• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli

February 10, 2025 by s p

E shtune, 08.02.2025, 09:00 PM

INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN SHQIPTARO-AMERIKAN FRANK SHKRELI

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Frank Shkreli e nisi karrierën e tij gazetareske që në rini, gjatë studimeve në Kolegjin Lehman, ku shkruante për gazetën e institucionit dhe ishte anëtar i këshillit redaktues të revistës ‘Jeta Katolike në New York’, nën drejtimin e Mons. Zef Oroshit.

Karriera e tij gazetareske merr hov të rëndësishëm në vitin 1974, kur ai udhëton për në Washington, DC dhe fillon punën si gazetar dhe redaktor në seksionin shqip të “Zërit të Amerikës”, një pozicion që mban deri në vitin 1984. Në vitin 1984, Shkreli u emërua shef i seksionit shqip në këtë institucion, pozicion që e mbajti deri në vitin 1985. Udhëtimi i tij në Washington dhe puna në Zërin e Amerikës ishin një moment kyç që ndryshuan përgjithmonë jetën e tij profesionale.

Nga viti 1985 deri në vitin 1990, Shkreli shërbeu si këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, ku mbikëqyrte programet për 18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Pas vitit 1990, ai u emërua Zëvendës Drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik, një pozicion që mbulonte rusishten dhe gjuhët e tjera të vendeve që sapo kishin shpërbërë Bashkimin Sovjetik. Gjatë periudhës 1994-2003, Shkreli ishte Shef i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro-Aziatike) të VOA, ku mbikëqyrte një gamë të gjerë programesh, duke përfshirë edhe seksionin në gjuhën shqipe.

Shkreli ia ka kushtuar jetën menaxhimit dhe administrimit të mediave, fillimisht në radio dhe më pas në televizionin ndërkombëtar, përfshirë internetin. Ai ka mbikëqyrur qindra gazetarë dhe korrespondentë nga kultura dhe gjuhë të ndryshme, të cilët raportuan për botën komuniste gjatë Luftës së Ftohtë dhe për konfliktet në ish-Jugosllavi.

Në rolin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të VOA, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve, duke krijuar programe të reja, përfshirë gjuhët boshnjake dhe maqedonase. Nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar që nisi transmetimet televizive, përfshirë programet në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës, dhe më pas edhe programin shqip. Gjithashtu, ai luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e degës “multimedia” të VOA.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe luftërave në ish-Jugosllavi, Shkreli ishte i përfshirë në çdo vendim të rëndësishëm për transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë informimin e popujve të rajonit dhe përpjekjet për të shpejtuar shëmbjen e regjimeve komuniste dhe vendosjen e demokracisë.

Përveç këtyre aktiviteteve, Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në vitin 1991, kur u hap për herë të parë ambasada amerikane pas 50 vjetësh, dhe gjithashtu mori pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve të para pluraliste të atij viti.

Pas pensionimit nga detyra qeveritare, Shkreli u bë drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në SHBA dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan. Ai luajti një rol kyç në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe vendet aleate evropiane, një qëllim që u arrit më në fund në shkurt të vitit 2008.

Edhe pse i pensionuar, Shkreli vazhdon të jetë aktiv me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe me çështje të interesit kombëtar shqiptar, duke shkruar për marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe për çështje politike dhe rajonale të Ballkanit. Shkrimet e tij botohen në media të ndryshme, si dhe përfshijnë tema të politikës amerikane dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme klasike në seminarin e urdhërit katolik të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni. Pas mbërritjes si refugjat politik në SHBA në vitin 1970, Shkreli ka ndjekur studimet universitare në Kolegjin Lehman të New Yorkut dhe më pas në Universitetin George Washington në Washington, DC, ndërkohë që ishte i punësuar në “Zërin e Amerikës”.

Gjatë karrierës së tij, Shkreli ka marrë shpërblime dhe dekorata të ndryshme për kontributet e tij. Ndër më të rëndësishmet janë titulli “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në vitin 2016, “Qytetar Nderi” nga Komuna Shkrel në vitin 2011, dhe “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe, në maj të vitit 2023. Po ashtu, ai është nderuar me dekoratën nga Këshilli i qytetit të Nju Jorkut për “Shërbimet e shkëlqyera dhe kontributet e çmuara ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qytetit të Nju Jorkut”, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor të vitit 2019.

GM: Z. Shkreli, duke ju falenderuar për gjithçka keni bërë për kombin tonë, do e fillojmë intervistën me pak histori familjare. Nga jeni me origjinë dhe kush është vendlindja juaj?

Trojet stërgjyshore të Shkrelit në katundin Amull, afër Ulqinit (lart), ku ka lindur 75 vjet më parë, më 9 qershor 1950

FSH: Përshëndetje ty Z. Marku dhe lexuesve të portalit “Zemra Shqiptare”. Të falënderoj për bashkpunimin gjatë viteve – ju jeni ndër të parët që kini botuar shkrimet e mia modeste (Mars 2009) dhe vazhdoni t’i botoni gjithnjë – e që nuk janë pak, pasi tani kanë arritur rreth 1500 artikuj, gjithsejt.  Prandaj, falënderimet e mia ty dhe atyre lexuesve tek “Zemra Shqiptare”, të cilët i kanë ndjekur me besnikëri shkrimet e mia gjatë këtyre viteve.  Unë, me origjinë jam nga Shkreli i Malësisë së Madhe (Mbi-Shkodrës), por i lindur në fshatin Amull të rrethit të Ulqinit më 9 Qershor, 1950. Pasi kishim tokë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, deri në vitin 1948, (kur u prishën miqët e vjetër Tito/Enver Hoxha) — të parët e mi, verën e kalonin në bjeshkët tona mbi Shkrel, e për dimër uleshin në Amull, afër bregdetit ku klima ishte më e butë.  Deri në atë vit, kufiri midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, nuk përbënte ndonjë pengesë të madhe për lëvizjen e njerzve – mjaftonte një “letër njoftimi”. Në vitin 1948, kufiri midis dy vendeve komuniste — Shqipëri-Jugosllavi – u ndanë familjet dhe mbyll kufiri për pothuaj një gjysëm shekulli.

Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe

GM: Pavarësisht vështirësive të ndryshme sociale, ndoshta që kur ka lindur shqiptari i parë, për shumë njerëz fëmijëria mbetet pranverë e përhershme. Çfarë kujtimesh dhe përvojash të veçanta keni nga kjo periudhë?

”Prindërit e mi të paharrueshëm, Nana Mrika dhe Baba Gjeto Shkreli, me shumë vuajtje e mundime na rritën ne, katër fëmijët e tyre: Dranja, Toma, Frani e Terezja”

FSH: Në Amull pra, rrethi i Ulqinit, (jo larg bregut të lumit Buna) kam lindë dhe aty kam kaluar fëmijërinë, aty ku kam kryer shkollën fillore dhe jo larg prej vendlindje, në Katërkollë, kam kryer 8-vjeçaren.  Siç e kam thënë edhe në intervista të tjera gjatë viteve, fëmijëria ime ka qenë e vështirë nën rrethanat ekonomike dhe politike në të cilat jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavinë e 1950-ave dhe më vonë, megjithkëtë e lumtur. Më duhet të them se fëmijëria ime nuk ishte as më e vështirë as më e lehtë se e bashkombasve të mi shqiptarë, të lindur dhe të rritur në fshatrat e rrethit të Ulqinit në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Familja ime ishte një familje mesatare për ato anë që, kryesisht, mbijetonte nga puna — në bujqësi dhe blegtori. Ashtu si për të gjitha familjet shqiptare që jetonim në trojet tona stërgjyshore, nën Malin e Zi, edhe për mua dhe familjen time, jetesa ishte mjaft e vështirë, fëmijëria edhe më e vështirë, por si fëmijë nuk dinim më mirë dhe kryesisht ishim të kënaqur. Nuk endërronim për gjëra ekstravagante, sepse nuk ishim në dijeni të tyre. Ishim më të vendosur se rinia e sotme, përballë vështirsive dhe sfidave të përditshme, me të cilat përballej brezi im. Të kënaqur, ndoshta, me dhe për gjëra të vogla dhe më mirënjohës për gjërat që kishim se brezi i sotëm.  Kalonim një jetë tepër të izoluar nga bota dhe nga këndveshtrimi i sotëm, si shqiptarë, jetonim pothuaj pa asnjë privilegj dhe në mungesë totale të gjërave materiale dhe të tjera, me të cilat kënaqeshin e gëzonin fëmijtë e shumicës sllave në ish-Jugosllavi, në krahasim me ne shqiptarët.  Jetesa në përgjithsi e familjes dhe fëmijëria në veçanti, ishin pra një luftë për mbijetesë. Rryma elektrike na erdhi kur unë isha në moshën 15-vjeçare dhe radio tranzistori i parë që bleu familja, në atë kohë, për herë të parë (1965), sikur na hapi horizontet të reja ndaj botës. Për herë të parë kisha dëgjuar Zërin e Amerikës shqip në atë radio. As nuk ma merrte mendja në atë moshë se, në më pak se 10-vjetë më vonë, unë do të isha vendosur, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara si mërgimtar, por i punësuar, pikërisht, në Zërin e Amerikës në Washington ku, eventualisht, do të punoja për tri dekada (1974-2004).

GM: Po nga jeta shkollore në vendlindje, çfarë do të ndanit me lexuesit tanë?

”Gjimnazi klasik (shkolla e Mesme) në Rijeka të Kroacisë, 1965-1969, para se të arratisesha për në Itali. Si seminarist, aty mora bazat e shëndosha të një edukate klasike.”

FSH: Mungesë rrugësh e transporti për të frekventuar shkollën, të pakën dy orë larg. Edhe në Ulqin, qytetin më të afërm, duhej të shkonim me kali a mushkë.  8-vjeçaren e kam kryer në fshatin Katërkollë, pothuaj dy orë larg nga shtëpia, gjithnjë duhej të shkonim në këmbë, shpesh nepër ujë e baltë dhe pa rrugë të kalueshme.  Kujtimet e mia janë të freskëta për mësuesit e mi, emërat e të cilëve i kujtoj edhe sot me shumë respekt e mall – të gjithë shqiptarë – përpiqeshin të bënin të pamundurën për të ndihmuar studentët nën kujdesin e tyre. Ishin shumë të përkushtuar dhe ndërgjegjës të misionit të tyre për mësimin e gjuhës shqipe dhe edukimit në përgjithsi të brezit tim dhe brezave të ardhshëm të shqiptarëve në ato anë.  Disa prej këtyre mësuesve të mi, ishin trajnuar direkt prej mësuesve që kishte dërguar Ernest Koliqi (Ministër i Arsimit në qeverinë e Tiranës) më heret, anë e mbanë trojeve shqiptare – përfshirë Kosovën – për të mësuar gjuhën shqipe – në kohën kur Shqipëria ishte një – ishte koha e “tokave të çlirueme”.  Tetë-vjeçaren e kam kryer në gjuhën shqipe, me serbo-kroatishten si lëndë të dytë. Në të vërtetë, ky ishte i vetmi “shkollim” që kam bërë në gjuhën shqipe, pasi më vonë gjimnazin klasik e kam kryer në një seminar katolik në Kroaci, në gjuhën e vendit. Ndërsa me vendosjen time në Shtetet e Bashkuara në vitin 1970, kam vazhduar studimet në anglisht.

‘‘Kisha e Shkrelit, Malësi e Madhe, afër të cilës i kemi trojet origjinale stërgjyshore të familjes tonë. Mbiemrin Shkreli e kemi ruajtur në familje, si trashëgimi e të parëve tanë nga kjo krahinë e Shqipërisë. Me ketë emër do u njohin se kush jeni!”

GM: Cilat ishin arsyet kryesore të largimit nga vendlindja?

FSH: Siç thua edhe ti vet, shqiptarët janë përballlur me vështirësi të ndryshme sociale dhe eskzitenciale, që kur ka lindur shqiptari i parë. Në këtë histori, nuk përjashtohet as shekulli i kaluar. Shekulli XX ishte ndoshta ndër periudhat më të vështira, në historinë iliro-arbërore për shqiptarët në trojet e tyre shekullore, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare. Vitet 1968-69 kanë qenë vendimtare — të kthesës së madhe për mua dhe familjen time. Arsyet ishin të brendshme dhe të jashtme.  Atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demonstratat e organizuara në Prishtinë, një vit më parë, i shtoi përndjekjet e ashpra, sidomos, ndaj shqiptarëve nën Malin e Zi dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Efektet e pushtimit të Çekosllavkisë nga forcat sovjeto-komuniste në vitin 1968, shkaktuan emigrime masive nga Evropa lindore e qendrore, përshirë ish-Jugosllavinë.  Përveç kufizimeve të lirisë që impononte komunizmi si regjim, masat e ashpra kufizuese ekonomike dhe politike kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e Titos shkaktuan gjithashtu lëvizje emigrimi për mbijetesë dhe për arsye të pakënaqësive të mëdha në përgjithsi, edhe në radhët e shqiptarëve. Familjet malësore shqiptare, si e imja, nën Malin e Zi, deri në atë kohë, nuk e njihnin largimin nga vendlindja, si një fenomen shoqëror, as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Por familja ime, për të shpëtuar nga këto përndjekje si gjithë familjet tjera shqiptare, vendosën ndër të parat familje të atyre anëve, të arratiseshim në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt shpërnguljeje për ne dhe për shumë familje malësore të rrethit të Ulqinit e të Malësisë së Madhe, duke u vendosur, pas një kohe të kaluar në kampet e refugjatëve në Itali, përfundimisht, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

GM: Në vitin 1969 i keni thënë ‘lamtumirë’ vendlindjes dhe jeni larguar për në Itali, vend në të cilin keni qëndruar një vit. Si ishte Italia për ju dhe pse nuk arriti që të bëhej atdheu juaj i dytë?

FSH: Ndonëse regjimi komunist jugosllav nuk jepte dokumente udhtimi të rinjve si unë, u detyrova të largohesha ilegalisht, pa dokumenta (pa pasaportë) duke kaluar kufirin jugosllavo-italian në fillim të dhjetorit të vitit 1969. Si i tillë  refugjat, para autoriteteve italiane dhe ndërkombëtare, unë konsiderohesha si person i pa shtet dhe i pa atdhe.  Për disa javë jam vendosur në kampin e refugjatëve politikë në Trieste, ku gjeta mjaft bashkvendas dhe shumë të arratisur nga vendet e tjera komuniste, kryesisht çekë, por dhe kombësi tjera, si hungarezë, polakë e rumunë, ndër të tjerë. Pastaj jam regjistruar në një kamp refugjatësh nën kujdesin e Priftit shqiptar Dom Prekë Ndrevashaj. Në të vërtetë, italianët kishin filluar të tregonin lodhje me refugjatët nga Evropa Lindore komuniste, por për fat tonin, qendrat e refugjatëve administroheshin nga OKB-ja dhe në rastin e shqiptarëve edhe nga zyra e Vatikanit POA (Pontificia Opera di Assistenza), me të cilën bashkpunonte Dom Prekë Ndrevashaj.  Megjithse, në Itali nuk kalova keq për aq kohë sa ndejta atje, fal Dom Prekës që më gjeti një punë të përkohshme në zyrën e emigracionit – qëllimi im nuk ishte që Italia të bëhej “atdheu” im i dytë. Por të vendosesha në Shtetet e Bashkuara në mënyrë permanente. Në të vërtetë, në atë kohë, nuk njihja asnjë shqiptar që dëshironte të rrinte në Itali. Sikur ishim të lodhur me Evropën e vjetër. Të gjithëve na ishte bërë mendja “Amerikë”, dhe jo pa të drejtë.

GM: Çfarë kujtoni nga mbërritja në Amerikë. Si ishte fillimi i jetës në këtë vend të madh në të gjitha përmasat?

Viti 1970 – ”Mirësevjen në Shtetet e Bashkuara –Në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit Amerikan, ne të urojmë mirëseardhjen në të ketë vend të madhërishëm”

FSH: Vërtetë, vend i madh, shtet planet, mund të themi. Ende i kam parasysh pamjet e qytetit Nju Jork me drita të pafund, natën që kam zbritur në aeroportin Kennedy, makinat e mëdha Ford, Shevrolet, Chrysler e të tjera dhe njerzit në lëvizje të shpejta sikur po shkonin në darsëm ose ndonji festim, por jo në punë.  Familja ime vitin 1970 u lejua të vendosej në SHBA, aty ku kishim kërkuar të shkonim.  Me të arritur në Amerikë, ne u vendosëm në lagjen Bronks të New York-ut ku ishin vendosur edhe shumë familje të tjera shqiptare, për të qenë më afër kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe disa të afërmëve tanë, që kishin a rddhur më heret, e të cilët na pritën me urimin: “U marrët Amerika me të mirë!”  Sponsorizuesi ynë na kishte gjetur një apartament në një pallat, ku ne ishim e vetmja familje e bardhë – vërtetë një “shok kulturor”, mund ta quaja për ne në atë kohë, që ndoshta disa as nuk kishim takuar ndonjiherë zezakë, e jo më të jetonim në të njëjtin pallat me ta. Fillimi i jetës në Amerikë, vërtetë nuk ishte i lehtë. Por për njerzit e vendosur për të punuar me qëllim për të përparuar, nuk besoj të ketë vend më të mirë në botë për njerëz puntorë. Unë nuk humba kohë, me të arritur në Amerikë, në moshën 20-vjeçare, fillova të punoja që javën e parë, çfardo punë që mund të gjëja, si “doorman” e “elevatorman”. Pastaj, pa shumë vonesë, u regjistrova në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijoja të punoja çfardo pune tjetër. Disa muaj më vonë u regjistrova, fillimisht, në disa kurse për histori e shkenca politike mbrëmjeve në “Hunter College” në Manhattan dhe pak më vonë në “Lehman College” në Bronx. Në këtë ndërkohë isha shumë aktiv edhe pranë Kishës së parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga Mons. Zef Oroshi – i cili më lejoi hapësirë të bashkpunoja me revisten e Qendrës Katolike Shqiptare, “Jeta Katolike Shqiptare”, madje edhe si anëtar i Këshillit Redaktues të revistës.

”Megjithë problemet që mund të ketë pasur dhe ka edhe sot Amerika dhe megjithë sfidat që kam hasur në jetë dhe karrierë gjatë 50-viteve të fundit–ashtu si gjysëm shekulli më parë kur kam filluar këtë rrugëtim të gjatë — gjithnjë dhe pa hezitim falënderoj dhe i jam mirënjohës këtij vendi që më ka pranuar dhe për mundësitë që më ka dhënë mua dhe familjes time gjatë dekadave. Ashtu, si 50-vjet më parë, i ardhur rishtas në këtë vend, kisha shprehur ndjenjat e mia për Amerikën në një shkrim modest si student në Kolegjin Lehman në Nju Jork, edhe sot e kësaj dite jam krenar të them gjithnjë me zemër dhe bindje: I love America! Të Dua Amerikë!”

Darkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, qershor, 1974

GM: Vetëm katër vite pas mbërritjes në Amerikë, ju ishit gazetar dhe redaktor, më vonë edhe Drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë. Historia juaj është një shembull frymëzues i suksesit dhe përkushtimit në fushën e gazetarisë. Mund të flisni për rrugën që përshkuat për të arritur deri këtu dhe mbi përvojën në këtë Institucion të Gazetarisë Radiofonike Botërore?

FSH: Unë kisha filluar që në seminar në Kroaci të shkruaja vjersha kryesisht me karakter fetar, por edhe atdhetar në gjuhën shqipe. Por, ka mundësi që ideja për tu marrë me gazetari mund të ketë filluar në takimin tim të parë me Ernest Koliqin në Romë (1970) dhe vizita ime në Bibliotekën e tij plot libra, gazeta e revista që nuk lejoheshin nga komunizmi. Por edhe momenti kur Dom Prekë Ndrevashaj më dorëzoi Lahutën e Malcisë dhe vepra të tjera të At Gjergj Fishtës (1970) në Romë gjithashtu – të cilat për mua deri atë ditë nuk ekzistonin – pasi siç dihet në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri nuk lejoheshin, madje as të përmendej emri i Fishtës. Me të ardhur në Amerikë, siç thashë më lartë, fillova të kontriboj në përgatitjen e revistës Jeta Katolike Shqiptare me drejtor Mons Zef Oroshin. Ndërkohë, kisha filluar një projekt modest me botimin, “Rinija Shqiptare në Mërgim” dhe isha kontribues i rregullt me artikuj edhe për gazetën e Kolegjit Lehman në Bronx ku isha regjistruar për të vazhduar studimet në anglisht. Me gjithë këtë veprimtari modeste në fushën e gazetarisë, nuk e di se pse, ashtu i pasigurt në aftësitë e mia, unë synoja Zërin e Amerikës, ku tanimë kisha dorëzuar dokumentet e nevojshme për punësim, por që më dukej si një ëndërrë e parealizueshme.  Mirëpo, ëndërra u realizua dhe kjo veprimtari fillestare dhe modeste gazetareske e imja në Nju Jork mori fund në qershor të vitit 1974, kur u vendosa në Washington për të filluar punën në Zërin e Amerikës, programi shqip.  Karriera ime gazetareske merr hov me të shkuar në Washington, DC në qershor, 1974 ku fillova punën si gazetar dhe më vonë si redaktor, producent e korrespondent i veçant, në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip, nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas, po tek “Zëri i Amerikës”, kam shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985). Jeta në Washington, i punësuar pranë Zërit të Amerikës, ishte një rast që ndryshoi për mirë dhe përgjithmonë jetën time.

Washington: Kryeqendra e Zërit të Amerikës, në afërsi të Kongresit Amerikan, ku kam kaluar 30-vjetët më të bukura dhe më të frutshme të jetës time.

(Nga viti 1985 deri në vitin 1990 kam shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës” për programet në 18 gjuhë të ndryshme, drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore. Në këtë post si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të VOA-s, kam luajtur një rol kyç në zgjërimin e programeve gjatë 1980-ave dhe 1990-ave.  Nga viti 1990 deri në vitin 1994 kam shërbyer si Zëvendës Drejtor në “Zërin e Amerikës” për ish-Bashkimin Sovjetik, drejtori kjo ku përfshiheshin rusishtja dhe gjuhë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, kam shërbyer si Shef i Drejtorisë Europiane (më vonë euro-aziatike) të “Zërit të Amerikës”, drejtori nga e cila, përveç 18-gjuhëve të ndryshme europiane, varej, veç të tjerash, edhe seksioni në gjuhën shqip i kësaj radioje amerikane, drejtuar botës. Ju kujtoj që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë.  Krijohen programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin në VOA – ndër të tjera, gjuhën boshnjake dhe maqedonase – ndërkohë që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar që filloi transmetimet në TV, duke transmetuar në TV, programet në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip televiziv dhe gjuhë të tjera europiane. Nën mbikqyrjen e tij, VOA u bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”, mbrenda Drejtorisë europiane të VOA-s. Gjatë dy dekadave kritike të 1980-ave, 1990-ave – kulmi i luftës së ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi, kam marrë pjesë, pothuaj, në çdo vendim me rëndësi, përsa u përkiste transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Europës lindore dhe qendërore, si edhe ish-Bashkimit Sovjetik. I gjithë ky aktivitet, nga këndveshtrimi i Shteteve të Bashkuara, ishte në përpjekje për të informuar saktësisht popujt e atij rajoni, me qëllim të përshpejtimit të shëmbjes së regjimeve komuniste dhe vendosjes së lirisë dhe demokracisë, pas një gjysëm shekulli komunizëm.)

”Në hyrje tek “Zëri i Amerikës si vizitor, në vitin 2020 – “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për 30 vjet në detyra të ndryshme tek Zëri i Amerikës, por dhe gjithë jetën time si gazetar e publicist, jam munduar ta mbroj të vërtetën si një përgjegjësi morale dhe si një barrë dhe detyrë shoqërore!.”

GM: Jeni Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Cili është misioni i kësaj organizate?

FSH: Po, pasi kam dalë në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjet shërbim, jam zgjedhur drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA), një organizatë jo-qeveritare që punonte për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perendimor. Pjesë e misionit të saj ishte edhe promovimi i paqës dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC, në atë kohë. Ishte kjo një periudhë kritike për Kosovën dhe për njohjen e pavarësisë së saj nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe nga shtetet evropiane aleate të Amerikës. Ishte gjithashtu edhe kulmi i përpjekjeve për të bindur administratën e atëhershme të Presidentit George W Bush të ri dhe ndonjë skeptiku në Kongresin amerikan se, më në fund, kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt 2008. Misioni i KKSHA dallohej për përpjekjet e kësaj organizate për të bashkuar shqiptaro-amerikanët, në një periudhë (1990-at dhe më vonë) – shumë të rëndësishme për fatet e Atdheut –Shqipëri e Kosovë – dhe të shqiptarëve kudo. Që nepërmjet bashkimit të komunitetit të influencohej Washingtoni zyrtar për përmirsimin e gjëndjes së shqiptarëve kudo.  Besoj se historianët e ardhëshm do të shënojnë veprimtarinë e KKSHA, si periudhën më të artë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan deri më sot, sidomos sa i përket çeshtjes së Kosovës, por edhe interesave kombëtare në përgjithsi.

GM: Jeni autor i librit publicistik ‘Demokracia nuk pret’. Pse nuk pret demokracia?

FSH: Tre vëllimet “Demokracia nuk pret”, të botuara nga Gazeta Telegraf në Tiranë me botues Zotërinjtë Agim Çiraku e Kryeredaktor Engjëll Musai janë një përmbledhje e nja 300-artikujve subjektesh të ndryshme, nga më se 1500-artikujsh aktualisht të botuar në gazetën Telegraf dhe në Zemra Shqiptare, por dhe në media të tjera (leje e pa leje) në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare por dhe në diasporë.  Pse ky titull dhe pse Demokracia nuk pret? Titulli ishte dhe është, në të vërtetë, një mesazh dhe paralajmërim për të gjithë ne, kudo që jetojmë. Një mesazh për të kujtuar dhe theksuar rëndësinë e demokracisë së vërtetë në nivel global, por sidomos për Shqiptarët të cilët gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre nuk kanë dijtur demokraci as liri. Si paralajmërim se demokracia me doemos duhet promovuar dhe mbrojtur nga të gjithë brezat!  Sepse, nëse jo, siç ka thënë dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan: Demokracia mund të zhduket shumë kollaj brenda një brezi, prandaj është i nevojshëm një angazhim aktiv dhe serioz në vazhdimësi nga shtetet individuale, nga ana e organizatave ndërkombëtare, nga shoqëria e vërtetë civile dhe nga vet populli për të mbrojtur dhe promovuar Demokracinë e vërtetë në botë, çdo ditë e çdo moment. Kjo pra është arsyeja se – nëqoftse demokracia nuk mbrohet dhe nuk promovohet çdo ditë — demokracia nuk pret, do zhduket ose minohet! Besoj se aktualiteti i sotëm politik në botë — 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – na bindë se sot, demokracia është në rrezik anë e mbanë botës. Autokratët e të gjitha ngjyrave i kanë shpallur luftë demokracisë gjithandej, prandaj Demokracia nuk pret. Tituli i tre vëllimeve “Demokracia Nuk Pret”, mbetet një mesazh dhe një thirrje në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë përballë rreziqeve që u kanosen sot, qoftë në trojet shqiptare asshtu dhe kudo në botë.

Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në vend, në mars/prill të vitit 1991. Rrugët ishin bosh…

GM: Ishit pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars të vitit 1991. Ishte hera e parë që vizitonit Shqipërinë. Çfarë u shfaq para syve tuaj?

FSH: Po, e vërtetë. E ndjejë veten të privilegjuar që kam qenë pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars të vitit 1991. Kjo, natyrisht ishte edhe vizita e parë në Shqipërinë komuniste, pasi dihej se si zyrtar i qeverisë amerikane – ndonëse me origjinë shqiptare – për mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, për mua ishte e pa mundur të vizitoja Tiranën. Për më tepër, siç kam zbuluar vitet e fundit, kur mora dosjen e Sigurimit nga Autoriteti i Dosjeve, mësova se megjithse jashtë vendit dhe zyrtar i qeverisë amerikane,isha përndjekur me vite nga Sigurimi komunist dhe se ishte dhenë urdhi që të mbyllej dosja ime nga Sigurimi i Shtetit që më kishte përndjekur si “armik i popullit” — vetëm në ditën kur jam ulur në Tiranë me delegacionin zyrtar të Departmentit të Shtetit, Mars ’91.  Çfarë u shfaq para syve të mi? Fjala që mund të përshkruante ndjenjat e mia për gjemdjen kur zbritëm në aeroportin e Tiranës, ishte “shokuese”, një tronditje e dhimbshme shpirtërore.  Shikoje rreth e rrotull atij aeroporti, sikur lexoje fjalën varfëri e skajshme, izolim. Izolim nga bota, pasi aeroporti ishte bosh, por edhe të izoluar nga njëri tjetëri, ndonëse dukej se edhe nëpunësit e policët që ishin aty, sikur nuk flisnin me njëri tjetërin. Nuk ishte njerëz të tjerë në aeroport. Fatkeqsisht, por e vërtetë, më përshkoi një ndjenjë depresioni, madje edhe lodhje fizike, e cila nuk mu nda për disa ditë. Nga përshtypjet e para:  varfëri, mjerim, heshtje, frikë. Isha shumë i emocionuar dhe nuk dija se çfarë të prisja. Kisha parë deri diku botën edhe varfëri të skajshme, patjetër. Megjithse nuk prisja dhe as nuk ma merrte mendja se Shqipëria komuniste do të ishte ai “kopshti me lule” për të cilin lexonim në revistat progandistike komuniste si “Shqipëria e re”. Mungesa e ushqimeve, njerzit e veshur shumë keq, rrugët e boshatisura.  Përshtypjet e mia të atyre ditëve i kam pasqyruar gjatë viteve në shumë artikuj dhe disa fotografi, marrë anë e mbanë Shqipërisë gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri në mars/prill 1991.

GM: Po Kosovën kur e keni vizituar për herë të parë? Si e përjetuat…

FSH: Ishte e pamundur të vizitoja Kosovën sa isha në detyrë tek Zëri i   Amerikës. Por kam vizituar pas luftës ku kam marrë pjesë në fushatën, krah për krah, me Ibrahim Rugovën në zgjedhjet parlamentare të 24 tetorit, 2004, kur Kosova ishte nën administrim të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjendjen në Kosovë – edhe si pjesë e detyrës, e kisha ndjekur ç’prej 1980-ave, demonstratat, burgosjet, rrahjet dhe vrasjet e shqiptarëve nga forcat terroriste serbe gjatë viteve. Për herë të parë me Dr Rugovën isha takuar në Washington me 1989, në vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, se situatën e kisha ndjekur për së afërmi në Kosovë gjatë viteve e deri në ndërhyrjen e NATO-s, ishte diçka që përjetonim dhe kujtonim çdo ditë “çeshtjen e Kosovës” në zemër, së bashku me mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan. Vizita ime e parë në Kosovë, ishte, natyrisht, një vizitë e paharrueshme, plot kujtime e mbresa megjithse Kosova ishte ende mjaft e shkatërruar nga lufta, por plot entuziazëm e shpresë për të ardhmen, e gatshme për të rihapur institucionet dhe për të ndërtuar shtetin e pavarur, Republikën e Kosovës. Më vonë, si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë i kam vizituar shpesh.

GM: Bashkëpunoni me shumë media të ndryshme, duke përfshirë edhe ne në Zemra Shqiptare, por Gazeta Telegraf është shtëpia kryesore e publikimeve tuaja. Si lindi ky bashkëpunim?

Me botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe me dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z. Engjëll Musai, në promovimin e tre vëllimeve të, ”Demokracia Nuk Pret” — një përmbledhje e nja 25-30% e shkrimeve që tani kanë arritur në rreth 1500-artikuj, e që botohen rregullisht në gazetën Telegraf të Tiranës, Shtator, 2018

FSH: E vërtetë se ç’prej fillimit kur jam angazhuar me shkrimet e mia modeste pas daljes në pension para 20-vitesh – një numër mediash i morën e i botuan artikujt e mi, përfshirë Zemra Shqiptare. Përdor këtë rast tu falënderoj edhe ju të Zemrës Shqiptare për bashkpunimin e gjatë pasi ishit ndër të parët që kini botuar shkrimet e mia modeste.  Është e vërtetë se bashkpunimi pothuaj 15-vjeçar me gazetën Telegraf në Tiranë, me botuesin Agim Çiraku dhe Krye-Drejtorin Engjëll Musai dhe stafin – është e veçantë. Sepse ata ishin të parët dhe të vetmit deri atëherë që pranuan ti botonin shkrimet e mia, kur mediat e tjera përfshirë gazetat dhe portalet në Shqipëri, jo vetëm që nuk i botuan — deri vonë kur disa prej tyre filluan t’i merrnin nga Telegraf, por disa filluan edhe të tallen pasi shkrimet e mia siç duket ishin “ndryshe” nga materialet që disa prej atyre gazetave lejoheshin të botonin. Siç duket, unë nuk e kalojsha censurën e tyre. Ndryshe ishte Telegraf. Ata kanë botuar çdo artikull timin, pa marrë parasysh përmbajtjen, gjatë viteve dhe më në fund edhe kanë botuar me qindra artikuj në tre vëllimet, titulluar: Demokracia Nuk Pret. Kështuqë miqëve të mi të shtrenjtë Agimi Çirakut e Engjëll Musait u jam mirënjohës, përgjithmonë, për bashkpunimin dhe për këtë arsye ata gëzojnë eksklusivitetin e botimit të shkrimeve të mia modeste brenda territorit të Shqipërisë.

Dita e pensionimit të z. Shkreli nga Zëri i Amerikës, 2003

GM: Ju jeni nderuar me tituj të shumtë, përfshirë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, ‘Qytetar Nderi’ nga Komuna Shkrel dhe Malësia e Madhe, si dhe jeni dekoruar nga Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut për ‘shërbimet e shkëlqyera dhe kontributet e çmuara ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qytetit të Nju Jorkut’. Këto vlerësime janë dëshmi e kontributit tuaj të çmuar në profesionin tuaj dhe më gjerë. Do të ishte kënaqësi të ndanit me ne përjetimet dhe emocionet tuaja lidhur me këto vlerësime…

Frank Shkreli nderohet nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”

FSH: Të falemnderës, Z. Marku për fjalët tua fisnike. Titujt që përemende dhe të tjerë, nuk i kam pritur. Së pari se nuk e konsideroj veten si meritues të tyre dhe e dyta gjithmonë jam përpjekur të punoj në heshtje ose prapa skenës, si të thuash, pa pretendime për dekorata e vlerësime të tilla. Të gjithë këta i falënderoj, përzemërsisht, që më kanë konsideruar si të denjë të këtyre vlersimeve. Të gjithë këta kanë nderuar mua dhe veten! Ernest Koliqi thonte shpesh atë frazën tonë popullore, “Burri i mirë me shokë shumë”. Në jetën tonë private dhe profesionale hasim indidvidë ose gjendemi në rrethana jete a karriere që influencojnë patjetër në sukseset tona. Edhe unë kam pasur fatin që gjatë jetës time të takoj individë dhe të gjëndem në rrethana si personi “në vendin e duhur dhe në kohën e duhur”, siç thuhet, jo meritë e imja, por ndoshta e kam shfrytëzuar rastin. Por e vërteta është se nuk më ka munguar as disiplina as zelli për të bërë punën mirë.  Duke cituar Ernest Koliqin, një nga ata të mëdhejt që kam patur rastin të takojë dhe të marr këshilla prej tij, dua të them se suksesi im është edhe suksesi i tjerëve – të gjithë atyre me të cilët kam  punuar e bashkpunuar në detyrat qeveritare dhe aktivitetet dhe bashkpunimin në komunitetin tonë këtu në SHBA, e pa ndihmën e të cilëve nuk e dij se ku do isha sot. Prandaj dekorata dhe vlerësimet që ju përmendni më lartë i kam pranuar në këtë frymë: si një arritje por edhe meritë dhe mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kam takuar gjatë jetës time 75-vjeçare, e që në një mënyrë ose një tjetër kanë influencuar, pozitivisht, jetën dhe karrierën time.  E ndjejë veten shumë të emocionuar, i nderuar dhe i privilegjuar për të gjitha vlerësimet gjatë viteve nga entet zyrtare në trojet shqiptare dhe në Amerikë – por jam veçanërisht i nderuar dhe shumë mirënjohës për vlerësimet nga Malësia e Madhe dhe nga Shkreli. Sepse, ndonëse, jetoj për më shumë se një gjysëm shekulli në Amerikë, identiteti im mbetet ai i Shkrelit dhe i Malësisë së Madhe – për të cilin jam dhe mbetem krenar.

Bashkia e qytetit të Nju Jorkut, New York – Nëntor 2019: Shkreli duke pranuar dekoratën

GM: Cili është momenti më i paharrueshëm në karrierën tuaj?

FSH: Është pak vështirë të përcaktoj se cili ka qenë, “momenti më i paharrueshëm” i karrierës time. Në të vërtetë, ka pasur aq shumë momente që unë i konsideroj të rëndësishme dhe të paharrueshme. Por po mundohem ti rrjeshtoj disa prej tyre. Ardhja në Amerikë në vitin 1970 si një refugjat politik, i pa shtet e i pa atdhe (stateless) ishte fillimi i gjithçkaje të “paharrueshme” në jetën time. Punësimi në Zërin e Amerikës (1974) ishte në vetvete një ngjarje që hapi shumë dyer të zhvillimit tim njerëzor, edukativ e profesional, në karrierën gazetareske 30-vjeçare. Pa dyshim, shembja e Murit të Berlinit dhe e komunizmit zyrtar anë e mbanë Evropës ish-komuniste, përfshir Shqipërinë, është një prej atyre momenteve. Diçka tjetër që, deri atëherë, as nuk e kisha ëndërruar se do ndodhte në jetën time, ka qenë vizita ime në Shqipëri si anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit – menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991. I paharrueshëm mbetet përgjithmonë takimi me Nenë Terezen tonë në Washington. E shumë e shumë momente e ngjarje e momente të tjera të rëndësishme, siç ishte edhe botimi i tre vëllimeve publicistikë, “Demokracia nuk pret”.

GM: A keni ndonjë pasion të fshehtë që ndoshta pak njerëz e dinë për ju?

FSH: Kam pasion muzikën, po, sidomos këngët popullore shqip –të preferuarat kangët me lahutë e çifteli.  Në të vërtetë, nuk kam asgjë të fshehtë në jetën time. Jeta ime është, siç thuhet në anglisht, një libër i hapur (open book). Familja mbi të gjitha ka qenë dhe mbetet pasioni im. Puna e rëndë dhe disiplina për të realizuar ëndërrat e jetës, me vendosmëri dhe entuziazëm, nëse mund të quhet pasion, pasi një gjë të tillë e kërkonte edhe mbijetesa në një botë të huaj e të koklavitur, siç është jeta jo e kollajt në Amerikë.  Publicistika dhe shkrimet modeste me subjekte të fushave të ndryshme e që trajtohen pak ose aspak nga të tjerët, mbeten për mua një pasion, jo aq i fshehtë, por që e shikoj si diçka plotësuese ose pasion shtesë.  Megjithëse në moshën time tashti, me përjashtim, të dashurisë dhe mirëqenjes për familjen, pasionet e dikurshme të jetës e karrierës kanë filluar të zbehen. Por – prap se prap — jeta pa pasione e motivacione mbytë krijimtarinë dhe inkurajon dembel-llëkun, mendoj unë.  Për të gjithë ne, pasioni ose pasionet duhet të jenë, doemosdoshmërisht, pjesë e rrugëtimit tonë në këtë botë deri ditën që i Madhi Zot na thrret në shtëpinë e tij.

GM: Vendi apo vendet më të bukura që keni vizituar?  Cila do të ishte historia më interesante nga udhëtimet tuaja?

FSH: Gjatë karrierës time kam udhëtuar, por udhëtimet kanë qenë me delegacione zyrtare, kishin pra një karakter zyrtar dhe nuk ishin vizita “turistike”.  Në të vërtetë, udhtimet në Evropë: Itali, Gjermani, Austri e tjera janë gjithmonë në krye të listës.  Më pëlqen shumë Praga si qytet, të cilin e kam vizituar disa herë. Në vizitat që kam bërë gjatë viteve në Shqipëri, më kanë tërhequr vazhdimisht kalatë tona, nga veriu në jug. Në të vërtetë në vizitën e parë me delegacionin amerikan në mars/prill 1991, kemi vizituar katër nga kalatë e Shqipërisë.  Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës — si një shtet planet që është – për turistët vendorë dhe të huaj — ka vende tërheqse që kemi vizituar, shumë interesante dhe të pashterrshme për nga bukuria natyrore dhe për nga historia e pasur edhe për mua që jetoj këtu për më shumë se një gjysëm shekulli.

GM: Nga letrarët tanë dhe të huaj cilët do të veçonit?

FSH: Eh, tashti më duhet të tregohem pak provincial ose krahinor – megjithse jeta dhe karriera ime dëshmon se ashtu siç pasqyrojnë edhe shkrimet e mia modeste — nuk jam aspak i tillë. Megjithse nuk mund të pretendoj se jam njohës i mirë i letërsisë, ka mjaft shkrimtarë që më pëlqejnë, nga jugu e në veri, në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare dhe diasporë, por më duhet të kufizohem tek dy prej tyre, si  më të favorshmit: At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta, kleriku dhe atdhetari! Për Fe e Atdhe ishte dhe mbetet programi i tij. Me veprimtarinë e tij prej letrari, politikani e diplomati, gjithë jetën e tij lartësoi – si pak kush tjetër — Kombin dhe mbrojti interesat e tij – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ernest Koliqi, të cilin kam pas fatin ta njoh megjithse për një kohë të shkurtër, njeriu që përhapi gjuhën shqipe duke hapur shkolla dhe duke dërguar mësues në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Shumë prej nesh ndoshta as nuk do flisnim sot shqip, po mos të ishin dërguar ata mësues prej tij në trojet tona nën ish-Jugosllavinë. Ernest Koliqi i cili besonte “Në vëllaznimin e madh të Shqiptarëve, që tue u forcue, ka me i falun fisit tonë agime më të të drejta”. (Simfonija e Shqipeve).

GM: Ka vend në botën tuaj sporti, kinematografia dhe muzika, apo arte të tjera?

FSH: Në rini kam pasë prirje dhe interesim aktrimi kur frekventoja gjimnazin klasik (seminarin) në Kroaci. Kam marrë pjesë në disa shfaqje. Aty gjithashtu kam kënduar me një grup për një kohë të shkurtër. Por gjithçka u ndërpre kur u arratisa nga ish-Jugosllavia dhe mora rrugët e mërgimit në fund të vitit 1969.  Më pëlqen shumë muzika në përgjithsi, siç thash më lartë, përfshirë muzikën botërore, pa dallim. Është e vërtetë se muzika i bashkon njerzit më shumë se çdo gjë tjetër. Muzika për mua ishte një lidhje me vedlindjen, në një kohë kur lidhjet e tjera nuk ekzistonin, për arsye që dihen.  Kur më mungonin fjalët dhe kontaktet, ashtu i mërzitur, kërkoja ndihmën e muzikës për tu çmallë me atdheun. Gjatë luftës së ftohët, ndër shumë këngëtarë/e të tjerë, Dervish Shaqa ishte këngëtari i preferuar që e dëgjoja nepërmjet radio Tiranës, në programin për bashkatdhetarët jashtë atdheut, por jo vetëm.

Dervish Shaqa

GM: Jemi në shekullin XXI. Mendoni se jetojmë në kohën më të mirë të njerëzimit?

”Presidenti Ronald Reagan vizitë në Zërin e Amerikës, 24 Shkurt, 1982, në 40-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës. Me atë rast, Presidenti Reagan na u drejtua me këto fjalë: “Kohët e fundit, festuam ditëlindjen e 250-të të Xhorxh Uashingtonit. Ai e kuptonte fuqinë e së vërtetës dhe marrëdhënien e saj me lirinë. E vërteta përfundimisht do të mbizotërojë…” është shprehur ai. “Sot kemi këtë përgjegjësi: të nxjerrim në dritë të vërtetën, në një botë që rënkon në errësirën e shtypjes dhe të gënjeshtrave. Le të ridedikohemi detyrës që na pret dhe ashtu si Ati Themelues, mund të jemi të sigurtë se e vërteta do të triumfojë. Dhe nëse mbizotëron e vërteta, liria nuk do të zhduket nga kjo Tokë”. Ky ishte mesazhi i Presidentit Reagan para gazetarëve të Zërit të Amerikës në vitin 1982”

FSH: Është vështirë të thuhet. Por mund të them se pritshmëritë ishin krejt tjera, nga zhvillimet e sotme në botë,  me shembjen e Murit të Berlinit dhe me zhdukjen e regjimeve komuniste. Shpresohej se popujt dhe shtetet do të kishin mësuar nga e kaluara e hidhët e komunizmit. Mendonim se ishte mbarimi i një epoke ndër më të errëta të historisë njerzore dhe fillimi premtues i një shekulli të ri. Ish-Presidenti Xhorxh Bush, krenarisht, ka deklaruar në vitin 1989 fitoren e Perendimit mbi komunizmin duke shpallë idenë për një, “Evropë të tërë (të bashkuar) dhe të lirë”. Ishte koha kur mendonim se dëshira për liri e demokraci nuk do të shuhej as nuk do mohohej më nga diktatorët e autoritarët. Por ja ku jemi sot, në çerek shekullin e parë të shekullit XXI, ndërkohë që Sekretari i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se bota është në rrezik, liria dhe demokracia janë në humbje. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia putiniste ndërsa konfliktet shpërthejnë kudo në botë, duke shkaktuar rritjen e krizave gjeopolitike, emigrimet biblike — të gjitha këto kërcënojnë paqën në botë dhe të drejtat e njeriut kudo. Megjithë përparimet e mëdha teknologjike dhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerzore në shekullin XXI, besoj se bota ka nevojë për udhëheqës si ish-presidenti amerikan Ronald Reagan dhe Kryeministrja britanike Margareth Thatcher, për të menaxhuar këto kriza botërore që mund të çojnë botën drejt një lufte të re botërore. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj pak më ndryshe: duke marrë parasysh aktualitetin gjeopolitik në botë sot – edhe nëqoftse jemi pak më mirë se ç’ishim në të kaluarën — kam drojë se pa udhëheqës botëror si Reagan/Thatcher të shekullit të kaluar, paralajmërimet janë se liria dhe demokracia janë në rënje, se bota është në rrezik. Po përjetojmë kohë shumë të pasigurta!

GM: Si e kaloni kohën e lirë, larg gazetarisë?

”Në fund të fundit, asgjë nuk ka më të shënjtë se familja. Krenar për secilin prej tyre!  Vitet e fundit jemi shtuar edhe me një nip e mbesë të tjerë…”

FSH: Daljen në pension e rekomandoj shumë!, hahahahaha. Kohën e lirë me bollëk e kaloj duke lexuar ndonjë libër ose artikull që deri tani nuk kam patur kohë ta lexoj ose materiale që nuk i kisha më heret. Por gjithnjë vazhdoj të jem i interesuar për zhvillimet në rajon dhe në botë, si dhe për aktualitetin politik në Amerikë dhe në Shqipëri e Kosovë. Për ndryshe — larg dhe jashtë gazetarisë — kemi kohë me bashkshortën për ndonjë udhtim në vendlindjen tonë, Shqipëri e Kosovë, udhtime këtu në Amerikë qoftë edhe me ndonjë grup të moshës tonë. Shpesh kalojmë disa javë në Florida, muajt e dimrit. Por kohën më të mirë e më të bukur – më të pazevendësueshmen, përpiqemi ta kalojmë me nipat e mbesat – por edhe me familjen e ngusht djalin e dy vajzat, vëllain me motrat e familjet e tyre por edhe me kushërinjtë e shumët — far e fisin më të gjërë, pasi të gjithë jetojmë jo larg njëri tjetrit, në tre shtetet: Nju Jork, Nju Xhersi e Konetikët. Natyrisht, shpesh vizitojmë edhe Washingtonin ku jeton djali me familje por edhe miqë e kolegë – me të cilët kemi punuar e kaluar dekada të jetës tonë në kryeqytetin amerikan.

GM: Mund të na tregoni se si dhe ku e keni njohur bashkëshorten tuaj?

FSH: Bashkshorten time Vitoren (Vickie) e kam njohur nepërmjet miqësh të përbashkët të familjeve tona në vitin 1975 dhe jemi martuar në vitin 1976. Ajo vjen nga një familje anti-komuniste me origjinë nga Nikaj-Mërturi i rrethit të Tropojës. Babai i saj ishte pjesë e çetave anti-komuniste nacionaliste që luftuan në mallet e veriut të Shqipërisë, kundër instalimit të regjimit sllavo-komunist në Tiranë, deri në vitin 1951. Më në fund familja e saj ka vendosur të kalonte kufirin shqiptaro-shqiptar duke u arratisur në Kosovë. Pas disa vitesh në Kosovë, familja e bashkshortes time vendosi të largohej për në Itali – ku edhe ka lindur shoqja ime – duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1958.

GM: Si do e përshkruanit një botë ëndërrimtare/dëshiruese?

Me Nënën tonë Shën Nënë Terezën dhe kolegun tim Dr. Elez Biberaj, Washington, 1986

FSH:  Siç përmenda më sipër, takimi me Nenën tonë, Shën Nenë Terezën është një prej momenteve më të bukura dhe më të paharrueshme në jetën dhe karierën time. Fjalët frymëzuese të Nënë Terezës drejtuar botës tejkalojnë Indinë ku ajo ka zhvilluar veprimtarinë e saj më të madhe dhe na kujtojnë se përpjekjet për të ndryshuar botën për më mirë, fillojnë me akte të vogla mirësie e dashurie për njëri tjetrin e për njerëzimin. Fjalët e saja janë një kushtrim, thirrje aktuale për veprim, për një botë që ëndërrojmë e deshirojmë, për një botë më të mirë dhe më të dëshiruar.  Se një vepër e mirë sado e vogël të jetë, sipas saj, ka mundësi të bëjë ndryshimin që dëshirojmë për një botë më të mirë për të gjithë dhe pa dallim, feje, krahine a ideologjie. “Nëqoftse nuk ke mundësi të ushqesh 100-veta, atëherë ushqe vetëm një”, ka thenë Nenë Tereza. Ashtu si Nënë Tereza edhe unë dëshiroj një botë në paqe. Nenë Tereza dëshironte një botë në paqë. Ajo vazhdon të jetë një urë midis besimeve dhe kulturave të ndryshme në botë, duke na kujtuar të gjithve se, megjith ndryshimet që kemi me njëri tjetrin, secili prej nesh meriton dinjitetin e vet dhe respektin – në një botë që ëndërrojmë për veten dhe familjen, por edhe për Kombin të cilit i përkasim.

Zyra e vogël ku e kaloj të shumtën e kohës tani, në pension

GM: Edhe pse fizikisht larg nga trojet shqiptare për shumë dekada, ju keni mbetur thellësisht shqiptar. Cili do të ishte një mesazh për emigrantët tanë?

FSH: Unë kam qenë me fat se me të arritur në Amerikë, por edhe gjatë qëndrimit tim në kampin e refugjatëve në Itali — jam njoftuar me njerzit, ndër më të dalluarit dhe më të njohurit e botës së atëhershme shqiptare, por edhe sot. Personalitete të Kombit, të dëbuar nga komunizmi jashtë Atdheut, e të cilët kanë lenë në mua një influencë dashurie për shqiptarizëm. Angazhimi im me komunitetin shqiptaro-amerikan, fillimisht, dhe punësimi im në Zërin e Amerikës veçse më kanë përforcuar ndjenjat për të dashur dhe për të mbrojtur identitetin kombëtar,  kudo qofshim. Më kujtohet një porosi e gjyshit kur morëm rrugët e botës: Të pakën mbiemrin Shkreli, mos e ndryshoni, ashtuqë kudo të shkoni do tu njohin bota se prej nga vini. Unë kam ardhur në Amerikë në moshën 20-vjeçare dhe dashtë-e-pa dashtë, si shumë të tjerë të brezit tim, jam produkt i dy kulturave: asaj shqiptare dhe amerikane. Unë e quaj brezin tim, “brezi i kapërcellit”, mbi kapërcyell, as andej as këndej. Kjo edhe për arsye të izolimit komunist për një gjysëm shekulli, të pa dëshiruar dhe të refuzuar nga një regjim antinjerëzor sllavo-aziatik që robëroi shqiptarët për një gjysëm shekulli!  Prandaj, emigrantët e sotëm e kanë shumë më kollaj, në krahasim me brezin tim. Sot, shkojnë e vijnë nga Shqipëria e Kosova kurdo e sa herë të duan. Lidhjet dhe mundësitë janë si kurrë më parë për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me Atdheun – edhe me ndihmën e teknologjisë së sotme. Sot, mërgata e ka më kollaj të mbetet shqiptare ose të pakën të asimilohet shumë më ngadalë ose aspak në kulturat e vendet ku jetojnë. Por ajo ka nevojë sot  për një angazhim më të madh të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që të dy shtetet shqiptare të kujdesën për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës së emigrantëve të shumtë shqiptarë të përhapur cep në cep të botës, pa interesa politike private ose partiake – por thjesht për interesin madhor kombëtar: që shqiptarët të mbeten shqiptarë dhe të ruajnë identitetin e tyre iliro-arbëror, kudo qofshin. Nuk është kollaj, se forcat e asimilimit janë shumë joshëse, por për fat të keq as nuk shohim ndonjë vullnet të mirë as angazhimi të mirëfillt në këtë drejtim nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës! Për mua “të mbeturit shqiptar” në Amerikën e largët  për më shumë se një gjysëm shekulli ishte deri diku një vendim dhe përgjegjësi personale. Në botën shqiptare të çerek shekullit XXI ruajtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në mërgim, do duhej të ishte përgjegjësi institucionale dhe detyrim kombëtar i qeverive shqiptare.

Filed Under: Interviste

Workshop on Dialogue with Civil Society Organizations for Change in the Western Balkans

February 8, 2025 by s p

The Council of Albanian Ambassadors (CAA) is pleased to recognize the success of the Workshop on Dialogue with Civil Society Organizations for Change in the Western Balkans, held in the beautiful seaside setting of Golem, Albania.

Using its vast expertise and human resources, CAA have provided to Civil Society Organizations with the appropriate diplomatic manners, tools and skills to effectively engage with Governments, IOs, foreign embassies and representatives, media, etc. Former Ministers of Foreign Affairs, former Ambassadors and diplomats from Albania, Kosovo, North Macedonia, B-H, have lectured and exchanged ideas and knowhow with representatives of the SCO from the countries of WB to help them in addressing the challenges they are facing and achieving their objectives.

This event marked another significant step forward in strengthening regional cooperation, civic engagement, and shared aspirations for a more inclusive and prosperous Western Balkans. Building on the achievements of our previous gathering in Skopje, the workshop reaffirmed, i.a., an essential truth: the Western Balkans has far more that unite us than divide us. Our common history, values, and aspirations serve as a powerful foundation for collaboration. Through open dialogue and partnership, we can best address the challenges ahead and drive meaningful progress in the region.

This workshop provided a valuable platform for deepening networks, exchanging ideas, and exploring practical solutions to strengthen the role of civil society in shaping the future of our region. The active engagement of participants and the richness of discussions reaffirmed the vital role of civil society organizations in fostering stability, democratic values, and regional cooperation.

We extend our sincere appreciation to the Western Balkans Fund and the European Union for their continuous support, as well as to all participants whose dedication and expertise contributed to the success of this initiative.

The Council of Albanian Ambassadors remains committed to promoting dialogue, cooperation, and European integration for the Western Balkans. We look forward to building on the outcomes of this workshop and working together toward a future where our region thrives in unity, stability, and progress.

Filed Under: Interviste

Intervista/Flet Dr. Harold Hayes, amerikani që u bllokua në Shqipërinë e pushtuar nga nazistët me 30 kolegët e tij doktorë dhe infermierë

February 7, 2025 by s p

“Kjo intervistë e rrallë me Dr. Harold Hayes vjen për herë të parë në shtypin shqiptar. Intervista me Dr. Harold Hayes është zhvilluar via e-mail në vitin 2015-ë, kur ai jetonte ende dhe ishte në moshën 92 vjecare. Me profesion Doktor Ushtarak, Harold Hayes mbylli sytë përgjithmonë më 29 janar 2017 në moshën 94-vjeçare.”

Nga Raimonda MOISIU

Dr. Harold Hayes ishte anëtari i fundit i mbijetuar i një skuadre të përbërë nga mjekë dhe infermierë amerikanë që gjendeshin në një aeroplan evakuimi mjekësor në nëntor të vitit 1943, i cili u detyrua të ulej në një terren të ashpër dhe të rrezikshëm malor dhe të panjohur për ta, (600 milje -qindra km) përgjatë bregdetit Adriatik, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë e pushtuar nga nazistët gjermanë. Grupi prej 30 veta, mes tyre 13 infermiere femra, dhe 13 mjekë meshkuj, së bashku me ekuipazhin prej katër personash të aeroplanit u bllokuan befasisht për nëntë javë, dhe qëndruan të fshehur në shpellat e malet me borë, në fshatrat përreth Belshit, në Shqipëri, fare pranë prapavijave të trupave ushtarake gjermane, në frontin e luftës. Të mbijetuarit u përballën me urinë, të pashpresën, shpesh edhe nga bombardimet dhe mësymjet e nazistëve gjermanë, stuhisë së borës dhe agonisë së frikëshme për jetë a vdekje. Por edhe të prekur nga morrat dhe të dobësuar fizikisht nga sëmundjet si dezenteria dhe pasojat negative të tyre, porse më në fund ata ia dalin të shpëtojnë dhe të mbijetojnë në sajë të ndihmës, humanizmit, kurajos dhe heroizmit të popullit shqiptar të zonës së Belshit dhe Beratit. Odisea e heroizmit të atyre partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë që i ndihmuan, i strehuan, dhe i ushqyen, u klasifikua si “Top Secret”. Të mbijetuarit u këshilluan nga vetë eprorët ushtarakë, për ta mbajtur të fshehtë këtë histori edhe për vitet më pas, të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes së tyre. Mbajtja sekret i kësaj ngjarje humanizmi jo vetëm gjatë luftës, por edhe vite e dekada më pas, ishte për të mbrojtur popullin- partizanët dhe fshatarët shqiptarë të zonës së Belshit e Beratit, të cilët ndihmuan grupin e infermierëve dhe të mjekëve amerikanë së bashku me mjetet e arratisjes të aviatorëve, -me një heroizëm, bujari, guxim e kurajo të pashoq. Disa prej partizanëve dhe fshatarëve shqiptarë u pushkatuan nga gjermanët nazistë për aktet e tyre të humanizmit, ndërsa disa të tjerë pas luftës, në bazë të fjalëve të përhapura nën zë, që dyshoheshin se kishin ndihmuar amerikanët u ekzekutuan nga rregjimi komunist në Shqipëri, i udhëhequr nga Enver Hoxha. Tashmë pothuajse 70-ë vjet më pas, Dr. Harold Hayes, i vetmi anëtar i grupit i cili jeton ende, atëhere ai ishte vecse 21 vjet, ndërsa tashmë 92 vjet, na rrëfen këtë historie të rrallë dhe përvojat e tij, në këtë ngjarje.

-Cili ishte roli juaj në Forcat Ajrore të Ushtrisë dhe ku po shërbenit në fillim të nëntorit të vitit 1943?

Roli im ishte e një mjeku ushtarak dhe isha pjesë e skuadronit 807 të aeroplanit të evakuimit ajror mjekësor, i pozicionuar në Katania, Siçili. Skuadrioni ynë u nis nga Sicila, jugu i Italisë, me aeroplanë transporti që transportonin pajisje dhe staf mjekësor drejt vijës së parë të frontit, dhe ndihmonim në evakuimin e të plagosurve të luftës, i shoqëronim në aeroplan për në bazat tona në Siçili ose Afrikën e Veriut, për të marrë një trajtim më të mirë mjekësor.

-Kush po udhëtonte me ju në aeroplanin e transportit C-53D atë ditë nëntori, të vitit 1943?

Kjo aventurë e rrezikshme nisi dy muaj pasi Italia e Benito Musolinit kapitulloi, dhe Forcat Aleate u pozicionuan po ashtu në Itali, për të nisur mësymjen finale kundër gjermanëve në të gjithë Europën. Më 8 nëntor 1943, një aeroplan i Skuadronit 807 të Transportit Mjekësor i Evakuimit Ajror të Forcave Ajrore të Ushtrisë Amerikane u ngrit nga Catania, Siçili, me destinacion Barin, në bregun lindor të Italisë, ku qindra ushtarë të plagosur prisnin evakuimin ajror. Në aeroplan ishim gjithsej 30 veta; dy pilotët, një operator radio dhe një shef ekuipazhi, plus 13 infermiere femra dhe 13 mjekë meshkuj. Shiu që kishte nisur të binte prej tre ditësh, nuk pengoi asnjërin prej nesh që të ndërmerrnim këtë mision sekret, të largoheshim nga Katania. Kështu që komandanti i skuadrionit tonë, vendosi të dërgonte gjysmën e personelit mjekësor për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve të shumtë që prisnin. Vetëm një anëtar, nuk ishte pjesë e skuadrionit dhe ekuipazhit të fluturimit 807, ai ishte një mjek i skuadrionit 802, i cili erdhi me ne për në Bari, në jug të Italisë.

-Cfarë ndodhi dhe pse pilotët u detyruan të ulnin aeroplanin?

Aeroplani i evakuimit punonte me dy motorë dhe nuk mbartëte armë, sepse piloti kryesor, Charles Thrasher, 22 vjecar, nuk parandjente ndonjë luftim. Të 13-ë infermieret femra ishin me gradën toger, dhe ishin të moshës 22 deri në 32 vjet. Ndërsa të 13-ë mjekët meshkuj, ishin ekuivalent me gradën rreshter si të ekuipazhit të aeroplanit, dhe varionin nga mosha 21 deri në 36 vjet. Kur ne u ngritëm në fluturim nga baza ajrore e Sicilisë, në qiell nuk kishte asnjë re, por sa më shumë që i afroheshim Barit, aq më shumë re shfaqeshin. Një orë pas fluturimit, aeroplani u përfshi nga një stuhi bore me erëra të forta. Fillimisht humbëm komunikimin me bazën në Bari. Pilotët e ngjitën aeroplanin mbi re, por kur u ngritën në rreth 8000 feet, (gati 2500 metra mbi nivelin e detit), krahët e aeroplanit nisën të zinin akull, kështu që pilotët u detyruan të hynim midis reve, nga ku mundën të shihnim një vijë bregdetare; pilotët mendonin se mund të ishin duke fluturuar përgjatë bregut perëndimor të Italisë, porse nuk e patën kuptuar se po fluturonin përgjatë detit Adriatik. Pilotët u përpoqën të uleshin në një tokë që dukej si një aeroport i braktisur, por sapo u afruan dikush nisi të qëllonte drejt aeroplanit dhe pilotët u detyruan të ngriheshin menjëherë dhe përsëri drejt reve. Kjo ishte ndoshta pjesa më e frikshme – fluturimi nëpër një luginë ku majat e maleve ishin më të larta se retë. Kur dolëm nga retë, aeroplani ishte shumë afër një aeroplani luftarak gjerman dhe më pas edhe me një tjetër. Pilotët vazhdonin të bënin përpjekjet për të shmangur avionët e armikut, derisa aeroplani zhytet mes stuhisë së fortë, mbi detin Adriatik, busulla dhe komunikimi më radio pësojnë avari dhe nuk funksionin. 100 milje larg kursit, aeroplani kalon në brigjet e Shqipërisë dhe pikaset nga ushtarët gjermanë të cilët nisin ta qëllojnë me armët kundërajrore. Kështuqë aeroplani kalon 25 milje nëpër një kënetë në brendësi të tokës. ëillis Shumëay, 23 vjecar, komandanti i ekuipazhit, ishte i vetmi viktimë, me një dëmtim në gju që e la atë të paaftë për të ecur.

-Kush ju ndihmoi pas përplasjes?

Të 30 anëtarët e skuadrionit amerikan, ishim të frikësuar e të coroditur, dhe nuk e kishim idenë se ku ndodheshim. Nga frika e shpërthimit të karburantit, dolëm menjëherë nga aeroplani dhe befas hasim me një grup burrash me pamje të vrazhdë që kishin pushkë në sup dhe kama në brez. Ata ishin partizanët shqiptarë, anëtarë të grupeve të rezistencës (Luftës Nacional-Clirimtare) që luftonin kundër gjermanëve. Njëri prej tyre fliste pak anglisht. Emri i tij ishte Hasan Gina, që kishte dalë partizan dhe luftonte kundër pushtuesve gjermanë. Ai ishte edhe komandanti i cetës partizane. Ai u tha amerikanëve se ndodheshin në Shqipëri, 150 milje në lindje të Barit, në anën e gabuar të Adriatikut, të rrethuar nga forcat gjermane që kishin pushtuar Shqipërinë prej muajsh dhe gjendeshin gjithashtu në një luftë civile midis grupeve rivale; ballistë e partizanë. Amerikanët nuk dinin pothuajse asgjë për Shqipërinë, një vend i vogël, kryesisht mysliman, që kishte ndryshuar pak në shekuj. Terreni malor ishte tejet i thyer, i rrethuar nga fshatra të varfër. Nuk kishte hekurudha dhe pak rrugë. Mushkat dhe kuajt ishin transporti kryesor. Kishte pak ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike. Dimri ishte i egër, ushqimi ishte i pakët por ata dhe disa fshatarë shqiptarë të zonës së Belshit na ndihmuan së tepërmi. Gjatë javëve që pasuan, të udhëhequr nga partizanët, në u ngjitëm nëpër male dhe ecnim fshehur përgjatë luginave, ndonjëherë edhe uleshim për t’u clodhur. Disa herë ecnim të gjithë bashkë, por kishte raste që ndaheshim në grupe të vogla, për të shmangur patrullat gjermane, qëndronim jashtë në natyrë ose strehoheshim në shtëpitë e fshatrave që kalonim, duke ndarë bukën e misrit me fshatarët.

-Cili ka qenë shqetësimi tuaj më i madh kur ishit të bllokuar pas prapavijave të armikut?

Një nga shqetësimet tona më të mëdha ishte se ushtria amerikane, si dhe familjet tona, nuk e dinin se ku ishim. Ata as që e dinin që ishim në Shqipëri; ata nuk dinin asgjë për fatin dhe jetën tonë. Shqetësimi tjetër kryesor ishte se këpucët tona po grisëshin shpejt për shkak të terrenit malor, veçanërisht ato të infermiereve. Shpresonim të arrinim sa më shpejt në breg të detit, dhe e vetmja mënyrë ishte të ecnim sa më shumë. Të 30 –ët u klasifikuam të “zhdukur në mision” dhe autoritet dërguan teleegramet e ngushëllimit familjeve tona. Ndërkohë të mbijetuarit, mbartnin në një barelë të sajuar me ndenjëset e aeroplanit, rreshterin e plagosur që nuk mund të ecte, derisa më vonë fshatarët shqiptarë sollën një mushkë dhe e vendosëm aty. Pas pesë ditësh nëpër male dhe shtëpitë e fshatarëve arritëm në një qytet që kontrollohej nga partizanët të quajtur Berat, ku u brohoritëm nga vendasit se kujtuan se ishim anëtarë të ndonjë misioni aleat për të çliruar Shqipërinë. Aty u takuam edhe me drejtues të tjerë partizanë, dhe mësuam për një agjent britanik, i cili kohët e fundit kishte rënë me parashutë në vend. Aty ne qëndruan tre ditë, ditën e katërt u zgjuam nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i predhave të artilerisë, teksa forcat gjermane po hynin në qytet. Në konfuzionin që pasoi, avionët gjermanë goditën një kamion që transportonte disa nga në amerikanët në arrati. Tre infermiere u ndanë nga grupi kryesor dhe qëndruan në Berat; ato u strehuan në një shtëpi në një fermë dhe qëndruan të fshehur në atë zonë për katër muaj.

-Si kaloi grupi gjatë atyre muajve të vështirë?

Në pjesën më të madhe, ne shkuam shumë mirë, por kishte disa prej tyre që griceshin me njëri-tjetrin gabimisht. Kur jeni të uritur, të ftohtë dhe të lodhur, harroni pothuajse gjithçka tjetër dhe mendoni vetëm për të mbijetuar. ëatson, një nga infermieret, tha: “Çdo gjë që një mjek mund të bëjë, unë mund ta bëj”, dhe kjo është ajo që bëri pikërisht ajo. Më 27 nëntor 1943 inteligjenca britanike në Shqipëri mësoi nga partizanët se aeroplani amerikan 807 ishte rrëzuar dhe se infermieret, mjekët dhe ekuipazhi ishin gjallë, duke u përpjekur që të arrinin në breg të detit. Gjeneral Dëight D. Eisenhoëer, komandanti i Forcave Aleate në Europë, dhe vetë Presidenti Franklin D. Roosevelt u dhanë lajmin e mirë familjeve të të zhdukurve. Në dhjetor të po atij viti ‘43, u ndërrmor një plan tjetër amerikan shpëtimi, i udhëhequr nga një kapiten i ushtrisë, Lloyd G. Smith, 24 vjeç, i cili u caktua në Zyrën e Shërbimeve Strategjike, pararendëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. Nën mbulesën e errësirës, ​​ai rrëshqiti me varkë në bregdetin shqiptar që ruhej me forca të shumta ushtarake, dhe ngriti një kamp bazë në një shpellë në shkëmbinjtë me pamje nga Adriatiku. Të tjerë u bashkuan me të dhe ata u zhvendosën në brendësi të vendit për të na gjetur, ne amerikanët. Ndërkohë britanikët organizuan një përpjekje të dytë shpëtimi nën drejtimin e toger Gavan Duffy, një agjent sekret, i cili me një ekip të vogël kishte arritur në Shqipëri muaj më parë me parashutë dhe në këmbë. Nëpërmjet kontakteve partizane, ai i gjeti amerikanët në Shqipërinë lindore dhe nisi të na çonte drejt perëndimit, duke synuar të arrinte në bregdet. Por në gjysmë të rrugës, në Gjirokastër, trupat gjermane bllokuan rrugën dhe ne ishim të lodhur, të sëmurë dhe të rraskapitur për të vazhduar më tej. Ai kërkoi nëpërmjet radios për një shpëtim ajror amerikan. Dy aeroplanë mallrash C-47 fluturuan me shoqëruesë luftarakë, por gjermanët e pikasën dhe toger Duffy e anuloi uljen e avionit. Por ne e rifilluam udhëtimin dhe me ndihmën amerikane dhe britanike derisa arritëm në bregdet. Më 9 janar, pas një sprove 63-ditore, 27 amerikanët – 10 infermierë dhe 17 mjekë dhe ekuipazhi fluturues – hipën në një anije britanike dhe kaluan në Itali.Tre infermiere mbetën pas në Beratin e pushtuar nga gjermanët. Kapiteni Lloyd Smith i solli ata të sigurtë në mars të vitit 1944. Të hipur në mushka që ecnim në tufë në pjesën më të madhe të rrugës, arritëm në bregdet dhe u pritën nga një barkë me silur, e cila na çoi përtej Adriatikut.

-Pse ju ndaluan të tregonit për përvojën tuaj në Shqipëri, edhe pas përfundimit të luftës?

Kur u kthyem në bazat e Forcave Aleate, eprorët tanë ushtarakë nuk na lejuan t’i tregonim askujt se ku kishim qenë, kush na ndihmoi ose si shpëtuam. Madje as të mos diskutonin detajet e kësaj ngjarje me këdo, madje edhe me anëtarët e familjes. Konspiracioni ishte për të mbrojtur njerëzit që na kishin ndihmuar dhe shpëtuar jetën. Nëse ata do të kapeshin nga gjermanë, kishte të ngjarë që do t’i kishin vrarë. Edhe pas luftës me vendosjen e rregjimit komunist, ne ishim të shqetësuar se po të përmendnim emrat e atyre heronjve shqiptarëve që na shpëtuan jetën, ata do të vriteshin. Më vonë mësuam se njëri prej partizanëve që na ndihmoi e strehoi, Kostaq Stefa, u burgos menjëherë pas luftës dhe në fund u ekzekutua nga rregjimi komunist. Jam mëse i sigurtë se pa ndihmën e popullit shqiptar, ne nuk do të kishim mbijetuar atë dimër.

Pergatiti, dhe solli në shqip,

Raimonda Moisiu

Author/ Freelancer

Jacksonville, Florida USA

Filed Under: Interviste

Shpjegimet Neuroshkencore të bertimave dhe ulërimave në fushatat politike: Pasojat për funksionimin e trurit dhe ndikimin te votuesit

January 28, 2025 by s p

Fadil Tafil Çitaku, PhD 1, 2/

1. Academy of Leadership Sciences Switzerland, Zürich, Switzerland  

2. Instituti për Avancim Kombëtar, Prishtinë, Kosovë


Kontakti: fadil.citaku@alss-edu.ch

Abstrakt

Fushatat politike shpesh përfshijnë shfaqje të larta emocionale, duke përfshirë thirrje dhe ulërima nga kandidatët. Ky artikull eksploron implikimet neuroshkencore të një sjelljeje të tillë si për vetë kandidatët ashtu edhe për audiencat e tyre. Duke përdorur literaturë të rishikuar nga kolegët nga burime të besueshme, si PubMed dhe baza të tjera akademike të të dhënave, studimi identifikon rajonet e trurit dhe neurotransmetuesit e përfshirë në përpunimin e shprehjeve të larta vokale. Analizohen ndikimet negative të thirrjeve dhe ulërimave, duke përfshirë rritjen e përgjigjeve të stresit dhe manipulimin e vendimeve të votuesve. Një rishikim sistematik i literaturës u krye, duke përfshirë 15 burime literaturës, nga të cilat 9 plotësuan kriteret për përfshirje. Gjetjet tregojnë se thirrjet emocionale nëpërmjet ulërimave mund të shkaktojnë eufori, frikë dhe manipulim, me implikime të rëndësishme për proceset demokratike dhe shëndetin mendor publik.

Fjalë kyçe


Politikë, Neuroshkencë, Thirrje, Ulërima, Fushata, Manipulimi i Votuesve, Përgjigja ndaj Stresit, Shëndeti i Trurit

Problemi

Fushatat politike gjithnjë e më shumë mbështeten te shfaqje dramatike të emocioneve, duke përfshirë thirrje dhe ulërima, për të tërhequr audiencat dhe për të fituar mbështetjen e votuesve. Ndërsa një sjellje e tillë mund të jetë efektive në afat të shkurtër, implikimet afatgjata si për politikanët ashtu edhe për publikun mbeten të papërcaktuara. Thirrjet aktivizojnë rajone të veçanta të trurit dhe neurotransmetues, potencialisht duke çuar në stres kronik, çrregullim emocional dhe paragjykime njohëse te votuesit. Ky artikull heton këto fenomene për të përcaktuar se si thirrjet ndikojnë në proceset neurologjike dhe psikologjike dhe nëse ato minojnë integritetin e vendimmarrjes demokratike.

Pyetja e Kërkimit


Si ndikojnë thirrjet dhe ulërimat gjatë fushatave politike në rajonet e trurit, sistemet e neurotransmetuesve dhe sjelljen e votuesve, bazuar në prova neuroshkencore?

Metodologjia

Një rishikim sistematik i literaturës së rishikuar nga kolegët u krye duke përdorur PubMed, Scopus dhe Google Scholar. Termat e kërkimit përfshinin “shouting and brain”, “screaming in political campaigns”, “stress response to shouting”, “neurotransmitters and shouting”, dhe “political persuasion neuroscience”. Burimet e literaturës u përfshinë nëse ishin publikuar në revista me ndikim të lartë, të rishikuara nga kolegët dhe të fokusuara në efektet neurologjike dhe psikologjike të thirrjeve. Studimet me vlefshmëri ose besueshmëri të ulët, si ato pa rigorozitet statistikor ose kontrolle eksperimentale, u përjashtuan. Gjithsej 15 artikuj u identifikuan fillimisht, dhe 9 artikuj u përfshinë në analizën përfundimtare bazuar në kriteret e përfshirjes.

Rishikimi i Literaturës

Rishikimi i literaturës fokusohet në tre aspekte kryesore: rajonet e trurit të aktivizuara nga thirrjet, roli i neurotransmetuesve dhe efektet e manipulimit emocional në sjelljen e votuesve.

1. Rajonet e Trurit të Aktivizuara nga Thirrjet

  • Studimet tregojnë se thirrjet aktivizojnë amigdalan, një rajon përgjegjës për përpunimin e emocioneve si frika dhe zemërimi (LeDoux, 1996). Ekspozimi i zgjatur mund të çojë në hiperaktivitet në amigdala, duke rezultuar në përgjigje të shtuara stresi (Ullrich & Lutgendorf, 2002).
  • Korteksi prefrontal, i cili drejton vendimmarrjen racionale, shtypet gjatë episodeve të thirrjeve, duke dëmtuar arsyetimin njohës (Davidson et al., 2020).
  • Studime të tjera theksojnë rolin e korteksit dëgjimor në amplifikimin e sinjaleve të stresit kur ekspozohet ndaj tingujve të lartë, me ton të lartë (Uppenkamp, 2021).

2. Neurotransmetuesit dhe Thirrjet

  • Thirrjet shkaktojnë çlirimin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili mund të dëmtojë kujtesën dhe të nxënien kur është kronikisht i lartë (Sapolsky, 2004).
  • Vërehet gjithashtu çlirimi i dopaminës, duke çuar në eufori të përkohshme dhe angazhim emocional të shtuar, që mund të shfrytëzohet për të manipuluar sjelljen e votuesve (Kringelbach & Berridge, 2010).
  • Oksitocina, shpesh e lidhur me lidhjen sociale, mund të ndikohet gjithashtu, duke reduktuar besimin te figurat politike kundërshtare (Churchland, 2018).

3. Manipulimi Emocional dhe Sjellja e Votuesve

  • Apelimet emocionale, përfshirë thirrjet, shfrytëzojnë sistemin limbik të trurit, duke anashkaluar mendimin racional dhe duke nxitur vendimmarrje impulsive (Hassell et al., 2022).
  • Studimet tregojnë se ekspozimi i përsëritur ndaj thirrjeve rrit ndjeshmërinë ndaj mesazheve të bazuara në frikë, një taktikë e përdorur zakonisht në fushatat politike (Sullivan et al., 2010).

Rezultatet

Rishikimi sistematik zbulon një ndikim negativ të rëndësishëm të thirrjeve si në tru ashtu edhe në sjelljen e votuesve. Gjetjet kryesore përfshijnë:

  • Ekspozimi kronik ndaj thirrjeve rrit hiperaktivitetin e amigdales dhe nivelet e kortizolit, duke kontribuar në stresin dhe lodhjen emocionale të votuesve.
  • Rritjet e dopaminës të shkaktuara nga thirrjet mund të krijojnë eufori të përkohshme, duke çuar në vendimmarrje irracionale gjatë zgjedhjeve.
  • Manipulimi emocional përmes thirrjeve pakëson rolin e diskursit racional në proceset demokratike, duke minuar vendimmarrjen e informuar.

Diskutim

Thirrjet në fushatat politike, megjithëse efektive për të tërhequr vëmendjen, kanë efekte të thella neurologjike dhe psikologjike. Aktivizimi i amigdales dhe shtypja e korteksit prefrontal pengojnë vendimmarrjen racionale, duke bërë votuesit më të ndjeshëm ndaj apelimeve emocionale. Politikanët mund të shfrytëzojnë këto mekanizma për të manipuluar opinionin publik, duke ngritur shqetësime etike mbi integritetin e proceseve demokratike. Për më tepër, stresi kronik i shkaktuar nga thirrjet kontribuon në probleme afatgjata shëndetësore, si ankthi dhe depresioni, si për politikanët ashtu edhe për votuesit.

Përfundim dhe Këshilla Praktike

Për të zbutur efektet negative të thirrjeve dhe ulërimave në politikë, propozohen rekomandimet e mëposhtme:

  1. Nxitja e një diskursi të qetë dhe të respektueshëm në fushatat politike.
  2. Zbatimi i fushatave të ndërgjegjësimit publik për të edukuar votuesit mbi taktikat e manipulimit emocional.
  3. Promovimi i politikave që rregullojnë përdorimin e gjuhës me ngarkesë emocionale në reklamat politike.
  4. Sigurimi i trajnimeve për politikanët mbi strategjitë efektive të komunikimit që përparësojnë debatin racional mbi apelimet emocionale.
  5. Nxitja e një kulture të edukimit mediatik për të ndihmuar votuesit të vlerësojnë me kriticizëm mesazhet e fushatës.

Referencat

  1. Churchland, P. S. (2018). Braintrust: What neuroscience tells us about morality. Princeton University Press.
  2. Davidson, R. J., Putnam, K. M., & Larson, C. L. (2000). Dysfunction in the neural circuitry of emotion regulation–a possible prelude to violence. Science (New York, N.Y.), 289(5479), 591–594. https://doi.org/10.1126/science.289.5479.591
  3. Hassell, H. J. G., Johnston, C. D., Khan, J., & Cook, E. (2022). The nature and impact of emotional content in congressional candidate emails to supporters. Electoral Studies, 79, 102501. https://doi.org/10.1016/j.electstud.2022.102501
  4. Kringelbach, M. L., & Berridge, K. C. (2010). The Neuroscience of Happiness and Pleasure. Social research, 77(2), 659–678.
  5. LeDoux, J. E. (1996). The emotional brain: The mysterious underpinnings of emotional life. Simon & Schuster.
  6. Ullrich, P. M., & Lutgendorf, S. K. (2002). Journaling about stressful events: effects of cognitive processing and emotional expression. Annals of behavioral medicine : a publication of the Society of Behavioral Medicine, 24(3), 244–250. https://doi.org/10.1207/S15324796ABM2403_10
  7. Sapolsky, R. M. (2004). Why zebras don’t get ulcers: The acclaimed guide to stress, stress-related diseases, and coping (3rd ed.). Henry Holt and Company. https://books.google.ch/books/about/Why_Zebras_Don_t_Get_Ulcers.html?id=EI88oS_3fZEC&redir_esc=y
  8. Uppenkamp S. (2021). Functional neuroimaging in hearing research and audiology. Zeitschrift fur medizinische Physik, 31(3), 289–304. https://doi.org/10.1016/j.zemedi.2021.03.003.
  9. Sullivan, D., Landau, M. J., & Rothschild, Z. K. (2010). An existential function of enemyship: evidence that people attribute influence to personal and political enemies to compensate for threats to control. Journal of personality and social psychology, 98(3), 434–449. https://doi.org/10.1037/a0017457

Filed Under: Interviste

Me rastin e Inaugurimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump

January 21, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Foto: Reuters/

Inaugurimi i Presidentit Donald Trump më 20 janar 2025, në Capitol Hill, është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për SHBA, por edhe për shumë shtete, përfshirë Kosovën. Ky moment shënon kalimin e pushtetit dhe hap mundësi të reja për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për mbështetje në çështje të brendshme dhe të jashtme, përfshirë ato që prekin Kosovën. Ky shkrim analizon ndikimin e mundshëm të politikave të Trump në zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës.

Riti i Inaugurimit dhe Pritshmëritë për Administratën Trump

Inaugurimi është një moment simbolik dhe praktik, i cili përcakton drejtimet që do të marrë politika e jashtme dhe e brendshme e SHBA-së për katër vitet e ardhshme. Ky është një ngjarje ku Presidenti bën betimin dhe paraqet fjalimin e tij, ku zakonisht thekson qëllimet dhe prioritetet për mandatet e tij të ardhshëm. Pritshmëritë për administratën Trump në vitin 2025 janë që ai të vazhdojë me politikën “Amerika e Parë” (America First), e cila synon mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e pozicionit të SHBA-së në botë.

Fjalimi i Trump dhe Pritshmëritë për Kosovën

Një nga aspektet më të rëndësishme të administratës Trump për Kosovën ka qenë mbështetja për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet për të siguruar mbështetje për integrimin e saj në organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Evropian (BE). Po ashtu, Trump ka pasur një angazhim të vazhdueshëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces është prioritet dhe mund të theksohet në fjalimin e tij si një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Marrëdhëniet SHBA-Kosovë gjatë Administratës Trump

Mbështetje për Pavarësinë e Kosovës: Pavarësia e Kosovës ka qenë një çështje thelbësore për SHBA-të dhe është mbështetur fuqimisht nga administrata Trump, e cila ka inkurajuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe Roli i SHBA-së: Administrata Trump ka luajtur një rol aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, duke ndërmjetësuar marrëveshje ekonomike që kanë hapur mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal. Ky proces ka pasur ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ka krijuar mundësi për investime të huaja.

Marrëveshje të tjera dhe mbështetje për zhvillimin: SHBA ka ofruar mbështetje për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe ka kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës, duke përfshirë ndihmën për ndërtimin e rrugëve dhe projekte të tjera që ndihmojnë integrimin e Kosovës në rajon.

Diaspora Shqiptare dhe Roli i saj në Inaugurimin e 2025

Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në mbështetje të marrëdhënieve SHBA-Kosovë. Në vitet e kaluara, diaspora ka lobuar fuqishëm për njohjen e Kosovës dhe mbështetje për zhvillimin e saj. Pritet që, gjatë inaugurimit të Trump në 2025, diaspora shqiptare në SHBA të vazhdojë të shprehë mbështetje për administratën dhe të lobojë për politikat që ndihmojnë zhvillimin e Kosovës.

Inaugurimi i Donald Trump më 20 janar 2025 është një ngjarje që ka ndikim të thellë jo vetëm për SHBA, por edhe për Kosovën dhe rajonin. Politikat që administrata Trump do të zbatojë do të ndikojnë në marrëdhëniet bilaterale, forcimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të vendit. Ky moment historik është një mundësi për t’u angazhuar më tej në forcimin e institucioneve të Kosovës dhe promovimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtësisë për të ardhmen e vendit.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT