• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PATËR LEKË LULI, ATDHETARI E FETARI NACIONALIST, I VRARË PABESISHT E MIZORISHT NGA KOMUNISTËT

July 23, 2022 by s p

(Në vëmendje 78 vjetori i vrasjes) 

NGA  NDUE  BACAJ    

C:\Users\user\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.MSO\202EEDE3.tmp

Foto e Pater Lekë Lulit

Malësia e Madhe ka qënë përherë “çerdhja” e patriotizmit  shqiptar ku lindën e u rriten atdhetarë e fetarë, që nuk kursyen as jetën për lirinë, të drejtat njerzore, zakonore dhe trojet etnike shqiptare. Në Malësi të Madhe ndër mote e shekuj, lindën dhe u rriten edhe simbole kombëtare të binomit jetdhënës Fe dhe atdhe. Një ndër simbolet e shquara të binomit Fe dhe Atdhe është edhe nacionalisti kastratas Patër Lekë Luli , i vrarë pabesisht e mizorisht nga komunistët e pa fe e pa atdhe me 16 korrik 1944… 

J E T S H K R I M I :

Patër Lekë Luli ka lindur në Katund të Kastratit të Malësisë së Madhe me 8 mars 1908 , me nanë Lenen dhe babë  Lul Markun (fisi Vulaj). Familja e Lul  Markut do të zbriste heret në qytetin e Shkodrës, para krijimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile (1929-1930) nga mbretëria e Shqiptare. Kjo familje kastratase figuron në regjistrin e gjendjes civile në Shkodër që në vitin 1930.1. Patër Lekë Luli qysh i vogël do të regjistrohej në Kolegjin Franceskan në Shkodër , ku kryen arsimin fillor dhe  atë të mesëm , ndersa në Troshan bënë noviciaten. Arsimimin e lartë për teologji e kryen në kolegjin e Shna Ndout në Romë-Itali. Në vitin 1935 shugurohet  meshtar. Meshen e parë e thotë me 28 dhjetor 1935.  Pas kthimit të tij në Shqiperi Patër Lekë Luli punon në gjimnazin “Illiricum”, si docent në gjimnaz  dhe Drejtor i Shoqërisë Antoniane të Shkodrës me 1938-1939.(Shoqeria Antoniane u krijua me nismen e Patër Ambroz Marlaskaj i cili ishte Drejtor i urdhërit tretë. Kishte si qellim ti jepte  djelmënisë shkodrane  mjete e lehtësinë , në edukimin moral e fetar). Patër Lekë Luli shumë shpejtë do të bëhej një person i njohur e dëgjuar per Shkodren , Malësinë e më gjërë , veçanarisht pë atdhetari e gojtari. Me rastin e 25 vjetorit të  shpalljes së pavarësisë (nentor 1937), në Shkodër do të  organizohej një miting madhështor , ku me këtë rast u mbjaten disa fjalime, si ai i kryetarit të bashkisë Ndoc  Çoba, Ymer Ruzhdia , Nush Topalli dhe Patër Lekë Luli. Tre të parët  fjalimet i kishin të shkruara në letër , ndersa Patër Leka si orator që ishte foli pa letër , duke u brohoritë e duartrokitë më shumë se asnjë nga ata që folen në këtë miting. Ai kishte qenë edhe inisiator për ngritjen e një monumenti , per dëshmorët e Shkodrës , vepër të cilës ju futen themelet , por që nuk u realizua per arësye të pushtimit fashist të Shqipërisë.2.  

Ashtu si dhe shumica e popullit shqiptar , edhe françeskanët  të edukuar dhe ushqyer me idealin Fe-Atdhe , nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë nga Italia… Madje drejtuesit e shkollës kishin rezerva dhe kundërshtuan  që në programet shkollore të futej lënda e edukates fashiste. Per këtë arësye qeveria e asaj kohe (qeveria fashiste e Shqiperisë N.B.) , për vitin 1939-1940 e mbylli gjimnazin Françeskan . Patër Gjon Shllaku , Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , ishin ata që demaskuan më me forcë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe propoganduan si në mënyrë individuale ashtu edhe në predikimet e tyre, që rinia të mos aderonte në Partinë Fashiste. Patër Gjon  Shllaku kishte arritur të shtinte në dorë një matrial sekret, ku paraqitej pergatitja e pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia. Ai vë në dijeni Patër Athanasin dhe Patër lekë Lulin , ku Patër Leka merr përsipër  ruajtjen e këtij dokumenti. Pushtetarët fashist të informuar për këtë , urdhëruan arrestimin e tyre. Arritën të burgosin vetëm Patër Gjon Shllakun , ndërsa Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , arriten të ikin në Jugosllavi…3. 

Patër Lekë Luli qendron në Jugosllavi gati një vit , deri në pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania.  Kthehet në Shqiperi  së bashku me Abaz Kupin , dy vëllezrit Kryeziu dhe majorin anglez Hill dhe rreth treqind nacionalist  dhe zogist të ikur në Jugosllavi.  Me daten 5 prill 1941 në prani të treqind malësorëve  në Bogë të Malësisë së Madhe ngrejnë flamurin shqiptar. Patë Lekë Luli , me oratorinë e tij të jashtëzakonshme mban një fjalim shumë të bukur atdhetar…4.  

Patër Lekë Luli shfaqte haptas pikpamjet e tij antifashiste. Për këtë burimet informative italiane e  perkufizonin edhe si “frat revolucionar”. 

Pater Lekë Luli i kishte dorzuar Legatës Angleze në Beograd një perkujtesë  në janar 1941  , që perfaqësonte një akuzë të drejtperdrejtë kundër agresionit Italian në Shqipëri..5.  Ngajarjet do  të rrokolliseshin në mënyrë të tillë që Patër Lekë Luli të arrestohet nga fashistët dhe të internohet në krahinën e Toskanës në Itali. Edhe  në internim ai nuk reshti së shfaquri ndjenjat e tij patriotike. Në internim Patër Lekë Lulit i takon një “ditë” të zevendësojnë famulltarin e e asaj zone , dhe kur një vajzë italiane shkonë për t’u rrëfye , ajo gjatë rrëfimit i tregon Patër Lekës për një mëkat që kishte bërë. Ndëkohë vajza tregon pendesë dhe i kerkon ndihmë Patër Lekë Lulit per ta shlyer mëkatin. Patër Lekë Luli i thotë vajzës ke për të thënë tre herë në ditë fjalët: “Viva l’Albania” (Rroftë Shqipëria).6.  Mbasi kryen denimin e internimit kthehet në Shqipëri dhe drejtohet për në shtabin e Legalitetit. Atje (në mal ,N.B.) qëndron pranë Abaz Kupit dhe kryen funksionin e sekretarit të OKLL (Organizatës Kombëtare të Lëvizjes Legalitetit), duke mos hequr asnjëherë petkun e fratit dhe gjithmonë duke u udhëhequr nga ideali “Fe – Atdhe”.7.  Patër lekë Luli ishte ndër të paktit meshtar që kishte perkrahur krahun zogist së bashku me Imzot Nikollë Deden e ndonjë tjetër , në kundershtim me shumicën më të madhe të klerikëve , që i perkisnin “Ballit Kombëtar”….

Pater Lekë Luli si nacionalist e antifashist i klasit parë do të velrsohej edhe nga  delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar në takimin e zhvilluar me 26 korrik 1943 në Tapizë të Tiranës , në shtepinë e Ihsan Toptanit , ku u vendos  që edhe Patër Lekë Luli të pranohet si konsulentnë. Takimin kishte karakter pergatitor  per konferencen e Mukjes… Delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar perbehej nga shumë figura pa dallime partiake , si  major Abaz Kupi , Dr. Ymer Dishnica, Myslim Peza , Mustafa Gjinishi, Mit’hat Frashëri , Faik Quku e Hasan Dostit…8.  Pater lekë Luli do të merrte pjesë në konferencen e Mukjes me 1-2 gusht 1943, me statusin e vezhguesit , me vote konsultative. Në konferencen e Mukjes merrnin pjesë figura të njohura të Ballit Kombëtar me në krye Av. Hasan Dostin , Mit’hat Frashërin, Prof. Isuf Luzaj e tjerë… Ndersa nga Këshilli i Pergjithshëm i Nac-Çl. Merrnin pjesë Abaz Kupi , Muslim Peza , Gogo Nushi , Dr. Ymer Dishnica e tjerë…9. Pas konferencës së Mukjes u bënë tubime e kuvende  sipas krahinave, ku lidhen besen per të luftuar kundër okupatorëve nga njëra anë dhe kundër rrezikut sllav nga ana tjetër. Tipike për këtë është kuvendi i Kalishtit… Ai u zhvillua prej  2 deri me 12 shkurt 1944 , nën kryesinë e Muharrem Bajraktarit .  Sipas dokumenteve gjermane .V.Mann , informon eprorët e vet në seksionin Dom Lc 297 Div.Inf., me 19 shkurt 1944, se është bërë bashkëtakimi i krerëve shqiptar në një konferencë në Kalisht, ku moren pjesë ;Muharrem Bajraktari , Haxhi Lleshi , Cen Elezi , Faik Shehu , Patër Lekë Luli e tjerë…Në konferencë muaren pjesë edhe tre officer anglezë. Këtu u vendos të luftohej bashkërisht kundër çetnikëve serbë , kundër okupatorëve gjermanë dhe qeverisë kuislinge. Një kuvend burrash pa dallim ideje , feje e krahine , një lidhje bese sin ë Mukje, e njohur nga aleatët…10.  

VRASJA MIZORE  E  PATËR LEKË LULIT NGA KOMUNISTËT… 

Patër Lekë Luli si nacionalist i klasit parë , si intelektual e zotrues i disa gjuhëve  europerendimore , i ngarkoheshin detyra të rendësishme nga Abaz Kupi dhe Levizja e Legalitetit , për të takuar e komunikuar me misionet antifashiste të aleatëve , siç ishte Misioni anglez në Shqipëri. Pikrisht në një mision të till, vritet pabesisht e mizorisht Patër Lekë Luli, vritet në Bytyç të Tropojës nga komunistet e spiunët e tyre me 16 korrik 1944. 

Batalioni komunist “Perlat Rexhepi” vrau dhe dogji në zjarr Atë Lekë Lulin…Ish komandanti i batalionit “Perlat  Rexhepi”, komunisti Rexhep Haka , në librin e tij per aktivitetin e këtij batalioni shkruan: “…Ne e kapëm spiunin Lekë Luli dhe e pushkatuam”. Ndersa sherbëtori i zellshëm i komunizmit Ragip Beqaj , në librin e tij me titull: ”Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar” e paraqet Patër Lekë Lulin me “fotografi” të veshur me petkun e meshtarit dhe me automatik në krah , si dhe shkruan: “Lekë Luli ishte perfaqësues i Demokristianes, pranë organizatës tradhtare të Legalitetit. Duke zbatuar vijën e dhënë nga Papa , kleri katolik krijoj lidhje të ngushta edhe me “Legalitetin”. Ashtu siç kishte krijuar më parë me “Ballin Kombëtar” dhe me “Indipendentët”. Me kerkesen e Abaz Kupit për një kordinim më të mirë të veprimeve, pranë shtabit të tij u emrua si perfaqësues i Klerit Katolik…”.11.  Ndersa ish drejtori i arkivës të Ministrisë së Brendëshme  , studiuesi e historian Kastriot Dervishi , duke u bazuar në dokumentet e kesaj arkive , dhe pershkrimin e partizanit kryesor vrasës të Patër Lekë Lulit , ndër të tjera shkruan: “Atë Leka udhëtoi nga Kastrati i Malësisë së Madhe në Tropojë për të marrë pjesë në një mbledhje të forcave politike. Komunistët si injorantë edhe në shpjegime, e justifikuan vrasjen sikur ndodhi nga shkaku se kleriku ishte “ndërlidhës midis gjermanëve dhe britanikëve” (!). Në fakt, vetëm komunistët mund të bëjnë aleatë gjermanët dhe britanikët në vitin 1944. Partizani vrasës kryesor, e ka përshkruar në këtë mënyrë krimin makabër:“Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ish dërguar nga armiku i popullit Abaz Kupi që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës, për të ndaluar forcat e ushtrisë NÇL, për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli u vu në zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë, shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga kleri reaksionar i Shkodrës për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.12. Një e dhënë interesante per vrasjen e Patër Lekë Lulit  e ka marrë Patër Zef  Pllumi nga nacionalisti e luftëtari i njohur i lirisë Nikë Sokoli. Nika ishte i informuar mirë  se djali i bajraktarit të Tropojës ishte komunist dhe bënte pjesë në batalionin “Perlat Rexhepi” . E mori persiper per ta çuar  Patër Lekë në misionin anglez , por u tregua i pabesë  dhe i urdhëroi dy shoqëruesit që ta vrisnin rrugës, dhe ata e zbatuan.  Abaz Kupi sa mori vesh këtë vrasje dhe tradhti , i pikëlluar e i indinjuar thellë, i dergon një mesazh shumë të ashpër Sali Manit  duke i thënë: “ Na preve në besë , o bajraktar dhe se do të pergjigjesh për këtë”.13. Vdekja (vrasja) e Patër Lekë  Lulit në Nekrologun e provinces shqiptare të Zojës Nunciatë pershkruhet: “Me 16 korrik 1944 ka vdekur , fra  Lekë Luli nga Kastrati , meshtar.  Qe varë nga një bandë partizanësh dhe aty qe varrosur  në një vend të panjohur.  Ishte predikatar i aftë , plot dashuri ndaj atdheut . Qe docent  në gjimnaz , drejtor i Shoqërisë  Antoniane të Shkodrës. Jetoi 36 vjet.14.  

PAK NGA DËNIMI I VËLLAIT TË  PATËR LEKË LULIT, PROF.  GJELOSH  LULIT   

Vlenë të kujtohet se pas ardhjen në pushtet të komunistëve, vëllai i Patër Lekës , prof. Gjelosh  Luli do të ishte një nga antarët e organizatës nacionaliste e antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Prof. Gjelosh Luli në tetor të vitit 1945 do të perkthente në frëngjisht memorandumin që përpiluan seminaristët në Shkodër, për t’ia dërguar misionit Anglo-Amerikan. Memorandumi përshkruante hollësisht situatën e vajtueshme kriminale-terroriste,  që kishin krijuar komunistët në Shqipëri.15.  Prof.Gjelosh Luli së bashku me antarët e tjerë të “Bashkimit Shqiptar”, do të arrestoheshin dhe me 19 shkurt 1946 fillon gjyqi ndaj antarëve të kesaj organizate nacionaliste. Për 11 antarë  të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, duke perfshirë edhe prof. Gjeloshin  , prokurori komunsit , kap.Aranit  Çela kerkonte dënimin me vdekje… Ndërsa gjykata ushtarake e kryesuar nga toger Mustafa Iljazi  në seancën e 17-të dhe të fundit të 22 shkurtit (1946) , e dënon prof. Gjelosh Lulin me burgim të përjetshëm.16.  

NË VEND TË  EPILOGUT:  

Në vend të epilogut mendova të citoj një poezi të publikuar në një trakt të vitit 1942, shpërndarë nga Balli Kombëtar gjatë Luftës dytë Botërore. Poezia (apo më shumë…) pershkohej nga  “nota” të forta patriotizmi, të shkruar nga nacionalisti simbol i binomit Fe dhe Atdhe Pater Lekë  Luli, kur ai ndodhej në mal me pushkë në krah kundër pushtuesve fashistë. Poezia titullohej “Zani i shqipes”… 

  ZANI  I  SHQIPES   

 Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u tjetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!…”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mbulue,

sa mos t’mundni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris me ja sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se ca poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash katër vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mirt, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ken n’konop, ken grijë n’batare,

Ken ndryj n’burg t’tjerë  n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerzt vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vegjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!…

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë

E mbi krye me i vu kunorë

Për mbrapshti, çi po veprueka,

Atme e shpi kur t’i zaptueka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushkën e lenje shpin,

Kapni pushkën e bashk me mue:

Kapni pushkën pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë për me librue!!!

S’asht nevoja për me pvetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’Shqipnis në dorë

Aty u pret ju…

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju fitoni,

Si fituen t’part tuej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italijanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija për rreth tij

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi shoit zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”…

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt anmikut

pa ju shmang kurrnji rrezikut

Si ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet, Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me hasm t’Kombit. për Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!…

Vetëm at herë pra n’shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jetë shue, e shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.17.  

REFERENCAT:  

1.E dhënë e marrur nga nipi i Pater Lekë Lulit , Sander Gjelosh Luli (Vrrini) me banim në Shkodër.

2.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9. 

3.Dëshmi  Namik Kruja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9,+At Zef Pllumi, Histori kurrë e shkrueme , fq.134, Tiranë 2006.

4.Dëshmi-Dr. Zyhdi Zekja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  

5.R. Maroco della Roca , Kombësia dhe feja në Shqipëri , fq.273 , Tiranë 1994.  

6.https://kujto.al/dokumenti-i-1942-pater-lek-luli-nje-vajze-italiane-thuaj-tre-here-viva-l’albania qe-te-te-falen-mekatet/ Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.    

7.Dëshmi -Namik Kruja , Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9, + At Zef  Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, fq.56, Ribotim 2006.

8.Uran Butka  MUKJA , Shans  i bashkimit , peng i tradhtisë , fq.25-26, sh.b.”Naim  Frashëri”, 1998.

9.Uran Butka, po aty , fq.2.

10.Uran Butka , po aty , fq.91-92.  

11.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.

12.Kastriot  Dervishi http://www.panorama.com.al/foto-si-komunistet-vrane-dhe-dogjen-at-leke-lulin-ngjarja-e-tmerrshme-ne-pyllin-e-erret-te-valbones/.

13.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  

14.Urdhëri i Fretërve Minor , Nekrologu i provinces  shqiptare të Zojës  Nunciatë , nën kujdesin e fra Flavio  Cavalini mbi bazën e nekrologut  të fra Marjan Prelaj me qortime dhe shtesa  të fra Vinçenc  Malaj , fq.193 , Shkodër A.D.-MMI.  

15.Gjovalin  Zezaj, Gjenocid  mjesjetar në shekullin XX , -kronikë- fq.18, Shkodër 2007.  

16.Gjovalin Zezaj , po aty, fq. 50 dhe 54. 

17.https://kujto.al/dokumenti-i-1942…  Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

L’ÉCLAIR (1919) / LETRA E KOMANDANTIT FRANCEZ : “GREKËT DUHET TË KUPTOJNË SE EDHE SHQIPËRIA KA TË DREJTË TË EKZISTOJË…”

July 21, 2022 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Korrik 2022

“L’Éclair” ka botuar, të hënën e 15 shtatorit 1919, në faqen n°2, letrën e Felix Holtz, ish-komandantit francez të Batalionit të Parë të kombësorëve shqiptarë në Korçë, në lidhje me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë,  të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja e Shqipërisë

Një popull që pretendon të drejtën e tij për të ekzistuar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme nga komandanti Felix Holtz, ish-komandant i Batalionit të Parë të kombësorëve së shqiptarëve. Ne nxitojmë ta botojmë atë :

“Ndër çështjet që i interesojnë Gadishullit Ballkanik, është një që ende pak njihet, por që gjithsesi do të duhet të zgjidhet : bëhet fjalë për çështjen shqiptare.

Shqiptarët formojnë një grup etnik të përcaktuar në mënyrë perfekte dhe Konferenca e Londrës ka vendosur tashmë shumë qartë kufijtë e vendit : në veri, mirditorët dhe malsorët katolikë; në qendër, gegët myslimanë; në jug, toskët, që përbëjnë tre të katërtat e popullsisë ortodokse greke.

Por shqiptarët, qofshin katolikë, myslimanë apo ortodoksë, pretendojnë vetëm kombësinë shqiptare; gjuha e tyre është me origjinë latine; veshja dhe zakonet e tyre janë të veçanta.

Nëse deri më tani shqiptarët nuk janë dukur të kërkojnë energjikisht të drejtën e tyre për ekzistencë, kjo është sepse ata shpresojnë se pushtetet do të marrin parasysh të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe se ato do t’u lënë atyre autonominë e tyre.

Dikush mund të pyesë veten nëse shqiptarët janë të aftë të administrojnë veten; megjithatë, nën Princin Vidin, revolucioni shpërtheu pikërisht sepse në krye ishte vënë një i huaj, i cili nuk dinte të kuptonte mentalitetin e tyre. Por ata që kanë banuar në Shqipëri gjatë luftës e dinë se në të vetmen zonë të Korçës, të pushtuar nga trupat tona, shqiptarët, nën mbrojtjen tonë, kanë organizuar dhe administruar në mënyrë të përsosur punët e vendit të tyre, kanë krijuar shkolla kombëtare, kanë menaxhuar financat në në një mënyrë kaq të ndershme, saqë, të privuar nga 700.000 franga nga grekët të cilët u detyruan të largoheshin nga Korça, ata mundën, pas disa kohësh, të rimëkëmbnin kapitalin e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga pikëpamja ushtarake ata mundën, me ndihmën e disa oficerëve francezë, të organizonin një forcë policie dhe një batalion që kontribuoi në tërheqjen (largimin) e austriakëve dhe bullgarëve. Batalioni është cituar, për më tepër, në urdhërin e ushtrisë.

Ushtria trime shqiptare, duke përparuar në tokën shqiptare, përjetoi ndjenjat e alzasienit (banor në Alsace) që luftonte për Alsace-Lorraine; shumë të guximshëm, shumë luajalë, besnikë ndaj fjalës së tyre, ata e kanë vendosur besimin tek Franca. Ata e njohin atë si çliruesen e të gjitha kombeve të shtypura. Franca, duke u dhënë atyre ndihmën e forcës së saj morale, do t’u kthejë atyre ndihmën që i sollën trimërisë së oficerëve, dhe grekët, që në të kaluarën kishin nevojë për mbështetjen e Francës dhe aleatëve të saj për të patur të drejtën e tyre për të ekzistuar, duhet të kuptojnë, nëse udhëhiqen vetëm nga parimet e drejtësisë, se edhe Shqipëria ka të drejtë të jetojë.”

Komandanti FELIX HOLTZ

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

EPILOGU I BETEJËS QË JEHOI EDHE PËRTEJ BEOGRADIT

July 15, 2022 by s p

Bedri TAHIRI/

Një grusht luftëtarësh shqiptarë kundër 1200 ushtarëve serbë! Ministri serb dr. Milan Sershkiqi: Arbëria e Azem Galicës ka qenë shteti në shtet. Gazetat serbe “Vreme” dhe “Pravda”, edhe pse përhapen lajme të rreme, megjithatë dhanë ca informacione si dëshmi kohe…

* * * 

Epopeja e Arbërisë së Vogël qe një betejë, e cila jehoi deri në Beograd e më larg. Bilanci i të vrarëve qe i madh nga të dy palët luftuese. Numri i tyre nuk dihet saktë, por dëshmitarët pohojnë se ka pasur shumë. 

Serbët, për të mos rënë në sy, të vrarët që i bartnin me qerre, i ndanin: një grup shkonte për Mitrovicë, ndërsa grupi tjetër për Vushtrri. Dihet se të nesërmen në Mitrovicë janë varrosur me regjistër 85 veta (Shaban Rexha i Koshtovës, kryetar i atëhershëm në Zhabar, e kishte dëgjuar këtë shifër nga naçallniku i Zveçanit). Ky numër duhet të jetë edhe më i madh, kur dihet se shumë të vrarë kanë mbetur maleve e përrenjve (janë gjetur më vonë) e shumë të tjerë i kanë dërguar në Vushtrri. Kur i varrosën në Mitrovicë, me nderime të larta, u betuan se do të hakmerren kudo në Kosovë, në popullsinë e pafajshme e të pambrojtur.

Viktimat e “Arbërisë së Vogël” mbetën mbi dhe. Nuk lejonin të varroseshin, kinse pa ardhur ndonjë komision i jashtëm. Në verë, në atë vapë të madhe, ato filluan të prisheshin. Fryheshin dhe pëlcitnin siç ndodhi me kufomën e Nezir Zeqirit. Pas disa ditësh burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, erdhën dhe i varrosën. Disa i varrosën aty ku gjendeshin, në ara, male e livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosën në varre të përbashkëta, nga tre-katër e pesë në një vend.

Të plagosurit fshehurazi janë mjekuar nëpër shokë e nëpër miq. Tri fshatrat e “Arbërisë së Vogël” u shkretuan. Mbi to për disa ditë rresht ka qëndruar një mjegull e dendur nga tymi dhe shkrumbi që lirohej nga gjërat e djegura. Për disa vjet rresht toka mbeti djerrinë, në të cilën kullotnin bagëti e fshatrave tjera. Njerëzit e paktë që i kishin shpëtuar kësaj ploje u strehuan në fshatrat e tjera, ku qëndruan një kohë bukur të gjatë.

Beteja e “Arbërisë së Vogël”, që më vonë u quajt Lufta e Galicës, apo Epopeja e Arbërisë së Vogël, pati jehonë të madhe. Lajmi për të u përhap kudo. Ajo u vlerësua dhe u komentua në mënyra të ndryshme. Pos gazetave dhe komenteve të ndryshme në mjetet e informimit për këtë ngjarje u diskutua edhe në Kuvendin Popullor të Jugosllavisë monarkiste. Në mbledhjen e parë, që u mbajt në muajin korrik 1924, fill pas betejës, për rrjedhën e asaj lufte Parlamentin e informoi ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë borgjeze serbe, dr. Milan Sershkiqi. Ai, duke e përpjekur të arsyetonte atë veprim masakrues, pos tjerash tha:

“Azem Bejta me kullën e tij dhe me fshatrat përreth ka qenë shteti në shtet. Ajo ka qenë një krahinë e pamposhtur në shtetin tonë… kjo ka qenë turp dhe një provë e dobësisë dhe paaftësisë së shtetit tonë që të durojë një shtet në shtetin tonë. Azem Bejta ka mbajtur lidhje me Komitetin e Kosovës në Shqipëri. Kulla e tij ka qenë strumbullar i propagandës kaçake, e cila ka kushtuar një mori jetërash të qytetarëve, xhandarëve e ushtarëve tanë… Kurrë, zotëri, që nga çlirimi e deri para pak ditësh nuk ka shkelur këmba e organeve tona në atë terren”.

Pastaj në mënyrë tendencioze e shpjegon rrjedhën e ngjarjeve të ditës kritike. Sipas tij, në fillim, i kanë ftuar që të dorëzohen ose të paktën të nxirren jashtë gratë, pleqtë dhe fëmijët. “Kur ata nuk pranuan, kemi hyrë nëpër fshatra…Në fshatin Galicë na kanë sulmuar që në fillim duke na i vrarë 14 ushtarë serbë, sllovenë e kroatë… dhe midis tyre edhe një gjerman. Atëherë jemi detyruar të hapim zjarr nga të gjitha armët. Me “keqardhje” konstatoj se aty u vranë shumë njerëz nga zjarri i armëve artilerike, midis të cilëve edhe dy gra. Midis të vrarëve gjenden edhe 80 kaçakë, 10 prej tyre të shantazhuar”.

Këto të dhëna nuk përkonin askund me të vërtetën, por atij i duheshin për ta arsyetuar veprimin barbar, që e kishin ushtruar mbi banorët e pafajshëm të këtyre fshatrave duke e përdorur edhe ushtrinë. Edhe ndonjë kokë e arsyeshme serbe u distancua nga këto veprime shtazarake. Kështu një deputet serb u çua dhe u shpreh kështu: “Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk do të lejoja që organet e mia të vrasin gra e fëmijë e të djegin fshatra të qeta!”.

Kjo ngjarje pati jehonë edhe në shtypin serb. Gazeta “Vreme”, më 16 korrik 1924, pos tjerash shkruante: “… Lufta pati dimensione të mëdha, në të cilën u përleshën qindra kaçakë me njësi të shumta ushtarësh e xhandarësh… Në thirrjen e Zhupanit të madh tri çeta nga garnizoni i këtushëm me 4 topa mbrëmë kanë hyrë në Galicë… Me shpejtësi është reaguar me zjarr pushkësh e mitralozësh. Edhe katër topat të cilët koloneli Stojanoviq i pati me vete vepronin pa pushim”.

Gazeta tjetër “Pravda”, më 17 korrik të atij viti, shkruante: “Lufta me kaçakë, që u zhvillua dje pasdite në rrethin e Drenicës, me ashpërsinë dhe numrin e viktimave ua kalon të gjitha luftërave të deritashme me kaçakë. Lufta qe e gjatë dhe shumë e ashpër. Numri i viktimave arrin në 200… Fshatrat, në të cilat u zhvillua lufta janë shndërruar në grumbuj gurësh të shembur, nëpër të cilët spikasin trarë të copëtuar dhe kufoma të përgjakura e të masakruara. Nuk dihet a është vrarë Azem Bejtë Galica, apo ka shpëtuar…”.

Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulimet e shumta bëheshin me numrin e viktimave. Edhe organet kompetente të Mitrovicës dërguan në Beograd raporte me shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj këtyre dezinformatave reagoi Ferat Draga, i cili përmes klubit të tij protestoi deri te organet më të larta shtetërore. Ai shkruan se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët janë popullsi e pambrojtur.

Për viktimat e “Arbërisë së Vogël” dhe këtë masakër të paskrupullt të soldateskës serbe shkroi edhe gazeta “HAK”, më 23 korrik 1924, të cilën e citon edhe Limon Rushiti në librin “Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928”. Kjo i përgjigjet më për së afërmi së vërtetës kur shkruan se në të tri fshatrat e rrethuara u dogjën 120 shtëpi dhe u vranë 75 veta.

Të interesuar, të mësojmë numrin e saktë të viktimave dhe të shtëpive të djegura si dhe numrin e të plagosurve rëndë, dolëm në terren (gjatë viteve 1988-1995) dhe biseduam me dëshmitarët e gjallë të asaj dite dhe me anëtarët e familjeve të viktimave, të cilët në bazë të kujtimeve të trashëguara nga prindërit i mbanin mend emrat e tyre. Dhe, pas një pune bukur të gjatë, me ndihmën e shumë njerëzve, arritëm në këto rezultate: më 15 korrik 1924 në tri fshatrat e rrethuara u dogjën 100 shtëpi, u plagosën rëndë 26, ndërsa u vranë ose masakruan 82 veta. Nëse llogaritet edhe Azem Bejtë Galica, i cili vdiq më vonë (në natën midis 24 e 25 korrikut të vitit 1924) nga plagët që i mori në këtë betejë, na del numri 83, që e kalon shifrën e dhënë nga gazeta “HAK”.

Pra, epilogu i kësaj beteje ishte: Në Galicë (34 të vrarë e 17 të plagosur); në Lubovec (24 të vrarë e 4 të plagosur) dhe në Mikushnicë (23 të vrarë e 8 të plagosur).

PS: Kulla gjysmë e rrënuar dhe e djegur, është fotografuar ditën e betejës nga vetë serbët dhe është botuar të nesërmen, më 16 korrik 1924 në gazetën “Vreme”. Edhe arkivolet me serbë të vrarë është publikuar nga serbët.

Filed Under: Histori

NEUE FREIE PRESSE (1913) / INTERVISTA ME MUFID BEJ LIBOHOVËN, MINISTRIN E PUNËVE TË JASHTME TË SHQIPËRISË, NË LIDHJE ME DETYRAT URGJENTE TË QEVERISË SË TIJ

July 13, 2022 by s p


Mufid Bej Libohova (1876 – 1927)
Mufid Bej Libohova (1876 – 1927)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Korrik 2022

“La Dépêche Algérienne” ka botuar, të mërkurën e 17 shtatorit 1913, në ballinë, intervistën e Mufid Bej Libohovës dhënë asokohe gazetës austriake “Neue Freie Presse”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Projektet e Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 16 shtator.

Mufid Bej Libohova, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një artikull të botuar nga “Neue Freie Presse”, përmbledh detyrat më urgjente të qeverisë shqiptare.

E para, tha ai, do të jetë formimi i qeverisë për të zëvendësuar qeverinë e përkohshme.

Problemi i hekurudhave dhe i komunikimeve është aktualisht objekt i studimeve të thelluara. Linja e parë e ndërtuar ndoshta do të jetë ajo e Vlorës, Beratit, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, për të cilën tashmë është prezantuar një projekt austriak.

Z. Libohova më pas kritikon qëndrimin e Greqisë ndaj Shqipërisë. Ai beson se aleanca e Greqisë me shtetet sllave është e panatyrshme.

Në një të ardhme shumë të afërt, shton ai, Greqia do të ketë nevojë për miqësinë e Shqipërisë, e cila nuk do të ndjekë kurrë një politikë antibullgare.

Ministri thekson se Austro-Hungaria dhe Italia kanë një interes të madh që Shqipëria të jetë e fortë, domethënë të ketë një ushtri prej të paktën 100 mijë vetësh, detyra e të cilëve do të jetë, thotë ai, të parandalojnë valën sllave të arrijë në Adriatik.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

LE PETIT MARSEILLAIS (1913) / DETAJE MBI MIZORITË E USHTRISË SERBE TË KRYERA KUNDËR SHQIPTARËVE NË 1912

July 12, 2022 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Korrik 2022

“Le Petit Marseillais” ka botuar, të enjten e 2 janarit 1913, në ballinë, shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Mizoritë në Shqipëri

Korrespondenti i Daily Telegraph në Budapest thotë se ka marrë shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri. Ai jep një ekstrakt nga i cili ne riprodhojmë më poshtë pikat më të spikatura :

Në marshimin e tyre nëpër Shqipëri, drejt detit, thonë këto shënime, serbët nuk u mjaftuan me ekzekutimin e shqiptarëve të armatosur; mizoria e tyre e tmerrshme nuk i ka kursyer njerëzit e paarmatosur, të pambrojturit, pleqtë, gratë, fëmijët edhe foshnjat në gji. Oficerët serbë, të çmendur nga fitorja, deklaruan se pastrimi më i mirë i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Ky slogan u miratua shpejt dhe u zbatua në praktikë. Midis Kumanovës dhe Shkupit, u ekzekutuan tre mijë njerëz; afër Prishtinës, pesë mijë, ekskluzivisht arnautë (shqiptarë myslimanë), ranë nën goditjet e serbëve. Nuk ishte një betejë e nderuar, por vrasje të pajustifikueshme, për realizimin e së cilës ushtarët e tërbuar shpikën metoda të reja mizorie. Në disa fshatra u dogjën të gjitha shtëpitë dhe banorët e tyre, të cilët tentuan t’i shpëtonin flakëve, u qëlluan si minjtë, sapo u shfaqën në vrimat (në dalje). Burrat u qëlluan në sy të grave dhe fëmijëve të tyre dhe më pas këto gra u goditën me bajoneta, duke u përpjekur të mbronin fëmijët e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ekzekutimet ishin argëtimi i përditshëm i ushtarëve. Në çdo shtëpi ku u gjetën armë vriteshin të gjithë banorët, me plumba apo me varje. Në një ditë të vetme, pati tridhjetë e gjashtë ekzekutime. Një ish-sekretar i z. Pashiç, kryeministrit serb, z. Tomiç, një zotëri serbo-hungarez, tha se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë kishte parë vetëm fshatra të djegura, në të dy anët e rrugës. Skajet e kësaj rruge ishin të mbushura me shtylla në të cilat vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte një “rruga e shtyllave”.

Edhe gazetat që dalin në Beograd rrëfejnë mizoritë e kryera nga serbët. Thuhet se kur koloneli Ostoiç ka hyrë në Prizren, ka bërtitur : “Vritni!” dhe se sapo u dha ky urdhër, ushtarët e tij u vërsulën nëpër shtëpi dhe vranë gjithçka që u binte në dorë.

Një shkresë raporton faktin e tmerrshëm në vijim :

“Kushdo që u denoncohej serbëve si shqiptar, ishte i sigurt se do të vritej. Ndodhte shpesh që njerëzit që u kishin borxh shqiptarëve myslimanë i denonconin si tradhtarë. Pa ndryshim këta fatkeqë vareshin dhe informatorët ishin të autorizuar të blinin, me një çmim minimal, shtëpinë e kreditorit të tyre. Në Shkup, shqiptarë të paarmatosur u vranë në rrugë nga oficerët serbë. Nëse në një banesë gjendej qoftë dhe një thikë gjuetie, pronari pushkatohej. Nuk akordohej asnjë falje.”

Në Ferizaj, komandanti serb i kishte ftuar të arratisurit që të ktheheshin dhe të dorëzonin armët. Pasi u çarmatosën, katërqind prej tyre u pushkatuan. Në këtë qytet mbetën të gjalla pothuajse një gjysmë duzine familjesh myslimane. Në Pana serbët vranë të burgosurit e tyre, ndërsa në Varosh dhe në Prishtinë popullsia me plot fjalën u shkatërrua.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT