
”Suksesi i papritur është gjithmonë i rrezikshëm për një artist. Në vitin 1828, Balzaku ishte thjesht një shkrimtar me mëditje, i falimentuar, i zhytur deri në fyt në borxhe, një djalosh i varfër që rrëfente se qëndronte në shtëpi për të kursyer rrobat e tij. Dy ose tri vite më vonë, ai ishte një nga shkrimtarët më të famshëm në Evropë, me një publik adhurues në Rusi, Gjermani, Angli e në vendet skandinave, me revista e gazeta që përgjëroheshin për kontribute nga pena e tij, i ndjekur nga të gjithë botuesit e i mbuluar me letra nga lexues adhurues. Ambiciet e rinisë së tij ishin përmbushur: “la gloire”, fama verbuese që e bartte emrin e tij nëpër botë mbi krahë rrezatues.
Edhe një person me mendjen më të kthjellët se Balzaku nuk do të mund t’i rezistonte dehjes nga një sukses i tillë, e Balzaku ishte larg të qenit i matur. Ai kishte jetuar shumë vite në errësirë, i varfër dhe i uritur, i mbushur me një dëshpërim të padurueshëm, duke parë me zili kalimtare se ishin gjithmonë të tjerët, kurrë ai, që fitonin pasuri, gra, sukses, luks dhe të gjitha begatitë e jetës.
Me natyrën e tij sensuale, është e kuptueshme që ai do të dëshironte të shfrytëzonte bujën që kishte bërë dhe të shijonte kënaqësitë që bota i ofronte. Ai donte ta thithte me frymëmarrje famën që i kishte ardhur, ta shijonte në gjuhë, ta prekte me gishta, ta perceptonte me të gjitha shqisat, të ndjente ngrohtësinë komode të turmave duartrokitëse dhe frymën e ëmbël të lajkave.
Tani që bota ishte e vetëdijshme për talentin e tij, ai donte t’i shfaqej asaj. Ishte i lodhur nga poshtërimet dhe kundërshtimet, nga vitet e skllavërisë e të sikletit financiar, ndaj ishte gati t’i dorëzohej tundimeve joshëse që solli fama, kënaqësive të luksit dhe ekstravagancës. Ai e dinte se bota tani ishte skena e tij, prandaj vendosi të dilte para publikut e të luante një rol në shoqëri.
Jo më pak e shquar se gjenialiteti i Balzakut si shkrimtar ishte edhe mungesa e aplitudës së tij për rolin e “luanit të shoqërisë”. Është një tipar i veçantë i mendjes njerëzore që edhe shkalla më e lartë e kapacitetit intelektual apo akumulimi më i larmishëm i përvojës nuk janë në gjendje të kapërcejnë paaftësinë e lindur të njeriut. Sado i qartë të jetë vështrimi i tij mbi defektet e veta të temperamentit, ai nuk ka fuqi t’i eliminojë ato.
Diagnoza nuk është e njëjtë me shërimin, dhe ne mund të shohim vazhdimisht se si njerëzit më të mençur nuk janë në gjendje të kontrollojnë marrëzitë e tyre të vogla, të cilat bëhen ushqim për talljen e të tjerëve. Ndonëse ishte i vetëdijshëm për fëmijërinë e snobizmit të tij, ai nuk ishte në gjendje ta shtypte këtë dobësi.
Është një gjendje e mendjes që nuk mund të analizohet në mënyrë racionale. Jemi përballë një paradoksi të pakuptueshëm. Për t’u ngjitur në një “sferë më të lartë të shoqërisë”, ai i uroi vetes poshtërime gjatë gjithë jetës. Për të jetuar në luks, e dënoi veten me punë të detyruar. Për t’u dukur elegant, e bëri veten të dukej absurd. Pa e kuptuar, ai vetë është një provë e gjallë e ligjit që e demonstroi qindra herë në romanet e tij, se një mjeshtër në një sferë mund të jetë krejt i ngathët kur futet në një tjetër për të cilën nuk është i përshtatshëm.
Mund t’u drejtohemi përshkrimeve të panumërta të bashkëkohësve mbi Balzakun e kësaj periudhe. Disa janë thjesht zbavitëse, të tjerat të mprehta, disa janë përbuzëse, e të tjera keqdashëse apo edhe helmuese. Mirëpo të gjitha e shohin atë në perspektivën e ngushtë e mashtruese të shoqërisë dhe gazetarisë pariziane. Na shfaqet Balzaku me pallton blu me butona ari të praruar, duke mbajtur shkopin e tij masiv të zbukuruar me gurë të çmuar (Balzac en pantoufles);
Balzaku që nget karrocën e tij tilbury me shërbëtorin e këmbësorin.
Balzaku duke shëtitur përgjatë bulevardit e duke lexuar të gjitha tabelat e dyqaneve për të gjetur emra për personazhet e tij. Balzaku koleksionist që gjuan nëpër dyqanet e antikitetit me shpresën për të blerë një Rembrandt për shtatë franga ose një tas nga Benvenuto Cellini për dymbëdhjetë sous. Balzaku tmerri i botuesve të tij dhe i radhitësve të shtypshkronjës.
Balzaku mburravec e mashtrues që predikon dëlirësinë si parakusht thelbësor për punën krijuese, e në të njëjtën kohë. Balzaku i dashuruar që ndërron gratë më shpesh se këmishën. Balzaku gustator që mund të gëlltisë tri duzina goca deti në një vakth, e t’i shoqërojë me biftek e shpendë. Balzaku vizionar që flet për milionat që do të nxjerrë nga minierat, serrat apo bizneset e tij, e megjithatë i duhet të fshihet nën një emër të rremë për javë të tëra sepse nuk është në gjendje të paguajë një faturë prej një mijë frangash.
Nuk është rastësi që tri të katërtat e imazheve të Balzakut që na kanë mbërritur nuk janë portrete, por karikatura, ose që bashkëkohësit e tij kanë regjistruar anekdota të panumërta për të, por nuk na kanë lënë trashëgim asnjë biografi të vetme të saktë e me vlerë. Nga e gjithë kjo është e qartë se përshtypja që lini te parizianët personaliteti i Balzakut bëri që ta konsideronin atë jo si një gjeni, por si një ekscentrik, dhe në njëfarë kuptimi mund të kemi të drejtë. Ai ishte i detyruar të shfaqej i çuditshëm në publik sepse, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ai dilte nga orbita e tij sapo braktiste dhomën, tavolinën e shkrimit dhe punën e tij.
Balzaku thelbësor ishte i padukshëm për Gozlanët, Werdetët dhe Janinët, për dembelët e endacakët e bulevardeve, sepse ata e njihnin vetëm gjatë asaj “një ore në ditë” që i jepej botës, e jo gjatë njëzet e tri orëve të tjera të vetmisë së tij krijuese.
Kur dilte mes njerëzve, ishte si një pushim i shkurtër që i lejohej një të burgosuri kur ecën në oborrin e burgut për të marrë ajër të pastër. Ose, si fantazma që me goditjen e fundit të mesnatës duhet të zhduket përsëri në zonat e errëta nga erdhi, ashtu edhe Balzakut i duhej të kthehej te punët e tij pas këtij interludi me bollëk të pafrenuar. Asnjë nga ata që u kënaqën me ironinë në kurriz të tij nuk kishte as idenë më të vogël për madhështinë e veprës së tij apo për disiplinën e ashpër nën të cilën ajo u krye. Balzaku thelbësor ishte ai që për njëzet vjet, përveç dramave të shumta, tregimeve dhe eseve, shkroi shtatëdhjetë e katër romane, nga të cilat pothuajse secili është i rangut të parë. E këto shtatëdhjetë e katër romane përmbajnë një botë më vete, me të gjitha peizazhet, rrugët, shtëpitë dhe personazhet e ndryshme që kërkohen për ta populluar atë. Ky është i vetmi standard me të cilin mund të matet Balzaku. Vetëm në veprën e tij mund të njihet Balzaku i vërtetë.
Njeriu që bashkëkohësit e tij e konsideronin si një ekscentrik marraskuq, zotëronte inteligjencën artistike më të disiplinuar të epokës. Ndërsa ata talleshin me të për ekstravagancën e tij, ai ishte një asket i zellshëm me durimin e palëkundur e këmbëngulës të një eremiti. Ata që zgjodhën rrugën e mesme dhe ishin të sigurt në vetëdijen e tyre se ishin qenie njerëzore normale, talleshin me të për prirjen ndaj ekzagjerimit; por ai prodhoi më shumë nga ajo mendje krijuese sesa të gjithë kolegët e tij së bashku.
Ai ishte ndoshta i vetmi për të cilin mund të thuhet me të vërtetë se punoi deri në vdekje. Kalendari i tij ishte i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve, dita e tyre ishte nata e tij, e nata e tyre ishte dita e tij. Jeta e tij e vërtetë jetohej në një botë të tijën, një botë që e kishte krijuar vetë, dhe Balzaku i vërtetë shihej e dëgjohej vetëm brenda katër mureve të dhomës ku shkruante. Asnjë bashkëkohës nuk mund ta kishte shkruar biografinë e tij, sepse ajo gjendet vetëm në librat e tij.”
Përgatiti: Albert Vataj