• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949

March 25, 2022 by s p

Instituti i Studimeve Historike/

“Lumo Skendo”Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hati. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi biblotekën “Lumo Skëndo” dhe mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombtar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç, madje puna e parë ishte për Skënderbeun.Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik, ku themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908). Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongesit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe. Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit( 1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues. Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi ejetës dhe monument i kulturës shqiptare(1897-1929). Veprimtar i shquar i Pavarësisë. Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit( tetor 1912) ku u vendos te shpallej Pavarësia e Shqpërisë. Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë dhe mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare dhe anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme. Në vitin 1914 ministër në qeverinë e Princ Vidit. Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veptat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”, “Hidhe shpuzë”, “Popullsia e Epirit”, “Pritmi i Shqipërisë”, si edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise” ku propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare. Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania. Ministër pa protofol ne qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë. Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919-një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frëngjisht si “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”, si edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaloiteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës. Gjithashtu, i dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike, që ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit. Kryetari delegacionit shqiptar në Konferemncën e Paqes në Paris (1920-1922) dhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare. Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku u shqua për regullimin e marëdhenieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi(1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë. Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij, pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”. Në vitet 1925-1939 u mor me punë kulturore dhe studimore, themeloi librarinë “Lumo Skendo në Tiranë” dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huajnë Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit””, “Bibliografitë” etj Më 8 prill 1939 hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare, 1939. Në vitin 1942 publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale. Gjatë Luftës së Parë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kunder pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndermjet shqiptarëve. Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes per një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945) dhe u përball me terrorizmin komunist. Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demoktatike me ndihmen e vendeve Perëndimore. Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës”Flamuri”). Ne vitin 1949 Mid’hat Frashëri në bashkepunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi ne Francë më 26 gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare ne emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisënga diktarura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratiksipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC në Londër shpalli programin e Komitetit, 6.09.1949. Komiteti Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë. Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak. Mendohet se vdekja e M.Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendit te qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashëtin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme). Vdekja e Mid’hat Frasherit ishte një humbje e madhe per Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquar të Europës në atë kohë.

Filed Under: Histori

111 VJETORI I FILLIMIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE KUNDËR PERANDORISË TURKE-OSMANE

March 24, 2022 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Si sot 111 vite më parë , me 24 mars 1911 në trojet e Malesisë Madhe filloi të rilindë drita e diellit të lirisë dhe flamurit të Gjergj Kastriotit , dritë që lengonte nën erresiren turko-osmane rreth 432 vjeçare. Në ato ditë të stuhishme mendja, zemra dhe shpirti i shqiptarisë ishte drejtuar , në Rapsh të Hotit, në zemren e Malesisë, në votren e zjarreve të pashuar te atdhedashurise , në çerdhen e lirisë , në strehen e flamurit të Arberisë.. Këtu në keto troje ku e kishte folenë shqipja me zogjte e saj. Ketu në keto hapsira toksore e qiellore të tejngopura me sakrifica , lotë e gjakë . Ketu ku mbiu kushtrimi e u rrite liria, ketu u ruajt edhe besa ,bujaria , urtia e trimeria , ketu mbiu e mori jetë edhe ënderra europiane qe sot po mundohemi të guxojmë ta shohim zhgjandërr… Ketu historia është e “gjallë”, këtu nuk u shua kurrë “drita” e vepres Skenderbegëjane , dhe porosia e Gjon Lulit-Dedvukaj ,(babes së Dedes): “Se as drita nuk shkelqen dhe as dielli nuk ngrohë në keto troje deri sa të sundoi turku apo shkjau..”. Ketu e kishte fillimin dhe kushtrimin kryengritja antiosmane më e madhe dhe më e lavdishme e Malesisë Madhe me aleatet e saj Shkodren, Nënshkodren, Dukagjinin , Mirditen e më gjërë. Ketu me 24 MARS 1911 prijësi trim e i urtë i atdhetarisë Ded Gjon Luli së bashku me trimat Kolë Marash Vata , Zef Lani , Gjon Pllumi , Pjeter Vogli , Prelë Nika , Lucë Nikë Shabi , Prelë Keri ,Tomë Llesh Dragu ,Vatë Gjon Gojçaj ,Gjelosh Gjokë Mihaj , Gjokë Kolë Shabi , Zef Marash Dojani , Vuksan Lekë Alia , Nikë Gjelosh Luli , Dedë Elez Shabaj , Preç Lulash Lekaj ,Tomë Dedë Gjo’Nishi , Gjon Ujkë Miculi , Prekë Gjeto Marku ,Prekë Gjeto Deda , Lukë Nikë Pllumi , e tjer burra të Hotit e Malesisë , do të mësynin si duhi mali , dy çibanet turke që rendonin mbi keto troje ; posten e Grykes së Leqes dhe posten e Çemerrit , dhe njekohesisht me ketë sulm do të merrte flakë kryengritja heroike e Malesisë , që do të trondiste Stambollin dhe do të mahniste Europen me guximin e trimërinë e malësorve per tu matur me perandorinë turko-osmane para së ciles ndër shekuj ishte dridhur vet Europa…. Ketë ditë të stuhishme të fillimit të kryengritjes antiosmane poeti kombetare At Gjergj Fishta (në “Lahutën e Malcisë) do ta perjetsonte me vargjet plot pathos atdhetarie:“Ded Gjon Luli , si iu lut ZotitSot prej nadjet ,pa zbardh drita ,Me njëzetë djem ,po njezet petrita ,Synin gacë ,zemren duhi ,N’shtatë “mauxerre e në nji allti”M’asqer Mbretit ka sulmue ,N’dy kausha kta ngujue ,T’njehun rrafsh gjashtedhjetë nizamëFusha e Rapshes se ç’ka marrë gjamë..” Kryengritja antiosmane zgjati plot 133 ditë (24 mars-04 gusht 1911) , duke shkruar faqe të reja të lavdishme në historinë e Malesisë e Shqipërisë, ku per Shqiperinë e lirë e Flamurin kombetar dhanë jeten qindra deshmorë , ku si gjithnjë në vend të parë qendron Hoti ,pa mbetur prapa Gruda ,Kelmendi . Kastrati ,Shkreli, Trieshi e gjithë Malesia, por edhe Dukagjini e më gjërë. Gjatë kesaj kohe plot afsh atdhetarie malesoret kryengrites zhvilluan dhjetra beteja nga më heroiket… Por kulmi i kesaj kryengritje arrinë me 6 prill 1911 kur malësorët kryengritës ngriten Flamuri kombetarë në Deçiq (Bratilë) pas 432 viteve erresirë turke-osmane. Nga Deçiqi, do të niste udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) flamuri kombëtar , i cili si flaka olimpike udhetoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin , se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Ketu filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqipërisë memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 28 nentor 1912.. Gjatë ketij udhetimi “Epik” memorandumi i autonomisë i ngjante një kënge majakrahu me “nota” kushtrimi… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative), Në ketë kujtesë të vogel para vepres së madhe të kryengritësve malësore nuk po munden pa ju permendë emrat disa korifenjëve të kesaj kryengritje si : Dedë Gjon Luli, Sokol Baci , Palok Traboini, Dedë Nikë Bajraktari, Tomë Zoli , Kolë Zefi , Zef Miliq Lulgjuraj , Marash Uci , Markë Gjeka , Pjeter Nikë Daku, Maço Grishi , Lulash Zeka , Zef Peri , Prelë Kolë Shyti , Tomë Nikoll Hasani , Palokë Traboini , Gjeto Marku , Pjeter Gjokë Toshi , Lucë Prelë Nishku , Dodë Preçi , Gjelosh Gjoka , Dedë Gjon Ujka , Gjelosh Doka ,Tomë Nika , Vatë Marashi , Martin Preka , Dok Lani , Kol Kurti , Mirash Luca , Pjetër Zeku, Dedush Marashi , Gjeto Daka , Lukë Marku , Kolë Gjon Leci , Lucë Gjeloshi, Dasha Nika , Smajl Mustafa , Deli Meta , Sokol Mali , Gjon Nikë Plluci , Islam Makalushi , Pretash Zek Ulaj , Dedë Prelë Marashaj , Zenel Shabani , Lucë Mark Gjeloshi , Fran Pali , Gjon Uc Bajraktari , Mirash Pali ,Nikë Zeka ,Bec Tahiri , Gjelosh Toma (Bëkaj), Dul Gjelosh Palushaj , Gala Smajli , Nikollë Ivanaj, Gilë Dosh Margilaj , Marash Mark Gjeloshaj , Istref Alija, Nikoll Mirash Gjokaj , Kole Maci , Lek Ivani-Bekaj , Lekë Shaba –Gojcaj , Dyl Sokol Bajraktari , Lul Rapuka , Llesh Gjergji , e deri te zanat malesore Tringë Smajlja, Nore Kolja , Mitare Lucja etjerë etjera… Per kryengritjen e Malesisë së Madhe që i parapriu shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë, gazeta më e madhe britanike “The Times” e dates 21 korrik 1911 do të shkruante : “..Kur të shkruhet historia e kohës sonë , lufta e Malësorve shqiptarë do të kujtohet si një nga epopet më të shkelqyeshme të luftes moderne..” Nderë e lavdi të perjetëshme ,deshmorëve , martireve dhe veprimtarëve që u sakrifikuan per Flamurin e Lirinë e ketyre trojeve nga më shqiptaret dhe Europianet e Shqiperisë Etnike..(VOO: Per këtë kryengritje , në vitin 2016 kam botuar një monografi (modeste) me titull: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911”, ku jam perpjekuar të memorizoj këtë histori…Monografia është ribotuar me pak shtesa në vitin 2019).Malësi e Madhe, me 24 mars 2022

Filed Under: Histori

FILLIMI  I  LUFTËS  SË  DYTË  BOTËRORE

March 23, 2022 by s p

WINSTON  CHURCHILL  in  the  WHITE  HOUSE.

Nga  Qemal  Agaj. 

Çfarë  filloi në Shtator, 1939, si një konflikt lokal midis Gjermanisë Naziste dhe Polonisë, shpejt përfshiu gjithë botën.

Pak përpara se Lufta e Dytë Botërore të shpërthente, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, armiq midis tyre, befasuan opinionin botëror me të ashtuquajturin, ‘’Molotov – Ribentrop Pact’’

Sipas këtij pakti , i njohur zyrtarisht si, ‘’Traktati i Mos-Sulmimit,’’ firmosur  nga Ministrat e Jashtëm në 23 Gusht, 1939, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje, që për një periudhë prej dhjetë vjetësh, të mos ndërmerrnin sulm ushtarak ndaj njeri – tjetrit. 

Anglia dhe Franca, pas këtij pakti kuptuan se e vetmja forcë mbështetëëse për të përballuar agresionin Gjerman, Bashkimi Sovjetik, ishte tashmë asnjanjës. 

Si pjesë e protokollit sekret midis Gjermanëve dhe Sovjetikëve, ishte ndarja midis tyre e Polonisë, Rumanisë dhe Shteteve  Balltike. Por edhe kjo marrëveshje nuk zgjati shumë. Një javë më vonë Gjermania filloi pushtimin e Polonisë. Në 17 Shtator, Sovjetikët si kundërvenie marshuan ushtarakisht drejt Polonisë nga ana Lindore.

Pas pushtimeve pa rezistencë të Norvegjisë, dhe Danimarkës, në 9 Prill, 1940, një muaj më vonë, në 10 Maj, forcat Gjermane mashuan në territoret Belge dhe Hollandeze. Katër ditë më vonë, 14 Qershor, Parisi dhe veriu i Francës  lehtësisht ra ndën kontrollin e Gjermanisë.

Pas kësaj Hitleri e vëmendjen drejtë Britanisë, e cila kishte një avantazh mbrojtjeje, kanalin që ndante dy shtetet. Winston Churchill u zgjodh Kryeministër i Anglisë në 10 Maj, 1940. Për koincidencë, ofensiva Gjermane në Vendet e ulëta dhe drejtë Francës filloi po në këtë ditë.

Kryeministri i porsa zgjedhur foli përpara ‘’The House of Commons’’ për herë të parë tre ditë më vonë, në 13 Maj, për njoftimin e administratës së re, duke thënë midis të tjerash: 

‘’Unë po i them Parlamentit , ashtu siç u thashë atyre që u bashkuan në këtë Qeveri, unë nuk kam se çfarë t’ju ofroj veç, punë të rëndë, gjak, lot dhe mundime.Ne kemi përpara provën më të hidhur. Ne kemi përpara nesh shumë, shumë muaj të gjatë betejash dhe vuajtjesh. Ju do të pyesni, cila është vija jonë politike? Unë do të them:Është një luftë e gjerë, nga deti, toka dhe ajri. Ne do të luftojmë me të gjitha mundësitë dhe me fuqinë që Zoti na jep, kundër kësaj tiranie monstruoze. Ne kurrë nuk do të biem në errësirën vajtuese të krimeve njerëzore. Kjo është politika jonë. Ju do të pyesni, cili është qëllimi ynë? Unë mund të përgjigjem me një fjalë. Është fitore, fitore me çdo kusht, fitore pa marrë parasysh gjithë terrorin , fitore pavarësisht sa e gjatë dhe e vështirë kjo rrugë mund të jetë, nëqoftëse është nevoja prej vitesh,nëqoftëse është e nevojshme edhe vetëm.

Pas rënies së Francës ndën pushtimin Gjerman, bombardimeve të Londrës dhe qyteteve të tjera industriale të Britanisë nga aviacioni Gjerman, Çurçilli me dëshpërim e shihte angazhimin amerikan në luftë si të vetmin shpëtim. Ndërkohë Presidenti Amerikan Franklin D. Roosevelt me vëmendje dhe në qetësi ndiqte çdo lëvizje.

Çdo gjë ndryshoi në 7 Dhjetor, 1941. Në këtë ditë, Baza Ushtarake Amerikane në Pearl Harbor, Hawai u bë skena e një sulmi sa të papritur, aq dhe me pasoja shkatërruese. Ishte e Dielë, pak përpara orës tetë të mëngjesit. Brenda dy orësh, në dy sulme 45 minuta larg njeri – tjetrit nga aviacioni Japones, forcat ushtarake Amerikane pësuan humbjen më të madhe në historinë e tyre. Nga tetë anije lufte, vetëm dy mundën të riparoheshin. Dolën jashtë pune 188 aeroplanë, më shumë se 2300 amerikanë gjetën vdekjen dhe 1300 u plagosën.

Një ditë pas sulmit, Presidenti Rusvelt i kërkoi Kongresit të deklaroj luftë Japonisë duke thënë:                               ‘’Nuk ka rëndësi sa kohë do të duhet për të mposhtur këtë sulm të planifikuar. Populli amerikan në të drejtën e tij do të shkoj në fitore absolute. Unë besoj se shpreh vullnetin e Kongresit dhe të popullit kur deklaroj se jo vetëm ne do të mbrojmë vehten tonë deri në shkallën më të lartë, por do t’a bëjmë të qartë që kjo tradhëti kurrë nuk do të na rrezikoj.’’

Fjala e WINSTON CHURCHILL përpara  SENATIT  dhe KONGRESIT AMERIKAN,  26 Dhjetor, 1941.

Përpara se Amerika të hynte në luftë, të dy udhëheqësit kishin shkëmbyer letra dhe biseda telefonike. Atë ditë, 8 Dhjetor, 1941, Presidenti Rusvelt me një telegram njofton Çurçillin: Sot të gjithë ne jemi në të njejtën anije…është një anije që nuk mund të fundoset dhe nuk do të fundoset.’’

Gjashtë ditë më vonë, 13 Dhjetor me anijen luftarake, Duke of York merr udhëtimin 10 ditor përmes Atlantikut drejt brigjeve të Amerikës. Në 26 Djetor Çurçilli foli përpara Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe në kuadrin e koalicionit të tre, Engllish Speaking Countries, që u quajt, ‘’Pakti i Atlantikut ‘’ në 30 Dhjetor, foli dhe në Parlamentin Kanades, në Otava.

__________’’Anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SH.B.A.

Ndihem tepër i nderuar që ju më ftuat në sallën e Senatit dhe t’ju drejtohem të dy degëve të Kongresit.                                  Fakti që paraardhësit e mi kanë luajtur pjesën e tyre në jetën e SH.B. dhe ja ku jam, një Britanik i mirëpritur në mes jush,  e bën këtë eksperiencë një nga më emocionueset në jetën time, që tashmë është e gjatë dhe nuk ka qën plotësisht pa ngjarje eksituese. 

Mbi të gjitha SH.B. janë sulmuar nga tre fuqitë më të armatosura diktatoriale. Më të mëdhatë  në Europë – Gjermania me Italinë, më e madhja në Azi –Japonia, kanë deklaruar dhe po bëjnë luftë me ju dhe një grindje është hapur,  që vetëm  mund të përfundoj në rënien e tyre ose tuajës. Por këtu në Washington, në këtë ditë të shënuar unë kam gjetur një qëndresë Olimpike e cila, larg nga të qënët mbi vetëkënaqësi, është vetëm  maska e një qëllimi të palëkundur dhe prova e një konfidence të sigurtë bazuar në rezultatin final…

Ne në Britani patëm të njëjtat ndjenja në ditët tona  më të errëta. Ne gjithashtu  ishim të sigurtë që së fundi çdo gjë do të përfundonte mirë. Forcat e radhitura kundër nesh janë të shumta. Ata janë të hidhur, ata janë të pamëshirshëm. Udhëheqësit e tyre të pashpirt dhe fraksionet e tyre në këtë luftë dhe pushtime e dijnë që do të japin llogari në qoftëse nuk mundin me forcën e armëve popujt që ata kanë sulmuar. Ata kanë një akumulim të madh dhe të shumëllojtë armësh lufte. Ata kanë një ushtri të trainuar mirë dhe të disiplinuar, forca detare dhe ajrore. Ata kanë plane dhe synime që për një kohë të gjatë janë menduar dhe formuar…

Është mjaft e qartë që në anën tonë burimet në njerës dhe armatime janë më të mëdha se të tyret. Pa dyshim ne kemi një kohë  shqetësimi të turbullt para nesh. Në të njejtën kohë disa vende do i humbasim, që do të jetë e vështirë dhe e kostueshme t’i rimarrim. Shumë pakënaqësi dhe surpriza të pakëndëshme na presin. Shumë prej tyre do të na brengosin para se të arrihet fuqia e plotë kundër tyre…Disa ndofta po friksohen ose për momentin të dëshpëruar si Presidenti juaj, kur unë flas për një luftë të gjatë dhe të ashpër. Populli ynë është më mirë të dij të vërtetën , sado e hidhur të jetë dhe mbi të gjitha ne po bëjmë punën më të përkryer në botë,  jo vetëm duke mbrojtur atdheun  tonë dhe shtëpitë tona, por për kauzën e lirisë në çdo vend , çështja se çlirimi do të vij në 1942-43- 44, bie mbi vendin e duhur në porporcionet e mëdha të historisë njerëzore.

Sa kohë që kemi besim në kauzën  tonë dhe një dëshirë të pamposhtur, shpëtimi nuk do të na mohohet…

Jam shumë i kënaqur të përshfaq përpara jush anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në këtë moment kur ju po hyni në luftë,  evidencën që me armët e duhura dhe organizimin e duhur ne do të jemi në gjendje të mundim këtë nazizëm  të egër….

Së fundi, nëqoftëse ju do më lejoni të them, për mua lajmi më i mirë nga të gjitha; SH.B. A., të bashkuara më shumë se kurrë më parë, ka hedhur tej këllëfin dhe ka nxjerr shpatën për liri.

Pa dyshim, do të kishte qënë shumë herë më mirë, unë e pohoj këtë, nëqoftëse do të kishim burime të mjaftueshme të të gjitha llojeve, të ishin në fuqi të plotë në të gjithë pikat e kërcënuara.

Marrë nga ‘’ International Conciliation’’ – W. Churçhill –‘’  Documents for the year, 1942.’’

Filed Under: Histori

AS U SHIT DHE AS U BLE…

March 20, 2022 by s p

Nga Skifter Këlliçi 

Përsijatje rreth procesit gjyqsor kundër  atdhetarit të madh Themistokli Gërmenji dhe pushkatimit të tij mizor nga Sigurimi i Ushtrisë Franceze, (9 nëntor 1917)  

(Pjesa e parë)

 Nëntori  i këtij viti  përkon me 105-vjetorin e dënimit me vdekje  të atdhetarit të madh, Themistokli Gërmenji, që ishte  “Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarsisë së Shqipërisë… Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë,  më 1913 -1914 dhe kreu detyra të rëndësishme në administratën shtetërore”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi 1, faqe 764, 2008).

Ndonëse ka kaluar një periudhë   më shumë se  një shekullore, kanë mbetur ende të panjohura   shkaqet sipas të cilave , bazuar nga të dhënat e SURETE-së, (Syrte- Sigurimi i Ushtrisë Franceze ), Gjykata Ushtarake e Shtabit të Armatës së Lindjes me qendër në Selanik, gjatë  Luftës së Parë Botërore,(1914-918), mori vendimin e pushkatimit të Germenjit, si agjent  austro-hungareze. Dhe kjo ndodhte kur disa ditë më parë, gjenerali Sarraj,   komandanti i përgjithshëm i kësaj armate, në një ceremoni  të posaçme e kishte dekoruar Themistoklin për “merita të veçanta trimërie, në luftë kundër forcave  austro-hungareze”.

Po cilat ishin këto akuza që sollën marrjen e një vendimi kaq të  papritur, kaq të rrufeshëm, dhe kaq mizor,  nga i cili Gërmenji, nga besnik  i vyer i Francës,  u shndërrua nga ushtarakët e lartë francezë në armik të  urryer të saj , deri në atë pikë sa t’i merrej jeta?

Të gjitha këto hamendësime duhet  të dalin në pah dhe do të vërtetohen,  kur të hapet   dosja e  procesit  gjyqsor ushtarak kundër tij.  Mirëpo , siç thekson dhe studiuesi i njohur, Aurel Plasari, në  artikullin “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët”, ( “Tema”, 16 shkurt  2016 “), dosja “misterioze” e procesit gjyqsor ruhet  xhelozisht nga shteti francez”. Më tutje ai vë në dukje dhe  citimin   e mëposhtëm të  pr. Muhin #amit nga libri i tij  “Shqiptarët dhe francezët në Korçë, (1916-20):

 ”Edhe tani…mund të themi se nuk kemi dokumentacionin e plotë….Na mungojnë p.sh. aktet e gjyqit të Themistokliut , kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vemendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa  e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm”. (faqe 72). 

   Sidoqoftë, në këtë dosier, duke u bazuar në vepra të botuara dhe hulumtime të miat,   do të përpiqem të argumentj    mënyrat djallëzore që Sigurimi i Ushtrisë Franceze, SURETE, (Syrte), përdori ndaj atdhetarit tonë të shquar,Themistokli Germenji, për ta mposhtur, për ta gjunjëzuar dhe pastaj për ta asgjësuar.       

…Në dhjetor të vitit 1973, atëherë gazetar në TVSH, së bashku me një grup xhirimi u ndodha në Korçë,  për të realizuar një reportazh televiziv. Ndër pamjet simbolike të këtij qyteti , zgjodhëm edhe përmendoren e Themistokli Gërmenjit, vepër e skulptorit të njohur, Odhise Paskali, ngritur me 1932, me ndihmesën e vetë qytetarëve atdhetarë korçarë.

Një burrë gjigant, me pallto zbërthyer, duar të kryqëzuara nga prapa, fytyrë me tipare të theksuara,  ku bien në pah mustaqe të dëndura,  sy të përqëndruar diku në horizont, me një vështrim ngulmues, ja se ç’përfaqësonte ajo përmendore vigane e këtij atdhetari  të madh, copëzë  e pandarë e historisë së Shqipërisë.

Kundroja shtatoren e Themistokliut dhe më dukej  se vështrimi  i tij depëretonte tutje horizontit, sikur t’u thoshte jo vetëm shqiptarëve, por  historisë: ”Mos harroni kurrë! Unë as u shita, as u bleva!”.

I ngacmuar  këto mendime, vendosa së bashku me shokët e grupit të xhirimit të  vizitonim shtëpinë  e Themistokliut, ku jetonte e shoqja, Evdhoksia.

DUKE  RIKUJTUAR  PUSHKATIMIN

Një shtëpi tipike korçare, një shkallë e gjerë, pas saj një mesore dhe përballë një dhomë e madhe, me tavan të lartë, me minderë të mbuluar me shilte, jastekë, një tryezë në qoshe, në mure foto të Themistokliut , midis të cilave edhe foto të tij me  Evdoksinë dhe vajzën e tyre të vetme, Elçen.
Evdoksia na pret me përzëmërsi, aq më tepër që është  mësuar të kuvendojë me gazetarë, shkrimtarë, studiues. Eshtë pasqyrë e gjallë e të shoqit. Ndërsa ajo rrëfen, mua më ndërmenden  #erciz Topulli, Isa Boletini, Bajram Curri, Avni Rustemi…Sa të përafërta këto figura njera me tjetrën, sa të ngjashme!…Të gjithë të vrarë pabesisht: #ercizi dhe  Isai,  nga shovinistët malazezë, Bajrami  dhe Avniu, nga të shtënat pas shpine të njerëzve të Zogut.

Këtë fat pati edhe Themistokliu, por këtë radhë i pushkatuar nga… miq.

-U tmerrova kur më dhanë mandatën që Themistoliun e kishin vrarë frëngjtë, – zuri të na thoshte Evdhoksia.

Duke thënë këto fjalë, fytyra e saj  u zymtua.

-Tërë mllef e pezm, – vazhdoi ajo, – kërkova të di se për çfarë shkaku ata e kishin dyfeqisur burrin tim, ndaj kërkova të takohesha me shefin e Sigurimit të ushtrisë frënge në Korçë. Ai më priti e më tha, gjoja me keqardhje se Themistokliu ishte pushkatuar sipas provash të sigurta. ”M’i tregoni këto prova!”, sa nuk ulurita në kulmin e dhëmbjes. Më premtoi, por këto prova nuk m’u rrëfyen kurrë.

Ajo heshti një grimë e shtoi:

-Themistokliu shtrëngoi frengjtë që ta linin Korcën të mëvetme, që të kishte guvernë të sajën, vetëm me shqiptarë. E kur panë se punët po shkonim më mbroth se ç’e mendonin,  që ta hiqnin qafe përgjithmonë, sajuan mënyra  se gjoja ai merrte e jepte me austro-hungarezët, që ishin kundërshtarët e tyre në Luftën e Parë Botërore.

I nxitur nga ky rrëfim i së shoqes së Themistokliut, që atëherë më lindi mendimi të shkruaj ndonjë tregim a novelë. Por kjo do  të ndodhte më pas, kur do të lexoja studimin e historianit Muhin #ami, “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij” dhe sidomos librin “Themistokli Gërmenji” të studiuesit, Pirro Tako, dy miq të mi të hershëm. Atëherë nuk do të shkruaja  as tregim as novelë, por romanin me titull “Vrasës me duar të bardha”, (1991).

CILI ISHTE THEMISTOKLI GERMENJI ?

Lindur në Korçë më 1871, detyrohet që i ri  të mërgojë në Rumani, ku lidhet me shoqëritë atdhetare “Drita” dhe “Dituria”. Më pas veprimtarinë tij atdhetare e vazhdon në Korçë,  Monastir  dhe më vonë krijon nje çetë luftëtarësh  që vepronte në rrethinat e Korçës kundër pushtuesve turq.

Pasi Korça pushtohet nga forcat e armatosura greke, vihet në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914 shkon në Rumani  e më pas në Bullgari, ku boton revistën “Biblioteka, zëri i Shqipërisë”, në të cilën shtron probleme të rëndësishme që i dilnin Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë, veçanërisht kur një pjesë e shtresës së feudalëve të pasur po luante  rol negativ  në çeshtjen kombëtare.

Veprimtaria e tij atdhetare arriti pikën kulmore ë vitet 1916-17, kur u kthye në Shqipëri. Aty nisi menjëherë organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e krahinës së Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së Jugut nga pushtuesit grekë.

Vimë kështu   në çastet që shënojnë periudhën e fundit dhe më  të ndritur të veprimtarisë së tij atdhetare, që u mbyll  në mënyre aq tragjike, periudhë që përbën edhe qëllimin e këtij dosieri.

NJE PUSHTUES ZEVENDESOHET  ME NJE TJETER, POR…

Gjatë Luftës së Parë Botërore  Shqipëria u bë shesh luftimi midis forcave ushtarake ndërluftuese të Antantës, (Francë, Rusi, Itali, Angli dhe më pas SHBA … ), dhe të Fuqive Qendrore, (Gjermani, Austro-Hungari,Bullgari…).

Vlora, Gjirokastra, me rrethinat e tyre, ishin pushtuar nga Italia, Shqipëria  e Veriut, deri në kufijtë e Elbasanit dhe Pogradecit, nga ushtritë  e Fuqive Qendrore, kurse krahina e Korçës nga ushtritë franceze.

Së bashku me to në pranverë të vitit 1916  ishin bashkuar edhe forcat e ushtrise greke të Venizelosit, i cili iu kundërvu  mbretit Kostandin dhe partizanëve të tij,  të cilët  kërkonin që Greqia të mbetej asnjanëse në këtë luftë.

Si pasojë, Venizelosi u vendos në maj të atij viti në Selanik, ku ndodhej edhe komanda e përgjithshme e Armatës së  Lindjes, komanduar nga gjenerali Sarraj. Pranë tij qëndronte edhe Esat pashë Toptani me një tabor kaçakësh, gjoja si aleat, me dëshirën që pas përfundimit të Luftës, natyrisht, siç po parashikohej, me fitoren e Antantës, të kthehej me ndihmën e francezëvë në krye të shtetit shqiptar.

Ndërkohë, Venizelosi krijoi qeverinë  e “Mbrojtjes Kombëtare” ,  e cila kishte si synim të vinte në jetë synimet ambicioze të qarqeve shoviniste grekepër realizimin e ëndrrës së madhe të  “Vorio Epirit”. Këto synime kishte edhe mbreti Kostandin, të cilit Gjermania, nga ana e saj, i kishte premtuar Shqipërinë e Jugut.

Themistokli Gërmenji së bashku me Sali Butkën, një tjetër atdhetar i madh, arritën në përfundimin se nga Fuqitë  Qendore, nuk i priste asgjë e mire. Dhe kjo, qoftë edhe vetëm për faktin se gjermano-austriakët,” në vend që të pranonin kërkesën e tij për ngritjen e një administrate shqiptare në Kolonjë, lejuan atje vendosjen e bandave greke të Papagjeorgjiut, Dakasit dhe të Karvunit.”( Pirro Tako,”Themistokli Germenji”, faqe 223).

Mirëpo, kur forcat e Armatës së Lindjes u dukën në Fushën e Korçës, Themistokliu e ndjeu veten të lehtësuar. Shanset e fitores në Luftën e Përbotshme, nga sa shihej, se po anonin nga Antanta. 

Meqë ushtritë  gjermano-bullgare nuk kishin  forca të mjaftueshme tëluftonin kundër forcave franceze të Armatës së Lindjes, u detyruan të tërhiqeshin nga krahina e Korçës, pa hyrë në luftime. Ndërkohë,Themistokliu vendosi të rrethonte Korçën, i mbështetur edhe nga çetat e Sali Butkës. 

E ndodhur në këto kushte, komanda e ushtrisë franceze kuptoi se shqiptarët  donin  të ishin të lirë dhe të pavarur, se ata nuk pranonin anjë qeveri  greke, qoftë venizeliste a mbretërore, të cilat  synonin të mbanin nën sundimin e tyre Korçë me krahinat e saj, se ata ishin gjithashtu kundër ndërhyrjes italiane. Së fundi, donin, gjithashtu, nje regjim demokratik dhe refuzonin t’i bindeshin  Esat pashës. Me këto kushte ishin gati të merreshin  vesh me francezët, në qoftë së këta mbronin  rregullin dhe u siguronin  shqiptarëve pavarësinë.

Sidoqoftë, francezët, duke gjykuar se kishin epërsi ndaj forcave shqiptare, vendosën të futeshin në luftë  me çetat e tyre që i cilësonin banda. Mirëpo, duke u ndeshur me to, forcat franko-venizeliste të komanduara nga koloneli Burnazel, u thyen keqas nga çetat e Themistokliut, të mbështetura edhe nga ato të Sali Butkës.

Në këto rrethana, duke parë se ushtria franceze do ta kishte pisk me këto formacione kaq të shkathëta dhe të rrezikshme të kryetrimave shqiptarë të sipërpërmendur, gjenerali Sarraj, kryekomandanti i Armatës së Lindjes, e pa të arsyeshme që të mbështeste dëshirën e shqiptarëve për vetqeverisje. Kështu mund t’u arrihej synimeve ushtarake: Të mbulohej me shpenzime sa më të pakta mbrojtja e Korçës me rrethinat e saj, nga ku tashmë nuk kishte rrezik, duke e përqendruar  luftën vetëm kundër ushtrive gjermano-austro-bullgare.

Si pasojë, pas disfatës së Burnazelit,  Sarraji vendosi të dërgonte  si komandant të qarkut të Korçës   kolonelin Dakoen. Po me urdhër të tij u shkarkua prefekti  venizelist Argillopullos. Kështu u hap rruga për të arritur një marrëveshje me drejtuesit shqiptarë sipas parimit: ”Përpiquni t’i bëni për vete shqiptarët. Këtë e kërkojnë interesat tona deri në mbarim të luftës”. (P.Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 234).

Dakoeni arriti në Korçë më 21 nëntor 1916. Pas katër ditësh Themistokliu bashkë me familjen, i shoqëruar nga 120 luftëtartë të çetës së tij, hyri  në Korçë, ku u prit me brohoritje nga populli që mbushte rrugët dhe që andej u paraqit në prefekture, ku u takua me Dakoenin. (Sipas revistës “Rilindja”, Korçë, 1935-36, nr. 3-4).

Në librin e tij  me kujtime “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë” (Six mois d’histoire de l’Albanie”, Paris 1930 , faqe 14), të cituar nga Muin #ami, në studimin e tij të mësipërm  Dakoeni e përshkruan kështu Themistokliun:”Me fytyrë të çiltër e të sinqertë, i gjatë në trup, me qëndrim burrëror, sjellje të përsosura, i veshur me kostum gjahtari, Themistokliu më bëri përshtypjen më të mirë. Në thelb më tha:”Nuk  kam arsye  të kem armiqësi me francezët dhe s’kam qenë kundër jush. I quaj shovinistët grekë armiqtë tanë më të këqinj. Jam me ata që garantojnë lirinë e mëmëdheut tim”.

Të nesërmen, më 24 nëntor, Themistokliu iu drejtua me një thirrje popullit të Korçës,  i cili, edhepse  vinte nga zona bullgare e pushtimit, kishte besim tek ai  që as nuk shitej as nuk blihej, as nuk gënjehej, prandaj edhe adhurimi  ndaj tij ishte i pakufizuar dhe i sinqertë”.(Gazeta e Korçës” , 20 korrik 1929).

Në fund Themistokliu u bënte thirrje kryetarëve të çetave që të mos përdornin armët kundër ushtrisë franceze, duke lënë të kuptohej se ndryshe nga Fuqitë Qendrore , Franca nuk ndiqte qëllime pushtuese ndaj vendit tonë dhe se me mbarimin e luftës ushtritë e saj do të largoheshin. Me fjalë të tjera, theksonte se “…pushteti  ishte i përbashkët  dhe përkonte me interesat e të dyja palëve. (P.Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 239).

Por për fat të keq, siç do të shohim më pas, nuk do të ndodhte kështu… 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

PLUMBA MBI PAFAJESINE

Pjesa e dytë

Nga Skifter Këlliçi

Protokolli i 10 dhjetorit  të vitit 1916

Më 8 dhjetor gjenerali Sarraj i dërgoi një telegram Dakoenit, tashmë komandant i forcave ushtarake franceze  në Korçë, në të cilin e njoftonte që të krijonte sa më parë një admnistratë me nëpunës shqiptarë dhe polici vendore, nën drejtimin e prefektit. Ndërkohë, komanda ushtarake franceze do të kishte të drejtën  e mbikqyrjes administrative dhe ushtarake në të gjithë qarkun e Korçës. Këto rekomandime ishin pasojë  e bisedimeve që kishte pasur Dakoeni me Themistolkiun disa ditë më parë, “…përfundimet e të cilave komandanti francez ia kishte paraqitur Sarrajit, kryekomandanti i Armatës Franceze të Lindjes, me qendër ne Selanik”. (P.Tako “Themistolki Germenji”, faqe 243).

Si pasojë, më 10 dhjetor të vitit 1916, një komision shqiptar,  i kryesuar nga dr.Haki Mborja, ku bënte pjesë edhe Themistokliut , u prit  në prefekturë nga autoritet ushtarake franceze, të cilave iu shpreh në mënyrë zyrtare dëshira e popullit të Korçës për vetqeverisje nën mbrojtjen e Francës.

Lidhur më këtë çështje të rëndësishme, nga komisioni shqiptar dhe Dakoeni  u nënshkrua një protokoll. Pastaj  të gjithë pjesëmarrësit e këtij akti historik dolën në ballkonin e prefekturës, nga ku Themistoki Gërmenji ngriti flamurin e Shqipërisë, shoqëruar nga brohoritjet e popullit korçar, që priste me padurim para sheshit të prefekturës, me thirjet:”Rroftë Shqipëria!”,”Rroftë flamuri!..”, (gazeta “Adriatik”, 13 dhjetor 1916).

Kështu me dëshirën e popullit, qyteti i Korçës, bashkë me qarqet e Bilishtit, Kolonjës, Gorës dhe Oparit, formuan Krahinën Autonome të Korçës, të qeverisur prej shqiptarëve nën mbikëqyrjen e autoriteteve ushtarake franceze.

Krahina do të qeverisej nga  një këshill i përbëre nga 14 vetë, 7 të krishtërtë dhe 7 myslimanë, me nëpunës shqiptarë,  të miratuar nga autoritetet franceze. Prefekt u emërua Themistokli Gërmenji. Ai kishte të drejtë të drejtonte xhandarmarinë dhe  policinë vullnetare për ruajtjen qetësisë dhe rregullit. Në rast lufte, këto formcione do të viheshin nën urdhërat e komandës franceze.

Nënshkrimi i këtij protokolli pati rëndësi historike, sepse në këtë mënyrë “…u njoh karakteri etnik i popullsisë së trevës së Korçës dhe u krijuan gjithashtu kushte më të përshtatshme për të luftuar më me forcë edhe pretendimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. (“Studime Historike”,1977/1,M.Cami”Lëvizja patriotike në trevën e Korçës në vitet 1916-17”, faqe 74-76).

Këtë mendim e përforcon edhe ushtaraku Tyber, me të cilin do të njihemi më mirë në vazhdim të këtij dosieri, kur në një raport të tij dërguar Komandë së Armatës së Lindjes, me qendër në Selanik, shkruante:”Shqipëria, në kundërshtim me legjendën, nuk është një vend hajdutësh, kusarësh dhe vrasësish, përkundrazi të gjithë shqiptarët  kanë një  pikëpamje të përbashkët dhe kjo është pavarësia e vendit, e ndezur edhe kjo nga shtypja turke dha nga tirania e mërzitshme e grekëve…”, (po aty).

Dhe në një raport tjetër Tyberi vazhdonte:”Dhuna dhe intolerimi që kanë treguar grekët  (pushtues), ndaj shqiptarëve, i kanë bashkuar këta të gjithë, myslimanë e të krishterë, në një urrejtje të përbashkët.”

Edhe një ushtarak tjetër francez, kapiteni Holc, që është takuar më pas me atdhetarin e shquar Sali Butka, nga fundi i muajit gusht 1917, nënvizon në një relacion dërguar eprorëve të tij fjalët që i ka thënë Themistokliu: ”Unë nuk jam armiku i Francës…Ne ndjekim zhvillimin e ngjarjeve dhe kemi vërejtur se administrata juaj në Korçë u siguron shqiptarëve lirinë. Por, në qoftë se Franca do të sjellë aty grekët, ne do të jemi gjithnjë të gatshëm të derdhim gjakun tonë për atdheun tonë.”. (Muin #ami,”Rreth dënimit dhe ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit”, ”Studime Historike” nr.4, 1977, faqe 113).

FRANCEZET   SULMOHEN  NGA ALEATET

Ndërsa ky protokoll pati jehonë në Shqipëri dhe te shqiptarët jashtë atdheut, në SHBA, Kanada e gjetkë, siç e përshkruan gazeta “Dielli”, Boston, 30 janar 1916, 20,21  mars 1917, për më tepër nga shqiptarët në zonat e pushtimit gjermano-austro- bullgar, pushtuesve italianë në zonat e Vlorë e Gjirokastrës nuk u erdhi aspak mirë një veprim i  tillë i aleatvë të tyre francezë.

“Franca po luan një lojë të keqe duke lejuar ngritjen e flamurit shqiptar në prefekturën e Korçës . Kjo do të krijojë telashe , – deklaroi shefi i shtabit të shtatmadhorisë italianë të Vlorës. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 249).

Roma protestoi pranë Ministrisë se Jashtme franceze për këtë  veprim, pa u këshilluar me qeverine italiane. Nga ana e tyre, edhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Francës, u befasuan nga një veprim i tillë që ishte bërë, pa pyetur qeverinë franceze dhe i kërkuan menjëherë shpjegime gjeneralit Sarraj, siç është shkruar mësipër, kryekomandant i ushtrisë franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik. Ky i fundit iu përgjigj menjeherë se koloneli Dakoen, që ishte komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, me këtë veprim kishte marrë parasysh kërkesën e popullit  që kazaja e këtij qyteti të  bëhej krahinë autonome.

Nga këto reagime dilte se ushtarakët francezë nuk kishin marrë  për këtë qëllim pëlqimin e Parisit. Por tashmë kjo ishte bërë fakt i kryer.

Kuptohet që edhe qarqet shoviniste greke, jo vetëm që nuk e pranuan  veprimin e mësiperm , por edhe u fyen. Aq më tepër Venizelosi që ishte tashmë aleat i Antantës pra, edhe i Francës. Ai i nuk e aprovoi dëbimin e Argjillopusit, ish- prefekti grek i Korçës dhe zëvendësimin e tij me Themistokli Gërmenjin.

Që këtu nis një etapë e re në  zhvillimet e kësaj ngjarjeje që do të karakterizohen nga sulmet ndaj Krahinës Autonome të Korçës dhe Themistokli Gërmenjit, i cili vazhdonte detyrën në dobi të çeshtjes atdhetare.

Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte mbyllja e shkollave greke  dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe, midis të cilave edhe të ngritja e liceut të parë shqiptar. Veç kësaj, Themistokliu mori masa, sidomos për sigurimin e drithit në kushtet e një urije që kishte pllakosur  në Korçë, si dhe  masa për ruajten e kufijve që dhunoheshin herë pas here nga xhandarët e Venizelosit.

DYSHIME MBI THESTOKLIUN 

Këto dyshime nisën në javën e parë të shkurtit të vitit 1917. Gjeneral Groseti, komandant i forcave franceze me qendër  në Follorinë, zuri të dyshonte për Themistokliu, që, siç kemi përmendur, kishte ardhur me komitët e tij nga zonat e pushtimit armik, ku ende vepronte bashkëluftëtari  i tij, Sali Butka, me të cilin mbante lidhje, se një ditë bashkë me komitët e tij mund t’ia behte në Korçë. Ndaj, për këtë qëllim, ai i dërgoi një raport gjeneralit Sarraj. Por ky i fundit, duke pasur besim te Dakoeni, nuk i vuri aspak rëndësi këtij raporti.

Ndërkohë, në lojë u fut Syrteja,(Surete), pra, Shërbimi i Sigurimit të ushtrisë.

Një nga punonjësit e saj, Lycieni, i dërguar nga Selaniku në Korçë, pati disa takime me Dakoenin dhe Themistokliun, natyrisht “për çeshtje pune”.

Me t’u kthyer në Selanik, Lysieni u paraqiti eprorëve të tij një raport ku theksonte se Themistokli Gërmenji “është shumë inteligjent dhe paraqet aktualisht të gjitha garancitë për besnikëri. Por nuk duhet harruar që ai  ka luftuar kundër nesh në krahë  të bullgarëve.” (P.Tako“Themistolki…”, faqe 266).

Më pas, për të kufizuar kompetencat e prefektit  të Korçës, propozonte që xhandarmaria, e cila varej nga Themistokliu, të përforcohej në mënyrë serioze dhe për këtë qëllim të ngarkohej një komandant i kualifikuar francez. Ky mund të ishte oficeri francez, Tyber, i cili do të kombinonte punën e xhandarmarisë, me atë të shërbimit informativ të ushtrisë.   Dhe kështu u bë. Si përfundim, u  krijua batalioni i xhandarmarisë lëvizëse shqiptare, me komandant Tyberin.

Duke filluar nga puna, Tyberi nisi të ndikohej shumë nga Drioja, inspektori i Sigurimit të ushtrisë në Korçë, i cili ishte i pakënaqur nga Dakoeni, që i nënvleftesonte raportet e tij, sidomos lidhur me Themistokliun. Kësisoj, edhe Tyberi, tashmë mik i Driosë, u përfshi në vorbullën e kësaj  pakënaqësie. Shkak u bë çeshtja e Adem Beqirit, një bashkëpunëtori të ngushtë të Themistokliut, i cili ishte ngarkuar me detyra në zona e pushtuara  nga forcat austro-hungreze të pushtimit, ku vepronin çetat e Sali Butkës.

Por edhe këtë radhë Dakoeni nuk u dha rëndësi raporteve “sencacionale” të Driosë.

Mirëpo Drioja  më pas zuri të ndiqte edhe më  më këmbëngulje  “#ështjen Beqiri”, duke tërhequr vemëndjen edhe të  Benuasë, që ishte shefi i i përgjithshëm i Syrtesë. (P.Tako,”Themistokli…” faqe 270).

Benuaja kishte zili që Syrteja nuk ishte treguar aq vigjilente sa policia e e komanduar nga Themistokliu. Si rjedhim, nisëm ndjekje ndaj shqiparëve të pafajshëm, që u burgosën  dhe internuan si të dyshimtë për hiçgjë, për më epër, pa marrë pëlqimin e Themistokliut, pra, prefektit.

Kjo e revoltoi pa masë Themistokliun, cili nuk po arrinte ende të kuptonte se Benuai me anë të Tyberit po përpiqej të krijontë një komplot kundër Krahinës Autonome të Korçës që tashmë shqiptarët e quanin “republikë”, dhe, për më tepër, kundër atij vetë.

KTHETRAT E SURETESE e SYRTESE  NDERREN  NGA THEMISTOKLIU

Aty nga prilli i vitit 1917 ndodhën të papritura. Tyberi u zëvendësua nga kapiteni Holc. Dy javë më pas gjenerali Sarraj u detyrua ta  largonte Dakoenin nga Korça, ndonëse ishte i sigurtë  që raportet e Syrtesë  kundër Themistokliut ishin të gënjështërta.Vendin e tij e zuri gjenerali Sal, nje njeri i ngurtë, i prerë dhë cinik.

Mbase edhe ai kishte krijuar bindjen se Dakoeni ishte gjunjëzuar nga  Themistokliu. Veç kësaj, gjenerali Sarraj e kuptonte se me krijimin e Krahinës Autonome të Korçës, pa pëlqimin e Parisit, e kishte tepruar.

Vetë korçarët nuk e pritën mirë largimin e Dakoenit.Veçanërisht Themistokliu. Largimi i tij u pa nga prefekti i Korçes si hapi i parë për minimin e Krahinës Autonome. Megjithatë, lufta nuk do të zgjaste, Antanta do të fitonte  dhe francezët do të largoheshin nga Korça, ashtu sic kishin premtuar, duke e lënë atë të pavarur. Kështu, me sa duket, gjykonte Themistokliu.

Por, ndërkohë, trysnia e Syrtesë ndaj tij po rritej. Tashmë arkitekti i rritjes  së kësaj trysnie ishte vetë Benuai, veprimet e të cilit fillloi t’i miratonte pa ngurrim gjenerali Sal.

 Ai  nënshkroi menjëherë vendimin për dënimin e xhandarit shqiptar,  Mehmet Aliu, gjoja sepse kishte bashkëpunuar më armikun dhe kërcënoi se edhe të tjerë do të pësonin të njejtin fat. Si pasojë, disa shqiptarë që shërbenin në xhandarmari, nga frika, dezertuan.

Këto veprimë kundër shqipatrëve e revoltuan përsëri Themistokliun. Ai u shtrëngua t’i dërgonte një letër eprorëve francezë në Selanik, në të cilën e quante krejt të padrejtë dhe imorale mënyrën si veprontë Syrteja kundër atdhetarëve të burgosur dhe u kërkonte autoriteteve franceze që t’i jepnin fund kësaj komedie. Po dënoheshin kështu pa fakte Ahmet Beqiri dhe Abedin Binjaku. (P.Tako “Themistokli…”, faqe 281).

“ Në është se Franca është penduar për sa bëri dhe tani për njerën arsye a tjetrën kërkon të abrogojë marrëveshjen, unë, për të mos marrë më qafë shqiptarë që hidhen në gjyq pa faj, jam gati të hiqem. Në është se Franca  nuk është penduar dhe do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, atëherë ju lutem, ndërhyni aty ku duhet dhe të dalë e drejta në shesh.”, (Muzeu Historik i Korçës, letër e Themistokliut e datës 29 qershor 1917).

Gjenerali Sarraj, me të lexuar letrën, i dërgoi përgjgje Themistokliut, në të cilën e porosiste të vazhdonte detyrën, se “simpatia dhe besimi i kryekomandantit te personi i tij, ishin të pacënuara”. (“Posta e Korçës”, ”Vrasja e dëshmorit kombëtar”, 11.2.1930).

Por Benuai nuk  tërhiqej  dhe vazhdonte të ushtronte gjithnjë e më shumë  dhunë mbi shqiptarët e burgosur, midis të cilëve, siç thamë edhe më sipër, ishte Adem Beqiri. Ai së bashku me Abedin Binjakun u transferuan nga  burgu i Follorinës, në burgun e Selanikut dhe pas një procesi të shkurtër që të dy u dënuan me me vdekje, si bashkëpunëtorë të austro-hungarezëve.

Ademi, sipas vendimit, duhej të pushkatohej më 23 gusht 1917, por Benuai e shtyu dënimin  qëllimisht deri më 27 gusht, që ai  ai t’i jepte  “të dhëna” e pastaj edhe ta falte. Dhe kur Ademi nuk pranoi, mbi të xhelatët e Benuait ushtruan tortura çnjerëzore, deri sa ai u detyrua të pohonte ato që i kërkonte shefi  i madh i Sigurimit francez. Pra, se ishte dërguar tri herë me detyrë nga Themistokliu në Plasë, për të dorëzuar  një pako për oficerët gjermanë.

Ishin trillime të neveritshme, sepse Themistokliu, po të donte, mund të gjente mënyra të tjera  për t’u lidhur me shqiptarë në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Për më tepër,  gjatë atyre ditëve kur akuzohej se kishte qenë në Plasë, (12 shkurt 1917), Adem Beqiri ishte ndodhur me shërbim  në Korçë dhe këtë e dëshmonte  takimi që kishte pasur me Themistokliun dhe oficerë  francezë, që  e kishin ngarkuar me detyra tjera.

Në të njejtën kohë, inspektori i Syrtesë, Drio, nuk ndalej me raporte të tjera fantastike kundër Themistokliut që i dërgonte Benuait  dhe ky ia përcillte gjeneralit Sal. Sali  e kuptonte se Drioja shpifte, por, megjithatë i miratonte në heshtje raportet e tij.

Ishte koha kur Parisi, pas transferimit të qeverisë së Venizelosit, aleat i Antantës, nga Selaniku në Athinë, në verë të vitit 1917, po afrohej me politikën  shoviniste greke ndaj Shqiqërisë.

Si pasojë, gjenerali Sal i propozoi Themistokliut të hapeshin përsëri shkolla  greke. Por Themistokliu  iu kundërvu  hapur: ”Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë. (Petro Harizi,”Histori kronografike” , faqe 204).

Kështu dalëngadalë kthetrat e Syrtesë u nderën mbi Themistokliu, edhe me  miratimin e heshtur të oficërevë madhorë Groseti dhe Sal.

Ata nuk e kishin të vështirë ta zhduknin Themistokliun me një plumb pas shpine, por  e dinin se nuk do ta kishin të lehtë, po të marrim parasysh autoritetin e madh që gëzonte ai në Korçë. Ndaj prisnin të kurdisnin një rrjetë të dendur me “fakte të reja komprometuese”, për të goditur prefektin  dhe Krahinën  Autonome të Korçës, ose Republikën Shqiptare të Korçës.

Prandaj arrestuan Fehmi Zboqin dhe Ciz Mehmetin, të cilët Themistokliu i kishte dërguar në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Që të dy iu nënshtruan torturarve, ashtu si Adem Beqiri, madje në prezencë  të vetë  inspektorit Drio. Në këto rrethana, ata të dy pohuan se prefekti i Korçës, Themistokli Germenji, kishte bashkëpunuar me armikun.

“Pohimet e tyre, vinte në dukje Benuai, vërtetojnë kategorikisht fajësinë e Themistokliut, vepër e përfshirë në nenin 25 të Kodit të Ushtrisë, i cili në këtë rast parashikonte dënimin me vdekje”. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 289). ”Ndaj, Themistokliu duhej arrestuar se mban lidhje me armikun, me qëllim që të ndihmojë në planet e tij”. (po aty).

Kështu, plot kënaqësi, Benuai nxitoi të shkonte në Follorinë, që të njoftonte Grosetin, komandantin e forcave franceze në këtë qytet. Dhe ky dha alarmin që prefektit  të Korçës  nuk i duhej zënë më besë.

Kthetrat duhet të shtrëngoheshi tashmë në fytin e Themistokliut. Për këtë qëllim, Groseti ngarkoi togerin Dë Mari që të shkonte nga Follorina në Korçë, për të plotësuar përfundimisht dosjen e e Themistokliut. Në rast se ai do ta realizonte këtë me fakte të reja edhe më komprometuese, Groseti i premtoi se do ta dekoronte me “Kryqin e Legjionit të Nderit”.

PLUMBA MBI PAFAJESINE

Pjesa e tretë

USHTARAKET FRANCEZE NE MEDYSHJE  

Po afronte vjeshta e vitit 1917. Lufta dukej sikur po kalonte një periudhe qetësie. Por, ndërkohë, aeroplanët austriakë bombardonin Korçën dhe, jo vetëm ngjallnin tmerr mbi popullsinë e pambrojtur, shkatërronin shtëpi, por edhe shkaktonin të vrarë  e të plagosur.

Francëzët përgatiteshin  për marrjen e Pogradecit, që ndodhej nën pushtimin e forcave austro-hungareze. Megjithëse i mbikqyrur nga Syrteja, Themistokliu, si prefekt, u ngarkua me detyra informimi dhe zbulimim, aq më tepër që i njihte rrethinat e Pogradecit, ku parashikoheshimn të zhvilloheshin luftimet,  gjë që ndihmoi së tepërmi forcat franceze.

Jo vetëm kaq, por njësitet e xhandarmarisë shqiptare bashkëvepruan me forcat  franceze në luftimët e ashpra me forcat armike, të cilat nuk rezistuan gjatë dhe u thyen.

 Menjëherë pas luftimeve  Themistokliu qe ndër të parët që u fut në Pogradec dhe ngriti atje flamuri shqiptar, ndërsa populli  këtij qyteti e priti plot brohoritje”. (“Posta e Korcës”,12 gusht, 1929). Pas luftimeve ai kërkoi qe me pëlqimin e qytetarëve pogradecarë edhe ky qytet të kishte vetqeverisje si Korça. Mirëpo komanda franceze nuk e miratoi këtë kërkesë. (Po aty).

Ndërkohë, Syrteja vazhdonte misionin e saj të mbrapshtë kundër Themistokliut. Ajo për këtë qëllim shfrytëzoi njerëz shpirtkëqinj, egoistë, që e kishin halë në sy Themistokliun dhe që ishin gati “të bënin çdo krim e poshtërsi, pavarësisht se u shërbenin të huajve duke dëmtuar atdheun”. (Posta e Korçës”,”Vrasja e dëshmorit”, 12.2.1930).

Këta  njerëz të paskrupullt hartuan një dokument “…ku shprehej pakënaqësia e popullsisë së Korçës ndaj Themistokliut dhe qeverisjes dhe ia dorëzuan Syrtesë franceze. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 298).

Themistokliu u vu në dijeni të këtyre makinacioneve  dhe, megjithatë, vazhdoi i qetë punën, duke iu përmbajtur Protokollit të 10 dhjetorit të vitit 1916 me palën franceze. Ai kuptoi, ndërkohë, se Shqipërisë i kanosej një rrezik tjetër….

THEMISTOKLI GERMENJI DHE ESAT pashë TOPTANI 

Pasi ishte dëbuar nga Shqiqëria, Esat pasha, siç u përmend më sipër, ishte vendosur me një tabor  ushtarësh të hurit dhe litarit pranë komandës së Armatës Franceze në Frontin e Lindjes, me qendër ne Selanik, pra, pranë gjeneral Sarrajit. Për më tepër, kishte marrë pjesë në luftimet e Pogradecit.

Esati prej kohësh i kishte kërkuar Sarrajit që të vendosej me gjithë  “qeverinë e tij” në Korçë dhe për këtë kishte marrë edhe pëlqimin e ambasadorit  të Francës pranë tij, të quajtur Fontenej. Kjo dëshmohet edhe nga një artikull i botuar te “Gazeta e Korçës”, datë 10 gusht 1930, në të cilin midis të tjerash shkruhet:

“Në ditë e para  pas ngritjes së Krahinës Autonome të Korcës, Esat pasha dërgoi këtu tre nga “ministrat “ e tij, cilët gjetën strehë në ndonjë nga shtëpitë më të mira. Themistokliu i zemëruar i kërkoi kolonel Dakoenit largimin brenda njëzet e katër orëve të këtyre “ministrave” . Ata ikën pa u zënë këmbët dhe”.

Esati në Selanik takohej me njerëz të sferave të larta të politikanëve francezë dhe të aleatëve të tyre  dhe villte vrer kundër Themistokliut, i cili e kishte demaskuar gjithnjë edhe në revistën e tij “Biblioteka, zëri i Shqiqërisë” që botonte më 1915 në  Bullgari, si tradhtar të atdheut.

Eshtë interesante me këtë rast të citojmë një artikull shkruar nga gazetari i njohur francez i gazetës “Lë Pëti Parizien”, Gaston Rishar, më 15 qershor të vitit 1920, dy ditë pasi atdhetari i shquar, Avni Rustemi, vrau Esat pashën pas një atentati në Paris.

Duke përshkruar jetën ë tij të shthurur në Selanik, ku  luante kumar e u zhvaste edhe qindarkën e fundit oficerëvë të gjeneralit Sarraj, dhe “kur nuk u bënte vizita të bukurave të tij,  Esat pasha kridhej në mendime të zymta   të ndërlikuara dhe misterioze për  të shtënë në dorë ndonjë pasues besnik të Sali Butkës, armikut të tij personal…ose për asgjësimin e Themistokli Gërmenjit”.

 Dhe ishte e çuditshme se si  shumë politikanë të huaj u besonin këtyre shpifjeve të Esat pashës, i cili priste që pas Luftës,  falë Francës,  të kthehej në Shqipëri  dhe të formonte një qeveri  që të përmbushte interesat e saj ndaj në vendit tonë.

PLANE TE METEJSHME PER ZHDUKJEN E KKRHINES AUTONOME TE KOR#ES DHE ARRESTIMI I THEMISTOKIUT

Siç e pamë, para sulmit për pushtimin e Pogradecit, Themistokliu ndihmoi forcat franceze  duke u dhënë  shumë informata të rëndësishme me karakter luftarak. Punë të frutshme në këtë drejtim bëri  bashkëpunëtori  tij i ngushtë, Fehmi Zboqi. Këto informacione Syrteja herë  i shihte me dyshim dhe herë tjetër i çmonte.

 Ishte pikërisht Fehmi Zboqi që u vu në shënjestër nga Syrteja, si e si që të cilësohej  agjent austro-hungarez. Benuai, shefi i Syrtesë,  urdhëroi për këtë qëllim inspektorin e tij Drio,  të merrej me Fehmi Zboqin, i cili  duhej të dilte se bashkëpunonte me austro-hungarezët me dijeninë dhe për qëllimet e Themistokliu. Kështu Drioja hartoi një relacion  ku shpjegonte se këto  lidhje midis tyre bëhej me anë  të një shqiptari tjetër të quajtur Pasho Kolaneci.

Tashmë kthetrat po ndereshin edhe më shumë drejt Themistokliut. Kjo ndodhi pas pushtimit të Pogradecit, kur Fonteneji, ministri i Francës pranë Esat pashës, i shkruante Sarrajit “…që Korça, dhe  Pogradeci të quheshin si krahina të pushtuara, pra, që Republika e Korçës të likuidohej. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 303).

Në këto kushte, kryeministri francez Fosh i kërkoi Sarrajit t’i dërgonte nj relacion ku të shpjegonte se në ç’rrethana Korça, kaza e pushtuar prej francezëve, ishte shndërruar në krahinë autonome.

Kryekomandanti i Armatës së Lindjes u ndodh në një pozitë tepër të vëshirë. Ai duhej t’i jepte shpjegime kryeministrit, kur sapo ishte bërë gati të dekoronte me “Kryqin e Luftës”, se  kishte vënë krye të kësaj krahine autonome,  atë që me dëshirën  e popullit korçar  e kishte quajtur atë Republika Shqiptare e Korçës, pra, Themistokli Gërmenjin, i cili, kishte vë në qarkullim monedha me stemën e kësaj republike, madje, edhe pulla poste.

 Sarraj mund ta mënjanonte këtë dekorim. Por nuk veproi kështu. Më 26 tetor 1917, me një ceremoni të posaçme  Themistokliu, në emër të tij  u dekorua nga vetë gjenerali Sal, komandanti i trupave franceze në Korçë, i cili, siç e kemi parë, jo vetëm nuk e kishte  atë  për zemër, por donte t’i bënte edhe varrin. Ai lexoi urdhërin e kryekomandantit Sarraj, ku thuhej:

“Themistokli Gërmenji, prefekti i Policisë së Korçës, duke qenë pranë një komandanti brigade, dha në kohën e e veprimeve luftarake për marrjen e Pogradecit lajme të vlefshme për komandën. U provua guximtar duke marrë pjesë vetë në luftime  në udhëheqjen e trupave të xhandarmarisë shqiptare në ditët 8, 9 dhe 10 shtator 1917.

Nënshkruar, Sarraj”. (“Gazeta e Korçës”, 15 shkurt 1930).

Po sipas kësaj gazete, Themistokli Gërmenji iu përgjigj Salit se gëzohej për këtë vlerësim të Sarrajit që e dekoronte me “Kryqin e Luftës” dhe e uronte që miqësia midis dy popujve të të forcohej gjithnjë e më shumë.

Pas disa ditësh, më 29 tetor, me këtë rast, Themistokliu  përshëndeti me një letër urimi ushtarakët e xhandarmarisë, e cila u botua në shtyp më 1 nëntor. (po aty).

Dhe, ja në mbrëmjen e kasaj dite Benuai, i ardhur posaçërisht nga Selaniku, e arrestoi Themistokli Gërmenjin, po në emër të… kryekomandantit Sarraj. (!?)

Sipas gazetës “Posta e Korçës”, të datës 15 shkurt,1930, Themistokliu dëgjoi me qetësi deklaratat e shefit të Sigurimit,  Benua, dhe të dy agjentëve që e shoqëronin, të cilët e morën më vete në Selanik.

Habinë dhe tmerrin pasi mori vesh këtë lajme shoqja, Evdhoksia e ka përshkruar në  në një libër me kujtime të grave veterane.

”Unë po e prisja të kthehej me tryezën shtruar, – kujton ajo, – kur në vend të tij më erdhi drejtori i Syrtesë dhe më tha greqisht:”Mos e prisni Themistokliun. E ka thirrur në Selanik gjenerali Sarraj dhe tani është nisur. Ne i thamë të vinte t’ju lajmëronte, por ai m’u përgjigj, se shtëpia e tij e di që ka shumë punë, prandaj dhe gruaja të mos bëhet merak. ”Mua nuk më vajti mendja për të keq, pasi gjithnjë kur e lajmëronin për ndonjë intrigë, thoshte:”Le të më thërrasë gjenerali Sarraj, dhe atje do të shpjegohem.”

 PAS ARRESTIMIT TE THMISTOKLIUT  

Syrteja, pra, Sigurimi francez, jo vetëm shpejtoi  ta arrestonte Themistokliun tri ditë pas dekorimit me “Kryqin e Luftës”, por brenda një jave zhvilloi  rrufeshëm procesin hetimor  dhe gjyqsor, ku Këshilli i  Lartë i Luftës  dha me nxitim dënimin e tij me vdekje, si agjent i Fuqive Qendrore, dënim  që u krye të nesërmen. Dukuri me të vërtetë  shumë e rrallë në proceset gjyqsore!…

Përse ky nxitim?

Eshtë një pyetje qe ende nuk ka marrë përgjigje. Dhe kjo, sepse, siç u theksua, në krye të këtij dosieri, deri tani nuk janë zbuluar e studiuar dosjet e hetuesisë, (në qoftë se është zhvilluar ndonjë proces i tillë, dhe, për më tepër, as procesi gjyqsor që u zhvillua me dyer të mbyllura). Se çfarë trillimesh të tjera, veç atyre që kemi përmendur më siper   u bënë në këtë proces për ta akuzuar Themistokliun si agjent austro-hungarez, këto janë ende të panjohura.

Këshilli i Lartë i Luftës mori vendimin me vdekje për Themistokliun sipas të dhënave të Syrtesë, të cilat më së fundi,  i miratoi shtamadhoria dhe  kryekomandanti i Armatës së Lindjes,  gjenerali Sarraj. Ai, siç e kemi parë, për muaj me radhë kishte kundërshtuar trillimet e Syrtesë, që e akuzonte Themistokliu si agjent të armikut, por tani  ishte dorëzuar.

Sigurisht që Sarraji shikoi në fund të fundit interesin e tij. Krahina Autonome  e Korçës ishte krijuar me dëshirën e flaktë të korçarëve, por edhe  me miratimnin e tij. Dhe jo më kot. Duke plotësuar dëshirën  e shqiptarëve të kësaj krahine, ai ishte i qetë se trupat franceze nuk do të sulmoheshin më nga çetat e  Themistokliut e të Sali Butkës. Me fjalë të tjera, ato do të luftonin vetëm kundër forcave të Fuqive Qendrore, madje, duke pasur përkrah edhe forcat shqiptare, siç ndodhi në luftimet e Pogradecit. Pra, këtë vendim e kishte marrë i shtyrë nga motive ushtrarake pragmatiste, për më tepër, pa pyetur qeverinë franceze.

Mirëpo ajo i kërkonte tani llogari për këtë veprim. #’duhet të bënte ai që e kishte dekoruar Themistokliun  një javë më parë? Të  pranonte që ai të dënohej? 

Nuk kishte rrugë tjetër. ”Pra, dhe ushtarakët detyroheshin të tërhiqeshin përpara interesave politike dhe diplomatike franceze”. ( P.Tako,”Themistokli…”faqe 306).

“Dy duar për një kokë,”- thotë populli. Dhe Sarraji në përgjigjen dhënë kryeministrit Fosh, vinte në dukje se shndërrimi i Korçës në krahinë autonome, ndodhi në mars të vitit 1917, falë  vullnetit të pupullit të kësaj krahine dhe aftësive të Thëmistokli Gërmenjit. Dhe hamendësonte se ai më pas kishte pasur si ambicje të bëhej president i shqiptarëve. Kësisoj, për të realizuar ambicjet e tij, ishte lidhur  me fuqitë  armike. (Por në fakt në asnjë dokument, qoftë edhe të Syrtesë, nuk zbulohet që Themistokliu të ketë qenë agjent).

Megjithatë, Sarraji ngulte  këmbë që krahina  e Korçës të mbetej  ashtu siç kishte qenë  dhe të mos fusnin hundët as venizelistët grekë, as italianët dhe as esatistët. Qeveria franceze duhej të ishte e kënaqur me kurbanin e bërë me këtë rast, pra, pushkatimin e Themistokliut, “të atij që guxoi t’ia ndryshonte emrin Krahinës Autonome të Korçës në Republikë Shqiptare’. (P.Tako,”Themistokli…”faqe 307).

Thamë më sipër se mungojmë dokumente arkivore të këtij procesi gjyqsor. Sidoqoftë, siç e kemi parë, në gazetën “Posta e Korçës”, të datës 13.2 1930,  është botuar një artikull  i një anonimi “Ë”, me titull’ “Vrasja e dëshmorit kombëtar”.

Nga sa del nga ky shkrim, autori  është mbështetur në kujtimet e  të dënuarve që u liruan nga burgu pasi kryen dënimin, ose që edhe u falën. Në bazë të tyre, mund të rindërtohet procesi gjyqsor, ndonëse sipas studiuesit Tako, autor i  veprës “Themistokli Gërmenji”, që e kemi cituar shpesh herë në këtë dosier, ka edhe pasaktësi, por gjithsesi, që e bëjnë këtë proces të besueshëm.

PLUMBA MBI PAFAJESINE 

Pjesa e katërt dhe e fundit

Nga Skifter Këlliçi

 SI U ZHVILLUA PROCESI GJYQSOR

Pala paditëse në procesin gjyqsor kundër Themistokli Gërmenjit përbëhej nga Benuai, shefi i Syrtesë, pra, Sigurimit të ushtrisë, Drioja, inspektori i Sigurimit, dhe Glavani, edhe ai oficer i lartë i Sigurimit. Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Luftës ishin pesë ushtarakë francezë, si edhe avokati mbrojtës, Tyber.

Duket e çuditshme se si një oficer si Tyberi, një ndër intrigëthurësit për ta futur Themistokliun në kurth, të ishte avokat i tij mbrojtës !?…Këtë dyshim shpreh edhe historiani i njohur, Muin #ami, në studimin e tij “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij”, (“Studime Historike” nr 4, 1977, faqe 118), ku ai, ndër të tjera, shkruan:”Në rast se kapiteni Tyber qe me të vërtetë avokati mbrojtës i Themistokliut, atëherë kemi plotësisht të drejtë të pohojmë se  ishte sajuar gjithçka, në mënyrë të përsusur, jo vetëm nga akuza, por dhe vetë gjyqi”.

Themistokliu u akuzua për tradhti të lartë, bazuar në aktakuzën,  mbështetur në përfundimet e fundit të Syrtesë,sipas të cilave:

A .Të gjitha veprimet armiqësore të ndodhura në krahinën e Korçës nga ana e austriakëve, janë bërë me ndihmën e e agjentëve të prefekturës.

B. Në zonën austro-hungareze agjentët e rekrutuar prej shërbimit informativ francez, janë paditur dhe ekzekutuar, kurse familjet e tyre janë internuar e burgosur.

C .Këto,(A dhe B), janë shkaktuar si nga shërbimi informativ austriak, ashtu dhe nga partizanët e tij.

Autori anomim i shkrimit të botuar në gazetën “Posta e Korçës”, më 13.2.1930, me titull “Vrasja e dëshmorit”, që përmendëm më sipër, pasi radhit këto pika të rëndësishme të aktakuzes, vazhdon në këtë shkrim edhe fakte të tjera, që nuk janë gjë tjetër, veçse sajime absurde dhe qesharake të Syrtesë.

I tillë është gjoja fakti se para luftimeve të zhvilluara në Boboshticë, Adem Beqiri, bashkëpunëtor i Themistokliut, qenkësh dërguar në zonat e armikut dhe paskësh  takuar  gjeneralin austriak, Vazari, për t’i dhënë informacione. Jo vetëm kaq, por Themistokliu paskësh shkruar  një letër i që i drejtohej shefit të zbulimit austriak, e cila qënkesh gjetur në astarin e një kapote të një oficeri austriak, siç dëshmonte togeri Dë Mari.

Por të tëra këto bien poshtë nga një raport i gjeneralit Sal drejtuar komandës së përgjithshme të Armatës së Lindjes, në të cilin ai dëshmon se spiuanzhi austro-hungarez në drejtim të Korçës, udhëhiqej në Sovjan nga oficerët madhorë,  Semere, dhe më  pas  Vitner,  me ndërmjetës një agjent, të quajtur Muharrem, rekrutuar nga prej tyre. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 309). Pra, vetë gjenerali Sal,  që , siç e kemi parë, kishte zevendësuar muaj më parë Dakoenin, i respektuar nga shqiptarët, në këtë raport nuk përmend gjëkundi Themistokliun.

Në shkrimin e tij të botuar te “Posta…”, anonimi vë në dukje se në procesin gjyqsor u lexuan edhe disa dëshmi të të burgosurve. Po ato ishin marrë pas torturash të vazhdueshme, ashtu siç do të deklaronte vite më pas #iz Mehmeti, një xhandar i forcave të Themistokliu. Për me tepër, siç pohon anonimi, këta dëshmitarë nuk u thirrën të depononin  gjatë procesit gjyqsor.

Një ndër këta dëshmitarë ishte dhe shqiptari  Pasho Kolaneci,  i cili u dënua me vdekje, por më pas u fal nga Syrteja. Ishte pikërisht ky që i dha informacione Benuait se gjoja kishte qenë ndërlidhës i  Themistokliut me Fehmi Zboqin, një tjetër shqiptar i akuzuar për tradhti ndaj Francës. Kësisoj Pashoja u fal e bashkë më  të edhe Fehmi Zboqi, që  u lirua më pas.

Sipas anonimit, Themistokliu me një gjakftohësi të pashembullt i hodhi poshtë këto dëshmi, që nuk kishin asnjë bazë. Si përfundim, trupi gjykues nuk mundi të vertetonte akuzën kundër Themistokliut për tradhti të lartë.

Në vazhdim të artikullit të tij te “Posta…”Anonimi shkruan se avokati mbrojtës, Tyber, vuri në dukje se Këshilli i Luftës nuk mund ta gjykonte Themistokliu si francez, por si shqiptar. ”Mbrojti tezën që njeriu nuk mund të quhet tradhëtar, përveçse kur punon kontra kombit dhe atdheut të vet, qoftë i vetëm, ose në bashkëpunim  dhe në marrëveshje me fuqi të huaja. Themistokliu, si patriot shqiptar dhe nëpunës i lartë i atdheut të tij, për veprat e tij është përgjegjës vetëm përpara kombit të vet.” Ndaj, kërkoi pafajësinë.

Ndoshta anonimi në fjalë 13 vjet pas kësaj ngjarjeje ngatërron Tyberin, armik të Themistokliut, me dikë tjetër që mund t’i ketë shprehur këto fjalë, i cili është treguar jo vetëm i ndershëm gjatë këtij procesi gjyqsor të montuar, por edhe objektiv, siç pohon edhe studiuesi Tako në veprën e tij kushtuar Themistokliut.

Më tutje Tako shkruan se më vonë një profesor i shquar i Universitetit të Parisit ka shprehur thuajse të njejtin opinion për dënimin e padrejtë  të Themistokliut. Profesori nënvizon se gjatë këtij  procesi u bënë shumë akuza të cilat, sipas mendimit të tij, ishin të sajuara. Mund  që edhe vetë Tyberi pas shumë vitesh të ketë shprehur ndjenja pendimi për dënimin e padrejtë që e dërgoi  Gërmenjin  në plumb.

Në librin e tij “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë”, (frengjisht), botuar në Paris më 1929, Dakoeni, ish-komandanti i forcave franceze në Korcë, që më pas u zëvendësua nga Sali, “…ka dhënë mendimin se drejtësia franceze duhej ta rishikonte procesin, sepse në gjykimin e çeshtjes “pati gabime juridike”. Këtë mendim ka shprehur edhe miku i Shqipërisë, Zhysten Godar, në parathënien  e këtij libri. Edhe francezë të tjerë që kishin simpati për Shqipërinë kanë qenë të këtij mendimi”. (P.Tako.”Themistokli…”, faqe 311).

Trupi gjykues, pas kësaj farse të neveritshme, me tri vota pro dhe dy kundër, e dënoi Themistokliun me vdekje. Syrteja kështu mposhti përfundimisht Sarrajin dhe shtatmadhorinë, që e kishin  mbrojtur Themistokliun.

Të ndalemi tani te  artikulli “E vërteta e  ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët” shkruar nga  studiuesi dhe shkrimtari, Aurel Plasari, botuar më 16 shkurt të vitit 2016 në gazetën “Tema”, ku jepen disa të dhëna të reja  nga procesi i mësipërm gjyqsor. 

”Dëshmitari kryesor ishte një Demir Hasan”,- thekson Plasari.- Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit  francez, në kuadrin e shërbimit të informacionit tëArmatës së Lindjes. Me pohimet e tij gjatë procesit ka dëshmuar për kontaktet   e fshehta që ka mbajtur Th. Gërmenji me “anëm tjetër” të frontit, atë të forcave ushtrake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e Armatës së Lindjes kontakte  të tilla konsideroheshin si “tradhti”, në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”. Pra, del se në këtë proces  gjyqsor  të këë qenë një dëshmitar shqiptar, por, nisur nga qëllimet cinike të Syrtesë, që pa tjetër të akuzojë Themistokliun për “bashkëpunim me armikun”.

 “Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Gërmenjit,- vazhdon Plasari, – përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të Republikës Autonome të Korçës, si dhe së ardhmes së saj, kur Lufta e Parë Botërore të kishte përfunduar. Më vonë, gjenerali francez Dakoen, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve, në përgjithësi, – vazhdon Plasari,- e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje TEK armiku, çfarë nuk do të thotë Me armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje së bashku në shumë raste”. (Gen. Descoins, Six mois d’histoire de Albanie, novembre 1916- mai 1917, A. Costes. 1930, f 51)”.

 Pasi dëgjoi vendimin e jurisë, Themistokliu tha i qetë: “Sidoqë u dënova me vdekje, unë po vdes i pafajshëm  dhe jam i bindur që vdekja ime ka për t’i shërbyer Shqipërisë. Dhe më poshtë shtoi: “ Më vjen keq që po vdes nga plumbat e francezëve, me të cilët  lidha  besë për t’i shërbyer çështjes shqiptare dhe miqësisë me Francën. Kjo dhëmbje do të jetë  e ëmbël duke ditur që vdes në luftën për lirinë e atdheut tim të dashur, Shqiqërisë….Vdes i lumtur dhe i kënaqur, se e kam ndërgjgjen të pastër dhe shpirtin e qetë në përmbushjen e detyrave kundrejt Shqipërisë. Lutja e fundit që u drejtoj francëzëve është  të mos rrëzojmë flamurin kombëtar që kam ngritur në Korçë dhe të mos bëhen shkak që të prishet ajo copë Shqipëri.”

 Sipas Anonimit “…këto fjalë tronditën ata që u ndodhën në sallë, sa mjaft prej tyre ulën kokën nga turpi, se nuk mund ta shihnin atë drejt e në sy”. (“Posta…”, 25.2.1930).

Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur sepse, në mjediset ushtarake franceze kishte njerëz që e kuptuan se sa poshtë kishin rënë ata që montuan një proces të tillë të turpshëm,  për të bërë theror Themistokliun dhe për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse Krahinës Autonome të Korçës.

Dhe kjo, sepse pushtuesit francezë tashmë   kuptuan, gjithashtu,  se krijimimi kësaj krahine qe një fitore e madhe jo vetëm e Korçës, por edhe e Shqipërisë, që cënonte interesat e tyre në të ardhmen. Ata edhe pas përfundimit të Luftës së Përbotshme, mendonin të ruanin zona  ndikimi në Ballkan e në Shqipëri. Jo më kot e mbajtën Esat pashën në Paris që më pas ta kthenin në Shqiqëri për të luajtur kartat franceze dhe serbe.

PUSHKATIMI

Në atë kohë, pra, më 9 nëntor të vitit 1917, Themistokliu nuk ishte veçse 46 vjec. Që Sigurimi francez e kishte mbërthyer në kthetrat e tij gjakatare, këtë e kishte parandier. Megjithatë, ai nuk u largua nga Korça, gjë që mund ta bënte fare lehtë, sepse askujt nuk do t’i jepte llogari, aq më tepër pushtuesve francezë. Madje, ka pohime se  shokët i kishin thënë të largohej, e, megjithatë, ai nuk u largua, i bindur në drejtësinë  e tij. (“Gazeta e Korçës”, 11.2 1930).

Në çastet e pushkatimit të Themistokliut ka qenë Ogyst Mortieri, ushtarak francez që më 1914 ishte martuar me një vajzë pogradecare, të quajtur Athina Sotiri. Dhe më 1917, pas luftimeve në Pogradec, ku mori pjesë edhe Themistokliu, u emërua komandant garnizoni. ”Skuadra,- dëshmon ai,- gatitej të shtinte.Themistokliu hapi gjoksin dhe me trupin përpara e priti batarenë e plumbave burrërisht, si shqiptar i vërtetë.” (“Kuvendi Kombëtar”, Ilo Mitkë Qafëzezi, “Vrasja e Themistokli Gërmenjit”,17 dhjetor 1933) .

Më poshtë po aty: ”Kur do ta pushkatonin, – ka deklaruar një oficer i shtabit madhor francez ,- nuk pranoi t’i lidhnin sytë  dhe i kërkoi një copë letër oficerit të togës së pushkatimit, me lutjen që të lexohej  pas mbarimit të detyrës. Dhe në kohën që zbrazeshin pushkë, u dëgjua nga goja  e tij:”Rroftë Shqipëria! Rroftë Franca!”. Themistokliu ra ngadalë, ashtu siç pritet  një lis i madh. Oficeri çeli letrën dhe sytë iu mbushën me lot kur lëçiti:”Dhe mbas vdekjes sime,”Rroftë Franca!”.

Me tutje në këtë shkrim, I.M.Qafzezi shkruan:”Pushkatimin e ndiqnin së largu dy hije. Donin të bindeshin me sytë e tyre për vdekjen  e tij. Dhe u zhdukën përsëri si fantazma, porsa panë që trimi vaditi me gjakun  e tij të pafajshëm dheun e huaj. Cilët mund të ishin këta? Ndoshta Esat pasha dhe Eftim Gjini”.

Gërmenji nuk u varros në Korçë, ku pati shprehur dëshirën, por në Zeitenlik të Selanikut. Madje as në varrezat  qytetare, por në ato të robërve austriakë. Dhe kjo ndodhi, sepse pushtuesit francezë kishin frikë se varrimi i Themistokliut në Korçë do të kthehej në manifestime të furishme popullore kundër tyre. (Muin #ami, ”Studime…”,  nr.4 1977, faqe 120). Eshtrat e Themistokliut u varrosën pas shumë vjetësh në varrezat e Korçës.

  Një ditë pas pushkatimit të Themistokliut, më 10 nëntor, gjenerali Sal, komandanti i forcave pushtuese në Korcë, mblodhi këshillin qeveritar të Krahinës Autonome dhe me cinizëm njoftoi se një natë më parë Themistokli Gërmenji ishte pushkatuar  si bashkëpunëtor i armiqve të Francës dhe aleaëve të saj.

Ky lajm  tronditi pa masë të pranishmit, sepse askush nuk besonte në fjalët e gjeneralit francez. Por, çuditërisht,  një major francez, i quajtur Masje, i tha Salit pa drojë: ”Nëse Themistokliu ishte fajtor, unë jam fajtori më i madh”. Pra, dëshmonte se Themistolkiu nuk kishte tradhtuar. Nuk kaluan veçse disa ditë dhe Masjeja nuk u pa më në Korçë. (“Drita”, “Themistokli Gërmenji një nga përpjekësit për vetqeverimin  e Shqipërisë”, 23.11.1973).

Me të marrë këtë mandatë, e shoqja e Themistokliut, Evdhoksia, u takua me Glavanin, shefin e Sigurimit francez në Korçë  dhe i kërkoi atij t’i shpjegonte  arsyet e pushkatimit të burrit të saj.

– Cilatdo qofshin ato, unë protestoj për vrasjen tij , se Themistokliu ishte i pafajshëm dhe ra viktimë e shpifjeve, – shtoi ajo.

– Shikoni, zonjë ,- u përgjigj Glavani, duke përdorur të gjitha argumentet e mundshme .- Ju duhet të pranoni faktin, sado i hidhur të jetë, se Këshilli i Luftës, që dënoi burrin tuaj, u mbështet në  prova të sigurta.

– #farë provash? M’i jepni ato , – ia preu me zemërim dhe e hidhëruar ajo. – #farë gjyqi qe ai, kur nuk u thirr asnjë dëshmitar për të fajësuar burrin tim?

E veja e shikoi me qortim dhe inat e shtoi:

-Themistokliu asnjëherë nuk ka vepruar me kokën e tij dhe pa biseduar me Dakoenin e më pas me Salin. Për çfarë u akuzua? Ju lutem edhe një herë, më paraqitni provat.

Glavani u zu ngushtë.

– Gjykata e mbështeti vendimin  ,- tha ai ,- në provat që u paraqitën , sipas të cilave u vërtetua se Themistokliu i kishte dhënë armikut informata ushtarake mbi Korçën e krahinën e saj.

– Nuk është e mundur, – iu përgjjigj ajo . – Ju lutem, më  lejoni të shkoj në Selanik për të mbledhur të dhënat e  e nevojshme. Dua që gjyqi i burrit tim të përsëritet duke u bindur në pafajësin e tij. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 323).

Por këto prova Glavani dhe oficerë të tjerë madhorë francezë, nuk ia dhanë kurrë Evdhoksisë. Kuptohet, nuk kishin çfarë t’i ipnin.

Megjithatë, Evdhoksia në  qershor të vitit 1920 u takua me gjeneralin tjetër francez, Dë Bartu, dhe iu  lut t’i jepte një kopje të aktit gjyqësor. Dhe Dë Bartui i premtoi. Por kur shkoi në Selanik, pa se të gjitha aktet gjyqsore të Armatës së Lindjes ishin dërguar në Paris. Megjithatë, ai kërkoi nga Ministria  e  Drejtësisë në Paris që t’i dërgohej një kopje e procesit të Selanikut kundër Themistokliut. Mirëpo ky proces nuk ra në  dorë të tij dhe, rrjedhimisht, në dorë të Evdhoksisë. (Arkivi i Shtetit, dosje 27, faqe 5, letër e dë Furtusë, Sofje, 7.7.1920). 

Pas pushaktimit  të Themistokliut në shenjestër të  Syrtesë u vunë komisarët e policisë, Kozma Trebicka e Llazo Progri, Tefik Panariti, Mehmet Starova e më vonë te Qamil Panariti etj. Disa prej tyre vdiqën në kampin  e përqendrimit në Bitinckë, madje edhe në Guajanën franceze .

Pushtuesit francezë   abroguan  pa ngurrim Protokollin e 10 dhjetorit, në bazë të të cilit Korça, siç e kemi parë në pjesët e para të këtij cikli, shpallej krahinë autonome dhe ajo u quajt thjesht kazaja e Korçës, pushtuar nga forcat e ushtrisë franceze.

“ Ne, ushtarët e Francës, – tha Sali me hipokrizi në në një takim me anëtarët e shoqërisë “Përparimi”, – po luftojmë për të përhapur në të gjithë botën fjalët e lirisë,,barazisë  dhe të vëllazërimit. Të tërë ata që i kuptojnë ç’duan të thonë këto fjalë, janë miqtë tanë, ata që nuk duan t’i kuptojnë, janë armiqtë tanë.” (“Gazeta e Korçës”, 24 korrik 1917).

Lajmi i pushkatimit të Themistokliut shkaktoi hidhërim, dhëmbje dhe indinjatë tek të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut. Midis tyre e ndjeu këtë humbje shoku i tij i armëve, Sali Butka. Lajmin e vdekjes e botuan shume gazeta , ndër të cilat edhe gazeta “Dielli”, që botohej në Boston, e cila shkroi: ”Frenqtë dyfeqisnë prefektin e Korçës, atdhetarin e madh, Themistokli Gërmenji”, (18 dhjetor 1917). Kjo ishte e kuptueshme. Duke vrarë kaq mizorisht Themistokliun, Franca kishte vrarë dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët tek ai shihnin një atdhetar të madh të çështjes kombëtare.

EPILOG

Një  mëngjes janari të vitit 1999, disa muaj para se të nisesha për në Amerikë, tek shetisja me publicistin e njohur  Pirro Naçe, një burrë më pamje të qeshur, u ndal para nesh. Pasi  na përshëndeti, nisi të fliste frengjisht.

-Njihu  me ambasadorin francez në Tiranë, – m’u drejtua më pas Pirroja duke shtuar emrin e tij.

 Pastaj edhe unë i thashë se cili isha. Si u mendua një grimë, ai  me një shqipe të përsosur më pyeti se mos isha autor i romanit “Vrasës me duar të bardha”, kushtuar Themistokli Gërmenjit. Pohova me kënaqësi. Pastaj fytyra e tij u mbulua një  çast nga një hije trishtimi.

-Para disa ditësh, – zuri të fliste ai, – bëra një vizitë në varrezat e ushtarëve francezë, të rënë në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe aty vura një kurorë edhe te varri i atdhetarit të madh shqiptar, Themistokli Gërmenji, që u pushkatua padrejtësisht nga ushtarakët tanë më 1917.

Pas kaq dekadash, Franca, nëpërmjet ambasadorit të saj, kërkonte falje. Me pak fjalë, por domethënëse.

Sidoqoftë, nuk mjaftojnë  veprime të  tilla fisnike  që janë përsëritur edhe nga diplomatë të tjerë francezë, të cilët  kanë punuar në Tiranë. Bazuar në fakte që do të zbulohen nga hapja e dosjes së këtij procesi të kurdisur gjyqsor, do të vërtetohet,  tashmë juridikisht, pafajësia e Themistokli Gërmenjit. Dhe shpresohet se kjo dosje,  më së fundi, jetë sa më shpejt që të jetë e mundur  në duart e studiuesve tanë, pra, 105 vjet nga dita e dënimit  me vdekje  të këtij veprimtari të shquar të lëvizjes sonë kombëtare.

Fund

.

Filed Under: Histori

HISTORIOGRAFIA JONË KA NEVOJË PËR KORRIGJIME DHE RISHKRIM

March 20, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/


Theksime nga promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” në Prizren. -Mistifikimi i të vërtetave historike si dhe mbajtja e tyre e ngrirë, është krim shkencor, por edhe moral, meqë pamundësia e çlirimit nga mashtrimet shoqërinë e kthe në viktimë të përhershme të përshtatshme për çfarëdo manipulimi…Martin Hajdegeri, me të drejtë ngriti çështjen që secila gjeneratë ka të drejtë për rishikimin e historisë në përputhje me “pikëpamjet për të vërtetën e vet”. Kjo arsyetohet me atë se historiografia si shkencë e veçantë shoqërore ka për detyrë të marrë parasysh logjikën e interpretimeve që ofrojnë faktet në vazhdimësi si dhe atë, që qëndrimet e caktuara, të pranueshme ose të imponueshme në një kohë, valorizohen, rishikohen ose edhe korrigjohen në përputhje me ndryshimet shoqërore që vendosin raportet politike. Meqë shtetformimet shqiptare (i Shqipërisë në vitin 1912 dhe të Kosovës në vitin 2008) kanë kaluar nëpër faza të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ato ideologjike për mbi gjysmë shekulli, ka qenë e pritshme që edhe ajo që është shfaqë si historiografi “autentike” nga autorët shqiptarë të jetë ndikuar nga këto rrethana, veçmas nga historiografia serbe, që mund të thuhet, se bashkë me diskursin e njohur ideologjik, ia ka përcaktuar kornizat e “të vërtetave” gjithnjë në përputhje me programet hegjemoniste serbe gjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht se diktatit të historiografisë serbe ndaj asaj shqiptare, krahas faktorëve nga raporti i forcave, i kanë ndihmuar edhe impulset “shkencore” që kanë ardhur nga “qarku sllavist” i Vjenës dhe shkolla ruse e shekullit XIX-XX në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së njohur të hegjemonizmit pansllavist rus në Ballkan nga Kriza Lindore e këndej, që ka ndikuar edhe hartat politike dhe ato shtetërore. Andaj, ka qenë e pritshme që përjashtimi i shqiptarëve prej hartave politike të Europës sa më shumë që të jetë e mundur, që hisja e tyre në to të jetë sa më e vogël dhe mundësisht nën tutelën e shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë) të shumtën të ngritura dhe të shtrira mbi trungun e etnisë shqiptare. Kësaj politike i është dashtë parja e mjegulluar e shqiptarëve në histori, veçmas në antikitet dhe mesjetë, si dhe roli i tyre “i pushtuesit” dhe “zullumqarit” gjatë Perandorisë Osmane të ardhur nga Kaukazi, me ç’rast ata, me ndihmën e osmanëve dhe të pranimit të islamit, gjoja kanë rrënuar “shtetin mesjetar serb” si dhe “kishën ortodokse serbe”! Kështu, platformat hegjemoniste , ajo e “Naçertanjes” së Garashaninit dhe “Megaloidhesë” greke të vitit 1844 bashkë me literaturën përcjellëse me plot e përplot gënjeshtra dhe falsifikime ordinare, ia përcaktuan edhe kornizat si dhe hapësirën pamjes së deformuar të historisë së shqiptarëve jo vetëm nëpër qendrat e caktuara hulumtuese dhe studimore evropiane (me përjashtim të shkollës gjermane), por ndikuan që edhe fillet e historiografisë institucionale shqiptare (mbas viteve të njëzeta të shekullit të kaluar) dhe veçmas ato ideologjike gjatë regjimit komunist, të shumtën të mbesin peng i tyre, posaçërisht të çështjet që kanë të bëjë me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme, ku dogma e të ashtuquajturit shtet mesjetar serb të identifikuar me dinastinë Rasiane të Nemanjajve tribalë (fis dardan) dhe kishë ortodokse serbe me gjoja autoqefali në shekullin XIII, mbesin të paprekura!Historiografia ideologjike gjatë gjysmë shekulli në Tiranë, krahas përpjekjeve që së paku, nëpërmes teorisë ilire (gjithnjë në përputhje me kornizat e indoevropianishtes), ta lidh origjinën shqiptare me antikitetin (ndonëse përherë të parë nën ndikimin helen), megjithatë, duke iu nënshtruar klisheve të historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj, gjithnjë nën diktatin ideologjik, që Shqipërisë i ka ardhur nga Beogradi, ka pranuar diskontinuitetin historik dhe veçmas atë etnik, kulturor gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, me çka me këto shkëputje i është ndihmuar anatemës së popullit të mjegulluar dhe jashtë strukturave shoqërore dhe politike në mesjetë qofshin ato edhe ndër më të fuqishmet e kohës siç ishte “Despotati i Eprit”i mesit të shekllit XIII, “Mbretëria Arbërore” e Anzhuve e vitit 1272 si dhe dinastive të Balshajve, Thopiajve, Kastriotëve, Dukagjinëve dhe të tjera! Kjo ka bërë që shqiptarët të privohen edhe nga roli i tyre që kishin gjatë shfaqjes së krishterimit dhe më vonë, ku ata ishin ndër të parët që e pranuan atë dhe i takuan dhe i ndihmuan përhapjes së tij tutje Ilirikut. Madje, edhe perandorët e njohur ilir-dardanë Konstandini i Madh, Justiuniani dhe të tjerët, që me të drejtë mund të merren pjesë e trashëgimisë së lavdishme historike arbërore-shqiptare ku duhet të mbështet edhe identiteti politik dhe shoqëror në kuadër të formacioneve autonome të kohës, përjashtohen prej saj, duke u përvetësuar nga të tjerët! Krahas diskursit përjashtues nga mesjeta në jetën shoqërore dhe politike të saj në dobi të diktatit sllav-ortodoks, historiografia institucionale shqiptare, gjithnjë nën diktatin ideologjik, ka krijuar mundësi të reja, që i njëjti diskurs, të ndikojë drejtpërdrejt edhe raportet e brendshme antihistorike, sidomos ato që solli fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimi i saj, me ç’rast, fitorja e ideologjisë komuniste dhe përfshirja e dhunshme e shqiptarëve në të, shkaktoi dëme të mëdha gjithë atyre zhvillimeve me të cilat, në përputhje me rrethanat që krijoheshin, kërkohej që të korrigjoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Kështu, historiografia ideologjike, fitores së komunistëve shqiptarë në radhët e Frontit Antifashist si dhe krimeve të rënda, që u ushtruan nga ana e tyre pas marrjes së pushtetit në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, u dha “alibi” në emër “të luftës klasore” dhe qërimit të hesapeve me “kuislingët dhe fashistët”! Me këtë rast edhe slogani “luftë nacionalçlirimtare” u ngatërrua deri te keqpërdorimi, kur dihet “komunizmi” jo vetëm që e përjashton “kombëtarën” por edhe e lufton atë, siç ndodhi në vërtetë. Në këtë frymë, pra që të luftohet çdo përpjekje e kombëtarizmës dhe frymës së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u erdhën në ndihmë edhe formulimet “kuislingë” dhe “fashistë” ndaj atyre që vepronin për shtet të përbashkët shqiptar në përputhje me rrethanat e kohës, siç ishte shteti i pavarur shqiptar i viti 1943 që doli nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i nëntor 1943, që përfshiu pjesën më të madhe të viseve etnike shqiptare të shkëputura dhunshëm gjatë pushtimit serb dhe grek të vitit 1912. Qeveria shqiptare e vitit 1943-1944 si dhe rrethanat që e nxorën atë, historiografia shqiptare duhet t’i rishqyrtojë dhe t’i trajtojë në përputhje me rolin historik dhe pasoja që prodhoi ajo si një veprim patriotik i elitave intelektuale, që kishin për detyrë të shfrytëzonin raportin e forcave politike për interesat kombëtare, siç ishin ato të krijimit të një shteti të përbashkët shqiptar. Ky rishikim, bashkë me atë që solli ripushtimi i Kosovës nga Beogradi në nëntor të vitit 1944 në saje të bashkëpunimit internacionalist të komunistëve të Shqipëpisë me ata të Titos me pasoja tragjike për Kosovën (me mbi 50 mijë të vrarë nga terrori partizan), me çështjet tjera që lidhen me vazhdimësinë historike të shqiptarëve në të gjitha fazat e saj nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë, natyrisht se tërheq pas veti edhe vargoin e korrigjimeve, nga ato të vazhdimësisë pellazge, pranimit të trinomit mbretëror ilir në antikitet (maqedon, dardan, epirot), rolit të Ilirikut në themelimin e Bizantit, pa përjashtuar këtu edhe strukturat feudale autonome në të në fazën e dekompenzimit të tij, pastaj të pushtimeve osmave dhe të krijimit të realiteteve shoqërore dhe politike pesqindvjeçare në të për t’u sqaruar pastaj edhe Rillindja Kombëtare dhe gjithë ai zhvillim që çoi deri te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, ku me vendimet e Konferencës së Londrës qendra historike (Kosova) u kthye në periferi me fatin tragjik të shuarjes si etni historike dhe kulturore me asimilim ose gjenocide. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, krahas fokusimit tek roli i fuqive të mëdha te fatet e shtetit shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi nga lufta e parë botërore e deri te ajo e dyta, përqendrimi te stigma “revolucion” dhe “kundërrevolucion” ka rëndësi të veçantë, meqë ajo nuk nënkupton vendosje-zhvendosje mekanike të tyre, kur njëra gjendje zëvendëson tjetrën, siç është vepruar deri më tani, por kërkon korrigjimin e pikëpamjeve të deritanishme si dhe rishkrimin e historisë në përputhje me to, meqë ato nuk kanë dominuar vetëm logjikën politike në vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe Kosovën e pushtuar nga Begoradi, por në vazhdimësi në të dy anët e murit shqiptar, kur në njërën anë, është përdorur për forcimin e diktaturës staliniste, ndërsa në anën tjetër, është përdorur për t’u shtypur vullneti i shqipatarëve për barazi, siç ishte rasti me kërkesën për republikën e Kosovës të shfaqur në vitin 1968 dhe të rikthyer fuqishëm në vitin 1981. Ndonëse, kërkesa për korrigjime dhe rishqyrtime historiografike shfaqet e papranueshme nga shumë historianë institucionalistë, që kanë qenë pjesë e diktatit të dogmave të tilla dhe sot e gjithëditën gëzojnë privilegje “akademike” dhe madje disa prej tyre edhe aso politike duke u dhënë “alibi” edhe reinkarnimit të politikave antishqiptare siç ishin ato të lidhjeve ideologjike me lindjen, megjithatë, nuk është vetëm e drejta e çdo gjenerate për të vërtetën e vet, siç e thotë Hadegeri, por mbi të gjitha është nevoja që shoqëria shqiptare të lirohet nga mashtrimet ideologjike dhe ato të diktateve nga jashtë, veçmas të historiografisë serbe, në mënyrë që të krijojë rrethanat për bashkim të brendshëm shpirtëror, kulturor, po edhe shoqëror dhe politik. Mistifikimet, mbajtja e tyre “nën embargo morale” dhe të ngjashme nga frika se mund të prodhojnë përçarje, janë vetëm arsyetime antihistorike, që pamundësojnë katarsisin që i duhet secilës shoqëri që jeton nën robëri të gjata…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT