
Intervistoi: Sokol Paja/
1. Dr. Abdyli, cilat janë sëmundjet hematologjike dhe onkologjike më të shpeshta që hasni në praktikën tuaj të përditshme dhe cilat janë sfidat kryesore në trajtimin e tyre?
Nga sëmundjet hematologjike do e theksoja limfomën agresive DLBCL (Diffuse Large B Cell Lymphoma), e cila me 30-40% paraqet limfomën më të shpeshtë të grupit Non-Hodgkin Lymphoma, si dhe B-CLL (Chronic Lymphatic B Cell Lymphoma). Derisa lymphoma DLBCL, edhepse me tipare agresive, është në mbi 70% një sëmundje e shërueshme, derisa tek sëmundja B-CLL, në 70-80% të rasteve një mjekim nuk është i nevojshëm; pacientët observohen në bazën Watch & Wait derisa të paraqiten ndryshime në pasqyrën e gjakut dhe të fillojë mjekimi, i cili sjell në mbajtjen e sëmundjes nën kontroll, por jo edhe në shërimin e saj.
Nga sëmundjet onkologjike të organeve solide do e theksoj kancerin e pankreasit, i cili në rast të diagnostifikimit në të shumtën e rasteve veçse ka metastazuar në mëlçi, peritoneum, mushkëri apo nyje limfatike. Në raste të tilla të inoperabilitetit vjen në shprehje kemoterapia palliative. Konsultat në Tumorbord me kirurgun janë të domosdoshme, ngase tek të ashtuquajturat borderline resectable carcinoma i jipet pacientit kemoterapia, p.sh. e protokollit neoadjuvant FOLFIRINOX, me qëllim zvogëlimin apo downsizing të masës së tumorit, ku në rastin më të mirë tumoret e tilla mund të operohen. Kemoterapia adjuvante apo palliative pas operacionit është po ashtu e domosdoshme.
Sfidë tjetër tejet e rëndësishme në hematologji është detektimi me kohë i Sepses (helmimi i gjakut nga infeksionet) tek pacientët me zjarmi neutropenike në stacionin onkologjik. Detektimi i vonë është një rrugë njëkahëshe e pakthyeshme, që mund të rezultojë deri në vdekjen e pacientit. Në këtë sfidë, rëndësi të jashtëzakonshme kanë në radhë të parë stafi infermierik e sidomos motrat medicinale, të cilat kanë përvojë në mjekësi interne. Motrat medicinale i kontrollojnë parametrat vitale si tensionin e gjakut, pulsin, temperaturën, saturacionin e oksigjenit në gjak dhe janë personi që kanë kontakt më së shumti me pacientin; andaj çdo informatë lidhur me parametrat vitale, të cilat nuk janë OK, duhet të merren menjëherë seriozisht dhe të reagohet menjëherë në mjekimin e pacientit. Pra, bashkëpunimi mjek–motër medicinale, sidomos tek kjo diagnozë, është më së i domosdoshëm në shpëtimin e pacientit!
2. Sa i rëndësishëm është diagnostikimi i hershëm në luftën kundër kancerit dhe cilat janë shenjat që qytetarët nuk duhet t’i neglizhojnë?
Diagnostifikimi i hershëm i kancerit është vendimtar në luftën e mbijetesës ndaj kancerit. Simptomat të cilat nuk duhet të na frikësojnë, por të na vetëdijesojnë që sa më shpejt të kërkojmë ndihmën e mjekut, janë: e ashtuquajtura B-Symptoms me zjarmi recidivuese mbi 38 gradë Celsius pa shkaktar të vërtetuar, djersitja masive gjatë natës me domosdoshmëri të ndërrimit të ndërresave të shtratit dhe të trupit, si dhe humbja në peshë prej 10% brenda 6 muajve të fundit. Simptomat tjera alarmante janë Makrohematuria (gjaku në urinë), Hematochezie (gjaku në anus), obstipacioni apo kapsllëku kronik, Hemoptysis (kollitja me gjak), si dhe dhimbjet e paqarta të organeve të ndryshme.
3. Çfarë përparimesh ka sjellë mjekësia moderne në trajtimin e sëmundjeve të gjakut dhe të kancerit gjatë viteve të fundit?
Terapitë, si hematologjike ashtu edhe ato onkologjike, paraqesin sot një sfidë app challenge të sojit të vet. Sfida kryesore qëndron në domosdoshmërinë e njohjes së medikamenteve të reja, të cilat pothuaj çdo muaj promovohen në Pipelinet e industrive farmaceutike. Përparimet janë të mëdha, pasi edhe mjekimet po bëhen gjithnjë e më të personalizuara për pacientin. Me anë të analizës moderne NGS (next generation sequencing) analizohen mutacionet e tumorit në nivelin molekular të pacientit. Si shembull, biomarkerët pozitivë dMMR/MSI-H tek pacienti me karcinom kolorektal rezultojnë me dhënien e terapisë imune – Immuncheckpoint Inhibitor dhe shpien si rezultat në mjekim të suksesshëm tek mbi 95% të pacientëve, gjegjësisht tek 60-70% e pacientëve me mutacion të lartpërmendur zhduket tumori plotësisht (complete pathological remission), në këtë rast perfekt duke ia kursyer pacientit briskun e kirurgut.
Onkologjia moderne po shkon drejt terapive të personalizuara në nivelin molekular, duke e dërguar përdorimin e kemoterapive në regres, si dhe përdorimin e imunoterapive dhe terapive të personalizuara në përputhje me kodin gjenetik të pacientit në progres. Hematologjia dhe Onkologjia në 10 vitet e ardhshme do të ketë një demografi pothuaj krejtësisht ndryshe, pra të bazuar në kodin gjenetik të pacientit, ku ndoshta brisku i kirurgut si rrjedhojë do të përdoret shumë më pak se sot.
4. Cilat janë faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e kancerit dhe çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të ulur këtë rrezik?
Faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e kancerit janë në radhë të parë stili i pashëndetshëm i jetesës, para së gjithash konsumimi i duhanit dhe alkoolit. Duhani është përgjegjës për shkaktimin e 18 llojeve të kancerit: kanceri i mushkërive, i gojës/gjuhës/fytit/laringut, ezofagut, fshikëzës së urinës dhe veshkëve, pankreasit, lukthit dhe mëlçisë, zorrës së trashë, qafës së mitrës, si dhe format e leukemisë në palcën kockore.
Tek pacientët të cilët në historinë e anamnezës së tyre kanë më shumë se dy apo tre tumore, rekomandohet urgjentisht kontrolli tek specialisti i gjenetikës humane. Si shembull i sindromit ku në 100% të rasteve paraqiten shumë tumore gjatë jetës së pacientit, po e përmend Li Fraumeni Syndromin. Si rrjedhojë duhet të paraqiten në ekzaminim gjenetik edhe fëmijët e pacientit, ngase sindromi i lartpërmendur trashëgohet në 50% të rasteve tek fëmijët.
5. Si e përjetojnë pacientët dhe familjet e tyre betejën me kancerin dhe sa i rëndësishëm është mbështetja psikologjike gjatë trajtimit?
Shumica e pacientëve, pas lajmit të keq që e marrin me diagnozën kancer, në klinikën tonë u ofrojmë menjëherë edhe një bisedë konsultative me psikologjinë onkologjike. Në këto biseda mund të marrin pjesë edhe familjarët e pacientëve. Përvoja ime tregon se 99% e pacientëve vendosin ta luftojnë kancerin dhe ky është një lajm i mirë. Mbështetja psikologjike ofrohet gjatë gjithë trajtimit onkologjik. Edhe në këtë raport me pacientin rol të rëndësishëm kanë motrat medicinale, të cilat e përcjellin gjendjen nga aspekti infermierik, por edhe gjendjen psikologjike të pacientit.
6. Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar lidhur me kontrollin periodik shëndetësor, parandalimin dhe ndërgjegjësimin për sëmundjet onkologjike?
Për komunitetin e nderuar shqiptar mesazhi im është si vijon: mos filloni me pirjen e duhanit; ata që e përdorin, urgjentisht ta ndërpresin; shmanguni alkoolit, ngase dëmet janë ekstremisht më të mëdha se dobitë e vogla të mundshme; kontrolloni pasqyrën e gjakut 2 herë në vit; merrni pjesë në programet Screening për parandalimin e kancerit, si p.sh. kancerit kolorektal, të fshikëzës së urinës, prostatës etj. Konsultohuni me mjekun e shtëpisë lidhur me Screening e lartpërmendur, ngase në çdo shtet apo regjion ekzistojnë modalitete të ndryshme të diagnostikës.