• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KINA 283 HERË “DEMOKRACI E VËRTETË”

December 20, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO – “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021. Përktheu: Eugjen Merlika

Ka një numër të dobishëm për të kuptuar si do të jetë viti 2022 për Kinën dhe kryetarin e saj, Xi Jinping. Janë herët që termat “demokraci” dhe “demokratike” janë përsëritur në një document të botuar në 4 dhjetorin e shkuar nga Zyra për informimin e Këshillit të Shtetit, pra të qeverisë qëndrore. Nën titullin “Kina: Demokraci që funksionon” pohohet se në Vënd arrihet ushtrimi i demokracisë zgjedhore më të madhe në botë, zgjedhjet vendore në të cilat marrin pjesë 900 milionë kinezë. Në të vërtetë bëhet fjalë për votime që venë vetëm vulën vendimeve e emërimeve të para-urdhëruara, por nuk ka rëndësi: udhëheqjes kineze i interesonte të kundërshtonte Mbledhjen e nivelit të Lartë të Demokracive, t’organizuar në ditët e shkuara nga Joe Biden.  

Sipërmarrja kërshëruese për të përcaktuar demokratik një sistem qeverie kineze, ka vazhduar në mjetet e informimit të kontrolluara nga Partia Komuniste për të mbështetur tezën se çdo Vend nuk duhet të marrë për model demokracinë e Shteteve të Bashkuara por të zhvillojë atë të tijën. Siç ka bërë Kina, ku “udhëheqja e Partisë Komuniste është siguria themelore” për atë që dokumenti  përcakton si “proçesi i tërë i demokracisë së popullit”. Pastaj pika e fortë: “Mënyra m’e mirë për të vlerësuar nëse një sistem politik i një Vendi është demokratik dhe veprues është të vërejturit nëse pasardhja e udhëheqësve të tij është e rregullt dhe në përputhje me ligjin”.

Një pohim që shumë vëzhgues e kanë lexuar si referim për Kongresin e Partisë të gjysmës së dytë të vitit 2022, ku Xi do të zgjidhet për një mandat të tretë, fakt që nuk ndodhte prej 30 vitesh (ishte caku i dy mandateve të shfuqizuar nga vetë Xi më 2018). Për kryetarin kinez, 2022 do të jetë një vit vendimtar, në të cilin do të ketë nevojë për qëndrueshmëri, për të çuar në fund projektet e tij të trashëgimisë. Por ekonomia është në ngadalësim: rritja e saj është vetëm 4,9 % në tremujorin e tretë të vitit 2021. Problemet e borxheve shtohen: ata të sektorit të ndërtimeve, që vlerësohen për 29 % të PPI, kanë dalë në dritë me paaftësinë paguese të gjigandit Evergrand dhe tani zbulohet se autoritetet vendore kanë grumbulluar borxhe (të paregjistruara) të pamasa, simbas bankës së Goldman Saks, të barabarta me 8300 miliardë dollarë, më shumë se 50 % të PPI kinez. “ 2022 do të jetë një kalim i brishtë për udhëheqjen e Pekinit dhe për Xi: brënda duhet të shmangin kriza e jashtë duhet të vazhdojnë të tregohen agresivë, tani edhe si kampionë të demokracisë së vërtetë. Kaosi global rritet.

“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Fejton

REFERENDUMI I BERISHËS SHKARKOI BASHËN, KUVENDI I BASHËS PËRJASHTOI BERISHËN

December 18, 2021 by s p

Dielli

Situata në Partinë Demokratike vazhdon të mbetet e pazakontë. Çarja dhe ndarja duket më afër se kurrë. Beteja politike, mediatike dhe gjyqësore ka hyrë në fazën e saj më të egër. Kuvendi i Bashës dhe referendumi i Berishës shkarkuan njëri-tjetrin. Deputetja Albana Vokshi sot ka lexuar rezultatet e referendumit, të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës nga kryetar i Partisë Demokratike. Rezultatet e Referendumit u lexuan jashtë ambienteve të selisë së PD, në prani edhe të ish-liderit demorkat, Doktor Berisha. Në total tha Vokshi, kanë votuar pro shkarkimit të Bashës 43385 demokratë. Ndërsa pas mbledhjes së kryesisë, Lulzim Basha në një konferencë për gazetarët u shpreh se: “Sot PD është pastruar nga e shkuara dhe është më pranë qytetarëve”. Më tej z. Basha shtoi se: “Sali Berisha është përjashtuar tashmë si anëtar i grupit parlamentar të PD, si anëtar i Këshillit Kombëtar, për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar, rrugët e Berishës me organet drejtuese të PD janë ndarë. Me veprimet e tij është vetëpërjashtuar” përfundoi Basha.

Filed Under: Fejton

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në SHBA (USA)

December 10, 2021 by s p

Nisma amerikane rizgjim i kurajos profesionale dhe mbështetje madhore për lirinë e medias.

New York, 9 Dhjetor 2021

Nisma amerikane për Ripërtëritjen e Demokracisë dhe inkurajimi i medias së lirë, (i cili është kritik për demokracinë), janë një shpresë e madhe botërore dhe në mënyrë të veçantë, mbështetja më e madhe në kohën e duhur për demokracinë, gazetarët dhe mediat shqiptare.UGSH, dega në SHBA e mbështet fuqimisht këtë nismë dhe axhendën e Samitit për Demokracinë, duke shumëfishuar besimin dhe optimizmin se kjo iniciativë dhe paketa financiare shoqëruese e Departamentit Amerikan të Shtetit, shumëfishojnë besimin e komunitetit të gazetarëve në Shqipëri, në krejt skenat mediatike në hapësirën shqiptare dhe atë të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.Ky projekt amerikan po rikthen edhe një herë fuqimisht rolin dhe mediat në funksion dhe shërbime të vyera publike, zgjon ndërgjegjet e fjetura që toleruan shpërfilljen e demokracisë dhe abuzojnë me demokracinë ligjore. Kjo nismë me përmasa globale, e ve klasën politike shqiptare, kapitalistët dhe pronarët mediatikë shqiptarë, para një situate dhe realiteti të ri përgjegjësie në raport me mediat, gazetarët dhe sidomos publikun e shoqërinë.Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega SHBA (USA), në mbështetje të nismës dhe projekteve derivuese të saj, u bën thirrje institucioneve politike, atyre të legjislativit, Qeverisë dhe Drejtësisë në Shqipëri, të investohen seriozisht për rritjen e transparencës publike, për respektimin e legjislacionit për të drejtën informuese dhe detyrimin ligjor për transparencë dhe vënie në dispozicion të dokumentacioneve zyrtare për fusha të interesit të gjerë publik si investimet, financimet publike, administrimin, llogaridhënien dhe disponimin ndaj çdo medieje dhe gazetari.UGSH, dega SHBA shpreson se komuniteti i gazetarëve profesionistë në Shqipëri në këtë nismë do të gjejnë mbështetjen dhe inkurajim më të fuqishëm, për shtimin e përgjegjësisë profesionale dhe rritjen e kurajos dhe sakrificave në kërkim të besueshmërisë publike dhe të pavarësisë raportuese. Kjo është rruga e vetme për kontributin tonë të pazëvendësueshëm për forcimin e demokracisë dhe ndaljen e çdo autoritarizmi apo tranzicioni shtet dhe ligj-kapës, sikundër po ndodh në këto tri dekada të fundit.UGSH, dega SHBA apelon për shumëfishimin e solidaritetit brenda komunitetit tonë dhe ngritjen e institucioneve vetërregulluese, të cilat lartësojnë besimin dhe seriozitetin e misionit tonë në sy dhe shërbim të publikut, shoqërisë dhe interesit për demokracinë funksionale.

Zyra InformueseUnioni I Gazetarëve SHqiptarë

Dega USA (New York-USA)

Filed Under: Fejton

Përballja e At Pjetër Meshkallës me Mehmet Shehun për mbylljen e kishave

October 12, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Melbourne, 11 Tetor 2021

“Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Me këto fjalë At Meshkalla i drejtohet kryeministrit vrastar Mehmet Shehu: “ E pabesueshme asht mbyllja! Vetem një Shqiptar që e ka qitë ceken me vdekë per Atdhe e Fe, ka mundësi me i thanë një kriminelit kryeminister komunist, se: Jeni tue shkelë premtimet solemne që i keni ba Europës. Tue dijtë se per terroristin e grupeve komuniste të Spanjës, tashti krahu i djathtë i tiranit Ever Hoxha, se “një prift katolik per ate asht vetem një shifer…” Dhe, nuk mjaftohet me kaq, po edhe vazhdon mendimin e vet per me e çue deri në fund ate që, At Meshkalla e ndryente permbrenda. Mbasi Mehmet Shehu i kundershtoi se:“Kjo asht propagandë armiqësore”, atëherë, At Meshkalla, shperthen si një vullkan i vertetë që rroposë shka i del perpara, pa marrë parasyshë aspak me cilin flet prej terroristave: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me ju ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”. Të nderuem lexues! Kanë kalue 32 vjetë që kam pasë fatin me e sigurue këte leter historike, e ndoshta, kur ta ripersëritni leximin e këtyne rreshtave keni me u bashkue me mendimin tim: “Si ka shpetue At Pjeter Meshkalla, prift Katolik dhe jezuit Shqiptar, madje edhe prej Shkodret, studjue në Linz t’ Austrisë.., mbasi i ka thanë që as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ ka mujtë me ju ba nji propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit”.  Asnjëherë kur e kam lexue nuk e kam gjetë shkakun e shpetimit të At Meshkallës, perveç një kujdesit të Mbinatyrshem per Atë Burrë Trim të pashoq. Kanë me kalue vite e vite të tjera dhe, asht e pamujtun per me gjetë dikush shkakun e shpetimit të vertetë të At Meshkallës, nga thonjtë e një katili të pashpirtë si ishin xhelatët Mehmet Shehu apo Ever Hoxha! E kur, pikrisht, mbas 22 vjetësh kur në mendjen e tyne, pushteti tashti asht i sigurt dhe i plotfuqishem. Gati gati e pabesueshme kur mendon njeriu sesi një Prift Katolik i thotë: “Ja keni ba vetit”. E krimineli vrastar asht i pafuqishem para Priftit t’ pranguem nder hekra. Një mister i vertetë! E sot, ma shumë se asnjëherë Jeta dhe Veprat fetare të At Mëshkallës duhen studjue ma shumë se kurr, mbasi Shqipnia komuniste, ishte e pakrahasueshme me të gjitha vendet tjera komuniste të Europës Lindore, per nga terrori dhe vrasjet e Klerikve Katolik Shqiptarë. Kjo perforcohet edhe me viziten e Papës së Parë që ka shkelë në Token Shqiptare. Një vizitë me të vertetë e paharrueshme historike dhe baritore e Shek. XX. E mos harroni kurr thanjen e Papës Gjon Pali i II, tek Sheshi i  monumentit  Skenderbeut në Tiranë, me 25 Prill 1993, para disa qinda e mija Shqiptarve: “Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian e asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!”. “Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit”. Këto thanje duhet me kenë të shkrueme nder të gjitha faqet e para të teksteve shkollore e universitare. Mbasi kam frikë se, “Europa i ka harrue këta porosi!” Fatkeqsisht, as në Shqipni.., sot, nuk ka mbetë kush prej “atyne”.., që duhen me ua kujtue.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovanai

PRILLI I PËRGJAKUR

April 22, 2021 by dgreca

Fakte dhe dëshmi nga treva e Lypjanit/

Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia/

Si çdo vjet në gjithë hapësirën kosovare, edhe në trevën e Lypjanit,  kujtojmë jetën e veprën e dëshmorëve e martirëve të kombit. Rënia per liri kombëtare e çlirimin e athdeut, eshte madhshti njerëzore, po aq sa janë madhore edhe fenomente e natyrës, Lindja dhe perëndimi i Diellit e Hënës, të cilat,  nuk mund të forcë gjuhësore dhe begati leksikore, sado të pasura qofshin, që mund t’i përhkruaj. Të rënit për atdhe gjatë luftës me okupuesit serbë në Verën e 1998 dhe Prillin e tokës së përgjakur të 1999, të 21 dëshmorët e kombite 167 martirët e kësaj hapësire shqiptare. Nga kjo hapësirës komunale, u përkjetësuan, gjatë dy ofanzivave serbe, u plagosën edhe 71 qytetarë shqiptarë e 23 ushtarë të UÇK-së, Nga dhuna serbe u ç’vendosen tërësisht banorët shqiptarë të 42 fshatrave, e pjesërisht nga 21 fshatra tjerë. Flaka e kalljeve serbe i përfshiu 46 vendbanime shqiptare të kësaj treve komunale, nën kërcënime të dhunës  u dëbuan jashtë Kosovës mbi gjysma e popullsisë shqiptare. Shkatërrimet, kalljet, vjedhjet dhe plaçkitjet e vlerave materiale e shpirtërore të kësaj hapësire shqiptare kapin shumën e dhjetëra milion eurove.

Dhuna serbe dhe pastrimi etnik i shqiptarëve

 Sistemi okupues serb, në fundshekullin 20-të, me dhunën gjenocidale e pastrimin etnik ndaj shqiptarëve,  dëshmoi  mësimet e moralit të keq të historisë sllave, të dëshmuara në 24 projekte sërbe kundër shqiptarëve, që nga “Naçertania” e Garashaninit 1844, e deri te Memorandumi i ASSHA 1986. Serbet me vrasje, tortura e masakra mesjetare ato 78 ditët e tmerrit të 1999, si në çdo mjedis e hapësirë në Kosovë, edhe në shqiptarët e kësaj hapësirë komunale, kryen shumë vrasje masive të popullatës civile të pa armatosur. Në trevën komunale të Lypjanit, për vrasje masive barbaria serbe, u përqendrua në tri nga vendbanimet shqiptare.  Në Sllovijë më 15 e 16 prill 1999, ranë 4 dëshmorë e 41 martir të lirisë e 11 qytetarë të tjerë u plagosen rënd e lehtë. Më 15 prilli pas sulmit serbë në fshatin Akllap, kallën mbi 80% të shtëpive dhe vranë një qytetar. Hordhia serbe në mesditë në orën 13.30 sulmoi Sllovinë, aty vrau e masakroi 24 shqiptarë dhe dëboi me dhunë nga fshati gjithë popullatën shqiptare. Kurse më 16 prill 1999, shqiptarët sllovias të strehuar në “Lugun e Demës”, ku përjetuan Natën e Bartolomeut. Vrastarët ushtarak e policor të dhunës sërbe, pasi vranë 4 qytetarë të zhegocit në “Livadhe të Gjana”, vranë edhe dëshmoren Zylfije Gashi në Tërboc. Këtu në “Lugun e Demës”, masakruan e ekzekutuan edhe 17 civilë shqiptarë të tjerë. Nga gjithë të rënit sllovias 6 ishin pleqë deri në moshën 90 vjeçare, 4 nga të cilët ishin të palëvizshëm. Nga 17 të vrarit në “Lugun e Demës”, kufomat e të cilëve ushtria vrastare, me qëllim të zhdukje së krimit, i dërgoi në Serbi dhe i varrosi, në varre të fshehura masive në Batajnicë, nga deri më 15 prill 2006 u sollën 15 nga 17 kufomat e zhdukura nga hordhia barbare serb. Mbetjet mortore të dy të zhdukurve të tjerë, i solli dy vjet më vonë më 2008, nga Batajnica në varret që gjatë priten të hapura në Varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Sllovi. Nga dhuna serbe në Sllovi, 33 familje pësuan humbje në njerëz nga të cilat më së tepërmi pësoi, Familja e Murat Gashit me pesë të vrarë, Familja Gërbeshi më 3 të vrarë, dy Familjet Sopa njëra me tre, e tjetra me dy të vrarë e të masakruar, familja Bytyçi, Kryeziu dhe Berisha me nga dy të vrarë. Ndërsa 26 familje të tjera kanë të vrarë e të masakruar nga një anëtarë. Me 17 prill në vendbanimin afër Lypjanit Jeta e Re, u vra dhe u dogj plaku Xhevat Rexhepi 68 vjeçar. Spiralja e dhunës serbe, posi lubia,  më 18 prill 1999 që, në orët e mëngjesit, sulmoi Ribarit të Vogël. Kjo makineri e pajisur me informacione nga serbët vendor filloi “lojën vrastare”, ekzekutoi 25 qytetarë shqiptarë, 7 të tjerë i gjymtoi e i shëmtoi me plagë të rënda, mosha e të cilëve ishte nga 10 deri 90 vjeçare, nga të rënit, 10 ishin nga familja Vishesellla, 6 të familjes Vuniqi nga Blinaja, ato ditë tmerri të strehuar në Ribar, 4 të vrarë ishin të familjes Gërxhaliu, ndërsa 5 të tjerë ishin nga 2 të familjes Ismaili e Jashanica dhe një nga familja Kelmendi. Nga të vrarit 7 ishin pleq, madje Rizah Jashanica /1902/, kishte 92 vjet dhe ishte i palëvizshëm.

Ekzekutimi para syve të familjarëve

Nga të vrarit në Ribar 8 ishin femra e 17 meshkuj. Nga këta, 18 ishin qytetarë vendor, 7  ishin të strehuar. Në Hallaq të Vogël, rrugën e sakrifikimit të jetës e qeli dëshmori Ismet Asllani, më 24 mars 1999, për tu martirizuar edhe të tjerët nga familja dhe të afërmit.  Më 19 prill 1999 në Hallaq të Vogël vazhdoi vala e vrasjeve masive, ku vrasësitë serbë vranë e masakruan 20 qytetarë shqiptarë, nga të cilët 4 ishin të strehuar nga vendbanimet tjera. Forcat serbe urdhëruan daljen e gjithë shqiptarëve në lendinë të fshatit, pjesa që nuk arriti të dal, u vranë në oborre e shtëpi, madje dy nga ata u dogjën. Ndërsa nga 40 të tubuarit në mes të fshatit 13 i ndanë për pushkatim, nga të cilët 11 u ekzekutuan  para syve të familjarëve, dy shpëtuan, e dy të tjerët pas torturës dhe masakrës çnjerëzore shpëtuan të gjallë. Nga vrasjet serbe vetëm familjes Gashi ju vranë 4 anëtarë, 4 anëtarë ju vranë edhe familjes Buzuku, kurse familjes Asllani 3, ndërsa nga familja Zekiqi u vranë 3 vëllezër, e nga një anëtarë humbën familja Jashari-Mordoqi. Mulaku, Bajrami, Fazliu dhe Selimi. Kufomat e Minush dhe Abdullah Gashit kanë qenë të karbonizuara, dyshohet se për të gjallë apo pas vrasjes ishin djegur me benzinë.

Në Sllovijë, Ribar të Vogël e Hallaq të Vogël, si kudo në Kosovë, çdo vjet përkujtohen martirët e rënë. Por, vrasjeve në kohë e rrethana të tjera, nuk ju shpëtuan as vendbanimet të tjera si: Kroishta me 9 qytetarë civilë te vrarë shqiptarë, Ribar të Madh u vranë  e u masakruan 6 të tjerë, në Blinajë 8 e Mirenë 7 civilë shqiptarë, Hanroc 5 qytetarë të vrarë shqiptar. Vrasje si në ofanziven e parë ashtu edhe në atë të dytën pati edhe në Kleçkë, Shalë, Krojmir, Baicë, Mirenë, Resinoc, Zllakuqan, Magurë, Bregu i Zi, Leletiq, Rufc i Ri, Dobrajë, Qylagë, Poturoc, Jeta e Re, Janjevë, Brus, Akllap, Terbuc, Gadime, Babush të Muhaxhirëve dhe Plitkoviq. Këto ditë tmerri e dhune, na kujtojnë të kaluarën, na kujtojnë vrasjet e masakrat barbare serbe, na kujtojnë dëbimin me dhunë nga trojet etnike, kur nga kjo tokë u ndoqën gjyshërit e baballarët tanë, pse kërkonin të jenë të lirë, pse e donin lirinë si edhe të tjerët, dhe për të tjerët luftonin për lirinë e të drejta e tyre njerëzore e kombëtare. Andaj, në fundshekullin 20 luftuam dhe ngadhënjyen mbi robërinë shekullore.

 Është e veçanta e dëshmorëve e martirëve tanë që, triumfalisht bijën në altarin e lirisë, por, sipas rrethanave dhe gjendjes së rend, tri herë varrosen, siç ndodhi në gjeografinë e varrezave të lirisë  për  jetën e veprat e tyre  përherë shprehim kujtimin e dhembjen tonë. Prillin e përgjakur të 1999, vrasjet, torturat dhe masakrat e barbarisë serbe, gjithmonë dhe në vazhdimësi i kujtojmë, jo për të krijuar moral urrejtës, por për ta mbajtur kujtesën historike në ndërgjegjen e arsyeshme të të gjallëve. Të rënit vazhdimish kujtohen për të krijuar fisnikrinë e të tashmes dhe të ardhmes sonë, dhe për të ndërtuar vlera pozitive ndaj jetës dhe lirisë së popullit. Në drejtësi ligjore,fetare e tradiconale, krimi është i dënueshëm. Por, ndaj kriminelëve, ndarja e të drejtës, nuk guxon të matet me dy kute. Askush nga ushtarët,policët e vullnetarët vrastarë sërb, as nuk u muarr ne pyetje nuk doli para të drejtë e as nuk u denua per keto krime te kryera

Kriminelët nuk morën denimin meritor, as në Hagë, as në gjykatat vendore

Andaj, për kyesit e krimeve kerkohet denim adekuat, siç kërkojmë të ndalet ndjekja e pa natyrshme e çlirimtarëve, të ndalet ndjekja e denimi  i atyre që kurrë nuk shkelën në troje të huaja, atyre që kurrë nuk vranë qytetarë civilë e të pafajshëm, të ndalet ndjekja e atyre që luftuan barbarinë, atyre që kërkuan liri për popullin e robëruar me shekuj, Të ndalet ndjekja e atyre qëkrijun shtetin demokratike, të lirë e  e liripër të gjithë në këtë, atyre qe janë kreatorë të politikës demokratike, lirisë së fjalës dhe sigurisë e tëdrejtë për levizje të lirë. Sot, institucionet qeveritare e shtetëror angazhohet, përpiqen dhe punojmë në përmbushjen e kërkesave të natyrshme të së drejtës njerëzore, që në Republikën e Kosovës së pavarur të pas luftës, me shtetësi të plotë e sovrane, të gjithë të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e lirë, Por, këto kritere duhet kërkuar me përgjegjësi adekuate edhe ndaj kryesve të krimeve. Për krimet serbe në trevën e Lypjanit, jo se nuk u ndënua askush në Hagë e gjykata vendore serbe, ku pas gjitha deshmive e fakteve kriminelet komandues, urdhërues e ekzekutuesit e krimeve ordiner,si Sheshel, lirohen te pafajshëm, e në liri të panatyrshme trimrohet e dalldisen duke kerkuar kthim triumfues  në vendin e krimit. Ndërsa kuadrot komanduese të UÇK-Së, Tash struktura qeveritare te Republikes së Kosovës, dalur nga morali i çlirimtarëve, jo nga morali vrastar,siç ishin gjatë luftës, kuadro,njësi e forcat qeveritare, ushtarake e policore të dhunës serbe.

Bota filloi të mendojë, të flasë e të veprojë shqip

Çdo verë e pranverë shqiptarët në gjitha mjediset kosovare, kujtojmë verën e 1998 dhe pranverën e 1999, por edhe vitet e me hershme të robrisë shkullore. Shqiptarët e Kosovës  do ti kujtojmë dhembjet e përjetuara, do të kujtojmë humbjen e dhjetëra mija bijve e bijave të kësaj hapësire. Kjo katrahurë antinjerëzore hartuar nga ASSHA, e udhëhequr nga njeriu dinozaur, që synonte të përbijë një popull, ta vras lirinë, pse fletë ndryshe, pse beson në Zot ndryshe, pse nuk janë serbë dhe pse janë popull liridashës. Në Kosovë këto vlera dhe të drejta kombëtare e njerëzore për zgjedhjen e çështjes së Kosovës, shqiptarët i  kërkuam me vite e dekada në mënyrë paqësore e njerëzore, me dialog, e pa mjete dhune, në vazhdim i kërkuam edhe me shprehjen e pakënaqësisë me protestave e demonstratave të studentëve dhe popullit. Me veprime politik përveç ndërkombëtarizimit të çështjes sonë, arritëm në shkallën e mosdurimit të dhunës, dilemën hamletiane “të rrosh, o të mos rrosh”. Atëherë, domosdoshmërisht shqiptarët e Kosovës  hyjnë edhe veprimit ushtarak për realizimin e kërkesave njerëzore e kombëtare. Dhe mu për këtë rënë 21 dëshmorët tanë dhe 164 martirët e lirisë nga gjithë hapësira komunale e Lypjanit. Rënë ashtu siç rënë në Qirez e në Likoshan, në Prekazin legjendar e në Reçak, në Koshare e Gllogjan, e qindra vendbanime të tjera shqiptare në Kosovë. Nga ky mot i madh për shqiptarët, ndryshoi matja e kohës dhe historisë. Nga këtu bota filloi të mendon, të flet e të vepron shqip. Nga këto mote e këto ngjarje për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, nis një epokë e re, një jetë dhe një filozofi e moral tjetër i veprimit politik. Intervenimi ushtarak i forcës më të madhe ushtarake NATO-së,  aleate e ushtri tokësore e të cilës ishte UÇK-ja, për 78 ditësh dëboi nga këto troje vrastarët serb, ndali dhunën, dhe vet ne thyem traditën negative historike, kësaj here,jo si herave të tjera, ndodhi kthimi i madh monumental i shqiptarëve në trojet e veta.

 Martirizimi i  164 nga kjo trevë komunale, Sipas humanistës për të drjta të njeriut, Natash Kandiqit. Në tërë Kosovën, gjatë 1998-1999  janë vrarë 13.549 qytetarë civilë të pa armatosur, nga këta 76% meshkuj e 24% femra, 1400 nga këta nën moshën 18 vjeçare. Përkatësia kombëtare e të vravëve në Kosovë është 8693 shqiptarë, 1196 sërbë e 445 romë e të tjerë. Kthimi provokativ i eshtrave të shqiptarëve nga Serbia, tash sa vite na torturon.

 Gjitha këto përjetime të rënda, nga ky moral i stërkequr sërbë,, na bënë të mos ndalemi në rrugëtim për ndërtimin e shtetit tonë kombëtar Kosovën shtet demokratik sovran e të pavarur, të  integruar e të njohur nga 1010 shtete e institucionet të ndërkombëtare. Sot është domosdo historike e klasës politike, të qëndrojë unike në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosoves dhe të qëndrojë bindjes në  kërkesën e  arsyese së natyrshme, deri në realizimin e synimeve tona kombëtare.

Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë

 Familjet e dëshmorëve dhe martirëve lipjanas, në vazhdimësi bëjnë kërkesë njerëzor, për një angazhim më serioz të subjekteve ndërkombëtare e vendore në gjetjen e ende të pagjeturëve, të cilët u zhdukën po nga ato forca të dhunës, po nga ata njerëz, po nga ajo dhunë serbe. Do të përulemi gjithmonë me respekt para varrezave të dëshmorëve e martirëve të kombit. Ata në vazhdimësi të kohërave, do të jenë krenaria historike e të ardhmes së kësaj toke të djegur e këtij populli të ndjekur.

Rënia për liri është madhështore, sa fjalët tona, sado të zgjedhura qofshin, dalin të zbehta, për të mos thënë krrokama. Rënia për liri, është madhore si lindja e diellit e hapja e qiellit. Amaneti i dëshmorëve e martirëve, puna, mundi, gjaku dhe jeta e tyre e dhënë për këtë tokë e për këtë popull, obligon për ndërtimin e shtetit të pandarë të Kosovës demokratike, të pavarur e sovrane. Vetëm kështu, të rënëve tanë, shpirti ju pushon i qet në Kosovën e tyre. Të rënit për liri kanë dhënë, madhoren, Jetën e tyre, për të cilët ne të gjallë, nuk mjafton vetëm të ngrehim përmendore e të vejmë kurora mbi varret e tyre.  Me respektimin e veprës dhe amaneteve, në kujtim të përjetësisë së tyre për liri, marrin uratën e madhe të popullit dhe Bekimin e të madhit Zot. Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjithmonë do të jetë  kujtesë lavdie në  traditën  pozitive të historisë sonë kombëtare.  

Filed Under: Fejton Tagged With: Ismail Gashi Sllovia, Prilli i Pergjakur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 112
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT