• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Masakra e Tivarit – E vërteta historike nuk mund të mbetet peng i heshtjes!

October 31, 2026 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Me respekt të veçantë, mirënjohje të sinqertë dhe mbështetje të plotë përshëndes iniciativën e ndërmarrë sot nga deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, për paraqitjen në procedurë parlamentare të Propozim-Rezolutës mbi Masakrën e Tivarit dhe krimet e tjera të kryera ndaj shqiptarëve.

Miqtë e mi deputetë, Nikollë Camaj, Artan Çobi, Ilir Capuni dhe Meto Zenka, ju falënderoj nga zemra për këtë nismë me rëndësi të veçantë kombëtare dhe historike!

Ju keni marrë përsipër të ngrini në nivel parlamentar një çështje që prek thellë kujtesën, ndërgjegjen dhe dinjitetin tonë kombëtar.

Ju përgëzoj dhe ju inkurajoj ta çoni përpara me vendosmëri, deri në fund.

Masakra e Tivarit, në mars–prill 1945, mbetet një prej tragjedive më të rënda të historisë sonë kombëtare.

Mijëra shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të mobilizuar dhe të dërguar në kolona drejt Tivarit, përjetuan një marshim tragjik nëpër itinerarin Prizren–Kukës–Shkodër–Tivar, të shoqëruar me dhunë, keqtrajtime dhe vrasje.

Më 1 prill 1945, në Tivar, forcat komuniste jugosllave kryen një masakër ndaj shqiptarëve të paarmatosur.

Përllogaritjet historike flasin për mijëra viktima gjatë gjithë kësaj tragjedie, rreth 2.947 deri në 3.447 të vrarë, të mbytur, të helmuar ose të zhduku, ndërsa studiues të ndryshëm kanë paraqitur shifra edhe më të larta.

Numri i saktë i viktimave dhe fati i shumë të zhdukurve mbeten ende për t’u dokumentuar plotësisht.

Pas këtyre shifrave qëndrojnë mijëra jetë njerëzish, familje të shkatërruara dhe një plagë e rëndë në kujtesën e kombit shqiptar.

Derisa kjo masakër të zbardhet plotësisht, ajo do të mbetet një njollë e rëndë dhe e zezë edhe në historinë e regjimit komunist të Shqipërisë.

Ata që dinin dhe kishin përgjegjësi për atë që ndodhi, nuk e thanë kurrë të vërtetën e plotë.

Për dekada, heshtja e regjimeve komuniste jugosllave dhe shqiptare rëndoi mbi këtë tragjedi, ndërsa familjet e viktimave mbetën pa përgjigje dhe pa drejtësi.

Është detyrim historik dhe kombëtar të ndriçohen deri në fund krimet e forcave komuniste jugosllave, roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve komuniste shqiptare, si dhe fati i bashkëkombësve tanë të vrarë e të zhdukur.

Kujtesa kombëtare nuk mund të ndërtohet mbi heshtjen, as e vërteta historike të mbetet peng i interesave politike dhe ideologjike.

Miqtë e mi deputetë, iniciativa juaj është një hap i rëndësishëm për ta rikthyer këtë tragjedi në vëmendjen institucionale dhe për t’u dhënë zë viktimave që për dekada u lanë në heshtje.

Ju falënderoj dhe ju përgëzoj për këtë angazhim!

Uroj që nisma juaj të gjejë mbështetje të gjerë në Parlamentin e Malit të Zi, përtej dallimeve politike e partiake, dhe të hapë rrugën për njohjen institucionale, dokumentimin e plotë dhe përkujtimin e dinjitetshëm të kësaj tragjedie.

Zbardhja e Masakrës së Tivarit nuk është thirrje për urrejtje ndaj popujve të tjerë, por kërkesë për të vërtetën, drejtësinë historike dhe dinjitetin e viktimave.

Nderim i përjetshëm viktimave të pafajshme të Masakrës së Tivarit!

Kombet që nderojnë të rënët dhe nuk e fshehin të vërtetën e historisë së tyre, ruajnë dinjitetin dhe ndërgjegjen e brezave!

Filed Under: Interviste

Simon Gjoni, kompozitori që i dha përjetësi lirikës shkodrane…

October 29, 2026 by s p

Albert Vataj/

Simon Gjoni, ishte shumë e shumë më tepër se kompozitori i këngës ikonike, “Eja, eja luleborë”.

Kur një emër i madh i muzikës shqiptare mbetet i lidhur pothuajse vetëm me një këngë, sado e pavdekshme të jetë ajo, kemi të bëjmë me një paradoks të kujtesës kulturore. Publiku e përqafon veprën, e bën të vetën, e këndon brez pas brezi, por shpesh harron të njohë në tërësinë e vet artistin që e krijoi.

Simon Gjoni ishte shumë më tepër se autori i melodisë së “Eja, eja luleborë”, me vargjet e poetit Zef Pali. Ai ishte një krijues me ndjeshmëri të veçantë melodike, një dirigjent me formim të kultivuar, një interpretues i muzikës së madhe dhe një pedagog që kontribuoi në përgatitjen e brezave të rinj të muzikantëve. Veprimtaria e tij shtrihet përtej këngës që u bë simbol i Shkodrës, ajo përfshin një krijimtari të pasur vokale, vepra instrumentale, valle simfonike dhe një angazhim të rëndësishëm në jetën muzikore shqiptare.

Kënga “Luleborë” është, pa dyshim, një nga dëshmitë më të bukura të talentit të tij. Por madhështia e një kompozitori nuk mund të matet vetëm me jetëgjatësinë e një melodie, as me famën që fiton një krijim i vetëm. Ajo duhet kërkuar edhe në arkitekturën e veprave të tjera, në dijen që mishëron muzika e tij, në aftësinë për ta ngritur frymëzimin e çastit në formë artistike dhe në gjurmën që lë te interpretuesit, studentët dhe vetë zhvillimi i kulturës muzikore.

Për këtë arsye, të flasësh për Simon Gjonin do të thotë të dalësh përtej magjisë së “Luleborës” dhe të hysh në një univers krijues ku lirizmi shkodran takohet me disiplinën e muzikës së kultivuar, ku ndjeshmëria popullore përpunohet përmes dijes muzikore dhe ku talenti individual merr përmasën e një kontributi kombëtar. Ai nuk ishte thjesht muzikanti që i dha Shkodrës një këngë të pavdekshme; ishte një prej atyre artistëve që ndihmuan të ndërtohej historia e muzikës shqiptare të shekullit XX.

Prandaj, “Eja, eja luleborë” duhet të jetë porta përmes së cilës hyjmë në botën e Simon Gjonit, jo kufiri brenda të cilit e mbyllim kujtimin e tij. Sepse një këngë mund ta bëjë një artist të pavdekshëm në zemrën e publikut, por vetëm njohja e tërë veprës së tij na lejon të kuptojmë përmasën e vërtetë të krijuesit.

Filed Under: Interviste

“Pluralizëm pa kushtetutë pluraliste: legjitimimi politik i ndryshimit në Shqipëri dhe Evropën Lindore, 1989–1992”

October 28, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

E dini se në Shqipëri me 17 dhjetor 1990 doli dekreti që lejoi pluralizmin pa abroguar nenin 3 ku PPSH shpallej forcë e vetme e shtetit dhe e shoqërisë? E dini që dekreti i Presidiumit nuk u ratifikua asnjëherë në Kuvend/parlament? E dini që deri në prill 1991 Shqipëria kishte ndryshuar sistemin politik, por ende quhej Republikë Popullore Socialiste dhe se edhe në memorandumin me rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA Shqipëria prezantohej me RPSSH? E dini se me dekret në janar 1991 mbrohej figura e Enver Hoxhës? Burg për ata që e kritikonin ose e sulmonin në statuja/buste. E dini që Shqipëria funksionoi më shumë se një vit pa simbole shtetërore? E dini që Këshilli Presidencial (1991) u miratua pa bazë referuese kushtetuese dhe nuk pati akt shpërbërës apo pushimi për funksionimin e tij? E dini që Byroja Politike vijoi të marrë vendime mbi shtetin, policinë, hetuesinë, prokurorinë, gjykatat deri në maj 1991, pra edhe 4-5 muaj në pluralizëm?

Shqipëria ishte unike edhe në nisje të tranzicionit: ndryshe nga vendet e tjera ish komuniste në Lindje, ku heqja e monopolit kushtetues të partisë komuniste i parapriu zgjedhjeve të lira në Shqipëri ndodhi e kundërta: zgjedhjet e para shumëpartiake u zhvilluan ndërkohë që neni 3 i Kushtetutës së vitit 1976 për PPSH si forcë e vetme mbetej në fuqi. Kushtetuta e vitit 1976 pati një rol historik paradoksal: e hartuar për të garantuar monopolin politik të PPSH-së, ajo shërbeu si mbështetje e referencë formale për aktin që lejoi krijimin e partive të tjera dhe fundin e PPSH-së. Kështu Shqipëria hyri në pluralizëm përpara se të ndahej plotësisht nga rendi kushtetues dhe praktikat e shtetit njëpartiak.

“Pluralizëm pa kushtetutë pluraliste: legjitimimi politik i ndryshimit në Shqipëri dhe Evropën Lindore, 1989–1992” ishte referimi im që e trajtoi këtë çështje në konferencën shkencore mbi Kushtetutën e vitit 1976 dhe efektet e saj në shoqërinë shqiptare, 50 vjet pas miratimit të saj dhe 35 vjet pas abrogimit të saj. Konferenca u organizua nga Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Filed Under: Interviste

Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”

October 21, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Z. Murati, cila ka qenë ecuria artistike e grupit të valleve BESA në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Florida?

Grupi i valleve Besa ka filluar veprimtarinë e tij në tetor 2024, përpara ky grup ishte në një situatë kaotike dhe nuk i përgjigjej kërkesave që ky grup kishte karshi komunitetit që përfaqësonte, por edhe karshi vetes, kjo sepse fëmijët që dëshironin të kërcenin vallet shqiptare nuk po gjenin atë çfarë dëshironin nga ky grup!

Mua më thirrën për ta drejtuar në atë kohë dhe sigurisht do të më duhej një apo dy seanca provash që fëmijët të bindeshin në atë që kërkonin të bënin, por duhet edhe t’i bindja si fëmijët, por edhe drejtuesit e shoqatës Besa për gjithçka kërkonin nga ky grup! Sigurisht e kam thënë dhe do ta them përsëri, ju jam mirënjohës zonjave drejtuese të shoqatës Besa, Imelda Pojani dhe Lola Naqo, që ma besuan drejtimin artistik të këtij grupi, i cili e rifilloi punën e tij me 5-7 fëmijë, por me kalimin e ditëve ai do të plotësohej me më shumë se 20-25 fëmijë të moshave të ndryshme. Duke filluar nga 5-6-vjeçarë deri në 18-20-vjeçarë!

Mua m’u desh të punoja shumë, por edhe t’u shpjegoja për origjinën e valleve shqiptare nga jugu në veri! Grupi i valleve Besa promovon vallet origjinale të të gjithë Shqipërisë! Këto valle janë vallet më tradicionale që kërcehen në të gjitha festimet kombëtare, por edhe ato lokale! Grupi Besa është i pranishëm në disa evente të përvitshme që organizohen për komunitetin shqiptar në Tampa Bay Area ose në Pinellas County! Fëmijët dhe, në tërësi, grupi i valleve Besa i promovojnë vallet shqiptare nëpër festa familjare, në evente që organizohen nga shoqata Besa!

2. Si koreograf, çfarë efekti ka vallja tradicionale shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në përcjelljen e trashëgimisë kulturore te fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë?

Vallja në tërësi është një nga pjesët më të bukura të traditave, folklorit shqiptar, trashëgimisë kulturore dhe kulturës shqiptare, si e tillë ajo krijon një efekt të jashtëzakonshëm dhe të emocioni të lartë për atë që e sheh, po patjetër janë shumë të dëshiruar ta mësojnë! Patjetër ata ndihen shumë mirë kur dalin të kërcejnë para prindërve të tyre ose përpara një publiku në salla apo në skenë! Atë që bën vallja dhe muzika e valles krijon një efekt të atillë që edhe nëse nuk di të flasësh shqip, pasi je një fëmijë që ka lindur në USA, të bën ta fillosh ta shikosh fillimisht, pastaj fëmijët, por edhe më të mëdhenj se fëmijët fillojnë të bëhen pjesë e grupit ku kanë filluar të mësojnë e më andej ata fillojnë ta kërcejnë ku munden ose fillojnë ta kërkojnë ta kërcejnë atje ku mblidhen për të festuar, përfshirë këtu edhe ditëlindje shokësh, apo festa familjare jo vetëm në USA, por edhe kur shkojnë në Shqipëri!

Nëpërmjet valles ne ruajmë dhe trashëgojmë një nga traditat më të hershme të kulturës sonë, po njëkohësisht të historisë së folklorit shqiptar! Fëmijët të të gjitha moshave, pjesë e grupit të valleve, mesa kam vënë re, nuk hezitojnë ta thonë me plot gojën kudo nëpër aktivitete: jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe jemi krenarë që kërcejmë dhe këndojmë valle dhe këngë shqiptare, kjo sepse vallja, kërcimi i tyre i ka hequr emocionet dhe ato ngurrime të mundshme që mund të ketë një fëmijë! Sigurisht një pjesë e madhe e tyre kanë lindur këtu dhe jetojnë këtu, edukohen këtu në shkolla, por kemi vënë re që kur vjen fjala për të kënduar himnin kombëtar të gjithë e këndojnë me shumë kënaqësi, kjo për mua si profesionist apo dhe prindërve u jep një ndjenjë krenarie, e cila besoj do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre!

Vallja dhe kërcimi ndikon shumë në disa aspekte, emocional, fizik, psikologjik, po pa diskutim ka një efekt në rritjen e vëmendjes! Vallja dhe kërcimi i ndihmon të mësojnë edhe kërcime të tjera të ndryshme!

3. Sa e vështirë është të ruhet dhe të kultivohet autenticiteti i valleve tradicionale shqiptare në një mjedis multikulturor si Tampa Bay, ku fëmijët dhe të rinjtë rriten mes ndikimeve të ndryshme kulturore e gjuhësore?

Gjithçka lidhet me edukimin, por pa diskutim edhe me familjen! Sigurisht për fëmijët e vegjël janë prindërit ata të cilët janë të interesuar që këta fëmijë të marrin ato njohuri, të cilat i bëjnë ata të interesuar të mësojnë nga kultura dhe trashëgimia kulturore e vendit të origjinës, por ajo që unë po përpiqem dhe punoj është që ata të ruajnë dhe ta kërcejnë ato valle që kërcehen nëpër aktivitetet që organizohen nga Besa!

Sigurisht në gjykimin tim nuk është e lehtë, por duhet gjetur ai çelësi i artë që ata ta hapin dhe të gjejnë diçka që u pëlqen, të gjejnë diçka që ndihen mirë, të gjejnë diçka që ndoshta shumë fëmijë të tjerë nuk kanë mundësi ta bëjnë! Kjo kërkon pa diskutim një njohje të mirë të kulturës, folklorit, traditës, kërkon profesionalizëm dhe përkushtim nga të gjitha palët!

4. Si e keni të organizuar programin kulturor me fëmijët në lidhje tipologjinë e valleve, kostumografinë dhe muzikën popullore?

Unë bëj njëherë në javë, çdo ditë të shtunë, për rreth 2 orë pa pushim, mësim të valleve tradicionale shqiptare! E kam organizuar në bazë mosheje. Fillimisht me grupin e vogël 5-9 vjeç, pastaj grupi i dytë 10-13 vjeç! Por në disa raste i organizojmë së bashku të gjithë, por ajo që unë kam bërë është që në fund të kursit organizoj një kërcim, siç është vallja pogonishte, ku fillohet nga fëmijët e vegjël, futen fëmijët pak më të mëdhenj dhe pastaj ftoj edhe prindërit të kërcejnë së bashku, kjo u jep më shumë besim fëmijëve, u heq ato emocione që ata mund të kenë, por pa diskutim ata ndihen krenarë që kërcejnë me mamanë ose me babanë e tyre në krah!

Ndihen shumë mirë dhe është një mënyrë e mirë që kam aplikuar për të mbyllur kursin e valles! Nga fillimi i muajit shtator, në pjesën e fundit të kursit të valleve kemi filluar kurs me një pjesë të mamave, duke u mësuar disa valle tradicionale shqiptare!

5. Si ka ndikuar pjesëmarrja në aktivitetet kulturore dhe artistike e fëmijëve shqiptarë të lindur në Amerikë në forcimin e lidhjeve mes familjeve shqiptare dhe në afrimin e brezit të ri me rrënjët e prejardhjen shqiptare?

Ka ndikuar shumë pozitivisht, sepse prania e tyre çdo të shtunë nga 2 orë ka bërë një socializim të fëmijëve, por pa diskutim dhe prindërve të tyre! Fëmijët kanë krijuar lidhjet e tyre të reja me pjesëtarë të grupit të valleve Besa, kanë krijuar grupet e tyre në rrjetet sociale ku shprehen për çfarë bëjnë në kursin e valleve, apo shpërndajnë foto me kostumet e bukura shqiptare duke kërcyer!

Pjesëmarrja ka ardhur në rritje nga viti i parë në vitin e dytë dhe në vazhdim, sidomos në këto ditë që ne kemi filluar sezonin e ri të mësimit të valleve, kemi një pjesëmarrje të madhe me mbi 35-40 fëmijë në çdo të shtunë, por sigurisht nga njohjet dhe komunikimi që kanë, sa po vjen dhe shtohen, kjo jo vetëm nga Tampa Bay Area, por edhe jashtë saj, kemi fëmijë dhe prindër që udhëtojnë mbi 2 vajtje-ardhje për të qenë pjesë e grupit dhe të kërcejnë vallet shqiptare!

6. A mendoni se arti, muzika dhe vallja shqiptare janë ndër mënyrat më të fuqishme për ta bërë të njohur Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në shoqërinë amerikane?

Po, arti, muzika, vallja dhe historia shqiptare janë disa nga mënyrat më të fuqishme për t’u bashkuar, për t’u afruar, për të gëzuar, e mbi të gjitha të njihen, të ndihmojnë, të marrin e të japin informacion për gjithçka kërkojnë ata që kanë pak kohë që kanë ardhur, por muzika i bën krenarë për ato këngë dhe valle të bukura dhe me lëvizje ekspresive e bëjnë që dhe shumë amerikanë të jenë kuriozë dhe të kërkojnë më shumë informacion për Shqipërinë! Kjo i bën ata shumë krenarë për atë që përfaqësojnë!

7. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve shqiptaro-amerikanë që dëshironi t’i shihni më të përfshirë në ruajtjen dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Më lejoni të bëj thirrje të gjithë fëmijëve të lindur këtu në USA, adoleshentëve që jetojnë dhe që kanë ardhur fare të vegjël, por edhe të prindërve të këtyre, të bëjnë të mundur të dëgjojnë muzikë shqiptare, të mësojnë vallet tradicionale shqiptare, t’ua mësojnë fëmijëve himnin kombëtar dhe t’u mësojnë të flasin shqip sa munden!

Të rinjve amerikano-shqiptarë do t’u kërkoja më shumë përulje, mësoni të këndoni himnin kombëtar shqiptar, mësoni sa mundeni vallet tradicionale shqiptare sepse ato janë pjesë e një kulture të një populli nga më të vjetrit në Evropë! Një popull që ka një folklor, se ka tradita shumë të bukura, ka valle që kërcehen për çdo festë familjare, apo në çdo aktivitet kombëtar që do të organizoni, sepse do të ndjehen shumë krenarë për atë që janë dhe përfaqësojnë!

Motivi im është: Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Jam krenar që jam shqiptar!

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Britmat e një vajze…

October 17, 2026 by s p

Shqetësim i Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA.

Pamjet e raportuara nëpër rrjetet sociale, ku gjatë protestës në Tiranë mes britmave rrëmbehet me forcë nga individë të paidentifikuar një vajzë e re, futet me dhunë në një furgon pa identifikim të qartë zyrtar dhe largohet në destinacion të paditur, kanë tronditur gjithë opinionin publik.

Është e kuptueshme shqetësimi ndaj çdo ngjarjeje që përfshin dhunë, cenim të të drejtave të njeriut apo veprime që tejkalojnë kornizën ligjore, duke përfshirë edhe indinjatën e organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA. Shoqërimi i qytetarëve nga persona pa uniformë dhe të pa identifikuar si punonjës policie, dhe përdorimi i automjeteve të paidentifikuara, krijon pasiguri të thellë te qytetarët.

Si gra, si nëna ngremë zërin tonë ndaj këtyre akteve barbare ndodhura në mes të kryeqytetit shqiptar. Pamje të këtij lloji ngrenë me të drejtë shqetësim të madh për sigurinë e shoqërisë sonë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e lirive themelore. Çdo veprim i forcave të rendit ose i organeve ligjzbatuese duhet të bëhet në përputhje të plotë me ligjin, duke respektuar të drejtat e njeriut, procedurat e qarta të ndalimit dhe identifikimin e zyrtarëve.

Veprimet si përdorimi i automjeteve pa dokumente të qarkullimit ligjor apo ndalimet e dhunshme pa identifikim duhet të sqarohen me urgjencë nga autoritetet përkatëse, policia e shtetit, prokuroria dhe Avokati i Popullit, si dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Dhuna, qoftë ndaj protestuesve, qoftë ndaj institucioneve apo pronës publike e private, dëmton proceset demokratike dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Këto skena horror të regjistruara gjatë protestave në kryeqytet kanë rindezur një debat të fortë mbi kufijtë e organeve ligjzbatuese. Pamjet e publikuara, ku një vajzë e re shoqërohet me forcë nga persona me veshje civile dhe futet në një automjet pa targa zyrtare mes klithmave dhe reagimit të qytetarëve, kanë shkaktuar reagime të forta shqetësimi edhe tek ne, opinionin e gjerë shqiptar e më tej.

Nëse këto procedura anashkalohen ose nuk sqarohen publikisht, besimi i publikut te institucionet e rendit minohet seriozisht. Ngjarje të tilla nuk mund të shihen të shkëputura nga kuadri ligjor, pasi dënimi i çdo forme dhune është një parakusht për mbarëvajtjen e shoqërisë. Nga njëra anë, shkatërrimi i pronës publike apo private dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë protestave dëmton shkakun e të drejtave qytetare dhe cenon sigurinë e përgjithshme.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT