• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Robert Lulgjuraj, një kandidat potencial shqiptar për në Kongres në Michigan

June 19, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Prokurori shqiptaro- amerikan Robert Lulgjuraj, miku im dhe i ALTVUSA, gjatë njё darke private ku ishte edhe aktivisti shqiptar te GOP lokal në Miçigan z. Gjevalin Gega, më bëri me dije se gazeta më e madhe në Miçigan “Detroit News” i kishte kushtuar atij dukshëm vend nё njё komenti të tij, duke marrë parasysh se Roberti ende nuk ka paraqitur kandidaturën e për në Kongres . Robertin e kemi pasur disa herë në intervista si profesionist i dalluar në qarkun e Warren dhe Makomb i dalluar jo vetëm për angazhimin për angazhimin dhe përkushtimin e tij komunitar dhe profesional si prokuror. Roberti që tani është i kudondodhur në çdo event të komunitetit tonë duke i bërë me dije bashkatdhetarëve, pikësynimin e tij, shpesh herë i shoqëruar me aktivistin Mark Gjokaj aktivist i grupit Shqiptarët Konservator Republikan të Miçiganit i kudo ndodhur në institucionet kulturore dhe fetare shqiptare në Michigan.

Aty, ai më bëri të ditur se në një shkrim analitik gazeta e Detroit The Detroit News , disa ditë më parë analizonte faktin e lëvizjeve politike për në Kongres, në një shtet i luhatshëm si Miçigani me artikullin “Trump vë në pikëpyetje kandidaturën e James për guvernator, i cili do ta pasojë atë në Kongres”, analizonte nevojën e kandidatëve të sigurt republikanë që të ruajnë prioritetin e GOP në qarkun e 10 -të në Miçigan, pjesë të së cilit po i ngërthej në këtë shkrim. “Presidenti Donald Trump të enjten i bëri një shaka të lehtë përfaqësuesit republikan të SHBA-së, John James, në një ceremoni nënshkrimi të projektligjit, duke e qortuar lehtë ligjvënësin e mandatit të dytë për lënien e një vendi të cenueshëm në Kongres për të kandiduar për guvernator të Miçiganit, shkruante artikulli, në përgjigje, republikani i Shelby Township buzëqeshi dhe e siguroi presidentin se zëvendësimi i tij do të ishte i mirë, megjithëse asnjë kandidat republikan nuk ka dalë ende për të bërë fushatë për vendin e James në periferi të Detroitit.

Shkëmbimi i shkurtër u zhvillua gjatë një ceremonie nënshkrimi të projektligjit të enjten në mëngjes në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, ku Trump nënshkroi tre ligje që anulojnë standardet e rrepta të emetimeve të automjeteve të Kalifornisë dhe mbajti fjalime në një dhomë plot me ligjvënës, lobistë dhe drejtues të naftës dhe gazit. James, një kundërshtar i hapur i përpjekjes së Kalifornisë për të ndaluar shitjen e makinave të reja, plotësisht me benzinë, deri në vitin 2035, ishte ulur në rreshtin e parë përpara Trump.

“John James. Nuk e di. E di, ai po kandidon për guvernator, por nuk jam i sigurt nëse jam i lumtur për këtë, John,” tha Trump me një gjysmë buzëqeshje. “A kemi dikë të mirë për të zënë vendin tënd?”

“Absolutisht,” i tha James presidentit.

“Sepse, përndryshe, nuk do ta lejojmë të kandidojë për guvernator. Nuk mundemi,” tha presidenti duke qeshur.

“Ke dikë të mirë, apo jo? Në rregull. …Për sa kohë që të pëlqen, ata do të fitojnë.”

James, një ish-biznesmen që kandidoi dy herë për Senat, po largohet nga Kongresi në një moment të vështirë për republikanët, të cilët kanë diferencën më të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Dhe Distrikti i 10-të i Miçiganit, të cilin James e ka mbajtur që nga viti 2022, është ndër më konkurruesit në shtet, me të dyja partitë që synojnë vendin në ciklin e vitit 2026. James i tha kohët e fundit The Detroit News se tre kandidatë të mundshëm në të 10-tin “po më bëjnë vërtet përshtypje tani”, megjithëse ai nuk pranoi t’i identifikonte ata pretendentë.

“Nuk jam aq arrogant sa të besoj se jam i vetmi që mund ta fitojë këtë vend. Në fakt, e di që ka njerëz atje që janë jashtëzakonisht të talentuar, që bëjnë një punë të shkëlqyer”, tha James.

“Do të jetë puna ime të sigurohem që duke kandiduar në krye të listës, t’u jap republikanëve shansin më të mirë – jo vetëm për të mbajtur Distriktin e 10-të Kongresit, por për të përmbysur të 8-tin, për të mbajtur të 7-tin dhe pastaj ndoshta për të luajtur edhe në të 3-tin”, shtoi James, duke iu referuar fushave të tjera kyçe të betejës në Miçigan. I pyetur nëse do ta mbështeste në zgjedhjet paraprake të republikanëve, James tha se “do të bëjë gjithçka që duhet për të mbajtur atë vend”. “Nuk mendoj se do të jetë shumë e vështirë”, shtoi ai. “Sinqerisht, kur shikon se çfarë po shesin republikanët… dhe shikon se çfarë po shesin demokratët, ata janë shumë të vjetër dhe shumë ekstremë për t’u bërë thirrje shumicës së njerëzve, madje edhe njerëzve brenda partisë së tyre.”

Katër kandidatë demokratë kanë nisur ofertat për distriktin periferik të Detroitit, i cili mbulon Qarkun jugor Macomb, plus Rochester dhe Rochester Hills dhe Qarkun e Oaklandit.

Veterani i ushtrisë Alex Hawkins, 30 vjeç, nga Rochester, ishte i pari që njoftoi, i ndjekur nga ish-prokurorja e viktimave speciale Christina Hines, 35 vjeç, nga Warren; Kryetari i Bashkisë së Pontiakut dhe ish-Përfaqësuesi i Shtetit Tim Greimel, 50 vjeç; dhe Eric Chung, 32 vjeç, nga Sterling Heights, një ish-avokat i Departamentit të Tregtisë. Kushdo që del nga grupi ka të ngjarë të marrë mbështetje të konsiderueshme financiare dhe institucionale, pasi Komiteti i Fushatës së Kongresit Demokrat përfshiu të 10-tin e Michiganit në listën e tij “Distriktet në Lojë” të publikuar që në prill. Grupet e jashtme shpenzuan 17 milionë dollarë në garën e vitit të kaluar, duke përjashtuar komitetet e partisë, sipas OpenSecrets.

James mundi demokratin Carl Marlinga të Sterling Heights vjeshtën e kaluar me rreth 26,000 vota, ose 6.1 pikë përqindjeje.

Mbikëqyrësi i Shelby Township Rick Stathakis; Paul Shamo i Harrison Township, pronar i Taylor Ford; dhe prokurori (shqiptaro-amerikan) Robert Lulgjuraj nga Sterling Heights, i cili punon për Zyrën e Prokurorit të Qarkut Macomb, po anojnë gjithashtu drejt një kandidimi, thanë burime të brendshme të GOP.

Lulgjuraj, 32 vjeç, u rrit në Sterling Heights si bir dhe nip i emigrantëve shqiptarë. Përpara se t’i bashkohej Zyrës së Prokurorit të Qarkut Wayne në vitin 2021, ai shërbeu si kryetar i të rinjve për GOP të Qarkut Macomb, tha ai.

“Po e konsideroj fuqimisht kandidimin për në Kongres dhe jam shumë i apasionuar dhe mbështetës i Presidentit Trump. Besoj se ai është presidenti më i madh i jetës sime. Jam i etur të promovoj axhendën Amerika e Para”, tha Lulgjuraj të enjten.

“Nëse hyj në garë, do të jem plotësisht dakord për të shpëtuar Amerikën dhe për të shpëtuar presidentin dhe për të qenë një zë për këtë distrikt”, shtoi ai. “Po bëj përgatitje mjaft të forta për të ecur përpara, ndoshta diku në korrik do shpall kandidaturën.”

Duke folur me Robertin dhe Gjevalinin mbi mundësitë e fitimit në primare, të dy më ngritën nevojën dhe kërkesën për të punuar më shumë me komunitetin shqiptar në drejtim të mbledhjes së fondeve.

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh reputacionin që ka Roberti në komunitetin shqiptar, aftësitë e tij dhe elokuencën dhe faktin se distrikti i 10-të ku futet Qarkun jugor Macomb, plus Rochester dhe Rochester Hills dhe Qarkun e Oaklandit, ku ka qendra shqiptare si në Shellby Township, Sterling Heights, Troy dhe Rochester Hills mundësitë e Robertit për të fituar janë të shumta. Dhe se njё fitore në primare është decizive për të ruajtur prioritetin në zgjedhjet e përgjithshme.

“Ka ardhur koha, tha Roberti, që komuniteti ynë shqiptar të ketë përfaqësuesit e tij në Kongres, se vetëm kështu tashmë shqiptaro amerikanët do të kenë më shumë mundësi për ndikim në kongres për të zgjidhur problemet e pazgjidhura si kombëtare dhe të stabilitetit demokratik në trojet tona në Ballkan”.

Ndërsa Gjevalini njё aktivist i lobimit për Kosovën, më theksonte nevojën jo vetëm nevojën e takimeve festive me drejtues të forcave politike, por dhe takime të përcaktuara tematike ku t’u paraqiten forcave politike kërkesat e Komunitetit tonë, jo pak të konsiderueshëm me më shumë se 100 000 votues në Miçigan.

Ka ardhur koha të ndryshojë dhe lobimi i komunitetit tonë, jo vetëm me mbledhje fondesh , por edhe me vota. Shqiptarët e Miçiganit e dëshmuan këtë në zgjedhjet presidenciale, le ta dëshmojnë edhe në zgjedhjet primare dhe ato të parakohshme për në Kongres. Djem si ty na duhen Robert, i urova mikut tim.

Filed Under: Interviste

Lidhja e Prizrenit, thirrje për bashkim edhe në ditët e sotme

June 13, 2025 by s p

Eneida Jaçaj, Nju Jork/

Për shqiptarët ka buruar një thirrje e vazhdueshme, e pakohë, një thirrje për zgjim apo bashkim, brenda vendit dhe jashtë trojeve të saj, në diasporë. Duke pasur parasysh ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve politike në këto 34 vite, ku Shqipërisë i është vjedhur shpresa, e ardhmja, nuk ka alternativë por vetëm errësirë, për shkak të qëllimeve grabitqare të qeveritarëve për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të saj, është një thirrje tashmë “e ngjirur”, për të vënë në funksion të gjithë aparaturën e shtetit, për ta shkundur nga apatia dhe pluhuri i korrupsionit ndër vite, veprimtarinë institucionale, miratimin e politikave ekonomike-sociale veçanërisht për rritjen e punësimit dhe ndërmarrjen e masave që u vinë në ndihmë grupeve të caktuar të shoqërisë, arsimin, shëndetësinë, ndërtimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit vendas dhe të huaj, etj. Është një klithmë që vjen nga atdheu i largët, por i afërt në zemër dhe në shpirt, pasi ngado që të shkelësh, është ai që e ka vulosur identitetin tonë dhe Shqipëria ka nevojë të rindërtohet në bazë të funksionimit të ligjeve dhe mirëqënies, për të vazhduar ekzistencën e saj në aspektin shtetëror dhe kulturor. 

Shqiptarët janë larguar nga vendi të detyruar që prej kohës së Skëndërbeut, gjatë periudhës së pushtimit osman, por të paktën, edhe pse në vend të huaj, intelektualët kanë punuar për këto troje që kemi sot; ndërsa pas periudhës së tranzicionit, edhe në ditët e sotme, bashkëkombasit po dynden drejt viseve të huaja për një jetë më të mirë, duke lënë vendin dhe shtëpitë e tyre bosh, por duke marrë me vete kujtimet që shërbejnë si ushqim për të mbajtur shpirtin gjallë. Ajka, kokat më të mençura, intelektualët e mirëfilltë që kanë përfunduar studimet në universitetet më të mira në SHBA dhe Europë, kanë qëndruar duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në vendet respektive ku jetojnë, pasi mendojnë se vendi tyre nuk afron asgjë. Atëherë, kush do ta bëjë Shqipërinë?! Nuk ka figura të përshtatshme, qoftë nga PS apo PD, që të mund të derdhin mendjen e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Në politikë kanë hyrë individë që e kanë blerë mandatin me para, ndërsa edhe ato pak figura që e meritojnë të jenë në krye, kryetarët i injorojnë, pasi nuk kanë derdhur para në fushatë. Shqetësimi është se, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë e nesërme?! Dua të heq një paralele me Lidhjen e Prizrenit, e cila u mbajt më 10 qershor 1878, 146 vjet më parë, ku shënoi fillimin e një epoke të re, atë të vetëdijes kombëtare dhe të luftës për liri. 

Shqiptarët u bashkuan pa dallim feje e krahine, në një kohë të vështirë, kur Evropa po ndante kufijtë sipas interesave të saj. Pikërisht, në qytetin e Prizrenit u ndez flaka e vetëdijes kombëtare shqiptare, që vetëm përmes bashkimit ndërtuan rrugën që i çoi drejt Pavarësisë. Kjo Lidhje u formua në një moment kritik, kur pas Luftës Ruso-Turke, fuqitë e mëdha evropiane ishin gati të ndanin trojet shqiptare midis shteteve fqinje. Por shqiptarët nuk pranuan të heshtnin. Nga të katër anët e tokave shqiptare, u mblodhën përfaqësues për të mbrojtur trojet e tyre dhe të kërkojnë të drejtat e tyre si komb. Lidhja e Prizrenit nuk ishte një veprim i rastësishëm. Ajo u organizua me vizion, me strukturë politike dhe ushtarake, dhe me një frymë të fortë bashkimi. Në krye qëndruan figura të shquara si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Ali Pasha i Gucisë e Sylejman Vokshi, burra që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Të njëjtat përpjekje duhet të ndërmerren edhe në ditët e sotme, ku mendjet më të ndritura të bashkohen jo kundër pushtuesve të huaj, por ndaj atyre vendas që e kanë kapur peng Shqipërinë për 34 vite me rradhë. Nëse do të vazhdohet me këto politika korruptive, me këtë mendësi që e ka vyshkur demokracinë në palcë, pa shpresë, pa të ardhme, Shqipëria do të zbrazet, dhe, ndoshta të huajt do ta pushtojnë në tërësi, ashtu siç po bëhet në Jug të vendit, ku qeveritarët për interesa të tyre u kanë shitur pjesë toke të huajve për të ngritur bizneset e tyre. Mesazhi që na përcjell Lidhja e Prizrenit është se: vetëm përmes bashkimit, vizionit dhe vendosmërisë mund të arrihen qëllime të mëdha për një popull dhe për territoret e vendit.

Më 10 qershor 1878, ishte dita kur shqiptarët vendosën të mos qëndronin më në heshtje, por të ngrinin zërin për të mbrojtur tokat e tyre, identitetin e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje politike, ajo ishte zgjimi i shpirtit kombëtar. Sot, ndërsa përballemi me sfida të reja si komb, është më e rëndësishme se kurrë të kujtojmë se vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Lidhja e Prizrenit nuk është thjesht një faqe historie, është frymëzim për të sotmen dhe besim për të ardhmen. Lidhja e Prizrenit na mëson se bashkimi kombëtar nuk është vetëm një ëndërr, por një mundësi reale kur populli e do dhe e kërkon me përkushtim. Na mëson se identiteti nuk dhurohet, ai mbrohet, me vullnet, me sakrifica dhe me qëndresë. Sot, 146 vjet më pas, kujtimi i Lidhjes së Prizrenit është më i gjallë se kurrë. Është një thirrje për bashkim, për ruajtjen e identitetit tonë dhe për respekt ndaj atyre që ngritën themelet e kombit shqiptar. Sepse historia nuk është vetëm ajo që ndodhi, është edhe ajo që na frymëzon të jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më krenarë për atë që jemi. Lidhja e Prizrenit, ishte hapi i parë drejt ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila duhet të riformësohet edhe sot, për t’i dhënë Shqipërisë shpresën e munguar dhe për të vendosur në shina funksionimit e shtetit drejt një mirëqënie të begatë. 

Filed Under: Interviste

FILLIMET E BISEDIMEVE BEOGRAD – PRISHTINË, PRITSHMËRITË DHE SFIDAT SIPAS GAZETËS DIELLI

June 12, 2025 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit/

Çështja e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit është aktualisht një ndër çështjet më delikate e, njëkohësisht, më të debatueshme e më të diskutueshme. Lidhur me fillimin e tyre ka mendime të ndryshme. Kështu, disa mendojnë se këto bisedime nisën që herët, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, madje para se ajo të çlirohet nga serbët. Jakup Krasniqi, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës, në një historik të shkurtër të shkruar nga ai për bisedimet Prishtinë –Beograd, shprehet se si fazë e parë e këtyre bisedimeve cilësohen Bisedimet në Rambuje, të zhvilluara në shkurt-mars të vitit 1999, bisedime të cilët nuk u finalizuan me firmosjen e marrëveshjes nga pala serbe. Si fazë të dytë ai përcakton bisedimet e bëra në Vjenë në një periudhë dy-vjeçare (2006-2007), të udhëhequra nga presidenti i Finlandës Marti Ahtissari e të mbikqyrura nga vendet e Grupit të Kontaktit (GK). (Jakup Krasniqi, www.epokaere.com˃ historia-e-bisedimeve-politike, postuar  më datë 12 qershor 2018.)

Nga këto bisedime, në fazën e dytë sipas Krasniqit, u arrit që që të hartohet një deklaratë e quajtur Dokumenti Përfundimtar për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar për Kosovën, e cila më 15 mars të vitit 2007 iu paraqit OKB-së në emër të Marti Ahtissarit. Më 26 mars të po atij viti Ahtissari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku propozohet që Kosova duhet të bëhet e pavarur. Kjo pavarësi e propozuar dhe e miratuar nga OKB-ja në fakt ishte një pavarësi e mbikqyrur, apo “e kufizuar”, nga ndërkombëtarët. Në fakt kjo lloj pavarësie nuk idhte zgjidhja që kërkonin serbët apo që dëshironin vetë kosovarët. Kjo zgjidhje u bë me imponimin e ndërkombëtarëve, anëtarë të GK. Megjithatë, pala kosovare ishte e detyruar ta pranojë, me shpresë se me kalimin e kohës do të arrinin të bindnin diplomacinë dhe opinionin ndërkombëtar se ata meritonin një pavarësi të plotë e pa kushte. Nga ana tjetër, pala serbe asnjëherë nuk hoqi dorë të paktën nga synimi kryesor i tyre: Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të jetë një shtet i pavarur.  

Synimet e secilës palë u panë të qarta edhe në bisedimet zyrtare mes Beogradit dhe Prishtinës të filluara pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt të vitit 2008. Pikërisht për fillimin e këtyre bisedimeve, për rezultatet e tyre, por edhe për pritshmëritë e sfidat, do të ndalemi në këtë artikull tonin, mbështetur në shkrimet e kohës nga ana e gazetës Dielli në SHBA.

Me hyrjen e pranverës së vitit 2011 një lajm i mirë vjen për shqiptarët e Kosovës, duke u prë si një shpresë optimiste për të ardhmen e shtetit të tyre të pavarur, së shpejti do të nisin bisedimet Prishtinë – Beograd. Por ndërkohë u bë e qartw nga ndërkombëtarët se këto bisedime, fillimisht do të përqëndrohen vetëm në çështje teknike. Për të përshëndetur nisjen e tyre Federata Panshqiptare “VATRA” del me një deklaratë, e cila botohet edhe në gazetën Dielli. Po japim disa pjesë të shkëputura nga kjo deklaratë: “Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” përshëndet nisjen e bisedimeve dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesit amerikan si mbikqyrës i ftuar… “Vatra” e shef si të domosdoshëm një unitet të fortë mes forcavet politike të Kosovës ne bisedimet me Serbinë. Ky unitet në qëndrim mund të arrihet me krijimin e një besimi të ndërsjellë mes koalicionit qeveritar dhe opozitës… Për dialogun me Serbinë, që duhet të jetë vetëm për çështje teknike me interes për të dy anët, zëvendësnënsekretari i Shtetit, z. Thomas Countryman, i cili do të jetë present në bisedime, tha para gazetarëve se “… është e nevojshme të zhvillohet me qëllim që të arrijë synimin e Kosovës për vendosjen pa mëdyshje të sovranitetit të plotë mbi territorin e saj dhe për të fituar njohje të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe fillimin e procesit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” New York, 8 mars 2011” (Dielli, nr. 3/2011).

Por, ende pa filluar dialogu, shqiptarët e ndjenë se do të hynin si të pabarabartë me palën serbe në këto bisedime. Kjo bëri që jo vetëm politikanë të veçantë, por edhe organizma e shoqata të ndryshmë joqeveritare, të ngrenë zërin për këtë njëanshmëri. Ky zë u dërgua deri në instancat e Bashkimit Evropian, siç ishte rasti i hartimit dhe dërgimit në BE i një platformë udhëzuese nga dy shoqata: Klubi për Politikë të Jashtme dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Këto u shprehën se Kosova nuk është e barabartë me Serbinë në dialogun që ka nisur dhe kanë prezantuar disa veprime që duhet të ndërmerren në mënyrë që palët të barazohen, dhe dialogu të mos dështojë. Kjo platformë u botua edhe në gazetën Dielli, ku ndër të tjera në të shkruhej: “Pika nisëse për dy partnerët në dialog është larg nga të qenët e barabartë. Serbia hyn në dialog nga pozita e të fortit (marrëdhënie kontraktuale me BE-në, marrëdhënie bilaterale direkte, perspektivë e qartë evropiane) ndërsa Kosova nga një pozitë më e dobët (e panjohur nga 5 vende anëtare të BE-së, pa kontroll mbi territorin e vet, kufizime në ushtrimin e sovranitetit të vet nga EULEX-i e ICO-ja, probleme me imazhin, e të tjera). …Këto OJQ kanë prezantuar edhe masat që duhen marrë në mënyrë që të përmirësohet dialogu që sapo ka nisur dhe që ai të mos dështojë. Si para kushte për nisjen e dialogut, – sipas analizës së botuar te Dielli – janë dy kritere që duhen plotësuar: Së pari, që të sigurohet publiku kosovar dhe të ndalet izolimi i mëtutjeshëm i Kosovës, t’i ofrohet udhërrëfyesi për viza dhe një kornizë e qartë kohore si të arrihet te udhëtimi pa viza për qytetarët e saj (natyrisht Kosova duhet të përmbushë reformat e kërkuara, por njëkohësisht BE-ja duhet t’i ofrojë horizont të qartë kohor për liberalizimin e vizave (p.sh. vera 2012) dhe së dyti, BE-ja duhet të paraqesë një propozim konkret për sigurimin e marrëdhënies kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së brenda 6 muajve të fillimit të dialogut – në këtë mënyrë duhet gjetur formula e qëndrueshme status-neutrale (p.sh emri i Kosovës) për deri sa të hapet rruga e aderimit të Kosovës.”(Dielli, nr. 3/2011)

Në këtë platformë këto organizata joqeveritare i kërkuan institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare edhe plotësimin e disa kushteve të tjera për Kosovën, në mënyrë që jo vetëm bisedimet të kenë sukses, por edhe që Kosova të fitojë plotësisht autoritetin e saj si një vend i pavarur: “Dialogu duhet të ndihmojë Kosovën që të çajë izolimin e tashëm ndërkombëtar. Dialogu duhet të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve të përhershme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe e organizatave ndërkombëtare gjegjëse. Përkushtimi i Serbisë që në fund të njohë Kosovën duhet të përfshihet në Traktatin për anëtarësim që do të nënshkruhej mes Serbisë dhe BE-së. Kjo do të nënkuptonte se në ditën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës kanë arritur pikën e “normalizimit”” (Dielli, nr. 3/2011) – thuhet në anlizën e këtyre dy shoqatave.

Më 7 prill 2011 Kuvendi i Kosovës zgjodhi, për herë të parë në historinë e vet, një femër për Presidente të Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga. Ajo vinte pas një karriere në forcat policore të Kosovës, u paraqit në këto zgjedhje si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së dhe mori 80% të votave. Pasi bëri betimin, para deputetëve të kuvendit, mes të tjerash, ajo tha: “… Si Presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie. Gjatë shërbimit tim në Policinë e Kosovës, iu jam përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike dhe kam mbrojtur të drejtat e secilit individ, pavarësisht përkatësisë së vet, dhe tani si Presidente, kjo përgjegjësi është edhe më thelbësore, më domethënëse, duke forcuar atë që e nisëm kur Kosova e shpalli pavarësinë. Si presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës.” (Dielli, nr. 4/2011)

Pak muaj pasi u zgjodh presitente, Atifete Jahjaga në vizitën që bëri në SHBA gjatë muajit shtator të vitit 2011, zhvilloi një takim edhe me drejtues të Federatës “VATRA” në New York. Në këtë takim ajo u prit nga kryetari i “Vatrës”, z. Gjon Buçaj, i cili i uroi Presidentes mirëseardhjen. Në njoftimin që boton gazeta Dielli thuhet se zj. Jahjaga pasi e mori fjalën , tha se unë e mbajta fjalën, që i dhashë kryetarit të Vatrës dhe shoqëruesve të tij në takimin e 26 qershorit 2011 në Prishtinë, kur premtova se në vizitën e parë që do të bëja në New York, do të takohesha me përfaqësues të Vatrës. Më pas ajo informoi për takimet që ka bërë në krye të delegacionit gjatë ditëve të qëndrimit në New York dhe ekspozoi problemet me të cilat përballet Kosova aktualisht si rezultat i tensioneve të krijuara në veri të vendit, ku strukturat ilegale, kundërshtojnë shtetin ligjor dhe kërcënojnë sigurinë. Lajmi i botuar thekson se “Ajo kërkoi që Vatra, ashtu si në të shkuarën, krahas shoqatave të tjera këtu në SHBA, të shtojnë lobimin në favor të Kosovës, pasi beteja diplomatike vazhdon. Njohja e Kosovës nga 84 shtete, është tregues pozitiv, por ne duhet të synojmë për më tej.”(Dielli, nr. 9/2011)

Në vijim të vizitës së saj në New York, Presidentja Atifete Jahjaga mbajti një leksion për Kosovën në Institutin “Harriman” të Universitetit të njohur Columbia. Ky leksion i saj u botua në gazetën Dielli. Në këtë leksion presidentja rreshtoi hapat që ka bërë Kosova nga ndërhyrja e NATO-s me iniciativën e SHBA-së në vitin 1999, çlirimi i Kosovës në qershor të atij viti, dhe punën e madhe të bërë në këtë vend pas fitores së lirisë deri në shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Më tej, ajo u ndal në disa çështje kyç që kanë të bëjnë me konsolidimin e kësaj pavarësie dhe njohjen e plotë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, Po Japim disa pjesë nga ky leksion: “… Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ne kemi vendosur veten si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në vitin 2008 kur ne shpallëm pavarësinë, ne kemi vendosur objektiva të qarta në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare: Për të ndërtuar një vend demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe për të mbrojtur pakicat. Këto objektiva janë të paraqitura në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, i njohur si Plani i Ahtissarit dhe ato janë të shkruara në Kushtetutën tonë… Kjo nuk favorizon një grup etnik në dëm të të tjerëve. Në të kundërtën, ajo përfshin dispozita të forta për të mbrojur pakicat. Kjo është arsyeja pse komunitetet tona janë të përfaqësuara në Kuvend nëpërmjet një sistemi të ulëseve të garantuara. Nga 120 vende, 20 janë të siguruar për komunitetet etnike që përfaqësojnë më pak se 10% të popullsisë së Kosovës…

Sundimi i ligjit është në qendër të përpjekjeve të mia për të krijuar një shtet të qëndrueshëm dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Nga kjo premisë kam mbështetur operacionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës javën e kaluar…” (Dielli, nr. 9/2011)

Në verën e vitit 2011 nisi praktikisht dialogu mes palës serbe dhe asaj kosovare. Në krye të ekipit negociator për Kosovën ishte Edita Tahiri, ndërsa për Serbinë Borko Stefanoviç dhe ndërmjetësues i BE-së ishte Robert Cooper. Lidhur me zhvillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, Presidentja Jahjaga evidentoi disa hapa të bërë përpara, duke thënë: “…Ne dëshirojmë që Kosova dhe tërë rajoni të jetë i begatë, demokratik, anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s si garanci kryesore e paqes dhe stabilitetit në Ballkan duke qenë kontribues aktiv në këtë proces. Pikërisht në këtë frymë largpamëse i jemi drejtuar dialogut me Serbinë. Nëpërmjet tij shpresojmë që të gjejmë zgjidhje për problemet praktike që do të lehtësonin jetën e qytetarëve tanë pavarësisht nga mosmarrëveshjet politike. Si rezultat i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qytetarët e Republikës së Kosovës tani mund të udhëtojnë me dokumente të Kosovës dhe targa të lëshuara nga Kosova në Serbi. Diplomat e arsimimit në Kosovë të cilat nuk janë njohur më parë tani pranohen nga Beogradi.  Marrëveshja e fundit për vulat doganore do të mundësojë lëvizjen e lirë dhe ligjore të mallrave midis dy vendeve.” Presidentja në ligjërimin e saj u ndal edhe në pengesat, vështirësit dhe sfidat e shfaqura në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, duke theksuar: “Sfidat tona në Kosovë janë kërcënimet për këtë stabilitet – mbetjet e punëve të pambaruara. Në tri komuna në veri të Kosovës, elementet radikale serbe, të cilat janë të lidhura me rrjetet kriminale, kanë kundërshtuar qeverinë e Kosovës. Ata kanë krijuar struktura paralele të sigurisë që kanë penguar dhe dëmtuar përpjekjet tona për të arritur në këtë pjesë të komunitetit. Pozita jonë për këtë mbetet shumë e qartë: ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të integruar të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë komunitetit serb, i cili është mbajtur peng nga këto struktura, të drejtat dhe përfitimet që serbët në vendet e tjera të Kosovës janë duke shijuar. I bëjmë thirrje Serbisë të ndihmojë në shkatërrimin e këtyre strukturave ilegale të sigurisë. Në muajt e ardhshëm, institucionet e Kosovës, në partneritet me faktorët ndërkombëtarë, do të përpiqen që të angazhohen me këtë komunitet serb në veri në mënyrë që sa më mirë t’i trajtojë shqetësimet e tyre….” Presidentja në fjalën e saj u dha përgjigje të prerë zërave apo planeve për copëtimin apo shkëmbimin e territoreve të Kosovës: “Unë vendosmërisht kundërshtoj ndarjen e Kosovës, rirregullimin e saj të brendëshëm territorial apo shkëmbimin e territoreve. Unë jam e angazhuar në këtë vizion për vendin tim dhe rajonin: multi-etnik, multi-kulturor, një vend i shumë feve dhe e traditave, ku kulturat e ndryshme janë një burim pasurimi, ku të gjithë qytetarët jetojnë me dinjitet dhe krenari. Kjo është epoka e integrimit: idetë që i ndajnë njerëzit bien në kundërshtim me këtë trend. Ne kemi nevojë të gjejmë mënyra për të respektuar divergjencat dhe për të ndërtuar mbi të ardhmen tonë të përbashkët.” (Dielli, nr. 9/2011)

Po në gazetën Dielli të muajit shtator 2011 në vend të editorialit botohet fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në sesionin e 66-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Lidhur me situatën në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, ai theksoi: “Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendosi korrikun e vitit të kaluar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Republika e Kosovës është njohur tani nga mbi 80 vende të botës. Shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje vendeve anëtare të OKB-së të njohin Republikën e pavarur të Kosovës, që është kthyer në një faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin tonë. Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë, e cila shfrytëzoi këtë forum të lartë për t’ju drejtuar Gjykatës së Hagës, të përshtasë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, duke dëshmuar se pranon dhe respekton ligjin ndërkombëtar në tërësi dhe jo vetëm ato pjesë që i interesojnë… Ne kemi mbështetur dhe mbështesim vullnetin e qeverisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për fuqizimin e ligjit, në mënyrë që në të gjithë territorin e republikës së Kosovës të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti.

Gjithashtu, i bëj thirrje Serbisë të bëjë më të mirën për të hequr bllokimin e qarkullimit të mallrave në kufirin e saj me Kosovën, të respektojë marrëveshjen që nënshkroi këtë muaj në Bruksel, që parashikon mosvendosjen e embargos, por parashikon eksporte dhe eksporte të lira për të dy vendet. Ne besojmë se respekti për kufijtë aktualë në Ballkan është një kusht thelbësor për paqe dhe stabilitet të përhershëm. Përpjekjet e Beogradit, për të mbajtur struktura paralele autoriteti në këto tre komuna të Kosovës, dëshmojnë se ende besojnë te ndonjë ndryshim në rajonin tonë, te mbi një ide të tejkaluar e të dështuar të vendeve entikisht të “pastra” dhe Serbisë së madhe… Raporti i senatorit Dick Martti, siç pohon vetë kryeprokurori i Serbisë Vukcevic, që thotë se e gjen raportin e tij plotësisht të përfshirë në raportin e senatorit Dick Martit, pra është një plagjiaturë e raportit të Vukcevicit. Çdo njeri që lexon këtë raport konstaton se raporti ngre shumë dyshime, aspak të motivuara, të bazuara në fakte dhe në të vërtetën, por kryesisht në qëllime të këqija.” (Dielli, nr. 9/2011)

Ndërkohë, është futur viti 2012 dhe po kalojnë 4 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Megjithë hapat përpara që janë bërë në ekonominë e qeverisjen e këtij vendi me shtetin më të ri në Evropë, ende nuk është arritur ajo që dëshirojnë vetë shqiptarët e Kosovës: njohja e plotë ndërkombëtare e shtetit të tyre dhe anëtarësimi të paktën në OKB. Pengesa kryesore shihet në marrëdhëniet me Serbinë, ku megjithëse bisedimet kanë nisur, po ecin ngadalë dhe, për më tepër, shumë nga marrëveshjet e nënshkruara nuk po zbatohen nga pala serbe. Thuren plane të ndryshme për të ardhmen, madje janë shpeshtuar zërat, dikur të vakët, për një zgjidhje të marrëdhënieve dypalëshe me anë të “shkëmbimit të territoreve”. Këto shqetësime u ndjenë edhe në kremtimin e përvjetorit të katërt të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Federata “Vatra” dhe bashkësia shqiptare në New York të SHBA-së. Festa e organizuar nga “Vatra’ më 18 shkurt 2012 u mbështet nga rreth 20 organizata, shoqata, fondacione e parti politike të mërgatës shqiptare në SHBA. Merrnin pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ambasadorë të Kosovës e Shqipërisë. Takimin festiv e hapi kryetari i Federatës “Vatra”, dr. Gjon Buçaj, i cili në fjalën përshëndetëse tha se katër vjetori i Kosovës është festë për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. 

Megjithëse statusin përfundimtar të Kosovës e zgjidhën vetë shqiptarët, bazuar në të drejtën ndërkombëtare për vetëvendosje duke shpallur pavarësinë e Kosovës, diplomacia ndërkombëtare, që vazhdonte ta mbante të kufizuar këtë pavarësi, kembëngulte te bisedimet Beograd – Prishtinë për të ardhmen përfundimtare të shtetit më të ri në Evropë. Bisedimet vazhdonin, por jo me ritmet dhe rezultatin e dëshiruar. “Vatra” ndiqte me vëmendje çdo situtatë që lidhej me Kosovën, dhe gazeta Dielli botonte shkrime të ndryshme jo vetëm të formës së lajmit apo të informacionit, por edhe analiza dhe mendime të dhëna nga përfaqësues të ndryshëm të diplomacisë apo të mendimit shoqëror. 

Mes pengesave të shumta për zhvillimin normal të bisedimeve ishin pasiguria dhe trazirat në veri të Kosovës, në Mitrovicë. Ky shqetësim u trajtua edhe me takimin qe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku kishte me veprimtarë të njohur të çështjes shqiptare New York në muajin gusht 2012. Gjatë bisedës u trajtuan probleme të ndryshme që lidhen me Forcën e Sigurisë së Kosovës si vazhduese e UÇK-së, por çështja më delikate e cila u trajtua si shqetësim për sigurinë e të ardhmen e Kosovës ishte situata aktuale në Mitrovicë. Në këtë takim merrnin pjesë perveç drejtuesve të “Vatrës”, edhe gazetarë të Diellit. Këstu, pyetjes së gazetarit se çfarë mendoni për të nesërmen e Mitrovicës, ku situata vazhdon të jetë problematike?, ministri Çeku iu përgjigj: “Mitrovica është sfida më e madhe e pasluftës, është plaga më e pashëruar, por unë jam i bindur dhe kam shpresë se edhe kjo plagë do të mjekohet dhe Mitrovica si pjesë e pandashme e Kosovës do të normalizohet dhe qytetarët e saj do të jenë të barabartë me pjesën tjetër të shtetit të ri të Kosovës. Këtë vullnet e pamë edhe gjatë takimeve që patëm në Washington. Askush nuk është i interesuar që situata e pastabilizuar të vazhdojë edhe më tutje. Konflikti i ngrirë nuk është në interest të askujt, ashtu si nuk është në interes të askujt ndarja. Integrimi normal i Mitrovicës nuk do të jetë i lehtë, por plotësisht i mundshëm. Nuk ka rrugë tjetër.” (Dielli, nr. 8/2012)

Kosova, tashmë pas pavarësisë, përveç hapave të bërë përpara, sheh para vetes pengesa të shumta, të krijuara sidomos nga Serbia, në planin e brendshëm, ndërsa në planin e jashtëm vihet re një farë frenimi i njohjes së saj të mëtejshme nga shtetet e tjera. Pikërisht këtë shqetësim e ngriti edhe presidenti shqiptar Bujar Nishani në fjalën e tij të mbajtur në Debatin e Përgjithshëm në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2012. Në fjalimin e tij, kur u ndal në situatën në Kosovë ai theksoi si më poshtë: “… Më lejoni që të vë në dukje se krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës pesë vite më parë, e ka kthyer atë në faktor të rëndësishëm të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore. Ai është ndërtuar dhe fuqizuar përkundrejt të gjitha vështirësive që ka hasur, të krijuara nga ata të cilët ende nuk mund ta pranojnë realitetin dhe ta shikojnë të vërtetën drejt e në sy, … Vetëm disa ditë më parë Kosova arriti një tjetër nivel konsolidimi të shtetit me dhënien fund nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të Fazës së Mbikqyrjes së Pavarësisë. Përfitoj nga ky rast për të uruar autoritetet e Kosovës mbi përparimin e vazhdueshëm që kanë shënuar përsa i përket ndërtimit dhe fuqizimit të një shteti demokratik dhe një shoqërie shumë etnike dhe u bëj thirrje të gjitha atyre vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të marrin parasysh rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti të pakthyeshëm në rajonin e Evropës Juglindore. Njohja e Kosovës është një akt drejtësie për ata njerëz, të cilët kanë vuajtur aq gjatë dhe një kontribut tërësor për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan…” (Dielli, nr. 9/2012) Ndërsa sa i takon bisedimeve dhe gadishmërisë së Serbisë për t’i zhilluar ato, presidenti Nishani u shpreh se Serbia në vend që të ulet me qetësi dhe logjikë të ftohtë në tryezën e bisedimeve me Kosovën ëndërron plane të tjera: “Kemi dëgjuar më parë e presim të dëgjojmë sërish argumentet e tepërta të Serbisë në lidhje me Kosovën. Ajo që dështoi të arrihej me luftë, nuk mund të arrihet dot me propagandë. Ndërsa udhëheqësit e Serbisë flasin për copëtim dhe rihartim kufijsh, teksa ata lëshojnë deklarata shqetësuese duke mohuar gjenocidin e Srebenicës, gjithësecili ka të drejtë të ngrejë pyetjen nëse e shkuara vazhdon akoma të endet mbi të tashmen duke mjegulluar realitetin e duke e ngatërruar vizionin për të ardhmen.” (Dielli, nr. 9/2012)

Po në numrin e muajit shtator gazeta Dielli boton një korespondencë të radios Zëri i Amerikës të gazetarit Ilir Ikonomi. Korespondenca njofton se më 17 shtator 2012 në një nga sallat e Kongresit Amerikan, me përkrahjen e zyrës së ligjvënësit nga Virginia, Frank Wolf, u promovua libri me titull “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, i autorit kosovar Nusret Pllana. Pasi dorëzoi në Librarinë e Kongresit Amerikan librin në fjalë, nga Federata “Vatra” u organizua promovimi i këtij libri. Disa pjesë nga korrespondenca e shkuar për këtë aktivitet janë: “… Me anë të qindra fotografive, shumica të rënda për syrin, libri përshkruan një histori mjaft të dhimbshme të Kosovës, për të cilën autori thotë se u duhet treguar brezave të rinj. Zoti Pllana thotë se disa nga masakrat kundër shqiptarëve i ka parë me sytë e tij dhe i ka dokumentuar vetë, kur ka punuar si gazetar në radion Kosova e Lirë gjatë konfliktit të vitit 1999. Ai thotë se megjithëse për krimet në Kosovë është folur shumë, ato nuk janë dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme… Por nuk bëhet fjalë vetëm  për krimet e konfliktit të vitit 1999. Zoti Pllana bashkë me një komision që është marrë me botimin e librit, ka mbledhur fotografi që dokumentojnë ato që ai i quan krime të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë një periudhë rretj 150 vjeçare, duke filluar nga viti 1844…” Ndërsa për të veçantën që ka promovimi i librit të tij në këtë ndërtesë historike, sipas korrespondencës, zoti Pllana u shpreh: “Këtu, në ndërtesën e Kongresit Amerikan, që për ne shqiptarët është një ndërtesë e shenjtë, ngase nga këtu, personalitetet më të njohura botërore të Amerikës sonë mike kanë nxjerrë dhe miratuar vendimin më të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve ndonjëherë: ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë me 24 mars 1999”. (Dielli, nr. 10/2012)

Në fund të muajit tetor 2012, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e shoqëruar nga baronesha Ashton, vizituan disa vende të Ballkanit. Pasi bëri një vizitë në Beograd, më 30 tetor Hillary dhe shoqëruesja e saj shkuan në Prishtinë. Në Beograd ajo deklarori se mbështet dialogun me Prishtinën, pas takimit me presidentin serb Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin Ivica Daçiç, në një konferencë për shtyp ka bërë apel për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe më tej tha: “Intensifikimi i marrëdhënieve të mira, përbën një shans të mirë për të dy vendet në rrugën e tyre drejt BE-së, si dhe çështjeve kyçe, si përmirësimi i lëvizjes së lirë, doganat, shërbimet qeveritare. Gjithashtu, duhen parë mënyrat që do t’u jepnin serbëve të Kosovës sigurinë që ata kërkojnë… Kosova është një komb i pavarur. Kufijtë e Evropës nuk do të ndryshojnë. Por ekszistojnë marrëveshjet që duhen zbatuar nga Kosova dhe Serbia për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.” (Dielli, nr. 10/2012)

Lidhur me zërat për ndryshim kufijsh apo “shkëmbim tërritoresh”, në të njëjtën linjë me Sekretaren Clinton ishte edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila për dialogun Beograd-Prishtinë, u shpreh; “Siç dihet, u takova në Bruksel me kryeministrin kosovar, Hasim Thaçi dhe kryeministrin serb Ivica Daçiç, rreth dy javë më parë. Dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë dialogun mes dy vendeve dhe të takohemi sërish shumë shpejt. Është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet që janë arritur, të zbatohen. Ne kemi parë një progress të vërtetë së fundmi dhe do të donim që ky progress të vazhdonte. Po më lejoni të theksoj se dialogu me Prishtinën dhe normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm.” (Dielli, nr. 10/2012)

Epilogu: Kanë kaluar 14 vjet nga fillimi i bisedimeve Beograd – Prishtinë, por edhe sot e kësaj dite ato vijojnë me hope, apo me hapa tepër të ngadaltë, me kundërshti, debate e kokëfortësi, e mbi të gjitha, jo me rezultatet e dëshiruara…

Filed Under: Interviste

Lamtumirë Dr.Bujar BUKOSHI

June 10, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

(Ish-Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim)

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, Dr. Bujar BUKOSHI ishte çdoherë në krah të Presidentit dr. Ibrahim RUGOVA, gjatë viteve më të vështira për Kosovën dhe fatet e saj. Ai drejtoi Qeverinë e Republikës së Kosovës në mërgim, organizoi sistemin paralel në vend dhe së bashku me Presidentin RUGOVA dhe bashkëpunëtoret e tyre më të ngushtë, informuan qendrat e vendosjes dhe opinionin ndërkombëtar për gjendjen në Kosovë dhe bën miq për Kosovën kudo në botë. Organizoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe themeloi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovë, si dhe mori pjesë në të gjitha bisedimet për Kosovën që u zhvilluan në atë kohë. Si deputet i Parlamentit është firmëtar i aktit të shpalljës së Pavarësisë së Kosovës dhe kontributor në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës së lirë dhe të pavarur!

Më respekt dhe konsideratë e vleresojë dhe kujtojë miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë e të gjatë me dr.Bujarin, gjatë viteve më të rënda për Kosovën dhe fatet e kombit tonë!

Dr.Bujari ishte një mik i mirë, shtetar dinjitoz dhe një patriot i vërtetë!

Ngushëllimet me të thella për bashkëshorten e tij, Dr.Zana Bukoshi, vajzat Ora, Shota dhe Nita, nipat Dardanin e Taulantin, vëllain Hysenin, si dhe mbarë familjen e gjerë, miqtë dhe shokët e dr.Bujarit!

Prehu në paqe, miku im dr.Bujar BUKOSHI!

Filed Under: Interviste

Kuvendi i Tretë të Studimeve Arbëreshe organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), do të mbahet më 30 tetor 2025

June 9, 2025 by s p

Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, i cili mbahet çdo dy vjet, përbën ngjarjen më të rëndësishme studimore të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), këtë vit vjen me temën bosht “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Kjo çështje me një rëndësi të qenësishme për kombëtarinë, diskutohet për herë të parë në qarqet akademike shqiptare, në një trajtim i cili mëton të hedhë dritë përmes interpretimesh shkencore të shkollave të reja të mendimit mbi këtë raport të vendit amë, Shqipërisë, me komunitetin arbëresh, mbi dialektikën dhe dimensionet komplekse të diasporës dhe vendit të origjinës. Do të mbahet një Lectio Magistralis nga një studiues me reputacion ndërkombëtar, i cili do të ndiqet nga diskutime e debate të studiuesve shqiptarë e arbëreshë.

Në studimet e dekadave të fundit, koncepti mbi diasporën është larguar nga zanafilla e semantikës së saj, duke përfshirë një term sa kompleks, po aq edhe dinamik, duke sfiduar edhe interpretimet tradicionale edhe mbi konceptet bashkëudhëtare të diasporës, siç janë identiteti, përkatësia, kultura dhe trashëgimia. Nëse në pikënisje të saj, koncepti diasporë mbartte në vetvete zhvendosjen, shpërhapjen dhe mërgimin nga vendi amë, në ditët e sotme, diaspora shpërfaq në semantikën e saj edhe format e proceset përmes të cilave komunitetet diasporike formësojnë e artikulojnë identitetin e kulturën e tyre duke ndërtuar përmes narrativave, marrëdhënie komplekse, dinamike e ndërvepruese me vendin e origjinës dhe vendin pritës. Shtrirja semantike e diasporës implikon edhe identitetin, duke e sfiduar atë, dhe jo duke e parë tashmë si një koncept të palëvizshëm dhe të fiksuar në kohë, por si një identitet diasporik, i cili vjen si një produkt i kontektesteve të ndryshme socio-kulturore, ku vendet pritëse veprojnë si agjentë kryesorë në formimin dhe zhvillimin e diasporave.

Nën këtë dritë arsyetimi, kur flasim për diasporën arbëreshe, na ndërmenden Papas Antonio Bellusci i cili në artikullin me titull “Le tre Patrie” në revistën “Lidhja” (L’Unione, n. 2-3, aprile/ prill 1981) shprehet se identiteti kulturor i arbëreshëve kishte të trupëzuar “tre “atdhe” si simbolikë të tyre: Shqipërinë për gjuhën dhe traditat shqiptare, Greqinë për ritin fetar greko-bizantin dhe Italinë për shtetësinë dhe vendin ku ata jetojnë”. Përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për të mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe anasjelltas, kanë qenë jo thjesht të parreshtura, por këmbëngulëse, aspekt i cili ka ndikuar në mënyrën se si diaspora historike dhe vendi amë, e kanë perceptuar njëra-tjetrën: arbëreshët përmes lenteve nostalgjike, duke kanë ndërtuar narrativa ndaj atdheut të humbur, ndërsa Shqipëria/vendi amë duke ndërtuar legjitimuar narrativa kombëtare për të ndërtuar apo ripërtërirë lidhjet me të shkuarën.

(QSPA)

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 215
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”
  • HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
  • NJË JETË ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE, Inxhinier Mërgim Korça iku…
  • Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT