• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DERVISH HIMA, ATDHETAR, PUBLICIST DHE ORGANIZATOR I ÇETËS STUDENTORE PËR MBROJTJEN E TOKAVE SHQIPTARE

November 27, 2024 by s p

Dr. Paulin Marku/

Dervish Hima është një personalitet i njohur dhe me kontribute të ndryshme atdhetarie, në fushën publicistike e botuese dhe me veprimtari të madhe patriotike, brenda dhe jashtë vendi. Ai luajti një rol të rëndësishëm prej Rilindjes Kombëtare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet shkrimeve e botimeve të shumta, informonte opinionin publik rreth gjendjes së shqiptarëve dhe për rrezikun e madh që i kanosej tokave shqiptare. Ai jetoi e veproi sa ne mërgim e sa në atdhe por nuk e ndaloi veprimtarinë patriotike. Për një fare kohe iu ndalua hyrja në atdhe sepse autoritet e Stambollit e dënuan për shkak të veprimtarisë nacionaliste. Qëndrimet e tij ishin shfaqur hapur nëpër grupime të ndryshme shqiptarësh dhe në shtypin e kohës.

Dervish Hima njihet si një kundërshtar i absolutizmit të Abdyl Hamidit II dhe mënyrës së sundimin të tij në tokat shqiptare. Ai organizoi manifestime e protesta të ndryshme. Shqiptarët kundërshtuan urdhrat e reformat perandorake sa herë shikon se rrezikohej copëtimi i tokave shqiptare apo shtypja e popullsisë. Në vitin 1896 grupi i reformave qeverisëse u kundërshtua në Manastir dhe brenda pak kohëve, Komisioni i reformave u detyrua të largohej për shkak të rezistencës së shqiptarëve në Vilajetin e Manastirit, në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Lezhë, Shkodër, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Shkup, e në shumë qendra të tjera. Përgjithësisht ato u kundërshtuan dhe nuk u zbatuan në vilajetet shqiptare. Një ndër kundërshtarët dhe organizatoret e këtyre qëndrimeve ishte edhe Dervish Hima. Një grup atdhetar shqiptar i dorëzuan kryetarit të komisionit të reformave, një promemorie ku shprehnin pakënaqësitë e tyre dhe argumentonin edhe pretendimet e shqiptarëve, (ku mendohet se ishte hartuar nga Dervish Hima).

Në vitin 1897 disa nacionalist krijuan ne Bukuresht një organizatë të fshehtë me emrin “Autonomia”, ku ndër bashkëthemelues ishte edhe Dervish Hima. Ky grupim nacionalistësh jetonte e vepronte në Rumani, të cilët ishin të përkushtuar në zhvillimin e arsimit, historisë, kulturës e vlerave shqiptare. Dokumenti i 31 korrikut 1899 nga Bukuresht, pohon se thirrja e popullit shqiptar për mbledhjen e kongresit që do të shqyrtojë çështjen e krijimit të një shtetit autonom shqiptar u hartua nga intelektual shqiptar dhe u publikua ne gazeta e revista te ndryshme, si: “La Nazione Albanese”, “O agon”, etj…, në gjuhë të ndryshme për të njohur opinionit publik evropian me çështjen shqiptare. Nënshkruar nga Jorgji K. Meksi, Dervish Hima, Jashar S. Erebara.

Po ashtu, ne vitin 1899 u botua në gjuhën turke një tjetër thirrje “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën” ku i kërkonin kuvendit të Pejës të bashkëpunonin me të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë për të qenë gjithëpërfshirëse me katër vilajetet, Kosovë, Shkodër, Manastir e Janinë, të cilat formojnë vendin Shqipëri. Ndër iniciatorët e hartues kryesor ishte Dervish Hima, në bashkëpunim me atdhetar të tjerë. Shqiptarët i bashkonte qëllimi i autonomisë dhe lufta kundër pushtetit absolut të Abdyl Hamitit II. Me përmbysjen e regjimit hamidian dhe me rënien e tij nga fronti perandor, shqiptaret synonin të fitonin autonominë. Një linjë e re opozitare kundër regjimit hamidian ishte lëvizja xhonturke. Nisma “Bashkim e Përparim” u mbështet fillimisht edhe nga shqiptarët. Lëvizjes opozitare iu bashkuan shume intelektual shqiptar, si Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, etj…

Por intelektualët shqiptar, me në krye Ismail Qemalin, shumë shpejt e kuptuan se xhonturqit kishin qellim të mbanin të paprekur Perandorinë Osmane dhe nuk lejonin shkëputjen e tokave shqiptare. Ata e kuptuan se po i përdornin për qëllime politike dhe se nuk kishin qëllim të jepnin të drejtë autonomie apo pavarësie shqiptareve dhe u larguan. Në një kohë të shkurtër shumë intelektualë ishin opozitarë të Turqve të Rinj, mund të përmendim, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Negjip Draga, Aziz pasha Vrioni, Syrja bej Vlora, Dervish Hima, të cilët kishin qellim një platformë gjithëpërfshirëse për katër vilajetet dhe me karakter kombëtar.

Dervish Hima fillimisht u angazhua dhe në fushatën politike te vitit 1912. Raporti i konsullit Halla njofton nga Manastiri për eprorin e tij në Vjenë, Kontin Aehrenthal lidhur me situatën zgjedhore në këtë sanxhak. Ai përshkruante gjendjen e fushatës zgjedhore dhe kandidaturat e mundshme. Po ashtu, ndërmjet kandidatëve jozyrtarë por të mbështetur nga popullata ishte edhe emri i Dervish Himës.

Qysh në zgjedhjet parlamentare të vitit 1908 ai kishte pasur një numër të konsiderueshëm mbështetësish. Në dokumentin e 6 marsit 1912 diplomati Halla referonte për Vjenën se publicisti shqiptar, Dervish Hima arriti para dy ditësh në Manastir dhe do të bëjë një turne për gjashtë javë nëpër Shqipëri me qellim për të organizuar bashkatdhetarët e tij për zgjedhjet politike. Fakti se ai ishte deklaruar kundërshtarë i xhonturqve, si dhe për shkak të pakënaqësive të shtuara ndaj qeverisë, kishte besim se shqiptaret nuk do të bashkëpunojnë me komitetin xhonturk por do të mbështesin grupin nacionalist shqiptar. Dervish Hima kishte përgatitur një liste të personaliteteve, shoqëruar me biografi që pritej të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë. Njëri prej mbështetësit e tij, ishte Murat Bej Toptani, vëllai i Refik Bej Toptanit.

Në një intervistë që Dervish Hima kishte dhënë për gazetën “L’indipendent” që botohej në Selanik, gazetari e përshkruan si një nga flamurtarët më të dukshëm të mendimit shqiptar. Ai kishte bindje se bashkëkombësit e tij, do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe me shumë mend në kokë në mënyrë që të dërgojnë në parlament njerëz me ndjeshmëri te pastër dhe të përmbushin mandatin për nevoja të zgjedhësve dhe të vendit në përgjithësi. Gazetari e pyeti se çfarë qëndrimi do të mbajnë shqiptarët persa i përket marrëdhënieve me serbët dhe a do të mbështesnin njëri-tjetrin? Ai u pyet dhe nëse do të bashkëpunojnë shqiptarët me serbët gjatë fushatës elektorale të vitit 1912? Përgjigja që mori nga Hima ishte se shqiptarët nuk do të bashkëpunojnë me ta sepse qëllimet midis tyre janë të ndryshme dhe do të pengojmë rritjen e influencës së tyre politike.

Ndër të tjera, Dervish Hima pohonte: “Ne duhet të tregojmë se emri i “Serbisë së vjetër” këtej e tutje duhet ti përkasë vetëm historisë. Ne nuk mund të pranojmë që serbët të marrin prapë (të kërkojnë) provincat tona si zotërimet e vjetra të tyre.” Pikëpamjet politike në qëndrimin e Dervish Himes ishte për një përfaqësi të denjët deputetesh, me një platformë gjithëpërfshirëse për shqiptarët me interesa kombëtare, në mënyrë që kandidatët për deputetë të jenë një zë i fortë në Parlament në Stamboll për të kërkuar të drejtat e bashkëkombësve. Po ashtu, ai ishte kundër bashkëpunimit politik me xhonturqit dhe nuk besonte aspak në premtimet e shumta të tyre elektorale.

Telegrami i 16 shkurtit 1912, diplomati italian në Korfuz, njoftonte ministrin e Jashtëm San Giuliano rreth fushatës elektorale në Durrës, Elbasan dhe Korçë ku pohonte, citoj: “Në Elbasan zhvillohet një luftë e gjallë mes Partisë “Nacionaliste” e cila dëshiron propaganduesin e njohur Dervish Hima dhe xhonturqve që e duan të konfirmohet hoxha i vjetër, Haxhi Ali. Të dyja palët kanë filluar tashmë dhunën dhe nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të armatosur. Edhe nga Korça më vijnë lajme për një konflikt të dhunshëm, ku xhonturqit kërkojnë të anashkalojnë nacionalistin Shain bej Kolonja.”

Dervish Hima u përfshi dhe në kryengritje e vitit 1912 dhe organizoi çetën studenteve. Ai njihet si një revolucionar dhe nismëtar për të filluar lëvizjen shqiptare. Në njoftimin e diplomatit italian, Labia thuhet se “i mirënjohuri Dervish Hima ndodhet akoma këtu duke mbajtur një qëndrim gjithmonë e më shumë revolucionar, në pritje të rasteve të volitshme. Bashkë me të gjenden edhe dhjetëra të tjerë dezertorë dhe një zyrtar i xhandarmërisë shqiptare”. Qëndrimet e tij i kishte paraqitur para diplomateve të huaj, dhe në shtypin e shkruar.

Intelektualët e drejtuesit shqiptar nuk ishin në një qëndrim të përbashkët edhe për shkak të ndikimeve të shteteve të ndryshme. Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Dervish Hima e disa nacionalist të tjerë kishin marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë për shkak të komunikimeve dhe takimeve që kishin me diplomatët e tyre. Ismail Qemali ishte i orientuar nga politika britanike dhe e konsideronte si të vetmin shtet që mund të ndalonte zgjerimin sllav në Ballkan, ku padyshim që me ekspansionizmin e tyre dëmtoheshin interesat shqiptare. Po ashtu, kishte marrëdhënie të mira edhe me Italinë e Greqinë. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi shiheshin me dyshim nga ana e Vjenës për shkak te lidhjeve që ata kishin me shtete të tjera. Ministri i Jashtëm i Italisë, San Giuliano (që më parë kishte mbajtur postin e ambasadorit në Londër) e njihte personalisht Ismail Qemalin. Disa intelektual dhe klerik shqiptar mbanin marrëdhënie të mira me Italinë dhe ishin në kontakt me diplomat italian. Ndaj mund të pohojmë se nacionalistët shqiptar në aspektin diplomatik shfrytëzonin njohjet dhe lidhjet personale. Kjo mund të ishte edhe një strategji për të pasur mbështetje dhe bashkëpunim sa më të gjerë në rrafshin ndërkombëtarë.

Dervish Hima ishte botues i gazetës “Shqiptari” dhe disa herë qëndrimet e tij shkonin në kundërshtim me politikat e qeverisë së Stambollit. Për këtë arsye gazeta e tij u mbyll për një farë kohe por gjithsesi ai nuk ndaloi se shkruajturi dhe vepruar në komunitet. Në një qëndrim në Selanik, në muajin qershor 1912 ai ishte shprehur se nëse qeveria nuk jep prova dhe vepron seriozisht për zbatimin e premtimeve dhëna për shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe tek malësoret, situata do të përkeqësohet dhe për rrjedhojë të pakënaqësive do të bashkohen edhe fise të tjera nga jug i Shqipërisë, Gjirokastër, Kaninë e Çamëri. Nga Selaniku, konsulli i Vjenës, Kral, njoftonte mbi publikimin e një thirrje të një shoqërie studentore shqiptare nga Korfuzi për fillimin e një kryengritje në Shqipëri. Në dokument thuhet se një repart kryesohet nga Dervish Hima, të cilin shqiptaret e ndjekin me entuziazëm të veçantë. Thirrja e studentëve revolucionar shqiptar: “Komiteti i shqiptarëve të rinj” dhe mban vulën me pushkë e penë si emblemë dhe mbishkrim “Shoqëria për lirinë e vërtetë, 1888”, dega e shoqërisë studenteske.

Dervish Hima i shoqëruar nga shumë studentë u përfshi në kryengritje e 1912 dhe zhvilloi një veprimtari të gjallë agjitacioni në sanxhakun e Gjirokastrës. Ai bashkëpunonte me krerë të ndryshëm si: Muhamet Reshitin nga Filati, Tajari (bej Tetova), Zija Beun dhe shumë nacionalistë toskë dhe bënë përpjekje të shfrytëzojnë situatën pasi ishte e trazuar edhe për shkak të lëvizjes së oficerëve dhe dezertimit të ushtarëve në radhët e ushtrisë.

Dervish Hima dërgoi letër Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimtarinë e tij në sanxhakun e Gjirokastrës; për mitingun e shqiptareve në Jug të Shqipërisë dhe solidarizohej me kërkesat e shqiptarëve të Veriut. Ai informonte Vjenën për përmasat që kryengritja kishte marrë në tokat shqiptare dhe kërkonte ndihmë diplomatike nga qeveria austro-hungareze në mbështetje të çështjes shqiptare. Ai iu lutej Vjenës që të mbështesnin çështjen shqiptare, të paktën iu kërkonte ta bëni në rrugë diplomatike dhe e mbyllte letrën “kini mirësinë të pranoni, Zotëri dhe mik, konsideratën time të lartë” Dervish Hima. Por nuk vonoi shumë kohë dhe i vjen përgjigje nga Vjena, ku e falënderojnë për letrën dhe i pohojnë: “për t’ju thënë me siguri se miqtë tanë nuk do t’i harrojnë, shqiptarët”.

Ndërkohë që lufta ballkanike kishte shpërthyer, tokat shqiptare ishin shesh beteje dhe në rrezik të madh për tu copëtuar, vjen një tjetër letër me datë 12 nëntor 1912 nga Vjena, Artur Rableri, i drejtohej Dervish Himes dhe e rekomandonte që shqiptaret të shpallin përmes shtypit evropian vendimin për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Aty shkruhej “I shtrenjti zotëri, ka ardhur koha që bashkatdhetarët tuaj ta shpallin nëpërmjet shtypit evropian vendimin e tyre të patundur për të ruajtur integritetin e territorit të tyre kombëtar. Qëndrimi i Austro-Hungarisë ishte në përkrahje të shqiptarëve. Këtë e dëshmon edhe raporti i ambasadorit të Vjenës në Stamboll, Pallavicini drejtuar kontit Berchtold në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve për të ardhmen e Shqipërisë. Ai e informon eprorin në Vjenë për takimin e patur me një delegacion shqiptar, ndër ta edhe ish deputeti Basri Beu dhe publicisti shqiptar, Dervish Hima. Pallavicini pohonte se këshilla e tij për shqiptarët ishte të lënë mënjanë hollësirat dhe të gjithë të bashkuar t’i tregojnë qartë botës se ata nuk do të lejojnë ne asnjë mënyrë copëtimin e tokave shqiptare por do t’i mbrojnë kundër të gjithë armiqve.

Ndonëse Italia kishte konflikt të hapur me Perandorinë Osmane, ajo mbështeste linje e Austro-Hungarisë dhe çështjen shqiptare në tërësi. Në kushte dhe rrethana të trazuara për shqiptarët, ku forca të shumta ushtarake gjendeshin në tokat shqiptare, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe imediate ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Shumë intelektualë e atdhetarë të shquar shqiptar arritën në përfundimin se të shpallej sa më parë, Shqipëria e Lirë dhe e Pavarur. Pasi edhe Berchtold kishte njoftuar Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Intelektualë, krerë të zonave të ndryshme shqiptare e patriotë të shumtë u bashkuan në Vlorë. Kështu, më 28 nëntor 1912 në Vlorë u ngrit flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë dhe u hap kuvendi kombëtar. Dervish Hima ka kontribut të jashtëzakonshëm në udhëtimin e këtij procesi të vështirë e të mundimshëm për shqiptarët, të cilët kishin luftuar me shekuj për një Shqipëri të Lirë.

Filed Under: Histori

TUZ E MALESI, “PRTE PRITE SKENDERBEUN”

November 27, 2024 by s p

Gjekë Gjonlekaj / New York/

Në ditën e pavarësisë së Shqipërisë festës më të dashur dhe më të shejtë të kombit shqipar në Tuz të Malësisë do të të vendoset permendorja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeut. Ky është dhe do të mbetet një hap gjigant që do të nderohet nëpër shekuj. Është vepra më e madhe historike dhe kulturorë që shqipëtarët e kësaj republike realizuan qysh se iu shkëputën kombit nënë para një shekullii e gjysmë. Qysh atëherë e sot nuk pushuan kurrë sulmet kundër trimit tonë të madh i cili për shekuj të tërë e nderua si njëri prej trimave më shquar të Evopës dhe më gjerë, Njëra prej 5 motrave të tij ikishte qënë e martuar në familjen e principatës së Cërnojeviqëve të Malit Zi dhe për asrsy të lidhjeve familjare nuk përjashtohet mundësia që heroi ynë kombëtar të mos ket kaluar udhët e asaj kohe qofshin nëpër tokë ose iqe e det. Skenderbeu disa nga vizitat e tij në vendet e Mesdheut i fillonte në Raguzë (Dubrovnik). Dy pasardhës të Skenderbeut që kanë lidhje farefisi me heron tonë tregojnë shumë të dhëna për lidhjet e tij familjare. Para dy dekadah ata kishin vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi duke tregauar interesim dhe kurajo për të mësuar më shumë për stërgjyshin e tyre të kahershëm por jo të harruar kurrë. Ata kishin vizituar kullat e Vraninës dhe disa objekte historike per rreth. Gjerg Kastroti duhet të ketë pas ldhje me Shkodrën dhe Malësinë e Madhe sepse kur viziton Muzeun Historik të Krujës aty shihen shumë artifakte nga trojet ona si për shëmbull xhubleta e xhamadani dhe disa orendi të të tjera.

Për tonë kombëtar kisha mësuar qysh në fëmiërinë e hershme ngase portretin e tij kryesor e mnante gjithëmonë në dhoëm ne tij të pritjess Kolë Preloka Gegaj, vëllau i Lucë Prelokës Gegaj i cili për pothuajse një shekull njihet me emërin Athanas Gegaj. Sot e kësaj dite Athanas Gegaj nderohet si njëri prej histrianëve më të mirë të kombit shqiptar. Ai e kishte mbrojtur disetacionin e ti të doktoratit në Universitetin Luen të Belgjikes dhe një vit më vonë ky disertacion ishte botuar në Paris. Ky kishte qënë njëri prej nipave tonë të dashur. Imigrimin tim në Shtetet e Bashkura në vitin 1970 e priti mirë duke më kushtuar një shënim të shkurtër në gazetën “Dielli”, Menjëhërë fillova bashkëpunimin dhe korrespondencën më të, duke më këshilluar për jetën në këtë vend. Edhe pas botimit të disertaciont të doktoratit: Invazioni Turk në Shqipëri në Shelln XV, zotëri Gegaj u mor seriozish me të kalurën e tij, duke bërë studime në shumë vise të Italisë e vecanarisht në Rotondon ku kishte jetuar familja e Skenderbeut.

Por ngjarjen më të bukur dhe më madheshtore që kisha parë në jetë kishte qënë festimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut më 17 janar të vitit 1968 në Prishtinë, Në këtë simpozium tri ditësh kishin marrë pjesë historianë të njohur nga Shqipëria Kosova dhe shumë vende të botës bile edhe.nga Shtetet e Bashkuara. Delegacionn e Shqipërisë e drejtonte Profesor Dr. Aleks Buda. Ata kishin sjellur me vete filmin “Skenderbeu” dhe disa vepra historike dhe letrare për heroin tonë kombëtar. E gjithë kjo veprimtari solli një frymë të re patriotizmi në Kosovë. Shumica e frymzimmeve clirimtare të Kosvës e kishin zanafilllen tek historia e këtij trimi legendar. Gjatë qëndrimit tim tranzit në Itali për në Shtetet e Bashkuara disa herë e kisha vizituar në Romë Sheshin ” Albania” dhe monumentin Skenderbeu. Ky shesh dhe monument ishin pikë bashkimi për shqiptarët e Romës dhe Italisë. Para një gjysmë sekulli një shqiptaro-amerikan kishte bërë thirrje me shkrim për ndërtimin e nje përmendoreje të Skenderbeut në Amerikë. Unë e mbështeta shumë këtë ide duke botuar një shkrim në gazetën “Dielli”. Bile e kujtoj si hapin tim të parë drejtë kësaj veprimtarie. E fillova karrierën time me këtë burrë legjendar dhe sot pas një gjysmë shekulli përsëri me këtë burrë titanik.

Vendimi i Malësisë së Tuzit për të vendosur heroin tonë kombëtar në kryqytetin e tyre Tuz është vepër historike,artstike dhe kulturore. Ëashte vendim për liri për bahkim dhe vëllazërim të popullit shqiptarë. Tuzit dhe Malësisë i ka hije kjo vepër sepse Skenderbeu nga që është vendosur do të vështrojë Malin e Deciqit ku për herë të parë u ngrit flamuri i tij pas pothuajse 500-vjetësh. Ismail Kadare ka thënë kryengrtjet antiotomane fillojnë me Skenderbeun dhe mbarojnë me Dedë Gjo Lulin. Diaspora shqiptare e Amerikës meriton nderime për kontributin e saj financiar. Meritojnë gjithashtu respekt edhe udhëheqja politike e Tuzit dhe Malësisë të cilët patën fuqi morale dhe politike për të ia arritur këtij qëllimi. Prijësit e Tuzit dhe Malësisië u treguan shumë seriozë dhe patriotë kur është fjala për këtë vepër të madhe. Urime Tuz, urime Malësi urime diasporë për këtë vepër madhështore.

Filed Under: Histori

At Shtjefën Gjeçovi një rilindas i madh

November 23, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

At Shtjefën Gjeçovi (1873-1929) etnolog, arkeolog, shkrimtar dhe mbledhës i këngëve folklorike u lind në Janjevë të vilajetin e Prizrenit Prindët e dërguan më 1884 në kolegjin françeskan të Troshanit, në Vilajetin e Shkodrës, ku mori mësimet e para të rrugës së meshtarisë. U urdhërua meshtar më 1896, kur meshoi së pari në Troshan dhe hyri në radhët e françeskanëve. Krahas punës si meshtar ai nuk rreshti së studiuari dhe botuari artikujt e shumtë të tij, në revistat e kohës “Albania” dhe “Hylli i Dritës. Kudo shkoi e shërbeu ai veç Ungjillit predikoi përhapjen dhe dashurinë për gjuhën shqipe, për të cilën do të shkruante: “man komin n’jetë, tuj kênë kjo shêji i paar e i vetmi, me të cillin dahen komi me komë… Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mund t’ndalet kurrë. Asht nji gja send qi nuk mund t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji send asht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhanti e posaçme e Perëndisë e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhanti… asht giuha shqype.: Sa mund t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.

Në veprat e tij shprehej se toskët e gegët janë një, duhet të jenë të bashkuar dhe gjuha e tyre duhet të jetë e unifikuar e shkruar sipas rregullave të vendosura në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Në prag të Pavarësisë ai shkruante: “Gegë e toskë janë vllazën! Ata duhet të jenë të bashkuar të flasin të njëjtën gjuhë e të shkruajnë me alfabetin e përbashkët. Kjo i bën shqiptarët më të bashkuar e më të fortë.” Gjithë jetën e vet ia kushtoi punimeve për rëndësinë e gjuhës shqipe, krijimeve e përkthimeve të mirëfillta letrare, studimeve të folklorit, dokeve e zakoneve shqiptare madje bëri dhe kërkime arkeologjike e etnografike, të cilat i botontë në gazetat dhe revistat e kohës. Gjeçovi kurrë nuk pushoi së mbledhuri e studiuari kryeveprën e tij, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Vdekja tragjike bëri që ai të mos e botoi Kanunin sa ishte gjallë. Kanuni u kodifikua në vitin 1933 në një botim të etërve françeskanë. Gjeçovi e dinte mirë rëndësinë që kishte Kanuni në historinë e Shqipërisë.

Pas autoriteteve osmane, i pari që mblodhi material për kanunin dhe zakonet ishte prifti Nikollë Ashta, i cili i botoi te Gazeta “Albania” tw Konicës, më 1897-98. Pas tij Lazër Mjedja më 1901, dhe Gjeçovi tek e përkohshmja “Hylli i Dritë.s” Ai studioi e mblodhi gjithçka ishte botuar për Kanunin deri në atë kohë. Administrata turke duke dashur të ndalojë gjakmarrjen e kodifikoi (përmblodhi rregullat dhe udhëzimet që duheshin zbatuar) Kanunin e Lekë Dukagjinit më 1872. Botimi ishte jo i plotë dhe kishte të bënte kryesisht me nenet e vrasjes e të gjakmarrjes, të trashëgimisë e të nderit. Turqit edhe në këtë nismë si në gjithë të tjerat dështuan dhe nuk arritën ta shuanin gjakmarrjen me gjithë dëshirën e mirë. Puna e Gjeçovit për mbledhjen e plotë të Kanunit të Maleve për kohën, ishte nga më të përparuarat dhe seriozet. Ai nuk la katund, derë e prag të Shkodrës dhe Malësisë së Veriut pa trokitur, duke mbledhur nga pleqtë gjithçka ata dinin për ligjet e Kanunit. Ishte i bindur në rëndësinë e jashtëzakonëshme të Kanunit dhe jo rrallë do të shprehej me fjalët: “Po mësuem, studjuam të kaluarën, kjo Kanu’ kje e vetjma mburojë që nuk e la fisin shqiptar, i vogëluem përherë e ma tepër prej peripecive historike të mos shkrihej e asmilohej nga kombet e tjera.”

Pa punën e jashëzakonshme për më shumë se tridhjetë vjet të At Gjeçovit, vështirë se Kanuni do të vinte i kodifikuar, aq i plotë sa është sot në duart e lexuesit shqiptar e të huaj. Kanuni i Lekë Dukagjinit është përkthyer në gjuhët: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht dhe serbisht. Në një udhëtim për në Gomsiqe për të takuar Gjeçovin ku Ati Françeskan shërbente, mendjendrituri Faik Konica befasohet me varfërinë dhe mjerimin e atyre viseve, kupton sakrificën e jashtëzakonshme të Gjeçovit për të përhapur “pakëz dritë” në ato vise tw egra dhe shkruan midis të tjerash: “… Famullia një biná prej guri e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrazur nga plaçkat, po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë, qëndronte mikëpritëse dhe e qetë anës së një lumi. Këtu rronte at Shtjefën Gjeçovi. Këtu e çonte jetën mes lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”.

Më 1926 Gjeçovi u caktua famullitar në Zym të Hasit, në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave dhe qe pjesë e një komiteti për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve. Ngaqë nuk e ndërpreu mësimdhënien e shqipes pas mbylljes shkollave shqipe nga qeveria jugosllave, as punën e tij për mbledhjen e folklorit dhe ekspeditave arkeologjike, u vra pabesisht nga njerëz të paguar nga serbët në Kodër Rrezina. Vrasja e At Shtjefën Gjeçovit, ishte një humbje e madhe jo vetëm për klerikët françeskanë por për mbarë shqiptarët, si një patriot i madh që punoi gjithë jetën për kulturën, gjuhën dhe historinë e shqiptarëve.

Filed Under: Histori

URA E PLAKUT GJON NË RRABOSHTË

November 20, 2024 by s p

Paulin Zefi/

Rrënojat e Urës së Plakut Gjon, Plakogjenit ose Plakagjonit ndodhen në skajin më jugor të fushës së Zadrimës, në pjesën fushore të fshatit Rraboshtë dhe në një distancë shumë të afërt me lumin Drin (270 m). Mbi vjetërsinë e saj ka dy mendime të ndryshme, sepse Ermanno Armao e përcakton si ndërtim të periudhës paraturke (1) dhe Valter Shtylla si urë e shek. XVI (2). Sidoqoftë, ka shumë mundësi që ajo të jetë ndërtuar mbi bazamentin ekzistues të një ure më të vjetër. Kjo vepër inxhinierike, për të cilën thuhet se në kohët e hershme është mirëmbajtur nga një mjeshtër i moshuar vendas me emrin Gjon, ka bërë që ajo të pagëzohet pikërisht me emrin e tij, Ura e Plakut Gjon. Edhe kjo urë, ashtu si Ura e Madhe ose Ura e Shkinës në fshatin Piraj, është ndërtuar përgjatë rrugës antike Via Lissus-Naissus e më vonë Via Zenta, dhe shërbente për të kaluar mbi përroin e Rraboshtës.

Në relacionin e tij dërguar Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide në vitin 1641, imzot Frang Bardhi shkruan se “il Ponte Plachegion” shënon kufirin ndarës midis Dioqezës së Sapës dhe Dioqezës së Lezhës (3). Në një skicë harte (dorëshkrim) të panjohur italiane të shek. XVII, e cila mban emërtesën “DI ALESSIO (E LEZHËS – P.Z.)”, por në skedarin e arkivës titullohet frëngjisht “Carte italienne de la région située à l’embouchure du Drin” (Hartë italiane e zonës që ndodhet në grykëderdhjen e Drinit)” dhe që ruhet në “Bibliothèque Nationale de France, Département Cartes et plans, GE D-17186″, emri i përroit mbi të cilin qëndron kjo urë e gurtë, shënohet, “Plachegione fiu. (Lumi i Plakut Gjon).” Edhe në hartën e tij, “Corso delli fiumi Drino e Boiana in Dalmazzia”, të punuar në vitin 1688, Vincenzo Maria Coronelli (1650-1718) e shënon këtë objekt si: “Ponte di Pietra (Ura e Gurtë)” dhe përroin e sotëm të Rraboshtës mbi të cilin qëndron ura, si: “Plachegione Fiume (Lumi i Plakut Gjon).”

Në vitin 1867, Johann Georg von Hahn shkruan se: “Ura Blak Gjon, Steinbrücke, unter welcher die Wässer von Roboschtia und einige Quellen von Kalmeti dem Drin zufliessen”, që do të thotë: “Ura e Plakut Gjon, është një urë guri nën të cilën derdhen në Drin ujërat e Rraboshtës dhe disa burime të Kallmetit (4).” Në vitin 1933, është Ermanno Armao, i cili jep një përshkrim më të hollësishëm të Urës së Plakut Gjon. Kur flet për “Plachegione fiume (Lumin Plakagjon)”, ai shkruan se: “Uji që rrjedh nën Urën e Plakgjonit, 6.5 km në veri të Lezhës, përgjatë rrugës antike për në Shkodër, nuk mban më as emrin që i ka vënë Coronelli dhe as nuk mund të quhet lumë apo përrua. Për të vaditur tokën e tyre, fermerët vendas kanë hapur kanale, duke futur ujin nga përroi që zbret nga kodrat midis Kallmetit dhe Raboshtës dhe urës 20 metra të gjatë, e përbërë nga një hark i madh qendror dhe dy harqe më të vogla, të ndërtuara në periudhën paraturke. Njësoj si Ura e Shkinës aty pranë, ajo qëndron mbi njërin nga ato kanale e zhytur pothuajse tërësisht nën tokë (5).” Përroi i Rraboshtës, i cili kalonte poshtë Urës së Plakut Gjon është devijuar në vitet 60 të shek. XX dhe prandaj ky monument tashmë ndodhet në mes të fushës në terren të thatë. Nga kjo urë kanë mbijetuar vetëm harku i saj qëndror dhe disa fragmente nga dy harqet anësore, që shërbenin kryesisht si dritare shkarkimi. Në ndryshim prej Urës së Madhe në Blinisht-Piraj, të cilës i kushton një vëmendje të veçantë, Urës së Plakut Gjon, Prof.Dr.Valter Shtylla i bën një përshkrim fizik dhe teknik në mënyrë shumë sintetike: “Ajo është urë simetrike, harku qëndror me dopjo qemere dhe dy dritare shkarkuese anash. Nga të dyja anët e harkut të madh duken edhe gjurmët e dy dritareve të vogla kuadratike (6).” Nga rilevimi i plotë, që i kam bërë këtij objekti fillimisht më 11.07.2014 dhe sërish sot pas 10 vitesh, më 19.11.2024, kam konstatuar se materiali me të cilin është ndërtuar përbëhet nga gurë gëlqeror me disa ndërthurje me gurë shtufi, që janë të lidhur me llaç të trashë gëlqereje.

Në harkun e madh qendror ruhen ende ganxhat metalike për mbërthimin e gurëve. Forma gjeometrike e harkut qëndror është ajo e segmentit rrethor dhe të njëjtën formë kanë patur edhe dy harqet anësore. Harku i madh qëndror është realizuar me rreshta dyfish gurësh. Duke qenë se ky monument është pjesërisht i zhytur nën tokë, nuk mund të përcaktohet me siguri as lartësia dhe as përmasat reale të strukturave të tij. Në gjendjen që shohim sot, ura ka një gjatësi prej 21 m, gjerësi prej 3 m dhe lartësia maksimale nga niveli i terrenit mbi harkun qendror shkon deri në 2.56 m. Ky hark ka një hapësirë drite prej 7.05 m, lartësi nga niveli i terrenit prej 1.70 m dhe trashësi mesatare prej 0.80 m. Dy dritaret e shkarkimit ose harqet anësore, aktualisht me qemerë të rrëzuar, kanë patur një hapësirë drite prej rreth 1.5 m. Distanca midis harkut verior dhe harkut qendror është 2.40 m, ndërsa harku jugor është i mbështetur mbi atë qëndror. Ganxhat metalike për mbërthimin e gurëve, gjithsej 4, janë të vendosura nga 2 në dy anët e harkut qendror në pjesën e sipërme. Ato janë punuar me hekur të rrahur dhe kanë këto përmasa: 5 x 1 cm trashësi. Në hyrje dhe në dalje të urës, traseja është e shtruar me kalldrëm të çrregullt me gurë të përmasave të ndryshme dhe ndërsa në pjesën qendrore traseja kalon mbi vetë gurët pllakë të rreshtit të sipërm të harkut kryesor. Gjendja e saj fizike lë shumë për të dëshiruar, por edhe pse është pjesërisht e rrënuar, ajo vijon të mbetet një objekt shumë impresionues. Pavarësisht nga përmasat modeste, Ura e Plakut Gjon vlerësohet për hijeshinë e saj, rëndësinë historike dhe lidhjen me trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë Veriperëndimore. Është shpallur Monument Kulture i kateg. I, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës (D.K) me vendim nr.786/1, më dt.05.11.1984.

BIBLIOGRAFIA:

1) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 160.

2) V.Shtylla, Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri, f. 77, 139, 154; V.Shtylla, Rrugë dhe Ura në Shqipëri (Roads and Bridges in Albania), f. 164.

3) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 3: Diözese Sappa, f. 145.

4) J.G.Hahn, Reise durch die Gebiete von Drin und Wardar, f. 204.

5) E.Armao, Località, chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l’Europa Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f. 160.

6) V.Shtylla, Rrugë dhe Ura në Shqipëri (Roads and Bridges in Albania), f. 164.

Filed Under: Histori

“Themeluesi”, dokumente dhe fakte të reja

November 18, 2024 by s p

Botimi i tretë i Evarist Beqirit, vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë.

Dokumente dhe fakte të reja për Ismail Qemalin përfshihen në botimin e tretë të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” me autor Evarist Beqiri. Botimi i tretë pritet të dalë në prag të përvjetorit të Pavarësisë dhe sjell për lexuesit disa risi ndër të cilat; foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900, fotografi të bashkëshortes së tij Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Veçojmë këtu foton e realizuar në Paris, në Kongresin e Xhonturqve, në fillim të vitit 1902.
Foto e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar. Ismail Qemali gjatë jetës së tij në Bruksel në vitet 1900-1908, realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Njëkohësisht albumi fotografik është pasuruar me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900. Fashikulli titullohet: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”. Ai përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.
Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar thekson faktin që: “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.
Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.
Autori Evarist Beqiri thekson se pak ka ndryshuar në përmbatje, « Por nga ana tjetër, ky botim i tretë vjen si një domosdoshmëri në pasurimin e librit me disa materiale, me të cilat jam njohur kohët e fundit. Një falënderim i veçantë për Darling dhe Qamil Vlorën, stërnipërit e Ismail Qemal Vlorës, për vendosjen në dispozicion të fotografive dhe dokumenteve nga arkivi i familjes Vlora.»
Botimi i parë i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” doli në vitin 2022, botimi i dytë në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar tre promovime në tre kryeqytetet e shqiptarisë: në Tiranë, në Vlorën e flamurit dhe në Prishtinë. Njëkohësisht autori ka realizuar një sërë takimesh me lexuesit, në universitete dhe librari brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu, në prag të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, autori ka planifikuar disa aktivitete kulturore. Më 19 nëntor, ora 13, autori do të zhvillojë një leksion i hapur në Fakultetin e Drejtësisë, UT, me temë “Lidershipi i Ismail Qemalit dhe Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar”. Më 20 nëntor, ora 11, do të zhvillohet një bashkëbisedim me lexuesit pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL). Dhe më 26 nëntor, autori zhvillon një tjetër bashkëbisedim me lexuesit, në Bruksel, në Shqip Ville/Maison Culturelle Belgo- Albanaise.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT