• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Leke Abdyli: Duhani është përgjegjës për shkaktimin e 18 llojeve të kancerit. Diagnostifikimi i hershëm është vendimtar

June 30, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Dr. Abdyli, cilat janë sëmundjet hematologjike dhe onkologjike më të shpeshta që hasni në praktikën tuaj të përditshme dhe cilat janë sfidat kryesore në trajtimin e tyre?

Nga sëmundjet hematologjike do e theksoja limfomën agresive DLBCL (Diffuse Large B Cell Lymphoma), e cila me 30-40% paraqet limfomën më të shpeshtë të grupit Non-Hodgkin Lymphoma, si dhe B-CLL (Chronic Lymphatic B Cell Lymphoma). Derisa lymphoma DLBCL, edhepse me tipare agresive, është në mbi 70% një sëmundje e shërueshme, derisa tek sëmundja B-CLL, në 70-80% të rasteve një mjekim nuk është i nevojshëm; pacientët observohen në bazën Watch & Wait derisa të paraqiten ndryshime në pasqyrën e gjakut dhe të fillojë mjekimi, i cili sjell në mbajtjen e sëmundjes nën kontroll, por jo edhe në shërimin e saj.

Nga sëmundjet onkologjike të organeve solide do e theksoj kancerin e pankreasit, i cili në rast të diagnostifikimit në të shumtën e rasteve veçse ka metastazuar në mëlçi, peritoneum, mushkëri apo nyje limfatike. Në raste të tilla të inoperabilitetit vjen në shprehje kemoterapia palliative. Konsultat në Tumorbord me kirurgun janë të domosdoshme, ngase tek të ashtuquajturat borderline resectable carcinoma i jipet pacientit kemoterapia, p.sh. e protokollit neoadjuvant FOLFIRINOX, me qëllim zvogëlimin apo downsizing të masës së tumorit, ku në rastin më të mirë tumoret e tilla mund të operohen. Kemoterapia adjuvante apo palliative pas operacionit është po ashtu e domosdoshme.

Sfidë tjetër tejet e rëndësishme në hematologji është detektimi me kohë i Sepses (helmimi i gjakut nga infeksionet) tek pacientët me zjarmi neutropenike në stacionin onkologjik. Detektimi i vonë është një rrugë njëkahëshe e pakthyeshme, që mund të rezultojë deri në vdekjen e pacientit. Në këtë sfidë, rëndësi të jashtëzakonshme kanë në radhë të parë stafi infermierik e sidomos motrat medicinale, të cilat kanë përvojë në mjekësi interne. Motrat medicinale i kontrollojnë parametrat vitale si tensionin e gjakut, pulsin, temperaturën, saturacionin e oksigjenit në gjak dhe janë personi që kanë kontakt më së shumti me pacientin; andaj çdo informatë lidhur me parametrat vitale, të cilat nuk janë OK, duhet të merren menjëherë seriozisht dhe të reagohet menjëherë në mjekimin e pacientit. Pra, bashkëpunimi mjek–motër medicinale, sidomos tek kjo diagnozë, është më së i domosdoshëm në shpëtimin e pacientit!

2. Sa i rëndësishëm është diagnostikimi i hershëm në luftën kundër kancerit dhe cilat janë shenjat që qytetarët nuk duhet t’i neglizhojnë?

Diagnostifikimi i hershëm i kancerit është vendimtar në luftën e mbijetesës ndaj kancerit. Simptomat të cilat nuk duhet të na frikësojnë, por të na vetëdijesojnë që sa më shpejt të kërkojmë ndihmën e mjekut, janë: e ashtuquajtura B-Symptoms me zjarmi recidivuese mbi 38 gradë Celsius pa shkaktar të vërtetuar, djersitja masive gjatë natës me domosdoshmëri të ndërrimit të ndërresave të shtratit dhe të trupit, si dhe humbja në peshë prej 10% brenda 6 muajve të fundit. Simptomat tjera alarmante janë Makrohematuria (gjaku në urinë), Hematochezie (gjaku në anus), obstipacioni apo kapsllëku kronik, Hemoptysis (kollitja me gjak), si dhe dhimbjet e paqarta të organeve të ndryshme.

3. Çfarë përparimesh ka sjellë mjekësia moderne në trajtimin e sëmundjeve të gjakut dhe të kancerit gjatë viteve të fundit?

Terapitë, si hematologjike ashtu edhe ato onkologjike, paraqesin sot një sfidë app challenge të sojit të vet. Sfida kryesore qëndron në domosdoshmërinë e njohjes së medikamenteve të reja, të cilat pothuaj çdo muaj promovohen në Pipelinet e industrive farmaceutike. Përparimet janë të mëdha, pasi edhe mjekimet po bëhen gjithnjë e më të personalizuara për pacientin. Me anë të analizës moderne NGS (next generation sequencing) analizohen mutacionet e tumorit në nivelin molekular të pacientit. Si shembull, biomarkerët pozitivë dMMR/MSI-H tek pacienti me karcinom kolorektal rezultojnë me dhënien e terapisë imune – Immuncheckpoint Inhibitor dhe shpien si rezultat në mjekim të suksesshëm tek mbi 95% të pacientëve, gjegjësisht tek 60-70% e pacientëve me mutacion të lartpërmendur zhduket tumori plotësisht (complete pathological remission), në këtë rast perfekt duke ia kursyer pacientit briskun e kirurgut.

Onkologjia moderne po shkon drejt terapive të personalizuara në nivelin molekular, duke e dërguar përdorimin e kemoterapive në regres, si dhe përdorimin e imunoterapive dhe terapive të personalizuara në përputhje me kodin gjenetik të pacientit në progres. Hematologjia dhe Onkologjia në 10 vitet e ardhshme do të ketë një demografi pothuaj krejtësisht ndryshe, pra të bazuar në kodin gjenetik të pacientit, ku ndoshta brisku i kirurgut si rrjedhojë do të përdoret shumë më pak se sot.

4. Cilat janë faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e kancerit dhe çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të ulur këtë rrezik?

Faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e kancerit janë në radhë të parë stili i pashëndetshëm i jetesës, para së gjithash konsumimi i duhanit dhe alkoolit. Duhani është përgjegjës për shkaktimin e 18 llojeve të kancerit: kanceri i mushkërive, i gojës/gjuhës/fytit/laringut, ezofagut, fshikëzës së urinës dhe veshkëve, pankreasit, lukthit dhe mëlçisë, zorrës së trashë, qafës së mitrës, si dhe format e leukemisë në palcën kockore.

Tek pacientët të cilët në historinë e anamnezës së tyre kanë më shumë se dy apo tre tumore, rekomandohet urgjentisht kontrolli tek specialisti i gjenetikës humane. Si shembull i sindromit ku në 100% të rasteve paraqiten shumë tumore gjatë jetës së pacientit, po e përmend Li Fraumeni Syndromin. Si rrjedhojë duhet të paraqiten në ekzaminim gjenetik edhe fëmijët e pacientit, ngase sindromi i lartpërmendur trashëgohet në 50% të rasteve tek fëmijët.

5. Si e përjetojnë pacientët dhe familjet e tyre betejën me kancerin dhe sa i rëndësishëm është mbështetja psikologjike gjatë trajtimit?

Shumica e pacientëve, pas lajmit të keq që e marrin me diagnozën kancer, në klinikën tonë u ofrojmë menjëherë edhe një bisedë konsultative me psikologjinë onkologjike. Në këto biseda mund të marrin pjesë edhe familjarët e pacientëve. Përvoja ime tregon se 99% e pacientëve vendosin ta luftojnë kancerin dhe ky është një lajm i mirë. Mbështetja psikologjike ofrohet gjatë gjithë trajtimit onkologjik. Edhe në këtë raport me pacientin rol të rëndësishëm kanë motrat medicinale, të cilat e përcjellin gjendjen nga aspekti infermierik, por edhe gjendjen psikologjike të pacientit.

6. Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar lidhur me kontrollin periodik shëndetësor, parandalimin dhe ndërgjegjësimin për sëmundjet onkologjike?

Për komunitetin e nderuar shqiptar mesazhi im është si vijon: mos filloni me pirjen e duhanit; ata që e përdorin, urgjentisht ta ndërpresin; shmanguni alkoolit, ngase dëmet janë ekstremisht më të mëdha se dobitë e vogla të mundshme; kontrolloni pasqyrën e gjakut 2 herë në vit; merrni pjesë në programet Screening për parandalimin e kancerit, si p.sh. kancerit kolorektal, të fshikëzës së urinës, prostatës etj. Konsultohuni me mjekun e shtëpisë lidhur me Screening e lartpërmendur, ngase në çdo shtet apo regjion ekzistojnë modalitete të ndryshme të diagnostikës.

Filed Under: Interviste

John Goci: Shqiptarët do të kenë një zë të fortë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

June 29, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. I nderuar z.John Goci, si lindi ideja për të kandiduar për Kongresin Amerikan në Distriktin 13? Cila është platforma elektorale? Pse duhet të të votojë elektorati?

Ideja për të kandiduar për Kongresin Amerikan filloi shumë herët në jetën time. Unë erdha në Amerikë në vitin 1979, si një fëmijë nëntëvjeçar, së bashku me familjen time nga Juniku i Kosovës. Duke u rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpesh merrja pjesë në demonstrata ku kërkohej liri dhe drejtësi për popullin e Kosovës. Që në moshë të re, e kuptova sa të rëndësishëm janë anëtarët e Kongresit për t’u dhënë zë njerëzve, komuniteteve dhe kauzave që duhet të dëgjohen. Ajo përvojë mbolli tek unë bindjen se shërbimi publik ka rëndësi dhe se një ditë doja të shërbeja në atë nivel.

Interesi im për udhëheqje vazhdoi edhe gjatë shkollës. Në shkollë të mesme të ulët kandidova për përfaqësues të klasës, ndërsa në shkollë të mesme shërbeva si nënkryetar i klasës. Në vitin 2000 kandidova për Këshillin Bashkiak të Westland-it. E humba atë garë, por ajo u bë një nga përvojat më të rëndësishme të jetës sime, sepse një veteran i respektuar i politikës vuri re punën time të palodhur dhe më mësoi se si bëhet një fushatë.

Në vitin 2003 kandidova përsëri për Këshillin Bashkiak, por u detyrova ta ndërprisja fushatën pasi vëllai im i ndjerë, Skender Gocaj, oficer policie në Westland, humbi tragjikisht jetën në një aksident automobilistik. Në atë moment, nuk kisha më forcë shpirtërore për të vazhduar fushatën dhe e humba atë garë.

Por unë kurrë nuk hoqa dorë nga shërbimi publik. Në vitin 2008 u bëra shqiptari i parë i lindur në trojet shqiptare që u zgjodh në një detyrë publike jashtë Shqipërisë. Më vonë kandidova përsëri për bordin e shkollës, ndërsa në vitin 2012 kandidova për herë të parë për Kongres. E humba atë garë, por ëndrra nuk u shua kurrë.

Në këtë cikël zgjedhor vendosa të dal përsëri përpara, edhe pse kjo nënkuptonte hyrje të vonshme në garë dhe kandidim si kandidat “write-in”, një detyrë shumë e vështirë, sidomos pa një fushatë të financuar fuqishëm. Por unë e kuptoj se fitimi i një vendi në Kongres nuk është i lehtë. Kërkon përkushtim, sakrificë, këmbëngulje dhe besim.

Unë jam i përkushtuar ndaj kësaj gare dhe ndaj rrugës së gjatë përpara. Nëse nuk fitoj në këto zgjedhje, do të kandidoj përsëri. Do të vazhdoj të ndërtoj, të organizoj dhe të punoj derisa të fitoj, sepse për mua kjo nuk ka të bëjë me ambicie personale — ka të bëjë me shërbim, përfaqësim dhe dhënien e një zëri njerëzve.

Platforma ime e fushatës është e thjeshtë: njerëzit të parët, jo interesat e veçanta.

Uashingtoni është bërë shumë i kontrolluar nga paratë e mëdha, lobistët, korporatat dhe njerëzit e lidhur me politikën. Unë besoj se kemi nevojë për reformë në financimin e fushatave, më shumë transparencë dhe një qeveri që u përgjigjet familjeve punëtore, jo zërave më të pasur në dhomë.

Prioritetet e mia janë ta bëjmë pronësinë e shtëpisë më të përballueshme për punëtorët dhe familjet, të ulim varfërinë përmes vendeve të mira të punës dhe mundësive, të kontrollojmë borxhin kombëtar dhe të eliminojmë mashtrimin, shpërdorimin dhe abuzimin në qeveri. Këto prioritete mund t’i financojmë duke shkurtuar shpenzimet e panevojshme, duke ndalur çeqet e hapura për luftëra të huaja dhe duke i investuar ato dollarë këtu në vendin tonë.

Si shqiptaro-amerikan që erdha në këtë vend nga Kosova, e kuptoj rëndësinë e udhëheqjes së Amerikës dhe miqësisë së saj me popujt që e duan lirinë kudo në botë. Por Amerika duhet gjithashtu t’i vendosë familjet e veta punëtore në radhë të parë.

Votuesit duhet të më zgjedhin mua sepse nuk po kandidoj për ta mbrojtur sistemin, po kandidoj për ta ndryshuar atë. Unë vij nga jeta reale: si emigrant, biznesmen, pjesëtar i komunitetit dhe luftëtar për njerëzit punëtorë. Fushata ime ka të bëjë me rikthimin e besimit, vendosjen e njerëzve të parët dhe dhënien e një zëri të vërtetë familjeve në Uashington.

2. Cili është angazhimi juaj politik në Distriktin ku kandidon, fokusi juaj, pozicioni, nismat legjislative, partia politike që përfaqësoni, elektorati yt besnik dhe një thirrje shqiptarëve për të të mbështetur.

Angazhimi im politik në Distriktin e 13-të Kongresional të Michiganit vjen nga më shumë se 20 vite përfshirje në shërbim publik, punë komunitare dhe politikë lokale. Kam mbështetur kandidatë, kam organizuar aktivitete për mbledhje fondesh, kam qenë aktiv në çështjet politike të zonës së Detroitit dhe kam shërbyer si nënkryetar i bordit të shkollës, me përgjegjësi për rreth 15,000 nxënës dhe një buxhet prej 150 milionë dollarësh. Kjo përvojë më mësoi sa të rëndësishme janë udhëheqja, llogaridhënia dhe menaxhimi i përgjegjshëm i buxhetit kur vendimet e qeverisë ndikojnë në jetën dhe të ardhmen e njerëzve.

Unë jam Demokrat dhe kandidoj në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike si kandidat “write-in” kundër Kongresmenit Shri Thanedar. E di që kjo është një garë e vështirë, sidomos pa një fushatë të financuar fuqishëm, por gjithashtu e di se njerëzit meritojnë të kenë një zgjedhje tjetër. Çdo ditë jam duke trokitur në dyer, duke takuar votues dhe duke bërë gjithçka që mundem për t’u treguar njerëzve se më 4 gusht kanë një alternativë tjetër.

Prioritetet e mia kryesore janë vendosja e njerëzve të parët, jo interesat e veçanta. Dua ta bëjmë pronësinë e shtëpisë më të përballueshme për familjet punëtore, ta ulim varfërinë përmes vendeve të punës dhe mundësive, ta kontrollojmë borxhin kombëtar, ta eliminojmë mashtrimin dhe shpërdorimin në qeveri, dhe ta reformojmë një sistem politik që është bërë tepër i kontrolluar nga paratë e mëdha dhe njerëzit e lidhur me pushtetin. Besoj gjithashtu se duhet të investojmë më shumë këtu në vendin tonë, në vend që të vazhdojmë të shkruajmë çeqe të hapura për luftëra të huaja.

Nismat e mia legjislative do të përfshinin më shumë transparencë në financimin e fushatave, mbikëqyrje më të fortë të shpenzimeve qeveritare, masa më të ashpra kundër mashtrimit dhe abuzimit, mbështetje për blerësit e shtëpive për herë të parë, investime në bizneset e vogla dhe politika që ndihmojnë familjet punëtore të ndërtojnë stabilitet dhe pasuri.

Mbështetësit e mi kryesorë janë njerëzit punëtorë, pronarët e bizneseve të vogla, familjet, emigrantët dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që besojnë se kemi nevojë për përfaqësim të ndershëm dhe një zë më të fortë në Uashington. Distrikti i 13-të i Michiganit përfshin Detroitin dhe shumë komunitete përreth, me gati një milion njerëz. T’i arrish ata kërkon kohë, energji dhe burime. Reklamat televizive për momentin janë jashtë mundësive të fushatës sime, prandaj po e bëj këtë në mënyrën tradicionale, duke shkuar drejtpërdrejt te njerëzit.

Si shqiptaro-amerikan, unë mbaj gjithashtu një përkushtim të thellë ndaj çështjeve dhe kauzave shqiptare. Jam nderuar nga i ndjeri Senator Amerikan Carl Levin për shërbimin tim ndaj Amerikës gjatë Luftës së Kosovës, ku shërbeva si përkthyes për Gjeneralin Amerikan John Craddock. Vëllai im i ndjerë, Skender Gocaj, shërbeu me kontingjentin amerikan në misionin policor të Kombeve të Bashkuara pas luftës dhe ndihmoi në rindërtimin e forcës policore të Kosovës. Uniformat tona sot janë pjesë e një ekspozite muzeale në Kosovë që nderon ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e vendit. Kjo histori është shumë personale për mua dhe familjen time.

Mesazhi im për komunitetin shqiptar është i thjeshtë: kam nevojë për ndihmën tuaj. Kam një histori të fortë shqiptaro-amerikane dhe emigrante, por nuk mund ta tregoj këtë histori i vetëm. Kam nevojë për ndihmë për ta shpërndarë mesazhin tim, për të printuar materiale, për të trokitur në dyer, për të bërë telefonata dhe për t’u prezantuar me njerëzit e Detroitit dhe të gjithë distriktit. Shqiptarët gjithmonë kanë qëndruar për liri, punë të ndershme, familje dhe Amerikë. Tani po i kërkoj komunitetit tonë të qëndrojë me mua, që së bashku të bëjmë histori dhe t’i japim popullit tonë një zë më të fortë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

3. Kandidimi politik, dhe rëndësia e pozicionit ku kandidon. Ku e mbështet suksesin e garës sate elektorale?

Unë kandidoj për Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e 13-të të Michiganit si kandidat “write-in”. E di që të fitosh si “write-in” është shumë e vështirë, sidomos pa një buxhet të madh fushate, por besoj se njerëzit meritojnë një zgjedhje tjetër dhe një zë të vërtetë.

Ky është një nga pozicionet më të rëndësishme në botë. Si anëtar i Kongresit, do të kem mundësinë të propozoj ligje, të luftoj për burime federale për distriktin tonë dhe të jem zë për familjet punëtore, bizneset e vogla dhe komunitetet që shpesh ndihen të harruara nga Uashingtoni.

Shërbimi publik ka qenë pjesë e jetës sime për shumë vite. Sot shërbej edhe si President i Wayne Lions Club, ku misioni ynë është i thjeshtë: ne shërbejmë. Besoj gjithashtu se komuniteti shqiptaro-amerikan meriton një zë më të fortë në Kongres, sepse historia jonë, sakrifica jonë dhe kontributi ynë për Amerikën duhet të dëgjohen.

Shanset e mia varen nga puna e palodhur, mbështetja e njerëzve dhe mundësia për të mbledhur fonde. Kundërshtari im ka miliona dollarë për të shpenzuar, ndërsa unë nuk po përpiqem ta blej këtë garë, po punoj për çdo votë. Çdo ditë jam duke trokitur në dyer, duke takuar njerëz dhe duke ndërtuar një bazë për 4 gushtin, për nëntorin dhe për të ardhmen.

Unë jam realist për vështirësitë, por nuk jam i dorëzuar. Nëse nuk fitojmë këtë herë, do të vazhdoj të ndërtoj, të organizoj dhe të përgatitem për vitin 2028. Kjo nuk është vetëm një fushatë, është një angazhim afatgjatë për njerëzit e Distriktit të 13-të.

Mrekullitë ndodhin çdo ditë, por sa më shumë punon, aq më shumë fat krijon. Ju ftoj të ndiqni faqen time në Facebook, John Goci for Congress, për të parë ecurinë e fushatës dhe për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje.

4. Një shqiptar që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në Amerikë për të qenë zëri i fuqishëm qytetar, çfarë ndjesie keni?

Kjo më bën të ndihem i bekuar, mirënjohës dhe thellësisht i përulur. Unë e di kush jam dhe jam krenar që jam shqiptaro-amerikan. Jam rritur me një kuptim të fortë për historinë tonë, vuajtjet tona dhe përgjegjësinë tonë për të shërbyer. Gjyshi im i mençur më mësoi shumë mësime të jetës, ndërsa babai dhe nëna ime më mësuan për popullin tonë, sakrificat tona dhe rrugën e gjatë që shqiptarët kanë kaluar për liri, dinjitet dhe njohje.

Aktivizmi dhe shërbimi ishin pjesë e familjes sime. Unë u rrita duke kuptuar se të jesh shqiptar nuk do të thotë vetëm trashëgimi, do të thotë guxim, besnikëri, punë e ndershme dhe të ngrihesh për atë që është e drejtë.

Të kandidoj për një pozitë kaq të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara dhe të kem mundësinë të jem një zë i fortë për njerëzit është një nder që nuk e marr lehtë. Unë e dua Amerikën dhe jam krenar për rrënjët e mia shqiptare. Flamuri shqiptar dhe flamuri amerikan që i mbaj të tatuazhuar në krahët e mi përfaqësojnë kush jam, nga vij dhe për çfarë po luftoj.

5. Kush është John Goci?

John Goci është një shqiptaro-amerikan, emigrant nga Juniku i Kosovës, biznesmen, udhëheqës komuniteti dhe shërbyes publik që beson në punë të ndershme, familje, liri dhe shërbim. Erdha në Amerikë në vitin 1979, si fëmijë nëntëvjeçar. Si shumë familje emigrante, nuk na u dha asgjë gati. U rrita duke mësuar vlerën e sakrificës, disiplinës dhe këmbënguljes.

Profesionalisht, kam qenë sipërmarrës, profesionist i pasurive të paluajtshme, ndërmjetës biznesesh dhe ndërtues komuniteti. Kam krijuar dhe drejtuar biznese, kam ndihmuar në hapjen e vendeve të punës dhe kam qenë i përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal. Gjithashtu kam krijuar konceptin e Video Jukebox, shumë vite përpara se muzika digjitale të bëhej pjesë e jetës sonë të përditshme.

Në shërbim publik, kam shërbyer si nënkryetar i bordit të shkollës dhe sot shërbej si President i Wayne Lions Club, me misionin: ne shërbejmë. Kam qenë i përfshirë në politikën dhe çështjet komunitare të zonës së Detroitit për më shumë se 20 vite.

Jeta ime është formuar edhe nga trashëgimia shqiptare dhe shërbimi gjatë Luftës së Kosovës. Jam nderuar nga i ndjeri Senator Amerikan Carl Levin për shërbimin tim ndaj Amerikës dhe kam shërbyer si përkthyes për Gjeneralin Amerikan John Craddock.

Motoja ime është: mos u dorëzo kurrë, puno fort dhe sa më shumë punon, aq më shumë fat krijon.

Ajo që më bën unik është se vij nga jeta reale. Nuk jam politikan karriere. Kam ndërtuar biznese, kam kaluar sfida, kam shërbyer në komunitet dhe e kam jetuar ëndrrën amerikane si emigrant. Historia ime është shqiptare, amerikane dhe e rrënjosur në shërbim.

6. Cila është prejardhja juaj dhe historia familjare e emigrimit në Amerikë?

Historia e familjes sime është e rrënjosur në historinë shqiptare, traditën, sakrificën dhe rrugëtimin e emigrantit. Gjyshja ime ishte nga Tropoja dhe ishte kushërirë e parë me Hasan Biberajn, nga familja e respektuar Biberaj. Hasan Biberaj ndihmoi të hapte derën për udhëtimin e familjes sonë drejt Amerikës duke i dërguar vizën xhaxhait tim. Më pas, xhaxhai im erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë ndihmoi që të sillte edhe familjen tonë këtu.

Familja e gjyshit tim vinte nga fisi i njohur i Kelmendit në Shqipërinë e Veriut dhe më vonë u vendos në Vuthaj. Babai im lindi në Junik të Kosovës, dhe aty filloi rrugëtimi i familjes sonë të ngushtë.

Ne erdhëm në Detroit në vitin 1979, në një periudhë shumë të vështirë ekonomike në Amerikë. Si shumë familje emigrante, erdhëm me shpresë, por asgjë nuk ishte e lehtë. Babai im nuk mundi të gjente punë për disa muaj. Më në fund, pranoi një punë si larës enësh, duke bërë çdo punë të ndershme që mundej për të siguruar familjen. Rreth një vit më vonë, me punë të palodhur dhe vendosmëri, ai hapi biznesin e tij.

Kjo është historia e familjes sime: punuam, sakrifikuam, luftuam dhe këmbëngulëm. Nuk harruam kurrë nga vinim, por gjithashtu e përqafuam Amerikën dhe mundësitë që ky vend na dha.

Sot, familja ime është një shembull krenar i ëndrrës së emigrantit. Vëllai im Shkelzen dhe motra ime Shkendija kanë ndërtuar familje të mrekullueshme dhe jetë të suksesshme si biznesmenë. Historia jonë nuk është histori privilegji — është histori besimi, familjeje, pune të ndershme dhe mosdorëzimi.

Filed Under: Interviste

Teatri i demokracisë…

June 24, 2026 by s p

Prof. Pal Nikolli/

Ka momente në historinë e një shoqërie kur ajo që duket në sipërfaqe pushon së qeni e vërteta e saj. Fjalët vazhdojnë të dëgjohen, debatet vazhdojnë të transmetohen, akuzat dhe kundërakuzat mbushin ekranet, por pas gjithë kësaj zhurme lind një pyetje e thjeshtë: a po shohim një përplasje reale idesh, apo vetëm një shfaqje të ndërtuar për publikun?

Demokracia moderne është ngritur mbi parimin e konfliktit të hapur politik. Ajo jeton nga debati, nga konkurrenca e vizioneve dhe nga mundësia që qytetari të zgjedhë mes alternativave të ndryshme. Por kur përplasja kthehet në ritual dhe jo në substancë, kur kundërshtari politik bëhet më shumë partner i heshtur sesa rival i vërtetë, atëherë demokracia fillon të humbasë shpirtin e saj.

Shoqëritë nuk rrënohen vetëm nga mungesa e institucioneve. Ato rrënohen kur institucionet vazhdojnë të ekzistojnë si formë, por jo si përmbajtje. Parlamenti mund të vazhdojë të mblidhet, partitë mund të vazhdojnë të konkurrojnë dhe zgjedhjet mund të vazhdojnë të organizohen, por nëse rezultatet e rëndësishme përcaktohen nga pazare të padukshme dhe jo nga vullneti i lirë politik, atëherë kemi hyrë në territorin e iluzionit demokratik.

Filozofi francez Michel Foucault argumentonte se pushteti nuk është vetëm ai që shihet, por edhe ai që vepron në mënyrë të fshehtë përmes rrjeteve të interesit dhe marrëdhënieve të padukshme. Pikërisht aty qëndron rreziku më i madh për demokracinë: jo te konflikti i hapur, por te marrëveshja e heshtur. Konflikti është i dukshëm dhe mund të gjykohet nga qytetari; marrëveshja e fshehtë, përkundrazi, vepron në errësirë dhe i shmanget llogaridhënies. Në këtë pikë, opozita përballet me provën e saj më të vështirë morale. Ajo ekziston jo për të dekoruar sistemin, por për ta sfiduar atë. Kur opozita heq dorë nga kjo detyrë dhe bëhet pjesë e mekanizmit të ruajtjes së ekuilibrave të elitave, ajo humbet identitetin e saj. Nuk është më alternativë, por pjesë e status quo-së. Nuk është më shpresë për ndryshim, por garanci për vazhdimësi.

Platoni kishte frikë se demokracia mund të degjeneronte në një sistem ku pak njerëz kontrollojnë gjithçka nën petkun e lirisë. Sot kjo frikë tingëllon çuditërisht aktuale. Kur rotacioni politik zëvendësohet nga riciklimi i vazhdueshëm i të njëjtave figura, kur gara politike shndërrohet në menaxhim të privilegjeve dhe jo në konkurrencë idesh, atëherë kemi hyrë në një formë të sofistikuar oligarkie.

Por pasoja më e rëndë nuk bie mbi partitë. Ajo bie mbi qytetarin. Besimi është kapitali më i çmuar i demokracisë. Ai nuk ndërtohet me ligje, por me bindjen se sistemi funksionon për të gjithë. Kur qytetari fillon të dyshojë se kundërshtarët politikë luftojnë në publik dhe pajtohen në privat, ai humbet jo vetëm besimin te partitë, por edhe te vetë kuptimi i pjesëmarrjes politike.

Kjo është arsyeja pse indiferenca qytetare nuk është kurrë thjesht apati. Shpesh ajo është forma më e heshtur e protestës. Njerëzit largohen nga politika jo sepse nuk kanë interes për të ardhmen e tyre, por sepse ndiejnë se e ardhmja e tyre nuk vendoset aty ku pretendohet se vendoset.

Friedrich Nietzsche do ta shihte këtë si triumfin e “vullnetit për pushtet” mbi idealet. Kur qëllimi kryesor bëhet mbajtja e pozicionit dhe jo transformimi i realitetit, politika humbet karakterin e saj krijues dhe shndërrohet në administrim interesash. Një sistem i tillë mund të zgjasë për një kohë të gjatë, por nuk mund të frymëzojë. Mund të mbijetojë, por nuk mund të rilindë.

Megjithatë, historia ka një ligj të pashkruar: asnjë iluzion nuk zgjat përgjithmonë. Kontradiktat që fshihen nën sipërfaqe grumbullohen derisa një ditë bëhen të dukshme. Hegeli do ta quante këtë moment triumfin e dialektikës historike, çastin kur realiteti shpërthen përmes fasadës dhe kërkon një rend të ri.

Prandaj pyetja më e rëndësishme nuk është nëse ekzistojnë pazaret politike. Ato kanë ekzistuar në çdo epokë. Pyetja është nëse shoqëria ka ende energjinë morale për t’i sfiduar ato. Nëse ekziston ende një kërkesë e fortë për meritokraci, transparencë dhe konkurrencë të vërtetë politike. Sepse demokracia nuk vdes kur mungojnë zgjedhjet. Demokracia fillon të vdesë kur qytetarët pushojnë së besuari se zgjedhja e tyre ka kuptim.

Dhe pikërisht aty, mes teatrit të përplasjes dhe heshtjes së pazareve, vendoset fati i lirisë politike të një kombi. Nëse fasada vazhdon të zëvendësojë substancën, atëherë shoqëria rrezikon të mbetet spektatore e historisë së saj. Por nëse qytetari rikthehet si aktor i saj, çdo iluzion, sado i fuqishëm të duket, është i destinuar të shembet.

Filed Under: Interviste

KUR TOKA, AJRI DHE E GJITHË NATYRA FRYMONIN SHQIP

June 23, 2026 by s p

Një kujtesë nga koha e studimeve të vitit 1981 – mall për Kosovën e asaj kohe, për Bostonin shqiptar dhe për veprën e Fan Nolit.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Ka kujtime që nuk i zbeh koha dhe nuk i shuan largësia. Ato mbeten të gjalla në kujtesë, si një dritë e pashuar dhe si një mall që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Të tilla janë për mua vitet e studimeve dhe sidomos viti 1981, një vit që mbetet i gdhendur jo vetëm në kujtesën time, por edhe në ndërgjegjen historike të Kosovës.

Sa herë kthehem me mendje në atë kohë, më duket sikur shoh përsëri Prishtinën e rinisë sonë, me rrugët e saj të mbushura me studentë, me auditorët e Universitetit të Prishtinës, me bibliotekat, me konviktet studentore dhe me ëndrrat e një brezi të tërë shqiptarësh.

Në atë kohë, Prishtina nuk ishte vetëm kryeqyteti i Kosovës. Ajo ishte zemra e shqiptarisë. Ishte vendi ku rrihnin shpresat e një populli, ku formoheshin intelektualët e ardhshëm dhe ku dija dhe vetëdija kombëtare ecënin së bashku.

Në ato vite, më dukej se gjithçka rreth nesh fliste shqip.

Shqip jehonin auditorët e Universitetit.

Shqip rrihnin zemrat e studentëve.

Shqip ëndërronin të rinjtë.

Shqip luteshin nënat shqiptare për të ardhmen e bijve të tyre.

Dhe prandaj, edhe sot më duket se toka, ajri dhe e gjithë natyra frymonin shqip.

Por kujtesa ime nuk ndalet vetëm në Kosovë.

Ajo udhëton përtej Atlantikut, drejt Bostonit, qytetit që për shqiptarët nuk është thjesht një metropol amerikan, por një pjesë e historisë sonë kombëtare.

Nëse Prishtina ishte zemra e shqiptarisë në trojet tona, Bostoni u bë zemra e saj në mërgim.

Aty veproi Fan Noli.

Aty u forcua Federata Pan-Shqiptare “Vatra”.

Aty gazeta “Dielli” u bë tribunë e mendimit kombëtar shqiptar.

Aty mërgimtarët shqiptarë ruajtën gjuhën, kulturën dhe dashurinë për atdheun.

Kur pata fatin të vizitoja Bostonin, ndjeva se po ecja nëpër një pjesë të historisë sonë. Më dukej sikur në rrugët e atij qyteti ende dëgjohej jehona e zërit të Fan Nolit dhe sikur fryma e shqiptarëve të parë të Amerikës vazhdonte të jetonte mes kujtesës dhe krenarisë së brezave.

Në aspektin historik, Bostoni u bë qendra më e rëndësishme e diasporës shqiptare në Amerikë.

Në aspektin kulturor, ai u shndërrua në një nga hapësirat më të rëndësishme të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.

Në aspektin diplomatik, ai luajti rol të veçantë në sensibilizimin e opinionit amerikan dhe ndërkombëtar për çështjen shqiptare, veçanërisht në periudhat vendimtare të historisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Dhe në qendër të kësaj historie qëndron Fan Noli – jo vetëm si klerik, por si diplomat, shkrimtar, përkthyes dhe vizionar i madh i kombit shqiptar.

Ai e kuptoi herët rëndësinë e lidhjes shqiptaro-amerikane dhe e bëri Bostonin një pikë referimi të përhershme të mendimit kombëtar shqiptar.

Dhe kur i bashkoj në kujtesën time Kosovën e vitit 1981 dhe Bostonin e Fan Nolit, më duket se ato nuk janë dy botë të ndara.

Janë dy brigje të së njëjtës histori shqiptare.

Njëri në trojet tona.

Tjetri përtej Atlantikut.

Njëri me sakrificë dhe qëndresë.

Tjetri me organizim dhe diplomaci.

Por të dy me të njëjtin shpirt shqiptar.

Prandaj, edhe sot, pas kaq dekadash, mbetet e gjallë ajo ndjenjë e thellë se në Kosovën e rinisë sonë dhe në Bostonin e shqiptarëve, toka, ajri dhe e gjithë natyra frymonin shqip.

Filed Under: Interviste

Hajdin Teneqja: Rruga “Dardania” dhe “Kaçaniku” në provincën e Manitobës në Kanada, krenari për të gjithë shqiptarët

June 22, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. I nderuar z.Teneqja si u realizua emërtimi i rrugës “Dardania” dhe “Kaçaniku” në provincën e Manitobës në Kanada?

Bashkëpunimi i gjatë mes komunitetit shqiptar këtu në provincën e Manitobës dhe këshilltarit të rajonit St. Vital të qytetit të Winnipegut, z. Brian Mayes, si dhe bashkëshortes së tij Alison, ka qenë shumë i frytshëm.

Në një darkë për Krishtlindje, ku ishim unë dhe bashkëshortja ime Teuta, Bryan më tha se dëshironte të bënte diçka për komunitetin tonë dhe të emërtonte një rrugë me një emër në gjuhën shqipe. Për emrin “Kaçaniku” ai ishte përcaktuar tashmë, për shkak të miqësisë që kemi dhe faktit që unë dhe Teuta vijmë nga Kaçaniku. Mbetëm pa fjalë nga ky gjest. Të nesërmen fillova kontaktet me komunitetin tonë, si dhe me zonjën Ruki Kondaj, për emrat që dëshironim të propozonim. Emri “Dardania” ishte ai që kaloi të gjitha testet dhe kriteret e qytetit, përfshirë ato të zjarrfikësve dhe ndihmës së parë, sipas rregullave që zbatohen këtu në Winnipeg.

Në fund u arrit përfundimi që në muajin nëntor 2024 të vendosej emri honorifik Kaçaniku Way, ndërsa më 12 qershor 2026 u bë përurimi i rrugës Dardania Drive në zonën e re në zhvillim të quajtur Sage Creek. Me mbështetjen e komunitetit tonë – Hajdin Teneqja, Gramoz Mataj, Shpejtim Alimehaj, Muhamet Bejte, Artur Refatllari, Luan Tahiri dhe Irena Romanova – si dhe të ambasadores së kombit, Ruki Kondaj, me të cilën jam në kontakt që nga viti 2015, të Ambasadores së Shqipërisë, Ambasadorit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Komunës së Kaçanikut, patëm kënaqësinë që t’i kishim në mesin tonë për inaugurimin e rrugëve Kaçaniku Way dhe Dardania Drive.

2. Cila është historia e komunitetit shqiptar në provincën e Manitobës?

Historia e komunitetit shqiptar në provincën tonë ka nisur rreth vitit 1999 me shoqatën “Flamuri”, të themeluar nga bashkatdhetarët që ndodheshin këtu në Winnipeg: Hamit Aliu, Sejdi Isaku, Mitat Popaj, Hasan Alimehaj, Nuri Abazi, si dhe familjet Pashuku dhe Anxhelina. Kur refugjatët e luftës së Kosovës mbërritën dhe u vendosën këtu së bashku me familjet e tyre, ata nisën një jetë të re. Gjithashtu, familje nga zona të ndryshme të Shqipërisë, para dhe pas vitit 2000, emigruan dhe u vendosën këtu për një jetë më të mirë për familjet e tyre.

3. Cilat kanë qenë aktivitetet patriotike e komunitare që keni zhvilluar si shoqatë?

Shqiptarët së bashku këtu kanë organizuar festimet e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit – dhe të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës – nën organizimin e Hajdin Teneqjes, Fazli Morinës, Reshat Tronit, Artur Refatllarit, Shpejtim Alimehajt dhe disa miqve të tjerë nga komuniteti ynë. Një punë vërtet të shkëlqyer bëri vullnetarja Dr. Kozeta Milku, e cila arriti të organizojë shoqatën, të hartojë statutin dhe ta regjistrojë zyrtarisht në gjykatë me emrin Shoqata Shqiptaro-Kanadeze e Manitobës. Gjithashtu u hap Shkolla Shqipe për fëmijët e komunitetit, e cila funksionoi për një kohë, por pas pandemisë COVID-19 nuk vazhdoi më aktivitetin. Më 28 nëntor 2018 ngritëm Flamurin Kombëtar Shqiptar, ndërsa më 17 shkurt 2019 ngritëm flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës në City Hall të Winnipegut, duke vazhduar këtë traditë çdo vit.

4. Cilat janë projektet e së ardhmes për Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze e Manitobës?

Një gjë që vlen të përmendet është se gjatë qëndrimit të Ambasadorit të Kosovës, Adriatik Kryeziu, këtu në Winnipeg, ai bëri të mundur njohjen e patentë-shoferit të Kosovës nga Provinca e Manitobës. Kjo na lehtësoi procesin e pajisjes me patentë shoferi pa pasur nevojë të kalonim testet që kërkon MPI në Manitoba. Planet për të ardhmen janë:

• Të vazhdojmë forcimin e lidhjeve me z. Mayes për mundësinë e vendosjes së emrit Iliria për një park në zonën e rrugës Dardania.

• Organizimin e piknikut veror.

• Rihapjen e Shkollës Shqipe.

• Projekte të tjera në dobi të komunitetit.

5. Cilat aktivitete do i veçonit si më të suksesshmet?

Ndër aktivitetet që janë zhvilluar përfshihen:

• Piknikët në park.

• Ceremonitë e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës.

• Lojëra volejbolli dhe futbolli me të rinjtë dhe të rejat.

• Përfshirja në komunitet e studentëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe studiojnë në universitetet e Manitobës etj. Me profesionalizëm e përkushtim, synojmë në vazhdim bashkimin, promovimin dhe integrimin e shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet kanadeze.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 230
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Lumturi me pikatore” – Poezi nga Suela Kerxhaliu Shala
  • Kujtojmë në ditën e lindjes klerikun martir At Bernardin Palaj, historian, folklorist, muzikant dhe shkencëtar
  • Fan Noli një shumësi personalitetesh!
  • NGA SHKODRA NË AMERIKË, NGA GJUHA E BURIMEVE TE HISTORIA SHQIPTARE
  • Si u ndërtua në Kosovë miti i propagandës “rreziku demografik shqiptar”
  • Join us for the 34th Albanian Festival at SUNY Purchase on November 1st, 2026. Doors open at 4 pm and the show runs from 5 pm to 8 pm
  • Miti dhe dritëhijet e Salemit
  • Albanian Excellence – Histori Suksesi, Zonjat Shqiptare në Nju Jork
  • Modele analoge legjislacioni…
  • Skandali i radhës i një pushteti pervers
  • “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci”, një shqyrtim i rëndësishëm estetik nga Dr. Luan Topçiu
  • Kur pushteti bëhet abuzim….
  • 1 tetori, Dita Ndërkombëtare e Muzikës
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • ALBANIAN FOOD FESTIVAL – E DIEL, 4 TETOR!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT