• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT DONAT KURTI (3 SHTATOR 1903 – 11 NANDOR 1985)

September 3, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1 Ate Donald

 At DONAT KURTI O.F.M.(1903 – 1983)/

ISHTE  DREJTORI I FUNDIT I GJIMNAZIT FRANÇESKAN “ILLYRICUM”…  

Ai ishte letrar, etnolog, folklorist, profesor, perkthyes, studjues i persosun i fjalorit frazeologjik të Gjuhës Shqipe dhe “fatkeqsisht”, Klerik Françeskan Shqiptar, predikues i formulës së pavdekshme “Fe e Atdhe”… Per të cilen “banin vdekjen si me lé !”

Fatkeqsisht ishte pragu i atyne ditve të zeza dhe të pafund që po u afroheshin, pra jemi pak ditë para 11 nandorit 1946 kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata.

Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, pikrisht kur forcat e sigurimit futen në oborrin e Gjimnazit, ky i sheh nga dritaria e zyres dhe merr çekiqin dhe kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve, kështu, edhe i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi.

Po, fatkeqsia vazhdon… At Donat Kurti me shokë nisen drejtë Kalvarit pafund…

Nga viti 1964 kur doli nga Burreli e erdhi në Shkoder e njoha… Kishe ndigjue se per Këte Frat një dijetar i njohun, Prof. Dr. Norbert Jokli, e kishte cilsue bash At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj Shqiptarë”… Edhe kjo një tjeter “fatkeqsi”…

Kisha e kuvende u shemben… U zhdukën edhe germallat e tyne… U sheshuen… Bashkë me ata u vodhën dhe u pervetsuen edhe veprat e Tyne. Hajdutët nuk i permenda sot…

Njëditë At Donat Kurti u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, në Zallin e Kirit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të Tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme …. të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri më 10 nandor 1983, që At Donati u bashkue me shokët e dashtun të vetët, Eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë per sa vite.

At Donat Kurti O.F.M., ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin një Frati fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, që u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “VISARËT E KOMBIT” dhe “Fjalorin Frazeologjik me 45.000 fraza Shqipe”… Të gjitha “të mbulueme me pluhun”…

            Melbourne, 3 Shtator 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Donat Kurti, drejtori i fundit, Fritz radovani, Gjimnazi Illirikum

RRËFIMI I RRALLË PËR MBRETËRESHËN GERALDINË…

August 30, 2018 by dgreca

1-Geraldine-RRËFIMI I RRALLË PËR MBRETËRESHËN GERALDINË NGA VAJZA E RRITUR ME TË NË MANASTIRIN E “ZEMRËS SË SHENJTË”, NË PRESSBAUM TË AUSTRISË/1 rrefimi

Nga Aurenc Bebja*, Francë – Gusht 2018/

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°3, një intervistë të rrallë me Genevièvën, vajzën që ka jetuar me mbretëreshën Geraldinë në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum të Austrisë.Gazeta franceze, duke dashur të di më shumë për mbretëreshën shqiptare, e ka pyetur Genevièvën mbi përshtypjet që ajo i ka lënë gjatë kohës që kanë qenë bashkë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Kujtime në manastirin e Zemrës së Shenjtë, ku Geraldina e Shqipërisë ishte një vajzë e madhe pafundësisht e mirë dhe e urtë.

— Por, meqë e njeh mbretëreshën Geraldinë, na trego përshtypjen që ke ruajtur prej saj.Genevièva e vogël, që intervistova, m’u duk e druajtur.

— Pra, ti je rritur në shoqërinë e saj në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum; na trego kujtimet e tua.

— Oh! sidomos, m’u përgjigj Genevièva, ajo më bëri të haja atë që mund të më bënte të ha ! Ajo ishte presidentja (përgjegjësja) e tavolinës sime. Duhet t’ju them se në Zemrën e Shenjtë, vajzat e vogla, kanë gjithmonë një presidente, më të madhe, e cila vrojton mbi to. Kur ajo shfaqej, bisedimet mbaronin, sepse ajo ishte e urtë dhe e ashpër. Ajo e mbante kokën drejt dhe mundohej të drejtonte flokët e saj kaçurrela.

“Fëmijët e mi” – thonte ajo, “nëse nuk hani, ju do të jeni më vonë krimba të vegjël, por kurrë gra.”

— Dhe sidomos jo mbretëresha, përgjigjeshim ne atëherë; sepse e dinim, që një cigane e vjetër i kishte parashikuar Geraldinës se do të martohej me një mbret.

“Kur, për të bërë shaka, e thërrisnim “Mbretëresha Geraldinë”, ajo nuk protestonte, nuk zemërohej, por as nuk qeshte. Vajzave të rritura u dukej e bukur. Ajo ishte gjithashtu shumë e mirë. Kur një vajzë e vogël kishte një problem, Geraldina ishte gjithmonë e gatshme t’a ndihmonte.”

“Kur e morëm vesh në manastir, një vit pas nisjes së saj, që ajo po martohej me Mbretin Zog, nuk qemë të befasuara. Mbretëria e Shqipërisë na u duk paksa e vogël për Geraldinën. Ne menduam se ajo do të ishte së paku një ditë mbretëreshë e Amerikës apo Japonisë.”

“Nënat e shkreta (motrat e manastirit) ishin të pikëlluara dhe të mahnitura. Mendoni vetëm një çast, një nxënëse e Zemrës së Shenjtë që martohet me një mysliman ? Apo gati sa dhe kishin thënë se ajo ishte bërë myslimane ?”

“Kjo nuk ishte e vërtetë. Geraldina erdhi në Austri disa javë para martesës së saj dhe nuk mungoi të shkonte për të parë nënat që e kishin rritur. A i bindi ato ? A e pranuan ato vendimin e saj ?”

“Kur ajo u nis për në Tiranë, mori urimet e mësuesve (edukatorëve) të saj dhe bekimin e rrëfyesit të saj.”

Genevièva nuk më tha asgjë më shumë. Ngjarjet në Shqipëri e trishtojnë atë, sikur të ishte vendi i saj. “E shkreta Geraldinë, përsëriti ajo, e shkreta mbretëreshë Geraldinë !”

Po, e shkreta Geraldinë, fatet mbretërore nuk janë për t’u patur zili sot. — D. A.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Mbreteresha Geraldine, Rrefimi i Jashtzakonshem

NIKOLLË MRNAÇAJ , MESHË NË 100 VJETORIN E LINDJES

August 20, 2018 by dgreca

MESHË PËR SHPIRTIN E NIKOLLË MRNAÇAJ NË 100 VJETORIN E LINDJES/

1 dom Pjetri1 Marku1 Mhilli1 salle ok2 asllani M2 Meshe zef1 asllani Toni Leka

Të Shtunën me 18 Gusht 2018, në orën 4.00 pasdite, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York, famullitari dom Pjetër Popaj, çoi Meshë për shpirtin e Nikollë Mrnaçaj,një nga viktimat e dhunuara të diktaturës komuniste shqiptare,i cili kaloi dy dekada në burgjet e komunizmit dhe pjesën tjetër të jetës në kampet e internimit në Savër dhe Gradishtë të Lushnjës.

1 Nikolla

Duke u lutur për shpirtin e qëndrestarit të diktaturës Nikollë Mrnaçaj, dom Pjetër Popaj, tha se lufta e fundit në Shqipëri, ajo e komunizmit, ishte më e rënda për popullin tonë, fatkeqsisht këtë herë nuk kishim pushtues të huaj, por luftonte shqiptari kundër shqiptarit. Jeta dhe qëndresa e Nikollë Mrnaçaj, torturat në hetusi, vuajtjet në burgje e kampet e internimit, na ndihmon që kuptojmë egërsinë e diktaturës që kaloi populli ynë dhe qëndresën e kelmendasve dhe të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por përmes vuajtejs së tij vijnë edhe dëshmitë për ish bashkëvuajtësit e tij, shumë prej të cilëve ishin priftërinj katolikë, që ashtu si Nikolla dënoheshin pa kryer asnjëlloj krimi. Jeta e Nikoll Mrnaçajt ishte një sfidë ndaj diktaturës. Vdekja e tij pas burgut të dytë, ashtu si i gjithe kalvari i vuajtjeve, përbëjnë një aktakuzë ndaj diktaturës komuniste.

Përmes fjalës së tij dom Pjetri zbërtheu diktaturën e egër komuniste dhe u lut për shpirtrat e viktimave.

Mesha për shpirtin e Nikollë Mrnaçaj, u ngrit në ditën e lindjes së tij, 18 Gusht, dhe ishet prologu i veprimtarive kushtuar atij në 100 vjetorin e lindjes. Shkas u bë promovimi i librit”Forca e Kelmendit” me autor inxhinierin kelmendas, Zef Naçaj.(Dielli-ne vijim do te lexoni kumtesen e dr. Azeta Kola dhe kroniken nga promovimi i librit ne Qendren”Nene Tereza”….Per me shume foto shihni ne facebook dielli vatra)

Filed Under: Histori Tagged With: e lindjes, MESHË NË 100 VJETORIN, NIKOLLË MRNAÇAJ

PAVARESIA E KOSOVES DHE PRESIDENTI HISTORIK DR. RUGOVA

August 19, 2018 by dgreca

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive/1 Behlul Rugova

SPECIALE Gazeta DIELLI -VIZIONI RUGOVIAN PËR KOSOVËN E ÇËSHTJEN SHQIPTARE/

1 Rugova Behlul

-Shqiptarët të organizohen, të forcohemi gjithkund aty ku jemi/1 Rugova Bujku-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar: Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 19 Gusht 2018/  Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova deklaronte vazhdimisht se pavarësia është zgjdhja më e mirë, në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar ka folur edhe për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, asnjëherë nuk kemi folur për ndarjen e Kosovës. Ndërsa, gjejmë në arkiva se, në një intervistë për median ndërkombëtare, kur është pyetur,  është shprehur prerë për tërësinë dhe mosndarjen e Kosovës, duke theksuar se me ndarjen e Kosovës serbët kërkojnë pasuritë natyrore.

Në vitin 1992, në 8 qershor, gazeta gjermane me ndikim në Evropë e më gjerë “Der Spiegel”, duke theksuar se  “Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-ta”, e ka pyetur lidhur me këtë Dr. Rugovën, President i parë i sapozgjedhur i Kosovës. Në intervistën e gazetës gjermane, mes tjerash, kjo ishte pyetja dhe përgjigja: “Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë”. Viti 1992 ishte viti kur në 24 Maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës (me të drejtë vote) votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament…

Po në atë vit të zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje si lider i popullit shqiptar për kontributin  në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

E objektivi ishte Pavarësia e Kosovës.

Që para afër tre dekadave, Dr. Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar  në 22 Shtator 1994, referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjev e përgjigjeve:

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces. Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më emadhe, edhe më e frytshme.

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur enxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

Kjo intervistë me Presidentin e Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, të cilën e zhvillova si korrespondent i ATSH,  me titullin “POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE” është botuar  të hënen e 26 Shtatorit  1994  edhe në gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që ishte gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.Edhë në intervista të tjera që kam zhvilluar nëpër vite, në dhjetor 2002, presidenti Rugova theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA, si pjesë e zjidhjes së çështjes shqiptare.

“KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA”, ishte titulli i intervistës ekskluzive me Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, që e zhvillova për gazetën tradicionale  Rilindja në fundvitin 2002. Presidenti Rugova më priti në Rezidencën Presidenciale në Velani-Prishtinë derisa isha kryetar i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Gazetës Rilindja, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.

Nga intervista e botuar në Gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 –  numër festiv për Vitin e Ri 2003  po sjellim këtë pyetje e përgjigje lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare: RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin – Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe mëse një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare.

PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë

politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar. Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës.

Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.

Në 12 Shkurt 2005, në ditën e jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, kjo gazetë tradicionale e Kosovës sillte intervistën tjetër eksluzive që kisha zhvilluar me Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Titulli i intervistës në faqen 1 e 2 ishte  “PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN”. Në vitim të intervistës titulli në faqen 3 ishte “Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt”, ndërsa titulli në faqen 4: “Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”.

Me këtë rast Presidenti Rugova më priti përsëri në Rezidencën Presidenciale të tij në Velani, ku biseduam gjatë dhe si kryetari i Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktor i Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku në 12 Shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë shqiptare të Kosovës që u bë e përditshme.

“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i
bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, ka theksuar Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja.

“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,
kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha Presidenti  Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët
tanë, ka theksuar Presidenti Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka
deklerësuar Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit, botuar në 12 Shkurt 2005, nga e cila po risjellim një pjesë të pyetjeve e përgjigjeve: RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

PAVARËSIA E KOSOVËS, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.

Para 12 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet.

“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, sidhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Ibrahim Rugova ka lindur në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, PAVARESIA E KOSOVES DHE, PRESIDENTI HISTORIK DR. RUGOVA

VITET E BURGUT

August 16, 2018 by dgreca

Copëza Kujtimesh…/

kopertine-libri-kirka

Nga Niko KIRKA*/

1 kirka-905x395

Ishte dita e tretë që më kishin arrestuar. Më kishin futur në një nga birucat që kishin ndërtuar në bodrumet e godinës që dikur kish qënë konsullata e Italisë në Korçë. Mendimi se ishin ndërtuar me qëllimin e mbrapshtë për të futur njerëz aty brenda të bënte të kuptoje sadizmin e tyre. Isha i ri, gati nëndëmbëdhjetë vjeçar, i fortë fizikisht, kështu që e përballoja atë gjëndje dhe nuk më ligështonte qëndrimi në atë kuvli në errësirë të plotë. Por më mundonte mendimi se sa e vështirë duhej të ishte për babanë, në moshë të thyer e në gjëndje jo të mirë shëndetësore, atje larg në birrucat e Tiranës. Gjithashtu më mundonte mendimi se si do ta përballonte nëna hatanë që i rra mbi kokë, burrin e djalin e vetëm në burg dhe dy vajza të mitura për të rritur dhe mbrojtur. Duke bluar këto mendime në kokë gati po përgjumesha, kur dëgjova të hapej dera e bodrumit dhe një ushtar erdhi e hapi derën e birrucës ku isha une e më tha të shkoja mbas tij. U ngjitëm lart dhe ai hapi derën e një dhome e më futi brenda. Drita e fortë më vrau sytë në çastin e parë. Ishte një dhome si zyrë me në krye një tavolinë ku ishin rreshtuar disa nga kaporionët e seksionit të divizionit të mbrojtjes që më vone u quajt sigurimi i shtetit. Ishin Naum Bezhani, Petro Pobicka që më vonë mori emrin Petro Dode, Vaskë Nasto, Peço Nedelli e Enriko Bimbli që kish arrestuar më parë babanë e pastaj mua. Më thanë të ulesha në një karrige përballë tyre dhe filluan të më përmendnim disa fraza nga ditari im që e kish marë Enriko Bimbli kur erdhi pas mesnate për të arrestuar babanë dhe hapi komodinën time pranë krevatit e mori fletoren e trashë të ditarit tim. Në ato fraza unë kisha shprehur kundërshtimin tim për politikën që po ndiqte e ashtuquajtura qeveri demokratike si qëndrimi për fatin e Kosovës, vëllazërimi me Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik e armiqësia ndaj perëndimit, shtetëzimet e konfiskimet në ekonomi, etj. Gjatë atyre pyetje-përgjigjeve, Petro Pobicka (më vonë kryetar i Kuvëndit Popullor me emrin Petro Dode) befas u ngrit, m’u afrua dhe më dha një goditje në fytyrë me shpinën e dorës. Ishte një goditje nga ato që quhen “me dorë të thatë” dhe unaza që kishte në gisht më cau sipër buzës në anën e majtë. Gjaku filloi të ridhte. Sa më dogji, sa më dhëmbi ajo dackë! Më vonë, gjatë burgimit më kanë rrahur sa janë lodhur, më kanë shëmbur në hu, por djegëjen e dhëmbjen e asaj dacke e ndjej edhe sot! Ishte hera e parë që më dhunonin personalitetin tim, ishte hera e parë që më nëpërkëmbnim dinjitetin tim. Babai më kish edukuar e brumosur që të isha njeri me sedër, që në çdo rrethanë të mbronja dinjitetin tim, që edhe në kushtet më të vështira të isha dinjitoz. Mendoj se i kam qëndruar besnik mësimeve dhe shëmbullit të tim eti.

***

Ishte vera e vitit  1947. Një pjesë të të burgosurve i kishin çuar për të punuar në kampin e Maliqit. Kishte filluar kalvari i të ashtuquajturve kampe të punës. Me punën raskapitëse e cfilitëse që i detyronin të bënin duke i trajtuar më keq se kafshët, me aq pak ushqim sa ndjeheshin gjithmonë të urritur, në të vërtetë ishin kampe shfarrosëse. Dhe ironia ishte se ata cilësoheshin më pak të rrezikshëm, se sa ne që na mbanin brenda murreve të burgut. Ishim rreth treqind vetë. Një ditë na lajmëruan të dilnim në pajtoz. Kështu quhej ajo hapësirë e vogël në mes të atij burgu të ndërtuar në kohën e Turqisë. Na urdhëruan të qëndronim përqark asaj hapësire dhe pas pak erdhën e qëndruan aty në mes prokurori ushtarak kapiten Aranit Çela i shoqëruar nga Bektash Pronjari, i cili po zëvendësonte Tasi Markon që kish vajtur drejtor i kampit në Maliq. Bektashi një individ verdhacuk, i dobët, i pashëndetshëm se ishte tuberkuloz, ishte i njohur për sadizmin e tij. Ndërsa Aranit Çela dukej mëndjemadh, fodull, ironik. Filloi të pyeste ata që i kapte syri si quheshin dhe tallej me ta. Pas tri katër rastesh të tilla, më kërkoi me emër. Si duket një përplasje mendimesh që kisha pasur para dy tri muajsh me Frederik Nosin, anëtar i gjykatës së lartë urshtarake, i kishte vajtur në vesh. Filloi të më ngacmonte, të më përqeshte e të tallej me mua.”Fol çfarë të duash, se nuk do të marr asnjë masë” më tha. E vështronja në fytyrë krejt i qetë, pa thënë asgjë. Por kur filloi të përgojonte shtresën e nacionalizmit, prindërit tanë, nuk durova më. Isha nëndëmbëdhjetë vjeçar! Ja përplasa në fytyrë gjithë bëmat e tyre, si tradhëtine ndaj Kosovës, vëllavrasjen, lidhjen me sllavët, shkëputjen nga Perëndimi, etj. Vazhdoi të tallej duke më thënë:”Ju s’na bëtë dot gjë kur kishit armët në dorë e jo tani që u kemi mbyllur në kafaz!” Pa hezituar aspak iu përgjigja:”Kini të drejtë, zoti prokuror. Ky është gabimi që bënë prindërit tanë. Por mbani mënd një gjë: ne armët përsëri do t’i marrim e këmbë të gjallë s’kemi për të lënë nga juve!!”  U nxeh, u tërbua nga inati, u shkumbëzua, m’u afrua me duart shtrirë përpara sikur do të më mbyste, por e mbajti vehten dhe më tha:”Këtë rradhë s’po të bëj gjë. Por një fjalë të dëgjoj më vonë, do të të varr këtu në mes të burgut!” Iku duke turfulluar dhe si duket dha urdhërat. Na futën nëpër kaushët. Shumë të burgosur erdhën më përqafuan, ndërsa më të vjetërit vinin më përkëdhelnin flokët që më dukej edhe si një farë bekimi që më bënin. Por të gjithë  ishim shumë të shqetësuar, se ishim të sigurtë që dënimi nuk do të vononte.

Pamë që drejtor Bektashi me dy roje  hyri brenda e vajtën nga ana ku ishin nevojtoret e burgut si dhe dy ndarje të vogla që shërbenin si vende ku laheshin të burgosurit, por më shumë si birruca. Në njërën prej tyre kishin futur trimat nacionalistë të burgut të Vlorës, prof. Bego Gjonzenelin që më vonë e pushkatuan dhe të rinjtë Klito Lamaj, Burim Kokoshi e Fadil Xhindi, të cilët i kishin sjellë nga kampi i Maliqit. Aty, në birrucat e burgut të Korçës, u njoha me ta dhe meqënëse na lidhte ideali i përbashkët, filloi një miqësi që vazhdoi gadi gjysmë shekulli deri sa vdekja e parakohëshme e Klitos e Burimit më ndau prej tyre. E kuptova që birruca tjetër do të ishte për mua. Erdhën më muar e më futën aty. Më vonë suall Peti Zisin e Trajan Xhekën, me të cilët isha dënuar sëbashku. Vumë re që vrima nga kalonte uji kur laheshe, ishte mbyllur me copa thasësh. Një roje rrinte tek dera, kurse një tjetër solli dy të burgosur që njiheshin si spiunë të komandës, të cilët sillnin teneqe me ujë dhe i derdhnin aty brenda. Kur niveli i ujit arrijti deri aty sa për pak mund të derdhej nga dera, ata u larguan duke mbyllur derën. Kurse ne, me nallëne siç ishim, kishim nxjerrë çorapet e kishim përveshur pantallonat, sepse uji na arrijti deri në pulpë. Kështu filloi ajo torturë që vazhdoi pothuaj 40 orë. Lodhjen e qëndrimit më këmbë po e përballonim disi duke u mbështetur pas murit. Kurse nga qëndrimi në këmbë dhe zhytur në ujë, këmbët filluan të na enjteshin. Ndonëse ishim në korrik, gjatë natës filluam të dridheshim nga të ftohtët. Por ajo që po na mundonte më shumë ishte pamundësia për të fjetur. Kështu mezi kaloi ajo natë. Në mëngjez ishim të raskapitur nga pagjumësia. Kur na lanë të vinim në nevojtore, sikur të na lejonin, do të shtriheshim e të flinim aty! Dhe mendoni se si mund të ishin nevojtoret e burgut me mbi shtatëqind të burgosur! Dita kaloi si kaloi. Por nata do të ishte e padurueshme. Qëndruam e qëndruam ndoshta deri nga mezi i natës, por më tutje nuk mund të vazhdohej. Atëherë e vendosëm: do të hiqnim shtupat që mbyllnim vrimën, uji do të ikte dhe ne mund të shtriheshim e të merrnim një sy gjumë mbi çimenton e dyshemesë të qullur. Një të vendosur e një të bërë. Mbasi e morëm ca vehten, vendosëm të lajmëronim rojen dhe të thoshim se duke lëvizur nëpër birrucë, pa dashur, kemi bërë të lëvizë shtupa nga vrima. E dinim që do të hakmerreshin duke na shembur në hu, por do të duronim. Erdhën e pasi panë gjendjen, të parin muar Petin. Mbas atij Trajanin. Mbeta vetëm e po mendonja ç’më priste, por duhej ta përballoja. Isha më i riu i të treve, njëzet vjeç. Mendova se si po e përballonte babaj në atë moshë të kaluar e po qëndronte. Si do që të ndodhte, unë do të qëndronja!

Ardhën më muar e më futën në zyrën lart. Ishin katër policë dhe një tetar, një tip i zeshkët, me mustaqe, që njihej për vrazhdësinë e tij. Më ulën në një karrige përballë tyre. Pantallonat i kisha të përveshura mbi gju dhe në dritë pashë që këmbët ishin të skuqura e mjaft të enjtura. Ngrita vështrimin e i pashë të pestë. Ishin të rinj, si unë. Por në sytë e tyre kishte shumë ligësi, shumë egërsi. O Zot, sa shumë urrejtje kishtë në ata sy! Në fytyra u dukej kënaqësia që ndjenin se do të më rrihnin. Atëherë e vendosa: sa do të më rrahin, unë do të qëndroj e do t’u tregoj se jam më lart se ata, se unë kam një ideal që buron e synon nga dashuria dhe jo urrejtja. Pyetjeve të tyre se kush e hapi vrimën, unë përgjigjesha se u hap vetë. Ata këmbëngulnin se Peti e pranoi që e hapi vetë, unë vazndonja që e kini detyruar ta pranojë, se u hap vetë. Unë nuk e dinja se Trajani që tradhëtoi e u bë spiun, në ballafaqim me Petin, ia ngarkoi atij hapjen e vrimës. Të nxehur nga qëndrimi im, nxorrën një kamxhik të gjatë, nga ata që quhen me dell demi, të mbështjellë me lëkurë të zezë dhe filloi njëri të më qëllojë. Unë shtërngova dhëmbët duke futur gjuhën midis, shtërngova muskujt e…prita.Goditjet binin breshëri mbi mua e mbas të parit, vazhduan edhe tre të tjerët deri sa u lodhën. Zioshi po më shihte ngultas, m’u afrua e me zë të çjerrë më tha:”Mor qen, po je njeri apo çelik! Si nuk bëre një herë oh!” Rrëmbeu kamxhikun e filloi të më qëllojë. Por ai ishte i zanatit. Ai nuk më qëllonte në trup, por mbi këmbët lakuriq e të enjtura. E kur kamxhiku binte për herë të dytë mbi të njëjtin vend, kur ngrihej kish të ngjitur edhe një copë lëkurë! Dhimbja ishtë therrëse, djegëse sikur të vinin hekur të skuqur! U detyrova të nxirrja duart për mbi plagë. Edhe ai u lodh, u shtri në karrige e urdhëroi të më largonin. Kur më shpunë përsëri në birrucë ku gjeta edhe dy të tjerët, ajo ishte përsëri plot me ujë dhe më detyruan të shtrihesha mbi çimento duke më bërë qull. Ato goditje në këmbë i ndjeva edhe për shumë kohë. Kur ngrihesha në fillim mezi më mbanin deri sa normalizohej qarkullimi i gjakut. Kurse ngjyrat e plagëve nga të kuqe u bënë më të errta, pastaj si në blu, më vonë jeshile e në fund si të verdha deri sa u zhdukën. Ishte një provë e madhe në kalvarin e jetës sime që do të vazhdonte gati gjysmë shekulli. Babai më kish brumosur me mësimin e tij të madh për mua:”Bir, sa më e madhe të jetë vështirrësia, aq më shumë qëndro, shtërngo dhëmbët e mos u dorrëzo!”  Vite më vonë, i burgosuri Maqo Stratobërdha më ka treguar se ishte ndodhur njëherë në një dasmë ku ishte dhe ai tetari ziosh. Gjatë pijes, sidomos kur u bënë pak çakërqef, dikush e ngacmoi duke i thënë a kish rrahur ndonjë në burg. Ai ishte përgjegjur:”Kot më ngacmoni, nuk i gjen gjë njërzit nga druri. Deri sa nuk vdiq Niko Kirka me atë dru që i kemi dhënë…”

***                —————————————————————————-

 

Ishte viti 1948 e që prej dy muajsh ishim në kampin famëkeq të Vloçishtit, ku po trajtoheshim në mënyrën më shtazarake. Meqënëse ishim rreth njëmijë të burgosur numërimi tek porta kur dilnim për në punë kërkonte kohë. Unë me disa shokë rrinim në fund të brigadës sonë e përfitonim nga kjo kohë për të vrapuar tek çisterna e ujit e mbushnim paguret. Një ditë kur po kthehesha nga çisterna për t’u futur në rrjesht, u hap porta e madhe e kampit e hyri drejtori Tasi Markoja. Porsa më pa, m’u drejtua me këto fjalë:” Eh, Niko Kirka, djalli i madh! T’u plotësua dëshira…do të vijnë anglo-amerikanët”. Ula kokën e vazhdova rrugën. Një shok më pyeti se ç’më tha Tasi. Ato ngacmimet e zakonëshme iu përgjigja. Pas disa ditësh, kur mësuam ngjarjet e ndarjes së Jugosllavisë nga kampi komunist, e kuptuam se ku e kish pasur hallin Tasi kur më tha ato fjalë. Të trembur nga situata e krijuar, ata e shtuan edhe më shumë egërsinë ndaj nesh. Për të bërë një shembëll, Tasi më caktoi mua si kurbanin e rradhës. Duke shfrytëzuar poshtërsinë e pabesinë e Trajan Xhekës, njeriu me të cilin ishim dënuar bashkë e rrinim bashkë, i cili i tregoi Tasit se unë i kisha shkrojtur një letër babait, të cilën do t’ia dërgoja më ndonjë të burgosur. Ishte një letër me plot mall e dashuri për babanë, e thjeshtë, e qartë, në të cilën edhe lexuesi më qëllimkeq nuk mund të gjente asgjë për keqinterpretim politik. Me spiunimin e Trajanit, polici Skënder Xhemali vajti e gjeti drejt e aty ku ë mbaja unë.

Ishte ditë e premte. Ishim kthyer nga puna e po rrjeshtoheshim për të na dhënë lëngëtyrën e përditëshme, kur hyri Tasi me gjithë suitën e tij. Mbasi na mblodhën të gjithëve, filloi të flasë Tasi duke tundur në dorë letrën e duke bërtitur për komplotin e madh që armiku Niko Kirka po mundohej të bënte kundër pushtetit popullor. E pashë që kish erdhur çasti i provës më të vështirë në jetën time të re. Mbylla sytë e mëndja më shkoi tutje, larg, aty në kaushët e burgut të Tiranës, ku vuante e qëndronte babai im. “Më ke mësuar të shtërngoj dhëmbët, baba. Më ndihmo me frymën tënde të qëndroj!” Më nxuar para të burgosurve e Tasi tha:”Ja ku është ky armik. Dënoheni edhe juve duke e goditur” M’u vërsulën të burgosurit ordinerë, më rrëzuan e më hipën sipër duke më goditur më grushta e me shkelma. Mblodha këmbët e vura duart sipër kokës për ta mbrojtur. Shtërngova nofullat, nuk lëshova asnjë britmë dhembjeje, asnjë rrënkim. Durova dhembjet që u bënë shumë të forta. Por goditjet ishin aq të shumta, sa nuk mbeti pjesë e trupit pa u dëmtuar. Dhembja u bë e përgjithëshme e nuk ndjeja më goditjet e veçanta. Trupi i gjithë u mpi. Më në fund shtazët u lodhën e më lanë të shtrirë aty në baltë. Erdhën policët më muarr e më shpunë më lidhën me tela tek shtylla që ishte midis kampit. Më mbështetën tek shtylla, duart m’i lidhën mbrapa shtyllës, me një tel më lidhën në gjoks, një tjetër në mez e tjetrin në këmbë.Aty dërguan për të më goditur atë që në kamp njihej me nofkën Ropka i vogël. Ky ishte një hajdut xhepash e shtëpish që ishte dënuar për shumë vjedhje që kish bërë, ishte i shkurtër, i imët, verdhacuk, i shëmtuar. Ishte një përbindësh. Ishte vegla e ndyrë e komandës. Kishte në dorë një opingë të bërë nga kopertonat e makinave e filloi të më godasë në fytyrë me shpejtësi e shumë fuqishëm. Më trrullosi. Fytyra po më përcëllonte, veshët më buçisnin, koka po më pëlciste. Gjaku po më rridhte ngadalë nëpër qafë e në gjoks. Ajo shtazë po më vriste, duke më shpërfytyruar. Ndonëse i katandisur në atë gjendje, inati më tërboi. Gjithë muskujt e trupit u tendosën, i dhashë një shtytje trupit për të këputur telat e t’i vërsulesha. Por çdo gjë ishte kot. Në duart që ishin fryrë si kacekë teli u fut thellë në mish, kurse teli që më shtërngontë gjoksin çau lëkurën e m’u duk sikur më futën një hekur të skuqur. Po prisnja fundin…. po goditjet pushuan. Katili duket u lodh e u largua. Kishte filluar muzgu e ajo natë, çdo sekondë e së cilës ishte një vuajtje e madhe për mua. Po freskia e ajrit sikur më lehtësoi ca. Në Vloçisht, buzë kënetës së Maliqit, klima ishte pak e çuditëshme: ndërsa gjatë ditës zhegu ishte mbytës, nata ishte e ftohtë. Pas lehtësimit të fillimit, po ndjeja të ftohtë e më pas po dridhesha nga të ftohtit. Në ato kushte, ndjenja më njerëzore e trupit është nevoja për të urinuar. Për të më lejuar të vinja tek gropa e zezë e mbuluar me ca dërrasa që shërbente si nevojtore, as që bëhej fjalë. Po edhe të urinoja nën vehte, më dukej fyese për dinjitetin njerëzor. Durova sa durova, por nuk mundja më. Kështu që urinova e vazhdova të urinoj nën vehte sa kohë zgjati ajo torturë.Nuk kisha ngrënë, stomahu e zorrët ishin bosh, kështu që nuk ndjenja nevojën për defekim. Edhe ujë nuk kisha pirë, po si duket trupi ka nevojë të nxjerrë jashtë ujrat që ka. Duke u dridhur nga të ftohtit mezi po kalonte ajo natë, që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ishte nata e së premtes.

Më në fund gdhiu e doli dielli, rrezet e të cilit më ngrohën ca. Por unë ndjehesha i dërrmuar. Gjithë trupi më ishte mpirë, më ishte bërë si trung. Kokën e kisha shumë të rëndë. Buzët më ishin tharë e gjuha më ishte ngjitur pas qiellzës.Syrin e majtë nuk e hapja dot e shikoja pak vetëm nga i djathti. Këmbët më dukej sikur ishin mbushur me miza. Etja po më mundonte shumë. Kur shtërngoi vapa, m’u shtua edhe një vuajtje tjetër: mizat. Me dhjetra më ishin vërsulur mbi fytyrën e gjakosur e tërë plagë e po më pickonin. Ato pickime ishin aq therrëse sa edhe sot tetëdhjet e pesë vjeçar më duket se i ndjej ende. Tundja kokën për t’i larguar, por ishte e kotë. Si nuk u çmenda nga ajo torturë?! Dhembja e duarvet po bëhej më cfilitëse. Nga që ato po enjteshin përherë e më shumë e teli po hynte më thellë në mish, më dukej sikur dikush m’i shtërngonte vazhdimisht. Si nuk m’u gjymtuan përjëtë?! Ndoshta mosha e fiziku i fortë.

Pothuaj i shastisur mezi dallova para meje Tasin me sejmenët e tij. Mbaj mënd që më tha:”E Niko Kirka deshe të përmbysje pushtetin popullor?! Shiko si je bërë!” Dhe një nga policët më vuri përpara një copë pasqyrë. Me syrin e djathtë pak të hapur pashë një lëmsh të përgjakur, të enjtur, plot hematoma të zeza e gjaku të përtharë. Asgjë njerëzore. E kuptova që donin të më thyenin shpirtërisht, të më mposhtnin vullnetin për të qëndruar. Nuk iu përgjigja, se nuk mund të flisja.

Në këtë gjendje që sa vinte e përkeqësohej, kaloi e shtuna, gjithë nata, e djela e deri sa u gdhi e hëna. Gjatë asaj kohe, sekondë pas sekonde, e kam ndjerë, përjetuar e vuajtur me vetëdije të plotë çdo dhembje të asaj torture. Ditën e tretë fiziku filloi të mos mbante më. Hëre mbas here e humbisja vetëdijen. Mendja po më turbullohej. Nga buzët e thara filloi të më kalonte ndonjë rrënkim. Vetëdija po më mjegullohej. Si nëpër tym më kujtohet që mbas dite erdhi një polic, më zgidhi telat e më tha të ikja në barrakë, në vëndin tim. Kur më hoqi telat e duarve e të gjoksit dhimbja ishte aq e madhe, sa më kthjelloi për një çast e pashë se si varreshin copat e lëkures e të mishit në to. Menjëherë ndjeva sikur diçka më goditi në tru, këmbët m’u drodhën dhe u rrëzova në tokë. E kisha humbur vetëdijen plotësisht. Nuk e di se sa kohë qëndrova në atë gjendje. Më në fund erdha në vehte e po dridhesha nga të ftohtit. Ishte natë. Më shumë duke u zvarritur se sa duke ecur, u drejtova për nga barrakat. Më kujtohet që i pari i burgosur që takova ishte prifti unit i Elbasanit, At Josif Papamihali. Shtangu kur më pa e më kujtohen fjalët e tija:”Niko, ti je? Gjallë qënke, o bir?! Po ti qënke Krishti i ringjallur!” Dicka murmurita nëpër dhëmbë e më shumë mund arrita tek vendi im në barrakë. U mbështolla me velenxën, mblodha këmbët, mbështeta kokën në gjunjë dhe e ndjëva veten të vetmuar, të vogël,të pafuqishëm e të rrethuar nga një botë armiqësore. Dhe për çudi mendja nuk më shkoi tek babai. Jo. Mendja më shkoi tek nëna, tek ajo grua që rrinte si kërcure pranë zjarrit të vatrës me mëndjen te burri e djali i vëtëm që po mundoheshin nëpër burgje. Dhe në ato çaste pata vetëm një dëshirë. Të isha pranë saj, të mbështesja kokën tek prehëri i saj, të më mbështillte me krahët e saja për të më ngrohur e mbrojtur dhe unë të shpërthenja në lot për të nxjerrë gjithë atë hidhërim e duf që më ishte mbledhur në shpirt, për të zbrazur jashtë gjithë atë si lëmsh që më ishte mbledhur në gjoks. Isha vetëm njëzetenjë vjeçar!

***

—————————————————–

 

Sot në pleqërinë e thellë e ndonëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, mendja më shkon shpesh në atë kohë të errët. Ajo kohë që më vodhi vitet më të mira të rinisë, më ka lënë mbresa të thella në shpirt që nuk do të shuhen deri sa të marr frymë. Më kujtohet se vuajtja më e madhe morale që ua kalonte edhe vuajtjeve fizike, më shkaktohej nga detyrimi për të bashkëjetuar gjatë gjithë kohës me një grumbull të madh njerëzish. Nuk kishte më asgjë krejt personale, asgjë krejt intime, asgjë nga ajo që në botën e qytetëruar quhet “privacy”.  Të gjithë të shihnin si flije, si zgjoheshe, si vishej e çfarë vishnje, si laheshe, si hanje e çfarë hanje. Pra gjithë jeta në njëzet e katër orë.

Por ajo që të fyente më shumë, që në një farë mënyre të degradonte deri në shkallën e kafshëve, që të bënte të vuaje aq shumë, ishte detyrimi i pashmangshëm që të kryeje nevojat biologjike para të tjerëve, nën vështrimin e tyre. Nevojtoret e burgjeve kishin të ndara, por pa dyer, të hapura dhe ti ishe i detyruar të defekoje para disa të tjerëve që prisnin rradhën e tyre. Kurse në kampet e punës së detyruar gropat septike ishin krejt të hapura, të mbuluara me dërrasa, ku ishin lënë të hapura disa hapësira të vogla ku ti ishe i detyruar të defekonje.

Në jetën bashkëshortore, në jetën e tyrë intime, nuk ka sekrete në kuptimin fizik të fjalës, si fjetja së bashku në një shtrat, zhveshja deri në lakuriqësi para njëri tjetrit, por nuk ka burrë a grua që të kenë parë e të shohin çdo ditë se si defekon njëri e tjetri! Për mua kjo është shëmtia më e madhe e jetës që kaluam në ato burgje. Kur për mua e qindra e mijra të rinj të tjerë si unë, kjo ishte e rëndë, mendoj se sa e rëndë, poshtëruese, shumë e mundishme ishte për të shkretin baba e moshatarët si ai. Ata burra të vjetër që kishin jetuar gjithë kohën si njerëz seriozë, dinjitozë e krenarë për personalitetin e tyre, ishin të detryruar të ulnin pantallonat në sy të të tjerëve! Sa e dhimbëshme, sa e mundimëshme, sa fyese! Unë sot ndjej dhembje të madhe për atë që ka ndjerë babai im në atë kohë!

————————————————-

***

Isha liruar në vitin 1954 e atëherë vajta në Korçë ku jetonte nëna me dy motrat. Por pas pak kohe u larguam prej andej, sepse qëndrimi aty do të sillte ose arrestimin tim përsëri, ose do të na internonin familjarisht. Vajtëm u vendosëm në Tiranë. Babai ndërroi jetë një vit më vonë, më 1955. Një vit më vonë na dëbuan nga Tirana e vajtëm të banonim në Shkodër. Por mbas një viti, më 1957, me vendim të komisionit qëndror të dëbim-internimeve, na dëbuan edhe prej Shkodre. Na lejohej qëndrimi vetëm në Kavajë ose Elbasan. Kështu që u nisa aty nga dreka, hipur në karrocerinë e një kamioni për në Tiranë. Mendonja që aty të gjeja ndonjë shok  me origjinë kavajase që të më ndihmonte të vinim së bashku në Kavajë për të gjetur ndonjë skutë ku të futnim kokën. Sa arrita u drejtova në një hotel ku të flija natën. Por sportelisti sa pa gërmën D që më vunë në letërnjoftim kur na dëbuan nga Tirana, më tha se nuk kishte vënde. Në disa hotele ku vajta, e njëjta përgjigje. Ajo D-ja në letërnjoftim ishte shenja ogurzezë, ishte damka që na dallonte nga të tjerët, ishte si ylli me gjashtë cepa i hebrejve në Gjermaninë naziste! I lodhur e i mërzitur u drejtova për në qendër, tek sheshi para Bankës, në pritje për të parë ndonjë të njohur ku të vija të flija atë natë. Ndërkaq ishte ngrysur. Po më shtohej shqetësimi se mos do detyrohesha ta kaloja jashtë atë natë.Nuk më mërziste fakti se mund të flija tek stolat aty, por mendimi se gjatë natës ndonjë patrullë policije mund të më ndalonte e porsa të shihte te letërnjioftimi im D-në famëkeqe, do më hapte telashe të paparashikuara. I zhytur në hallin tim, u gjenda midis një grumbulli të madh njerëzish e fëmijësh që po flisnin rusisht me zë të lartë e po qeshnin me të madhe. Nëpër duar kishin portokallë që po i qëronin e lëvozhgat i hidhnin përtokë, kurse fëmijët çokollata e pako biskotash, letrat mbështjellëse të të cilave edhe ata po i hidhnin përtokë. Ishin sovjetikët që po dilnin nga klubi i tyre që ishte në godinën përballë, në atë godinë që kish qënë selia e të parit parlament të shtetit të parë shqiptar! Në fytyrat e tyre shprehej qartë siguria, qetësia, kënaqësia. Ata ishin shëndevërë. Ata ishin në vendin e tyrë, zot në shtëpinë e tyre! Dhe ndjeva një trishtim të thellë për vete e për mijra të tjerë si unë. Ndjeva dhëmbje të madhe për të gjithë ata që punuan për këtë vend, për ata që shkrinë jetën për Shqipërinë e tyre, për këtë Shqipëri që po e shkelnin ata që ishin vetëm shqipfolës e ua kishin falur të huajve ta gëzonin! Mendova për babanë e shokët e tij që ikën të dëshpëruar nga kjo botë kur shikonin se si disa shqiptarë mundonin e vrisnin vellezërit e tyre për të kënaqur kërkesat ë të huajve.

Me këto mendime nëpër tru, ndjeva që dikush më preku në krah. Kthej kokën e shoh një shokun tim. “Ç’bën këtu-më tha-Je ngulur si hu midis sheshit?” I vura dorën në sup e i thashë: ”M’u kujtua thënia e atij romakut të famshëm që po e ndiqnin për ta kapur po romakët.-“Edhe kafshët e egra e kanë një strofull, kurse ata që punuan e luftuan për madhështinë e Romës nuk po gjejnë vrimë ku të futen!” Dhe u nisëm për në shtëpinë e tij.

——————————————————————–

***

Ishte viti 1993. Ai regjim sa absurd e i çmëndur, aq edhe gjakatar e kriminal, ishte shkërmoqur. Ashtu si edhe shumë e shumë të tjerë, duke parë e ndjerë që në vend nuk do të ndërtohej ajo për të cilën kisha ëndëruar e shpresuar për gati gjysmë shekulli, si edhe mendimi e iluzioni se do të gjeja një mërgatë politike të gjallë e aktive, të gatëshme për të vajtur e punuar në Shqipëri, erdha këtu në SHBA. Zhgënjimi ishte i madh. Nuk gjeta atë që prisja. Po kjo është një temë që s’ka të bëjë me këto copa kujtimesh.

Kisha vajtur në Boston, në Pier Four, ku organizohej një pritje për nder të Presidentit të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova. Gjatë prezantimit, dy gazetarët Sulejman Gashi e Isuf Hajrizi, më cilësuan si atdhetar aktivist. Unë shtova se çdo gjë ishte meritë e babait tim, ai më kish brumosur e unë isha krenar për të.

“Unë dua me të njëjtën dashuri si Korçën edhe Prishtinën” shtova unë.

“Faleminderit!” m’u përgjegj i ndjeri President.

“Më fal, por gabuat. Zoti President” ia ktheva unë.

“Pse?” më pyeti duke buzëqeshur i ndjeri Rugova.

“Po unë nuk jam frances, Zoti President, e po ju them se dua Prishtinën një lloj si Parisin. Unë jam shqiptar dhe është e natyrshme ta dua Prishtinën si Korçën. Babai më ka mëkuar që në djep me dashurinë për çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare. Për mua janë të dashura si Korça e Tirana edhe Shkodra e Ulqini me Tivarin. Si Elbasani, ashtu edhe Prizreni me Gjakovën. Si Berati e Saranda, ashtu edhe Arta me Gumenicën.”

“Kini shumë të drejtë. Gabova.” M’u përgjegj i ndjeri President duke më vënë dorën në sup.

Këto janë pak copëza kujtimësh. Ky libër u shkrua për babanë e kryesisht për të. Ne të tjerët, si pjesë e familjes, jemi pjesë ë tij duke e plotësuar kështu personalitetin e figurën e tij. Meqënëse ai ndërroi jetë papritur në burg dhe nuk kemi asgjë si kujtim nga ana e tij, autori i librit më kërkoi të shkruaja ndonjë kujtim që vërtet e kisha përjetuar unë, por që kish të bënte me botkuptimin e tij, me frymën e shpirtin e tij. Pra të fliste ai nëpërmjet meje. Jam munduar ta bëj këtë.

* Marrë nga libri”KRISTO KIRKA” i autorit Uran BUTKA

Filed Under: Histori Tagged With: Copeza Kujtimesh, Libri"Kristo Kirka", Niko Kirka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 293
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT