• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARGARET MACMILLAN, PARIS 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën

September 2, 2026 by s p

Prof. dr. Lush Culaj/

Historia e diplomacisë botërore është në thelb histori e sistemeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, e karakterizuar më së shumti nga konflikte dhe luftëra dhe në masë dukshme më të vogël nga stabiliteti dhe paqja. Konfliktet e shkaktuara dhe luftërat kanë pasur si shkak pushtimet territoriale zgjerimet e kufijve shtetërorë sipas interesave të më të fuqishmëve. Marrë si tërësi historia e diplomacisë evropiane dhe botërore është histori e kalimit nga konfliktet dhe luftërat e mëdha në paqe dhe stabilitet dhe e kundërta.

Gjatë historisë botërore sikur u bë dukuri që, pas përfundimit të secilës luftë, palët ndërluftuese të uleshin rreth tryezave të bisedimeve dhe t’i zgjidhnin çështjet të cilat rëndom ishin bërë shkaktare të luftërave disavjeçare. E tillë ishte edhe Konferenca e Paqes e Parisit, e organizuar nga data 18.1. 1919 deri më 21.1. 1920.

Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte dhënia fund e gjendjes së luftës ndërmjet palëve të konfrontuara: shteteve të Antantës nga njëra anë dhe atyre të Bllokut qendror nga ana e tjetër. Rreth Fuqive të Antantës vërtiteshin shtetet më të vogla që synonin realizimin e premtimeve të tyre si shpërblim për aleancën gjatë luftës, kurse fuqitë e mundura prisnin vendimet e Versajës.

Pikërisht kësaj problematike historike me mjaft interes i është rrekur studiuesja Margaret Macmillan, e diplomuar në Universitetin e Oksfordit, e cila aktualisht punon si profesoreshë e historisë në Universitetin e Torontos në Kanada. Vlen të theksohet që në fillim se studimi i saj, Paris 1919, ka fituar çmimet “ Duff Cooper”, “ Samuel Johnson” dhe” Pen Hesell Tiltman”. E veçanta e tërë këtij studimi qëndron në faktin që autorja është e mbesa e David Lloyd George, njërit ndër protagonistët kryesorë gjatë zhvillimit të kësaj konference.

Duke u nisur nga mësimet jetësore se në diplomaci, ashtu si edhe në jetë, mësohet më shumë nga dështimet se nga sukseset që në hyrje të paradhënies së këtij studimi diplomati i njohur amerikan Riçard Hollbruk, duke konstatuar se kishte ardhur koha të rishihet ajo çka ndodhi në Paris në vitin 1919, thekson se rrëfimi i përzgjedhur i Margaret MakMilanit për këtë ngjarje të rëndësishme përmban disa histori të suksesshme dhe të matura nëpërmes gjykimit të historisë dhe pasojave.

Për gjashtë muaj në vitin 1919, Parisi ishte kryeqytet i botës. Konferenca e organizuar aty ishte çështja më e rëndësishme e botës. Aty kishin arritur edhe njerëzit më të fuqishëm të botës fitimtarët e luftës. Duke e përshkruar karakterin e këtyre njerëzve të fuqishëm, autorja vë në pah se ata argumentonin, debatonin, grindeshin dhe pajtoheshin përsëri. Ata krijonin vende të reja dhe organizata të reja. Shpesh herë darkonin së bashku e gjithashtu shkonin në teatër së bashku. Në këtë periudhë kohore ndërmjet janarit dhe qershorit, Parisi simbolikisht ishte shndërruar në qeveri botërore, në gjykatë të apelit dhe parlament të saj, ishte shndërruar në epiqendër të shpresave dhe druajtjeve. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në fakt gjashtë muajt e parë të saj janë ata kur u morën vendimet kryesore dhe që vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.

Në fakt ky është një studim i vendimeve gjysmake me pasoja të tmerrshme, shumë nga të cilat enden rreth nesh.

Në qendër të ndëshkimit të Konferencës së Paqes u vu Gjermania. Ajo u konsiderua shkaktare kryesore e fillimit të luftës dhe pasojave të saj. Fuqitë e tjera aleate të Gjermanisë kaluan më lehtë.

Ne versionin gazetaresk, sipas diplomatit Riçard Hollbruk, që e ka bërë edhe parathënien e librit, udha nga salla e pasqyrave në Versajë deri te pushtimi gjerman i Polonisë, vetëm 20 vjet më pas, zakonisht është paraqitur si një vijë e drejtë. Mirëpo, MakMilani na paraqet fuqishëm se kjo pikëpamje e pranuar gjerësisht për historinë, shtrembëron natyrën e vendimeve të marra në Paris dhe zvogëlon rëndësinë e veprimeve të marra në vitet e ndërhyrjes.

Diplomati Hollbruk konsideron se mënyra se si përfundoi lufta – me një “armëpushim” dhe jo me luftime në tokën gjermane – luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet në vazhdim. “Gjërat mund të kishin qenë ndryshe, – shkruan Makmilani, në qoftë se Gjermania do të ishte shpartalluar tërësisht”. Nga ana tjetër Makmilani e korrigjon pikëpamjen e pranuar gjerësisht se reputacionet e imponuara nga fitimtarët ishin aq barrë e rëndë sa shkaktuan rrënimin e ekonomisë gjermane, çka i hapi rrugën Hitlerit për të ardhur në pushtet.

Harta e përpiluar, sipas marrëveshjes së Versajës, e rrethoi Gjermaninë me miliona gjermanë që u detyruan të jetonin në shtete të vogla përreth dhe që përherë e kishin në mendje bashkimin kombëtar; e rrethoi Çekosllovakinë me gjermanë, polakë e hungarezë që nuk i lidhte asgjë me atë shtet, e rrethoi Serbinë me shqiptarë, hungarezë dhe kroatë që po ashtu nuk mund kurrsesi të ishin pjesë e natyrshme e një shteti të dominuar nga filozofia dhe kultura sllavo-ortodokse. Ky kompozim i hartës të Evropës, që e dizajnoi Versaja, është ndoshta modeli më i keq i zgjidhjeve të bëra nga diplomacia botërore dhe një ndër shembujt më të mirë se si nuk duhet vepruar për të zgjidhur problemet në të ardhmen. Pra, nëse Versaja nuk kishte arritur t’iu linte gjeneratave një eksperiencë pozitive, ajo gjithsesi na la një eksperiencë negative.

Makmilan konsideron me të drejtë se paqebërësit e vitit 1919 bënë gabime. Nga trajtimi i tyre i momentit i botës jo evropiane, ata nxitën mëri dhe inate për të cilat Perëndimi ende po paguan sot. Ata morën përsipër vuajtjet mbi kufijtë e Evropës, edhe pse ata nuk i vendosën ata kufij në mënyrë të kënaqshme për të gjithë.

Është tejet domethënës vlerësimi i Makmilanit kur thekson se “nëse ata do të kishin mundur të bënin më mirë, ata sigurisht që do të kishin mundur të bënin edhe më keq se kaq”. Ndoshta mund të konsiderohet e drejtë kur thuhet që ata nuk mund t’i parashikonin të ardhmen dhe ata sigurisht nuk mund ta kontrollonin atë. Kjo do të varej nga pasardhësit e tyre. Pikërisht fillimi i luftës tjetër botërore në vitin 1939 ishte si pasojë e vendimeve të marra apo të pamarra njëzet vite më parë dhe jo për shkak të marrëveshjeve të bëra më 1919.

Makmilan në përfundimet e saj do të konkludojë në mënyrë hipotetike se ngjarjet do të zhvilloheshin ndryshe, nëse Gjermania të ishte mposhtur plotësisht. Apo nëse SHBA-të do të ishin po aq të fuqishme pas Luftës së Parë Botërore sikur ishin pas Luftës së Dytë. Nëse Britania dhe Franca nuk do të ishin dobësuar aq shumë nga lufta. Nëse Austro-Hungaria nuk do të zhdukej. Nëse Kina nuk do të kishte qenë aq e dobët. Nëse Japonia nuk do të kishte qenë më e sigurt në vetvete. Nëse shtetet do ta kishin pranuar një Lidhje Kombesh më pushtet të vërtetë etj. Diplomati Hollbruk, duke e vlerësuar lart librin e Makmilanit, do të theksonte ndër të tjera: “Portreti i shkëlqyer për burrat e Parisit i bërë nga Makmilani për çfarë ata u përpoqën të bëjnë, ku patën sukses dhe pse dështuan, tani veçanërisht është i kohës. Kjo histori ndriçon, ashtu si mundet vetëm historia e madhe, jo vetëm të kaluarën, por edhe të tashmen. Ajo mund të na ndihmonte drejt së ardhmes. Mua më vjen keq se këtë nuk e kishim një dekadë me parë. Por ja ku është: një udhëtim magjepsës nëpër histori”.

Vlera e mirëfilltë e këtij studimi qëndron në faktin se autorja për ngjarjet që i shtjellon niset nga koha dhe hapësira e zhvillimit të tyre, duke i shkoqitur si duhet e në mënyrë shkencore si anët pozitive ashtu edhe anët negative të diplomacisë, që u zhvillua në atë periudhë kohore në Versajë. Natyrisht që peshë të rëndësishme për autoren Makmilan kishin edhe shtjellimi me pedanti i shkaqeve që kanë ndikuar në to.

Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi profesionist si dhe ai joprofesional të ketë para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete në vazhdimësi, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, autorja brumin e lëndës së këtij studimi e organizon në tetë pjesë të cilat janë të lidhura ngushtë mes veti dhe e përbëjnë boshtin e këtij studimi monografik. Në pjesën shtojcë autorja pasqyron 14 pikat e Presidentit Wilson. Natyrshëm që ky libër me peshë të madhe përfundon me bibliografinë e shumtë që na ofron autorja si dëshmi e punës së saj të madhe dhe të palodhshme. Duke e pasur mbështetjen në burime me shqyrtim të hollësishëm kritik të të dhënave faktografike, ky botim mban epitetin e librit shkencor. Botimi në fjalë plotëson një zbrazëti të madhe në diplomacinë botërore.

Nga e terë kjo mund të përfundojmë se diplomacia botërore është më e pasur për një analizë të thukët diplomatike, ndërsa diplomatët, historianët dhe të gjithë lexuesit te libri i Makmilanit gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve dhe momenteve diplomatike të cilat do të shërbejnë për t’i thelluar studimet dhe hulumtimet për kohën në shqyrtim të diplomacisë dhe të historisë botërore.

Filed Under: Interviste

SHKOLLA SHQIPE NË ROSENHEIM, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI

September 1, 2026 by s p

Mësuese Valbona Roqi: “Gjuha amtare është pjesë e identitetit dhe një trashëgimi që duhet ruajtur e përcjellë brez pas brezi”

Intervistoi: Sokol Paja

1. E nderuar mësuese Valbona cili është historiku i Shkollës Shqipe në Rosenheim, Gjermani?

Shkolla Shqipe në Rosenheim dhe në rrethinat e saj i ka fillimet që nga viti 2014, kur u bënë të mundura hapjet e para në disa klasa. Një formë më e organizuar mori në vitin 2017, me krijimin për herë të parë të shoqatës së LAPSH-it në Bavari.

Sigurisht, rrugëtimi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë. Në fillim kemi pasur vështirësi për organizimin e mësimit, gjetjen e hapësirave dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm nxënësish. Por me shumë përkushtim të mësuesve, mbështetjen e prindërve dhe të komunitetit shqiptar, shkolla është rritur dhe është zhvilluar gradualisht.

Një rol shumë të rëndësishëm në këtë rrugëtim ka luajtur Shoqata “Shqiponja”. Që nga krijimi i saj e deri më sot, ajo ka qenë mbështetësja kryesore e të dyja klasave në Rosenheim dhe Kolbermoor, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në organizimin e aktiviteteve kombëtare, kulturore dhe sportive.

Klasat tona kanë marrë pjesë edhe në Spartakiada sportive të organizuara në Graz të Austrisë. Për fëmijët këto janë përvoja shumë të bukura, sepse ata takojnë bashkëmoshatarë shqiptarë nga vende të ndryshme, përfaqësojnë shkollën dhe komunitetin tonë dhe krijojnë miqësi të reja. Këto aktivitete tregojnë se gjuha, kultura dhe sporti mund të na bashkojnë shumë bukur.

Për mua, si mësuese, është shumë e rëndësishme që fëmija të mos mësojë vetëm të lexojë e të shkruajë shqip, por të ndiejë krenari për gjuhën dhe prejardhjen e tij. Shkolla Shqipe është një urë që lidh vendin ku fëmijët jetojnë sot me rrënjët e tyre shqiptare.

Klasat tona kanë marrë pjesë tri herë në Festivalin Ndërkombëtar të Përrallave, që organizohet çdo vit në Mynih, ku fëmijët kanë mundësinë të tregojnë përralla në gjuhën shqipe.

Në dhjetor të vitit 2022 u përfaqësuam me pjesën “Dheu është flori”, në dhjetor të vitit 2023 me “Ariu që kërkonte babain” dhe në dhjetor të vitit 2025 me “Kësulëkuqja”.

Organizojmë gjithashtu aktivitete me pjesë teatrale, valle dhe këngë për festat tona kombëtare. Këto aktivitete janë pasqyruar edhe në televizionet e Kosovës dhe në RTSH, ku moderatorja Ketrin Gjocaj e përcolli shumë bukur punën e fëmijëve tanë dhe të Shoqatës “Shqiponja”. Për mua, çdo aktivitet i tillë është më shumë se një festë. Është një mundësi që fëmijët të flasin shqip, të dalin para publikut, të shfaqin talentin e tyre dhe, mbi të gjitha, të ndihen krenarë që janë shqiptarë.

2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?

Ne përdorim kurrikulën mësimore që është hartuar nga të dyja qeveritë tona shqiptare dhe përdorim librin Mëso Shqip në tre nivele, të botuar nga shtëpia botuese për diasporën. Por përveç librit, shumë e rëndësishme është edhe mënyra se si ua përcjellim fëmijëve gjuhën. Mundohemi që mësimi të jetë sa më i afërt, i kuptueshëm dhe të lidhet me jetën e tyre.

Një pjesë shumë e rëndësishme është bashkëpunimi me prindërit. Shkolla Shqipe nuk mund ta kryejë e vetme këtë mision. Ne kemi nevojë për familjen dhe për komunitetin.

Çdo prind duhet ta kuptojë se mësimi i shqipes nuk është thjesht një aktivitet shtesë. Është një investim në identitetin e fëmijës, në lidhjen e tij me familjen, me gjyshërit, me historinë dhe me rrënjët e veta. Prandaj, thirrja ime për prindërit shqiptarë në Rosenheim, Kolbermoor dhe rrethinë është shumë e thjeshtë: Flisni shqip me fëmijët tuaj! Lexoni shqip me ta! Dërgojini rregullisht në Shkollën Shqipe dhe bashkëpunoni me mësuesit!

3. Shkolla shqipe, a gjykoni se luan rolin e qendrës komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?

Për mua, Shkolla Shqipe është shumë më tepër se një klasë ku zhvillohet mësimi. Ajo është një vend ku bashkohemi, ku njihemi dhe ku krijojmë lidhje me njëri-tjetrin. Dokumentimi i historisë së Shkollës Shqipe është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ruan kujtesën kolektive të komunitetit tonë. Për brezat e rinj që rriten në Gjermani, njohja e këtij rrugëtimi është një dëshmi e fortë që i lidh me rrënjët e tyre, me vendin e gjyshërve dhe stërgjyshërve.

Kur fëmijët mësojnë për punën, sakrificat, përkushtimin dhe dashurinë me të cilën janë hapur dhe janë mbajtur gjallë Shkollat Shqipe, kuptojnë se gjuha amtare është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është pjesë e identitetit dhe një trashëgimi që duhet ruajtur e përcjellë brez pas brezi. Prandaj, Shkolla Shqipe është një qendër që bashkon, promovon kulturën tonë dhe na afron edhe më shumë si komunitet.

4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve ne Gjermani?

Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me një emocion të veçantë që e përjetuam gjatë udhëtimit drejt atdheut. “Ne flasim shqip” ishte motoja më e bukur e fëmijëve tanë. Qëllimi i këtij udhëtimi nga Rosenheim dhe Kolbermoor në Shqipëri ishte pikërisht që ta lidhim mësimin me përjetimin, kulturën dhe me takimin me bashkëmoshatarët në atdhe.

Udhëtimi ynë filloi në Shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, ku fëmijët tanë morën pjesë në një orë të Gjuhës Shqipe dhe një orë të Historisë. Më pas morëm pjesë në festën e Abetares, ku fëmijët e asaj shkolle festuan përfundimin e vitit të parë shkollor.

Një nga momentet më të veçanta ishte pritja në Presidencën e Republikës së Shqipërisë nga Presidenti z. Bajram Begaj, Zonja e Parë znj. Armanda Begaj dhe stafi i Presidencës. Fëmijët treguan detyrat e tyre dhe folën për sa të lumtur ishin që patën këtë mundësi shkëmbimi me fëmijët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri.

Aty e ndjemë shumë fort se, pavarësisht se ku lindim dhe ku jetojmë, gjuha që flasim na bashkon dhe na bën të ndihemi një familje.

Vizituam edhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, ku drejtoresha znj. Mimoza Hysaj u tregoi fëmijëve se si punohet me shumë pasion për të krijuar libra sa më të bukur dhe të kuptueshëm për fëmijët e diasporës.

Dhe, sigurisht, nuk mund të largoheshim nga Shqipëria pa vizituar Krujën. Fëmijët vizituan Muzeun Kombëtar të Skënderbeut dhe panë nga afër atë që ne mësojmë në klasë për historinë dhe qëndresën e shqiptarëve. Ishte një moment shumë emocionues, sepse historia që kishin lexuar në libra tashmë ishte përpara syve të tyre.

Udhëtimit tonë i dha edhe më shumë bukuri pjesëmarrja në festën e 1 Qershorit, organizuar nga Presidenti i Shqipërisë. Fëmijët u njohën me shumë bashkëmoshatarë dhe ndoqën një program artistik të mrekullueshëm, të drejtuar me shumë dashuri nga moderatorja Ketrin Gjocaj.

Një tjetër moment shumë i veçantë ishte pritja e fëmijëve në shtëpitë e familjeve shqiptare. Ata jetuan nga afër mikpritjen shqiptare dhe krijuan lidhje me bashkëmoshatarët e tyre. Ishte një dëshmi e bukur se sa shumë mund të na bashkojë gjuha.

Unë, si mësuese, e kam përjetuar këtë udhëtim si një nga përvojat më të bukura të punës sime. Jam shumë mirënjohëse ndaj prindërve, Shoqatës “Shqiponja” dhe sponsorëve që e bënë të mundur.

Ky udhëtim na tregoi edhe një herë se gjuha nuk është vetëm ajo që mësojmë në libër. Gjuha është ajo që na çon te njerëzit tanë, te gjyshërit, te historia dhe te vendi ynë.

Prandaj, ruajtja e gjuhës fillon në familje. Prindërit kanë rolin kryesor. Fëmija duhet ta dëgjojë dhe ta përdorë shqipen çdo ditë. Mesazhi im është: Mos e lini shqipen vetëm për në Shkollën Shqipe. Flisni shqip në shtëpi, lexoni libra shqip dhe tregojuni fëmijëve historinë dhe traditat tona.

5. Si reagon shoqëria Gjermane, si pritet shkolla shqipe, si pritet mësimi shqip?

Shkolla Shqipe pritet mirë nga shoqëria gjermane, sepse shihet si një mundësi që fëmijët të ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre, duke u integruar njëkohësisht në shoqërinë gjermane.

Edhe gjuha shqipe tashmë është pjesë e gjuhëve të prejardhjes që mbështeten në kuadër të politikave gjuhësore e arsimore në Bavari. Kjo tregon rëndësinë që i kushtohet shumëgjuhësisë dhe ruajtjes së gjuhëve të familjeve me prejardhje të ndryshme.

Bashkëpunimi me institucionet vendore dhe shoqatat shqiptare është shumë i rëndësishëm. Në këtë drejtim, edhe komuniteti shqiptar në Rosenheim dhe Kolbermoor ka dhënë një kontribut të madh.

Mbështetja e prindërve, shoqatave dhe familjeve shqiptare është ajo që e mban shkollën gjallë dhe na jep mundësi të bëjmë edhe më shumë për fëmijët. Kontributi më i madh është shumë i thjeshtë: t’i sjellim fëmijët rregullisht në Shkollën Shqipe, të bashkëpunojmë me mësuesit dhe ta flasim shqipen çdo ditë në familje.

6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënie për fëmijët me dy gjuhësi dhe projektet e zhvillimit të shkollës shqipe?

Vështirësia më e madhe është se fëmijët rriten në një mjedis dygjuhësh dhe, në shumicën e rasteve, gjermanishtja është gjuha që përdorin më shumë. Prandaj, kur vijnë në Shkollën Shqipe, kanë nivele të ndryshme në të folur, në lexim dhe në shkrim.

Kjo kërkon shumë durim, punë dhe, mbi të gjitha, përshtatje të mësimit për secilin fëmijë. Një sfidë tjetër është edhe koha, pasi mësimi shqip zhvillohet vetëm disa orë në javë. Megjithatë, ne përpiqemi që ato orë të jenë sa më të bukura dhe tërheqëse për fëmijët. Synimi ynë është që shkolla të zhvillohet më tej, të hapen mundësi të reja dhe të përfshijmë sa më shumë fëmijë.

7. Mësimi shqip, çfarë efekti ka pasur te fëmijët shqiptarë në rritjen e patriotizmit?

Mësimi i gjuhës shqipe ka një ndikim shumë të madh te fëmijët tanë. Kur ata mësojnë shqip, njohin më mirë historinë, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.

Por, mbi të gjitha, gjuha i afron me gjyshërit, me të afërmit dhe me njerëzit e tyre. Kur flasin të njëjtën gjuhë, komunikimi bëhet më i thjeshtë, më i ngrohtë dhe më i thellë. Edhe dashuria mes tyre shprehet më natyrshëm.

Kjo i bën fëmijët të ndihen krenarë për rrënjët e tyre dhe e forcon dashurinë për gjuhën dhe kombin shqiptar. Për mua, patriotizmi nuk është vetëm të flasësh për atdheun. Patriotizmi fillon duke e dashur dhe ruajtur gjuhën e të parëve tanë dhe duke ua përcjellë atë fëmijëve tanë.

8. Kush është mësuese Valbona Roqi?

Unë jam Valbona Roqi, e lindur, e rritur dhe e arsimuar në Shqipëri. Kam përfunduar Akademinë e Sporteve në Tiranë dhe kam punuar si mësuese në Gjimnazin “Myslym Keta” në Kombinat deri në vitin 2002. Në Tiranë kam pasur edhe një përvojë shumë të rëndësishme profesionale, duke punuar me Sorosin.

Prej 26 vitesh jetoj dhe punoj në Gjermani, ku kam vazhduar të punoj gjithmonë në fushën e arsimit dhe të sportit. Aktualisht jam mësuese e edukimit fizik në shkollat fillore dhe 9-vjeçare në Rosenheim dhe Kolbermoor. Gjithashtu punoj në një shkollë sportive për fëmijë dhe prej shumë vitesh jam trajnere basketbolli. Pra, puna me fëmijët dhe edukimi i tyre kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës sime profesionale.

Krahas kësaj, që nga krijimi i LAPSH-it në Bavari, jam angazhuar edhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe jap mësim në dy klasat në Rosenheim dhe Kolbermoor.

Gjatë gjithë përvojës sime profesionale kam kuptuar se puna me fëmijët kërkon shumë durim, përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri. Për këtë arsye, edhe gjuhën shqipe jam përpjekur gjithmonë ta përcjell me pasion dhe ta bëj sa më të afërt dhe të dashur për fëmijët.

Një temë që e kam pasur gjithmonë shumë për zemër është dygjuhësia. Kam vënë re nga përvoja ime se familja ka një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës së fëmijës. Prandaj, mësuesi dhe prindi duhet të punojnë së bashku.

Jam gjithashtu një nënë krenare e dy fëmijëve, të lindur dhe të rritur në Gjermani. Vajza ime sapo ka përfunduar studimet për Arkitekturë dhe në temën e diplomës zgjodhi Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, duke e prezantuar me krenari historinë dhe prejardhjen e saj shqiptare. Djali im fillon studimet këtë vit. Të dy flasin shqip dhe e duan shumë Shqipërinë.

Kjo për mua është dëshmia më e bukur se gjuha mund të ruhet edhe larg atdheut, nëse në familje dhe në shkollë punojmë me dashuri dhe përkushtim.

Dhe do të vazhdoj me shumë dëshirë këtë punë. Do të jem veçanërisht e lumtur kur një ditë një mësuese e brezit të ri të marrë në dorë këtë mision në diasporë dhe ta vazhdojë me po atë dashuri për gjuhën shqipe.

Filed Under: Interviste

“Dijetari i fshehtësive”, një film befasues për Hasan Tahsinin

August 31, 2026 by s p

Një film dokumentar, i titulluar “Dijetari i fshehtësive”, me skenar dhe regji të Admirina Peçit, produksion i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, do të shfaqet premierë më 16 shtator 2026. Vepra është një ridimensionim i figurës së Rilindasit të shquar, i cili ende njihet shumë pak nga brezat e rinj.

Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini njihet si dijetar i gjithanshëm çam, nga Ninati i Konispolit, me interesa të gjera shkencore; filozof, gjuhëtar, poet, psikolog, njeri që thoshte me kompetencë fjalën e vet në shumë fusha të shkencave natyrore, pasi njihte mirë matematikën, astronominë, fizikën etj.

Filmi zbulon jo vetëm këtë kontribut të Tahsinit në fusha të ndryshme, por i bën të vetëdijshëm brezat e sotëm për vlerat tona si popull dhe si komb.

H. Tahsini ka hyrë në Enciklopedinë tonë si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX, kurse në historinë e shkencës turke si më i larti ndër të lartët. Në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, njihet si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, të hapur më 1869.

Tahsini njihte kulturën e Lindjes dhe të Perëndimit. Personaliteti i tij ishte bërë i njohur edhe në qarqet akademike franceze. Prandaj, shteti francez i propozoi ta bënte rektor të Universitetit të Bordosë. H. Tahsini këtij propozimi i dha një përgjigje dinjitoze: “Mua më ka dërguar për studime shteti osman dhe kam detyrime ndaj tij, prandaj unë do t’i shërbej atij deri në fund…”

Tahsini ishte një personalitet i rrallë, një filozof dhe shkencëtar në kërkim të kuptimit ekzistencial, një dijetar që përdori analizën ekzistenciale.

Fondi kryesor i pikëpamjeve të tij në filozofi ishte ai i racionalistëve, me një ndjeshmëri kozmopolite dhe të admirueshme për të zbuluar çka është e pranueshme dhe njerëzore, përballë miteve dhe dogmave, duke shpjeguar se psikika dhe dukuritë e saj janë veti të materies, gjë që duket shumë e avancuar dhe krejt e pazakontë për kohën kur ka jetuar.

H. Tahsini më shumë i përket teorisë gnoseologjike të sensualizmit dhe është përkrahës i psikologjisë introspektive, duke pranuar natyrën reflektuese të psikikës dhe rolin që luajnë organet e shqisave në njohjen e botës dhe të realitetit, duke rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me to.

Në film do të gjeni detaje nga madhështia e brendshme e këtij njeriu të veçantë, që mbeti deri në fund me shpirt e me mendje të pastër dhe nuk u sundua nga halucinacionet e kohës dhe dogmat zyrtare, në kërkim që bota të gjente superkuptimin.

“Ne vetë duhet t’u përgjigjemi pyetjeve që parashtron jeta për ne dhe këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjemi vetëm duke u treguar të përgjegjshëm për ekzistencën tonë.”

Kjo ishte bindja e Tahsinit, që u shndërrua në themelin e jetës së tij personale dhe të identitetit të tij.

E vërteta e thjeshtë e këtij filozofi dhe dijetari të rrallë ka domethënie të thellë për këdo që e dëgjon.

Mesazhet e filmit janë shumë të rëndësishme. Filmi nxit një reflektim përballë mjerimit të epokës sonë, që shkencën po e kthen në dogmë, ndryshe nga sa veproi Tahsini shekuj më parë. Filmi i A. Peçit, mbështetur nga A. Veliu, është një nxitje për historianët e sotëm që të merren më shumë me këtë figurë unike.

Një ftesë grishëse jo vetëm për studiuesit shqiptarë, por edhe për ata të huaj, në radhë të parë turq. Por kjo u takon edhe studiuesve francezë, ku ai ka ushtruar aktivitetin shkencor përmbi një dekadë dhe ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me dijetarë të shquar francezë të kohës, të fushave të ndryshme, duke nisur nga politika e diplomacia, deri te arsimi e shkenca.

Filmi tregon historinë e jetës së një personi, ose të paktën vitet më të rëndësishme historike të jetës së tij. Baza faktike e dokumentarit është mbështetur në prova historike dhe materiale arkivore: fotografi, video të vjetra, gazeta dhe dokumente origjinale të epokës, intervista me historianë e studiues, dëshmi etj.

Këto materiale shpalosen përmes kontributit të historianëve dhe studiuesve të njohur: Fatih Sancaktar, Luan Rama, Hasan Bello, Manushaqe Halili, Laurant Bica, Enver Kushi, Xhafer Sadiku, Elinda Dibra, astrofizikania Mimoza Hafizi dhe skulptori Ilmi Kasemi Beati.

Regjisorja ka bërë organizimin e ngjarjeve sipas kohës kur kanë ndodhur; operatori Agust Kamberi ka ekzekutuar vizionin vizual regjisorial, ndërsa montazhieri Riza Vreko ka lidhur skenat mes tyre, për të krijuar një rrjedhë logjike dhe emocionale.

Autorja ka përdorur rindërtimet skenike (reenactments): aktrimi i ngjarjeve të kaluara, për të mbushur mungesën e pamjeve reale, është realizuar përmes interpretimeve të aktorëve Kastriot Ramollari, Sokol Angjeli dhe Amri Hasanlliu.

Po ashtu, spikat zëri shoqërues (naracioni): zëri që tregon historinë, lidh faktet dhe udhëheq shikuesin.

Padyshim, dokumentarët televizivë ende mund të thonë shumë gjëra, pavarësisht nga audienca apo hapësira e shfaqjes. Aq më tepër një vepër si kjo, e ndërtuar mbi një tekst sinkretik, semiotikisht kompleks.

Arben Iliazi

Filed Under: Interviste

Nga rrënjët e letërsisë te gazetaria globale: Një bisedë me gazetaren poliglote Rafaela Prifti

August 27, 2026 by s p

Bisedoi: Raimonda Moisiu –SADE/

Kur je bija e Mjeshtrit të madh të tregimit shqiptar, dhe një kolosi të letrave shqipe si Naum Prifti, fjala e shkruar është pjesë e kodit tënd gjenetik.Të rritesh në një mjedis ku fjala ka peshën e historisë dhe artit është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe.

Vajza e shkrimtarit tonë të shquar, Naum Prifti, mbart me vete jo vetëm trashëgiminë e vyer të të atit, por edhe një profil të spikatur intelektual që shkëlqen me dritën e vet. Gazetare poliglote, eseiste dhe analiste me një penë të mprehtë, Rafaela Prifti lëviz me lehtësi dhe elegancë absolute midis gjuhës shqipe dhe asaj angleze, duke shkruar artikuj, kolona dhe analiza që prekin thellësisht çështjet tona kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

Rafaela Prifti ka ditur të gdhendë profilin e saj unik në botën e medias, si një gazetare poliglote e profileve të larta, ajo reflekton një kulturë të gjerë perëndimore dhe një zotërim brilant të ligjërimit në të dyja anët e Atlantikut. Artikujt dhe kolonat e saj në anglisht dhe shqip janë dëshmi e një mendjeje analitike që analizon me saktësi realitetet tona. Përmes një komunikimi që kapërcen kufijtë kulturorë, sfidat e gazetarisë dygjuhëshe dhe kujtimet e vyera që ushqejnë rrugëtimin e saj professional, -Rafaela Prifti mbetet një zë i fuqishëm dhe i respektuar i Diasporës shqiptare në SHBA.

Në këtë bisedë, Rafaela ndalet veçanërisht te burrat e shquar të familjes Prifti — Peter dhe Naum Prifti. Përmes kujtimeve të saj, ajo shpërfaq arkivën e tyre të pasur krijuese, të mbushur me dorëshkrime të rralla, letra historike dhe libra specifikë, duke e ndriçuar atë si një thesar me vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Njëkohësisht, ajo sjell në dritë profilet e personaliteteve të mëdha historike që kanë përfaqësuar ndër vite Federatën “Vatra” dhe gazetën “Dielli”. Ne dhe Ju do të njihemi me Rafaelën përtej rreshtave të saj mediatikë: pasionin për të vërtetën, sfidat e të shkruarit në dy gjuhë dhe amanetin kulturor që mbron çdo ditë.

-Si ka filluar rrugëtimi yt në gazetari?

Po të kthehem pas tek studimet universitare në Fakultetin Gjuhë Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës në 1986-1990, them se ishte vijimësi e pritshme të shkoje në fushën e gazetarisë. Ashtu ndodhi edhe për mua, veçse me disa “zig-zage”. Për një kohë të shkurtër, hyra në gazetën e sapo hapur 24 orë. Megjithatë ‘gravitacioni’ duhet te ketë anuar nga sfera krijuese për shkak se shumë shpejt, pas shpalljes së një konkursi nga Kinostudio 1991, hyra në kursin e skenaristëve, ku kishte edhe të sapo-diplomuar nga dega e anglishtes, bashkë me talente të rinj të studios. Sipas gjasave pritej prurje e freskët e reformuar me skenaristë, regjisorë, drejtorë fotografie etj. Por era e ndryshimeve, që kishte nisur të frynte ishte sa shpresëdhënëse, aq edhe çorientuese për Shqipërinë sepse ndërsa e vjetra po binte, e reja e shumëpritur nuk dinte nga të shkonte. Fondet e Kinostudios të kishin qenë shterur dhe ato të një reje që nuk dihej nga do vinin, sollën që kursi disamujor të shkrihej pa filluar kurrë.

Ndërkohë hapeshin mundësi të tjera, gjë që ndodh në çdo kohë, por, për atëherë, ishte një kapërcim i madh. Xhaxhai im nga Amerika Peter Prifti më njoftoi për mundësinë e arsimimit pasuniversitar me bursën prestigjioze Fulbright, të ofruar për studentët e diplomuar shqiptarë përmes Ambasadës Amerikane, të rihapur atëherë në Tiranë. Bashkë me dhjetë kandidatët e parë ndiqnim kurse për provimet e kërkuara të gjuhës TOEFL dhe diplomimit GRE (Graduate Record of Examination), dy kërkesat e Universiteteve amerikane për studimet pasuniversitare. Unë zgjodha të studioj për titullin shkencor Master në Antropologji Sociale ose Kulturore, degë që nuk e kisha studiuar dhe aso kohe nuk ekzistonte në Shqipëri. Ishte fushë që hapte dhe lejonte hapësirë për të studiuar shoqëritë dhe kulturat pa dallim dhe rast për të fituar njohuri më të thella humane, të cilat besoj i konsideroja si kundra-peshë të edukimit shkollor të deriatëhershëm.

Në korrik 1992 pasi u pranova nga New School University (atëherë New School for Social Research) (Shkolla e Re për Studime Sociale) u nisa nga Shqipëria për në Nju Jork. Vite me pas rrugët e fatit më kthyen në gazetari. Për një kohë tek Shërbimi i Gjuhës Shqipe, Zëri i Amerikës, në Uashington dhe më pas në Radio Televizionin e Kosovës, pas luftës, në 2001 dhe për herë të tretë, tek gazeta Dielli, në dhjetor 2018, ku jam edhe sot Editore për botimet anglisht. Të paktën në dy raste e kam ndërthur në trajtë të shtjelluar antropologjinë dhe gazetarinë: një ka qenë studimi im për librin “Përmes Mirditës në Dimër”, botim shqip dhe anglisht me një histori shumë të gjatë dhe të hatashme, që meriton të trajtohet më vete, dhe e dyta, studimi krahasimor për ritet japoneze dhe ato veriore shqiptare të studiuesit Kazuhiko Yamamoto nga Kyushu University.

-A ka pasur ndonjë moment që ju ka ndryshuar mënyrën si e shihni profesionin e gazetarisë?

Largpamësia e themeluesve të Diellit, gazetë që daton nga viti 1909, e cila i parapriu themelimit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra më 1912, më mbush me admirim. Mendoj sesi idealet që frymëzuan kombësinë e një vendi që u shkëput nga një perandori e madhe si ajo britanike u patën ndjerë në shumë anë të globit. Në 1909, kur patriotët shqiptarë i dhanë emrin gazetës Dielli në Boston, Amerika ishte 133 vjeçare dhe kishte plot probleme por ishte vendi nga vinte shpresa për lirinë, zelli për aktivizëm politik dhe përkushtimi për t’ia dalë mbanë.

Së dyti, ndiej admirim kur mendoj se në kohën kur pjesa dërmuese e emigranteve ishin analfabetë, Dielli u bë abetare dhe libër leximi, përpara se të ishte dritare e mendjes dhe zëri i ndërgjegjes kombëtare për pavarësimin e Shqipërisë.

Sot e kësaj dite, më mrekullojnë shkrimet e gazetës Dielli të kronikave të periudhës së pavarësisë, të raporteve për takimet me përfaqësuesit e Lidhjes së Kombeve, reportazhet sukseset e sipërmarrësve shqiptare të kohës, artistët dhe mjeshtërit. Ne vijmë nga një trashëgimi vërtet shumë e madhe edhe në fushën e gazetarisë, dhe kjo, për mua, është përgjegjësia jonë sot. Në çfarëdo krize që ka kaluar gazeta, dhe ka kaluar plot të tilla, politike dhe financiare, unë besoj se Dielli është gazetë e Vatrës aq sa edhe e bashkësisë shqiptare të Amerikës. Sado të kërkojmë nga gazeta Dielli sot, si edhe nga vetja jonë, kam bindjen se institucione të tila të vetëdijes sonë kombëtare ne nuk i ndërtojmë dot më, prandaj na takon t’i mbajmë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që meritojnë.

-A mendoni se publiku ka ende besim te mediat tradicionale?

Mendoj se besimi i publikut te mediat tradicionale ka hyrë në një pikë kthese kritike dhe komplekse. Nga njëra anë, në epokën e sotme të dezinformimit dhe pseudo-lajmit të amplifikuar në rrjetet sociale, ka një tendencë për t’u informuar nga burime te verifikuara. Por nga ana tjetër, ky besim është zbehur shpesh për shkak të ndikimeve politike, interesave financiare të pronarëve të mediave dhe njëanshmërisë në raportim. Si rrjedhojë publiku e ka humbur besimin. Audienca e sotme është me skeptike dhe kërkon më shumë transparence, llogaridhënie dhe pavarësi editoriale për ta fituar dhe konsoliduar besimin e saj tek mediat.

-A ka pasur ndonjë moment që ju ndryshuat mënyrën si e shihni profesionin e gazetarisë?

Mendoj se kam pasur një trajektore që ka kaluar nga modeli i kronikës në një informim të fokusuar tek interesat dhe njohuritë për lexuesin. Por këtë mund ta gjykojë vetëm lexuesi.

– Nëse do intervistonit sot babanë apo xhaxhanë tuaj, çfarë pyetjesh do dëshironit t’u bënit?

Të dy ishin Sekretarë të Vatrës, në kohë të ndryshme si edhe kontributorë të gazetës Dielli për vite të tëra, përveçse ishin autorë dhe studiues të mirënjohur. Natyrisht, Peter Prifti ishte ndihmës editor tek Dielli në fund të viteve 1950. Më lejo të them këtu se intervistën tënde me babanë në kohën kur sapo kishte çuar hirin e të vëllait në Shqipëri e konsideroj një nga më të ndjerat dhe e vlerësoj nga shumë anë. Madje e ndiej kaq pranë vetes sa më duket se aty ka edhe diçka nga unë, prandaj të shpreh mirënjohjen time për të. Ajo, në të vërtetë, ka qenë pikënisja e kësaj bisede, e cila është e para dhe e vetmja që kam dhënë.

Të falemnderit shumë, Monda!

Filed Under: Interviste Tagged With: Rafaela Prifti

“Beyond the Runway”, stilistja Lejda Troci: “Pas çdo veshjeje është një histori, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje”

August 25, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. E nderuar Lejda si lindi ideja për spektaklin “Beyond the Runway”? Cilat janë të veçantat e spektaklit të 12 shtatorit në New York?

“Beyond the Runway” është vazhdim i eksperiencës sime personale përgjatë trajtimit të kancerit. Është një mesazh për motrat, nënat dhe vajzat që jeta vazhdon edhe pas trajtimeve të kancerit. Është një thirrje për të mos humbur kurajon dhe guximin për të mposhtur sfidën, por edhe për të arritur suksese dhe maja më të larta.

2. Çfarë synoni të përcillni përmes këtij eventi dhe çfarë e bën “Beyond the Runway” të ndryshëm nga një sfilatë tradicionale mode të organizuara më herët prej jush?

Forca, guximi, sakrifica dhe dashuria arrijnë t’i shndërrojnë ëndrrat në realitet. Dhe sot, që pothuajse jam në përfundim të trajtimeve të mia, dëshiroj t’i them publikut se pas çdo veshjeje është një histori, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje, një dritë suksesi.

Çfarë e bën të ndryshme këtë sfilatë është silent auction. Një nga fustanet është dhuruar për Memorial Sloan Kettering Cancer Center dhe do të shitet në silent auction. Të ardhurat do të shkojnë për kërkimet shkencore mbi kancerin e gjirit (breast cancer research). Bashkëpunimi me Memorial Sloan Kettering Cancer Center e bën edhe më kuptimplotë këtë event.

3. Cili është roli i këtij spektakli në promovimin e veshjeve shqiptare, modeleve dhe promovimin e dizajnerëve shqiptarë?

Pjesa më e madhe e veshjeve kanë punime dore, me grep apo qëndisje, një traditë mjaft e lashtë shqiptare.

Gjithashtu, është përdorur ngjyrosje natyrale e copave me fruta – një aftësi e trashëguar nga nënat dhe gjyshet tona.

Në këtë sfilatë kam integruar pjesë të bëra me dorë, dhuratë nga një mësuese e shkollës së mesme, nga nëna ime dhe nga kushërirat e mia. Dhe them me plot bindje se çdo pjesë e integruar më ka dhënë forcë dhe energji gjatë kësaj lufte jo të lehtë. Pozitiviteti dhe dashuria e tyre ishin pjesë e forcës time në këtë luftë.

4. Sipas gjykimit tuaj, si ndikon moda në mënyrën se si njerëzit e shohin, njohin dhe e shprehin veten?

Moda shihet në mënyra të ndryshme. Për mua, është ndjenja që më jep kur krijoj diçka të re – është një fllad pranvere, është një luftëtar i jetës, është një dritare ku shohim të ardhmen, është një prekje ku ndjehemi të lumtur.

5. “Beyond the Runway” bashkon modën, muzikën, modelet dhe artin në një eksperiencë të veçantë. A është ky spektakël një prezantim i vlerave shqiptare ndërkombëtarisht?

Puna e dorës, muzika shqiptare, të ftuarit – pjesa më e madhe janë shokë e miq shqiptarë. Pjesa dërrmuese e grupit (99%) që organizuam këtë sfilatë sot jemi shqiptarë.

Bashkuar këtu janë mjekë, inxhinierë, policë, shkencëtarë të ardhshëm, studentë shqiptarë… shokë e miq që qëndruan pranë meje gjatë trajtimeve mjekësore dhe tani gjatë realizimit të kësaj ëndrre.

Për mua, ky grup është spektakli i vërtetë i vlerave shqiptare. Bashkimi bën fuqinë – ka qenë një moto shqiptare. Bashkimi më dha forcë dhe jetë dhe tani ky bashkim i jep vlerën më të madhe këtij spektakli.

6. A keni menduar që “Beyond the Runway” të shndërrohet në një event të përvitshëm apo në një platformë më të gjerë për talentet e reja të modës e promovimit të veshjeve tradicionale shqiptare?

Është një ide. Kam parë që po organizohen spektakle nga dizajnerë shqiptarë. Koha po vjen që, me siguri, në të ardhmen do të bëjmë diçka së bashku.

Foto: “Fashion Week Studio”

Filed Under: Interviste Tagged With: Lejda Troci, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT