• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkencëtari që para trupit gjykues, foli sikur të ishte kryeministër

March 23, 2015 by dgreca

Lef Nosi, elbasanlliu që nuk e mohoi kurrë origjinën (Leterkëmbimi me familjarët)/
Ne Foto:Lef Nosi para Trupes se gjyqit komunist me 1946,ne perberje te te cilit ishin: Major Irakli Bozo, major Gjon Banushi dhe major Tonin Jakova./
Pergatiti:ARTUR AJAZI/
Dijetari, mendimtari, politikani, publicisti dhe pinjolli i një ndër familjeve më të vjetra të lagjes Kala në Elbasan Lef Nosi, ishte dhe do të mbetet njeriu që kurrë nuk njohu dhe pranoi kushte për tu poshtëruar, kurrë nuk bëri pazare me dinjitetin dhe familjen e tij, kurrë nuk pranoi të nënshkruante kapitullimin e tij politik, moral, e intelaktual. Banor i lagjes më të lashtë (afro 2500 vjeçare) të Kalasë, Lef Nosi, padyshim bën pjesë tek plejada e figurave më të shquara që ka nxjerrë Elbasani, duke nisur nga shkencëtarët, e duke përfunduar, tek publicistët, e artistët me famë kombëtare dhe botërore. Për figurën e Lef Nosit, është shkruar shumë, edhe pse deri më sot nuk ka një monografi të plotë, pavarsisht se me emrin e këtij kollosi lidhet ruajtja e dokumentit të Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë atdhetare, politike e shoqërore. Nosiihste i pari që botoi fletoren “Dokumente historike” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25-vjetorit. Bashkë me Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi ngritën flamurin në Elbasan më 25 nëntor 1912. Të dyja këto figura luajtën rol parësor edhe në Kongresin e Elbasanit dhe në themelimin e shkollës Normale. Mbështetja e tyre për qeverinë e Vlorës ka qenë e palëkundur në një kohë që mbretëronte një situatë separatizmash dhe pashallëqesh. Në këtë periudhë, Lef Nosi dhe Aqif Pasha kishin autoritet të jashtëzakonshëm, kurse pozita e tyre nuk u ndërlikua kurrë. Nosi ka pasur një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë të kohës. Por të pathënat për Lef Nosin janë marrëdhëniet me familjarët e tij. studiuesit dhe historianët elbasanas dhe më gjerë, kanë arritur pas hulumtimeve të shumta të zbulojnë letra të shkëmbyera mes tij dhe nënës e vëllait, të gjetura në fondin personal të tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, përshkrimi i veprimtarisë, copëzave të jetës dhe dorëshkrimeve të Nosit, ishin një dedikim dhe mirënjohje për këtë figurë që dha shumë për këtë moment, jo si një nga firmëtarët e Pavarësisë, por edhe si një intelektual dhe familjar briland. Falë këmbënguljes dhe bashkëpunimit me Arkivin Qëndror të Shtetit, është evidentuar dhe publikuar një pjesë nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimi personal i Nosit, i cili nuk është i ndarë nga ndjenja e tij e atdhetarisë. Nosi na shfaqet më i plotë në letërkëmbimin e tij me nënën, me vëllanë e vet Gregorin, si dhe në pjesë të ditarit të mbajtur prej mikeshës së tij, Margaret Haslluck, në shënime dhe vargje poetikë të saj, mbledhur prej Nosit.
Kurrë nuk e mohoi origjinën
I lidhur ngushtësisht me Shqipërinë dhe fatin e saj, veçanërisht me qytetin ku u lind dhe u rrit, Elbasanin, Nosi megjithatë kërkon thellë në rrënjët e tij, madje shkruan për zbulimin e tij. Sipas fakteve që i pranon si të vërteta, origjina e Nosit dhe familjes së tij është nga Greqia. Ai pohon se Nosët kanë të njëjtat rrënjë me një tjetër familje të madhe, atdhetare e intelektuale, Shuteriqët. Kjo do të thotë se dy prej intelektualëve më të njohur të kohës, me të cilët krenohet jo vetëm Elbasani, por edhe Shqipëria, Lef Nosi dhe Dhimitër Shuteriqi, i bashkon jo vetëm vetëdija atdhetare dhe dashuria për dijen, por edhe i njëjti gjak.“Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut.Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me tëvetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë.
Ja çfarë shkruante Lef Nosi në ditarin e tij
“Mbiemnin tim por edhe disa të tjerë si Kapidani, e gjejmë në kodikun e motshëm të kishës së Shën Mërisë në vitin 1784 e faqe 167….Ashtë edhe në vitet 1812 e 1814 faqe 192 e 193….…Një gjë që provon që Nost janë t’ardhun nga Greqia asht një ngjarje që më kallzon im vëlla Gregori.Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndigjue nga i ati se i pari i familjes “Nosi” kishte pasë qenë “Kapidani i një anie e pasi kjo i kishte mbytë, nga Korfuzi ishte hudhë e kishte dalë mëktanë. Kishte ardhë e kishte zanë vend ktu n’Elbasan e prandaj i kishin quejtë Kapideni. Mirëpo nuk më gjanë të jetë kështu.Emri kapidani asht ma fort nji titull nderi të cilin kur ishja më i vogël përdoresh edhe kapidan. U thoshin muhamedanët e Elbasanit të krishtenvet të pasun e me randësi në shoqëni. Edhe në katundin Golomesh të Lushnjës e kam ndigjue…” Lef Nosi më poshtë shkruan se “unë me time shoqe, gruan e parë që kysha sëmunë në grykë të Salaminës kundrejt Pireut…, hasëm mbiemrin Nosi në Greqi”. Madje ai jep të dhëna më të gjera për familjen Nosi, dhe tregon për dy të afërmit e tij, Jançi e Nosi, “të bijtë e të cilëve nisë tregtinë” dhe “Patën një dyqan në shtëpi e pastaj dolnë në Pazar. Shkonin për mall në Venecia…”.
Letra për nënën e tij “Elbasani, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë”
Duke nxjerrë në pah vlerat e tij si poet dhe publicist, Lef Nosi i shkruante pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë nënës së tij të dashur, por me një ton që tingëllon më tepër patriotik se familjar. I ndodhur në Vlorën ku ishte shpallur Pavarësia, si një nga firmëtarët e saj, Lef Nosi vazhdon të mendojë e të punojë për të ardhmen e vendit. Në letrën shkruar nënës, i flet asaj për situatën në Ballkan dhe “luftën” e kombeve për kufijtë e Shqipërisë. Me optimizëm ai vëren gjithsesi se gjërat po ecin mbarë dhe beson se së shpejti Elbasani do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë. Ndërsa flet për lindjen e njërit prej nipërve të tij ai e “urdhëron” nënën që t’i vendosin emër shqiptar.
Vlonë 21 Shkurt 1913.
“E dashuna im më. Lettrën tande nga Durrësi me anë të Mustës e mora edhe ngëzova që jeni shëndoshë.Edhe ma tepër jam gëzumë për martesën e Lanës, lindjen e djalit t’Kolës, ardhjen e Sifit edhe qenjen e nuses s’Grigorit ma mirë.Besoj qi edhe Venimia ashtë kthymë shëndoshë nga Durrësi. Nji ditë thirra edhe Mitrin e Sildashit në telegrafore të Fierit e e pieta për ju.Vërte u ba nji muaj që nuk ju kam shkrumë; po, shkaku qe se nuk gjinden shpeshë njerës për aty për me u dhanë lettra.Dua t’ju çoj edhe gazeta qi i marrim rregullisht nga vaporet e Greqiës, po nuk kam sesi.Punët e Shqipëniës qënë tyke marrë funt shpejt; po, roi e s’undreq Turqia me Bullgariën për punë t’Edrenes, se xhemieti rrëxoi kabinetin e Qamil Pashës e vrau ministrin e luftës Nazim pashën e si e rroku frenin e mbretëniës në dorë nisi prap luftën. Për fat të mirë ushtëria e Turqvet u thye prap edhe pritet këtë javë të mbyllet paqa.Për kufijt e Shqipniës hahesh Rusia me Austrinë aqë shumë sa qi desh të nisin luftë. Po, lajmet e fundit na kallxojnë se undreqën edhe po i lëshojnë ushtëritë qi patën mbledhë. Besoj se nuk asht për t’u vonumë më puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së reë. Do të përpiqem t’ju çoj edhe gazeta me anë të Mitrit në qoftë se mund t’jua dërgojë me sigurië. Nusja Kolës përintët i ka mirë edhe u gëzuan për lindjen e djalit.Emnin t’ia ngjitni shqip.Gjithve u falem me shëndet.Të vegjëlvet u puth sytë.Sifit veçan i puthi sytë.
Tyke të puthmi dorën mbetem, biri yt Lefi
Nosi, koleksionist dhe “tregtar”
Në letrën drejtuar të vëllait shohim një anë interesante të karakterit njerëzor të Nosit, si një person me shpirtin e tregtisë që kujdeset për mirëqenien e familjes dhe që këshillon vëllezërit për disa veprime praktike që duhet të bëjnë për të fituar para. Po këtu shfaqet edhe pasioni i Nosit si koleksionist, ndërsa kërkon të ruajë për “antika” pulla serbe…
Vlorë 12 Mars 1913- I dashuni vlla Grigor
Kartën tate ato të Kolës edhe të Ali Irfanit i mora edhe u gëzova që jeni shëndoshë. Edhe ne jemi shëndoshë e së gjithash mirë. Presim me sot e me nesër qi të marri një funt puna e të vimë aty. Me anë të Mitrit ju dërgova letër edhe disa gazeta, të cilat besoj se ju kanë ra në dorë. Grekërit erdhën gjer në Tepelenë tyke ndjekun ushtëriën e Turkut. Komiteti Bullgar vrau në Selanik Gjergon mbretin e Greqiës. Ordia e Turkut qi ndodhet mbledhun sot në Lushnjeë e Fier po shet kualt e plaçkat se duket qi do t’i bjerë në dorë Sërbëvet pasi të bëjnë nji përpjekje të vogël me ta qi të mos thohet se u dhanë pa luftë. Mitri më thotë se ka blemë për ju 15 kual gjer më sot; do të bëjë mirë në qoftë se blenë ene ma të tjerë se si të shëndoshen bëhen që të vinë nga 40-50 lira kali.Këtu sot pasi asht mbyllë dati oka e sheqerit po shitet (30) tridhitë grosh e s’gjindet. N’qoftë se mundeni dërgomëni sa ma parë nja Katër a pesë barrë t’i shes se fitimi ashtë shum i math si e shifni. Në qoftë se do të çoni, të bëni herapë për 10 ditë e sot të ndodhet gjija këtu e po u hap deti pa m’ardhë sheqeri këtu, munt të vijë nga jasht e s’mbetet fitimi. Mos e humpni pra kët rast e nisni nji njeri t’a sjelli. Të më runi ca pulla të Serbiës, me vulën e sotme qi përdor në për letra në Shqipnië e ndonji shkresë…të kumandantit sërb se i dua për antika e kujtim. Për Cilkën e Ericksonin më shkruni si janë edhe u falem me shëndet. Farës e fisit u falem me shëndet. … e uroj për djalin. Të më dërgoni 5 qeleshe burrash nga ato qi prodhohen n’Elbasan edhe 5 qeleshe nga ato qi vinë nga Stambolli si në bojë hiri lesh e pambuk si ajo qi kam unë këtu … . Nanës i puth dorën, vëllezëvnet e motravet u falem me shëndet,të vegjëlvet u puth sytë. Sifit të fala. Shokvet të mij të fala. Lef Nosi
Fondi Nosit dhe figura e tij shumëdimensionale
Fondi me letrat e Lef Nosit na tregon për një figure shumëdimensionale të këtij burri të shquar. Ai në dorëshkrime flet mbi nismën për të botuar gazetën “Tomorri”, veprimtarinë e tij zyrtare si drejtor i gazetës, si dhe jepen lutjet e Nosit dhe nënës së tij për ta liruar nga internimi i bursës. Një figurë e tillë shumëdimensionale shpaloset në gjerësi të madhe edhe përmes korrespodencës së Nosit me figura të njohura të kohës. Mjafton të përmendim emra si: Faik Konica, Fan Noli, Ismail Qemali, Fuat Toptani, etj. Numri i letrave të dërguara në adresë të tij nuk është pak. Pothuajse të gjithë letrat e Nosit janë të lidhura me çështjen kombëtare. Veprimtaria e tij është e gjerë edhe në publicistikë dhe etnologji. Një personalitet kompleks me veprimtari të gjerë e të thellë patriotike dhe intelektuale, Lef Nosi, pati në të njëjtën kohë një fat kontravers dhe vdekje të pamerituar. Botues i gazetës “Tomorri”, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë apo Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e qeverisë së Vlorës, ai u vra nga regjimi komunist duke u cilësuar si bashkëpunëtor i nazizmit gjerman. Nga dokumentet e sjella vërehet dashuria e vërtetë, pamëdyshje dhe e pastër që ai kishte për Shqipërinë dhe preokupimi për fatin e saj. Rëndësia e këtyre dokumenteve është padyshim e jashtëzakonshme, porse ka ende mjaft dokumente të tjera, të cilët duhet të shfletohen e të interpretohen në dritën e duhur. Është interesante të sqarohet qëndrimi i Nosit gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për të zhdukur “hijet” që mund të ekzistojnë lidhur me figurën e tij në këtë pjesë të historisë shqiptare. Ajo për të cilën nuk mund të dyshohet është se Lef Nosi, edhe vetëm përmes këtyre dokumenteve dhe detajeve të sjella këtu, dëshmohet si një figurë e patriot i rrallë me kontribut të madh për Shqipërinë dhe dashuri të veçantë për qytetin e tij, Elbasanin. Vrasja e tij në 1945, pas një seance të sajuar gjyqsore dhe qëndrimi dinjitoz të tij para trupit gjykues, ku thuhet se ka folur sikur të ishte kryeministër i vendit dhe jo i burgosur nën akuza qesharake, ishte një makabritet që nuk duhej të ndodhte, pasi vendi humbi në mënyrën më brutale njeriun me vlera të paçmuara, intelektualin dhe shkencëtarin që e kishin zili edhe akademitë më të njohura të Europës. Mjafton të përmendim faktin se në 1937, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Austrisë e ka ftuar të jetë pjesë e saj, po ashtu edhe ajo e Gjermanisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Artur Ajazi, Lef Nosi, shkencetari, si kryeminsiter

Ca nga të mirat që i kanë ardhur Shqipërisë nga shqiptarët e Amerikës

March 23, 2015 by dgreca

Fjala memoriale që dha Fan S. Noli në Parlamentin e Shqipërisë më 11 shkurt 1924, në kujtim të Presidentit Woodrow Wilson./
Ne Foto:Kryetari i Vatres, Imzot Noli ne takimin me Presidenti Woodrow Wilson me 4 korrik 1918 prane varrit te presidentit te pare te SHBA-se, George Washington/
Të hënën pas darke, më 11 shkurt, 1924, Imzot Fan Noli, Kryepeshkopi dhe Mitropoliti i Durrësit, Gorës dhe Shpatit, mbajti në Asamble këto fjalë memoriale për Presidentitn e Amerikës, Woodrow Wilson:
Imzot Fan Noli : – Z. Kryetar. Nga shkaku i një moskuptimi, nuk u ndodha të hënën e kaluar në mbledhje, kur u përmend vdekja e Presidentit Ëilson. Kisha pak fjalë për të thënë atë ditë e, pasi nuk munda, ju lutem, të më jepni leje t’i them sot.
Zëra : Pranohet.
Imzot Fan Noli : Amerika edhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Woodrow Wilson-it, të njëzet e tetit President të Shteteve të Bashkuara. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria, e cila qan në fytyrën e tij amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e saj më të fortë.
Titulli “amerikan” mjafton, që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në ]do vajtim të Amerikës, se, që të gjithë, e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e fëmijës. Për njëzët e pesë vitet e fundit Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: Një fushë pune ku fitonin aq para, sa ishin të zotët dhe një shkollë, ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut, kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me ide të reja. Për të kuptuar sa influencë ka patur kurbeti i Amerikës mbi Shqipëri, marrim këtë shembull të vogël: Në një fshat të fushës së Korcës prej tetëdhjetë shtëpish, kam gjetur dyzet vetë që kishin qenë në Amerikë dhe dyzet të tjerë, të cilët janë në Amerikë edhe sot. Me fjalë të tjera, ]do shtëpi ka patur nga një djalë atje. Mund të thuhet me siguri që tetëdhjetë përqind prej shtëpive të reja të Shqipërisë Jugore janë ndërtuar me para të fituara në Amerikë. Gjithashtu, mund të konstatohet lehtë që një e katërta e popullatës së Prefekturave Jugore ushqehen drejtpërdrejt me para të ardhura nga Amerika e tri të katërtat përfitojnë prej tyre para indirekt. Për qetësinë, e cila mbretëron në Shqipëri nën Shkumbin dhe ve]anërisht në Labëri, e cila ka qenë gjithnjë e turbulluar, ka një shkak dhe ky shkak është kurbeti I Amerikës, se atje toskët dhe lebërit tanë u bënë punëtorë të urtë, qytetarë dhe patriotë modernë.
Në Amerikë shqiptarët themeluan Kishën Kombëtare, një bimë e rritur me djersën e punëtorëve tanë të atjeshëm, e cila pastaj u transplantua në Shqipëri. Ky institucion, si] e dini, ka ndrruar faqen e Toskërisë Jugore. Atje u themelua “Vatra”, shërbimet e së cilës sot, për shkaqe të ndryshme, nuk ]mohen si e meritojnë, po do të vijë një ditë që të ]mohen si e meritojnë, po do të vijë një ditë, që të ]mohen ashtu si duhet. Edhe Kongresi i Lushnjes ka buruar indirekt prej “Vatrës”. Guvernën e Lushnjes e pro]edoi Guverna e Durrësit, së cilës koha do t’i japë një faqe të historisë sonë, se pa të dytën nuk bëhej e para. E mirë, a e ligë, guverna e Durrësit ka qenë nëna e Guvernës së Lushnjes. Që të gjithë e dini se Guverna e Durrësit u organizua nën kryesinë dhe me niciativën e një delegacioni të “Vatrës”, të dërguar për këtë qëllim me para të Amerikës. Në këtë, mund të shtojmë që, nga të paktat libra letrare që kemi, gjysmat, të paktën, janë shtypyr me paratë e shqiptarëve të Amerikës. Pas fakteve të sipërme që numërova, është e tepërt të them që rilindja kombëtare do të ishte vonuar kushedi sa vjet, sikur të mos ekzistonte kurbeti i Amerikës.
Këto janë ca nga të mirat që i kanë ardhur Shqipërisë nga shqiptarët e Amerikës. Tani do t’ju përmend disa të mira që i kanë ardhur prej Amerikës drejtpërdrejt. Më 1914, kur u shkel Toskëria dhe u derdhën me mijra refugjatë në Vlorë, ku vdisnin nga ethet, nga uria dhe nga e ftohta, vetëm një vend u kujdes t’u dërgojë ndihmë këtyre të mjerëve dhe ai vend ishte Amerika. Pas luftës, kur Shqipëria ishte e shkretuar dhe e plagosur prej invazioneve të huaja, prap Amerika dërgoi Kryqin e Kuq që t’i lehtësonte vuajtjet. Dhe një nga të vetmet, në mos e vetmja shkollë moderne që kemi, është ajo e Amerikës, Shkolla Teknike. Dhe, kur themi Amerikë, na kujtohet një emër, sa që të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Ëashington-it administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe shumë i vajtuari Presidenti Ëillson.
Ve] titullit “amerikan” Ëilson ka për mirënjohjen tonë edhe një tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit kombëtar dhe të paqes së përbotëshme. Presidenti Ëilson ishte idealist, se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzit kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Ëilson u zgjodh dy herë president, arrin për të provuar tezën tonë. Dhe kjo tezë nuk rrëzohet aspak prej faktit që Amerika nuk i ra pas Ëillson-it, se ky u mund prej një grupi tjetër idealistësh. Ata që kanë studiuar historinë greke do ta kuptojnë më mirë këtë ngjarje. Athinasit e vjetër kishin një kanun sipas të cilit i bënin syrgjyn qytetarët e tyre më të mirë dhe më të shkëlqyer, nga frika se mos bëheshin një rrezik për lirinë e vendit. Shkaqet e tjera të rrëzimit të Ëilson-it janë sekondare.
I biri i një prifti me origjinë irlando-skoceze, lindur në Virginia, në shtetin, i cili i dha Amerikës më parë dy presidentë të shkëlqyer, Ëashington-in dhe Monroe-n, Presidenti Ëilson u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predesinuar apostull i një ideali kristian dhe njerëzor. Si profesor, si kryetar i Universitetit Princetoën, si guvernator i shtetit Neë Jersey, si President i Shteteve të Bashkuara që më 1913, deri më 1921, në ]do gjest e në ]do fjalë shfaqej njeriu mistik i illuminuar, i dërguar prej Perëndisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të ]eliktë kishte mirësinë e Shën Fran]eskut. Sikur të kishte lindur në kohë të mesme, do të ishte bërë pa fjalë një kryqtar, ose një evangjelist i racave pagane dhe barbare. Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi jo si një qëllim, po si një mjet për apostullatin e tij. Më 1916 u përpoq të sjellë paqen dhe më 1917, ndonëse pacifist i bindur, u detyrua prej opinionit publik të hyjë në luftë. Pas armisticë u përpoq t’u imponojë luftëbërësve një paqe të drejtë, të bazuar mbi idealet e tij. E dini që të gjithë cili qe programi universal i Ëillson-it në Versajë. Cili prej jush s’ka dëgjuar të katërmbëdhjetë pikat e Ëillson-it, të sintetizuara në paktin e Lidhjes së Kombeve? Po në Versajë Ëillson u ndodh si Danieli në Shpellën e Luanëve. Ironia e situatës ishte që aleatët kujtonin se tërë programi idealist i Ëilson-it s’ishte ve] një propogandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm dhe për të fituar luftën. Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizmi i tyre është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoiste dhe materialiste të përvjedhura. Në Paris, Presidenti Ëilson, midis habitjes së aleatëve dhe tërë botës, provoi që kish ndërmend ato që thosh me gojë. U përpoq me tërë forcën e tij që t’u imponojë aleatëve programin e tij, po qëllimin e tij nuk e arriti gjer në një pikë. I vajtur në Evropë si triumfator, si Moisiu i zbritur nga Mali Horeb me pllakat e ligjës, kthehet në Amerikë, oh sa i ndryshuar nga ai i pari, “quantum mututus ab illo”, me zemër të thyer, me trupin të tronditur, me fytyrë tragjike dhe madhështore, me damkën e Golgotës së shtypur në ballë prej hekuri të kuq, po me flamurin e vëllazërimit të kombeve edhe në erë përpjetë, kryelartë midis furtunës së talljeve dhe kritikave. Ai me dhe atë copë të fitores që mundi të shkëpusë nga thonjtë e luanëve të Versajës, tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart. “et jamjam perdebat quod tenebat”.

ËILSON BËRI MË TEPËR SE }DO NJERI PËR INDIPENDENCËN E
SHQIPËRISË

Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versajës, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve dhe Ëilson, nga zenithi më i lartë i lavdisë, ku ka ëndërruar të hipë në histori të botës një njeri, u rrokullis dhe u rrëzua përdhe.
O, ]far rënie qe ajo, o qytetarë!
At’here ju e unë a gjithë ramë,
Dhe tradhti e gjaktë mbretëroi mbi ne.”
“O, ëhat a fall, o citizens!
Then you and I and all fell doën
And bloody treason reigned over us.”
Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes. Evropa s’e deshi paqen e Wilson-it dhe Amerika e refuzoi, sapo s’e desh Evropa vetë, që interesohej vitalisht dhe drejtpërdrejt. Që atëhere Ëilson-i vdiq, sikundër e provojnë fjalët që ka thënë në shtratin e vdekjes: “Jam gati. E mbarova misionin tim. S’jam më ve] një makinë e vjetër e shkallmuar”. Dhe u shtri e fjeti si luan profeti buzar i paqes njerëzore, at’ spiritual I Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist, me një serenitet dhe në qetësi olimpike, që është një sfidë supreme për talljet e skeptikëve cinikë, turishtrembër dhe zemërtharë.
I mundur? Bah! I vdekur? Kush e tha? Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë. Ah, prehu, o shpirt i martirizuar. Lufta jote s’ka qenë e kotë, se atje ku ka varre si i yti, atje ka jetë dhe ngjallje.
Titulli i fundit, last, but not last, për mirënjohjen tonë është se Ëilson bëri më tepër se ]do tjetër njeri për indipendencën e Shqipërisë, duke shpëtuar direk vendin tonë nga coptimi dhe duke i siguruar indirekt, me anën e Lidhjes së Kombeve, kufirin e 1913-ës. Madhështia e tij morale duket pikërisht në mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. Këto në kohën e luftës, si mbreti i vjetër i Persisë, i cili flinte i qetë me emrin e Themistokliut, mbaheshin midis dëshpërimit me një shpresë: “kemi Ëilson-in”. E kam njohur këtë kalorës të kohëve të harruara, në një kohë tragjike, më 4 korrik 1917, në jahtin Presidencial “Mayfloëer”, kur, i rrethuar prej kabinetit, prej trupit dipllomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, shkonte në varrin e Ëashington-it për të prononcuar të parin diskurs luftëtar. Atëhere iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi dhe përgjigjen e tij bujare e mbaj mend, sikur po e dëgjoj sot: “Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë.”
Dhe e mbajti fjalën e tij. Në janar, 1920, një erë zije e dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej aleatëve, ishte bërë i njohur dhe pritej vetëm një firmë, që të bëhej fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Ëilson, firma që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Ëilson, jo vetëm nuk vuri firmën, po u përgjigj edhe me dy nota, në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetqeverisje, dy nota që janë dy nga xhevahiret më të ndritshëm të karierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rast të marrim frymë e të përgatisim lirinë e Shqipërisë, që gëzojmë sot. Që prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufijtë, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Ëilson. Dhe si u hoq nga fuqia Presidenti Ëilson, kush e mori mbrojtjen e Shqipërisë? Ishte Lidhja e Kombeve, krijesa e Presidentit Ëilson. Kur Shqipëria u qas në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1920, kur unë si delegat i Shqipërisë ndenja në një radhë me përfaqësuesit e shteteve të tjera të qytetëruara të botës në Gjenevë, kur indipendenca jonë u njoh përsëri zyrtarisht, kur vendi ynë shpëtoi nga makthi i invazioneve të huaja, kur u vendos një mjet paqësor për të rregulluar konfliktet e kufirit tonë, kur populli ynë mori vehten dhe pa një ditë të bardhë pas aq mjerimesh dhe vuajtjesh të patreguara, ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullohej në kokë një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Ëilson. Një herë, në Parlamentin anglez Edmund Burke ka thirrur me dëshpërim: “Alas, the age of chivalry is gone”! Ajme! Koha e kalorësisë shkoi! Presidenti Ëilson e përgënjeshtroi këtë asersion dhe provoi në shekullin e njëzet që ka një vend, i cili edhe produkon kalorës bujarë për të mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta qajmë e ta vjatojmë këtë kalorës pa frikë edhe pa njollë, chevalier sans peur et sans reproche! U eklipsua Dielli i të vegjëlve dhe i të mjerëve. U rrëzua përdhe dushku i madh me degët e të cilit kishin ndërtuar folenë e tyre ëndërrronjësit idealistë dhe nga ky rrëzim oshëtiu me rënkim pylli i errët i dheut dhe u zhduk vizioni i një bote më të mirë dhe më njerëzore. Po zemrat përpjetë! Sursum corda! Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Ëilson-in, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai, kalorës të cilët të kenë mbi shqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Parcere parvis et debellare superbos”, kalorës të cilët të mbrojnë të vegjëlit dhe të përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbrojnë veprën e paqes, e vëllazërimmit, e mirëdashjes ndërkombëtare.(Dielli-arkiv)

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Fan S Noli, fjalimi ne Parlament, Shkurt 19124, Woodrow WILSON?

MASAKRA SERBE NE DARESINE E LUSHNJES – TOPONIMI “KE TE THERMIT”, DESHMIA 102 VJECARE

March 23, 2015 by dgreca

Shkruan:Muarrem Sharka/
102 vjet nga masakra e ushtrisë serbe në Darsi!/
Krahina e Darsisë shtrihet në kodrat në jug të lumit Shkumbin,kufizon me Dumrenë në lindje dhe në jug e jugperëndim zbret deri në kufinjtë e fushës së Myzeqesë.Një vendbanim i hershëm,i konstatuar dhe nga dëshmitë arkeologjike,shumë pranë rrugës “Egnatia”,me një terren kodrinor të butë ku banorët sigurojnë jetesën e tyre me pak mundime.
Nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi,por besojmë se është i nevojshëm informacioni për të gjithë ata që nuk janë njohur me ekzistencën e kësaj krahine.E identifikuar gjatë viteve të diktaturës si “Zona e Hamit Matjanit”,ka zbehur në një fare mënyre kontributin e shume burrave të kësaj zone,të cilët luftuan dhe drejtuan per liri si dhe në radhët e Ushtrisë Antifashiste,si Rahman Uruçi,Zyber Sharka dhe një vargu të gjatë partizanësh trima të cilët nuk mund t’i përmendim të gjithë.
Po të vëresh me kujdes toponiminë e kësaj krahine,ndryshe nga vise të tjera përreth,janë të pakta vendemërtimet me origjinë sllave.Nuk është vendi këtu për të rënditur arsyet pse ka ndodhur kjo,por në të vërtetë një “vepër” e ushtrisë serbe në 25 Mars 1913,ka pëjetesuar një vendemërtim që thirrej “Boka e Bardhë”,por sot nga banorët vendas njihet si “Ke të thermit”.
Një thermit”.
Një ngjarje që numëron 102 vjet në datën 25 Mars,e përjetësuar si toponim që përdoret nga pak banorë të cilët i referohen rrallëherë për arsyet e tyre,e fshirë nga kujtesa historike.
Po sjell disa fraza të shkëputura nga libri “DARSIA” i studiuesit Harun Greca për të hedhur pak dritë mbi ngjarjen:Në marsin e vitit 1913 serbët kapërcejnë Shkumbinin,zënë kodrat e Darsisë…Në lartësinë 272 metra të Mollagjeçit u vendos shtabi i divizionit…Serbët synonin kalimin nëpër Darsi e Myzeqe të dilnin në Adriatik…Në paraditen e 24 marsit,formacioni ushtarak osman,i komanduar nga gjenerali Xhavit Pasha,që vinte nga Fushë-Kruja,në tërheqje për t’u kthyer në atdhe,ua preu hovin serbëve…Mënjanë,larg e veç ushtrisë osmane,dy banorë të fshatit Gjuzaj;Dervish Zyber Çela e Mersin Selman Çela,të ndodhur atë ditë në shtëpitë e tyre,pranë frontit ku zhvilloheshin luftimet,rrëmbyen armët,hapën “frontin e dytë” te varrezat e lagjes.
Pas largimit të ushtrisë turke,forcat serbe zunë përsëri pozicionet e mëparshme.Ata që e pësuan ishin banorët e fshatit Gjuzaj.
1- Ushtria serbe rrethoi fshatin dhe arrestoi të gjithë burrat duke terrorizuar gra e fëmijë.Të gjithë burrat që morën nga vatrat e tyre,të paarmatosur,civilë,serbët i therën ashtu siç theret bagëtia në kasaphanë.
Ja si e përshkruan këtë ngjarje Harun Greca,në të vetmen kujtesë të shkruar për zonën,pra në librin “DARSIA”:Thikat ndriten ne errësirë prej reflekseve te dritës…I therren në dy therrtore,i hodhen kapicë mbi njeri-tjetrin…Era e rëndë e gjakut dhe rënkimet e të therurve trazuan qetësinë e shtirur të natës…
Nga kjo masakër doli i gjallë vetëm Mustafa Xhyra,të cilin jo se e kursyen,por thikat e ngulura në qafë nuk ia morën dot jetën,ndoshta për të refyer për të tjerët ato caste të fundit për 27 burra të fshatit që u masakruan barbarisht nga serbët,dhe për t’i treguar botës mbarë se cilët ishin barbarët, cilët ishin ata që dhunonin e thernin pabesisht shqiptarët.
Më poshtë po rëndisim emrat e banorëve të masakruar:
1.Adem Vallja 10.Islam Alleshi 19.Seit Greca
2.Beqir Greca 11.Islam Vallja 20.Sulejman Xhyra
3.Caush Greca 12.Murat Greca 21.Sefer Xhyra
4.Dervish Çela 13.Mersin Çela 22.Sako Xhyra
5.Elmaz Çela 14.Mustafë Xhyra(I mbijetuari) 23.Selman Çela
6.Hasan Greca 15.Mustafa Greca 24.Tahir Greca
7.Islam Xhyra 16.Nuredin Greca 25.Xhaferr Greca
8.Islam Greca 17.Qazim Xhyra 26.Jaçe Greca
9.Idiz Çela 18.Sulejman Greca 27.Veli Xhyra
Serbët pas masakrës u futën në Lushnje,ku qëndruan mbi dy javë.Nën presionin e Fuqive të Mëdha ata u larguan nga territoret e pushtuara.
Në respekt të këtyre martirëve,por dhe për të gjithë ata shqiptarë që kanë larë me gjakun e tyre të pastër këtë truall të shtrenjtë,besoj se nuk është e udhës të kalohet në heshtje masakra e 25 Marsit,kryer nga kriminelë të pamëshirshëm serbë në zonën e Darsisë.
2- Shpresojmë që në të ardhmen e afërt,në vendin e quajtur “Boka e Bardhë”,e cila u skuq me gjakun e paster të 27 martirëve,duke i dhënë emrin “Ke të Thermit”,të vendoset të paktën një pllakë përkujtimore,si një symbol ku pasardhësit të kenë mundësi të vizitojnë nga afër,çdo 25 mars,truallin e mbrujtur me gjak të pafajshëm,derdhur nga papërgjegjshmëria,nga ndjenjat harbute,çnjerëzore,nga pabesia e formatuar që në gen e një tufe kaçakësh që u kishte marrë koka erë,dhe fantazia e tyre e sëmurë shihte ëndrra me brigje deti.
Eshtë për të ardhur keq që sot dhe varret e tyre nuk janë më.Ato u prishën dhe u zhdukën gjatë kohës së diktaturës.Një masakër tjetër po në këtë zonë,30 vjet më pas,më 24 tetor 1943,tronditi Darsinë dhe gjindjen përreth.Rreth shtatëdhjetë vetë u pushkatuan,me urdherin e Mehmet Shehut,vrarë nga dora e një nëntëmbëdhjetë vjeçarjeje(siç thonë),port ë habit fakti që përsëri ishte i pranishëm një dëshmitar serb,famëkeqi Dushan Mugosha.
Këto tmerre të mbjella nga dora njerëzore,por me mendje dhe shpirt çnjerëzor,duhet të fshihen njëherë e përgjithmonë nga kjo botë,,dhe për këtë është e nevojshme dhe kujtesa historike!
Lushnje më 23.03. 2015

Filed Under: Histori Tagged With: “KE TE THERMIT”, Muharreem Sharka

Ibrahim Biçakçiu, kryeministri çifligar i luftës, që i dha kafe “Florën” Enver Hoxhës

March 23, 2015 by dgreca

Letra që shpëtoi djalin e Aqif Pashë Elbasanit,nga dënimi me vdekje që i dha Koçi Xoxe/
Pergatiti: ARTUR AJAZI/
Ibrahim Bej Biçakçiu (ose Biçaku) ishte pinjoll i një familje fisnike të Shqipërisë së mesme në Elbasan, djali i patriotit Aqif Pashë Elbasanit. Ai ishte gjithashtu kryeministër, ministër i jashtëm dhe ministër i brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës shtator 1944 deri nëntor 1944.Lindi në Elbasan në 1905, në familjen Biçakçiu, ishte djali i vetëm i patriotit të shquar Aqif Pashë Biçakçiu. Studimet e para i kreu në qytetin e lindjes. Më pas ndoqi ne Vjenë, të mesmen dhe studioi në dy fakultete, atë të në Akademinë Tregtare të Vjenës për Agronomisë dhe për Shkenca Politike. Zotëronte gjuhët Gjermanisht, Italisht, Turqisht, Anglisht. Në 1926 pasi i vdes i ati, kthehet nga Vjena dhe merret me administrimin e pasurive. Ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha), pronar i Shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkthemelues i Shoqërisë “Albiger” që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina. Nuk është shumë e qartë veprimtaria e tij, deri në momentin që bëhet pjesë aktive e jetës politike të vendit. Ishte i lindursi tregëtar, kjo ndoshta bëri që ai të sjellë traktorin e parë në Shqipëri, një ngjarje e madhe për kohën.
Jeta politike e Ibrahim Beut
Për herë të parë në politikë shfaqet në 1937, gjatë regjimit të Mbretit Zogu I, duke u bërë deputet i pavarur i Elbasanit. Pas këtij mandati shkëputet nga politika, merret me bizneset e veta për t’u rikthyer në shtatorin e vitit 1943 si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, duke drejtuar një kabinet praktikisht të paqenë në një Shqipëri të dalë nga kontrolli e të rënë në duart e komunistëve në pjesën më të madhe. Ndonëse një moment shumë i vështirë politik i brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare ( pasi Gjermania po binte), ai merr nën drejtim edhe Ministritë të Jashtme dhe atë të Brendshme. Pasi ushtria gjermane largohet plotësisht nga Shqipëria, pushtetin e dorëzon paqesisht tek forcat e LANC-it pa bërë rezistencë ushtarake . por duhet thënë se, për aq kohë sa kishte poste të larta në periudhën e luftës, Ibrahim Beu e ka ndihmuar ushtrinë partizane, me veshmbathje, armë dhe gjëra të tjera.
Gjyqi special, dënimi me vdekje dhe burgosja
Pas arrestimit, ndaj Ibrahim Bej Biçakçiut, u zhvillua një hetuesi e shpejtuar dhe aspak profesioniste, pasi ishin muajt e pare të çlirimit dhe vendit i mungonte organi akuzës. Kurse gjyqi ndaj tij u zhvillua gjatë periudhës mars–prill 1945 në Tiranë, i quajtur “gjyq special” ndaj atyre që u konsideruan “kriminelë të luftës”. Rreth 60 politikanë, ushtarakë, tregetarë, çifligarë, komandantë të Ballit kombetar dhe Legalitetit, ndër ato edhe Ibrahim Biçaku, djali i vetëm i Aqif Pashë Elbasanit. Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova” sot Teatri Kombëtar, drejtuar nga Koçi Xoxe i cili më vonë në 1946 deri 1948 do të merrte postin e Ministrit të Brendshëm, dhe vetëm 4 vjet pas do dënohej me pushkatim si Agjent i UDB-së Jugosllave, dhe Bedri Spahiu. Nga dënimi kapital me vdekje, atë e shpëtoi një peticion i nënshkruar nga elita e kohës në Elbasan, në të cilën shpreheshin se “Ibrahim Bej Biçakçiu rrjedh nga një familje patriotike dhe bamirëse, dhe se nuk ka patur kurrë qëllim të vepronte kundër popullit të tij”. Gjithashtu në mbrojtje të tij kanë qenë edhe figura të luftës si Myslym Peza (familjet Peza dhe Biçakçiu kishin miqësi të hershme) i cili ka deklaruar se “Kur ishte kryeministër i ka sjellë babës në Pezë dy kamionë me armë”. Kjo bëri që Ibrahim Beu të dënohet me 18 vjet burgim në një ndër burgjet më famkeqe, në atë të Burrelit. Duhet thënë një fakt i dale kohët e fundit. Enver Hoxha, nuk ka qenë dakort për një dënim të ashpër të djalit të Aqif Pashë Elbasanit, por duket se pushteti që asokohe kishte marrë me shpejtësi Koçi Xoxe, sidomos në fushën e arrestimeve dhe dënimeve kapitale, shpesh e sfidonte edhe mendimin e Komandantit.
Jeta pas burgut
Pas daljes nga burgu i gjatë, burri i pashëm dikur, ishte kërrusur, ishte plakur, ishte bërë i heshtur dhe fillimisht askush nuk e afronte. Sapo doli nga burgu, ish-kryeministrit të Shqiperisë, djalit të vetëm të Aqif Pashë Elbasanit, pushteti asokohe të vetmin vend pune i ofroi atë tek sektori pastrimit të WC-ve publike të Elbasanit, duke i dhënë edhe një karrocë të vogël me një kalë të çalë. Ishte tragjike të shikoje Ibrahim Beun duke ecur në mes të Elbasanit, me karrocë dhe me lopatë me të cilën pastronte WC publike të qytetit. Njeriu që ishte shkolluar jashtë, që kishte patur një biografi të pasur familjare në dobi të Shqiperisë, që kishte shpenzuar shumë edhe nga pasuria e tij për fatet e kombit, më pas edhe për LNÇ, duke mos u kursyer , pas 29 Nëntorit 1944, do ta quanin “kriminel lufte”. Por ditët kalonin, dhe qytetarët e Elbasanit, bashkëmoshatarët e tij, nisën ta përshëndesnin, pavarsisht se nën zë dhe fshehtas, madje nisën edhe ta ndihmonin. Jeta pas viteve të gjata të burgut, ishte një ferr i dytë për djaloshin e lagjes Kala të Elbasanit, birin e vetëm të firmëtarit dhe mbrojtësit të vendit nga pushtimi serb Aqif Pashë Elbasanit. Ai vdiq i vetmuar, por me keqardhjen e bashkëqytetarëve të tij, që edhe pse ishte koha kur mund të rrezikonin, shumë prej tyre e shoqëruan atë deri në banesën e fundit.

Filed Under: Histori Tagged With: Artur Ajazi, Ibrahim Bicakciu, kafe flora

KASAPHANA ANTISHQIPTARE: “NACIONAL ÇLIRIMTARE” !

March 23, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Ne Foto: Don Ndrè ZADÊJA (1891 – 1945)/
25 MARS 1945/
■HAPNI DOSJEN NR. 667…
“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS/
DHE ARMIQTË E POPULLIT:/
1.Prekë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli 8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci 14. Pjetër Dedë Gjedashi.”
Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”

■Kjo afishe e madhe me këta Emna ishte në të gjitha anët e Shkodres me 25 Mars 1945!
■Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim. I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.” (Dosja nr. 667, Tiranë 1998)
■Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 Mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas Murit të Gjakut të vorreve të Rëmajit, në oren 5 të mengjesit në Shkodër.
■Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën.
Don Ndre Zadeja jo vetem, që u pushkatue pa iu zhvillue gjyqi fare, po Ai u pushkatue pa kalue vendimi formalisht në Gjykatën e Naltë… Sigurisht, me aprovimin e E. Hoxhës.
■Ndër këta pak rreshta do të kujtoj Ata Shqiptarë, që kujtojmë se një ditë vdiqën!
Këta janë pikërisht Ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë me gojë se, pa Shqipe s’ka burra dhe pa burra s’ka Atdhé!
■Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen.
Ata u kalbën në qelitë e Sigurimit përsëgjalli. Plagët e Tyne kulluen vetëm gjak, gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e gjuhë të përbashkët.
Për né asht e vështirë me e kuptue martirizimin shpirtnuer të Tyne, mbasi na nuk kemi provue vetminë e Tyne, dhimbjet e plagët e trupit Tyne, zanin e mekun drejtë fikjes së Tyne që përshpëriste thanjen e Mustafa Krujës: “Shqipni e andrrueme prej poetëve, e dishrueme prej atdhetarëve, e këndueme prej rinisë”, por realiteti në fakt kje vetëm mjerim, vuejtje e sakrificë! Këte a e di Rinia e sotme Shqiptare?!
■Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: “Mbasi Fuqitë e Mëdha kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet shumë të Shenjtë!”
■Kjo, dhe vetem kjo, ishte arsyeja që shovenistët sllavokomunistë filluen vrasjet me disa nga Kolosët e Arësimit dhe të Kulturës Europjane Shqiptare, po bashkë me Ata Burra, shfarosën ajken e Atdhetarëve tanë, që kishte lindë njëheri me shkambijtë ku Shqipja, e kishte çerdhen e vet dhe u këndonte zogjëve Kangët e Rubës së Kuqe…
■Plumbat e tradhëtarëve t’ Atdheut në sherbim të Titos, kishin disa objektivë të vetët goditës dhe shkatrrues, tue fillue nga pushtimi i Trojeve tona në Veri, çarmatosja e tyne, pushkatimet dhe grabitjet e kullave e kryesisht: Vaditja e Tokës me Gjakun e Frikës…
■Vrasja e Poetit të Ambelsisë Don Ndre Zadejës, ishte vrasje e Shpirtit të Rinisë sonë, e cila këndonte njëheri me melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” dhe me dorëshkrimin “Shpella e Bogdanit”.
■Vritej muzika e kompozitorit Don Mikel Koliqi dhe shembej Teatri i vjeter i Jezuitëve, e bashkë me tá dhe fidanishta e Tyne, rreth 20 vjetë para “shkollës së parë të Korçës…”
■Vritej “Juda Makabe” e At Fishtës, muzika e At Gjokës e Mazrrekut… dhe hapej rruga per pushkatimin e aktorëve të parë të teatrit shkodranë… Histori endè e pashkrueme!
■Kjo detyrë urgjente ju ngarkue një komunisti me eksperiencë staliniste, besnik i kujtdo sllavë që njihej me te, e pranonte bashkpunimin per “pluralizem” ashtu si e donin edhe ata që nënshkruen pak ditë para në Jalta, “zhdukjen e Shqipnisë nga harta e Europës.” Ishte i perkëdheluni i Enver Hoxhës, që në ditët e para kur u projektue formimi i “njeriut të rinjë”, ishte Sejfullah Maleshova… që erdhi në Shkoder me formue “partinë demokristjane”, pra me hapë “thertorën jugosllave” me Klerin Katolik Shqiptar…
Kishte futë në thes një grup të madh Atdhetarësh në Tiranë gjoja me “social demokrate” etj… dhe erdhi në Maji të 1945, me vazhdue misjonin e tradhëtisë në Shkoder…
■HAPNI DOSJEN “ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE ‘BASHKIMI SHQIPTAR”!
Ishte At Mati Prennushi që nuk pranoi me hy në kurthën sllavokomuniste të Sejfullah Maleshovës! E ky “Sejfullah”…Sa vetë çoi në plumb me “partitë e tij fantazma”?
Vrasja e Don Ndre Zadejës ishte edhe një sinjal antikombtar që iu bante shkollave të Shkodres dhe të Shqipnisë: “Ata që dishrojnë me punue me ne, ata janë e ardhmja!”
■E këte e provoi saktësisht 25 vjeçari i fundit i mashtrimeve “demokratike”…
***
■Koha provoi se Profetsia e At Mëshkallës, shkrue me 5 Prill 1967, në letren e dergueme Kryetarit Këshillit Ministrave të R.P.S. të Shqipërisë Mehmet Shehut, u realizue:
■“Sidomos pjesa e frikësueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen sëpse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, sërvile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o “të prekun”. E kush po di se cilët janë! – Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX-të?…”(Marrë nga origjinali FR)
■Këte perkufizim sot e gjejmë tek trashigimtarët e qeveritarëve të asaj kohë, tek të gjithë ata që punojnë për “Rilindjen komuniste”, tek të gjithë ata që u lindën dhe u rritën me parimet e atyne shkollave antiatdhetare dhe antishqiptare…
■Këte perkufizim ka në kokë sejcili “dr. prof. e akademik” i formuem dhe i përgatitun nga shkollat sllavokomuniste të vendeve ku kultivoheshin parimet staliniste e enveriste…
■Kjo ishte fara e keqe që asht mbjedhë tash 70 vjetë në Shqipninë Europjane, dhe që po vazhdon me shkatrrue jetën dhe t’ ardhmen e Rinisë dhe Popullit Shqiptar!
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë… Pjesa VII -Vazhdon Pjesa e VIII…
Melbourne, Mars 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: KASAPHANA ANTISHQIPTARE:, nacional-clirimtare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 533
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • …
  • 698
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT