
Përkthyes: Luket Hasaj/
Autori italian Pietro Lombardo në librin e tij «Ta jetojmë jetën», sjell pjesën që vijon, e cila flet për një përjetim të thellë në një kamp përqendrimi nga Viktor Frankl psikolog, filozof austriak, themelues i logoterapisë dhe autor i shumë librave, i cili ishte një i mbijetuar i Holokaustit:
Do të doja të vazhdoja me një pjesë në gjendje të dëshmojë forcën dhe poezinë e dashurisë. Autori e ka përjetuar këtë çast në një kamp përqendrimi, gjatë një marshimi herët në mëngjes, në acarin e dimrit, nën kërcënimin e rojave naziste që çirren dhe shtyjnë para me kondakun e pushkëve. Si është e mundur në këto kushte të provosh një ndjenjë dashurie? Dëgjoni me kujdes këtë përshkrim prekës dhe do ta kuptoni:
«Pothuaj nuk flasim; era e akullt e agimit s’e këshillon këtë. Gojën e kam fshehur pas jakës së ngritur të xhaketës, ndërsa shoku që ecën pranë meje, pëshpërit në çast: ‘’Ej ti, po të na shihnin gratë tona tani…! Shpresoj që në kampet e tyre të jenë më mirë se ne. Do të doja që të mos dyshonin aspak se ç’po na ndodh këtu‘’.
Papritur, kam para meje imazhin e gruas sime. Kur pengohemi, shikojmë borën ose rrëshqasim mbi copa akulli, gjithnjë duke u mbështetur te njëri-tjetri, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke u tërhequr zvarrë përpara, asnjëri nuk flet më, por e dimë mirë se në këto çaste secili nga ne mendon për gruan e vet. Herë pas here kundroj qiellin, ku zbehen yjet ose atje, ku nis të zbardh dita, pas një pëlhure të errët resh: por shpirti im tani është krejt i rrëmbyer nga figura që ndryhet në fantazinë time tejet të ndezur, dhe të cilën s’e kam ndier kurrë më parë, në jetën normale. Flas me gruan time. E dëgjoj të më përgjigjet, e shoh të më buzëqesh ëmbël, shoh sytë e saj, dhe trupor ose jo, sytë e saj shndrisin më shumë se dielli që lind në këtë çast.
Përnjëherësh, një mendim më bën të drithërohem: për herë të parë në jetëm time provoj të vërtetën e asaj që për shumë mendimtarë ka qenë kulmi i urtësisë, të asaj që shumë poetë i kanë kënduar; përjetoj në vete të vërtetën se dashuria është, në njëfarë kuptimi, pika e fundit, më e larta, tek e cila krijesa njerëzore mund të ngrihet.
Tani e marr vesh kuptimin e sekretit më të madhërishëm që poezia, mendimi njerëzor si dhe feja mund të japin: shpëtimin e krijesave nëpërmjet dashurisë dhe në dashuri! Kuptoj se njeriu, edhe kur s’i mbetet gjë tjetër në këtë botë, mund të shijojë lumturinë më të lartë, qoftë vetëm për një çast, në soditjen shpirtërore të qenies së dashur. Në situatën e jashtme më të mjerueshme që mund të përfytyrohet… njeriu mund të realizojë veten në një soditje dashurie, në kundrimin e imazhit shpirtëror të personit të dashur që mbart me vete. Për herë të parë në jetën time, jam në gjendje të marr vesh cili është kuptimi i asaj, kur thuhet: ’’Engjëjt janë të lumtur në soditjen e dashur, të pambarim të një shkëlqimi të pafund…’’»112.
112 V. Frankl, Uno psicologo nei lager, Edizioni Ares, Milano 1995 pp. 73-74-75.