• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi

September 26, 2026 by s p

Mësuese Majlinda Lipi: “Një nga format më të bukura të patriotizmit: të duash gjuhën duke e përdorur, të njohësh kulturën duke e mësuar dhe të respektosh origjinën”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. E nderuar mësuese Majlinda, si është organizuar dhe zhvilluar kursi i gjuhës shqipe në Katerini?

Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, funksionon prej 8- të vjetësh. Në vitet e fundit, është zhvilluar gradualisht dhe ka marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe për familjet shqiptare. Në fillim, sfida kryesore ishte t’i afronim fëmijët me gjuhën shqipe dhe t’i bindnim se shqipja nuk është vetëm një gjuhë që flitet në familje, por është edhe një gjuhë që duhet të mësohet, të shkruhet dhe të ruhet.

Sot kemi fëmijë me nivele të ndryshme të njohjes së shqipes. Disa e flasin mirë në familje, ndërsa të tjerë e kuptojnë, por kanë vështirësi në të folur, në lexim ose në shkrim. Për këtë arsye, puna jonë nuk kufizohet vetëm te gramatika dhe leximi. Përpiqemi që gjuha të lidhet me kulturën, historinë, traditat, këngët, letërsinë dhe përvojën e vetë fëmijëve.

Një ndryshim i rëndësishëm në zhvillimin e kursit është edhe mënyra se si zhvillohet mësimi. Kursi ynë zhvillohet online, gjë që na ka nxitur të përdorim metoda dhe materiale më bashkëkohore, të përshtatura me nevojat e fëmijëve të diasporës. Përdorim materiale vizuale, aktivitete krijuese, projekte, prezantime, punë individuale dhe në grup, duke u përpjekur që edhe përmes ekranit fëmijët të jenë aktivë dhe të përfshirë në procesin mësimor.

Çdo orë mësimi online është një mundësi për të folur, për të bashkëpunuar, për të krijuar dhe për ta përjetuar shqipen. Në këtë mënyrë, teknologjia nuk bëhet pengesë, por një mjet që na ndihmon ta afrojmë gjuhën shqipe te fëmijët tanë.

2. Çfarë mbështetjeje kërkoni nga prindërit, institucionet shqiptare dhe shoqatat patriotike në Greqi?

Kursi i gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi” në Katerini është pjesë e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe ka mbështetjen e plotë të saj. Kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për ne, sepse na jep mundësinë të punojmë të organizuar, të kemi bashkëpunim me mësues të tjerë të gjuhës shqipe dhe të jemi pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës e kulturës shqiptare në diasporë.

Ajo që do të dëshironim të forconim edhe më shumë është bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin. Prindërit kanë një rol të pazëvendësueshëm, sepse ajo që mësohet në kurs duhet të vazhdojë edhe në shtëpi. Sa më shumë të flitet shqip në familje, të lexohen libra shqip dhe të nxiten fëmijët të komunikojnë në shqip me prindërit dhe gjyshërit, aq më e fortë bëhet puna që zhvillohet në kurs.

3. Cili është ndikimi i kursit të shqipes në rritjen e patriotizmit te fëmijët?

Unë mendoj se ndikimi i kursit është i dukshëm sidomos në mënyrën se si fëmijët fillojnë ta shohin gjuhën shqipe. Në fillim, për disa prej tyre shqipja mund të jetë thjesht gjuha që flasin prindërit ose gjyshërit. Me kalimin e kohës, ajo fillon të bëhet pjesë e identitetit të tyre.

Kur një fëmijë mëson të lexojë një tekst shqip, të shkruajë një poezi, të tregojë një histori nga familja, të mësojë për një figurë shqiptare apo të prezantojë një traditë, ai nuk po mëson vetëm fjalë të reja. Ai po zbulon një pjesë të historisë dhe kulturës së vet.

Për mua, ky është edhe një nga format më të bukura të patriotizmit: të duash gjuhën duke e përdorur, të njohësh kulturën duke e mësuar dhe të respektosh origjinën. Në këtë kuptim, kursi i shqipes bëhet një urë midis brezave. Fëmija mund të komunikojë më mirë me gjyshërit, të kuptojë historinë e familjes dhe të ndihet më i lidhur me origjinën e tij.

4. Si lindi ideja për temën “Shqipja që udhëtoi me ne”?

Tema “Shqipja që udhëtoi me ne” lindi nga realiteti i përditshëm i fëmijëve shqiptarë që jetojnë dhe rriten në diasporë. Shumë prej tyre kanë lindur në Greqi ose kanë ardhur këtu në moshë shumë të vogël. Greqishtja është gjuha që përdorin në shkollë, me shokët, në mjedisin ku jetojnë, ndërsa shqipja është kryesisht gjuha e familjes.

Prandaj mendova se në fillim të vitit shkollor ishte e rëndësishme të mos fillonim menjëherë me rregulla gramatikore apo me detyra.

Doja të fillonim me një pyetje më të madhe: Çfarë vendi ka shqipja në jetën e secilit prej nesh?

Titulli “Shqipja që udhëtoi me ne” lidhet pikërisht me këtë ide. Kur familjet shqiptare u larguan nga Shqipëria dhe shkuan në vende të tjera, nuk morën me vete vetëm valixhet dhe sendet personale. Morën kujtimet, zakonet, këngët, historitë familjare dhe mbi të gjitha gjuhën. Për mua, “udhëtimi” është një metaforë. Shqipja ka udhëtuar nga një vend në tjetrin, nga Shqipëria drejt Greqisë, por edhe nga një brez te tjetri. Ka udhëtuar nga gjyshërit te prindërit dhe nga prindërit te fëmijët.

Ndoshta një fëmijë sot nuk jeton në vendin ku kanë lindur prindërit e tij, por ai mund të dëgjojë ende nga gjyshja: “Eja, bir!”, “Si je?”, “Hajde të hamë!”, “Mirëmëngjes!”. Janë fjalë shumë të thjeshta, por mbartin histori, kujtime dhe marrëdhënie familjare. Prandaj themi se gjuha nuk qëndroi pas kur njerëzit u larguan. Ajo udhëtoi bashkë me ta.

5. Çfarë vështirësish hasin fëmijët shqiptarë që rriten në Greqi?

Fëmijët e diasporës jetojnë në një realitet gjuhësor të ndryshëm nga ai i fëmijëve që rriten në Shqipëri. Ata mund të dëgjojnë shqip në shtëpi, por pjesën më të madhe të ditës komunikojnë në greqisht. Prandaj mund të ndodhë që një fëmijë:

· ta kuptojë mirë shqipen, por të ketë vështirësi në të folur;

· të flasë shqip në familje, por të ketë vështirësi në shkrim;

· të ketë fjalor të kufizuar;

· të ndihet më i sigurt kur flet greqisht;

· të ketë frikë se mos bën gabime në shqip.

Dhe këtu mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm si mësues. Fëmija nuk duhet të ndihet i gjykuar sepse nuk e di një fjalë shqip. Përkundrazi, duhet ta ndihmojmë ta zbulojë atë fjalë.

6. Roli i familjes në mësimin e gjuhës shqipe?

Familja ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, por në shumë raste vetëm komunikimi i përditshëm nuk mjafton për zhvillimin e plotë të gjuhës. Fëmija mund të komunikojë në shqip për gjërat e përditshme, por të ketë nevojë për mbështetje të veçantë për leximin, shkrimin, pasurimin e fjalorit dhe ndërtimin e fjalive. Prandaj kursi i gjuhës shqipe plotëson atë që familja nuk mund ta bëjë gjithmonë vetëm. Familja e mban gjuhën gjallë në jetën e përditshme, ndërsa shkolla e ndihmon fëmijën ta zhvillojë dhe ta pasurojë atë.

7. Çfarë mesazhi do t’u jepnit prindërve dhe nxënësve?

Do t’u thosha prindërve të mos presin që fëmija të mësojë shqipen vetëm në orën e kursit. Një apo dy orë në javë janë të rëndësishme, por nuk janë të mjaftueshme pa mbështetjen e familjes. Edhe nëse prindi nuk ka kohë të bëjë ushtrime me fëmijën, mund të krijojë momente të vogla në shqip.

Një bisedë, një përrallë, një këngë, një telefonatë me gjyshërit, një histori nga fëmijëria e prindërve – të gjitha këto janë pjesë e mësimit. Fëmijëve u them: mos mendoni se shqipja është vetëm një gjuhë që duhet ta mësoni. Mendoni se është një gjuhë që ka bërë një udhëtim të gjatë për të ardhur deri tek ju. Ka ardhur nga prindërit, nga gjyshërit, nga historitë e familjes suaj. Dhe tani ju keni mundësinë ta mësoni, ta flisni, ta pasuroni dhe një ditë t’ua përcillni edhe fëmijëve tuaj. Sepse udhëtimi i shqipes nuk mbaron me ne.

Filed Under: Interviste

“Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern

September 24, 2026 by s p

Poeti, prozatori dhe romancieri Prend Ndoja: “Dashuria bëhet ura që lidh shkencën me dritën, arsyen me shpirtin, mendjen me zemrën”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar z.Ndoja përgëzime për romanin tuaj më të ri “Mes shkencës dhe dritës”. Çfarë do të thotë ky titull dhe si shkrihet shkenca me dritën?

E zgjodha këtë titull jo për të krijuar një efekt jashtëletrar, as për pamje shkencore ose filozofike. Ai është, në njëfarë mënyre, çelësi për të hyrë në botën e romanit. Shkenca dhe drita janë dy koncepte që në pamje të parë mund të duken të largëta nga njëri-tjetri. Por në roman ato takohen në një hapësirë shumë njerëzore, në kërkimin e së vërtetës dhe të kuptimit të jetës. Kështu, “Mes shkencës dhe jetës” nuk përfaqëson një titull libri, por është reflektim filozofik që mbështjell të gjithë udhëtimin e dy personazheve kryesorë të tij, Markut dhe Maries. Në brendinë e tij fshihet tensioni i përhershëm njerëzor: ai mes dijes që kërkon të shpjegojë botën dhe dritës shpirtërore që kërkon ta kuptojë atë.

Shkenca, me gjithë madhështinë e saj, nuk mjafton për të shpjeguar jetën. Ajo na jep mekanizmin, por jo kuptimin. Na jep formulën, por jo arsyen pse ekziston formula. Na jep strukturën, por jo frymën. Nga ana tjetër, edhe misteri i dritës nuk mjafton. Drita na jep ndjesinë, por jo provën; na jep intuitën, por jo matjen; na jep shenjtërinë, por jo sistemin. Prandaj, në këtë roman, këto dy botë nuk përplasen, por shkrihen midis tyre. Shkrihen përmes dashurisë, në një fushë të përbashkët, ku njeriu mund të kuptojë më shumë nga vetja dhe nga jeta. Dashuria bëhet ura që lidh shkencën me dritën, arsyen me shpirtin, mendjen me zemrën. Dhe megjithëse romani mbart elemente të thella filozofike, ai rrjedh qetë, si një valë lumi që prek brigjet pa i trazuar. Në sipërfaqe është një histori dashurie e zakonshme, por nën sipërfaqe është një udhëtim i brendshëm, një kërkim i kuptimit, një përpjekje për të gjetur ekuilibrin mes dy botëve që na formojnë. Ky titull, në thelb, është një ftesë: të shohim jetën jo vetëm me mendje, por edhe me dritë.

Drita ka disa kuptime në roman. Është drita reale e diellit, e yjeve dhe e universit, por është edhe drita e brendshme e njeriut, që shfaqet tek vetëdija, dashuria, shpresa, mirësia, besimi dhe aftësia për ta parë jetën përtej asaj që mund të preket e të matet.

Që në fillim të romanit shtrohet pyetja se ku janë kufijtë e fuqisë së shkencës dhe cili është roli i dritës së brendshme shpirtërore përballë misterit. Kjo pyetje më ka interesuar si një përpjekje për të kuptuar se si këto dy botë mund të bashkëjetojnë brenda njeriut. Prandaj “mes” është një fjalë shumë e rëndësishme në titull. Nuk kam përdorur fjalët “përballë”, apo “kundër”. Por kam zgjedhur fjalëzën “mes”. Pikërisht në këtë hapësirë ndodhet njeriu. Mes asaj që di dhe asaj që nuk di. Mes arsyes dhe intuitës. Mes asaj që mund ta shpjegojë dhe asaj që vetëm mund ta ndiejë. Në roman drita lidhet edhe me vetë jetën. Maria, që në fëmijëri, e përjeton lindjen e dritës si një moment të veçantë, ajo bëhet për të gradualisht një mënyrë për ta kuptuar jetën.

2. Cila ishte shtysa kryesore në krijimin e kësaj vepre letrare?

Nuk besoj se romanet duhet të fillonë gjithmonë me një ngjarje. Ndonjëherë mund të fillojë me një pyetje që të qëndron gjatë në mendje. Në rastin e këtij romani, një nga pyetjet që më ka shoqëruar ishte: A mund ta shpjegojë shkenca gjithçka që përjeton njeriu? Kjo pyetje më ka interesuar jo vetëm nga ana shkencore, por sidomos nga ana njerëzore. Ne dimë sot jashtëzakonisht shumë për universin, për natyrën, për trupin e njeriut. Por, krahas gjithë kësaj dijeje, vazhdojmë të pyesim: Çfarë është dashuria? Çfarë është ndërgjegjja? Pse kemi nevojë për kuptim? Çfarë ndodh me ne përballë vdekjes? Dhe çfarë është ajo dritë e brendshme që na mban gjallë edhe në çastet më të vështira? Nuk doja që këto pyetje t’i trajtoja në formën e një eseje as shkencore e as filozofike. Doja t’i trajtoja në një roman, duke i vendosur natyrshëm e në mënyrë harmonike në jetën e personazheve. Sepse letërsia ka fuqinë që një ide ta bëjë të jetueshme përmes personazheve. Prandaj kërkova dy njerëz që të përfaqësonin dy mënyra të ndryshme të vështrimit të botës. Kështu u krijuan dy protagonistët e veprës, Maria dhe Marku. Maria është gazetare, një grua e lidhur fort me natyrën, me jetën, me njeriun dhe me atë që unë e quaj “dritë të brendshme”. Marku është profesor i astrofizikës, njeri i shkencës, i universit dhe i kërkimit racional. Ata takohen, dashurohen dhe, nëpërmjet marrëdhënies së tyre, fillojnë të diskutojnë për pyetjet më të mëdha që i kanë shoqëruar njerëzit që nga fillimet e qytetërimit.

Në fillim, dialogu i tyre është edhe një lloj debati. Maria pyet për kuptimin, Marku kërkon shpjegimin. Në një nga bisedat e tyre, për shembull, Maria i drejtohet Markut me idenë se shkenca mund të shpjegojë “si”, por jo gjithmonë “pse”, ndërsa Marku i përgjigjet nga pozicioni i tij shkencor. Pra, shtysa filozofike ishte fillimi, por dashuria ishte mekanizmi letrar që më lejoi ta zhvilloja atë ide. Duke përdorur si mjete shkencën dhe filozofinë, doja të shkruaja një roman për njerëz që jetojnë, dashurohen, vuajnë, humbin dhe shpresojnë, ndërsa në të njëjtën kohë kërkojnë të kuptojnë botën. Dhe ndoshta kjo është edhe ajo që më ka pëlqyer më shumë gjatë shkrimit të romanit. Një ide abstrakte bëhet e prekshme vetëm kur vendoset në jetën e një njeriu. Por, besomëni, nuk ka qenë aspak e lehtë.

3. Cili është sfondi historik i romanit?

Romani është vendosur në periudhën bashkëkohore. Nuk kam dashur ta lidh me një ngjarje të vetme historike apo me një periudhë të caktuar të së kaluarës, sepse problemi që trajtoj është i kohës sonë dhe, në një farë kuptimi, i çdo kohe. Jemi në një botë ku shkenca dhe teknologjia kanë arritur nivele të jashtëzakonshme, ku njeriu udhëton në hapësirë, depërton gjithnjë e më thellë në strukturën e materies dhe ka në dispozicion një sasi të jashtëzakonshme informacioni. Por, paradoksalisht, krahas kësaj drite të jashtëzakonshme të dijes, ekzistojnë ende lufta, vetmia, egoizmi, dëmtimi i natyrës, pabarazia, dhimbja dhe frika.

Maria dhe Marku janë njerëz të botës moderne, por të dy mbartin me vete historinë e tyre personale, familjare dhe kulturore. Në këtë mënyrë, e kaluara dhe e tashmja nuk qëndrojnë të ndara, por bashkëjetojnë në ndërgjegjen e personazheve. Mendoj se kjo është edhe një nga sfidat e njeriut bashkëkohor, si të ecë drejt së ardhmes pa humbur lidhjen me atë që është.

Kjo kontradiktë e botës moderne më ka interesuar shumë. Bota jonë është plot me drita artificiale. Por pyetja është nëse kemi mjaftueshëm dritë brenda vetes.

Në këtë kuptim, romani nuk është një roman historik, por një roman i kohës sonë, i njeriut bashkëkohor dhe i sfidave shpirtërore e morale që ai përjeton. Për këtë arsye, në zhvillimin e tij, jam ndalur në problemet më të prekshme si emigrimi, marrëdhëniet e njeriut me natyrën, me zhvillimin shkencor, me jetën në metropole dhe me nevojën për të ruajtur identitetin.

4. Ku zhvillohen ngjarjet e romanit?

Teatri i romanit është shumë i gjerë, sepse vetë personazhet janë njerëz të lëvizjes dhe të komunikimit me botën. Pika kryesore është Amerika, veçanërisht Long Islandi, Manhattan dhe Nju Jorku. Aty jetojnë dhe punojnë Maria dhe Marku, aty takohen dhe aty zhvillohet pjesa kryesore e marrëdhënies së tyre. Maria është rritur në Long Island pasi ka ardhur nga Shkodra që në fëmijëri, ndërsa Marku është një shqiptar nga Kosova, i formuar akademikisht në Shtetet e Bashkuara.

Por romani nuk qëndron vetëm në Amerikë. Personazhet udhëtojnë në vende të ndryshme, ndërsa hapësira gjeografike bëhet një mënyrë për të zgjeruar edhe hapësirën e mendimit. Janë Pensylvannia, Firence, Niagara, Ishujt Fiji, Meksika dhe vende të tjera. Edhe Shqipëria, sidomos Shkodra, mbetet një pikë e rëndësishme e kujtesës, e rrënjëve dhe e identitetit.

Kjo ishte e rëndësishme për mua, sepse emigranti i sotëm shqiptar nuk është më vetëm njeriu që kërkon një vend pune apo një jetë më të mirë. Ai sot është edhe një intelektual, profesor, gazetar, shkrimtar, artist, profesionist i suksesshëm, por përsëri mbart me vete një pjesë të vendit prej nga vjen.

Prandaj edhe hapësirën amerikane dhe atë shqiptare, nuk i kam trajtuar në libër si dy botë të ndara. Por jam përpjekur që ato të bashkëjetojnë brenda personazheve. Dhe kjo është një temë që besoj se mund t’i flasë veçanërisht lexuesit shqiptar në diasporë: mund të largohesh fizikisht nga vendi, por është shumë më e vështirë të largohesh nga ajo që ke marrë prej tij.

5. Çfarë përfaqësojnë personazhet e Markut dhe Marias në roman?

Maria dhe Marku janë dy protagonistët e veprës. Janë dy personazhe që i kam ndërtuar fillimisht si njerëz, jo si simbole. Për mua ishte e rëndësishme që lexuesi t’i besonte si dy qenie njerëzore, me karakterin, dobësitë, emocionet dhe dilemat e tyre. Por, me ta kam dashur të jap diçka më shumë se dy njerëz që dashurohen. Ata përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të perceptimit të botës. Nuk do të doja t’i ktheja në simbole të thata, sepse një personazh funksionon në letërsi vetëm kur është i gjallë, kur ka dobësitë, emocionet, përjetimet, pohimet apo kundërshtitë e veta.

Maria është më intuitive, më e lidhur me natyrën dhe me botën shpirtërore. Që fëmijë ajo e përjeton dritën si një realitet të brendshëm. Në Shkodër, natyra bëhet pjesë e formimit të saj shpirtëror dhe kjo lidhje nuk humbet as kur ajo shkon në Amerikë. Ajo përfaqëson në roman dritën, shpirtin, butësinë, dimensionin e brendshëm që i jep kuptim njohjes. Marku, nga ana tjetër, vjen nga bota e shkencës. Ai është profesor i astrofizikës dhe merret me universin, yjet dhe pyetjet që lidhen me të panjohurën. Por edhe ai e pranon se shkenca nuk ka përgjigje për gjithçka. Me pak fjalë ai përfqëson mendjen, kërkimin, shkencën, arsyen, përpjekjen për të kuptuar misterin e jetës.

Së bashku Marku dhe Maria, shkenca dhe drita, bëhen një plotësim i një të vërtete që egziston. Ata janë dy figura që përfaqësojnë dy botë të mëdha të njeriut, mishërojnë unitetin e dy poleve të ekzistencës: dijen dhe ndriçimin, materien dhe shpirtin, shkencën dhe misterin. Në fillim ata i shohin disa gjëra ndryshe. Maria pyet për kuptimin, ndërsa Marku kërkon shpjegimin. Por kjo është edhe ajo që i tërheq ndaj njëri-tjetrit. Nuk kam dashur që njëri të “fitojë” mbi tjetrin. Përkundrazi, kam dashur të tregoj se dashuria mund t’i bëjë dy njerëz të mësojnë nga njëri-tjetri. Në libër Maria i hap Markut një hapësirë përtej asaj që mund të matet. Marku i jep Maries një tjetër mënyrë për ta parë misterin, përmes dijes dhe arsyes.

Pikërisht këtu bëhet interesante marrëdhënia e tyre. Sepse në libër nuk kemi një luftë midis dy botëve. Kemi një dialog midis dy personazheve që përfaqësojnë këto dy botë. Dhe dashuria bëhet ura e këtij dialogu.

Në fund, Maria dhe Marku nuk janë më vetëm “drita e brendshme” dhe “drita e dijes”.

Të dy përpiqen t’i bashkojnë këto dy drita në një përvojë të përbashkët njerëzore. Këtu do të thosha që qëndron edhe ana simbolike e tyre si personazhe. Emri Marie nuk është zgjedhur rastësisht. Si emri ndoshta më i përhapur në botën e krishterë, ajo simbolizon disi në roman dritën hyjnore. Por nëqoftëse duam ta lidhim edhe me shkencën, kemi nobelisten e parë grua për fizikën, Marie Kyri. Madje asaj iu dha më vonë edhe një çmim Nobel për kiminë. Ndoshta e vetmja në botë me dy çmime Nobel. Marku dhe Maria janë dy personazhet qendrore të romanit, shtylla kurrizore e tij. Por kemi edhe personazhe të tjerë, që na ndihmojnë për të kuptuar më mirë thelbin e vërtetë të tyre si njerëz, sidomos të Maries. Janë Gjergji dhe Roza, prindërit e Maries.

Ata nuk janë personazhe të zakonshëm, prindër që shfaqen për të plotësuar një rol. Në të vërtetë ata janë rrënja, janë themelet, janë pasqyra e njeriut shqiptar të ngritur, atij që largohet nga atdheu jo për të humbur, por për të shkëlqyer. Gjergji është shqiptari i dijes. Ai është njeriu që shkon në Amerikë për punime shkencore, për kërkim, për arritje. Në udhëtimin e tij nuk ka asgjë të rastësishme: çdo hap është mund, çdo arritje është sakrificë, çdo sukses është një dritë që i shtohet emrit shqiptar. Ai përfaqëson atë brez të heshtur, të ndritur, që nuk bërtet, por punon; që nuk kërkon duartrokitje, por lë gjurmë.

Roza, e ëma, është një dritë më vete. Ajo nuk shquhet vetëm për edukatën e lartë, por edhe për mënyrën si e mban veten në një botë të panjohur. Në hapin e parë në Amerikë, në një ambient të huaj, ajo nuk mbyllet, nuk trembet, nuk ngushtohet. Përkundrazi, hap dritare. Hap dritare për vajzat e saj, hap dritare drejt një bote të re, hap dritare për të panjohurën. Dhe fjalia e saj, e thënë me qetësinë e një gruaje që ka parë shumë, mbetet si një gur themeli në roman: “Edhe këta janë njerëzit tanë. Janë shumë të mirë. Njeriu i mirë është i yni, kushdoqoftë ai”. Kjo nuk është thjesht një fjali. Kjo është filozofi. Kjo është edukatë. Kjo është një dritë që i kapërcen kufijtë, kombet, dallimet. Roza e sjell mirësinë në nivel universal: mirësia nuk ka komb, por njeriu i mirë e nderon çdo komb.

Me Gjergjin dhe Marinë unë nuk kam dashur të sjell në roman thjesht prindërit e Maries. Por kam dashur të prezantoj ata prindërit e devotshëm, që u bënë gurët e themelit atje në emigracion për bijtë e bijat e tyre, që gjenerata më e re, që vinte pas tyre, të ngrihej në nivelin e Maries dhe Markut. Ata janë dy shtylla të botës shqiptare, që bartin dijen dhe edukatën. Janë urat e pathyeshme, që lidhin atdheun me botën, traditën me modernitetin, rrënjën me horizontin.

6. Cili është boshti i romanit?

Boshti i romanit është kërkimi i njeriut për kuptimin e jetës, të dashurisë, të misterit dhe të marrëdhënies midis dijes dhe asaj që ende nuk dimë. Romani nis nga drita, që është njëkohësisht dritë fizike, simbol i jetës dhe metaforë e vetëdijes. Maria, që në fëmijëri, e përjeton lindjen e ditës si një mister që kërkon ta kuptojë. Më pas, ky kërkim rritet bashkë me të. Ajo bëhet gazetare, udhëton, studion botën, përballet me problemet e saj dhe kërkon gjithnjë të depërtojë përtej sipërfaqes.

Në anën tjetër është Marku, i cili e kërkon misterin përmes shkencës. Të dy takohen dhe marrëdhënia e tyre bëhet një udhëtim i përbashkët drejt përgjigjeve.

Por ky udhëtim nuk është i qetë. Vijnë humbja e babait të Maries, aksidenti i rëndë i Markut, dëshpërimi, sprovat e dashurisë dhe pasiguritë për të ardhmen. Megjithatë, pikërisht në këto momente, kur drita duket se fiket, personazhet zbulojnë se ajo mund të rindizet.

Marku, pasi përballet nga afër me vdekjen, arrin të thotë se shkenca nuk i shpjegon të gjitha dhe se ekziston diçka tjetër që e ka mbajtur gjallë. Maria e quan atë “dritë hyjnore”.

Por ajo që është më e rëndësishme për mua është se ata e kalojnë sprovën bashkë. Maria nuk e braktis Markun. Ajo bëhet mbështetja e tij. Dhe në fund ata kuptojnë se një peshë e rëndë, kur merret nga dy njerëz, bëhet më e lehtë. Prandaj në roman theksohet artistikisht ideja se drita më e madhe e njeriut mund të jetë aftësia për të mos e lënë tjetrin vetëm në errësirë. Në kapitujt e fundit të romanit lexuesi gjen dy personazhe të pasuruar shpirtërisht, çka ka më shumë vlerë se arritjet e tyre në fushën profesionale dhe ekonomike. Kur e ndjejnë plotësisht veten të realizuar si intelektualë, si krijues, si bashkëshortë e si prindër, drita e brendshme i shtyn të vështrojnë më tej se tek oborri i tyre dhe si mund të bëhen të dobishëm për të tjerët. Pra, të japin, pas asaj që kanë marrë nga jeta. E kjo shprehet në roman nëpërmjet grupit të fëmijëve që ata ndihmojnë në kuadrin e shoqatës humanitare “Drita e shpresës”, që kanë krijuar. Prandaj edhe fundi i romanit duhet lexuar si një kthim te ideja e fillimit. Drita nuk është zhdukur. Ajo është provuar nga errësira, ka dalë prej saj më e fortë dhe bëhet ndriçim edhe për të tjerët.

7. Dashuria mes Markut dhe Maries, cili është paralelizmi i personazheve të dashurisë në veprat tuaja letrare?

Në “Velloja e kryqëzuar”, dashuria e bukur midis dy të rinjve ka një fund tragjik për shkak të luftës. Në romanin e ri, dashuria e Maries dhe Markut është më shumë një udhëtim drejt pjekurisë. Ndjenja midis tyre nuk lind me një shpërthim të menjëhershëm. Fillon nga njohja, miqësia, bisedat, kureshtja intelektuale dhe gradualisht shndërrohet në ndjenjë. Kjo më interesonte, sepse për mua dashuria më e qëndrueshme nuk është tërheqjas fizike. Forca e saj qëndron tek admirimi e respekti i ndërsjelltë, tek mirëkuptimi dhe tek aftësia për të bashkëndarë pyetjet e mëdha të jetës. Maria dhe Marku afrohen duke folur për gjëra të mëdha, për shkencën, natyrën, universin, besimin dhe jetën. Kështu, secili njeh jo vetëm trupin dhe emocionin e tjetrit, por edhe mënyrën se si ai mendon. Edhe në planin romantik kam dashur të ruaj njëfarë delikatese. Ka momente kur ndjenja është shumë e fortë, por personazhet nuk kanë nevojë ta shprehin menjëherë me fjalë. Marku e ndien tërheqjen ndaj Maries, por Maria nuk është një personazh që i dorëzohet menjëherë emocionit. Ajo ka një maturi të brendshme dhe nuk dëshiron ta lejojë zemrën të vrapojë më shpejt se mendja. Ndaj në roman, një vështrim, një heshtje, një dorë e kapur arrijnë të thonë më shumë se një deklaratë dashurie.

Dhe pastaj vjen momenti kur dashuria vihet në provë.

Aksidenti i Markut është një moment vendimtar. Dashuria nuk mund të mbetet më vetëm emocion. Ajo bëhet kujdes, durim, përgjegjësi dhe sakrificë. Kështu, marrëdhënia e tyre kalon nga “më pëlqen të jem me ty” në “jam këtu për ty, pavarësisht se çfarë ndodh”.

Dhe kjo, për mua, është një nga format më të bukura të dashurisë. Prandaj do të thosha se ky është një roman dashurie. Por dashuria këtu nuk është një histori e shkëputur nga jeta. Përkundrazi, ajo është mënyra përmes së cilës dy njerëz zbulojnë veten dhe botën.

8. Cilat janë mesazhet që autori u përcjell lexuesve në këtë roman?

Romani flet para së gjithash për shpresën. Jeta ka momente kur drita duket sikur fiket. Humbja e një njeriu të dashur, sëmundja, aksidenti, dëshpërimi apo dështimi mund ta bëjnë njeriun të besojë se gjithçka ka përfunduar. Por romani përpiqet të thotë se edhe në errësirën më të madhe ekziston mundësia e një drite.

Mesazhi tjetër është se shkenca dhe besimi nuk duhet të shihen si armiq. Shkenca na ndihmon të kuptojmë botën, ndërsa besimi dhe drita e brendshme na ndihmojnë të përballojmë atë pjesë të misterit që ende nuk e kuptojmë. Pastaj është dashuria. Në roman dashuria nuk paraqitet vetëm si ndjenjë romantike. Ajo është, para së gjithash. përgjegjësi, kujdes, falje, qëndresë dhe aftësi për të qenë pranë tjetrit në çastin kur ai ka më shumë nevojë.

Një tjetër mesazh lidhet me natyrën. Njeriu nuk mund të jetojë duke e parë natyrën vetëm si burim fitimi. Maria, përmes profesionit të saj si gazetare, përballet pikërisht me plagët që i shkakton natyrës etja njerëzore për përfitim. Dhe në fund është ideja e mirësisë njerëzore përtej kufijve. Njeriu i mirë nuk përcaktohet nga kombësia, ngjyra e lëkurës apo vendi ku ka lindur. Nëse kemi një dritë të përbashkët, ajo është aftësia për të dashur, për të ndihmuar dhe për të respektuar tjetrin. Njeriu mund të ketë dije, pasuri, pushtet dhe sukses, por pa dritën e brendshme këto mund të mbeten bosh. Mund të mos kemi gjithmonë përgjigje për misteret e mëdha të universit. Mund të mos dimë gjithmonë pse ndodhin gjërat. Por një gjë mund ta bëjmë: mund të jemi pranë njëri-tjetrit.

Nëse një lexues, pasi ta mbyllë romanin, mendon për pak çaste për jetën, për dashurinë, për natyrën, për rrënjët e veta dhe për dritën që mban brenda vetes, atëherë unë do ta konsideroja këtë një nga shpërblimet më të bukura të këtij romani. Sepse në fund të fundit, nuk mendoj se njeriu duhet vetëm ta kërkojë dritën. Ai duhet të përpiqet të bëhet edhe vetë një dritë për dikë tjetër.

Filed Under: Interviste

“When the Memories Gain Color” – Tre artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut çelin ekspozitë në New York

September 23, 2026 by s p

Prof. Berat Beqiri: “Veprat tona mbartin elemente të kujtesës individuale dhe kolektive, të historisë dhe të përvojës kulturore”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar Prof. Beqiri, çfarë përfaqëson kjo ekspozitë në New York për ju si artistë shqiptarë dhe profesorë universiteti nga Maqedonia e Veriut? çfarë dëshironi t’i përcillni publikut përmes veprave tuaja?

Kjo ekspozitë në New York për ne përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të prezantuar zërin dhe përvojën tonë artistike si artistë shqiptarë që jetojmë dhe veprojmë në Maqedoninë e Veriut. Përveç dimensionit personal dhe profesional, e shohim këtë ekspozitë edhe si një urë kulturore mes vendit nga vijmë dhe një prej qendrave më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë. Si profesorë universiteti, ne e shohim artin edhe si një formë dialogu dhe komunikimi me brezat e rinj. Përmes veprave tona dëshirojmë të përcjellim histori, përvoja dhe reflektime që lidhen me kujtesën, identitetin, njeriun dhe shoqërinë. Nuk synojmë t’i japim publikut një përgjigje të vetme, por të krijojmë hapësirë për reflektim dhe interpretim personal.

2. Cilat janë vlerat artistike, kulturore dhe identitare që bashkojnë veprat tuaja, dhe në ç’mënyrë pasqyrohet në artin tuaj përvoja si artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut?

Ajo që i bashkon veprat tona është mbi të gjitha një qasje ndaj artit si mënyrë për të reflektuar mbi njeriun, kujtesën, identitetin dhe realitetin shoqëror. Edhe pse secili prej nesh ka gjuhën dhe mënyrën e vet të shprehjes artistike, në punët tona ekziston një lidhje e përbashkët me kulturën, historinë dhe përvojën e hapësirës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Të qenit artistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut është pjesë e përvojës sonë dhe, në mënyrë të natyrshme, ajo reflektohet në temat, simbolikën dhe mënyrën se si e perceptojmë realitetin. Megjithatë, nuk synojmë që identiteti të jetë një kufizim i veprës. Përkundrazi, e shohim atë si një pikënisje prej së cilës mund të flasim për tema që kanë karakter universal.

Në këtë kuptim, veprat tona mbartin elemente të kujtesës individuale dhe kolektive, të historisë dhe të përvojës kulturore, por njëkohësisht kërkojnë të komunikojnë me një publik përtej kufijve tanë. Besojmë se arti bëhet më i fuqishëm atëherë kur një përvojë e veçantë, lokale apo personale, arrin të prekë një ndjenjë ose pyetje universale te shikuesi.

3. Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni publikut amerikan dhe shqiptarëve të diasporës dhe veçanërisht komunitetit shqiptar në New York përmes kësaj ekspozite?

Përmes kësaj ekspozite dëshirojmë t’i përcjellim publikut amerikan dhe veçanërisht komunitetit shqiptar në New York një mesazh të lidhur me kujtesën, identitetin dhe përvojën tonë si shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Krahas vështirësive dhe sfidave që përjetojmë si shqiptarë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe si pjesë e një historie dhe hapësire më të gjerë ballkanike, ne besojmë se si artistë kemi edhe një përgjegjësi për t’i reflektuar këto realitete përmes instrumentit tonë më të fuqishëm – artit.

Arti për ne nuk është vetëm një mënyrë për të krijuar estetikë, por edhe një mënyrë për të dëshmuar, për të ruajtur kujtesën dhe për të ngritur pyetje mbi realitetin në të cilin jetojmë. Përmes veprave tona dëshirojmë të flasim për përvojat që shpesh mbeten të pathëna, por pa u mbyllur vetëm brenda tyre. Synimi është që këto përvoja të kthehen në një komunikim universal me shikuesin.

4. Sa i rëndësishëm është takimi dhe komunikimi me publikun shqiptar jashtë vendit për një artist, dhe çfarë vlere ka për ju kjo mundësi për t’u lidhur me komunitetin shqiptar në Amerikë?

Takimi me publikun shqiptar jashtë vendit është shumë i rëndësishëm për ne, sepse arti krijohet për të komunikuar dhe për të krijuar ura mes njerëzve. Të ekspozosh në një qytet si New York dhe të kesh mundësinë të takosh komunitetin shqiptar atje është një mënyrë për të afruar dy realitete që, edhe pse gjeografikisht larg, lidhen përmes gjuhës, kulturës, kujtesës dhe prejardhjes së përbashkët.

Për ne, kjo mundësi ka një vlerë të veçantë edhe sepse vijmë nga Maqedonia e Veriut dhe sjellim me vete një përvojë artistike dhe kulturore që është formuar në një hapësirë me historinë dhe specifikat e saj. Takimi me diasporën na jep mundësinë jo vetëm të prezantojmë veprat tona, por edhe të dëgjojmë dhe të kuptojmë përvojat e shqiptarëve që jetojnë larg vendlindjes.

5. A e shihni këtë ekspozitë si një mundësi për të promovuar jo vetëm krijimtarinë tuaj, por edhe artin bashkëkohor shqiptar të Maqedonisë së Veriut në një skenë ndërkombëtare si New Yorku?

Po, padyshim. Për ne kjo ekspozitë është një mundësi për të prezantuar krijimtarinë tonë individuale, por njëkohësisht edhe për të sjellë në vëmendje një pjesë të artit bashkëkohor shqiptar që zhvillohet në Maqedoninë e Veriut. Mendojmë se skena artistike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka artistë, ide dhe qasje të ndryshme që meritojnë të njihen më gjerësisht. Megjithatë, prania e saj në skenat e mëdha ndërkombëtare është ende e kufizuar. Prandaj, një ekspozitë në New York është një mundësi për të krijuar një hapësirë komunikimi dhe për të treguar se krijimtaria jonë nuk është e izoluar nga zhvillimet bashkëkohore ndërkombëtare. Për ne është e rëndësishme që të mos paraqitemi vetëm përmes identitetit tonë, por mbi të gjitha përmes cilësisë dhe gjuhës së veprave. Identiteti dhe përvoja jonë janë pjesë e asaj që sjellim me vete, por arti është mënyra përmes së cilës hyjmë në një dialog më të gjerë me skenën ndërkombëtare.

6. Si mund të shërbejnë ekspozita të tilla ndërkombëtare si një urë për promovimin e artistëve shqiptarë, krijimtarisë së tyre dhe vlerave të artit shqiptar në botë?

Ekspozita të tilla ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme, sepse krijojnë një urë lidhëse mes artistëve shqiptarë dhe skenës ndërkombëtare të artit. Ato na japin mundësinë që krijimtarinë tonë, temat që trajtojmë dhe vlerat e artit shqiptar t’i prezantojmë para një publiku më të gjerë dhe në një kontekst kulturor ndërkombëtar. Besoj se prania e artistëve shqiptarë në hapësira të rëndësishme kulturore jashtë vendit ndihmon jo vetëm në promovimin e individëve, por edhe në prezantimin e një panorame më të gjerë të artit shqiptar dhe të potencialit krijues që ekziston në trevat shqiptare. Në këtë kuptim, ekspozita në Nju Jork është një mundësi për të krijuar dialog me artistë, institucione dhe publik të ndryshëm, duke sjellë me vete një pjesë të përvojës, identitetit dhe perspektivës sonë artistike. Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen institucionale dhe besimin e treguar ndaj këtij projekti, duke na krijuar mundësinë që veprat dhe krijimtarinë tonë t’i prezantojmë në një qendër të rëndësishme kulturore si Nju Jorku.

Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt i takon z. Gorazd, drejtorit të galerisë, për mikpritjen, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e tij, si dhe për mundësinë që na ka ofruar për ta prezantuar artin tonë në këtë hapësirë. Është një kënaqësi dhe një nder që kjo ekspozitë të zhvillohet në kuadër të një bashkëpunimi të tillë kulturor.

Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time për gazetën “Dielli” për mbështetjen mediatike dhe për interesimin e treguar ndaj këtij projekti. Roli i mediave shqiptare në diasporë është veçanërisht i rëndësishëm në promovimin e aktiviteteve kulturore dhe në përcjelljen e krijimtarisë së artistëve shqiptarë tek publiku shqiptar dhe ndërkombëtar. Uroj që kjo të jetë vetëm një pikënisje për bashkëpunime të tjera dhe për krijimin e urave të reja mes artistëve shqiptarë, institucioneve kulturore dhe publikut ndërkombëtar.

Filed Under: Interviste

SHKOLLA SHQIPE “BESA”, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË MALTË

September 15, 2026 by s p

Luljeta Bushi, themeluese e shkollës shqipe “BESA” në Maltë: “Komuniteti shqiptar është miqësi, mbështetje, bashkëpunim dhe ndjenjë përkatësisë”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. E nderuar mësuese Luljeta si lindi ideja e hapjes së shkollës “BESA” në Maltë?

Jam emigrante e gjeneratës së parë në UK, kam dy fëmijë që kanë lindur dhe rritur në Londër. Të dy fëmijët e mi në Londër kanë pasur mundësinë të mësojnë shqipen në shkollat shqipe që janë hapur atje. Si nënë, si mësuese dhe si atdhetare e di sa e rëndësishme është të mbash gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona shumë shekullore. Jetoj në Maltë prej 10 muajsh. Në takime dhe biseda me bashkëatdhetarë që jetojnë këtu vura re që shumë nga fëmijët e tyre nuk flasin shqip, gjithashtu vura re dhe shqetësimin e prindërve në lidhje me këtë fenomen. Dëshira dhe eksperienca ime (35 vjet) në lidhje me edukimin e brezit të ri, bëri të mundur që të hap këtë shkollë për familjet shqiptare këtu në Maltë. Numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Maltë është mbi 6000 vetë, disa nga këta kanë më shumë se 20 vjet këtu. Pa mendoni çfarë do të thotë, gjithë këto familje këtu pa një shkollë ose një komunitet të tyre?

2. Cilat ishin hapat dhe përpjekjet e para, vështirësitë dhe sfidat për hapjen e shkollës shqipe në Maltë?

Vështirësitë dhe sfidat në jetën e një emigranti janë të panumërta, sidomos në shtete të vogla si Malta apo vende të ngjashme me të, ndryshe nga UK, USA apo shtete e tjera të Europës.

Ideja dhe dëshira për të hapur Shkollën Shqipe BESA ishte guri i parë, nuk më mori shumë kohë për të krijuar një imazh të qartë të shkollës BESA, ku u mbështeta nga disa prindër duke më dhënë kurajo dhe më motivuan në çdo hap. Kuptova që nuk jam vetëm.

Guri i dytë ishte vështirësia më e madhe që më mori mbi 4 muaj për ta realizuar. Ishte vështirë ku do të krijonim një klasë për fëmijët tanë. Për 4 muaj rresht kam dërguar mbi 100 mesazhe në shkolla dhe bashki të ndryshme të Maltës për të marrë me qira një ambient për shkollën dhe nismën tonë. Asnjë përgjigje. Pastaj fillova të shkoj vetë në person, në disa nga shkollat dhe bashkitë, por asnjë ndihmë. Më vonë fillova kërkimet online dhe rashë në kontakt me një kishë që kishte lidhje dhe misione në Shqipëri prej shumë vitesh. Ata m’u përgjigjën dhe lashë takim me FR Alan që më ndihmoi për të gjetur një hall në një nga kishat në Valletta. Dhe kjo ishte kënaqësia më e madhe imja gjatë kësaj kohe. Me këtë rast doja të jepje një big THANK YOU to Fr Alan!!!

Guri i tretë ishte, idetë dhe mënyrat për ta bërë këtë shkollë të njohur te bashkëatdhetarët tanë në Maltë. Me ndihmën e disa prindërve bëmë të mundur të hapim FB ku të gjithë të kishin mundësinë të shikonin qëllimin dhe mundësitë që do të ofronte shkolla BESA. Gjithashtu kemi folur në lidhje me këtë nismë, me prindër, miq e të afërm kudo që i takonim. Unë në çdo park që kaloja dhe dëgjoja shqip u ndala dhe u flisja për Shkollën BESA.

Vështirësi vazhdojmë të kemi, por jo sfida. Mendoj që sfidë për mua ishte guri i tretë. Por dua të theksoj që vështirësi kemi akoma, me durim dhe me përkushtim dhe dëshirën për këtë nismë do t’ia dalim. Mos harroni, ne jemi EMIGRANTË, fjalët vështirësi dhe sfidë janë refreni i jetës sonë. Më thoni, NE si shqiptarë çfarë nuk jemi në gjendje të bëjmë?

3. Si organizohet komuniteti i shqiptarëve në Maltë?

Ne shqiptarët kemi një thënie të bukur: “Gur gur bëhet mur, mur mur bëhet kala.” Shpresoj që Shkolla Shqipe BESA të jetë një themel i fortë për të krijuar një komunitet tonin këtu në Maltë, sepse gjithë kjo popullsi shqiptare nuk ka një komunitet. Pse komuniteti është i rëndësishëm në një vend të huaj Kur jetojmë në një vend të huaj, komuniteti bëhet një urë që na lidh me rrënjët, gjuhën, kulturën dhe traditat tona.

Për fëmijët tanë, është veçanërisht e rëndësishme të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin historinë dhe traditat e prindërve të tyre dhe të ndihen krenarë për origjinën e tyre.

Por komuniteti nuk është vetëm gjuhë dhe kulturë. Është edhe miqësi, mbështetje, bashkëpunim dhe ndjenja e përkatësisë.

Në një vend të huaj, të kesh njerëz me të cilët mund të ndash gjuhën, traditat dhe përvojat e përbashkëta të bën të ndihesh më afër shtëpisë. Bashkë ruajmë gjuhën. Bashkë ruajmë kulturën. Bashkë ndërtojmë komunitet.

4. Cilat janë ndjesitë dhe pritshmëritë e vitit të ri shkollor?

Të qenurit mësuese është kënaqësi më vete, do më merrte faqe të tëra ta përshkruaja. Por të qenit mësuese e një shkolle shqipe në vend të huaj ka një ndjesi krenarie, malli dhe përgjegjësie, do të thoja. Të jem e vërtetë me ju, prita që do të kishim më shumë fëmijë si ditë e parë për këtë vit të ri shkollor, por shpresoj dhe dëshiroj që në ditët në vijim të kemi më shumë fëmijë. Si person mundohem të shikoj anët pozitive që jeta më ofron. Më poshtë doja vetëm të citoja disa thënie nga Rilindasit tanë:

Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. FK (Albania 15-30 janar 1899 C).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. FK (Albania 4, 1906).

Nga poema “O moj Shqypni” PV

“Mos shikoni kisha e xhamia,

Feja e shqyptarit asht shqyptarija!

Bashkohuni të gjithë në nji fe,

Të gjithë si vllazën në nji kthe?!”

5. Cili është bashkëpunimi me shoqatat dhe institucionet shtetërore në Maltë?

Shqiptarët këtu nuk kanë asnjë organizatë shoqërore dhe asnjë instancë shtetërore për të diskutuar problemet e tyre shoqërore, shtetërore që hasin përditë në jetën e tyre këtu në Maltë. Ata për një vizë apo për një letër duhet të shkojnë në ROME për çdo aplikacion apo aprovim. Pra, nuk kanë një konsullatë shqiptare. Nuk mund të shtoj asgjë në lidhje me këtë pikë.

Motoja e Shkollës Shqipe “BESA” në Maltë:

We want our children to grow proud of:

To be Albanian by heritage.

To be Maltese by opportunity.

To be global by education.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE “JONUS” NË GENOVA, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI

September 11, 2026 by s p

Mësuese Bukurie Ozuni: “Dygjuhësia është një pasuri intelektuale, kulturore dhe njerëzore. Njohja e shqipes i ndihmon fëmijët të rriten më të sigurt dhe më të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre”.

Intervistoi: Sokol Paja

1. E nderuar Bukurie, cili është historiku i Shkollës Shqipe në Genova, Itali?

Shkolla Shqipe JONUS në Genova lindi si përgjigje ndaj një nevoje të ndier gjithnjë e më shumë nga familjet shqiptare: krijimi i një hapësire të qëndrueshme ku fëmijët që lindin dhe rriten në Itali të mund të mësojnë gjuhën shqipe dhe, nëpërmjet saj, të njohin historinë, kulturën dhe traditat e vendit të origjinës.

Kjo nismë zhvillohet nën kujdesin e Shoqatës Kulturore JONUS dhe është fryt i punës vullnetare, përkushtimit dhe bashkëpunimit me familjet shqiptare që jetojnë në Genova. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj veçanërisht bashkëthemelueset e Shoqatës JONUS: Amin, Ornelën, Martën dhe Arbrën. Që nga fillimi kemi ndarë të njëjtin vizion, përgjegjësitë dhe punën e përditshme për ta shndërruar këtë ide në një hapësirë konkrete për fëmijët dhe komunitetin shqiptar. Një falënderim i veçantë u takon edhe prindërve, të cilët na besuan, na mbështetën dhe na i sollën fëmijët e tyre me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë diçka të bukur dhe të qëndrueshme. Besimi, pjesëmarrja dhe mbështetja e tyre kanë qenë vendimtare për zhvillimin e kësaj nisme. Pa angazhimin dhe kontributin e bashkëthemelueseve, si edhe pa besimin e familjeve, kjo nismë nuk do të kishte marrë formën që ka sot.

Që gjatë vitit të parë të veprimtarisë së shoqatës, një nga synimet tona kryesore ishte afrimi i fëmijëve me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Për këtë arsye, organizuam laboratorë edukativë dhe krijues, në të cilët mësimi ndërthurej me leximin, këngën, kërcimet tradicionale, lojën, vizatimin, historinë dhe njohjen e traditave tona.

Me kalimin e kohës kuptuam se interesi i familjeve po rritej dhe se fëmijët kishin nevojë për një program më të rregullt dhe më të strukturuar. Kjo na nxiti që, në vitin e dytë të veprimtarisë së Shoqatës JONUS, të ndërmarrim hapin e radhës: hapjen e Shkollës Shqipe JONUS. Shkolla do ta ruajë frymën e laboratorit, të mbështetur te pjesëmarrja, krijimtaria dhe bashkëveprimi, por do të ketë një program të posaçëm dhe një kurrikul të përqendruar në mësimin sistematik të gjuhës shqipe.

Dëshira jonë është që shqipja të mos mbetet për këta fëmijë vetëm gjuha që dëgjojnë nga prindërit ose gjyshërit. Duam që ajo të bëhet një gjuhë që ata dinë ta flasin, ta lexojnë, ta shkruajnë dhe, mbi të gjitha, ta duan. Në këtë mënyrë, shkolla synon të jetë një urë e gjallë ndërmjet fëmijëve, familjeve të tyre dhe vendit të prejardhjes.

2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?

Në mësimdhënie do të përdorim tekstet dhe materialet e Qendrës së Botimeve për Diasporën, të përgatitura posaçërisht për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Gjej rastin ta falënderoj Qendrën për gatishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer që na ka ofruar në realizimin e kësaj nisme.

Programi do të përshtatet sipas moshës, nivelit të njohjes së shqipes dhe nevojave konkrete të secilit fëmijë. Krahas leximit, shkrimit, gramatikës dhe pasurimit të fjalorit, do të përdorim metoda ndërvepruese që kanë dhënë rezultate të mira gjatë laboratorëve tanë të mëparshëm, si këngët, kërcimet tradicionale, poezitë, tregimet, lojërat didaktike, vizatimet, puna në grup dhe veprimtaritë krijuese.

Për ne është e rëndësishme që fëmijët të mos e përjetojnë mësimin e shqipes si një detyrim, por si një udhëtim të këndshëm drejt njohjes së vetvetes. Kur gjuha mësohet përmes lojës, këngës dhe krijimtarisë, ajo bëhet më e afërt dhe më e dashur. Në këtë mënyrë, fëmijët fitojnë sigurinë e nevojshme për ta përdorur shqipen edhe jashtë mjedisit të shkollës.

Thirrja ime për prindërit shqiptarë është që të mos e shohin mësimin e gjuhës amtare si një ngarkesë të mëtejshme për fëmijët. Dygjuhësia është një pasuri intelektuale, kulturore dhe njerëzore. Njohja e shqipes nuk i largon fëmijët nga shoqëria italiane ku jetojnë; përkundrazi, i ndihmon të rriten më të sigurt dhe më të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre.

Prindërit kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Duke folur shqip në familje, duke u lexuar fëmijëve, duke i sjellë në shkollë dhe duke marrë pjesë në aktivitetet tona, ata krijojnë vazhdimësinë e nevojshme ndërmjet familjes dhe mësimit. Gjuha është pjesë themelore e identitetit tonë dhe, kur ua përcjellim fëmijëve, u japim një trashëgimi që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.

3. A gjykoni se Shkolla Shqipe luan rolin e një qendre komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?

Në rastin tonë kemi përparësinë që Shkolla Shqipe zhvillohet nën ombrellën e Shoqatës Kulturore JONUS. Shoqata është menduar që në fillim si një hapësirë e hapur për shqiptarët dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin kulturën tonë. Në qendër të veprimtarisë nuk janë fëmijët, por të gjitha grupmoshat.

Shoqata dhe Shkolla Shqipe JONUS janë shumë më tepër se vende ku zhvillohen mësime, laboratorë apo kurse kërcimi. Ato synojnë të bëhen një strehë kulturore dhe komunitare për fëmijët, prindërit dhe familjet shqiptare. Nëpërmjet aktiviteteve krijohen njohje, miqësi dhe bashkëpunime, shkëmbehen përvoja dhe forcohet ndjenja e përkatësisë në komunitet.

Festat kombëtare, veprimtaritë kulturore, këngët, vallet, recitimet, laboratorët dhe takimet me familjet i japin JONUS-it karakterin e një qendre komunitare. Këtu fëmijët kuptojnë se gjuha dhe kultura shqiptare nuk jetojnë vetëm brenda shtëpisë, por ndahen me bashkëmoshatarët dhe me një komunitet më të gjerë. Edhe prindërit gjejnë një hapësirë ku mund të njihen, të bashkëpunojnë dhe të japin kontributin e tyre.

Në diasporë ekziston rreziku që familjet të mbeten të izoluara dhe që lidhja me gjuhën dhe kulturën e origjinës të dobësohet gradualisht. Prandaj, shkolla shqipe ka edhe një funksion të rëndësishëm shoqëror: ajo i bashkon njerëzit rreth një përgjegjësie të përbashkët, ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë sonë kulturore. Në këtë mënyrë, ndihmon në ndërtimin e një komuniteti shqiptar më të lidhur, më aktiv dhe më të dukshëm në shoqërinë italiane.

4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Itali?

Gjuha është një nga lidhjet më të forta me identitetin dhe kujtesën tonë kolektive. Nëpërmjet saj trashëgohen historitë familjare, këngët, traditat, kujtimet dhe mënyra jonë e të kuptuarit të botës. Kur humbet gjuha, rrezikon të dobësohet edhe lidhja me një pjesë të rëndësishme të historisë personale dhe familjare.

Për fëmijët e lindur ose të rritur në Itali, njohja e shqipes ka një rëndësi të veçantë. Ajo u mundëson të komunikojnë me gjyshërit dhe të afërmit, të kuptojnë historitë që tregohen në familje, të lexojnë në gjuhën e prindërve dhe të ndihen pjesë e një trashëgimie që shkon përtej përvojës së tyre të përditshme në Itali.

Mësimi i shqipes i ndihmon gjithashtu të ndërtojnë një identitet të ekuilibruar, ku bashkëjetojnë natyrshëm të dyja përkatësitë. Ata mund të jenë pjesë aktive e shoqërisë italiane dhe, njëkohësisht, të ruajnë lidhjen me origjinën shqiptare. Këto dy dimensione nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato bashkëjetojnë dhe e pasurojnë fëmijën, duke e bërë më të hapur ndaj gjuhëve, kulturave dhe dallimeve.

Ne duam që fëmijët të mos ndihen të detyruar të zgjedhin ndërmjet dy identiteteve. Synimi ynë është t’i ndihmojmë të kuptojnë se mund t’u përkasin me krenari të dyja kulturave dhe se pikërisht kjo përvojë e dyfishtë është një nga pasuritë e tyre më të mëdha.

5. Si reagon shoqëria italiane? Si pritet Shkolla Shqipe dhe mësimi në gjuhën shqipe?

Përvoja jonë deri tani ka qenë shumë pozitive. Në shoqërinë italiane po rritet ndërgjegjësimi për vlerën e shumëgjuhësisë dhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës së origjinës. Kur veprimtaria e shkollës prezantohet në mënyrë të hapur, serioze dhe bashkëpunuese, ajo perceptohet si një pasuri për të gjithë territorin.

Shoqëria italiane është gjithnjë e më shumë shumëkulturore. Në këtë realitet, njohja e gjuhës dhe e kulturës së origjinës nuk duhet parë si një formë mbylljeje, por si një mjet që i ndihmon fëmijët të ndërtojnë një identitet më të qëndrueshëm. Një fëmijë që e njeh historinë e familjes së vet dhe ndihet i sigurt në prejardhjen e tij mund të hyjë në marrëdhënie me të tjerët me më shumë qetësi dhe vetëbesim.

Aktivitetet tona synojnë të krijojnë ura me komunitetin italian, t’i bëjnë më të njohura gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, si dhe të nxisin takimin ndërmjet njerëzve. Ne besojmë se integrimi ndërtohet përmes pjesëmarrjes, njohjes dhe respektit të ndërsjellë. Ruajtja e identitetit të origjinës është një themel i shëndetshëm për një integrim më të vetëdijshëm dhe për një qytetari aktive në vendin ku jetojmë.

6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënien për fëmijët dygjuhësh dhe cilat janë projektet për zhvillimin e Shkollës Shqipe?

Një nga vështirësitë kryesore është se fëmijët kanë nivele shumë të ndryshme të njohjes së shqipes. Disa e flasin dhe e lexojnë mjaft mirë shqipen, disa të tjerë e flasin gjuhën në familje, por kanë vështirësi në lexim dhe shkrim; disa e kuptojnë, por përgjigjen kryesisht në italisht; ndërsa për të tjerë shqipja është pothuajse një gjuhë e re. Kjo shumëllojshmëri kërkon metoda të përshtatura, materiale të ndryshme dhe vëmendje ndaj ritmit individual të secilit fëmijë.

Një vështirësi tjetër lidhet me kohën e kufizuar. Fëmijët ndjekin shkollën italiane dhe kanë shumë angazhime gjatë javës. Për këtë arsye, duhet të gjejmë një ekuilibër ndërmjet mësimit sistematik dhe veprimtarive që ruajnë interesin e tyre. Përpiqemi që çdo takim të jetë i gjallë dhe ndërveprues, duke ndërthurur tekstet me leximin, lojërat, këngët, punën në grup dhe aktivitetet artistike.

Një sfidë e rëndësishme është edhe vazhdimësia e përdorimit të gjuhës jashtë klasës. Disa orë mësimi nuk janë të mjaftueshme nëse shqipja nuk dëgjohet dhe nuk përdoret edhe në familje. Për këtë arsye, bashkëpunimi me prindërit është pjesë thelbësore e punës sonë.

Për të ardhmen synojmë të zgjerojmë Shkollën Shqipe dhe veprimtarinë e Shoqatës JONUS, të përfshijmë më shumë fëmijë dhe familje, të pasurojmë materialet mësimore dhe të organizojmë më shumë aktivitete kulturore e komunitare. Dëshirojmë gjithashtu të krijojmë bashkëpunime me shkolla, institucione, shoqata dhe profesionistë në Shqipëri dhe Itali.

Një nga drejtimet që na intereson veçanërisht është zhvillimi i projekteve ndërmjet brezave, ku fëmijët, prindërit dhe të moshuarit të mund të ndajnë histori, kujtime, këngë, receta, zeje dhe tradita. Brezi i vjetër mbart një pasuri të jashtëzakonshme gjuhësore dhe kulturore. Afrimi i tij me fëmijët do ta shndërronte këtë kujtesë në një përvojë të gjallë edukimi dhe do të forconte lidhjet brenda komunitetit.

7. Çfarë ndikimi ka pasur mësimi i shqipes te fëmijët shqiptarë në zhvillimin e ndjenjës së atdhedashurisë?

Megjithëse Shkolla Shqipe nis këtë vit në një formë më të strukturuar, ndikimin e afrimit të fëmijëve me gjuhën dhe kulturën shqiptare e kemi vërejtur që gjatë laboratorëve dhe aktiviteteve të zhvilluara deri tani. Ai shfaqet në kureshtjen e tyre, në dëshirën për të mësuar fjalë dhe informacione të reja, dhe në emocionin me të cilin këndojnë një këngë shqipe, recitojnë një poezi, kercejnë vallet tradiconale ose marrin pjesë në festat e organizuara nga Jonus.

Sa herë që një fëmijë mëson të shkruajë në shqip, kupton domethënien e një simboli kombëtar ose dëgjon historinë e vendit nga vijnë prindërit e tij, krijon një lidhje më të vetëdijshme me prejardhjen. Kjo lidhje mund të mos shprehet gjithmonë me fjalë të mëdha, por duket qartë në gëzimin, krenarinë dhe interesin e fëmijëve.

Mendoj se atdhedashuria duhet t’u përcillet si dashuri, njohje dhe përgjegjësi. Të duash vendin e origjinës do të thotë të njohësh gjuhën e tij, të respektosh historinë dhe kulturën, të ruash lidhjet familjare dhe të përfaqësosh me dinjitet vlerat më të mira të komunitetit tënd.

Për ne është e rëndësishme që kjo ndjenjë të ndërtohet si pjesë e natyrshme e identitetit të fëmijëve dhe të bashkëjetojë me përkatësinë e tyre në shoqërinë italiane. Ata mund ta duan vendin e origjinës dhe, njëkohësisht, të ndihen plotësisht pjesë e vendit ku kanë lindur ose po rriten. Shoqata JONUS dhe Shkolla Shqipe JONUS dëshirojnë të kultivojë pikërisht këtë ndjenjë të qetë, të hapur dhe të shëndetshme përkatësie.

8. Kush është mësuese Bukurie Ozuni?

Jam lindur në Shqipëri, në një fshat malor të zonës së Librazhdit. Fëmijëria në një komunitet të vogël, larg shumë shërbimeve dhe mundësive, ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si e kuptoj sot rëndësinë e arsimit, të komunitetit dhe të barazisë së mundësive.

Në moshën 15-vjeçare u zhvendosa në një qytet tjeter, larg nga familja, për të vazhduar shkollën e mesme dhe, më pas, studimet universitare. Kam jetuar, studiuar dhe punuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Përpara se të vija në Itali, ndërtova një përvojë të gjatë profesionale në sektorin privat dhe në atë publik.

Në vitin 2022 u zhvendosa në Genova për të ndjekur doktoraturën në Shkenca Politike pranë Universitetit të Genovës, me një projekt kërkimor në fushën e së drejtës kushtetuese dhe publike. Kërkimi im përqendrohet kryesisht tek e drejta për shëndet, pabarazitë territoriale, zonat rurale dhe malore, përfshirja sociale dhe barazia. Këto tema lidhen ngushtë me përvojën time personale dhe me bindjen se vendi ku lind ose jeton një njeri nuk duhet të përcaktojë mundësitë dhe të drejtat që ai mund të gëzojë.

Krahas angazhimit akademik dhe profesional, jam njëra nga themelueset dhe zëvendëspresidente e Shoqatës Kulturore JONUS. Angazhimi im në shoqatë dhe kontributi për ngritjen e Shkollës Shqipe JONUS në Genova përfaqësojnë për mua një përgjegjësi qytetare, kulturore dhe njerëzore.

Veprimtarinë atdhetare e shoh si dashuri për Shqipërinë të shprehur përmes punës konkrete në shërbim të komunitetit dhe të brezit të ri. Ajo merr kuptim kur investojmë kohë, dije dhe energji për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe lidhjet ndërmjet shqiptarëve, duke u dhënë njëkohësisht fëmijëve mjetet për t’u rritur si qytetarë të hapur dhe të përgjegjshëm.

T’u mësosh shqipen fëmijëve që rriten larg Shqipërisë do të thotë të mbash të gjallë lidhjen ndërmjet brezave. Do të thotë të krijosh një urë mes vendit nga vijmë dhe vendit ku jetojmë sot, duke u dhënë fëmijëve rrënjë të forta dhe njëkohësisht lirinë për të rritur degë të reja në Itali. Pikërisht ky është misioni që dëshirojmë të përmbushim përmes Shoqatës Kulturore JONUS dhe Shkollës sonë Shqipe.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT