• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklaratë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

October 16, 2026 by s p

Apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar.

Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t’u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë

Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.

Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.

Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Shpërndarja tregon përkujdesje

Burimi: https://knfsh.al/deklarate-e-keshillit-nderfetar-te…/

Filed Under: Interviste

MES OPTIMIZMIT TË ZYMTË DHE PESIMIZMIT ME DRITË…

October 15, 2026 by s p

Intervistë me gazetarin, ambasadorin dhe shkrimtarin Bujar Skëndo.

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar z.Skendo romani juaj “Flijimi i maskave” trajton marrëdhënien e ndërlikuar mes botës së krimit dhe pushtetit të korruptuar. Çfarë ju shtyu ta vini këtë fenomen në qendër të romanit dhe çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni lexuesit përmes tij?

Bujar SKËNDO: Nuk më shtyu asgjë më shumë se revolta dhe refuzimi ndaj asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë. Një gjë monstruoze, e përbindëshme: Kriminalizimi i vullnetshëm, i vetëdijshëm, madje i planifikuar i pushtetit dhe më pas, i tërë jetës së vendit. Në roman, përmes vetëzbulimit dhe zbulimit të mendjes dhe shpirtit të personazheve, përshkruhen hapat nëpër të cilat kaloi ky proces rrënues, tjetërsimi i misionit të pushtetit dhe shoqërisë. Pushteti ndau qeverisjen me trafikantët, u hapi portat e Kuvendit të Popullit, dyert e zyrave, kurse krimi ndau paratë “e pista”me pushtetin. Lindi një pushtet hibrid, i dyfishtë mes dy forcave që teorikisht do të duhej të ishin antagonistë, kundërshtarë, armiq të njëri tjetrit. U krijua një klimë kriminale në vend: Shoqëria shqiptare, prej rreth tri dekadash, u mësua dhe pranoi të jetojë së bashku me qeveritarë- biznesmenë dhe me ishtrafikantë e kriminelë- qeveritarë. Të dy palët të kriminalizuar, të korruptuar. Të dy palët iu vërsulën buxhetit të shtetit, pra taksave të qytetarëve dhe pasurive natyrore të vendit me një grykësi tmerruese. Në këtë moment njerëzit e ndershëm u shtangën, shpresat e tyre nisën të zbehen, në mos edhe të shuhen, si flaka e trembur e qiririt. Rezistenca, reagimi, përplasja nuk u dukën kund. Ishte kohë e adaptimit me murtajën.

Romani “Flijimi i maskave” ështe një reagim i paqetë artistik, një thirrje plot pikëllim drejtuar njerëzve të thjeshtë për të shpëtuar vendin nga lëngata e pafundme në të cilën është flakur me përçmim. E keqja tashmë ka arritur në një pikë kulmore. Por triumfit përfundimtar të më të keqes i nevojitet nënshtrimi i plotë, jo i një pjese të shoqërisë, por i të tërës. Gjunjëzimi i saj. Asfiksimi. Shkurt, përshtatja pa kushte e saj. Nëse njerëzit e mirë të vendit, intelektualët e ndershëm, të rinjtë guximtarë nuk do bëjnë diçka, kjo do të shënonte ngadhënjimin përfundimtar të të keqes, të krimit dhe korrupsionit.

Nëse qëndroni neutralë në situara padrejtësie, thoshte Platoni, ju keni zgjedhur anën e shtypësit. Nëse njerëzit e mirë, atdhetarë do i thonë “Jo” këtij pushteti ogurzi, të neveritshëm, të kriminalizuar me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, atëherë ky pushtet do nisë të shëmbet.

2. Metafora e maskës përshkon gjithë romanin dhe simbolizon hipokrizinë, mashtrimin dhe tjetërsimin e identitetit njerëzor. Si lindi kjo metaforë dhe në ç’masë mendoni se njeriu i shoqërisë së sotme e ka humbur dallimin mes fytyrës së tij të vërtetë dhe maskës që mban përpara të tjerëve?

Bujar SKËNDO: Në mjegullën që e rrethon shkrimtarin ndërsa shkruan, në mënyrë të turbullt, unë kuptova se po shkoja drejt një pike të panjohur, tronditëse. Isha duke shkruar faqet e para të romanit: Një aktore e talentuar e gjen veten të huaj e të braktisur nga teatri, nga shoqëria. Nga gjithçka. Shoqet e saj të dikurshme lëviznin me makina të shtrenjta rrugëve të Tiranës. Shkojnë për pushime në Dubai apo në Ibiza e më tej në vende ekzotike botërore… Ishin lidhur me ishtrafikantë, njerëz të krimit, por që tashmë kishin arritur t’i pastronin paratë e pista nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve…

“Është koha të ndryshoj diçka brenda vetes sime”, duhet të ketë pëshpëritur Ema dikur. Me sa duket unë po i vija rrotull diçkaje si mbulimi i diçkaje të vërtetë me diçka të gënjeshtërt. Ndoshta ky ishte sinjali i parë në nënvetëdijen time për të kuptuar se si njeriu e fsheh mashtrimi, si mbulohet diçka e mbrapshta… Si njeriu gënjen pa iu skuqur fytyra ditën me diell. Pastaj dyfytyrësia, pafytyrësia… I isha afruar në mënyrë krejt të pavetëdijshme dhe njëkohësisht fatale simbolit të maskës…

Në përfytyrimin tim nisën të shfaqen më shumë maska se fytyra. Flijohet fytyra për maskën. Pastaj flijohet edhe kjo për një tjetër maskë. Dhe më pas, një maskë tjetër… Maskë hipokrizie, maskë e etjes për pushtet e para, maskë për gjithçka. Madje maskë edhe kur ndodhesh përpara vetes tënde, dmth maskë edhe kur je vetëm me vetveten. Komike e tragjike, në të njëjtën kohë. Maska pa fund, njëra më mashtruese se tjetra. Një tmerr më vete, i pafund edhe ky. Simbolika e maskës ka qenë dhe mbetet një pasqyrë shtrembëruese, deformuese. Devijuese e të vërtetës.

Vend qëndror në roman zë figura e Leonit, ishtrafikant i shndërruar tashmë në një biznesmen “të ndershëm”, pronar i një restoranti diku afër Parkut të Madh të Tiranës me emrin provokues “Korbi i bardhë”. Ishte vendi ku nisnin rrugëtimin e ri tërë ishtrafikantët, tashmë biznesmenë të veshur me kostume e gravata të shtrenjta, me makina lluksoze…Maskat e tyre shkëlqenin me magjinë e tyre makabre. Në krah të ishtrafikantëve, vajza të ekranit, muzikës në rolin e bashkëshorteve. Krejtësisht ndryshe nga e shkuara. Kishin vënë maskat rrëzëllitëse e ziplotë edhe ato. Të tërë krejtësisht të pafytyrë, dikur ia vënë syrin politikës. Maskat janë në apogjeun e tyre.

Gjashtë nga klubi i “Korbit të bardhë” futen në listat e partisë që kërkon të rimarrë pushtetin. Dhe këta monstra me maska bëjnë diçka të padëgjuar: I fitojnë votat më herët se të vinte dita e votimit. Si? Maskat shumëfishohen brenda natës dhe mbulojnë fytyrat e përvuajtura të votuesve për 50 apo dhe më shumë Euro… Jo vetëm të atyre që votojnë pro tyre, por edhe të atyre (nënkupto të krahut tjetër politik) që nuk dalin fare të votojnë…

Për t’u rikthyer te pjesa e fundit e pyetjes tuaj, mendoj se njeriu dhe shoqëria shqiptare janë të prekur rëndë nga murtaja e maskave. Në roman është një episod ku përshkruhet një djegie masive maskash. Njerëz me fytyra të përgjakura nga shkulja e maskave, maska pa fytyrë, fytyra pa maska, pastaj një bllokim trafiku në Sheshin Skënderbej i shoqëruar me një stuhi ere, një polic që ka ngecur midis dhe që vetëm thërret “skenë krimi”! Njolla gjaku gjithandej… pamje vërtet groteske.

Virtytet dhe veset janë brenda njeriut në një përpjekje të përjetshme për dominimin e tjetrit. Për një çast, për një kohë ose edhe për gjithë jetën. Tek ne

koha e dominimit të veseve po zgjat shumë. Histeria e veseve çnjerëzore ka kohë që ia ka zënë frymën virtyteve njerëzore.

Por mendoj se pjesa e mirë e shoqërisë shqiptare është ende gjallë, me fytyrën e saj të vërtetë. Janë edhe moshat e reja, studentët e gjimnazistët e Gjeneratës Z. Janë intelektualët e ndershëm. Njerëzit e thjeshtë që jetojnë me punën e tyre të ndershme. Të gjithë këta kanë refuzuar të lënë peng fytyrën për maskën e ofruar nga qeveria e kriminalizuar që punon kundër tyre. Shumë të tjerë nuk kanë rezistuar dhe për të ruajtur “faqen e bardhë” kanë marrë udhët e botës. Janë detyruar në mënyrë djallëzisht të qëllimshme të lënë vendin. Por shpesh ndodh që edhe një grup i vogël mund t’a ndryshojë vendin.

Njerëzit me fytyrën e vërtetë janë makthi më dëshpërues për maskat qeveritare. Njerëzit pa maska i trëmbin, u kallin drithërimat pushtetarëve të kriminalizuar, të korruptuar. Dhe maskave të tyre, gjithashtu. Gjithçka nis me një ndezje flake për drejtësi. Një shkrepje kundër padrejtësive. Pastaj zjarri i ndezur djeg gjithçka që i del kundër. Maskat digjen së bashku me fytyrat e ndotura të krimit dhe korrupsionit.

3. Në roman, krimi dhe pushteti duket se ushqejnë njëri tjetrin, duke dobësuar drejtësinë dhe liritë e shoqërisë. A synon vepra juaj të jetë vetëm një pasqyrim artistik i një realiteti bashkëkohor, apo edhe një thirrje për ndërgjegjësim e reagim shoqëror?

Bujar SKËNDO: Romani im nuk është aspak, thjesht tregim i të vërtetës së jetës. Por është art i të vërtetës. Ai zbulon artistikisht të keqen dhe të këqinjtë dhe u heq këtyre maskat pa pikë mëshire. Thirrjen për pakënaqësi, për mospranim, për revoltë romani e ka të shkrirë në çdo ind artistik të tij. Deri më sot “mishi në hell” nuk ka qenë as i kryeautokratit dhe as i shpurës së tij me maska kriminale e të krimbur në vese, por ka qenë fytyra e vërtetë njerëzore, virtytet e njerëzve të thjeshtë, të ndershëm. Përplasja midis dy palëve është e pashmangëshme. Dhe fitorja, gjithashtu.

4. Një nga veçoritë e romanit është ndërthurja e ngjarjeve me përsiatjet e personazheve dhe zërin reflektues të rrëfimtarit. Si e keni ndërtuar këtë ekuilibër mes rrëfimit të ngjarjeve dhe mendimit filozofik në mënyrë që lexuesi të depërtojë përtej sipërfaqes së personazheve?

Bujar SKËNDO: “Flijimi i maskave”, sikundër edhe dy romanet e tjerë të mi, janë të tipit psikologjik. Priren nga zbulimi dhe vetëzbulimi gjendjeve emocionale dhe mendore të personazheve, konfliktet me vetveten, përjetimet, frikërat, kotësia e jetës, ankthet ekzistenciale, pendesat, ambiciet, fajësinë, etjen e të qënies së tyre për pushtet dhe para. Reflektimi i ngjarjeve dhe episodeve në psiqikën dhe shpirtin e tyre. Të dyja të fshehta, të ruajtura thellë në një vend të errët dhe të vështira për t’i kuptuar me një vështrim të jashtëm. “Unë, thoshte Dostojevski, dëshmoj për thellësitë e shpirtit njerëzor”. Dhe ai mbetet ende sot Mjeshtri i Madh i romanit psikologjik.

Në roman unë tentoj të zbuloj si reflektohen në mendjet njerëzore ide, mendime filozofike, ngjarje e imazhe. Si shpërfaqen ato në zonat errëta të mendimit të personazheve. Është, si të thuash, një udhëtim brenda vetes, në thellësitë që as vetë personazhet nuk i dinë dhe nuk i njohin. Pikërisht aty ku ata luftojnë me vetveten, me të keqen dhe të mirën, me gënjeshtrën dhe të vërtetën, me moralin dhe absurdin e tij. Me pasionet dhe krizat e vetëdijes të vetvetes. Me ankthet dhe tjetërsimin. Dhe është normale të tronditen, të dyshojne te vetvetja, të tërhiqen ose t’u shkojnë edhe më thellë pasioneve të tyre. Të pranojnë dobësi që në asnjë rrethanë tjetër nuk do t’a bënin. Të dallojnë të vërtetën brenda vetes edhe në mjegullën e dëndur të shpirtit njerëzor. Kështu bëhet e mundur të çahet “deti i ngrirë brenda nesh” i Franc Kafkës. Të tillë personazhe në roman janë Leoni, Ema, gazetari analist Albert Vango, psikologu Gazmend Tasho, Elona, bashkëshortja dhe “zyra e biznesit” të Prokurorit të Përgjithshëm.

Romani e tërheq lexuesin në thellësitë e mendimit e emocionit individual, të trazuar e të mjegulluar, të ndrrydhur e të shtypur përdhunshëm nga forca të jashtme. Dhe për paradoks, edhe nga prirje negative të brendëshme. Dhe, me sa kam kuptuar prej përshtypjeve të lexuesve, një stil i tillë të shkruari dhe të konceptuari jo vetëm nuk të lodh, por, përkundrazi, të nxit për të depërtuar edhe më thellë brenda vetes. Në atë që lexuesit “shkruajnë” me imagjinatën e tyre pas mbarimit së lexuari romanin. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por kam kuptuar se në këtë lloj romani lexuesit mezi presin të zbulojnë sekretet e personazheve, e për analogji, të takohen edhe me sekretet e vetvetes.

5. Në “Flijimi i maskave”, korrupsioni dhe hipokrizia shndërrohen në një traumë sociale me pasoja psikologjike duke prodhuar vetmi, frikë dhe mungesë dashurie. Si ndikon kjo klimë te bota e brendëshme e personazheve dhe çfarë na zbulon ajo për brishtësinë e njeriut përballë pushtetit dhe parasë?

Bujar SKËNDO: Në roman është një përshkrim prej 3-4 faqesh për disa grupime njerëzish që në mënyrë instiktive mblidhen çdo muzg në kënde të ndryshme të lulishtes në krah të Librit Universitar. Qëndrojnë aty për orë të tëra pa e ditur pse, por edhe të pashqetësuar që nuk e dinë. Dikush prej tyre kishte qenë biznesmen me emër, por një natë ia kishin hedhur në erë me eksploziv. Dikush tjetër thjesht kujton se dikur, vite apo edhe dekada më parë, kishte qenë biznesmen. Të vetmuar apo në grupe të vogla, si fantazma hijerënda. Ishin atje të zymtët, me vështrimin të tretur në askund. Pak më tej grupi i të mërziturve me vetveten dhe gjithë të tjerët. Të poshtëruar nga jeta, të uritur dhe pa një kokërr leku në xhep, veç mallkonin. Në skajin më të largët ishin të dëshpëruarit. Të gjithë të rrënuar, të zhgënjyer, të pashpresë, të pamend. Të dështuar. Askush nga kalimtarët nuk u hedh sytë. Askush nuk pyet ç’janë. As pse janë atje. Mendo për një çast, sa të tillë janë sot pas gati tri dekadash nga koha e ngjarjeve të romanit. Ky është kapitalizmi egër e mafioz që u projektua dhe u ngrit në sistem nga kriminalizimi i vullnetshëm i pushtetit, ekonomisë dhe tërë jetës së vendit, nga ndarja e pushtetit, parave dhe pasurive të vendit me krimin dhe trafikantët…

6. Titulli “Flijimi i maskave” sugjeron një paradoks tragjik: Edhe maskat duket sikur bëhen vetë viktima të mashtrimit që janë krijuar për të fshehur. Çfarë kuptimi i keni dhënë fjalës “flijim” në këtë kontekst dhe si lidhet ajo me deformimin e identitetit njerëzor që në roman merr edhe përmasa groteske e tragjike?

Bujar SKËNDO: Unë i kisha vënë një tjetër titull romanit, “Vejusha milionere”. Dhe kisha motivet e mia. Por botuesi nuk e pëlqente. Diskutuam gjatë e nuk u morrëm vesh. U ktheva në shtëpi dhe ndihesha i ftohtë me romanin, por pa e kuptuar as vetë kisha nisur t’a lexoja nga faqja e parë. U trondita kur vura re se sa shumë herë përmendej fjala flijim: Flijim i të mirës, flijim i virtyteve, flijim i moralit, flijim i shoqërisë, flijim i fytyrës, flijim i të drejtës… Dhe më në fund, paradoksalisht, flijim edhe i vetë maskave prej të tjera maskash edhe më monstruoze. Tamam i atyre mbi të cilat ishte ngritur i tërë romani. Ia nisa menjëherë titullin botuesit dhe brenda disa sekondave ai më telefonoi i lumturuar. Ky, po, tha ai. Romani meriton pikërisht këtë titull. I shpreha mirënjohjen për këmbënguljen.

Flijimi, në vetvete, është tragjik. Por kur bëhet fjalë për flijim të maskave atëherë shfaqet ana e fshehtë e metaforës. Grotesku. Njeriu i sotëm dhe jeta e tij është si një karnaval me apo pa maska. Një herë e fsheh fytyrën pas maskës dhe më pas maskat, në mënyrë qesharake e groteske, ndërrojnë njëra tjetrën duke e gjakosur atë që ka mbetur nga fytyra fillestare. Por fytyra e vërtetë njerëzore është shumë më e sofistikuar se një maskë, sado mashtruese të jetë kjo. Dikur, psh tri dekada më parë, krimi i organizuar vepronte në fshehtësi. Sot, duke i veshur fytyrës kriminale maskën e demagogjisë e të paturpësisë, përpara se të vidhen dhjetëra e qindra milionë, ndryshohen ligjet, kinse për interesa kombëtare. Maskë mbi maskë. Ose maskë e dyfishtë. Kur vesi mbulohet nga maska e virtytit, është vrasës. Por gjëmën ta bën maska e atij që e shfaq fytyrën të zbuluar. Kjo lloj maske e re diabolike, groteske për fytyrën që mbulon e zbulon, njëkohësisht, me atë që ofron në mënyrë të dhunshme, kthehet në tragjike për individin dhe shoqërinë. Grabitjen ditën me diell të votave, të taksave të shqiptarëve dhe pasurive të shenjta të natyrës së vendit tonë që vidhen e shiten pa pikën e brerjes së ndërgjegjes, nuk ka maskë që e fsheh, nuk ka maskë që e deformon.

Tërë shpërfillje, plot fodullëk, përplot me urrejtje të pakursyer ndaj njerëzve të thjeshtë, tani qeveria e organizon vetë krimin e organizuar. Kjo nuk është tjetër veçse vetë tirania e maskave dhe maska e tiranisë. Gjithë sistemi është i kriminalizuar. Brenda sistemit vjedhin kush e kush më shumë. Bien vetëm disa, bashkë me maskat e veta. Edhe rënien e atyre pak grabitësve të parave të popullit, shpesh duket se e organizon vetë maska qeveritare për të shpëtuar kryemaskën.

Në roman fjala “flijim” është përdorur në kuptimin e një akti suprem. Flijimi për një ide të lartësuar- një thirrje ekzistenciale për atë që jemi dhe për atë që synojmë të jemi. Një apel, një ftesë, një klithmë, një britmë për t’u prirur drejt të mirës, virtytit, përparimit të sinqertë, të vërtetë. Një akt i paheshtur. Pa maska e vese vetvrasëse. Kemi trashëguar diçka të shenjtë e të shtrenjtë: Atdheun dhe banorët e hershëm të tij, shqiptarët. Të sakrifikojmë, të flijojmë, jo diçka, por gjithçka kemi që tua kalojmë gjeneratave që vijnë të pacënuar, të patjetërsuar, të plotë… Të panxirë, të panjollosur… Ky është edhe një nga mesazhet e fshehta të romanit.

7. Në analizën e romanit mund të dallohen ngjashmëri me botën kafkiane, ku individi përballet me tjetërsimin dhe deformimin e qënies. E shihni këtë vepër si një reflektim mbi absurditetin e shoqërisë moderrne dhe, mbi të gjitha, a besoni se ekziston ende mundësia që njeriu të heqë maskën dhe të rikthehet te vetvetja e vërtetë?

Bujar SKËNDO: Të falënderoj për zbulimin e kësaj ngjashmërie. E kanë vënë re edhe kritikë e studjues. E madje, edhe lexues që e njohin mirë dhe e admirojnë shkrimtarin gjenial Franc Kafka. Por dua të theksoj se është një prirje e natyrshme e stilit tim të të shkruarit depërtimi në thellësi të nënvetëdijes së personazheve për të zbuluar, jo aq, vetëm atë që ata bëjnë apo nuk bëjnë, atë që ndiejnë apo nuk ndiejnë, por edhe arsyen u ndodh kjo, pse përpëliten, pse i kalojnë ditët në një mëdyshje absurde. Pse ndihen të vetmuar, të huaj edhe kur gjenden në mesin e njerëzve. Për të përshkruar frikërat që u vijnë nga drejtime të panjohura, madje edhe nga brenda vetes. Qenia e tyre përshkohet nga ankthe dhe nga mungesa e guximit për t’u përballur me atë që i kërcënon, të cilën, shpesh herë, as nuk e kuptojnë çfarë është dhe as përse i sulmon… Këto dhe të tjera aspekte të personazheve të romanit tim mund të quhen edhe një zbritje në errësirën e të vërtetatave të zhveshura, lakuriqe të psiqikës njerëzore.

Shkrimtari ka guximin të hyjë në mendjen e njeriut dhe të zbulojë tërë të fshehtat që ruhen atje, në atë vend të errët e të vetmuar.

Personazhet e romaneve të mi shkojnë drejt drejt vetëmbylljes, vetëizolimit dhe absurdit. Ose edhe vijnë nga atje, nga mbyllja, vetëizolimi, absurdi. Prandaj jo rrallë shfaqen të gatshëm të vënë në dyshim ekzistencën e vetvetes. Ndihen të tjetërsuar, të pazot të dalin nga udhëkryqet shpirtërore e psikologjike ku e kanë çuar veten pavetëdijshëm, ose i kanë detyruar të kryqëzohen në udhëkryqet e jetës. Dhe të gjitha këto ngaqë mjedisi për rreth u duket armiqësor, zyrat i përjetojnë si organe shtypëse, tiranike. Dhe largohen të tmerruar pa mundur të gjejnë prehje e mbrojtje as brenda vetevetes. Mandje, shpesh, as nuk e pranojnë këtë prehje a ndihmë. Ndihen të qetë vetëm brenda absurdit të pakuptueshëm të vetvetes e, paradoksalisht, edhe përtej ekzistencës vetjake.

Pak a shumë ky është njeriu moderrn që përpëlitet në një botë përherë e më të egër, jo miqësore. Sidoqoftë, edhe pse njerëzit vuajnë, gëzojnë, argëtohen, përleshen dhe në fund… vdesin duke marrë me vete tërë pasiguritë e sëmundjet psiqike të shekullit, njerëzimi, prapëseprapë rinohet. Jeta normale apo absurde qoftë, me gjithë ulje- ngritjet e temperaturave të brendëshme të saj e ka dominuar përherë vdekjen. Dhe në këtë proçes të ndërlikuar, kundërshtia mes fytyrës së vërtetë njerëzore dhe maskës çnjerëzore do vazhdojë. Virtytet dhe veset do vijojnë të përplasen, të përqafohen apo edhe të shqyhen midis tyre. Dhe ndoshta, do e çojnë vetëm përpara shoqërinë njerëzore. Njerëzimi ka parë edhe më keq, por e ka gjetur përherë rrugën e mbijetesës edhe përmes kaosit.

Përsa i takon njeriut shqiptar, mendoj se sot veset çnjerëzore, maskat, po dominojnë mbi virtytet, mbi fytyrat e vërteta. Por kjo gjendje nuk besoj se zgjat shumë. Me kohë krijohet një tjetër klimë, një tjetër atmosferë, e ngjashme, ndoshta me drithërimën që përshkon atmosferën para ciklonit dhe rivendoset sërish ekuilibri i të mirës mbi të keqen.

Sa për mua, unë e gjej veten diku mes optimizmit të zymtë dhe pesimizmit me dritë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bujar Skendo, Sokol Paja

Dritëro Agolli, fjalimi i tij dhe llogaria që politika shqiptare ende duhet të japë

October 14, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në përvjetorin e 95-të të lindjes së Dritëro Agollit, më 13 tetor, rikthimi te fjalimi i tij në Kongresin e X-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, më 10 qershor 1991, nuk është thjesht një homazh për një shkrimtar të njohur. Është një rast për të reflektuar mbi historinë politike të Shqipërisë, mbi përgjegjësinë e intelektualëve dhe, mbi të gjitha, mbi marrëdhënien e politikës shqiptare me pushtetin, demokracinë dhe të vërtetën. Fjalimi i Agollit ishte një nga momentet domethënëse të atij kongresi. Në një kohë kur regjimi zyrtar komunist po shembej dhe Shqipëria kishte hyrë në rrugën e pluralizmit politik, ai kërkoi që Partia e Punës të përballej me gabimet e veta. Ai nuk u mjaftua me thirrje të përgjithshme për ndryshim, por identifikoi tri probleme themelore: diktaturën e hekurt në udhëheqjen e partisë, politikën e gabuar ekonomike dhe shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut. Sot, 35-vjet më vonë, fjalimi meriton të rilexohet jo për të barazuar Shqipërinë e sotme me diktaturën komuniste, por për të pyetur se sa thellë kanë ndryshuar kultura politike, institucionet dhe raporti i pushtetit me qytetarin.

A ndryshoi, zyrtarisht, vetëm sistemi politik shqiptar, a ndryshoi edhe mendësia e ushtrimit të pushtetit? Kjo është pyetja që e bën edhe sot aktual fjalimin historik të Dritëro Agollit, para ithtarëlve të Enver Hoxhës me 10 qershor të vitit 1991. https://telegraf.al/…/fjalimi-manifest-i-dritero…/

DIKTATURA E HEKURT DHE PËRQENDRIMI I PUSHTETIT: Në fjalimin e tij të vitit 1991, Agolli e identifikoi si gabimin e parë të Partisë së Punës atë që e quajti «vija e diktaturës së hekurt». Ai kritikoi përqendrimin e pushtetit në duart e ddiktatorit Enver Hoxha, mungesën e demokracisë brenda udhëheqjes dhe pamundësinë për të shprehur mendime të kundërta pa rrezikuar përjashtimin, burgosjen apo edhe jetën. Ishte një akuzë e rëndë, veçanërisht sepse vinte nga një njeri që kishte qenë pjesë e vetë sistemit politik dhe kulturor të asaj periudhe. Por çfarë lidhjeje ka kjo kritikë me politikën shqiptare të sotme? Shqipëria e sotme është një republikë pluraliste. Ka zgjedhje, parti opozitare, media të shumta dhe institucione që nuk ekzistonin në formën e tyre të tanishme gjatë diktaturës. Këto dallime janë thelbësore dhe nuk duhen minimizuar.

Megjithatë, demokracia nuk mund të vlerësohet vetëm nga ekzistenca formale e institucioneve. Ajo duhet gjykuar edhe nga mënyra se si funksionojnë ato. Sa demokratike janë vetë partitë politike shqiptare? Sa hapësirë kanë anëtarët e tyre për të kundërshtuar drejtuesit? Sa e pavarur është vendimmarrja institucionale nga interesat e udhëheqësve politikë? Dhe sa përgjegjësi mbajnë ata që ushtrojnë pushtetin? Këto janë pyetje që i takojnë, pikërsiht, demokracisë së sotme. Nëse kryetari i një partie bëhet figura pothuajse e vetme vendimmarrëse, nëse debati i brendshëm dobësohet dhe nëse kritika shihet si kërcënim për autoritetin e drejtuesit, atëherë demokracia brenda partive mbetet e mangët, ose jo-ekzistente.

Ky problem nuk i përket vetëm një partie. Ai duhet shqyrtuar në të gjithë spektrin politik shqiptar. Natyrisht, përqendrimi i ndikimit politik në një parti të sotme nuk është i barabartë me diktaturën e Enver Hoxhës, ku kundërshtarët politikë burgoseshin, pushkatoheshin dhe familjet e tyre persekutoheshin. Por historia na mëson se demokracia kërkon vigjilencë të vazhdueshme përballë çdo prirjeje që dobëson institucionet dhe kufizon hapësirën e mendimit të lirë. Frank Shkreli: Nga paralajmërimi “Demokracia nuk pret”, te zgjimi qytetar dhe alarmi: Demokracia në rrezik! | Gazeta Telegraf. Mësimi i parë i Agollit është se asnjë parti nuk mund të quhet demokratike vetëm sepse merr pjesë në zgjedhje. Demokracia duhet të jetojë edhe brenda saj. Frank Shkreli: Pa demokratizim të partive nuk ka demokraci Shqipëria | Gazeta Telegraf

NGA EKONOMIA E CENTRALIZUAR TE SFIDAT E EKONOMISË SË TREGUT: Gabimi i dytë që denoncoi Agolli ishte politika ekonomike e regjimit komunist. Ai kritikoi centralizimin e skajshëm, mitizimin e pronës shtetërore, armiqësinë ndaj pronës private dhe izolimin ekonomik të Shqipërisë nga bota. Në këtë pikë, ndryshimi ndërmjet vitit 1991 dhe Shqipërisë së sotme është i madh. Ekonomia e centralizuar komuniste është zëvendësuar nga ekonomia e tregut. Qytetarët kanë të drejtë të zotërojnë prona, të krijojnë biznese dhe të zhvillojnë veprimtari private. Por kalimi te ekonomia e tregut nuk garanton vetvetiu drejtësi ekonomike, konkurrencë të ndershme apo administrim të mirë të pasurisë publike. Sot pyetja nuk është më nëse Shqipëria duhet të braktisë ekonominë komuniste. Ajo e ka bërë këtë prej dekadash. Pyetja është nëse ekonomia e tregut funksionon mbi bazën e rregullave të barabarta për të gjithë.

A kanë sipërmarrësit mundësi të konkurrojnë, pa u penguar, nga lidhjet politike të konkurrentëve të tyre? A përdoren paratë publike në mënyrë transparente? A mbikëqyren siç duhet kontratat publike? A mbrohet interesi i qytetarëve kur merren vendime me pasoja të mëdha ekonomike? Frank Shkreli/Korrupsioni problem kryesor në Shqipëri dhe në Kosovë | Gazeta Telegraf. Këto janë çështje që kërkojnë verifikim përmes dokumenteve, auditimeve, vendimeve gjyqësore dhe raporteve institucionale. Debati mbi korrupsionin dhe përdorimin e pushtetit për përfitime të paligjshme është veçanërisht i rëndësishëm. Në shkurt 2026, Reuters raportoi mbi një hetim që përfshinte zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda Balluku, dhe kontrata të mëdha infrastrukturore. Raportimi përshkroi gjithashtu shqetësimet e ngritura lidhur me ndikimin e kësaj çështjeje në luftën kundër korrupsionit dhe në procesin e integrimit evropian. Akuzat dhe hetimet duhen trajtuar sipas procedurave ligjore dhe nuk përbëjnë, vetvetiu, një vendim përfundimtar fajësie.

Ky është dallimi thelbësor ndërmjet kritikës politike dhe gjykimit ligjor: dyshimet duhet të hetohen, provat duhet të shqyrtohen dhe përgjegjësia duhet të përcaktohet nga institucionet kompetente. Agolli ka kritikuar një sistem ku pushteti politik kontrollonte ekonominë dhe kufizonte, tmerrësisht, lirinë e individit. Sfida e sotme është të sigurohet që institucionet publike të mos përdoren për të favorizuar interesa të veçanta dhe që askush të mos jetë mbi ligjin. Ndryshimi i sistemit ekonomik ka kuptim të plotë vetëm kur liria ekonomike shoqërohet me konkurrencë të ndershme, transparencë dhe përgjegjësi publike.

LIRIA E FJALËS: A E PRANON POLITIKA SHQIPTARE KRITIKËN? Pjesa e tretë e fjalimit të Agollit lidhej me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe me luftën e klasave që regjimi komunist përdorte për të justifikuar përndjekjen e kundërshtarëve. Në Shqipërinë komuniste, mendimi ndryshe kishte pasoja tragjike. Shtypi kontrollohej nga shteti, botimet kalonin përmes censurës dhe intelektualët duhej të vepronin brenda kufijve të përcaktuar nga ideologjia zyrtare. Sot ekziston një realitet tjetër: media të ndryshme, debate publike, opozitë politike dhe mundësi për të kritikuar qeverinë. Por kjo nuk do të thotë se liria e shprehjes është një çështje e përfunduar.

Pavarësia e medias, transparenca e institucioneve dhe mundësia që gazetarët të ushtrojnë profesionin pa presione të papërshtatshme mbeten kritere të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. Frank Shkreli: Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias, mbron drejtësinë dhe demokracinë! | Gazeta Telegraf. Edhe raportet e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e trajtojnë lirinë dhe pluralizmin e medias, luftën kundër korrupsionit, sistemin e drejtësisë dhe mekanizmat e kontrollit institucional si fusha të rëndësishme vlerësimi. Për politikën shqiptare, kjo nënkupton një detyrim të qartë: kritika nuk duhet trajtuar si armiqësi. Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf

Kur një gazetar bën një pyetje të pakëndshme, përgjigjja duhet të jetë transparenca. Kur një intelektual kritikon qeverinë, përgjigjja duhet të jetë argumenti. Kur opozita ngre një shqetësim me interes publik, ai duhet të shqyrtohet mbi bazën e fakteve, pavarësisht, se kush e ka ngritur. Sigurisht, edhe gazetarët, intelektualët dhe politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për vërtetësinë e deklaratave të tyre. Liria e fjalës nuk e përjashton detyrimin për të respektuar faktet. Por pushteti ka një përgjegjësi të veçantë, sepse zotëron mjete dhe burime institucionale që qytetari i zakonshëm nuk i ka. Një demokraci e shëndetshme nuk ka nevojë për duartrokitje të vazhdueshme. Ajo ka nevojë për pyetje, debat, kritikë — qoftë edhe për protesta qytetare, dhe përgjigje të argumentuara nga pushteti. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf

AGOLLI DHE PËRGJEGJËSIA E INTELEKTUALIT: Për ta vlerësuar drejt fjalimin e vitit 1991, duhet të bëjmë edhe një pyetje më të vështirë: cili ishte roli i vetë Dritëro Agollit përpara se të mbante atë fjalim? Agolli nuk ishte disident i qëndruar jashtë sistemit komunist. Ai ishte një nga shkrimtarët më të njohur të vendit, kishte ushtruar funksione publike dhe politike dhe kishte drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Për këtë arsye, fjalimi i tij duhet parë në të gjithë kontekstin historik, jo i shkëputur nga veprimtaria e tij e mëparshme. Ai e pranoi vetë në fjalim se kishte kaluar rreth dyzet vjet në parti, se kishte kënduar idealet e saj dhe se kishte besuar në socializmin si një sistem që do ta përmirësonte jetën e njeriut. Në fund të fjalimit, ai shprehu zhgënjimin e tij dhe pranoi se kishte gabuar në atë besim. Ky pranim është pjesë e rëndësishme e dokumentit historik.

Por nuk mund të shmangim pyetjen: pse një pjesë e rëndësishme e kritikës u artikulua kaq hapur vetëm kur regjimi po humbiste pushtetin?

Përgjigjja duhet të marrë parasysh frikën, censurën dhe represionin e sistemit komunist, të cilat kufizonin mundësitë e kundërshtimit publik. Njëkohësisht, duhet të shqyrtojë edhe marrëdhëniet që intelektualët kishin me pushtetin dhe përgjegjësinë e tyre ndaj shoqërisë. Ky vlerësim nuk kërkon ta mohojmë kontributin letrar të Agollit. As nuk kërkon ta shpallim atë pa gabime. Përkundrazi, një vlerësim serioz duhet të dallojë veprën letrare nga roli politik dhe të pranojë se një njeri mund të ketë dhënë kontribut të rëndësishëm në kulturë, por edhe të ketë mbështetur ide ose institucione që më vonë i kritikoi. Kjo është një çështje që prek shumë intelektualë të periudhës komuniste dhe që meriton studim të paanshëm. Pikërisht këtu qëndron një mësim i rëndësishëm për intelektualët e sotëm: përgjegjësia ndaj së vërtetës duhet të jetë më e fortë se besnikëria ndaj partisë, udhëheqësit apo interesit personal. Frank Shkreli: Kur ndërgjegja vlen më shumë se disiplina partiake | Gazeta Telegraf

NDRYSHIMI I EMRIT NUK ËSHTË I NJËJTË ME NDRYSHIMIN E MENDËSISË: Kongresi i X-të i Partisë së Punës u zhvillua në një moment historik, kur partia po përpiqej të përshtatej me pluralizmin politik. Në përfundim të procesit, ajo mori emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. Por një ndryshim emri nuk mund të konsiderohet vetvetiu provë e një shkëputjeje të plotë nga e kaluara. Shkëputja e vërtetë kërkon ndryshim të kulturës politike, pranimin e përgjegjësive historike dhe respektimin e parimeve demokratike në praktikë. Kjo pyetje është e rëndësishme për Partinë Socialiste, për shkak të lidhjes së saj historike me Partinë e Punës. Por standardet e demokracisë duhet të vlejnë njësoj edhe për Partinë Demokratike dhe për të gjitha forcat e tjera politike.

Asnjë parti nuk mund ta shpallë veten të përjashtuar nga kritika për shkak të historisë, programit apo pretendimit se përfaqëson interesin kombëtar. Një parti dëshmon karakterin e saj demokratik jo vetëm nga ato që thotë, por edhe nga mënyra se si zgjedh drejtuesit, si i trajton kundërshtarët, si respekton institucionet dhe si reagon kur përballet me akuza ose me dështime. Në këtë kuptim, fjalimi i Agollit nuk duhet përdorur vetëm për të gjykuar një parti të së kaluarës. Ai mund të shërbejë si kriter për të shqyrtuar sjelljen e të gjitha partive të sotme. Nëse një forcë politike kërkon të qeverisë një vend demokratik, ajo duhet të pranojë se pushteti i saj është i kufizuar nga ligji dhe se qytetarët kanë të drejtë ta kundërshtojnë. Demokracia nuk është pronë e një partie. Ajo është e drejtë e qytetarëve dhe përgjegjësi e çdo pushteti.

SHQIPËRIA DHE EVROPA: PËRSE NUK MJAFTON VETËM TË DEKLAROHESH PROEVROPIAN: Në fjalimin e tij, Agolli kritikoi izolimin e Shqipërisë nga Evropa dhe bota. Ai e lidhi këtë izolim me dogmatizmin politik dhe ekonomik të regjimit. Sot, integrimi evropian është një objektiv i rëndësishëm kombëtar dhe Shqipëria ka përparuar në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por përkatësia evropiane nuk mund të matet vetëm me deklaratat e politikanëve apo me takimet e tyre me përfaqësuesit e institucioneve evropiane. Ajo duhet të dëshmohet përmes funksionimit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, administrimit transparent të pasurisë publike, respektimit të lirive dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Raportimet e fundit mbi hetimet për korrupsion në nivele të larta të qeverisjes shqiptare tregojnë se sundimi i ligjit mbetet një çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për besueshmërinë e vendit dhe për aspiratat e tij evropiane. Kjo nuk do të thotë se akuzat përbëjnë vendime gjyqësore, por se institucionet duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur. Evropa nuk kërkon që Shqipëria të jetë pa probleme. Ajo kërkon që problemet të trajtohen me institucione funksionale, me ligj dhe me përgjegjësi. Prandaj, pyetja që duhet t’i drejtohet politikës shqiptare është e thjeshtë: a është Shqipëria e gatshme të zbatojë standardet evropiane edhe kur ato bien ndesh me interesat e pushtetit të ditës? Integrimi nuk është vetëm çështje diplomacie. Është, mbi të gjitha, proces i transformimit të institucioneve dhe i kulturës politike. Frank Shkreli: Në “Ditën e Evropës”, 9 maj, 2026 shqiptarët evropianë, pa Evropë | Gazeta Telegraf

PËRBALLJA ME KRIMET E KOMUNIZMIT: NJË DETYRIM NDAJ HISTORISË: Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf, Ka edhe një çështje që lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë e regjimit komunist që Agolli kritikoi në vitin 1991: përballja me krimet e komunizmit, një çeshtje që e kam trajtuar aq herë dhe aq shpesh. Sepse nuk kam besura dhe nuk besoj se burgosjet politike, pushkatimet, internimet, persekutimi i klerit, shkatërrimi i institucioneve fetare dhe kufizimi i lirive themelore të njeriut nuk mund të trajtohen si episode dytësore të historisë shqiptare.

Ato janë pjesë e historisë së vendit dhe duhet të studiohen, dokumentohen e kujtohen me seriozitet. Frank Shkreli: Kur një shoqëri nuk përballet me të kaluarën komuniste, e kaluara rikthehet | Gazeta Telegraf. Përballja me të kaluarën komuniste të Shqipërisë nuk do të thotë hakmarrje. Do të thotë respekt për viktimat, njohje e së vërtetës dhe krijim i kushteve që brezat e rinj të kuptojnë se çfarë ndodh kur pushteti nuk njeh kufij. Kjo kërkon hapjen dhe studimin e arkivave, dokumentimin e fatit të viktimave, mbështetjen e historianëve dhe përfshirjen e historisë së diktaturës në edukimin e brezave të rinj. Frank Shkreli: Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane | Gazeta Telegraf. Po aq e rëndësishme është që e kaluara të mos përdoret vetëm për përfitime të përkohshme partiake. Krimet e dokumentuara duhet të njihen për shkak të së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor. Një vend që dëshiron të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme nuk mund ta trajtojë kujtesën historike si një barrë që duhet harruar. Pa njohjen e së kaluarës, demokracia rrezikon të mbetet një sistem institucionesh pa një kulturë të mjaftueshme përgjegjësie. Frank Shkreli: 35 -vjet tranzicion, Shqipëria ende nuk është përballur me të kaluarën komuniste | Gazeta Telegraf

PËRFUNDIM: FJALËT E VITIT 1991 DHE PROVA E DEMOKRACISË SOT:

Dritëro Agolli ishte një figurë komplekse e historisë shqiptare: shkrimtar me kontribut të rëndësishëm letrar, pjesëtar i sistemit politik komunist dhe, në fund të tij, një kritik që kërkoi njohjen e gabimeve themelore të Partisë së Punës. Për ta vlerësuar drejt, duhet të pranojmë të gjitha këto aspekte, pa e idealizuar dhe pa e reduktuar vetëm në rolin e tij politik. Fjalimi i tij i qershorit 1991 mbetet një dokument i rëndësishëm për të kuptuar krizën e komunizmit dhe vështirësitë e shkëputjes nga e kaluara. Por rëndësia e tij nuk përfundon me historinë e një partie. Ai na kujton se përqendrimi i pushtetit, dogmatizmi, kufizimi i mendimit të lirë dhe mungesa e përgjegjësisë mund të dëmtojnë rëndë një shoqëri. Shqipëria e sotme është thelbësisht e ndryshme nga Shqipëria komuniste, por kjo nuk e përjashton nevojën për të vlerësuar me sy kritik cilësinë e demokracisë së saj.

Pyetja është nëse Shqipëria ka ndërtuar institucione aq të forta, një kulturë politike aq demokratike dhe një shoqëri civile aq të ndërgjegjshme dhe një media të lirë – pa të cilën nuk ka demokraci të vërtetë — sa asnjë drejtues politik, të mos mund ta trajtojë pushtetin si pronë personale, për dekada. Kjo është sfida që u takon të gjitha partive, institucioneve dhe mbi të gjitha, qytetarëve shqiptarë. Në përvjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, ndoshta ky është reflektimi më i dobishëm që mund të nxjerrim nga fjalimi i tij. Sepse një vend nuk bëhet demokratik vetëm kur rrëzon një diktaturë. Ai bëhet demokratik kur ndërton institucione që kufizojnë pushtetin, kur mbron të drejtën për të kundërshtuar dhe kur shoqëria dhe media kërkojnë llogari nga ata që qeverisin vendin. (*Shkrimi është përgatitur në bazë të një numër shkrimesh të autorit gjatë viteve, me ndihmën redaktuese të (ai), në përkujtim të 95-vjetorit të shkrimtarit të madh Dritëro Agollit.

Filed Under: Interviste

Skulptorja Prof. Armida Laçej: “Trashëgimia kulturore është një nga rrënjët më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar”

October 12, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. E nderuar Prof. Armida, cili është rrugëtimi juaj në artin e skulpturës dhe cilët kanë qenë njerëzit që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj artistik e profesional?

Rrugëtimi im në artin e skulpturës ka qenë një udhëtim i gjatë, i mbushur me pasion, përkushtim, kërkim të vazhdueshëm dhe dashuri për njeriun. Ai nisi në bankat e Liceut Artistik, vazhdoi në Institutin e Lartë të Arteve dhe u bë pjesë e pandashme e jetës sime. Studimet në Fakultetin Juridik më dhanë një tjetër këndvështrim mbi njeriun, shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore, duke ndikuar në mënyrën se si i qasem edhe krijimtarisë artistike. Një ndikim të veçantë në formimin tim pati skulptori i madh Janaq Paço, i cili ishte ndër të parët që më nxiti dhe më orientoi drejt rrugës së artit. Ai mbetet një figurë e rëndësishme në kujtesën time profesionale dhe njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, po përgatis edhe një monografi kushtuar jetës dhe veprës së tij, si një detyrim mirënjohjeje ndaj mjeshtrit që më ndihmoi të zbuloja më thellë botën e skulpturës.

Gjatë rrugëtimit tim jam formuar edhe përmes njohjes, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me artistë e pedagogë të shquar, si Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Hektor Dule, Thoma Thomai e të tjerë, emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në artin shqiptar.

Prej më shumë se 30 vitesh, krahas krijimtarisë, kam ushtruar edhe profesionin e pedagoges në Akademinë e Arteve. Ka qenë një përgjegjësi dhe privilegj i veçantë të kontribuoja në formimin e brezave të tërë artistësh të rinj. Në një mjedis universitar ku isha e vetmja pedagoge grua mes rreth 40 profesorëve burra, jam përpjekur të dëshmoj se arti nuk njeh dallime gjinore, por njeh talentin, punën, ndjeshmërinë dhe përkushtimin. Për mua, arti nuk është vetëm ajo që krijon dora, por edhe ajo që formon shpirti. Dhe nëse sot do ta përkufizoja rrugëtimin tim, do të thosha se kam kaluar jetën duke kërkuar të vërtetën e formës, duke mësuar nga mjeshtrit dhe duke u përpjekur t’ua përcjell këtë dashuri brezave që vijnë.

2. Si artiste, çfarë kërkoni të përcillni përmes formave, materialeve dhe vëllimeve që krijoni në skulpturë? Nga shumë figura të shquara kombëtare, kush ju ka impresionuar më shumë?

Për mua, skulptura është arti i të menduarit me forma dhe i të shprehurit përmes heshtjes. Një vepër skulpturore nuk duhet të jetë thjesht një trup i modeluar në hapësirë. Ajo duhet të ketë frymë, karakter, emocion dhe një ide që i mbijeton kohës.

Kur punoj me baltën, ndiej sikur komunikoj drejtpërdrejt me materialin. Ajo të lejon të kërkosh, të ndryshosh, të gabosh dhe të fillosh përsëri. Ndërsa bronzi i jep veprës një qëndrueshmëri dhe një përjetësi të veçantë. Përmes formave dhe vëllimeve kërkoj të zbuloj jo vetëm pamjen e jashtme të figurës, por edhe botën e saj të brendshme: forcën, dhimbjen, fisnikërinë, përulësinë apo madhështinë shpirtërore.

Nga figurat që kanë ndikuar në krijimtarinë time, Nënë Tereza zë një vend të veçantë. Ajo më ka impresionuar jo vetëm si një figurë e madhe shqiptare, por mbi të gjitha si një simbol universal i dashurisë, dhembshurisë dhe shërbimit ndaj njeriut. Për mua, ta skulpturosh Nënë Terezën do të thotë të përpiqesh të kapësh diçka që shkon përtej portretit fizik: madhështinë që fshihet te përulësia dhe forcën që lind nga dashuria.

Në vitin 2005 realizova shtatoren e saj prej 2,5 metrash, të derdhur në bronz, të cilën ia dhuruam Presidentit të Republikës së Shqipërisë së bashku me avokatin e njohur Sam Ericsson. Prej më shumë se dy dekadash, vepra qëndron në hollin e Presidencës, si një dëshmi e dashurisë dhe respektit për këtë figurë të jashtëzakonshme. Kjo vepër është shumë më tepër se një realizim artistik për mua. Është një përpjekje për ta bërë të prekshme një vlerë shpirtërore dhe për t’ua përcjellë brezave mesazhin se madhështia e vërtetë e njeriut qëndron te ajo që u jep të tjerëve.

3. Trashëgimia kulturore përmes artit: sa kanë ndikuar kultura, kujtesa, traditat dhe identiteti shqiptar në krijimtarinë tuaj artistike?

Trashëgimia kulturore është një nga rrënjët më të rëndësishme të identitetit tonë. Një artist mund të komunikojë me botën dhe të përqafojë gjuhë të ndryshme artistike, por besoj se bëhet vërtet i veçantë kur arrin të ruajë lidhjen me rrënjët e veta.

Në krijimtarinë time, kultura shqiptare, kujtesa historike, traditat dhe figurat që kanë shënuar jetën e kombit janë një burim i vazhdueshëm frymëzimi. Ato nuk janë thjesht tema për t’u paraqitur në një vepër, por një botë vlerash, emocionesh dhe përvojash që kërkojnë të marrin jetë përmes formës artistike.

Unë besoj se skulptura ka një fuqi të veçantë për të ruajtur kujtesën. Një monument i realizuar me ndjeshmëri dhe përgjegjësi mund të bëhet pjesë e ndërgjegjes së një qyteti, e historisë së një populli dhe e edukimit të brezave. Ai e bën të shkuarën të pranishme në jetën e sotme dhe i jep së ardhmes një pikë referimi.

Pjesëmarrja ime në ekspozitat kombëtare të arteve figurative, si dhe në 16 edicione të ekspozitës “Pranvera Art”, ka qenë një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi. Ekspozitat personale në Holandë, Belgjikë, Itali, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës më kanë dhënë mundësinë që krijimtarinë time ta vendos përballë publikut ndërkombëtar. Këto përvoja më kanë bindur se identiteti kombëtar nuk është pengesë për universalitetin. Përkundrazi, sa më thellë ta njohësh dhe ta shprehësh kulturën tënde, aq më shumë mundësi ke të komunikosh me kulturat e tjera.

Unë do të doja që veprat e mia të mos mbeteshin vetëm dëshmi të një periudhe apo të një frymëzimi personal, por të kontribuonin në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive. Sepse një komb që harron figurat, vlerat dhe historinë e vet rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të identitetit.

4. Si e gjykoni vendin e skulpturës tradicionale dhe bashkëkohore në skenën e sotme artistike? Cili është gjykimi juaj për skulpturën e debatueshme të viteve të fundit, ku figurat kombëtare u përçudnuan? Pse ndodh kjo?

Besoj se arti duhet të jetë i lirë. Skulptura bashkëkohore ka të drejtë të eksperimentojë, të kërkojë forma të reja shprehjeje, të sfidojë zakonet dhe të hapë diskutime. Asnjë art nuk mund të zhvillohet nëse mbyllet brenda formulave të së kaluarës. Por liria krijuese, sipas meje, duhet të shoqërohet me përgjegjësi artistike dhe kulturore. Skulptura tradicionale dhe ajo bashkëkohore nuk duhet të shihen domosdoshmërisht si kundërshtare. Tradita na jep njohjen e formës, mjeshtërinë, kujtesën dhe përvojën e grumbulluar ndër breza; bashkëkohësia na jep kërkimin, eksperimentimin dhe mundësinë për të zbuluar gjuhë të reja. Problemi lind kur risia kthehet në qëllim në vetvete dhe kur dëshira për të tërhequr vëmendjen zë vendin e mendimit artistik.

Kur bëhet fjalë për figura kombëtare me peshë historike e shpirtërore, përgjegjësia bëhet edhe më e madhe. Një artist nuk është i detyruar ta paraqesë figurën në mënyrë akademike apo të idealizuar. Interpretimi modern është legjitim. Por mendoj se duhet të ekzistojë një dallim i qartë mes interpretimit origjinal dhe deformimit që nuk arrin të përcjellë as karakterin, as madhështinë dhe as kuptimin e figurës që përfaqëson.

Kur një vepër publike i kushtohet një personaliteti kombëtar, ajo nuk i përket më vetëm autorit. Ajo hyn në hapësirën e përbashkët të kujtesës dhe bëhet pjesë e marrëdhënies së shoqërisë me historinë e vet. Prandaj, përveç lirisë krijuese, duhen edhe studimi, njohja e figurës, respekti për kontekstin historik dhe një nivel i lartë profesional. Pse ndodh që disa vepra të ngjallin kaq shumë polemika? Mendoj se shkaqet mund të jenë të ndryshme: dëshira për të qenë ndryshe me çdo kusht, mungesa e një studimi të thelluar, konceptet e paqarta artistike, por edhe mënyra se si përzgjidhen e promovohen veprat publike.

Megjithatë, nuk do të dëshiroja që debati të kthehej në një përplasje mes brezave apo në një refuzim të artit bashkëkohor. Arti duhet të gjykohet me argumente, me njohuri dhe me ndershmëri profesionale. Për mua, një vepër e madhe nuk është domosdoshmërisht ajo që shkakton më shumë zhurmë, por ajo që arrin të mbetet në kujtesën e njerëzve. Risia ka vlerë kur lind nga talenti, dija dhe nevoja e brendshme për të shprehur diçka të vërtetë. Të jesh bashkëkohor nuk do të thotë të mohosh çdo gjë që ka ardhur përpara teje, por të ndërtosh mbi të dhe të krijosh diçka që i flet kohës tënde.

5. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet një skulptor i ditëve të sotme?

Sfidat e një skulptori sot janë të shumta dhe nuk lidhen vetëm me procesin krijues. Skulptura kërkon kohë, hapësirë, mjete, materiale dhe një punë fizike e mendore që shpesh është e gjatë dhe e kushtueshme. Ndryshe nga disa forma të tjera të artit, ajo kërkon edhe kushte të posaçme për realizimin, ruajtjen dhe ekspozimin e veprave. Një sfidë e rëndësishme është mundësia për të krijuar pa u diktuar nga kërkesat e momentit, nga moda apo nga pritshmëritë e tregut. Artisti duhet të jetë i hapur ndaj kohës në të cilën jeton, por pa humbur zërin e vet dhe pa bërë kompromis me bindjet e tij estetike.

Një tjetër sfidë është marrëdhënia e artit me hapësirën publike. Monumentet dhe veprat që vendosen në sheshe, parqe apo institucione ndikojnë drejtpërdrejt në pamjen dhe identitetin e qyteteve. Për këtë arsye, përzgjedhja e autorëve, konkurset, vlerësimi profesional dhe transparenca në vendimmarrje janë thelbësore. Sot, skulptori duhet të përballet edhe me ndryshimet teknologjike dhe me një botë ku imazhet konsumohen me shpejtësi. Por unë besoj se teknologjia nuk mund ta zëvendësojë ndjeshmërinë njerëzore, përvojën e dorës, njohjen e anatomisë dhe aftësinë për t’i dhënë jetë materialit.

Një sfidë tjetër është edukimi i publikut. Njerëzit duhet të kenë mundësi ta njohin artin, të mësojnë ta vështrojnë dhe të kuptojnë se pas një vepre të realizuar qëndrojnë studimi, puna, kërkimi dhe përkushtimi.

Për mua, sfida më e madhe mbetet ruajtja e integritetit artistik: të vazhdosh të krijosh me ndershmëri, të mos humbasësh kureshtjen, të mos kënaqesh me atë që ke arritur dhe të kërkosh gjithmonë diçka më shumë nga vetja. Sepse skulptura e vërtetë nuk lind vetëm nga aftësia për të formuar materialin, por nga nevoja për të thënë diçka që ia vlen të mbetet.

6. Cili është mesazhi juaj për skulptorët e rinj?

Mesazhi im për skulptorët e rinj është: mësoni shumë, punoni pa u lodhur, respektoni mjeshtrinë dhe mos kini frikë të krijoni gjuhën tuaj artistike. Talentit duhet t’i bashkëngjiten studimi, disiplina dhe durimi. Një vepër e mirë nuk lind gjithmonë menjëherë. Shpesh, ajo kërkon prova, gabime, heqje, rindërtime dhe shumë orë pune të heshtur në studio. Duhet të mësoni ta njihni materialin, të studioni anatominë, të kuptoni historinë e artit dhe të shikoni me vëmendje veprat e mjeshtërve.

Por mos u mjaftoni vetëm me atë që ju mësojnë të tjerët. Mjeshtrit mund t’ju tregojnë rrugën, por ecjen duhet ta bëni vetë. Mos kërkoni të imitoni, por të kuptoni; mos kërkoni të dukeni ndryshe me çdo kusht, por të keni diçka të vërtetë për të shprehur.

U këshilloj të rinjve të mos e shkëpusin krijimtarinë nga kultura, historia dhe jeta njerëzore. Arti nuk duhet të jetë një ushtrim i ftohtë forme. Ai merr kuptim kur prek njeriun, kur ngjall mendim, kur ruan kujtesën dhe kur krijon një lidhje mes individit dhe shoqërisë.

Si pedagoge prej më shumë se tri dekadash, kam kuptuar se përgjegjësia jonë nuk është thjesht t’u mësojmë studentëve profesionin, por t’i ndihmojmë të zbulojnë individualitetin e tyre, të fitojnë besim te vetja dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të ndershme me artin.

Dhe mbi të gjitha, mos e matni suksesin vetëm me çmimet, ekspozitat apo famën. Këto mund të jenë vlerësime të rëndësishme, por nuk janë thelbi i artit. Vepra e vërtetë është ajo që mbetet në kohë dhe që vazhdon të komunikojë me njerëzit edhe kur autori nuk është më. Krijoni me mendje, punoni me duar dhe ndieni me zemër. Ruani lirinë tuaj krijuese, por mos harroni se talenti është edhe përgjegjësi: ndaj vetes, ndaj kulturës dhe ndaj brezave që do të vijnë pas jush.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Ekzistenca i takon botës së lirisë…

October 8, 2026 by s p

Arben Iliazi flet për gazetën “Dielli” mbi romanin “Flower of the Abyss” (Lulja e humnerës), të sapobotuar në Amazon.

Intervistoi: Sokol Paja

Botimi i romanit me titull “Flower of the Abyss: A Tale of a Surreal Crime” në platformën ndërkombëtare Amazon, në versionin e përkthyer në anglisht nga Kujtim Hajdari, shënon një hap të rëndësishëm për prezantimin e krijimtarisë së shkrimtarit Arben Iliazi përpara një publiku më të gjerë ndërkombëtar, pasi mesazhi i romanit fiton një dimension të ri universal.

“Flower of the Abyss” (Lulja e humnerës) është një roman narrativ me natyrë të theksuar dramatike, simbolike dhe filozofike. Për t’iu përshtatur preferencave të ndryshme të publikut ndërkombëtar, Amazon e ka sjellë librin në disa formate si Paperback (versioni fizik me kopertinë të butë, që ju vjen me postë në shtëpi) dhe Kindle (Versioni digjital (e-book) të cilin mund ta shkarkoni dhe ta lexoni menjëherë në telefon, tablet ose pajisjen tuaj Kindle).

Dielli: Arben, qasja e lexuesve dhe prezantimi i librit theksojnë strukturën e tij dinamike. Edhe pse trajton tema të rënda si krimi shoqëror apo urrejtja racore etnike, stili i rrjedhshëm dhe i ndërthurur me elemente sureale e bën atë tejet të kapshëm për lexuesit e huaj. Si keni arritur deri tek ky univers semantik?

-Duke iu dorëzuar imagjinatës, duke bërë kalimin nga një logjikë abstrakte, në një logjikë narrative, pa të cilin logjika e parë nuk do të kish të drejtë qytetarie në imagjinarin njerëzor. Vetë subjekti që trajtoj është autentikisht i tillë, edhe pse i shtrirë në një kuadrat me strukturë narrative antropomorfe. Nuk kam dashur të përshkruaj thjesht një ngjarje jetëshkurtër, auroriale, me personazhe të vendosura në koordinata të caktuar hapësinore e kohore, por një modus simbolicus, ku shenjat apo imazhet thonë diçka që shkon përtej kuptimit të tyre të mirëfilltë e të drejtpërdrejtë.

Dielli: Jeni shprehur se qëllimi kryesor i subjektit të këtij rrëfimi është destruktimi i urrejtjes njerëzore. Vepra përcjell një mesazh mbi sakrificën dhe lirinë, duke bërë thirrje për pajtim shpirtëror dhe arsye qytetëruese. Mos është kjo një semiotikë pragmatisht e orientuar?

-Ka një pragmatikë kontekstuale, por jo të orientuar. Kuadrati semiotik shfaqet në një nivel të thellë në veprimet e mohimit dhe pohimit. Vepra është një ekzaltim paradoksal, metatermik, ku në qendër është, siç thatë juve, destruktimi i apoteozës së urrejtjes, që është kulmi i hyjnizimit ose glorifikimit maksimal të ndjenjës së mospranimit, mbi bazë të “arsyes së kulluar”, apo imperativit kategorik dhe imperativit hipotetik. Pra mbi bazën e një shtrëngese që i vihet lirisë. Romani i vendos personazhet përballë zjarreve të ideologjive të ndryshme (qofshin ato sekulare, ateiste, raciste apo anti-klerikale) që kërcënojnë t’i përfshijnë të gjithë. Libri pasqyron konfliktet rajonale dhe etnike, duke treguar se si urrejtja mund të shkatërrojë shoqërinë në një botë noumenale.

Dielli: Në qendër të fabulës është një heroinë, vetëvrasja dhe sakrifica e së cilës merr një kuptim sublim. Ajo flijon jetën e saj jo thjesht për një kauzë të ngushtë, por për të mbrojtur lirinë e tjetrit dhe të drejtën e zgjedhjes fetare. Mos vallë kjo “sakrificë gjenerative” nuk përkon me realitetin e sotëm? A ekzistojnë sot subjekte që mund ta kryejnë akte të tilla sublime?

-Në punën e tij krijuese shkrimtari krijon idealitete transhedentale. Jam përpjekur të modeloj një heroinë antonomazike, që mendoj se përputhet me një realitet sociologjik dhe psikologjik të caktuar. Përmes kësaj sakrifice vepra bën thirrje për një pajtim të thellë shpirtëror dhe për gjetjen e “arsyes së qytetërimit”, duke lënë pas ndasitë politike e fetare.

Nga pikëpamja filozofike ky rrëfim i drejtohet ekzistencës së mundshme, domethënë lirisë, të strukur në një subjektivizëm të kulluar. Udhëheqës të rremë shpirtërorë, me veshje politike apo fetare, nuk pranojnë ta shohin qënien njerëzore sikurse ajo është, si një liri të mundshme që kërkon të ndriçojë ekzistencën, me një qasje të vlefshme ekzistenciale me natyrë objektive. Ekzistenca nuk i takon botës së lirisë. Për të arritur në njohjen e kësaj ekzistence jam përpjekur të ndriçoj mundësinë dhe, nëpërmjet kësaj të nxis, të zmadhoj, të thërras lirinë, duke e aktualizuar në mënyrë autentike.

Dielli: Romani e orienton lexuesin e huaj drejt një narrative ku krimi, lufta dhe urrejtja trajtohen përmes elementeve absurde dhe surrealiste. Ju përdorni satirën si një ndër mjetet kryesore letrare. Si keni arritur të ndërthurni satirën me ironinë dhe groteskun? Mos vallë iu ka ndihmuar përvoja si dramaturg?

-Satira është një mjet i mprehtë për të zhveshur dhe për të nxjerrë në pah absurditetin e ideologjive ekstreme (qofshin ato sekulare, ateiste, raciste apo antiklerikale). Përmes situatave satirike, jam përpjekur të tregoj se këto rryma politike dhe shoqërore shpesh humbasin arsyen njerëzore dhe kthehen në dogma qesharake, por të rrezikshme. Satira shënjestron mënyrën se si turmat e njerëzve ndjekin verbërisht propagandën e urrejtjes, ironizon gatishmërinë e masave për të ngritur mure artificiale fetare e etnike. Këto sjellje i kam trajtuar si një “krim surreal” dhe absurd të shoqërisë moderne.

Për të bërë më të prekshëm mesazhin, satira në libër shpesh kalon në grotesk. Situatat tragjike të konfliktit dhe luftës sillen në një formë ku e shëmtuara dhe absurdja e sjelljes njerëzore ekzagjerohen qëllimisht. Kjo bëhet për të shkaktuar te lexuesi një reagim refuzues ndaj dhunës dhe urrejtjes. Kam përdor ironinë therëse për të treguar se si politika shpesh ushqehet nga dasitë dhe se si “arsyeja e qytetërimit” harrohet për interesa të ngushta pushteti.

Kjo qasje satirike nuk shërben thjesht për të argëtuar, por funksionon si një thikë kirurgjikale që pret dhe analizon sëmundjet e shoqërisë, duke ndihmuar në çmontimin e mekanizmave që prodhojnë urrejtje.

Dielli:Ju e përshkruani satirën si një “thikë kirurgjikale” që analizon sëmundjet e shoqërisë. Cilat janë, sipas jush, mekanizmat më të rrezikshëm që e shndërrojnë njeriun nga një qenie që nuk arsyeton, në një individ që ndjek verbërisht propagandën dhe urrejtjen?

-Monteskjë tek “Fryma e ligjeve” thotë : Të shumta janë gjërat që qeverisin njerëzinë: klima, feja, ligjet, sentencat e qeverisë, shembulli i së kaluarës, zakonet, mënyrat e të sjellurit: si rezultat i tyre formohet një frymë e përgjithshme. Të nxjerrësh bëmat njerëzore jashtë kontekstit, do të thotë t’i shkëputësh nga vendi ku janë dhe ku janë përftuar. Prej këtij lajthimi burojnë sëmundjet e shoqërisë, kur njeriu bie në mëkatin e krenisë dhe shndërrohet në një qënie që nuk arsyeton, që kërkon të drejta të posaçme, e gjykon historinë sipas atij kallëpi që e quan arsye dhe është i shtrënguar të hyjë në një kuturisje ksenofobike, duke shkatërruar gjithë vlerat e epërme, si hynore ashtu edhe njerëzore, duke i dhënë vetes, madje, edhe një fuqi të rreme demiurgjike.

Dielli: Në tekstin tuaj kaloni nga satira sociale te një reflektim më i thellë ontologjik mbi ekzistencën, ndërgjegjen, qenien dhe kohën. Si lidhet eksplorimi i ndërgjegjes njerëzore me përpjekjen tuaj për të kuptuar dhe për të kundërshtuar intolerancën?

-Ndërgjegja njerëzore është si humusi që ushqen mendimin. Në rrëfimin tim, ish-komunisti i konvertuar në prift, si një relike e obskurantizmit, është i zhytur në një gjendje ankthi dhe hutimi, të sunduar nga autoriteti i sentencave kombëtare, porse të përthara e të pajeta. Ai përpiqet të zhdukë historinë, duke pandehur se po dëbon bestytninë e lajthimin, i bindur se po i emancipon shpirtrat, por nuk bën gjë tjetër veçse i çrrënjos ato. Duke luftuar për “superioritetin e racës”, ai humbet çdo përmbajtje, sepse përpjekjet e tij janë të gënjeshtërta dhe produkt i blasfemisë militante dhe egoiste. Vetëm një urdhër hyjnor do të ishte në gjendje ta shpëtonte nga poshtërsia e tij dhe ta shkëpuste nga kalbësia e rendit trupor, të damkosur nga epshi. Nëpërmjet kësaj antropologjie pesimiste, që shtrihet nga përdëllesa deri tek epshi, jam përpjekur të kundërshtoj dimensionin e intolerancës, nëpërmjet një ngjarjeje fiksion, ku nuk ka asgjë idilike, por shpaloset skena e një tragjedie bashkëkohore.

Dielli: Në një botë ku vazhdojnë të ekzistojnë ndarje fetare, etnike dhe ideologjike, ju flisni për nevojën që “perspektivat e tolerancës të fitojnë koherencën”. A mund të bëhet letërsia — dhe veçanërisht satira — një mënyrë për ta rikthyer njeriun te arsyeja, dialogu dhe kuptimi i përbashkët i ekzistencës?

-Letërsia është një flamur humanist, që shndërrohet gjithmonë në një grishje për mirëkuptim universal, për dialog mes kulturave të ndryshme, rregullave të bashkëjetesës dhe shkatërrimit të partikularizmave. Konfliktet e mëdha janë konflikte besimesh e kulturash që glorifikojnë egoizmin e shenjtë, tkurrjen brenda unit kolektiv dhe agresivitetin ksenofobik. Duke pasur një besim të patundur te përparimi i arsyes, duke mos e ndarë dot atë nga historia, letërsia (dhe satira si zhanër i saj) ka dëshmuar njësinë e gjinisë njerëzore dhe mënjanimin e partikularizmave, nëpërmjet zëvëndësimit të traditës me lirinë shpirtërore, nëpërmjet fuqisë çrrënjosëse të fjalës.

Dielli: Tema e “destruktimit të urrejtjes”, konflikteve etnike dhe ideologjike nuk shihet më vetëm si një problem rajonal apo ballkanik, por si një mesazh universal human. A është ky një rast që lexuesi ndërkombëtar ta receptojë veprën si një thirrje globale për paqe, tolerancë fetare dhe arsye qytetëruese?

-Në kuptimin ontologjik subjekti i këtij rrëfimi ta krijon mundësinë e receptimit të këtij mesazhi, me qëllim që perspektivat e tolerancës të fitojnë koherencën, që bota të mos mbetet e zbrazët për nga kuptimi. Ky objekt reflektimi apo introspeksioni duhet të ngulet te vetë rrënja e vullnetit njerëzor, te vetë origjina që quhet ekzistencë. Nëse bëjmë një analizë refleksive të afektivitetit transhedental, ende do të shohim të shfaqen në botë çarje të pakapërcyeshme, për shembull, midis botës pa shpirt dhe botës së gjallë, midis botës së gjallë dhe botës shpirtërore. Qënia dhe koha ndodhen të stivosura mbi njëra-tjetrën, ndaj një shkrimtar duhet të jetë i vëmendshëm në këtë drejtim. Dhe kjo fillon me eksplorimin e ndërgjegjes.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT