• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A mund të ndryshojmë Shqipërinë pa ndryshuar mendjen tonë?

February 1, 2024 by s p

Artan Nati/

Përpara se John Lennon të imagjinonte “të jetuarit e jetës në paqe”, ai sugjeroi “nuk ka parajsë … / asnjë ferr poshtë nesh … / dhe as fe.” Pa fe: Çfarë po këndonte Lennon? Si fillim, një botë pa lajmëtarë “hyjnorë”, duke ndezur dhunë, apo Putin si mbrojtës i ortodoksisë duke hapur luftë ose Trump si mbrojtës i protestantizmit duke mohuar kulturat e tjera etj. Një botë ku gabimet, si humbja e mundshme e jetës nga tërmeti apo aksidentet, do të korrigjoheshin në vend që të perceptoheshin sipas “vullnetit të Zotit”. Një botë ku politikanët nuk konkurrojnë më për të provuar se kush beson më fort në të paarsyeshmen dhe të paqëndrueshmen. Aty ku mendimi kritik është një ideal. Me pak fjalë, një botë që ka kuptim.

Vitet e fundit, shkencëtarët e specializuar në psikologji kanë filluar të zbulojnë “ADN”-në e fesë. Ata kanë prodhuar teori të forta, të mbështetura nga prova empirike (përfshirë studimet “imazherike” të trurit në punë), që mbështesin përfundimin se ishin njerëzit ata që krijuan Zotin dhe jo anasjelltas. Dhe sa më mirë ta kuptojmë shkencën, aq më afër mund t’i afrohemi paqes “pa parajsë … pa ferr … dhe pa fe gjithashtu.”

Individët ua atribuojnë krijesave fiktive cilësitë ose ndjenjat e tyre të papranueshme. Kur diskutohet për konceptin e Zotit, njerëzit mund të projektojnë frikën, shpresat dhe pritjet e tyre mbi entitetin hyjnor si një mënyrë për të përballuar pasigurinë ose për të kuptuar të panjohurën.

Skllavëria ndaj një perëndie mund të rrjedhë nga dëshira për kontroll dhe siguri. Duke ia atribuar fuqinë dhe lirinë e zgjedhjes një qenieje hyjnore, individët mund të kërkojnë siguri dhe mbrojtje nga pasiguritë e jetës. Kjo mund të çojë në dorëzimin e autonomisë personale dhe vendimmarrjes ndaj vullnetit të hyjnisë.

Ky është problemi ynë. Historikisht, gjërat më të tmerrshme si lufta, gjenocidi dhe skllavëria nuk kanë ardhur nga mosbindja, por nga bindja. Protesta përtej ligjit nuk është largim nga demokracia; është absolutisht thelbësore për të. Besimet dominante fetare në Shqipëi, myslimanizmi ortodoksia dhe katolicizmi, nën pushtimin turk nuk patën mundësi të reformoheshin siç ndodhi në Europë me rilindjen europiane dhe lëvizjen protestantiste të shekullit të 16-të. Në vendin tonë, si edhe vendet e tjera nën pushtimin otoman, fenomenet shpjegoheshin si vullnet i zotit ose magjisë dhe e vetmja mënyrë që njerëzit besonin dhe praktikonin ishte besimi total ndaj zotit dhe autoritetit hierarkik fetar. Kjo formë hierarkike u praktikua në familjen e zgjeruar patriarkale apo edhe në familjen bazë, ku figura e babait ishte e plotëfuqishme dhe e padiskutueshme. Kjo formë është praktikuar edhe sot në organizimin shtetëror apo partiak si edhe qelizat më të vogla të shoqërisë.

Ka vetëm një yll në galaksinë e shtetit shqiptar dhe ai është kryeministri i rradhës. Evolucioni i liderëve tanë në një figurë të ngjashme me Jezusin apo Muhamedin për socialistët, apo edhe për opozitarët fillon menjëherë pasi ata vendosen apo zgjidhen si kryeministër, kryetar partie, kryebashkiak apo edhe deputet. Sapo marrin pushtetin ata kurorëzohen si të shenjtë dhe të plotëfuqishëm ne pjesën më të madhe të vendit dhe si djall për pjesën tjetër.

Disa nga ndjekësit e krishterë apo myslimanë ose ateist të tyre duket se janë bindur për të parë ata si një lloj figure fetare. Ata janë shpëtimtarë në mendjen e tyre. Mendoj se fillon me ndjenjën se ata janë angazhuar në mënyrë unike për t’i shpëtuar ata nga armiqtë e tyre dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga gjithçka që e kërcënon atë. Ata ndonjëherë shihen edhe si udhëheqës të bekuar e të dërguar nga Perëndia. “Të bekuar” këtu do të thotë të veçuar dhe të pajisur veçanërisht nga Perëndia për një detyrë të shenjtë. Akuzat e shumta kundër tyre shërbejnë për të forcuar besimin e shumë ungjillorëve për lidhjet e tyre me Zotin.

A i krijuam ne liderët tanë, apo ata krijuan partitë, qeverinë dhe shtetin tonë? Mendoj se kjo është një nga çështjet kryesore në thelb të diskutimit të funksionimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit tonë. “Fuqia e Mujit”, si pjesë themelore e mitologjisë shqiptare, jep përgjigjen më të saktë. Zanat, tek të cilat populli ynë projektonte frikën, shpresat dhe pritjet e tij si një mënyrë për të përballuar pasigurinë ose për të kuptuar të panjohurën, vendosin ti japin qumësht Mujit për ti dhënë fuqi në mënyrë që ai të mbrojë vendin e tij dhe të ndihmojë dhe mbrojë popullin e tij. Ato nuk i japin shumë fuqi sepse mendojnë se ai mund të bëhej shumë i fuqishëm dhe mund të shkatërronte gjithë botën dhe vetë zanat e malit. Përse ne bëjmë të kundërtën e Zanave dhe u japim më shumë pushtet (qumësht) pushtetarëve tanë, drejtuesëve të partive si edhe kryeministrit ? Përse ne ankohemi se ata tradhëtuan besimin tonë dhe janë të korruptuar, autokrat dhe burimi i fatkeqësive tona? Ndoshta duhet të hedhim vështrimin në kulturën tonë, në formën hierarkike të funksionimit të shoqërisë sonë, të familjeve tona dhe të bëhemi të ndërgjegshëm për defektet tona. Le të hedhim vështrimin në zgjuarsinë e popullit tonë dhe ashtu si edhe Zanat të mendojmë ti japim pushtet të kufizuar pushtetarëve, kryeministrit e drejtuesëve të partive dhe ti shikojmë ata si shërbëtorët tanë dhe jo si figura hyjnore.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

66

Filed Under: Fejton

ATY KU ZEMRA USHQEHET ME BESIM, SIKURSE BLETA ME NEKTAR LULESH

January 26, 2024 by s p

Valon Shkodra/

Këtë vit gazetari the kulturologu Elez Osmani e botoi librin e titulluar “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”. Kjo vepër, si të thuash, vjen si vazhdimësi e botimeve të autorit përkitazi me udhëpërshkrimet e tij bërë vendeve të ndryshme. Sepse një vit më parë autori Elez Osmani ka botuar veprën “Egjipti flet me gjuhën e shekujve”, po ashtu botim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2022, f. 320.

Libri “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara” ndërkaq përfshin përshtypjet dhe udhëpërshkrimet e autorit gjatë vizitës që ky ua ka bërë vendeve të shenjta të myslimanëve dhe gjatë kryerjes nga autori të njërit nga pesë kushtet kryesore të fesë islame – haxhit. Autori, përveçse e ka kryer këtë obligim sublim fetar dhe jetësor, si një haxhi dhe intelektual i vëmendshëm, ka mbajtur edhe shënime në ditarin e tij, po sikurse një etnolog në punën e tij në terren.

Gjerë më tani, nga përvoja jonë, mund të themi se ka pak udhëpërshkrues shqiptarë që do të kenë botuar ditarët ose shënimet që do të kenë mbajtur gjatë udhëtimeve të tyre. Deri vonë këso lloj botimesh jemi mësuar t’i lexojmë vetëm prej autorëve të huaj, mirëpo tani një gjë e tillë ka filluar të bëhet edhe prej autorëve tanë.

Në kapitullin e parë të këtij libri ofrohen të dhëna të bollshme për shqiptarët në haxh dhe për kontributin e tyre në vendet e shenjta përgjatë shekujve. Lidhur me këtë, me të drejtë studiuesi Qemajl Morina shprehet se: “Me përqafimin e fesë islame, shqiptarët gradualisht u integruan në rrjedhat e përgjithshme të jetës shoqërore, politike dhe kulturore islame. Ata morën nga popujt e ndryshëm myslimanë, por edhe u dhanë atyre”.

Nga “Udhëpërshkrime…”, të autorit E. Osmani kuptojmë se qysh në shekujt XV-XVI, shqiptarët kanë filluar të shkojnë në haxh, përmes rrugës Stamboll – Damask – Mekë, e cila ka zgjatur me muaj të tërë dhe kushte jo fort të favorshme, deri kur u ndërtua hekurudha e parë Damask – Medinë, në vitin 1908. Me këtë rast ia vlen ta themi se për njëfarë kohe, në deceniet e fundit të shekullit XVI, ishte ushtaraku shqiptar Hysen Arnauti ai që kishte përcjellë dhe ishte kujdesur për rrugën e haxhinjve nga Damasku deri në Mekë. Kurse, një tjetër shqiptar, Ahmet Arnauti, me detyrë vali në Perandorinë Osmane, në vitin 1634, në qytetin e Damaskut kishte ndërtuar një kompleks urban, që kishte shërbyer si vendpushim për haxhilerët që bënin rrugën për në Mekë. Autori E. Osmani përmend edhe arkitektin e njohur me prejardhje shqiptare, Mimar Sinanin, i cili kishte qëndruar në Mekë e Medinë për të ndërtuar një serë objektesh shoqërore, arsimore e fetare. Pastaj shqiptari tjetër nga Topojani i Lumë, Koxha Sinan Pasha, i cili njihet si “Fatihi Jemen” (Çliruesi i Jemenit) dhe pesë herë sadriazem i Perandorisë Osmane, themelues i qytetit të Kaçanikut, i cili kishte ndërtuar disa objekte, hajrate e vakëfe në Mekë dhe në Medinë. Mirëpo, këta nuk janë personalitetet shqiptare të vetmet të njohura përgjatë historisë që do të kenë shkuar në haxhillëk dhe që do t’i kenë vizituar vendet e shenjta, por ka edhe shumë të tjerë të mëvonshëm, e që janë vizitues edhe nga grupi i personaliteteve të tjera të mëvonshme, siç janë: Mustafë Pasha Bushatliu, Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Vehbi Dibra, si dhe shumë e shumë të tjerë.

Pjesë e punës së autorit për këtë botim kanë qenë edhe hulumtimi në arkiva dhe biblioteka të ndryshme. Studiuesi Elez Osmani tregon për dokumentet e kohës dhe itineraret e haxhilerëve shqiptarë, të cilët i kanë vizituar vendet e shenjta. Në Arkivin e Kosovës ruhet një dorëshkrim unik i veprës, në gjuhën arabe, “Sherh Rahati al Kulub”, i shkruar në vitin 1559, prej një autori prishtinas, Pir Mehmeti, i biri i haxhi Aliut, që dëshmon se gjyshi i tij, haxhi Aliu, kishte qenë në haxh qysh para vitit 1559. Në dorëshkrimin tjetër të veprës “Menasiku ‘l-Haxhxh”, të vitit 1816, përveç itinerarit të haxhilerëve, gjejmë edhe emrat e tyre dhe koston e udhëtimit të tyre. Në vazhdim është kronika e haxhi Hasan Koplikut nga Shkodra, kronikë kjo me shumë interes për nxjerrjen në pah të të dhënave për haxhilerët, haxhin dhe transportin e asaj kohe, po edhe të të dhënave të tjera me rëndësi.

Në kapitullin e dytë bëhet fjalë për haxhilerët nga Shqipëria, të cilët ishin organizuar për të bërë vizitë në vendet e shenjta, në vitin 1991. Në të vërtetë, kjo ishte vizita e para për në haxh, në kohën e demokracisë, përkatësisht pas rënies së komunizmit. Për lexuesit e rinj autori rithekson faktin e rëndësishëm se regjimi komunist në Shqipëri, që nga viti 1967, i kishte ndaluar të gjitha aktivitetet fetare, deri në rënien e sistemit, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1990.

Eelez Osmani në këtë kapitull vazhdon ta shpalosë përvojën e tij dhe atë të kolegëve të tij me organizatorët e tjerë të Bashkësisë Islame nga Prishtina, duke i treguar të gjitha hollësitë e rrugëtimit të 180 haxhilerëve nga Shqipëria për në qytetin e Mekës – Qabenë e bekuar, e cila për çdo vit pranon me miliona vizitorë.

Në kapitullin e tretë kemi nënshkrimin e marrëveshjes për organizimin e haxhit për Kosovën, në vitin 1994, prej kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Bojës dhe përfaqësuesve nga Ministria e Haxhit nga Arabia Saudite. Më tutje, në këtë kapitull, autori e përshkruan qytetin e Medinesë, si vend i mbushur me plot haxhilerë, nga e mbarë bota, njerëz me ngjyra të llojllojshme, pamje që dallon nga fiziku i tyre dhe veshja tradicionale. Siç shkruan autori për veshjen e banorëve në këtë qytet, shumica e tyre mbanin fustanella të bardha dhe shamia me ngjyrë të larme, të zeza, të punuara prej artizanëve me traditë nga ky vend. Në qytetin e Medinesë, vizita është e veçantë, sepse besimtarët myslimanë e vizitojnë xhaminë dhe varrin ku pushon Pejgamberi, a.s., duke bërë lutje dhe dua për të.

Për Xhaminë e Pejgamberit, a.s., në Medine, autori thekson se ajo ka pamje magjepse, me bukurinë e saj qoftë nga pamja e jashtme, apo edhe nga ajo e brendshmja. Një arkitekturë e bukur e funksionale dhe joshëse për syrin e njeriut, e stolisur me disa minare. Autori për këtë xhami na flet edhe për historikun e saj dhe zhvillimet arkitekturore në periudha të ndryshme kohore.

Vizitë tjetër në qytetin e bukur të Medinesë ishte edhe Kampusi i Universitetit. Këtu ka studentë nga vende të ndryshme të botës, gjithsej 110 nacionalitete. Pas Mekës dhe Medinesë, autori na e përshkruan edhe qytetin e tretë – Xhiden. Për këtë vend të bukur autori bën krahasime me qytetet e bukura të Evropës.

Në këtë kapitull autori përsëri ndalet në përshkrimin e qytetit të Qabesë në Mekën e shenjtë. Qytet që asnjëherë nuk pushon nga numri i haxhilerëve, që e vizitojnë vendin për haxh dhe umre. Ky është qytet që ka gjallëri 24 orë, është qytet i bashkimit shpirtëror, është vendlindja e Muhamedit, a.s. Nuk ka asnjë vend në botë që është më i respektuar apo më i shenjtë për një numër të madh njerëzish, sikurse është Meka.

Zemra e qytetit të Mekës është Qabeja e Shenjtë, e cila qëndron në mes të sipërfaqes së rrethuar me mure, që kanë një stil të veçantë dhe xhaminë e njohur “El Harem”. Qabeja është epiqendra e Mekës. Godina më e famshme në historinë e njerizimit, e ndërtuar me gur graniti të thjeshtë dhe e “veshur” me mbuloj të zezë. Për autorin, në të gjitha vizitat e tij është gjithmonë një përvojë e re dhe e mrekullueshme, sepse shumë praktika islame të dëgjuara apo të lexuara tani autori i sheh dhe i përjeton vetë, sikurse, për shembull: vizita në Arafat, kuptimi i hedhjes së guralecëve, Dita e Bajramit, prerja e kurbanit, prerja e flokëve, rëndësia e ritualit të haxhit etj.

Në kapitullin e katërt kemi rrëfimin e studiuesit Elez Osmani për vizitën e tretë në haxh. Kësaj here autori kishte shkuar si bedel për kushëririn e tij Fatosin, i cili kishte ndërruar jetë në moshë të re, në Amerikë. Autori flet për ceremonialin e varrimit dhe të pamet e organizuara sipas traditës, mirëpo të realizuara në qytetin e Nju York-ut (New York), dhe në këtë ceremonial varrimi, në atë kohë, kishin marrë pjesë edhe ish-presidenti i Amerikës z. Bill Clinton dhe ish-sekretarja e parë e Amerikës znj. Hillary Clinton.

Në kapitullin e pestë, autori flet për umren – “haxhin e vogël”. Kjo, sipas fesë islame, nuk është e detyrueshme për një besimtar mysliman, sikurse vizita e haxhit, por është e rekomanduar në Kuran. Sipas rregullave islame, besimtarët mund ta realizojnë vizitën e tyre për umre në çdo kohë të vitit. Gjatë vizitës për umre kërkohet që myslimanët t’i kryejnë dy vepra kryesore, tavafin (sjellje rreth e rreth Qabesë për shtatë herë) dhe sajin (të vraposh, të përpiqesh për adhurimin e Allahut…).

Çdokush që e viziton Qabenë, për umre apo për haxh, fillimisht duhet ta bëjë nijetin, t’i falë dy rekate namaz, e pastaj duhet të vishet ihrami. Kjo është një veshje specifike e haxhit dhe e umres. Kjo veshje përbëhet nga dy pjesë. Me njërën pjesë mbulohet pjesa e poshtme e trupit, nga kërthiza e deri te këmbët, kurse me pjesën tjetër mbulohet pjesa e epërme e trupit. Sipas rregullave, ihrami duhet të jetë i bardhë dhe jo i qepur. Kur vishet ihrami, zhvishen të gjitha rrobat e tjera të trupit. Ihrami është shenjë që e dallon atë që do të hyjë në tokën e shenjtë. Kapitulli vazhdon me qëndrimin në Arafat, që është nga themelet e haxhit. Kjo është dita kur lutjet e haxhinjve në sheshin e Arafatit plotësohen tek Allahu i Madhëruar, sepse kjo është ditë e përsosjes së fesë, e festës dhe e faljes së mëkateve.

Krahas përshkrimit për Qabenë dhe xhamitë, kemi edhe të dhëna të tjera për muzeun në Mekë. Ky muze ishte krijuar prej zyrtarëve sauditë, për ta rikujtuar të kaluarën e Mekës, sepse ndërtimet e mëdha dhe planet urbane të zhvilluara sistematikisht kishin rezultuar në humbjen e gjurmëve të së kaluarës. Muzeu përmban disa relikte dhe makete të ndryshme. Njëra nga ato paraqet plan për vendosjen e Mekës në vitin 610, ku në mes shihet Qabeja, ndërsa afër saj burimi i ujit Zemzem, shtëpia ku ka lindur Pejgamberi, a.s., si dhe shtëpitë e kalifëve, Ebu Bekrit dhe Omerit, r.a. Krahas këtyre maketeve, muzeu ka edhe shtatë salla, dhe posedon njëqind mijë eksponate, ndër të cilët shumë edhe janë qindravjeçare.

Në kapitullin e gjashtë, “Udhëpërshkrues të ndryshëm për haxhin ndër shekuj”, autori i përmend disa personalitete, e të cilët kanë lënë gjurmë në udhëtimet e tyre, sikurse, për shembull: Naser Hosrau (1003-1077), Ibën Xhubejr (1145-1217), Ibën Betuta (1303-1368), John Levis Burckhardt dhe Rozhe Garodi.

Në përfundim të këtij librit, nuk gjej përmbyllje më të mirë sesa paragrafin e parë të autorit Elezi Osman, të vënë në librin e tij, e i cili thotë: “Një njeri, gazetar, që të shkruajë mirë, duhet ta krijojë bagazhin e tij, pikërisht si ato gjyshet që mbledhin gjëra të vjetra. Ai duhet të grumbullojë ngjyra, aroma, tinguj, lëvizje; duhet ta kultivojë një perceptim të mprehtë të zakonshëm…”. Duke u nisur nga kjo thënie, mendoj se autori Osmani ka arritur ta krijojë bagazhin e tij me materiale të dorës së parë, nga hulumtimet, përvoja dhe nga udhëtimet e tij. Kontributi i këtij libri pa dyshim se është edhe një ndihmesë më shumë për t’i njohur vendet e shenjta të botës islame nga një udhëpërshkrues shqiptar, e që deri më tani ka pasur shumë pak botime të kësaj natyre.

(Recension për librin: Elez Osmani, “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”, botoi: “Dituria Islame”, Prishtinë, 2023, 225 faqe)

Valon Shkodra

Instituti Albanologjik,

Prishtinë

Filed Under: Fejton

Revoltë

January 24, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Jul Cezari i dha fund një revolte të ushtarëve të tij duke thënë vetëm një fjalë. Ky incident i jashtëzakonshëm ndodhi gjatë një prej fushatave ushtarake të Cezarit në Gali (Franca e sotme) rreth vitit 52 pes. Ndërsa detajet specifike mund t’i nënshtrohen disa interpretimeve historike, ngjarja është regjistruar nga historianët e lashtë si Suetonius, Plutarku dhe Appian.

Gjatë kësaj fushate, ushtria e Cezarit u përball me një sfidë të rëndësishme. Ushtarët, të lodhur nga fushatat e tyre të gjera ushtarake, filluan të bëhen të pakënaqur dhe të shqetësuar. Ata dëshironin pushim dhe një shans për t’u kthyer në shtëpi pranë familjeve të tyre. Ndërsa zhgënjimi i tyre u rrit, ata organizuan një rebelim kundër komandantit, duke kërkuar që të shkarkoheshin nga shërbimi.

Cezari, një strateg i shkëlqyer dhe udhëheqës karizmatik, e kuptoi peshën e situatës dhe nevojën për veprim të shpejtë. Ai mblodhi trupat para tij. Duke qëndruar në këmbë mes murmuritjeve dhe trazirave, ai tërhoqi vëmendjen e tyre me praninë e tij komanduese. Pastaj, me një pauzë të llogaritur, shqiptoi një fjalë të vetme – “Quiritet?!” (Qytetarët?!)

Tani, mund të pyesni veten se çfarë është kaq e veçantë për këtë fjalë në dukje e zakonshme. Termi “quirit” ishte një referencë për qytetarët e Romës, pikërisht njerëzit për të cilët këta ushtarë kishin rrezikuar jetën e tyre dhe kishin luftuar beteja të panumërta. Duke thirrur identitetin e tyre si romakë, Cezari iu drejtua ndjenjës së detyrës, besnikërisë dhe patriotizmit.

Efekti ishte i menjëhershëm dhe i thellë. Ushtarët, të cilët pak çaste më parë ishin në prag të rebelimit, papritur u kujtuan për besnikërinë e tyre të përbashkët dhe për kauzën më të lartë të cilës i shërbenin. Fjala “Quiritet?!” veproi si një katalizator i fuqishëm, duke rindezur besnikërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj gjeneralit të tyre dhe Republikës.

Në atë moment, atmosfera u zhvendos nga ajo e mospajtimit në unitet. Ushtarët, të nxitur nga fjalët e Cezarit, hodhën armët dhe u gjunjëzuan para tij, duke shprehur pendimin e tyre dhe duke iu lutur për falje. Cezari, duke shfaqur zemërgjerësinë dhe mendjemprehtësinë e tij strategjike, pranoi faljen e tyre dhe i fali me dashamirësi, duke i kursyer nga ndëshkimi i rëndë.

Ky incident jo vetëm që tregoi aftësinë e Cezarit për të komanduar besnikërinë dhe respektin e trupave të tij, por gjithashtu theksoi kuptimin e tij të thellë të psikologjisë njerëzore. Duke përdorur një fjalë të vetme, ai hyri në vetëdijen kolektive të ushtarëve të tij, duke u kujtuar atyre identitetin dhe qëllimin e tyre të përbashkët.

Ndërsa ky tregim pranohet gjerësisht nga historianët, disa argumentojnë se mund të jetë zbukuruar ose ekzagjeruar me kalimin e kohës. Megjithatë, ideja thelbësore mbetet e paprekur – aftësia e Julius Caesar për të shuar një revoltë me vetëm një fjalë flet shumë për aftësitë e tij drejtuese dhe aftësinë e tij të çuditshme për ta kthyer fatkeqësinë në triumf.

Filed Under: Fejton

I madhi Castriot me llagap Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirenit

January 22, 2024 by s p

HISTORIA – Vincet Castriotto Saecula

Nê kuadër 556 vjetorit të vdekjes së Kryetrimit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu po sjellim një pjesë nga libri i autorit Zannovich, Stephan me titullin e  më poshtëm botuar në gjuhën seudez (1788) e perkthyer në shqip (2019) nga Sokol Demaku.

Pjesë nga libri me titullin e më lart shkruar nga një autor i huaj për Kryetrimin shqiptar Gjergj Kastriotin e botuar në vitin 1788 në Stockholm të Suedisë.

     Por mjerisht! 

     Burri, i cili ishte më i denj për t’u bërë i pavdekshëm, ishte gati ti paguante natyrës thesarin, të zbresë në varr atë natë, pas aq shumë fitoresh, aq shumë epërsie, për të mos lënë asgjë në kohën e tij, përveç familjes së tij, për Krishterimin, mbështetja e të cilit ai ka qenë, sesa kujtimi i emrit të tij dhe vepratë e tij heroike pas vdekjes. Kjo me të vërtetë ndodhi, pasi dha një provë për një frikë të sinqertë të perëndisë dhe për këtë mori sakramentin e kishës me devotshmëri shembullore, ai ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit dhe trupin e tij tokës më 17 janar 1467, në vitin e 65-të të jetës së tij dhe viti i 38 të mbretërisë së tij. Në ditën e tretë pas vdekjes, i shoqëruar nga djali i tij dhe njerëzit me lotë në sy, me flokë të çrregulluara, dhe të varura mbi shpatullatë e tij, te përkulura drejtë tokës, në heshtje babai dhe heroi i Shqipërisë shkonte në varr. Atje, ushtarët e tij hodhën flamujt turq dhe më pas i varën për përmendore dhe shenja të trofeve të tij të luftës.     

     Princat dhe ambasadorët ndoqën trupin e pajetë, të pa ndjenja, ku u derdhën aq shumë lotë, aq shumë nder, kambanat e vdekjes tingëllonin akoma në të gjitha shtetet e tij, kur armiqtë e atdheut të tij tashmë ishin duke mbledhur fuqitë e tyre, për tu grumbulluar, për ta shtypurë(ngushëlluar) pasardhësin i tij të ri. Të gjithë princat e krishterë ishin të lumtur që të paktën të ishin në gjendje të tregonin mirënjohjen e tyre, duke shpallur kështu lumturinë e një drite të tillë, që ishte fëmija i vetëm i Skënderbeut të pavdekshëm. Vetëm venedikasit iu gëzuan asaj që atë ta shifnin të pafuqishëm dhe të dobët, në mënyrë që të mund t’i merrnin disa nga shtetet e tij më lehtë, padrejtësisht, gjë të cilat edhe e bënë përfundimisht ata. Por përmes hakmarrjes së qiellit, ata humbën ate bashkë me krahinat e tyre, në luftërat që u detyruan tibëjnë kundër ushtrisë së sulltanit turk.

     Dikush mund të shohë nga kjo përmbajtje e shkurtër e tregimit të tij se ai kishte fituar me të drejtë shumë tituj të luftëtarit të pathyeshëm, fisnikërisë, mbrojtësit të emrit të krishterë, të trungut të fesë dhe të Aleksandrit të ri, që atij i ishin dhënë nga papët, nga mbretërit e bashkëvëllezërve të tij dhe atë të Skënderbeut, të cilin edhe armiqtë e tij e nderuan. Por kaq shumë lavdi dhe lumturi u zhdukën në një çast! Pas vdekjes së tij, u duken furtunatë. Bubullima dëgjoheshin nga të gjitha anët mbi kokat e pasardhësit të tij! Turqit, me Kuranin në njërën dorë dhe me shpatë në tjetrën, sollën më pas shkatërrim kësaj mbretërie të bukur, të njëjtën e vunë nën zgjedhën e skllavërisë. Vdekja, skllavëria dhe shkatërrimi sot janë të dukshme në të gjithë Shqipërinë dhe gjurmët e përgjakshme të luftrave të Mahometit. Kujtimi i këtyre fatkeqësive; historia e tyre, që unë, si shkrimtar i historisë, jam i detyruar ta portretizoj, më bënë edhe mua që edhe unë të derdhë lotë. Sidoqoftë, do të hesht. Por egziston një vuajtje kundër së cilës zemra më stoike nuk mund të ngurtësohet kurrë.

     Historia që kam treguar është e shkurtër, unë e pranoj këtë, dhe në mënyrë të pakonsiderushme është e ngarkuar me rrethana të vogla. Sidoqoftë, pak a shumë unë kam thënë gjithçka. Kur njeriu nuk ka asgjë më shumë për të thënë se sa e vërteta e pastër, ai mund të thotë shumë me shume me pak fjalë. Natyra e thjeshtë është elokuente në një zemër, e prekur nga kaq shumë fatkeqësi. Vetëm ajo ma ka vënë penën në dorë, është gjithashtu edhe ajo që duhet të presim se çfarë mund të nxjerrë në pah kjo histori. Unë nuk jam ushqyer nga lulet e elokuencës, dhe as nga arti i një vokalisti, por jam vetëm një saraj, i cili nuk di asgjë tjetër përveçse fuqisë absolute, e privuar nga çdo shpresë. Aty jetoj unë në errësirë. Por mjerisht! Tani jam aq i pafat sa vetë errësira nuk mund të më mbulojë, nga përndjekja e armiqve të mi dhe për të keqën time pa lumturi! Duke u zgjuar, i vetëm dhe i tradhtuar në zotërinë e miqësisë egoiste, nuk pres pushim deri në varr, megjithatë, unë mund të përziej hirin tim me etërit e mi! 

     Por jo! 

     Fati që më përcolli mua është ngulitur aq tmerrësisht, saqë edhe pas vdekjes sime, hija ime do të jetë e gjallë, lëvizëse, fluturuese, dhe hiri im do të shpërndahet rreth e rrotull. Sidoqoftë, nëse është e vërtetë që kushdo që vdes i panjohur, vdes më pak i pakënaqur, nuk do të pendohem më. Unë tashmë jam vdekja borgjeze për botën. Viktima fatkeqe e një politike të rreme dhe false. Është koha që unë të heq dorë nga kotësia dhe të shpresoj në gradën më të lartë mashtruese, e cila është burimi i gjithë vuajtjeve të mia! Prandaj heq dorë nga ajo për çdo kohë;    

     Unë jap titullin e preferencës së një zemre të ndershme dhe të sinqertë, mbi të gjitha përfitimet e tjera, Gjithçka shkon, gjithçka ndryshon. Ah! Le të humbasë emri im si një re për diell më shpejt se sa unë meritoj emrin e së keqes! Ligji i botës është: Aksident për fitimtarët!   

     Megjithatë, nëse jam i brishtë, i ndjeshëm ndaj padrejtësive të fatit, atëherë është për të më ngritur edhe më shumë, e jo të jem i rraskapitur. Heshtja është durimi im, karakteri i qortueshëm nuk është shenjë e një shpirti të frikësuar pubik. Njeriu duhet të jetë i madh, të duroj, pa degraduar, një fat të tillë të frikësuar. Por a mësoni pak nga kjo se ju nuk do të prisni një përshëndetje të lumtur? Lumturia ndjen lodhje për të ju ndjekur, ajo nuk do të lejonte të hidhnit armët, për t’ju lënë të paktën të shijoni pushimin? Jo: dëshirat e mia janë të shumta, mënyra ime e të menduarit është e pandryshueshme, armiqtë e mi më kanë dhënë goditjen e fundit. Dhe mësova të vdes prej saj. 

     I lirë? 

     Po: por në mjerim dhe errësirë. Delikate për padrejtësinë, por edhe më e ndjeshme ndaj miqësisë, zemra ime nuk dëshiron asgjë më shumë se një shkretëtirë ku mund të varros imazhin e një personi, me kujtimin e madhështisë sime. Aty, i vetmi besimtar i vetvetes, nuk do të shoh më as padrejtësi, as të padrejtën. Që unë të heshtja para tyre do të ishte kundër të drejtave të mia. I barabartët në fjalim me mbretërit pa i tallur ata, dhe nëse i përçmojnë, ose nëse i respektojnë si të mirë oset ë këqinjë.

     Unë jam biri i diellit dhe nuk mund të qëndroj duke më poshtëruar mua. Asgjë në botë nuk është më poshtëruese sesa të shihet padrejtësi dhe të qenrsoh në heshtje.

     Por tani unë dua që të mos jem lënda unë. Historia e jetës sime dhe fatkeqësitë e mia janë të rezervuara që të dalin në rrethana të tjera. Nuk është e thjeshtë që kjo, e cila nuk plotësohet me asgjë tjetër përveç fitoreve dhe arritjeve, të vinte në pavdekësi, dhe që mund të jetë e shoqëruar me histori të trishtuar të fatkeqësive të mia.

Filed Under: Fejton

Vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën

January 16, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 3 janar 1521, Papa Leo X lëshoi ​​urdhrin papal Decet Romanum Pontificem, duke shkishëruar Martin Luterin, priftin dhe teologun gjerman i cili nisi Reformacionin Protestant.

Perandori Charles V i ofroi Luterit mundësinë të pendohej e të shpëtonte veten nga burgosja apo edhe ekzekutimi. Por Luteri iu përgjigj:

“Unë nuk mund dhe nuk do të heq dorë nga asgjë, sepse të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë dhe as e sigurt. Ky është qëndrimi im, nuk mund të bëj ndryshe.”

Përpos përhapjes së menjëhershme të Protestantizmit në trevat gjermane, vendet e ulëta, ato nordike, britanike e më pas në kolonitë amerikane, qëndrimi i Luterit themeloi konceptin e ndërgjegjes së individit në raport me veten, shoqërinë, besimin dhe ideologjinë. Nga ky qëndrim i Luterit ndërgjegja u bë matësi dhe guida e aktivitetit njerëzor duke çuar ndër epoka lëvizje transformuese, revolucione dhe ideologji sfiduese ndaj shtypjes dhe kontrollit. Kjo është arsyeja që edhe të arrestuarit për shkak të mendimeve apo ideologjive të tyre quhen të burgosur të ndërgjegjes pasi e vënë atë mbi normat e imponuara apo të diktuara.

Mesazhi i Luterit u integrua e u cimentua në shoqërinë evropiane duke u përhapur edhe më tej, duke i bërë njerëzit e popujt të vetëdijshëm se vetëm peshku i ngordhur shkon me rrymën, dhe se të shkosh kundër ndërgjegjes nuk është as e drejtë e as e sigurt, por është vetëm skllavëri e verbëri.

Sot, ky parim themeltar dhe e drejtë njerëzore aplikohet në vendet e zhvilluara ndaj edhe shohim në mënyrë të vazhdueshme qëndresa popullore ndaj çdo diktimi e imponimi vertikal dhe kjo është arsyeja kryesore pse vendet perëndimore janë më pak të korruptuarat në renditjen botërore sepse ndërgjegja luan rolin themeltar në jetën e individit, qoftë ai apo ajo në pozicione qeverisëse e drejtuese qoftë edhe në ato zbatuese dhe në hallkat e fundit të hierarkisë së pushtetit.

Shoqëria shqiptare do jetë më e emancipuar dhe në anën e drejtësisë nëse secili do e dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vet duke mos e kompromentuar kurrë atë, e nuk mos shkuar e vepruar asnjëherë kundër saj.

Është dhurata më e çmuar që ne kemi si individë dhe si shoqëri.

Është garantja e vetme e drejtësisë dhe e zhvillimit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT