
Hysen Dizdari/
Në vitin 1938 miratohet me një Qarkore të veçantë të Ministrit të Arsimit, botimi i librit të atdhetarit Kristo Floqi: “Një predikim mbi Patriotizëm e Nacionalizëm”.
Kristo Floqi ishte jurist i shquar, avokat, gjykatës, nëpunës, ministër, shkrimtar, dramaturg, komedian, por edhe poet dhe atdhetar i madh. Kristo Floqi lindi në Korçë, në vitin 1872. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi, ku familja e tij ishte shpërngulur. Përfundoi shkollën e lartë për drejtësi në Athinë, dhe aty nisi të ushtrojë profesionin e avokatit në vitin 1899. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, ku punoi gjatë viteve 1902-1908 avokat në vendlindje e Manastir dhe anëtar i gjyqit të shkallës së parë në Dibër.
Në vitin 1908 drejton në SHBA, gazetën “Dielli”. Më 24 dhjetor 1911 drejton mbledhjen për krijimin e Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SHBA. Më 28 prill 1912, është themelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës së Vatrës. Në vitin 1913 merr pjesë në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën. Më 6 qershor 1913 emërohet në krye të gjykatës civile e penale.
Më 1914 u emërua kryesekretar i Ministrisë së Drejtësisë. Në maj të 1919 drejtonte botimin e të përkohshmes, gazetës “Agimi”. Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz Bej Vrionit. Në legjislaturën 1921-1923 u zgjodh deputet i prefekturës së Dibrës. Më 8 janar 1922 ai hapi një zyrë avokatore në Rrugën e Dibrës. Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës gjer në vitin 1928.
Në vitet 1929 – 1944 me ndonjë ndërprerje, punoi si anëtar i Këshillit të Shtetit, ndërsa më 1940 zëvendësisht kryetar i tij dhe drejtor i zyrës ligjore të këtij institucioni.
Kristo Flloqi, krahas detyrave të ndryshme shtetërore që kreu në fushën e drejtësisë, ai punoi pa ndërprerje edhe në fushën e artit dhe të letërsisë. Gjatë viteve 1927-1928, Kristo Floqi falë dashurisë për atdheun e Shqipërinë, ai shkroi librin “Një predikim mbi Patriotizëm e Nacionalizëm”;
-16 drama e tragjedi;
– 28 komedi, 2 opereta;
– 8 poema, poezi e satira;
-6 vepra në fushën e gjuhës e letërsisë,
-4 vepra në fushën e drejtësisë.
Libri i shkruar me dashuri për atdheun e Shqipërinë: “Një predikim mbi Patriotizëm e Nacionalizëm”, ka një histori shumë të veçantë sepse ky libër fiton konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit në vitin 1927.
Qarkorja Nr.1290 /V, e Ministrisë Arsimit e nënshkruar nga Zv.Ministri i Arsimit,(Ministër i punve të Brendëshme ), Abdurahman Dibra, Tiranë, më 27 Frorit 1928, e cila njofton Z. Kristo Floqi se libri i tij: “Një predikim mbi Patriotizëm e Nacionalizëm” ka fituar konkursin si libri më i mirë dhe miratohet botimi e shpërndarja e tij ,për të gjitha shkollat e shtetit shqiptar.” Gjatë viteve 1927-1928, Kristo Floqi falë dashurisë për atdheun e Shqipërinë, ai shkroi librin: “Një predikim mbi Patriotizëm e Nacionalizëm”.
Libri e ka shkruar me ndjenja të larta patriotizmi dhe atdhedashurie.
Ky libër përbëhet nga këta nënkapituj:
1-Atdhe e Kombësi
2-Besa Shqiptare
3-Nderi, karakteri, virtytet e shqiptarit
4-Trimëritë e rracës tonë
5-Stërgjyshërit tanë Ilir
6-Maqedonasi- Filip
7-Leka i Madh e triumfet e tij
8-Epiriotët-Pirro i Madh
9-Kohët e pastajme deri tek Kastriotët
10-Gjergj Kastrioti –Skënderbeu dhe vepra e tij
11-Lidhja e Prizrenit
12-Shpallja e indipendencës shqiptare
13-Kongresi i Lushnjes
14-Zogu i shqiptarëve dhe vepra e tij
Libri fillon me pyetjen: Po kush është atdheu juaj?
ATDHETARI, KRISTO FLOQI SHKRUAN:
“Atdheu i juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për Kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin e Grudasin, Hoti e Gruda për Devollasin, Devolli për bregdetasin dhe çamin, dhe Çamëria e Himara për Dibranin e Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë Shqipëria, ku flitet siç thamë gjuhë e lehtë e zanore Shqipe,dhe ku jetojnë Shqiptarët, është gjaku jonë, ai gjak i vlertë që kanë derdhur gjyshër gjyshët tonë mbi altarin e Atdheut. Atdheu është Kombi jonë të cilin kemi detyrë ta duam, ta nderojmë e ta mbrojmë me mish e me shpirt kundra çdo mësymsi e invadori, e të mos lëmë kurrë asnjë pëllëmbë dheu të shkelet prej thundrës të një të huaj…”
Ky libër edhe sot duhet të futet nga Ministria e Arsimit në programin e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
ME NJË PJESË NGA POEMA “EPOPEJA E SKËNDERBEUT” E SHKRUAR NGA KRISTO FLLOQI PARA 88 VJETËVE, PËRSHËNDESIM, VËLLEZËRIT SHQIPTARË KUDO NËPËR BOTË:
KTHIMI NË KRUJË
EJA ZAN E LIGJËRONA
ZGJUJTËSIN E ATIJ TRIMI
SI E KE ZAKON KËNDONA
ZJAR E FLAGËN E KUXIMIT,
NA TREGO SHPEJTËSIN E TIJA
DHE DËSHIRËN E LIRISË,
AFTËSITË ATO VETIJA,
TË FATOSIT TË SHQIPËRISË….
ZBRIT PREJ MAJËS SË TOMORRIT
PREJ ASAJ SELIS HYNORE,
JEPI SHPIRT ATIJ KRAHRORIT,
M’ATË HARPEN TINGËLLORE,
NA RADHITË ATO BETEJA,
QË HABITNË BOTË MBARË,
E QË SHPREPNË SI RRUFEJA,
QË GJËKUNDI S’ISHIN PARË!
AGOJ HYLLI I LIRISË,
DIT, TË BARDHA KISHTE LE,
ISHTE OR’ E SHQIPËRISË,
FAT I MIRË PËR ATDHE,
E ZBARDHEU E NDRITI QIELLI,
EDHE SHKREPI DIT E RE,
RET, U ZHDUKNË, SHKËLQEU DIELLI,
SEPSE LEU NJË SKËNDERBE,
QË SHPËTOJË ATDHEN, E DASHUR,
PREJ VARGONJËVE TË ROBRISË,
DHE SHQIPTARVE BUZË -PLASUR,
U DHA DRITËN E LIRIS’…”
Pjesë nga poema “Epopeja e Skënderbeut” e Kristo Flloqit, faqe 69-70,
Botimet “M&B”-2024