Zymer Ujkan Neziri/
Mark Tirta u lind më 21 maj të vitit 1935 në Orosh të Mirditës, nga e ëma, Mrikë, mbesë e Prengë Pjetër Gjergjit, bajraktar i Kryezezit, Mirditë, dhe i ati, Nikollë, familje me traditë brez pas brezi në Orosh. Marku ka pasur 5 vëllezër: Pjetri, gjeolog; Gjoni, ushtarak, kolonel; Prenga, blegtor; Lleshi, punonjës në rezervat shtetërore; si dhe Ndoi, bujk, që ende jeton.
Edukimi parauniversitar. – Fëmijërinë e kaloi në Mirditë, ku edhe vijoi mësimet e parafillores te prifti i fshatit, filloren e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme Pedagogjike e kreu në Durrës e Tiranë, më 1957.
Edukimi universitar. – Kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik, Shkodër, më 1957-1959, Dega e Historisë dhe e Gjuhësisë. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Tiranës, më 1959-1961, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë.
Edukimi pasuniversitar. – Gradën Kandidat i shkencave e mori më 1978, me temën ’’Mitologji e besime ndër shqiptarë: dëshmi të shek. XIX deri në vitet ‘70 të shek. XX’’, Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave, Tiranë.
Në vitin 1983 mori titullin Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, me temën ’’Migrime të shqiptarëve të brendshme e të jashtme në vitet ’40 të shek. XIX-vitet ’95 të shek. XX.’’ Instituti i Kulturës Popullore, Akademia e Shkencave, Tiranë.
Në vitin 1989 mori gradën Doktor i shkencave me temën ’’Migrime të shqiptarëve të brendshme e të jashtme në vitet ’40 të shek. XIX-vitet ’95 të shek. XX.’’ Instituti i Kulturës Popullore, Akademia e Shkencave, Tiranë.
Ka titullin Profesor Doktor nga viti 1994, Instituti i Kulturës Popullore, Akademia e Shkencave, Tiranë. Nga viti 2008 është edhe Akademik i Asociuar, kurse Akademik, nga viti 2018, Akademia e Shkencave, Tiranë.
Puna në arsim dhe puna kërkimore shkencore. – Deri në vitin 1968 punoi në arsim, në Mirditë: mësues historie në Orosh (1955-‘57), drejtor shkolle në Shënpal (1961-‘71), inspektor arsimi në Rrëshen (1964-‘67), drejtor shkolle në Rrëshen (1967).
Më 1968, filloi punën në dhjetor, etnolog, në Degën e Etnografisë të Institutit të
Historisë e të Gjuhësisë, Universiteti i Tiranës. Përkundër punës, të cilën e kryente me përkushtim, ka pasur edhe probleme serioze, të natyrës politike, por që kanë përfunduar pa pasoja, me përkrahjen sidomos të Profesor Çabejt.
Në Institutin e Kulturës Popullore, Akademia e Shkencave, u pranua më 1979, në korrik, etnolog, ku punoi deri në pensionim, më 2008.
VEPRIMTARIA KËRKIMORE – SHKENCORE DHE ARSIMORE
Etnologjia
Etnologjia e përgjithshme. – Një përpjekje shumë e suksesshme e akad. prof. dr. Mark Tirtës, ishte hartimi i tekstit të etnologjisë së përgjithshme për studentët e historisë, të filozofisë dhe të sociologjisë, ku përmend nevojën që edhe në Tiranë të ketë fakultet të etnologjisë ose degë të saj në fakultete. Aty ka shtruar me kujdes objektin e saj, synimet, terminologjinë, lidhjet me shkencat e afërta; fillet e saj, burime lashtësie, të Mesjetës dhe të së sotmes. Ka zbërthyer po ashtu me kujdes të veçantat e teorive dhe të shkollave në etnologjinë e përgjithshme: evolucionizmi, shkolla kulturore-historike, difuzionizmi, funksionalizmi e strukturalizmi.
Ka paraqitur edhe klasifikimin i popujve, nga aspekti gjuhësor, antropologjik dhe etnokulturor. Libri përmbyllet me çështjen bashkësive primitive dhe me njerëzimin e sotëm, si dhe me etnitë dhe proceset etnike: gjuha, territori, klasat sociale, kultura, vetëdija.
Një vepër me shumë vlerë, që e nderon autorin për përkushtimin e tij të madh në fushën e etnologjisë dhe një hyrje, siç thotë ai, për të hyrë në të fshehtat e visareve të etnokulturës shqiptare. (Shihni: Etnologjia e Përgjithshme, 2001, Etnologjia e Përgjithshme, 2008).
Etnologjia e Shqiptarëve. – Edhe një përpjekje e madhe e etnologut Mark Tirta për etnologjinë e shqiptarëve dhe për periodizimin e saj në shtatë pjesë: lashtësia, Mesjeta, periudha osmane, periudha e shtetpashallëqeve shqiptare, periudha e Rilindjes Kombëtare, periudha e Pavarësisë, periudha pas Luftës së Dytë Botërore, me librin Etnologjia e Shqiptarëve (2003, 2006).
Një pasqyrë e gjatë e me shumë vlerë pason për kërkimet dhe rezultatet e autorëve të etnologjisë së shqiptarëve: J. de Rada, D. D’Istria, H. Tahsini, P. Vasa, S. Frashëri, Sh. Gjeçovi, E. Vlora, M. Frashëri, F. Konica, B. Palaj, Rr. Zojzi, A. Stipçeviq, S. Pupovci, Onuzi, A. Bido, I. Elezi, K. Fashëri, A. Uçi, A. Gjergji, K. Halimi, Q. Haxhihasani, F. Ilia, Ll. Mitrushi, A. Muka, Y. Selimi, R. Sokoli, F. Sulejmani, S. Shkurti, A. Dojaka, K. Ulqini, si dhe J. G. von Hahn, M. Hasluck, B. Nopça, E. Durham, G. Castelleti, E. Cozzi, A. Degrand, E. Durham, N. Todorov, A. Velkov, H. Hequard, S, Villari, M. Shuflaj, P. H. Stahl, J. A. Ducellier etj.
Autori ka shqyrtime të hollësishme edhe për etnokulturën: funksionet, karakteri etnik, etnointegrues, etnoveçues, etnondërgjegjësues. Historia etnike e shqiptarëve të sotëm, lëvizjet migruese dhe mjediset e banimit, janë tri njësi të mëdha, të trajtuara në hollësi. Tërheq vëmendjen përkushtimi i madh për të paraqitur familjen shqiptare me veçoritë e saja patriarkore, me të zotin e shtëpisë dhe me zonjën e shtëpisë, deri te ndarja e sendeve të lëvizshme dhe te pleqnia në ndarjen e familjes.
Pjesë e rëndësishme e studimeve të tij është edhe martesa ndër shqiptarë, nga fejesa, krushqit, nusja, dhëndëri e lindja, si dhe rite të vdekjes; etnopsikologjia dhe kushtet historike të psikës shqiptare, morali besa, harmonia ndërfetare, mikpritja; e drejta dokësore: kuptimi i Kanunit, parimet etnopsikologjike, normat dokësore; mitet e besimet popullore, kultet dhe demonologjia; arti popullor: letërsia popullore, veshja, poçeria, gdhendjet etj. në këtë vepër monumentale në fushën e etnologjisë sonë. ’’Besojmë se me këtë libër përmbushet një mangësi e ndjerë në dijet universitare për etnologjinë e këtij kombi,’’ thotë prof. Tirta. (Shihni: Etnologjia e Shqiptarëve, 2003, Etnologjia e Shqiptarëve,2006)
E drejta dokësore
Akad. prof. dr. Mark Tirta mbron konstatimin se themelorja për saktësimin e shkallës së zhvillimit të bashkësive njerëzore është mënyra e organizimit shoqëror dhe thekson se Ilirët-Arbërit-Shqiptarët nuk kanë pasur vetëm organizim fisnor, por më tepër kanë pasur bashkësi krahinore; përkrah mendimin e dijetarit A. Buda, ashtu si edhe atë të Rr. Zojzit, I. Elezit, S. Pupovcit, afërsisht edhe të G. Valentinit, S. Vilarit, G. Kasteletit.
Shtron çështjen e lidhjeve të mirëkuptimit, sipas normave etike-morale dhe të ligjeve detyruese dokësore, që shoqërohen edhe me ndëshkime; konstaton se këto lidhje, norma e ligje detyruese duhet të quhen ‘’E drejta dokësore shqiptare’’, e, që sipas popullit, janë: Kanuni i Maleve, Kanuni i Lekë Dukagjinit etj., deri te Kanuni i Pirit, ku bëjnë pjesë edhe Venomet, Doket, Zakonet, Sullet, Shartet, Adetet etj.
Mbron unitetin e kësaj të drejte dokësore dhe pohon se ajo është një dhe u nda si shqipja në dialekte e të folme. Pohon se historikisht vërtetohet se ka njëjtësi mbarëshqiptare të dukurive më themelore të së drejtës sonë dokësore, e përmendur edhe nga Straboni, 20 shekuj më parë. Flet për dëshmi të njëjtësisë te ilirët, për qeverisjen me pleqësi, si dhe në vijimësi deri më sot.
Dallon rolin e madh të Hanit dhe popullarizimin e kësaj të drejte shqiptare në Evropë, pa ndikime të huaja, por me ngjashmëri me të drejtën e lashtë gjermane; bazë për studimin e së drejtës krahasuese dhe të mitologjisë krahasuese indo-evropiane.
Veçon studiuesen E. Durham për besimin e pamatshëm të shqiptarëve në të drejtën dokësore, sepse, sipas saj, Shqiptarët besojnë e respektojnë me shumë ligjet e Lekë Dukagjinit sesa Dhjetë Urdhëresat e Zotit nga Bibla.
Për studimin e strukturës etike të Kanunit të Lekë Dukagjinit, klasifikimin e dukurive juridike dhe të kategorive etike, zbërthimin e tyre, ndriçim me shembuj konkretë, e quan meritor studiuesin japonez Kazuhiko Jamamoto. Konceptet e Kanunit: Betimi, Besa, Gjaku, Nderi, Miku, Ushqimi, Hakmarrja, i konsideron se janë zbërthime etike me interes shkencor, me përmbajtje psikologjike e sociale në bashkësi. Por, profesor Tirta tërheq vëmendjen se normat kanunore dalin më shumë si tradita morale, kurse ato janë ligje detyruese; se për të vdekurin, ritet e adetet si të ishte ai një qenie hyjnore, nëse nuk kryhen, ai kthehet në fatkeqësi për të afërmit e tij, mirëpo, duhet shtuar se sot ka ndryshime; betimi në Zotin pagan, po, por detyrimet kanë edhe natyrë laike, pra duhet zbërthim pa romantizëm, shton prof. Tirta.
Shton se e drejta dokësore nuk është mbledhur e tëra, disa njësi nuk janë në përdorim, e autori japonez nuk i ka pasur parasysh; dokësorja dhe tradita e autonomisë krahinore janë të lidhura, madje nga koha nën romakët deri më 395, koha e Bizantit deri në shek. IX, koha bullgare e shek. IX-XIII, koha nën serbët e shek. XIII-XIV; Ora e Zana, gabim janë krahasuar me Djallin dhe Kotodamën japoneze, thotë ai; dyshon në shtresime të njëjta mes popujve të largët, po edhe me kohën e Homerit; e kritikon pse nuk i ka shikuar edhe Hanin, Hekardin, Ipenin, Degrandin, Nopçën, Kocin, Valentinin, Koliqin, Zojzin, Villarin etj., po edhe as të drejtat dokësore: malazeze, serbe, rumune, bullgare, greke.
Prof. Tirta e kosideron ligjin dokësor një univers, normat e të cilit shfaqeshin deri në fillim të shekullit XX; puna e Gjeçovit dhe popullarizimi i tij në botë i së drejtës dokësore; puna studimore e Zef Valentinit në studimin e së drejtës kanunore shqiptare.
Ai thotë se e drejta dokësore është dëshmi e aftësive krijuese të shqiptarëve në fushën juridike; rregull dhe braspeshë sociale me veti kombëtare; ligje popullore për t’u vetëqeverisur; njohje për njohjen e mbijetesës në shekuj; njohje për njohjen e lidhjes për mbrojtjen e kulturës etnike; njohje për njohjen e burimeve të energjive për përparim shoqëror dhe kombëtar; rregullim i normave dokësore të bashkëjetesës dhe të marrëdhënieve sociale e pronësore në mes të banorëve.
Shtron edhe problemin e shtresimeve të reja, që bashkëtojnë me të vjetrat; kode administrative pushtuesish, po edhe kode fetate krishtere dhe të islamit, që studiues të ndryshëm nuk i kanë vërejtur. Bërthama të origjinalitetit i konsideron ato norma juridike, morale, psikologjike, kultike, me burim të lashtë, si arketipe të vetorganizimit të bashkësive me të drejta e detyra krejtësisht të barabarta, nga kryepari e deri vogjlia. Vëren te disa botime, kur kryeparët dalin si autoritete absolute, të veshur me pushtet shtetëror, e duhej të ishin si të parët në mes të të barabartëve, në kuvende, që kanë natyrë tepër demokratike.
Trajton pabarazinë e femrës dhe mbrojtjen e saj: e drejta e mohuar e trashëgimisë së pronës; e drejta e virgjëreshave për të hyrë në kuvende; në luftë edhe gratë ishin; femra mbrohej me dinjitet nga ligji dokësor; ajo ishte e mbrojtur kudo nga përdhunimi; cënimi i nderit të saj ndëshkohej rëndë, deri në grimje (vrasje); e drejta e ndores së gruas; autoriteti i saj i shenjtëruar, me prejardhje të lashtë; egzogamia dhe koha e lashtë e paganizmit.
Shqyrton edhe ndalesat e veçanta në ligjin dokësor: prona është e shenjtë, e kufiri nuk luhet ashtu si eshtrat e varrit; ndalimi i fyerjeve; respektimi i kufomës së të vrarit; besa e betimi dhe sanksionet e shkeljes; beja mbi gur e ligjit popullor dhe mungesa e shtetit kombëtar.
Në përfundim, profesor Tirta thotë se ligji dokësor është dëshmi e aftësive krijuese në fushën juridike, ka veçori të rralla: barazia, liria, atdhetarizmi, nderi, burrëria, besa, mikpritja, ndihma, ka vlerë etnokulturore për luftë kundër pushtuesve dhe keqbërësve, është pjesë e luftës për mbrojtjen e kulturës etnike, është pjesë e historisë së qytetrimit shqiptar dhe është monument kulture për studiuesit. (Shihni: Etnokultura shqiptare. Ligji dokësor, 2016).
Mitologjia
Akad. prof. dr. Mark Tirta ka shtruar dhe ka analizuar gjerësisht çështje që kanë të bëjnë me arealin kulturor, sidomos me mitologjinë, me fillimet e besimit, ritet e magjitë, mitin e religjionin, teoritë – evemerizmi, simbolizmi, teoria filologjike dhe teoria natyrore, si dhe kërkime në dy shekujt e fundit në fushën e mitologjisë.
Ka shqyrtuar me përkushtim edhe kultet e natyrës, kultin e gurit, kultin e shpellave, kultin e qenieve mitike dhe të demonëve, kultin e gjarprit. Gjerësisht ka trajtuar edhe kultet e bujqësisë e të blegtorisë, duke përfunduar me ritet kalendarike, kultet në mjeshtëri e zeje dhe për kultin e numrave ndër shqiptarë.
Veçohen analizat e kulteve kozmike: kulti i diellit, kulti i hënës, kulti i yjeve; kultet tokësore: kulti i gurit, kulti shkëmbejve, kulti i shpellave; kulte të jetës familjare: nëna e vatrës, ora e shtëpisë, ora e njeriut; kultet e natyrës: kulti i lisave, kulti i mrizeve, kulti i burimeve, kulti rrugëve, kulti i vendpushimeve, kultet e gjallesave, kulti i bletës, kulti i buklës, kulti i bushit të kënetës, kulti i dhive të egra, kulti i kaprollit, kulti i shqiponjës, kulti i ujkut, kulti i numrave 3,7,9,12,40.
Nga fusha e demonologjisë, ka trajtuar figurat më kryesore të besimeve popullore, qeniet mitike, Zana, Bariu i Shenjtë, Dragoi, Kuçedra, Ora, Gjiganti, Herri, Syqeni, Lugati, Vampiri, Ksheta etj. Ai ka trajtuar edhe heronjtë mitikë të kulturës popullore: Çeto Bashe Muji, Sokol Halil Aga, Gjergj Elez Alia, që janë me interes jashtëzakonisht të madh për folkloristikën shqiptare, sidomos për epikologjinë. Ashtu edhe toponimet mitike janë trajtuar gjerësisht.
Veçohet trajtimi i gjarprit në mitologji, zotërues i tokës e i nëntokës, nga tradita e hershme ilire, mbrojtës i familjes e i shtëpisë, fatsjellës e me veti shëruse, në zbukurime popullore, në topopime e në antroponime, në prozë e në poezi popullore.
Ritet kalendarike, buzmi, bimësia, bimët bujqësore, rite e besime në truallin e ri, flijime në themel, sakrifica njerëzore në themele, rite e besime në vdekje, gjëma e burrave, vajet e grave, simbolika e gjëmës dhe e vajit, shpirti i të vdekurit, kulti i varreve, që i lidhën me traditën nga thellësitë e shekujve, dhe pasqyrë e historisë etnike e kulturore.
Studiuesi Mark Tirta ka zbatuar metodën e përgjithshme etnologjike të shqyrtimit të faktografisë së bollshme në dy shekujt e fundit, ndërlidhjet e saj me kohët e vona e të hërshme, në rrafshin sinkronik e diakronik, në kuadër të etnokulturës shqiptare, por edhe në rrafshin krahasues me kulturat e popujve fqinj dhe të popujve të tjerë. Vepra ’’Mitologjia ndër shqiptarë’’, 2004, është kurorëzim i punës së tij të gjatë rreth dyzet vjet në lëmin e etnologjisë dhe të studimeve të mitologjisë ndër shqiptarë. Synimin e ka realizuar me shumë sukses. Ai ka hartuar monografinë e parë të këtij lloji ndër shqiptarë.
Migrimet
Kontributi i akad. prof. dr. Mark Tirtës për migrimet shqiptare në shekuj është pjesë po ashtu shumë e rëndësishme e veprimtarisë së tij, madje ndër më të rëndësishmet, një analizë e pashoqe për studimet albanologjike, në aspektin etnologjik, për migrimet gjatë njëqind vjetëve, nga vitet e para të Rilindjes e deri në vitet ‘40 të Luftës së Dytë Botërore.
Ai ka shqyrtuar hollësisht migrimet në botë dhe dukurinë e tyre, është marrë me klasifikimin e migrimeve, me motivet që përcaktojnë shkakun e migrimeve, duke veçuar sidomos ato psikologjike dhe etnosociale. Ka prekur migrimet në kohë të hershme, nga Greqia e Vjetër dhe Roma, sidomos migrimet e pavullnetshme ose të dhunshme, si dhe ka shkruar edhe për shpërguljet me dhunë të ciganëve nga India në Evropë dhe të skllevërve nga Afrika në Amerikë. Gjithsesi, shpërnguljet shqiptare mbesin në qendër të vëmendjes së tij, madje edhe ato nga koha e pushtimit romak, koha e Bizantit, koha e sundimit sllav dhe sllavizimi, koha e pushtimit turk etj.
Studiuesi Mark Tirta, duke trajtuar edhe dukuritë e vështira për zbërthim, sidomos ato etnosociale në Mesjetë, si dhe formimin e zhvillimin e kombësisë shqiptare, flet për paraardhësit, popullsinë ilire në kohën e Skymnit, gjeograf grek, e shtrirë nga Ambrakia e deri në Panoni, ku kanë jetuar rreth dy milionë ilirë, aq sa ishin arbërorët në Mesjetën e përfundimit të pushtimeve osmane, pra, për përgjysmimin apo tretimin e kësaj popullsie nga lufta, masakrat, sëmundjet e shpërnguljet 1389-1497, nga Beteja e Kosovës deri te pushtimi i Shkodrës.
Mbështetur në S. Pulahën e A.Velkovin, thotë se edhe pas rënies së Shkodrës jetonin edhe rreth dy milionë shqiptarë në Shqipëri, shifër kjo bukur e lartë në hartën demografike të Evropës së asaj kohe. Autori shtron edhe pyetjen e shumëpërsëritshme se pse edhe pas rreth 4 shekujsh, më 1912, gjendja mbeti e njëjtë, duke theksuar shkakun e rrudhjes së trojeve, asimilimin, luftën e migrimin, ndonëse shqipja, megjithatë, mbijtoi, thotë ai.
Duke u ndalur në migrimet e viteve 1840-1940, ai ka shtruar kushtet historike të lëvizjeve migruese, shpërnguljet: nga mali e kodrina në lugina e fusha, toka dhe mbjellja e misrit; copëtimi i pronave dhe hapja e tokave të reja, fshati në kryqëzim të rrugëve; antroponimi qytetesh, toponimi fshatrash e krahinash; rrethanat e dyndjeve, shpërndarja e popullsisë së dëbuar nga viset e pushtuara nga Serbia e Mali i Zi; migrimet në qytete, kryesisht në Shkodër, Krujë, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Prizren, Pejë, Prishtinë, Tetovë, Konicë, Janinë, Prevezë etj. Me interes janë edhe shqyrtimet për kushtet historike të migrimeve, ku autori sjell fakte e të dhëna për prejardhjen, kohën e vendosjes, motivet, reaksionet, nga Shkodra e deri në Konispol.
Dallohet interesimi i tij për mbiemrat toponimikë të popullsisë së vendosur në qendra urbane, ku merr shembull Shkodrën dhe mbiemrat Kelmendi, Hoti, Gruda, Podgorica, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini. Bien në sy edhe edhe mbiemrat e vendeve të mërgimtarëve, si Turqia, Venetia, Selaniku, Stambolli etj.
Edhe migrimet e jashtme: ngulimet, dendësimi i migrimeve, mërgimi në kushtet konkrete, njohja, tradita, krahinat e mërgimit, dendësia, mjeshtëritë e mërgimtarëve, jeta e tyre dhe atdheu, lidhjet ekonomike e politike me atdheun, mërgimi e proceset sociale në viset shqiptare, janë shtruar me shumë përkushtim.
Tërheqin vëmendjen sidomos analizat e hollësishme për migrimet me përdhunë, në Greqi e Itali, në vitet 1400, ato nga Sanxhaku i Nishit i Vilajetit të Kosovës, rreth 300 mijë, 1875-1878, 1880-1885, ndjekjet nga viset e pushtuara nga Mali i Zi, 300 mijë të shpërngulur në Turqi më 1912 -1927, terrori grek në Çamëri 1944-45 etj.
Studiuesi Mark Tirta, i dalluar për përkushtim të rrallë në punën kërkimore-shkencore, pos punës hulumtuese në terren, ku dallohet me përpjekjet e saktësimit të terminologjisë së hartuar nga brumi popullor, si dhe punës në arkiva, për migrimet është mbeshtetur edhe te autorët tanë e të huaj: M. Lik, P. Pukvil, A. Bue, J. G. Han, J. Fallmerajer, D. Distria, V. Berard, A. Galanti, R. Pinon, F. Gilbert, J. S. Rucek, A. Baldaci, si dhe Z. Shkodra, K. Kamsi, E. Çabej, A. Hadri, H. Bajrami, M. Krasniqi, H. Islami, S. Uka, G. Hoxha etj.
Përfundimet e tij se lëvizjet migruese krijuan komunikim shoqëror ndërkrahinor, ndihmuan përgjithësimin kombëtar të shumë elementëve kulturorë tradicionalë e krahinorë; ato u bënë mbështetje e fuqishme e zhvillimit të procesit historik kombëtar; por, migrimet e jashtme sollën edhe ngushtim etnik të trojeve shqiptare, çrregullime demografike, dëmtime të forcave njerëzore, të traditave kulturore, kombëtare e krahinore; ato sollën shkëputje përgjithmonë nga trualli amëtar, të shpërndarë në Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, Amerikë, Argjentinë, Australi, Meksikë, Brazil, Ukrainë, Rusi; ndonëse shifra të sakta nuk ka, dihet se qyteti me më shumë shqiptarë ka qenë Stambolli, kurse Turqia kishte numrin më të madh të tyre. Dy botimet e profesor Tirtës për migrimet, Migrime të Shqiptarëve te brendshme dhe jashte atdheut (1999) dhe Lëvizje migruese të brendshme të popullsisë shqiptare (2009), zënë vend shumë të rëndësishëm në studimet shqiptare, sepse kishte munguar një sintezë mbarëshqiptare për migrimet në aspektin etnologjik.
Veshjet popullore
Ndihmesa e Profesorit Tirta për kërkimet në terren të veshjeve popullore të grave e të burrave, të veçorive të tyre krahinore, të elementeve të lashta, të traditës së veshjes si vijimësi e historisë etnokulturore nga ilirët e arbërit mesjetarë e deri te shqiptarët e sotëm, të tipareve etnike, janë po ashtu me rëndësi të madhe për ndriçimin e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar ndër shekuj.
Vepra
Botime veprash. – Mitologji e besime ndër shqiptarë (1973), Mirdita, njohuri për vendlindjen (bashkautor), (1999), Migrime të Shqiptarëve te brendshme dhe jashte atdheut (1999), Veshjet popullore shqiptare, 1, (bashkautor), (1998), Veshjet popullore shqiptare, 2, bashkautor, (2001), Veshjet popullore shqiptare, 4, bashkautor, (2009), Etnologjia e Përgjithshme (2001), Etnologjia e Përgjithshme (2008), Etnologjia e Shqiptarëve (2003), Etnologjia e Shqiptarëve (2006), Mitologjia ndër Shqiptarë (2004), Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006), Panteoni e simbolika, doke e kode (2007), Lëvizje migruese të brendshme të popullsisë shqiptare (2009), Etnokultura shqiptare. Ligji dokësor (2016), Mirdita, almanah, në proces, kryeredaktor, ka punuar 167 zëra.
Dorëshkrime veprash. – Dukuri të pantenonit rrënjës mesjetar shqiptar (1991), Hasi në traditë, popullsia, migrimet (2004), Etnologjia e Mirditës, Fjalori i mitologjisë shqiptare, Etnologjia e Ballkanit dhe e Mesdheut.
Botime punimesh. – Në revista e në vëllime përmbledhjesh ka botuar mbi 400 njësi bibliografike, brenda e jashtë vendit, nga fushat: etnologji e përgjithshme, etnologji e Mesdheut, etnologji e Ballkanit, etnologji e shqiptarëve, mitologji, demonologji, rite, doke, e drejtë dokësore, migrime, demografi, veshje popullore, folkloristikë, epikologji, histori, akreologji, kulturë ilire, gjuhësi, onomastikë, teknikë dhe metodologji e kërkimit shkencor etj.
Ekspedita kërkimore-shkencore. – Ka marrë pjesë në ekspedita kërkimore-shkencore, ekipore dhe individuale, nga lëmi i etnokulturës, në të gjitha viset shqiptare në Ballkan: nga fushat etnografi: rite, doke, e drejtë dokësore, mite, kulte, demonologji; veshje popullore të krahinave të ndryshme; folklor e gjuhësi, sidomos në mbledhjen e fjalëve të rralla, të toponimeve e të antroponimeve, si dhe në fushën e historisë e të arkeologjisë, duke gjurmuar vendbanime të vjetra, varre e mbishkrime.
Profesor universitar dhe kumtues
Profesor universitar. Profesor i lëndëve: Etnologjia, Etnologjia e Ballkanit dhe Etnologjia e Mesdheut, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës.
Autor i tekstit shumë të nevojshëm për studentë dhe të tjerë: Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006).
Kumtues në konferenca shkencore dhe specializime. – Ka kumtuar në vendet: Kosovë, Maqedoni, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë etj., Më 1971, mars-qershor, ishte në specializim në muzeologji, akordim nga UNESCO, në Institutin e Etnografisë dhe të Folklorit, Bukuresht, si dhe në Soprintendenca e Muzeve, Romë.
Vlerësime
I vlerësuar nga studiuesit. – E kanë vlerësuar studiuesit: Agron Xhagolli, Ajete Zogaj, Andromaqi Gjergji, Bashkim Lajçi, Begzad Baliu, Ben Andoni, Drita Halimi – Statovci, Elsa Demo, Florika Bushi, Fran Gjoka, Fran Lleshi, Gerda Dalipaj, Haxhi Mihali, Nebi Bardhoshi, Ndue Deda, Nikollë Loka, Korab Lecaj, Luan Malltezi, Oliverta Lila, Pal Nikolla, Sali Bytyçi, Skender Demaliaj, Ylldije Sulka, Zymer Neziri etj.
Vlerësues i studiuesve. – Ka vlerësuar studiues të brendshëm e të jashtëm: Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Ali Muka, Andromaqi Gjergji, Franz Nopcsa, Johan von Georg Hahn, Shtjefën Gjeçovi, Oksana Budima, Qemal Haxhihasani, Stavro Th. Frashëri, Margaret Hasluck, Julia Ivanova, Kazihuko Jamamoto, Rrok Zojzi, Yllka Selimi, Kahreman Ulqini, Zef Valentini, Zymer Neziri etj.
Korespondencë me studiues të jashtëm. – Ka mbajtut korespondencë me studiues të jashtëm: Aleksandër Stipçeviq, (Zagreb), Dagmar Burckhart (Hamburg), Julia Ivanova (Moskë), Klaus Bajtle (Vjenë), Leszek Kosinjski, (Kanada), Martin Kajzer (Florida), Marius Aleksianus (Bukuresht), Peter Bartl (Munhen), Pol H. Stahl (Paris), Vitalio Vulkanesku (Bukuresht), etj.
PĒRFUNDIM
-Hulumtuesi i njohur Mark Tirta është ndër të rrallët e albanologjisë që mbi gjashtë dekada mori
pjesë në ekspedita kërkimore-shkencore, ekipore dhe individuale në të gjitha viset shqiptare në Ballkan: nga fushat etnografi: rite, doke, e drejtë dokësore, mite, kulte, demonologji; veshje popullore të krahinave të ndryshme; folklor e gjuhësi, sidomos në mbledhjen e fjalëve të rralla, të toponimeve e të antroponimeve, si dhe në fushën e historisë e të arkeologjisë, duke gjurmuar vendbanime të vjetra, varre e mbishkrime.
-Etnologu Mark Tirta është studiuesi ynë i madh që hartoi etnologjinë e përgjithshme, shkroi etnologjinë e shqiptarëve me te gjitha veçoritë kombëtare dhe projektoi periodizimin e saj, që nga lashtësia ilire, Mesjeta, periudha osmane, periudha e shtetpashallëqeve shqiptare, periudha e Rilindjes Kombëtare, periudha e Pavarësisë, si dhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore.
-Mitologu Mark Tirta ka kurorëzuar punën e tij të gjatë mbi gjysmë shekulli në lëmin mitologjisë ndër shqiptarë, si trashëgimi nga të parët, vijimësi e traditës ilire për mitet, vlerë e madhe me tipare etnike, pasuri etnokulturore e popullit shqiptar. Ai ka hartuar monografinë e parë të këtij lloji ndër ne, ku ka shqyrtuar me përkushtim të madh sidomos mitet, ritet, kultet, po edhe qeniet mitike, demonët, si dhe heronjtë legjendarë të kulturës popullore: Çeto Bashe Muji, Sokol Halil Aga, Gjergj Elez Alia, si edhe toponimet mitike, që janë me interes jashtëzakonisht të madh për folkloristikën shqiptare, sidomos për epikologjinë.
Studiuesi Mark Tirta solli për herë të parë në studimet albanologjike një sintezë mbarëshqiptare për migrimet në aspektin etnologjik, duke përfunduar se lëvizjet migruese krijuan komunikim shoqëror ndërkrahinor, ndihmuan përgjithësimin kombëtar të shumë elementëve kulturorë tradicionalë e krahinorë, u bënë mbështetje e fuqishme e zhvillimit të procesit historik kombëtar, por migrimet e jashtme sollën ngushtim etnik të trojeve shqiptare, çrregullime demografike, dëmtime të forcave njerëzore, të traditave kulturore, kombëtare e krahinore, shkëputje përgjithmonë nga trualli amëtar, të shpërndarë në Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, Amerikë, Argjentinë, Australi, Meksikë, Brazil, Ukrainë, Rusi, e sidomos në Turqi.
Dijetari Mark Tirta sintetizoi ligjin dokësor shqiptar, duke e cilësuar si dëshmi e aftësive krijuese kombëtare në fushën juridike, me veçori të rralla, siç janë : barazia, liria, atdhetarizmi, nderi, burrëria, besa, mikpritja, ndihma, vlera etnokulturore për luftë kundër pushtuesve dhe keqbërësve, për mbrojtjen e kulturës etnike, si pjesë e historisë së qytetrimit shqiptar dhe monument kulture për studiuesit.
Profesori universitar Mark Tirta ligjëroi me shumë sukses lëndët mësimore: Etnologjia, Etnologjia e Ballkanit dhe Etnologjia e Mesdheut, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, duke dëshmuar profesionalizëm të shkallës së lartë të një pedagogu me veti të jashtëzakonshme përafruese me studentët e tij, ashtu edhe me kolegët e punës.
Kumtuesi akad. prof. dr. Mark Trita nderoi me dinjitet të madh shkencor e kombëtar albanologjinë dhe studimet albanologjike, sidomos jashtë vendit, me kumtesa në simpoziume, konferenca e kongrese ndërkombëtare, duke e shpalosur dijen e tij të çmuar albanologjike dhe duke e mbrojtur me guxim e krenari të vërtetën dhe vlerat e mëdha të etnokulturës shqiptare.
Autori Mark Tirta ka botuar mbi 400 njësi bibliografike, brenda e jashtë vendit, nga fushat: etnologji e përgjithshme, etnologji e Mesdheut, etnologji e Ballkanit, etnologji e shqiptarëve, mitologji, demonologji, rite, doke, e drejtë dokësore, migrime, demografi, veshje popullore, folkloristikë, epikologji, histori, akreologji, kulturë ilire, gjuhësi, onomastikë, teknikë dhe metodologji e kërkimit shkencor etj.
-Me veprat e botuara, ai ka ngritur një monument të lartë për etnokulturën shqiptare: Mitologji e besime ndër shqiptarë (1973), Mirdita, njohuri për vendlindjen (bashkautor), (1999), Migrime të Shqiptarëve te brendshme dhe jashte atdheut (1999), Veshjet popullore shqiptare, 1, (bashkautor), (1998), Veshjet popullore shqiptare, 2, bashkautor, (2001), Veshjet popullore shqiptare, 4, bashkautor, (2009), Etnologjia e Përgjithshme (2001), Etnologjia e Përgjithshme (2008), Etnologjia e Shqiptarëve (2003), Etnologjia e Shqiptarëve (2006), Mitologjia ndër Shqiptarë (2004), Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006), Panteoni e simbolika, doke e kode (2007), Lëvizje migruese të brendshme të popullsisë shqiptare (2009), Etnokultura shqiptare. Ligji dokësor (2016).
(Shënim: Ky tekst është hartuar në prill 2021, për 86 – vjetorin e lindjes së akademikut prof. dr. Mark Tirta, propozim për dekorimin e tij nga dy presidentët tanë, në Tiranë e në Prishtinë. Tirana tashmë ia ka dorëzuar dekoratën për merita dhe pritet që ashtu do të veprojë edhe Prishtina. Propozimin e kanë përkrahur disa studiues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Institutit Albanologjik të Prishtinës, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, Tiranë, si dhe të disa institucioneve të tjera nga Tirana, Shkupi, Durrësi e Ulqini).