• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 Nëntor 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

November 28, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor. Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

Filed Under: Fejton

KONTRIBUTI I PATRIOTËVE PEQINAS NË VITET E PARA TË SHTETIT SHQIPTAR (1912-1924)

November 25, 2023 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Dobësimi i Perandorisë Osmane, lakmia për territore që kishin vendet fqinjë ndaj territoreve shqiptare, luftërat ballkanike, vuri në pikpyetje ekzistencën e kombit shqiptar. Në këtë situatë, shqiptarët nuk ngelen duarkryq, por ishin gjithmonë në këmbë për të mbrojtur atdheun me çdo kusht. 

Peqini, duke qenë një krahinë me histori të gjatë: me vendbanimin e vjetër të njohur si Klaudiana, me rrugën Egnatia (ndërtuar gjatë Perandorisë Romake), Kalaja e ndërtuar gjatë periudhës Osmane, tregon se Peqini kishte vijëmësi të jetës në periudhat e ndryshme historike. Duke patur këtë trashëgimi, Peqini shquhet për atdhetarizëm, duke nxjerrë shumë figura të rëndësishme, që shquheshin për trimëri, mençuri dhe kulturën që demostronin. 

Më shumë figurat patriotike nga krahina e Peqinit, sidomos nga qyteti, do të shfaqeshin në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku dallohej fisi Gjinishi me përfaqësuesit e hershëm Adem Gjinishi dhe vëllai i tij sheh Tahsimin.

Duke qenë më aktiv në vitet e para të pavarësisë, xhonturqit u konfrontuan me Gjinishët, pasi 2 vëllezërit kishin filluar iniciativat për hapjen e shkollave shqipe në qytet. 

Xhonturqit pasi e kapën sheh Tahsimin, u përpoqën që ta internojnë në Manastir. Më pas teqja e sheheve Gjinishas u bë një vend i rëndësishëm për takimin e patriotëve dhe atdhetarëve të Peqinit. Jo vetëm kaq, në këtë teqe vinin edhe atdhetarët e shquar si Aqif Pashë Elbasani, Haxhi Zeka, Haxhi Aliu, Abdyl e Eshref Frashëri, etj. 

Pas kordinimit që kishin patriotët peqinas me këto atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit flamuri shqiptar në Peqin: aty ku ndodhet Xhamia. 

Me këtë rast iu dërgua një telegram në Vlorë, Kuvendit dhe delegatëve. Këtu qe deleguar dhe Mahmud Kaziu (nënprefekti i Peqinit) si përfaqësues e delegat i Peqinit,  nënshkrues i Deklaratës për Pavarësi në Vlorë.

Në Peqin, nga Adem Gjinishi e drejtues të tjerë u përgatitën rreth 100 veta për të mbrojtur Kuvendin e Vlorës. Kështu nga peqinasit u shoqërua karvani i Ismail Qemalit nga Boshtova (pranë Kavajës) gjer në Vlorë. Merrnin pjesë në shoqërim patriotë peqinas si Adem Gjinishi, Ramazan Cani, Osman Çanaku, Muharrem Spahiu, Arif Sufali, Adem Lluca, Ahmet Ashiku etj. Krahas entuziazmit dhe dëshirës së peqinasve për ngritjen e flamurit në qytetin e tyre, pati njëkohësisht dhe kujdes, vëmendje dhe ankth për rreziqet që po i kanoseshin vendit.

Le t’i referohemi konkretisht telegramit :

Telegram i popullit të Peqinit – 27 Nëntor 1912

Drejtuar Ismail Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit – Vlorë.

“Ju bëjmë të ditur se me dëshirën e krejt popullit, mbrëmë në orën 6 Nënprefektura e Peqinit e shpalli pavarësinë në anë të Shqipnisë dhe ngriti flamurin tonë nëpër godinat zyrtare dhe tash jemi duke u marrë me emërimin e nëpunësve të nevojshëm. Veç se jemi informuar se ushtarët e ushtrisë serbe po i afrohen Qukësit dhe, po të jetë se nuk merren masa penguese, ka mundësi që të shkelë tokën tonë e prandaj ju lutemi të demarshoni me ngutësi pranë Fuqive të Mëdha e të kërkoni garantimin e Pavarësisë së Vendit tonë.

Urdhëri është i juaji.

Firmat: Adem Gjinishi, Ahmet Kaziu, Sulejman Kuqi, etj.

(A.Q.SH. Fondi 245. Viti 1912. Dosja I – 5. Fleta 31).

    Foto nr. 1. Adem Gjinishi           Foto nr. 2. Mahmud Kaziu

C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-16_page-0001.jpg
C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-12_page-0001.jpg

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipërisë i’u shtua rreziku për copëtim, për shkak të futjes së ushtrive të vendeve fqinjë në trojet e banuar nga shqiptarët. Me politikat e tyre shoviniste, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërkonin me çdo mënyrë të aneksonin sa më shumë territore të banuar nga shqiptarë. 

Në Peqin pati përplasje të ashpra ndërmjet ushtrisë serbe dhe banorëve. Serbët kryen masakra tek kalaja e Peqinit (në bodrumet e saj). Për banorët e zonës dhe jo vetëm është e njohur dhe akti heroik i gruas Xheme Gramshit nga krahina e Peqinit, që me një hekur të nxehtë (hell) vrau tre serbë.

Përveç mbrojtes së qytetit të tyre, patriotët peqinas nisën vullnetarë për të ndihmuar Shkodrën në vitin 1913 në luftën ndaj Malit të Zi. Trimëria e “taborrit” prej 300 luftëtarë peqinas kundër malazezëve qe e dukshme, aq sa populli i ngriti këngën:   

“Plasi lufta në zall të Kirit

Aferim taborrit Peqinit”

Krahas luftëtarëve e patriotëve si A. Gjinishi, Xhaf e Riza Çeka, A. Kruja, A. Sufali, M. Ashiku, Xh. Ballhysa, O. Çanaku etj. u dallua veçanërisht peqinasi Ismail Kadiu ushtarak, oficer i lartë që kishte studiuar në Stamboll e Vjenë. Ky mori pjesë në luftime kundër malazezëve, si dhe u konfliktua me Esat Pashën që tradhtoi interesat shqiptare (e që më vonë u vra pabesisht).

Patriotët demokratë peqinas dolën hapur kundër tradhtisë së Esat Pashës ndaj interesave të vendit e njerëzve të tij. Kështu në gazetën “Rilindja e Shqipërisë 6/19 Nëntor të vitit 1913 gjërësisht shkruhej “Një nëpunës karakteristik i Esat Pashës – një letër nga Peqini: Mbi ligësitë e Kadri beut (K. Bonati), njeri i zgjedhur i Esat Pashës”. 

Në këtë kohë shikohet dhe qëndrimi përparimtar i peqinasve kundër Qeverisë reaksionare të Durrësit. Gazeta “Besa e shqiptarëve” – 24 Dhjetor 1914 theksonte: “Kryengritja e tiranasve dhe elbasanasve perfshijnë edhe Peqinin dhe Beratin. Dobësia e qeverisë së Durrësit ndihet kudo”.

Në vitet ‘20 u ndje fryma demokratike e kohës. Kështu në teqen e sheheve Gjinishas realizoheshin mbledhje të patriotëve vendas dhe të simpatizantëve me influenca e ide demokratike. Këtu mblidheshin dhe kuvendonin: Demir Godelli, Mehmet Peza, Ramazan Teqja, Xhaferr Çeka, Daut Elezi, Gud Kruja, Latif Kumbara, S. Kuqi, M. Kaziu, Ahmet Kaziu, Asllan Ballhysa, nga Dehimtë, Minoltë, Cantë, Gripshtë, Bedalltë, Dervishtë, Salitë, Biçtë, etj.

Në përfundim të kuvendimit patriotët peqinas zgjodhën Adem Gjinishi si delegat në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Si demokrat i orëve të para, ai u vra më 1923 nga njerëzit e Vërlacit e Zogut.

Në qytetin e Peqinit dominonte krahu demokrat. Ata kishin ngritur dhe nëndegën e shoqatës “Bashkimi” dhe interesoheshin gjerësisht për probleme të qytetit e të krahinës, apo organizonin popullin për fushata e ndihma financiare në dobi të vendit.

Kështu p.sh. në Fletoren zyrtare viti 1922, Nr. 46. 12 Tetor shkruhej në një artikull:

“Ministria e Arsimit”: “Falenderojmë popullsinë e Peqinit për ndihmat në ndërtimin e Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë “. 

Banorët dalloheshin për; harmoni, patriotizëm, solidaritet reciprok e unik. Në nëndegën e shoqatës “Bashkimi” kishte intelektualë, tregtarë, pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, etj.   

 Revolucioni demokratiko-borgjez në vitin 1924 pati ndikim shumë të madh edhe në Peqin. Figura e Fan Nolit pëlqehej dhe mbështetej këtu. Fjalët e Nolit për unitet e bashkim për përparimin shoqëror kundër ndarjes dhe sherreve mes shqiptarëve për periudhën e vështirë që kalonte vendi, gjetën përkrahje edhe në Peqin. 

Për realizimin e këtij artikulli, falenderoj profesor Astrit Kaziun për bashkëpunimin e tij të vyer. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Albert Kurti

“Fjalët e shpirtit”

November 22, 2023 by s p

Monda Mara/

“Fjalët e shpirtit”, në edicionin e saj të 6-të, mblodhi të dielën që lamë pas në Brescia të Italisë, poetë, artistë, nxënës të shkollave shqipe me banim në këtë shtet. Kjo veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe nën kujdesin e mbështetjen e Konsullatës sonë në Milano, bëri që fjala shqipe të kumbojë fuqishëm, si për të na treguar se edhe pse mërguar, për ne asgjë nuk do të ndryshojë. Sipas Konicës, shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti. Dhe pikërisht këtë të fundit, artin shqiptar, u munduam ta shpalosnim në shumë forma atë pasdite, duke patur edhe një qëllim tjetër: transmetimin e tij brezit të ri që po rritet në mergim.

E konceptuar në formën e një konkursi të poetëve shqiptarë që bëjnë pjesë në Antologjinë II të Lidhjes dhe interpretimeve të nxënësve të shkollave shqipe, emocionet që na shoqëruan përgjatë gjithë kësaj veprimtarie, ishin vërtet të mëdha. Të ardhur nga shkollat: “Dora e Pajtimit” Milano , “Mësonjëtorja” Brescia , Qendra kulturore “Margarita Xhepa ” Asti, “Besëlidhja ” Rovereto, “Shqiponja ” Reggio Emilia dhe “Ura” Novara, me anë të recitimeve të poezive të ndryshme nga autorët shqiptarë, nxënësit na befasuan me pregatitjet dhe nivelin e paraqitur. Edhe pse u ndanë 3 çmime, secili prej tyre ishte një fitimtar. Të shprehurit në gjuhën e nënës, angazhimi dhe përkushtimi për t’u përfaqësuar sa më mirë në këtë garë, i bën ata fitues të padiskutueshëm.

Përsa i përket konkursit të poezisë shqipe në Itali, ndër 51poetët pjesë të Antologjisë II, u përzgjodhën 20 prej tyre. Dhe këto poezi, u vlerësuan nga një juri e jashtme. Poetët fitues Agim Bajrami, Rudina Muharremi Beja dhe Lumo Kolleshi (sipas vendeve respektive III, II, I), shprehën kënaqësinë për përfshirjen e tyre në Antologji dhe përgëzuan organizatorët për veprimtarinë. Për të pranishmit 3 poezitë fituese u sollën nga vetë këta autorë, duke rrëmbyer edhe duartrokitjet e publikut.

Siç dhe e theksova në fillim, arti u shpalos në shumë forma atë pasdite. Piktorja Vjola Fusha, foli me gjuhën e pikturës. Njëra prej tyre e bërë enkas për këtë ngjarje, iu dhurua autoriteteve lokale italiane, në shenjë falënderimi për mbështetjen që i japin komunitet shqiptar. Gjithashtu tingujt e muzikës sonë nën interpretimin e sopranos së talentuar, pjesë e teatrit “La Scala” në Milano Anila Hoxha Gjermeni, këngëtarit lirik bass me një karrierë të pasur në Itali Artan Lika dhe këngëtarit Neptun Gjata, pjesëmarrës në shumë festivale dhe i vlerësuar me çmime, na bënë të ndihemi akoma edhe më shumë pranë vendlindjes.

Çast i rëndësishëm gjatë veprimtarisë ishte dhe certifikata e nderit dhënë Konsulles sonë dhe Komisares së Diasporës në Itali, znj. Luljeta Çobanaj, për angazhimin dhe mbështetjen e pakursyer ndaj shoqatave dhe shkollave shqipe në këtë vend. Gjithashtu edhe përshëndetja e presidentit të LSHASHI-t, z. Skendër Lazaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe uroi që organizime të tilla të tërheqin edhe më shumë vëmendjen e komunitetit tonë për t’u bashkuar në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare.

Kanë thënë për shpirtin se ai ka ngjyrën e mendimeve. E pra mendimet tona atë pasdite të së dielës u lidhën me artin, atë i cili u vesh me ngjyrat tona të flamurit.

Filed Under: Fejton

Arkivat Shqiptare u prezantuan në “Ditë e Alfabetit”

November 21, 2023 by s p

Shkup, 21 nëntor 2023 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup prezantoi të martën veprimtarinë e fundit botuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar, në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e alfabetit – 2023”. Me këtë rast, u përuruan katër botime, që objekt trajtimi dhe referimi kanë dokumentet arkivore, ndërsa u ekspozuan edhe dokumente dhe fotografi të ngjarjeve e personaiteteve që janë të lidhura drejtërdrejtë me Kongresin e Alfabetit (1908). Në fjalën e tij të rastit, drejtori i ITSHKSH-së, prof. dr. Skender Asani vlerësoi bashkëpunimin institucional mes Institutit të Trashëgimisë dhe Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë, të cilat sipas tij kanë reflektuar frymën e bashkëpunimit si tek institucionet tjera ashtu edhe tek masat e gjera. “Ky model fuzionimi, që prej disa viteve kanë ndërtuar institucionet tona me relavancë, ka reflektuar edhe më gjerë dhe ka bërë të mundur që sot shqiptarët, pavarësisht hapësirave gjeografike ku ata jetojnë, të shënojnë dhe organizojnë bashkë aktivitete shkencore e kulturore dedikuar Kongresit të Alfabetit”, nënvizoi Asani.

Sakaq, drejtori i DPA-së, Ardit Bido, u shpreh i lumtur që në Shqipërinë e post tranzicionit kanë filluar të rimarrin vëmendjen e duhur edhe përvjetoret që lidhen me ngjarje të rëndësishme të kombit. “Më vjen mirë që me kalimin e viteve, këto ngjarje fillojnë e shënohen jo vetëm thjeshtë si shënim datash e përvjetoresh, por si aktivitete brenda një kontekstualizimi për rëndësinë që kanë në të sotmen ato akte dhe vendime patriotike, për bashkimin e kombit”, u shpreh Bido.

Gjatë sesionit të prezantimit të veprimtraisë botuese të DPA-ës, dr. Endrit Musaj referoi për librin “Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”; Myrteza Sharra për librin “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”; Vera Lushaj për librin “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin”; si dhe Armando Boçe për “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH-së me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.

Në pjesën e dytë të aktivitetit u shpalos ekspozita dokumentare dhe fotografike “Një Komb, një ABC”. Krahas, rëndësisë historike, simbolikës por edhe kërshërisë që kanë në vetëvete ngjarje të tilla, ekspozita ka edhe rëndësinë praktike. Dokumentet dhe fotografitë, që deri vonë kanë qenë privilegj vetëm i studiuesve dhe historianëve, të cilët kanë kryer studime mbi ato ngjarje, tanimë janë të prekshme edhe për publikun e gjerë.

Manifestimi “Ditët e alfabetit – 2023”, mbyllet nesër me shënimin solemn të këtij përvjetori, me aktivitete që do të zhvillohen në ITSHKSH dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir.

Filed Under: Fejton

SHQIPTARËT ME KËNGË E VALLE PARAKALUAN NË PARADËN E DITËS SË FALËNDERIMEVE NË PHILADELPHIA

November 20, 2023 by s p

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare/

Tashmë ka shtatë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg – Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përgjatë Frankford Avenue, një rrugë e gjërë në këtë lagje, e përshtatshme për veprimtari të tilla. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 19 nentor, një ditë e ngrohtë e me diell, kohë mjaft e përshtatshme për marshim. Moti i mirë na siguroi edhe një pjesëmarrje masive me plot entuziazëm e paraqitje dinjitoze të komunitetit tonë. Numri i pjesëmarrësve të grupit tonë, nxënësve të shkollës shqipe, prindërve, anëtarëve të shoqatës e pjesëtarëve të komunitetit ishte i lakmueshëm. Ne gjithmonë e presim me padurim e me shumë entuziazëm pjesëmarrjen tonë në këtë Paradë. Siç duket po në të njejtën mënyrë e presin edhe banorët e kësaj zone: të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse. Sidomos i pëlqejnë ritmet dhe dinamizmin e këngëve e valleve tona nga të gjitha trojet shqiptare. Tani siç duket ata janë familjarizuar mirë me paraqiotjet tona dhe e dinë çka të presin nga ne. 

Parakalimin tonë gjithmonë e shoqërojnë këngët dhe vallet tona: këngët patriotike që këndohen për nder të 28 Nëntorit, si dhe këngët: “Xhamadani vija – vija”, “Mora fjalë”, “Kuq e zi”, etj. Grupit tonë  i printë një makinë e kuqe si ngjyrat e flamurit tonë, e drejtuar nga Edi Papaj, ku ishte vendosur edhe qendra e zërit. Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona shumëngjyrëshe kombëtare nga të gjuitha trojet tona etnike, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt kuqezi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me lëvizje trupore u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e valleve tona popullore, mjaft dinamike e ritmike. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tone dhe misionin e saj. Paraqitja jonë edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare. 

Për këtë organizim të mirë meritat i takojnë kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuseve tona të përkushtuara: Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi dhe Mimoza Sotiri, të cilat së bashku me prindërit ishin kujdesur që fëmijët të dukeshin sa më bukur në veshjet tona kombëtare. Këtu duhet vlerësuar edhe puna e gazetares, Eva Dori, e cila me plot profesionalizëm e përkushtim ka bërë shumë fotografi e inçizime gjatë tërë rrugëtimit të kësaj parade. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare. Jo çdo gjë e vlerë mësohet vetëm nga librat, por edhe nga përvoja jetësore, shembulli i njerëzvë që punojnë, sakrifikojnë për të mirën e kombit e atdheut.

Philadelphia, më 19 nëntor, 2023

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT