• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Themeluese e “Artistè Foundation” në Kanada, Arta Rexhepi: “Dokumentimi i luftës së Kosovës është përgjegjësi historike”

August 15, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. E nderuar Arta, si lindi ideja për krijimin e “Artistè Foundation” dhe cili është kontributi për komunitetin shqiptar në Kanada?

“Artistè Foundation” lindi nga një nevojë shumë personale, por që me kalimin e kohës e kuptova se ishte një nevojë e përbashkët për shumë gra dhe familje shqiptare, sidomos për gratë e ardhura si refugjate dhe emigrante. Unë vij nga një familje artistësh dhe për mua arti nuk ka qenë kurrë thjesht argëtim. Arti ka qenë mënyrë mbijetese, mënyrë për të ruajtur identitetin dhe mënyrë për të treguar histori. Pikërisht prej kësaj vjen edhe emri “Artistè” një nickname emër që familja ime ma ka dhënë që e vogël, nga halla ime e ndjera Zjavere e cila kaloj një jetë shumë të vështir. Me Artistè poashtu deshta ta ringjalli zërin qe ajo nuk e kishte kurrë, lirin që ajo nuk e shijoj kurrë.

“Artistè Foundation” është një organizatë Shqiptaro kanadeze që përdor artin, për të avokuar për të drejta njerzore, për tregimin dhe fuqizimin e komunitetit për t’u dhënë zë njerëzve, veçanërisht grave dhe të sapoardhurve. Ne duam që njerëzit të mos shihen vetëm përmes traumës së tyre, por edhe përmes talentit, punës, lidershipit dhe kontributit që japin në shoqëri.

2. Si lindi ideja e krijimit të 25 dëshmive të refugjatëve – 25@25 dhe si u prit nga publiku shqiptaro-kanadez dhe institucionet?

“25@25: Refugees Making a Difference” lindi nga një moment shumë konkret. Në vitin 2024, në Halifax, në kuadër të 25-vjetorit të ardhjes së refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Kanada, u shfaq një dokumentar për atë periudhë. Pas eventit, njerëzit filluan të më pyesnin:“Po çfarë ndodhi me këta njerëz më pas? Ku janë sot?” Dhe aty mendova:ne kemi treguar shumë për refugjatin që ikën, por jo mjaftueshëm për njeriun që ndërtoi një jetë të re.

Kështu lindi 25@25. Ideja ishte të dokumentonim 25 histori të njerëzve që erdhën në Kanada si refugjatë nga Kosova dhe që gjatë 25 viteve të ardhshme kontribuuan në shoqërinë kanadeze – në mjekësi, ligj, qeverisje, biznes, arsim, sport, art, aktivizëm dhe fusha të tjera. Nuk doja që këto të ishin thjesht histori “mbijetese”. Doja të tregonim çfarë ndodh kur një vend hap dyert për refugjatët dhe për mi thye stereotipet qe egzostojnë për refugjatet dhe për efektin pozitiv ndaj ndihmës humanitare nga Kanadaja. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse projekti u bë shumë më i madh sesa e kisha imagjinuar fillimisht. Më 25 mars 2026, këto histori u nderuan në Parlamentin e Kanadasë me partnership me deputetin Kyle Seeback.

3. Cili është roli i “storytelling” në dokumentimin e luftës në Kosovë dhe evidentimin e krimeve serbe mbi shqiptarët e Kosovës?

Për mua, dokumentimi i luftës së Kosovës është edhe çështje përgjegjësie historike. Kam qenë vetë pjesë e asaj historie. Prandaj e di se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, të largohesh si refugjat dhe të mos e dish se çfarë do të ndodhë me familjen tënde. Por kur tregojmë këto histori, duhet t’i tregojmë me përgjegjësi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të treguar se “na ka ndodhur diçka e keqe”. Bëhet fjalë për të ruajtur dëshmitë e njerëzve që e kanë përjetuar luftën, dëbimin, dhunën dhe humbjen.

Rrëfimi personal është një pjesë shumë e rëndësishme e kujtesës kolektive. Kur një grua tregon se si e ka përjetuar dëbimin, kur një familje tregon se si ka humbur shtëpinë, kur një fëmijë tregon se si ka ardhur në Kanada si refugjat ato nuk janë thjesht kujtime personale. Janë pjesë e historisë.

Dhe ne nuk duhet të lejojmë që brezat e ardhshëm të njohin luftën e Kosovës vetëm përmes statistikave. Duhet të njohin fytyrat dhe zërat e njerëzve që e përjetuan atë. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse Artistè e sheh storytelling-un si një formë të dokumentimit historik.

4. Cilat janë projektet e së ardhmes për “Fondacionin Artistè”?

Ne kemi shumë plane, por duam që Artistè të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe jo thjesht të bëjë një aktivitet pas tjetrit. Një nga drejtimet që po zhvillojmë është “HerStory Campaign”, një projekt dokumentues që do të mbledhë histori të grave jo vetëm Shqiptare në diasporë dhe do të trajtojë tema që shpesh janë heshtur brenda komuniteteve. Dua gjithashtu ta zgjerojmë punën tonë në film, storytelling, mentorim dhe zhvillim profesional, veçanërisht për gratë e reja dhe gratë emigrante që kanë histori, talent dhe ide, por nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë t’i zhvillojnë.

Misioni i Artistè nuk është të jetë vetëm një fondacion që organizon evente. Grupi jonë me gra të jashtëzakonshme Shqiptare me përkushitim gjigant dhe pasion për ndryshim shohim se të jetë njështëpi kreative për shqiptarët në Kanada vend ku një grua mund të vijë me një histori, ide, film, pikturë apo një projekt dhe të gjejë mbështetje për ta çuar më tej.

5. Shqiptarët në Kanada – dëshmi e suksesit dhe shpirtit të pamposhtur shqiptar. Cili është bashkëpunimi dhe mbështetja nga shoqatat shqiptare?

Unë mendoj se historia e shqiptarëve të Kosovës në Kanada është një nga historitë më të bukura të integrimit dhe rezistencës. Shumë prej njerëzve që erdhën në vitin 1999 erdhën me shumë pak. Shumica nuk dinin gjuhen, shumë sidomos gra simbas numrat nga Kryqi Kuq kan ardh pa edukim nga Kosova dhe për gjeneraten e parë këtu, ajo ja vështirsoj jetën dhe integrimin të cilet shumë nga ata në mosh të mesem janë detyru të kthehen në shkollime, të ndërtojnë shumë herë edhe kariera të reja, nuk kishin para, nuk kishin profesionin e tyre të njohur në Kanada dhe nuk e dinin se çfarë do të ndodhte me ta.

Sot, 27 vite më vonë, kemi shqiptarë në mjekësi, drejtësi, biznes, qeveri, arsim, art dhe shumë fusha të tjera. Vetë 25@25 dokumenton pikërisht këtë transformim. Refugjatet e Kosovës sot njihen si “success story” i refugjateve në Kanada nga qeveria Kanadeze duke u dalluar nga refugjat që vijnë nga vende të tjera.

Por dua të theksoj edhe një gjë: suksesi nuk është vetëm individual. Shoqatat shqiptare kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Ato kanë ruajtur gjuhën, kulturën, muzikën, traditat dhe kanë krijuar një rrjet social për njerëzit që kanë ardhur këtu. Familjet shqiptare kanë shëruar njëri-tjetrin nga traumat kur kemi ardh duke kalu kohë së bashku, duke organizu mbledhje të ndryshme të komunitetit, valle etj duke treguar rrëfimet e tyre. Babi im piktoronte për fëmijët në kamp ku ishim këtu në Halifax për të shëruar fëmijët dhe kjo është një nga inspirimet kryesore e Artistè për të përdorur artin për shërim, duke marrë trashëgiminë familjare dhe duke e zhvilluar më tej për ndryshim shoqëror, mundësitë si emigrantë të rinj familja ime nuk ka pas në atë kohë.

Në vitin 1999, komuniteti shqiptar ishte shumë më i vogël. Sot kemi një brez të ri që është njëkohësisht shqiptar dhe kanadez. Dhe kjo është një pasuri. Mendoj se sfida jonë tani është të kalojmë nga një komunitet që vetëm ruan atë që ka trashëguar, në një komunitet që krijon diçka të re.

6. Cila ka qenë mbështetja nga institucionet kanadeze dhe marrëveshjet e bashkëpunimit?

Kanadaja ka një histori shumë të rëndësishme me shqiptarët e Kosovës. Në vitin 1999, Kanadaja mori pjesë në përgjigjen humanitare ndaj krizës së refugjatëve të Kosovës, përfshirë ardhjen e mijëra refugjatëve përmes Operation Parasol. Historitë e 25@25 e dokumentojnë edhe këtë kapitull.

Për “Artistè Foundation”, bashkëpunimi me institucionet kanadeze është shumë i rëndësishëm sepse ne duam që historia shqiptare të mos mbetet vetëm brenda komunitetit shqiptar.

Një moment shumë i rëndësishëm ishte prezantimi i 25@25 në Parlamentin e Kanadasë, ku refugjatët e Kosovës u nderuan për kontributin e tyre me mbështetjen e madhe nga deputeti Kyle Seeback i cili është edge dhëndërr i Kosovës. Kemi pasur gjithashtu bashkëpunime që lidhen me artin dhe refugjatët, dhe kemi mbeshtetje nga muzeu i emigracionit pier 21, UNHCR Canada e të tjerë. Për mua, ky bashkëpunim është shumë domethënës sepse tregon se historitë tona mund të bëhen pjesë e narrativës kanadeze, jo vetëm e narrativës shqiptare.

7. Kush është Arta Rexhepi?

Historia ime është e gjatë, por disa pika. Kam ardhur nga Kosova në Kanada si refugjate në moshën 13, dhe kjo përvojë ka ndikuar shumë në mënyrën se si e shoh botën dhe punën time. Kam ardhur nga një familje artistësh. Babai im është artist dhe arti ka qenë pjesë e jetës sime që në fëmijëri. Mami im në Kosovë po ashtu ishte aktore, por si shumë nana shqiptare u detyrua me ndërpre karrierën për rritjen e fëmijëve, kurse si zakonisht karriera e babit tim vazhdoi, edhe pse ishim një familje pothuajse përparimtare, janë disa trashëgimi shoqërore që na kanë prekur edhe ne, gjana që në atë kohë mami ka thye shumë tabu si aktore, por disa ishin shumë të mëdha për t’i thyer; edhe pse babi im është mendjehapur e nuk do ta ndalonte ai vetë si person kurrë. Pikërisht kjo është pjesë e misionit tonë, një grua mund të jetë edhe nanë edhe aktore, piktore etj. Për këtë arsye, gjithmonë kam pasur një lidhje shumë të fortë me storytelling-un, shkrimin dhe dokumentimin e historive njerëzore.

Në moshën 15 vjeç u zgjodha ta prezantoj Kanadanë edhe Kosovën në Hollywood, ku u botova në disa shkrime, mora pjesë në konferenca të ndryshme për të drejta të njeriut si vajzë e re. Integrimi profesional i imi dhe i familjes sime ishte i jashtëzakonshëm.

Por ajo personale ishte sfiduese. Si shumë vajza të reja emigrante, po ashtu edhe unë dhe familja ime kemi pasë vështirësitë tona, disa na kanë thye, disa na kanë mësuar dhe disa na dhanë shpresë të qëndrojmë të fortë. Vështirësia jonë ma e madhe ishte frika e humbjes së identitetit shqiptar, frika ta pranojmë kulturën kanadeze lehtë dhe si ta gjejmë një mesatare të shëndoshë, diçka që është një nga sfidat ma të mëdha që ka ndikuar jo vetëm familjen tonë, por edhe shumë të tjerë refugjatë që erdhën nga pastrimi etnik në Kanada edhe sot i ndikon kjo frikë. Largimi nga lufta ishte vetëm fillimi i vështirësive tona.

U martova shumë e re, besoj nga kjo frikë. Jeta ime profesionale ngeli mbrapa për një kohë të mjaftueshme, por u detyrova t’i kthehem aty ku Zoti gjithmonë e kishte krijuar në mua, pasionin tim për shkrim dhe çështje humanitare. Pastaj vazhdova karrierën time me mbështetje nga shumë njerëz si babi im, anëtarë të komunitetit shqiptar po edhe kanadez, duke mbështetur vizionin tim, kam ndërtuar në fushën e medias, storytelling-ut dhe advokimit. Kam punuar edhe me media kanadeze, CBC dhe CTV, duke marrë tema të vështira jo vetëm të Kosovës, ku mora pjesë edhe në festival të filmit për dokumentarin North Preston: A Look Past Stigma, i cili u bë viral në atë kohë, duke prezantuar publikut kanadez komunitetin e zinj në dritë pozitive.

Por themelimi i Artistè Foundation ishte një hap tjetër. E kuptova se nuk doja vetëm të tregoja historitë e njerëzve të tjerë. Doja të krijoja hapësirën ku ata vetë mund të tregojnë historinë e tyre. Prandaj Artistè për mua nuk është vetëm një organizat. Është vazhdim i asaj që kemi qenë gjithmonë si popull: njerëz që humbëm shumë, por prapë gjetëm mënyrën për të filluar nga e para.

Filed Under: Interviste

NGA KONFLIKTI TE STABILITETI, 25-VJETORI I MARRËVESHJES SË OHRIT

August 13, 2026 by s p

Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por nuk guxon të zhbëhet. Mund të ndryshohet për t’u përmirësuar, por jo për t’u zvogëluar. Mund të tejkalohet vetëm me më shumë demokraci, më shumë pjesëmarrje dhe më shumë barazi, kurrë me më pak. Sepse paqja nuk arkivohet. Paqja ruhet. Dhe çmimi politik i mbrojtjes së një kompromisi historik do të jetë gjithmonë shumë më i vogël se çmimi historik i rindërtimit të tij pasi të jetë humbur besimi.

Nga Prof.dr Skender Asani

Njëzet e pesë vjet pas 13 gushtit 2001, Maqedonia e Veriut nuk gjendet thjesht përpara një përvjetori, por përpara një prove historike, kushtetuese dhe diplomatike: a do ta trajtojë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si një dokument që e ka përmbushur misionin e vet dhe tashmë mund t’i dorëzohet historisë, apo si një nga themelet mbi të cilat, pas konfliktit të vitit 2001, u rindërtuan paqja, stabiliteti dhe legjitimiteti i shtetit? Kjo nuk është vetëm një çështje shqiptare dhe as vetëm një dilemë maqedonase. Është çështje e karakterit multietnik të shtetit, e kohezionit të tij të brendshëm, e kredibilitetit demokratik, e perspektivës evropiane dhe e stabilitetit të një rajoni ballkanik, historia e të cilit ka dëshmuar shumë herë çmimin e rëndë të pakënaqësive të akumuluara politike dhe etnike. Prandaj, 25-vjetori nuk mund të jetë vetëm një moment kujtese; ai duhet të shndërrohet në një moment vlerësimi, vigjilence dhe përgjegjësie strategjike.

Historia e konstitucionalizmit na mëson se dokumentet që ndryshojnë rrënjësisht marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe qytetarit rrallë lindin në kohë qetësie. Ato shfaqen kur rendi ekzistues nuk është më në gjendje t’i zgjidhë kundërthëniet që vetë i ka prodhuar. Magna Carta e vitit 1215 lindi nga rezistenca ndaj pushtetit arbitrar dhe artikuloi një nga parimet themelore të qytetërimit kushtetues: pushteti nuk qëndron mbi ligjin. Në vitin 1868, pas tragjedisë së Luftës Civile Amerikane, Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara sanksionoi shtetësinë, procesin e rregullt ligjor dhe mbrojtjen e barabartë para ligjit si parime themelore. Marrëveshja Kornizë e Ohrit lindi nga kriza e vitit 2001 dhe, në një kontekst krejtësisht tjetër historik, gjeografik dhe politik, institucionalizoi një parim jetik për një shoqëri multietnike: shumica ka të drejtën demokratike të qeverisë, por epërsia numerike nuk mund të shndërrohet në dominim institucional. Nuk ekziston një vijë e drejtpërdrejtë juridike nga Magna Carta, te Amendamenti i Katërmbëdhjetë dhe deri te Marrëveshja e Ohrit; megjithatë, ato i lidh një fill i fuqishëm historik dhe filozofik: pushteti duhet të kufizohet nga ligji, sundimi i shumicës duhet të kufizohet nga barazia dhe demokracia duhet të jetë e lidhur pazgjidhshmërisht me respektimin e dinjitetit njerëzor.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia historike e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo nuk ishte vetëm një mekanizëm për ndërprerjen e konfliktit; ishte një marrëveshje për reformimin e vetë shtetit. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që pasuan krijuan një arkitekturë të re politike, të mbështetur mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, decentralizimin, përdorimin e gjuhëve dhe mekanizmat e vendimmarrjes që kërkojnë legjitimitet edhe nga bashkësitë që nuk i përkasin shumicës. Shteti duhej të funksiononte jo vetëm përmes fuqisë së shumicës, por mbi bazën e legjitimitetit të përbashkët. Për këtë arsye, është historikisht dhe politikisht e gabuar që Marrëveshja e Ohrit të perceptohet si një paketë privilegjesh që maqedonasit ua dhanë shqiptarëve. Të drejtat nuk janë kompromis i përkohshëm. Barazia nuk është dhuratë e shumicës. Shqiptarët fituan mekanizma më efektivë të përfaqësimit dhe barazisë, ndërsa shteti fitoi paqen, stabilitetin, konsolidimin institucional dhe perspektivën euroatlantike. Ky ishte kompromisi historik i vitit 2001: jo fitorja e një bashkësie mbi tjetrën, por fitorja e kompromisit mbi konfliktin.

Pikërisht për këtë arsye, rreziku më serioz në vitin 2026 nuk qëndron domosdoshmërisht në shfuqizimin formal të Marrëveshjes. Historia institucionale njeh një rrezik tjetër, më të heshtur dhe për këtë arsye edhe më tinëzar: zbrazjen graduale të një marrëveshjeje nga përmbajtja, ndërkohë që forma e saj juridike mbetet në fuqi. Një kompromis historik mund të dobësohet përmes riinterpretimit, reduktimit të mekanizmave të zbatimit, ndryshimeve në procedurat institucionale ose vendosjes së standardeve të reja që gradualisht e zbehin qëllimin fillestar të marrëveshjes. Zhvillimet dhe debatet e dy viteve të fundit, të perceptuara nga një pjesë e opinionit shqiptar si relativizim, reduktim apo degradim gradual i disa mekanizmave që burojnë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh institucional. Edhe nëse raste të veçanta mund t’u nënshtrohen interpretimeve të ndryshme juridike dhe politike, vetë ideja se arkitektura e krijuar në vitin 2001 mund të ndryshohet pa një konsensus të gjerë duhet të jetë sinjal alarmi. Besimi është kapitali më i çmuar i çdo rendi politik dhe, në një shtet multietnik, perceptimi i pabarazisë mund të jetë pothuajse po aq destabilizues sa vetë pabarazia.

Nëse komprometohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, nuk dobësohet vetëm pozita institucionale e shqiptarëve, por edhe besimi në institucionet e përbashkëta.

Nëse relativizohet përdorimi institucional i gjuhës, nuk preket vetëm një dispozitë juridike, por vetë ndjenja e barazisë qytetare dhe kolektive. Nëse mekanizmat e konsensusit ndërmjet bashkësive fillojnë të perceptohen jo si garanci demokratike kundër majorizimit, por si pengesa për sundimin efikas të shumicës, atëherë përmbyset vetë koncepti mbi të cilin u ndërtua rendi politik pas vitit 2001. Konfliktet nuk fillojnë në çastin kur shpërthen dhuna. Ato fillojnë shumë më herët, kur një pjesë e shoqërisë nis ta humbasë besimin se institucionet e përbashkëta mund ta dëgjojnë, përfaqësojnë dhe mbrojnë atë në mënyrë të barabartë. Prandaj, detyra e një shteti demokratik nuk është vetëm ta ndalojë konfliktin pasi ai të shfaqet, por t’i ruajë institucionet që e bëjnë konfliktin të panevojshëm.

Pikërisht këtu qëndron dimensioni alarmues i 25-vjetorit. Erozioni gradual i arkitekturës së Marrëveshjes së Ohrit mund të prodhojë pasoja të ndërlidhura: rënien e besimit të shqiptarëve në institucionet e përbashkëta, thellimin e polarizimit etnopolitik, rikthimin e retorikës nacionaliste, zhvendosjen e debatit publik nga zhvillimi dhe integrimi drejt çështjeve identitare që besohej se ishin stabilizuar, humbjen e legjitimitetit institucional dhe, në fund, dëmtimin e kredibilitetit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk mund të pretendojë bindshëm se po ecën drejt Evropës, ndërkohë që debaton për uljen e standardeve të barazisë mbi të cilat u ndërtua paqja e tij. Integrimi evropian nuk është vetëm proces teknik i hapjes dhe mbylljes së kapitujve negociues; ai është proces politik i konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit, pluralizmit dhe mbrojtjes së bashkësive.

Ekziston edhe një dimension i drejtpërdrejtë diplomatik.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte vetëm rezultat i forcave të brendshme politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian luajtën rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin, hartimin dhe mbështetjen politike të kompromisit të arritur në vitin 2001. Prandaj, Shkupi, Brukseli dhe Uashingtoni nuk duhet ta trajtojnë Marrëveshjen e Ohrit si një kapitull të mbyllur të historisë. Diplomacia parandaluese nuk matet vetëm me aftësinë për ta ndalur një konflikt, por edhe me jetëgjatësinë e rendit politik që ndërtohet pas tij. Njëzet e pesë vjet pa përsëritjen e konfliktit të vitit 2001 janë dëshmi e fuqishme se marrëveshja funksionoi. Pikërisht sepse funksionoi, ajo nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr iniciativa që Posta e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore, të emetojë një pullë postare kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ky është më shumë se një gjest filatelik. Pulla postare është një dokument i vogël shtetëror me një mesazh të madh simbolik: ajo që shteti vendos në ikonografinë e tij publike bëhet pjesë e kujtesës së tij institucionale. Në këtë mënyrë, Marrëveshja e Ohrit nuk kujtohet vetëm si pjesë e historisë politike të shqiptarëve, por si pjesë e historisë politike të vetë shtetit. Por pikërisht këtu nuk duhet lejuar të lindë një paradoks historik: do të ishte absurde që shteti ta përjetësonte Marrëveshjen e Ohrit në një pullë postare, ndërkohë që lejon që fryma e saj të zbehet në praktikën institucionale. Marrëveshjet e paqes nuk ruhen duke i vendosur në albume, muze apo ceremoni përkujtimore. Ato nderohen duke u zbatuar.

Kjo nuk do të thotë se Marrëveshja e Ohrit duhet të fosilizohet.

Çdo arkitekturë kushtetuese duhet të ketë aftësinë të zhvillohet. Marrëveshja e Ohrit mund dhe duhet të evoluojë në përputhje me standardet evropiane dhe nevojën për një shtet më demokratik dhe funksional. Por ekziston një vijë e qartë konceptuale ndërmjet evolucionit dhe regresit. Evolucion është kur një standard përmirësohet dhe zëvendësohet me një garanci më të fuqishme; regres është kur një garanci hiqet ose dobësohet pa u zëvendësuar me një mekanizëm të barabartë apo më të fuqishëm. Prandaj, 25-vjetori duhet të prodhojë një doktrinë të qartë politike: Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por jo të dekonstruktohet; mund të modernizohet, por jo të zvogëlohet; mund të tejkalohet vetëm përmes më shumë barazie, kurrë përmes më pak barazie.

Edhe faktori politik shqiptar duhet ta kuptojë këtë parim.

Marrëveshja e Ohrit nuk i përket një partie, një koalicioni, një qeverie apo një epoke politike. Ajo është pjesë e arkitekturës kushtetuese dhe politike mbi të cilën u ndërtua paqja pas vitit 2001. Çështjet e barazisë kushtetuese, gjuhës, përfaqësimit të drejtë dhe mekanizmave të konsensusit nuk duhet të reduktohen në instrumente të konkurrencës së përditshme partiake. Pluralizmi dhe rivaliteti ndërmjet partive shqiptare janë pjesë normale e demokracisë; fragmentimi strategjik për çështje që përcaktojnë pozitën kushtetuese të një bashkësie është një luks që historia mund ta bëjë tepër të kushtueshëm. Për këto çështje themelore nevojitet të paktën një minimum konsensusi dhe bashkërendimi strategjik që tejkalon mandatet zgjedhore, interesat partiake dhe kalkulimet politike afatshkurtra.

Por përgjegjësia nuk u takon vetëm shqiptarëve. Edhe bashkësia maqedonase duhet ta shohë Marrëveshjen e Ohrit jo si humbje historike, por si pjesë të suksesit të shtetit të vet. Marrëveshja parandaloi një konflikt shumë më të rëndë, ndihmoi në ruajtjen e integritetit territorial, konsolidoi institucionet dhe fuqizoi orientimin euroatlantik të vendit. Prandaj, shqiptarët dhe maqedonasit nuk duhet ta mbrojnë Marrëveshjen e Ohrit nga njëri-tjetri, por së bashku duhet ta mbrojnë atë nga tundimi për t’u rikthyer në një logjikë politike ku shumica parlamentare, vetëm sepse disponon numrat, mund ta ripërcaktojë në mënyrë të njëanshme arkitekturën e bashkëjetesës. Qeveritë vijnë dhe shkojnë. Shumicat parlamentare ndryshojnë. Koalicionet krijohen dhe shpërbëhen. Por marrëveshjet që rikthyen paqen dhe ekuilibrin kushtetues nuk mund të varen nga cikli i një mandati katërvjeçar.

Historia jep një paralajmërim të qartë. Në vitin 1215 pyetja ishte nëse pushteti mund të qëndronte mbi ligjin. Në vitin 1868 pyetja ishte nëse shtetësia kishte kuptim pa mbrojtje të barabartë. Në vitin 2001 Maqedonia u përball me pyetjen nëse një shtet multietnik mund të qëndrojë pa pjesëmarrjen reale, përfaqësimin dhe dinjitetin politik të bashkësive të tij. Në vitin 2026 pyetja bëhet alarmueshëm e thjeshtë: a kemi mësuar nga viti 2001, apo besojmë se mekanizmat e paqes mund të zhbëhen gradualisht pa rikrijuar shkaqet e mosbesimit që dikur i bënë ato të domosdoshme?

Përgjigjja duhet të jetë strategjike dhe kolektive. Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë të kthehet në vitin 2001; ajo duhet të sigurojë që viti 2001 të mos përsëritet kurrë. Marrëveshja e Ohrit nuk kërkon nostalgji, por vigjilencë demokratike. Ajo nuk kërkon privilegje, por barazi. Nuk synon ta ruajë të kaluarën të pandryshuar, por ta mbrojë të ardhmen. Njëzet e pesë vjet pa rikthim në konflikt nuk janë argument për dobësimin e Marrëveshjes së Ohrit; përkundrazi, janë prova më e fuqishme se kompromisi funksionoi.

Prandaj, mesazhi drejtuar Shkupit, Brukselit dhe Uashingtonit në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit duhet të jetë i qartë: mos e shndërroni marrëveshjen që prodhoi paqen në një dokument përkujtimor. Ruajeni atë si mekanizëm të gjallë të shtetit. Pushteti duhet t’i nënshtrohet ligjit, ky ishte mesazhi i Magna Carta-s; ligji duhet ta mbrojë barazinë, ky ishte mesazhi i Amendamentit të Katërmbëdhjetë; ndërsa mesazhi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të mbetet se paqja në një shoqëri multietnike mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse barazia nuk rinegociohet sa herë që ndryshon pushteti politik.

Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por nuk guxon të zhbëhet. Mund të ndryshohet për t’u përmirësuar, por jo për t’u zvogëluar. Mund të tejkalohet vetëm me më shumë demokraci, më shumë pjesëmarrje dhe më shumë barazi, kurrë me më pak. Sepse paqja nuk arkivohet. Paqja ruhet. Dhe çmimi politik i mbrojtjes së një kompromisi historik do të jetë gjithmonë shumë më i vogël se çmimi historik i rindërtimit të tij pasi të jetë humbur besimi.

Filed Under: Interviste

BESA, FJALA, KULTURA DHE IDENTITETI NË FJALORIN E PROFESOR GJOVALIN SHKURTAJT

August 12, 2026 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Në vend të hyrjes: Besa si njësi semantike dhe etimologjike

Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, besa paraqitet si një njësi shumëkuptimëshe, bërthama semantike e së cilës është fjala e dhënë dhe detyrimi moral për ta mbajtur atë. Ajo emërton fjalën e nderit dhe besnikërinë ndaj zotimit, besimin në ndershmërinë e dikujt, marrëveshjen për pezullimin e përkohshëm të armiqësisë ose të gjakmarrjes, mbrojtjen që i sigurohet mikut a personit të marrë nën përgjegjësi, besëlidhjen për veprim të përbashkët dhe, në përdorimet më të vjetra, edhe besimin fetar. Kjo pasuri kuptimore konkretizohet në togje dhe njësi frazeologjike si besa shqiptare, besa e burrit, fjala e besës, i jap besën, i zë besë, ia lë në besë, lidh besë, prish besën, e vrau në besë, e mori në besë, njeri i besës dhe për besë. Të gjitha këto përdorime organizohen rreth besueshmërisë së fjalës së shqiptuar dhe marrëdhënies së institucionalizuar ndërmjet atij që jep premtimin, atij që e pranon dhe bashkësisë që e njeh e garanton.

Nga pikëpamja historike, besa është fjalë e mbarë shqipes dhe dokumentohet herët në traditën e shkrimit, te Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, Variboba dhe Meksi. Eqrem Çabej e trajton atë së bashku me familjen e gjerë leksikore e fjalëformuese besoj, besim, besimtar, bestar, besnik, besatohem, besatar, i pabesë dhe pabesi. Ai e dokumenton që te Buzuku si besë, me barasvlerën latine foedus “besëlidhje, traktat”, dhe si besonj “besoj”. Në paraqitjen e historisë së etimologjisë së kësaj fjale, Çabej veçon dy drejtime kryesore interpretimi: afrimin e Gustav Meyer-it me bind, bindem dhe me rrënjën indoeuropiane *bhendh- “lidh”, të pranuar me ndryshime edhe nga Pederseni, si dhe shpjegimin e M. E. Schmidt-it, të mbështetur në thelb nga Jokli dhe Pokorny, sipas të cilit besë është një zgjerim ose formim i brendshëm nga be (Çabej, 1976, f. 61–62).

Qëndrimi i Çabejt është më i nuancuar se pranimi i drejtpërdrejtë i njërës prej këtyre hipotezave.

Ai vlerëson se afrimi semantik ndërmjet besë dhe bind, bindem “mbetet i drejtë”, por e shkëput këtë familje nga gjermanishtja binden “lidh” dhe e afron më natyrshëm me shqipen be, me greqishten peíthō “bind”, peíthomai “bindem” e pístis “besë”, si dhe me latinishten fido, fides “besim, besë” dhe foedus “besëlidhje, traktat”. Në këtë mënyrë, zhvillimi kuptimor shkon nga bindja dhe besimi te zotimi, garancia dhe institucioni juridik i besëlidhjes. Çabej thekson gjithashtu se fjala shqipe është përhapur në disa gjuhë ballkanike, duke dokumentuar trajta dhe rrjedhoja të saj në greqishten e re, arumanishten dhe turqishten. Kjo dëshmi tregon se, bashkë me njësinë leksikore, në hapësirën ballkanike është përhapur edhe një pjesë e përmbajtjes së saj etike dhe institucionale (Çabej, 1976, f. 62).

Bardhyl Demiraj e lidh besën me rrënjën indoeuropiane *bʰeidʰ-, me kuptimet “bindje, besim, zotim”, dhe e afron me foljen besoj. Në një interpretim më të posaçëm, ai e shpjegon si leksikalizim të një trajte gjinore të be-së, të ruajtur në ndërtime të hershme juridike të tipit i zoti i besë ose pleqtë e besë (Demiraj, 1997, f. 96–97). Vladimir Orel e trajton gjithashtu si fjalë të trashëguar, të dalë nga një bazë proto-shqiptare e lidhur me të njëjtën rrënjë indoeuropiane, duke e vendosur në familjen e besoj dhe duke e shpjeguar zhvillimin semantik nga “besimi dhe bindja” te “zotimi i garantuar me fjalë” (Orel, 1998, f. 22). Kolec Topalli e klasifikon besën si “fjalë të mbarë gjuhës dhe të trashëguar”, e vendos në të njëjtën çerdhe me besim, besnik dhe bestar dhe vëren përdorimin e këtyre formave edhe si antroponime, çka dëshmon kalimin e vlerës morale të konceptit në sistemin emërtues shqiptar (Topalli, 2017, f. 187, 197).

Dimensionin ballkanik të fjalës e plotëson Etimološki rečnik srpskog jezika, vëllimi III, i hartuar nën drejtimin e Aleksandar Loma-s.

Në këtë fjalor, serbishtja besa regjistrohet me kuptimet “fjala e dhënë që konsiderohet e shenjtë”, “fjala e nderit, feja, betimi”, “marrëveshje paqeje ose armëpushimi ndërmjet palëve, vëllazërive ose fiseve” dhe “mbrojtje, strehim”. Dokumentohen ndërtimet graditi, činiti, glaviti, uhvatiti besu, shprehja vezati besu, rrjedhojat besnik, nebesnik, beslija, besadžija dhe formula përforcuese besa-bes. Prejardhja e tyre përcaktohet shprehimisht nga shqipja besë, ndërsa format kosovare besa-bes dhe qebesa shpjegohen përkatësisht nga shqipja besa-besë dhe nga formula ke besë, me kuptimin “ke fjalën time” (Loma et al., 2008, f. 174–175).

Përkufizimi i leksikografisë së sotme, dokumentimi historik dhe interpretimet e Çabejt, Demirajt, Orelit, Topallit e Loma-s plotësojnë kështu njëri-tjetrin. Besa del si fjalë e vjetër, e mbarë shqipes dhe produktive brenda sistemit të saj, e lidhur me fushën semantike të bindjes, besimit, zotimit, besnikërisë, mbrojtjes dhe marrëveshjes. Përhapja e saj në gjuhët e tjera ballkanike dëshmon jo vetëm huazimin e një forme leksikore shqiptare, por edhe qarkullimin e përmbajtjes së saj morale, juridike dhe institucionale.

Filed Under: Interviste

“VATRA AS A PATRIOTIC MISSION AND A SACRED NATIONAL TRUST”

August 11, 2026 by s p

An Interview with Erjola Xheko, Member of the Executive Board of the Pan-Albanian Federation of America VATRA.

Interviewed by: Sokol Paja

1. Dear Erjola, my warmest congratulations on your appointment to the Executive Board of VATRA. What does it mean to you to become part of the leadership of the oldest patriotic organization of Albanians in the United States?

It is both a great honor and a profound privilege to serve and contribute to VATRA. VATRA is a living part of our national history—a patriotic and cultural institution that has kept the flame of love for the homeland burning brightly for 114 years. To be part of VATRA is an honor, but above all, it is a tremendous national responsibility. VATRA’s sacred national mission is to preserve and pass on to future generations the Albanian language, culture, history, traditions, and national identity within the Albanian-American diaspora.

Few institutions, if any, have contributed as profoundly to modern Albanian history as VATRA. As a member of the Executive Board, I feel this responsibility growing stronger every day through this patriotic and spiritual commitment. Our nation and our Albanian-American community need VATRA. We must all work together—as members of VATRA and alongside other patriotic organizations throughout America—to represent our community and our nation with dignity and strength.

Our patriotic commitment will ensure that VATRA remains a powerful and unifying voice for Albanians in the United States and a strong bridge connecting the Albanian diaspora with Albania, Kosovo, and the Albanian lands. The eyes of Albanians are, and will always be, on VATRA.

2. What do you consider VATRA’s most important contributions to preserving Albanian identity, language, culture, and history in America?

VATRA stands at the very heart of our national identity and history. Its glorious 114-year journey represents one of the most important chapters in the history of Albanians in America and in the broader struggle for the Albanian national cause throughout the Albanian lands. Generations of Albanian patriots, activists, intellectuals, and distinguished national figures—including Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Bahri Omari, Kristo Dako, and many others—helped transform VATRA into a spiritual, cultural, and diplomatic center devoted to the Albanian cause. The Pan-Albanian Federation of America VATRA has made an extraordinary contribution to preserving the Albanian language, national identity, culture, and traditions within the Albanian-American diaspora.

Through patriotic and cultural programs, community gatherings, public events, and through its historic newspaper, Dielli, VATRA has helped ensure that the Albanian voice is heard throughout America, that the Albanian national cause receives international attention, and that the Albanian nation is represented with dignity, respect, and appreciation. VATRA played a historic role in representing the interests of the Albanian state, including supporting diplomatic efforts in the West on behalf of the Albanian cause. It brought Albanian national values into American society and institutions and, above all, preserved our national heritage across the Atlantic. VATRA’s history is, ultimately, a history of service to the nation.

3. How do you assess VATRA’s patriotic work in recent years?

The Pan-Albanian Federation of America VATRA remains one of the strongest and most unifying Albanian cultural and spiritual institutions in the United States. Serving and contributing through VATRA is a national responsibility and, in many ways, a sacred duty. It is an investment in preserving and protecting our historical heritage, advancing the proud legacy of our predecessors, and ensuring that this history continues to inspire future generations.

I would like to express my heartfelt gratitude to Chairman Dr. Elmi Berisha for giving me the opportunity to serve and contribute as a member of the Executive Board of the Pan-Albanian Federation of America VATRA. I also want to recognize and appreciate his leadership of VATRA over the past six years. VATRA’s growing presence in Washington, as well as in Albania and Kosovo; its participation in Albanian-American community events; its leadership of cultural and patriotic activities; and its organization of cultural programs, book promotions, and receptions for distinguished delegations demonstrate the strength, vitality, and values of VATRA.

4. How do you view VATRA’s priorities for the years ahead?

VATRA’s priorities reflect the serious and far-reaching commitment of Chairman Dr. Elmi Berisha and the leadership team serving on the Executive Board and Council. These priorities demonstrate the need for an even stronger and more sustained patriotic commitment. Together, we must give our very best to serve VATRA and our community. The new Executive Board brings together professionals with diverse backgrounds, expertise, and experiences, but we are united by one common purpose: to serve VATRA, the Albanian-American community, and the national cause.

As a team, our work will focus on strengthening VATRA as an institution, bringing younger generations closer to the organization, strengthening its branches, and promoting greater unity and engagement throughout the Albanian-American community. Our foremost priority must always remain the support of Albanian-language schools and the preservation of the Albanian language, identity, culture, and traditions within the diaspora. The legacy of VATRA’s founders gives us both the inspiration and the determination to build an even stronger future.

5. What is your message to young Albanian-Americans who are being called upon to support VATRA as a “sacred national heritage”?

Young Albanian-Americans are one of the greatest assets and sources of hope for both VATRA and our nation. The involvement and support of young people and professionals are essential to ensuring the continuation of VATRA’s historic mission in service to the Albanian nation. My message to the younger generation is simple: Never forget where you come from and who you are.

Our language, our flag, our history, and our culture are among our greatest treasures. It is our responsibility to preserve them and pass them on to our children and to the generations that will follow. VATRA is a sacred national trust entrusted to us by the Albanian patriots who sacrificed everything for the nation. We have a duty to honor their sacrifice by carrying their mission forward.

The achievements of young Albanians who were born and educated in America, as well as those who have arrived from Albania and Kosovo in recent years, are a reflection of the strength, success, and pride of our nation. I call upon young Albanians throughout America to come closer to VATRA, to engage with our community, and to embrace the patriotic spirit that VATRA has carried for more than a century.

May God bless all those patriots who sacrifice, serve, and contribute to VATRA and to the Albanian nation.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Kandidate për Senatin e shtetit të Michiganit – Distrikti 24, Edlira Sako: “Shqiptarët kanë nevojë për më shumë përfaqësim në institucionet amerikane”

August 10, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Zonja Sako si lindi ideja për të kandiduar në Senatin e shtetit të Michigan? Cila është platforma juaj elektorale?

Vendimi për të kandiduar nuk ishte i menjëhershëm. Pas rikonfigurimit të kufijve zgjedhorë (redistricting), mora vazhdimisht telefonata nga drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike që më nxisnin të kandidoja për këtë vend në Senat. Fillimisht nuk doja të hyja në garë. Megjithatë, në ditët e fundit përpara mbylljes së afatit të kandidimeve, vendosa ta pranoja këtë sfidë për shumë arsye, personale dhe profesionale.

Ky kandidim është rezultat i shumë viteve angazhimi në komunitet, në arsim dhe në jetën publike. Si mësuese, si emigrante dhe si nënë, kam parë nga afër sfidat me të cilat përballen familjet e zakonshme. Kam kuptuar se ndryshimi nuk vjen vetëm duke folur për problemet, por duke marrë përgjegjësi për t’i zgjidhur ato.

Motoja ime gjatë kësaj fushate është “From Banks to Gas Tanks”, sepse familjet amerikane po ndiejnë presion ekonomik në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Platforma ime bazohet në nevojat reale të qytetarëve: uljen e kostos së jetesës, forcimin e arsimit publik, zgjerimin e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe shëndetin mendor, mbështetjen e bizneseve të vogla, mbrojtjen e tokave bujqësore, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe politika tregtare që mbrojnë konsumatorët dhe ekonominë lokale. Besoj se politika duhet të vendosë njerëzit në qendër të çdo vendimmarrjeje.

2. Cili është angazhimi politik në Distriktin 24 dhe thirrja juaj për shqiptarët për të të mbështetur?

Kandidoj si përfaqësuese e Partisë Demokratike për Senatin e Shtetit të Michiganit në Distriktin 24, i cili përfshin Bruce Township, Macomb Township, Ray Township, Washington Township, Village of Romeo, si edhe pjesë të Clinton Township dhe Shelby Township.

Ky është një distrikt me karakteristika shumë të ndryshme – nga zonat bujqësore te komunitetet urbane dhe ato në zhvillim – dhe pikërisht ky diversitet kërkon një përfaqësim që dëgjon dhe punon për të gjithë.

Prioritetet e mia janë mbrojtja e arsimit publik, përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e fermerëve dhe bizneseve të vogla, ulja e kostos së jetesës, transparenca në qeverisje, mbrojtja e të drejtës së votës, politika humane për emigracionin dhe mbrojtja e mjedisit.

Mbështetja që kam marrë vjen nga populli; nga mësues, prindër, fermerë, punëtorë, të rinj, pensionistë dhe qytetarë që besojnë se politika duhet të jetë në shërbim të komunitetit.

Shqiptarëve në Amerikë dhe kudo në botë u bëj thirrje të vazhdojnë të angazhohen në jetën publike. Ne kemi nevojë për më shumë përfaqësim në institucionet amerikane. Kemi nevojë të angazhojmë brezin e ri dhe të krijojmë hapësira ku zëri shqiptar të dëgjohet dhe të respektohet. Mbështetja e tyre nuk është vetëm për mua, por edhe për përfaqësimin e vlerave tona: punës, ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj komunitetit.

3. Ku e mbështesni suksesin e garës suaj elektorale?

Senati i Shtetit të Michiganit është një nga institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse, ku miratohen ligje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve: arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe sigurinë publike.

Besoj se suksesi i kësaj gare mbështetet vetëm te besimi i njerëzve. Përveç komunikimit në rrjetet sociale, kam trokitur derë më derë, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe duke ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me ta. Për mua, politika fillon duke dëgjuar.

4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në Michigan për të qenë zëri i fuqishëm qytetar, çfarë ndjesie keni?

Është një under shumë i madh, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Nuk është e lehtë! Marrja e besimit të qytetarëve dhe nominimi si kandidate më kanë dhënë edhe më shumë përgjegjësi dhe motivim për të punuar pa u lodhur, në mënyrë që zëri i qytetarëve të dëgjohet aty ku merren vendimet.

Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, por një mision për t’i përfaqësuar qytetarët me dinjitet.

Kam ardhur në Amerikë me ëndrra, si mijëra shqiptarë të tjerë. Ky vend më dha mundësinë të ndërtoj jetën time, të arsimohem, të punoj dhe të kontribuoj për komunitetin.

Një mbështetje e jashtëzakonshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi ka qenë bashkëshorti im, Astriti. Pa besimin dhe mbështetjen e tij, ndoshta nuk do ta kisha pasur guximin të merrja vendime kaq të rëndësishme, të cilat nuk i kisha menduar kurrë si pjesë të planeve të mia.

Sot ndihem krenare që kam mundësinë t’i shërbej vendit që më hapi dyert dhe vendit ku djali im po ndërton të ardhmen e tij, pa harruar asnjëherë rrënjët e mia shqiptare. Shpresoj që kandidimi im të jetë frymëzim për vajzat dhe gratë shqiptare, por edhe për çdo emigrant që beson se puna, integriteti, sakrifica dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt suksesit.

5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe bindja e elektoratit gri?

Fushata po ecën me shumë energji dhe optimizëm. Qëllimi im është të jem vazhdimisht pranë qytetarëve, në lagje, në aktivitete komunitare dhe në bizneset lokale.

Strategjia ime është e thjeshtë: dëgjoj, komunikoj dhe punoj. Nuk premtoj atë që nuk mund ta realizoj. Flas për zgjidhje konkrete dhe për bashkëpunim.

Premtimi im më i madh është se do të jem gjithmonë pranë qytetarëve. Do të jem e pranishme në komunitet, do t’i dëgjoj shqetësimet e tyre dhe vendimet e mia do të udhëhiqen nga interesi publik, jo nga interesa të veçanta apo grupe lobuese.

Elektorati i pavendosur nuk kërkon retorikë politike; ai kërkon sinqeritet, kompetencë, transparencë dhe vendime të marra duke dëgjuar qytetarët. Pikërisht këtë përpiqem të ofroj në çdo takim dhe këtë dua të vazhdoj të bëj edhe pasi të jem zgjedhur në Senat.

6. Kush është Edlira Sako?

Jam mësuese, studiuese, aktiviste komunitare, bashkëshorte dhe nënë. Kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Lushnjës, një qytet me rëndësi të veçantë në historinë e Shqipërisë, ku u mbajt Kongresi i Lushnjës në vitin 1920.

Pikërisht në atë qytet u formuan shumë nga vlerat që më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës: dashuria për arsimin, respekti për demokracinë dhe bindja se çdo njeri ka përgjegjësi për komunitetin ku jeton.

Kam përfunduar studimet në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe më pas vazhdova studimet në Wayne State University në Psikologji dhe Shkenca Politike. Aktualisht jam duke përfunduar studimet Master në Psikologji Këshillimore.

Prej shumë vitesh punoj në sistemin arsimor amerikan dhe besoj fort se arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen.

Aktualisht shërbej në dy borde dhe komitete komunitare dhe kam qenë e angazhuar në organizata që promovojnë pjesëmarrjen qytetare, edukimin dhe zhvillimin e komunitetit.

Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj, të kaloj kohë me familjen dhe të jem pranë natyrës.

Motoja ime është:

“Mos hiq dorë kurrë nga ëndrrat e tua. Puno me ndershmëri, shërbe me përulësi dhe lër pas një komunitet më të mirë se ai që gjete.”

7. Cila është historia juaj e familjes dhe emigrimit në Amerikë?

Kam lindur dhe u rrita në Shqipëri, ku përjetova vitet e fundit të regjimit komunist dhe periudhën e tranzicionit demokratik. Këto përvoja më mësuan të vlerësoj lirinë, demokracinë dhe përgjegjësinë qytetare.

Në vitin 2012 emigrova në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen time, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë për djalin tonë. Fillimi nuk ishte i lehtë. Ashtu si shumë emigrantë, nisëm gjithçka nga e para. Me punë të palodhur, studime dhe përkushtim, ndërtuam një jetë të re.

Sot ndihem krenare që kontribuoj për komunitetin si mësuese, aktiviste dhe tani si kandidate për Senatin e Shtetit të Michiganit.

Historia ime është dëshmi se ëndrra amerikane vazhdon të jetë e mundur për ata që punojnë fort, besojnë te vetja dhe nuk dorëzohen kurrë.

Në të njëjtën kohë, ajo është edhe historia e një shqiptareje që nuk i harroi kurrë rrënjët e saj dhe që beson se suksesi merr kuptim vetëm kur u shërben të tjerëve.

Besoj se rrënjët tona shqiptare na japin identitet dhe krenari, ndërsa mundësitë që na ofron Amerika na japin përgjegjësinë për të kontribuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Për mua, ky kandidim është një mënyrë për të nderuar të kaluarën time, për të përfaqësuar komunitetin ku jetoj dhe për t’i shërbyer vendit që sot e quaj shtëpi.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT