
Prof. dr. Roland Gjini
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit/
Çështja e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit është aktualisht një ndër çështjet më delikate e, njëkohësisht, më të debatueshme e më të diskutueshme. Lidhur me fillimin e tyre ka mendime të ndryshme. Kështu, disa mendojnë se këto bisedime nisën që herët, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, madje para se ajo të çlirohet nga serbët. Jakup Krasniqi, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës, në një historik të shkurtër të shkruar nga ai për bisedimet Prishtinë –Beograd, shprehet se si fazë e parë e këtyre bisedimeve cilësohen Bisedimet në Rambuje, të zhvilluara në shkurt-mars të vitit 1999, bisedime të cilët nuk u finalizuan me firmosjen e marrëveshjes nga pala serbe. Si fazë të dytë ai përcakton bisedimet e bëra në Vjenë në një periudhë dy-vjeçare (2006-2007), të udhëhequra nga presidenti i Finlandës Marti Ahtissari e të mbikqyrura nga vendet e Grupit të Kontaktit (GK). (Jakup Krasniqi, www.epokaere.com˃ historia-e-bisedimeve-politike, postuar më datë 12 qershor 2018.)
Nga këto bisedime, në fazën e dytë sipas Krasniqit, u arrit që që të hartohet një deklaratë e quajtur Dokumenti Përfundimtar për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar për Kosovën, e cila më 15 mars të vitit 2007 iu paraqit OKB-së në emër të Marti Ahtissarit. Më 26 mars të po atij viti Ahtissari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku propozohet që Kosova duhet të bëhet e pavarur. Kjo pavarësi e propozuar dhe e miratuar nga OKB-ja në fakt ishte një pavarësi e mbikqyrur, apo “e kufizuar”, nga ndërkombëtarët. Në fakt kjo lloj pavarësie nuk idhte zgjidhja që kërkonin serbët apo që dëshironin vetë kosovarët. Kjo zgjidhje u bë me imponimin e ndërkombëtarëve, anëtarë të GK. Megjithatë, pala kosovare ishte e detyruar ta pranojë, me shpresë se me kalimin e kohës do të arrinin të bindnin diplomacinë dhe opinionin ndërkombëtar se ata meritonin një pavarësi të plotë e pa kushte. Nga ana tjetër, pala serbe asnjëherë nuk hoqi dorë të paktën nga synimi kryesor i tyre: Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të jetë një shtet i pavarur.
Synimet e secilës palë u panë të qarta edhe në bisedimet zyrtare mes Beogradit dhe Prishtinës të filluara pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt të vitit 2008. Pikërisht për fillimin e këtyre bisedimeve, për rezultatet e tyre, por edhe për pritshmëritë e sfidat, do të ndalemi në këtë artikull tonin, mbështetur në shkrimet e kohës nga ana e gazetës Dielli në SHBA.
Me hyrjen e pranverës së vitit 2011 një lajm i mirë vjen për shqiptarët e Kosovës, duke u prë si një shpresë optimiste për të ardhmen e shtetit të tyre të pavarur, së shpejti do të nisin bisedimet Prishtinë – Beograd. Por ndërkohë u bë e qartw nga ndërkombëtarët se këto bisedime, fillimisht do të përqëndrohen vetëm në çështje teknike. Për të përshëndetur nisjen e tyre Federata Panshqiptare “VATRA” del me një deklaratë, e cila botohet edhe në gazetën Dielli. Po japim disa pjesë të shkëputura nga kjo deklaratë: “Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” përshëndet nisjen e bisedimeve dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesit amerikan si mbikqyrës i ftuar… “Vatra” e shef si të domosdoshëm një unitet të fortë mes forcavet politike të Kosovës ne bisedimet me Serbinë. Ky unitet në qëndrim mund të arrihet me krijimin e një besimi të ndërsjellë mes koalicionit qeveritar dhe opozitës… Për dialogun me Serbinë, që duhet të jetë vetëm për çështje teknike me interes për të dy anët, zëvendësnënsekretari i Shtetit, z. Thomas Countryman, i cili do të jetë present në bisedime, tha para gazetarëve se “… është e nevojshme të zhvillohet me qëllim që të arrijë synimin e Kosovës për vendosjen pa mëdyshje të sovranitetit të plotë mbi territorin e saj dhe për të fituar njohje të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe fillimin e procesit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” New York, 8 mars 2011” (Dielli, nr. 3/2011).
Por, ende pa filluar dialogu, shqiptarët e ndjenë se do të hynin si të pabarabartë me palën serbe në këto bisedime. Kjo bëri që jo vetëm politikanë të veçantë, por edhe organizma e shoqata të ndryshmë joqeveritare, të ngrenë zërin për këtë njëanshmëri. Ky zë u dërgua deri në instancat e Bashkimit Evropian, siç ishte rasti i hartimit dhe dërgimit në BE i një platformë udhëzuese nga dy shoqata: Klubi për Politikë të Jashtme dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Këto u shprehën se Kosova nuk është e barabartë me Serbinë në dialogun që ka nisur dhe kanë prezantuar disa veprime që duhet të ndërmerren në mënyrë që palët të barazohen, dhe dialogu të mos dështojë. Kjo platformë u botua edhe në gazetën Dielli, ku ndër të tjera në të shkruhej: “Pika nisëse për dy partnerët në dialog është larg nga të qenët e barabartë. Serbia hyn në dialog nga pozita e të fortit (marrëdhënie kontraktuale me BE-në, marrëdhënie bilaterale direkte, perspektivë e qartë evropiane) ndërsa Kosova nga një pozitë më e dobët (e panjohur nga 5 vende anëtare të BE-së, pa kontroll mbi territorin e vet, kufizime në ushtrimin e sovranitetit të vet nga EULEX-i e ICO-ja, probleme me imazhin, e të tjera). …Këto OJQ kanë prezantuar edhe masat që duhen marrë në mënyrë që të përmirësohet dialogu që sapo ka nisur dhe që ai të mos dështojë. Si para kushte për nisjen e dialogut, – sipas analizës së botuar te Dielli – janë dy kritere që duhen plotësuar: Së pari, që të sigurohet publiku kosovar dhe të ndalet izolimi i mëtutjeshëm i Kosovës, t’i ofrohet udhërrëfyesi për viza dhe një kornizë e qartë kohore si të arrihet te udhëtimi pa viza për qytetarët e saj (natyrisht Kosova duhet të përmbushë reformat e kërkuara, por njëkohësisht BE-ja duhet t’i ofrojë horizont të qartë kohor për liberalizimin e vizave (p.sh. vera 2012) dhe së dyti, BE-ja duhet të paraqesë një propozim konkret për sigurimin e marrëdhënies kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së brenda 6 muajve të fillimit të dialogut – në këtë mënyrë duhet gjetur formula e qëndrueshme status-neutrale (p.sh emri i Kosovës) për deri sa të hapet rruga e aderimit të Kosovës.”(Dielli, nr. 3/2011)
Në këtë platformë këto organizata joqeveritare i kërkuan institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare edhe plotësimin e disa kushteve të tjera për Kosovën, në mënyrë që jo vetëm bisedimet të kenë sukses, por edhe që Kosova të fitojë plotësisht autoritetin e saj si një vend i pavarur: “Dialogu duhet të ndihmojë Kosovën që të çajë izolimin e tashëm ndërkombëtar. Dialogu duhet të fokusohet në gjetjen e zgjidhjeve të përhershme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe e organizatave ndërkombëtare gjegjëse. Përkushtimi i Serbisë që në fund të njohë Kosovën duhet të përfshihet në Traktatin për anëtarësim që do të nënshkruhej mes Serbisë dhe BE-së. Kjo do të nënkuptonte se në ditën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës kanë arritur pikën e “normalizimit”” (Dielli, nr. 3/2011) – thuhet në anlizën e këtyre dy shoqatave.
Më 7 prill 2011 Kuvendi i Kosovës zgjodhi, për herë të parë në historinë e vet, një femër për Presidente të Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga. Ajo vinte pas një karriere në forcat policore të Kosovës, u paraqit në këto zgjedhje si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së dhe mori 80% të votave. Pasi bëri betimin, para deputetëve të kuvendit, mes të tjerash, ajo tha: “… Si Presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie. Gjatë shërbimit tim në Policinë e Kosovës, iu jam përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike dhe kam mbrojtur të drejtat e secilit individ, pavarësisht përkatësisë së vet, dhe tani si Presidente, kjo përgjegjësi është edhe më thelbësore, më domethënëse, duke forcuar atë që e nisëm kur Kosova e shpalli pavarësinë. Si presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës.” (Dielli, nr. 4/2011)
Pak muaj pasi u zgjodh presitente, Atifete Jahjaga në vizitën që bëri në SHBA gjatë muajit shtator të vitit 2011, zhvilloi një takim edhe me drejtues të Federatës “VATRA” në New York. Në këtë takim ajo u prit nga kryetari i “Vatrës”, z. Gjon Buçaj, i cili i uroi Presidentes mirëseardhjen. Në njoftimin që boton gazeta Dielli thuhet se zj. Jahjaga pasi e mori fjalën , tha se unë e mbajta fjalën, që i dhashë kryetarit të Vatrës dhe shoqëruesve të tij në takimin e 26 qershorit 2011 në Prishtinë, kur premtova se në vizitën e parë që do të bëja në New York, do të takohesha me përfaqësues të Vatrës. Më pas ajo informoi për takimet që ka bërë në krye të delegacionit gjatë ditëve të qëndrimit në New York dhe ekspozoi problemet me të cilat përballet Kosova aktualisht si rezultat i tensioneve të krijuara në veri të vendit, ku strukturat ilegale, kundërshtojnë shtetin ligjor dhe kërcënojnë sigurinë. Lajmi i botuar thekson se “Ajo kërkoi që Vatra, ashtu si në të shkuarën, krahas shoqatave të tjera këtu në SHBA, të shtojnë lobimin në favor të Kosovës, pasi beteja diplomatike vazhdon. Njohja e Kosovës nga 84 shtete, është tregues pozitiv, por ne duhet të synojmë për më tej.”(Dielli, nr. 9/2011)
Në vijim të vizitës së saj në New York, Presidentja Atifete Jahjaga mbajti një leksion për Kosovën në Institutin “Harriman” të Universitetit të njohur Columbia. Ky leksion i saj u botua në gazetën Dielli. Në këtë leksion presidentja rreshtoi hapat që ka bërë Kosova nga ndërhyrja e NATO-s me iniciativën e SHBA-së në vitin 1999, çlirimi i Kosovës në qershor të atij viti, dhe punën e madhe të bërë në këtë vend pas fitores së lirisë deri në shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Më tej, ajo u ndal në disa çështje kyç që kanë të bëjnë me konsolidimin e kësaj pavarësie dhe njohjen e plotë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, Po Japim disa pjesë nga ky leksion: “… Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ne kemi vendosur veten si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në vitin 2008 kur ne shpallëm pavarësinë, ne kemi vendosur objektiva të qarta në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare: Për të ndërtuar një vend demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe për të mbrojtur pakicat. Këto objektiva janë të paraqitura në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, i njohur si Plani i Ahtissarit dhe ato janë të shkruara në Kushtetutën tonë… Kjo nuk favorizon një grup etnik në dëm të të tjerëve. Në të kundërtën, ajo përfshin dispozita të forta për të mbrojur pakicat. Kjo është arsyeja pse komunitetet tona janë të përfaqësuara në Kuvend nëpërmjet një sistemi të ulëseve të garantuara. Nga 120 vende, 20 janë të siguruar për komunitetet etnike që përfaqësojnë më pak se 10% të popullsisë së Kosovës…
Sundimi i ligjit është në qendër të përpjekjeve të mia për të krijuar një shtet të qëndrueshëm dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Nga kjo premisë kam mbështetur operacionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës javën e kaluar…” (Dielli, nr. 9/2011)
Në verën e vitit 2011 nisi praktikisht dialogu mes palës serbe dhe asaj kosovare. Në krye të ekipit negociator për Kosovën ishte Edita Tahiri, ndërsa për Serbinë Borko Stefanoviç dhe ndërmjetësues i BE-së ishte Robert Cooper. Lidhur me zhvillimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, Presidentja Jahjaga evidentoi disa hapa të bërë përpara, duke thënë: “…Ne dëshirojmë që Kosova dhe tërë rajoni të jetë i begatë, demokratik, anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s si garanci kryesore e paqes dhe stabilitetit në Ballkan duke qenë kontribues aktiv në këtë proces. Pikërisht në këtë frymë largpamëse i jemi drejtuar dialogut me Serbinë. Nëpërmjet tij shpresojmë që të gjejmë zgjidhje për problemet praktike që do të lehtësonin jetën e qytetarëve tanë pavarësisht nga mosmarrëveshjet politike. Si rezultat i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qytetarët e Republikës së Kosovës tani mund të udhëtojnë me dokumente të Kosovës dhe targa të lëshuara nga Kosova në Serbi. Diplomat e arsimimit në Kosovë të cilat nuk janë njohur më parë tani pranohen nga Beogradi. Marrëveshja e fundit për vulat doganore do të mundësojë lëvizjen e lirë dhe ligjore të mallrave midis dy vendeve.” Presidentja në ligjërimin e saj u ndal edhe në pengesat, vështirësit dhe sfidat e shfaqura në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, duke theksuar: “Sfidat tona në Kosovë janë kërcënimet për këtë stabilitet – mbetjet e punëve të pambaruara. Në tri komuna në veri të Kosovës, elementet radikale serbe, të cilat janë të lidhura me rrjetet kriminale, kanë kundërshtuar qeverinë e Kosovës. Ata kanë krijuar struktura paralele të sigurisë që kanë penguar dhe dëmtuar përpjekjet tona për të arritur në këtë pjesë të komunitetit. Pozita jonë për këtë mbetet shumë e qartë: ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të integruar të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë komunitetit serb, i cili është mbajtur peng nga këto struktura, të drejtat dhe përfitimet që serbët në vendet e tjera të Kosovës janë duke shijuar. I bëjmë thirrje Serbisë të ndihmojë në shkatërrimin e këtyre strukturave ilegale të sigurisë. Në muajt e ardhshëm, institucionet e Kosovës, në partneritet me faktorët ndërkombëtarë, do të përpiqen që të angazhohen me këtë komunitet serb në veri në mënyrë që sa më mirë t’i trajtojë shqetësimet e tyre….” Presidentja në fjalën e saj u dha përgjigje të prerë zërave apo planeve për copëtimin apo shkëmbimin e territoreve të Kosovës: “Unë vendosmërisht kundërshtoj ndarjen e Kosovës, rirregullimin e saj të brendëshëm territorial apo shkëmbimin e territoreve. Unë jam e angazhuar në këtë vizion për vendin tim dhe rajonin: multi-etnik, multi-kulturor, një vend i shumë feve dhe e traditave, ku kulturat e ndryshme janë një burim pasurimi, ku të gjithë qytetarët jetojnë me dinjitet dhe krenari. Kjo është epoka e integrimit: idetë që i ndajnë njerëzit bien në kundërshtim me këtë trend. Ne kemi nevojë të gjejmë mënyra për të respektuar divergjencat dhe për të ndërtuar mbi të ardhmen tonë të përbashkët.” (Dielli, nr. 9/2011)
Po në gazetën Dielli të muajit shtator 2011 në vend të editorialit botohet fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në sesionin e 66-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Lidhur me situatën në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, ai theksoi: “Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendosi korrikun e vitit të kaluar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Republika e Kosovës është njohur tani nga mbi 80 vende të botës. Shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje vendeve anëtare të OKB-së të njohin Republikën e pavarur të Kosovës, që është kthyer në një faktor i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin tonë. Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë, e cila shfrytëzoi këtë forum të lartë për t’ju drejtuar Gjykatës së Hagës, të përshtasë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, duke dëshmuar se pranon dhe respekton ligjin ndërkombëtar në tërësi dhe jo vetëm ato pjesë që i interesojnë… Ne kemi mbështetur dhe mbështesim vullnetin e qeverisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për fuqizimin e ligjit, në mënyrë që në të gjithë territorin e republikës së Kosovës të mbizotërojë paqja dhe stabiliteti.
Gjithashtu, i bëj thirrje Serbisë të bëjë më të mirën për të hequr bllokimin e qarkullimit të mallrave në kufirin e saj me Kosovën, të respektojë marrëveshjen që nënshkroi këtë muaj në Bruksel, që parashikon mosvendosjen e embargos, por parashikon eksporte dhe eksporte të lira për të dy vendet. Ne besojmë se respekti për kufijtë aktualë në Ballkan është një kusht thelbësor për paqe dhe stabilitet të përhershëm. Përpjekjet e Beogradit, për të mbajtur struktura paralele autoriteti në këto tre komuna të Kosovës, dëshmojnë se ende besojnë te ndonjë ndryshim në rajonin tonë, te mbi një ide të tejkaluar e të dështuar të vendeve entikisht të “pastra” dhe Serbisë së madhe… Raporti i senatorit Dick Martti, siç pohon vetë kryeprokurori i Serbisë Vukcevic, që thotë se e gjen raportin e tij plotësisht të përfshirë në raportin e senatorit Dick Martit, pra është një plagjiaturë e raportit të Vukcevicit. Çdo njeri që lexon këtë raport konstaton se raporti ngre shumë dyshime, aspak të motivuara, të bazuara në fakte dhe në të vërtetën, por kryesisht në qëllime të këqija.” (Dielli, nr. 9/2011)
Ndërkohë, është futur viti 2012 dhe po kalojnë 4 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Megjithë hapat përpara që janë bërë në ekonominë e qeverisjen e këtij vendi me shtetin më të ri në Evropë, ende nuk është arritur ajo që dëshirojnë vetë shqiptarët e Kosovës: njohja e plotë ndërkombëtare e shtetit të tyre dhe anëtarësimi të paktën në OKB. Pengesa kryesore shihet në marrëdhëniet me Serbinë, ku megjithëse bisedimet kanë nisur, po ecin ngadalë dhe, për më tepër, shumë nga marrëveshjet e nënshkruara nuk po zbatohen nga pala serbe. Thuren plane të ndryshme për të ardhmen, madje janë shpeshtuar zërat, dikur të vakët, për një zgjidhje të marrëdhënieve dypalëshe me anë të “shkëmbimit të territoreve”. Këto shqetësime u ndjenë edhe në kremtimin e përvjetorit të katërt të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Federata “Vatra” dhe bashkësia shqiptare në New York të SHBA-së. Festa e organizuar nga “Vatra’ më 18 shkurt 2012 u mbështet nga rreth 20 organizata, shoqata, fondacione e parti politike të mërgatës shqiptare në SHBA. Merrnin pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ambasadorë të Kosovës e Shqipërisë. Takimin festiv e hapi kryetari i Federatës “Vatra”, dr. Gjon Buçaj, i cili në fjalën përshëndetëse tha se katër vjetori i Kosovës është festë për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.
Megjithëse statusin përfundimtar të Kosovës e zgjidhën vetë shqiptarët, bazuar në të drejtën ndërkombëtare për vetëvendosje duke shpallur pavarësinë e Kosovës, diplomacia ndërkombëtare, që vazhdonte ta mbante të kufizuar këtë pavarësi, kembëngulte te bisedimet Beograd – Prishtinë për të ardhmen përfundimtare të shtetit më të ri në Evropë. Bisedimet vazhdonin, por jo me ritmet dhe rezultatin e dëshiruar. “Vatra” ndiqte me vëmendje çdo situtatë që lidhej me Kosovën, dhe gazeta Dielli botonte shkrime të ndryshme jo vetëm të formës së lajmit apo të informacionit, por edhe analiza dhe mendime të dhëna nga përfaqësues të ndryshëm të diplomacisë apo të mendimit shoqëror.
Mes pengesave të shumta për zhvillimin normal të bisedimeve ishin pasiguria dhe trazirat në veri të Kosovës, në Mitrovicë. Ky shqetësim u trajtua edhe me takimin qe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku kishte me veprimtarë të njohur të çështjes shqiptare New York në muajin gusht 2012. Gjatë bisedës u trajtuan probleme të ndryshme që lidhen me Forcën e Sigurisë së Kosovës si vazhduese e UÇK-së, por çështja më delikate e cila u trajtua si shqetësim për sigurinë e të ardhmen e Kosovës ishte situata aktuale në Mitrovicë. Në këtë takim merrnin pjesë perveç drejtuesve të “Vatrës”, edhe gazetarë të Diellit. Këstu, pyetjes së gazetarit se çfarë mendoni për të nesërmen e Mitrovicës, ku situata vazhdon të jetë problematike?, ministri Çeku iu përgjigj: “Mitrovica është sfida më e madhe e pasluftës, është plaga më e pashëruar, por unë jam i bindur dhe kam shpresë se edhe kjo plagë do të mjekohet dhe Mitrovica si pjesë e pandashme e Kosovës do të normalizohet dhe qytetarët e saj do të jenë të barabartë me pjesën tjetër të shtetit të ri të Kosovës. Këtë vullnet e pamë edhe gjatë takimeve që patëm në Washington. Askush nuk është i interesuar që situata e pastabilizuar të vazhdojë edhe më tutje. Konflikti i ngrirë nuk është në interest të askujt, ashtu si nuk është në interes të askujt ndarja. Integrimi normal i Mitrovicës nuk do të jetë i lehtë, por plotësisht i mundshëm. Nuk ka rrugë tjetër.” (Dielli, nr. 8/2012)
Kosova, tashmë pas pavarësisë, përveç hapave të bërë përpara, sheh para vetes pengesa të shumta, të krijuara sidomos nga Serbia, në planin e brendshëm, ndërsa në planin e jashtëm vihet re një farë frenimi i njohjes së saj të mëtejshme nga shtetet e tjera. Pikërisht këtë shqetësim e ngriti edhe presidenti shqiptar Bujar Nishani në fjalën e tij të mbajtur në Debatin e Përgjithshëm në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2012. Në fjalimin e tij, kur u ndal në situatën në Kosovë ai theksoi si më poshtë: “… Më lejoni që të vë në dukje se krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës pesë vite më parë, e ka kthyer atë në faktor të rëndësishëm të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore. Ai është ndërtuar dhe fuqizuar përkundrejt të gjitha vështirësive që ka hasur, të krijuara nga ata të cilët ende nuk mund ta pranojnë realitetin dhe ta shikojnë të vërtetën drejt e në sy, … Vetëm disa ditë më parë Kosova arriti një tjetër nivel konsolidimi të shtetit me dhënien fund nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të Fazës së Mbikqyrjes së Pavarësisë. Përfitoj nga ky rast për të uruar autoritetet e Kosovës mbi përparimin e vazhdueshëm që kanë shënuar përsa i përket ndërtimit dhe fuqizimit të një shteti demokratik dhe një shoqërie shumë etnike dhe u bëj thirrje të gjitha atyre vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të marrin parasysh rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti të pakthyeshëm në rajonin e Evropës Juglindore. Njohja e Kosovës është një akt drejtësie për ata njerëz, të cilët kanë vuajtur aq gjatë dhe një kontribut tërësor për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan…” (Dielli, nr. 9/2012) Ndërsa sa i takon bisedimeve dhe gadishmërisë së Serbisë për t’i zhilluar ato, presidenti Nishani u shpreh se Serbia në vend që të ulet me qetësi dhe logjikë të ftohtë në tryezën e bisedimeve me Kosovën ëndërron plane të tjera: “Kemi dëgjuar më parë e presim të dëgjojmë sërish argumentet e tepërta të Serbisë në lidhje me Kosovën. Ajo që dështoi të arrihej me luftë, nuk mund të arrihet dot me propagandë. Ndërsa udhëheqësit e Serbisë flasin për copëtim dhe rihartim kufijsh, teksa ata lëshojnë deklarata shqetësuese duke mohuar gjenocidin e Srebenicës, gjithësecili ka të drejtë të ngrejë pyetjen nëse e shkuara vazhdon akoma të endet mbi të tashmen duke mjegulluar realitetin e duke e ngatërruar vizionin për të ardhmen.” (Dielli, nr. 9/2012)
Po në numrin e muajit shtator gazeta Dielli boton një korespondencë të radios Zëri i Amerikës të gazetarit Ilir Ikonomi. Korespondenca njofton se më 17 shtator 2012 në një nga sallat e Kongresit Amerikan, me përkrahjen e zyrës së ligjvënësit nga Virginia, Frank Wolf, u promovua libri me titull “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, i autorit kosovar Nusret Pllana. Pasi dorëzoi në Librarinë e Kongresit Amerikan librin në fjalë, nga Federata “Vatra” u organizua promovimi i këtij libri. Disa pjesë nga korrespondenca e shkuar për këtë aktivitet janë: “… Me anë të qindra fotografive, shumica të rënda për syrin, libri përshkruan një histori mjaft të dhimbshme të Kosovës, për të cilën autori thotë se u duhet treguar brezave të rinj. Zoti Pllana thotë se disa nga masakrat kundër shqiptarëve i ka parë me sytë e tij dhe i ka dokumentuar vetë, kur ka punuar si gazetar në radion Kosova e Lirë gjatë konfliktit të vitit 1999. Ai thotë se megjithëse për krimet në Kosovë është folur shumë, ato nuk janë dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme… Por nuk bëhet fjalë vetëm për krimet e konfliktit të vitit 1999. Zoti Pllana bashkë me një komision që është marrë me botimin e librit, ka mbledhur fotografi që dokumentojnë ato që ai i quan krime të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë një periudhë rretj 150 vjeçare, duke filluar nga viti 1844…” Ndërsa për të veçantën që ka promovimi i librit të tij në këtë ndërtesë historike, sipas korrespondencës, zoti Pllana u shpreh: “Këtu, në ndërtesën e Kongresit Amerikan, që për ne shqiptarët është një ndërtesë e shenjtë, ngase nga këtu, personalitetet më të njohura botërore të Amerikës sonë mike kanë nxjerrë dhe miratuar vendimin më të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve ndonjëherë: ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë me 24 mars 1999”. (Dielli, nr. 10/2012)
Në fund të muajit tetor 2012, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e shoqëruar nga baronesha Ashton, vizituan disa vende të Ballkanit. Pasi bëri një vizitë në Beograd, më 30 tetor Hillary dhe shoqëruesja e saj shkuan në Prishtinë. Në Beograd ajo deklarori se mbështet dialogun me Prishtinën, pas takimit me presidentin serb Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin Ivica Daçiç, në një konferencë për shtyp ka bërë apel për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe më tej tha: “Intensifikimi i marrëdhënieve të mira, përbën një shans të mirë për të dy vendet në rrugën e tyre drejt BE-së, si dhe çështjeve kyçe, si përmirësimi i lëvizjes së lirë, doganat, shërbimet qeveritare. Gjithashtu, duhen parë mënyrat që do t’u jepnin serbëve të Kosovës sigurinë që ata kërkojnë… Kosova është një komb i pavarur. Kufijtë e Evropës nuk do të ndryshojnë. Por ekszistojnë marrëveshjet që duhen zbatuar nga Kosova dhe Serbia për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.” (Dielli, nr. 10/2012)
Lidhur me zërat për ndryshim kufijsh apo “shkëmbim tërritoresh”, në të njëjtën linjë me Sekretaren Clinton ishte edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila për dialogun Beograd-Prishtinë, u shpreh; “Siç dihet, u takova në Bruksel me kryeministrin kosovar, Hasim Thaçi dhe kryeministrin serb Ivica Daçiç, rreth dy javë më parë. Dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë dialogun mes dy vendeve dhe të takohemi sërish shumë shpejt. Është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet që janë arritur, të zbatohen. Ne kemi parë një progress të vërtetë së fundmi dhe do të donim që ky progress të vazhdonte. Po më lejoni të theksoj se dialogu me Prishtinën dhe normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm.” (Dielli, nr. 10/2012)
Epilogu: Kanë kaluar 14 vjet nga fillimi i bisedimeve Beograd – Prishtinë, por edhe sot e kësaj dite ato vijojnë me hope, apo me hapa tepër të ngadaltë, me kundërshti, debate e kokëfortësi, e mbi të gjitha, jo me rezultatet e dëshiruara…