
Prof.Dr. Hysen Kordha
Prof.asoc.dr. Rudina Mita
Aqif pashë Biçakçiu apo siç njihet ndryshe Aqif pashë Elbasani ishte ndër personalitetet elbasanase më në zë të kohës në, të cilën ai jetoi, punoi dhe kontribuoi, në të mirë të trevës së Elbasanit, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Historianët dhe studiuesit me të drejtë mund t`i përmbledhin vlerësimet ndaj këtij personaliteti me fjalët, atdhetar i ndershëm e patriot dhe njeri me shpirt të madh, i cili nuk kurseu as pasurinë e tij për çështjen kombëtare shqiptare. Aqifi rridhte nga një familje e pasur por e pakursyer në shërbimet që i dha atdheut dhe popullit shqiptar. Në një mjedis të tillë patriotik dhe atdhetar u rrit dhe u brymos Aqifi, i cili në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij politike ishte shumë i lidhur me fatet e vendit e të Kombit të vet dhe me vullnet të papërkulur për t`i mbrojtur ato si gjënë më të shenjtë e të shtrenjtë. Përvoja e gjatë dhe e madhe në jetën politike e shoqërore shqiptare demostroi dhe forcoi tek ai patundshmërinë në qëndrimet e tij ndaj idesë kombëtare. Pa e ekzagjeruar mund të shprehemi se Aqif pashë Elbasani ishte një lider politik. Një lider, i cili u konturua falë punës, këmbënguljes, frymës së shqiptarisë, e atdhedashurisë. Një lider, i cili demonstroi pjesmarrje të pandërprerë në lëvizjet për liri, pavarësi, çlirim dhe formimin e Shtetit shqiptar. Tek ai spikatën ndjeshëm në mjaft momente të vështira qëndrimi dhe roli i luajtur si në formatin e udhëheqësit dhe drejtuesit ashtu dhe në atë të bashkëpunëtorit pa kushte në emër të kauza të mëdha kombëtare. Gëzonte besimin e banorëve të Elbasanit e më gjërë dhe në sajë të tyre besimi i rritej edhe më tej, po kështu dhe rëndësia dhe pesha e një përkrahje të tillë.AQIF PASHË ELBASANI PERSONALITET ME PESHË NDËR SHQIPTARËT NË BALLKAN E EUROPËNë fillim të shekullit XX Aqif pashë Elbasani si një ndër personalitetet më të njohura në mjedisin politik e shoqëror në vend por dhe me autoritet e peshë ndër shqiptarët në Ballkan e Europë, u pozicionua ndjeshëm dhe qartë në elitën politike shqiptare pro indipendencës së Shqipërisë. Ky qëndrim i tij kishte rëndësi të madhe në ato momente të vështira, pasi fjala e tij zinte vend e peshonte në çdo mjedis. Çdo gjykim apo mendim i shprehur prej tij dëgjohej me shpresë e besim nga populli, ngjallte optimizëm dhe respekt tek dëgjuesit, vlerësohej nga miqtë dhe armiqtë e tij, e të kombit tonë. Gjatë kësaj periudhe ai kishte demonstruar një pjesëmarrje aktive dhe të gjithanëshme në tërë veprimtaritë kulturore e arsimore, politike e ushtarake të ndërmara në kuadrin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kulmimi i rolit dhe kontributit të tij, u shfaq në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.Me ardhjen e Ismail Qemalit në Durrës në nëntorin e vitit 1912, ai nisi përpjekjet për garantimin e urave të lidhjeve dhe vijushmërisë së përpjekjeve mes atdhetarësh e personalitetesh të njohura në vend, të cilët kishin shprehur gadishmërinë për të finalizuar rrugën e përbashkët drej pavarësisë së Shqipërisë, si qëllimi më sublim i gjithë shqiptarisë. Nga Durrësi Ismail Qemali nisi dërgimin e telegrameve këtyre personaliteteve me besimin e patundur në mbështetjen që do t`i jepnin në organizimin e Kuvendit të Vlorës. Një telegram iu dërgua nga Durrësi më 22 nëntor dhe përfaqësuesve të parisë elbasanase: Aqif pashë Elbasanit, Shefqet Vërlacit si dhe Irfan Ohrit, me anë të, të cilit iu kërkonte që ta njoftonin nëse kishin mbërritur në Elbasan delegatët e Dibrës dhe se “kur do të niseshin për në Vlorë”. Kërkesa e Ismail Qemalit mbështetej në nevojat që diktonte koha qoftë lidhur me garantimin e përpjekjeve të trevave për ta mbështetur ashtu dhe në kontributin e tyre në organizimin e punës për mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. Organizimi dhe mbështetja për të në këto momente ishte e lidhur ngushtësisht me qëllimin e shpallur dhe shihej si forma më e duhur për përballimin me çdo kusht e me çdo çmim të rreziqeve që kërcënonin tërësinë territoriale dhe popullin shqiptar. “Sa i madh që asht rreziku i sotshëm,-theksonte në telegramin e tij Ismail Qemali,-aq rëndësi të madhe kanë edhe veprimet që do t`i bajë ballë”. Këtij qëllimi do i shërbente edhe mbajtja e Kuvendit të Vlorës. Pas mbledhjes së tij dhe mbi bazën e vendimeve që do të merreshin në të do të përcaktoheshin masat e veprimet e nevojshme në interes kombëtar. Sipas qëllimit të mbledhjes “…do të përcaktoheshin masa të jashtëzakonshme e do të jepej vendimi i prerë…” dhe ky do të ishte momenti për të cilin, Ismail Qemali kërkonte prezencën, mendimin dhe mbështetjen e personaliteteve të njohura dhe me autoritet në vend. ISMAIL QEMALI MBËSHTETET TE AQIF PASHA DHE SHEFQET VËRLACIIshin këto arsyet për, të cilën ai ishte këmbëngulës që në këtë mbledhje të ishin të pranishëm dhe personalitetet elbasanase Aqif Pasha dhe Shefqet Vërlaci. Është i njohur fakti që të dy këto personalitete të trevës së Elbasanit ishin shumë të njohur, me shumë autoritet dhe me shumë peshë jo vetëm në trevën nga vinin por në shkallë kombëtare e më gjërë. Po kështu është dhe i njohur fakti që të dy personalitetet i ndanin mes tyre shumë mendime, qëndrime dhe interesa. Aqif Pasha ashtu si dhe Shefqet Vërlaci vinin nga dyer të mëdha dhe mjaft të pasura, pra rridhnin nga e njëjta shtresë shoqërore. Njëri njihej si Bej (Shefqet Beu) dhe tjetri si Pashë (Aqif Pasha). Të dy kishin lidhje mes tyre ishin baxhanakë. Në mendime, qëndrime dhe interesa Aqif Pasha ishte i hapur dhe i deklaruar tërësisht si individ me taban kombëtar, ku mbi gjithçka e në çdo rrethanë primare kishte vendin, kombin, atdheun dhe vatrën. Shefqet beu apo Vërlaci ishte një personalitet që kishte mjaft ndikim në trevën e Elbasanit, ndikim i mbetur jo vetëm nga fuqia pasurore tepër e madhe që dispononte, por edhe nga shërbimet që i kishte bërë vendit apo trevës deri në atë kohë. Nëse do të peshonin punën, kontributin dhe veprën e këtyre personaliteteve ana e peshores do të anonte shumë më tepër në anën e Aqif Pashës. Peshorja e historisë ishte në anën e tij, pasi e kishte anuar atë në sajë të shërbimeve e veprave në interes të thellë kombëtar, duke dhënë shumë e duke mos kërkuar asnjëherë shpërblim, duke qenë i disponueshëm fizikisht, shpirtërisht dhe financiarisht për atë që i dhimbte më shumë, e për të cilin sakrifikoi pafundësisht, për atdheun e tij Shqipërinë, vatrën e të gjithë shqiptarëve. Prandaj Ismail Qemali e vlerësonte dhe e cilësonte të domosdoshme prezencën e Aqif Pashës në Vlorë në organizimin e Kuvendit dhe aktit politik që do të shpallej në të. Historinë e rilindjes së shtetit shqiptar e të Shqipërisë do ta shkruanin bijtë e saj atdhetarë e patriotë, përfaqësues të denjë të shqiptarëve dhe trevave që përfaqësonin. Lidhur me përfaqësimin e dy personaliteteve elbasanase Ismail Qemali ndër të tjera shprehej se: “E gjindmja e Shkëlqesisë së tij Aqif Pashës dhe e Shefqet Vërlacit asht e domosdoshme edhe për këtë nuk mund të mendohet as ndonjë shkak e arsye ndalimi”. Nëpërmjet këtij telegrami Ismail Qemali i drejtohej edhe personaliteteve të tjerë të njohur shqiptarë, duke i rreshtuar emrat e tyre si domosdoshmëri, por emrin e Aqif Pashës e rendiste ndër të parët. Arsyet që e diktonin një vlerësim dhe konsideratë të tillë për këtë personalitet nuk ishin të rastësishme. Ismail Qemali dinte të vlerësonte dhe të kërkonte përfaqësim e personaliteteve të njohura në vend, në Kuvendin e Vlorës, pasi ai ishte një njohës i mirë i situatës politike, dhe sidomos i realitetit politik shqiptar. Ismail Qemali njihte edhe rolin dhe kontributin e personaliteteve shqiptare në ngjarjet e dhjetëvjeçarit të parë të shek XX e sidomos përpjekjet e tyre në Lëvizjen Kombëtare. Nuk ishte i rastësishëm fakti që Ismail Qemali iu drejtua që në fillim Aqif Pashës për ndihmë e mbështetje, pasi tek ai prej kohësh ishte krijuar bindja në vlerat dhe rolin e Aqif Pashës, prandaj i kërkoi domosdoshmërisht prezencën e tij në mbledhjem e madhe kombëtare. Ai nuk mund ta përligjte me asnjë mënyrë mosprezencën e përfaqësuesve elbasanas në mbledhjen në, të cilën do të vendosej për fatin e kombit shqiptar, duke iu drejtuar atyre se ishte i “shtrënguar nga nevoja e punës dhe ishte i shtytur nga nevoja patriotike”, të cilat e nxitnin që “t`u lutej të urdhëronin patjetër të dy dhe për këtë ai priste përgjigje”.ELBASANI “EMNOI PËRFAQËSUES TË VET NË KUVENDIN E VLORËS: MITHAT BEJ FRASHËRIN, SHEFQET DAIUN E LEF NOSIN DHE PËR PEQININ DERVISH BEJ BICAKUNTreva e Elbasanit, elbasanasit dhe paria e saj u tregua e gatshme lidhur me një ftesë të tillë në interes kombëtar, dhe këtë e dëshmojnë edhe dokumentet e kohës sipas, të cilave theksohej se Elbasani “emnoi përfaqësues të vet në Kuvendin e Vlorës Mithat bej Frashërin, Shefqet Daiun e Lef Nosin dhe për Peqinin Dervish bej Bicakun”. Përfaqësuesit u nisën për në Vlorë në 23 nëntor të vitit 1912, ndërsa përfaqësuesi i Peqinit u nis në datë 26 nëntor. Elbasani e ngriti Flamurin Kombëtar, simbolin e Kombit dhe të Shtetit shqiptar më 25 nëntor 1912 duke e bërë fakt të kryer mëvetësinë në këtë qytet. Lidhur me këtë akt u vunë në dijeni edhe përfaqësuesit e Elbasanit në Vlorë. Po cilat ishin momentet nxitëse që diktuan shpejtimin e një akti të tillë në qytetin e Elbasanit?Mbështetur në dokumentet e kohës informohej se më datë 24 nëntor 1912 qarkullonte fjala se ushtria serbe ishin afruar “… 4 orë larg Elbasanit” duke përparuar në drejtim të tij. Situata e krijuar nga këto përparime paraqitej kërcënuese jo vetëm për trevën e Elbasanit, por dhe në shkallë vendi. Të gjendur në këto rrethana nga ana e parisë dhe elitës politike vendase në rend të ditës synohej të ndërmerreshin veprime të shpejta dhe në interes lokal e kombëtar. Në lidhje me një situatë të tillë dhe detyrat që qëndronin përpara shqiptarëve patriotë është shprehur dhe Profesor Arben Puto, i cili ndër të tjera në lidhje me të shprehet se: “çoroditja fillestare e shkaktuar nga përparimi i shpejtë i trupave armike” ia lë vendin një lëvizje të gjërë për Shpalljen e pavarësisë. Në qendrat kryesore patriotët vendas përpiqeshin t`i vinin trupat e okupacionit përpara faktit të kryer, duke ngritur Flamurin kombëtar dhe duke zgjedhur delegatët që do të mblidheshin në një Kuvend Kombëtar për të vendosur mbi të ardhmen e vendit”.Qëllimi dhe qëndrimi i momentit në, të cilin ndodhej Shqipëria diktonte dhe masat që duhet të merreshin për të frenuar me çdo kusht inkursionin dhe përparimine mëtejshëm serb në brendësi të tokës shqiptare. Lidhur pashmangshmërisht pas këtij qëllimi u shpreh dhe paria e Elbasanit, patriotët, intelektualët, të bashkuar, pa dallim besimi, mysliman e të krishterë, për të sakrifikuar çdo gjë në emër të shpëtimit të vendin. Mënyrat e reagimit kishin një qëllim të përbashkët indipendencën e vendit, gjë e cila u mbështet fuqishëm edhe nëvullnetin e banorëve të trevave, nëpërmjet mbështesjes dhe renditjes krah elitës politike në këto momente të vështira jetësore për kombin dhe vendin. Reagimet u pasuan me ndërmarrjen e aktit politik, vullnetit të trevave për t`iu bashkangjitur qëllimit final në shpalljen e pavarësisë në Kuvendin e Vlorës. NGRITJA E FLAMURIN KOMBËTAR NË ELBASANE sensibilizuar me situatën, dhe e shprehur hapur në qëndrimin e saj pro pavarësisë së Shqipërisë, diktuar dhe nga rrethanat e përparimit të trupave serbe drejt Elbasanit, paria e këtij qyteti e unifikuar në qëndrim u shpreh e gatshme, në emër të popullit që përfaqësonte për të shprehur vullnetin e tij politik. Ku vullnet u shpall hapur më 25 nëntor 1912, rreth orës 1 e 25 minuta me ngritjen e Flamurin kombëtar në Elbasan, duke nënshkuar aktin e mëvehtësisë së Elbasanit dhe duke pranuar pavarësinë e Shqipërisë. Ky vullnet u pasqyrua edhe në telegramin nëpërmjet të cilit paria informoi jo vetëm përfaqësuesit e Elbasanit në Vlorë, por edhe vetë Ismail Qemalin. Në të ndër të tjera njoftohej edhe në lidhje me hapat e ndërmarrë për të përballuar situatën e vështirë në, të cilën ndodheshin nga përparimi i ushtrisë serbe. Personalitetet që nënshkruan telegramin ishin përfaqëses të trevës pa dallim feje, pasurije, por ishin të unifikuar në qëndrimin e tyre për të njejtin qëllim, gjë të cilën e kryen në emër të populit të Elbasanit.I pari që kishte nënshkruar telegramin ishte Aqif Pasha dhe të tjerët sipas renditjes në dokument paraqiten si më poshtë: Haxhi Hafiz, Sulejman Kungulli, zëvendës i Mitropolisë Papa Dhimitër Dhimitruka, Shefqet Vërlaci, Hasan bej Biçakçiu, Abdullah bej Tirana, Fuat Bej, Kahreman Beu, Servet bej Zylfi, Ismail Bej, Xheladin Beu, Ali Agjah Beu, Adil Beu, Maliq Beu, Riza Beu, Demir Bej, Sulçe Bej, Refik Myftiu, Sheh Mahmud Guma, Sheh Xhaferr Pasmaqja, Sheh Hysen Sulova, Kryetari i Bashkisë Ruzhdi Alush Saraçi, Papa Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taqi Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiademi-Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf bej Taushani, Hasan Çifte, Ymer Peni, Hysejn Hastopalli, Demir Zaloshnja.ELBASANI ISHTE QYTETI I PARË NË SHQIPËRINË LONDINEZE QË SHPALLI PAVARËSINË Në lidhje me aktin e shpallur u dërguan telegrame të shumtë urimi nga të katër anët e vendit. Elbasani ishte qyteti i parë në Shqipërinë londineze (Shqipëria sipas kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër), që shpalli pavarësinë dhe shprehu vullnetin e tij politik në mbështetje të Kuvendit të Vlorës. Në një telegram urimi që i dërgohej Pretorit t’Elbasanit (drejtuesit të administratës së Elbasanit) Aqif Pashës nga Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi dhe Lef Nosi i “…shpreheshin urimet më të sinqerta për ditën e bardhë të ngritjes së flamurit në Vlorë…”. Edhe krahina e Gramshit do ta mbështeste pa rezerva e fuqishëm qeverinë e Vlorës në luftë kundër pushtuesve. Akti politik i shpallur në Elbasan u pasua më 27 nëntor, edhe nga Peqini dhe qytete të tjerë në vend. Situata entuziaste që shkaktoi shpallja e indipendencës në Peqin, është përshkruar me tone patetike edhe në një telegram që i dërgohej Ismail Qemalit dhe përfaqësuesve të Kombit shqiptar në Vlorë, në të cilën ndër të tjera citohej se: “Ju bajmë me ditë se mbramë më 6 ora e natës, me dëshirën e të gjithë popullit, nënprefektura e Peqinit, shpalli independencën n’emën të Shqipniës. Flamuri Kombëtar, u ngrit nëpër ndërtesat zyrtare edhe po merremi me emnimin e nënpunësve”. Ashtu siç mund të kuptohej Aqif Pasha nuk mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, pavarësisht dëshirës së zjarrtë dhe këmbënguljes së Ismail Qemalit. Arsyet që diktuan mosprezencën e tij në Vlorë ishin disa: sipas gjykimit tonë mendojmë se prezenca e tij ishte më e domosdoshme në Elbasan sesa në Vlorë. Kjo për arsyen e thjeshtë, por madhore, e cila ishte primare për këtë personalitet, përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga vërshimi i ushtrisë serbe drejt Elbasanit duke u vendosur në krye të drejtimit dhe organizimit të qëndresës së popullit për t`i bërë ballë situatës kërcënuese të zbarkimit të serbëve në këtë trevë. Kjo u shfaq dukshëm që në hapat e para pas marrjes së informacionit mbi këtë vërshim, duke marrë masat e nevojshme si dhe nëpërmjet ngritjes së një komisioni të posaçëm, me statusin e një përfaqësie të trevës së Elbasanit. Përfaqësues të tij shkuan pranë komandës serbe duke i demonstruar dhe duke i vënë ato përpara një fakti të kryer, atij të shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Elbasan. Aqifi ishte i bindur se nëpërmjet qëndrimit të tij në Elbasan ai i shërbente më mirë trevës së Elbasanit, gjendej aty ku rreziku ishte dhe më i madh, si dhe mbante në kontakt dhe të informuar përfaqësuesit elbasanas, përfaqësuesit shqiptarë në Vlorë dhe sidomos Ismail Qemalin në lidhje me situatën. Ai u vu në krye të situatës duke organizuar qëndresën dhe rezistencën e elbasanasve në emër të një vendi të pavarur dhe të një qeverie me taban kombëtar shqiptar.




