• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUTI I PATRIOTËVE PEQINAS NË VITET E PARA TË SHTETIT SHQIPTAR (1912-1924)

November 25, 2023 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Dobësimi i Perandorisë Osmane, lakmia për territore që kishin vendet fqinjë ndaj territoreve shqiptare, luftërat ballkanike, vuri në pikpyetje ekzistencën e kombit shqiptar. Në këtë situatë, shqiptarët nuk ngelen duarkryq, por ishin gjithmonë në këmbë për të mbrojtur atdheun me çdo kusht. 

Peqini, duke qenë një krahinë me histori të gjatë: me vendbanimin e vjetër të njohur si Klaudiana, me rrugën Egnatia (ndërtuar gjatë Perandorisë Romake), Kalaja e ndërtuar gjatë periudhës Osmane, tregon se Peqini kishte vijëmësi të jetës në periudhat e ndryshme historike. Duke patur këtë trashëgimi, Peqini shquhet për atdhetarizëm, duke nxjerrë shumë figura të rëndësishme, që shquheshin për trimëri, mençuri dhe kulturën që demostronin. 

Më shumë figurat patriotike nga krahina e Peqinit, sidomos nga qyteti, do të shfaqeshin në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku dallohej fisi Gjinishi me përfaqësuesit e hershëm Adem Gjinishi dhe vëllai i tij sheh Tahsimin.

Duke qenë më aktiv në vitet e para të pavarësisë, xhonturqit u konfrontuan me Gjinishët, pasi 2 vëllezërit kishin filluar iniciativat për hapjen e shkollave shqipe në qytet. 

Xhonturqit pasi e kapën sheh Tahsimin, u përpoqën që ta internojnë në Manastir. Më pas teqja e sheheve Gjinishas u bë një vend i rëndësishëm për takimin e patriotëve dhe atdhetarëve të Peqinit. Jo vetëm kaq, në këtë teqe vinin edhe atdhetarët e shquar si Aqif Pashë Elbasani, Haxhi Zeka, Haxhi Aliu, Abdyl e Eshref Frashëri, etj. 

Pas kordinimit që kishin patriotët peqinas me këto atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit flamuri shqiptar në Peqin: aty ku ndodhet Xhamia. 

Me këtë rast iu dërgua një telegram në Vlorë, Kuvendit dhe delegatëve. Këtu qe deleguar dhe Mahmud Kaziu (nënprefekti i Peqinit) si përfaqësues e delegat i Peqinit,  nënshkrues i Deklaratës për Pavarësi në Vlorë.

Në Peqin, nga Adem Gjinishi e drejtues të tjerë u përgatitën rreth 100 veta për të mbrojtur Kuvendin e Vlorës. Kështu nga peqinasit u shoqërua karvani i Ismail Qemalit nga Boshtova (pranë Kavajës) gjer në Vlorë. Merrnin pjesë në shoqërim patriotë peqinas si Adem Gjinishi, Ramazan Cani, Osman Çanaku, Muharrem Spahiu, Arif Sufali, Adem Lluca, Ahmet Ashiku etj. Krahas entuziazmit dhe dëshirës së peqinasve për ngritjen e flamurit në qytetin e tyre, pati njëkohësisht dhe kujdes, vëmendje dhe ankth për rreziqet që po i kanoseshin vendit.

Le t’i referohemi konkretisht telegramit :

Telegram i popullit të Peqinit – 27 Nëntor 1912

Drejtuar Ismail Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit – Vlorë.

“Ju bëjmë të ditur se me dëshirën e krejt popullit, mbrëmë në orën 6 Nënprefektura e Peqinit e shpalli pavarësinë në anë të Shqipnisë dhe ngriti flamurin tonë nëpër godinat zyrtare dhe tash jemi duke u marrë me emërimin e nëpunësve të nevojshëm. Veç se jemi informuar se ushtarët e ushtrisë serbe po i afrohen Qukësit dhe, po të jetë se nuk merren masa penguese, ka mundësi që të shkelë tokën tonë e prandaj ju lutemi të demarshoni me ngutësi pranë Fuqive të Mëdha e të kërkoni garantimin e Pavarësisë së Vendit tonë.

Urdhëri është i juaji.

Firmat: Adem Gjinishi, Ahmet Kaziu, Sulejman Kuqi, etj.

(A.Q.SH. Fondi 245. Viti 1912. Dosja I – 5. Fleta 31).

    Foto nr. 1. Adem Gjinishi           Foto nr. 2. Mahmud Kaziu

C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-16_page-0001.jpg
C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-12_page-0001.jpg

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipërisë i’u shtua rreziku për copëtim, për shkak të futjes së ushtrive të vendeve fqinjë në trojet e banuar nga shqiptarët. Me politikat e tyre shoviniste, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërkonin me çdo mënyrë të aneksonin sa më shumë territore të banuar nga shqiptarë. 

Në Peqin pati përplasje të ashpra ndërmjet ushtrisë serbe dhe banorëve. Serbët kryen masakra tek kalaja e Peqinit (në bodrumet e saj). Për banorët e zonës dhe jo vetëm është e njohur dhe akti heroik i gruas Xheme Gramshit nga krahina e Peqinit, që me një hekur të nxehtë (hell) vrau tre serbë.

Përveç mbrojtes së qytetit të tyre, patriotët peqinas nisën vullnetarë për të ndihmuar Shkodrën në vitin 1913 në luftën ndaj Malit të Zi. Trimëria e “taborrit” prej 300 luftëtarë peqinas kundër malazezëve qe e dukshme, aq sa populli i ngriti këngën:   

“Plasi lufta në zall të Kirit

Aferim taborrit Peqinit”

Krahas luftëtarëve e patriotëve si A. Gjinishi, Xhaf e Riza Çeka, A. Kruja, A. Sufali, M. Ashiku, Xh. Ballhysa, O. Çanaku etj. u dallua veçanërisht peqinasi Ismail Kadiu ushtarak, oficer i lartë që kishte studiuar në Stamboll e Vjenë. Ky mori pjesë në luftime kundër malazezëve, si dhe u konfliktua me Esat Pashën që tradhtoi interesat shqiptare (e që më vonë u vra pabesisht).

Patriotët demokratë peqinas dolën hapur kundër tradhtisë së Esat Pashës ndaj interesave të vendit e njerëzve të tij. Kështu në gazetën “Rilindja e Shqipërisë 6/19 Nëntor të vitit 1913 gjërësisht shkruhej “Një nëpunës karakteristik i Esat Pashës – një letër nga Peqini: Mbi ligësitë e Kadri beut (K. Bonati), njeri i zgjedhur i Esat Pashës”. 

Në këtë kohë shikohet dhe qëndrimi përparimtar i peqinasve kundër Qeverisë reaksionare të Durrësit. Gazeta “Besa e shqiptarëve” – 24 Dhjetor 1914 theksonte: “Kryengritja e tiranasve dhe elbasanasve perfshijnë edhe Peqinin dhe Beratin. Dobësia e qeverisë së Durrësit ndihet kudo”.

Në vitet ‘20 u ndje fryma demokratike e kohës. Kështu në teqen e sheheve Gjinishas realizoheshin mbledhje të patriotëve vendas dhe të simpatizantëve me influenca e ide demokratike. Këtu mblidheshin dhe kuvendonin: Demir Godelli, Mehmet Peza, Ramazan Teqja, Xhaferr Çeka, Daut Elezi, Gud Kruja, Latif Kumbara, S. Kuqi, M. Kaziu, Ahmet Kaziu, Asllan Ballhysa, nga Dehimtë, Minoltë, Cantë, Gripshtë, Bedalltë, Dervishtë, Salitë, Biçtë, etj.

Në përfundim të kuvendimit patriotët peqinas zgjodhën Adem Gjinishi si delegat në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Si demokrat i orëve të para, ai u vra më 1923 nga njerëzit e Vërlacit e Zogut.

Në qytetin e Peqinit dominonte krahu demokrat. Ata kishin ngritur dhe nëndegën e shoqatës “Bashkimi” dhe interesoheshin gjerësisht për probleme të qytetit e të krahinës, apo organizonin popullin për fushata e ndihma financiare në dobi të vendit.

Kështu p.sh. në Fletoren zyrtare viti 1922, Nr. 46. 12 Tetor shkruhej në një artikull:

“Ministria e Arsimit”: “Falenderojmë popullsinë e Peqinit për ndihmat në ndërtimin e Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë “. 

Banorët dalloheshin për; harmoni, patriotizëm, solidaritet reciprok e unik. Në nëndegën e shoqatës “Bashkimi” kishte intelektualë, tregtarë, pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, etj.   

 Revolucioni demokratiko-borgjez në vitin 1924 pati ndikim shumë të madh edhe në Peqin. Figura e Fan Nolit pëlqehej dhe mbështetej këtu. Fjalët e Nolit për unitet e bashkim për përparimin shoqëror kundër ndarjes dhe sherreve mes shqiptarëve për periudhën e vështirë që kalonte vendi, gjetën përkrahje edhe në Peqin. 

Për realizimin e këtij artikulli, falenderoj profesor Astrit Kaziun për bashkëpunimin e tij të vyer. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Albert Kurti

“Fjalët e shpirtit”

November 22, 2023 by s p

Monda Mara/

“Fjalët e shpirtit”, në edicionin e saj të 6-të, mblodhi të dielën që lamë pas në Brescia të Italisë, poetë, artistë, nxënës të shkollave shqipe me banim në këtë shtet. Kjo veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe nën kujdesin e mbështetjen e Konsullatës sonë në Milano, bëri që fjala shqipe të kumbojë fuqishëm, si për të na treguar se edhe pse mërguar, për ne asgjë nuk do të ndryshojë. Sipas Konicës, shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti. Dhe pikërisht këtë të fundit, artin shqiptar, u munduam ta shpalosnim në shumë forma atë pasdite, duke patur edhe një qëllim tjetër: transmetimin e tij brezit të ri që po rritet në mergim.

E konceptuar në formën e një konkursi të poetëve shqiptarë që bëjnë pjesë në Antologjinë II të Lidhjes dhe interpretimeve të nxënësve të shkollave shqipe, emocionet që na shoqëruan përgjatë gjithë kësaj veprimtarie, ishin vërtet të mëdha. Të ardhur nga shkollat: “Dora e Pajtimit” Milano , “Mësonjëtorja” Brescia , Qendra kulturore “Margarita Xhepa ” Asti, “Besëlidhja ” Rovereto, “Shqiponja ” Reggio Emilia dhe “Ura” Novara, me anë të recitimeve të poezive të ndryshme nga autorët shqiptarë, nxënësit na befasuan me pregatitjet dhe nivelin e paraqitur. Edhe pse u ndanë 3 çmime, secili prej tyre ishte një fitimtar. Të shprehurit në gjuhën e nënës, angazhimi dhe përkushtimi për t’u përfaqësuar sa më mirë në këtë garë, i bën ata fitues të padiskutueshëm.

Përsa i përket konkursit të poezisë shqipe në Itali, ndër 51poetët pjesë të Antologjisë II, u përzgjodhën 20 prej tyre. Dhe këto poezi, u vlerësuan nga një juri e jashtme. Poetët fitues Agim Bajrami, Rudina Muharremi Beja dhe Lumo Kolleshi (sipas vendeve respektive III, II, I), shprehën kënaqësinë për përfshirjen e tyre në Antologji dhe përgëzuan organizatorët për veprimtarinë. Për të pranishmit 3 poezitë fituese u sollën nga vetë këta autorë, duke rrëmbyer edhe duartrokitjet e publikut.

Siç dhe e theksova në fillim, arti u shpalos në shumë forma atë pasdite. Piktorja Vjola Fusha, foli me gjuhën e pikturës. Njëra prej tyre e bërë enkas për këtë ngjarje, iu dhurua autoriteteve lokale italiane, në shenjë falënderimi për mbështetjen që i japin komunitet shqiptar. Gjithashtu tingujt e muzikës sonë nën interpretimin e sopranos së talentuar, pjesë e teatrit “La Scala” në Milano Anila Hoxha Gjermeni, këngëtarit lirik bass me një karrierë të pasur në Itali Artan Lika dhe këngëtarit Neptun Gjata, pjesëmarrës në shumë festivale dhe i vlerësuar me çmime, na bënë të ndihemi akoma edhe më shumë pranë vendlindjes.

Çast i rëndësishëm gjatë veprimtarisë ishte dhe certifikata e nderit dhënë Konsulles sonë dhe Komisares së Diasporës në Itali, znj. Luljeta Çobanaj, për angazhimin dhe mbështetjen e pakursyer ndaj shoqatave dhe shkollave shqipe në këtë vend. Gjithashtu edhe përshëndetja e presidentit të LSHASHI-t, z. Skendër Lazaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe uroi që organizime të tilla të tërheqin edhe më shumë vëmendjen e komunitetit tonë për t’u bashkuar në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare.

Kanë thënë për shpirtin se ai ka ngjyrën e mendimeve. E pra mendimet tona atë pasdite të së dielës u lidhën me artin, atë i cili u vesh me ngjyrat tona të flamurit.

Filed Under: Fejton

Arkivat Shqiptare u prezantuan në “Ditë e Alfabetit”

November 21, 2023 by s p

Shkup, 21 nëntor 2023 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup prezantoi të martën veprimtarinë e fundit botuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar, në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e alfabetit – 2023”. Me këtë rast, u përuruan katër botime, që objekt trajtimi dhe referimi kanë dokumentet arkivore, ndërsa u ekspozuan edhe dokumente dhe fotografi të ngjarjeve e personaiteteve që janë të lidhura drejtërdrejtë me Kongresin e Alfabetit (1908). Në fjalën e tij të rastit, drejtori i ITSHKSH-së, prof. dr. Skender Asani vlerësoi bashkëpunimin institucional mes Institutit të Trashëgimisë dhe Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë, të cilat sipas tij kanë reflektuar frymën e bashkëpunimit si tek institucionet tjera ashtu edhe tek masat e gjera. “Ky model fuzionimi, që prej disa viteve kanë ndërtuar institucionet tona me relavancë, ka reflektuar edhe më gjerë dhe ka bërë të mundur që sot shqiptarët, pavarësisht hapësirave gjeografike ku ata jetojnë, të shënojnë dhe organizojnë bashkë aktivitete shkencore e kulturore dedikuar Kongresit të Alfabetit”, nënvizoi Asani.

Sakaq, drejtori i DPA-së, Ardit Bido, u shpreh i lumtur që në Shqipërinë e post tranzicionit kanë filluar të rimarrin vëmendjen e duhur edhe përvjetoret që lidhen me ngjarje të rëndësishme të kombit. “Më vjen mirë që me kalimin e viteve, këto ngjarje fillojnë e shënohen jo vetëm thjeshtë si shënim datash e përvjetoresh, por si aktivitete brenda një kontekstualizimi për rëndësinë që kanë në të sotmen ato akte dhe vendime patriotike, për bashkimin e kombit”, u shpreh Bido.

Gjatë sesionit të prezantimit të veprimtraisë botuese të DPA-ës, dr. Endrit Musaj referoi për librin “Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”; Myrteza Sharra për librin “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”; Vera Lushaj për librin “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin”; si dhe Armando Boçe për “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH-së me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.

Në pjesën e dytë të aktivitetit u shpalos ekspozita dokumentare dhe fotografike “Një Komb, një ABC”. Krahas, rëndësisë historike, simbolikës por edhe kërshërisë që kanë në vetëvete ngjarje të tilla, ekspozita ka edhe rëndësinë praktike. Dokumentet dhe fotografitë, që deri vonë kanë qenë privilegj vetëm i studiuesve dhe historianëve, të cilët kanë kryer studime mbi ato ngjarje, tanimë janë të prekshme edhe për publikun e gjerë.

Manifestimi “Ditët e alfabetit – 2023”, mbyllet nesër me shënimin solemn të këtij përvjetori, me aktivitete që do të zhvillohen në ITSHKSH dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir.

Filed Under: Fejton

SHQIPTARËT ME KËNGË E VALLE PARAKALUAN NË PARADËN E DITËS SË FALËNDERIMEVE NË PHILADELPHIA

November 20, 2023 by s p

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare/

Tashmë ka shtatë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg – Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përgjatë Frankford Avenue, një rrugë e gjërë në këtë lagje, e përshtatshme për veprimtari të tilla. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 19 nentor, një ditë e ngrohtë e me diell, kohë mjaft e përshtatshme për marshim. Moti i mirë na siguroi edhe një pjesëmarrje masive me plot entuziazëm e paraqitje dinjitoze të komunitetit tonë. Numri i pjesëmarrësve të grupit tonë, nxënësve të shkollës shqipe, prindërve, anëtarëve të shoqatës e pjesëtarëve të komunitetit ishte i lakmueshëm. Ne gjithmonë e presim me padurim e me shumë entuziazëm pjesëmarrjen tonë në këtë Paradë. Siç duket po në të njejtën mënyrë e presin edhe banorët e kësaj zone: të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse. Sidomos i pëlqejnë ritmet dhe dinamizmin e këngëve e valleve tona nga të gjitha trojet shqiptare. Tani siç duket ata janë familjarizuar mirë me paraqiotjet tona dhe e dinë çka të presin nga ne. 

Parakalimin tonë gjithmonë e shoqërojnë këngët dhe vallet tona: këngët patriotike që këndohen për nder të 28 Nëntorit, si dhe këngët: “Xhamadani vija – vija”, “Mora fjalë”, “Kuq e zi”, etj. Grupit tonë  i printë një makinë e kuqe si ngjyrat e flamurit tonë, e drejtuar nga Edi Papaj, ku ishte vendosur edhe qendra e zërit. Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona shumëngjyrëshe kombëtare nga të gjuitha trojet tona etnike, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt kuqezi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me lëvizje trupore u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e valleve tona popullore, mjaft dinamike e ritmike. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tone dhe misionin e saj. Paraqitja jonë edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare. 

Për këtë organizim të mirë meritat i takojnë kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuseve tona të përkushtuara: Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi dhe Mimoza Sotiri, të cilat së bashku me prindërit ishin kujdesur që fëmijët të dukeshin sa më bukur në veshjet tona kombëtare. Këtu duhet vlerësuar edhe puna e gazetares, Eva Dori, e cila me plot profesionalizëm e përkushtim ka bërë shumë fotografi e inçizime gjatë tërë rrugëtimit të kësaj parade. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare. Jo çdo gjë e vlerë mësohet vetëm nga librat, por edhe nga përvoja jetësore, shembulli i njerëzvë që punojnë, sakrifikojnë për të mirën e kombit e atdheut.

Philadelphia, më 19 nëntor, 2023

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Fejton

CILAT JANË PIKAT KYÇE?

November 18, 2023 by s p

Faton Bislimi publikon programin për LDK-në e Vlerave Themeltare dhe Idealeve Kombëtare

Dr. Faton Bislimi, ish-deputet i LDK-së dhe pretendent për kreun e partisë, ka publikuar programin e tij për LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare. Programi i publikuar nga ish-deputeti Bislimi përmbanë konceptin ideologjik dhe filozofik që ai beson se i takon dhe duhet ta ruaj LDK-ja, vlerat themeltare të partisë, si dhe orientimet programore.

I hartuar me një vizion të kjartë djathtistë në frymën e rugovizmit, si djathtizmi më autentik kombëtar, programi i ish-deputetit Bislimi pasqyron edhe vlerat themeltare të LDK-së si lojaliteti, durimi, kurajo, por edhe konservatorizmi e inkluziviteti.

“Unë besoj në vlerat e përbashkëta që duhet të ofrojë LDK-ja. Besoj dhe angazhohem për secilin që e sheh LDK-në si strumbullar të zhvillimeve pozitive për shtetin dhe kombin. Besoj në vendin meritor dhe vlerësimin adekuat që duhet dhënë për secilin që nuk kurseu asgjë nga vetja për të mirën e vendit përmes LDK-së. LDK-ja e vërtetë është ndërtuar e mbajtur nga puna vullnetare e aktivistëve të saj, nga kontributdhënësit e përkrahësit pa asnjë kusht, nga ai mësuesi e ajo mjekja që punonin pa kompenzim, nga ai ushtari i lirisë që luftën e bënte për shtet e jo për pushtet, nga ata mërgimtarët tanë që ndanin jo vetëm kafshatën e gojës por edhe gjithëcka tjetër që u kërkohej, vetëm e vetëm për ta mbajtur në këmbë idenë e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. E kjo ide ishte frymëzimi i krejt Kosovës. Kjo ide e lirisë e pavarësisë, anipse fillimisht dukej e pamundur, u bë realitet, u arritë nën lidershipin e Presidentit Rugova dhe njerëzve më intelektualë e të urtë të kohës, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, u likuiduan mizorisht nga dorë e zezë antikombëtare edhe pas agut të lirisë,” është shprehur Bislimi.

Tutje, ai ka thënë se “Reforma që unë do e preferoja është zhvillimi. Zhvillimi i ka dhimbjet e veta, por domosdoshmërisht sjellë edhe sukseset e veta.” Në kuadër të kësaj reforme, ja disa nga pikat kyce të elaboruara në programin e Bislimit:

Anëtarët si Hisedarë

Është themeltare për mua vendimmarrja gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënja. Përgjegjshmëria para anëtarëve të LDK-së duhet të jetë e barazvlefshme me llogaridhënjen para strukturave e organeve të partisë. Të dyja këto koncepte fuqizohen skajshmërisht kur anëtarët e LDK-së janë ata që përcaktojnë jo vetëm liderin e partisë, por edhe liderin e degës, nëndegës, përmes votimit të drejtpërdrejtë. Në linjë me sistemin e “primaries” në demokracinë partiake në SHBA, do jenë anëtarët e regjistruar të LDK-së ata që përmes votimit të drejtpërdrejt do zgjedhin kryetarin e partisë, dhe kryetarët e degëve e të nëndegëve të partisë. Në këtë mënyrë, ne e sjellim vendimin më të rëndësishëm për LDK-në direkt në duartë e vet anëtarëve të saj.

Mërgata Përfaqësohet Dinjitetshëm

Roli i mërgatës, jo vetëm për LDK-në, por edhe për krejt Kosovën, është i pakompenzueshëm. Por, për të inkuadruar mërgatën më shumë në LDK, pos përkrahjes së vazhdueshme të degëve në mërgatë nga qendra, një pozitë e Nënkryetarit të LDK-së do rezervohet për ta, si dhe të paktën 10% e listës për zgjedhje paralamentare do rezervohej po ashtu për të nominuar nga degët në mërgatë. Tutje, në momentin që LDK do vinte në qeveri, të paktën një pozitë Ministrore apo dy pozita të Zëvendësministrave do përcaktoheshin nga anëtarësia dhe degët tona në mërgatë.

Kandidatët për Zgjedhje Përcaktohen nga Anëtarësia

Është në linjë me sistemin zgjedhor brendapartiak në SHBA dhe shumë demokraci tjera që kandidatët e partisë për garë lokale apo nacionale – pra për Kryetar Komune dhe Deputet – të përcaktohen nga vet anëtarët e LDK-së përmes një procesi zgjedhor të brendshëm (“primaries”). Kjo do ndihmonte shumë në përcaktimin e kandidatëve që kanë potencialin më të madh për të arritur fitoret elektorale, dhe njëkohësisht, do përjashtonte mundësinë e nominimeve për gara të individëve që mund të favorizohen nga kryetarët e degëve apo kryetari i partisë, por të cilën nuk e gëzojnë përkrahjen apo preferencën e antërarësisë.

Tek orientimet programore, Bislimi është përqëndruar tek zhvillimi ekonomik përmes ekonomisë së lire të tregut, dhe në fokus ka vendosur atë që njihet si “poverty trap,” apo “kurthi i varfërisë” dhe mënyrat e si luftohet kjo. Mandej ka potencuar edhe krijimin e Fondit Nacional të Ekselencës përmes së cilit do iu mundësohej përkrahja direkte edhe financiare talentëve të rinjë të vendit në secilën fushë të artit, shkencës, e sportit. Kurse, tek diplomacia, Bislimi ka vënë në pah rolin e diplomacies publike të ndërlidhur ngusht edhe me rolin e mërgatës sonë si aset i pacmuar për vendin, duke u përcaktuar edhe “për krijimin e posteve të “ambassador-at-large,” për cështje të ndryshme tematike ndërkombëtare,” që do ia mundësonin Kosovës involvimin në shumë organizata ndërkombëtare e rajonale edhe në këtë kohë sa ende nuk është anëtare e plot e tyre.

Në fund, të programit 50 faqesh, Bislimi është përmbledhur një biografi e shkurtë e tij, ku jepen detaje mbi të arsimimin, përvojën profesionale, dhe cmimet e shumta ndërkombëtare të fituara nga ai. Aty spikatet lidhshmëria e Bislimit dhe përvoja e tij në SHBA dhe sidomos me Kongresin e Senatin Amerikan. Por, edhe angazhimi i hershëm i Bislimit me dhe në LDK, që nga koha e Presidentit Rugova, e mandej deri tek gara lokale e vitit 2017 në Gjilan kur ai ishte bartës i listës së LDK-së, si dhe zgjedhjet parlamentare të 2019 e 2021 kur ishte kandidat i LDK-së nga Gjilani.

# # #

PROGRAMI I PLOTE: https://bislimi.org/FBislimiLDKKuvendiX2023.pdf

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT