhallarët dhe ushtarët. Të nesërmen në mëngjes, të thirrur në pallat nga veziri i ri Teufik, unë refuzova një portofol (post). I pritur nga Sulltani, unë insistova mbi nevojën që Abdyl-Hamidi të respektonte Kushtetutën. Unë kam emëruar Nazim Pashën, një tjetër viktimë të absolutizmit, për postin e komandantit të trupave të kryeqytetit; Kur u ktheva në Dhomë, unë rrëfeva bisedën time me Sulltanin dhe provokova vendimin unanim që u votua për t’i dhënë fund luftimeve të partive përballë situatës së rëndë.

Sidoqoftë, shpifjet që lëshohen kundër meje mund të shpjegohen vetëm si ndjenja hakmarrëse kundër qëndrimit të liberalëve në Dhomë.

Kaq për të kaluarën; në të ardhmen, miqtë e mi dhe unë, si dhe të gjithë patriotët e vërtetë, ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë e vetme të mundshme, atë të turqve të rinj, por këta, të përforcuar nga suksesi i tyre i fundit, duhet të braktisin sistemin e tyre të komiteteve sekrete dhe të formojnë një kabinet homogjen të aftë për të formuar një program të vërtetë dhe për të marrë përgjegjësinë për zbatimin e tij.”

Filed Under: Fejton Tagged With: Ismail Qemali

140 Vjetori i Betejës së Nokshiqit

December 19, 2019 by dgreca

Beteja e Nokshiqit/

Nga Esad GJONBALAJ/

Në dimrin e ftoftë të vitit 1879 dallgët dhe stuhitë ekspansioniste iu kishin vërsulur trojeve shqiptare. Pushtuesve osman ju kishte filluar t’i u lëkundej dheu nën këmbë, ndërkaq Rusia Cariste e fuqizuar me fitoren ndaj ushtrisë osmane  përpiqej ta  shtonte ndikimin dhe influencën e saj në Gadishullin Ballkanik.

Sllavet e Ballkanit përfitonin duke zgjeruar territore në dëm të trevave shqiptare. Vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit ndikuan që shqiptarët te ngrehin zërin e tyre në mbrojtje të tokave shqiptarë që rezultuan me faktin që krerët me më zë të kohës të organizohen përmes  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Një nder nismëtarët kryesor të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit ishte edhe Ali Pasheë Gucia, sëbashku me Jakup Ferrin. Këto dy figura historike të  trevës tonë  sëbashku me burrat më  të mëdhenj të  kombit morrën vendimet më me rendësi për fatin e kombit shqiptar në  këtë periudhë  plotë  trazira të historisë  duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit dhe duke ua “kthyer pushkën” edhe fuqive të mëdha.

Para 140 viteve në  betejën e lavdishme të Nokshiqit  ra  heroikisht komandanti i forcave vullnetare mbrojtëse shqiptare Jakup Ferri  bashkë me 800 bashkëluftëtarë dhe 600 te plagosur . Jakup Ferri  me bashkëluftëtarë ra ne mbrojtje të shqiptarisë, duke arritur një nder fitoret më  të  lavdishme në historinë e popullit shqiptar vetëm me forca vetanake të përbëra nga vullnetarët e ardhur  nga të gjitha trojet shqiptare, të armatosur, dobët të pajisur me armatim elementar por me vullnet të zjarret në mbrojtje të atdheut.

Atdhetatarizmi dhe dëshira e shqiptareve për ti mbrojtur tokat e stërgjyshërve nga copëtimi mposhten ushtrinë e rregulltë  të okupuesve malazias  të udhëhequr nga Mark Milani, e cila ishte mirë e organizuar, e armatosur dhe e pajisur me armë më moderne të kohës  (topa, mitraloza, pushkë e revole) nga Rusia, e disa  shtete të tjera Evropiane. Forcat vullnetare shqiptare nën komandën e Jakup Ferrit i  shkaktuan humbje të mëdha në njerëz 2500 ushtarë të vrarë malazez dhe 1200 robër dhe teknikë ushtarake ushtrisë malazeze. Ne këtë përvjetor të përkujtimit të kësaj beteje mund të ndiejmë krenarinë tonë për sukseset dhe përkushtimin kohës të shqiptarëve të Plavë Gucisë por edhe përkrahjes së fuqishme  të krerëve e vullnetarëve nga trevat e tjera shqiptare. Në këtë përvjetor mund të parashtrojmë pyetjen historianëve të sotëm, pse vallë ky përkujtim jubilar po ikën dhe asnjë organizim dhe përkujtim, as i intelektualëve në mënyra vetenake por edhe asnjë aktivitet nga shtetet tona për Luftën dhe betejën e Madhe të Nokshiqit, që edhe  analistët e kohës e kishin  vlerësuar si bazament të vetëdijesimit kombëtar të faktorit shqiptar  për krijimin e shtetit shqiptar.

Kronisti i kohës i gazetës britanike The Guardien, Arthur Evans, në korrespodencat e asaj kohe dhe në librin e tij “Albanian Letters” pikërisht këtë luftë e kishte  vlerësonte si një ndër hapat e par që shqiptarët i kishin ndërmar për të luftuar me qëllim të krijimit të  shtetit të  tyre nacional. Po ashtu  me 2 maj te vitit 1880 gazeta “New York Times” kishte botuar një artikull për Plave Gucinë

Artikulli fillon kështu: ” Gucia dhe Plava janë përfolur shumë lidhur me marrëveshjen e çështjes së kufijve në mes të Malit të Zi dhe Portës. Në çdo qytet të Evropës këto dy qytete (Plava e Gucia) janë bërë temë e diskutimeve në qarqet diplomatike; emrat e tyre janë publikuar me qindra herë në çdo gazetë të rëndësishme botërore, dhe telegramet përmes Atlantikut kanë ardhur deri te ne….artikulli vazhdon.

 Nëse para 140 vjetësh “Të gjitha kryeqendrat botërore ishin marrë  me Plavën e Gucinë”, atëherë çka po bëjmë ne sot që ta ngrisim zërin për padrejtësitë e bëra në këto troje ?

Po ashtu në Muzeun Kombëtar në Tiranë ekziston flamuri kombëtar me i vjetri i ruajtur nën të cilin shqiptarët e të gjitha trojeve etnike kishin luftuar të bashkuar në këtë betejë, që është edhe një dëshmi bindëse se aty ishte luftuar për shtetin shqiptar dhe ishin  mbrojtur  kufijtë e Shqipërisë së natyrshme.

Ky përvjetor i 140 jubilar është moment i duhur për korrigjimin e gabimit historik për mosdekorimin deri më tash (përkundër premtimeve edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova) të kryekomandantit ushtarak Jakup Ferri i cili me strategji të vetën ushtarake e trimëri të treguar në fushëbetejë ku edhe kishte flijuar jetën e vetë,  dhe me arritjen e njërës nga fitorët më të lavdishme të popullit shqiptar e ka merituar të shpallet HERO I KOMBIT SHQIPTAR.

Në këtë datë të harruar,  Plava e Gucia thërrasin në ndërgjegjen e përgjegjësve, si të historianëve, intelektualëve dhe të udhëheqësve të  shteteve tona, sepse qe 140 vite rezistojmë thuajse të vetëm duke kulluar gjak nga plagët e tentimeve sllave për konvertim, të asimilimit, e plagët e rënda të  mërgimit. Në këtë përvjetor u themi se heshtja është krim ndaj historisë së lavdishme të LUFTES SE NOKSHIQIT.

KUJTIM E LAVDI PËR JETË E MOT TRIMAVE TË NOKSHIQIT.

 img: GUCIA dhe PLAVA NE “NEW YORK TIMES” 2 MAJ 1880

Filed Under: Fejton Tagged With: Beteja e Nokshiqit, Esad Gjonbalaj

Të mëdhenjtë e kombit…

December 6, 2019 by dgreca

–“Me pranue me heshtjen t’onë nji cilsim të tillë qi nuk i përgjigjet së vërtetës, mue m’asht duke se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historis e kundra fmijëve e njerzve tanë, qi do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë para shoqnisë… me i lane historishkruesit të së nesërmes nji dokument qi t’a kenë të gjithë shqiptarët për studim.” – Kol Bib Mirakaj-/


Nga Tomë Mrijaj/

Zanafilla e një shkrimi

Me ardhjen time në New York, në fillim të vitit 1978, pas pak muajsh mua dhe bashkëshorten time, na ftoi për një vizitë në shtëpinë e saj Lula, vajza e patriotit të shquar ish Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, atdhetari i pamposhtur antikomunist Kolë Bibë Mirakaj. 

Lula me familjen e saj, jetonte në një lagje të qytetit të madh Brooklyn, së bashku me fëmijët: Nikolla, Donika dhe Matilda. 

Ne u impresiunuam shumë qysh në hyrje të banesës së tyre. Deri në ato ditë, nuk kisha parë asnjëherë një atdhedashuri të madhe, që kjo familje ruante për vendindjen dhe trojet etnike shqiptare. 

Në dhomat e tyre ishte pasqyruar dukshëm Shqipëria në miniaturë. Në muret e dhomës mikpritëse ishin të varura portretet e shumë figurave të shquar të historisë së popullit shqiptar, simbolet kombëtare, lahuta, çiftelia,plisi i bardhë, flamuri kuq e zi pa yllin komunist, librat e shumta në gjuhën shqipe, ku, mbi të gjitha ishin të ekzpozuara kryeveprat e identitetit tonë kombëtar, si: “Lahuta e Malcisë” e shkruar nga poeti kombëtar atë Gjergj Fishtës O.F.M., “Kanuni i Lek Dukagjinit” (Botimi i Parë, i vitit 1933, me parathënie brilante, të shkruar nga patrioti i shquar atë Gjergj Fishtës), hartuar nga intelektuali dhe patrioti i madh i kombit tonë atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. etj., koleksioni i plotë i revistës fetaro kulturore “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), themeluar dhe drejtuar nga shkrimtari, studiuesi dhe publiçisti i palodhur i komunitetit tonë, meshtari dhe prelati i kishës së parë katolike shqiptare “Zoja e Këshllit t’Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) në SHBA, i paharruari mons dr. Zef Oroshi (1912-1989) etj.

Mbas një mikpritje bujare tradicionale, zhvilluam një bisedë të ngrohtë dhe miqësore, duke rrokur tema të ndryshme, ku, më e rëndsishmja ishte ajo për vendlindjen, masakrimet dhe internimet e shumta, që po pësonin njerëzit e pafajshëm nën sundimin e rregjimit të egër komunist në Shqipëri, si dhe kalvarin e vuajtjeve dhe internimeve, që kishin pësuar disa nga antarët e familjes Mirakaj, që nuk kishin mundur të arratiseshin nga ferri burg komunist i diktatorit Enver Hoxha.

Në një moment qetësie e pyes Lulën, se a ka lënë diçka të shkruar babai juaj Kola? Ajo menjëherë mu përgjigj në mënyrë pozitive, shkurt dhe prerë, se babai i saj i kishte lënë disa dorëshkrime, të cilat i ruanin si relike të çmuara, sepse kanë vlera historike.

Lula u ngrit ngadalë nga sofra e shtruar, dhe na u drejtua me fjalët: Ju lutem prisni pak, se po vij shpejt. Ajo hyri në një dhomë të shtëpisë dhe pas disa minutash doli me një libër në dorëshkrim, të cilën na e tregoi, duke thënë, se ky që po shihni tani është një dorëshkrim të cilin babai e ka shkruar me kujdes me makinë shkrimi. 

U afrova me kujdes dhe lexova menjëherë titullin e librit të pabotuar, që kishte një titull shumë interesant: “Vetëvrasja e një kombi”. 

Unë i kërkova Lules, që ta hapte pak librin e mbështjellë me kujdes me një mbulesë plasmasi, që të shikoja disa fjalë nga dorëshkrimi, por ajo tha se e kishte amanet nga babai i saj Kolë Bibë Mirakaj, që askush të mos e hapte deri sa libri në dorëshkrim të botohej, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri… 

Dhe ashtu ndodhi! Lula dhe familja e saj e mbajti amanetin e babait të tyre.

Pas disa ditëve, me makinë së bashku me prelatin mons. dr. Zef Oroshin shkuam për të bërë një vizitë miqësore tek shtëpia e Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarku. 

Ai mbasi na priti me një buzëqeshje dhe na ftoi që të hyjmë brenda, në bisedë e sipër, ndër të tjera Kapidani më pyeti: “Tomë, a ka ndonji gja të re këto ditë!?” 

Unë i thashë se isha për një vizitë pak ditë më parë tek shtëpia e Lulës, vajzës së Kolë Bibë Mirakaj. Aty më bëri përshtypje titulli i një libri në dorëshkrim me titull interesant: “Vetëvrasja e një kombi”.

Kapidani Ndue, më shikoj drejt në sy dhe më tha: “Kol Bib Mirakaj, ka ken nji nacionalist i vendosun e i ka luftue gjithnji padrejtsitë e kohes dhe të njerzve.”

Kjo bisedë e re, bëri që edhe meshtari ynë mons. dr. Zef Oroshi, të shpreh mendimet dhe përjetimet e tij për figurën e madhe të Kolë Bibë Mirakajt.

Ndër të tjera dr. Oroshi tha, se: “Kola ka ken nji njeri i ditun, njeri i zgjuet e i besës, fjal pak e punë shum, nji pend dhe mendje e mpreht, orator dhe nji atdhedashës i zjarrtë. Ai e urrente komunizmin dhe servilat e tij, që shetisnin lirshem si informator në emigracionin e Italisë dhe SHBA-së.”

Në fund të bisedës dhe para se të largohemi nga shtëpia e tij, Kapidani Ndue Gjomarku, më dha si kujtimfletoren apo të përkohshmen: “L’ALBANIE LIBRE”, që dikur ishte organi i Blokut Kombtar Indipendent. 

Ai shtoi se në këtë buletin mund të gjeni shumë informacione, shkrime të Kolë Bibë Mirakajt. 

Kolë Bibë Mirakaj dhe Vetëvrasja e një kombi

Kam menduar dhe gjithnjë mendoj, se të mëdhenjtë e kombit, nuk mund të jenë kurrë trathtarë të kombit, cilatdo qofshin idealet e atyre, kur ata janë konseguentë dhe të qëndrueshëm në ato ide atdhetare, të cilave ua kushtuan gjithë jetën realizimit të tyre.

 Për më tepër, këto ide i udhëheqin si programe dhe qëllimi i vetëm i jetës së tyre, mbetet gjithnjë e mira e përbashkët e kombit, popullit dhe e prosperitetit të tij. 

Këta idealistë përparimtarë, përbëjnë elitën cilësore të kombit dhe mund të quhen me të drejtë personalitete të shquar të kombit tonë. 

Në këtë grup njerëzish të mëdhenj të kombit tonë, bën pjesë edhe Kolë Bibë Mirakaj, i cili, me të drejtë asokohe dhe sot, zë një vend nderi të merituar në historinë e lavdishme të kombit shqiptar. 

Në të gjithë ngjarjet plot tallaze, me humbje dhe fitore të zhvilluara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj deri sa ndërroi jetë Kolë Bibë Mirakaj ishte një ndër protogonistët më të mëdhenj të atyre vitëve plot ngjarje, që u zhvilluan jo vetëm në vendlindjen tonë gjatë viteve 1939-1944, por edhe jashtë Atdheut deri në emigracionin e largët në Europë dhe SHBA. 

Sikurse të gjithë nacionalistët e shquar pararendës, që bënë emër shumë të madh në trojet shqiptare, ideali i tij kryesor ishte bashkimi i të gjithë forcave politike atdhedashëse në një front të vetëm, kundër rrezikut komunist. 

Kjo për faktin e vërtetë historik, se ish Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj e njihte shumë mirë natyrën e rregjimit diktatorial komunist stalinist në Bashkimin Sovjetik (B.S.), ku, gjithnjë të drejtat dhe liritë e njeriut shtypeshin sistematikisht me gjak dhe hekur, ku, popujt e federatës ruse vriteshin, persekutohershin, internoheshin, pushkatoheshin, me gjyq fallco dhe pa gjyq, ashtu sikurse edhe qindra vjet më pare, kur shtypeshin dhe keqtrajtoheshin njerëzit në epokën e lashtë të skllavërisë së plotë.

Ai e shihte të pamundur shpëtimin e Shqipërisë nën kthetrat e komunizmit të zi.

Kjo ishte një katastrofë e tmerrshme komuniste, sikurse e quante ai, sepse e njihte shumë mire tragjedinë që do të pësonte në të ardhmen vendi i shqiponjave dhe populli ynë, nën rregjimin totalitar atesit komunist.

Ngjarjet, që po zhvilloheshin me shpejtësi në arenen ndërkombëtare, për fat të keq nuk e favorizonin Shqipërinë e mjerë dhe popullin e saj. 

Kështu në Konferencën e Jaltës, Shqipëria ishte lënë padrejtësisht në zonën e influencës komuniste. 

Dhe për këtë gjë Kola, falë vizionit që kishte mendonte dhe shpresonte, se vetëm me bashkimin e partive antikomuniste, në një bllok të vetëm do të behej e pamundur ardhja në pushtet e partisë komuniste. 

 Nëse ne e marrim seriozisht dhe mobilizohemi, për të bërë gjithçka për Atdheun tonë, atëherë mund të vij në pushtet blloku i partive nacionaliste përparimtare, që me programe përëndimroe ishin kundër diktaturës komuniste dhe shtypjes së lirive dhe tëdrejtave të njeriut. 

Kola, shpresonte shumë tek partitë dhe organizatat nacionaliste, për një Shqipëri të lirë dhe dmeokratikë. Këtë mission të rëndësishëm historic. mund ta realizojnë vetëm: Partia e Legalitetit, Socialdemokratët e Mysine Kokalarit, Partia e Ballit Kombëtar, Blloku Indipendent, si dhe të gjithë forcat e tjera nacionaliste, që ishin kundër diktaturës dhe shtypjes së të drejtave dhe të lirive të njeriut, me të cilat populli shqiptar do t’i shpëtonte diktaturës komuniste.

 Për fat të keq, Shqipëria kishte rënë viktimë e partisë komuniste, që drejtohej nga një grup njerëzitsh aventurier me histori kriminale, ku, qëllimi i vetëm i se cilës ishte lufta e tyre për marrjen e mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e mënyrë dhe jo lufta kundër pushuesve te huaj nazi-fashistë asokohe.

Tashmë, është e qartë si drita e diellit, se ideja e këtij bashkimi, sikur të ishte realizuar në atë kohë do të ishte shpëtimi i kombit shqiptar, ide dhe dëshirë, për të cilën Kolë Bibë Mirakaj shkriu gjithë jetën e tij. 

Dhe për këtë tragjedi fatkeqe, të mbarë kombit si në Shqipëri dhe Kosovës, Kolë Bibë Mirakaj e drejtoi gishtin me të drejtë në udhëheqësinë e Ballit Kombëtar, të cilët  e refuzuan këtë bashkim sistemaitkisht si brenda vendit ashtu dhe në emigracion me pretekstin se nuk pranojnëbashkëpunim me “bashkëpunëtorët” e fashizmit, ndersa një pjesë e tyre u munduan të mohojnë bashkëpunimin asokohe me gjermanët. 

Dihet nga të gjithë, se në Shkodër komanda gjermane e Gestapos dhe komanda e Ballit Kombëtar ndodheshin më pak se 100 metra larg njera tjetrës. E para ndodhej tek Konsulata Italiane dhe e dyta tek Bashkia e qytetit. 

Dihet, gjithashtu se Balli Kombëtar pranoi të bashkëpunonte me Partinë Komuniste armikunmë të madh të popullit shqiptar, por këto të fundit se pranuan bashkëpunimin, sepse jugosllavët: Dushan Mugosha dhe Vladimir Stoiniq donin që pushtetin ta merrte vetëm Partia Komuniste e diktatorit Enver Hoxha.

Komunistët serbo malazezë, që drejtonin de facto Partinë Komuniste të Shqipërisë qysh nga viti 1941, për më tepër nuk donin t’a ndanin pushtetin me asnjë forcë tjetër rivale politike, sepse vetëm me partinë komuniste ata (serbo malazezët), mund ta shtinin në dorë më vonë jo vetëm Kosovën por edhe Shqipërinë, me parudhën e vllazërimit: Bashkim – Vllazërim.

Nga sa na mëson nëna histori, mësojmë se Balli Kombëtar u bë kështu përçarësi i forcave politike, në unison me Partinë Komuniste, sepse edhe ata ëndrronin pushtetin e plotë për vete. 

Së fundi, brenda Ballit Kombëtar, fatkeqsisht vazhdoi pandërprerje proçesi i përçarjes së vetë kësaj organizate, duke u ndarë në 5-6 parti të vogla të papërfillshme, që s’vonuan shumë dhe u shkrinë si kripa në ujë.

Ky ishte fundi i pashmangshëm i Ballit Kombëtar, një fund i dështimit të plotë dhe turpshëm, politika e të cilit i kushtoi aq shtrenjtë popullit martir shqiptar. 

Në këtë shkrim e vura theksin kryesor vetëm në një aspekt të veprimtarisë së Kolë Bibë Mirakaj: aspektin e luftës për bashkimin kombëtar dhe për shpëtimin nga diktatura komuniste.

E kush luftoi më shumë komunizmin se sa Bloku Indipendent, që Balli e quante organizatë fashiste kundër komunizmit!?

“Qeta e Shpagimit” dhe “Komiteti i Maleve” e vazhduan luftën deri në vitin 1953, pra 9 vjet pas ardhjes në pushtet të rregjimit komunist. Ata e dëshmuan me gjakun dhe jetën e tyre martire urretjen ndaj komunizmit si asnjë krahinë tjetër. 

Ja pse mosrealizimi i idealit të Bllokut Indipendent, për bashkim kombetar në luftë pakompromis kundër komunistëve (që udhëheqej nga Gjomarkajt), solli deshtimin e këtyre perpjekjeve dhe humbjen e luftës me stalinistët komunistë.

Regjimi komunist u instalua dhe dihet se çfarë pësoi populli shqiptar në atë regjim për afro 50 vjet. 

Pra, u arrit ajo që Kolë Bibë Mirakaj i ruhej dhe druhej më shumë: Vetëvrasja e një kombi. 

 Se fundi,del argumenti, se patrioti i shquar Kolë Bibë Mirakaj, ishte eksponenti kryesor i idealeve të zjarrta të bashkimit të kombit shqiptar, pa dallim feje dhe krahine, në luftë frontale, të papajtueshme kundër ideologjisë komuniste, që po shkatërronte trojet e Arbërisë.  

Filed Under: Fejton Tagged With: Tom mriaj-Vetvrasja e Nje Kombi-Kol Bib Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT