• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbresa nga vështrimi i ‘Darkës së fundit’ të Leonardo da Vinçit

September 24, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kur e pashë për herë të parë “Darkën e fundit” të Leonardo da Vinçit, ndjesia ishte e dyfishtë: madhështi dhe brishtësi. Tabloja, megjithëse e dëmtuar nga koha, ruan një prani të jashtëzakonshme. Ajo nuk është thjesht një pikturë murale, por duket si një skenë e ngrirë në kohë, ku personazhet flasin me gjeste, sy dhe heshtje.

E para që të bie në sy është qetësia e Krishtit në qendër. Ai është boshti rreth të cilit rrotullohet gjithçka, një figurë e dritshme që ndriçon nga brenda, duke kundërshtuar rrëmujën dhe tronditjen e apostujve. Kjo qetësi të prek, të jep ndjesinë e një force shpirtërore që asnjë dramë nuk mund ta thyejë.

Nga ana tjetër, reagimet e dishepujve janë aq të gjalla, sa duket sikur tabloja flet. Shikon duart e tyre të ngritura, shprehjet e fytyrës, lëvizjen e trupit dhe ndjen ankthin e çastit kur Jezusi shpall tradhtinë. Është si të dëgjosh një valë emocionale që shpërthen në tryezë.

Më la mbresa edhe mënyra si Leonardo ka përdorur dritën dhe perspektivën. Të gjitha vijat të çojnë drejt Krishtit, por njëkohësisht dritaret në sfond hapin horizontin, duke të dhënë përshtypjen se kjo ngjarje tokësore lidhet me një univers më të gjerë, hyjnor.

Por, mbi të gjitha, mbresa më e madhe është humanizmi i veprës. Nuk sheh vetëm apostuj biblikë, por njerëz të zakonshëm me frikë, dyshim, besim dhe emocione të përziera. Tabloja të kujton se tradhtia, besimi dhe dashuria janë pjesë e natyrës sonë njerëzore, prandaj veprës i mbetet gjithmonë një jehonë aktuale.

Filed Under: Interviste

Mihal Shani Tepelena

September 22, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Figura e Mihal Shani Tepelenës përbën një shembull të admirueshëm të atdhetarizmit të ndërthurur me aftësitë profesionale dhe talentin artistik. Ai është një nga ata personalitete të padeklaruar shpesh në histori, por që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në formimin e identitetit kulturor e shoqëror shqiptar gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Mihal Shani Tepelena, siç firmoste vetë në Stamboll, ishte aktiv në klubet patriotike dhe financoi gazetën “Bashkimi i Kombit” në vitin 1908, e cila botohej po aty. Në një fotografi të ruajtur, ai shfaqet së bashku me disa nga personalitetet më të rëndësishme të kolonisë shqiptare në Stamboll. Shoqëria quhej “Pragu Shqiptar”, një shoqëri që ishte shumë aktive sidomos gjatë viteve 1922–1924.

Mihal Shani lindi në Shtëpëz të Tepelenës, sot i perket Gjirokastrës administrativisht. Ai ishte nip i familjes Meksi nga Labova e Zhapës dhe nxënës i Papapanos në Gjirokastër. Pas studimrve në Gjirokastër ai emigroi në Stamboll, ku u kthye në një nga pronarët e një salloni mode, falë talentetit të madh si rrobaqepës. Në vitet 20′ u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë ku hapi sërish sallonin e vet të modës ku qepte rrobat familja mbretërore, elita e kohës dhe trupi diplomatik.

Në foto dy të siguruar nga familjarët e tij është stampa që vendoste në rrobat që prodhonte, ku shquan shqiponja dykrenore, simbol i patriotizmit të tij.

Filed Under: Interviste

FRANË TOPALLI – NJË JETË REZISTENCË DHE SAKRIFICË PËR KOMBIN

September 20, 2025 by s p

Shkruan: Besim Muhadri

Franë Topalli nuk ishte emër i madh në librat e historisë, por ishte gur i heshtur që mbajti gjallë themelet e kombit. Ai nuk e njohu përkuljen, as para dhunës, as para ferrit të burgjeve. Ishte burrë i besës, që la pas një trashëgimi më të madhe se çdo pasuri: shembullin e sakrificës për lirinë.

Rrënjët dhe formimi

Historia e Kosovës ka njohur shumë figura të përvuajtura, të cilat nuk mbanin tituj e grada, por bartnin mbi supe amanetin e shenjtë të lirisë. Njëri prej tyre ishte Franë Frrok Topalli (1922–1990), i lindur në Kushavec të Hasit, në një familje ku besa e nderi ishin ligj i pashkruar dhe dashuria për atdheun trashëgohej brez pas brezi.

Në lagjen e Topallëve jeta ishte e vështirë, por zemrat të forta. Familja njihej për qëndresë dhe lidhjen e pathyeshme me kombin. Fëmijëria e Franës kaloi mes tregimeve për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe ëndrrës për ditë më të mira. Këto rrëfime u bënë shkolla e parë e ndërgjegjes së tij kombëtare.

Një shtëpi që u bë vatër lirie – Arrestimi dhe ferri i burgjeve

Pas vitit 1945, kur Kosova ra nën kthetrat e regjimit komunist jugosllav, Franë Topalli nuk mundi të qëndronte indiferent. Ai u lidh me Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), vazhduese e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe e Besës Kombëtare, që udhëhiqej nga figura të njohura si prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku e shumë të tjerë.

Në Gjakovë dhe rrethinat e saj, LNDSH kishte rrjet të gjerë. Një grup veprimtarësh vepronte edhe në Kushavec, i formuar fillimisht nga Mark Tuqi nga Ujzi i Hasit, i cili më vonë u detyrua të arratisej në Shqipëri. Pas largimit të Mark Tuqit, aktiviteti i grupit  që shtrihej edhe në fshatra të tjera të komunës së Gjakovës, vazhdoi nga anëtarët e tjerë si: Tomë Domgjoni, Franë Topalli, Pren Prenrecaj, Mark Prenqi, Tunë Markaj, Prenk Tuqi dhe Gjokë Prenrecaj. Ata zhvillonin veprimtari të organizuar politike dhe kombëtare, sipas programit të LNDSH-së.

Shtëpia e Franë Topallit u shndërrua në vatër lirie e strehë e sigurt për të ndjekurit politikë. Aty gjetën mbrojtje figura të njohura si Ndue Përlleshi, Nrecë Lleshi, Riza e Nrecë Gjini, Nrecë Kangji dhe shumë të tjerë. Në mbrëmjet e errëta, shtëpia e tij mbante ndezur zjarrin e besës shqiptare.

Por represioni nuk vonoi. Në dhjetor 1954, pas hetimesh të gjata dhe torturash, autoritetet komuniste arrestuan Franë Topallin bashkë me shokët e grupit. Më 13 dhjetor 1954, në Gjykatën e Qarkut në Pejë (P.nr.181/54), Frana u dënua me 8 vjet burg të rëndë, ndërsa grupi në tërësi me 35 vjet.

Të dënuarit u dërguan në burgjet famëkeqe të Jugosllavisë: Goli Otok, Sremska Mitrovica dhe Nish, ku përjetuan tortura çnjerëzore. Por as uria, as izolimi nuk arritën t’i thyenin. Franë Topalli heshti aty ku fjala mund të sillte tradhti, duke shpëtuar shumë bashkëveprimtarë. Pikërisht kjo heshtje e tij ishte arma më e fuqishme.

Një jetë nën hijen e persekutimit – Familja në kryqëzim

Persekutimi nuk u ndal me burgosjen. Edhe familja e Franës u shënjestrua: e izoluar, e përjashtuar nga çdo aktivitet shoqëror, e trajtuar si “familje e rrezikshme”. Për ta, përjashtimi ishte më i rëndë se burgimi, sepse nënkuptonte ndalim komunikimi, përjashtim nga gëzimet e hidhërimet e përditshme, madje edhe nga përshëndetjet e njerëzve.

Megjithatë, Topallët nuk u përkulën. Ata mbetën vatër e gjallë qëndrese, duke dëshmuar se sakrifica nuk është vetëm çështje individi, por edhe e familjeve që zgjedhin anën e kombit.

Pas lirimit nga burgu, Franë Topalli jetoi nën vëzhgim të vazhdueshëm të policisë sekrete. I lodhur nga torturat dhe i privuar nga e drejta për të punuar, ai mbeti i lirë vetëm në shpirt. Vdiq në vitin 1990, pa e parë Kosovën e lirë, por me bindjen se sakrifica e tij nuk kishte qenë e kotë.

Kujtime dhe dëshmi

Dekada pas ndarjes nga jeta, për Franë Topallin flitet ende me respekt. Pjetër Dema nga Marmulli, tashmë rreth të nëntëdhjetave, kujton:

“Ndër burrat më të mirë që ka pasur jo vetëm Kushaveci, por edhe Hasi e mbarë Kosova. Njeri i papërkulur, i besës dhe i fjalës. Atë nuk e gjunjëzuan dot as torturat e Goli Otokut.”

Në të njëjtën frymë e kujton edhe Blerim Zajmi, djali i Naim Zajmit – ish i burgosur politik dhe shok qelie i Franës:

“Njeri gjigant, shumë i dashur. Pas burgut vinte shpesh në shtëpinë tonë në Gjakovë dhe rrinte me orë të tëra me babain, duke kujtuar vuajtjet e tyre të përbashkëta. Edhe pse isha i ri, e kam të qartë se baca Franë ishte trim, burrë i besës dhe shumë korrekt. Tip kreshniku, që të kujtonte personazhet e baladave tona të lashta.”

Këto dëshmi janë më shumë se kujtime: janë gurë të kujtesës kombëtare që e bëjnë figurën e Franë Topallit të pavdekshme.

Përmbyllje

Franë Topalli nuk ishte udhëheqës me fjalime të zjarrta, por ishte burrë që jetoi me besnikëri ndaj idealit. Ai na mëson se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë; se kombi nuk jeton pa kujtesë; dhe se edhe një shtëpi e thjeshtë fshati mund të bëhet kala kur e udhëheq besa dhe dashuria për atdheun.

Ai nuk la pasuri, por la trashëgimi më të madhe: shembullin e burrit që nuk u shit, nuk u përkul dhe nuk tradhtoi idealet. Sot, emri i tij përmendet me nderim në Gjakovë e më gjerë, si një nga ata që e mbajtën gjallë flakën e lirisë në kohët më të errëta.

Në kujtimet e miqve e shokëve, Franë Topalli paraqitet jo vetëm si veprimtar i qëndresës kombëtare, por edhe si njeri i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë. Figurë e fjalës dhe e besës, që nuk pranoi të thyhej, edhe kur e vendosën përballë ferrit të burgjeve jugosllave. Dhe kështu, ai mbetet pjesë e gjallë e kujtesës sonë popullore.

Filed Under: Interviste

James Rubin, Ismail Kadare, Rambouillet dhe Hashim Thaçi

September 18, 2025 by s p

Lëvizja për çlirimin e Kosovës – pjesë e emancipimit evropian.

Prof. Dr. Sylë Ukshini

Deponimi i James Rubinit në Gjykatën Speciale ka rivendosur një ekuilibër të munguar në narrativën tonë për luftën e Kosovës. Njëkohësisht, ai ka nxjerrë në pah, siç do të thoshte Ismail Kadare, një “kapardisje shqiptare” që nuk është vetëm dukuri e ditëve tona, por shfaqet edhe në momentet vendimtare të vitit 1999. Rëndësia e dëshmisë së Rubinit, si palë e tretë me kredibilitet ndërkombëtar, sjell një dimension më realist për atë që ka ndodhur në dhe për Kosovën, duke rrëzuar pretendimet e disa figurave lokale të verbuara nga inate personale e fisnore, të cilat i rikthejnë shqiptarët te përplasjet e shekujve të shkuar. Përputhja mes asaj që thotë Rubin dhe asaj që shënon Kadare në ditarin e tij është kuptimplote: e vërteta historike nuk mund të shkruhet pa shumëburimësi dhe pa kontekstualizim rigoroz të rrethanave në të cilat ngjarjet kanë ndodhur. Rrjedhimisht, ngjarjet e viteve 1998–1999 nuk mund të “implantohet” në rivalitetet politike të sotme pa u kthyer në karikaturë.

Dëshmia e James Rubinit dhe pesha e saj

Rubin dëshmon se, në atë kohë, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kishin marrë tashmë vendimin strategjik se Kosova duhej të shkëputej nga Serbia. Kjo kornizë ndihmon të kuptohet pse nënshkrimi i Rambujesë nuk ishte një akt i izoluar, por hallkë e një procesi më të gjerë diplomatik dhe ushtarak. Për opinionin publik shqiptar, megjithatë, ekzistonin zëra që kërkonin vijimin e luftës edhe pa mbështetjen amerikane; kjo ambivalencë politike dhe emocionale shpjegon tensionet e brendshme të asaj kohe.

Kadare si dëshmitar dhe autoritet moral

Në esenë Ra ky mort e u pamë – Ditar për Kosovën, artikuj, letra, Kadare përshkruan takimin e vonë të 18 marsit 1999 me Hashim Thaçin, udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Shënimi i tij ka rëndësi të veçantë sepse përputhet me linjën faktike të dëshmisë së Rubinit dhe, mbi të gjitha, sepse e pozicionon shkrimtarin si mbështetës të qartë të aktit politik në një moment kritik. Përgjigjja e pakushtëzuar e Kadaresë për të përkrahur publikisht nënshkrimin i jep tekstit një dimension normativ: ai nuk vetëm regjistron një ngjarje, por ushtron peshë morale në funksion të një vendimi historik. Në këtë optikë, Kadare e lexon aktin si “ogur të mirë”, duke legjitimuar UÇK-në përballë shpifjeve të propagandës serbe e ruse, si edhe dyshimeve të një pjese të shtypit perëndimor.

Rambujeja: presione, përgjegjësi dhe nevoja për konsensus

Fragmenti i Kadaresë nxjerr në pah se vendimi për nënshkrim shoqërohej me presione të shumëfishta: kritikat e Adem Demaçit ndaj delegacionit, rrezikun e pakënaqësive nga disa komandantë të UÇK-së, si dhe polarizimin e opinionit shqiptar. Në këtë kontekst, mbi supe të një udhëheqësi të ri si Hashim Thaçi rëndonte përgjegjësia për vendin, luftën dhe UÇK-në. Vetëdija për nevojën e konsensusit të gjerë brenda spektrit politik shqiptar lidhet me mësimin historik nga gabimet e mëhershme të elitave kosovare në momente kyçe. Po kështu, pozicionimet e gabuara të viteve 1981 kontribuuan në dobësimin gradual të pozitës së Kosovës, duke u keqpërdorur më pas nga propaganda serbe për ta viktimizuar veten dhe për ta fajësuar viktimën.

“Kapardisja shqiptare” dhe qortimi i një retorike sterile

Me kërkesën dhe inkurajimin e diplomatëve perëndimorë, Kadare doli publikisht në mbrojtje të procesit të Rambujesë. I revoltuar nga një “krekosje” retorike që injoronte rrethanat ndërkombëtare dhe logjikën strategjike, ai reagoi me shkrimin “Kapardisja shqiptare”, ku vërente se nga “shtëpitë e ngrohta” bëheshin thirrje për mosfirmosje të dokumentit të propozuar nga aleatët, veçanërisht nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. “Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, Kosova të bëhet shkrumb e hi. E kështu me radhë e kështu pa fund. Dhe është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta “biznesmenë të lirisë” s’pësojnë kurrë asgjë,” shkruante Kadare më 24 shkurt 1999, në “Courrier International”.

E njëjta vijë argumentuese shfaqet edhe në letrën që Kadare i dërgon delegacionit të Kosovës: të mos humbej rasti historik, të mos dëgjoheshin “rrahagjoksit e papërgjegjshëm” dhe të kuptohej se lëshimi kur duhet është po aq trimëri sa edhe lufta.

Mbështetja e kushtëzuar për UÇK-në dhe logjika e ndërhyrjes humanitare

Kadare, në intervistën për gazetën gjermane Tagesspiegel, artikulon një mbështetje të kushtëzuar për armatosjen e UÇK-së brenda logjikës së ndërhyrjes humanitare: nëse NATO do të hezitonte të angazhohej me trupa tokësore për të shmangur rreziqet për ushtarët e saj, atëherë mbështetja për palën e gatshme të marrë përsipër rrezikun për mbrojtjen e civilëve do të ishte e arsyeshme. Në këtë kuadër, armatosja e UÇK-së shihet si instrument i përkohshëm i vetëmbrojtjes kolektive, i legjitimuar nga mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme ndërkombëtare.

Ndërthurja e rrëfimit diplomatik dhe atij letrar

Shënimi i Kadaresë për Rambujenë është vendosur në një moment kyç: kur vendi ishte në prag të vendimeve që do të përcaktonin kursin drejt ndërhyrjes ndërkombëtare dhe, në vijim, drejt pavarësisë. Si dëshmi letrare me përmbajtje historike, ai ndërthur politikën, letërsinë dhe përjetimin personal. Njëkohësisht, ky shënim konvergon me deponimet e James Rubinit në Hagë, duke krijuar një vijë koherence ndërmjet burimit kulturor dhe dëshmisë diplomatike.

Kombinimi i dëshmisë së Rubinit dhe shënimeve të Kadaresë ofron një kuadër të plotë për ta parë lëvizjen çlirimtare të Kosovës si pjesë të emancipimit evropian. Diplomacia perëndimore, autoriteti moral i shkrimtarit dhe përgjegjësia politike e delegacionit kosovar krijojnë një triadë interpretative që ndihmon të kuptohet pse Rambujeja duhej lexuar jo si kompromis i dobët, por si hap i domosdoshëm drejt lirisë. Në këtë kuptim, rrëfimi i I Rubinit ne Hages dhe ditari Kadare e perplotesojne nje moment te pandrysheeshem histroik dhe jo vetëm rivendosin ekuilibrin historik, por vendos edhe standardin metodologjik: shumëburimësi, kontekst dhe maturi politike si parakushte të së vërtetës historike për Kosovën.

Në këtë kontekst, ja se çfarë shkruan Kadare për takimin e tij me Hashium Thaçin:

Paris, 18 mars 1999

Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi shpreh dëshirën të më takonje Vjen gati në mesnatë, bashkë me Ram Bujën dhe përkthyesen e delegacionit, Bukurije Gjonbalin. Një copë herë biseduam kokë më kokë. Në dhomën tjetër pinin kafe njerëzit e familjes sime, dy shoqëruesit e Thaçit dhe ambasadori shqiptar në Paris. Rojet e policisë së fshehtë franceze jane kudo nëpër shkallët e ndërtesës. Thaçi ishte i paqetë. Natyrisht, kishte vendosur ta nënshkruante marrëveshjen, por ka shume presione. Në Kosovë, Adem Demaçi vazhdonte të nxisë pakënaqësi kundër delegacionit, madje i quante edhe tradhtarë. Disa nga komandantët e UÇK-së mund të krijonin përsëri ngatërresa. Thaçi përmendi letrën që i kam drejtuar delegacionit në Rambuje, si dhe shkrimin “Kapardisja shqiptare”, që e kisha botuar tri ditë më pas. Thote se përpiqet të nxjerrw mësime nga çdo kritikë, por gjnedja s esht aq e thjesht. Ai me bene nje pyetje qe eshte njekohesisht nje kerkese: Në rast se sonte do ta nënshkruante marrëveshjen, ue si shkrimtar shqiptar a do ta perkrahja ate akt publikisht? Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja se po, do ta përkrahja. Madje, qysh në atë çast. Mbaroi biseda kokë më kokë. I ftojme gjithë në sallonin e ndenjës. Jam dyfish i gëzuar. E para, sepse kjo punë po kryhet. E dyta, sepse në këtë këshillim të luftëtarëve të Kosovës me një njeri të kulturës, shoh një ogur të mirë. Sa shumë shpifje janë bërë kundër UÇK-së: shpifje nga propaganda serbe, nga gazetat ruse, nga një pjesë e shtypit perëndimor, madje edhe nga vetë ultrapacifistët shqiptarë. Por ata, me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se, pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një gueriljeje ballkanase, e kane ende një dozë të fortë idealizmi — një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian. Pak kohë më parë, në shtypin shqiptar — në Kosova Press, në mos gaboj — kam shprehur mendimin se lëvizja për çlirimin e Kosovës duhet të jetë pjesë e emancipimit evropian. Familja e popujve të kontinentit duhet ta marrë këtë mesazh. Dhe t’i përgjigjet atij.

Letra e Kadaresë dërguar delegacionit kosovar në Rambouillet

“Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”

Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj

Paris, 22 shkurt 1999

Në pamundësi t’ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po ndodh e çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se:

a) nëse të dyja palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi,

b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet.

Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e Sekretares së Shtetit të SHBA-së duhet marrë me seriozitetin më të madh.

Në të dyja rastet, pra edhe sikur të dyja palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t’u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë.

Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vjetësh?

Filed Under: Interviste

UNIVERSI PA PESHË

September 8, 2025 by s p

Luljeta Dano/

Ia kushtoj këtë tregim për letërsinë e Tij, si një besim udhërrëfyes tek Njeriu, mikut dhe shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela. Kujtimet e Nënës në udhëtimin e jetës!

ABRACADABRA

ABRACADABR

ABRACADAB

ABRACADA

ABRACAD

ABRACA

ABRAC

ABRA

ABR

AB

A

Tri motra panë një ëndërr në shekullin e dymbëdhjetë. U kërkua më i miri deshifrues në radhët e Kryqëzatës, por motra e madhe zgjodhi një rilindës vinjetesh, që pakkush e njihte dhe për të tillë.

– Dil!

Populli dhe ushtria me besimin e verbër se perandorja dinte ç’bënte kurdohera, nuk u çudit kur pëshpërima mori dhenë se kryqtari Horatius njihte fallin fatal të njëmijë e pesëqind vjet para Krishtit. Njeriu që ia la trashëgim sekretet, Zoti e di, pse ndërroi mendje kur ishte në grahmat e fundit për t’ia mësuar atë fall, dija e të cilit sillte çmenduri.

Kalorësi Horatius ndenji katër netë pa fjetur e shtatë ditë pa ngrënë derisa zbërtheu ëndrrën e tri motrave fije më fije.

Motrat vendosën të ngrinin një manastir majemali mbi tre shkëmbinj. Që nga portat e gurta brinjas ishullit besimtarët do ngjiteshin aty duke ecur në gjunjë për ShënMërinë e gushtit.

E madhja, Teodora në Kostandinopolis, e dinte më së miri nga arkivat sesi kishte shkuar gjaku der në gju të kalit kohërave të shkuara të ndaje të lashtët nga perënditë e Olimpit për të marrë besimin unit, ndaj nxorri ligjin, kush ngre kisha e manastire si ajo, nuk paguan taksa.

Teodora gëzonte miqësinë popullore dhe thirrej:

Pushtetmbajtësja!

Qe e bindur se prejardhja e mbretërimit të babait të saj nuk qe pushtet tokësor, por ishin nga ato dy – tri familje të lashta që u kishte ardhur fuqia e skeptrit nga Qielli, të gjithë e dinin se Pushtetmbajtësja në Kostandinopojë mund t’ua ndante kurorën edhe lypsarëve në këmbëzat e urave që historia të bëhej më e vërtetë nga ç’duhej, ndaj nuk ia prishi kush kur zgjodhi perandor burrin e motrës së mesme, Zoicës, porsa Kostandini doli nga burgu me ndihmën e ca kimeriotëve. Zoica e solli në mbretërinë e motrës së madhe. Kostandini erdhi drejt e nga burgu, si sovran.

Ushtari i ri kumtonte fatthënën para gjindjes. Teodorës iu bë prej atij zëri, si në ritualet budiste japoneze Shingon që shumëfishojnë energjinë, shtatëdhjetë e dy tinguj mistikë të Kozmosit kanë dhuruar të gjallën mbi Tokë, por atëherë kur i ndjen këta tinguj të përbashkuar në zërin e një burri:

Zëri i burrit që dashuron është Syri i Universit!

Bizantët e Egjeut thonë:

Dashuria është më e fortë se Vdekja, por E Përditshmja është më e fortë se Dashuria!

Teodora kryqëzoi lutjen në ajër, e preu në ballin e saj, në lukth e gjoks:

– Ai do të bëhet E Përditshmja ime!

Dhe ai u bë e përditshmja e saj për shumë vite pandalim.

Kryqtari Horatius bëri kryqin sapo vuri këmbën në anijen e udhëheqësve: AB, BEN & RUACH ACADOSH. Qe ndarë me kalin e tij. Gjithmonë pat dëshiruar, si djemtë e mbretërve, një kalë flandre perçegjatë. Do të mbyllej pas murit të faltores në “navarqidha to kanari”, në anijen “kokse” të flotës luftarake, ku rri shenjti mbrojtës, perandori, thesari, hartat, për t’i paraprirë kumteve të luftës në letra edhe sipas kuptimeve të ëndrrave të Kostandinit.

Që nga zbërthimi i ëndrrës së tri motrave në të dalë të shekullit të dymbëdhjetë, kryqtari Horatius bënte edhe detyrën e parashikuesit të fatit në ushtri. Për të zbuluar të fshehtat e leximit, ngulur mbi dysheme mbetej te kripta ditënatë duke vështruar figurat e hapjes së Arkanës së Madhe, gjermos ndjente komunikimin, duke u përpjekur të shkallëzojë rëndësinë e të ndodhurave që po vinin për familjen perandorake në “Rruga Mbretërore”, të cilën kryqtari Horatius ua përkthente përherë duke u tallur për hesap të tij, sikur lexohej “Mbreti i Rrugës”. Perandori Kostandin qe në ankth ç’sillte për të këtë herë vija e Mbretit të Udhës.

Zhurmat e bashkëvuajtësve të Kostandinit nga koha e burgut e shpërqëndronin. Qëmoti, Kostandini u pat premtuar këtyre albërlinjve kimeras kur u lypi ndihmë, poqese bëhej mbret të kërkonin prej tij ç’të donin. Tani e gjithë ditën po mbante premtimet. Albërit u binin fyejve dhe këndonin me të kthyer. I tejkalonin vonueshëm tingujt duke zvarrisur fjalët me dialektin e tyre i jepnin bukuri të madhe fjalëve me gërmën r. Ishte një këngë trimash me nomotì gryke dhe oshëtimë shpelle.

Thoshin, sekur qenë me prijësin e tyre Marko, qenë me erë!

Fjalë të vogla pëshpërinin dukuritë natyrore dhe njëherazi bënin tërë historinë e njerëzimit!

Shiu, breshëri, era dhe bora!

Andej nga vinte ai dukuritë natyrore renditeshin ndryshe. Era ishte më e buta. Pastaj shiu. Breshëri. Dhe e fundit – dëbora, më e rënda! Duke hyrë e duke dalë nga ishujt përmes erërave vdekjeprurëse që shkulnin rrasat e gurit të çative dhe ngrinin pemët nga rrënjët, sa e linin veshët ditë me radhë, ku s’shihje një shpezë fluturuese, por zogj këmbësorë strukur në kaçorret e gurta, kuptoi pse këta albër e llogarisnin erën – kufitare përmidis dy jetëve dhe pse nga kënga e tyre të lëviznin plaçkat e barkut kur dëgjoje të përsërisnin varg e vistër:

Jam me Markon, jam me erë!

Ai s’qe gjëkundi me parashikimet. I mungonte heshtja e thellë dhe vetmia.

Kostandini qe i mendimit se ky fallxhor nuk bënte më dhe duhej kërkuar për një tjetër. Albërit haheshin si qeni me macen me gjitonët helenë pa u lënë radhë për asgjë, as për princat e Luftës së Trojës, as për Pirro Burrin. Trupat e lestrigjenëve i kishin parë vetë me sy nëpër shpellat e tyre të pakalbëzyer, me masë katallanësh që këmbët u arrijnë në supet e njeriut të sotëm.

– Gjuha juaj është bërë nga fjalët e ndyra të gjuhës tonë! Dhè i hedhur është!

Nëpër ishuj e në gjithë sterènë ndërtohej me shpejtësi që nga koha kur Teodora nxorri ligjin, se kush ngre kisha e manastire si ajo nuk paguan taksa.

Burgaxhinjtë e Kostandinit ia kishin shtruar me përmallime vegjëlie:

– Fjala e nënës ishte ligj! Kishim më shumë frikë nga nëna se nga babai!

– Mëmën time e mbaj mend vetëm me djersën lerë në lug të kurrizit që zbriste nga mali. Kishte bërë dru në pyll, i shkarkonte dhe fillonte t’i çante me sopatë.

Kryqtari Horatius, rilindës vinjetesh e kishte provuar sa herë sesi shfaqej vinjeti në kartë, nga dora në letër, pa kaluar nga mendja e tij. Punë e Zotit, vargjet, muzika dhe shkrimi! Zbulonte bukurinë e asaj që kishte krijuar, po si t’ua shpjegonte të tjerëve, se nuk ishte ai autori i vërtetë, ai kishte huajtur vetëm dorën për ta shkruar.

Kryqtari Horatius prehej me sytë nga Ati qiellor.

Para Teodorës i kishte shije gëzimi në zemër edhe për çikërrimat. Pastaj qyshkur ajo e gaboi duke e futur Në Universin Pa Peshë, nuk gëzonte më as për të mëdhatë. Gratë e tjera ia bënin Tokën me peshën reale dhe ai ndjehej më burrë.

Trupi dhe zëri i mblidheshin siç duhet në kërthizën e tij. Cila nga të dyja nuk qe dashuria. Ose ajo e Teodorës, Pushtetmbajtëses Në Universin Pa Peshë. Ose ajo e grave të tjera të botës, gra zotëruese me moshën e fitimtareve të marathonave që kullonin qëndresë duke e ngrohur me tokësì, por që s’e çonin asgjëkundi.

Shtrirë në dyshemenë prej druri viskoz të irokos, nis të shkruajë trekëndorin e ABRACADABRA – s, që t’i jepte forcën e shërimit, po nuk arriti të mbarojë dy radhorët e fillimit u vidhis ndër ethe. Kur sëmurej dimrave nëna e gdhinte bri tij, xhvishej në fill të këmishës, e përfyste kur e mbysnin ethet.

– Ta merr nëna jote sëmundjen ty!

Nënokja në dimër i çante sharqinj, shegë, ftonj. Nënën nuk e kishte parë kurrë të fjetur, pafjalë ajo u mësonte punën dhe dashurinë. Vëllezërit dhe babai ndiqnin rregullin e saj për detyrat e secilit në familje.

Fqinjët vazhdonin të gërriceshin kësaj radhe për priftërinjtë.

– Ne kemi vetëm një shenjtor, atë që ktheu Biblën në latinisht.

– Kemi vetëm një se i kemi priftërinjtë e mirë! Ju keni pak priftërinj të mirë dhe ata pak i bëni direkt shenjtorë, andaj keni shenjtër sa të hajë dreqi!

Liria e tij udhëtimeve ndënë yjtë e zinj shpesh i jepte një gëzim çmendurak, por nuk zgjaste më shumë sa përçapja e një goje bar të kalit. Ishte vetëgjykuar si të dënuarit e lashtë:

Me liri të përjetshme!

Cenet shëndetsore në trupin e tij rrëfeheshin në çajrat e hidhur dhe ushqimet që pranonte tanimë, hante qitro të gjalla me gjithë lëkurën e leshtë për të hequr veleritjen nga jeta. Kishte shkelur në aq vende legjendare nga më të pabesueshmet se ekzistonin me të vërtetë, kishte takuar njerëz të ndriçuar nga brenda, të pangjashëm me njeri tjetër mbi tokë, kishte deshifruar pergamena e dorëshkrime dijesh të moçme lidhur me lëkurë dhie të zezë, sa nuk donte më të shihte fretër e dhespotë, as nudo brigjeve të ujërave kallkan, as gra që xhvishnin e vishnin fustanë njëqind kilo derdhur në shajak e metal apo të rrihte njohuritë me të paktët që ndërmerrnin udhën e ngjitjes shpirtërore.

Vuante Sindromën e Kryqtarit. Tek çdo gjë e gjallë zgjatej ai vetë.

Si Pushtetmbajtësja, Teodora, edhe ai qe bërë pjesë e një dashurie të përgjithshme, mëshiruese, që e çonte Në Universin Pa Peshë, njësoj sikur është në dashuri me perandoren, në krahët e saj ku ai hynte në shtegun që të nxjerr në Gjithësì. Pika e vogël me jetë dhe gjithçkaja e zjarrtë, e ftohtë.

AB, BEN & RUACH ACADOSH! Bën kryqin orë e çast.

Në emër të Atit me Birin e me Shpirtin – Shenjtë!

Ngërçet ndjesore i janë bërë më të buta dhe dobësia e zemrës i është përmirësuar. Tashmë kryqtari Horatius ka shuar një nga një të gjitha identitetet vetiake. Këtu falte një mantel, aty i dhuronin një kapuç. Përpushej nga dashuria për fëmijët e varfër hajdutë që u kapte duart në xhepat e tij dhe nuk kishte më lotë për jetën e shokëve të armëve që shuheshin luftrave në det, sikur të ishte e vetja. Ka siguruar kështu hyrjen e lirë Në Universin Pa Peshë pa praninë më të Teodorës.

Njeriu e nxorri dhembjen prej trupit qyshse hapi portat dhe e bëri autokracinë vetiake pjesë të të tjerëve e nuk mënoi si perandorja që i ishte tymur mendja se e trashëgonte pushtetin nga Kozmosi të veshë gjithçka të gjallë me pushtet.

– Mund të qe edhe ndryshe, Teodorë! Po të mos zgjasje veshët për Syrin e Universit! Po të bëje si mëma ime!

Në fallin antik me shtatëdhjetë e dy pamje vendosi të hapë letrat e Arkanës së Vogël, pjesë të cilën e ruajti për vete dhe nuk e përdori për askënd. Kryqtari Horatius gjeti datën e vet fjetëse, shumë e shumë vite më pas. I erdhi keq që do të ishte një I Pavdekshëm.

Kështu quheshin ata njerëz të rrallë që kapnin e kapërcenin të tridhjetat edhe vuanin kusuret e moshës së përjetshme, sa leshrat u zbardheshin dhe lëkura u bëhej zhubër.

I buzëqeshi asaj date që do ta linte përfundimisht Në Universin Pa Peshë.

Teodora e çoi për së gjalli m’u në thelb të mosrëndesës kozmike.

Hija e velës në erë i shëmbëlleu nënën me fustanet e gjera. U mbush me të qarë, shenjë që lëngata e tij po mbaronte dhe gjethi i ri përmbanë detit do ta gjente më këmbë. Eh, me nënën dashuria qe e thjeshtë dhe e plotë! Edhe pushteti i tillë ishte:

I thjeshtë dhe i plotë.

“Universi Pa Peshë” është përzgjedhur në antologjinë e tregimit bashkëkohor shqiptar “Shqipëria tregon” Botimet K&B, Tiranë, 2010, ISBN 978-99956-840-4-4.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 213
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT