• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HERONJTË KANË VETËM DITËLINDJE

September 27, 2023 by s p

Mehmet Prishtina/

NË VEND TË URIMIT

PËR DITLINDJE

HASAN PRISHTINA

GJURMËVE TË HASAN PRISHTINËS

SI DO TË DUKEJ HASANIZMI NË PROJEKSIONET E PËRBASHKËTA TË RAMËS DHE KURTIT?

Shtresa jonë hasaniste, për të cilën fliste para disa viteve Demaçi, tani mund të fillojë të fuqizohet, sepse në Tiranë dhe Prishtinë janë dy qeveri legjitime të cilat kanë shanse që të ribëjnë unitetin kombëtar jo me fjalë boshe por me punë konkrete. Edi Rama dhe Albin Kurti kanë nevojë të jenë bashkë në projeksionet e tyre qeverisëse, jo pse me këtë do të fitojnë më shumë vota në kampet e tyre politike, por pse me këtë do t’iu japin shqiptarëve më shumë kredi morale e shpirtërore për një frymëmarrje që do t’ua pastronte mushkëritë nga pluhuri i keqkuptimeve e ngatërresave të kaluara.

Nëse ëndrra e dikurshme e shqiptarëve për të pasur një front të përbashkët që nuk do të ndaheshin sipas ideologjive dhe krahinave, është pikërisht tani momenti që kjo të bëhet realitet. Është pikërisht tani çasti që mbi llogoret e ndasive politike të ndërtohen ura për të kapërcyer në bregun tjetër të qëllimit sublim për një ardhmëri ndryshe ku fëmijët tanë më shumë do të jetojnë në kënaqësinë e punëve të bëra, se sa në iluzionet ëndrrave e parealizuara.

SHQIPËRIA DHE KOSOVA MUND TË ARTIKULOJNË HASANIZMIN ME KODE TË REJA

Nëse dikur Hasan Prishtina në kancelaritë e Evropës artikulonte fuqishëm idetë e një aspirate të përbashkët kombëtare të shqiptarëve të cilën po atakonin shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre evropianë, sot Shqipëria dhe Kosova mund të artikulojnë hasanizmin me kode të reja që i përshtaten rrethanave e konteksteve rajonale e ndërkombëtare. Një ndër ato kode do të ishte aspekti civilizues i bashkëpunimit rajonal ku Shqipëria dhe Kosova pa pasur nevojë të bëhen peng të politikave retrograde të shteteve fqinje, do të nxirrnin në sipërfaqe të gjitha ato energji kreative të cilat mund do të mund të institucionalizoheshin në Tiranë dhe në Prishtinë.

SI MUND TË NDIQET MODELI I HASAN PRISHTINËS NË FOLTOREN E PARLAMENTIT?

Shqiptarët kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentin osman dhe njëri nga deputetët që angazhohej më së shumti për çështjen shqiptare ishte Hasan Prishtina. Ai në fjalimet e tija në parlamentin osman gjithnjë fliste për mohimin e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria osmane. Madje në njërën nga seancat në parlament në fjalimin e tij, Hasan Prishtina kërcënoi se në rast të vazhdimit të politikës rrënuese në viset shqiptare, ai do të jetë njëri nga organizatorët dhe udhëheqësit e kryengritjes. Sepse siç tregonte edhe porosia e urtë filozofike që kishte dhënë Sami Frashëri, dy dhjetëvjeçarë më parë, se “fjalëve bajate u jep fund shpata”.

Kjo qasje e Hasan Prishtinës ndaj situatave të vështira në terren, sa mund të shërbejë si frymëzim për deputetët e tanishëm të Kosovës dhe Shqipërisë, duke zhveshur për një moment këmishën e pëkatësisë partiake e ideologjike dhe duke veshur atë të unitetit e veprimit të koordinuar.

HASAN PRISHTINA

RIGJENERUES I ARSIMIT SHQIP, KURSE SOT EMRI I TIJ DKUJT I PENGON?!

Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare veproi si atdhetar e ideolog i shquar. Roli dhe kontributi i tij u theksua edhe në fushën e zhvillimit të arsimit kombëtar gjatë periudhës sa ishte deputet në parlamentin osman (1908-1912). Ai bëri vazhdimisht përpjekje që të hapeshin shkolla në Shqipëri dhe në to të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe në mënyrë që nxënësit të edukoheshin e arsimoheshin në frymën kombëtare. Ai preferonte ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, Hasan Prishtina vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Dha kontribut të theksuar në hapjen e shkollave në Vilajetin e Kosovës, ndërsa në shkollën Normale të Elbasanit dërgoi djem nga vise të këtij Vilajeti, shkollimin e të cilëve e financoi me mjete të tij. Kontributi i Hasan Prishtinës në këtë aspekt është një tablo realiste e ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane.

Dikur Hasan Prishtina ishte rigjenerues i arsimit shqip, kurse sot emri i tij vëhet në pikëpyetje?!

SHTETËSIA E KËRCËNUAR E KOSOVËS DHE KUJTIMI PËR HASAN PRISHTINËN

Sa herë që të evokojmë jubiletë që ndërlidhen me veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës, do të duhej që këto evokime t’I shohim në foksuin e zhvillimeve aktuale. Sot kur Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, por edhe , kërcënuar nga jashtë, kujtimi për veprën patriotike të Hasan Prishtinës, nuk është kundërshtim i ndonjë figure tjetër historike,por ky kujtim na shërben si inspirim për të vazhduar rrugën e patriotëve të mëdhenj për ta mbrojtur Kosovën, nga kundërshtarët e brendshëm dhe nga armiqtë e jashtëm. Prandaj Forcimi i shtetësisë së Kosovës, ndërtimi i një shteti të drejtë e të barabartë nënkupton realizimin e idealeve të patriotëve e atdhetarëve që dhanë jetën për lirinë e popullit tonë, në mesin e të cilëve ishte edhe Hasan Prishtina.

DIPLOMACIA E HASAN PRISHTINËS

Fuqia diplomatike e Hasan Prishtinës ka qenë e veçantë. Ai ka jetuar në shumë vende të cilat anë atë kohë janë konsideruar si kryeqendrat më të zhvilluara ekonomike dhe kulturore. Është shkolluar në liceun francez në Selanik, ka mbaruar studimet për drejtësi në universitetin e Stambollit, dhe aty është edukuar për të administruar shtetin, por edhe si diplomat. Para se të kthehet në Kosovë, sidomos pas fjalimit të famshëm në Parlametnin Osman, dhe ta organizojë kryengritjen, Hasan Prishtina, ndalon në Selanik, Manastir në Sofje, në Shkup dhe komunikon me të gjitha përfaqësitë diplomatike të cilëve ju shpalos idenë e organizimit të një kryengritje. Ai ka komunikuar me të gjithë përfaqësitë diplomatike dhe e ka informuar opinionin e fuqive të mëdha se kryengritja është në prag dhe ai kërkonte mbështetje . Pra, lëvizja jonë kombëtare nuk do të mund të ketë jehonë në qarqet dhe kancelaritë diplomatike të Europës, nëse nuk ishte një tru, si Hasan Prishtina, që do të vinte në lëvizje gjithë mekanizmin e komunikimit dhe artikulimit diplomatik me shtetet që atëbotë kishin fuqi vendimarrëse edhe për vendet e vogla të Ballkanit.

ROLI I HASAN PRISHTINËS NË VENDIMARRJEN E PRESIDENTIT WOODROW WILSON MBI SHQIPTARËT

Presidenti Amerikan Wilson në vitin 1919, me ç’rast ai e mbrojti me shumë dinjitet parimin e vetëvendosjes së popujve, elaboruar në planin e tij 14 pikësh.

Po në atë vit, Hasan Prishtina u emërua në krye të delegacionit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris, në fokus të së cilit ishte kërkesa për bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar. Siç dihet Hasan Prishtinës dhe delegacionit që kryesonte ai, nuk iu lejua e drejta e fjalës në këtë Konferencë, por i dërgon letër prsidenti Wilson dhe atë që nuk mundi ta shpaloste Hasan Prishtina, e bëri politikani i madh amerikan Woodrow Wilson. Ai do të mbetet në histori si një zë i gjallë që i dha jehonë ideve të pashpaluara politike kombëtare të Hasan Prishtinës në një forum ndërkombëtar, siç ishte Konferenca e paqës në Paris.

Historia një ditë do ta dëshmojë me argumente se në këto vendime largapamëse të Presidentit Wilson sigurisht që kishte ndikuar edhe letra që atij i drejtohej nga Hasan Prishtina.

HASAN PRISHTINA – NJË KOLOS ME DY JUBILE!

Sivjet shënohen dy jubile për një personalitet të rëndësishëm – 150 vjetori i lindjes dhe 90 vjetori i vdekjes së Hasan Prishtinës.

Për të qenë sa më dinjitozë këta jubile, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi dhe Fondacioni “Hasan Prishtina”, kanë paraparë një sërë aktivitetesh tematike që lidhen me jetën dhe veprën e kolosit tonë kombëtar, Hasan Prishtina.

Me këtë rast do të organizohen tribuna, konferenca, ekspozita në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe në disa qendra të hapësirës shqiptare, ku studiues dhe krijues të ndryshëm, do të shpalosin dimensione të reja nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

HASAN PRISHTINA NË SHTYPIN E KOHËS

Veprimtaria patriotike e Hasan Prishtinës, ishte objekt shkrimesh të shumta të shkrimtarëve publiciustëve të Rilindjes sonë Kombëtare. Kështu, bie fjala, sipas poetit e gazetarit nga Reka, Josif Bageri, Hasan Prishtina, konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Kurse, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i qendrës kulturore shqiptare “Dija” në Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin “për shembull ndershmërinë e deputet të Hasan Prishtina, i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Gazeta e kohës “Ora e Shqipnisë” në Vjenë me 23 prill 1928 shkruan artikullin me titull: Kuburja e tiranvet e gjoksi i patriotvet!

“… kur Presidenti i soçem i Shqipërisë pinte salep ndër hallvaxhitë e Stambolles e turqit e ri nën maskën e reformave filluen me martirizuar popullin shqiptar me tepër se sulltani i vjetër, Hasan Prishtina, ishte i pari shqiptar që në parlamentin e Turqisë çoj zanin e tha: “Mekenëse terorizma vazhdon e se nuk u epen të drejtat politike shqiptarvet, unë kam me kenë i pari që kam me marrë në dorë flamurin e revoluconit kundër qeverisë së turqvet të rin”, shkruante gazeta “Ora e Shqipnisë”.

EDHE 145 VJET PAS LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT, SHQIPTARËT ENDE JANË NË KËRKIM TË NJË HASAN PRISHTINE TË DYTË

Karakteri dhe programi politik i Lidhjes së Prizrenit do të shërbejë për shumë dekada si udhërrëfyes i atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në grupime e orientime të ndryshme politike e ideologjike. E përbashkëta e këtij udhërrëfimi ishte vendosja e interesave kombëtare mbi ato partiake e ideologjike. Vendosja e Atdheut mbi çfarëdo lloj interesi personal, siç veproi edhe kolosi kombëtar Hasan Prishtina, i cili mbetet shembull unik në historinë politike shqiptare, me vetëflijimin e tij për interesin e përgjithshëm kombëtar, duke hequr dorë nga të mirat materiale e financiare që pati. Prandaj edhe 145 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët ende janë në kërkim të një Hasan Prishtine të dytë

Filed Under: Interviste

Presidentja Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin

September 25, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.

Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.

Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor.

Filed Under: Interviste

Kryeministri Kurti takoi kandidatë shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane në zgjedhjet federale të këtij viti

September 23, 2023 by s p

Pas takimit dypalësh me Presidentin e Zvicrës, Alain Berset, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mirëpritën në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Bern, kandidatët shqiptarë në zgjedhjet federale 2023.
Në një bashkëbisedim të hapur, kryeministri Kurti i përgëzoi ata për angazhimin e tyre publik e politik në Zvicër, duke e konsideruar atë si dëshmi të mirëintegrimit të shqiptarëve atje, por edhe si shumë të rëndësishëm për demokracinë.
Diskutuan për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe rolin e potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe mërgatës në fushën e ekonomisë, edukimit dhe shëndetësisë.

Kryeministri i njoftoi të pranishmit me disa prej zhvillimeve kryesore në vend dhe politikave prioritare të qeverisë, teksa nga kandidatët u njoftua më shumë për temat e tyre elektorale.

Ai i uroi të gjithë kandidatëve suksese në fushatën zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve. Në zgjedhje e 22 tetorit janë 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar. Ky është numri më i madh i kandidatëve shqiptarë në ndonjë palë zgjedhje.

Filed Under: Interviste

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Albin Kurti pas takimit të nivelit të lartë politik të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell

September 14, 2023 by s p

Bruksel, 14 shtator 2023/

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Ju faleminderit që na keni pritur, që t’ju drejtohemi lidhur me takimin e radhës së nivelit të lartë këtu në Bruksel, nën ndërmjetësimin, lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarit të tij special evropian, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim të nivelit të lartë, unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit, dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.

Këtë propozim, këtë sekuencë se si duhet të jenë hapat për të zbatuar Marrëveshjen Bazike, për të cilën jemi dakorduar, unë do të mund t’ua shpërndajë të gjithë juve në fund të kësaj konference për media.

Pala tjetër, pra presidenti i Serbisë, nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur një rezultat.

Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër.

Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin.

Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë.

Mua mu desh t’ju them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin Baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Nuk është marrëveshja e vitit 2013.

Qartë, Neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsej. Por nuk mundet nga Neni 10, nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar.

Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, Kryeministër i së cilës jam.

Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se gjashtë muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacioni e pastaj shohim gjithashtu e kemi tani në dorë e nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë.

Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta shihni që është kushtëzim, ndërkaq ne e kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.

Unë edhe një herë ju falënderoj të gjithëve për durimin dhe shpreh edhe një herë gatishmërinë time të plotë që secili nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh të Aneksit të zbatimit të Ohrit, jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatojmë një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht.

Filed Under: Interviste

FEMRA E SUKSESSHME SHQIPTARE SI MODEL I PËRKRYER PËRFAQËSIMI

September 8, 2023 by s p

Intervistë me futbollisten Riga Kallaba

Intervistoi: Mirela Kanini

KUSH ËSHTË RIGA KALLABA, A MUND TË NA THONI DIÇKA MBI VETEN TUAJ? 

Unë jam me origjinë nga Kosova, gjenerata e dytë lindur e rritur në Chicago. Jam 15 vjeç dhe në shkollë të mesme. Luaj futboll për skuadrën time ECNL club, the Illinois State Team, Midwest Regional Team, Semi Pro Team, dhe skuadrën kombëtare të Kosovës.

QË TË ARRINI ATY KU JENI SOT ME SIGURI KENI HASUR NË VËSHTIRËSI TË NDRYSHME. SI KA QËNË PËR JU RRUGA E SUKSESIT?

Unë përballem me sfida të ndryshme çdo ditë për të siguruar një të ardhme të suksesshme. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë dhe kanë punuar pa rreshtur për ti dhënë familjes sime shansin për një jetë më të mirë. Ata kanë theksuar gjithmonë rëndësinë e edukimit, shkollimit, shëndetit dhe vlerave morale për mua dhe motrat e mia. Kjo do të thotë që unë duhet të punoj shumë për të arritur objektivat e mia, ta shtyj veten time fizikisht dhe mentalisht edhe kur ndonjëherë ndihem e lodhur. Vendet e stërvitjes time janë larg dhe ky ushëtim është I lodhshëm. Një udhëtim I tillë i zakonshëm është 3-4 orë në ditë për një praktikë futbolli. Shpesh herë më duhet të mësoj dhe bëj detyrat për të nesërmen në makinë. Gjithashtu unë udhëtoj shpesh në qytete të ndryshme ose jashtë vendit për ndeshje. Ditët e mia janë shumë të ngjeshura dhe unë kam shumë pak kohë të lirë meqënëse pjesën më të madhe ma zë shkolla dhe futbolli. Shpesh herë unë nuk marr dot pjesë në evenimente sociale ashtu si gjithë shoqet e mia por e kuptoj që rrethanat e mia janë unike po ashtu dhe prioritetet. Unë e di që shkolla dhe dedikimi në futboll janë investim në të ardhmen time.

KUR MENDUAT QË KJO ËSHTË RRUGA QË DUHET TË NDIQNI?

Motrat e mia më të medha luajnë volejboll. E gjitha filloi kur familja ime udhëtonte për në Florida për të ndjekur motrat e mia që luanin për Nationals. Ne u futëm në një dyqan Nike për të blerë diçka dhe unë fillova të luaj me një top futbolli ndërkohë që prisja. Nuk desha të iki pa marrë topin dhe babai ma bleu atë, së bashku me mbrojtëset e këmbëve. Që atë ditë se kam hequr më këmbën nga topi.

A ISHTE E VËSHTIRË TË ARRIJE SUKSESIN NË AMERIKË?

Definitivisht është shumë e vështirë të ngjitësh shkallët e suksesit në një sport që luhet në të gjithë botën dhe ka aq shumë konkurencë, por unë punoj shumë dhe e shtyj çdo ditë veten time drejt suksesit. 

TASHMË QË JENI BËRË E SUKSESHME A E PYESNI NDONJËHERË VETEN “ SI ARRITA KËTU”?

Çelësi është të punosh shumë, sakrifica dhe disiplina. Unë gjithmonë i vendos objektiva vetes dhe jap 110% në gjithshka që bëj. Më e rëndësishme është familja ime dhe mbështetja që më kanë dhënë për të qënë aty ku jam sot. Ata kanë dedikuar kohën e tyre, energji dhe dashuri për të më ndihmuar mua të arrij objektivat e mia.

A KENI PASUR MOMENTE DOBËSIE KUR KE DASHUR TË TËRHIQESH?

Jo. Asnjëherë. As që e kam çuar kurrë ndërmend të tërhiqem. Unë jam rritur me mentalitetin që mund të arrij dhe realizoj gjithshka dua në jetë nëse punoj fort për të dhe nuk tërhiqem kurrë. Familja ime më ka rritur të jem e vendosur dhe konsistente sepse gjërat e mira në jetë nuk vijnë kollaj.

JU JENI TASHMË NJË FIGURË E NJOHUR PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR NGA TË GJITHA TREVAT. NE NDIHEMI SHUMË KRENARË PËR JU SEPSE NUK ËSHTË GJË E VOGËL TË LUASH ME EKIPIN KOMBËTAR TË KOSOVËS. PËR MË TEPËR NE JU KEMI KËTU NË CHICAGO. POR SI JU BËN KJO TË NDIHENI JU?

I vlerësoj pa masë fjalët tuaja të ngrohta dhe është nder dhe krenari për mua të përfaqësoj komunitetin shqiptar kudo nëpër botë. Fakti që e bëj komunitetin tim krenar më jep  një ndjesi të papërshkrueshme. Gjithashtu dhe fakti që unë jam e para futbolliste ( femra dhe meshkuj) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që luaj për kombëtaren e Kosovës është një nder i madh. Mbështetja që kam anembanë botës është një tjetër arësye që më motivon për të vazhduar. Unë jam krenare që jam shqiptare dhe do vazhdoj të përfaqësoj popullin tim dhe ta valvis sa më lart flamurin Kosovar.

KUSH JANË PLANET TUAJA PËR TË ARDHMEN?

Plani im kryesor është që në të ardhmen të jem versioni më i mirë i vetes nga ana akademike dhe atletike. Une dua të kem një shkollim superior dhe kam shumë shpresë për një karrierē të shkëlqyer sportive profesionale.

ÇFARË DO TI THONIT PËR TË INSPIRUAR DIKË QË ËSHTË DUKE NDJEKUR NJË RRUGË TË NGJASHME ME TUAJËN?

Ki besim në vetvete, puno fort, dhe përfito nga çdo oportunitet për të përmirësuar vetveten.

ÇFARË JU INSPIRON JU?

Janë disa faktorë që më inspirojnë mua. I pari është gjyshi im, Sevdai Thaqi, i cili ka bërë shumë për Kosovën dhe popullin tonë. Ai është gjithashtu një nga atletët më të mirë që kam njohur. Ai akoma është në gjendje të eci me duar që për një 78 vjeçar është e padëgjuar. Ai ja ka dedikuar jetēn e tij edukimit dhe pregatitjes së atletëve shqiptarë. Ai ka trajnuar gjithashtu nënën time që të bëhet skiatore profesionale dhe ajo ka fituar dy herë titullin kampione e Kosovës. Ata janë jo vetëm inspirimi im por unë jam krenare të eci në hapat e tyre që të vazhdoj të përfaqësoj Kosovën.

KUSH JANË HOBITË TUAJA?

Përveç futbollit më pelqen palestra, kërcimi, të këndoj, të gatuaj. Më pëlqen të jem aktive dhe të mësoj gjëra të reja.

NJË THËNIE QË JU PËLQEN DHE MOTIVON…

Don’t be afraid to give up the good to go for the great! ( Mos ki frike të lësh të ikë diçka e mirë për diçka të shkëlqyer).

Filed Under: Interviste Tagged With: Mirela Kanini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT