• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjeopolitika e shqiptarëve në Ballkan

April 5, 2022 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ

Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë në skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshem botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve (financiarë, teknologjikë e informativë) dhe shfaqja e qëndrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brëndshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka. 

Gjeopolitika është e domosdoshme për analizën e kapaciteteve të një shteti dhe të interesave të tij kombëtare. Me fjalë të tjera ajo shërben për studimin e teorive e të hipotezave funksionale, qoftë për analizat e politikës së jashtme, qoftë për vlerësimin e përcaktimin e interesave dhe të politikave të brendshme, duke vlerësuar prej tyre pasojat që mund të rrjedhin nga konfliktet e interesave të përhershëm apo të rastit, me aktorët e tjerë që veprojnë në të njëjtën hapësirë gjeopolitike. 

Mendohet që gjeopolitika e Ballkanit përfundoi rikonfigurimin me shtetin e Kosovës dhe Malit Zi.  Ka një prirje të gabuar për ta quajtur zgjidhjen e problemit të Kosovës si aktin e fundit përmbyllës të shpërbërjes së ish-Federatës së Jugosllavisë. Por ka ende probleme të pazgjidhura në Bosnje, në Serbi dhe në Maqedoni, që mund të shpërthejnë. Udhëheqësit e parë shqiptar e kanë paralajmëruar Europën në vitin 1879 se, për sa kohë që nuk do të gjejë zgjidhje çështja kombëtare shqiptare nuk mund të vendoset stabiliteti i vërtetë në Ballkan. 

Sot më tepër se kurrë po bëhet më e dukshme lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik. Më qartazi u dukë në vendet e ish BS dhe në ish Jugosllavi dhe kulmojë tani në Ukrainë. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe, veçanërisht, statusin aktual të popullit shqiptar, në Ballkanin Perëndimor, lidhja e ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin e paqen e tij. Zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re. 

Akti i fundit përmbyllës i procesit të rënies dhe fragmentarizmit të ish-Jugosllavisë, fundi i luftës, në “vijën e ndarjes” midis serbëve dhe shqiptarëve, që u shtri deri në spastrim etnik, në dëm të këtyre të fundit (karakteristikë për luftëra të tilla) shënoi një etapë të re historike, e cila çoi, në mënyrë të pashmangshme, drejt pavarësisë së Kosovës, duke hapur të vetmen mundësi logjike: bashkëjetesën e barabartë të shqiptarëve dhe serbëve në një Kosovë multietnike, demokratike e europiane. Kështu i jepet fund situatës paradoksale të shumicës absolute shqiptare, të shtypur dhe të shfrytëzuar nga pakica serbe, në Kosovë, duke e shndërruar maxhorancën shqiptare të përgjegjshme, për të respektuar, maksimalisht, të drejtat dhe liritë e pakicës serbe, në një bashkëjetesë demokratike. 

Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme.Me keqardhje duhet të themi se, në vëndin amë kjo dukuri vitet e fundit ka një rënje, pasi shumë shqiptarë po largohen nga vëndi, sidomos moshat e reja. Ky fakt reflektohet, ndjeshëm, në dinamikën e lëvizjes dhe të emigracionit të kësaj popullsie. Vetëm nga shteti shqiptar kanë emigruar, aktualisht, mbi 1.5 milion njerëz, duke e renditur Shqipërinë nder vendet e parë në botë për numrin e emigrantëve, si popullsi. Megjithatë mosha mesatare e popullsisë shqiptare është më e reja në kontinent. Rreth 60% e popullsisë është nën moshën 27.5 vjeç. Statistika demografike-ekonomike e mësipërme është akoma më atraktive po t’i referohemi popullsisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Nga këto territore, të banuara, historikisht nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje, gati gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe Turqi. Duke analizuar me kujdes këto procese demografike dinamike mund të konkludohet se aktualisht në botë janë aktive rreth 18 milionë shqiptarë. Përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane.

Mendoj se ndikimi i kriterit demografik të shqiptarëve në gjeopolitikën ballkanike është evident për disa arsye; Shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete kryesore të Ballkanit; (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës). Rritja e lartë e popullsisë shqiptare, krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike, në rajon; (numri i barabartë i popullsisë shqiptare me grekët, bullgarët, serbët aktualisht, plus dinamika në rritje e shqiptarëve). Mobiliteti i popullsisë shqiptare, brenda dhe jashtë rajonit; (frekuenca e lëvizjes së shqiptarëve si një nga popujt mobil, lëvizjet për në Ballkan, Europë, SHBA). Përmirësimi i statusit të shqiptarëve në emigracion; (shndërrimi i emigrantëve shqiptarë, në qytetarë të vendeve ku jetojnë e punojnë).

Çfarë e favorizon ndikimin demografik shqiptar në gjeopolitikën ballkanike? Paqja është ndër faktorët parësorë për ndikimin e kriterit demografik në gjeopolitikë. Ballkani dhe përvojat e tij konfliktuale, (tre luftëra në një shekull), mund t’i qetësojë vetëm një paqe e qëndrueshme. Në ish-Jugosllavi, thuajse çdo dekadë, ndeshim kriza destabilizuese në trevat shqiptare (1958, 1968, 1974, 1981, 1989-1999), kjo për fajin e politikave të ndjekura nga Beogradi.  Zgjidhja e statuseve të shqiptarëve, në shkallë e në nivele të ndryshme, në vartësi nga shteti dhe nga pozita etnike, ka ndikuar pozitivisht për ndërvarësinë demografike-gjeopolitike në Ballkan. Asgjë më shumë se demokracia nuk i ka ndihmuar shqiptarët në faktorizimin e tyre në rajon. Në aspektin demografik-gjeopolitik, shqiptarët, duke qenë përgjithësisht popullsi mobile, përfituan më shumë se kushdo në rajon nga katër lëvizjet europiane: lëvizja e njerëzve, ideve, mallrave e kapitaleve.  Europianizmi, si filozofi e hapjes, kooperimit, integrimit në kontinent, si antipod i nacional-shovinizmit e ksenofobisë i ka konvenuar shumë dimensionimit të faktorit shqiptar, i cili, pa pasur doktrina nacionaliste, shpesh është viktimizuar e është sforcuar nga nacionalizmat e fqinjëve të vet. 

Globalizmi, si “trendi” i mileniumit të ri, i përshtatet natyrës së popullit shqiptar, më shumë se çdo populli tjetër, në Ballkan, pasi për nga identiteti i tyre, shqiptaret janë popull multikonfesional, pranojnë fenë, civilizimet dhe diversitetin kulturor, si dukuri të brendshme dhe si ndërkombëtare njëherësh. Kjo i bën shqiptarët të jenë tolerantë, jo fanatike, aspak fondamentalë, në raportet fetaro-kulturor. Shqiptarët dhe globalizmi përkojnë në sistemin filozofik e shpirtëror, më mirë se çdo popull tjetër në rajon, ku ndikimet e nacionalizmave, fanatizmave fetare, të ksenofobive visone, janë prezentë, në forma të hapura apo të kamufluara.

Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj, shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon. Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë të lidhura me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike. 

Mungesa e infrastrukturës mbarëshqiptare (vetëm rruga e kombit), pengon seriozisht faktorin shqiptar si në funksionalizimin e rolit specifik të tij dhe në dobi të mbarëvajtjes së rajonit. Të dy korridoret, 8 dhe 10, kalojnë përmes territoreve me popullsi shqiptare. Është e kuptueshme se, çdo investim, në këtë drejtim, nuk është investim etnik, as kombëtar, por rajonal e mbar europian.
Mungesa e kapaciteteve njerëzore e shtetformuese është një arsye tjetër që pengon seriozisht zhvillimin ekonomik e kulturor të rajonit dhe të proceseve demokratizuese të tij. Kërkohet një bashkëpunim e koordinim më i mirë i punëve, si në drejtim të përzgjedhjes, të ngritjes së nivelit administrativ e kulturor të elementëve të faktorit shqiptar në administratën publike, në proporcion me përfaqësimin politik, ashtu dhe të faktorëve rajonalë për të mbështetur ngritjen e administratave publike, sipas standardeve e parimeve europiane të pushtetit. Pa frikë duhet të kërkohet një unifikim i zërit Shqiptarë për çeshtjet kombëtare. Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. I takon Shqipërisë ta udhëheq këtë proces, që për hirë të së vërtetës nuk po e bën mirë.

Kuptohet se stabiliteti, prosperiteti, demokratizimi, integrimi, përfshirë dhe akomodimin e faktorit demografik shqiptar në Ballkan, rritja dhe dimensionimi i tij, përbejnë sfida për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare, kosovare dhe rajonale e ndërkombëtare. 

Pavarësia e Kosovës përfaqëson jo vetëm një akt historik, të papërsëritshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një realitet konkret e sfidant. Sfida e saj nuk është shpallja e pavarësisë (ajo ishte “rezultante historike” e objektive), por bërja e Kosovës një shtet demokratik, multietnik dhe europian, që do të thotë, para së gjithash, krijimi i kushteve, i rrethanave dhe garancive që edhe Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e NATO-s dhe së bashku me vëndet e tjera drejtë BE.

Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike arsimore lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike. 

New York Prill 2012

Filed Under: Fejton

MURGESHA SHQIPTARE NË KUFIRIN E POLONISË ME UKRAINËN, TË LUFTËS DHE DASHURISË…

April 2, 2022 by s p

Eda Zhiti/

Më tronditi, por më shumë më dha frymë të shenjtë dhe besim te dashuria njerëzore ajo që më shkruajte motër Moza, murgeshë Salvatoriane. Jam shumë e lidhur më të. Mesazhin e radhës e prisja me merak të madh. Më kishte shkruar se do të nisej per ne Poloni, në kufi me Ukrainen për të çuar ndihma e ushqime për burrat e gratë në luftê si dhe per te marrë me vete në shtepinë e tyre të murgeshave salvatoriane në Itali familje të ikura nga lufta. Teksa shkoja për në punë më mbërriti mesazhi i saj. Po prisja të hapej drita jeshile e semaforit dhe s’m’u durua të lexoj:“Përshëndetje Eda!Kam dëshirë të bashkëndaj me ty këtë përvojë të mrekullueshme…E lexova disa herë më vonë dhe as unë s’mund të rri pa e ndarë me ju:“Gjuha e dashurisë”… Akoma e ndiej dorën tënde të vogël, kur më preke në shpatull ndërsa po udhëtonim nga Medyka, Poloni. U solla e të shikova ishe ti i vogli Artiom, me buzëqeshje në fytyrë e me sy të trishtuar. As unë nuk e di si mund të qëndronin së bashku këto dy gjëra. U ule ndenjur në prehrin tim dhe filluam të luanim me shuplakat e duarve, e pak nga pak komunikimi i ynë u bë më i kuptueshëm. Limitet e gjuhes i kaluam falë dashurisë që Zoti ka vendosur në ne. Pastaj më shtrëngove fort me krahët e tua, më shikove thellë në sy, sikurse doje të më thoje: ndihem mirë me ty, por kam edhe frikë. Autobusi vazhdonte udhëtimin e dielli i pas drekës depërtonte xhamat e me rrezet bëri që të të kaplonte gjumi. Ngadalë e ule kokën në prehrin tim e me dorën tënde të vogël më more në grykë, e me dorën tjetër më shtrëngove dorën time. Moment magjik. Të shikoja ndërsa ti po flije, çfarë mrekullie! Falenderova Zotin për ty dhe për mrekullinë që je. Mendosha prindërit e tu: në veçanti nënën tënde e cila me siguri po të mendon në këto çaste… Po vuan për largimin tënd, ajo nuk e di akoma se ku ndodhesh ti, ajo di vetëm se ti nuk je me te. Çfarë sakrifice për atë grua, që për të ta shpëtuar jetën nga lufta ka pranuar të ndahet prej teje, me shpresën e madhe se do ti japë jetë bebes që po pret në kraharorin e saj.Kështu e tretur në mendimet e mia për ty, kaluan 2 orë, ndërsa ti po flije e unë të mbaja në duart e mia si një thesar të paçmuar i cili kërkon liri e shpëtim…”Sytë i kisha te mbushur me lotë nga dashuria per motër Mozën. Në trup është e vogel, ja ashtu si Shenjtja Nënë Tereza. Dhe m’u kujtua një porosi e Nënë Terezes që “edhe nëse bëjmë gjera te vogla, duhet t’i bëjmë me dashuri te madhe”, ndërsa Motër Moza me dashuri të madhe bën gjëra të mëdha.Zoti të bekoftë për shërbimin tënd, Motër!Ti flet gjuhën e dashurisë! Sa kohë ka njerëz si ty në këtë botë, e Mira e pambaruar do të fitojë mbi të keqen dhe vuajtjet , mbi urrejtjen dhe luftën do të fitojë dashuria…Nga Eda ZHITI

Filed Under: Fejton

Edmond Caja, kaubojsi i skëterrës

March 29, 2022 by s p

Nga Hasan Bajo/

Gjithçka mund të ndodhë, por që ju patët paturpësinë të jepnit intervistë në faqet e gazetës “Bashkimi”, ku emri i juaj me shkronja të mëdha mund të lexohej nga disa hapa larg, më duket ende e pabesueshme. Mund të jetë një koinçidencë, mendova, nuk ka sesi që Edmond Caja i gazetës, të jetë i njëjtë me shefin e policisë të repartit famëkeq Nr.311 Qafë Bari.Gjithnjë kam pasur përshtypjen se kriminelët pas përmbysjes së yllit të tyre, mundohen të fshihen të mos bien në sy, e pse jo të ndërrojnë edhe emrin, ndaj gjithnjë të kam përfytyruar duke ikur nëpër natë, larg këtij vendi, për të fshehur diku turpin e krimin që do të të ndjekë gjithë jetën. Është kjo arsyeja, o Edmond Caja, drejtor i drejtorisë së kampeve e burgjeve, që kur dëgjova për përdhunimet e grave shqiptare në sy të burrave e fëmijëve, atje në itali, m’u shfaqe ti e jo pa shkak, mbasi janë të brumit tënd, është njeriu i ri që arrin të shkaktojë mënxyra të tilla. Por, ti jo vetëm që nuk kërkon ndjesë (edhe kjo do të ishte paturpësi) nuk fshihesh, por të kanë ngritur në detyrë, e për më tepër jep edhe mendime për diktaturën dhe demokracinë.A nuk morën arratinë kriminelët e luftës së dytë Botërore? Megjithëse ka një ndryshim, madje të madh, ndërmjet tyre e jush. Krimet e tyre u kryen gjatë luftës, ndërsa tuajat në kohë paqeje, por që i solli këtij populli shkatërrim, vuajtje, lot e turp (edhe kjo e fundit është më e rënda) më shumë se çdo luftë, kolerë a murtajë të marra së bashku në të gjithë historinë e tij. Përveç kësaj, zoti drejtor i administratës së kampeve e burgjeve, më absurdja qëndronte në faktin se ju dhe gjithë të tjerët si ti, këto krime makabre nuk i kryet mbi popujt e tjerë (kjo nuk i lehtëson aspak kriminelët) por mbi ne të burgosurit politikë, që ishim të një kombi, të një gjaku me ju.Nuk më kujtohet se cili qe i pari nga ne që të quajti: Kaubojsi i Qafë Barit dhe aq më shumë, përse të vuri këtë nofkë, mbasi ti nuk kishe asgjë të përbashkët me kaubojsin e Teksasit. Ndoshta ishte thjeshtë ajo përshtypja e parë që të krijoje, duke qenë aq i ri (o zot me atë shpirt!) apo nga mënyra se si ti ecje nëpër kamp i shoqëruar nga 5-6 të tjerë, që t’i plotësonin dëshirat e tua makabre me aq zell, ndoshta ishte mënyra se si godisje mbi fytyrat tona me aq mospërfillje e gjakftohtësi, duke mos ta cënuar aspak gjendjen shpirtërore gjaku mbi dëborë, dhëmbët, duart, këmbët e brinjët e thyera, sytë e nxjerrë, ulërimat rrënqethëse dhe o Zot, lotët e të pafuqishmëve, e pleqve të mjerë, apo ka qenë thjeshtë ajo që thotë mbreti: “Shpeshherë urrejtja shprehet nëpërmjet humorit.”Jeni ju zoti drejtor, Edmond Caja, shpikësi i mundimeve të skëterrshme. A ju kujtohet me sa djallëzi detyruat të sëmurët e pleqtë të të luteshin për të punuar në galeri, megjithëse ishte absurde për forcat e gjendjen e tyre shëndetsore. E pra, “për hir të rregullit”, ju urdhëruat mbylljen e kapanoneve nga ora 5 e mëngjesit gjer në orën 9 të darkës, dhe ata të sëmurë pleq, të katandisur kockë e lëkurë, duke u ushqyer vetëm me 13 lekë (pa dyshim të vjetra) në ditë, duhej të vërtiteshin gjithë ditën nëpër dëborë, që shpesh trashësia e saj ua kalonte gjatësisë së trupave të tyre, duhej të vërtiteshin nëpër atë të ftohtë të llahtarshëm në mes të dëborës, erës, apo shiut që u hynte gjer në palcë dhe të qëndronin me ditë të tëra, të lagur, gjithnjë të uritur, e vetëm një besim e dashuri bënte të mundur të qëndronin ende mbi këmbët e tyre. Dhuna vazhdoi më me forcë , e një ditë maji revolta shpërtheu. A të kujtohet si ju vumë përpara ty dhe trimat e tu? A të kujtohet se sa kapele me yll mbetën në shesh, trofe e jona që kishim vetëm duart, urrejtjen e dëshpërimit. Dhe ju që, përtej telave me gjemba, derdhët plumbat mbi ne, e ne derdhëm mllefin. E mbi gjithë atë kaos ngrihej klithma e Sokol Zefit apo Sokolit të madh, si e thërrisnim, pasi ishte i gjatë dhe i fuqishëm. Atje në mes të oborrit, shqeu këmishën e klithi: “Bini qena. Ne dimë të vdesim!”Dhe tani e shoh o Edmond Caja, në mes të oborrit, me kokën lart, krenar e mospërfillës mes plumbave, që bënin rikoshet në çimento dhe nuk mund ta harroj (zoti mos e dhëntë) sepse ai më shumëfishoi krenarinë, dashurinë e besimin për këtë truall, sepse ai ishte shoku im, vëllai im, heroi im. Ndihmat e kërkuara nga Tirana nuk vonuan të vinin e ju menjëherë filluat masakrën atje në sy të të gjithëve, e fill pas kësaj, kur pritej të të godisnin, duket paradoksale, të ngritën në detyrë. Nga shefi i policisë, në komandant kampi. Ju i dini Edmond Caja, ku ndodhen varret e Sokol Zefit, Tom Noit e të Sandër Sokolit, që e thyet më dysh, si në mesjetë. Ndaj dhe ju kam përfytyruar të fshehur diku, apo duke shkarë heshturazi kokëulur rrëzë mureve, netëve pa hënë. Është kjo arsyeja që nuk besova se ishe ti Edmond Caja i gazetës “Bashkimi”. Por jo, si shumë e shumë të tjerë të fushave të ndryshme, tregtarë të paskrupuj flamujsh, e theksoj jo ideali, pasi ju nuk patët kurrë ideal, kërkoni të rrëmbeni me ato duar që ju pikojnë ende gjak, flamurin e demokracisë dhe e ndjen demokracinë të dhunaur kur edhe ti deklaron në intervistë për shkelje dhe mungesë të ligjeve, se të burgosurit politikë kanë qenë një trill i regjimit, se në mungesë të ligjeve e rregulloreve, përdorej dajaku, etj.Në intervistë thuhej se takoheshe me ish të burgosurit. Ju siguroj, zoti drejtor i Administratës së Burgjeve, ata nuk ju njohin cili jeni e ç’dorë shtrëngojnë. E nëse ju njohin, janë me siguri ata homoseksualët për të cilët flitet në intervistën tuaj e që ju i trajtoni ndryshe nga të tjerë, po shtoj që të mos lindin keqkuptime, me urdhër nga lart, mbasi sa më shumë prej tyre, aq më pak kundërshtarë ndaj regjimit.E nëse do të flisja për vetën e miqtë e mi atje, ashtu si dikur në Qafë Bari, e ndeja se nëse do të tjetërsohesha pra, nëse do të shndërrohesha qoftë edhe për një moment të vetëm në informator, do të çmendesha apo do të më duhej të vrisja veten, po kaq i sigurt jam tani, se nëse do të prekja dorën tende, qoftë edhe në shenjë mirësjelljeje, do të më duhet të pres timen.Por sidoqoftë, më duhet t’ju falenderoj sinqerisht mbasi më keni ndihmuar, ndoshta jo vetëm mua, por shumë e shumë të tjerë për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje sfilitëse, që është bërë e bërë në vite, me mijëra e pse jo, me miliona herë. Si shpjegohet që krimineli, injoranti, imorali, u bënë zotër të jetës e të vdekjes?Me sa duket, ashtu si vetëtima brenda një çasti qartëson dhjetëra kilometra përreth, edhe ngjitja juaj në karrierë, 26 vjeç komandant kampi e tani 32 vjeç, drejtor i drejtorisë së kampeve e burgjeve (o zot ç’krime të përbindshme të ngritën në këtë detyrë të re) e jo vetëm juaja, por pothuajse e të gjithëve skërmitet: në këtë Shqipërinë tonë të mjerë, ngjitja e shkallës së hierarkisë partiake dhe shtetërore nuk bazohej mbi aftësitë, intelektin, arsimimin, ndershmërinë e punën, por në të kundërtën e tyre dhe që mund të përmblidhet me njëfjalë të vetme, rrënqethëse: KRIM!Sa më thellë zhytja në krim, aq më shpejt dhe e sigurt ngritja në pushtet dhe kjo është e kuptueshme, gjithsesi e qartë. Nuk ka lidhje më të fuqishme se sa ajo që përbën krimi.Gazeta Kosova29 Shtator 1991https://kujto.al/edmond-caja-kaubojsi-i-sketerres/

Filed Under: Fejton

RUSIA, DEMOKRACIA E DËSHTUAR I KUSHTON SHTRENJTË GJITHË BOTËS

March 28, 2022 by s p

Nga BEPPE SEVERGNINI

A e keni menduar? Nëse në Rusi do të kishte demokraci, e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur. Lufta në të cilën jemi të pranishëm, rrjedhja e mujshisë dhe malleve perandorake do t’ishte e pakonceptueshme. Por demokracia në Rusi nuk është. Ka një njeri në komandë, prej njëzetedy vitesh: gjithënjë e më i vetmuar, me një ankth në tru, i paparashikueshëm. Ne evropianët e kemi pranuar, me shumë durim e pak cinizëm.

Të gjithë: nga Roma në Londër, nga Parisi në Berlin. Sikur Rusia dhe rusët janë të papërputhshëm me një sistem të lirë e demokratik. Sikur rrëshqitja drejt autoritarizmit gllabërues të ishte një gjë që nuk kishte të bënte me ne. Ndërsa ka të bëjë dhe shumë. Prova janë pamjet e Kievit, pafuqia e jonë, pesha që na rëndon në zemër. 

Mësymja e Ukrainës është një tmerr për të gjithë. Për ata që kanë jetuar shpresat e tridhjetë viteve më parë merr përvijimet e një përqeshjeje. Rrënimi i komunizmit sovjetik – një sistem i mbyllur, i shënuar nga shtypje e përndjekje – ishte përshëndetur me gazmend prej shumicës së rusëve dhe evropianëve, këtej dhe andej “perdes së hekurt”. Ndërmjet 1989 dhe 1991 kemi qënë të pranishëm në kryengritje popullore, revolucione (pothuaj gjithmonë jo të përgjakshëm), rindërtimesh, votimesh: Varshava, Berlini, Praga, Budapesti, Bukureshti, Sofia, Tirana; më pas Vilnius, Riga, Tallin, Minsku, Tbilisi, Erevani, Kishinau, Kievi. Dhe Moska. Kur flamuri i kuq mbi Kremlin u ul për të fundit herë – ditën e Krishtlindjes të 1991, n’orën 19:32 – u hap një voli e pamatëshme për të gjithë: për rusët e për botën e lirë, në të cilën donin të bënin pjesë.

Ne atë mundësi e kemi shpërdoruar. Ajo që ndodhi në Rusi në vitet Nëntëdhjetë është trishtërisht e njohur: një udhëheqës i dobët si Boris Jelcin, përplasja ndërmjet bandave të afaristëve, xhveshja sistematike e Shtetit, kriminaliteti në festë. Mbi përgjegjësitë është shkruajtur e folur tepër. Opinionet janë të ndryshëm, sigurisht. Mbi një gjë veç, duket se janë të gjithë të një mëndjeje: demokracitë perëndimore do të duhej – e mundur – të bënin më shumë e më mirë.

Zgjerimi në Lindje i Bashkimit Evropian ishte i volitshëm, ai i Aleancës Atllantike, ndoshta i pashmangëshëm, por me gjasë i shpejtuar. E kanë kujtuar shumë në këto ditë, edhe Tom Friedman në New York Times. Nuk dua të ligjëroj n’asnjë mënyrë çmëndurinë e përgjakëshme të Putinit. Dua vetëm të kujtoj se shtrirja e NATO-s në Lindje mund t’ishte lexuar si një poshtërim për Rusinë e t’i jepte një sebep një kryetari populist – siç edhe ndodhi. Kombet e mëdha nuk duhet të poshtërohen. Ringjalljet gjermane, japoneze e italiane mbas luftës së Dytë botërore kanë edhe këtë shpjegim: të mundurit janë ndihmuar të ringrihen.

Është një intervistë habitëse e Riçard Nixonit, e datuar 1992. Presidenti plak, i lodhur por i kthjelltë, shpreh një mendim që, në hapësirë kohore prej tridhjetë vitesh, duket një profeci: “Në Rusi komunizmi është mundur, por liria është në provë. Nëse nuk do të funksionojë do të ketë një kthesë mbrapa dhe një shtysë drejt një despotizmi të ri. Kjo do të përbënte një rrezik vdekësor për pjesën tjetër të botës. Sepse ai despotizëm do të shestohej me virusin e imperializmit, një karakteristikë e politikës së jashtëme ruse prej shekujsh”.

Nuk kemi mbajtur parasysh parandjenjën e Nixonit, nuk kemi dëgjuar ata që thonin se Rusia duhej mbështetur e jo shfrytëzuar. Ideja e demokracisë ishte minuar, përqeshur, dalngadalë braktisur. Kujtoj sprovën e Moscow School of Political Studies të Lena Nemirovskaja, në vitet Nëntëdhjetë. Synimi ishte të ndihmohej zhvillimi qytetar, politik e shoqëror i klasës së re drejtuese pas sovjetike. Administratorë, gjyqtarë, akademikë e gazetarë evropianë fluturonin për në Moskë e qëndronin atje për disa ditë, për të treguar funksionimin e demokracisë. Kam marrë pjesë në dy organizime, në 1999 dhe në 2000: me kryetarët e rinj të bashkive të Siberisë dhe me parlamentarët e rinj të Dumës. Ndërhyrje e huaj, vendosi qeveria ruse në vitet Dymijë. Sprova e fshirë.

Ngjitja e Vladimir Putinit, dhe zbritja drejt autoritarizmit, u përshëndet me dashamirësi nga shumë rusë, të zhgënjyer nga korrupsioni e të tmerruar nga kaosi. Dhe u pranua nga shumë evropianë. Shumë ishin të painformuar, mjaft të hutuar, por disa ishin bashkëpuntorë: për interesa ekonomike apo për leverdi politike, ndonjëherë për një pleksje të të dyjave (“kollonat e pesta të Putinit” i ka përcaktuar liberali Guy Verhofstadt në një shfrim për t’u mbajtur mënd në Parlamentin evropian). Pak kanë parë rrezikun, megjithë arrestimet e kundërshtarëve, vrasjet misterioze, pasurimet e pashpjegueshme. Të gjitha këto gjëra i kemi lënë mënjanë: joshja dhe leverdia e Rusisë ishin më tërheqëse. Demokracia? E papërputhëshme me popullin rus, linin të kuptohej politikanët italianë, diplomatët amerikanë, biznesmenë të të gjithë gjatësive gjeografike.

Përfundimi është ky që shohim. Të provojmë tmerrin nuk ligjërohemi, përkundrazi. Një Rusi demokratike – t’a përsërisim – as nuk do t’a shkonte nëpër mënd mësymjen e Ukrainës fqinje. Një Rusi autoritare, këtë mësymje e ka përfytyruar, programuar, kërcënuar, sendërtuar në mënyrë cinike. Dhe ka vepruar kështu edhe sepse Ukraina është një demokraci. E papërsosur, por një demokraci. Kievi – pavarësisht nga vështirësitë dhe nisjet e rreme – është vërtetimi që “bota ruse” e dashur e Putinit, nuk është e papërputhëshme me zgjedhjet e lira, partitë e pavarura, liritë e shprehjes. Një provokim i palejueshëm për njeriun e vetmuar të Kremlinit.

“Corriere della Sera”, 25 shkurt 2022    Përktheu Eugjen Merlika       

Filed Under: Fejton

Çdo i treti diplomat rus në Suedi është oficer i intelegjencës

March 27, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Sipas burimeve tö Intelegjencs SÄPO të Suedisë vlerëson se çdo i treti diplomat rus është në fakt një oficer i intelegjencës që punon fshehur në këtë shtet skandinav, Mirëpo, ata pothuajse janë të paarritshëm për shkakun se kanë mbrojtje diplomatike. Nuk ekziston një shifër të saktë se sa janë ata që punojnë në këtë formë të jashtëligjshme, megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme ka deklaruar më herët se në këtë shtet shërbëjnë 35 diplomatë rus, që do të thotë se mund të jenë deri në dhjetë persona. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, disa vende europiane kanë deportuar stafin rus në amabasada dhe konsulata, duke përfshirë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Bullgarinë dhe së fundmi Poloninë, e cila përzuri nga vendi 45 persona. Suedia ende nuk është përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Duke analizuar më shumë kërcënime të drejtpërdrejta në aspektin e sigurisë së vendit, Wilhelm Agrell, profesor i analizës së inteligjencës në Universitetin e Lundit, thotë se Rusia e sheh Suedinë ndryshe tani që ky shtet i është bashkuar një aleance që mbështet Ukrainën si humanitarisht ashtu edhe ushtarakisht, gjë që në fakt ka bërë që Rusia të etiketojë Suedinë si një shtet armiqësor. –“ Veprimtaritë e inteligjencës të kryera nga përfaqësues, organe dhe organizata të ndryshme ruse në Suedi marrin një kuptim tjetër dhe bëhen një kërcënim shumë më i drejtpërdrejtë i sigurisë se sa ishin më parë. Atëherë ndoshta ata ishin një kërcënim potencial për sigurinë, tani ata bëhen një kërcënim më i drejtpërdrejtë i sigurisë”, thotë Agrell. Ai thekson se Säpo në raportin e saj vjetor thekson se kjo veprimtari e çdo të tretit diplomat rus po vazhdon vit pas viti, por se ata mbrohen nga Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. – E kuptoj se çfarë duan të thonë, por është e çuditshme. Säpo nuk mund t’i kapë dhe t’i arrestojë ata, por kjo nuk do të thotë që ju duhet të toleroni që ky aktivitet të kryhet. “

Përse akoma hezitohet dëbimi i personelit të intelegjencës ruse

Ministria e Jashtme historikisht ka hezituar të dëbojë personelin e inteligjencës sovjetike dhe më vonë ruse, sepse është e vetëdijshme që rusët do të përgjigjen me kundërmasa. Rusia e zbaton vazhdimisht parimin “sy më sy, dhe nëse e përjashtoni këtë të tretën pjesë diplomatike, në parim i gjithë personeli diplomatik largohet nga ambasada relativisht e madhe në Moskë dhe konsullata në Shën Petersburg. Suedia gjithashtu ka një traditë të mbajtjes së hapur të kanaleve të bisedës në politikën e jashtme, kultura e negociatave është e fortë. Por dikur arrin në një pikë ku duhet të jetë mjaftueshëm. “Në fakt nuk është e pranueshme që një vend të përdorë përfaqësitë e tij diplomatike për të kryer një operacion të paligjshëm të inteligjencës”, thotë Wilhelm Agrell. Ai bën thirrje për një përzgjedhje më të qartë. Ministria e Jashtme duhet të shohë nëse ka raste flagrante në të tretën e caktuar nga Säpo dhe thjesht t’i shpallë ata persona non grata, të padëshirueshëm. Ata nuk kanë nevojë të kapen në flagrancë dhe Suedia gjithashtu nuk ka nevojë të shpjegojë një vendim të tillë dëbimi në asnjë organ ndërkombëtar, sipas ekspertit të inteligjencës.

 – Situata pas 24 shkurtit është ndryshe

Ministrja e Punëve të Jashtme, Linde, shpreson në BE, sepse situata pas 24 shkurtit është krejtësisht ndryshe. Bullgaria dëboi diplomatët rusë me arsyetimin se ata kishin shkelur Konventën e Vjenës, të cilën mund ta pretendojë edhe Suedia. – “Ndoshta është e rëndësishme që ju ta pohoni këtë të drejtë. Ndryshe, shërbimi inteligjent rus percepton se ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë biznes, sepse tolerohet. Mosveprimi ka edhe një vlerë sinjalizuese negative për Suedinë dhe vendet që janë të ekspozuara. Ministrja e Jashtme Anna Linde (S) ka theksuar se qeveria nuk përjashton asnjë masë kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë. Por ajo dëshiron të veprojë së bashku me BE-në. Kjo sigurisht që mund të bëhet, por varet nëse veprimi i përbashkët i BE-së është edhe i mundur, thotë Wilhelm Agrell. – Mund të shohim se Polonia dhe shtetet baltike kanë shkuar një hap para, pra, duke i larguar nga vendi diplomatët rus. Ndoshta  edhe Suedia mund të bashkojë forcat me vende të tjera dhe të bëjë të njëjtën gjë, për shembull me vendet e tjera nordike.

 Agjencia shtetërore e Lajmeve TT ka aplikuar për intervistë te ministrja e Jashtme, por ajo do t’i kthehet me shkrim: Qeveria suedeze vepron dhe proteston fuqishëm kur personeli diplomatik rus përfshihet në aktivitete që shkelin Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, përkatësisht veprojnë së bashku me vendet e tjera”, thotë Kryediplomatja suedeze,Linde.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT