• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOM ZEF OROSHI, XIXËLLONJA NDRIÇUESE NË ERRËSIRËN SHQIPTARE

July 4, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Fetë janë si xixillonjat: kanë nevojë për errësirën që të shkëlqejnë”

ARTUR SCHOPENHAUER (1788 – 1860), filozof I njohur gjerman

Këto fjalë të thjeshta të filozofit të njohur gjerman kërkojnë një përsiatje të thellë. Ka një vërtetësi në to, që çdo besimtar e gjen duke filluar nga vetvetja. Në vështirësi të mëdha, larg familjes e njerëzve të dashur, kur të gjitha rrugët janë të mbyllura, në një vetmi cfilitëse, njeriu I drejtohet me gjithë shpirt hyjnisë, duke kërkuar ndihmë, shpëtim nga e keqja që e ka pllakosur. Jo rrallë njeriu gjen qetësi, madje i duket se ka kaluar sikletin. N’ata çaste gjithkush mund t’a kuptojë fuqinë e besimit në Zotin e në profetët e tij.

Thuhet se besimi ka lindur tek njeriu që në hapat e para të rrugëtimit të tij. Edhe atëherë kur objektet e kultit nuk ishin ngritur me të gjithë madhështinë e tyre në shekuj, njerëzit ndërtonin një faltore fare të thjeshtë e në të ata i luteshin Perëndisë. Ato faltore erdhën gjithënjë e më shumë duke u bërë më të bukura e në to u derdh i gjithë talenti i akitektëve e piktorëve më të mirë të botës.

Gjatë rrugës së gjatë të ecjes së tij, njerëzimi i kthyer nga paganizmi, besimi në natyrën e dukuritë e saj, të trupëzuara në qënie të përfytyruara që shoqëronin çdo ditë atë, kaloi në besimet në një Zot të vetëm. Por ky kalim i besimit nuk qe i lehtë e, përsa i përket doktrinës së Krishtit, kërkoi shumë flijime që bëheshin në Romën ”caput mundi”.Mbas pak më shumë se treqind vitesh të lindjes së Krishtit, u desh të vinte në fronin e Romës një perandor ilir, Kostandini, më i shkëlqyeri i asaj plejade të sivëllezërve të tij që drejtuan perandorinë më të madhe të botës së lashtë, për t’i dhënë ligjëshmëri Kishës së Krishtit, për t’a nxjerrë atë nga shpellat e katakombat, për të vepruar lirisht mes njerëzvet. Është një motiv krenarije i yni si racë, por që, çuditërisht, nuk figuron si i tillë në historiografinë tonë.

Që atëherë besimi i krishterë dhe Kisha e tij ka bërë rrugën e saj në shekuj, me të përpjetat e tatëpjetat e saj, por gjithmonë pranë njerëzve, kryesisht më të dobtëve, ka qënë burim ngushëllimi e shprese, shtyllë morali e paqtimi ndërmjet njerëzve e kombeve. Në këtë kuadër edhe kisha ilire, arbërore e shqiptare, ka ecur në rrugën e saj, gjithmonë besnike e Romës, e po ashtu në shërbim të interesave të popullit të saj në të gjithë drejtimet. Ndër shekuj ajo Kishë ka qënë përhapëse e ruajtëse e dijes, mësuese e kutivuese e traditave më të mira, strehë morale e tribune të drejtash, më e fuqishmja përkrahëse e idesë së kombit e të harmonisë brënda bashkësisë. 

Kështu erdhi ajo deri në shekullin e dy luftërave botërore e të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Nëse në shekuj këto popullsi i kishin dhënë botës Shenjtë si Hjeronimi, Shën Nikodimi i Pojanit, Shën Urbani papë, Shën Krishti baçevan, Shën Nikor Arxhirota, Shënjtorja Dana nga Vlora, Shën Asti nga Durrësi, apo Mëkëmbës të Krishtit si Françesco Albani e katër kardinalë nga fisi i tij e Shqipërisë një kryediplomat të Skënderbeut, ipeshkvin Pal Engjëllin  dhe katërshen Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, që përbëjnë themelin e parë të kulturës arbërore, shekulli i njëzetë do të befasonte botën me 38 martirët e Kishës katolike shqiptare e do t’a ndriçonte atë me Shën Nënë Terezën, Shënjten e jo humanisten, së cilës Shteti enverist  nuk i lejoi as të takonte nënën e saj për të fundit herë.

Shekulli i turpit në historinë shqiptare, i drejtuar nga komunistët sllavofilë e kinezofilë, do të merrte njollën e pashlyer të tij, duke shligjëruar besimet fetare me një ligj e një kushtetutë të re që do të shpallte Vëndin e Gjergj Kastriotit, “Atletit të Krishtit”, si të vetmin Shtet zyrtar ateist në botë. Humnera morale në të cilën e zhyti enverizmi shqiptar popullin e tij, duke i ndaluar të luste Zotin, duke prishur ose kthyer në objekte ekonomike të gjitha kishat, xhamitë apo teqet, duke burgosur shumicën e shërbyesve të fesë dhe mjaft qytetarë që besonin në Zotin, në një popull normal do të kishin kërkuar një përgjigje të fuqishme e të menjëherëshme. Mjerisht, shqiptarët duhej të mendonin për bukën e fëmijëve, për të shmangur “barin” që u ofronte “bujarisht” regjimi policor. Të vetmit që, në mjaft raste, dëshmuan qëndresën e tyre, nëpërmjet zbatimit të urdhnimeve e rregullave kishtare, qenë priftërinjtë, që paguan me dënime të rënda e herë herë edhe me kokë si Dom Shtjefën Kurti, që u dënua me vdekje për një pagëzim fëmije…

Në Shqipërinë e dhjetëvjeçarëve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të njëzetë, historia ishte kthyer dymijë vite mbrapa, në kohën e martirizimeve të të krishterëve nga perandoria romake, duke u mbuluar nga errësira e një regjimi që mund të gjejë krahasim vetëm me klikën kriminale të Pol Potit në Kamboxhia apo me atë të talibanëve në Afganistan, duke përsëritur përvoja tepër të rralla, që ishin ato të ndalimit të besimeve fetare në jetën e njerëzve. Shqipëria heshtëte në vetminë e saj vrasëse, të rrethuar nga telat me gjëmba, duke mbushur burgjet e saj me viktima të pafajshme të etjes për gjak të hienave të përbindëshme të klasës drejtuese komuniste. Por edhe bota heshtëte. Ata miliona “paqësorësh” që, për rreth njëzet vite kishin mbushur sheshet e Perëndimit, për të protestuar kundër luftës së amerikanëve për të ndaluar shtrirjen komuniste në botë, nuk gjetën as edhe një minutë të vetme të dënonin “marrëzinë shqiptare”, që shkelte të drejtën më parake njerëzore, atë të lutjes së Perëndisë. Ata e përfaqësuesit e tye qëndronin krejt të pavëmendshëm kundrejt fjalëve prej zëdhënësi të Kinës së Mao Ce Dunit në asambletë e Kombeve të Bashkuara, edhe se i dinin mirë përmasat e tragjedisë shqiptare…. Madje kishte edhe ndonjë përfaqësues të “botës së lirë” që e vizitonte Shqipërinë, duke vënë në dukje “sukseset” e saj e duke vënë lule më vonë mbi varrin e Enver Hoxhës…..

Por n’ata vite errësire të kobëshme në Shqipëri, në botën shqiptare jashtë saj do të shkëlqente ylli i një meshtari që, në Vëndin simbol të demokracisë e të të drejtave të njeriut, do të rivendoste përfytyresën e Shqipërisë normale e tradicionale. Do t’a bënte këtë nëpërmjet predikimeve të tij kishtare e më shumë nëpërmjet faqeve të revistës “Jeta katolike shqiptare”, që u a dërgonte bashkatdhetarëve të tij në botën e madhe, e mbi të gjitha me nismën e tij për të ndërtuar në New Yorkun e selisë së Kombeve të Bashkuara, kishën e parë katolike shqiptare.

Ai meshtar quhej Dom Zef Oroshi. Kishte lindur në Mirditën e familjes Gjomarkaj vetëm pesë ditë para se të lindëte Shqipëria e pavarur, më 23 nëndor 1912. Ky binjakëzim në lindje ndoshta i dha edhe një farë zotimi në vetvete për t’i shërbyer atdheut, ashtu siç do t’i kishte shërbyer vëllait. Nga mosha 15-vjeçare deri n’atë 25 vjeçare, studjoi në seminnarin Papnuer të Shkodrës. Qe nxënësi i njërit prej personaliteteve më të shkëlqyer të botës shqiptare, poetit, gjuhëtarit, bariut shpirtëror Dom Ndre Mjeda. Mësimet e tij dhe ndikimi i personalitetit të atij mësuesi të pazakontë, u bënë pjesë e natyrës së nxënësit, duke i ruajtur si gjënë më të çmuar të vetë jetës së tij, kudo ku shkoi e ku jetoi. U rrit nën hijen e Dom Ndre Mjedës e pati fatin të njohë e të marrë mësime edhe nga një tjetër Shqiptar i Madh, Atë Gjergj Fishta.    

    Nga seminari ai shkoi në Itali, ku u regjistrua në universitetin e Urbinos, në të cilin u diplomua në Teologji e Filozofi. Me mbarimin e studimeveu kthye në Vëndin e lindjes. Ishte një vënd në pushtim , por në të cilin ankthi për t’ardhmen mbizotëronte mbi shqetësimin e së sotmes. Shumë vite më vonë, në marsin e vitit 1982, në një udhëtim me makinë nga New Yorku në Boston, në shoqëri të profesor Zef Nekajt dhe publiçistit Tomë Mrijaj, i cili e sjell këtë episod në librin e tij: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”,  tregohet se si profesori bëri këtë ankim gjatë bisedës: “Ndoshta ai regjim i djallit nuk do të na japë mundësinë të kthehemi e të çmallemi me truallin tonë, se çdo ditë po plakemi”. Autori i “Çohajës” i u përgjigj: “Fajin e kemi vetë e ma së shumti na klerikët, që qëndruem pasivë e nuk e organizuem popullin, që t’ngrihej në kambë i madh e i vogël, në Veri e në Jug të Shqipnisë, si ortek i madh bore e t’luftonte atë murtajë, që na shkatërroi në themel”

Janë fjalë dëshprimi e vetëdijesimi që dalin nga zemra, mbas dhjetëvjeçarësh përsiatjesh mbi kohë e ngjarje që lanë vulën e tyre ogurzezë mbi milionë shqiptarë, të cilët, ndoshta, po të ktheheshin edhe njëherë mbrapa, do të kishin vendosur ndryshe. Të mashtruar nga propaganda e luftës kundër pushtuesit, që mbulohej nga lufta e përbashkët me aleatët perëndimorë, shumë shqiptarë n’atë kohë nuk kuptuan rrezikun e vërtetë që i kërcënonte e atyre pak atdhetarëve që mundoheshin t’u hapnin sytë për t’i ndriçuar, u përgjigjeshin me qesëndinë e tyre. Në fjalët e Imzot Oroshit ndihet keqardhja e thellë për mungesën e veprimit në të shkuarën e nuk i lihet aspak vënd fatalitetit historik të ngjarjeve, që kishte peshën e tij të pamohueshme në fatet e Shqipërisë. Por shpjegimi i Imzotit dëshmon ndershmërinë intelektuale të tij, nëpërmjet një këndvështrimi vetëqortues e aspak përligjës të rrugës së përshkuar.

Ndërkaq meshtari i ri ushtronte detyrën e tij duke u përqëndruar në problemin e gjakmarrjes, një plagë e rihapur dhe ende e pashëruar as në Shqipërinë e viteve dymijë, një problem i madh, i trashëguar nga e shkuara e largët, në të cilën nuk ekzistonte Shteti dhe ligjet e tij të zbatueshme për të gjithë, e në të cilin gjithkush detyrohej të vepronte vetë për të vendosur drejtësinë. Është një problem shumë i mprehtë, që prodhon mjedise në të cilët mbizotëron dhimbja, frika e pasiguria, në të cilët njeriu duhet të bëjë zgjedhje që kundërshtojnë parimet morale e fetare me të cilët është formuar. Aq më i mprehtë e pothuaj i pazgjidhshëm bëhet ky problem në dorën e meshtarit që n’asnjë mënyrë, duke predikuar urdhnimet e Krishtit, nuk mund të përligjë kërkesën e Kanunit.

Në një revistë “Kumbona e së diellës”, të datës 5 shtator 1943, përshkruhet një episod nga mesha e parë e Dom Zefit: “Mbas meshe u ndoq predku i mbajtun prej celebrantit, Dom Zefit, i cili me nji gojtari vërtetë të bukur, tërhjekse, moderne e të rrjedhshme, endi jetën e Shejtit, tue cekë dashtnin ndaj njeni tjetrit, ku, muer rasën të flasë mbi vrasën e mbi të falunit e gjakut, gja fort e shpeshtë ndër malet tona. I urojmë predikatorit nji sukses përherë e ma të madh”.  

Më 1946 Arqipeshkvi Frano Gjini e emëroi Oroshin si këshilltar për dioqezën e Mirditës. Kështu ai vazhdoi të ushtrojë detyrën e meshtarit e të mbarështuesit kishtar në atë zonë. Në vitin 1951 terrori u shtua në krahinën e Mirditës. Në shënjestrën e e sigurimit të Shtetit hyri edhe Dom Zef Oroshi, për të cilin u shpall një urdhër arrestimi në dorë të toger Babës, një krimineli ordiner që përfundoi i varur nga vetë regjimi mbasi krimet e tij mbollën tmerrin në të gjithë krahinën. Meshtari, që po thonte meshën, u lajmërua nga dikush se ushtarët e togerit kishin rrethuar kishën. Ruajti gjakftohtësinë, e mbaroi meshën dhjetë minuta para e doli nga dera e mbrapme, duke lënë në qelë veladonin e tij.

I u bashkua lëvizjes së qëndresës në mal, të cilën e kishin udhëhequr dy kapidanët e Mirditës, vëllezërit Mark e Llesh Gjomarkaj, të vrarë heroikisht në përpjekje me ushtarët e Sigurimit të Shtetit. Ai qëndroi rreth tetë muaj me luftëtarët e qëndresës kundër komuniste në Shqipëri e në vitin 1952 kaloi kufirin jugosllav, nëpërmes Drinit e zonës së Gjakovës, e prej andej shkoi në Mitrovicë. Që aty më 3 shkurt 1953 i dërgoi një letër kapidanit Ndue Gjomarkaj në Romë, në të cilën paraqet një radiografi tejet të saktë të Shqipërisë komuniste. 

Mbas një qëndrimi jo shumë të gjatë në Jugosllavi, Dom Zefi, së bashku me meshtarët Atë Daniel Gjeçaj, Atë Ambroz Martini, e Dom Nikollë Kimza, me garancitë e Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjoni e djalit të tij Ndue Gjomarkaj shkuan në Itali në vitin 1954. Atje na thotë autori Tomë Mrijaj, Dom Zefi frekuentoi universitetin katolik “Angelicus”, duke mbrojtur me notën më të lartë tezën e doktoraturës. Vazhdonte të ushtronte detyrën e meshtarit, madje duke çuar meshë të posaçme edhe për mërgimtarët shqiptarë në Romë. Filloi të bashkëpunojë me botuesit e “Shêjzave”, profesor Ernest Koliqin dhe redaktorin profesor Martin Camajn, në revistën e të cilëve botoi artikuj me tema të ndryshme. Në Romë përktheu edhe veprën: “ Shkrimi i Shenjtë, Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve”, të cilën i a kushtoi  kujtimit të mësuesit të tij të paharruar Dom Ndre Mjeda.  

Në vitin 1961 Dom Zef Oroshi shkoi në Sh. B. A. dhe jetoi disa muaj në Boston nën drejtimin e kardinalit Cushing, Arqipeshkvit të atij qyteti  që mbahej si “kryeqyteti i shqiptarëve t’Amerikës”. Aty vizitoi shpesh Imzot Fan S. Nolin, me të cilin kishte patur kontaktet e para kur ishte student në “Propaganda Fide” të Romës e si përfaqësues i Shoqatës studentore letrare “Shën Asti” i kërkoi atij disa nga librat e botuara. Noli i u përgjigj me një letër mjaft të ngrohtë dhe inkurajuese e cila u ruajt  me shumë dashuri në arkivin e shoqatës.

“Takimin e parë, mjaft të përzemërt, e bamë në rezidencën modeste të Imzotit. Ai u interesua për klerin katolik. Natyrisht, mosha dhe peripecitë e jetës kishin qënë të ndryshme. Kishte simpati, sidomos për disa të klerit katolik, që kishin qenë afër me idet e tija për nji Shqipni demokratike. Megjithatë kurrë nuk hapi direkt çashtje politike”.      

Imzot Zef Oroshi ka shkruar gjatë për marrëdhëniet e tij me ish “Kryeministrin  e Republikës demokratike të Shqipnisë”, siç i pëlqen atij t’a quajë në një vëllim të titulluar: “Si e njoha Fan Nolin”. Aty ai tregon për përpjekjet e përbashkëta për të ngjallur frymën ekumenike në marrëdhëniet ndërmjet kishës katolike dhe kishës ortodokse shqiptare të drejtuar nga Imzot Noli. Ishin përpjekje të lëvdueshme që dëshmonin hapësirën e gjërë mendore të dy personazheve dhe qëllimin e mirë për të harmonizuar veprimet e bashkësive katolike e ortodokse shqiptare n’Amerikë. Për më tepër ato përkonin edhe me frymën ekumenike të Koncilit Vatikani Ii, n’atë drejtim.Përpjekjet nuk patën përfundim sepse hasën në ngurtësinë teologjike të nuncit Apostolik italian në SH. B. A., të cilin Dom Zefi mbas njohjes e përcaktoi si “një konservator i tepruem”.   Me keqardhje ai shprehet kështu: “Dritarja për ajri të freskët , që pat premtue Papa Gjoni XXIII, nuk ishte hapë ende në kishën katolike”. 

Nga kjo kuptojmë se meshtari shqiptar dhe Imzot Fan Noli bënin pjesë në krahun reformator të kishës së krishterë. “Me vdekjen e Peshkop Nolit, më 13 mars 1965, bashkimi i kishave të krishtera mbeti vetëm një ide, që koha e harroi dhe zbehu ngadalë”

përfundon me pezmatim Dom Zefi. Sigurisht ai ka mbajtur parasysh edhe poezinë “Hymni i Flamurit” të Imzot Nolit në të cilën gjinden vargjet:

“Flamur që lind Shën Kostandinë

Bashkon Islamnë me Krishterimnë

Çpall midis feve vëllazërimin

Flamur bujar për njerëzi”.

            Noli bëhet ndërpretues i mendimit të hapur edhe ndërmjet besimeve monoteiste, filozofi në të cilën bashkohet edhe Dom Zef Oroshi. Ai është i vetëdijshëm se populli i tij përbëhej nga idhtarë të tre besimeve e çdo ngurtësi nga secili prej tyre do të kishte dëmtuar lidhjen mes bashkësive në dëm të interesave të kombit. Mendoj se kjo prirje ekumenike e Dom Zef Oroshit dhe e Imzot Nolit janë një nga anët më të rëndësishme të personalitetit të tyre. Bën përshtypje në vargjet e cituara më sipër shpjegimi në fusnotë për emrin e Kostandinit: “Kostandini, i quajtur edhe Shën Kostandin, ishte perandor romak prej fisi ilir. Ai i shërbeu klasës sunduese skllavopronare por Noli e idealizon”

Deri kur do të shkojmë me konceptet klasore enveriste në ndërpretimin e historisë, kur ai i përket një botimi të vitit 1999 e të përgatitur për shtyp nga z. Xhevahir Spahiu që kritikon tërthoras edhe vetë Nolin për idenë e tij?

Në vitin 1962 dom Zef Oroshi shpërngulet në New York, ku së bashku me Atë Andrea Nargaj, themeloi “Lidhjen Katolike shqiptaro – amerikane” dhe revistën “Jeta katolike shqiptare”, që u bë në pak kohë zëri më i fuqishëm i mërgatës së krishterë shqiptare në kontinentin amerikan. Ja si shkruan për këtë revistë profesor Zef Nekaj në një dorëshkrim të tij, të cilin e përcjell autori i librit, publiçisti Tomë Mrijaj:

“Temat që Oroshi ka zhvillue në revistën e tij janë kryesisht fetare, të kohës së tashme, gjuhësore dhe letrare, herë herë edhe polemikë, si dhe çashtje t’administrimit kishtar e të veoprimtaris së gjithanshme të shoqatës e bashkësis kishtare qi ai themeloi. Po ashtu ai ka mbajtë lexuesit në dijeni të plotë, mbi veprimtarin e shejtneshës për së gjalli, Nanës sonë Tereze Bojaxhiu; gjithashtu ka shqiptue nga italishtja e botue: “Misionet e Jezuitve dhe kultura shqiptare” e At Zef ValentinitS.J.. S’do mend se janë botue edhe lajmet, audiencat, enciklikat e tij etj., nga Vatikani dhe Arkidioçezi i New York-ut….

Historikisht janë trajtue tema mbi Skanderbegun, sidomos me rastin e e 500-vjetorit të vdekjes së tij, mbi Arbreshët, ngritjen e flamurit, mbi përvjetorë të patriotëve, letrarëve, gjuhëtarëve të vonë e të hershëm, sidomos të klerit katolik, të cilët ndihmuen aq shumë, qi gjuha jonë të mos “vdaret”. Janë botue reçensione (edhe nga Oroshi), kritika e kundërkritika, sidomos prej mjeshtrit të palodhshëm Ndoc Vulaj. Në revistë janë përfshi  nji mori fjalimesh t’autoriteteve të mërgimit shqiptar në rasa përvjetorësh e përkujtimesh, vdekjesh etj.; kanë pa dritën e botimit disa tregime të vërteta ose fiktive të kandshme e plot humor në lidhje me jetën në Shqipnin e tashme; janë regjistrue mbledhjet e përvjetorët e shoqatës, të Kishës dhe revistës së bashkësis shqiptare në N.Y., të përcjellun me darka e orë argëtuese, me muzikë, solista, dueta etj.,por rrallë e për mall ka pas lajme gradimesh…. (Zoti na faltë për këtë punë, po a s’mund  e a s’duhet të gradohet ndokush prej nesh as këtu a?!)

“Jeta katolike shqiptare” botohej në New York e shpërndahej në të gjitha Vëndet ku jetonin shqiptarët. Roli i saj ka qenë shumë i rëndësishëm, mbasi Dr. Oroshi, nëpërmjet asaj reviste e më vonë nëpërmjet blerjes së truallit dhe ndërtimit të Kishës së “Zojës së Këshillit të mirë”, i tregoi Sh.B. A. dhe botës mbarë, se shqiptarët nuk ishin një popull që mohonte Zotin, se Krishtërimi në Shqipëri kishte zënë rrënjë që nga kalimi i Shën Palit në Ilirinë e shekullit të parë, se ajo që ndodhte në Shqipërinë komuniste nuk kishte asgjë të përbashkët me botën shpirtërore të popullit shqiptar. Ajo ishte pjesë e një regjimi diktatorial, që shtypte liritë e popullit të vet, që zbatonte verbërisht urdhërat që i vinin nga Pekini i Mao Ce Dunit, duke rrezatuar përfytyresën më t’errët të gjithë historisë shqiptare. Duke u vënë në ballë të qëndresës shqiptare kundër komuniste, n’ata vite të gjata Dr. Zef Oroshi i bëri shërbimin më të madh popullit të tij dhe Kishës katolike shqiptare, duke u kthyer në një xixëllonjë gjigande që ndriçonte errësirën komuniste që kishte pllakosur Shqipërinë. Falë asaj qëndrese, mërgimtarët shqiptarë ishin ballëlartë sepse errësira që kishte mbuluar Vëndin e tyre nuk prekte shpirtërat e tyre, nuk përfaqësonte idetë e prirjet e tyre, as filozofinë e tyre, por ishin shfaqja më e shëmtuar e përdhosjes morale, mendore e politike të një tiranie. Ata shihnin tek meshtari trim dinjitetin e personifikuar, përçuesin e mbrojtësin e vlerave katolike e shqiptare, autoritetin moral që frymëzonte shpresë e besim.

Le t’i a lemë fjalën autorit të librit në një nga portretizimet e tij:

“Imzot Oroshi ishte nji burrë i urtë, i zellshëm, i shoqërueshëm dhe me karakter të fortë. Ai i respektonte të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo krahine. Ishte personifikim i zellit bjeshkënor. Merrte pjesë në të gjitha tubimet shqiptare, me karakter fetar, kulturor dhe  kombëtar. Kishte një edukatë të shëndoshë e qëllim-mirë ekumenike. Fjalëmjaltë e i matur me shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, i pranishëm në të gjitha takimet  dhe tubimet, mesazhpërcjellës shprese e mirësie, nismëtar e ndërlidhës i aktiviteteve në dobi të çështjes shqiptare apo në përkujtim të ngjarjeve historike e figurave, që kanë lënë emër të madh në piedistalin e identitetit tonë, sëbashku me Imzot Fan Stilian Nolin e meshtarë të tjerë ortodoksë.

Ishte shumë i mirëpritur në qendrat fetare islame dhe bashkëpunonte ngushtë me drejtuesit e komunitetit mysliman, si me Imam Salih Myftinë (1891 – 1978), kryetar i fesë islame në Detroit e Kanada, Imam Isa Hoxhën (1924 – 2002), hoxhë Hamit Perollin,Sheh Halilin, Reverend Baba Rexhepin (1901 – 19959, kryetar i Teqesë Bektashiane në Detroit etj. Klerikët bashkatdhetarë të konfesioneve të ndryshme, duke ruajtur traditën e tolerancës fetare shekullore dhe respektin për njëri tjetrin, këmbenin vizita dhe telefonata për Krishtlindje, Pashkë, Bajram, Ramazan dhe festën Bektashiane të Ashurës….”  

Në rastin e 60-vjetorit të krijimit të Shoqatës “Vatra”, më 1969, imzot Oroshi shkruante:

“Me rasë të kremtimeve të Gjashtedhjet Vjetorit të gazetës ma të vjetrës shqipe në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës “Dielli”, drejtoria Qëndrore e Vatrës, me kryetarin e saj të vlefshëm  në krye Peter Chickos, ka ndërmarrë  me këtë rasë mbledhjen e nji Kongresi Pan-Shqiptar. Ky Kongres do të mbahet në New York City, ç’nga data 28 deri në 30 nandor.

Posë diasporës së re e të vjetër shqiptare, në Kongres do të marrin pjesë edhe tre Dhespotët Arbreshë, Shkëlqesit e Tyne: Imzot Zef Perniciaro, Ipeshkëv Ordinar i Horës Shqiptare Piana degli Albanesi, nga Siçilija, Imzot Gjon Stamati, Ipeshkëv Ordinar i Lungro-s, Cosenza, Kalabri, Imzot Theodor Minishi, Ordinar i Abacisë Shën Nilit, në Grottaferrata, Roma.

Posë disa klerikëvet të tjerë arbreshë, dhespotët do të udhëhjekun me veti dhe grupe folkloristike të rijsh e të rejash arbreshe, që do t’i japin lulëzimin e meritueshëm këtij kremtimi.

Vatra, n’emën të vllaznimit shqiptar dhe Shqiptarizëm-Amerikanizëm, ka tregue dëshirën, që programi të shtrihet dhe me manifestime e kremtime fetare të tri besimeve ndër faltoret e tyne, mundësisht me pjesëmarrjen e besimtarëve padallim, gjithku janë të mirëpritun. Kjo asht nji rasë për t’i diftue botës së lirë, por njiheri edhe botës komuniste, se na jemi nji popull qi besojmë dhe, në të njajtën kohë, për t’i dhanë lartësim Shqiptarizmës n’Amerikën tonë të dashtun.

Si antar i sa vjetvet dhe si këshilltar i vatrës, dishroj t’u sjelli thirrjen ma të flaktën të gjith shqiptarëvet të diasporës sonë, por sidomos Bashkësisë katolike Shqiptare, që secili, ta japi ndihmesën e vet, që Pan-shqiptarizma të dali faqebardhë me këtë rasë, që ndoshta mund të jetë e vetmja në jetën tonë. 

Më 29 nandor, ora 12 fiks, do të fillojë Mesha Pontifikale në St. Patrick, e thanun nga tre Dhespotët Arbreshë. Të gjithë janë të mirëpritun. Katolikë Shqiptarë! Mos harroni se kjo asht dita e juej ma tepër e ma. Pjesëmarrja e juej duhet të jetë tok!”. 

Thirrja pasionale dhe e thukët e Imzot Oroshit në këtë përvjetor të rëndësishëm katolikëve shqiptarë është prekëse e ngazëlluese. Ndoshta në thellësi të zemrës së tij dëshiron t’i ngjasojë  oshëtimave të maleve shqiptare që dikur jepnin alarmin e rrezikut që afrohej e ftonte për qëndresë. Edhe këtë herë, me praninë e tyre në këtë meshë pan shqiptare ata duhet të dëshmojnë se ndërsa në Vëndin e tyre tirania komuniste ka shkelur me të dy këmbët dyshen shekullore të vetë kuintesencës së qënies shqiptare, formulën madhore Fe e Atdhe, n’Amerikën e lirive universale, në bijtë e shqipes ajo është më e fuqishme se kurrë. Në këtë mënyrë Pan-shqiptarizma do të dalë faqebardhë, duke i treguar miqve amerikanë, por edhe botës së tiranisë së Tiranës, se ka edhe një tjetër Shqipëri, që nuk shtrohet e që i ka mbetur besnike idealeve të Gjergj Kastriotit e të tjerë burrave e grave të shquara në historinë e gjatë të Kombit.

Imzot Zef Oroshi ka zhvilluar një veprimtari të dëndur në të gjithë drejtimet. Nuk ka asnjë ngjarje të rëndësishme të bashkësisë shqiptare që të mos kishte vulën e pjesëmarrjes apo t’organizimit të tij. Ai fton tre dhespotë arbëreshë, nga “gjaku ynë i shprishur” që më 29 nëndor 1969 thonë meshën e përbashkët në St. Patrick e më 5 korrik 1972 organizoi një meshë të madhe përshpirtjeje për klerikët e martirizuar në Atdhe prej regjimit komunist, në të cilën folën e lexuan pjesë të ndryshme tetë profesorë universitetesh amerikanë, nën tingujt e muzikës kishtare të kompozuar nga Kardinali i ardhëshëm shqiptar, Dom Mikel Koliqi, që atëherë jetonte në një kamp internimi në Gjazë të Lushnjës. N’atë rast imzoti Oroshi foli përsëri për fushatën kriminale të qeverisë së Tiranës kundër klerikëve, kryesisht katolikë. Në vitin 1973 ai ftoi në kishën ku predikonte Nënë Terezën, e cila foli shqip me të, ndërsa mbas tre vitesh, në korrik 1976 organizoi një meshë të posaçme për motrën e madhe të gjithë shqiptarëve, ku ajo u takua me shumë bashkatdhetarë të saj. Me atë rast ai shkruajti: 

“Personalisht Mater Teresën e kam njoftë 11 vjet ma para. Asokohet, me këshillin e Monsinjor Landy-t  e temin, pat kërkue ajo vetë nga Ambasada Shqiptare e Romës, që t’i lejohej e ama , që të shkonte me vdekë te i biri, kolonel Lazri, në Siçili. Porse qeverija fatose e Tiranës e gjet edhe këte çashtje të përhime me politikë. Nuk qe lejue me dalë dhe e ama vdiq tri vjet ma para, pa mujtë e bija me e pa për afër pesëdhjetë vjet. Por Mater Teresa nuk mundet me u idhnue me kurrkand. Shprehja e saj dhe në këtë rasë qe: “U baftë vullndesa e Zotit!” Bëhet fjalë për një nga veprimet më të poshtra të klikës enveriste në Shqipërinë komuniste, veprim që godiste gruan më të madhërishme të historisë shqiptare…          

Në përkujtimin e 40-vjetorit të vdekjes së Dom Ndre Mjedës, të organizuar prej Imzot Oroshit foli shkrimtari shkodran Arshi Pipa. Imzoti përshëndeti në 25-vjetorin e themelimit të Bllokut kombëtar Indipendent, ndërsa më 10 tetor 1975 ai bekoi në tokën spanjolle martesën e çiftit mbretëror shqiptar në prani të 1500 të të pranishmëve. Ai ka bërë bekimin e unazave duke u shprehur kështu: 

“Zoti i bekoftë unazat, që po shkëmbeni sot me njeni-tjetrin, në emën të dashunisë, besnikrisë bashkshortore e sinqeritetit reciprok. Le të shtoheni e të shumoheni, që oborri mbretnor shqiptar të jetë plot me ushtarë të atdheut, për t’i kthye lirinë Shqipnisë së mbërthyeme nga kthetrat e kuqe dhe bashkue shqiptarët n’tokat e tyne stërgjyshore, rreth trungut amë”. 

I thirrur nga trashëgimtari i fronit shqiptar, që për Imzotin Oroshi përfaqëson autoritetin më të lartë politik të Vendit të tij, ai bekon e njëkohësisht uron shumë bij për fronin shqiptar, duke përcaktuar një detyrë që duhet të jetë e shënjtë për cilindo qytetar të Shqipërisë, aq më tepër për Mbretin e saj: “për t’i kthye lirinë Shqipnisë e për të bashkue shqiptarët në tokat stërgjyshore”. Mbetet thelbi i problemeve të këtij vëndi që në lindjen e tij e Imzoti nuk mund të mos e ngrejë para 1500 vetëve nga klasa drejtuese e Evropës, sepse ai nuk duhet të mbetet vetëm derti i shqiptarëve, duhet të jetë edhe problemi i Evropës, sepse Shqipëria është pjesë e Evropës dhe e ka provuar këtë me çerek shekullin e “artë” të Gjergj Kastriotit. Është një çast që e arratis mendimin pesë shekuj mbrapa kur Ipeshkvi Pal Engjëlli bekonte unazat e “Atletit të Krishtit” e të Donika Topisë…. Atëherë Shqipëria ishte në luftë  me Turqit, këtë herë më vetveten, atëherë për mbijetesë shtetërore, sot për Shtetin e lirive e të drejtave.

Më 24 shtator 1978 u bë përurimi i Kishës së parë katolike shqiptare në tokën amerikane, të ndërtuar  me ndihmesat e të gjithë shqiptarëve të New York-ut. Ajo u bekua nga Arqipeshkëvi i i atij megalopoli, Terenc Cardinal Cooke në 14 janar 1979. Qe kurorëzimi i përpjekjeve dhe i zotimit madhor të Imzot Dr. Zef Oroshi, për t’u lënë shqiptarëve katolikë shtëpinë e tyre të lutjeve në New Yorkun e madh, por që u bë  shpejt pikë takimi për të gjithë shqiptarët në një kohë kur në “dheun amë” kishat e xhamitë ishin harruar.

Ajo kishë frut i idesë e i sendërtimit të mendimit të Imzotit mirditas, mbetet gjithmonë jo vetëm tempulli i lutjeve shqiptare Perëndisë, por edhe “Exegi monumentum”, që ai i ngriti vetes, së bashku me të gjithë ndihmesën kulturore, të cilët e futën emrin e tij në përjetësinë e kujtesës historike të popullit të tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

L’INFORMATION (1920) / INTERVISTA EKSKLUZIVE E MIT’HAT FRASHËRIT MBI ORIGJINËN E KONFLIKTIT ITALO-SHQIPTAR

July 2, 2022 by s p


Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection
Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Korrik 2022

“L’Information financière, économique et politique” ka botuar, të premten e 18 qershorit 1920, në ballinë, intervistën ekskluzive të Mit’hat Frashërin mbi origjinën asokohe të konfliktit italo-shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ngjarjet e Shqipërisë

Një intervistë me Mit’hat Frashërin

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ngjarjet e Vlorës dhe vrasja e Esad Pashë Toptanit e kanë nxjerrë në sipërfaqe çështjen e përjetshme shqiptare të lidhur aq ngushtë, siç mund ta shohim, me atë të Adriatikut. Shqiptarët që i dhanë vetes një qeveri kombëtare në kuvendin e Durrësit në shkurt 1919 dhe në atë të Lushnjes në janar 1920, kërkojnë vetëm pavarësinë e tyre, në përputhje me traktatin e parë të Londrës të vitit 1913, në të cilin ata kërkojnë që të rikthehen, pavarësisht nga kombinimet diplomatike që kanë ndodhur që atëherë. Qeveria shqiptare, e cila tani ndodhet në Tiranë, përbëhet nga 10 anëtarë, 4 prej të cilëve, që formojnë Drejtorinë e Lartë (Këshillin e Lartë të Regjencës), janë Imzot Bumçi, Dr. Mihal Turtulli, Aqif Pashë Elbasani dhe Abdi Toptani, kushëri, por kundërshtar politik i Esad Pashës. Kryetari i delegacionit shqiptar në Paris është që nga rikthimi i Imzot Bumçit, zoti Konica.

Si gjenden sot shqiptarët në konflikt me italianët që pretendojnë se nuk kanë qëllim tjetër përveç mbrojtjes së tyre kundër serbëve dhe grekëve ? Padyshim që orekset e Italisë për Shqipërinë nuk janë të kohëve të fundit. Roma pushtoi rrugët dhe pikat strategjike të këtij vendi. Në shekullin e pesëmbëdhjetë, pas vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut, Venediku u përpoq të vendosej atje. Cila është më konkretisht origjina e konfliktit aktual ? Për këtë, shkuam të pyesnim delegacionin shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Edhe pse na sigurojnë se “shqiptari që s’ka pushkë nuk është shqiptar”, zoti Frashëri që na pret nuk ka asgjë të një mbreti malësor, madje është i paarmatosur. Ai na siguron se bashkatdhetarët e tij nuk janë barbarë të paaftë për t’u vetëqeverisur, por patriotë të lodhur nga nënshtrimi ndaj zgjedhës së të huajve.

“Ajo që ne i qortojmë, tha ai, Italisë, është që, pavarësisht pretendimeve të saj për të mbrojtur integritetin e territorit shqiptar kundër fqinjëve të saj sllavë apo grekë, është se ajo ishte autore e traktatit sekret të Londrës të vitit 1915 për copëtimin e Shqipërisë; se ka dashur, në bazë të marrëveshjes së 20 janarit 1920, të sakrifikojë Shkodrën te jugosllavët për të marrë Fiumen, se ka dashur të sakrifikojë Korçën dhe Gjirokastrën te grekët për të marrë Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë. Ne qortojmë autoritetet ushtarake italiane që sillen në Shqipëri si në një vend të pushtuar, që shfrytëzojnë çdo mundësi për të poshtëruar krenarinë tonë kombëtare dhe për të vënë në siklet qeverinë tonë në Tiranë. Dërgimi i kolonel Castoldi-t helmoi marrëdhëniet italo-shqiptare. Qeveria refuzoi të njihte titullin e tij të komisionerit të lartë mbretëror dhe njoftoi Romën se mund ta njihte atë vetëm si konsull ose ministër. 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një lëvizje kryengritëse kundër qeverisë në Tiranë shpërtheu pak javë më parë, e cila zgjati vetëm një ditë, sepse bazohej vetëm mbi baza artificiale. Udhëheqësit ishin mbështetës të Esadit, njëri prej të cilëve ishte ndihmuar nga serbët, dhe tjetri kishte marrë armë dhe municione nga vetë koloneli Castoldi, siç thotë “El Tempo”, armët u kthyen sot kundër italianëve, të cilët, shihni, u vëllazëruan kundër nesh me serbët dhe Esad Pashën.

Lëvizja aktuale, vijon zoti Frashëri, nuk mund të drejtohet siç pretendon shtypi italian, as nga grekët që lakmojnë krahinat tona jugore dhe me të cilët për pak luftuam gjatë evakuimit të Korçës nga francezët, 28 majin e kaluar, as nga jugosllavët që lakmojnë krahinat tona veriore dhe nxitën intrigat antinacionaliste të Esadit, as më në fund nga turqit, sepse i ashtuquajturi Mustafa Kemal për të cilin folëm nuk ekziston në Shqipëri, dhe nëse ai është lider i lëvizjes nacionaliste turke, të gjithë e dinë se aktualisht ndodhet në Azinë e Vogël.

Në këtë moment, përfundon zoti Frashëri, italianët që nuk guxojnë të zbarkojnë në breg, po shkatërrojnë me luftanijet e tyre të gjitha fshatrat në afërsi të Vlorës. Ata dërguan 3000 banorë të qytetit në ishullin e shkretë Sazanit, ku nuk ka strehë apo ujë të pijshëm. Vetë populli italian, me të cilin ne kërkojmë vetëm të kemi marrëdhënie të mira, është indinjuar dhe ka treguar, duke kundërshtuar largimin e përforcimeve, se është kundër politikës imperialiste të Konsultës.”

Emile Dermenghem

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966

July 1, 2022 by s p

Dr.Lulzim Nika/

Vitet 1960-70, shënojnë kulmin e luftës së dy superfuqive për të treguar fuqinë ushtarake dhe shtrirjen e ndikimit të tyre ne gjithë globin (siç ishte rasti i Kubës dhe pushtimi i Çekosllovakisë nga ana e BRSS-së). SHBA-të në mënyrë të veçantë vëzhgonin zhvillimet politike në Jugosllavi, duke u angazhuar në pengimin e rrymave pro BRSS-së. Alekasander Rankoviqi, personaliteti i dytë më i fuqishëm në partinë Komuniste të Jugosllavisë, pas Tito-s, i cili nga shumë kush konsiderohej edhe si pasardhës i Tito-s, që Jugosllavinë do ta anëtarësonte në paktit e Varshavës. Në korrik të vitit 1966, me Vendimet e marra nga Josip Broz Tito në Plenumin e Brioneve, Rankoviqi shkarkohet nga postet e tij udhëheqëse në Federatën Jugosllave, ngase Tito në vazhdimësi, rrezikun e shihte nga Serbia e Madhe me përkrahjen e BRSS–së. E kaluarën hegjemoniste e Serbisë dhe pozicionimi i Rankoviqit në strukturat më të larta dhe më të rëndësishme në udhëheqësin e Federatës Jugosllave, diktatori Tito ishte i rrezikuar nga A. Rankoviqi, i cili me ndihmën e rusve do të vihej në krye të Federatës Jugosllave. Rankoviqi njihej për brutalitetin e pa parë ndaj popullin shqiptarë të Kosovës, duke sajuar edhe aksionin e grumbullimit të armëve vetëm e vetëm për të ushtruar dhunë dhe presion ndaj shqiptarëve për t’i lëshuar trojet e tyre stërgjyshore dhe për t’ia mësyrë Turqisë. Ky qëndrim fashist dhe shkatërrues ndaj shqiptarëve ka qenë i shprehur në të gjitha segmentet e jetës: ekonomi, shëndetësi, arsim, punësim etj., duke i përdorur të gjithë mekanizmat shtetërorë për të shkatërruar ekonomikisht, politikisht dhe kombëtarisht. Këtë fakt e pohon edhe vetë kreu i asaj kohe, diktatori J. B. Tito, i cili, duke folur në Kongresin IX-të të LKJ, ndër të tjera, kishte theksuar edhe këtë: “Jugosllavia e Re ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të mënjanuar gjendjen e vështirë në Kosovë… Aktiviteti që u zhvillua në Kosovë lidhur me Plenumin e Brioneve, krijoi një atmosferë, me kërkesën që statusi i Kosovës të avancohet në Republikë, një kërkesë shumë e drejtë si populli i tretë më i madh në Jugosllavi, e cila ide u përkrah edhe nga inteligjenca shqiptare e Kosovës. I pyetur për vite që po i trajtojmë, Ukshin Hoti kishte deklaruar: ”Ç’është e vërteta qysh pas viteve 1968 edhe udhëheqja politike e Kosovës ka qen e bindur që edhe Kosova duhet të jetë Republikë në Federatën Jugosllave, mirë po ajo nuk kishte as forcë dhe nuk ishte as e aftë për ta bërë një gjë të tillë … dhe këtë akt madhorë e lanë në duart e të tjerëve që të angazhohen për ta kërkuar Republikën e Kosovës.

Këto dokumente të shërbimit inteligjent amerikan dëshmojnë për dhunën dhe brutalitetin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë, nga ana e shtetit jugosllave. Po ashtu dokumentet e shërbimit inteligjent amerikan tregonin edhe interesimin e shtetit amerikan për reformën kushtetues të viteve ‘70 e në veçanti për ngritjen e statusit të autonomisë së Kosovës. Kjo dëshmon së SHBA-të ndikuan drejtpërdrejtë në politiken Jugosllave, për pengimin e ardhjes në pushtet të rrymave radikale, që ndihmoheshin nga BRSS-ja. Njëra nga përpjekjet e pengimit të forcimit të rrymave radikale dhe anëtarësimin e Jugosllavisë në Paktin Ushtarak të Varshavës është edhe formimi i Lëvizjes së Mosinkuadrimit, me përkrahjen e amerikanëve ku njëri nga ideoret e kësaj lëvizje ishte edhe vetë diktatori Tito.

Filed Under: Histori Tagged With: Lulzim Nika

Si u perdor precedenti i Avni Rustemit per lirimin e vrasesit te Luigj Gurakuqit

June 30, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello

Luigj Gurakuqi u vra nga kushuriri i tij Baltion Stamolla ne Bari te Italise me 2 mars 1925. Per kete u zhvillua nje proces gjyqesor i cili perfundoi njesoj si ai per vrasjen e Esat Pashes ne Paris. Keshtu, si i pandehuri Baltion Stamolla ashtu dhe avokatet e tij parashtruan perpara jurise te njejtat justifikime: se akti ishte kryer per arsye patriotike dhe per shkak te perpjekjeve te Luigj Gurakuqit per te organizuar nje kryengritje me mbeshtetjen e bolshevikeve, te cilet sipas tij i kishin dhene 400 mije rubla ar. Nje pretendim tjeter, sipas te pandehurit, ishte se L.Gurakuqi i kishte kerkuar te behej agjent revolucionar duke shpene e duke sjelle informacione ne kufi te Shqiperise. Por megjithe premtimin per nje pagese te majme, ai e kishte refuzuar kete propozim. Per kete arsye, L.Gurakuqi e kishte fyer me fjalet “i poshter” e “spiun” dhe e kishte goditur me bastun.

Ajo qe te ben pershtypje eshte mbrojtja qe parashtruan avokatet e Baltion Stamolles se vrasja ishte kryer per arsye patriotike, nga dashuria per atdheun dhe se duhej ndjekur e njejta procedure si gjykata e Parisit ndaj vrasesit te Esat Pashe Toptanit.

Sipas “Gazeta e Korces” e 12 shtatorit 1925, juria e konsideroi te pandehurin anormal nga ana mendore. Prandaj kryetari i gjyqit vendosi ta lironte.

Keto jane dy raste te ngjashme, kur historiografia shqiptare mban qendrime te ndryshme. Vendimin e gjykates se Parisit e quan te drejte, ndersa ate te gjykates se Barit per L.Gurakuqin te manipuluar.

Filed Under: Histori

AT KARLO  SERREQI O.F.M.

June 29, 2022 by s p

download

AT KARLO SERREQI O.F.M. 

(1911 – 1954)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

“Dënohet me vdekje me pushkatim, se nuk tregon Rrëfimin.”

Arrestohet me 9 Tetor 1946, kur sherbente në Dukagjin se, nuk tregoi që ka rrëfye një të plagosun t’ arratisun nder male. Me vendimin e gjykatës atje të dates 18 Janar 1947 At Karlo Serreqi, dënohet me vdekje me pushkatim.

Mbas disa kohe dënimi me vdekje i kthehet në burgim të përjetshëm. 

Shpjegimet e sakta të Dosjes 1268 i jep studjuesi Dr. Pjeter Pepa, ku na i  shpjegon dredhitë e Sigurimit shtetit, si e si me e zhdukë këte klerik. 

At Karlo asht le në Shkoder me 26 Shkurt 1911 nga prindët Kol Serreqi dhe Maria Guga. Asht pagzue me emnin Ndue. Mori mësimet e para në shkollë Françeskane ndersa të naltat në Brescia Itali. Shugurohet në Torricchio të 

Italisë, me 29 Qershor 1936. U kthye n’ Atdhe dhe shkon me sherbye nder disa famulli si Curraj t’ Eperm, Raje e Berishë dhe Nikaj – Mertur. Nder ato Malësi nuk ishte aspak e vështirë akuza e Sigurimit kriminal të shtetit: Se, ke strehue të arratisun apo ke bashkëpunue me ata nder male, sepse kudo e kurdo, ata ishin në të gjitha krahinat malore e fushore të Shqipnisë, po edhe të njoftun si antikomunista e Atdhetarë të vendosun me vdekë per liri. 

Sigurimi i shtetit gjeti shkak per arrestimin e At Karlo Serreqit, me daten 11 Tetor 1946, kur u ba ndrrimi i kartmonellave, se kishte shpernda në njerzë të holla të disa arratisunve me i shkembye në besim, tue mos tregue se të kujt ishin tue fillue nga Pashuk Biba, Frano Sokoli, Mark Tugji etj.  

E randonte ngjarjen edhe permbajtja e disa letrave që At Karlo i ka shkrue disa fshatarve per me ndihmue të arratisunit tue i strehue në shtëpija. 

Dihej se gjoja At Karlo kishte strehue edhe Nik Sokolin e ndihmue me bukë. 

Pranon se me familjen e Kol Bib Mirakaj ka ruejt miqësinë ata pak muej që ata ishin pa u interrnue në fillim të vitit 1945. Mjaftonte edhe vetem një ditë per me t’ akuzue si “armik i popullit”. Shpjegon edhe ardhjen atje t’ Osman 

Gazepit, që i kishte lanë një mitraloz. Pranon nga torturat se ka Rrëfye atje  Lush Martinin që asht plagosë në perpjekje me forcat e Ndjekjes. Tregon se atje ka Rrëfye edhe një t’ arratisun tjeter, po nuk mund të tregojnë njeriun dhe Rrëfimin e tij, mbasi asht “çeshtje Fetare dhe nuk mund të flasin.” 

Tregon që ka Rrëfye t’ arratisun por, lidhje nuk ka pasë me asnjenin. Nga të arratisunit nuk kam marrë as të holla kur asht ba ndrrimi i tyne. Hetimet i ka vazhdue me Xhemal Selimin që njihej si torturues i sigurimit shtetit. Ky hetues e akuzon per bashkpunim me fashizmin dhe At Anton Harapin. Per lidhje me t’ arratisun dhe ndihma në të holla, si dhe rrezikshmeni tue i kerkue trupit gjykues pushkatimin e At Karlo Serreqit, si armik i Popullit. 

Me 17 Janar 1947, Prokurori Namik Qemali e akuzon edhe per shkembim të një sasije monellash, gja të cilen avokat Ferdi Kumbaro nuk e pranon, tue i kerkue gjykatës: “Pafajsinë e At Karlo Serreqit i ngarkuem n’hetuesi pafaj.” 

Këte pafajsi At Karlo e argumenton edhe Ai vetë me daten 16 Janar 1947, para Kryetarit gjyqit Misto Bllaci, Antarë Loni Dimishi e Anastas Koroveshi dhe ripersëritjes së akuzave fallco. Tregon se asnjëherë nuk ka pasë asnjë lidhje me t’ arratisun dhe as njohje personale me shumicen e tyne. Kur ju lexuen thanjet e të tjervet At Karlo i pranoi pjesërisht ato që s’ishin shpifje. 

Megjithate, gjykata persëriti edhe njëherë dënimin e At Karlos me vdekje.

Atëherë pritej apeli nga Kuvendi Popullor i Shqipnisë. At Karlo Serreqi, ishte i njohun si qytetar i panjollosun me fajet që akuzohej, po edhe fajet per të cilat Ai akuzohej nuk kishin asnjë bazë vertetsije, gja që vertetohet. 

Në Dosjen personale të At Karlo Serreqit, lutja per rishqyrtimin e dënimit të Tij asht ba dhe nenshkrue nga vllau i Tij Angjelin Serreqi, banues i qytetit të Shkodres, i njoftun nder qytetarët e nderuem dhe me prejardhje shumë të paster si dhe, me kontribut Atdhetar të vazhdueshëm edhe si Fis. 

Në lutjen që i drejton Kuvendit Popullor, Angjelini shpreh edhe besimin e vet per pafajsinë e vllaut At Karlos, per të cilin ka bindje të plotë se Ai jo vetem asht i pafajshem, po as nuk e perpjekë asgja me akuzat ndaj Tij. 

Me daten 21 Nandor 1947, Këshilli i Gjykatës së Naltë Tiranë, me kryetar Niko Çeta, mbasi mori në shqyrtim vendimin e gjykatës së dhanun per At Karlo Serreqin, dhe mbasi shqyrtoi akuzat e bame ndaj tij, ajo e ndryshoi Vendimin, tue e kthye në “dënim të Perjetshem”. Ndoshta, një rast i rrallë po, i pranueshem mbasi At Karlo Serreqi njifej si i këtillë edhe nder fshatrat ku ka sherbye që në moshen e Tij të re po, gjithmonë tue veprue me pjekuni, pasterti dhe perkushtim në detyren e Tij Fetare dhe Atdhetare. 

Per vazhdimin e dënimit të Perjetshëm Ai dergohet në Burgun e Burrelit. 

Këthimet e dënimit me vdekje me pushkatim, në dënime të “Perjetëshme” e që janë të shpeshta dhe të shumta, kerkojnë një sudim të veçantë, mbasi ata shpesh kanë pasë qellime të njajta me vendimet “me vdekje me pushkatim”, po, per mos me shtue shifrat e të vramve, i kthenin “dënim i perjetshëm”! 

Nga disa emna të njohun që mund të pushkatoheshin, shohim kalimin e tyne nder burgjet e “perjetëshme” të Burrelit, Gjinokastres etj. Atje Ata kanë kalue pak vite dhe aty Ata kanë vdekë, tue ju humbë edhe kufomat. 

Këte fat të zi pat edhe At Karlo Serreqi me 4 Prill 1954, nga ifrakti i zemres. 

Rastet si ky i At Karlos, janë jo të pakta se pjesa ma e madhe janë arkivue në “dosje t’harresës” dhe, as nuk zehen me gojë se Ju humben kufomat e Tyne. 

Pjesa e madhe që ishin n’ ata burgje gati asnjëherë nuk asht pranue si “e pafajshme”, po me rrugen e terthortë të zhdukjes në heshtje, ata hyjnë në të vdekunit e burgosun. E kjo vdekje asnjëherë nuk ka njohë “pafajsi” per ta.

E pse Trupat e Tyne të vdekun nuk ju dhane familjeve të tyne per vorrosje? 

Jo, jo, në asnjë mënyrë, se kishin me plotsue dënimin e “përjetshëm”, tue ia tretë kufomat, të cilat mund të kerkoheshin edhe mbas 25 ose 30 vjetësh!! 

E sot, asnjë gati nuk dihet as ku asht tretë Trupi i Tij, mbasi ishte “armik”, po i kujt nuk thohet, se ata që i tretshin kufomat ishin të “zgjedhunit”!

Dihet vetem një fakt: Se kush ka vdekë në Burgun e Burrelit, hidhej nga dy ose tre polic tek “qerrshija”, ku kalbeshin dhjetra kufoma të zhdukuna.

Këta vertetë nuk u pushkatuene, por Trupat e Tyne psuen të njajtin fat. 

U zhdukën pa asnjë Shenjë tek koka dhe pa asnjë pikë lot nga trashiguesit. 

Ajo që bije në sy nga këto vdekje të mnershme nder burgjet komuniste asht edhe fakti që nder ata burgje ishin të gjetun per zhdukje të perjetëshme edhe policët, të cilët merreshin me zhdukjet e kufomave të tyne. Duhet me thanë të verteten se pak ose aspak polic kanë tregue vendvorrosjet ose ma mirë me thanë: “Ku u tretëshin kufomat e të burgosunve që vdisnin nder ata burgje shfarosje të Atdhetarve tanë, si dhe të Klerikëve katolik.” 

Kryesisht, ajo që veprohej me kujdes nga agjentët e Sigurimit të shtetit në raste vdekjesh nder burgje ishte “diagnoza e percaktueme nga mjeku”, që asnjëherë mos me u krijue dyshim nga familjarët e viktimës se, “vdekja ka qenë pasojë e ndonjë veprimi nga oficerat e sigurimit.” E raste të këtilla jo vetem që njihen të shumta, po njihen shumë pak raste vdekjesh natyrale. 

Ndersa, nuk perjashtohen edhe rastet e kerkesave të hetuesve per me hapë edhe njëherë Dosjet “me shtesa emnash të rinjë”, tue i akuzue gjoja per ato akuza që janë lanë me qellim, pa u zanë me gojë në hetuesinë e kalueme. 

Kjo rrugë ishte aq e shpeshtë sa zhdukte kushedi sa persona mbas sa kohe kur, “Dosja” mendohej e mbyllun dhe një personit i ishte falë jeta. Ndoshta, edhe pse kishin kalue vite, veç kur hapej fjala se “x person vdiq nga zemra” dhe, mbyllej “Dosja” me një dokument fallco të firmosun nga një mjek. 

Asnjëherë nuk kanë me u dijtë të vertetat e vdekjeve nder burgje komuniste, mbasi “faktin e vertetë”, viktimat e kanë marrë me vete në Gropa pa emen!

Sot perkujtojmë një prej Këtyne Viktimave të Burgut Burrelit, i cili nuk la asnjë gjurmë mbas dënimit të “Perjetshëm”, edhe pse ishte shumë i rinj, i paster, Atdhetar dhe Klerik i Perkushtuem, që Rinia Shqiptare do t’a ruej perjetë në kujtesen e vet si: Zamak i Flamurit Kastriotit – Skendrerbeut! 

Melbourne, 24 Qershor 2022.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • 192
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT