
Eneida Jaçaj, Nju Jork/
Për shqiptarët ka buruar një thirrje e vazhdueshme, e pakohë, një thirrje për zgjim apo bashkim, brenda vendit dhe jashtë trojeve të saj, në diasporë. Duke pasur parasysh ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve politike në këto 34 vite, ku Shqipërisë i është vjedhur shpresa, e ardhmja, nuk ka alternativë por vetëm errësirë, për shkak të qëllimeve grabitqare të qeveritarëve për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të saj, është një thirrje tashmë “e ngjirur”, për të vënë në funksion të gjithë aparaturën e shtetit, për ta shkundur nga apatia dhe pluhuri i korrupsionit ndër vite, veprimtarinë institucionale, miratimin e politikave ekonomike-sociale veçanërisht për rritjen e punësimit dhe ndërmarrjen e masave që u vinë në ndihmë grupeve të caktuar të shoqërisë, arsimin, shëndetësinë, ndërtimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit vendas dhe të huaj, etj. Është një klithmë që vjen nga atdheu i largët, por i afërt në zemër dhe në shpirt, pasi ngado që të shkelësh, është ai që e ka vulosur identitetin tonë dhe Shqipëria ka nevojë të rindërtohet në bazë të funksionimit të ligjeve dhe mirëqënies, për të vazhduar ekzistencën e saj në aspektin shtetëror dhe kulturor.
Shqiptarët janë larguar nga vendi të detyruar që prej kohës së Skëndërbeut, gjatë periudhës së pushtimit osman, por të paktën, edhe pse në vend të huaj, intelektualët kanë punuar për këto troje që kemi sot; ndërsa pas periudhës së tranzicionit, edhe në ditët e sotme, bashkëkombasit po dynden drejt viseve të huaja për një jetë më të mirë, duke lënë vendin dhe shtëpitë e tyre bosh, por duke marrë me vete kujtimet që shërbejnë si ushqim për të mbajtur shpirtin gjallë. Ajka, kokat më të mençura, intelektualët e mirëfilltë që kanë përfunduar studimet në universitetet më të mira në SHBA dhe Europë, kanë qëndruar duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në vendet respektive ku jetojnë, pasi mendojnë se vendi tyre nuk afron asgjë. Atëherë, kush do ta bëjë Shqipërinë?! Nuk ka figura të përshtatshme, qoftë nga PS apo PD, që të mund të derdhin mendjen e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Në politikë kanë hyrë individë që e kanë blerë mandatin me para, ndërsa edhe ato pak figura që e meritojnë të jenë në krye, kryetarët i injorojnë, pasi nuk kanë derdhur para në fushatë. Shqetësimi është se, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë e nesërme?! Dua të heq një paralele me Lidhjen e Prizrenit, e cila u mbajt më 10 qershor 1878, 146 vjet më parë, ku shënoi fillimin e një epoke të re, atë të vetëdijes kombëtare dhe të luftës për liri.
Shqiptarët u bashkuan pa dallim feje e krahine, në një kohë të vështirë, kur Evropa po ndante kufijtë sipas interesave të saj. Pikërisht, në qytetin e Prizrenit u ndez flaka e vetëdijes kombëtare shqiptare, që vetëm përmes bashkimit ndërtuan rrugën që i çoi drejt Pavarësisë. Kjo Lidhje u formua në një moment kritik, kur pas Luftës Ruso-Turke, fuqitë e mëdha evropiane ishin gati të ndanin trojet shqiptare midis shteteve fqinje. Por shqiptarët nuk pranuan të heshtnin. Nga të katër anët e tokave shqiptare, u mblodhën përfaqësues për të mbrojtur trojet e tyre dhe të kërkojnë të drejtat e tyre si komb. Lidhja e Prizrenit nuk ishte një veprim i rastësishëm. Ajo u organizua me vizion, me strukturë politike dhe ushtarake, dhe me një frymë të fortë bashkimi. Në krye qëndruan figura të shquara si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Ali Pasha i Gucisë e Sylejman Vokshi, burra që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Të njëjtat përpjekje duhet të ndërmerren edhe në ditët e sotme, ku mendjet më të ndritura të bashkohen jo kundër pushtuesve të huaj, por ndaj atyre vendas që e kanë kapur peng Shqipërinë për 34 vite me rradhë. Nëse do të vazhdohet me këto politika korruptive, me këtë mendësi që e ka vyshkur demokracinë në palcë, pa shpresë, pa të ardhme, Shqipëria do të zbrazet, dhe, ndoshta të huajt do ta pushtojnë në tërësi, ashtu siç po bëhet në Jug të vendit, ku qeveritarët për interesa të tyre u kanë shitur pjesë toke të huajve për të ngritur bizneset e tyre. Mesazhi që na përcjell Lidhja e Prizrenit është se: vetëm përmes bashkimit, vizionit dhe vendosmërisë mund të arrihen qëllime të mëdha për një popull dhe për territoret e vendit.
Më 10 qershor 1878, ishte dita kur shqiptarët vendosën të mos qëndronin më në heshtje, por të ngrinin zërin për të mbrojtur tokat e tyre, identitetin e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje politike, ajo ishte zgjimi i shpirtit kombëtar. Sot, ndërsa përballemi me sfida të reja si komb, është më e rëndësishme se kurrë të kujtojmë se vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Lidhja e Prizrenit nuk është thjesht një faqe historie, është frymëzim për të sotmen dhe besim për të ardhmen. Lidhja e Prizrenit na mëson se bashkimi kombëtar nuk është vetëm një ëndërr, por një mundësi reale kur populli e do dhe e kërkon me përkushtim. Na mëson se identiteti nuk dhurohet, ai mbrohet, me vullnet, me sakrifica dhe me qëndresë. Sot, 146 vjet më pas, kujtimi i Lidhjes së Prizrenit është më i gjallë se kurrë. Është një thirrje për bashkim, për ruajtjen e identitetit tonë dhe për respekt ndaj atyre që ngritën themelet e kombit shqiptar. Sepse historia nuk është vetëm ajo që ndodhi, është edhe ajo që na frymëzon të jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më krenarë për atë që jemi. Lidhja e Prizrenit, ishte hapi i parë drejt ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila duhet të riformësohet edhe sot, për t’i dhënë Shqipërisë shpresën e munguar dhe për të vendosur në shina funksionimit e shtetit drejt një mirëqënie të begatë.