• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i dërgon një letër të hapur Presidentit të SHBA Joe R. Biden

December 27, 2022 by s p

Tiranë, më 26 Dhjetor 2022

Presidentit të SHBA SH.T. Z. Joseph R. Biden

Shtëpia e Bardhë

Washington, DC 20500

Në vëmendje të Zotit:

Anthony J. Blinken

Sekretar i Shtetit,

I nderuari Zoti President,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast për t’iu falenderuar Juve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen Tuaj të vazhdueshme për Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës. Gjithsesi, ne jemi të shqetësuar nga zhvillimet e fundit, të cilat kërcënojnë në veçanti Kosovën.

Republika e Kosovës synon të bëhet shembull i demokracisë dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perendimor, dhe kontribues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Mirëpo, këto objektiva dhe paqja në rajon janë ende të kërcënuara. Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe skeptikë lidhur me përkeqësimin e gjendjes në veri të Kosovës, si kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Bllokadat e vendosura në Veri kanë paralizuar jetën dhe kanë ndërprerë lëvizjen e lirë të njerëzve në rrugët kryesore që lidhin Kosovën me Serbinë. Banorët që jetojnë në Veriun e populluar kryesisht nga serbë po përballen me vështirësi dhe ndodhen në një atmosferë frike dhe kërcënimi të përhershëm nga grupet kriminale që veprojnë me mbështetjen e Beogradit.

Pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionet, jeta në atë pjesë të Kosovës vazhdon të jetë në rrezik dhe e pasigurt. Ata që i hedhin benzinë zjarrit brenda Kosovës ndihmohen dhe nxiten nga qeveria serbe. Kjo përbën një kërcënim serioz për sovranitetin dhe shtetin e Kosovës, paqen dhe stabilitetin rajonal.

Serbia është angazhuar në një luftë të vazhdueshme hibride kundër Kosovës dhe institucioneve të saj, ndërkohë që ky vend i ri bën përpjekje për forcimin e shtetit të së drejtës në bashkinë e tij veriore.

Veç kësaj, Serbia ka vepruar në rajonin tonë si proxy e Rusisë. Lidershipi i saj po punon me të njëjtin skenar që ka përdorur Rusia përpara se të fillonte pushtimin ndaj një vendi të pavarur dhe sovran si Ukraina në vitin 2014. Kjo fushatë hibride destabilizuese drejtohet kundër pavarësisë, demokracisë dhe natyrës së hapur të Kosovës, paqes e sigurisë në rajon.

Thirja e pajustifikuar dhe e paprovokuar e Beogradit për të dërguar 1000 ushtarë serbë në territorin e një vendi tjetër të pavarur fqinj nuk është vetëm kërcënim i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, por, nisur nga roli i NATO/KFOR, si garantues i sigurisë rajonale, ajo rrezikon të kthehet në një konflikt dhe më të gjerë.

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, të cilat vazhdojnë pa asnjë lloj smbrapsje, pavarësisht vazhdimësisë së sulmeve brutale të Kremlinit mbi Ukrainën duhet të ishin kundërshtuar shumë kohë më parë. Serbia ka importuar armatime të rënda gjatë shumë viteve të kaluara nga Rusia, duke shkelur ligjin amerikan mbi sanksionet. As tre muaj më parë, Serbia nënshkroi me Rusinë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme. Gjithashtu, Serbia është i vetmi vend europian, përveç Bjellorusisë, që nuk ka zbatuar sanksionet ndaj Rusisë.

Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar dhe nga zgjerimi i marrëdhënieve serbe me Kinën. Tani Serbia importon armë nga Kina, duke blerë nga Pekini dhe një sistem të mbrojtjes kundërajrore dhe dronë të armatosur ushtarakë.

Ne jemi të shqetësuar nga moskundërshtimi i vazhdueshëm i SHBA-ve dhe BE-së ndaj Serbisë dhe shpresojmë të shohim rishikimin e qëndrimit tuaj në favor të një përqasjeje, e cila e konsideron përgjegjës Beogradin. Retorika që po përdor lidershipi serb në Beograd është kujtese e të kaluarës dhe nuk do lejuar të rishfaqet. Skenarët që zbatoi rregjimi i Milosevicit gjatë viteve 90 kundër pjesës tjetër të Jugosllavisë po vihen në skenë sërish. Presidenti Aleksander Vučić, i cili ka shërbyer si Ministër i Informacionit i Milosevicit sot udhëheq makinën serbe të dizinformimit, e cila e drejton foninë e saj të viktimizimit dhe propagandën e mbushur me urrejtje kundër Kosovës.

Si vend i pavarur, Republika e Kosovës ka bërë përparime shumë të mëdha në rrugën e saj për krijimin e institucioneve demokratike funksionale dhe një demokraci vibruese, ku të mbizotërojnë liritë njerëzore dhe shteti i të drejtës. Sot në Kosovë, pakicat etnike gëzojnë të drejta individuale dhe kolektive si asnjëherë më parë dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Në një rajon në të cilin ekzistojnë probleme akute ndërshtetërore të brendshme dhe të jashtme, gjendja në pjesën më të madhe të Kosovës është e qëndrueshme dhe nuk përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Qeveria e Kosovës është angazhuar me përkushtim dhe dedikim të plotë në Dialogun me Serbinë. Ne do të dëshironim të shihnim zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, si shenjë e vullnetit të mirë dhe përkushtimit ndaj përpjekjeve të vazhdueshme, për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve, çka do të forconte stabilitetin dhe bashkëpunimin në gjithë rajonin.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e mbështet këtë proces dhe shpreson se ai do të finalizohet me njohjen e ndërsjellë diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete fqinje, të pavarura dhe sovrane. Pavarësisht nga shqetësimet tona të tanishme mbi politikën serbe, ne shpresojmë fort se eventualisht të dy vendet do të pranohen në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne mirëpresim angazhimin e Administratës Tuaj për përparimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ne besojmë fuqimisht se rezultati i dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të jetë në përputhje me parimet e miratuara mbi zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruara dhe në dokumentat e Grupit të Kontaktit, i cili monitoroi dhe mbikqyri politikën ndërkombëtare në Kosovë, si dhe me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të njohur dhe si “Plani Ahtisaari.”

Këto parime udhëheqëse njohin integritetin territorial të Republikës së Kosovës brenda kufijve të saj, të njohur ndërkombëtarisht dhe ruajtjen e karakterit shumë-etnik të shtetit. Përqasjet që mbështeten mbi nocionin e rishikimit ose ndryshimit të vijave kufitare sipas linjave etnike bartin rrezikun e minimit të stabilitetit të Kosovës dhe vendeve të tjera shumë – etnike në botë.

Kjo është arsyeja përse ne, Zoti President, kërkojmë vëmendjen tuaj ndaj zhvillimit të këtyrte situatave, me qëllim që të krijohet një mjedis i sigurt, duke i bërë presion Serbisë dhe aleatëve të saj në Kosovën Veriore që të heqin të gjitha pengesat dhe bllokadat dhe të lejojnë rikthimin e shpejtë në kushtet normale, çka do lehtësonte përparimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Së fundi, Ju lutemi, Zoti President, pranoni sigurimet e konsideratave tona më të larta!

Me respekt,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

https://www.albanianambassadors.al/…/the-council-of…/
https://www.albanianambassadors.al/…/keshilli-i…/

Filed Under: Histori

NJË KUJTESË E VOGËL PËR 103 VJETORIN E NJË MASAKRE  TË MADHE… 

December 26, 2022 by s p

NGA NDUE  BACAJ /

26 Dhjetori i vitit 1919 na kujton masakren serbo-malazeze mbi banorët e Hotit. Rrënojat e Qytezës janë të vetmet dëshmitare okulare të “mbijetuara” tash 103 vite… Po ti vizitosh edhe sot rrënojat e Qytezës, edhe pse nuk kanë gojë me folë, sapo të ulësh në mes tyre, të mbyllësh sytë dhe ta imagjinosh këtë krim apo masakër të mbi një shekulli më parë, të duket se çdo gur i këtyre rrenojave të lëshon një za, një za të thekshëm, që vjen nga thellësia e kujtesës të lame me gjakë e lotë, të tregon një histori trimërie, qëndrese e papërkulshmerie, të atyre hotjanëve që u vranë  trupin, por kurr zemren e shpirtin e patriotizmit të këtyre trojeve nga më shqiptaret e Shqiperisë Etnike… Për realizimin e synimeve të tyre shovene, serbo-malazezët kishin si piksynim të nënshtronin Hotin, me anën e një ekspedite ndëshkimore ushtarake, me qellim masakrimin e të gjithë atyre burrave (mashkujve të aftë për pushkë)… Realizimi i këtij qellimi ogurzi nuk ishte i lehtë pasi pjesa më e madhe e hotjanëve (trojeve nën Malin e Zi)  të aftë për armë ishin larguar nga shtepiat e tyre dhe ishin strehuar në trojet e Hotit në Shqipëri… Ushtria serbo-malazeze nuk kishte tager ta kalojnë kufirin, prandaj vendosën t’i  çojnë njerzit e vetë për të bisedua me hotën, dhe për t’i  bindin të kthehen në shtëpitë e veta duke u thënë: “Kthehuni në shtepiat tuaja në besë të Zotit e Savo Pjetrit.”. (Gjon Toma Berishaj,Deçiqi Krenaria e Malësisë, Tua 2009, fq.254). Por kjo “besë” siç dihet kishte qënë fatale, ndaj edhe sot thuhet për besëprerit, si “besa” e Savo Pjetrit…Ushtria serbo-malazez duke “shfrytëzuar” edhe ditën e festës të Krishtlindjes me “armën” e tyre “diplomatike”, pabesinë, mashtrimin e tradhtinë arritën që me daten 25 dhjetor 1919 të hynte në Hot, dhe nga familjet hotjane që i konsideronin si pengesat kryesore në arritjen e qellimeve të tyre shovene, të marrin peng qindra hotjanë. Dhjetra nga këta do ti ekzekutonin me 26 dhjetor 1919 në Qytezen e Hotit (në Drume të Borës), ndërsa qindra të tjerët, të lidhur duarsh do t’i dergonte në hapsanën e Podgoricës, ku shkjau u kishte “menduar” një vdekje më të ngadaltë, por më të mundimshme. Kam dëgjuar nga trashigimia gojore (por edhe e shkruar…) se numri i të vrarëve hotjanë në këtë masakër serbo-malazeze “varion” nga 64 deri në 74 hotjanë, (në mesin e tyre nga ndonjë trashigimi gojore thuhet se ishin edhe dy kastratas që kishin ndodhur në Hot si miq), ndërsa mendohet se u burgosen rreth 200 vetë… Hotjanët e ekzekutuar “akuzoheshin” për të vetmin “faj” pa faj se ishin shqiptar autokton që donin pa hile trojet e veta etnike, të cilat i kishin banuar të parët, që me krijimin e jetës njerzore në këtë cep të Europës e Ballkanit, kur siç shkruan në “Iliaden shqiptare” (Lahuten e Malcisë fq.105), patrioti i madh i pendë-artë i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, shkjetë serbo-malazezë në ato kohë endeshin: 

“… Atje larg, po kah Urali ,   

nëpër ato breshta  t’larta,

sillej shkjau si shkerbe mali , 

tuj kerkue per molla t’tharta , 

kur  n’këto  vise të Ballkanit , 

të parë tonë Pellazgët  motit,

 ………………………………

Kishin ligje e frone të  mbara,

 e gjatë shtegut  t’qytetnimit ,

ishin shty ata larg përpara … 

Në perkujtim e nderim të të vrarëve nga ushtria serbo-malazeze në Kushe Hot është ngritur një memorial me këta 31 emra: 

Zef  Vuji  Junçaj,  

Zef  Vaseli  Junçaj,  

Gjeto  Luka  Junçaj,  

Bac  Elezi  Junçaj,    

Maç  Çuni Junçaj, 

Tomë  Kola Junçaj, 

Zog Alia  Junçaj,  

Zef  Marku Lajçaj,    

Gjon  Preka Lakaj,    

 Gjeto  Preka Lakaj,    

 Zef  Gjetja  Lakaj,    

Nikollë Gjetja  Lakaj,   

Gjon Mark Bori,   

Mark Haxhija,  

Lukë  Nikë  Anaj,    

Pretash Preka  Deçkaj,    

Gjon  Lulashi Deçkaj,    

Zef  Marku Deçkaj,    

Zef Mark Drekaj,    

Gjon  Preçi  Gjonaj,    

Pjetër Preçi Gjonaj,    

Lulash Zefi  Gjonaj,  

Gjeto Zefi Gjonaj,  

Martin  Keqi  Gjonaj,    

Gjon Nika  Pepaj,    

Prekë Gjoni Pepaj,    

Nikë  Gjoni Pepaj,    

Nikollë  Gjoni  Pepaj,  

Pjetër Gjekë Ujkvukaj, 

Marash  Gjekë Ujkvukaj,    

Dodë  Prekë  Drekaj.  

Por në memorial ka mundësi  për t’u shënuar  edhe emra të tjerë të vertetuar si të rënë në këtë masaker. 

Ngritja e memorialit në Kushe-Hot, me 31 emra të pushkatuarve nga serbo-malazezët me 26 dhjetor 1919, (edhe pse jo e plotë me emra), na kujton atë çfarë thoshte mbi një shekull më parë patrioti i madh Luigj  Gurakuqi: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumete, ai popull tregon se ka ndergjegje, ka ndjesi të holla, se e njeh mirësjelljen e ka dëshirë me u sjellë simbas shembullit të të mëdhenjëve dhe heronjëve të vet”.(Histori e Popullit Shqiptar, fq.343, Prishtinë 1969).. Duke dashur t’a mbyllë këtë kujtesë m’u kujtuan disa vargje nga “Lahuta e Malcisë”, vargje të cilët nuk po mundem pa i cituar: 

“…E njaj gjak që kanë dikue, 

bane Zot që t’jesë tue vlue
per m’i nxe zemren shqiptarit, 

për kah vendi e gjuha e t’parit…”. ( At jergj Fishta, Lahuta e Malcisë, fq.60, Romë 1991)..

V00: Më hollësisht, madje edhe me disa emra të tjerë të vrarësh përveç 31 emrave të memorialit gjindet në librin tim me titull: “LUFTA E KOPLIKUT” 1920 DHE NGJARJET QË I PARAPRIJNË”, fq.51-61, botim i vitit 2020, nga ku “mora” me shkurtime këtë shkrim-kujtesë…

Në foto: Memoriali i ngritur në Kushe Hot në përkujtim të të vrarëve  nga ushtria serbo-malazeze…  

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

KRISHTLINDJA, DITA FATLUME QË “NDAU” HISTORINË…  

December 24, 2022 by s p

NGA NDUE BACAJ

Nëse ka momente fatlume që historia mijëra-vjeçare e kësajë Bote duhet ti përkujtojnë e festojnë, ato momente janë padyshim Nata e 24 dhjetorit dhe dita pas-ardhëse e 25 dhjetorit, të cilat Bota i përmbledhë me fjalen Krishtlindja. Bota e qytetruar Krishtlindjen e kremton jo vetëm si festë fetare të Kristianëve, por edhe si moment historik që ndau një herë e përgjithmon kohen e kësaj Bote në Dyshë, ku që nga ajo kohë e sot, por edhe nesër e pasnesër sa të kenë këmbë njeriu mbi Dhê, “Matja e Kohës mbaron me Krishtin, dhe nga Krishti fillon”. E ndërsa Krishtlindja si eveniment që bashkoi hyjnoren me njerzoren fillon të festohet nga kristjanët dhe kishat e kësaj bote me 24 në darkë dhe 25 dhjetor ditën, (me përjashtim të dy kishave, asaj ruse dhe serbe, të cilat ende vazhdojnë ta festojnë me kalendarin e vjetër Julian e jo me atë Gregorian), mendova të evokoj një histori të shkurtër të kësajë nate dhe dite fatlume që krijuesi i gjithësisë bani emër të shpëtoi krijesat e veta mbi këtë tokë, duke u kumtuar lajmin e mirë të lindjes së Mesisë së paralajmruar, i cili në emer të Zotit do të ndihmonte njerzit të shkëputeshin nga rruga e mëkateve të besimit pa Zot të Paganizmin, dhe të besonin tek drita e vërtet, tek ai që u kishte falë mishin e shpirtin, tek Zoti Ynë në Qiell, tek rruga e pa gabueme e besimit për një jetë dinjitoze civilizimi e zhvillimi, ku njeriu ta ndiente vehten siç ishte në fakt, Shëmbëlltyra fatlume e planetit tokë. Lindja e Mesisë kishte rreth 4000 vite që jo vetëm ishte paralajmëruar, por Bota e priste me padurim. Profet të shumtë kumtonin lajmin e mirë nga njëri shekull në tjetrin, por lajmi vonoi jo për dëshirë të Krijuesit, por për fajin e Botës mëkatare që besonte në krijesa shumë më inferiore se vet njerzit, e ku ky besim kishte një emër Paganizëm. Natyrisht Profecia vonoi, por nuk harroi. Nëntë muaj para se Virgjëresha, Zonja Marie të sillte në jetë me frymen e Zotit Jezusin, vetë Engjëlli Gabriel u bë lajmëtar i Zotit, kur i tha kësajë virgjëreshe, se ti do të lindësh një fëmijë edhe pse nuk njeh asnjë burrë, dhe kjo krijesë do të jenë Mesia i paralajmruar, me emrin e parë Emanuel, “Zoti është me ne”, dhe që në histori tashmë njihet me emrin në përjetsi Jezu Krisht. Nëntë muaj pas këtij lajmi në qytetin e vogël, por të Shenjtë të Betlehemit, dhe vetëm 9 km larg nga pallati i mbretit Herod të Izraelit, në kushtet e një shpelle me emrin e qytetit, një krijesë e bukur u shkëput nga trupi i virgjëreshës Marie, ku kjo krijes sapo pa driten, apo më saktë “errësiren” e kësaj bote, jo vetëm se ishte mesnata që po ndante datat 24 dhe 25 dhjetor, por se kjo errësirë jete kishte mbuluar njerzimin e shoqëritë e asaj kohe, për fajin e tyre, ku veset sundonin moralin, Jezusi i vogël qau, madje qau jo si një fëmijë i sapolindur, por qau si një krijes e rritur e me ndërgjegje, qau për botën halleshume, për mëkatet ku ishin zhytë në këtë tokë krijesat e Zotit në qiell, qau për rrugen e vështirë të një jete të re, plot mëshirë e mirsi, që ky i dërguar i Zotit do të kumtonte para Botës… edhe me sakrificen më sublime të jetës toksore, duke u kryqëzuar nga Ponc Pilati në Kryq, por edhe duke dëshmua ringjalljen, dhe njëkohësisht si Kryqin ku e gozhdojnë, se në personin e tijë bashkohen Hyjnorja me toksorën… Lajmi i lindjes së Mesisë Paralajmruar ishte një kumt i mirë edhe për Jozefin, ish të fejuarin e Maries, që Zoti e kishte ndaluar të mendonte keq për virgjëreshën Maria, si dhe një gëzim i pa masë i Gjon Pagëzuesit, që më vonë do të pagëzonte me ujin e lumit Jordan vetë Jezusin… Se çfarë solli në këtë Botë Jezu Krishti dhe doktrina e tijë Kristiane, këtë e ka fiksuar historia rreth dy-mijë vjeçare e civilizimit, zhvillimit e besimit në jetën e krijuesin që na e ka falë këtë. Mrekullit e predikimit me frymën e Zotit, mrekullitë e shërimit, e mëshirës, të ringjalljes dhe fitimit të Botës amshueme, të bazuara të gjitha këto në filiozofin e Faljes që shpirti i Zotit i dërgojë tek ne me anën e birit tijë Hirplotë Jezusit kanë bërë, që gjithë këto mrekulli e mirsi të transmetohen nga njëri brez në tjetrin, si dhe të shkruhen në mijëra libra, ku mbi të gjitha qëndron si busull e pa gabueshme Bibla e Shenjtë. Për të vertetuar këto mjafton të hedhim një sy mbi Boten Europerëndimore, zhvillimin e qytetrimin e sajë, ku menjëherë të shkon mendja se këto vende kurrë nuk do të kishin mundur të ndërtojnë një mrekulli të tillë vetëm me punën e njeriut, pa pasur ndihmen e Zotit në Qiell, ndihmë që e përhapi dhe e përhap tek ne Besimi te Jezu Krishti, i cili nga Qielli ku është ngjitur pranë të lumit Zot bekon krijesat dhe punën e tyre, shpesh herë edhe mëkatare, që më shumë vazhdon t’i falë e mëshirojë se t’i ndëshkojë, edhe pse në shekullin e 21-të një diçka e tillë do të ishte e “nevojshme”… Sidoqoftë ne shqiptarët, edhe pse sot jemi të hallakatur si asnjë popull tjetër i Europës kemi një histori të madhe që lindi dhe u rrit së bashku me Besimin Kristian. Ne kemi martirët e parë të Kristianizmit, që u sakrifikuan për besim e tempuj për Jezusin që në fundin e shekullit parë dhe fillimin e të dytit, madje këta martirë janë nga Dardania e asajë Kohe dhe Kosova e sotme, dhe vendi i sakrifikimit është vetëm 7 km nga Prishtina e sotme, dhe kishte emrin Ulpiana. Martirët ishin të parët në Ballkan dhe ndër të parët në tërë popujt e Europës së asajë kohe, dhe këta dy martirë të Shenjtëruar ishin ndërtues dhe kishin emrat Flori dhe Luani të cilët kanë datat përkujtimore (si shumë martirë e shenjëtorë të tjerë shqiptarë) në kalendarin katolik… E vargu i martirve e Shenjtorve me origjinë Ilire është shumë i madh, sa vetë historia e këtijë Besimi. Në themelet e Besimit kristian qëndron kontributi i Perandorit nga Nishi i Kosovës (sot kjo trevë Iliro-Dardane e grabitur nga serbët) me emrin Kostandini Madh, nëna e të cilit ishte Elena, e cila mbas kërkimeve me vullnetin e Zotit arrin të zbuloj Kryqin Origjinal të Jezu Krishtit në Jeruzalem, gjë që e shenjtëroi duke e bërë Shën Elena. Vetë Kostandini i Madh kur ishte perandor i Romës nxorri dekretin e parë në vitin 311 për të mos përndjekur të Krishterët, madje në vitin 313 ky perandor Shqiptar nxjerrë të famshmin Ediktin e Milanos, ku besimi Kristian e njeh si Fe zyrtare të Perandorisë. Për t’ua bërë më të lehtë rrugën e lutjeve Kristianëve të perandorisë në vitin 321, ditën e Diel e shpallë ditë pushimi për besimtarët… Madje edhe Koncili i Nikesë që forcoi e pastroi disi shpirtin Kristian, kishte ndihmesën e këtij Shqiptari të pa-harruar… Hymni i pamort i Kishës Katolike Të Deum Laudamos (Ty Hyj të Lavdrojmë) është vepër e Ipeshkvit Niket Dandani, nga Kosova… Shën Jeronini, teolog dhe dijetar i pashoq, që përktheu Biblen nga Hebraishtja në Latinisht është prej mishi e gjaku Ilir, pra Shqiptar. Të “paktën” katër Papë që drejtuan Selin e Shenjtë janë Shqiptarë, si Papa Eluteri, Shen Gaji, Papa Gjoni i IV-të dhe i katërti, dhe ndoshta më i madhi Papa Klementi i XI-të. Gjergj Kastrioti për rreth 25 vite ishte shpata mbrojtëse jo vetëm e Arbërisë, por edhe e Europës Kristiane e cila dridhej para fuqisë të Perandorisë Otomane… e kjo vazhdoi pa u ndalur deri në fundin e Shekullit XX-të, kur një shqiptare tjetër, Nënë Tereza, do të bëhej shëmbëlltyra e mirsisë, mëshirës, por edhe dermani për të vazhduar jeten e mijëra fatkeqëve që kishin humbur shpresen tek kjo botë halleshume. Vepra e Nënë Terezës, tashma e Shën Terezës, e pranuar edhe nga Kisha Katolike, Selia e Shenjte e më gjërë ishte një mrekulli që mund të shfaqej vetëm me ndihmën e Jezusit në Qiell, ku të gjitha këto vepra mëshire e bamirsie Nënë Tereza deri sa ndërroi jetë ja kushtonte Jezu Krishtit meshirplotë. Mjerisht shpërblimi për ne Shqiptarët kishte qënë i vogël edhe pse kishin kontributin e mbi të gjitha sakrificen e Madhe për vehte, Europën dhe besimin e saj Kristian, e ndoshta ky shpërblim do të vijë dikur, pasi e meritojmë edhe nëse kemi pasur apo kemi mëkate, që duhet t’i lajmë me dëshirën dhe vullnetin tonë, por edhe me ndihmën e Atij që po i festojmë Datlindjen, Jezu Krishtit, për të cilin ne duhet të ndezim qira, të flasim uratë, të lutemi me përshpirtje e ngazëllim, duke qëndruar e pritur zgjuar në mesnatën që ndau 24 me 25 dhjetorin, dhe njëkohësisht ndau historinë, duke na falur ne mëkatarëve të kësajë toke, Mesinë e paralajmruar, shelbuesin tonë Krishtin, e ndërsa në këto momente ne jemi mësuar t’i quajmë Krishtlindja apo më popullorçe Kshnellat, dhe natyrisht këtë Krishtlindje dhe lajmin e mirë të Jezusit në mes nesh është mirë ta presim në Kishat tona duke u lutur, e kërkuar falje e mëshirë para Zotit e birit tijë Krishtit mëshir-plotë, për të cilin kemi nevojë ne për Atë e jo Ai për ne… Gjithsesi historia e festimit të Krishtlindjes filloi të institucionalizohet që në vitin 138 nga Peshkopi Telesforo, por Krishtlindja në atë kohë nuk festohej nga të gjithë popujt në një datë, ku për t’u fiksuar kjo ditë u deshte të vinte viti 357, dhe Papa Likerio të celebroi datën e 25 dhjetorit si ditën e Krishtlindjes. Festimet fillonin që natën e 24 dhjetorit, duke bërë rindërtimin e skenës mistike të vendit ku lindi Jezusi në Shpellën e Betlehemit, ndërsa Pema e Krishtlindjes e fitoi qytetarin dalngadal ndër shekujt që pasuan deri në ditët e sotme, por tashma kjo pemë më shumë i përket vitit të ri se festimit të mrekullueshëm të Krishtlindjes… apo ditës që ndau historinë… GËZUAR KRISHTLINDJEN BESIMTARË…

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

LA REVUE DIPLOMATIQUE (1927) / INTERVISTA ME ILIAZ BEJ VRIONIN NË PARIS MBI INTERPRETIMET NË QARKULLIM TË TRAKTATIT ITALO-SHQIPTAR

December 19, 2022 by s p


Iliaz Bej Vrioni (1882 – 1932)
Iliaz Bej Vrioni (1882 – 1932)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Dhjetor 2022

“La Revue Diplomatique” ka botuar, të shtunën e 1 janarit 1927, në faqen n°7, intervistën me Iliaz bej Vrionin në Paris mbi interpretimet asokohe në qarkullim të traktatit italo-shqiptar, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Traktati i Tiranës

Deklarata të z. Ministër të Shqipërisë në Paris

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Firmosja e Konventës së Tiranës mes Shqipërisë dhe qeverisë italiane ka ngjallur kudo njëfarë emocioni. Disa shohin vënien nën kthetra të Republikës së vogël Ballkanike nga Italia. Disa njerëz që pretendojnë se janë të informuar mirë kanë arritur deri aty sa kanë folur për një protektorat italian mbi Shqipërinë.

Një gazetë amerikane i ka përmbledhur këto thashetheme në një seri artikujsh, të cilët “Le Matin” i ka përmbledhur për t’i përdorur për lexuesit francezë. Sipas autorit, marrëveshjet më të errëta i paraprinë nënshkrimit të konventës; presidenti i Republikës së Shqipërisë, vetë Shkëlqesia e Tij Ahmet Bej Zogu, nuk kursehet nga mendjemprehtësia e tij, më i etur për informacione të bujshme sesa për dokumente autentike.

Edhe pse të gjithë e kuptuan menjëherë pabesueshmërinë e këtyre historive, njëfarë shqetësimi megjithatë vazhdon në mendje të ndryshme. Dorëheqja e ministrit serb të Punëve të Jashtme, megjithatë, sugjeron se fqinji jugosllav, së paku, do të ishte mjaft i gatshëm të dyshonte për pafajësinë e qëllimeve të zotit Musolini. Në këto kushte, çfarë mund të konkludojmë ?

Për të informuar lexuesit tanë, menduam se do të ishte mirë të pyesnim përfaqësuesin e Republikës Shqiptare në Paris për mendimin e tij të zyrtar mbi interpretimet që qarkullojnë mbi Traktatin e Tiranës. Shkëlqesia e tij, Iliaz Vrioni na priti menjëherë në legatë në rrugën de la Pompe me mirësjelljen e zakonshme dhe atë humor lozonjar që josh menjëherë bashkëbiseduesin. Dhe këtu është pothuajse saktësisht përshkrimi i dialogut që u zhvillua :

— Shkëlqesi, është folur shumë për Traktatin e Tiranës. Supozimet më të jashtëzakonshme, siç e dini, kanë gjetur veshë të gatshëm. Çfarë nuk tha Le Matin? Lexuesit tanë do të ishin të lumtur të mësonin nga goja juaj zyrtare se çfarë përfundimi mund të nxirret nga gjithë kjo zhurmë.

— Epo, asnjë. Dhe, me një buzëqeshje të vetëdijshme, Shkëlqesia e Tij Vrioni shton : Ju kujtohet ky film që disa vite më parë bëri bujë në të gjithë Nju Jorkun dhe në të gjithë Parisin. Quhej, nëse më kujtohet mirë, Misteret e Nju Jorkut. Në të vërtetë, besoj se është një vazhdim i paprecedentë i këtij filmi që gazeta amerikane dhe Le Matin donin të na jepnin. Nuk ka asnjë fjalë, as hijen e një fjale, të vërtetë në gjithë këto thashetheme. Traktati i Tiranës nuk është gjë tjetër veçse një konventë e thjeshtë miqësie, ashtu si shumë prej tyre janë nënshkruar prej disa kohësh. Ajo vjen nga fryma e Lokarnos. Ne jemi një popull i vogël paqësor, por xhelozë për pavarësinë tonë. Nuk do të pranojmë kurrë të tjetërsojmë pjesën më të vogël të saj. Për më tepër, Traktati i Tiranës është i pari i një serie. Jemi shumë pranë nënshkrimit të konventave të ngjashme me të gjithë ata fqinjë tanë që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

— A është e vërtetë që Anglia fillimisht kishte një pikëpamje shumë të zbehtë për negociatat në zhvillim dhe se vetëm pas intervistës në Livorno ajo dha pëlqimin e saj për bisedimet ?

— Prapë imagjinatë. Në kohën e nënshkrimit të traktatit kam qenë pikërisht në atdheun tim. Ju siguroj se as pas dhe as para Livornos Anglia nuk shfaqi ankthin më të vogël për negociatat tona me Italinë. Me siguri do ta kisha ditur pasi jam akredituar në Londër në të njëjtën kohë si në Paris.

Përveç kësaj, vërtet nuk e kuptoj pse Anglia do të fyhej nga qëllimet tona. A nuk është Traktati i Tiranës një vazhdim logjik i politikës së Lokarnos dhe Thoiry-t? Si mund të fyhen z. Chamberlain dhe z. Briand kur na shohin ne praktikojmë këtë politikë të gjerë paqeje, interpretuesit e shquar të së cilës ata janë ?

— Megjithatë, fqinjët tuaj jugosllavë duket se janë shumë të shqetësuar për marrëveshjen tuaj me Italinë. Ata shohin ndikimin e Italisë mbi Shqipërinë. A nuk kanë druajtjet e tyre njëfarë pamjeje të besueshme, të paktën nga pikëpamja ekonomike ?

— Ju siguroj se asgjë, absolutisht asgjë nuk i justifikon këto druajtje, ne jemi të gatshëm të lidhim me fqinjët tanë jugosllavë një marrëveshje të ngjashme me atë të Tiranës. Vendi ynë ka shumë pasuri të pashfrytëzuara. Për t’i zhvilluar ato duhet t’i drejtohemi mbështetjes dhe mbi të gjitha kapitalit të huaj. Nuk është faji ynë që Italia na ofron kushtet më të mira. Ne gjithmonë shkojmë drejt interesit tonë. Kush mund të na fajësojë, me të drejtë? Nuk përjashtojmë askënd. Jugosllavia gjithashtu ka marrë koncesione, miniera bakri.

— A nuk u keni bërë apel eskpertëve të huaj ?

— Në një mënyrë metodike, jo. Por ne kemi disa oficerë të xhandarmërisë angleze dhe veçanërisht mësues francezë që kanë organizuar dy shkolla të mesme, njëra në Korçë dhe tjetra në Gjirokastër. Këto institucione funksionojnë shumë mirë dhe ju tregojnë se sa rëndësi i kushtojmë përhapjes së ndikimit intelektual të Francës mes nesh.

— Një pyetje të fundit, zoti ministër. Janë përhapur edhe thashethemet për një rikthim monarkik të afërt në Shqipëri. Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij Ahmed Bej Zogu, i është besuar synimi për ta shpallur veten Mbret të Shqipërisë. Çfarë mendoni për këtë zhurmë ?

— Është një zhurmë krejtësisht absurde. Mund t’i jepni asaj mohimin më formal dhe të plotë.

— Dhe e njëjta gjë, pa dyshim, me projektin e martesës italiane ?

— Pa asnjë dyshim. Ka njerëz, mes atyre që janë të interesuar për ne, që kanë vërtet shumë imagjinatë.

Dhe intervista përfundon me këto fjalë të fundit, të thëna nga Shkëlqesia e Tij Iliaz Vrioni me një buzëqeshje të imët ironike.

L. S.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Si u eleminua shtresa e mesme dhe të pasurit

December 16, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Pak muaj pas ardhjes në pushtet Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar miratoi ligjin nr. 37 datë 13 janar 1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës”. Në bazë të këtij ligji, fitimet e të gjithë shtresës së mesme dhe të pasur, të realizuara prej 7 prillit 1939 deri më 31 dhjetor 1944 ishin subjekt i një tatimi të ri. Ai llogaritej për fitimet mbi 500.000 franga shqiptare me tarifë progresive të shkallëzuar, e cila lëvizte nga një minimum 45% – 80 %.

Në vitin 1945 të ardhurat nga tatimi i jashtëzakonshëm për fitimet e luftës siguruan më shumë se gjysmën e buxhetit të shtetit. Kjo e detyrojë borgjezinë tregtare dhe industriale të kohës, që nën presionin e regjimit komunist; kërcënimit me burg dhe ekzekutimit, të përdorte një pjesë të arit që kishte akumuluar me dekada. Një veprim i tillë goditi në mënyrë drastike shtresën e mesme dhe të pasur, duke rritur rezervat për arkën e shtetit. Ky ishte një precedent i rrallë në histori se si një qeveri gjysmën e buxhetit të saj e siguronte nga grabitja me ligj.

Për vërtetimin e fitimeve dhe caktimin e tatimit, pranë Komiteteve Ekzekutive të Këshillave Nacionalçlirimtarë të prefekturave dhe nënprefekturave u krijuan komisione të posaçme, ku bënin pjesë përfaqësues të pushtetit, të ushtrisë, të organizatave të masave dhe ndonjë specialist. Pavarësisht asaj që propagandohej në atë periudhë, disa vite më pas, autoritetet zyrtare të shtetit komunist do ta pranojnë se qëllimi i këtij ligji ishte eleminimi i shtresës së mesme dhe të pasurve. Sipas tyre, “Lufta e vendosur e organeve të diktaturës së proletariatit, e mbështetur me të gjitha forcat nga masat e popullit, bëri që kjo masë të realizohej me sukses, duke goditur rëndë pozitat ekonomike të borgjezisë”.

Për shkak të këtij ligji, organet policore dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi, torturoi, burgosi dhe ekzekutoi një numër të konsiderueshëm tregtarësh, me të vetmen arsye, se me punën dhe djersën e tyre kishin vendosur kapital. Në kuadër të kësaj fushate nga populli u konfiskua afërsisht 3 ton arë.

Fryma kundër shtresës së mesme, edhe sot e ka origjinën në “subkoshiencën” këtyre viteve.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT