
Dr. Nikollë Loka/
Gjatë shekullit XIX, Perandoria Osmane u përball me një krizë të shumëfishtë të ekzistencës së saj politike dhe territoriale. Presioni i Fuqive të Mëdha, rritja e nacionalizmave ballkanikë, ndryshimi i strukturave administrative dhe transformimi i komuniteteve fetare në subjekte kombëtare e vendosën shtetin osman përballë nevojës për të riformuluar mekanizmat e ruajtjes së integritetit territorial perandorak. Në këtë kontekst, çështja shqiptare përbënte një rast të veçantë, për shkak të pozitës gjeostrategjike të territoreve, përbërjes së tyre fetare dhe rolit të popullsisë shqiptare në strukturat ushtarake e administrative të Perandorisë.
Gjatë sundimit të Abdylhamidit II, ruajtja e territoreve shqiptare u shndërrua në një komponent të rëndësishëm të politikës së integritetit territorial osman. Strategjia e Portës së Lartë kombinonte centralizimin administrativ, përdorimin politik të islamit, kontrollin e arsimit dhe të gjuhës, administrimin e territoreve shqiptare përmes vilajeteve të ndara dhe përpjekjet për ta mbajtur elitën shqiptare të integruar në strukturat perandorake. Duke e kuptuar se arritja e këtij qëllimi kërkonte unitet të brendshëm, sulltani kërkoi të krijonte një ndjenjë të re të solidaritetit politik të bazuar mbi fenë e përbashkët të myslimanëve. Ai e shfrytëzoi autoritetin qendror të tij si Kalif dhe e përdori fenë si një vegël ideologjike për t’i bashkuar myslimanët në një komunitet politik, domethënë në një entitet mysliman osman(Karpat, 2001: 220).
Shkrirja së bashku e grupeve të ndryshme etno-fetare myslimane në një komb politik mysliman të vetëm, kërkonte përdorimin e forcave që mund të krijonin përçarje, kohezion apo solidaritet. Gjatë shekullit të XIX, miletet e Perandorisë Osmane filluan të shndërroheshin, sipas modelit europian, në kombe, përkatësisht në shtete kombëtare. Të parët që e provuan kryengritjen kundër sundimit osman ishin serbët, mirëpo revolta e tyre u shtyp më 1804 dhe vetëm më 1817 shpuri në një Serbi të vogël autonome. Popujt e shtypur në Ballkan hynë në ndërgjegjen europiano-perëndimore veç pas kryengritjes greke të vitit 1821, e cila zgjoi valë të gjëra solidarizimi në Europë. Ndonëse Greqia kishte fituar pavarësinë dhe Serbia autonominë, ato nuk e kishin përfunduar bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi greke ose serbe ndodhej ende nën sundimin osman, prandaj ato përpunuan projektet e tyre nacionaliste të quajtura “Naçertania” dhe “Megali Idea”, të cilat synonin zgjerimin territorial kudo ku pretendohej se kishte serbë, pra edhe në territoret shqiptare.
Numri i popullsisë shqiptare dhe pozita gjeostrategjike e trojeve shqiptare konsideroheshin si shtyllë kryesore e godinës osmane në Ballkan dhe, në vitet ’80-’90 të shekullit XIX. Autonomia apo pavarësia e shqiptarëve ishte ideja më shqetësuese për sulltanin dhe Portën e Lartë, sepse humbja e këtij populli dhe e trojeve të tyre etnike do të nënkuptonte humbjen e Ballkanit dhe, me këtë, edhe rrënimin e godinës perandorake. Pikërisht, sipas kësaj filozofie politike, do të zhvillohen marrëdhëniet osmano-shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX(Rizaj, 2001: 56).
Pozita e shqiptarëve brenda Perandorisë ishte e vështirë, sepse kjo Perandori nuk i njihte shqiptarët si komb. Porta e Lartë synonte pengimin e krijimit të çdo uniteti politik dhe kulturor mes shqiptarëve, me synim që t’i mbante të lidhur pas Perandorisë. Trojet shqiptare ishin copëtuar ndërmjet vilajeteve të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë vazhdonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar (Bozbora, 2002: 134). Në anën tjetër, nacionalizmi shqiptar u zhvillua në një hapësirë ku identiteti fetar nuk përputhej me identitetin kombëtar dhe ku rreziku i copëtimit territorial nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia e shndërroi mbrojtjen e territorit në një komponent themelor të programit kombëtar shqiptar.
Duke identifikuar fenë me kombësinë, Porta e Lartë, deri në fund, i trajtoi shqiptarët myslimanë si turq, ortodoksët si grekë e katolikët si latinë. Rrjedhimisht, përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke dhe italiane, të inkurajuara nga reformat osmane, krijoi rrezikun e madh të përçarjes dhe të asimilimit kombëtar(Pollo, 1990: 158).
Në këtë kuadër, mund të shtrohet pyetja nëse Porta e Lartë i konsideronte territoret shqiptare edhe si një hapësirë të negociueshme në politikën e saj diplomatike, duke qenë e gatshme, në rrethana të caktuara, të bënte lëshime territoriale për të siguruar paqen ose për të shmangur përplasjet me Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike. Përvoja e gjysmës së dytë të shekullit XIX, pas Kongresit të Berlinit, tregon se Perandoria Osmane, në kushtet e krizës së saj, shpesh u detyrua të përdorte territoret evropiane si plaçkë tregu në traktatet e paqes. Kjo krijoi te elitat shqiptare bindjen se, në mungesë të një organizimi politik të tyre, trojet shqiptare mund të shndërroheshin në objekt shkëmbimesh dhe lëshimesh ndërkombëtare.
Trojet etnike shqiptare trajtoheshin si zotërime turke, të cilat, në rast se një ditë Perandoria Osmane do të zbohej nga Ballkani, do t’u jepeshin monarkive të krishtera të Ballkanit(Frashëri,1998: 129). Duke qenë se një pjesë e madhe e këtyre territoreve ishin me popullsi myslimane, Perandoria Osmane kishte menduar se, në variantin më të keq, do të detyrohej të lëshonte territoret e banuara me popullsi të krishterë, duke e ruajtur praninë e saj në Ballkan, që paraqiste një rëndësi të veçantë gjeostrategjike, pasi përmes tyre ajo ruante prezencën e saj në Evropë(Fisher, 2014: 34) dhe, njëkohësisht, ndikimin e saj në gadishull.
Duke u marrë me lojën diplomatike të Serbisë, Sami Frashëri, më 15 qershor 1878, shkroi një artikull me titull “Intrigat e sllavëve dhe të grekëve në Rumeli”, ku vinte në dukje se shqiptarët, duke e kuptuar se çfarë rreziku po i vinte Shqipërisë nga ndarja administrative e Portës së Lartë dhe nga synimet e shovinistëve fqinj, kanë marrë masa efektive për të kundërshtuar ndarjen e trojeve të tyre në disa vilajete dhe copëtimin nga shtetet e huaja.
Duke iu drejtuar qeverisë së Stambollit, Samiu shkruante: “Ishte më se e nevojshme që edhe Perandoria Osmane të merrte disa masa kundër intrigave të fuqive të huaja në dëm të Shqipërisë. Çfarë masash? Masa e parë që duhej të merrte Porta e Lartë është bashkimi i trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, duke i ndarë ato nga trojet me popullsi sllave dhe greke”(Frashëri, 1989: 184).
Zhvillimet që po ndodhnin në Ballkan dhe më gjerë do të shkonin në kundërshtim me interesat e Qeverisë së turqve të rinj. Klasa e re politike xhonturke do të ndeshte, që në hapat e pare, në sfida të rënda. Turqit e Rinj e kishin prioritet rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane; ata dëshironin eliminimin e çështjes shqiptare, qoftë dhe me përdorimin e dhunës. Forca ushtarake kishte marrë rolin primar në disiplinimin e shqiptarëve, të cilët tani kishin fituar një epitet të ri nga pushteti xhonturk, duke u quajtur kundërrevolucionarë, njerëz të lidhur me Sulltanin, dhe si popull, i cili po i kundërshtonte reformat e Qeverisë së re.
Lëvizjet kombëtare të popujve të krishterë për shtet kombëtar dhe përkrahja që ata kishin nga jashtë ndikuan edhe te popujt myslimanë. Ishin shqiptarët, në mesin e popujve myslimanë, ata të që filluan të parët të zgjoheshin kombëtarisht(Berkes, 1985: 151). Shqiptarët pretendonin se, duke ruajtur Perandorinë Osmane, do të arrinin të ruanin nga copëtimi tokat e tyre. Ata e dinin se në sulmin e parë nga jashtë objekt ishin tokat e Perandorisë Osmane në Evropë, që i takonte të ishin tokat e tyre. Prandaj, shqiptarët ishin të përqëndruar kryesisht te autonomia(Rahimi,1978: 142; Licursi, 2011: 108-109; Pezo, 2016: 61). Me objektivin e afërt për të siguruar autonominë u zhvilluan kryengritjet shqiptare të viteve 1909-1912, të cilat e afirmuan çështjen shqiptare.
Por situata ndërkombëtare evoloi në mënyrën më të padëshiruar të mundshme, me humbjen e plotë të Perandorisë Osmane, që e detyroi të largohet nga shumica e territoreve ballkanike. Nuk u realizua objektivi osman që, përmes lëshimeve ndaj shteteve satelite të Fuqive të Mëdha: Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi, të siguronte disa territore osmane që do ta lidhnin Egjeun me Adriatikun, duke siguruar praninë turke në Europë. Ky vizion nuk i merrte fare parasysh interesat shqiptare. Shqiptarët, edhe në variantin osman, do të copëtoheshin, për më tepër, dhe do të asimiloheshin plotësisht. Prandaj, varianti osman i zgjidhjes së çështjes ballkanike është më antishqiptar se ai që u zbatua në praktikë dhe prodhoi ato pasoja që dihen.