• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR FITËR BAJRAMIN

April 10, 2024 by s p

Imam Shuajb Gerguri

Qendra Islame Shqiptare, Detroit

Të nderuar besimtarë!

Ne jemi mirënjohës që arritëm edhe një herë muajin e Bekuar të Ramazanit, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje dhe fundi është shpëtimi nga zjarri i xhehenemit / ferrit.

Edhe pse jemi të mërzitur që ky muaj i bekuar përfundoi, në të njejtën kohë jemi të lumtur që në këtë mëngjes të Fiter Bajramit, jemi mbledhur këtu me ndjenjat e besnikërisë dhe vëllazërisë të përhapura në mesin tonë.

Falënderimi dhe lavdërimi i pafund qofshin për All-llahun e Plotfuqishëm (sët) që na bëri të mundur të arrijmë Fiter Bajramin.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin (a.s.) i cili i përshkruan ditët e Bajramit si ditët e gëzimit, lumturisë dhe përkujtimit të Allahut (sët). Gëzuar Bajramin! Ju uroj të gjithëve një Bajram të lumtur!

Të dashur vëllezër dhe motra!

Fiter Bajrami është dhuratë e Allahut të Lartësuar (sët) për shërbëtorët e Tij që agjëruan në muajin e Ramazanit.

Sot është koha për t’iu afruar njëri-tjetrit, për të hapur dyert e zemrave dhe shtëpive tona dhe për të ndarë lumturinë tonë me njëri tjetrin.

Sot është koha për të sjellë shpresën, mirënjohjen dhe gëzimin e të qenit një besimtar që ndien kënaqësi gjatë Bajramit kudo që të jetë.

Prandaj, le ta përjetojmë këtë gëzim me prindërit tanë, të cilët meritojnë më së shumti respekt dhe mirësi, me gratë tona që janë shoqërueset tona besnike dëshmitarët e ditëve tona të vështira dhe të mira dhe me fëmijët tanë që janë burimi i gëzimit dhe shpresës në shtëpitë tona.

Le të vizitojmë pleqtë e familjes, të afërmit, fqinjët dhe miqtë. Le të interesohemi për çdo të sëmurë nga mesi ynë dhe të pyesim për gjendjen e tyre dhe ta bëjmë të lumtur çdo të moshuar nga mesi ynë. Le t’i japim kuptim Fiter Bajramit tonë me buzëqeshjen e jetimëve, dhe njerëzve në nevojë dhe atyre që janë të vetmuar.

Në mëngjesin e këtij Fiter Bajrami, le t’u japim fund mërive dhe mosmarrveshjeve në mes nesh si vëllezër e motra me të cilët i drejtohemi të njejtës Kible/ Qabe krah për krah.

Në një hadith autentik: Anas ibn Mālik (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka raportuar: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Kush do që furnizimi/ rizku i tij të zgjerohet dhe jeta e tij të zgjatet, duhet të mbajë lidhjet farefisnore.”

Le t’i forcojmë lidhjet e përzemërsisë dhe të besimit mes nesh duke iu bindur urdhrit hyjnor:

“Besimtarët nuk janë veçse vëllezër.”

Le të kujtojmë të afërmit tanë që vdiqën dhe martirët tanë të lavdishëm që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun tonë të bekuar.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Profeti a.s ka thënë, ne si muslimanë, duhet të jemi si një trup i vetëm, nëse cilado pjesë e trupit tonë dhemb, ju si musliman, kudo, duhet të ndjeni dhimbjen.

Të mos harrojmë vëllezërit dhe motrat tona të shtypura anembanë botës.

Le t’i ngremë duart dhe t’i lutemi Allahut (sët) për vëllezërit dhe motrat tona muslimane në vështirësi në të gjithë botën, veçanërisht vëllezërit dhe motrat tona në Gaza Palestinë që vazhdojnë të vuajnë për më shumë se shtatëdhjetë vjet, le të lutemi që Allahu SËT t’i çlirojë nga shtypja që po përjetojnë për kaq gjatë.

Të dashur besimtarë!

Me këto mendime dhe ndjenja, dua t’i uroj një Fiter Bajram të lumtur gjithë botës myslimane, kryesisht kombit tonë. Lusin Allahun e Plotfuqishëm (sët) që të sjellë mirësi për njerëzimin në këtë Fiter Bajram.

Ligjeratën time dua ta përfundoj me këtë hadith të Profetit Muhamed (saws):

“O njerëz! Përhapni paqe/salaam në mes jush, ndani ushqime me njëri-tjetrin, mbani marrëdhëniet tuaja të farefisnisë dhe faluni ndërsa njerëzit flenë dhe do të hyni në Xhennet në Paqe.» Tirmidhi, Sifat el-Qiyamah.

Filed Under: Fejton

“Total eklips of the fart”

April 9, 2024 by s p

Rrëfim satirik nga Rafael Floqi/

Dikur këndonim një këngë të njohur “Total eklips of the heart” Njëherë e një kohë, në një tokë jo aq të largët, na ishte një qytet i vogël në SHBA që priste me padurim ardhjen e një eklipsi të rrallë diellor. Banorët e qytetit po gumëzhinin nga emocioni, duke përgatitur festat e tyre të vëzhgimit, duke vënë syzet e eklipsit dhe duke vendosur projektorët e tyre të improvizuar me vrima. Ata nuk e dinin se qeshja do të eklipsonte ditën e tyre të zakonshme.

Eklipsi total filloi nga Oqeani Paqësor Jugor, teksa rajonet e para të Meksikës e vëzhguan atë nga bregu i Paqësorit. Rruga e eklipsit kaloi Meksikën dhe vazhdoi në SHBA duke kaluar përmes Teksasit, duke vazhduar në verilindje dhe më pas duke kaluar nëpër Kanada. Sipas NASA-s, mbi 300 milionë njerëz do të kenë mundësinë të përjetojnë qoftë edhe një eklips të pjesshëm. Në fakt, ky është eklipsi i parë diellor në këtë shekull që është i dukshëm në të tre vendet e Amerikës së Veriut, SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ndërsa hëna filloi kërcimin e saj të ngadaltë përballë diellit, qyteti u mblodh në sheshin qendror, me sytë e stërvitur lart. Por në mes të uh dhe ahs, diçka e papritur ndodhi. Një plak, i njohur për harresën e tij, Xha Tomi kishte ngatërruar syzet e tij të eklipsit me syzet e notit të gruas së tij! Kështu ai qëndroi atje, duke ngulur sytë drejt qiellit, duke pyetur veten pse eklipsi dukej më shumë si një top gjigant diskoje sesa një mrekulli qiellore.

Ndërkohë, mësuesi i shkencave të shkollës lokale të Middle School ku mëson vajza ime Ori, që kishte sot vetëm gjysmë dite mësim , pasi mësuesi i Fizikës z. Smith, kishte bërë gjithçka për këtë rast. Ai kishte krijuar një konstruksion që përfshinte një teleskop, një pasqyrë dhe një rosë gjigante që fryhet (mos pyet se pse, për të parë si veprojnë kafshët vallë). Por ndërsa eklipsi arriti kulmin e tij, rosa e fryrë vendosi se ishte koha e përsosur për një arratisje madhështore, duke ecur me konfigurimin e kalibruar me kujdes të zotit Smith në tërheqje. Kaosi pasoi ndërsa zoti Smith vazhdoi projektin e tij “mashtrues shkencor”, duke i lënë të gjithë nxënësit dhe banorët e qytetit të qeshura.

Ndërsa vajza ime do të vazhdonte vetë një eksperiment tjetër , nëse e zë lentën e telefonit me xham të errësuar a mund ta shoh unë diellin. Po dielli s’dukej gjëkundi. Dikush nga shoqet e saj kishte shkuar në një cep të Michiganit i cili ishte i vetmi vend ku kishte “Tottality” d.m.th errësitë e plotë që vjen nga një fjalë me “4 t”. A po shqip do të thotë “ zi pisë” apo dhe kjo fjalë sipas teoricienëve të bashkimit të rrokjeve ka ardhur “ Nga ajo që foli Toti”.

Pikërisht kur ata menduan se dita nuk mund të bëhej më e çuditshme, teoricieni konspirativ i qytetit, me origjinë shqiptare ….., doli nga bunkeri i tij që imiton ato të Enverit , i veshur me një kapelë prej kallaji dhe i armatosur me një megafon. Ai filloi të bërtiste në lagje për pushtimet e alienëve dhe mbulimet e qeverisë, duke pretenduar se eklipsi ishte thjesht një taktikë devijimi për t’i larguar ata nga e vërteta e vërtetë. Është e panevojshme të thuhet se veprimet e tij vetëm sa e shtuan spektaklin komik që u shpalos para tyre. Një tufë burrash fluturoi nga kafja e Jarit më shpejt se një trumcakësh. Po është vërtetë se zogjtë ishin fshehur, dhe qenit të komshinjve s’ ja mbante të dilte në rrugë për të më përmjerrë pemën.

Herën e fundit që një eklips total diellor kaloi nëpër këtë qytet, kuajt dhe karrocat mbushën rrugët dhe pambuku arriti 9 cent për paund. Gati 150 vjet më vonë, një gjë nuk ka ndryshuar: kërcënimi i reve që bllokojnë pamjen. Qiejt me vranësira parashikohen të prishin mrekullinë kozmike të së hënës në të gjithë shtetin, tashmë të mbushur me ndjekës të eklipsit për kënaqësinë e bizneseve të qyteteve të vogla. Ndërsa hëna mbulon diellin, errësira e ditës ndoqi një korridor të ngushtë – nga bregu i Paqësorit të Meksikës në Teksas dhe 14 shtete të tjera deri në Maine dhe skajet lindore të Kanadasë. Parashikimi më i mirë i SHBA: Nju England ashtu si komunitetet e tjera përgjatë rrugës së tërësisë, gjysmë ore me makinë në jug të Dallasit, po i bën të gjitha ndalesat me një fundjavë plot koncerte dhe festa të tjera. Eklipsi i këtij viti pritet të ishte ngjarja qiellore më e ndjekur në jetën tonë thonë banorët. Në përgatitje të kësaj ngjarje historike, B&H Photo madje pat lançuar një faqe të re të vëzhgimit të eklipsit diellor, ku të apasionuarit mund të mësojnë se si të shikojnë dhe fotografojnë eklipsin, të zbulojnë se ku do të jenë pikat më të mira të shikimit dhe të blejnë pajisje për shikimin diellor Është eklipsi i parë total diellor i rajonit që nga viti 1878. I tjetri nuk do të jetë për gati 300 vjet të tjerë.

“Ndjehem kaq me fat sa nuk kam nevojë të shkoj askund,” tha Suzette Pylant i Muzeut të Qarkut Ellis të Shtunën ndërsa mirëpriti vizitorët në qytet për eklipsin. “Unë thjesht shikoj nga dritarja ime, dal nga dera ime dhe shikoj lart.” Ajo po lutet që moti të bashkëpunojë, siç janë pronarët e të gjitha dyqaneve të grumbulluara rreth gjykatës historike të bërë me gur ranor të kuq dhe granit rozë në qendër të qytetit. Ata po përgatiten për disa qindra mijëra vizitorë për 4 minutat, 20 sekondat e së hënës në total, afër maksimumit prej 4 minutash, 28 sekondash diku tjetër në rrugë.

Oily Bar Soapery pret një “Bubble Blackout” gjatë gjithë fundjavës, me sapunë dhe dhurata me temë eklipsi. Ndër sapunët e punuar me dorë: “Luna”, “Solar Power”, “Mother Earth” dhe “Hachie Eclipse of the Heart”.

Nazir Musai, i cili zotëron kafenenë dhe furrën e të famshmve, u tërhoq kur dëgjoi raportin e motit, por vuri në dukje: “Është mot. Ju nuk mund ta kontrolloni atë.”

Shi ose shkëlqe, James dhe e shoqja Liz Gibbons planifikojnë të festojnë. “Është një përvojë vizuale dhe fizike dhe në moshën time, që është 75 vjeç, nuk do ta shoh më kurrë”, tha Gibbons. Totaliteti nuk do të përfshijë përsëri SHBA-në kështu deri në vitin 2045, duke anashkaluar pothuajse të gjithë shtetin.

Megjithë kaosin, eklipsi përfundimisht kaloi, duke e lënë qytetin me kujtime për të cilat do të flitej për breza. Dhe ndërsa u mblodhën pas, duke shkëmbyer histori dhe duke qeshur derisa u dhimbte barku, ata kuptuan se ndonjëherë momentet më të paharrueshme janë ato që devijojnë nga skenari, duke thënë me njeri tjetrin “ eklipsi iku dhe nga fiku”.

Dhe kështu, me një vlerësim të ri për absurditetin e jetës, banorët e qytetit të vockël u kthyen në rutinën e tyre të përditshme, duke pritur me padurim ngjarjen tjetër kozmike që me siguri do të sillte më shumë të qeshura dhe gëzim në cepin e tyre të vogël të universit në mos qoftë ndonjë meteor.

Filed Under: Fejton

1932 / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “SHQIPTARËT PAGUAJNË MË SHUMË PËR MBRETIN ZOG SE SA PËR PARLAMENTIN, DHE KJO U PËLQEN DHE IA VLEN PËR KËTO ARSYE…”

April 8, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949) / Mbreti Zog (1895 – 1961)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949) / Mbreti Zog (1895 – 1961)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të premten e 1 korrikut 1932, në ballinë, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth pagës së majme të Mbretit Zog dhe justifikimit të saj nëpëmjet arritjeve të bëra asokohe në Shqipëri falë udhëheqjes së tij, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptarët paguajnë më shumë për Mbretin se sa për Parlamentin, dhe kjo u pëlqen

Burimi : The Christian Science Monitor, e premte, 1 korrik 1932, ballinë
Burimi : The Christian Science Monitor, e premte, 1 korrik 1932, ballinë

Nën udhëheqjen e Zogut, ky vend i lashtë malor ka përparuar më tej dhe në më shumë fusha (linja) se në 2000 vitet e fundit. 

Nga R. H. MARKHAM

Korrespondent i Stafit të The Christian Science Monitor

Tiranë, Shqipëri — Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, merr më shumë se 3000 dollarë në javë dhe Kryeministri i tij, zyrtari më i paguar në mbretërinë shqiptare, vetëm 80 dollarë. Një anëtar i Parlamentit merr 35 dollarë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë po aq.

I gjithë Parlamenti i kushton vendit shumë më pak se mbreti; këshilli ministror vetëm rreth një e teta e kësaj shume.

Mbreti me familjen dhe oborrin e tij konsumojnë një të tridhjetën e të gjithë buxhetit të shtetit. Ai merr një fitim financiar jashtëzakonisht të mirë për drejtimin e punëve të 1,000,000 njerëzve.

Por ai ia vlen ! Domethënë, shërbimet që ai po bën vlejnë pothuajse çdo çmim. Ky i ri ka bërë më shumë për Shqipërinë se çdo sundimtar tjetër në historinë e kombit, i cili është një nga më të vjetrit në Evropë. Gjatë këtyre pak viteve të sundimit të tij, shqiptarët kanë bërë më shumë përparim se në çdo kohë tjetër që kur janë njohur nga shkrimtarët e analistët e popujve. Për herë të parë Shqipëria është diçka më shumë se një shprehje gjeografike.

Në asnjë periudhë tjetër shqiptarët nuk kanë qenë kaq të bashkuar sa tani. Edhe pse të ndarë në tre grupe fetare, të cilat janë në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin në shumë vende të tjera, shqiptarët janë plotësisht të lirë nga armiqësia fetare. Megjithëse flasin dy dialekte shumë të ndryshme, ata kanë arritur të kuptojnë njëri-tjetrin pa shumë probleme. Ndonëse të ndarë nga njëri-tjetri nga male të larta, lugina të thella dhe lumenj të pabesë, ata janë bashkuar.

Asnjëherë më parë, as në kohën e dominimit romak rrugët në Shqipëri nuk ishin aq të mira sa tani. Dy ose tre linja kryesore mund të kenë qenë pak më të mira atëherë, por sistemi aktual i komunikimit tejkalon shumë çdo gjë që ka ekzistuar deri më tani.

Shqiptarët kanë një sistem shkollor, një gjuhë letrare, tekste shkollore dhe një frymë kulturore dhe të gjitha këto kanë origjinën e kohëve të fundit. Dy-tre dekada më parë shkollat shqipe ishin të ndaluara.

Për herë të parë në një mijëvjeçar, toka është mjaft e sigurt nga jashtë dhe jashtëzakonisht e sigurt brenda. Ka pak vende në Evropën Lindore në të cilat mund të udhëtohet me më pak rrezik. Dhe përkundër kontrollit shumë të rreptë policor, ka më pak ndërhyrje policore se më parë.

Një sistem mjaft i mirë juridik zbaton një kod ligjor modern : ekziston një shtyp i përditshëm — i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.

Të gjithë të rinjtë janë të stërvitur në kazerma dhe shumë në shoqëri atletike. Kazermat sigurisht që kanë defekte serioze, por ato i japin rinisë fshatare analfabete një trajnim të dobishëm.

Teatrot, koncertet, ekspozitat e artit dhe argëtimet si për burrat ashtu edhe për gratë jepen në disa qytete — gjëra të padëgjuara pak kohë më parë.

Kryeqyteti po shndërrohet në një qytet modern dhe kapërcen në komoditet çdo vendbanim që ekziston në Shqipëri prej dy mijëvjeçarësh.

Udhëtimi është i shpejtë dhe i lirë, pavarësisht mungesës së plotë të hekurudhave.

Fati i gruas shqiptare, ndonëse ende shumë i vështirë, është më i mirë se çdo herë tjetër.

Ka më pak korrupsion, ryshfet dhe parregullsi administrative se më parë. Sigurisht, ka shumë për të dëshiruar, por shumë është arritur.

Sporti po përparon me hapa të mëdhenj.

Pakicat (minoritetet) trajtohen relativisht mirë.

Shumë pak vende në botë kanë një shërbim ajror më të mirë.

E gjithë kjo nuk është tërësisht falë mbretit Zog – në asnjë mënyrë. Shpirti i zgjuar i një kombi që lufton për të ecur përpara ka dhënë një kontribut të madh. Zogu është instrumenti i këtij shpirti.

I gjithë ky përparim mbështetet në rregull, siguri dhe një shkallë të caktuar drejtësie. Shkollat, rrugët, gjykatat dhe ndërtesat janë të pamundura pa rregull. Zogu e imponoi këtë rregull. Nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë.

Shqipëria është ende prapa. Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Ka përmirësime të mëdha për të bërë. Por ajo ka shkuar shumë më tej në një dekadë se në çdo shekull të mëparshëm dhe vazhdon të përparojë me shpejtësi.

Filed Under: Fejton

Shaban Murat Jashari, mësuesi, luftëtari

April 2, 2024 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

Shaban Murat Jashari ishte mësues dhe si njeri i arsimit, dijes dhe kulturës e dinte që nuk ka dinjitet pa atdhe të lirë. UÇK-ja është burim i ndërgjegjes, moralit dhe guximit! Nuk ka detyrë më të shenjtë se të jesh mësues, arsimimi dhe edukimi janë themeli i një shteti të fortë, arsimimi dhe edukimi sjellin liridashës, burra që krijojnë kohën. Një mësues si SHABAN MURAT JASHARI edukoi familjen, breza të tërë në Drenicë dhe i dha mësim botës se si intelektualët zëvendësojnë penën me pushkën kur i thërret atedheu.

Shtëpia e Jasharëve ishte shkollë për atdhedashuri, ishte mburojë e motiv për luftëtarët e lirisë dhe jo rastësisht LIRIA KA EMËR. Ukshin Hoti ishte profesor universitar, Jakup Krasniqi ishte mësues e shumë patriotë që krijuan kohën për liri dhe nuk pranuan gjunjëzimin në këmbim të privilegjeve.

Koha ka qenë për të gjithë, por jo të gjithë ju përgjigjën vatanit në kohë. Për dikë… ishte kohë pa kohë e dikush nuk kishte kohë…Por, fatkeqësisht emblema e UÇK-së dikujt i pengon edhe sot dhe me nostalgji kujtojnë privilegjet e ish regjimit! Privilegjet gjithmonë kanë prodhuar servilë, egoistë e antivlera nacionale. Një thënie e përshkruan më së miri nocionin njeri frikacak/servil…

“Heronjtë vdesin, maskarenjtë e shijojnë lirinë”, e ne kemi edhe heronj të gjallë të cilëve po ju mohohet liria padrejtësisht dhe falë sakrificës së tyre kemi Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

Rikujtim: Ata janë në izolim jo si individë e as si parti politike, ata janë trungu i emblemës e i lirisë sonë. Ata ishin mësues, arkitektë, mjekë, gazetarë dhe bujq, mbi të gjitha ata e kishin një profesion të përbashkët, IDEALIN PËR LIRI!

Ata kulmuan mbi armikun e jashtëm dhe bashkëpunëtoret e tyre. Ata me armatim e paarmatim ishin në vijën e frontit.

Ata nuk luftuan për privilegje, ata e kishin tashme privilegjin më unik në botë, emrin luftëtar lirie, ata e kishin vdekjen shoqëruese.

Ata e panë vdekjen me sy, por fati disa nga ta i bëri heronje e disa i heroizoi për së gjalli.

Ka ikur koha e sundimit serb…

Ka ikur rreziku për okupim…

E bashkë me serbët ikën edhe privilegjet e individëve të caktuar, por mbetën ata dhe dëshpërimi i tyre!

Ruajini majat e sukseseve në profesion me nder e dinjitet, nostalgji-Jugosllavia është shpërbërë moti, zgjohuni nga gjumi plot ankth, tregojini egos suaj se keni gjak shqiptari dhe se kryeqyteti ynë është Prishtina e jo Beogradi.

Faleminderit UÇK, faleminderit NATO, pa UÇK-në nuk erdhi NATO, pa ju që goja e mendja ju qet me nder me thanë”…” erdhi liria, ju nuk ishit në atë kohë, ju jeni t’pakohë!

Filed Under: Fejton

A PO TJETËRSOHET QËLLIMISHT IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR I BREZIT TË RI?

March 23, 2024 by s p

Filip Guraziu/

Edukimi i brezit të ri simbas nji strategjie të mirëmendueme në themel të së cilë qëndron atdhedashunia përban kushtin ‘ e nevojëshëm e të domosdoshëm’ për konsolidimin e identitetit të nji populli. Fatkeqësisht rrethanat historike ndër të cilat mbijetuen shqiptarët gjatë nji periudhë mbi 2100 vjeçare, jo vetem që nuk ndihmuen në kët drejtim, përkundrazi…Ç’do gja bahet e kuptueshme për periudhat kur shqiptarët ishin të pushtuem, sepse qëllimi përfundimtar i çdo pushtuesi asht përjetësimi i pushtimit, i cili mund të realizohet vetem nëpërmjet tjetersimit të identitetit të popullit që pushtohet.
Platforma kryesore e tjetersimit të identitetit të nji populli asht fshimja e kujtesës historike dhe krijimi i nji realiteti historik të ri në shërbim të pushtetit. Historia e njerëzimit në përgjithësi e ajo e shqiptarëve në veçanti e provon ma së miri kët pohim.
Në kët drejtim diktatura komuniste enveriste shqiptare ia kaloi edhe pushtuesve të huej; me dhunë, vorfni, e izolim prej të tanë botës; “zhduku rendin e vjetër”, transformoi historinë, kriminelin e shpalli hero, heroin nacionalist – armik e s’fundi me brohoritje e entuziazëm ” të pa parë” ” krijoi njëriun e ri të partisë”.
Me qenë se sistemi diktatorial komunist u vetëshëmb me dashje si e vetmja rrugë e mbijetesës, ” njëriu i ri i partisë” që u transformue në “njëriun e ri të demokracisë” mbijetoi e vazhdon me mbijetue si nji qenie hibride ( “pa Dinë e pa Imanë”) i shartuem në ekonominë e tregut. Ideali i ri i kësaj ” qenie hibrìde”, që ruen të paprekun në thellësinë e formimit të sajë ideologjinë komuniste rezultoi: pasunimi i shpejtë e me çdo kusht, konsolidimi nepotik i pozitave drejtuese në politikë, pushtet, sistemin gjyqësor e akademik etj., tue shpërfillë identitetin e interesin kombtar shqiptar
Nuk ka si spjegohet ndryshe veprimi i akademikëve shqiptar që i bjen ndesh identitetit kombtar në fushën gjuhësore, tue mos pranue rishikimin e kongresit famëkeq politik enverist të 1972-shit që “hodhi në Dri” themelin e gjuhës shqipe, Gegnishten. More të ” bekuem akademikë”, kanë kalue 52 vjetë prej atij vendimi, e gjuha sikur çdo gja tjeter evolon në përputhje me zhvillimet e reja, asht pikërisht ky evolucion që ju detyron rishikimin e përmirësimin e standardit të 1972-shit, por ju nuk pranoni. Ku e keni qëllimin? A jeni ndopak të ndërgjegjësuem për bashkimin kulturor shpirtnor të shqiptarëve në dy anët e kufinit më Kosovën ku flitet gegnisht? Po faktin që rreth Shqipnisë jetojnë rreth tre milion gegë e keni harrue? Simbas jush, brezi i ri që nuk mundet ma me lexue e me studjue, sepse nuk i kupton, shkrimtarët ma në za të gegnishtes si Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Haxhiademi, Prendushi, Migjeni, Koliqi, Repishti, Camaj, Rrota, Zadeja, Pipa etj., etj. mund të edukohët në mungesë të kujtesës me identitetin e vertetë shqiptar?
Si duhet t’a kuptojmë qëndrimin e akademikëve shqiptar që kundërshtojnë ” si demat para bezes së kuqe” vjetersinë mijavjeçare të gjuhës shqipe në themelin e së cilës qëndron gegnishtja? Ç’ka na thotë qëndrimi “kontrapedal” i tyne në lidhje me zbulimet e reja në fushën e etimologjisë të gjuhës shqipe? Si ndikon ky qëndrim te identiteti i brezit të ri?
I pafalshëm mbetet edhe fakti që ende sot mbas gati 34 vjetëve vetëshëmbje të diktaturës, qenia hibride ose ” njëriu i ri i demokracisë” që drejton e programon edukimin shkollor, nuk përfshin në tekstet shkollore tragjedinë e krimit komunist. Formimi i brezit të ri me mungesën e kujtesës historike a nuk të çon drejt tjetersimit të identitetit kombtar shqiptar, ky asht qëllimi? Për me ia vue vulën këti qëndrimi , Ministria e Arsimit-Tiranë i paska dërgue intitucioneve shkollore nji shkresë orjentuese si rekomandim për edukimin jashtëshkollor të nxanësave. Ndër qindra shkrimtarë shqiptarë te rekomanduem, mungojnë vetem ato që trajojnë krimin komunist të diktaturës si; Sami Repishti, Marçel Hila, Ahmet Bushati, At Konrad Volaj etj., rastësi?
Kulmi i qëndrimit absurd i “qenies hibride” me grada shkencore e autoritet akademik u ba publik para pak ditësh prej gazetave e televizioneve në mbarë vendin me shpalljen e nji peticioni antidemokratik qesharak e të turpshëm që i kërkonte AMA-s ndalimin e diskutimit në emisionet televizive mbi problemin e gjuhës shqipe!
Mendoni ku kemi mbritë e ç’ka përjetojmë ne si shqiptarë: shkencëtarët e akademikët që kemi, pra “mendjet e ndrituna e me vizion”, zyrtarisht kërkojnë ndalimin e fjalës së lirë me “urdhën prej nalt”, si në kohën e “lugatit” tue i ra ndesh parimit bazë të demokracisë! A ka ma marre e për faqe të zezë!
Mos diskutimi për domosdoshmëninë e integrimit të gegnishtes, mos diskutimi i vjetersisë së gjuhës shqipe, mos diskutimi i etmologjisë së gjuhë shqipe kuj i shërben? Konsolidimit të identitetit kombtar shqiptar JO që JO, por vetem atyne që nuk e duen popullin shqiptar!
Sapo njifesh me kët lloj peticioni, që të krijon “përshtjellime në stomak”, menjiherë mendja të shkon te disa emisionet televizive ku personazhe të paguem kundër shqiptarizmit vjellin vnerë kundër shtyllave mbi të cilat mbështetet identiteti shqiptar; Skenderbeut, Nanës Tereze, trashigimisë Ilire, gjuhës shqipe, autoktonisë së shiptarëve, trashigimisë kulturore dhe kurrë, në mënyrë absolute asnjiherë, këto ” qenie hibride” me grada shkencore e akademike nuk e çuen zanin në mbrojtje të idealeve shqiptare! Ky qëndrim i dyfishtë i jueji ju nxjerr haptas se kush jeni e se çka rueni me fanatizëm në shpirtin tuej, ” Fshati që shihet sdo kallauz”!
I damshëm për konsolidimin e identitetit kombtar shqiptar të brezit të ri mbetet edhe korrupsioni në sistemin arsimit shqiptar (pasojë e idealit të ri të ” qenies hibride”) në të tana nivelet, por veçanarisht ai i shkollave të nalta të len “pa gojë”; personazhe që kanë zanë vende drejtuese e disponojnë deri tre diploma universitare, praktikisht rezultojnë gjysë analfabetë. Mungesa e formimit kulturor me bazë atdhedashuninë e vlerat kombtare pasojë 32 vjeçare e ” njëriut të ri të demokracisë” me pozitë drejtuese politike, shtetnore apo akademike ka çoroditë programimin strategjisë edukuese të rinisë, ç’ka vështirëson konsolidimin e identitetit të shqiptarëve, aq i deshiruem sot.
Si përfundim, po kujtoj thanien e nji filozofi kontrovers: ” Kriteri i së vertetës asht praktika” Po cila asht praktika e sotme e jetës së të rijve shqiptar?
“Shif e shkruej”, thotë nji fjalë e urtë popullore:
Largim në masë e të rijve prej vendit amë, aq sa nuk gjinden ma punëtorë, por merren prej Bangladeshit. Zvogëlim drastik i numrit të nxanësve e studentëve. Rritje e analfabetizmit dhe e padijes. Zvogëlimi i numrit të martesave e paksimi i lindjes së fëmijve. Rritje e drogaxhive, e krimit, e vjedhjeve, e bastexhive, e dhunës, e abuzimeve. Rritje pa kufi e të rijve që kalojnë jo vetem ditën, por edhe naten në bar-kafe kot, janë të pa punë, por kanë vetura e bylyzykë ari!
O pashallarë të demokracisë: veni ndonjiherë dorën edhe te zemra e jo vetem te xhepi… Mos harroni se përparimi i shqiptarëve lidhet kryesisht me brezit të ri që asht garancia e së ardhëmes! E kjo e ardhëme në radhë të parë kërkon unitet kombtar i cili realizohet vetem mbi bazen e vlerave identitare të popullit shqiptar.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT