• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DASHURIA  E  PRANGOSUR

September 6, 2022 by s p

(Në vend të parathënies)

“Mori bijë bij e Lalës

Mori e bukur e mëritur

Pse më çove në mon’ e shkuar?”

Gavril Dara i Riu

Nga Eugjen Merlika

Romani në vargje “Kaini dhe bijtë e tij” i poetit Zef Pashuk Mirakaj lexuesit të një farë moshe i sjell ndërmënd një të shkuar tashmë të largët, Shqipërinë e viteve 60 e 70, me të gjitha nuancat e ngjyrave të saj të errëta, ndërsa atij të ri, të lindur në vitet 80 i paraqet një tabllo sureale, një farë teatri absurd, ku luhen drama jashtë çfarëdo logjike, sado të thjeshtë.

Ngjarjet zhvillohen në një qytet fushor të Myzeqesë, një vend i njohur për sektorët e internimit dhe ashpërsinë e së ashtuquajturës “luftë e klasave”. Romani ka dy linja kryesore veprimi që ecin paralel por edhe që ndërpriten me njëra tjetrën në pika të caktuara. E para është ajo e dashurisë së një djali të internuar në një fshat me një vajzë të re qytetare që punon si arsimtare. E dyta është ajo e  veprimtarisë së Shtetit të plotfuqishëm, për të cilin individi me botën e tij shpirtërore nuk vlen asgjë, është vetëm një numur i inkuadruar në planet e tij djallëzore, të cilat duhet të sendërtohen pikë për pikë. Në roman Shteti zyrtar me të gjitha institucionet partiake e shtetërore është në hije. Ai përfaqësohet nga pjesa më e errët e tij, ajo e krimit të organizuar, zëdhënësi më besnik i diktaturës, Sigurimi i Shtetit. Autori i përkufizon me termin “hije” njerëzit e besuar të regjimit që veprojnë në errësirë, në fshehtësi, që vendosin për fatet e njerëzve, nga më të thjeshtit deri tek oborrtarët, që bashkatdhetarët e tyre i ndajnë në dy grupe, në “njerëzit tanë” dhe në “armiq”. Për të parët kanë gjithmonë syrin vigjilent, mbasi teoria e kryetarit të madh thotë se mund të degjenerohen, të bashkohen me të dytët, ndërsa për këta është e mprehur gjithmonë shpata që pret pa mëshirë, që nuk kursen asgjë, as ndjenjat, as ëndrrat, as jetët e njerëzve që nuk stepet para asgjëje, as pafajsisë së fëmijës as dobësisë së plakut apo të gruas.

Dy linjat e romanit përfaqësojnë dy botë të ndryshme që ndeshen me armë jo të barabarta me njëra tjetrën. E para është ajo, bota e përjetëshme e dashurisë, e asaj ndjenje të cilën Krijuesi u a dhuroi banuesve të këtij planeti për të siguruar vazhdimësinë e racës njerëzore në të. E dyta është ajo e dhunës së Shtetit, një institucioni të krijuar për të ruajtur barazpeshën e marredhënieve të ndryshme mes qytetarëve nëpërmjet ligjeve. Simbas normave më parake të së drejtës Shteti dhe qytetari duhet të kenë ndërvartësi në disa sfera të veprimtarisë së tyre, por pavarësi në sfera të tjera. Në këto të dytat hyn jeta intime, marredhëniet dashurore, martesa e familja. Jo gjithmonë janë respektuar këto kritere, jo gjithmonë shteti ka qëndruar pa ndërhyrë me forcën e tij, në forma të ndryshme, në jetën intime e familjare të qytetarëve. Sporadiciteti i kësaj dukurie në shoqëritë e shkuara kthehet në një trysni masive e skajore në Shtetin komunist, veçanërisht n’atë shqiptar. Familja, qeliza bazë e shoqërisë, ADN e saj, në sistemin komunist bëhet një variabël e politikës që përcakton, simbas rastit, formimin e shkatërrimin e saj, me pasoja shpesh tragjike mbi botën shpirtërore të qytetarëve.

Autori i romanit në vargje “Kaini dhe bijtë e tij”  shtjellon një rast të shfaqjes së dukurisë, një nga të shumtit të vërtetuar në mbretërinë “proletare” të Enver Hoxhës, por drama merr karakter përgjithësues, megjithë specifikën e saj. Në qendër të romanit që, për nga stili, i ngjan më shumë një vepre të sentimentalizmit të shekullit 18 se sa një prodhimi të mbishekullit të globalizuar elektronik, janë dy të rinj që vijnë nga kushte të ndryshme shoqërore e kanë pozicione po aq të ndryshme. Admiri është një djalë i internuar, një nga ata për të cilët gjithshka është paracaktuar që në lindje, që nga mbiemri që mban. Jeta e tij zhvillohet në një kuadër të ngushtë, me pak përbërës, nën një mbikqyrje të vazhdueshme. Rrugët e studimeve janë mbyllur, me dhimbje të thellë ka kuptuar se në këtë sistem ku jeton do të mbetet gjithmonë një qënie e kategorisë së dytë, pa të drejta, pa perspektivë, pa shpresë. Jeta e bën të gëlltisë çdo ditë kafshata të hidhura e lotë që nuk duhet të duken së jashtmi. Gjithshka mbahet përbrenda , mbasi çdo kundërveprim do t’a keqësonte gjëndjen.

Shkrimtari ka një dobësi për personazhet e tij, ai i vizaton ata me ngjyra të forta, u vesh cilësi për t’u patur zili, duket sikur i nxjerr nga mitet e antikitetit dhe i sharton në realitetin e zymtë të epokës së tij.

“Hijeshín, trashigim marr prej Leandri

                                                     Nestori dhurue i kish urtësín.

Squetsín, trashigim e kish nga Fisi.

                                                     Bujarín, moto për t’vra vorfnín.”

Kështu përshkruhet Admiri, me dhunti të spikatura fizike, shpirtërore e intelektuale që e bëjnë të dallohet në rrethin e tij shoqëror. Këto dhunti, në kontekstin e zymtë të jetës së skllavit modern në figurën e bujkut të improvizuar, krijojnë komplekse të fuqishme dëshpërimi, të cilat janë pararendëse të krizave të forta shpirtërore. 

Duke bërë një krahasim mes atyre kushteve të jetesës dhe atyre të botës bashkëkohore në të cilën depresioni, si dukuri klinike, gjithënjë e më tepër merr përmasa të mëdha, do të ishte e vështirë, ndoshta e pamundur, për psikologun apo sociologun të spiegonin mbi baza racionale arsyet e qëndresës psiqike të atyre popujve. Stresi i shoqërive pasindustriale është një argëtim në krahasim me ankthin dhe tmerrin në të cilin jetonin qytetarët e “parajsave socialiste”, sidomos t’ashtuquajturit “armiq të klasës”.

Në atë tunel të errët që ishte jeta e Admirit në moshën e ëndrrave i shfaqet një dritë, mbas së cilës ai kapet me forcë. Kjo dritë buron nga një vajzë e re, të cilën ai rastësisht e sheh në rrugë dhe istinktivisht fillon t’a ndjekë. Shumë shpejt ajo vajzë bëhet për te qëndra e universit, rreth së cilës vërtiten ëndrrat, iluzionet, shpresat për të ndryshuar jetën, për t’i dhënë asaj hapësirë, frymëmarrje, kuptim. Ajo vajzë quhet Leonora. Ndoshta atë emër poeti e ka huajtur nga një poezi e njohur e Edgar Allan-Poè, nga vargjet “Vajzë e rrallë dhe rëzorë/ që i thonë engjëjt Leonorë.”. Ndërsa imazhin   e personazhit e plotëson me përfytyrimin e perëndeshave të botës antike:

“Emni i saj ishte Leonora,

             Por qillue kish t’ish vet’Aurora”

Leonora është për autorin personifikimi i bukurisë femërore, një qënie e krijuar enkas nga Perëndia për të rrezatuar dritë. Dy personazhet për nga paraqitja dhe formimi i brëndshëm  përbëjnë një të veçantë, shkëputen nga niveli i zakonshëm  e duket sikur janë krijuar për njëri tjetrin.

Origjinat e familjeve janë të ndryshme e, megjithë vullnetin e mirë të poetit, ky fakt përbën një pengesë të mundëshme në rrugën e dashurisë së tyre. Admiri është pinjoll i një familjeje të  dëgjuar, që bënte pjesë në elitën e kombit, ndërsa Leonora ishte:

“E bija e nji zejtari

         Që koha i kish prerue”.

Në një shoqëri normale që trashëgonte një farë mendësie konservatore në atë drejtim, kjo do të kishte ndikuar, në një farë mase, në vështirësimin e bashkimit të tyre, por nuk do të kishte qënë një pengesë e pakapërcyeshme. Në kushtet aktuale të njohjes së tyre premisat janë përmbysur plotësisht: Admiri është “armiku” zyrtar me ferman, njëfarë gogoli që shërben për të trembur njerëzit, ndërsa Leonora është “bija e partisë”, një arsimtare së cilës ajo i ka besuar edukimin e fëmijëve. Në dukje sipërmarrja e bashkimit të tyre është e pamundur, por autori do t’i besojë forcës së dashurisë e është optimist. 

Dashuria lind me shikimin e parë, është një ndjenjë kapërthyese që i zhyt me vërtik të dy në vorbullën e saj. Që nga ai shikim ndryshon gjithshka për herojtë e romanit. Mungesa e kontakteve, largësia është si era që i fryn gacës së ndezur, por në vënd që t’a shuajë e kthen në një zjarr të madh. Që nga çasti fatal për Admirin dhe Leonorën koha, hapësira dhe mjedisi humbasin kuptimin e tyre e i nënështrohen një transformimi që mbart fytyrën e partnerit. Gjithshka rrotullohet, lëviz ose qëndron në vend në funksion të çasteve të takimeve. Jo rastësisht autori  këto çaste i vendos në një bibliotekë, sikur don të pasurojë kuadrin e personazheve me paraqitjen e interesave të tyre intelektuale. Ajo ndjenjë që deri në çastin e bibliotekës kishte qënë një lëmsh dëshirash, hamëndjesh, mëdyshjesh, pasionesh merr formën e saj të vërtetë në ballafaqimin e tyre. Dashuria nuk është më vetëm tërheqja fizike, pasioni, është edhe respekti i ndërsjelltë, stima, mirëkuptimi, elementë këto që çimentojnë dhe e bëjnë të qëndrueshme një lidhje që mund të jetë shpesh herë prodhim spontan i një çasti.

Kështu botët e tyre shpirtërore ndërthuren e plotësojnë njëra tjetrën, duke krijuar atë oaz mrekullie që në jetën e njerëzimit ka qënë streha në të cilën kanë gjetur çastet e lumturisë shumë nga miliardat e njerëzve që kanë kaluar mbi këtë tokë. Personazhet kryesore të romanit jetojnë ekstazën e lumturisë, pranverën e jetës së tyre pranë njëri tjetrit. Takimet e tyre, ndonëse të rralla, bëhen në fushat me grurë pranë qytetit, nën qiellin e mbjellë me yje, në heshtjen e natës që thyhet prej aktit të dashurisë. Janë pikat kulmore të një ekzistence që gjen vetëm në to kuintesencën e saj.

“ Sonte i përkasim Universit

                                                 Sonte nga toka jonë do të mërgojmë.” 

kështu do të shprehej një poet vite më vonë për një dashuri të tillë. Deri këtu gjithshka është poezi, ndjenjë që ka frymëzuar kryeveprat e letërsisë botërore. Por në një vënd ku sundojnë bijtë e Kainit, të vllavrasësit,  me mendësinë e dhunës e të urrejtjes, kjo poezi nuk mund të ketë jetë të gjatë. Ajo i ngjan një bime që mbin në një shkretëtirë, të cilën era e ngrohtë dhe mungesa e ujit e bëjnë të vyshket shpejt.

Dashuria e Admirit dhe Leonorës bëhet një nga objektet kryesore të Sigurimit të Shtetit që ndihet i sfiduar në misionin e tij kriminal të mbikqyrjes e të kufizimit të “armikut të klasës”. Fillojnë ndjekjet, thirrjet, trysnitë mbi të dashuruarit, të cilëve u duhet të luftojnë me një makinë të stërmadhe që bluan gjithshka. Këtu romani hyn në fazën e tij dramatike, në të cilën konflikti vjen gjithënjë në rritje, deri sa i afrohet tragjedisë.  

Dashuria është e dënuar të mos ketë përfundimin e saj logjik sepse bie ndesh me ligjet e pashkruara të një shoqërie që e bazon qënien e saj mbi dhunën, mbi mendimin unik, mbi mungesën e lirive, mbi arbitraritetin e një kaste kriminelësh që janë në drejtimin e saj. Ajo tashmë fillon ballafaqimin e saj me sistemin e dhunës, i cili përligj edhe mjetet më imorale e më kriminale për të arrirë synimin. Pregatitet arrestimi i Admirit dhe rekrutimi si bashkëpuntore i Leonorës me synim për t’a kthyer në akuzuese të të dashurit. Është praktika e zakonshme e “hijeve”, e huazuar nga një përvojë që vinte nga larg, nga zyrat e mallkuara të Lubiankës moskovite e që mbolli terrorin shtetëror në më shumë se gjysmën e botës.

Tashmë ndjenja e fuqishme i nënështrohet arsyes së ftohtë që shtjellon pasojat e pashmangëshme, nëse sfida e saj ndaj forcave të errësirës do të vazhdojë. Vendimin duhet t’a marrë Leonora, sepse para saj vihet mëdyshja hamletiane : të rrosh apo të mos rrosh. Nëse bota e saj shpirtërore ka vetëm një strumbullar, nëse zemra e saj njeh vetëm një zot (Je më i miri në këtë botë/Shoh në ty shumë fisnikëri), një jetë pa Admirin a do të ishte e tillë, në kuptimin e mirëfilltë të saj, apo do të kthehej në një ekzistencë të zbrazur, deri në atë pikë sa do të kishte zili vdekjen? Nga ana tjetër bashkimi për jetë me të çfarë çmimi kërkonte për atë vetë dhe familjen e saj? A do të mund t’a përballonte mundimin dhe cfilitjen fizike të jetës së një puntoreje bujqësie e, njëkohësisht, brejtjen e ndërgjegjes për pasojat mbi prindërit e saj? E nëse Admiri, si shumë “armiq të rrezikshëm”, do të përfundonte në burg si do t’i vente filli asaj? Një lëmsh pyetjesh e problemesh, që do të vinin në gjunjë edhe një burrë me thinja, përcaktojnë edhe vendimet. Admiri nuk ka çfarë të humbasë, bashkimi me Leonorën kurorëzon ëndrrën e jetës “ Por, dhimt’do t’kisha  ty me t’pa /andrrat krejt tue t’u shkatrrue”. Kompleksi i përgjegjësisë për t’ardhmen e vështirë e me sakrifica të së dashurës frenon edhe atë.

Para një trysnie të dyanëshme nga organet e dhunës dy të rinjtë vendosin të ndërpresin takimet. Kontaktet vazhdojnë nëpërmjet mesazheve e letrave që  fshehtas sjell Lili, kushërira e Admirit. Fatkeqësisht dhe ato kanë një fund, mbasi Lili, si “bijë armiku”, përjashtohet nga shkolla për arsye politike në klasën e nëntë e nuk mund të takohet më me Leonorën. Ky është një tjetër episod që hedh dritë mbi humnerën e pafund të absurditetit, në të cilën jetuan shqiptarët për gjysëm qindvjeti. Këtë humnerë nuk mund t’a konceptojnë e, aqë më pak, t’a kuptojnë të huajt e nëse këto lloj veprash letrare do të mungonin, ajo do të shuhej edhe nga kujtesa e bijve tanë. 

“Djalë në botë s’do ketë për mua

nëse atë nuk do m’a lenë;

jam vendosur, pa farë frike:

nëntë jetë po t’i kem, atij do i rri besnike”

Ky është vendimi i patundur i heroinës së romanit. Autori na thotë se këtë vendim ajo e zbatoi e nuk futi asnjë mashkull tjetër në jetën e saj. Ky qëndrim e afron me heroinat e letërsisë romantiko-sentimentale të shekujve të shkuar e është disi i rrallë e deri i pakuptueshëm për banorët e botës perëndimore të shekullit 21, madje edhe për shqiptarët. A është i drejtë ky qëndrim? A mund të përligjet vetësakrifikimi deri në këtë shkallë për të kompensuar mungesën e guximit për të përballuar një jetë tejet të vështirë?

Autori nuk merr qëndrim, ai nuk mund t’i qortojë krijesat e tij, është shumë i dashuruar mbas tyre dhe i a le këtë detyrë gjykimit të ftohtë të lexuesve. Por sido të jetë ky gjykim ai akuzon fuqishëm, godet dhe padit atë rend gjërash të ngritur në sistem, që i jep të drejtë vetes të përcaktojë edhe rrjedhën e jetës intime të njerëzve. Kjo përfaqëson edhe vlerën më  të madhe të romanit, pasqyrimin e një epoke të zezë, që mbi atdheun e tij mori ngjyrën dhe erën e gjakut, që kaloi mbi male kufomash dhe oqeane tragjedish njerëzore. 

Për gjithë këtë kataklizmë që pësoi Shqipëria dhe shqiptarët nuk u përgjigj askush, nuk pagoi askush, madje askush nuk kërkoi falje, sepse askush nuk e quajti veten fajtor. Bota drejt së cilës ne priremi të shkojmë dhe marrim për model e përligji një padrejtësi të tillë, madje e justifikoi jo në emër të Kainit por të Krishtit….

Romani në vargje i afrohet përfundimit të tij që kushtëzohet gjithënjë e më tepër nga dualizmi tragjik i shpirtit të Leonorës dhe nga ushtrimi i dhunës djallëzore, të paskrupullt, të pakufizuar të Shtetit komunist që gjen pikërisht në të thelbin e kuptimit të ekzistencës së tij. Dashuria e dy të rinjve nuk ka fuqinë e duhur të qëndrojë, ajo thyhet nën peshën e rëndë të trysnisë së Shtetit policor e deri në një farë mase edhe të ngurimit të Leonorës për të “kaluar Rubikonin”.

Për lexuesin e thjeshtë, qoftë ai bashkëkohës i personazheve apo i lindur disa dhjetëvjeçarë më vonë, një pyetje spontane do të ishte e natyrshme: a e kanë herojtë e romanit, sidomos Leonora ndërgjegjen të qetë se luftuan sa duhej për të mbrojtur dashurinë e tyre? A kishte vënd në historinë e tyre ashtu si në atë të brezit të tyre për brejtje ndërgjegjeje se qëndresa ndaj diktaturës duhej të kishte qënë më e fortë? Se po të kishim vepruar ashtu, qoftë edhe me çmimin e flijimit, ajo diktaturë nuk do të kishte guximin të hynte edhe në dhomën e gjumit të qytetarëve? 

Autori  i le lexuesit mundësinë të pyesë e të përgjigjet, ai mundohet që krijesat e tij t’i ruajë të pastra, pa njolla, të veçanta ashtu siç i ka vizatuar që në fillim. I a arrin kësaj duke e përfunduar veprën e tij në një crescendo sinfonike, duke arritur pikën kulminante të konfliktit e njëherësh zgjidhjen e tij në fundin e saj, nëpërmjet letrës së Leonorës drejtuar Admirit. Kjo letër, të cilën poeti e shkruan në prozë, mendoj se është pjesa më e bukur e veprës, mjaft cilësore nga stili, e thellë dhe e bollshme në ide e ndjenja, me shumë elegancë kryen funksionin e mbrojtjes së personazheve ndaj çdo qortimi, akuze apo insinuate në lidhje me sjelljen dhe vendimet e tyre.

Nuk e quaj me vend të futem në analizën e asaj letre, sepse nuk dua të prish kureshtjen e lexuesit që duhet të jetë i pavarur në vlerësimin e saj. Jam i bindur se cilido që do t’a lexojë do të preket, do të revoltohet, por edhe do të përsiasë gjatë mbi të. Është ky një nga funksionet themelore të një vepre letrare e mendoj se z. Zef  Mirakaj  duhet përgëzuar sepse i a ka arritur qëllimit.

“Kaini dhe bijt e tij” mendoj se është një hap tjetër përpara i autorit në poezinë shqipe dhe nje  ndihmesë e vyer në trajtimin e temës  së diktaturës komuniste në termat e saj të vërteta.

                                                                                                                         Qershor    2007                                                                      

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 

Filed Under: Fejton Tagged With: Eugjen Merlika

PETICIONI  REPISHTI : FOR KOSOVA !

September 5, 2022 by s p

PhD Sami Repishti

Baldwin, New York. Ngjarjet tragjike në Kosovë detyruen shumë shqiptaro-amerikanë me u mobilizue në mbrojtjen e jetës dhe lirisë së popullsisë shqiptare në ish Krahinën e Kosovës.

    Me 4 shtator 1986, në  nji hotel luksoz të Ëestchester, N.Y. u mbajt nji mbledhje për “fund-raising”në favor të kongresmenit arbresh-amerikan Z. Joseph DioGuardi, që kandidohej për herën e dytë si përfaqsues i zonës ku banon. Prezent në këte mbledhje ishte edhe Nen Presidenti i Amerikës, SH.T. George W. Bush. Me kerkesën time për dorëzimin e nji Peticioni zyrtarit të naltë amerkan, u lejova të dorëzoj Peticionin e maposhtëm. Z. NenPresidenti G.W.Bush e mori, me falënderoj, si dhe shqiptoj disa fjalë inkurajuese për inisiativen tonë dhe premtimin se do të na ndihmojë. 

    Peticioni kerkonte hapjen e nji Konsullate Amerikane në Prishtinë me deshmue-dhe mundësisht me pengue- shtypjen dhe gjakderdhjen në Kosovë, sidomos mbas demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, evenimente me shumë randësi dhe ndoshta fillimi i luftës së hapët kundër autoritetit jugosllav për pavarësinë e Kosovës që u arrit me 17 shkurt 2008.

Ma poshtë ashtë kopja origjinale e Peticionit që unë pata nderin me pergatitë,me paraqitë dhe me nënshkrue:

                                       P E T I C I O N

His Excellency George W. Bush

Vice President of the United States of America

The Executive Mansion

Washington D.C. 20500

Excellency’

     As a former political prisoner ëho has spent eleven years of his youth in Communist prison-labor camps, and as a human rights activist, I am taking the liberty of bringning to your attention the following Petition:

     For several reasons, the Western Ëorld’s attention has been concentrated on the violation of human rights in countries where the journalists and TV cameras are allowed to operate. Yet, more than half of the ëorld does not allow mass media reporting, and secrecy remains its weapon against public scrutiny. One of the countries that remains closed to international public eye is also the RSF of Yugoslavia.

    I am selecting this country because of the unwarranted treatment it enjoys, in spite of blatant violations of human rights there. More specifically, I am  referring to the persecution of the more than two million ethnic Albanians living there as a distinct national group, mostly in the region of Kosova. Perceived by the Yugoslav Government as nationally undesirable and politically unreliable, ethnic Albanians in Yugoslavia have been the object of persecution since 1944 by the Communist regime, including several mass killings. The most recent one took place in Spring 1981. Prof. Pedro Ramet, of the Washington U. indicates that maybe over thousand ethnic Ålbanians, mostly students of the University of Kosova, were massacred by the Yugoslava Army and Police during the demonstrations of March and Prill 1981. The official figure is nine dead. No names have been given, and the burial of the victims was kept secret. Amnesty International, The International Human Rights, The International Commission of Jurists and several other authoritative organizations have denonced these crimes. It is believed that over 35.000 ethnic Albanians have been arrested since 1981 and given jail sentences ranging from one month to twenty years imprisonment. The writer Adem Demaçi is now sending his 26th year in jail, the longest term in record in Yugoslavia. Torture and mistreatement of Albanian politcal prisoners has been reported repeatedly by Amnesty International. About 12 percent of the political prisoners are Albanian minors. Most of the several hundreds of the Albanian prisoners of conscience have been adopted by Amnesty International because they have not used, nor advocated the use of, violence.

    The Albanian mass movement for personal dignity and national rights in Kosova, Yugoslavia, is peaceful. Whether it expresses itself in demands for economic development to help fight poverty and a crippling unemployment, for more schools to fight  illiteracy, for more health care to fight diseases, or for more political freedom to fight oppression, it deserves our attention and our assistance, because it’s peaceful and just!

    Shortly after the bloody repression of Spring 1981, I met privately with a distinguished Yugoslav intellectual (1) to discuss the present calamitous situation in Kosova, where the interpersonal relationships between the Albanian majority and the Serbian ruling minority have reached a new low point. To my question as to why the Serbian student demonstrators of 1968, in Belgrade, were handled through negotiations and eventually an agreement was reached, but in Kosova the Army was sent to crush in blood the Albanian students’ demonstrations at the University of Kosova, he answered:” For one reason: in Belgrade there are 150 foreign Embassies and as many foreign correspondents. In Kosova there is none!” A massacre in Belgrade would have spelled disaster for Tito who liked to think of his country as a free one. Secrecay is the best weapon for all closed societies. A massacre in Kosova went unnoticed.

    However, in Kosova, the Yugoslav Government showed its true face”.

My colleague spoke the truth! Openness is not the virtue of Communist Yugoslavia. Secrecy is. There is darkness in Kosova, today! The criminal hands of the oppressors feel free to move unchecked.  Silence kills, as we have already learned, and we cannot afford to remain silent. I sincerely believe that the Yugoslav Government would exercise some restraint if its actions were exposed and condemned publicly. Someone must see, and must watch what is going on there.

I am therefore appealing to the Government of the United States to give serious consideration to the possibility of opening an American Consulate in Prishtina, chieftown of Kosova (SFR of Yugoslavia)

    I sincerely believe that the official presence of a Great Power, like The United States in Prishtina would be a humanitarian act as well as a politically wise move. The situation in Kosova remains very tense. Yugoslavia is going through a political, economic and social crisis which threatens its vey foundations. Yugoslavia is a very sensitive spot in the divided continent of Europe. An American Consulate in Prishtina would generate a feeling of security among the local Albanian population, it would reduce the existing tensions, it would contribute to the political stability of the region, and consequenly of Yugoslavia itself. An American Consulate in Kosova would definitely serve peace in the area by defusing  a potentisally explosive situation ëhich could greatly complicate the present deiicate balance of the historically turbulent Balkan Peninsula.

    An American Consulate in Prishtina would also be a beacon of light for the local population, a source of hope for the oppressed ethnic Albanians that never again in the future the Yugoslav Government will massacre them with impunity.

    America can help! We can assist those in need, we can alleviate the suffering of those in pain. For, in spite of victims and intensive propaganda against our country by those who violate the human rights of innocent people, for the poor and the oppressed of the world these United States are, and will remain, their best hope.

Baldwin, New York                                                      Respectfully.

September , 1986                                                    Sami Repishti, PhD.

                                                                                    Chairman, Dept.Foreign Languages

                                                                                    Malverne P.S. New York         

                                                                                    Adj,Assist.Prof of French,Adelphi U.

(1)Professor Mihajlo Mihajlov.                              Member Amnesty International   

Shenim: Dhetë vjet ma vonë, në vitin 1997, situata në Kosovë u përkeqësue shumë, dhe Departmenti I Shtetit Amerikan vlerësoj se ka ardhë koha me hapë Konsullatën Amerikane ne Prishtinë. Konsullata u hap me festim të hapët dhe pjesëmarrjen e shumë autoriteteve vendëse dhe nga Bota e Lirë, në mes tyne Presidenti historik I Kosovës Dr. Ibrahim Rugova,  Kongresmeni Elliot Engel e të tjerë.

Në fjalimin përshëndetës Dr. Rugova deklaroi se kjo fitore ashtë fryti I punës së shqiptarve në Amerikë dhe dergoj të falat e tia ma të përzemërta. Sot, na jemi të gjithë kryenalt për kontributin tonë si  argatë të Nanës Kosovë. Edhe shumë të tjera…! SR

Filed Under: Fejton Tagged With: Sami repishti

Komisia Letrare e Shkodrës

September 1, 2022 by s p

Bledi Filipi/

E ngritur me mbështetjen e Konsullatës dhe Komandës së Lartë Austro-Hungareze në Shkodrën e 1916-s, Komisia kishte si qëllim të zhvillonte më tej zgjidhjen e problemeve të arsimit dhe të gjuhës letrare shqipe pas Kongresit të Manastirit.( B.Beci ,Hist. Stand. 2010).

Komisia Letrare e Shkodrës u themelua 106 vjet më parë, pikërisht më 1 shtator 1916, kjo qe një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të kombit shqiptar. Ajo i vuri vetes detyra të mëdha, të shumta e të rëndësishme. Ajo shfaqet mbi përmasat e një komisioni dhe mund të krahasohet me kongreset arsimore të mbajtura në Shqipëri. Kjo Komisi qe një hap tjetër i rëndësishëm kombëtar pas atij të Kongresit të Manastirit 1908. Këtu po hidheshin themelet e standartizimit të shqipes.

Këtu bien në sy:

Patriotë dhe personalitete të shquara të kulturës kombëtare, siç janë : Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Në komisi morrën pjesë edhe albanologë të huaj si : Maksimilian Lamberc ( Vjenë) e Rajko Nahtigal (Grac).

Organizimi i shkëlqyer i Komisisë dhe veprimtarive të saj.

Konceptet e qarta teorike lidhur me rrugët e mundshme të formimit të gjuhës zyrtare të përbashkët shqipe, pa e shkëputur këtë çështje madhore të kombit me rregullat ortografike dhe duke pasur parasysh , mbi të gjitha, detyrën e afrimit të dy dialekteve.

Komisia e themeluar u thirr më pas më 11 dhjetor 1916 , në të cilën u diskutua çështja e gjuhës së përbashkët, si një çështje e rëndësishme kombëtare. Pas debateve shkencore u vendos dhe u miratua njëzëri teza e Gurakuqit për zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë shkrimi.

“ Tue qenë se djalekti i Elbasanit edhe ndë pikpamjen e formavet, por sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si jë urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes, duhet të zgjidhet si gjuhë shkrimi me ato rregulla orthografike qi të na duken të drejta e t’arsyshmet. Po tue dhanë këtë vendim Komisia Letrare duhet të mbaj gjithmonë para sysh detyrën, qi të bahen kërkimet e nevojshme , qi të gjinden forma të mesme , të cilat t’afrojnë ndryshimet djalektologjike të dy dialekteve” ( L.Gurakuqi , Shënime 1967).

Këtë tezë të tij Gurakuqi e formulon dhe do t’ia paraqesë Komisisë.

Kjo Komisi e cila do të shtrihej në vitet 1916-1918, do t’i ngarkonte më 1917 prof. Rajko Nahtigal, Gjergj Pekmezit dhe Ndre Mjedës të bënin një ekspeditë hulumtuese në Elbasan e rrethina.

Nahtigal për të folmen e Elbasanit thekson: “ do konsideruar si një e folme kalimtare midis gegërishtes dhe toskërishtes. Si e folme në aspektin sintaksor paraqet , sintezë të shfaqjeve autoktone shqipe, më së paku me ndikime të huaja”. ( R. Nahtigal f. 17).

Komisia Letrare e Shkodrës mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit :

a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu si i kishte toskërishtja, dhe si i kishte pasë historikisht gegërishtja;

b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;

c) Vendosja dhe përdorimi i ë-ve të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.

ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);

d) formanti ‘u’ do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’.

dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej atyre që janë vendosë nga KLSh-ja;

e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog–zogu (jo zok – zogu), etj.

f) mbaresat rasore do të shkruheshin –së, –në, –të, qysh nuk i kishte elbasanishtja.

Siç shihet vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës i dhanë një shtysë të madhe krijimit të një gjuhe të përbashkët. Ajo hartoi rregullat e ortografisë , që do të shërbenin për rregullat e mëvonëshme, përpiloi lista të gjera fjalësh , ku zbatoheshin rregulla , u kushtoi vëmendje edhe parimeve të terminologjisë dhe teksteve shkollore.

Komisia Letrare e Shkodrës me vendimet e saj çoi më tej njësimin e gjuhës shqipe e drejtshkrimin e saj. Ajo ofroj shumë dy variantet në shkrim dhe për nga rëndësia ajo radhitet pranë Kongresit të Manastirit.

Rregullat e saj qenë një pikë e fortë orientuese për studimet e gjuhëtarëve të mëvonshëm.

Filed Under: Fejton

90 vjet me pare…1 shtator 1932

September 1, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Inagurohej spitali i Tiranës, “Zogu i I”, sot “Nënë Tereza”…

Fjalen e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari.

Drejtori i pare i ketij spitali ( asokohe me 200 shtreter) ishte Dr. Osman Jonuzi.

Historia e Spitalit të Tiranës.

Pas caktimit Kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës më 1920-tën, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik.

Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase (prone e familjes Bimbashi).

Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi.

Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spital prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati.

Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku , Dr. Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqipëtare), gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si: Dr. Kristo Kristidhi (okulist), Dr. Besim Zyma (otorino-laringolog), Dr. Jorgo Jorgoni (pediatër),Dr. Vasil Laboviti (kirurg ndihmës), etj.

Duhet theksuar qe ne kete kohe, nepermjet kontributit te jashtezakonshem te Dr. Jani Bashos, u projektua spitali civil dhe ai ushtarak (Nr. 1 e 2) nga profesori i arkitekturës së Universitetit të Vjenës Köhler.

Projektet i ka sjellë në Shqipëri Dr. Jani Basho (sipas marrëveshjes së bërë në janar 1925 me Presidentin Ahmet Zogu). Pikërisht ndërtimi i spitaleve ishte kushti që ai u kthye në Tiranë e ndërtoi më pas spitalin e parë privat në Shqipëri, ku punësoi edhe një pjesë të mjekëve me te njohur qe ishin asokohe ne Shqiperi. Por per disa aresye dhe problematika te kohes ndertimi i spitalit civil nuk u realizua.

Me pas me këmbënguljen autoriteteve te nivelit lokal dhe qendror te asaj kohe, në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit Zogu 1, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës (Zogut) bëri pagesën e të gjithë pronareve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 ku fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë shqiptare.

Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavijonin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefiku-t në 1937-tën me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska.

Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano-dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr. Questler, Dr. Demner, Dr. Schlesinger, Dr. Lehman, Dr. Kalmar etj.

Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr 1, 2, 3, 4 dhe 5 të cilat vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, por të grupuara në një kampus me administrim të përgjithshëm të përbashkët.

Siç njihet dhe funksionon sot, QSUT u krijua në vitin 1993 dhe me VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”.

Filed Under: Fejton

Hora e Arbëreshëve

August 31, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Hora e Arbëreshëvet (“Piana degli Albanesi” afër Palermos në Sicili, është themeluar më 30 gusht të vitit 1488. Ai më mirë se çdo vendbanim arbëresh ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.- Hora me mbi 6.500 banorët, shquhet edhe si kryeqytet i arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Letërsisë së vjetër shqipe si ishte prifti dhe gjuhëtari Lekë Matranga apo Rilindjes Kombëtare siç ishte poeti e Zef Skiroi.

Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, përpjekjet identitare të elitës arbëreshe zgjuan tek popullsia arbëreshe vetë- imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT